• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nobelistja Annie Ernaux dhe vitet «Super 8» në Shqipëri

October 14, 2022 by s p

Luan Rama/

Kamera « Super 8 », një kamera e vogël, thjesht për të regjistruar kujtime familjare, datëlindje, udhëtime. Ballë saj, ajo grua e zakonshme me fustane të gjata, përgjithësisht blu, me hijen e një Jean Moreau të ekraneve franceze, me nje vështrim kureshtar, meditativ, duke parë me kureshtje botën. E habitshme që pas gjysmë shekulli, ato filmime të harruara u shfaqën përsëri, madje për të realizuar një film, bashkë me djalin e saj, David. Eshtë nostalgjia si gjithnjë, kërkojmë nëpër ditaret e dikurshme, fotografitë, filmat kush ka mundur. Në moshën 82 vjeçare ajo vështron pas. I pëlqen kjo aromë nostalgjie. Ndoshta kërkon të përjetojë përsëri rininë e saj, dashuritë e fshehura, shkrimin klandestin. Shqipëria ishte pjesë e këtij udhëtimi që filloi në vitin 1972 dhe mbaroi në vitin 1980, ku ndër të tjera, bashkë me burrin e saj dhe dy fëmijët, do të udhëtojë drejt Kilit të presidentit Alende, fytyrës së re të socializmit jug-amerikan, pastaj në Spanjë, Portugali, në Shqipëri etj., e gjer në udhëtimin e fundit në vendin e Tolstoit e Dostojevskit, siç thotë ajo, në Sheshin e Kuq, ku përballë Kremlinit shohim kortezhin e gjatë të turistëve që shkojnë në rradhë për të parë mominë e Leninin në mazoleumin e tij. Annie Ernaux në këtë kohë sapo ka filluar të shkruajë, jo poezi por romane. Simone de Beauvoir, Virgjinia Wolf, Marguerite Yourcenar e Marguerite Duras, zonja të mëdha të letërsisë e kanë ngacmuar fantazinë e saj, dhe padyshim idhujt e saj Flobert, Proust, Gide, etj. Ajo kërkon shkrimin. Eshtë një kohë që për Ismail Kadarenë nuk ka dëgjuar gjë pasi dhe ai është në fillimin e romaneve të tij që më pas do të lenë gjurmë në letërsinë botërore. Viti 1968 i « revolucionit seksual e feminist » ka kaluar. Femra franceze dhe europiano-perëndimore është çliruar plotësisht. Kuptohet që ajo është e majtë, nga vetë origjina e saj popullore, por dhe burri i saj Philippe Ernaux që duket se ka një kureshtje për të majtën dhe ja pse udhëtimi i tyre shkon së pari drejt Kilit të Alendes. Nga xhirimet duket që burri i saj e ka në qendër të vëmendjes. Shprehje dashurie që vazhdon. Dhe ajo është një grua për tu dashuruar dhe që sapo është çliruar pas këtij revolucioni. Kameran “Super 8” nuk mund ta kishte kushdo. Por ai i kishte mundësitë. Ai filmon portretin e saj të heshtur. Rrallë mund ta shohësh duke qeshur veç kur është me familjen e saj. Eshtë një meditacion i gjatë, për veten dhe botën. Nga gjithë udhëtimet e tyre më i veçanti është ai i vitit 1975, drejt Shqipërisë, drejt atij vendi të mbyllur ku më parë shpesh turistët i kthenin në kufi, turistëve që vinin vetëm përmes shoqatave “mike”, marksist-leniniste. Një vend padyshim misterioz për Perëndimin dhe që vështirë ta vizitoje. Një grup turistësh francezë prej tetë personash zbresin në Rinas. Kësaj rradhe ajo është pa fëmijët. Por që në kontaktin e parë habia e tyre është e madhe. Kuadri i parë i filmuar është bulevardi i madh Dëshmorët e Kombit, nën një diell të zbehtë, ku duken tutje veç dy njerëz dhe një autobus i shplarë, me siguri i vendeve të Lindjes edhe pse Shqipëria i kishte kthyer shpinën “Kampit Socialist” duke rënë me dashuri me Kinën e Maos; ishte një autobus që dremiste në trotuarin buzë Hotel Dajtit. Pastaj ai filmon Annie-n, të vetme, me monumentin e ri të Skënderbeut në sfond. Monumenti i Stalinit nuk është më aty.

« U nisëm për një udhëtim jo të zakonshëm. Kush e njihte Shqipërinë me 500 vitet nën perandorinë osmane dhe që ishte zhytur në komunizëm ? Kush e njihte udhëheqësin e saj Enver Hoxha ? Nga gjithë vendet e Lindjes ishte ky vend që na shtynte drejt një « tropizmi » dhe na ofronte më shumë habi, mister e kureshtje për ta parë dhe nga ana tjetër një ndjesi neverie për regjimin. Burrat e grupit i detyruan të rregullojnë pantallonat e gjera, ti bëjnë si ato bluxhinset e punonjësve kinezë, të prisnin flokët e gjata. Ne femrave na u desh të vinim pantallonat nëpër valizhet dhe të vishnim fustanet. Na u desh të hiqnim shenjat e qytetërimit dekadent e borgjez. E kuptuam se s’mund të filmonim asgjë, veç me autorizimin e organizatorëve. Ne s’mund të lëviznim lirisht dhe të hynim në kontakt me shqiptarët. Një vajzë shqiptare që kishte qenë në Paris ishte tronditur kur kishte parë burra me flokë të gjata… »

Imazhet e filmit “Les années de Super 8” (Vitet e Super 😎 janë pa zë, ashtu siç janë filmuar gjysmë shekulli më parë, madje pa montazh, thjesht rradhitur, shoqëruar me zërin e saj monoton, që tregon qetësisht dhe pa as kurrfarë entusiazmi. Kontakti i tyre me kufirin shqiptar më kujtoi historinë e dy miqve të mi kineastë, francezët Jean Louis Berdot dhe Michel Faure që pikërisht në këtë kohë ishin shfaqur në Shqipëri, ashtu me flokë të gjata dhe që ishin detyruar të qetheshin atje me gërshërë të rastit që të mund të vazhdonin më tej. Filmi vazhdon : sheshe dhe rrugë pothuaj bosh ku rrjedh një jetë monotone ku jeta ishte e kushtëzuar nga ideologjia, kudo parrulla dhe pankarta të mëdha me shkrimet për Marksizëm-Leninizmin dhe Enver Hoxhën. Shkodër, Durrës, Gjirokastër, një fermë bujqësore që me sa duket është ajo e « Gjergj Dimitrov », një stallë lopësh, vreshta, fshatarë gjithnjë larg tyre dhe indiferentë. Ishin perëndimorë apo « dekadentë », një fjalë e re që ishte futur në fjalorin shqiptar !

« Në plazhin e mrekullueshem të Durrësit, – vazhdon zëri i Annie, duke treguar imazhet e filmuara, – grupit tonë prej tetë turistësh i kërkuan që të mos dilnin nga perimetri i caktuar i Hotel Adriatikut, i rezervuar vetëm për turistët. SIGURIMI, ekuivalent i KGB apo STASI përgjonte ngado. Të konsideruar si vektorë të kalbëzimit perëndimor, ishim të detyruar të qëndronim si në një kafaz. Në këtë vend real që kishim para nesh, ne nuk kishim asnjë akses. Shpesh imazhet më tregojnë disi të veçuar nga grupi, të heshtur. Unë nuk merrja pjesë në të gjitha eskursionet që organizoheshin, duke parapëlqyer të rrija në hotel, të shkruaja apo të lexoja të vetmin roman shqiptar të përkthyer në frëngjisht “Juga e bardhë” e shkrimtarit Jakov Xoxe. Ajo që do të ishte më prekëse dhe paradoksale njëkohësisht gjatë këtij udhëtimi ishte ajo çka na mbante larg Njeriut të Ri, siç thuhej. Imazhet përreth më çonin në vendet e mia të fëmijërisë sonë pa vetura. Njerëzit punonin në një peizazh që betoni ende nuk kishte mundur ta shpërfytyronte. Njerëzit ecnin në këmbë apo me biçikletat kineze. Këtu mes punonjësve s’mund të bëjmë asnjë pyetje. Kjo ishte e pamundur. Dëgjonim gjithnjë të njëjtat fjalime ku kritikohej revizionizmi i Titos, regjimi i Moskës dhe dekadenca perëndimore. Këtu lëvdohen të mirat e Revolucionit Kulturor të kopjuar nga ai i Maos. Gjithë këtë ata e quanin Revolucionarizim.”

Po, vetëm plazhi i Durrësit ka gjallëri. Vende për ne të njohura. « Hekurudha » me pistën përpara, futur në det dhe mijra njerëz shtrirë mbi rërë. Vajza të bukura dhe një diell i zbehtë. Hotel Adriatiku… Plazhistët shëtisin buzë detit, në perëndim. Kur ne guxonim të flisnim me një të huaj, pasi largoheshim, menjëherë të shfaqej një civil dhe një seri pyetjesh të binin si breshër : « Kush ishte ? Çfarë të tha ? Përse të pyeste ? Çfarë kërkonte ? A të foli për jetën ne Perëndim ?… » Për ne ishte thjesht një lloj përshëndetje, një takim i shkurtër njerëzor që zgjaste veçse disa minuta. Shpesh, nga larg, ata na buzëqeshnin. Kishin dëshirë të na dëgjonin, tu tregonim për jetën tonë. Por tashmë barriera ishte e madhe dhe e rrezikshme. Ishte bota tjetër, e huaj, e degjeneruar edhe pse ndjesheshim aq të afërt!…

“Midis dëshmive të qytetërimit të vjetër, – vazhdon Annie, ku kamera ka filmuar ikona mesjetare, me sa duket ato të Onufrit si dhe gërmimet arkeologjike, – dhe një propagande vulgare kishte një kontrast dhe papajtueshmëri vlerash që ishte shqetësuese, çka përbënte në thelb dhe një lloj identiteti të Shqipërisë. Nuk mund ta imagjinonim që 20 vjet më pas nga gjithë monumentet e ngritura për lavdinë e regjimit stalinisto-maoist nuk mbeti më asgjë. Vetëm dëshmitë arkeologjike do të mbeteshin para syve tanë si dëshmi të një qytetërimi të para 2000 vjetëve, i cili nuk mund të dilte jashtë kohe.”

Kalaja e Krujës, male, gjurmë historie. Dhe kontrasti padyshim është befasues me ideologjinë zyrtare. Revolucioni kulturor i kishte flakur tej kishat e xhamitë dhe Shqipëria i ishte shfaqur botës si vendi i vetëm ateist në botë.

“Ne nuk pamë asgjë në Shqiërinë e vitit 1975, as ata që ikën nga këto plazhe të Adriatikut. Sot ky vend është bërë një nga vendet e para turistike të Ballkanit, ndërkohë që duke filluar nga vitet 1989, njerëzit nuk pushojnë së ikuri. Janë emigrantë të hedhur nga një cep në cepin tjetër të Europës, tërhequr ndoshta nga imazhi i lumturisë që ne, aq të distancuar siç ishim në atë kohë nga ta, ndoshta u dhamë dëshirën që të largoheshin…”

Konstatimi i saj është i dhimbshëm edhe pse 30 vjet kanë kaluar nga ndryshimet politike në Shqipëri. Do ishte interesant që kjo nobeliste të ftohej të rishihte Shqipërinë e vitit 2023. Çdo të na thoshte atëherë ajo?…

Filed Under: LETERSI

Fjalë e re për trashëgiminë tonë të moçme

October 13, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Libri “Trashëgimia kulturore e Sharrit“ (Dragashit) e intelektualit dhe studiuesit dr. sc. Muharrem Qafleshit dhe bashkautorit Valent Qafleshi, konceptohet si një punim kompleks etnografik me vlera të larta shkencore, me përmasa dhe hapësira shumëdimensionale, të përfshira në pesë kapituj, me 221 faqe; me materiale mjaft të zgjedhura dhe me interes, të studiuara dhe të përpunuara me kujdes të veçantë dhe të shkruara me vërtetësi reale, historike e kulturore; në të cilën përmblidhet një gamë e gjerë dhe mjaft e larmishme e së kaluarës dhe së përditshmes të dokeve dhe zakoneve të trevës së Opojës dhe Gorës, që kërkohen dhe janë të nevojshme të mos zveniten dhe që e kaluara e të parëve tanë, të mos vihet në harresë, andaj rinia dhe brezi ynë i ri, duhet të njihet, të mësojnë e përvetësojnë mënyrën e jetesës së baballarëve tanë, për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të tyre në punë dhe në veprimtari.

Ndërsa, vlera e vetë autorëve Muharrem Qafleshi e Valent Qafleshi duhet çmuar dhe admiruar me korrektësi dhe me modesti, përpara këtij punimi, me tematikë të shumëllojshme, të trashëgimisë shpirtërore, natyrore, materiale si dhe ushqimet dhe gatesat tradicionale opojane e gorane.

Po ashtu edhe resurset zhvillimore të turizmit të këtyre anëve me bukuri të rralla natyrore nga autori janë shtjelluar me mjeshtëri të rrallë e profesionale.

Filed Under: LETERSI

Nobelistja franceze Annie Ernaux në Nju Jork

October 12, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Autorja franceze Annie Ernaux (Ani Erno) e cila është laureatja në letërsi për vitin 2022 u takua me shumë admiruesë amerikanë dhe francezë në librarinë Albertine Books në lagjen verilindore të Nju Jorkut të hënën në mbrëmje. Në mjediset e librarisë gjendet koleksioni më i madh i librave franceze dhe përkthimeve nga frëngjishtja në anglisht. Albertine njihet si qendër kulturore e intelektualëve franko-amerikane. Biletat për të hyrë në sallën e leximit, e cila ndodhet në katin e dytë ku janë edhe ambientet e Zyrës Kulturore të Ambasadës Franceze, ishin shitur kohë përpara se të shpalleshin fituesit e Nobelit të këtij viti. Por të hënën radha e njerëzve zgjatej rreth e qark ndërtesës së Ambasadës ndërsa qindra të tjerë e ndiqnin takimin në katin e parë me anë të transmetimit me video.

Shumë nga librat e saj tashmë janë shitur dhe nuk gjenden më në raftet e librarive kurse ata që duan t’i porositin me postë duhet të presin një muaj a më shumë për tituj të caktuar. Në përmbledhjen e botuar nga Dielli në datën 7 tetor, lexuesi u njoftua se Akademia Mbretërore e Suedisë i dha çmimin Annie Ernaux (Erno) “për krijimtarinë 40-vjeçare të pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën, e karakterizuar nga dallimet e thella në sferën e gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe saktësinë klinike përmes të cilave zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. https://gazetadielli.com/the-nobel-goes-to/

Nëpërmjet përkthyesit, Erno foli gjerësisht për karrierën e saj dhe procesin krijues. Duke nisur që nga fëmijëria saj në Normandi, librat ishin për të njësoj si ushqimi por ajo ishte e ndjeshme ndaj asaj që thuhej edhe nuk thuhej në to. “Veprat jane qëmtime të mendjes sime,” thotë ajo. Tema e takimit të së hënës në Nju Jork ishte “Arti i të shkruarit për jetën”. Autorja 82 vjeçare foli për veten në raportin e ndërlikuar midis përjetimit të mendimeve të saj, origjinës dhe domethënies se tyre dhe materializimit të tyre në fjalë të shprehura në tekst, që arrijnë të transmetojnë një përjetim të njohur te lexuesi. “Letërsia mu paraqit si e vetmja rrugë për të arritur atë që unë e quaj e vërteta ose realiteti. Me anë të saj gjërat qartësohen por jo në formë të thjeshtë, përkundrazi,” shtoi Erno, “të shkruarit i bën gjërat më të komplikuara. Në një mënyrë mund të thuhet se nëse për diçka nuk është shkruar atëherë ajo nuk ekziston.”

Në veprat e saj Erno përdor gjuhë të kursyer dhe fjali të shkurtëra por gjatë diskutimit të mbrëmshëm ajo fliste me pasion dhe elokuence të mrekullueshme. “Nuk kam pasur asnjëherë synim të shkruaj një libër të bukur dhe as të jem pjesë e letërsisë boterore,” tha Nobelistja e gjinisë letrare për vitin 2022. Libri Ndodhia (Happening), ku autorja jep kronikën e një dështimi të paligjshëm në vitin 1963, u kthye në skenar të një filmi francez me të njëjtin titull vitin e kaluar. E pyetur se përse ju kthye kësaj teme, Erno tha se e ndjente se aty kishte diçka më shumë për tu zbuluar dhe se vetëm narracioni e mundëson një vështrim më të thellë. Në takimin me admiruesit e shumtë të saj në Nju Jork, Erno ishte e shoqëruar nga autorët Garth Greenwell dhe Rachel Kushner.

Ani Erno është autore e më shumë se 30 veprave të përkthyera në shumë gjuhë. Disa prej tyre janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Në përmbledhjen tonë të fituesve të Nobel-it të shpallur nga Akademia, në kategorinë e letërsisë ju sollëm reagimin e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili është propozuar disa herë për të njëjtin çmim. Ai dhe e shoqja thanë në mediat shqiptare se Erno nuk njihet nga publiku shqiptar dhe as nga ai botëror. Dhe shtuan se Kadareja ka dyzet vjet që pret ‘në listat e fundit’ për të marrë çmimin Nobel.https://gazetadielli.com/the-nobel-goes-to/ Ja si shkruan revista javore New Yorker për këtë pikë “Lajmi për çmimin Nobel në letërsi i ndau lexuesit amatorë në dy kampe: ata që nuk e kishin dëgjuar kurrë më parë emrin e saj dhe ata që e kishin pak të dëgjuar.” Ndërsa bota e letërsisë dhe artit, midis tyre edhe filozofi dhe sociologu francez Didier Eribon, e uroi Nobelisten duke shprehur admirim për veprën e saj. Në veçanti, Akademia suedeze e quan atë një hallkë lidhëse midis traditës së romanit francez të stilit të Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) dhe një gjurmimi të ri që shkon në një drejtim tjetër. Erno thotë se është “etnologe e vetvetes” dhe jo shkrimtare. Për nga fryma feministe, ajo është krahasuar me autoren amerikane, të ndjerën Joan Didion.

A woman Story është libri i fundit i propozuar për çmimin “Los Angeles Times Book Prize”. Novelat A man’s Place, Simple Passion, A woman Story janë vlerësuar nga New York Times dhe kritikët. Erno vjen në letërsi si lauretja e parë e cila identifikohet para së gjithash si autore autobiografike në kuptimin bashkëkohor të fjalës, pra që shkruan për jetën ashtu si e përjeton atë. Revista kulturore javore New Yorker shkruan se dhënia e çmimit Nobel një autoreje të fokusuar në fakte jetësore do të thotë se kemi arritur në momentin kur librat e kujtimeve janë vendosur në rangun e parë të zhanreve të kohës sonë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

ÇMIMI “NOBEL” PËR LETËRSI  – LAUREATËT 

October 10, 2022 by s p

Çmimi “Nobel” për letërsi ndahet vit për viti. Laureati mund të jetë nga cilido vend i botës i cili ka shkruar “vepër të jashtëzakonshme me synime idealiste”. Çmimi mund t’i jepet laureatit vetëm për një vepër të tij, por edhe për edhe për opusin jetësor të tij. Se kujt do t’i jepet çmimi, për këtë vendos Akademia Suedeze. Është e mundur që çmimi edhe të mos ndahet.     

Shënim: Akademinë Suedeze e ka themeluar në vitin 1786 mbreti i Suedisë Gustavi III. Është kopjuar mënyra e punës e Akademisë Franceze, e cila ka qenë e para akademi e themeluar në botë. Akademia Suedeze ka 18 anëtarë. Motoja e akademisë është “Talent dhe shije”.  

Laureatët e çmimit “Nobel” prej viti 1901 deri më sot

Më 1901 – Laureati i parë i çmimit „Nobel“ për letërsi është poeti dhe eseisti francez Syli Prydom (Sully Prudhomme, emri i vërtetë Rene François Armand Prudhomme, 1839-1907), Francë; 

Më 1902 – historiani dhe eseisti gjerman Teodor Momzen (Theodor Mommsen, 1817-1903), Gjermani; 

Më 1903 – prozatori, dramaturgu dhe poeti norvegjez Bjornstjern Martinius Bjornson (Bjørnstjerne Bjørnson, 1832-1910), Norvegji; 

Më 1904 – poeti dhe tregimtari provansal, Fredrik Mistral (Frédéric Mistral, 1830-1914), Francë, (ka shkruar në gjuhën oksitane); 

Më 1904 – dramaturgu spanjoll Hose Ečegarai i Eisagirre (José Echegaray y Eizaguirre, 1832-1916), Spanjë; 

Më 1905 – romancieri, novelisti dhe publicisti polak Henrik Shenkieviç (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916), Poloni; 

Më 1906 – poeti italian Xhozue Karduççi (Giosuè Carducci, 1835-1907), Itali; 

Më 1907 – prozatori dhe poeti anglez Radjard Kipling (Rudyard Kipling; Bombei, Indi, 1865 – Londër, 1936); u shkollua në Angli; më 1882 u kthye në Indi ku jetoi deri në vitin 1889; Mbretëri e Bashkuar; 

Më 1908 – filozofi gjerman Rudolf Euken (Rudolf Eucken, 1846-1926); iu dha çmimi “Nobel” për letërsi, edhe pse ka botuar vetëm shkrime filozofike; Gjermnai; 

Më 1909** – prozatorja suedeze Selma Lagerlov (Selma Lagerlöf), Suedi; 

Më 1910 – novelisti gjerman Paul fon Haize (Paul von Heyse, 1830-1914), Gjermani; 

Më 1911 – dramaturgu, poeti dhe eseisti belg i shprehjes gjuhësore franceze Moris Meterlenk (Maurice Maeterlinck, 1862-1949), Belgjikë (ka shkruar në gjuhën frënge); 

Më 1912 – dramaturgu dhe tregimtari gjerman Gerhart Hauptman (Gerhart Hauptmann, 1862-1946), Gjermani; 

Më 1913 – poeti, prozatori dhe dramaturgu indian i shprehjes gjuhësore bengale Rabindranat Tagor (Rabindranth Tagore / Thakur; Kalkutë, 1861 – Kalkutë, 1941),  ka shkruar në gjuhën bengale; Indi; 

Më 1914X – çmimi “Nobel” nuk është ndarë; 

Më 1915 – romancieri, dramaturgu dhe eseisti francez Romen Rolan (Romain Rolland, 1866-1944), Francë; 

Më 1916 – poeti suedez Verner fon Heidenstam (Verner von Heidenstam, 1859-1940), Suedi; 

Më 1917* – poeti dhe tregimtari danez Karl Adolf Gelerup (Karl Adolph Gjellerup, 1857-1919), Danimarkë; 

Më 1917* – shkrimtari danez Henrik Pontopidan (Henrik Pontoppidan, 1857-1943), Danimarkë (dy laureatë në të njëjtin vit); 

Më 1918X – çmimi “Nobel” nuk është ndarë; 

Më 1919 – poeti dhe tregimtari zviceran Karl Spiteler (Carl Spitteler 1845-1924); u bë ateist;  Zvicër (ka shkruar në gjuhën gjermane); 

Më 1920 – shkrimtari norvegjez i një familjeje fshatare Knut Hamsun (Knut Hamsun, mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952), Norvegji; 

Më 1921 – romancieri dhe tregimtari francez Anatol Frans (Anatole France, emri i vërtetë Anatole-François Thibaukt, 1844-1924), Francë; 

Më 1922 – dramaturgu spanjoll Hasinto Benavente i Martines (Jacinto Benavente y Martínez, 1866-1954), Spanjë; 

Më 1923 – poeti dhe dramaturgu irlandez Uilljam Batler Jeitz (William Butler Yeats, 1865-1939); vdiq në Francë; Irlandë (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1924 – romancieri dhe novelisti polak Vladislaf Rejmont (Wladyslaw Reymont, 1867-1925), Poloni; 

Më 1925 – dramaturgu irlandez Xhorxh Bernard Sho (George Bernard Shaw, 1856-1950), Irlandë (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1926** – prozatorja italiane, pa shkollim të rregullt, Gracia Deledda (Gracia Deledda, 1871-1936); rrjedh nga një familje e kamur pronar tokash; Itali; 

Më 1927 – filozofi dhe shkrimtari francez Anri Lui Bergson (Henri Louis Bergson, 1859-1941), Francë; 

Më 1928** – shkrimtarja norvegjeze Sigrid Unset (Sigrid Undset, 1882-1949), Norvegji; 

Më 1929 – prozatori gjerman Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955), Gjermani; 

Më 1930 – romancieri amerikan Sinkler Luis (Sinclair Lewis; Sauk Center/Minnesota, 188 5- Romë, 1951), ShBA; 

Më 1931 – poeti suedez Erik Aksel Karlfelt (Erik Axel Karlfeldt, 1864-1931), Suedi; 

Më 1932 – prozatori dhe dramaturgu anglez Xhon Golsuorthi (John Galsworthy, pseudonimi John Sinjohn; 1867-1933), Mbretëri e Bashkuar;    

Më 1933 – tregimtari dhe poeti rus Ivan Aleksejeviç Bunjin (Voronjezh, 1870 – Paris, 1953); në vitin 1920 emigroi në Francë; BRSS/Federata Ruse (në egzil, ka shkruar në gjuhën ruse);

Më 1934 – dramaturgu dhe tregimtari italian Luixhi Pirandello (Luigi Pirandello, 1867-1936), Itali; 

Më 1935* – çmimi “Nobel” nuk është ndarë; 

Më 1936 – dramaturgu amerikan Juxhin Ounil (Eugene O’Neill, 1888-1953), ShBA; 

Më 1937 – romancieri dhe tregimtari francez Rozhe Marten dy Gar (Roger Martin du Gard, 1881-1958), Francë; 

Më 1938** – shkrimtarja prozatorja amerikane Perl Bak (Pearl Buck, mbiemri i vërtetë Sydenstricker, 1892-1973); pseudonimi John Sedges; u rrit në Kinë, ku prindërit i qenë misionarë; studioi në ShBA dhe u kthye në Kinë; prej vitit 1935 jetoi në Amerikë; ShBA; 

Më 1939 – prozatori finlandez Frans Emil Sillanpa (Frans Emil Sillanpää, 1888-1964), Finlandë; 

Në vitet 1940-1943* – çmimi “Nobel” nuk është ndarë; 

Më 1944 – shkrimtari danez Juhanes Vilhelm Jensen (Johannes Vilhelm Jensen, 1873-1950), pas studimeve të mjekësisë, nisi të merret me letërsi; Danimarkë; 

Më 1945** – poetja kiliane Gabriela Mistral (Gabriela Mistral, emri i vërtetë Lucia Godoy Alcayaga; Vicuna, 1889 – Hempstead/Nju-Jork, 1957); mësuese në moshën 15-vjeçare; Kili (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 1946 – tregimtari dhe liriku gjerman Herman Hes (Hermann Hesse, pseudonimi Emil Sinclair, 1877-1962); vjen nga një familje misionare evangjelistë; Prej viti 1911 jeton në Zvicër; Gjermani – Zvicër (ka shkruar në gjuhën gjermane); 

Më 1947 – romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), Francë; 

Më 1948 – poeti, kritiku dhe dramaturgu anglo-amerikan, i shkolluar në Harvard, në Sorbonë dhe në Oksford Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965), ShBA-Mbretëri e Bashkuar; 

Më 1949 – prozatori amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner, mbiemri i vërtetë Falkner; New Albany/Mississipi, 1897 – Oxford/ Mississipi, 1962), ShBA; 

Më 1950 – prozatori dhe filozofi anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russell, 1872-1970); kreu matematikën dhe filozofinë në Universitetin e Kembrixhit, ku ishte profesor deri në vitin 1916; e dëbuan që andej për shkak të agjitacionit kundër luftës; më 1944 e përsëri rikthyen; Mbretëri e Bashkuar; 

Më 1951 – prozatori, poeti dhe dramaturgu suedez Paer Lagerkvist (Per Lagerkvist, 1891-1974), Suedi; 

Më 1952 – romancieri, dramaturgu dhe poeti francez Fransua Moriak (François Mauriac, 1885-1970), Francë; 

Më 1953 – burrështetasi dhe shkrimtari anglez Uinston Çërçill (Winston Churchill, 1874-1965 ), Mbretëri e Bashkuar; 

Më 1954 – prozatori amerikan Ernest Heminguej (Ernest Hemingway, 1899-1961), ShBA; 

Më 1955 – romancieri islandez Haldor Kiljan Laksnes (Halldór Kiljan Llaxness, emri i vërtetë Halldór Gudjonsson, 1902-1998), Islandë (ka shkruar në gjuhën islandeze); 

Më 1956 – poeti spanjoll Huan Ramon Himenez (Juan Ramón Jiménez, 1881-1958), Spanjë; 

Më 1957 – romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960), Francë; 

Më 1958 – poeti dhe prozatori rus Boris Leonidoviç Pasternak, (1890-1960); pas fushatës kundër tij në BRSS, nuk shkoi për ta marrë çmimin; pas shumë vitesh shkoi dhe ia mori i biri;  BRSS/Federata Ruse; 

Më 1959 – poeti italian Salvatore Kuazimodo (Salvatore Qusimodo, 1901-1968), Itali; 

Më 1960 – poeti francez Sen-Xhon Pers (Saint-John Perse, emri i vërtetë Alexis Léger, 1887-1975); Francë; lindi dhe u rrit në ishullin e Karaibeve Guadeloupe;  

Më 1961 – shkrimtari serb Ivo Andriq (Ivo Andrić, 1892-1975); ka shkruar në gjuhën serbe, që atëherë quhej serbokroatisht; RSF e Jugosllavisë; 

Më 1962 – romancieri amerikan Xhon Shtajnbek (John Steinbeck, 1902-1968), ShBA; 

Më 1963 – poeti grek Jorgos Seferis (Giorgos Sepheres/Seferiadis; Izmir, 1900 – Athinë, 1971),  Greqi;

Më 1964Y – romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980),  Francë (e refuzoi çmimin “Nobel”); 

Më 1965 – novelisti dhe romancieri rus Mihail Shollohov (Mihail Aleksandrovič Šolohov, 1905-1984), autodidakt me prejardhje kozake; BRSS/Federata Ruse; 

Më 1966* – shkrimtari izraelit Shmuel Josef Agnon (1888-1970); u shkollua në mënyrë jashtë-institucionale; Izrael (ka shkruar në gjuhën hebraike dhe në jidish); dhe  

Më 1966*(**) – poetja e shprehjes gjuhësore gjermane Neli Zaks (Nelly Sachs; Berlin, 1891 – Stokholm, 1970), Gjermani-Suedi (ka shkruar në gjuhën gjermane); dy laureatë në të njëjtin vit;

Më 1967 – prozatori dhe poeti guatemalas Miguel Ángel Asturias (Guatemala de la Asunción, 1899 – Madrid, 1974), Guatemalë (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 1968 – prozatori japonez Jasunari Kavabata (Yasunari Kawabata, 1899-1972); iu bashkua lëvizjes letrare të neosenzualizmit që i kundërvihej realizmit; Japoni; 

Më 1969 – romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes gjuhësore frënge, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989); Irlandë (ka shkruar anglisht dhe frëngjisht); Një kohë, Beketi ka qenë sekretar i prozatorit dhe poetit irlandez Xheimz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941); Irlandë – Francë; 

Më 1970 – prozatori rus Aleksandër Solzhenjicin (Aleksandr Isajevič Solženjicin, 1918-2008), BRSS/Federata Ruse; 

Më 1971 – poeti kilian Pablo Neruda, emri i vërtetë Neftali Ricardo Reyes Basoalto, 1904-1973), Kili (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 1972 – tregimtari gjerman, njëri prej pjesëtarëve më të shquar të “Grupit 47”, Hajnrih Bël (Heinrich Böll, 1917-1985); Gjermani; 

Më 1973 – romancieri australian Patrik Vait (Patrick White, 1912-1990); Australi (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1974* – prozatori suedez Eivind Junson (Eyvind Johnson, 1900-1976), Suedi; dhe 

Më 1974* – poeti dhe prozatori suedez Hari Edmund Martinson (Harry Edmund Martinson, 1904-1978), Suedi; (dy laureatë në të njëjtin vit); 

Më 1975 – poeti italian Euxhenio Montale (Eugenio Montale, 1896-1981); i filloi studimet e letërsisë, por nuk i kreu; Itali; 

Më 1976 – prozatori amerikan, bir i emigrantit çifut të ardhur nga Rusia në Kanada, Sol Bellou (Saul Bellow, 1915-2005); Kanada – ShBA (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1977 – poeti spanjoll Visente Aleiksandre (Vicente Aleixandre, 1898-1984); Spanjë;

Më 1978 – prozatori çifut Isak Jiçok Bashevis Zinger (Isaac Jichok Bashevis Singer; Radzymin/Poloni, 1904 – Miami/ShBA, 1991), Poloni-ShBA (ka shkruar në gjuhën jidish–hebraisht); 

Më 1979 – poeti grek Odiseas Elitis (Odysseas Elytes, 1911-1996); Greqi; studioi drejtësinë në Athinë, ndërsa letërsinë në Sorbonë; 

Më 1980 – poeti, prozatori dhe eseisti polak Çesllaf Millosh (Czeslaw Milosz, 1911 -2004), Poloni-ShBA (ka shkruar në gjuhën polake); 

Më 1981 – tregimtari, dramaturgu dhe eseisti me prejardhje nga Bullgaria, Elias Kaneti (Elias Canetti, 1905-1994); çifut sefard me shtetësi britanike; Bullgari-Austri (ka shkruar në gjuhën gjermane); 

Më 1982 – prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1928-2014), Kolumbi (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 1983 – romancieri anglez Uiljam Gollding (William Golding, 1911-1993),  Mbretëri e Bashkuar; 

Më 1984 – poeti çek Jaroslav Sajfert (Jaroslav Seifert,1901-1986), Çekosllovaki/Çeki; 

Më 1985 – romancieri francez, studioi në Paris, Oksford dhe Kembrixh, Klod Simon (Claude Simon; Tananarive, Madagaskar, 1913-2005), Francë; 

Më 1986 – dramaturgu, poeti dhe prozatori nigerian Uol Sojinka (Wole Soyinka, emri i plotë Akinvande Oluwole Babatunde Soyinka; 1934-); Nigeri (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1987 – poeti, dramaturgu dhe eseisti rus Josif Brodski (Josif/Joseph Aleksandrovič Brodsky; Leningrad, 1940 – Nju-Jork, 1996), BRSS/Federata Ruse-ShBA (ka shkruar rusisht dhe anglisht); 

Më 1988 – prozatori egjiptian Nagib Mahfuz (emri i plotë Naguip Mahfouz Abdul Aziz Ibrahim Ahmed Pasha; 1911-2006), Egjipt (ka shkruar arabisht);

Më 1989 – prozatori spanjoll Kamilo Hose Sela (Camilo José Cela, 1916-2002), Spanjë;

Më 1990 – poeti dhe eseisti meksikan Oktavio Paz (Octavio Paz, 1914-1998), Meksikë (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 1991** – prozatorja jug-afrikane me prejardhje hebraike, nga nëna angleze, Neidin Gordimër (Nadine Gordimer, 1923-2014), Republika e Afrikës së Jugut (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1992 – shkrimtari nga ishulli i Karaibeve, Shën-Lucia (Sain Lucia), Derek Alton Volkot (Derek Alton Walcott; lindi në Castries, Saint Lucia, më 1930 dhe vdiq në Cape Estate, Saint Lucia më 2017); Mbretëri e Bashkuar (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1993** – prozatorja amerikane Toni Morison (Toni Morrison, emri i vërtetë Chloe Anthony Wofford, 1931-2019), ShBA; 

Më 1994 – prozatori japonez Kenzaburo Oe (1935- ), Japoni; 

Më 1995 – poeti irlandez Sheimës Hini (Seamus Justin Heaney Mria, 1939-2013), Irlandë (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 1996** – poetja dhe eseistja polake Vislava Shimborska (Wislawa Szymborska, 1923-2012), Poloni; 

Më 1997 – dramaturgu italian Dario Fo (1926-2016), Itali, në vitet 1943-1945 ka qenë vullnetar në Republikën e Musolinit – Salo, te liqeni Garda; 

Më 1998 – romancieri portugez, jo shumë i shkolluar, Jose Saramago (José Saramago, 1922-2010), Portugali; 

Më 1999 – romancieri, dramaturgu dhe poeti gjerman Gynter Gras (Günter Grass, 1927-2015), Gjermani; 

Më 2000 – shkrimtari kinez, tajvanez, francez i natyralizuar, Gao Xingjian (1940- ), Kinë-Francë (ka shkruar në gjuhën kineze); 

Më 2001 – prozatori anglez që vjen prej Karaibeve, me prejardhje indiane Vidiadhar Suraxhprasad Naipaul (Vidiadhar Surajprasad Naipaul; lindi në Trinidad dhe Tobago, 1932 – vdiq në Londër, 2018), Trinidad dhe Tobago-Mbretëri e Bashkuar (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 2002 – shkrimtari hungarez Imre Kertes (Imre Kertész, 1929-2016), Hungari; 

Më 2003 – shkrimtari jug-afrikan me prejardhje nga emigrantë holandezë, Xhozef Majkëll Kuci (Joseph Michael Coetzee, 1940- ), Republika e Afrikës së Jugut – Australi (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 2004** – prozatorja dhe dramaturgia austriake Elfriede Jelinek (1946-), Austri (ka shkruar gjermanisht); 

Më 2005 – dramaturgu anglez, nga babai çifut, Harold Pinter, pseudonimi David Baron (1930-2008), Mbretëri e Bashkuar; 

Më 2006 – shkrimtari turk Orhan Pamuk (1952- ), Turqi; 

Më 2007** – prozatorja angleze Doris Lesing (Doris Lessing, e lindur si Doris May Tayler; pseudonimi Jane Somers; lindi në Kermanshah, Iran, më 1919; vdiq në Londër në vitin 2013; si fëmijë, nga Persia e atëhershme u shpërngul për në Rodezi (Zimbabve); u shkollua deri në moshën 15-vjeçare; më 1937 (apo më 1939) u martua me Frank Charles Wisdom me të cilin lindi dy fëmijë; më 1949 u nda nga burri dhe e la familjen; u shoqërua me komunistët; më 1943 u martua me veprimtarin politik gjerman Gottfried Anton Nicolai Lessing, nga i cili u nda më 1949; po këtë vit u vendos në Londër; është prozatore e Mbretërisë së Bashkuar (ka shkruar në gjuhën angleze); 

Më 2008 – romancieri, tregimtari dhe eseisti francez Zhan-Mari Gystav Lë Klezio (Jean-Marie Gustave Le Clézio, 1940- ), Francë; 

Më 2009** – poetja dhe eseistja gjermane Herta Myler (Herta Müller; Nitchidorf, Rumani, 1953 -), Gjermani; 

Më 2010 – tregimtari dhe eseisti peruan Mario Vargas Llosa (1936- ), u martua me emtën e shkurorëzuar; mori pjesë në qerthujt e marksistëve; më vonë u martua me të mbesën Patricia; pas procesit të H. Padilit, u nda nga opsioni politik kubanez; kah fundi i viteve ’50 të shekullit XX, jeton në Madrid, Paris dhe Londër; më 1993 mori shtetësinë e Spanjës; përfaqësues “i realizmit të ri’; një prej nismëtarëve të boom-it latino-amerikan; Peru (ka shkruar në gjuhën spanjolle); 

Më 2011 – poeti suedez Tomas Transtromer (Tomas Tranströmer, 1931-2015), Suedi;

Më 2012 – shkrimtari kinez Mo Jan (emri i vërtetë Guan Moye, si krijues njihet me emrin Mo Yan, 1955- ), Kinë; 

Më 2013** – prozatorja kanadeze Aelis Manrou (Alice Ann Munro, 1931-), Kanada (shkruan në gjuhën angleze); 

Më 2014 – romancieri francez, bir i aktores flamane dhe i çifutit italo-egjiptian, Patrik Modiano (Patrick Modiano, 1945-); pasi e kreu gjimnazin, shkollimin e mëtejmë nuk e vazhdoi; Francë; 

Më 2015** – gazetarja hulumtuese, eseistja dhe historiania bjelloruse Svetllana Aleksieviç (Svetlana Aleksijevič; lindi në Stanislav/Ivano-Frankivisk, Ukrainë, 1948 -); Bjellorusi (veprat letrare i shkroi në gjuhën ruse);  

Më 2016 – poeti dhe kantautori amerikan Bob Dilën (Bob Dylan, emri i vërtetë Robert Allen Zimmerman, 1941 -), ShBA; 

Më 2017 – prozatori anglez me prejardhje japoneze, Kazuo Ishiguro (Nagasaki, 1954-); prej vitit 1960 jeton në Angli; Mbretëri e Bashkuar (shkruan në gjuhën angleze); 

Më 2018** – shkrimtarja polake, veprimtare dhe intelektuale e angazhuar, Olga Tokarçuk (Olga Tokarczuk, 1962 -) (çmimi u nda në vitin 2019), Poloni; 

Më 2019 – prozatori, dramaturgu dhe poeti austriak, i cili ka edhe prejardhje sllovene, Peter Handke (1942 -); në vitin 1966 tërhoqi vëmendjen e publikut letrar ndërkombëtar me paraqitjen e në tubimin e grupit letrar gjerman – “Grupi 47” të mbajtur në ShBA, me ç’rast  kritikoi në mënyrë radikale letërsinë bashkëkohore, të cilën e cilësoi si “impotente gjatë pasqyrimit të realitetit”; ishte kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999 ndaj forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe; mbështeti politikën e Sllobodan Millosheviqit; Austri (shkruan në gjuhën gjermane); 

Më 2020** – poetja dhe eseistja amerikane Luiza Elizabet Glyk (Louise Elisabeth Glück, 1943-),  ShBA; 

Më 2021 – shkrimtari britanik, i lindur si tanzanian, Abdulrazak Gurnah (lindi në Sulltanatin e Zanzibarit më 1948 -), Tanzani-Mbretëri e Bashkuar (shkruan në gjuhën angleze); 

Më 2022** – prozatorja franceze Ani Erno (Annie Ernaux, 1940-), Francë. 

*   *   *

Shënim:

– Simboli yll (*) tregon se çmimi „Nobel“ në të njëjtin vit u është ndarë dy laureatëve. Kjo ka ndodhur në vitet 1917, 1966 dhe 1974;

– Simboli dy yje (**) tregon se laureati është femër. Që nga viti 1901 e deri në vitin 2022, laureatë të çmimit “Nobel” kanë qenë 17 femra;

– Simboli iks (X) tregon se në vitet 1914, 1918, 1935 dhe 1940-1943, çmimi “Nobel” nuk është ndarë;

– Simboli ipsilon (Y) tregon se laureati e ka refuzuar çmimin “Nobel”. Kjo ka ndodhur në vitin 1964; 

– Në vitin 1958, për shkak të kritikave të ashpra nga autoritetet bolshevike, laureati sovjetik/rus Boris Pasternak, nuk ka shkuar ta marrë çmimin;

– Në vitin 1908, çmimi “Nobel” për letërsi i është dhënë filozofit gjerman Rudolf Euken (Rudolf Eucken), edhe pse s’ka botuar shkrime letrare, por vetëm shkrime filozofike;      

Xhelal Zejneli 

Filed Under: LETERSI

NOBELISTJA FRANCEZE ANI ERNO (ANNIE ERNAUX), një grua e cila për turpin shkruan pa kurrfarë turpi

October 7, 2022 by s p

Credit: Leonardo Cendamo/Hulton Archive/Getty Images

Xhelal Zejneli/

“Çdo gjë që kam shkruar vjen nga jeta ime personale, nga ajo që kam parë, që kam përjetuar, nga ajo që ende jam duke përjetuar; në këtë vështrim, burimi dhe tematika e letërsisë sime është autobiografike” – Annie Ernaux

Laureate e çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2022 është shkrimtarja franceze Ani Erno (Annie Ernaux). Ajo është femra e shtatëmbëdhjetë që shpërblehet me këtë çmim prestigjioz. Kombi shqiptar priste me ankth që çmimi i sivjetmë t’i jepej Ismail Kadaresë, të përkthyer në 56 gjuhë të botës. 

Akademia Mbretërore e Suedisë ia dha çmimin Erno-së (Ernaux) “për veprimtarinë 40-vjeçare të pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën që e karakterizojnë dallimet e mëdha në pikëpamje të gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. 

Vetëm disa minuta para shpalljes së lajmit, juria e Oslos kishte tentuar ta merrte në lidhje telefonike shkrimtaren, por ajo nuk ishte lajmëruar. Supozohet se lajmin e ka marrë prej mediumeve.  

Ani Erno (Annie Ernaux) ka lindur në Lillebonne, qytet i vogël në Normandi të Francës, më 1 shtator të vitit 1940. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat në Normandi. 

Vjen nga një familje e shtresës punëtore. Prindërit e saj kishin një tregtizë artikujsh ushqimorë. Studioi në Universitetin e Bordosë. Ka kryer dy fakultete – në Universitetin e Ruanit (Rouen) dhe në Universitetin e Bordosë (Bordeaux). Para se të bëhej shkrimtare, ishte profesoreshë e letërsisë.  

Fillimet letrare të saj kanë qenë modeste por ambicioze. Që në shkrimet e para iu qas studimit të jetës, të përcaktuar prej dallimeve të mëdha midis gjinisë, gjuhës dhe klasës sociale.   

  Krijimtarinë letrare e filloi herët si një projekt kujtimesh, me qëllim që t’i zgjerojë  kufijtë e letërsisë jashtë fiksionit.

Ani Erno (Annie Ernaux) ka shkruar mbi 30 vepra. Krijimet e saj janë vepra autobiografike të cilat janë të lidhura ngushtë me sociologjinë.

Ajo e rindërton të kaluarën duke u bazuar në traditën e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (Á la recherche du temps perdu, 1913-1927), por ajo e shpie gjurmimin në një drejtim krejt tjetër. E quan veten “etnologe e vetvetes” dhe jo shkrimtar të fiksionit.

Në vitin 1974, si një profesoreshë e re e letërsisë, zgjoi kërshëri me veprën e parë Ormanët e zbrazët” (Les Armoires vides, 1974). Me këtë roman autobiografik, e filloi edhe karrierën e vet letrare. Me një stil të zhveshur që nuk bredh nëpër meandrat (dredhat) e përsiatjeve psikologjike dhe filozofike, nuk jep sqarime për veprimet apo për sjelljet, por vetëm i konstaton faktet. Këtu nisi të hulumtojë prejardhjen normandike të vet.   

Nisi të çajë udhë me romanin “Vendi” (La Place, 1983). Këtu i rendit ngjarjet banale nga jeta e të atit, i cili ishte një tregtar i imët që kërkonte një copë vend nën diell. Përshkruan raportin e saj me të atin dhe jetën e vet në një qytet të vogël të Francës. Me këtë vepër Erno (Ernaux) e filloi ciklin autobiografik tipik. Fantazitë e veta i kthen në vepra autobiografike. 

I jepet shpërblimi “Renodo”.  

Të ëmës ia përkushtoi romanet “Një grua” (Une femme, 1987) dhe “S’kam dalë nga  nata ime” (Je ne suis pas sortie de ma nuit, 1996). Në këto dy vepra flet pothuajse në mënyrë klinike për rrënimin e qenies si dhe për sëmundjen që e bën të duket më pak se një kafshë. 

Në romanin “Pasioni i zakonshëm” (Passion simple, 1991), shprehjes gjuhësore qëllimisht të varfër, ia shton edhe përmbajtjen s pastruar, që ka të bëjë me vuajtjen e femrës e cila e pret burrin që dashuron. 

Në romanin “Turpi” (La Honte, 1996) me prosedenë e rëndomtë të stilit të një vëzhguesi të ftohtë, flet për një ngjarje traumatike nga koha e fëmijërisë. 

Edhe në veprat “Një grua” (Une femme) dhe “Turpi” (La Honte) analizon turpin dhe rrënjët e tij në shoqëri.

Vend të posaçëm në opusin e saj zë rrëfimi për vajzën 23-vjeçare, narratore, e cila në vitet ’60 (të shekullit XX), tenton të abortojë, në Francë, ku një gjë e tillë ishte e ndaluar. Është fjala për romanin “Ngjarja” (L’Événement) të botuar në vitin 2000. 

Projekti më ambicioz i saj është romani “Vitet” (Les Années, 2008). Është quajtur “biografi e parë kolektive”. Kjo i solli një sërë shpërblimesh, popullaritet botëror dhe një numër të madh ndjekësish.

Në vitin 2016 botoi veprën “Kujtime të një vajze” (Mémoire de fille). Këtu përshkruan edhe përvojën e vet të humbjes së virgjërisë, por duke paraqitur kontrastin e figurës që e ka për veten si një grua e re në fund të vitit 1950. Përshkruan edhe reaksionin për veprimet e veta si dhe bashkësinë e cila në më pas e flakë.       

Librin më të ri “Djaloshi i ri” (Le jeune homme) e botoi sivjet.    

Tema kryesore të saj janë turpi, përbuzja, xhelozia, paaftësia për të parë se kush jemi në të vërtetë. 

Erno (Ernaux) i përket rrymës së shprehjes letrare minimaliste në romanin bashkëkohor francez dhe grupit të shkrimtarëve të cilët për nga tematika janë të lidhur ngushtë me autobiografinë, ndërsa aktit të të shkruarit i japin një domethënie terapeutike.

“Kur isha fëmijë, i konsideroja luks gëzofët, fustanet e gjata dhe vilat në bregdet. Më vonë erdha në përfundim se luks është të bësh jetën e një intelektuali. Por tani e shoh se luks është edhe mundësia e shfaqjes së pasioneve ndaj një mashkulli apo ndaj një femre”  – përfundon vepra “Vetëm pasion”.

Ani Erno (Annie Ernaux) është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Disa vepra të saj janë botuar edhe në gjuhën shqipe.        

*   *   *

“A woman story“, “A man’s place“, “Simple passion“  u vlerësuan nga New York Times si vepra të mëdha. “A woman story“ është libri i fundit i nominuar për çmimin “Los Angeles Times  Book Prize”.

Në vitin 2018 ajo u shpërblye me çmimin “Premio Hemingwey”, ndërsa në vitin 2019 u nominua për “Booker Prize”. 

Sipas romanit “Ngjarja” (L’Événement) të prozatores franceze Ani Erno (Annie Ernaux), nën regjinë e regjisores dhe skenaristes franceze me prejardhje libaneze Odri Divan (Audrey Diwan, 1980 -), u xhirua filmi që merret me dështimin (abortin). Në Festivalin e 78-të të filmit në Venecie, vitin 2021 filmi i sipërthënë u vlerësua me çmimin më të lartë “Luani i Artë”. 

Xhelal Zejneli

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • 131
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT