• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndjesi mbi vëllimin poetik të Visar Zhitit – “Hedh një kafkë tek këmbët tuaja”

August 21, 2022 by s p

Dr. Iris Halili

Ky vëllim poetik ka qënë botuar andej nga fillimi i viteve ’90. Kurrë më parë nuk kisha lexuar një poezi që të kishte në të njëjtën masë sa dhimbje aq edhe dëshirë për jetën, sa pak liri dhe sa shumë optimizëm! Mes shënimeve dhe eseve të shkruara ndër vite gjeta këto rreshta të hedhura. Sot atyre nuk mund t’u heq asgjë. Zhiti mbetet sërisht sa tragjik, aq edhe madhështor në fatin e tij .

“Do të vij

Do të vij

Me një kafkë të tmerrshme ..”

Përshtjellim, përzierje, neveri. Asgjë me tepër , në përfytyrimin e një dite që po lind dhe ty të detyrojnë ta shtypësh me këmbë, sikur shtyp një kacabu. Atje është tragjizmi. Atje është ironia tragjike. Njëkohësisht ti shtyp një çast që të afron me tepër drejt vdekjes dhe para teje “buzëqesh humnera”. Ty të kanë lidhur, të kanë qethur, të kanë rrjepur shpirtin dhe të duhet të mbushësh këtë katraurë të nayrës , simbol i vemies dhe i vakumit. Në këtë ecje pa rrugë, ndeshesh me tundimin e lashtë sa njerzimi “Një kokërr mollë’ .Por edhe kjo ngjasje i humb ngjyrat e reales dhe merr dimensionin e errësirës. Errësira të gjitha ngjyrave u jep të zezën. E kuqja bëhet vetvetitu e zezë. Por shija e asaj kokrre molle nuk mund të humbasë. Ajo krijon dhe rikrijon imazhe irreale të një përjetimi magjik , ndonëse xhamat janë zëvendësuar nga llamarinat dhe sytë e shokëve janë venitur. Makthi ironik bëhet i thjeshtë. Ti nuk mund të shikosh, apo më saktë ti nuk ke të drejtë të shikosh. Edhe gjëja më e pavlerë e galaktikës ka të drejtë të shikoj, ndërsa ti jo!! “Një pellg i ndyrë shikon në sytë e mi”. Një shi i imët si venat e gjakut (që s’di në kanë mbetur të tilla ) bie mbi ballin tënd dhe shton rrudhat. Natyrshëm diku ai fshin një parrullë..

Ky njeri çdo mbrëmje lufton me obsesionin e vetvrasjes. Ka diçka të tmershme që e shtyn drejt saj, humbja e gjithckaje, sikur ka diçka të mahnitshme që e armiqëson me të, shpresa.

Po çtë jetë ky njeri? Është ai që vuan por sërisht shkruan poezi. Atij i heqin lirinë, që ka filluar më një qethje që e bën njeriun të harroje se ka flokë. I mbyllin veshët, që të mos dëgjojë. I mbyllin gojën që të mos flasë, të mos puth. Duan t’i lidhin dhe shpirtin , por ai nuk lidhet, pasi të gjitha shqisat janë atje. Atje është realja e kthyer në irreale. Atje mbetet ekzistenca.

Ky njeri i drejtohej njeriut dhe kuptonte se edhe kafshët e kishin të vështirë ti bënin vizitë mbikafshës – njeriut. Njeriut që shkatërroi njeriun. Njëriut që hapi kaq e kaq burgje kundra fjalës së lirë. Njeriut që masakroi shpirtra e më pas pyeti: “Cfarë është shpirti?”. Njeriut që në fjalore shkruajti vetëm “ferrin” Njeriut që mashtroi, zhgënjeu, braktisi dashurinë. Atij njeriu që u xhelozua për disa qënie që ushqeheshin me racion qesharak buke, vetëm se ato dinin të dashuronin edhe pse binin në shtrat të gjithë me imazhin e të njëjtës grua, që kishte format e hënës dhe embëlsinë e ndjenjës. Ajo ishte kujtesa e dashurisë së shkuar. Ajo ishte vigjilja e dashurisë së ardhme. Ata ishin të gjithë të dashuruar me dashurinë, sikur ishin të dashuruar me lirinë. Është vetë fati i njeriut të dashurohet me atë që i mungon. Ky ishte njeriu i “ Atdheut te çmendur”. Ti merr kafkën e këtij njeriu dhe e shfaq para nesh. As tragjedië më të tmershme nuk kishin kaq shumë gjak, skelete, varre, mizori sa në 160 -faqe poezi dhimbjeje. Ajo kohë pakësoi njerzit dhe shtoi kafkat.

Ti mban në duar një kafkë. Të jetë dyzimi yt? Mos është rreth i ferrit?Mos është çmeduria e Atdheut tim, e Atdheut tënd? Çfarë do të jetë ajo kafkë u takon atyre që stë kuptuan dhe stë kuptojnë. Atyre që heshtën para fjalës dhe e luftuan atë. Ashtu i palirë ti sërisht jetoje më shumë se njerzit që ishin jashtë mureve ku të kishin mbyllur…

E megjithëse kafkë, sërisht ajo që mban në duar ka një masë që ndjen .. dhe kjo është koha:

“Do të vij,

I butë si zjarri, I egër si zjarri,

I ngrohtë si zjarri

I marrë si zjarri dhe i mëncur si zjarri

Tek ty do të vdes , si zjarri që s’vdes”

Se kështu vijnë poetët apo sikur njihen me një fjalë tjetër profetët!

“Kudo ku kam shkuar kam gjetur poetët të kenë qënë përpara meje”, Z. Freud.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Iris Halili

Çerçizi…

August 18, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Në hyrjen para pallatit, gjysmëhotel ku banoj u përballa me një çift të moshuarish dhe disa fëmijë të vegjël. Një thes i madh me patate, një tjetër me perime, nja dhjetë shalqinjë, një qyp me ullinjë, një kuti metalike me djathë, katër pula  lidhur nga këmbët, dy lepuj në një kafaz me rrjetë teli dhe ca trasta kishin zënë sheshin para ashensorit. Mbi gjithë këtë bagazh qëniesh të gjalla, sendesh e ushqimesh vigjëlonte një qen stani, që kruhej gjithandej nga pleshtat që gëlonin mbi qimet e tij, më hodhi një vështrim armiqësor dhe hungëriti, duke nxjerrë ca dhëmbë të mëdhenjë, që të kallnin datën. Pas një ore në ballkonin një kat më poshtë dëgjova ca zhurma jo të zakonta. Në kafazin prej teli pulat po çukisnin të zilepsura ca kokrra misri. Lepujt të sistemuar te kafazi i tyre, mbi pulat përtypnin lakra. Qeni, lidhur me zinxhir në krahun tjetër, po hante në një tas alumini një lloj qulli që nuk dallohej mirë. –Epo,- thashë me vete, – kaq ishte kjo punë. Nga mesi i natës qeni filloi të lehte aq fort sa mund ta dëgjonin dhe qentë e fshatit nga kishte ardhur. Iu përgjigjën me të lehura një lukuni qensh endacakë, që po kalonin aty pranë. Koncerti vazhdoi gjatë dhe hera-herës dëgjohej zëri i përgjumur i të zotit: – Pusho Murrooo, hyyy të çaftë ujku! A të helmoftë ajo që di unë, dëgjove?- Aty nga ora katër e mëngjesit, kur nata fillon e davaritet e ia lëshon vendin ditës, Murrua, pushoi së lehuri dhe zëri i njeriut  nuk u dëgjua më. Mendova se mund të duroja  bashkë me banorët e pallatit, koncertin e Murros, që iu shtua kakarisja e pulave, era e padurueshme e urinës së lepujve dhe glasave të pulave. Nja dy ankesa që bënë banorët në polici për prishje qetësie nuk bënë punë. Madje polici që erdhi për verifikim doli i njohur me Çeçon, mori një bidon raki dhe u zhduk. Në det Çeçua nuk ishte larë ndonjëhere por as kishte ndërmend. E shoqja nuk dilte nga shtëpia,  vajzat e vogla luanin gjithë ditën me ashensorin e ulërinin nëpër shkallët e pallatit. Nga dita e pestë dikush më kap për krahu, aty qe qoshja e pallatitit : – Jam Çeçua, turisti poshtë teje. Më uli me forcë në karrige, ndërsa i bënte me shenjë kamerierit, që solli dy gota bosh. Çeçua vinte i shkurtër, në mish të vet, veshur me një këmishë plot lule të verdha e palma jeshile, në gishta kishte dy unaza, në kokën mbuluar me kapele republike dilnin tufa flokësh si tel i sertë, të paqethura prej muajsh, pantallonat e modës, shumë të ngushta te kërcinjtë e shkurtër e të harkuar sa mund të kalonte lirisht topi i futbollit. Në këmbë kishte veshur atlete të shtrenjta, të kuqe. – Të njoh unë ty se kam pasur një keçe kur jeshe mësues. Jam na Matohysenaj. Tërvit më dërgoi djali paratë për pushime po unë me to bleva një lopë barsë. Sivjet më tha shko në filan vend se të kam paguar hotelin për dhjetë ditë. Mos më shiko ashtu, se rrobat më vijnë nga Anglia mua, mi dërgon djali. 

 –Si shumë “municion” kishe me vete,- e ndërpreva. -Po ja a derëzi, gjuna të blej zarzavatet e bulmetin, i kemi të gjitha në fshat. Kam marrë me vete fëmijët e vajzave, po ndonjë koqeve të freskët e duan ato? I dëgjon në mëngjes kur kakarisën pulat? Kënaqet njeriu! Lepujt, njerin e therra, tjetrin më vonë se ka lezet mishi i freskët. Murron e kam qënin e shtëpisë nuk mund ta lija. Ndërkaq nxori nga xhepi një shishe raki dhe më mbushi gotën. – Pije e kam bërë vetë. Do të të bije një bidon? Do ta jap lirë: tetëmijë lekë bidoni. Po ke dhe ndonjë shok që do…. Aty nga mesdita u ktheva nga plazhi. Një çift të moshuarish italjan që banon në pallat prej kohësh po mbanin një qenush, që angullinte plot dhimbje. Sa më panë filluan të më ankoheshin se një qen i egër, i ishte vërsulur qenushit të tyre dhe i kishte futur dhëmbët në qafë. Një i panjohur ( Çeçua mendova) kishte marrë qenin e egër dhe ishte ngjitur lart. – Durim!-  u thashë italianëve.- Jeni ne Albani. Në ballkon turisti nga Matohysenaj i përpirë nga ethet e fitimtarit përkëdhelte e puthte qenin e vet: – Uuu të keqen Murro! Më nderove! Ia bëre mirë qenit të pipinos se vetë tu turr  pari… Në darkë një çun problematik,  (i fortë, thonw)  që kishte hotelin aty pranë kishte vijëzuar sheshin midis pallateve dhe kishte vendosur një tra si postbllok. Kohw më parë gjysmën e rrugës së makinave e kishte kthyer në parking duke e bërë me një kalim. Djali që shërbente më kërkoi  pesëmijë lekë për një natë. – Po unë banoj këtu,?! i thashë. – Nuk di gjë unë. Parkingun e kemi me leje. Pronari më tha asnjë pa pagesë… Dy orë më vonë gjeta parking më të lirë. Tani jam strukur në kat të katërt, ku ndihem relativisht i qetë. Kam filluar të ndihem ndihem i huaj, pa vlerë, me frikën se nesër mund të më ndodhin të tjera gjëra “të vogla” që më lodhin e mërzisin. Si ia dalin këta çeçot e “të fortët” të na imponohen me zakonet e tyre, të na kufizojnë hapësirat, të na prishin qetësinë, të bëjnë ligjin në transportin publik, në plazhe e dete,  të na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm  në vendin ku jemi lindur e rritur, e të kalojmë rrëzave si buburrecë për të shkuar në shtëpi!? Këta kanë pushtuar gjithë qytetin dhe kanë vendosur ligjet, rregullat dhe kulturën e tyre. Mos vallë duhet të pajisemi edhe ne me hunjë, thika e revolverë? Ndërkaq koncerti i Murros dhe qenve endacakë sapo ka filluar. E nesërmja do të jetë si e sotmja ndoshta edhe më keq….

Filed Under: LETERSI

Dy libra të çmuar të Qerim Vrionit, në dy vitet e fundit: “Miq në 50 foto” dhe “Shqetësime qytetare”

August 15, 2022 by s p

Shënime nga Shpend Sollaku Noè

Qerim Vrioni bën pjesë në atë plejadë krijuesish që u ngjajnë visareve të rralla, që i ekspozojmë pas kornizash të blinduara, pasi ndruhemi se na i grabisin apo na i dëmtojnë. E çmuar është eksperienca e tij prej forografi të shquar, të çmuara opinionet dhe studimet e tij për fotografinë, sidomos atë historike. Kjo përvojë është përhapur tashmë edhe jashtë Shqipërisë dhe jo vetëm në botën shqipfolëse. Bashkoi këtyre vlerave krijuese edhe fisnkërine e tij prej zotërie të vërtetë, qarku mbyllet në mënyrë të përkryer.

“Miq në 50 foto”

nuk është një album banal me foto të njëpasnjëshme. Ai është një libër përmbledhjesh të biografive konçize të mjaft personaliteteve të spikatura shqiptare, me vlera të mëdha historike. Ato jetëshkrime nuk janë një parashtrim faktesh, por esenca e vlerave të gjithsecilit personazh të marrë në shqyrtim, nxjerrë në pah nga mbresa të drjetpërdrejta. Ilustrimet janë foto në bardhë e zi, shpesh të magjishme, të shkrepura prej Qerim Vrionit nga këndvështrime origjinale, me tendencën e realizuar prej autorit që të japë thelbin e shpirtit të atij që ka fiksuar, fillimisht në celulozë dhe më vonë sipas teknologjisë së sotme në jpg apo png… Pjesa dërmuese e këtyre shkrepjeve janë kryevepra të verteta, si në rastin e portreteve të Uran Kostrecit, Lumturi Blloshmit, Skënder Kamberit apo Shpend Bengut, sa për të emëruar disa. Thelbi i personazhit gjëndet gjithandej. Informazionet që i afrohen lexuesit për Ali Podrimjen, Suzana Varvaricën, KasemTrebeshinën, Maks Velon, Emil Lafen, Bujar Kapexhiun, Petrit Rukën e një galeri të tërë personazhesh të tjerë janë të rëndësishme, antologjike, enciklopedike. Ato e çojnë lexuesin në një botë të thellë idesh e ngjarjesh, e njohin me artistë që shpesh edhe nuk i kemi më midis nesh, ndonjëherë edhe pak apo aspak të njohur për frekuentuesit e nxituar të socialeve.

Ky libër është gjithashtu mjaft i dobishëm për studiuesit, për materialin e freskët faktik dhe jetësor që ofron, për larminë e personazheve. Fotot e botuara në të janë burim i çmuar për të pasionuarit e fotografisë, si dhe eksperiencë që mund t’u vlejë shumë atyre që kanë ndërmend të merren seriozisht me këtë lloj arti të magjishëm.

“Shqetësime qytetare”

ndërkaq është i një tjetër lloji botimesh. Në të mbizotëron elementi publicistik. Edhe në këtë libër, sidoqoftë, pikënisja shpesh është një foto, sidomos me rëndësi historike. Ngacmimet vijnë nga burime të rralla, janë frut i një pune murgjërore, apo edhe i rastësisë, element ky që dëshmon guximin e studiuesit Vrioni.

Materialet e këtyre faqeve janë të një rëndësie të posaçme historiko-artistiko-arkivore. Tek shkrimi “Një foto e rrallë e De Radës, me shënimin “J. De Rada me fshatarë arbëreshë”, nënvizohet idea se ndoshta ajo foto ka shërbyer si burim kryesor për krijimn e imazhit të poetit tonë të madh të Rilindjes Kombëtare, për realizimin e portreteve të tij të mëvonshme në pikture dhe skulpturë. Me interes të theksuar kombëtare është edhe shkrimi mbi një foto me diçiturën “Isa boletini në Vlorë”, ku jepen ide të reja rreth këtij dokumenti historik të datuar 30 nëntor 1912. E çmuar edhe fotografia e restauruar me mjeshtëri “Zëri i Nolit në një foto të vjetër”, por edhe shkrimi që analizon vlerat dhe historikun e saj. Në brendësi të këtij shkrimi edhe përmendja e një inçizimi të At Gjergj Fishtës që reciton pjesë nga “Lahuta e Malcisë”. Materiali i lidhur me këtë foto përbën një burim të veçantë për studiuesit e letërsisë por edhe të historisë të asaj epoke të papërsëritshme të kulturës shqiptare. Nuk mund të mos përmendesh edhe foton “Berat 1936” të fotografit të madh beratas Ilia Xhimitiku. Në këtë foto të shkëputur nga albumet e vjetra të familjes Qerim Vrioni paraqet nderimin e bërë nga beratasit atdhetarëve të shquar Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli, gjatë zhvendosjes së eshtrave të tyre për në Gjirokastër dhe Leskovik. Duke u nisur nga kjo foto autori gjen shkas të përshkruajë me besnikëri edhe atmosferën e ditës së përcjelljes të patriotëve. Si studiues profesionist ai hedh dritë rreth organizimit të gjithë ceremonisë edhe në Gjirokastër e gjetkë. Detajet janë të mahnitshme, përfshirë këtu edhe fjalimet në nderim të Topullit e Qullit nga patër Anton Harapi, Ernest Koliqi etj.

Në pjesën me portrete të këtij libri të Vrionit paraqet interes të veçantë ajo e fotografit të harruar Mandi Koçi, po ashtu portretet me foto e prozë të Ndoc Kodhelit e Niko Stefanit. Interesantë recensionet mbi albumet fotografike e librat e Pirro Stefës, të austriakut Alfred Wollner mbi Ulqinin, apo edhe ai mbi antropologjinë e fotografisë të Xhyher Canit. Kapitullin “Shqetësime qytetare” Vrioni e nis me shtysën nga një album fotografik i botuar në Londër në vitin 2000, në të cilin gjenden edhe dy foto të lidhura me Shqipërinë. Njëra foto është e Marubit, e vitit 1922, për kapitenin Mark Raka dhe Bajraktarin e Shalës. Tjetra është e Gjon Milit, e vitit 1949, që ka fiksuar në celulozë Pikason. Ky fakt e shpie autorin në idenë e domosdoshmërisë së çeljes të një pavioni për fotografinë në Galerinë e Arteve në Tiranë. Në këtë kapitull të larmishëm gjenden edhe shkrime të tjera ndjellëse që, edhe pse i lexova me vëmendje, këtu po i anashkaloj, për të mos djegur kureshtjen e lexuesit, të cilit i uroj blerjen dhe leximin e këtyre dy librave që të ushqejnë me kulturë rreth një fushe të artit shqiptar pak të studiuar, pothuaj asnjëherë të thelluar si tek Qerim Vrioni.

Shpend Sollaku Noé

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shpend Sollaku Noè

“DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 

August 13, 2022 by s p

Ilustrimi 1. Doreshkrimi i G. Adae, nga BnF, Mss. fr. 9087, f. 1r
Ilustrimi 5. Doreshkrimi i G. Adae, nga BnF, Mss. fr. 5990, f. 34r
Ilustrimi 2. Doreshkrimi i G. Adae, nga BnF, Mss. fr. 9087, f. 14r
Ilustrimi 3. Doreshkrimi i G. Adae, nga BnF, Mss. fr. 9342, f. 5r
Ilustrimi 4. Doreshkrimi i G. Adae, nga BnF, Mss. fr. 9342, f. 201v

(Udhëzim për të kryer kalimin [e detit])i Guillelmus Adamit- burim me vlera të mëdha për historinë tonë kombëtare dhe ideja kryesore e tij kryqëzatat e shek. XIV. Studimi i burimeve arkivore në origjinal, edhe atëherë kur ato janë botuar e ribotuar, pas një analize kritike, ballafaqimi me burime të tjera të kohës dhe të mëvonshme, sjellin rezultate të papritura dhe shumë interesante. Kohëve të fundit na është dhënë mundësia të studiojmë në origjinal shtatë dorëshkrime të veprës së Guljelm Adamit, të cilat ruhen në: Austri, Zvicër, Belgjikë, Spanjë dhe Francë. Kësaj radhe sjellim një vështrim krahasues të shtatë dorëshkrimeve që studiuam në origjinal nga shek. XIV-XV, duke u përqendruar në idenë kryesore që G. Adami shkroi veprën e tij, planet e kryqëzatave të kohës, shek. XIV.

Prof. Dr. Musa Ahmeti 

Center for Albanian Studies – Budapest

Kush ishte Guillelmus Adae, kryeipeshkvi i Tivarit?

G. Adami lindi rreth vitit 1270 në jug të Francës. Në vitin 1307 e ndeshim në Konstantinopojë. Gjatë kësaj kohe, deri në vitin 1314, Adami udhëtoi nëpër Mbretërinë Bizantine, Azinë e Vogël, Indi dhe Etiopi. Me 1314 ndodhet në Persi, ndërsa në vitin 1317, kthehet në Francë. Në vitin 1318, së bashku me pesë shokë të urdhrit, me urdhër të papës Gjonit të XXII-të, emrohet sufragan i Fran Peruzinskit në kryeipeshkvinë e Sulltanisë [Tigranocertës], në Persi. Këtu emërohet pastaj edhe ipeshkëv i Smirnës. Në fillim të vitit 1324 kthehet në Francë, nga ku, pastaj emërohet kryeipeshkëv i Tivarit më 26 tetor 1324. Është thënë më se njëherë, se këtu ishte dërguar me detyrë të veçantë nga ana e papës Gjonit të XXII-të, që të jetë vigjilent në kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe shtetit heretik serb. Në vitin 1329 kthehet në Francë, që atje, nga papa i Avinjonit të siguroi favore për kryeipeshkvinë e Tivarit. Me këtë rast, Adami kishte marrë me vete shumë dokumente origjinale nga kryeipeshkvia. Në ndërkohë, ndërron mendje dhe nuk dëshiron të kthehet në Tivar. Kjo gjë shkakton shqetësime dhe mos kënaqësi të madhe te besimtarët e Tivarit, kështu që kanoniku Gjon Zauli [Gazuli (sic!) m.a.], i shkruan papës Benediktit të XII-të, një letër tepër të rëndë dhe akuzuese ku kërkon që me çdo kusht Adami të kthehet së bashku me gjithë dokumentet që kishte marr me vete. Pas kësaj, papa I dërgon urdhër Adamit: sub poena privationis honoris, që të kthehet në Tivar. Më në fund kthehet në Tivar në vitin 1337. Këtu shërben deri sa vdes në dhjetor të vitit 1341.

“Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre.” Fjali e cila na tërheq vërejtjen se edhe para kësaj kohe,

 kishte libra dhe shkrime jo vetëm fetare por edhe laike.

Në fillim të vitit 1332, Guljelm Adami shkroi me porosi të papës Gjon XXII, traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit të VI-të Valua, mbretit të Francës, me titull: “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT], ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famshme që e bëri të njohur në histori Shqipërisë dhe albanologjisë: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre.” 

Kjo fjali, është një ndër dëshmitë e para që vërtetojnë ekzistencën e gjuhës së shkruar shqipe. Emri dhe vepra e Guljelm Adamit është pak e njohur në historiografinë tonë në kontekstin në të cilin u shkrua ajo, në të vërtetë: d.m.th. në atë të kryqëzatave të shek. XIV, kështu që në këtë shkrim do të përqendrohemi kryesisht në këtë kontekst, për të dhënë një kontribut për rolin dhe vendin që zinin shqiptarët në planet kryqtare të shek. XIV.   

Historiografia botërore e kryqëzatave ka bërë hapa të mëdha në detajimin e ngjarjeve dhe të përhapjes gjeografike të kryqëzatave, në zbulimin e planeve të thurura nga forcat politike dhe religjioze të kohës, në pasojat direkte apo indirekte që patën kryqëzatat në botën mesjetare, etj., dhe megjithatë kohët e fundit kjo historiografi është bërë subjekt për rishikime dhe rishkrime duke marrë sërish në konsideratë konceptet e vjetra dhe duke krijuar nga to shkolla të reja mendimi. 

Kryqëzatat dhe roli i tyre në historinë tonë kombëtare

Dihet tashmë që kryqëzatat filluan me fjalimin e Urbanit II-të në Clermont-Ferrand në vitin 1095. Epoka e kryqëzatave mori kuptimin e saj të vërtetë në shekullin XIV. Kjo periudhë njihet edhe si epoka e kryqëzatave të vona. Gjysma e parë e shekullit XIV (1292-1344) karakterizohet nga një bollëk në literaturën propagandiste për ringjalljen e kryqëzatave. Gjysma e dytë e shekullit XIV (1344-1396) është periudha e fushatave të vazhdueshme kryqtare në Lindje. Ky shekull përjeton një numër të madh ndryshimesh monumentale në përvijimin e kufijve tradicionalë të territoreve kryqtare. Deri tani, Lufta e Shenjë ishte kufizuar në zonën e Lindjes së Afërt, kurse në mesjetën e vonë, arriti horizonte të largëta në pothuajse çdo drejtim, përtej Tokës së Shenjtë. Megjithëse qëllimi final i lëvizjeve kryqtare ishte çlirimi i Tokës së Shenjtë, kryqtarët e shekullit XIV përpiqen që ta arrijnë qëllimin e tyre duke sulmuar qendrat më të rëndësishme të perandorisë otomane. Si rezultat, kryqëzatat e reja në shekullin XIV e drejtuan luftën e tyre kundër Anatolisë, Egjiptit, Afrikës së Veriut dhe Ballkanit dhe jo direkt për çlirimin e Tokës së Shenjtë.

Directorium ad passagium faciendum (Udhëzues për të kryer kalimin e [detit]), që u shkrua në vitin 1332 nga murgu dominikan Guljelm Adam në Francë, ishte një ndër projektet e shumta kryqtare, pjesë-përbërëse e literaturës propagandiste të gjysmës së parë të këtij shekulli. Deri vonë mbrohej mendimi që autori i Directorium ad passagium faciendum ishte Brokardi nga Gjermania, i cili ishte në fakt autori i famshëm i një Descriptio Terrae Sanctae (Përshkrimi i Tokës së Shenjtë). Këtë mendim e mbrojtën historiografët e famshëm L. de Mas Latrie dhe Ch. Schefer, kështu që emri Brokard filloi gabimisht të përdoret rregullisht në vend të atij të Guljelm Adamit. Ishte Kohler ai, që me argumente të pakundërshtueshme vërtetoi që Directorium ad passagium faciendum nuk mund të ishte punë e gjermanit Brokard dhe që autori i vërtetë i tij ishte vetëm murgu i famshëm dominikan Guljelm Adae. Disa studiues kanë hedhur mendimin që traktati ishte shkruar nga Raymond Étienne, i cili ishte bashkudhëtar i Guljelm Adamit në Armeni. Megjithatë edhe kjo hipotezë është hedhur poshtë nga një analizë e detajuar e stilit të veprës, krahasuar ky me atë të veprës tjetër të tij De Modo Sarracenos Extirpandi, si dhe nga të dhënat bibliografike që gjenden në hyrje të veprës, të dhëna këto që nuk përkojnë aspak me ato të Raymond Étienne.

Kur dhe për kë u shkrua “Directorium ad passagium faciendum”si dhe ku ruhet origjinali

Guljelm Adami e shkroi “Directorium ad passagium faciendum” për mbretin Filipi VI Valua (Në Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë. Vëll. II. Shek. VIII-XV, përgatitur nga grup autorësh: A. Buda, I. Zamputi, K. Frashëri, P. Pepo, me redaktor përgjegjës Kristo Frashëri. Tiranë 1962, është përkthyer një pjesë nga “Directorium ad Passagium Faciendum,” në faqen 111-112, përkthim ky i bërë nga frengjishtja dhe jo nga latinishtja që është gjuha origjinale e tekstit. Pjesa për përkthim në frengjisht është marrë nga “Monuments pour l’histoire des province de Namur”, vëll. IV, fq. 293-298.) dhe në këtë përkthim gabimisht shënohet ky dorëshkrim është shkruar për Filipin VII Valua). Filipi VI Valua, ashtu si paraardhësit e tij, kishte bërë plane që para se të vinte në fron për të marrë pjesë në një kryqëzatë. Fillimisht dëshironte të merrte pjesë në luftën kundër Spanjës, dhe për këtë bëri plane bashk me mbretin e Aragonës. Megjithatë kur mbreti i Bastijës nënshkroi një kontratë me Maurët, papa Gjoni XXII e detyroi mbretin e Francës të tërhiqej nga ai projekt dhe të drejtohej në lindje. Negociatat midis papës dhe mbretit francez filluan në shkurt të vitit 1330, ndërkohë që në fund të vitit 1331 Filipi VI i kishte shkruar kontit të Venedikut për t’i kërkuar ndihmë për të organizuar kalimin matanë detit. Në fillim të vitit 1332, Guljelm Adami shkroi me porosi të papës Gjon XXII, traktatin Directorium ad passagium faciendum, i cili kishte për qëllim që të këshillonte mbretin e Francës që të nisej për në kryqëzatë, si dhe të jepte udhëzime për parapërgatitjet për kryqëzatën. Një vit më vonë traktati u përkthye në frengjisht nga Jean de Vignay, që ishte përkthyes i oborrit mbretëror, me titullin “L’advis directif pour faire le passage d’oultremer”. 

Directorium ad Passagium Faciendum i Guljem Adamit u shfrytëzua mjaft në histori. Në periudhën e parë, një kopje e saj u studiua në Koncilin e Bazelit derisa kardinali Cesarini dhe papa Eugjeni IV përgatitën kryqëzatën për në Varna në vitin 1443-1444. Po ky traktat u përdor nga Filipi i Mirë, duka i Burgundisë, nga Jean Miélot në vitin 1455 derisa duka e la atë në krye të një ekspedite për tek varri i Krishtit. 

Sot, dorëshkrime të Directorium ad Passagium Faciendum që njihen, na kanë mbetur vetëm shtatë. Një dorëshkrim latin i shek. XIV gjendet në Bibliotekën Perandorake të Vjenës, [Cod. 534], një tjetër i gjysmës së parë të shek. XV gjendet në Bibliotekën Publike të Bazelit, [A. I. 28], dy të tjerë nga gjysma e parë e shek. XV me zbukurime dhe iniciale të praruar në flori, ruhen në Bibliotekën Mbretërore të Brukselit [sign. 9176 dhe 9188], dorëshkrimi i pestë ruhet në Eskorialin e Spanjës dhe tre të tjerë nga fillimi i shek. XV me zbukurime dhe iniciale të praruar në flori, ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Parisit [BNF: fr. Nr. 5990;  fr. nr. 9087 dhe fr. nr. 9342, shiko ilustrimet]. 

Ideja kryesore e traktatit është urrejtja ndaj grekëve dhe zgjedhja e rrugëve tokësore për t’u kthyer në Tokën e Shenjtë. Directorium ad Passagium Faciendum është ndarë në dymbëdhjetë pjesë, këto të organizuara në dy libra. Në prolog, autori përmend dy shpatat e Zotit për të shpjeguar zgjedhjen e tij: Shpatën e Shën Pjetrit, e cila pret veshin e një ushtari në Kodrën e Ullinjve dhe shpatën e gjyqtarit Gedeon, i cili shkatërroi altarin e zotit të Kananejve, Baalit. Këto dy shpata simbolizojnë luftën shpirtërore dhe shekullore, që në mesjetë përbënin laitmotivin e shoqërisë fetare. Traktati është i mbushur me referenca dhe citate biblike. Autori ka përdorur aty këtu edhe literaturën latine që është shkruar për veprat e kryqtarëve të shek. XI dhe XII. 

Përmbajtja e shkurtër e dorëshkrimit “Directorium ad passagium faciendum”

Përmbledhtazi po bëjmë të njohur përmbajtjen e dymbëdhjetë pjesëve të dorëshkrimit. Pjesa e parë përmban katër motivet për të kryer kapërcimin e detit. Pjesa e dytë përmban pesë përgatitjet për t’u nisur për në Lindje. Pjesa e tretë përmban një përshkrim të katër rrugëve të mundshme për t’u kthyer në Tokën e Shenjtë: avantazhet dhe disavantazhet e secilës prej tyre. Në pjesën e katërt, autori konfirmon zgjedhjen e rrugës tokësore përmes Hungarisë, duke ndjekur shembullin e Pjer Heremitit në kryqëzatën e parë, dhe argumentoi fuqishëm kundër rrugës detare. Në pjesën e pestë paraqiten arsyet që justifikojnë mosbesimin ndaj grekëve. Në pjesën e gjashtë, autori paraqet katër mënyrat më të lehta për të kryer pushtimin e perandorisë greke, pastaj llogarit marrjen e Selanikut dhe të Konstantinopojës, në fillim të pjesës së shtatë. Në gjysmën e dytë të pjesës së shtatë, Guljelm Adam tregon domosdoshmërinë e kryqzatës për të marrë Konstantinopojën. Në pjesën e tetë ai paraqit pesë mënyra organizimi për të mbajtur nën kontrollin francez dhe katolik perandorinë. Në pjesën e nëntë, autori përshkruan njerëzit që kanë tradhtuar kryqin. Në pjesën e dhjetë, ai kthehet tek avantazhet e një kalimi shumë të shpejtë të detit në krahun e Shën Gjergjit. Në pjesën e njëmbëdhjetë përshkruan edhe një herë pikat e kalueshme gjatë kryqëzatës dhe në pjesën e fundit paraqet gjashtë arsyet pse triumfi kundër turqve do të jetë i lehtë. 

***

Guljelm Adami, i cili më parë kishte qenë ipeshkv i Sulltanideve në Persi, dhe në Konstantinopojë, si dhe misionar në mbretërinë greke dhe në zonat e largëta të Azisë dhe Afrikës, ishte një njohës shumë i mirë i gjeografisë së vendeve të lindjes, dhe sidomos i rrugëve që të çonin në lindje. 

Ashtu siç nuk kishte qenë rastësi emërimi i Gjonit nga Plano Karpini si kryeipeshkëv në Tivar, i rastësishëm nuk ishte as emërimi i këtij njeriu të fuqishëm në këtë kryeipeshkvi. Kryeipeshkvia e Tivarit kishte një pozicion strategjik shumë të rëndësishëm për të gjitha planet e papatit dhe të kryqtarëve të mesjetës. Sufflay e quan atë “një armik fanatik të gjithë heretikëve dhe skizmatikëve, një Eclaireur të Perëndimit”, dhe në fakt të tillë e tregoi veten sidomos në traktatin e tij Directorium ad passagium faciendum. 

Gjatë përshkrimit të gjendjes në Serbi dhe në Shqipërinë e asaj kohe, Guljelm Adami i vendos shqiptarët në anën e latinëve, dhe madje i llogarit ata si forcë e rëndësishme në kryqëzatën që ka ndërmend që të ndërmarrë Filipi VI. Ekzistenca e shqiptarëve, të cilët janë një “popull i madh” dhe “këmbëngulin të gjithë tek besimi, riti, dhe bindja e kishës romane” është një faktor lehtësues për të arritur me sukses pushtimin e mbretërisë së sllavëve skizmatikë. Këtu tregohet edhe gjendja e rëndë e shqiptarëve të cilët “janë të shtypur nën zgjedhën e padurueshme dhe të rëndë të skllavërisë së atij sundimi të urryer dhe çnjerëzor sllav”, kështu që “të gjithë ose secili prej tyre do të donte të zhyste duart në gjakun e sllavëve të sipërpërmendur, po të shikonte të shfaqej tek ata një princ francez, të cilin do ta bënin komandant në luftën kundër kriminelëve të sipërpërmendur sllavë…” Ata janë kaq të shumtë dhe të fortë saqë duke u mbështetur në ndihmën e tyre “1000 kalorës francezë dhe 5000 ose 6000 këmbësorë, pa dyshim që do ta pushtonin me lehtësi tërë këtë mbretëri.” 

Shikuar në kuadrin e përgjithshëm të popujve ballkanikë, të cilët krahas popujve të lindjes ishin bërë shënjestër e kryqëzatave katolike, shqiptarët kishin një vend të veçantë në politikat e papatit dhe të kryqtarëve. Ata jo vetëm që nuk shiheshin si popull shënjestër, por përkundrazi si vend bazë dhe si popull në të cilin mund të mbështeteshin për të arritur qëllimet e tyre. Arsyeja në këtë rast nuk është predispozita e shqiptarëve për t’u bërë shërbëtorë të më të fortëve, siç sugjeron studiuesi i mirënjohur Ducellier në artikullin e tij „Genesis and Failure of the Albanian State in the XIV and XV Centuries,” por keqtrajtimi i tyre nga sllavët, të cilët madje kishin filluar një politikë të dhunshme konvertuese të shqiptarëve në ortodoksinë sllave.

PËRKTHIMI I DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT]) QË KA TË BËJMË ME SHQIPËRINË DHE FQINJËT SLLAV

“Kështu në Evropë janë shumë popuj të krishterë të gjuhëve të ndryshme, të cilët nuk ecin me ne as në besim dhe as në doktrinë. […] Pas asaj [vazhdon,] Sclavonia, ku ka shumë mbretëri si p.sh. Rassia, Servia, Chelmenia, Crovatia, Zenta. Kjo nga njëra anë kufizohet me Hungarezët, nga tjetra me grekët, nga tjetra në të vërtetë me Dalmatinët, me Shqiptarët dhe me Blachët [sllovenët]. Dhe përmbi të gjitha, krahas këtyre njerëzve, mbretëria e madhe dhe jo kompakte e grekëve.

(Pjesa III që përshkruan ato rrugë që duhet të zgjedhësh prej atje për tek mbreti më i nevojshëm)

Tjetri do të mund të kishte përparuar përmes Brundusium (Brindizit) qytetit të Apulies, dhe prej atje të kalonte përmes krahut të një deti, gjë që zgjat [rreth] 150 milje në Durrës, i cili është qytet i zotit princit të Tarentit, dhe prej atje për Shqipëri [Albani] (ku njerëzit janë të bindur dhe të devotshëm ndaj kishës romane), prej aty përmes Blaquiam dhe më së fundi duke vazhduar në Selanik. Nga ana tjetër mund të progresohet nëpërmjet Ydrontum i cili është po ashtu qytet i Apulias dhe që aty nëpërmjet ishullit të Korfuzit, i cili është gjithashtu pronë e zotit  princit të Tarentit, për të ardhur në Despotat.

Çfarë duhet të them për mbretin e Rassia-s, sepse me ligj ai nuk ka as vend në këtë mbretëri dhe as shtëpi, përkundrazi faji i rëndë i shënjuar me pabesinë, tradhtinë, dhe tiraninë parashikon edhe përçmimin dhe zinxhiri i sakrilegjeve shtrihet që nga paraardhësit e tij deri tek ai vetë, dhe rritet nga e keqja në më të keqen, vazhdon në të, dhe ekzaltohet. 

Me qëllim që kjo të sqarohet më mirë, duhet ditur, që një herë ishte një mbret i Rassia-s, i quajtur Stefan, dhe që kishte dy djem, njërin nga të cilët e quanin Stefan dhe tjetrin Urosh. Pas vdekjes së mbretit Stefan, babait të tyre, Uroshi ngrihet kundër Stefanit të bërë tashmë mbret. Stefani e mposhti atë duke e luftuar. Megjithatë, për shkak të keqardhjes së gjakut të vëllait, ai e pranoi atë dhe e drejtoi mbretërinë vullnetarisht bashkë me të. Stefani mori për grua vajzën e mbretit të Hungarisë, të quajtur Katerina, motrën e të ndjerës zonjës Maria, mbretëreshës së Sicilisë dhe Hungarisë, e cila ishte nëna e kujtimeve të mira e zonjës nënës suaj (d.m.th. e Filipit VI, mbretit të Francës). Me këtë zonjën Katerinë, Stefani bëri një djalë, i cili u quajt Vlastislaus. 

Me vdekjen e tij, ai la të birin, Vladislaus-in, si mbret dhe trashëgimtar të asaj pjese të mbretërisë, të cilën e kishte mbajtur për vete, megjithatë refuzoi me kushtin që Uroshi të pranonte vasalitetin nga Vladislaus për të mbajtur pjesën e mbetur të mbretërisë. Por Uroshi, pas vdekjes së të quajturit Stefan, u ngrit kundër Vlastislaus-it, nipit dhe zotërisë së tij, i rrëmbeu dhe e largoi me dhunë nga e gjithë mbretëria e tij, e mbylli në burg, nga ku Uroshi nuk mundi të lirohej sa qe gjallë. Uroshi në fakt, pranoi si grua zonjën Elizabetë, motrën e zonjës, gjyshes tuaj (d.m.th. të Filipit VI). Ky u nda, sa ishte gjallë mori për grua, vajzën e perandorit të atëhershëm të grekëve, d.m.th. motrën e atij që tani është perandor. Nga gratë e tij, ai nuk pati asnjë djalë, por me konkubinat e ndryshme, bëri dy djem, njëri ishte Konstantini, dhe tjetrin e quajti Stefan. Ky ishte babai i atij që tani e ka mbretërinë e Rassia-s nën pushtetin e tij. 

Përshkrime të hollësishme për princat dhe popullin sllav

Ky Stefani u ngrit kundër të atit Urosh, dhe u përpoq disa herë që t’i merrte atij jetën dhe mbretërinë. Më në fund i kapur nga babai i tij, u dërgua për t’iu nxjerrë sytë, dhe u përzu në ekzil, në Konstantinopojë, bashkë me dy djemtë. Meqë xhelati ishte i korruptuar me para, dhe nuk e fiksoi heshtën drejt e në beben e syrit, ashtu siç ishte urdhëruar nga babai, ai mundi të shikonte pak edhe pse jo plotësisht me anën e ilaçeve të vëna tek sytë. Megjithatë, përsa kohë që babai i tij jetonte, ai donte që të ishte kaq e fshehtë, saqë birin e vet, (sepse ky e kishte kuptuar me mprehtësi fëminore) dëshiron ta mbyste me dorën e vet, nga frika se mos ai do t’ia tregonte sekretin dikujt tjetër. Kështu ai që kishte dashur të vriste babain, nuk mëshironte as djalin e vet. Më vonë babait, duke iu rritur mëshira për të, i erdhi keq për të verbërin, të cilin e thirri të kthehej pas shumë vitesh që kishte kaluar në mërgim. 

Pasi vdiq Uroshi, babai i tij, dhe pasi i bëri të njohur të gjithë mbretërisë me anë të letrave të shkruara me dorë, duke manifestuar dhe sqaruar, çfarë kishte parë, tërhoqi shumicën me vete, me anë të premtimeve dhe dhuratave dhe Vladislaun, trashëgimtarin e vërtetë të mbretit, tashmë të çliruar nga burgu, dhe të thirrur për të mbretëruar, e shfronësoi dhe e dëboi nga e mbretëria. Pastaj ai vuri në zinxhirët e burgut vëllain e tij të vetëm, të ashtuquajturin Konstantin, dhe e vrau atë duke e torturuar në mënyrë të padëgjuar: e detyroi të shtrihej mbi një dru dhe e vrau duke i ngulur gozhdë në duar, në këmbë dhe përmes trurit. Kështu ishte ajo pjellë gjarpëri, refuzonte dhe humbte respektin. 

Nëse dikush dëshiron të dëgjojë për atë që sundon në këtë mënyrë në Rassia, për djalin e atij të verbrit, sigurisht do të kuptojë që megjithëse ky është më i ri në trup dhe në moshë, i kalon dhe i kapërcen paraardhësit jo kryesisht në vullnet por në helmin të të këqijave të tij, të padëgjuara në vepra, sepse pikërisht babain e tij – për ta thënë më parë – bastardin, ilegjitimin, të lindurin poshtërsisht, mizorin, tiranin, bir-vrasësin, vëlla-vrasësin, dhe po të kishte mundur, madje edhe baba-vrasësin, e rrëmbeu, e burgosi, e shiti si skllav në burg, dhe e vrau më shumë se mizorisht. 

Shiko, Zoti im, Mbret, ata që përmendën më sipër, perandorin dhe mbretin, dhe shtëpinë e tyre, unë i  përshkruaj ashtu siç është konfirmuar në të gjithë Orientin dhe në pjesën më të madhe unë jam i ditur nga eksperienca e sigurt. Tani ai që shikon kujdesin e vëmendjes suaj, dhe mëson nëse është për t’u besuar premtimeve, betimeve, dhe besnikërisë së të tjerëve, të cilët kanë lindur si një brez pervers dhe bij të mosbesimit të një kombi të ulët, dhe të një trungu familjar të përçudnuar, që mendojnë keq për zotin, që nuk i binden kishës, që vrasin prindërit, nuk kursejnë bijtë dhe vrasin vëllezërit etj. 

Po kthehem tek mbretëria e Rashës, sa e lehtë do të ishte për t’u pushtuar.

Për të pushtuar mbretërinë e Rassës, do të ishte aq e lehtë, sa do të mjaftonte dëshira për ta pasur një veprim të tillë.

Ajo mbretëri ka pak, pothuajse asnjë vend të fortifikuar, por e tëra është me shtëpi fshati dhe kasolle, pa hendeqe mbrojtëse dhe brenda pa mure. Ndërtimet dhe godinat, si të mbretit ashtu edhe të fisnikëve të tjerë, janë prej kashte dhe prej druri. Atje nuk mund të shohësh as gjëkundi pallate ose shtëpi prej guri apo prej balte, veçse në qytetet bregdetare latine. Kjo mbretëri është e pasur në drithëra, verë, vaj, dhe në mish. Është e këndshme tek ujërat e rrjedhshëm të burimeve dhe të lumenjve, është e mbushur me pyje, kullota, male, fusha, dhe lugina; është e pasur me lloje të ndryshme kafshësh; dhe shkurt, gjithçka që rritet atje, është e zgjedhur dhe sidomos, në pjesën që gjendet në bregdet. Në atë mbretëri, tani janë në fakt, pesë miniera ari, dhe po kaq argjendi, në të cilat punojnë vazhdimisht minatorë. Përveç kësaj ka edhe miniera të përziera ari dhe argjendi, që janë zbuluar në shumë vende të ndryshme, dhe për më tepër, ka pyje të mëdha dhe të dendur. Kush, pra, do ta ketë këtë mbretëri, do të ketë një xhevahir të vërtetë, të çmuar për mot e jetë. 

Shqiptarët dhe latinët

Ajo që ndër të tjera e bën këtë mbretëri të lehtë për t’u pushtuar është që aty janë dy kombe: njëri janë Shqiptarët dhe tjetri Latinët, [me latinë Adam këtu kupton shqiptarët e besimit të krishterë] të cilët këmbëngulin të gjithë tek besimi, riti, dhe bindja e kishës romane. Dhe respektivisht ata kanë edhe kryeipeshkvë, ipeshkvë, dhe abatë, dhe fetarë dhe klerikë shekularë të një statusi dhe të një rangu më të ulët. Latinët kanë gjashtë qytete me ipeshkvët e tyre: i pari është Antivari (Tivari), kryeipeshkvi; pastaj Kataro (Kotorri), Dulcini (Ulqini), Suaci (Shasi), Scutari (Shkodra), dhe Drivasti (Drishti), në të cilët jetojnë vetëm Latinë; popullsia e tyre në të vërtetë, janë shqiptarët në të gjitha dioqezat jashtë mureve. Katër qytete janë shqiptare: Polati Major (Pulti i Madh), Polatum Minor (Pulti i Vogël), Sapa, dhe Albania (Kruja), të cilët bashkë me qytetet latine të lartpërmendura janë nën kryeipeshkvinë e Tivarit dhe juridikisht nën metropolinë e kishës së tij. Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre. Pushteti i latinëve kufizohet pra vetëm me rrethin e qyteteve te tyre. Jashtë qyteteve të tyre, ata kanë prona vreshtash dhe fushash, megjithatë kanë kështjella dhe shtëpi fshati. Por shqiptarët, meqë janë kombi më i madh, mund të zotërojnë në fusha lufte më shumë se 15000 kalorës, për çdo aktivitet lufte, janë luftëtarë trima e të shkathët sipas dokeve dhe zakoneve të atdheut të tyre. Dhe meqenëse të sipërpërmendurit, si latinët ashtu edhe shqiptarët, janë të shtypur nën zgjedhën e padurueshme dhe të rëndë të skllavërisë së atij sundimi të urryer dhe ç’njerëzor sllav: populli i shtrydhur, kleri i larguar nga pozicioni i tij dhe i poshtëruar, ipeshkvët dhe abatët shpesh të burgosur, fisnikët të zhveshur nga trashëgimia dhe të kapur rob, kishat, si ato ipeshkvnore ashtu edhe të tjerat të plaçkitura dhe pa të drejta, manastiret të rrënuara dhe të shkatërruara; të gjithë ose secili prej tyre do të donte të zhyste duart në gjakun e sllavëve të sipërpërmendur, po të shikonte të shfaqej tek ata një princ francez, të cilin do ta bënin komandant në luftë kundër kriminelëve të sipërpërmendur sllavë, armiqve të të vërtetës dhe të besimit tonë. Me të lartpërmendurit shqiptarë dhe latinë, 1000 kalorës francezë dhe 5000 ose 6000 këmbësorë, pa dyshim që do ta pushtonin me lehtësi tërë këtë mbretëri.” 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Musa Ahmeti

DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI

August 10, 2022 by s p

Nga Agim Xh. Dëshnica

Description: Bernardin Palaj

At Bernardin Palaj            

300px-Donat_Kurti

At Donat Kurti

85 VJET  ME PARE U BOTUA KRYEVEPRA VISARET E KOMBIT- II

Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare-1983”,  emrat e ndritur e dijetarëve poetë, At  Bernardin Palaj e At Donat Kurti, të njohur qysh në vitet njëzetë për veprat në shërbim të kombit, nuk përmenden askund. Në organet e shtypit, si Bashkimi, Drita, revistat Nëntori e Ylli, botoheshin lavde për njerëz pa vlerë dhe herë pas here shkrime kundër poetëve e dijetarëve françeskanë. Gjithsesi, as fyerjet, as mohimi, as heshtja, nuk mundën ta shuanin dritën e penës së tyre të artë. Ajo shndrinte brenda e jashtë Shqipërisë. Aso kohe, Ernest Koliqi shprehej: “Veprimtarija letrare e Françeskâjve, zbuloi visaret e folklorit t’onë. Bashkë me tê zbuloi edhe shpirtin shqiptar të mshehun nder palët e moçme të folklorit edhe n’at shpírt gjet kriteret me gjikue botën e mbrêndshme dhe të jashtme, jetën shqiptare edhe atê të huejen. Shkolla letrare e Françeskàjvet, shqyrtoi traditat e lashta në prizmin e qytetnis dhe u dha Shqiptarvet këshillin e prèm se ato tradita fisnike, me rràjë të thella indoeuropjane, duheshin mbajtë e ruejtë si nji pasuni e madhe shpirtnore prej së cilës kombit i rridhshin tagre nderimi e çmimi në gjinìn e botës së përparueme.”  Ndërsa At Anton Harapi shkruante: “ Na Françeskajët jemi nji Urdhën për seri: pësojmë, vuejmë e dajmë kashatën e gojës me popull; kapitali ynë âsht jeta e fjeshtë e ndihma e bâmirsavet; po na teproj gjâ, aty bâjmë nji lemoshë, këtu ngrehim nji kishë e meremetojmë nji qelë, vinë të tjerë, e ndër ato rrafshina, vijojnë veprimin; na atëherë dalim e kërkojmë prap tjera  lamije veprimi; pakë na njihet, e shum na shkruhet për mend e për mungesë urtije, por ai themeluesi ynë shi në nji këta gjet e vuni mâ të madhin gëzim,”

            Fillim ngazëllyes-mbarim tragjik.

Nën emrin “Visaret e Kombit” deri më sot njihen 15 vëllime. Botimi i tyre nisi më 1937 në Tiranë me vëllimin “Kangë trimash e kreshnikësh”, mbledhur nga Karl Gurakuqi e Filip Fishta dhe u mbyll më 1944 me vëllimin XV, “Kangë triminije dhe dashunije”, mbledhur nga Mehmet Sheshori. 

Në vargun e artë të këtyre veprave madhore, shkëlqen vëllimi–II, “Kangë Kreshnikësh e legjenda”, botuar më 1937, nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti. Në hyrjen e librit, ata rreshtojnë me nderim nismëtarët, At Shtjefën Gjeçovin. Vinçenc Prennushin e Marin Sirdanin, të cilët, si bletët mblidhnin pasurinë e kulturës së pashkruar shqiptare. Gjithashtu  autorët bënë të ditur lexuesin, se për këtë vëllim bashkëpunuan edhe etërit françekanë, si Nikoll Dajçi, Bernard Llupi, Simonn Mikeli, Lonard Shajakaj e Rrok Gurashi.  

Në mbarim të luftës, kur u fol për paqe e lumturi, botimi i serisë “Visaret e Kombit” u ndërpre trishtueshëm, sepse autorët e saj të ndritur, që punuan me vetmohim për mbledhjen e krijimtarisë së pasur gojore shqiptare, u ndëshkuan rreptë nga regjimi komunist, disa me humbjen e jetës ose të lirisë, të tjerët u ndaluan të vazhdonin më tej. Veprat u ngujuan në arkiva dhe u shpërdoruan nga të tjerët. Për autorët nuk flitej më në mjediset shkencore, një dukuri kjo e ngjashme me një dënim tjetër mizor: mohim i veprës së tyre, duke shkelur rëndë ligjin e shenjtë të autorit. Edhe sot, në disa botime, siç ndodh me  librin “In memoriam, Aleks Buda” 2010, në studimin për rapsoditë e veriut apo eposin e kreshnikëve, emrat e dijetarëve artistë françekanë për çudi nuk shihen kund, kur dihet se mbledhësit e folklorit në botën e kulturës  nderohen si poetë të mëdhej. Kështu në një historizëm të Shaban. Sinanit, në kërkim të klasave, edhe në eposin e kreshnikëve, përmenden emra të viteve shtatëdhjetë, shumica e të cilëve nuk janë marrë me këto punë, ndërsa mbledhësit e studjuesit e lavdishëm, si At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, ceken shkarazi  vetëm nën emrin “françekanë.” Gjatë leximit pandeh se shkrimi vjen nga koha e luftës së klasave dhe e ndalimit të veprave të mirëfillta kombëtare. Mesa shihet hija e përndjekjes endet edhe sot në mendjen e atyre, që i shërbyen me bindje një kohe të dhunshme.

 At Bernardin Palaj e At Donat Kurti në thesarin e artë, “Visaret e Kombit”, në vëllimin II, “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda.”, lanë trashgim 342 këngë.  Ata  paraqitën në hyrje, edhe një analizë me nivel të lartë shkencor. Japim shkurt një pjesë prej saj: “Lvizja dijtunore-shkruajnë ata- mbi rapsodi, legjenda, prralla popullore filloi ma s’pari, kur vllaznit Grimm botuen Kinder und Hausmaerchen. Prej vjetit 1841 e ktej, me qinda e qinda u mblodhen e u botuen, Maerchen në Germani, Folks-Tales n’Angli, Folventyr në Norvegi, Skazkas në Rusi, Paramythja në Greqi, Fiabe n’Iali, Contes në Francë, Cuentos e Contes në Gadishullin Hiberik e jo vetëm ndër të gjitha viset e Europës, por edhe në n’Azi, n’Afrikë e ndër ma të kthelltat e të rryeshmet krahina t’Amerikës.”

Në krye të rapsodisë “Martesa e Halilit” shihet, edhe ky shënim i tyre: “Kjo rapsodi, e përmbledhun mbas shqyptimit të rapsodve të Curraj, mund të quhet  bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Omerit, nji ndër ma të bukurat e ma delikatet, qi kemi shqip, nga ky populli poet, me nji disinvolturë klasike- Sa piktura mandej mbrenda kësaj rapsodije! Sa mendimi i njomë e ç’fuqi gjuhe në përshkrim t’objektavet!.” 

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar,-2009, të Akademisë së Shkencave, këta poetë dijetarë, përmenden shkurt: “Bernardin Palaj ishte klerik, studjues. Mbledhës i epikës legjendare.” Më tej vijon një percaktim i pasaktë: “Veprimtaria e tij kryesore ishte mbledhja e teksteve të epikës legjendare në v. 1913-1934, të cilën e kurorëzoi me botimin e vëllimit Këngë Kresnikësh dhe Legjenda (1937).” Veçse pak nga pak, e vërteta e fshehur vite me radhë në arkiva, del nëpër  dorëshkrime e librat me poezi e prozë, që trajtojnë tema të kulturës kombëtare. Pra, para lexuesve shfaqet nga errësira, poeti i mohuar e shkencëtari i ndeshkuar më 1947, për veprën atdhetare. Ndërsa për At Donat Kurtin, doktor i shkencave, shkruhet me mungesa të dukshme: “Mbledhës e studjues i folkorit, klerik.” Por nga rreshtimi i veprave të shumta, del në dritë, shkrimtari e studjuesi i gjuhës shqipe. Për At Zef Pllumin, njëri qe“Frati, kangëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari, zog i rrallë”, e tjetri “ vjollca e letrave shqipe..” 

                 Meditim per poetët e paharruar

Përfytyroni për pak çaste dy poetët  e rinj, të kthyer në atdhe nga studimet e larta në Austri, Zvicër e Itali, të cilët marrin përsipër barrën e rëndë, si vëllezërit Jackob e Wilhelm Grim, kërkimin e mbledhjen e pasurisë kulturore të pashkruar në Malësinë e Veriut. Në vapë e acar ngjiten maleve përpjetë, ndalen në stane e kulla të mirëpritur nga barinjtë e malësorët bujarë. Atje për nder të miqëve rreth vatrës, rapsodët me zë të thekshëm burrash e me lahutë, ua marrin këngëve për kreshnikët e Jutbinës. Atbotë Bernardini dhe Donati shënojnë në letër fjalët në vargje të kohëve iliriane, për Behurin, Omerin, Zukun, Ajkunën, Rushën, Gjergj Elez Alinë, Mujin e Halilin e Jutbinën, ashtu si dikur poetët klasik, hidhnin në pergamen vargjet e Homerit, për Patroklin e Akilin, Paridin, Hektorin. Helenën e Trojën. Mos vallë bardi i verbër mjekërbardhë, endej në malet tona? Poetët tanë françeskanë krahas këngëve mblidhnin legjendat, përrallat, doket e zakonet. Pasi mbaronin punën prej artistësh, ktheheshin të lumtur në qelën e famullisë dhe së fundi arin e mbledhur, e derdhën në një libër të përbashkët me emrin “ Visaret e Kombiit.”

 Për shkak të viteve të dhunshme, kjo vepër, mjerisht nuk njihet në gjuhët e huaja, sepse përkthyesit  humbën kohën vetëm për kulturën e popujve të tjerë. Nëse një ditë do të lind poeti i madh  përkthyes, bota do të njihet me një vepër tjetër me vlera të rralla artistike, krahas veprave, si Iliada, Odisea, Eneida, Gilgameshi etj

 At Bernardin Palaj               

U lind Shkodër më 1894 në  familjen me tradita atdhetare nga Shllaku i Dukagjinit. Mësimet e para i mori në shkollen e Etërve Françeskanë me drejtor At Gjergj Fishtën, në Shkodër. Pas gjimnazit në Seminarin Françeskan, studjoi në Salzburg për filozofi–teologji, kurse në Insbruck të Austrisë ndoqi leksionet në Fakultetin e letërsisë. At Bernarin Palaj më 15 shtator të vitit 1911, përkiste urdhërit françeskan, ndersa në gusht të vitit 1919 u shugurua meshtar. Ai njihet edhe si famullitar në Dioqezen e Pultit e të Rubikut. 

At Bernardini u shqua në lëtërsinë dhe kulturën  kombëtare, si poet, analist ,  etnograf, muzikant, etj. Për herë të pare më 1920, në revisten Hylli i Dritës, të drejtuar nga At Gjergj Fishta, boton poezi e studime shkencor që u pritën mirë nga lexuesi shqiptar. Palaj, dha mësime për gjuhën shqipe e latine në Liceun Illyricum në Shkodër. Më 1923, bashkëpunon në gazetën “Ora e Maleve” me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedjen, Anton Harapin, Vinçenc Prennushin etj.  Bernardin Palaj, u bë  i njohur   edhe me poemat 

 “ Vorri flamurit, “ “ Moskë Alkazar,” “ Prej burgut të jetës ,” Ediela e fundit nëAventi” etj.  Mbi të gjitha Bernardin Palaj, njihet për bashkëpunimin  e shkëlqyer vëllazëror me dijetarin e palodhur Donat Kurtin, në shtegtimet maleve për mbledhjen e këngëve e rapsodive shqiptare gjatë një kohe, që zgjati njëzetë vjet. Tërë ai p֝ërkushtim  e mund poetësh e dijetarësh u kurorëzua me kryevepren “Visaret e Kombit -II”. Ata botuan, edhe studime për doket e zakonet shqiptare. Më 1940  Bernardin Palaj rreth këtyre temave mbajti ligjërata të përkryera në Kongresin e Studimeve Shqiptare dhe në mbledhje të  ndryshme kulturore. Gjatë krijimtarisë së vet, ky dijetar poet përdori edhe anonimet, si Kukel, Lapaj, Konstandinus, Viator.etj.

E gjithë kjo jetë e pasur me krijimtari në sherbim të atdheut, do të shuhej dhimbshëm nga  sundimi komunist pa ligje në vendin tonë. Më 1946, u burgos  e më 8 dhjetor 1947,  u fol se ndërroi jetë nga tetanozi i shkaktuar nga prangat që shtrëngonin duart e arta të atij poeti të paharruar, në  qelitë e Burgut të  Shkodrës. 

 At Donat Kurti

 U lind në Shkodër më 1903. Mësimet e para e të mesme  i kreu në qytetin e lindjes. Pas studimeve në Universitetin “San Antonio” të Romës, më 1927 emërohet mësues. Më 1937 merr gradën Doktor i Shkencave, kurse më 1939 është drejtor i gjimnazit “Illyricum” në Shkodër, deri në vitin 1946. kur u burgos.

Donat Kurti është një nga dijetarët e shquar të kulturës sonë. Prof. Dr. Norbert Jokli e cilësoi si një ndër prozatorët më të mëdhej shqiptarë. Vepra e nisur nga At Shtjefën Gjeçovi u ngrit edhe më lart nga At Donat Kurti në bashkëpunim me At Bernardin Palaj etj. Krahas punës për veprën “Kangë Kreshnikësh e Legjenda”, ai botoi librat “Prralla  Kombëtare” në dy vëllime, “Fëmijë të lumtur”, si edhe studimin “Lojna popullore”.   

Donat Kurti as në burg nuk e ndërpreu punën e lodhshme shkencore. Atje, i ndodhur ndërmjet të burgosurve nga krahina të ndryshme, mblodhi shprehi të gjuhës shqipe dhe përgatiti një fjalor frazeologjik me nivel të lartë shkencor të gjuhës shqipe, me 45000 shprehje të rralla, një për Universitetin e Tiranës, dhe një për vete. Por fjalori i punuar me aq mund, ra në duar plagjatësh. At Donat Kurti deri në fund të jetës më 1983, në Tiranë, i ruajti të gjitha vetitë e burrit  të ndershëm,  i përkushtuar Zotit dhe atdheut.

                                Perfundim.

At Bernadin Palaj e At Donta Kurti, këta mbledhës të palodhur atdhetarë ndër male e këngëve të kreshnikëve, me prirjet e tyre prej poetësh, zbuluan një visar të pasur të poezisë së pashkruar artistike veriore shqiptarë. Sipas tyre rapsodët e kreshnikëve me frymëzimin e tyre poetik, me trajtimin artistik, me vargun e rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, krijuan vargje nga më të çmuarat të  poezisë sonë popullore. Ndërkohë me aftësinë prej dijetarësh Palaj e Kurti,  gjatë studimit të gjuhës, sqaruan se emri Halil, do të thotë “i bukur”, ndërsa  Gjergj Elez Alia, sipas mbiemrit do  të thotë, “i lartë, fisnik”, ndërsa me fuqinë e trimërinë legjendare dhe me armët e kreshnikëve, ata përcaktuan kohën e krijimit e cila përkon me kalimin nga ilirishtja te shqipja para dyndjeve sllave, me ndikime të herëshme osmane dhe traditën kulturore shqiptare. Pra, sipas tyre, në epikën heroike vendin qendror e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji, Halili e Gjergj Elez Alia, ku zakonisht zhvillohen bëmat me kundërshtarët e tyre, “kralë” e “bajlozë.” 

Me Visaret e Kombit At Bernardin e At Donat Kurti, mundën të plotësonin një nga pjesët e pashkruara  e më të vështira të historisë, të qenies e kulturës  së kombit shqiptar, qysh nga thellësitë e errta të mesjetës. Pra, për tërë këtë veprimtari, gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar, regjimi komunist i burgosi të dy këta dijetarë të shkencës albanologjike, me akuza të bazuara mbi një varg të pavërtetash. Prokurorë e gjyqtarë pa kulturë, të cilët u shfaqën me turfullimë pas luftës civile, e akuzuan “armik i popullit“, poetin atdhetar Bernardin Palaj me shërbesa fetare pranë besimtarëve në vise të thella malore. Ndërkohë dijetarin albanolog, Donat Kurtin, i huaj ndaj çdo politike, e akuzuan si “themelues” i një partie të paqenë me emrin “Partia Demokristiane”. Këto i shoqëruan me sajime, siç qenë gjetja e armëve në kishë, vepër tinzare e sigurimit të shtetit, apo shpifja si bashkëpuntorë të revistës “Hyllit të Dritës” në shërbim të pushtimit italian. Para trupit gjykues ata qendruan si burra malësije. Doktor Donat Kurti midis të tjerash u tha: “Nuk kam punue për fashizmin…Prej jush nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkujt keq. Mue nuk më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jetën time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm për t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacionet.”

Por shkaku i vërtetë për burgosjen e dy atdhetarëve, lexohet qartë në hyrjen e veprës Kangë Krreshnikësh dhe Legjenda:”Kangët e vjetra, që njifen prej malcorve, nën emnin“kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute, janë visari ma i çmushmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla, e shum ndiesive bujare e përfytyrimit typik i fizionomisë së kombit t’onë.

Mbas nji shqyrtimi të kujdesëshëm vehet re, se ndër kto kangë mshehet ndjesija për pamvarsi, pse gjithkund del në  shesh lufta  e blokut  të fisevet shqiptare Mal i zi-Shqipni kundra Slavit, që  tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën.”  Ky shkrim i botuar më 1937, binte ndesh rreptas me politikën atdhemohuese  të “bashkim-vëllazërimit” të vitit 1945.

                                            ——-

Japim shkurt dy margaritarë, marrë nga libri Visaret e Kombit: “Gjergj Alez Alia” e ”Martesa e Halilit”, të mbledhura prej tyre ndër lahutarët legjendarë, si bletët lule më lule, nga një mal në tjetrin,  vatër më vatër e stan më stan.

            GJERGJ ALEZ ALIJA *)

Trim mbi trima ay Gjergj Alez Alija!
Qe nand’ vjet, nand’ varra në shtat m’i ka:
Veç nji motër, natë e ditë te kryet;
I a lan varrat me ujt e gurrës nand-vjeçe;
Ia lan varrat me ata lott e syve;
Ia terë gjakun me ata flokët e ballit;
Shtatin vllaut i a shtrëngon m’ruba të nanës,
N’petka t’babës trupin i a hijeshon,
Armët e brezit i a rendon mbi krye.

—————————————-
A dalë zani e paska marrun dhen,

Se ‘i baloz i zi a dalë prej detit.
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
I a ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
-Tim për tim kah nji dash të pjekun!
-Tim për tim kah nji vashë me i a djergun!
-Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun!
-Javë për javë kah njih krahinë me djegun!

Edhe Gjergji rendi te i ka ardhë,
Me lot faqet trimit m’i u kanë mbushë.
Erzi i shpis qysh lshohet n’dorë t’bajlozit?!

————————————————

Braf, në kambë por djali konka çue:
T’e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,
Fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh,
Hypi atit, bjeri n’derë nallban-jaranit. **)

E në sheher çika konka ra.

           ————–..

A  shkue motra te nallaban-jarani
“Falë me shndet, thotë, Gjergji të ka çue:

Kam orokun e mejdanit,
Sa ma mirë  ket gjok ti me m’a mbathë!

Thanë m’ka për patkoj prej tumakut; ***)

Me m’i a shti thumbat prej çelikut;
Se do t’dal m’u pre me baloz t’detit!”

Si per vedi gjogun e ka mbathë

Edhe n’pramje çika a dredhë në shpi;
Ka gjetë vllan tu’ e pritë nën hije t’blinit.
Ça kish ba ay trimi Gjergj Alia?
Falë me shndet balozit m’i ka çue:
“Me dalë heret n’at fushën e mejdanit

Çik’ për ty, baloz, nu’ m’ka qillue;
Desht e vathit për ty nu’ m’janë majë;
Sall nji motër, nu’ po muj me lshue,
Varrët e shtatit s’a kush qi m’i lidhë!”
Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë;

Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
“P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?”

Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
“Të lumët goja, baloz, mirë po thue!

Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue:
M’ke lypë motrën para se mejdanin;
M’ke lypë berret para se çobanin;
E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanu na kan lanë:
Armët me dhanë përpara e mandej gjan!
Kurr balozit motrën mos m’i a dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtrëngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Alez Ali!”
E i kan ba dy gjogat tim me tim,
E n’topuz balozi e ka shinue;
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra;
Përmbi kryet topuzi i ka fjurue;
Dymbëdhetë pash m’ledinë u ngul topuzi;
Dymbëdhetë pash përpjetë si re, u çue pjuhni.
At-herë Gjergjit rendi te ‘i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë!
Lik përmjet’ balozit te i ka ra;
-A trandë fusha kur a rrxue balozi!-
Me ‘i herë trimi shpatën m’a ka nxjerrun,
Kryet me neje trupit i a ka damun,
Zhag për kambet trupin e ka ngrehun;
Me gjith at m’nji bunar e ka mbytun;
Të tanë lumën gjaku e ka tërzue:
Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.
Qat-herë trimi a nisë me dredhë tu shpija
Edhe shokët të gjith m’i ka bashkue:
—————————————

*Emri në librin  e botuar më 1937 

është: Gjergj Alez Alia.

**Kumbar.

***Hekur i fortë.

     MARTESA E HALILIT 

Lum për ty, o i lumi Zot! 

Fort po shndrit njaj diell e pak po xe’!

Ç’p’ e merr frima rrapin e Jutbinës!

Borë e madhe, qi ka ra,

Randojnë ahat për me u thye;

Ki’n çetinat vetëm kreshtat:

Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,

Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.

Janë ra vashat me gja n’lumë,

Kan gjetë lumën tanë ngri akull;

Kan nisë vashat me lypë krojet,

Kan gjetë krojet tanë ngri hej,

Ça kan qitun e kan thanë?

„Kur t’bajë Zoti me e lirue, 

„Gjaja e gjallë, druem, ka mbarue!

 „Po o Zot, ç’janë njata shtegtarë,    

„Veshë e mbathë porsi zotnij?

„Mos janë nis trimat me çetue?  

 „Qi ata qafat kurr s’und i kalojnë!“

 Ka qit Jera edhe u ka thane:

-O nuk janë,  jo krushq darsmorë,

-Se ata paresh rane n’lumë;

-Ka dalë Muji me kreshnikë:

-A thue ndeshet m’ndo’ i  gja malit!-

T’kjofshim falë, o i Madhi Zot, 

Sa shpejt diellin m’a xu reja!

Shpejt m’a endi’ i pëlhurë t’gjanë e t’gjatë!

E i ka veshun majet rreth e rrokull,

 Qi kur janë kapë trimat tu lumi,

Kaq përzi i ka frima pjalm e re,

Askurrnja shoshojnë trimat s’p’e njofin.

 I’n ngri trimat me sharrue;

Por n’breg t’lumit- kulla e Mujit.

T’tanë për darkë Muji i ka ndalë.

Kqyr shka bani Gjeto Basho Muji!       

E ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm,

Treqind vetë p’r’i herë m’u xe.

At-herë trimi u ka avitë bucelat,

At-herë trimi u ka avitë fuçijat;

-In bucelat plot raki,

In fuçijat plot me venë.-

 Sa shpejt frima burrave u ka ardhë! 

 Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!

 Kan marrë llafin e po llafiten;

Kan marrë gazin e po gazmojnë;  

 Kan nisë trimat Mujin p’e pëvetin:

„ N’votër t’ande kem qillue,

 „Mos na ki randë për nji fjalë!

 „Pash  nji Zot, Mujë, qi t’ka dhanë

 „Qysh Halilin s’e martove?        

    ——

Në nderim të këtyre bijëve të kombi shqiptar, shkruesi i këtyre  rradheve, që deshmojnë shumë pak, për veprimtarin e tyre në shërbim të atdheut, u ka kushtuar rreth vitit 1987  këto vargje

     VISARET E KOMBIT 

         martirëve të Kishës Katolike Shqiptare

Një shkëmb,

një kishë, një kryq,

një portë me hark,

kube, altar i thjeshtë e shenjtëri!

Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,

prej Ilirie rrjedh, murmuron.

Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!

Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,

jehon në brigje e kulla varg,

kjo thirrje bese e shpirtit tënd!

At Bernardin, At Bernardin,

ngroh në faltore besimtarë,

meshon përunjshëm

për t’lumin Zot e për Krishtlindje,

për shenjtëritë me ruzare,

për Atme e besë!

Kungon me frymë lirie

ferishte, engjëj! *

Kurorëzon çifte,

e për të thinjur

një pleqëri të bardhë uron!

At Bernardin, At Bernardin

tok me At Donatin,

në qelë poetësh, dijetarësh,

ende gjallon ai kandil

dhe pena e artë,

në ato visare

na fton e shndrin!

Bernardin, Bernardin,

tok me Donatin!

Afër sharkisë e lahutarit,

pranë çiftelisë

e rreth valltarëve,

me shtojzovalle e me fatí.

Dëgjoni larg, sokola mali,

 lart  në shkrepa,

 ndër prozhme e kroje,

piskamat hej e ho!

“Janë ra vashat me gja n’lumë,

kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…

 Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’i ka

 shkapet bajlozin e sokëllin…”

At Bernadin e At Donat!

Ku, vallë, prehet kurmi juaj?

Vrastarët jua  prishën shtatin,

shpirtin e bukur, jo kurrë, askund!

Kur djajtë digjen në skëterrë,

shpirti juaj lumnon në Paradis!  

                                        ——————–

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT