• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUSHKATIMI I DY POETËVE PARA 45 VJETËVE…

July 16, 2022 by s p

NË NDERIM TË MARTIRËVE, VILSONIT DHE GENCIT,

Nga Visar Zhiti

I pushkatuan para 45 vjetësh, si sot, në 17 korrik 1977… Dy të rinj nga një fshat i Librazhdit, dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, – shih, dhe emrat i kanë si në balada, familjarë të dashur, i shkulën nga gjiri i familjes, Vilsoni 29 vjeç, la gruan dhe vajzën, Genci 36 vjeç, la djalin dhe vajzën… edhe sot do të ishin… me libra shumë… por janë, më të dashur se kurrë, martirë.

Na lanë poezinë e tyre si testament dhe heroizmin. Në burgologjinë time “Ferri i çarë” tregohet pushkatimi, një madhështi rrëqethëse, një flakë e pashuar, që buron dritë…

Pas mesnate, se ashtu bëhen pushkatimet, pa nisur zbardhëllimi, ndalën te vendi sekret, i caktuar më parë, një rrëpirë e shkretë në humbëtirë. Zbritën nga karroceria e makinës ushtarake ata të skuadrës së pushkatimit. Nga “xhipat” dolën shefat, komandanti i skuadrës së pushkatimit, kryetari i Degës, prokurori i rrethit, mjeku… Dhe i sollën ata të dy, Vilsonin me Gencin, të sfilitur, të torturuar. Të qethur, me nxirje në fytyrë e copërlime në gjymtyrë, as rrobat e shqyera nuk ua mbulonin. Mezi rrinin në këmbë. Gati me të shtyra shkuan tek ai pak shesh i gjymtë mes shkurreve e gurishtave. Terr dhe hije malesh më keq se terri. Heshtje, që prishej nga hapat e çizmeve ushtarake a nga ndonjë guriçkë që merrte të tatëpjetën. Groooopaaa… Përroi i Firarit, tamam vend djajsh. Fenerët e dorës bënin dritë të frikshme a u ndezën dhe dritat e njërës nga makinat. Ata të dy më këmbë, të zymtë përbuzshëm, të tronditur deri në moskuptim dhe në një si panik të shtypur, të drunjëzuar. A kështu u dukej atyre që ishin përballë, skuadrës së pushkatimit. Se ata s’do t’i shihnim më ata drurë përreth, as botën, njerëzit e tyre. Nuk mendoheshe dot më shumë, këputej çdo mendim, s’e dije ç’ishe e ç’ishin ata që do të pushkatoheshin. Vilsoni dhe Genci. Anash rrinin drejtuesit e kësaj ceremonie vrastare, të tmerrshme, të pashembullt. Si në detyrë, si në punë. Urdhri paraprak ishte që të qëllonin vetëm mbi Genc Lekën. Nga fare afër. – Zjarr! Genci ra e po përpëlitej mbi barin e lagur me gjakun e tij. Rënkonte. Rrëketë e gjakut vërshonin nga plagët që sapo hapën plumbat në trupin e tij. Vilsoni, me sytë gjysmë të mbyllur i shtangur më këmbë. – E shikon shokun tënd? – u dëgjua një zë. Njëri nga shefat iu afrua kufomës ende më këmbë të Vilsonit. – Kështu do të biesh edhe ti, por prano. Duam bashkëpunimin… Di gjuhë të huaja, mund të na shërbesh, çështjes së madhe të… – Kam thënë jo, mbaroni shpejt, – foli dënesshëm Vilsoni. – Mendohu, por shpejt, s’ke kohë shumë, balta të pret. – Më mirë baltë sesa me ju, – u duk sikur u përgjigj vetë balta. – Shoku yt mbaroi, shiko te këmbët. Ti mund t’i arrish ëndrrat… – Ashtu guxoi e foli oficeri? Sa të poshtër! – Jooo, – ndërpreu gjithçka ulërima e Vilsonit, – me shokun tim e nisa, me të ta mbaroj! – dhe po u bërtiste atyre, dukej sikur donte që të mbyllej sa më parë kjo tragjedi, ai i ishte dhënë vdekjes me kohë, që kur i arrestuan, në hetuesi, në gjyq, kur hodhën sentencën: dënim me vdekje, me pushkatim. Më herët akoma, ai endej në mbretërinë e vdekjes, që kur shkroi poezinë parë, që kur po përkthente fshehurazi njërin nga ata poetët e mallkuar, që, kur u dashurua me atë aktoren, por tani s’kishte kohë më për asgjë, veç për të nxjerrë dufin e fundit, para se të nxirrte frymën e fundit. – Vrasës… më vrisni… se edhe ju… kriminelë… – Zjarr! – u përsërit urdhri, më me rreptësi e më me mllef, dhe batareja e plumbave e griu të gjithin. Ra përsipër shokut të tij. Gjaku që sapo i vërshoi, iu përzie me të atij dhe, siç bëhen vëllamë duke pirë nga gjaku i njëri-tjetrit, ata u bënë vëllezër në pafundësinë e territ, ashtu siç është vetë vdekja.

* * *

Dy kokë të bronzta mbi siprinën e ujit, të mëdha, të rënda, si dy planete. Buzë rrugës në të hyrë të qytetit të Librazhdit. Grup skulpturor në nderim të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Uji është kujtesa a vetë koha, a kthjellimi i kujtesës. Sytë të mbyllur në një gjumë bronzi. U dola nga pas. Ndërrova prapë vend. Kërkoja vrimat e plumbave në kafkë. Më dukeshin të sapovrarë dhe uji më bëhej gjak. Se dhe pasqyronte perëndimin e diellit. …

Dy kokët e bronzta më dukeshin si mbi lot. Zgjata duart t’i ledhatoj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

TË UDHËTOSH NËPËR EVROPË ME NJË ROMAN TË VISAR ZHITIT

July 14, 2022 by s p

– Feliksi, ky njeri fatkeq me emër lumturie… –

Nga Gabriela Mujaj

E nisa romanin ” Perëndia mbrapsht dhe e dashura” të Visar Zhitit në Tiranë dhe si për rastësi të fatit rrugëtuam bashkë në shumë vende të njëjta, por në kohë të ndryshme. Mbase u dashurova unë me Feliksin, mbase më pushtoi shpirti i Emës, (personazhet kryesorë të romanit, shën. i red.)  ku i dihet, në këtë botë okulte, e vetmja gjë që dimë, është se nuk dimë asgjë.
Pak ditë më vonë bëra valixhen gati, një dosje të kuqe plot me dokumente dhe u nisa për në Romë. E shtrëngoja atë dosje gjithë rrugës dhe madje, kur duhej të largohesha patjetër, ua lija porosi me jetë miqve që ishin me mua. Në të kisha të gjitha dokumentet më me vlerë që më duheshin për në ambasadë.
Hej, more Zot, thashë me vete, a nuk u nis dhe Feliksi po kështu? Me një dosje me dokumenta për kauzën e Emës, për gjygjin e madh, për të hedhur në gjygj atdheun.
Po unë ç’po bëj? Po shkoj të hedh në gjygj atdheun gjithashtu!
Në Romë bënte vapë, një vapë kolerë. Dielli përvëlonte pa mëshirë, si të kishte shpirtin e një gladiatori të tërbuar. Pasdreke dola shëtitje. Shkova tek “Fontana…” po me librin në çantë. Je çmendur, më tha vetja. Qepe, i thashë, mos dërdëllit, të ka rënë dielli në kokë. Ç’të duhet ty pse mbaj me vete ditarin jeshil të vjetër dhe librin e Visarit.
Më tha si e terbuar që i duhej shpinës sime.
Tek “Fontana…” shkova dy herë, ditën dhe natën, pasi vetëm natën vonë mund ta shijosh magjinë e saj të vërtetë.
M’u kujtua Feliksi si i marrë aty. Desha të hidhesha, por nuk guxova. E urreva veten dhe  kuptova se sa shumë isha rritur, më mungon thellësisht vajza e çmendur e kohrave të vjetra.
Aty m’u afrua një fotograf, nga ata që bëjnë fotoçast. Qesha dhe e pyeta për emrin. Mateo, më tha. Feliks, i thashë? Më pa i çakerdisur.
Xhino, ju ktheva. Qeshi dhe u largua. Të ishe Feliksi po, i thashë, por ti dukesh shumë i fjetur për të kapur çastin. Buona giornata!
Fillova të ecja rrugicave të Romës, u magjepsa! Disa herë pashë djem që shisnin trëndafila të kuq. Zgjata dorën njëherë, pastaj ika me vrap. Ma tu sei matta, më tha duke qeshur. Doli në pah vetja ime e vjetër. Shkova tek Colosseo, për disa çaste pashë dhe u sigurova që nuk po sillej aty ndonjë gladiator. Mata dorën të bëja kryq, pastaj ja plasa të qeshurës se ç’qe ky veprim instikt.
S’e di, mu përgjigj vetvetja, kur nuk më kupton ti, si mund të kuptoj unë ty. Vetvetës nuk i durohet kurrë pa më kthyer përgjigje, shkak për të cilin zihemi shpesh.
Në darkë eca papushim. Të nesërmen shkova në Vatikan. Librin e kisha prapë në çantë.
Desha të pyes për atë Omer Starjen aty afër, u afrova, u bëra gati, por në fund e mbajta veten dhe bëra atë që vetëm vetës sime mund t’i shkojë ndërmend, pyeta rojën zviceriane se si ishte Papa me shëndet.
Qeshi me finesë, më tha që ishte mirë dhe që më falënderonte për shqetësimin.(S’e di a ndodhi vërtetë kështu apo m’u duk mua. Atë ditë ishte një Diell i zjarrtë që të bënte shumë konfuz).
Unë u largova e bindur që bëra gjënë e duhur.
Pastaj s’e di sa kohë qëndrova para dritares ku del Papa. M’u kujtua Papa Gjon Pali II, artisti polak, njeriu i madh. Sa e dua…
Nuk e di nëse Papa ishte në dijeni për çeshtjen e Feliksit, mund të zija shkas e ti thoja, ishte çeshtje me rëndësi, pra edhe mund të më lejohej ta takoja. Eh…
Pas ca ditësh u nisa për në Vjenë. Mora dosjen e kuqe që e shtrëngoja fort. Do shkoja drejt e në ambasadë. Imagjinoja Feliksin afër meje me dosjen në dorë. Feliksin…ah, të isha Emë, ose ta kisha Feliksin tim afër. Në Vjenë zbrita si e krisur dhe mora trenin e kuq. Mahnitem si herën e parë duke shikuar ato ndërtesa tipike vjeneze, stili i të cilave më magjeps.
Më në fund mbërrita tek ime motër, fjeta gjithë diten e lume, Roma më kishte rraskapitur.
Të nesërmen shkova tek Danubi, jam dashuruar marrëzisht me të, e ndjej, më ndjen dhe është vendi i parë ku shkoj. Hypa mbi urë, para meje ishte një grua me shami, me një kërthi për dore dhe me një gocë të re, që nga e folura kuptova që mund të ishte boshnjake. Hodha sytë poshtë, po kalonte një anije me turistë, nga ato luksozet. Pashë ujin.
Feliks, o Feliks, ç’bën? Ke pirë? Të pataksi Frojdi apo u marrose nga bukuria e Sissit? Mos  je trullosur nga karuseli i madh, e? Hey, Zot aman! Mbaje veten, po thoja me të madhe.
Gruaja me shami më pa e lebetitur, mori kalamanin përdore dhe iku me të katra. Po ashtu edhe ajo që mund të ishte boshnjake.
U ula aty mes urës dhe shkrova një poezi
duke menduar Feliksin tim. Thashë me vete, erdha vonë, vërtetë shumë vonë. Po të kisha ardhur më herët mbase do i kisha ngjarë me Emën dhe do e kisha mbajtur akoma në jetë.
Në jetë? Ç’po them? Pse, a nuk paska jetë përtej? Omer? Papa Gjon Pali, Papa Françesk, ku jeni, më jepni përgjigje. Të lumtur janë Ema dhe Feliksi? Ë? Po dosja ime ku shkoi? Te shtëpia e lashë, e sigurtë? S’e di! Mbase as mua s’më duhet më. Më vrau atdheu, po po, më vrau sepse e braktisa! Thashë në ambasadë që nuk ndihem mirë tek atdheu im, se më ka vrarë…më ka vrarë, jo Emen, jo, më ka vrarë ëndrrat, dëshirat, kam shpëtuar vetëm poezinë, apo ajo më ka shpëtuar mua, e? Vetëm ajo është gjallë, EmA ime ajo…
Oh, kam hedhur në ambasadë atdheun si të padenjë, tmerr!
Po dosja e Feliksit, ku shkoi? E mori gruaja me shami, apo ajo tjetra, e? Ajo e mori, po ç’e desh? Mos qe Ema? Ku di unë, shpirtnat marrin forma të ndryshme.
Ç’po thua më tha vetja? Tani fillove të merresh me shpirtnat?
Ti rri urtë, i thashë se nuk ke zemër të flasësh për shpirtrat. Këto janë çeshtje shumë të thella.
Qepe! Mbylle! Ku shkoi Feliksi?
Të gjejë lumturinë.
Ku?
Atje ku është lumturia.
Po ku na qenka lumturia?
Foooool, fol, përgjigjmu, o shushkë!
Matanë lumit, matanë trishtit, përtej vdekjes,
Tek zemra që dashuron!

Po ti Feliksi im, ku je? Mos je Danub?
Pashë Qiellin dhe vendosa dorën në zemër.
Aty, aty ish Feliksi im, Uliksi im që s’e di kur do të mbërrije në Itakë.

Po ta njihja Feliksin e Emës edhe mund ta kisha shpëtuar, i thashë vetes.
Qeshi me të madhe, u gajas si e pataksur dhe sinqerisht e urreva pamasë në atë çast.
Mu në atë çast, desh u përplasa me time motër e cila po më kërkonte që një orë.
Eja, se u bëmë vonë për ambasadë, më tha.
Sa mirë, i thashë, do padis atdheun që më ka vrarë ëndrrat.
Ajo, bashkë me veten time, u gajasën përsëri dhe unë e shtrëngova aq shumë dosjen, sa për një çast m’u bë se dëgjova klithmën e dhimbjes së Feliksit.

Tani, nuk e di nëse vërtetë ndodhën të gjitha këto ngjarje, ju duhet të më kuptoni. Ato ditë bënte vapë e tmerrshme dhe dielli t’i vërbonte sytë e të merrte dhe mendjen. Ama, një gjë e di të sigurtë, këtë e mbaj mend mirë:
Unë udhëtova me Feliksin në çantë dhe jo vetëm, u magjepsa pas tij!

Filed Under: LETERSI

Ali Asllani Aristokrati i Lirikës shqiptare

July 13, 2022 by s p

Msc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Nderohet Ali Asllani në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë

Në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë u zhvillua një veprimtari nderimi për poetin Ali Asllani, i mbarënjohur si Princi i lirikës shqiptare. Organizatorë të aktivitetit ishin Biblioteka Universitare, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Departamenti i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, nën kujdesin e veçantë të Rektorit të universitetit, Prof. Dr. Roland Zisi, studiues me emër i letërsisë shqipe.

Të pranishëm në aktivitet ishin studiues të mirënjohur të Letërsisë shqipe, akademikë, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, intelektualë të qytetit dhe shumë studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Aktiviteti kishte si kryefjalë jetën dhe veprën e Ali Asllanit, këtij personaliteti të shquar për kontributin që ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

Moderator i aktivitetit ishte poeti Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore.

Në të gjitha referatet e mbajtura nga: regjisori i mirënjohur i TVSH, Ylli Pepo, prof. dr. Bardhosh Gaçe, përgjegjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, prof. as. Frosina Londo Qyrdeti, dr. Mariglena Meminaj, studiuesi dhe shkrimtari Gëzim Zilja dhe publicisti e veprimtari shoqëror Ahmet Demaj, u theksua fakti se veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike, diplomatike e shoqërore, kulturore – artistike dhe letrare.

Ali Asllani dha një ndihmesë të shquar dhe të pazëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi la gjurmët dhe shembullin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

Referuesit ritheksuan faktin e pamohueshëm se, lidhja e madhe e krijimtarisë se Ali Asllanit me këngën popullore të Labërisë, gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij. Ai ka pirë ujë të kulluar në gurrën e pashtershme popullore të folklorit të Labërisë, por vlera e tij merr përmasa më të larta, se veç krijimtarisë së tij brilante, shumë poetë popullorë të mëpasëm, me emër të dëgjuar në këngën labe, kanë pirë ujë letrar në gurrën e kthjellët e të pasur me vitamina shpirtërore të xha Aliut. Ndërkohë, janë shumë poezi të tij që janë këngëzuar sipas stileve muzikore të grupeve të ndryshme të Labërisë, jo vetëm në Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë, duke e zgjeruar atlasin poetik të Lirikut të madh lab hapësirave të larta të këngës popullore shqiptare, përditësuar edhe në muzikën tonë të lehtë.

E veçanta e kësaj veprimtarie, në kuadër të 140 vjetorit të lindjes së Poetit dhe 80 vjetorit të poezisë “Hakërrim” ishte shfaqja e premierës së programit dokumentar “Ali Asllani, poeti i madh i Labërisë”, kushtuar Ali Asllanit, personalitet i shquar i Letërsisë Shqipe. Ky film dokumentar ishte një këndvështrim kulturor-artistik ndryshe i treshes realizuese, me skenar të Valentina Hysit, drejtor fotografie Xhemal Reçi dhe regjisor Ylli Pepo, ku 6 aktorë kërkojnë 1 poet, me pjesëmarrjen e 6 aktorëve tanë të njohur: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Pajazit Murtishi (strugan), Bujar Asqeriu, Sokol Angjeli, Gazmend Paja, si dhe të kantautorit gjakovar Artan Bakija me një kompozim të ri të një poezie të xha Aliut.

Ekskluzive në këtë film dokumentar ishte intervista e pa transmetuar më parë e të madhit Dritëro Agolli për Ali Asllanin, mundësuar në vitin 2010, realizuar nga mjeshtri Xhemal Reçi.

Programi u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Për grupin realizues qe një e papritur e këndshme fakti që Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”, që me këngën “Me vargje meraku”, kushtuar lirikut kombëtar Ali Asllani,  kanë bërë një realizim të mrekullueshëm dhe të merituar, kushtuar lirikut kombëtar Ali Asllani: “Eja xha Ali/ takohu me miqtë,/ pastaj, ti e di/ shpërfilli të liqtë./ Eja dhe gostiti/ vet’ nga dora jote, /me ca këngë shpirti/ porsi mjaltë zoge!…/ Si lule zambaku/ me vargje meraku … Këngë për Ali Asllanin,  teksti Albert Habazaj, marrëse Liljana Rrapi Kapaj, kthyese Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse Vito Shiroku Vera, mbushin këngën (bëjnë iso): Antoneta Goxho Mehmetaj, Liri Gaçe Shkurtaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Fatmira Hodo Skendaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj, audio Artur Dhamo “Mjeshtër i Madh”, Vlorë, 01.05.2018; video Eden3 Tv, Qershiza, Tërbaç, 29 qershor 2019, hedhur dhe You Tube.

Filed Under: LETERSI

MJESHTRI I SONETEVE, QË ERDHI NGA FERRI DHE SHKOI NË PARAJSË…

July 12, 2022 by s p

– Uran Kostrecit në një vjetorin e ikjes-

Nga Visar Zhiti

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë… .

KARTELA E DHËMBSHME E URAN KOSTRECIT

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe tani që është 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, por a dini pse e mban borsalinën, nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi. E ka që nga atëhere, kur eqëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – shkruan studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

* * *

Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë, sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësia ka që ai pa, edhe ferr edhe parajsë dhe sytë i xixëllinin njëlloj. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali, Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

* * *

Ka një vit që s’është midis nesh, mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

MYSAFIRI I MBRËMJEVE 

July 12, 2022 by s p

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\AGU\Agim Xh. Dëshnica.jpg

Agim Xh. Dëhnica

Në një fshat mbi Kuç, pas Qafës së Gomares, jetonte me njerëzit e vet, Hamza Hodo. Megjithëse ishte kohë lufte, të gjithë fshatarët punonin si në paqe, pa u lodhur, qoftë duke mbjellë e korrur,  qoftë duke u marrë me vreshtarinë e bagëtitë. Buka, mishi, si edhe rakia nga rrushi, nuk u mungonin kurrë. Prej rrushit bënin edhe pekmez, rahni e uthull. Nga dhentë e dhitë merrnin qumështin, nxirrnin gjalpë, djathë, dhallë dhe hirë. Nga pulat – vezët.

Hamzai, burrë i mençur e bujar, i priste miqtë me raki, meze e kafe. Mikun e largët e luste të rrinte  për darkë  dhe të flinte  si në shtëpinë e tij. Veçse nuk i shihte me sy të mirë disa, që endeshin kohë pa kohë në dyert e botës, ndaj i pëlqente shprehja e njohur turke: “Një ditë mysafir, dy ditë mysafir, të tretën ngrehu e ik, o qafir!” 

Gjatë dimrit, zjarri në vatrën e Hamzait, me kërçepa lisi, nuk shuhej as ditën e as natën. Darka tek ai shtrohej e pasur, me supë nga lëng mishi, me vezë të fërguara me gjalpë, me pula të pjekura e pilaf, me byrek dhe, në fund, vinte ëmbëlsira me qumësht, mjaltë e fruta.

Siç ndodhte shpesh në ato mbrëmje dhjetori, u dëgjuan në oborr të lehurat e egra të qenve, Balikut e Murros. 

– O Hamza,  lidhur i ke qentë, ore?!

I zoti i shtëpisë doli në çardak, në krye të shkallëve, dhe u përgjigj:

– Hyr, o, hyr, se të lidhur janë!

Dhe nuk doli i gabuar. Ai ishte Qazo Shkoza, nga lagjja e poshtme, tek asnjë pyll me drurë shkoze s’kishte bërë hije ndonjëherë. Gjithë njerëzit e shtëpisë së Qazos merreshin me punë, por atij nuk i zinte vendi vend, as kur priste thëllimi. Bridhte ku t’i shkrepej, por më  shpesh shtyhej si era drejt shtëpisë së Hamza Hodos. I pëlqente ta kalonte  mbrëmjen atje, me tërë ato të mira, që i shtronin para, duke i dhënë muhabet të ëmbël pranë zjarrit.  Megjithatë, thoshte me vete: “Si s’më mbajti një herë për darkë pa më ftuar, xhanëm!” Qazo Shkozës i kujtohej se kur ftohej te Hamzai në raste gëzimi, shqepej me të ngrënë e me të pirë. Ndaj këtë herë e kishte vendosur të mos largohej thatë.

– Mirë se ju gjej! – tha, duke ngjitur shkallët.         

– Urdhëro e  zër vend në qoshe!

– Më ra udha këtej, – ia nisi Qazua, – ndaj mendova të kthehem pak, sa për t’ju pyetur si jeni.

– Mirë se erdhe dhe të faleminderit!

I zoti i shtëpisë i zgjati dorën dhe i hodhi kutinë e duhanit.

– Pardje na kënaqe me atë darkën, që shtrove, or Hamza! Dje kishe prapë miq, më thanë, ndaj s’të erdha dot, po  shkova e u ngula  te Isufi. 

Djali i mesëm pruri në tabaka një shishe me  raki dhe dy gota  qelqi,  meze me mëlçi dashi, djathë dhe bukë të ngrohtë. Qazos iu dukën pak, gjithsesi u kënaq.

– Dimër, hë ? – e mori fjalën i zoti i shtëpisë.

– Dimër, jo llafe!

– Ftohtë jashtë!

– Ftohtë, the!? Të dridhen dhëmbë e dhëmballë! Pa, pa, pa!

Kaloi një kohë e gjatë duke folur për rrojtjen, punën dhe luftën.

Qazos i pëlqente të tregonte histori nga fshati për bëma të pabesueshme të një gruaje, që pinte duhan të dredhur dhe mbante kobure në brez si burrat. Pastaj vazhdonte me mullisin, që marrkësh  drithë nga thasët e fshatarëve më shumë sesa i takonte, ndërsa asaj gruas me kobure ia bluante bereqetin falas. 

Hamzai dëgjonte dhe fliste pak. 

Dikur biseda e tyre ngeci dhe po  tërhiqej zvarrë. Me të mbaruar rakia dhe mezetë, mbërriti pa vonesë kafeja. Ajo do të thoshte se qe bërë vonë dhe mysafiri duhej të ngrihej e të ikte. Kafenë e nxjerrë shpejt, në popull e quajnë “sikterkafe”. 

Biseda mbaroi,  por Qazua as kujtohej ta linte shiltenë prej lëkure dashi. Mendja atij i punonte për darkën, që do të shtrohej më pas. Ndaj dhe u gëzua, kur Hamzai nisi të fliste prapë:

– Jashtë,  siç po e marr vesh nga veshët që me kruhen,  paska për të rënë shi i madh! Njerëzit, që do t’i zërë  udhës, do t’i bëjë qull, po edhe mund t’u kallë plevitin.    

– Ashtu them edhe unë, por neve s’ka ç’na bën! Jemi mirë këtu! Shtëpinë  e ke të ngrohtë ti, Hamza, dhe çatinë të mbuluar me tjegulla të reja. 

Por, Hamzai vazhdoi në të tijën:

– Pas shiut do të rënka breshër i fortë! Njerëzit, duke ecur nëpër të,  është rrezik të rrëshqasin e të thyejnë qafën!  

– Mirë thua, çfarë nuk bën vaki në këtë botë!

– Pas shqotës, do t’ia nisë dëbora, më duket! Dhe do t’u zërë frymën rrugëve, sa as mushkat nuk do t’i çajnë dot. Kush do të gjendet jashtë në ato orë, do të eci duke parë ëndrra. Pastaj do të përplaset mbi dëborë për gjumë dhe së fundi do të ngrijë, do të shkojë në djall, do t’u bëhet kismet ujqëve të babëzitur.

– Ç’e lodh mendjen aq! – qeshi Qazua. – Ne s’na gjen gjë këtu brenda! – Zjarrin e kemi me bollëk! Po të duam, rrimë e gdhijmë me muhabet. 

Ra heshtja përsëri. Dëgjohej herë pas here kërcitja e druve në vatër. Jashtë, qetësinë e natës e prishnin herë – herë të  lehurat e qenve.

– O Qazo!

– Urdhëro, të paça!

– A më ke mik?

– Ç’është ajo fjalë! Mik e shkuar mikut! 

– Kam rënë në një hall, që ta dish zotrote!

– Çfarë halli, thuama!

– Më duhen disa napolona flori, për të blerë nja  dy qe dhe një  lopë! Vras mendjen, kujt t’ia kërkoj!

Qazo Shkoza nuk  u ndie. Pa majtas, u ngrit në këmbë dhe hodhi sytë  në dritare. Jashtë ishte terr. Nuk dukej asgjë.

-Bobo! – ia ktheu. – Mirë the ti, Hamza! Do të rënka shi me gjyma aq sa nuk ka ndodhur kurrë në anët tona! S’është çudi t’ia nisë edhe ndonjë breshër sa një kokër arrë! Po edhe dëborë mund të bjerë, mbase! Mund të mbyllen rrugët për javë të tëra, siç the zotrote. E di ç’ke? A nuk i vëmë qylaf muhabetit tani?  Ika unë!   

– Rri, o Qazo Shkoza, sa ta  mbaroj llafin, të paktën!

– Ika! Ika !  Mbeçi me shëndet!

Jashtë u dëgjuan prapë të lehurat e egërsuara të qenve të lidhur, Djemtë  u turrën t’i qetësonin. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT