• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Mbreti” i Viron Konës një apel, për shoqërinë 

April 7, 2022 by s p

Fran Gjoka/

Viron Kona prezantohet kësaj here përpara lexuesit me romanin e tij më të ri “Mbreti”. Ky shkrimtar vijon i vendosur dhe energjik rrugën e tij krijuese,  teksa deri më sot shifra e botimeve të tij e kalon numrin 50. Bisedat me të janë përherë entuziazte, ndërsa boton një vepër letrare, ka në mendje krijimin  e një vepre tjetër… 

           -Ndodh edhe kjo, – shprehet ai me sinqeritet, – që, ti je duke punuar një krijim artistik, ndërkohë të troket në kokë një ide apo subjekt tjetër më i fuqishëm, më frymëzues dhe më emocionues. 

           -Çfarë, e ndërpret punën e nisur dhe fillon tjetrën?

          -Jo gjithnjë, por edhe ndodh. Figurativisht do ta shpjegoja kështu:Ti ke planifikuar diçka për të nesërmen, por befas të vjen një “mik”, madje edhe në mes të natës, i cili mbase edhe të zgjon nga gjumi. Kur ti shikon se cilin mik ke përpara, entuziazmohesh dhe planet që ke për të nesërmen i ndryshon. Kjo është krijimtaria, ajo që të duket më eomocionuesja, ajo për të cilën të rreh më fort zemra, ajo del “pa radhë” përpara dhe ti duhet t`i kushtosh asaj vëmendjen që meriton. Përndryshe zjarri krijues shuhet dhe ai frymëzim largohet, rrallë ndodh që të të kthehet përsëri. E. Pelin, një shkrimtar i njohur bullgar, thotë: “Duhet të të digjet shpirti zjarr që t’u thuash diçka të tjerëve”. Natyrisht që kjo është përvoja ime dhe nuk marrë përsipër të bëj “të diturin” për këtë çështje.

            -Mos është kjo që po thua, të kalosh “degë më degë”? 

            -Mbase, dikush mund ta quaj edhe ashtu, por unë po shpreh thjesht një përvojë. Shërbimi më i madh i bëhet asaj vepre që të bën të ndihesh më i frymëzuar, veprës ku përjetimet i ke më të mëdha, ndjenjat dhe emocionet të vijnë më të fuqishme. Më ndodh shpesh herë që heq kapituj apo faqe të tëra nga ato që kam shkruar dhe zë i shkruaj përsëri, hedh aty mendimin e ri, që më duket edhe më i bukur, më frymëzues dhe më artistik. Dhe, e di, mendimet e bukura nuk vijnë duke “shtrydhur mendjen”, por duke punuar, ato vijnë kur përfshihesh i tëri në vërshimin dhe magjinë e punës krijuese. S`ka rëndësi as vendi ku je, as komoditeti, as kushtet e rehatshme. Mendimet më të bukura mua më kanë ardhur duke shkruar, por edhe në udhëtim, me furgon, autobuz apo aeroplan. Mbaj gjithnjë letra të bardha me vete dhe stilolapsin dhe sapo më vjen mendimi zë e shkruaj, nganjëherë nuk e ndiej fare udhëtimin sepse shkruaj papushim, ndodh edhe që më vjen keq që mbërrita në destinacion, sepse aty dhe vala krijuese ndërpritet. 

                –Është e rekomandueshme kjo mënyrë të shkruari?

                -S`di se ka “mënyra” të caktuara se si të shkruash. Të erdhi, shkruaje. Jeta jetohet çdo moment, ashtu dhe vepra letrare mund të nis krijimin e saj çdo moment, nuk ka orë apo ditë të caktuar që të thuash:’Tani do të ulem dhe do të shkruaj një poezi, një tregim apo një fragment romani…!” 

                 -Të lodh puna krijuese?

                 -Krijimi i vërtetë të rrëmben dhe nuk e ndien lodhjen. Po ndieve lodhje në letërsi, atëherë lëre fare!

            -Le të vijmë te romani i ri që ju e titulloni “Mbreti”. Për cilin mbret bëhet fjalë? Apo është thjesht një libër për fëmijë me qëllim argëtimin e  tyre?

           -Ju e dini që fëmijët i dua shumë, por nuk mendoj që ky libër është për ata. “Mbreti” është një libër për të rritur. Ndërsa gjuha e përdorur dhe personazhet janë kafshë, libri ka gjuhën e Ezopit, ku kafshët  nënkuptojnë njerëz. Idetë dhe mesazhet e librit ndonëse dalin nëpërmjet marrdhënieve të kafshëve, në thelb ato i bëjnë apel jetës dhe mbrojtjes së saj nga ata që uzurpojnë pushtetet, që mbretërojnë barbarisht, që kryejnë veprime mizore ndaj jetës së njerëzve. Mbyllja e shtigjeve për diktatorët, është kusht themelor për të jetuar të qetë, të lirë dhe në paqe. Historikisht por edhe realisht, diktatorët sapo marrin pushtetin dhe vihen në krye të një shteti apo mbretërie, ata heqin maskat, “harrojnë” premtimet e bujshme dhe shfaqen të dhunshëm, duke mbytur të drejtat dhe çdo liri të popullit të tyre apo të popujve të tjerë. Ata sundojnë duke përdorur metodën “përça e sundo!”, përdorin forma sundimi të rafinuara duke i hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që hedhin edhe botën në luftëra të vazhdueshme, përfshihen në krime të panumërta njerëzore, janë shkaktarë dhe ideatorë të gjenocideve mizore dhe të vuajtjeve të shumta të njerëzve të thjeshtë, të pafajshëm e paqësorë, të cilët me naivitet, të mashtruar apo të manipuluar, u shkojnë pas si delet pas ujkut….Për dikatorin, njerëzit nuk janë njerëz, por ata janë hije, janë thjesht numra, janë “gurë shahu” që përdoren “mish për top”, siç përdoren ushtarët për t`u vrarë në luftërat pushtuese dhe grabitqare, gjithnjë për të realizuar qëllimet e mbrapshta ambicioze të diktatorëve. Ndërkaq, jo vetëm mbretërit dhe pushtetarët diktatorë, por  edhe njerëz të tjerë në rrethana të caktuara  bëhen më të këqijë se kafshët, ata vrasin njëri – tjetrin, spiunojnë, shkatërrojnë, djegin; “të fortët” dhunojnë më të dobëtit, ata përdhunojnë dhe bëjnë të gjitha të këqijat nga e para tek e fundit pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Si pasojë e konflikteve të mëdha për të ruajtur pushtetet, mbretëritë, për të përvetësuar padrejtësisht pronat, pasuritë, etj., kanë ndodhur në këtë botë përplasje njerëzore fatale. 

                 Personazhi kryesor i romanit, “Mbreti”, është Luani i Dytë, mbreti i kafshëve të pyllit. Ai duke justifikuar egërsinë, babëzinë dhe makutërinë e vetë, “akuzon” njerëzit se “ata flasin për paqe, mbajnë fjalime, shkruajnë e çfarë nuk bëjnë që të tregojnë se janë paqësorë, por nga ana tjetër ata urrejnë dhe përbuzin, në njërën dorë mbajnë lule, kurse në tjetrën pas shpine mbajnë gati thikat,  ata përgatiten për luftëra kundër njëri – tjetrit… Dhe, kur fillojnë luftërat ata përdorin armë të shfarrosjes në masë, armë kimike, armë bakteriologjike, armë bërthamore, që vetëm me një goditje shuajnë e zhdukin qytete dhe popuj të tërë. Në këto luftëra botërore ata vrasin pa mëshirë racën e tyre… Lufta e Parë Botërore pati afro 20 milionë të vrarë. Lufta e Dytë pati 60 milion njerëz të vrarë, luftërat rajonale… Pra, shekulli që kaluam, është shekulli më i turpshëm i njerëzve…. Sa herë thonë “paqe” ata mendojnë për luftën…”           

          Mesazhet e librit janë të shumta dhe të fuqishme. Një lexim i vëmendshëm na tregon se kemi përpara një libër me vlera, të shkruar me gjuhën ezopiane. Thuajse në çdo kapitull të tij duket se bie nga një kambanë, që na bën thirrje të jemi të vëmendshëm, syçelët, të besojmë në vepra dhe jo në fjalë boshe, të mbështetim dhe të ndihmojmë jetën tonë, të fëmijëve tanë dhe të brezave që vijnë, gjithnjë duke u ruajtur nga zgjedhja e vendosja në kryet tona të njerëzve mashtrues, mizorë, vrasës, dhunues e përdhunues, vjedhës të pangopur. Të mos lejojmë “mbirjen” dhe zhvillimin e diktaturave dhe të diktatorëve, të cilët ringjallen si Hidra (përbindëshi me trup gjarpri me nëntë koka, të cilit sa herë që i pritej njëra kokë i ringjallej koka tjetër).

              ”-Përpara se të më vrasin këta mua, do t`i vrasë unë ata”, – thotë mbreti Luani i Dytë dhe u sulet kafshëve me egërsinë më të madhe. 

                Romani është i ndarë në kapituj dhe përpara lexuesit shfaqen skena të gjalla e krejt befasuese, ku tregohen krahas egërsisë dhe barbarisë, edhe vese të tjera që shfaqen në shoqërinë njerëzore, vese që jetojnë brenda qenies së disa njerëzve, të cilët e shfaqin “përbindëshin” apo “helmin” nga brenda tyre, madje në raste dhe rrethana të caktuara. “Pse u bë kështu ky?! Si nuk e paskemi njohur!? E vumë ujkun bari!” – thotë shpesh herë naivi i zhgënjyer përpara atij njeriu që pasi realizoi qëllimin, u shfaq ndryshe nga sa dukej e besohej. Psikologjia bën shpjegimet e duhura në kësi rastesh, kurse letërsia ka gjuhën e saj të rrëfimit, duke shfaqur, ndriçuar e portretizuar tipa, karaktere, personazhe që përfaqësojnë anë dhe pamje të ndryshme të njeriut, anë të mira apo të liga, e ndërmjet tyre fshihet e kamuflohet mjeshtërisht  “përbindëshi” njerëzor…   

          Shkrimtari Kona duke përdorur mjete artistike e figurative, si dhe batuta të holla e shigjetuese, demaskon me sarkazëm, me ironi therëse, me urrejtje e përbuzje ligësinë dhe barbarinë, por edhe fshikullon fort edhe vese të tilla, si: servilizmi, spiunimi, mashtrimi, zilia, egoizmi, gënjeshtra, pabesia, korrupsioni… 

           Romani “Mbreti” të vë në mendime  të thella për jetën. Ai të ngjallë forca dhe energji  të brendshme, që të mos pajtohesh asnjëherë me të keqen…

Filed Under: LETERSI Tagged With: FRAN GJOKA

Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e tij të bukur

August 3, 2021 by s p

Fran Gjoka: Mbi librin me tregime të Viron Konës - Albspirit

    Fran GJOKA

-Recence për librin “Vajza e Manaferrave” të poetit Delo Isufi.

   Kur flet shpirti, gjërat bëhen hyjnore dhe jeta të duket një magji, ku gjithçka lulëzon, gjallërohet dhe të falë gëzim. Zakonisht janë poetët ata që krijojnë situata të tilla, që ledhatojnë shpirtërat e njerëzve, që nxitin njeriun drejt zhvillimeve dhe pasqyrimit të ndjenjave të holla e delikate, që lëvizin bashkë me gjakun dhe krijojnë frymëzime dhe mendime të guximshme për jetën. Këto ndjesi i fitojmë edhe duke lexuar libra të mirë poetikë, të frymëzuar, që na emocionojnë thellë dhe na bëjnë më aktivë në veprimet tona.  Ndjesi të tilla krijova edhe unë gjatë leximit të vëllimit poetik “Vajza e Manaferrave”, të poetit Delo Isufi. Është një libër që lexohet me një frymë dhe, pasi e mbaron, ndihesh i mbushur me më shumë dashuri për jetën, për stinën e bukur të pranverës, për mirësinë dhe dashurinë, për marrëdhëniet mes njerëzve, harmoninë dhe ecjen më të sigurtë në jetë, secili në drejtimin, pasionin dhe frymëzimin e  tij. Siç shprehet në një artikull kushtuar këtij poeti, shkrimtari i njohur Viron Kona:  “Shpirti krijues i Delos Isufit është  i lidhur ngushtë dhe i dashuruar me hapësirat e gjera e ku, veçmas, ai ka përjetuar e dashuruar hapësirën e paanë qiellore, qysh atëherë, kur mjaft i ri në moshë pilotonte avionët supersonikë, ditën dhe natën, e ku bashkudhëtarë e shokë të pandarë kishte hënën vezulluese dhe yjet e ndritshëm…” . Autori nuk sjell personazhe të nominuar në poezitë e tij, por ai sjellë “muzikën” e tigullimtë të vargut, harmoninë unifikuese të dashurisë. Ai dashuron me pasion, nuk i trembet dashurisë dhe forcës së saj sublime, sepse prej saj edhe vet jeta gjallërohet dhe fiton impulse, nxitje  e ritme të reja e të vazhdueshme. Lexuesi i vëmendshëm gjen pozitivitet në çdo poezi të Delo Isufit, gjen mrekullinë e ëndërruar, gjen joshjen, pasionin, gjen dritën që ndriçon brenda shpirtit. 

“Bashkë kaluam këtë natë, / Zjarr e prush i mbuluam, / s’kish nevojë për dritë e flakë, /  Me puthje qiellin ndriçuam…”.

DASHURIA SI OBSESION KRYESOR I - FJALA e LIRË
  Kopertina  e librit 
Delo Isufi - Shqiptarja.com

                            Poeti Delo Isufi

Delo Isufi të përfshin si pakuptuar në melodinë e poezive krejt natyrshëm, saqë, kur fillon t`i lexosh ndjen dëshirën e brendshme t`i recitosh, madje t`i këndosh ato vargje që të falin frymëzim, freski, ngjyrime  dhe dritë. Libri e ka si një specifikë të vetën ndezjen e ndjenjave të dashurisë, “punët” dhe “lojërat” e shpirtit e të zemrave dashurore, përjetimet e thella që zgjon dashuria. Ndihet në këtë libër poetik edhe forca e brendshme shpërthyese, që e bënë të magjishme poezinë, metafora, mbretëresha e figurave aristike, e, krahas saj, vargjet sjellin te lexuesi bukurinë e krahasimeve mbresëlënëse, metonimive, simboleve, epiteteve, si dhe një kanistër plot me figura të tjera poetike, që e bëjnë vëllimin krejt origjinal: “Pritmë, mike, në pranverë, / T`jesh e bindur, aty jam, / Do të sjell lule me erë, / do t’i mbjell në fustan.” 

             Fuqishëm shfaqet ndjenja e zjarrtë e dashurisë edhe te vjersha “Mall për miken”, ku vargjet duken sikur shkrihen me hapësirën dhe vijnë te lexuesi të stolisuar plot shije dhe bukuri: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin patkonjtë,/Tek jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë…

             Sigurisht që nuk mund të mos krijosh dhe të mos tërhiqesh drejt një “mikrobote” përjetimesh e ndjenjash të bukura, kur  të rrëmbejnë poezi kaq të këndshme, të cilat sikur  hedhin valle në përfytyrimet e  tua si lexues dhe shpalosin para teje peizazhe të mbushura me cicërima, me “muzikë” burimesh e përrenjsh, me gjelbërim, me freski e me gurgullimë shpirti. Kështu, me ngjyrime, vjen poezia “Piktorja”, ku lirizmi pikon në shpirtin e  poetit dhe ai shkruan:  “Vajzën piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin në sy.”

    Poeti është kundër tipareve të këqija njerëzore, që shajnë, poshtërojnë, që mezi presin t’i shpallin armiq njerëzit, që mendojnë ndryshe, apo ata ekzemplarë që, iu bën të mira dhe në fund të “shpërblejnë” me mosmirënjohje etj., fenomene negative këto, të njohura në marrëdhëniet dhe botën e rëndomtë, e me të cilat autori nuk pajtohet kurrë. 

           Libri ka ritëm, çdo poezi sikur është ndërtuar si një kulm më vete, secila është, herë një bisk pranveror, herë një gonxhe e sapoçelur, herë një trëndafil që spërkat me aromë natyrën, duke iu gëzuar rrezeve të ëmbla dhe të ngrohta të diellit apo dritës së Hënës dhe yjeve të ndritshëm. Besnik në erotikën e tij, Deloja shpalos vazhdimisht dashurinë dhe respektin për krijimtarinë popullore, ndërkohë që vargjet e  tij frymëzojnë respekt dhe dashuri për perlat e poezive tona popullore.  Te poezia “Poetja këngëtare”, ai derdh vargjet: “Një indiane e nisi këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/Në gjuhën tonë perëndie,/  “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër dashurie.”

          Poeti Isufi, nuk lë mënjanë “burimin” e dashurive të mëdha në jetë, figurën madhështore të nënës, duke e imnizuar figurën e saj të shtrenjtë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. “Unë nuk dua asgjë tjetër, / Veç t’më thuash: -Si je nënë? / Se jam ligur, se jam tretur, / Veç t’më thuash: – Si ke qenë? Se jam nënë e mbetëm nënë!”

           Për Delo Isufin janë shprehur shumë krijues, mes të cilëve Viron Kona, Agim Bajrami, Kadri Tarelli, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka etj., dhe, të gjithë kanë shkruar me respekt  dhe entuziazëm për krijimtarinë e këtij poeti. Me ata bashkoj edhe unë mendimin, duke vlerësuar te Deloja veçanërisht gjuhën e zemrës dhe të shpirti të tij të bukur, botën e tij të pasur me ndjenja, sinqeritetin, simpatinë dhe dëshirën për harmoni  në jetën mes njerëzve dhe natyrës.

              Leximi librit poetik “Vajza e Manaferrave” të  frymëzon, të sjell paqe, qetësi shpirti dhe freski, ai nxit emancipim dhe dashuri, por edhe na nxit kureshtjen të hulumtojmë pak më shumë edhe për poetin Delo Isufi, për jetën dhe përvojat e tij, për vëllimet e tjera poetike që ai ka shkruar e botuar: Mësojmë se Deloja Delo ka lindur në fshatin Brataj të Vlorës, më 15 korrik të vitit 1944. Pasi mbaroi arsimin e mesëm, ndoqi studimet në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, ku u diplomua “Pilot Gjuajtës Bombardues”. Vitet e para si pilot shërbeu pedagog për fluturimin në Akademi, ku mësoi pilotë të ardhshëm në teori dhe praktikë fluturimi. Fluturoi në të gjitha kushtet e kohës dhe të motit, në re, natën, në muzg e agim për 26 vite me aeroplan luftarak rekativ mbizanor, deri në vitin 1992 me detyrën zv.komandant regjimenti apo kopmandant i fluturimeve, me gradën kolonel. Në vitin 1974 mbaroi edhe Fakultetin e Shkencave politike juridike, dega Drejtësi, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua Jurist. Prej vitit 1992 e në vazhdim punon avokat. Nga viti 2002 e deri në vitin 2006, ka qënë Avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, në periudhën e fundit, edhe Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, tani avokat privat.

               Deloja ka botuar shtatë libra: Një novelë: “Ndiej tek ikën”, 2008 dhe gjashtë vëllime poetike, që janë: “Magjia e syve”, 1998, “Lulet e zemrës”, 2003, “Kur lahet hëna”, 2006, “Ëndërr e grisur”, 2012, “Tavolina e rezervuar”, 2016, “Vajza e manaferrave”, 2019. Ndërkaq, Delo Isufi ka shqipëruar shumë poezi nga gjuhët Angleze, Ruse e Frënge. Si poet, ka marrë pjesë dy herë në një festival të poetëve nga mbarë bota në Indi. Për tre vite me radhë, poezitë e tij janë botuar në Antologjinë Poetike Internacionale Shumëgjuhëse të Shtetit Andhra Pradesh, Indi. 

              Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me vlerësimin poetik, që i bënë poezive të Delo Isufit, redaktori i librave të tij, shkrimtari Viron Kona, i cili vë në dukje se: “Kur shkruan poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e  tij të bukur.”                                  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Delo Isufi, FRAN GJOKA, Vajza e Manaferrave

KRIMI NE FAMILJE PO MERR JETE NJEREZISH

February 5, 2019 by dgreca

 Nga Gëzim Tushi & Fran Gjoka/*

1 krimi

Është e paimagjinueshme, por ja që ndodh dhe kështu. Akte makabre e veprime të rënda antisociale në aspektin psikologjik, social dhe human. Vrasje të grave në mënyra të ndryshme, dhunë të tmerrshme, që do t’ua kishte zili dhe inkuizicioni! Quo vadis?! Veçanërisht  zonat e varfëra të qytetit apo të fshatit, pothuajse përherë përjetojnë thyerje të strukturave sociale, duke çuar në rritje krimesh. Dhe ndodh që krimi të ketë një sistem koncentrik, me rrathët e “ferrit” që zgjerohen, gjithnjë në ngritje të dhunës dhe terrorit në familje. Njerëz të stresuar, të deziluzionuar, që nuk dinë të respektojnë as normat më elementare shoqërore në strukturën familjare.

Ne duhet ta pranojmë ekzistencën e këtij turpi social. Krimi në familje tashmë për fat të keq në shoqërinë shqiptare ka marrë përmasa shqetësuese, pa frikë mund të themi se është bërë një nga dukuritë tejet shqetësuese për mbarë shoqërinë tonë në tërësi. Rritja e përmasave të dhunës, zgjerimi i veprimeve kriminale në familje dhe shoqëri janë bërë problem i madh kompleks i politikës si të tillë, politikave sociale, ligjore, që kanë të bëjnë me trajtimin e tij nga të dy objektet kryesore të shikimit. Si në aspektin e parandalimit por edhe të rehabilitimit. Natyra sociale e krimit është e lidhur me shumë faktorë ekonomikë dhe shoqërorë, të traditës dhe të zhvillimit, me kulturën dhe tipologjinë e familjes tonë.

Fenomeni i krimit në familje ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo jo vetëm që nuk ka qënë në këto përmasa, por edhe pasqyrimi dhe interpretimi i tij si dukuri sociale është trajtuar dhe interpretuar nga pozita ideologjike të caktuara, duke tentuar që të publikoheshin sa më pak të ishte e mundur, duke ruajtur pozitivitetin fals të shoqërisë së indoktrinuar politikisht. Por është fare e vërtetë që dukuria e krimit në familje, pati nje “shpërthim” të vërtëtë sidomos pas viteve 90, kur shoqëria jonë kaloi nga diktatura në demokraci, nga totalitarizmi në liri.

Kjo është arsyeja pse në shumë raste me mëndjelehtësi sociale disa njerëz mendojnë se shkaktare e lulëzimit në këto përmasa të krimit në familje, është liria dhe krimi duket sikur është produkt i tij.

Pavarësisht niveleve të analizës dhe interpretimit, shqetësues është fakti që pothuaj çdo ditë media zhurmëmadhe jep raste të krimit në familje. Vetëvrasje dhe vrasje. Me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet nga një i vdekur apo gati për të vdekur nga vetëhelmimet, hedhjet nga lartësitë ose duke përdorur mjete e rrugë të tjera. Akoma edhe më të shëmtuara janë rastet kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në truallin shqiptar sa që shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur po mësohen me to. Nuk qarkullon kot mendimi tek qytetarët, sipas të cilit në Shqipëri tashmë asgjë s’na bën përshtypje. Shkurt: Kronikat e zeza na kanë lodhur. Krimi në familje po na rrënon. Po vë në diskutim ekzistencën e familjes dhe pas kësaj të shoqërisë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën e humbur se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politika dhe pushtetbërësit do t’i vënë gishtin kokës për të shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të kohës.

Pas rastit të përditshëm të krimit familjar, që jepen me aq zell nga media, vijnë prej saj edhe shkaqet, motivet: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…” Janë të rralla rastet kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumentave“, që s’bindin askënd. Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut është njëra prej detyrave funksionale të medias, por jo e gjitha.

Qytetarët dhe shoqëria në tërësi duan të dalin përtej konstatimit, duan analiza dhe konkluzione për problemin. Duan të njihen me shkaqet e këtij krimi makabër, duan të dinë pse-të jo thjeshtë për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese. Në pamundësi për të mënjanuar dukurinë, së pari, për ta zbutur, mund të bëjnë presion mbi shtetin në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij dhe mbi të gjitha institucionet e edukimit dhe të arsimit për formën e qeverisjes dhe të drejtimit.

Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjeshtë një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, sepse gjendjet depresive tek njerëzit nuk krijohen menjëherë, se budallenjtë, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit. Përtej këtyre “motiveve“ vrastare, teje tronditëse e shkatërruese për familjen e sotme, janë shkaqe, motive dhe arsye të tjera me arsye sociale, psikologjike dhe ekonomike, që duan analiza dhe konkluzione që studiuesit e të gjitha fushave dhe gazetarët duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime shoqërisë dhe shtetit për ta kapërcyer fenomenin rrënqethës.

Ndërkaq shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës, për të kapërcyer konfliktet e brendshme që krijohen tek të rinjtë nga dëshira për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, financiare, psikologjike e traditë e familjes për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkakton lodhje të mëdha mendore tek nxënësit, çka nënkupton një mundësi më shumë për të kryer krim. Shkolla, sidomos ajo e mesme dhe me një numër të madh nxënësish, ka nevojë për një psikolog ose sociolog për t’u marrë me shëndoshjen e mendjes të të rinjve të stresuar.

Sipas studimit, “Strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social”, tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është analfabete. Ky grup i madh social përbën kontigjentin më të pranueshëm për krim. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjellurit dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.

Presionet, kërcënimet, dhuna në formën emocionale dhe fizike, neglizhimi dhe ndalimi i adoleshentëve nga më të rriturit për ta bërë jetën sipas perceptimit të tyre, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Një fëmijë i dhunuar dhe i keqtrajtuar në familje do të sillet e të veprojë si i tillë edhe ai kur të rritet. Dhuna gjeneron vetëm dhunë. Kontingjenti i fëmijëve të dhunuar është më i rriskuar për t’u vetëvrarë, sidomos tipat e ndjeshëm, që preken shpejt, janë më të zbuluar ndaj kësaj forme krimi.

Familja ka nevojë të rikthehet në funksionin e saj vërtet edukues. Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, vrasjes në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë, t’i argëtojë e shkollojë fëmijët. Të papunët përbëjnë pjesën më të madhe të të dënuarve.

Papunësia, për të përballuar kushtet minimale të jetesës, është shtyesi kryesor që çon të zotët e shtëpisë drejt vetëvrasjes pasi zgjidhja është e papranueshme. Aq më tepër që situata në familje me një veprim të tillë nuk lehtësohet, përkundrazi rëndohet.

Në këto raste vrasja nuk ndodh rastësisht, përkundrazi ajo ka një skenar të parapërgatitur nga autori. Në mendjen e vrasësit zhvillohet një luftë e frikë psikologjike e të kundërtave. Gjatë periudhës së përpunimit kriminal, ai shpeshherë rri i mërzitur dhe më vete. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dinamik, pa objektiva dhe ideale e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në një jetë boshe. Në këtë kuptim, njerëzit duhet ta jetojnë jetën larg burgut të vetmisë. Shokët dhe të afërmit duhet t’i ndihmojmë për t’u integruar me shoqërinë. Hallet e njerëzve duhen dëgjuar e vlerësuar me shumë kujdes.

Zyrtari, kushdo qoftë ai, duhet të bëjë të pamundurën për t’ja zgjidhur në kohë dhe brenda kuadrit ligjor ankesën që ka parashtruar qytetari. Së paku, ta mbajë me shpresën se diçka do të bëhet dhe për aq kohë sa ai ta kapërcejë krizën momentale nervore.

Zbutja e varfërisë përmes përmirësimit të politikave të punësimit, një farë drejtësie relative sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e njerëzve, do të ulnin numrin e rasteve të krimit familjar dhe tentativës për ta kryer atë. Shumë konflikte në familje agravojnë deri në ekstrem dhe bëhen vrasës si rezultat i xhelozisë që ushqehet nga mjedisi përrreth, nga komuniteti i vogël, ku si rregull jetohet me trillime.

Emancipimi i shoqërisë deri në atë masë që askush të mos hyjë në jetën private të individit mbetet detyrë parësore e shkollës, familjes, OJF, institucioneve shtetërore të specializuara etj.

Besoj se nuk ka njeri normal dhe qytetar të përgjegjshëm që të mos pranojë se krimi në familje është një nga format më të shëmtuara, më të këqija të mundshme të krimit, që pasi ndodh shoqërohet pastaj me një varg pasojash zinxhir që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së familjes e cila pëson deformime të rënda strukturore, funksionale dhe sociale.Nga krimi në familje krijohet situatë që fëmija humbet babanë ose nënën dhe mbeten jetimë, burri humbet gruan dhe shkatërron përfundimisht familjen, motra humbet vëllanë nga konflikti i tij me babën ose vëllai humbet motrën nga një nxitim dhe gjykim sipërfaqësor dhe nga parime të vjetra morale.

Natyrisht nuk është e lehtë të japësh rekomandime se si mund të parandalohet dhe zbutet krimi në familje, por megjithatë ka ardhur koha për t’i thënë jo krimit, duke mos qënë indifferent përballë tij. Në këtë kontekst do të ishte një veprim politik, social dhe ekonomik kompakt i shtetit, politikës dhe shoqërisë civile, për të krijuar një atmosferë mbytëse ndaj krimit në familje duke siguraur për cdo njeri të pacënuar të drejtën e jetës. Këta aktorë socialë janë natyrisht strukturat përgjegjëse që kanë mundësitë e ndërtimit të politikave antikrim, duke ndikuar jo vetëm në sensibilizimin social dhe emancipimin njerëzor, por dhe në përmirësimin e kushteve materiale dhe të jetës që ndikojnë pozitivisht në zbutjen e shkaqeve që sjellin konflikt dhe më pas krim në familje.

Në këtë kontekst na duhet të kemi një vetëdije të re sociale dhe të pranojmë se krimi në familjë është krimi ndoshta më barbar sepse ndodh midis njerëzve që kanë lidhje gjaku midis tyre, që janë të afërt dhe jetojnë bashkërisht në komunitetin familjar. Shumica e formave të krimit janë me natyrë morale, pasurore, financiare, të lidhura me çështje pushteti dhe autoriteti familjar. Padyshim është e pamundur që me një shkrim gazetaresk të trajtosh tërë problematikën komplekse të krimit në familje dhe ca më pak të japësh zgjidhje përfundimtare rrugëve të parandalimit dhe frenimit të tij.

Në këtë kontekst ka ardhur momenti kur politika, shteti, familja, shkolla, shoqëria civile dhe institucionet fetare të angazhohen seriozisht për të bërë një analizë e plotë të shkaqeve të lulëzimit të krimit në familjen shqiptare. Ne mendojmë se në të njëjtën kohë dhe paralelisht, kjo do të kërkonte një angazhim të madh të strukturave hulumtuese e studimore të shkencave sociale, do të kërkonte angazhim të forcave më të kualifikuara për të parë dhe interpretuar fenomenin e “krimit në familje në një kontekst shumë të gjërë.

*Dergoi per Dielli, Fran Gjoka

Filed Under: Analiza Tagged With: FRAN GJOKA, Gezim Tushi, Krimi ne Familje

Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

October 10, 2018 by dgreca

“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”./

                               Frederik Vilhelm/

1 fran-gjoka-2

Shkruan: Shkruar nga Fran Gjoka,Lezhë*/

Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë.

“Meritat”e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë  me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë pasur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.

                               Portali “Mësues për Shqipërinë”  i huazuar dhe formal 

I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”,  është huazuar në formën më të  shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal që po shërben  si fasadë djallëzore e MAS–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve,  për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet  me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.

Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.

                     Drejtues shkollash dhe të ZA-ve  që janë kthyer në feudalë

Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.

Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MAS nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë  në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal.

Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor,  sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.

             Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës.

Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.

Ne zgjedhjet politike të 2013-tës  Edi Rama e cilësoj arsimin si “emergjence kombëtare”. Dhe shpresuam se do t`ia ndryshonte faqen për mirë arsimit tonë kombëtar. Por realisht arsimi mbetet për t`u dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria në vendosjen e dy mandateve radhazi të Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe kjo e fundit në mungesën e përzgjedhjes së individëve vizionarë për menaxhimin e së ardhmes së gjeneratës së re të vendit.

Nuk janë alternative dhe “frymë e re” as portalet e mësuesve, as tekstet e reja të future “an block” as provimet e mësuesve apo blerje kreditesh, as formularët e maturanteve dhe, ajo që e shqetëson më shumë komunitetin e prindërve, është rritja galopante e çmimeve të teksteve shkollore e shumë veprimtari të tilla. Fatkeqësisht, kemi në institucionet qendrore dhe rajonale me diploma fallco të marra në universitetet private si “Kristali” apo ndonjë tjetër të vendit, ku i shoqëron një brez sharlatanësh me diploma dhe servile të regjimit.

Në çdo takim që kryenin mësuesit, ku përbetoheshin se Rilindja do të rrisë këtë mandate pagën e mësuesit në masën 40%, pra çdo vit nga 10%. Por, korriku dhe gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa rritjen e pagës se mësuesve nuk u kujtua askush. Duke qenë mësuesi i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keq paguar, të gjithë të rinjtë po i largohen sektorit të arsimit.

Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA – ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri. Ai të mos jetë si riprodhim i një shoqërie të korruptuar dhe konfliktuale, por si institucion që gjeneron inteligjencë e qytetari.

*E falenderojme autorin per bashkepunimin me Gazeten “Dielli”, SHBA

Filed Under: Politike Tagged With: FRAN GJOKA, Lezhe, milatitantizmi, shkolla

HOMAZH PER SHKENCETAREN VLORA MEHMETI

November 11, 2017 by dgreca

shkenctarjaNJË HUMBJE E MADHE PËR FAMILJEN, KOMBIN DHE SHKENCËN/

Nga FRAN GJOKA- Lezhe/
  

Nuk mund të mos ndjesh emocion, dashuri dhe dhimbje njëkohësisht për njerëzit që luftojnë, arrijnë dhe ndahen nga jeta në një moshë kur aftësia dhe përkushtimi i tyre janë në kulmin e mundësive për arritje të larta shkencore. Një ndër këta është shkencëtarja shqiptare, Vlora Mehmeti – Tërshani, e cila u nda nga jeta në moshën 35 vjeçare, kur kishte arritur formimin e saj shkencor dhe profesional në mënyrë të shkëlqyer dhe kur ishte renditur ndër njerëzit exelentë, në radhët e shkencëtarëve me emër në botë në fushën e farmaceutikës.

Është e trishtueshme kur mendon se ajo vajzë shqiptare nga Kosova, e lindur me 20. 03. 1982, në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë, nuk jeton më fizikisht. Vërtetë jeta është e tillë që njerëzit lindin dhe ndahen nga jeta, por mosha dhe aftësitë e Vlorës nuk kishin arritur në atë pikë që të largohej kështu, duke lënë pas emrin, aftësitë, virtytin e lartë dhe dhimbjen në shpirtin tonë. Ajo duhej të jetonte, sepse i tregoj botës vlerat e saj. Ajo ishte e para dhe e vetmja nxënëse emigrante, që në gjithë historinë e gjimnazit në Vjenë nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës, por arriti që të vazhdonte dhe ta mbaronte gjimnazin me rezultate të larta dhe në një kohë rekord, duke u cilësuar për këtë një rast i veçantë në historinë e këtij gjimnazi. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë si një ngjarje e madhe.

Vlora rrjedh nga një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe aktualisht Kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri.

Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin “Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës.

Arritjet e kësaj vajze shqiptare nisën herët. Me aftësinë, këmbënguljen dhe pasionin e saj përfundoi fakultetin e Farmacisë me arritje të  larta në kryeqytetin austriak, Vjenë. Gjithashtu Vlora mbrojti dhe Temën e Magjistraturës në Tokio të Japonisë me Profesorin e njohur japonez, shkencëtar në fushën e tij, Asakawa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke arritur të vlerësohet me notë të lartë, nga një paraqitje dinjitoze me një mbrojtje të shkëlqyeshme, ku la mbresa të veçanta nga ekipi që monitori mbrojtjen e Temës së kësaj vajze me ambicje shkencore dhe profesionale në rrugën e nisur tashmë nga ajo dhe që kërkonte t’i shkonte deri në fund, jo vetëm përgatitjes shkencore dhe profesionale, por dhe zbulimeve të reja në këtë fushë.

Kjo vajzë shqiptare, shkencëtarja kosovare, vazhdoi të punojë në Universitetin e Vjenës, në sektorin e njohur laboratorik për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën mikrobiologjike. Puna e saj shkencore dhe hulumtuese i dha të drejtën që ajo të prezantojë Universitetin e Vjenës në disa Kongrese Botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë dhe mikrobiologjisë, ku mori vlerësime të larta për rezultatet e saja të arritura hulumtuese. Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore me plot dinjitet shkencor dhe siguri profesionale.

Studimet e doktoraturës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës dhe Austrisë në përgjithësi.

Vlora, nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolës edhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës. Ajo ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjise molekulare në botë.

Paisja e saj me dijet shkencore, me metodat e kërkimit shkencor, aftësia për të punuar dhe hulumtuar në këtë fushë ku ajo u kualifikua, i dha asaj krenarinë dhe dinjitetin shkencor dhe përfaqësimin e kombit të saj shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke treguar kështu se kombi ynë është komb me vlera dhe tradita, ashtu siç ka patur në histori shembuj të tjerë në të gjitha fushat e jetës. Prandaj puna shkencore afirmative e studiueses kaq të re shqiptare tregon se është një shembull që duhet ditur dhe nga gjenerata e re dhe meriton vlerësimin maksimal nga të gjithë, për t’u bërë një shembull udhëheqës në të ardhmen e tyre për ambicje të reja profesionale dhe shkencore në rrugët e tyre në jetë.

Vlora Mehmeti –Tërshani

Duhet mësuar nga të gjithë brezat e ardhshëm shqiptarë se Vlora Mehmeti –Tërshani u lind në fshatin Beçiq (Besnik) të Drenicës, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në Vushtrri, Gjimnazin dhe Universitetin në Vjenë, gjithmonë me sukses të shkëlqyesheme. Vlora bëri histori në gjimnazin “Schopenhausesstrasse BRG 18 të Vjenës dhe në historinë e këtij gjimnazi është e para dhe e vetmja nga nxënësit e ardhur, e cila nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Pra, ajo vinte nga një familje e thjeshtë shqiptare e Kosovës, me një edukim dhe personalitet të formuar, por mbi të gjitha me një dëshirë dhe vullnet të pamposhtur drejt dijes. Dija, kultura dhe edukata nuk janë monopol i familjeve “aristokrate”, por janë “pronë” e atyre që duan dhe dinë të punojnë me vullnet dhe dashuri për të arritur objektiva.

Lajmi i hidhur i vdekjes së saj ka tronditur jo vetëm familjen e saj të nderuar, por gjithë opinionin shoqëror e kombëtar, gjithë botën shkencore akademike, që e njohën dhe e kuptuan se kush ishte Vlora Mehmeti – Tërshani. Kjo është një humbje e thellë për familjen, që gjithë jetën punuan ndershmërisht për të edukuar dhe formuar fëmijë, të cilët do të ishin e ardhmja e plotësuar edukative dhe shkencore e shoqërisë.Ajo gjatë shërbesës së saj shkëlqeu për kulturë dhe dituri.Falë dhuntive të saj në profesionalizëm mundi t’u shpëtojë fushatizmave dhe ideologjizmave të kohës,duke mbetur gjithmonë ashtu siç në fakt ishte,një misionare hambarplotë e farmaceutikës.Ndërrimi i jetës së saj krejt papritur tek të gjithë ata që e njohën ,dhe sidomos për prindërit dhe të afërmit ,kolegët dhe studentët e saj sollën një trazim të madh shpirti e keqardhje.Por emri dhe kontributi i saj,do të  mbeten përjetësisht të salvuara në memoriet e tyre si një ndër emrat më të nderuar e respektuar.Ky lajm i dhënë nga stomatologu,  Xheladin Ujkani, njëherësh drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, përfaqësuese e së cilës organizatë për Austri ishte edhe e vetë e ndjera, tronditi gjithë kombin dhe botën shkencore – akademike.

Punimet e saja shkencore janë botuar në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore dhe janë vlerësuar në të gjitha qarqet akademike – shkencore si hulumtime shkencore të suksesshme. Ajo ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.

Dhe z. Enver Hoxha, ministër në qeverinë e Kosovës, gjatë ngushëllimit të familjeve Mehmeti e Tërshani, mes të tjerash, tha: “Humbja e një shkencëtareja kaq të zellshme është humbje e madhe për kombin e shkencën në përgjithësi.  Të kryesh Doktoratë në UN e Vjenës do shumë mund e sakrificë, andaj Vlora, me rezultatet e hulumtimeve të saj, ishte e nivelit evropian e botëror. Puna e saj shkencore do shkëlqejë bashkë me kujtimin e përhershëm për Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani.”

Dhe ne, me këtë rast, shprehim ngushëllimet tona për familjet Mehmeti nga Vushtrria dhe Tërshani nga Shtimja për këtë humbje kaq të madhe familjare, kombëtare dhe shkencore.

Filed Under: Histori Tagged With: FRAN GJOKA, HOMAZH PER SHKENCETAREN, Vlora Mehmeti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!
  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja
  • FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO
  • A DO TË KETË LUFTË NË PAQËSORIN AZIATIK?
  • Praga, bota e Kafkës
  • Biblioteka e Familjes Vlora
  • BIJTË E PROMETEUT e të tjerë…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT