• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMOVOHET VEPRA E POETIT LUIGJ ÇEKAJ (POST MORTUM) NË 1 VJETORIN E NDARJES NGA JETA*

January 2, 2022 by s p

*Mëhill Velaj – Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë fjalimi në ditën e lamtumirës së poetit Luigj Çekaj.

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në emrin tim personal dhe të familjes sime, shpreh ngushëllimet më të përzëmërta e të sinqerta familjes Cekaj, për humbjen e babait, bashkëshortit shembullor dhe gjyshit fisnik, i shpreh ngushëllimet komunitetit shqiptaro-amerikan, Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Shoqatës Atdhetare “Rrënjët” për humbjen dhe ikjen në amshim të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit veteran ndër breza. Për dekada me radhë Luigj Cekaj ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, shqiptar dhe patriot i devotshëm, në komunitetin shqiptaro-amerikan, Vec kësaj, Luigj Cekaj është shkrimtar e poet mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, poet i dhimbjes e dashurisë të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Andaj i shpreh ngushëllimet e ngrohta e të sinqerta edhe komunitetit të shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve brenda e jashtë Shoqatës, kudo në Diasporë, miqve dhe gjithë të dashurve që e rrethonin, për humbjen e njeriut dhe mikut të tyre. Me rastin e 20-Vjetorit te themelimit SHSHSHA, nuk do jenë në mesin tone se iken në amshim; Agron Fico, Dedë Elezaj dhe kesaj kolone te heshtjes po i bashkangjitet dhe Luigj ÇEKAJ. Ne sot po i japim Lamtumirën poetit dhe shkrimtarit Luigj Cekaj, Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, qysh prej themelimit të saj. Dhe në mbledhjen e parë të themelimit të Shoqatës u vendos që shkrimtari dhe poeti Luigj Cekaj të zgjedhet Sekretar i saj, detyrë që kreu denjësisht për disa mandate. Poeti Luigj CEKAJ ishte atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, që ia kishte rrëmbyer zemrën dhe mendjen, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike dhe shpirtërore, por me modestinë e një heroi të heshtur, ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur në ameshim. Për Luigjin gjatë këtyre ditëve kanë shkruar shumë krijues të SHSHSHA-së dhe dashamires si; Ekolana ÇEKAJ-Mundija(Vajza e te ndjerit), Don Pjeter Popaj, Gjeke Marinaj, Adnan Memeti, Gjeto Turmalaj, Dalip Greca, Keze Zylo, Mark Koliqi Shkreli etj,etj.. Poeti Luigj Cekaj, ishte ai djaloshi shkodran, që në moshë ende të njomë u përball me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetën “Besa”, Shkodër. Emigroi në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, gjithashtu punoi në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës. Veprat e botuara të Shkrimtarit e Poetit Luigj Cekaj; “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998. “Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004. “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010. Lamtumirë mik, patriot, koleg, atdhetar, poeti martir i Demokracisë, Shqiptar i Fismë dhe i Devotshëm. Po e lexoj një poezi; Ndër Sytë e POETIT (Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ që u nda nga jeta 5 Janar 2021) Nga Mëhill Velaj Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë, Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë, Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmeendur, Vajton për zemrën e poetit, Që mbytet nga heshtja, Ndërsa nata lexon mijëra fjalë, Me gjuhën e engjujve të lashtë që veç poetët i kuptojnë! Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak, Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket, Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi i plagëve në tokën mëmë, Kroi i lotëve shterri fjalët, Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!

*Mëhill Velaj Stamford, CT USA 6 Janar 2021 Prehu në PAQE! Të qoftë dheu i lehtë! I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!

Filed Under: LETERSI

JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE E AVDI KELMENDIT

December 26, 2021 by s p

(21 dhjetor 1951-18 janar 1996) – Në 70 vjetorin e lindjes e 26 vjetorin e vdekjes.

Shkruan : Ismail Gashi-Sllovia/


Vetëm ai popull që veprimtarët atdhetarë, dëshmorët e martirët dhe idealet e tyre i nderon dhe i mbanë në kujtesë të përhershme. Vetëm ai popull ka vlera pozitive për të kaluarën e vetë të lavdishme kombëtare e historike, dhe ka të sigurtë rrugëtim të ndritshëm në të ardhmen. Nga këto pozicione fizike, matriale, krijuese e shpirtërore, Sot në 70 vjetorin e lindjes, e 26-të vjetorin e ndarjes fizike nga bota e të gjallëve, përkujtojmë Avdi Kelmendin. Edhe në këtë përvjetor jubilar përkujtojmë jetën dhe nderojmë veprimtarinë e tij atdhetare.
Avdiu ishte një hallkë e vargonit të atdhetarëve rezistent shqiptarë, të cilët luftuan kundër okupuesit serb në kohëra të serta e rrethana të vështira. Secili nga atdhetarët nga e kaluara jone e lavdishme, përkundër shtresimeve rënduese politike brendashqiptare të kohës, të cilat ishin pengesë e parë dhe mjafte e rrezikshme per ta tejkaluar. Atdhetarët shqiptar në Kosovë, kanë bërë përpjekje e sakrificë të mundimshme, çdo njëri prej tyre ka dhënë mund e ndjersë, ose ka derdhur gjak, apo edhe ka shtruar jetën e tij në rrugën e lirisë. Kjo sakrificë është dëshmi historike e të drejtës sonë kombetare, politike e njerëzore për jetë e liri. Sot ne këtë përvjetor jubilar, përkujtojmë vetëm njërin nga ata, Avdi Kelmendin dhe brezin e Tij të rezistencës kundër sunduesit komunist jugosllav.
Avdiu u lind më 21 dhjetor 1951 në Rinas, ish-Ribar i Vogël. Aty kreu katër klasat e para të mësimeve fillestare, për të vazhduar shkollimin e ciklit e lartë të fillores në Lypjan. Këtu Avdiu kishte fat të ketë kujdestar, arsimtarin e atdhetarin e njohur Hilmi Rakovica. Mësimet e mesme i vazhdoi në Normalen e Ferizajt. Mjedis që mundësoi ngritjen arsimore dhe kontaktin me literaturë kombëtare. Avdiu, shkruan miku i tij i djalërisë, Shefqet Rexhepi, “ishte një i ri i urtë, i dhënë me pasion pas mësimeve, i afërt, korrekt dhe i sinqertë ndaj shokëve. Gjithnjë me vullnet për komunikim të prajshëm me shokë, adhuronte muzikën dhe sportin”. Avdi Kelmendi në moshën 17 vjeçare, u dallua ndër më të zëshmit në organizim dhe pjesëmarrje aktive në Demonstratat e 27 nëntorit 1968. Me iniciativën e mësimdhënësve, ai nga Normalja kaloi në Gjimnaz, ku kreu maturën me sukses shembullor, dhe regjistroi studimet në degën e kimisë në Universitetin e Kosovës. Avdiu pati jetë relativisht të shkurtër të cilën e zhvilloi me shpejtësi rrufeje, paralelisht mbaroi studimet, u martua, krijoi familje të mrekullueshme dhe punoi në gjimnazin e Lypjanit. Kudo që qëndroi e kudo që punoi, shpejtë zgjeroi rrethin e veprimtarëve për çështjen kombëtare. Në arsim u dallua mësimdhënës shembullor, i afërt me kolegët dhe i dashur për nxënës. Në fabrikën “Minex” të Ferizajt veçohet udhëheqës i sinqertë dhe ekspert cilësor. Ndërsa, gjatë Pajtimit të gjaqeve dhe punës në Partinë Fshatare, zgjeroi dhe dëshmoi në zbatim praktik veprimtarinë atdhetare e politike në të gjitha mjediset e Kosovës.
Avdiu, “ky Sokol djalë”, siç shprehej për te Isa Demaj. Ishte më i ri nga ne, Por, ishte praktik e operuesi shembullor në veprime. Ai, që nxënës ishte lidhur me veprimtari atdhetare. Më vonë, ne jeten praktike, zgjeroi hapësira të reja në Mitrovicë, Vushtrri, Therandë, Gjakovë e më gjerë. Avdiu pjekurinë politike e mori nga literatura atdhetare e historike dhe nga shembulli praktik i patriotëve shqiptarë, si nga atdhetarët e NDSH-së, si: Adem Gllavica, Gjon Sereqi, Ajet Gërguri, Ilaz Agushi, Hysen Terpeza, Idriz Gjilani, Sali Rexha, Kadri Beba, e të tjerë. Ai vazhdimisht lidhte kohët me ngjarjet, e rolin e individit e vendoste në raport me rrethanat historike. Andaj, Avdiu, si edhe veprimtarët atdhetarë të tjerë nga ky mjedis e më gjerë, nuk dolën nga stralli, por dolën nga zjarri i traditës historike. Tek Avdiu, vihet re gatishmëria për lëvizje dhe aftësia për të vënë shpejt kontakte. Kjo kategori atdhetarësh, ka diçka të veçantë, diçka si formë vepruese për njohje e afrim të shpejtë. Ai inspirohej, formësohej e mbushej forcë nga veprat atdhetare të Bacë Adem Demaçit, Simbolit të Rezistencës, shembullit të veprimtarit atdhetar Metush Krasniqit, Prelatit të atdhetarisë; e sakrificës, Fazli Grajçevcit, mësuesit, poetit, e martirizuesit për çështjen kombëtare; Mësuesit të tij Hilmi Rakovicës, e të Isa Demaj, strategut ideal të Avdiut, që me ndjenjë atdhetarie ndezi forcat rinore në Lypjan e rrethinë. Atij i shkonte leximi i literaturës atdhetare dhe ngritja e debateve për çështjen kombëtare. Sepse, thoshte ai. Këto procese ngrisin niveli intelektual dhe pjekurinë për veprime konkrete politike e kombëtare. Madje, Avdiu e “provokonte” dialogun deri në nxjerrjen e një mendimi të pjekur.
Sipas preferencave të Isa Demajt, organizonim takime e ndeja, jo vetëm me kolegët mësimdhënës në Lypjan, nga të cilët ishte krijuar një bërthamë e fuqishme veprimi, e oganizuar nga LNCKVTSHJ ne drejtimin e Metush Krasniqit, Kryetar i Komitetit Qendror te kesaj Levizjeje, Ne Lypjan diku kah prilli i 1979, me proferencen e Isa Demajt e Shefeqet Jasharit-Streci, dhe nismes se Avdi kelemendit, Sabri Maxhunit-Novoselles e Ramadan Pllanes, imiciit praktik te Avdi Kelmendit. Ne Lypjan formohet Komiteti Qarkor ku moren angazhim: Ismail Gashi, Beqir Lecin, Banush Bytyçin, Qemail Aliun, Refik Ymeri, Muhamet Ademaj, Ilaz Zeqirin e të tjerë. Por, në takime e angazhime te Levizjes ishin edhe shoket e Avdiut nga studimet, Sherif e Abdurrahman Konjufca. Kjo formë veprimi ishte thelluar edhe ne mejdise fashtare te kesaj hapesire shqiptare me celula veprimtaresh nga nivelet studentore e rinise revulucionare, Organizimi i celulave te Levizjes u shtri edhe ne organizimin e takimeve të ngjashme me grupe nxënësish e ish-nxënësish të dalluar. Ndër ta dalloheshin Rabit Konjufca, Muhamet Ademi, Islam Miftari, Ali Zejnullahu, Aziz Hyseni, Ekrem Llugiqi, Ali Hajdini, Isuf Kelmendi e të tjerë.
Avdiu asnjëherë nuk u shkëput nga veprimet kombëtare. Ishte ndër organizatorët e LNCKVTSHJ për shprehjen e revoltës shqiptare, kundër vizites së Titos më 1979, që njëkohësisht ishte vizita e tij e fundit në Kosovë. Revolta mori shtirje thuaja në mbarë Kosovën dhe kishte qëllim te shpreh pakënaqësinë e popullit shqiptarë kundër sistemit komunist. Për këtë revoltë, pushtetarët komunist sllav dhe kuadrot shqiptare, te cilat ende verbërisht i shërbenin këtij sistemi, ndëshkuan me arrestime të shumta rininë dhe inteligjencën e shqiptare. Me arrestime, tortura policore u tajtuan mbi katerqind te rinj intelektual, student e rini atdhetare shqiptare, Me dënime me burgim të rëndë, në maj 1980 u dënuan keta pjesëtarët te Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi Avdiu, Isa Demaj, Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Abdyl Lahu, Skënder Jashari, Sylejman Quqalla e Hysen Gërvalla. Por, fatmirësisht nga konspiracionit i qindra veprimtareve te arrestuar nga arestimit e turtures policore i shpëtoi Lideri i Levizjes Metush Krasniqi, Ndersa Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella, ju larguan kapjes nga UDB-ja. Keto ngjarje ndikuan në përshpejtimin e Pranverës së Madhe të 1981, ngjarje të cilat u rritën në masë e cilësi, dhe furishëm goditën me grushtin rrënues themelet e sistemit të dobësuar totalitar komunist Jugosllav. Pranvera e madhe 1981, edhe brenda vetë shqiptarëve rrafshoi shtresimet politike nga e kaluara komuniste.
Atë mot Avdiu gjendej në vuajtjen e dënimit, nga ndien këtë vrull të madh kombëtar, ai përtëritet fizikisht e forcohet shpirtërisht. Prapa grilave të burgosurit politik shqiptarë, përmes leximit, bisedave tematike, shkrepnin ide për lëvizjen e popullit për liri e pavarësi, Sepse, vazhdimi i përshkallëzuar i proceseve kërkonte përvojë e bashkërenditje. Por, paraprakisht duhej herrur nga trualli i kombit dukuritë negative, që të huajt i kishin mbjellë si mish dhie në qenien tonë kombëtare.
Avdiu pas kthimit nga burgjet serbe, erdhi edhe më i fortë. Shpejt dhe në hollësi, u njoh me ngjarjet e 1981, me veprimtarët dhe kërkesat që ende nuk ishin përmbushur. Që nga ditët e para të 1990, parandjeu frymëmarrjen shpirtërore të popullit, ndiente situatat e krijuara dhe vëzhgonte me vëmendje të përkushtuar zhvillimin e proceseve. Veproi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve. Më 2 shkurt 1990, në varrimin të dëshmorit Xhevdet Breznica, Avdiu me bashkëveprimtarë të tjerë. Ne nderim te deshmorit Xhevdet Braznica dhe ne pranin e mija pjesemarresve ne varrim, kreu pajtimin e dy familjeve te hasmuara ne Dobraje te Madhe. Këtu ai shprehu ashpër revoltën e pakënaqësisë shqiptare ndaj pushtuesit vrastar serb.
Ndërsa, me fillimin e proceset demokratike, krijimin e partive politike, Avdiu Kelmendi zgjidhet Kryetar i Partisë Fshatare-Dega në Lypjan. Gjithnjë në angazhim të ruajtjes së unitetit mes shqiptarëve dhe subjekteve partiake, për Nje mandat sipas rendit, udhëhoqi Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare për trevën e Lypjanit. Avdiu natyrshëm për çdo front, që kërkonte populli, ishte luftëtar i orëve të para.
Nga lindja e Avdiut kanë kaluar 70 vjet, ndërsa nga ndarja e tij fizike,vdekja e Tij ne Beograd me, 18 janar 1996, jemi larguar tash 26 vjet. As njëra e as tjetra periudhë kohore, nuk është e madhe për historinë e një populli. Megjithatë, për kaq kohë, veprimet politike e ushtarake në Kosovë, sollën një realitet krejtësisht tjetër. Këtë mot të uruar e kurorëzoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila të pamundshmen e aspiruar 20 shekuj, e bëri realitet. Kemi bindje, se shpirti i gjithë atdhetarëve do ta ketë ndier këtë ndryshim të mrekullueshëm, do ta ketë dëgjuar zërin e tytave të luftëtarëve të lirisë.
Avdiu dhe atdhetarët të tjerë, nga varri dëgjuan krismat e pushkëve legjendare të Adem e Hamëz Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Zahir Pajazitit e Edmond Hoxhës, Agim Ramadanit e Luan Haradinajt, Ismet Jasharit e Mujë Krasniqit e qindra e mija luftëtarëve të lirisë. Dëshmorët dhe martirët e kombit, do kenë ndier kthimin dhe pamjen madhështor të shqiptarëve nga golgota. Kthimit monumental, pas fitores madhore të Lirisë së kërkuar, më shumë se një shekull. Shpirti i gjithë veprimtarëve atdhetarë edhe i Avdiut, është qetësuar vetëm pas, 17 shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë për të cilën është bërë shumë mund, është derdhur shumë djersë e gjak, dhe në rrugen e lirisë janë shtruar shumë jetëra shqiptare. Vetëm tash në Republikën e Kosovës së lirë, demokratike e sovrane Avdiu dhe veprimtarët tjerë atdhetarë pushojnë të qet, vetëm tash kur atdheu i tyre është i lirë dhe populli i tyre jeton në liri.
Liria e Kosovës dhe shtetësia integruese, tash e njohur ndërkombëtarisht, përfundimisht qetësuan varrin dhe shpirtin e Avdiut, ashtu siç qetësuan gjithë shpirtrat e dëshmorëve e martirëve të rënë për liri. Njëkohësisht, qetësuan shpirtrat e patriotëve të gjithë brezave e kohëve, atdhetarëve të vdekur për liri të Kosovës. Sepse, Shpirti i dëshmorëve, martirëve dhe gjithë veprimtarëve atdhetarë, qetësohet vetëm atëherë. Kur toka dhe populli i tyre jetojnë të lirë, dhe vetëm atëherë, kur ndërgjegjja e të gjallëve, i qon në vend amanetet e tyre.

Filed Under: LETERSI

AJO NATE E SHENJTE – JULIA GJIKA

December 25, 2021 by s p

NGA AJO NATE E SHENJTE

Kur lind një fëmijë,

gëzojnë edhe trarët e shtëpisë.

kur lindi Jezusi,

ne qytetin e Davidit,

vetëtinte nga yjet parajsa qiellore.

Ylli i Betlehemit,

ndricoi udhën barinjve,

për të parë shpëtimtarin e popullit.

Që nga ajo natë e shenjtë,

njerëzimi është në këmbë,

me gëzimin e ardhjes se Tij.

Filed Under: LETERSI

Libri “Trafikanti”, midis dashurisë dhe moralit

December 19, 2021 by s p

Dr. Eugent Kllapi


Tashmë ka dalë dhe libri i fundit i autores Mirela Kanini. Libri Trafikanti lind nga një mendim i thellë i shkrimtares që në qendër të të vërtetës së tij ka dramën më të lashtë njerëzore. Dramën e femrës për dashurinë. Ndryshe nga librat kryekëput romacierë ky është një trill që nxjer në pah dy antagonizma jetësh midis kontekstesh historike, atë të varfërisë dhe të pasurisë. Pas librit ‘’Mëkatet e zonjës Ema’’, ‘’Klienti’’, ‘’Mëkatet e Mellonëve’’, libri ‘’Trafikanti’’ është libri më i plotë i librave të saj dhe më i rafinuar. Vjen me një gjuhë të thjeshtë dhe elokuente, karakteristikë kjo e autores në stilin e saj, sa përpihet lehtë kudo që të jesh, në zyrë, në shtëpi, në plazh, në ballkon, në natyrë. Nuk të vret dhe nuk të lodh me sofistikime, shket fjala në fjalë nga veta e parë në vetën e tretë deri në fund të librit.Libri është ideuar në mozaikë ngjarjesh të ndërthurura midis personazhe që shtyjnë e tërheqin njëri-tjetrin për t’i dhënë atij harmoninë e plotë midis aktuales dhe të kaluarës.Ai lundron midis ujërave të përziera të qenies, dashurisë, mëkatit, shpresës dhe ankthit, frikës, sa konfuzitetit e qasjes së egoizmit që mund të shpallin qeniet njerëzore në realitetin e tyre. Ky egoizëm që vret më shumë se vetë fjala në jetën e përditshme. Në qendër të marrëdhënieve njerëzore vihet ndërgjegja, morali, antimorali, morali brenda antimoralit, dhe të vërtetat që në fakt janë të gënjeshtërta, iluzionet sa deluzionet që shtiren si drejtësi. Ai vjen si kumt më shumë për të zbritur tek realja e shoqërisë dhe te konkretja njerëzore, te ligjorja ku këto elementë të bashkëveprimit njerëzor me anë të besimit dalin në pah në një trekëndësh ku në qendër është një femër e quajtur Mia dhe në kontraditat sa të fatit dhe të sistemit shoqëror. Sepse ndërgjegja luan si shtriga herë nga ligjorja e herë nga ndjesorja që shpërfill ligjin, sa logjika që hedh poshtë moralin dhe të drejtën. Mëkati e vret ndërgjegjen sic vret pasioni për dashurinë arsyen. A nuk e kemi thyer gjithmonë këtë moral në shekuj dhe paradoksalisht sa e kundërshtojmë a nuk kthehemi përsëri tek ai?Mia, personazhi kryesor është një vajzë mbi 30 vjeçe, e bukur sa një botë me një paragraf, e ëmbël në tërë sagat e saj të thjeshta të jetës, sensuale deri në fund të romanit, e dashur për njerëzit e vuajtur dhe emigrante, e përvuajtur për dashuri të vërtetë, njeri që nuk mban dot urrejtje, avokate në profesionin e saj. Ajo merret me emigrantët dhe është një shqiptare që ka dalë nga gjiri i këtij emigracioni. Ajo është sa e drejtpërdrejtë dhe konfuze për të njohur të dashurin e jetës, për të njohur ndjenjat dhe feminitetin e saj, për të shprehur ëmbëlsinë e saj. Paksa naive dhe ironike në mendimet me veten në këndvështrimin e autores ajo del në dritë si një vajzë plot energji, e dashur sa e çmendur për atë fluturën në stomak që tërbon një botë të tërë në ndjenja të pashtershme. Drita e syve dhe preokupimi i familjes shqiptare me prindërit e saj. Ditët e saj rrjedhin të qeta ku e jashtëzakonshmja dhe më e vështira del në pah në fund të librit. Dinamika e ditëve që zhvillohet në Amerikë sa në Europë, Në Ballkan sa në Shqipëri shprehet vetëm me një fjalë sa e gjithë jeta, dashuria. Kjo fjalë që rrethrrotullon globin në 365 ditë të saj. Ajo është e re në profesionin e saj por e etur për të ditur më shumë rreth enigmave. Një amerikane me origjinë shqiptare.Mia, personazhi kryesor i këtij trilli endet konfuze midis të kundërtave, të ndryshmes dhe reales.Nga një anë ka një të fejuar të quajtur Ethan, që vuan nga vogëlsia triumfatore e egoizmit të tij në dashuri dhe karrierë, një ekonomist në një korporatë farmaceutike që ‘’vret dhe babanë e vet’’ për triumf, ku nëpërmjet mirësisë sipërfaqësore të tij shfaqet e keqja e madhe që fsheh. Ai nuk do t’ia dijë për njerëzimin pa suksesin personal të tij që njerëzimi ta njohë atë, as për Mian, madje as për vete Bosin e tij në qoftë se do ishte e mundur pavarësisht se duket normal me gjithë ndjenjat njerëzore. Nën dashurinë e tij për Mian koha dhe libri e tregon se ajo nuk ishte dashuri për të. Ai përveçse karrierist dhe oportunist është dhe tradhtar ndaj Mias që vonë e kupton këtë dhe marrëdhënia merr fund por jo vetëm nga ky shkak. Tradhëtia e tij çimenton narcizmin që shfryhet diku në disa paragrafë të librit. Ai është tipik i një mashkulli moskokëçarës sa materialist për gjithçka po pa pasur ndjenjë deri në oportunizëm pafre. Një e keqe e madhe që fshieht nga një mirësi e vogël. Ndjenja e një njeriu automat për pushtet është vetëm paraja dhe e kthen atë në një egocentrist.Në anën tjetër të medaljes së marrëdhënieve me Mian është një person i huaj sa enigamtik i quajtur Alen. Shqiptar me nënshtetësi holandeze që do të bëhet amerikan. Dhe këtu të kundërtat bashkohen. Ai bëhet klient i Mias. Ky njeri që jeta e ka përballur me shumë sfida të shprehura aq bukur nga autorja është detyruar të bëhet i keq në shpirtin e tij qelibar për të shpresuar për t’u kthyer te e mira, paçka se ka të keqen brenda. Por ai ka një armë, rrëmben ndjenjat e Mias në shumë mënyra, e çarmatos dhe e bën për vete po në shumë mënyra që autorja e shpreh në karakterin e tij. Edhe ky njeri e kupton se paraja është mbi shumëçka, po mbi gjithçka është dashuria që ai nuk e ka gjetur dot. Midis vuajtjeve familjare për të jetuar bëhet padashur një kriminel për ligjin, me atë ligësinë që i është mbarsur si pullë dogane. Dhe nga pas e ndjek e liga si një e keqe e përdale. E mira dhe e keqja luajnë me të si Dreqi me të bir dhe ai herë hedh këmbën nga e mira kapet pas moralit dhe herë nga e keqja, herë përzihet me normat dhe fatin e hidhur për të drejtën dhe herë me mëkatin që justifikohet si i drejtë. Të dyja anët e peshores lundrojnë në jetën e tij. I zgjuar dhe pragmatik duke u përshtatur në çdo situatë si padashur njeh të kundërtën e vet, avokaten Mia që merret me çështjet e emigrantëve për nënshtetësi. Dhe këtu sikur romani ‘’Trafikanti’’ fillon nga e para. Një e keqe e madhe që fsheh një mirësi akoma më të madhe. Sa më tepër ai fsheh e do të harrojë të keqen aq më shumë i shtohet humanizmi për njeriun, veten, Mian, dashurinë.Rreth e rrotull Mias, Ethanit dhe Alenit janë personazhë dytësorë si prindërit e Mias, prindërit e Alenit, bashkëpunëtorit e Alenit, ndonjë shoqe rastësore e Mias a të Alenit dhe Ethanit që formojnë atë mozaikun e plotë e të këndshëm të romanit, supriza, çaste emocionale të shumta që lundrojnë në oqean, kontekste shqiptare të cilët autorja i shpreh me mjeshtëri, sensualitet, dashuri sa trishtim, shumë trishtim sa dhe gëzime e kënaqësi deri në tehun e erotizmit. Pleksen të gjitha bashkë në një e bëjnë atë të tërën, jetën, nën mjeshtërinë e penës së thjeshtë të autores që duket sikur autorët klasikë futën edhe ata brenda e shprehen.Ky roman shpreh më së miri luftën midis së vërtetës dhe gënjeshtërtës në sytë e një femre, në sytë e një mashkulli, në verbërinë e dashurisë, në pasionin e verbër sa verbërinë për të qenë i dashuruar pa e arritur atë. Një verbëri harbute për pasuri e pushtet, verbëri për mirësi. Mendimin se e mira e ka diçka të keqe që po ta zgjosh duket si përbindësh dhe e keqja përbindësh e ka një të mirë të madhe që lëngon në një cep të saj, ajo po të zgjohet jep gjithçka. Varet çfarë duam ne në jetët tona.‘’E mira dhe e keqja janë si motër e vëlla’’, ato janë të pandalshme sa e drejta për të pasur dhe për të qenë bëhet padrejtësi. Shumë shpejt autorja i përmbus këto situata dhe nxjerr në pah të dyja këto të ndryshme dhe të kundërta bashkë, ajo i trazon dhe situatat rrjedhin nga njëra tek tjetra.Mjeshtëria e saj të mban të mbërthyer edhe në fundin e romanit.Gjithçka që duket si asgjë në raportin midis Mias dhe të fejuarit të saj Ethanit, dhe një asgjë që vjen si vrull e e mbështjell Mian në shumëçka për t’u bërë në fund gjithçka, pra një marrëdhënie të ëmbël dhe emocionale, shpirtërore midis Mias së çmendur për të njohur vetveten dhe tjetrin që quhet Alen, dhe Alenit që jep gjithçka për Mian, qoftë dhe jetën e tij.Është një libër i thjeshtë dhe i dashur që të mbërthen me supriza në lexim. Gjëra të vogla që plotësojnë atë mozaikun e të bukurës e cila quhet jetë. Jetë që ka të mirat dhe të këqiat e saj.Mos e humbisni, lexojeni!

Filed Under: LETERSI

KONKURENCA E LIRË NXIT CILËSINË

December 18, 2021 by s p

(Vlerësime për punën 20-vjeçare të ShShShA përmbledhur në dy vëllime)


Thanas L. Gjika


Njëzetvjetori i krijimit e gjen Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me një seri aktivitetesh të kryer për promovime e vlerësime librash, me artikuj kritikë, me konkurse letrare dhe dhënie çmimesh, takime me krijues të shquar ‘të ftuar nderi’ nga atdheu dhe bota, si dhe aktivitete të tjerë, shoqëruar me foto të shumta. Këto bëma janë përmbledhur në librin dy-vëllimsh “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2001-2011 dhe 2012-2021”, 671 faqe gjithsej botuar prej Adriatic Press nën kujdesin e Presidentit të shoqatës, të palodhurit dhe bujarit Adnan Mehmeti, redaktuar prej Dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Dr. Yllka Filipi. Kjo përmbledhje është vlerësuar prej personalitetesh të shquar shqiptarë dhe amerikanë, siç janë kandidatët për çmimin Nobel: Ismail Kadare dhe Frederick Turner; shkrimtarja dhe kritikja kanadeze Constance Rooke; dhe profesorët: Peter Prifti dhe Sami Repishti.
Duke e parë veprimtarinë 20-vjeçare të shoqatës dhe sasinë e madhe të botimeve të librave me poezi e prozë, kuptohet sesa të drejtë kishte grupi nismëtar, i përbërë prej Gjekë Marinajt, Peter dhe Naum Priftit, Ramiz Gjinit, Dalan Luzajt, Raimonda Mojsiut dhe Albana Lifchin-it kur e nisi këtë lëvizje kulturore në diasporën tonë me pak anëtarë dhe pa pasur ndonjë fond të dhuruar nga shteti mëmë, ose fondacione a donatorë të pasur amerikanë.
Këshillat e kryetarëve dhe të presidentit dhënë anëtarëve të shoqatës, për të qenë shkrimtarë që krijojnë vepra letrare sa më artistike dhe jo debatues të politizuar, e kthyen këtë shoqëri letrare në një shkollë krijimtarie larg grupazheve dhe grindjeve. Ata vunë si motiv shprehjen e urtë: “Mbi gjithëçka qendron Shqipëria. Mbi Shqipërinë veç Perëndia”. Kështu u nxit zhvillimi i konkurencës së lirë midis krijuesve, e cila ka mbështetur ecjen drejt cilësisë si të krijuesve që kishin botuar që në vitet e diktaturës dhe të atyre që nisën botimet pas ndërrimit të regjimit komunist.
Krijuesit e kësaj shoqate kanë ecur drejt pikësynimit kryesor të letërsisë si art, pikësynim që e ka vënë në dukje Prof. S. Repishti: “letërsia lufton për krijimin e së bukurës”. Kur thuhet “krijimin e së bukurës” kemi parasysh krijimin e “së përsosurës në llojin e vet”, pra të asaj së bukure që pëlqehet prej kujtdo, pavarësisht nga bindjet politike. Pëlqehen prej kujtdo jo vetëm heronjtë pozitivë si Hektori i Homerit, Wilhelm Teli i Shilerit, etj, por edhe personazhë negativë si personazhët e Shekspirit: Ledi Makbeth, që mishëron shpirtin ambicioz dhe Jagua, që mishëron intrigantin. Të dy këta personazhë janë pëlqyer dhe pëlqehen sepse janë krijesa të përsosura të karaktereve që përfaqësojnë. Duke qenë krijime të përsosur këta personazhë kanë ndikuar e ndikojnë fuqishëm në zgjimin e ndërgjegjes njerëzore, në largimin nga veset, pra krijimin e moralit të shëndoshë.
Ndër tiparet e parë dallues të shumë prej krijuesve shqiptaro-amerikanë janë venë në dukje malli, dashuria dhe dhimbja për atdheun mëmë, të cilin klasa politike e ka mbajtur deri sot në gjendje tranzicioni larg demokracisë së vërtetë. Kurse në fillim të dhjetëvjetëshit të dytë, krijues e studjues të mirëformuar forcuan kritikat dhe kërkesat për cilësi, gjë që ndihmoi për rritjen cilësore të krijimtarisë. Dr. Besim Muhadri ka vënë në dukje se tashmë kjo letërsi është “letërsi e shqetësimeve të shumta, e cila dita ditës po shkon drejt brumosjes me vlera serioze estetike.” Krahasuar me të gjithë komunitetet shqiptare që kanë ekzistuar që nga koha e Rilindjes e deri sot në mbarë botën, mund të them se komuniteti i sotëm shqiptaro-amerikan ze një vend nderi për nga numëri i anëtarëve, sasia e botimeve dhe cilësia e veprave letrare.
Letërsia, ashtu si të gjitha artet, nuk është garë sportive ku secili konkuron për të dalë i pari. Në krijimtarinë letrare dhe në artet secili sjell përmes individualitetit të vet krijues vlera me tipare dhe nuanca të ndryshme ideore dhe artistike. Veprat letrare dallohen dhe shquhen midis tyre për shpalosjen e ideve përmes thurrjes sa më intriguese të kompozicionit, për krijimin e subjekteve interesantë me tematikë të shumllojshme, për përdorimin me shkathtësi të figurave letrare, të dialogjeve, të naracionit, të psikologjizmit, të meditimeve filozofike, etj. Pikërisht në këtë punë krijuese secili anëtar i shoqatës ka dhënë e jep ndihmesën personale me veprat e veta. Kapja dhe vlerësimi i këtyre tipareve prej anëtarëve të zhurive ka shpënë gjatë konkurseve në vlerësime dhe dhënie çmimesh objektivë për vepra që krijojnë figura dhe karaktere të përsosur që trajtohen me vërtetësi. Se sa rëndësi ka krijimi dhe trajtimi i karaktereve letrare me vërtetësi, po ju sjell shembullin e romait “Dimri i Madh” i shkrimtarit të talentuar Ismail Kadare. Ky roman u prit shumë mirë nga lexuesit dhe kritika e kohës, sepse shoqëria jonë ishte e droguar prej propagandës së partisë shtet. Figura e diktatorit Hoxha paraqitej aty përmes figurash letrare të ndërtuara bukur si një marksist-leninist i shquar, si një udhëheqës vizionar, etj. Por pas ndërrimit të regjimit kur dolën në shesh shumë të vërteta historike u kuptua se diktatori Hoxha kish mbrojtur jo Marksizëm- Leninizmin, por karriken e vet, u bë e qartë se romani nuk kishte vërtetësi në krijimin e figurave dhe karaktereve. Mungesa e vërtetësisë e bëjnë sot këtë roman të lexohet me vështirësi ndonëse ka një gjuhë të pasur me figura letrare.
Disa krijues kanë arritur me mundësitë e tyre të botojnë krijime edhe në anglisht e gjuhë të tjera. Shkrimtarja Albana Mëlyshi duke e vlerësuar botimin në anglisht si një hap të rëndësishëm për t’ia bërë të njohura lexuesit botëror vlerat e krijimeve të kësaj shoqate, ka kërkuar që të shtohen përpjekjet për përkthimin e veprave më të mira në gjuhën më të përhapur të botës. Kuptohet se një hap i tillë mund të realizohet po të kërkohet me këmbëngulje prej ShShShA-ja që të angazhohen për dhënie fondesh dy Ministritë e Kulturës dhe të Sporteve, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.
Ndërkohë, mendoj se duhet shtuar presioni ndaj këtyre dy ministrive, si dhe qeverive përkatëse për të futur në tekstet mësimore pjesë nga krijimet më të mira të anëtarëve tanë, ose për të futur në listat e librave për lexim jashtë klase për nxënësit e studentët edhe të disa veprave të krijuesve shqiptaro-amerikanë.
Çdo popull gjatë historisë së vet krijon korpusin e veprave të zgjedhura në të gjitha fushat e krijimtarisë letrare, artistike, shkencore e filozofike si thesar përmes të cilit atë e njeh bota, sepse aty ai shpalos identitetin e vet kombëtar. Edhe populli ynë e ka krijuar gjatë historisë identitetin e vet përmes veprave të shumta heroike, veprave letrare, artistike, shkencore e filozofike. Detyra e brezave dhe e komuniteteve shqipfolëse të ditëve tona është që identitetin tonë kombëtar ta pasurojmë me vlera sa më dinjitoze, konkuruese në mozaikun e kulturës europiane e botërore. Ky identitet kombëtar mund të quhet “pasaporta e identitetit shqiptar”. Përpjekja për ta pasuruar me sa më shumë vlera këtë “pasaportë” ka qenë dhe është synimi serioz i ShShShA-së.
Eshtë në nderin tonë që disa nga krijuesit tanë më të talentuar janë njëheresh dhe ndër krijuesit më të talentuar të popullit shqiptar në plan mbarëkombëtar. Midis krijuesve të shoqatës sonë ka mjaft prej tyre që kanë marrë deri sot çmime prestigjoze kombëtare dhe ndërkombëtare nga zhuri amerikane dhe europiane për vepra me nivel të spikatur ideo-artistik. Kurse Visar Zhiti, si e kam thënë dhe më parë, meriton çmimin Nobel për romanin dyvëllimsh “Burgologji – Rrugët e Ferrit dhe Ferri i çarë”, sepse aty pasqyrohet me nivel të lartë artistik deformimi i karakterit njerëzor nën trysninë e diktaurës komuniste dhe qëndresa e të dënuarve të ndërgjegjes. Mirëpo që të mbrrijmë tek ky sukses, kjo vepër duhet përkthyer anglisht sa më parë dhe me cilësi sa më të lartë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT