*Mëhill Velaj – Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë fjalimi në ditën e lamtumirës së poetit Luigj Çekaj.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në emrin tim personal dhe të familjes sime, shpreh ngushëllimet më të përzëmërta e të sinqerta familjes Cekaj, për humbjen e babait, bashkëshortit shembullor dhe gjyshit fisnik, i shpreh ngushëllimet komunitetit shqiptaro-amerikan, Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Shoqatës Atdhetare “Rrënjët” për humbjen dhe ikjen në amshim të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit veteran ndër breza. Për dekada me radhë Luigj Cekaj ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, shqiptar dhe patriot i devotshëm, në komunitetin shqiptaro-amerikan, Vec kësaj, Luigj Cekaj është shkrimtar e poet mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, poet i dhimbjes e dashurisë të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Andaj i shpreh ngushëllimet e ngrohta e të sinqerta edhe komunitetit të shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve brenda e jashtë Shoqatës, kudo në Diasporë, miqve dhe gjithë të dashurve që e rrethonin, për humbjen e njeriut dhe mikut të tyre. Me rastin e 20-Vjetorit te themelimit SHSHSHA, nuk do jenë në mesin tone se iken në amshim; Agron Fico, Dedë Elezaj dhe kesaj kolone te heshtjes po i bashkangjitet dhe Luigj ÇEKAJ. Ne sot po i japim Lamtumirën poetit dhe shkrimtarit Luigj Cekaj, Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, qysh prej themelimit të saj. Dhe në mbledhjen e parë të themelimit të Shoqatës u vendos që shkrimtari dhe poeti Luigj Cekaj të zgjedhet Sekretar i saj, detyrë që kreu denjësisht për disa mandate. Poeti Luigj CEKAJ ishte atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, që ia kishte rrëmbyer zemrën dhe mendjen, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike dhe shpirtërore, por me modestinë e një heroi të heshtur, ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur në ameshim. Për Luigjin gjatë këtyre ditëve kanë shkruar shumë krijues të SHSHSHA-së dhe dashamires si; Ekolana ÇEKAJ-Mundija(Vajza e te ndjerit), Don Pjeter Popaj, Gjeke Marinaj, Adnan Memeti, Gjeto Turmalaj, Dalip Greca, Keze Zylo, Mark Koliqi Shkreli etj,etj.. Poeti Luigj Cekaj, ishte ai djaloshi shkodran, që në moshë ende të njomë u përball me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetën “Besa”, Shkodër. Emigroi në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, gjithashtu punoi në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës. Veprat e botuara të Shkrimtarit e Poetit Luigj Cekaj; “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998. “Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004. “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010. Lamtumirë mik, patriot, koleg, atdhetar, poeti martir i Demokracisë, Shqiptar i Fismë dhe i Devotshëm. Po e lexoj një poezi; Ndër Sytë e POETIT (Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ që u nda nga jeta 5 Janar 2021) Nga Mëhill Velaj Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë, Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë, Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmeendur, Vajton për zemrën e poetit, Që mbytet nga heshtja, Ndërsa nata lexon mijëra fjalë, Me gjuhën e engjujve të lashtë që veç poetët i kuptojnë! Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak, Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket, Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi i plagëve në tokën mëmë, Kroi i lotëve shterri fjalët, Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!
*Mëhill Velaj Stamford, CT USA 6 Janar 2021 Prehu në PAQE! Të qoftë dheu i lehtë! I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!