• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATDHETARI RIZA KISHTA…

September 9, 2020 by dgreca

….Në optikën e studiuesit Meçan Hoxha/

NGA KADRI TARELLI- Para pak kohësh e ftova Meçanin për kafe. U tregua i gatshëm. Me këtë rast këmbyem libra, si e vetmja mundësi për të nderuar dhe kënaqur njëri-tjetrin. Ai më dhuroi librin e tij të fundit “RIZA KISHTA. Emër që nuk harrohet”, ndërsa unë, “Koha në vargje”.

Që në fjalët e para, dua të shpreh falënderim dhe mirënjohje ndaj autorit, që ka shkruar e nxjerrë në dritë një libër me vlera lokale (për krahinën e Gramshit), po se po, por edhe me vlera kombëtare. Kam përshtypjen, se kur lexojmë fjalë të tilla të mëdha, na lind mosbesim ose dyshimi për vlerat e vërteta. Mos nxitoni dhe mos u trembni, bëni pak durim dhe më gjykoni kur të arrini në faqen e fundit. Sepse siç pohon Cornela Funke: “Disa libra shijohen ngadalë, të tjerë përpihen me një kafshatë dhe vetëm disa pak të tillë, përtypen për t’i tretur plotësisht”.  

Nuk them se e lexova librin me një frymë, siç shprehen disa, por e kundrova me shumë kujdes dhe interes, duke bërë nën-vizime e duke mbajtur shënime, pasi bën fjalë për histori njerëzore, ku fati i tyre është i ndërthurur me historinë tonë kombëtare, gjatë luftës e më shumë edhe pas saj. Fatkeqësi, por shoqëria qëllimisht dhe pabesisht u nda në dy grupe në kundërshti me njëri-tjetrin, ku pati xhelatë dhe natyrisht edhe viktima. Vetiu më gris pyetja, që s’i jap dot përgjigje: Kujt i shërbeu ky konflikt shoqëror?”. Për të ardhur keq që edhe sot e kësaj dite, vazhdon kjo përçarje që nuk i sjell asnjë dobi kombit në tërësi, por edhe individëve në veçanti e që s’po gjejmë qetësi. Pengojmë njëri-tjetrin, në vend që ta duam, ta ndihmojmë apo ta nxisim për vepra të mira, kur, me apo pa dashje, mohohen vlerat e veprimtarëve të nderuar, në emër të absurdit politik. 

Kush ka njohur krijimtarinë e studiuesit Meçan Hoxha, rreth 10 libra, ku pjesa dërmuese e tyre lidhet me studime të karakterit historik, më jep të drejtë në gjykimin tim, sepse ai jo vetëm është mjeshtër i fjalës së bukur, por më shumë i mendimit të pjekur e të lirë, për të thënë kurdoherë të vërtetën. Këtu ai nuk bën kompromis më askënd, kur bëhet fjalë për këtë parim të shenjtë sa jeta. Ai adhuron filozofin e lashtësisë Aristotelin, që thoshte: “Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën”. Ky është karakteri i tij, që buron nga fisnikëria dhe tradita, nga kultura dhe qasja që i bën vetes me realitetin tonë të trazuar, pa u ndikuar nga miqësitë, nga bindjet apo qejf-mbetjet. “Më mirë të jesh i torturuar nga e vërteta, sesa i lumtur nga gënjeshtra”, thotë dijetari Seneka.

Të gjitha sa shpreha më lart burojnë nga “respekti për të vërtetën”, siç thotë autori që në hyrje, pasi Riza Kishta, heroi i librit: “Është personaliteti më i përfolur ndër gramshiotët, në Gramsh e më gjerë. Është folur aq shumë që nga viti 1918…….. Veçanërisht shumë është folur pas çlirimit të vendit deri 1990, dhe i është rënë vetëm një avazi të një kënge të pështirë…., e cila është bërë e lemerishme”. 

Është e çuditshme, që edhe pas 30-vjetësh të përmbysjes së diktaturës dhe propagandës marramendëse të luftës së klasave, ende mbeten njerëz me po ato bindje, si receta mjeku, apo si thënie të Biblës dhe Kuranit, që vetëm duhen besuar. Është fatkeqësi që ende ka “skllevër” të atyre mendimeve, kur kanë dalë aq shumë libra dhe dokumente mbi shtrembërimet e historisë sonë, sidomos të luftës NÇL, duke e paraqitur dhe pranuar vetëm bardhë e zi: komunistët “atdhetarë” e ballistët “tradhtarë”, sikur ata nuk ishin nga një gjak e nga një truall. 

Është vërtet e dhimbshme, kur bëhet fjalë për ngjarje dhe veçanërisht për personalitete, si Riza Kishta, që e jetuan kohën, që kanë dominuar kohën me vendimmarrjet dhe që, në një farë mënyre ndikuan mbi rrjedhën e ngjarjeve. Ndaj duhet lexuar dhe nxjerrë mësime për historinë tonë të çoroditur.

Këtu qëndron edhe merita e librit dhe autorit, që sjell para lexuesit dhe opinionit publik, birin e Gramshit Riza Kishta, një personalitet të nderuar, një burrë shteti, autoritet i pa cenuar në veprime dhe në fjalë, të dhënë e të mbajtur në besë burrash, pavarësisht pasojave. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kundërshtarët, mbase nuk e duan, por e nderojnë. Besoj se raste të tilla janë të rralla, por që nderojnë një familje, një fis, një krahinë dhe një popull. Nga shembuj të tillë mësohen, edukohen e udhëhiqen brezat në shekuj.

Një vlerë tjetër që duhet vënë në dukje, është puna e gjatë për rreth 30 vjetësh: “Ende lundroj në lumin ujëplot të Riza Kishtës”, thotë Meçani në bisedë mes shokësh. Një punë e pambarim dhe plot durim, për të grumbulluar material dokumentar e gojor të besuar dhe të ballafaquar, siç ndodh në monografitë, në mënyrë që të jenë sa të vërteta, aq edhe të besueshme. Ndaj unë i quaj kokëkrisur të gjithë ata që marrin përsipër të hartojnë një monografi, sepse veç vështirësive që has në emra personash, data, ngjarje e ndodhi, ku duhet t’i kthehesh disa herë, për të qenë i saktë, në përfundim do të ndeshesh edhe me opinionet dhe mendimet ndryshe, të cilave duhet t’u japësh përgjigje. 

Megjithatë, unë dhe kushdo tjetër, kupton se autori i gjendur para kaq shumë të dhënash, është futur në lëkurën e kohës, aq sa na bën të besojmë se edhe ne si lexues po e jetojmë atë kohë, duke pyetur: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ti dhe të tjerët, para ngjarjeve dhe përplasjeve të mëdha të kohës? Si do t’i përballeshe me kurthet dhe të papriturat e luftës, të “miqve” dhe armiqve? Ç’anë do të mbaje para dilemave të mëdha ideologjike dhe politike që zienin dhe trazonin mjedisin shqiptar? Të bashkoheshe me sllavët armiqtë shekullor, apo të mbroje bashkimin me Kosovën, me administratë, arsim dhe kryeqytet Tirana, si fakt dhe frymë atdhetarizmi, që mbizotëronte te të gjithë nacionalistët, përfshi edhe njerëzit e thjeshtë? 

Nuk ishte e lehtë të gjeje udhën edhe në oborrin tënd. Bashkimi trojeve nuk ishte “gozhdë” për të varur gunën apo xhaketën, por frymë atdhetarie e shqiptarie. Besoj se këtë mëdyshje e zgjidh përfundimisht një thënie të diplomatit Rauf Fico, biri i madh i Gjirokastrës, i vlerësuar aq lart edhe nga bota, që u thërret shqiptarëve si me profeci Dodone: “Dashtë Zoti me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”.

 Vlera më e madhe e këtij libri, por edhe e librave të këtij lloji të botuara së fundi, besoj se është mësimi i historisë pa hile dhe shtrembërime të sajuara apo të stisura qëllimisht. Kam përshtypjen se librat që kanë vetëm dokumentacion, kanë shumë vlerë, por janë të ftohtë. Dokumenti është pa lëng jete, nuk të ngjall ndjesi e përjetime. Thjesht të bind në të vërtetën historike dhe vetëm kaq. Ndërsa libri i Meçanit është shumë i ngrohtë, jo se ai e do dhe e përkëdhel “Heroin”, por e nderon atë, nuk i përbuz kundërshtarët, por i ve para provës, për t’u bindur e për t’i bindur, nga anon e vërteta dhe e drejta. Libri të tërheq ta çosh deri në faqen dhe fjalën e fundit, sepse ndërthuret me ngjarje të tabanit e të vatanit, në konferenca, parlament, fshat e qytet, në odat e miqve dhe në stane, kasolle dhe shpellat e krahinës, te miqtë dhe besnikë të besës, si zakon dhe betim shqiptari.

Në këtë hulli mendimi, cilindo e çudit një fakt i jashtëzakonshëm, kur e lexon: Rizai u arratis, duke kaluar në ilegalitet brenda krahinë së Gramshit, për një vit e gjysmë te miqtë dhe të njohurit e tij dhe nuk u kap nga forcat e ndjekjes, që kontrollonin çdo shteg, ditën dhe natën. Ky ishte nderimi që i bënte vendi, kësaj figure atdhetare dhe autoriteti që gëzonte ai. Cili nuk do e lakmonte këtë vlerësim deri në adhurim, nga populli i vet? Libri vazhdon më tej: Rizai kaloi rreth 14 muaj hetuesi, veç ai e di se ç’ hoqi. Aty provoi torturat e hetuesisë shqiptare, aq sa u mbeti në dorë, duke ndërruar jetë, por nuk u dëshmua asnjë faj që ta baltoste dhe ta damkoste, si armik apo tradhtar i atdheut. 

Vetë libri është një dokument i plotë dhe i qëndrueshëm për historinë tonë kombëtare, pasi ashtu siç rrodhën ngjarjet në zonën e Gramshit, me pak dallime janë zhvilluar kudo nëpër Shqipëri. Nuk mund të hyj në hollësi, le t’i shijojë lexuesi të fshehtat që të mbajnë të mbërthyer deri në fjalën e fundit. Më duhet të nënvizoj një dukuri të asaj kohe: Fjala që përmendet shpesh nga Riza Kishta, si komandant i “Ballit” për krahinën e Gramshit, kur mund të kishte përplasje me armë, është: “Janë djemtë tanë dhe s’duhet të derdhim gjak shqiptarësh”. Ai e nderonte luftën për liri dhe luftëtarët që u ngritë, ndaj edhe shmangu çdo përplasje, kur në të njëjtën kohë, pas Konferencës së Mukjes, komunistët shpallën armik Ballin dhe ballistët, për t’u luftuar pa kompromis. 

Në këtë shteg gjykimi, secili ka të drejtë të meditojë: Ç’ qëndrim do të mbaja unë, ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, kur u strehua në zonën e Gramshit, zonë që me forca të shumta e kontrollonte Balli? Rizai e dinte, por nuk veproi, e tëra në emër të luftës për çlirim dhe besës ndaj mikut, që vjen në shtëpi. Nuk e përtypte dot turpin, që do të mbante mbi shpinë. Një fisnikëri për t’u admiruar!

Vetë Rizai, ashtu edhe plot nacionalistë në mbarë vendin, ishin për pajtim kombëtar dhe jo vëllavrasje. Pas lufte, mendonin për një shtet demokratik, ku të sundonte ligji dhe drejtësia, jo për ndarje e luftë klasash, si murtaja më e egër që e sëmur dhe e prish një komb. 

Kjo është edhe vlera e këtij libri, që të mëson dhe në të njëjtën kohë të bën të mendohesh e mundësisht të përjetosh ngjarjet. Sepse “E vërteta është e vetmja gjë që mund ta bëjë të madh një popull”, shprehet diku atdhetari i  rilindjes kombëtare Koto Hoxhi.

Riza Kishta lindi, u rrit dhe u burrërua si luftëtar e atdhetar i fisëm, por vdiq si antikomunist i vendosur. Mund të thotë kush, se ku qëndron faji i tij?

Në fund të këtij shkrimi modest, dua të përshëndes autorin, pasi titullit të librit, “Riza Kishta. Emër që nuk harrohet”, i dha kuptimin e duhur, duke e bërë atë të mos harrohet në jetë të jetëve, nëpërmjet futjes tek “Arka e kujtesës”, përkatësisht në një libër monografi. Ky libër e ngjalli dhe e solli Rizain e vërtetë në jetën e vërtetë, si një monument që nuk ka piedestal dhe shesh, por qëndron në ballë të çdo oxhaku nëpër shtëpitë e çdo gramshioti dhe në raftet e librave në mbarë mjedisin ku jetojnë shqiptarë.

Urime autorit Meçan Hoxha, duke shpresuar për libra të tjerë po kaq të bukur letrarisht dhe me vlerë përdorimi shqiptarisht! 

Kadri Tarelli

Durrës më: 07, vjeshta e parë, 2020. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Atdhetari Riza Kishta, Kadri Tarelli, Mecan Hoxha

Ali Asllani dhe :”Kënga e një plaku”

September 8, 2020 by dgreca

-Ne Foto: Busti i Ali Asllanit-

Nga Gëzim Llojdia-

1.Kur dilte në rrugë Ali Asllani ishte veshur shik me kostum dhe ecte një zotni.Vashat dhe gratë  të marrosura pas asaj bukurie, pas penxhereve përgjonin këtë dalje në rrugët e kryeqendrës .

-Shikoni moj gra, në rrugë po ecën poeti!Kështu e kujtonte një miku im kur për herë ta parë shikonte poetin lirik dhe autorin e shumë poezive të tjera,diplomatin apo ish kryetarin e bashkisë së Vlorës.

Në Vlorë poeti ka  jetuar në një banesë afër Skelës,atje ku sot jeton F.Sh.E shikoja dhe nuk ngopesha me aromën, që kishin mbajtur këto murre,frymën dhe djersën e poetit lirik shqiptar.Ja shkallët që ngjiti sipër në tarracë.Atje ishte F.Sh. i cili zbriti me kujdesë.Dhoma e madhe kishte një bibliotekë të madhe aq sa mund të kenë sot institucionet bibliotekare në këtë vend.Poeti ishte transferuar në Tiranë dhe shpesh ai vizitonte atje ngrehin e artit ku mblidheshin shkrimtarët për një dorë muhabet për të dëgjuar lajmet fundit apo të biseduar për krijimtarinë  e tyre.Poeti rrinte i heshtur nw atw kulvi ngase se shokwt  evjetwr ishin larguar  . Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte më sy të mirë,poeti s’kishte rrugë tjetër.N, Jorgaqi ka shkruar rreth kësaj çështje. Nëse Lasgushi u mbyll nën vetëvete ngaqë edhe në shkollarët e dinim të vdekur ,madje u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë,poeti lirik lab provoi më kotë të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij ,poezinë e lirë ,të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër.
Shumë nga miq të tij,i propozuan Ali Asllanit,në përfundim të luftës,që të largohej nga Shqipëria,por ai një gjë të tillë nuk e pranoi. Ja vlerësimi i Ago Agaj nga Smokthina në librin për luftën e Vlorës,1920,faqe 149:”Qofsh i mallkuar-o Ali Asllani,në të dyja jetët-që s’u arratise “bashkë me ne dhe ti kishe kënduar lirisht,dhe denjësisht këngët e kësaj epopeje…”.Autori shkruan me respekt për Ali Asllanin,kur përmend atje poemën “Vlora-Vlora” dhe me të vërtetë ,në ato vende të lira që Ali Asllani i njihte shumë mirë,patjetër që do të këndonte më shumë e më bukur,asaj ngjarje,sepse kushtet , andej ishin më të mira e të favorshme për të. Por ai,si patriot,atdhetar i madh që ishte,nuk u largua nga vendi i tij,duke mbetur kështu një shembull i shkëlqyer .

2.

Ja  poezitë e tij botuar në gazetën :”Drita” viti 1966.

 Kënga e një plaku

Them të shkruaj një poemë
qoftë lirike,qoftë epike,
do ma vargjet me derhem,
të mos dalin shtatanike.
Rrëmoj gjurmët titanike,
Dëgjoj këngët heroike,
Dëgjoj këngët,ato këngë,
Këngë e gunave pa mëngë.
A e njihni Arbërinë,
mos ja prekni krenarinë,
tanimë na erdhi radha,
e udhëhequr nga një dritë,
Shqipëria monolitë,
merr e jep me re të bardha.
Po ju flas sepse këtu,
treqind muaj edhe t’hu,
e vërteta ja bën mu.
Vendi ynë tani po thuaj,
di ta ndez dhe di ta shuaj,
le të jetë lumi turbull,
ne do hidhemi përtej,
kjo shqiponjë që di e ngrihet,
e di mirë se ku do vej*.
Pra poemë e një poeti,
S’do rëkojë pas këtaj
kjo muzikë eterniteti,
do vazhdoj në tel të saj.
Vendi ynë përherë’ nerënzë
kurdoherë sumbulloret,
kënga jonë përhera këngë,
sevdallesh e këtij vendi,
veshur petka prej argjendi,
mot e jetë do rrotullonet.

3.

Poezit e tjera të panjohura të botuara në këtë gazetë në vitin e ikjes së poetit lirik.Në gazetën :”Drita” të vitit 1966 gjejmë edhe poezi të tjera të cilat nuk kanë atë shkëlqimin e dikurshëm të lirikut poet,që ashtu si kishte mbiemrin kishte edhe vargun poetik:asllan. Sigurisht, që në kontekst të kohës, Asllani ashtu vetëm mund të gjente hapu,r për autorin e këngës së Vlorës,pra një dritare të vogël botimi .Poeti ishte gjallë,mirëpo poezia e natyrës së tij, mund të thuhet në këto vite kishte lindur e vdekur. Kur vdiq poeti ,këto poezi të kësaj kohe janë anashkaluar me të drejtë,mirëpo për hir të së vërtetës, po i risjellim, 65 vjetë më pas .Poti A.Asllani mbahet mënd për lirikat e bukura aq poetike e shpirtërore saqë një poeti tillë mundtë ti thurte e ti latonte mjeshtërisht e bukurish ,bukur. Shiko si e thur ai poezinë e lirë ,atë që shpirti i buron vetë. Ali Asllanit për fshatin Vajze:”

Në krye të fshatit, ka një deli krua,

uj’ i tija akull derdhet në përrua,

dhe në krahun tjeter varet nga një mal

një përru’ i rreptë me utrim’ e val’.

Mu në mes të tyre bregu – Allatoj-

dhe shtëpit e fshatit si fole fajkoj.

fshati babëgjyshit, fshati më i mirë,

nga ata që thuhen: Labëri e lirë.

Aty nënë shkallë blegërin shelegu,

aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku,

rreth e rrotull lëmit djemtë hedhin valle,

nënë rrap, në hije, pleqtë qajnë halle….

Lab mor tunjatjeta, s’ka më shumë nevojë,

ky punon për nam, nuk punon për gojë,

S’ka sevda për leka, s’ka sevda për grosh,

nuk e ha meraku për gjë e për llosh.

Po ku ja do qejfi, di për fjal’ të nderit,

di e kren kafshitën nga sqep i skyfterit.

Dimrit nëpër fshatra, verës nëpër stane,

e ç’kërkon më mirë në këtë jallane!?

 Nje poete e huaj shkruante e duke e shkruar e mendonte kështu kohë vdekjen e saj.Unë nuk jam kështu. Unë s’do të dua kurrë të mos të jetë kështu, edhe pse unë bisedoj me njerëz të tillë, çdo ditë dhe unë nuk them asgjë e pse, kjo më bën mua të ndjehem e vështirë….

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ali Asllani, Gezim Llojdia

TË JESH I KTHJELLËT EDHE NË KOHË PANDEMIE

August 27, 2020 by dgreca

Shkruan: GJOKË DABAJ-Tek po lexoja librin më të fundit të Agim Vincës “Ditari i pandemisë”, nuk di pse po më rrinte mendja te kthjelltësia mendore e njeriut. Agim Vinca ka qenë një ndër më të kthjelltët intelektualë shqiptarë të brezit tonë, në të gjitha fazat (etapat), në të cilat na ra shorti të jetojmë. Dhe, s’kemi kaluar pak prova. Kemi kaluar shumë prova. 

Ç’qëndrim duhej mbajtur ndaj Jugosllavisë titiste, pushtuese, sunduese, në jo më pak se gjysmën e atdheut tonë, duke qenë edhe vetë pjesë e asaj gjysme?! S’ka qenë aspak e lehtë ta pozicionoje veten në krahun e duhur dhe të mundoheshe të bëje jetë disi normale.

Ç’qëndrim duhej mbajtur ndaj atij që shqiptarët e përtejkufirit e quanin shteti amë, të cilin në atë kohë e qeveriste Enver Hoxha?! Kundër Enver Hoxhës botoheshin në Beograd me tonelata libra. A duhej edhe shqiptarët të bashkoheshin me Beogradin në qëndrimin ndaj Enver Hoxhës?!

Vitet e riinstalimit të sistemit kapitalist në Jugosllavinë titiste, shoqëruar me shovinizëm nga më të shfrenuarit, ishin jo vetëm të vështirë për t’u përballuar shpirtërisht, por shoqëroheshin në çdo çast edhe me rrezik jete. Ku të futeshe, në kohën kur edhe fëmijët nëpër shkolla po i helmonin me mijëra?!

Cili duhej të ishte qëndrimi, jo vetëm i një pjese të intelektualëvet tanë, por i krejt inteligjencës sonë, në vitet kur në Republikën e Shqipërisë ndodhën ndryshimet sistemorë? Për fat të keq, ndryshime ekonomi-shkatërrues dhe popull-largues, në vend që të ishin: ndërtues, përmirësues dhe zbukurues të jetës sonë!

Erdhi, në po këta vite, koha e kërkimit të pavarësisë për ato pjesë të Shqipërisë që i kish mbajtur Jugosllavia më se njëqind vjet. A do të realizohej pavarësia me “politikë paqësore”, apo me armë lufte?! As Sllovenia e Kroacia nuk e kishin përzënë dot Sërbinë pa mitraloza e pa topa!

Agim Vinca, njëri nga intelektualët më kontribues të kohës sonë, në të gjitha këto situata, aspak të lehta, as për t’u konceptuar e le më për t’u përballur me ‘to, ka mbajtur qëndrimin që duhej.

Tani, na zuri edhe pandemia. Pandemi e shumëfishtë. Sëmundja, nga e cila po kërcënohet krejt planeti, është e rrezikshme, por edhe situata politke në mbarë kombin shqiptar është tejet e ndërlikuar. Bir Selmani nënës, kë të qaj më parë! Ka mbetur ndër ne kjo shprehje, e cila, me sa duket, është edhe pasqyrë e historisë sonë. A të mendojmë për Anamoravën?! A të mendojmë për Sanxhakun, Rozhajën, Tivarin, Manastirin dhe Ohrin?! (Ah, “Sazet e Ohrit”, me tekst të Agim Vincës, kompozuar nga Ilir Shaqiri dhe kënduar nga Selvete Bajrami! (faqe56) Apo të mendojmë për gjysmën e Shqipërisë Jugore (Çamërinë, Konicën, Kosturin), që dita-ditës po na greqizohet?! Po greqizohet ajo, por po rrëzikohen për t’u greqëruar (dreqëruar) edhe Gjirokastra, Përmeti e Korça! 

Të mendojmë për të gjitha këto, apo të përqëndrohemi te Republika e Kosovës, te rrezikimi i saj nga një ricopëtim mirëfilli kanceroz?! “Shko e ngrije flamurin në Vlladimir!”, i thotë Hashim Thaçi Albin Kurtit. (faqe 42-43)

Në Republikën e Kosovës, për çudinë të paktën të atyre që nuk shikojnë turbull, është Vetëvendosja ajo që po jep shenja se do t’i dalë zot si duhet asaj pjese të vendit tonë. Asnjëri nga të tjerët nuk po jep kurrfarë garancie. Agim Vinca, në këtë problem, është nga personalitetet tanë më të kthjellët dhe, në krejt këtë libër prej 300 faqesh, mban qartësisht anën e Albin Kurtit. 

Kur erdhi në pushtet, (“Njëqinditëshi”, faqe 221), sado që i detyruar të bënte koalicion me një parti, e cila udhëheqjen e kish dhe e ka negative, antikombëtare (me përjashtim të Vjosë Osmanit e ndonjë tjetri), Vetëvendosja arriti të bëjë disa punë të mira.

Mirëpo, nuk e lanë! Kush nuk e la?! Nuk po dimë. Kushdo që të jetë, u pa e po shihet qartë se nuk ua donte dhe nuk po ua do të mirën shqiptarëvet. Në mes të pandemisë së korona-virusit, në një kohë kur asnjë forcë politike, vërtet atdhetare, nuk do të ngutej për ta rrëzuar kundërshtarin politik, aleatja në qeverisje, nxitoi, u ngut dhe s’priti parë, për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Çdo gjë mund të ketë në të këtillë veprime, por atdhedashuri jo! Patriotizëm jo! Pala që e rrëzoi Qeverinë Kurti në këtë kohë sëmundjeje, nuk ka atdhedashuri! Nuk e do Kosovën!

A mund të ndodhë diku, në traditën pozitive shqiptare, në kohën kur një pjesëtar i familjes është në arkivol e të tjerë në rrëzik jete, të kërkojë dikush zëvendësimin e të zotit të shtëpisë? Është si është i zoti i shtëpisë, ai lihet deri sa të kalojë mordi. 

Si gjithmonë, Agim Vinca mban qëndrim të drejtë edhe ndaj këtyre problemeve, kaq shqetësues për krejt kombin tonë. Në faqen 65 ai njofton: “37 intelektualë botërorë publikuan një letër në mështetje të Albin Kurtit”.  

Letra u publikua, përkrahja e intelektualëvet progresistë botërorë erdhi, por ne, si komb, si tërësi kombëtare, a u treguam të mençur, kur i lejuam rrëzuesit e Qeverisë Kurti të uzurpojnë pushtetin?! Në vend që të tregohemi komb i mençur, lejuam që bota keqdashëse të tallet me ne. Pushtetarët sërbë po fërkojnë duart nga gëzimi se në Prishtinë po shkojnë punët ashtu si po duan ata.

Zhanri i ditarit i jep mundësi autorit ta shprehë kohën në të cilën jeton, si një fotograf, në mos edhe më mirë. Sepse nuk trillon asgjë. Shkruan atë çfarë ndien e çfarë sheh. Shkruan për veten, shkruan për familjen, shkruan për fqinjët e për të njohurit, por shkruan edhe për krejt botën. Ditar kanë mbajtur e mbajnë shumë njerëz, midis të cilëvet sidomos njerëz të mëdhenj. Ditar të rregullt po mban Rexhep Qosja, ditar ka mbajtur Haki Stërmilli. Më vonë, Enver Hoxha. Apo ditari i Ismail Kadaresë “Ra ky mort e u pamë” dhe ditari i polakut Vitold Gombrovic.

Por mua, ky Ditari i Agim Vincës po më ngjan pak me Ditarin e Ana Frankut. Ç’po bëjnë kështu me ne fuqitë e sotme të botës?! Pse nuk po e njeh Rusia Republikën e Kosovës?! Pse nuk po e njeh Kina Republikën e Kosovës? A kaq shumë po i rrezikokemi ne shqiptarët banorët e Moskës e të Pekinit?! A kaq të dëmshëm qenkemi ne shqiptarët për rusët dhe për kinezët, sa të na trajtojnë kështu edhe në kohën kur të gjithëvet po na rrezikon njësoj kovidi?!

Ku është humanizmi i pushtetarëvet të Evropës, që vetëm banorëvet shqiptarë të Republikës së Kosovës nuk po u japin të drejtë për të udhëtuar (apo edhe për të mos udhëtuar) si të gjithë popujvet të tjerë?! Në kohën e Ana Frankut hebrenjtë trajtoheshin si dele e zezë, e cila, o duhej therur, o duhej lënë të ngordhte me lemeri. Në kohën e Agim Vincës shqiptarët po trejtohen si dele e zezë. Të na vrasin, të na shpërngulin, të na dënojnë, sepse luftuam për të çliruar vendin tonë! Dhe varret masivë të rrimë duke i kërkuar brez pas brezi!

Duhej pa tjetër të ndërrohej Qeveria Kurti dhe të sillej aty një qeveri pa dinjitet! Duhej pa tjetër të çohej në gjyq presidenti! Duhet të thuren plane deri edhe për t’i lënë pa ujë shqiptarët, duke ia dhënë Sërbisë Ujmanin. Sërbët le t’i shesin mallrat e tyre nëpër Kosovë, si të duan! Shqiptarët të mos mund të udhëtojnë me pasaportat e veta as deri te farefisi në Preshevë!

Jo vetëm Rusia e Kina, por edhe dikush nga SHBA-ja po sillet me ne sikur të ishim ne prodhuesit e kovidit. “Grenelli cicëroi alaminutë nga Uashingtoni: Mezi pres ta vazhdoj punën me qeverinë e re”. (f. 280) Shkruan Agim Vinca… Por unë, Gj. D, po druhem shumë, mos po na punon ndonjë rreng ai Trumpi i Amerikës me këtë Hotin tonë. Po druhem, sepse ky Hot nuk i ngjan aspak atij Hotit tonë të dikurshëm që e kish emrin Dedë Gjo Lul.

Sa herë që lexon një ditar, varësisht nga mjeshtria e të shkruarit, njeriu, veç informacionit që merr, mbushet edhe me emocione. Por me “Ditarin e pandemisë” të Agim Vincës, lexuesi jo veç emocionohet, por edhe alarmohet, sado që autori është munduar të përdorë një stil të qetë. Revoltohet, jo aq për sëmundjen (sepse sëmundja “ka punën e vet”), por për punët e këqia që po ndodhin, si rrotull nesh, ashtu edhe brenda nesh. A do ta gjejmë dot një mënyrë, që shqiptarët, këndej e tutje, të mund t’ia ndërtojnë ndryshe historinë vetëvetes?! 

Për mbylljen e këtij ditari, Agimi ka zgjedhur një poezi të kilianit N. Parra: “Po t’i bëjmë mirë llogaritë, mbetet veç e nesërmja” (faqe 292).

…Agimi erdhi para dy ditësh te unë bashkë me Fluturën. Ndenjëm e biseduam disa orë. I thashë që e kisha lexuar “Ditarin” e tij dhe i tregova ç’kisha shkruar në fund: “Do të doja ta lexonte këtë libër edhe Fotinia. 1 gusht 2020”. Fotinia është shoqja ime e jetës, ndërsa ai ia ka kushtuar këtë libër shoqes së tij të jetës. Në këtë mënyrë, kisha menduar unë, dy familjet tona do të lidheshin më mirë. Por Agimi ma ktheu pak me zemrim: “Ti je i pari që ta kam dërguar këtë libër këtu në Republikën e Shqipërisë! Askujt tjetër s’ia kam dërguar para teje!” 

Dhe kjo do të thoshte që nuk mjafton vetëm Fotinia për ta lexuar. Duhet ta lexojnë sa më shumë shqiptarë, sepse vetëm ashtu do të mund të kuptojmë më mirë në ç’kohë po jetojmë.

27 gusht 2020                                                                        

Filed Under: LETERSI Tagged With: agim Vinca, Ditari i Pandemise

MË SHUMË SE POEZI Në ditëlindjen time

August 25, 2020 by dgreca

Nga Antologjia agimiane e poetit AGIM DESKU,/

MË SHUMË SE POEZI –

Në ditëlindjen time/

Më vijnë çdo çast urimet e më të mirëve/

Mezi presin të zbresin nga retë e shiut/

E besoj më sjellin ngrohtësinë e diellit /

Dhe me fjalët e bukura t’hyjnive arrijnë

Sot s’janë më mua mbretërit e pranverës

Dikush i bën sehirë botës me covid 19

Ndoshta pse sa herë u bëra kryeneç jete

I padëgjueshëm i pushteteve të shteteve

Kam mbetur peng i besës së burrit

Në një kohë kur s’dëgjohet ma burrënia

E kam pague shtrenjtë heshtjen e fjalës

Jetës ia shtova edhe një rebel ma shumë

E kam dashur veç jetën e luftëtarit të lirë

Dashurinë e vashës së tij e bëra varg t’jetës

Ç’m’u kujtue çlirmtarja që nuk fali tokë

Nuk do që varri i trimit të bëhet mish qeni

Sot në mua ndriçojnë agimet e shenjta

A kam jetë të shoh qytetin veç trëndafila

Pa re të zeza të shekujve që na mallkuan

Të rikthehen zanat e dashuria e shqipeve

25 gusht 2020 AGIM DESKU

From the Agimian Anthology of the poet AGIM DESKU

MORE THAN POETRY

On my birthday

The best wishes come to me every moment

Can’t wait to get down from the rain clouds

I believe they bring me the warmth of the sun

And with the beautiful words of the deities they arrive

Today the kings of spring are no longer with me

Someone looks of the world with covid 19

Maybe why every time I became haughty

Inaudible of the powers of states

I have remained hostage to my man’s trust

At a time when manhood is no longer heard

I paid dearly for the silence of the word

I added one more rebellion to my life

I just loved the life of the free fighter

I made the love of his daughter the vers of life

What do I remember about the liberator who didn’t forgive the land

She doesn’t want the tomb of the brave to become dog meat

Today the holy dawns shine in me

Do I have life to see the city except roses

No black clouds of the centuries that cursed us

To bring back the fairy and the love of eagles

25 August 2020 AGIM DESKU

Translated by 

Marjeta Shatro Rrapaj

Dall’Antologia Agimiane del poeta AGIM DESKU

PIÙ CHE POESIA

Per il mio compleanno

I migliori auguri mi vengono in ogni momento

Non vedo l’ora di scendere dalle nuvole di pioggia

Credo che mi portino il calore del sole

E con le belle parole delle divinità arrivano

Oggi i re della primavera non sono più con me

Qualcuno guarda al mondo con covid 19

Forse perché ogni volta sono diventato altezzoso

Inudibile dei poteri degli stati

Sono rimasto ostaggio della fiducia del mio uomo

In un momento in cui la virilità non è più ascoltata

Ho pagato a caro prezzo il silenzio della parola

Ho aggiunto un’altra ribellione alla mia vita

Ho adorato la vita del combattente libero

Ho reso l’amore di sua figlia il verso della vita

Cosa ricordo del liberatore che non ha perdonato la terra

Non vuole che la tomba dei coraggiosi diventi carne di cane

Oggi le sante albe brillano in me

Ho la vita per vedere la città tranne le rose

Nessuna nuvola nera dei secoli che ci ha maledetti

Per riportare la fata e l’amore delle aquile

25 agosto 2020 AGIM DESKU

Tradotto da

Marjeta Shatro Rrapa

NË ANËN TJETËR TË DIELLIT

E njëjta flakë ma dogji fjalën n’shpirt

Nëse ndonjëherë e kam urrye botën e lirë

Anës tjetër të diellit dua t’i vëjë pik

Njeri duhet të digjet

Unë apo fjala e mirë

Urreva pse nuk i ngjava Jan Pallahut 

Kur n’shesh t’qytetit u dogj për lirinë

Sonte seç më mungon gjuha e Naimit

Të digjem unë për atdheun e dashurinë

Ç’më mungon kënga e Mjedës për bilbilin

Kur jam larg teje me vargje dua të ju flas

Dua të çmallëm deri në qiell të bërtas

Lahuta e Fishtës ç’më del para orë e çast

I kam kërkue leje dritës së diellit

T`i dal n`ballë demonve t`marrëzisë

Sa herë shekujt në ferr më kanë lenë

Mos më u dallue nga fytyra e tradhtisë.

KOHË MASKASH

Për një çast takova ufot

Kohën ç’ma çmenden maskarenjtë

Apokalipsat u mbyllën n’maska

Askush nuk i çahet së vërtetës

Kohës sime i duhesh sot o kurrë

Për ta gjetur një fjalë të pathënë

Një varg që aty ti më rri si mbretëreshë

E dimë kush e sjelli kohën e maskave

Ç’faj më ka e bukura e detit

Për mëkatet e fundosjes së Titaniku

S’kam për t’i harrue simfonitë e Betovenit

Edhe nëse bajlozët më thyen n’shpirt

Do vetvritet një ditë koha e maskarenjve

Lum ai kush jeton n’kohë pa maska

Dashuritë i falën për brezat e lirisë

Në këtë kohë maskash 

E desha një varg a fjalë shpirti

Edhe nëse më deh a më bën t’krisur

Sonte njëqind lutje ia bëra shiut

Të mos më sjellë stuhi t’çmendura

Mjaft i kam përmbi retë korbiane

Nuk njohin zotëra as jetë trëndafilash.

TEK VERRAT E LLUKËS

(Prof.Anton Çetës dhe Zekria Canës)

Atë ditë ishte e vërtetë së isha vet aty 

Bashku me pesëqind mijë tëtë motra e falën gjakun

Të vetmit vëlla të vrarë nga dora vëllavrasëse

Ia falën Anton Çetës

Atë ditë ishte ditë e vërtetë

Verrat e Llukës sërish u bënë Shqipni

Edhe pse plumba çetnikësh kishim përmbi

Atë ditë jeta ishte lojë teatri

Luhej tragjedia milionshe 

As vdekja s’kishte ma rëndësi

Së sa një copë toke e lirë

Atë ditë zbriten zotnat në tokë

Edhe ëndërrat i ëndërronim veç liri

Aty falej gjaku për Shqipninë 

Nën rrjedhjen e lotëve të profesorit

U bashkuam në një fjalë atdheu

Atë ditë u bëmë besnik me njeri-tjetrin

Nga ajo ditë e paharruar kaluan tridhjetë vite të besës

Vallë a na ngriti lart ajo ditë

A i qëndruam besnik fjalës atdhe

A humben tradhtarët a jetojnë ende

Nëse janë mbështjellur në fytyra demonësh

Perandorët a ikën nga këto anë

Apo sërish nga të vdekurit krijuan të gjallë

Sot e për mot i kujtoj Verrat e Llukës

Janë historia e bashkimit shpirtëror 

Atë ditë tërë shqiptarët ishin aty

Në çdo përvjetor nga një pemë ta mbjellim

Ku nesër brezat le të pushojnë aty të bashkuar.

GURI I DESKUT

Të kam rujtë në Ashtin e birit tim

Në sytë e tij të kam ëndrrue të lirë

Gati u verbova duke të kërkue mbi re

Më u ba burrë nëse kaloj kufirin i gjallë

Më ndaluan të kaloj nëpër Çafë Thanë 

As më pa së çfarë ka në zemër të nanës

As më u ç’mall pak n’dritë të llambës

Pa guxue besa n’beteja përballë me dalë

Për këtë gur kam qajtë me ditë të tanë

Këtu pushoinë rrënjët e mia migjeniane

Dhe mu në Pukë më rri ashti im i vjetër 

Pikërisht aty më ruhet e gjallë historia 

Tani që e di së ku e kam Gurin e Deskut 

Këtë të vertetë ta shënoj në ditar të jetës

Të pi për Qafë Thanë e të bëhem lumë 

S’dua më të dëgjoj fjalë që nuk i lanë deti.

Çdo hërë koha ka qenē për më u ba burrë

Dje s’kishim kohë pse ishim nën okupim

Kush na ka faj pse s’jemi luftëtarë t’gjallë

Si Gjergji e bac Ademi brez pas brezi.

18 qershor 2020 @gim DESKU

Në foto Guri i Deskut-Pukë

PUSHTETI I FJALËS

Ka vite që në ëndërr më rri Lordi Bajron

Vitet më të bukura ia kushtova fjalës

E pysja veten në cilën kohë t’jetoja

Një kohë u bëra kopshti i trëndafilave

Ju rrefeva tokës së do rri me besën

Së luftëtarët s’kanë pushtet të urryer

As poetët nuk dinë së ka vdekje diku

Sot ngritni gotën me njeriun e zemës

Pushtetët sa vijnë ,ndërrohen e shkojnë

Në sytë e popullit lum ai që me nder jeton

Ishte porosia e mikut tim luftëtar i lirisë

Asnjë tradhti njeriut që sot vdes për ty

Tani e di ku jeton e bukura e detit

Diellin do e kaloj edhe nëse flakë bëhem

Sot të jetohet si poet veç yjet e dinë

Këngës korbiane mjerisht disa ju prijnë.

SATELITËT

Satelitët s’kanë kohë të sillën rreth botës

T’rrotullohen rreth meje thot babai Zenun

Pa frikë thoshte se bota e vertet jam unë

I kam parë tek fluturonin me vet ufot

Thonë të sakrifikohen për diçka t’shejtë

E duan lirinë veç për fëmijë të lagjes t’vet

Të fluturojnë qiellit kanë frikë të digjen

N’ditaret e mbrëmjes janë lajme t’veçanta

Tani bota i ka hedhur satelitët në gjithësi

Nei kemi hedhur t’i gjujmë shtrigat n’liri

Njeriu sot jeton si fytyrë bardhë a i zi

Lgjet e fizikës na i humben ato të traditës

Mbretëri e tokës të mbesim u sakrifikuan

Edhe detin e bëmë me dhembje Titaniku

Nga çfarë ngjajmë ma askush nuk e di

Ishte natë kur kafshuam mollën e Adamit

Nuk u skuqem se ishim kalorës Venediku

S’di çfarë dhembje rrinte nën Titanikun

Zanat për një çast gjetën portën e ikjes

Mbetëmnë shoqëri me orët e liga.

SHQIP T’BËRTAS 

A m’i huazon motër nëntë plagët e Gjergjit

Të ngritëm shkallëve për tek dielli

E di se kush më rri në atë pjesë t’botës

Të rr lart o të mbytëm në fundin e gotës

Mos u merakos për flakën nëse na djeg 

Asnjë fuqi e stuhive s’ka për të na rrxue

Të bërtas sa n’qiell yjet më u ba bashkë

Pesë shekujt e ferrit n’dhe kam më i palue

Edhe ëndrrat kam në det më i gjue

Veç kujtimet n’dry më duhet më i lanë

Nëse sërish lind n’këto troje ndonjë zanë

Besë atdheu e fjalë hyjnish kam më i dhanë

Kam më të bërtit shqip si dragua

T’shoh luftëtare si e shuan etjen n’krua

Ah sa mirë e ruan besën e Konstadinit

E mbështjell me fjalë e trëndafila të prillit

Të bërtas më shumë se Erna s’kam fuqi

Në varg poeti si s’kllav më më qef rri

T’i them diellit digje atë botë të mëkatit

Mëkat që ia ndave në dysh dashninë fatit.

ÇFARË GOTË TË NGRITI

Sot s’di çfarë gote të ngriti

Mendova një gotë verë për Çamëri

Një për Preshevë e Malësì

Për Mitrovicën e harruar do të dehëm

Në gotën time s’ka verë as raki

E kanë mbushur dhembje e mërzi

Bota s’çanë kokën nëse unë kam plagë

Çmendem a festoj për të është njëjtë

Gotës i paskan hedhur veç pak plagë

T’i dyfishoj plagët që s’kanë shërim

Si ta ngriti këtë gotë t’thyer copë e grimë

Seç i ngjanë atdheut jeta e poetit të lire

I kërkova gotës të mos mbushët çmendi

Edhe pse nuk do të jetohet pa këtë “liri”

T’i kisha grushtat e Migjenit e fuqinë e Prometheut

Valë deti t’i bëja dhembjet tua atdheut

Më duhet të qëndroj e të bëhem Promethe

Ikja s’më ngjanë në burrëninë time

Veç dashnia që mbajnë shqipet në gji

Më mbushin gotën e më falin liri.

MË PËRVLOVE MITROVICA IME

M’i ka ngja nuses dikur kur ka gatue mirë

Verës kur ma ka sjellë bukën 

Në arë veshur me ar dhe e lire

Në të mbjella e në të korra 

Fare pa u lodhë hiq

E di zemra e saj 

Kur kalonte Ibrin përtej

Sa herë ia kanë la e fshi magjen e bukës

Drita e minatorit ia ka rritë lulet e prillit

Fjalë t’zezë askush s’ka mujt më ia qitë

Në Mona Liza të kam krahasue çdo ditë

M’i ke ngja luftëtarit t’pushkës e penës

Duhet të qëndrosh për t’bërë sakrficë nënës

Për nënën që të rriti e s’di a jeton ma

E tretën larg 

Kur na ndanë e na vranë

Sot jetoj në qytetin pa emër t’bashkuar

Afër urës pres Prometheun e bekuar

Një si Isa Buletini 

Kur e ndihmoj Pavarësinë

Dikur Mitrovica ishte krenare

Për tërë Shqipërinë.

REGJIMET

Regjimet nuk i kupton mendja 

Këtë fjalë nuk ta do as zemra

Pesë shekuj ka pasur regjime kjo tokë

As edhe një nuk e mundi këtë botë

Të gjitha e kanë të shkruar të pësojnë

Të vetmuar ferrin nëse do e përballojnë

Veç populli të bukurën ka më e gëzue

Regjimet si erdhen kanë më përfundue

Shtrenjtë mëkatet do t’i paguajnë

Historia nuk i harron këta demonë

Veç para ferrit populli do t’i gjykon.

NË ÇMENDURI KAFSHIMI

I kemi kafshue mollat e ndalueme 

Kur faqja e hidhur e historisë sime

U bë sy i vërbuar i Portës se Jelisesë

Në Shen Stefan u çmenden shekujt 

Heronjtë mbeten peng të lirisë

Si s’më lanë as pak tokë të pandarë

Sa të pushoj pak në Kopshtin e Edenit

E di si të jetohet në teatrin lakuriq 

I urryer edhe nga dehja e vetvetes

Jam thyer nga qëndrimi im burrënor

Më mirë të bëhem kalorës venedikian

I dashur për puthjet që engjëjt na i falin

Më kanë qujtur palaço disa të pa fytyrë

Pse e rujta fjalën në muzeun e zemrës

Çmendurisht kohët luftojnë për të më urryer

Diellit i bëj lutje dritën kurrë mos ma ndal

Po nuki pashë yjet herët çdo mëngjes

Për heroinën e luftës jam gati të vdes

Kanë vërshue lumenjt në sytë e tu Erna

Më kanë pushtue thellësitë e Titanikut

Më urrejnë pse fjalës i qëndroj n’besë t’ mikut.

Po ia kthej tokës borxhin që më fali për yjet

T’i them diellit të mos ma fikë dritën veç sonte

Edhe unë të digjem siç është bërë hi bac Ademi 

E di se nëse ulëm këmbëkryq Natën e Zjarreve

Plisin e Gjergjit do ta shohesh në kokën e Prometheut.

HOMAZH FJALËS 

-Vëllait 

E di çfarë më thonë miqt e fjalës

Kur i pyes për fjalën e bukur

E them nga shpirti i plastë 

Se s’ka si fjala e shejtë vëlla

Edhe nëse e shkel fundin e botës

Edhe po hyre thellësive titanikiane

Fjalë të dhembjes e më plagë gjen

S’gjen si të vëllait dhe mikut të shejtë 

Nëpër shekuj fjala s’di a na ka besue

A ka folë ndonjëherë gjuhën tonë

Kur i jemi betue në dhembje të vëllait

Kurrë mikun mos më e tradhëtue

Nuk i harrova kurrë plagët e luftës

Ndoshta kam arsye sot të festoj

Fitoret e luftës në ditar po t’i numëroj

Vëlla nuk të harroj jeta e bukur

Ia dole t’i mund Apokalipsat e ferrit.

PSE SHKRUAJ

Shkruaj se e di se ju duhet miqve një fjalë

Ajo e bukura t’i mbanë në jetë të gjallë

Kam më shkrue për yjet që më s’janë vet 

Mbi re ka kohë që kanë ba shoqëri të re

Më duhet të shkruaj për t’ia kujtuar vetes 

Se dikur isha pesë shekuj i robëruar

Për besë fjalën e kisha të trashëguar

Për këtë flasin lapidarët nëper secilin lokalitet

Për të bukurën ec e mos e thuaj një fjalë

Kur rri me ty dhe të shndërron në hyjni

Shumë kam për të shkrue për të vërtetën

Nëse nga aty kam liri të flas për jetën

Edhe çfarë më thot luftëtarja të shkruaj

Lirinë e trimit në teater e do ta ruaj

S’ka frikë nga dhembja e as nga shembja

Demonët e atdheut i di me emra

S’dua të shkruaj për urrejtjen asnjë fjalë

Ah sikur të ishte kjo e keqe veç përrallë

Të shkruj për hyjnitë kur të falin dritë

Buzëqeshja e tyre çdo ditë lart të ngritë

Të gjithë shkruajnë për rrënjët e Gjergjit 

Por unë shkruaj të mos na marrin ca të huaj

Ec e mos shkruaj për këtë popull më gjuhë të Zotit

Mjerisht i ndarë në copa të Evropës

Ca në Anadoll e ca në botë si robot

Shkruaj edhe për motrën bije e konakut

Kur vjen të vëllai pimë kafe buzë oxhakut

Dritën e diellit nga larg ajo ma sjellë

Për të trëndafilat më të bukur unë i mbjelli.

PIKTURË

-Artit të jetës

Kam më ju besue syve veç sot

Kur e preka me dorë pikturën

Prita të më flet një fjalë

Përballë meje më rri e gjallë

I besoj së i merr lutjet e mia

Me vite i kam rujtë më ia thënë sot

Me gotën e ngritur ta përqafoj nga lart

Syrit i duhet vetëm arti kur fal art

Kur e shoh artin e bukur në pikturë

A ka fjalë ma të bukur për këtë burrë

Arti i jetës është mbështjellur me flamur

Mbi heronjtë e Shqipnisë me brushë rri

Nga zemra ju thur hymne dhe lavdi

Luftëtarët e Gjergjit bëjnë dritë e hieshi

Nga yjet i merr engjëjt për t’i bërë katër sy

Vet bëhet dhembje që botës t’i fal liri.

KURRË MA MOISI

Moisi 

Mendova së të vdiç koha 

Në betejat e Gjergjit 

Jeta a ishte edhe vdekje 

Edhe  liri

Të paskan pritur nga të katër anët

Më mirë më bën vdekja 

Se sa ti të ringjallësh

Si nuk të munden as pesë shekuj të ferrit

Sërish të panë në fytyra demonësh

Mezi pritët të vini bashkë me perandorët

Më i ngjyros lulet e Shqipnisë me të zezë

Jo s’kthehesh ma Moisi me fytyrën që ke

Kësaj toke ia vëre vulën e tradhtisë

S’të ka hije rizgjimi nga bota e ferrit

Mjaft bartëm mbi supe shekujt e tmerrit

Moisi ma s’ma kap mendja të rri me ty

Veç nëse shuhen zjarret prekaziane

Bota të ka zgjedhur për Hamlet të ri

E di unë cili ngjajmë në korb të zi.

KUR THËRRET ÇABRATI

Kodër e skuqur dje

E thirr më ka sa herë shikoja diellin

e agimit mëngjesor

Pranvrat e mia t’i di ku i kam

Një hap larg të kisha Shqipni

Me sy të vërbër të shihja mirë ty

Të ledhatoja më shumë së një fëmijë 

i mbrëmjeve djaloshare

Veç në zemër të këndoja vet me vete

Kisha frikë për emrin tënd të lirisë

Sa për vete s’bëhej fjalë

Me ferr se ferri jetohej veç në përrallë

Mbrëmjet e Çabratit më falën një këngë

Edhe sot e ruaj pse nuk jetova në atdhe të huaj

Me Selmanin ,Ibrahimin dhe Ragipin

Ishim dëshmitarë të farës se keqe hijenash

Poezi studenti tha baca Xhafer 

Ikën të paftuarit e ftuar dhe u vetëvranë

Dhe ne sërish u burgosëm për t’u ringjallë fjala

Dymbëshjetë vite ma burgosen mikun tim 

studentin Bajram Gashi

Pesëdhjetë vite sërish në burg

Populli im i mirë

Deri më 1999 s’kisha guxim të vizitoja Gjakovën krenare

E them nga plagët e Çabratit

Kurrë mos dëgjofsha tradhti për kombin

Të jetoj poezia e Yllka Domit dhe lulet të çelin 

Më herët se në çdo pranverë në Çabrat.

E kujtova vitin 1988/89 si student në Gjakovë

RRI

-Ku është më e mirë balta së mjalta

-Rri për fëmijët me plis mbi ballë

-Ri për ëngjëjt që jetojnë me yjet e gjithësisë

Nuk di ku ndalëm sot as kohën për të cilën flas

Jetoj në një kohë të pa kohë

Kur veç shqip më vie të bërtas

M’u kanë përzi kohët

Njërëzit s’ka kush t’i njoh

Çudi se si jam gjallë dhe unë

Çdo ditë demonët më duhet t’i shoh

Të iku nuk është burrëni

Të rri nuk është trimëri

Çfarë t’i bëj vetes

Më mësoni se vet nuk di

Për ikjen thuhet se është tradhti

Në fuqi Prometheu të ngritëm

Ku ta marr këtë mder të atdheut

Apo të mbetëm gjithmonë fëmijë

Më u shndërrue në 54 liritë prekaziane

Në vëllazëritë e Medvegjës e në Malësi

Më e kujtue si ka mbetë Shqipnia e ndarë

Me qëndrue si brezat e mi është burrëni

Rri për fëmijët me plis mbi ballë

Rri të ju tregoj brezave për çdo luftëtar

Rrri të ju shkruaj epitafet e lavdisë

Rri se ata na e shkruan këngën e lirisë

Rri për nipër e mbesa të Shqipnisë

Rri për engjëjt që jetojnë me yjet e gjithësisë

Rri ta mbroj pa e shitur tokën e Dardanisë

Rri aty ku është më e mirë balta se mjalta.

S’NJEH KUFI PENA IME

Ecën drejt

As majtas as djathtas

Kurrë pa u ndalë 

As në metreot 

e pritjeve të udhëtarëve

S’njohim kufi as perëndi

Miq krijuam të bardhë e të zi

Jo demonë as perandor të ri

Para mëngjëseve 

Më zgjojnë ëndrrat

Deri sa në gjumë fjala rri

Nuk fshehem në majën e penës

E ndjej ngrohtësinë e diellit 

Kur jemi bashkë

Dashuri i bëhem vargut të saj

Ndaloj lumin e dhembjeve 

Për në det

Populli im çdo ditë më bëhet penë

Për t’i shërue plagët titanikiane 

Dhe ecën pena

mes përmes zjarreve prekaziane

Dhe as në liri s’ka kush që e ndalon 

Pranë lapidarëve ulët 

Flet me luftëtarët e rënë

I pyet 

Cila dashuri më shumë ju dhemb

Cilën e latë për këtë vend peng.

KUJTESË

Vrapojnë të rriturit anës detit

për ta gjetur fundin e botës

E harrojnë kokën peng 

Diku të lenë shkret

S’ka kthim mbrapa 

se e humbin burrërinë

Gabim i perëndive 

nëse ia njohin fuqinë Apokalipsit

Harruan për betejat 

i fituan ata që u flijuan

Çfarë do bëjnë të gjallët 

një ditë do ta humbin lavdinë

Askush askujt s’mund të ia merr krenarinë

Mos i mbyllni portat e lirisë 

Edhe nëse kthejnë hanibalët ante portas

Me plagët e atdheut dikush po jeton gjatë

Duhet shëmb botën e kujtesës

Sa nuk nuk na ka zënë mallkimi i luftëtarëve

Kujtimet po m’i varrosin sërish Apokalipsat

Hyra shtatë pash në dhe veç t’i rri peng fjalës

Në këtë kohë të lirisë e thua ti veç në ëndrra

A i thuhet i lirë popullit kur i ndahet zemra.

S H Q I P Ë R I

Dikur ke qenë zonjë e madhe 

Hartat të flasin vet

E gjatë dhe e shejtë

E bukur si një sorkadhe

Asush s`mundi të duroj më shumë se ti

Pesë shekuj ferri pa asnjë ditë liri

Me plisin në kokë të njohen për Shqipëri

Kishe djemë të bukur e vajshëza hyjri

E di kush të ndau dhe askush nuk të çau

Nga Evropa dalloheshe për mbretëreshë

me fytyrën e Gjergjit shquheshe për timëreshë

Sot më thuaj Shqipëri sa e vogël ke mbetë

Në grusht të dorës të mbajnë tre a katër vetë

Kështu nuk mundem të jetojmë unë e ti

Veç të bashkuar si në këtë hartë 

kur ishim mbretëri.

ITAKË PO MOS ISHE TI

Vitet i kam dëshmitare 

Kur jam nisur më të pa

Itaka ime

Me vete mora pije 

Jo për t’u dehur

Verë Çamërie 

E di se do të gjeja aty

Të kam lexue në Iliadë 

E di ku je

Arenë luftëtarësh pellazgë ke qëndue

E vërbuan Homerin  asgjë mos me tregue

Kur 16 shekuj para Krishti 

Tanagra shqip Homerit i ka besue

Me tërë fuqinë sot kam me të përmbëledhë

E në vargun tim kam më të hedhë

Itakē po mos të ishe ti dje

As unë për ty nuk i kisha nisë këto vargje 

Perënditë janë fajtore kur thanë 

Se Itaka nuk ekziston

Bota u vërbue bashkë me Homerin

Popullin tim ma zhdukën nga harta pellazge

Pesë shekuj na detyruan të jetomjmë ferrit të Dantes

Për ty lindnim betejave të pafundme 

Si Korife sërish zgjoheshim edhe ma të fortë 

Në Promethe.

Ps-Tanagra ka jetue 16 shekuj para Krishti dhe ka fol shqip,80 km afër Athinës ka jetue.Shih Naim Lacej -“Tangara “Shkodër 2013

MË DUHESH CEZAR NË 952 KAFKAT E ÇELE KALASË

Më duhet sonte patjetër fluturimi yt

Për ta nxjerrë fytyrën time ferrit t’Dantes 

Unë e toka kemi plagë shpirti

Sonte kutinë e Pandorës do ta hapim

Askujt nuk ia la dashninë e Ajkunës

Të ma merr nëpër këmbë

Edhe nëse janë zotna të qiellit e të tokës

Luftëtri i shtatë brezave të lirisë dikur isha 

Merrni nga unë çfarë do që ferri më kërkon

Betejat i ndajë veç me dashuri luftëtarësh

Edhe nëse më ofrohet Kopshti i Edenit

Nuk e dua as guximin e kalorësit venedikian

Çfarë u bë kur mbeta peng i fjalës 

Në çmenduri thonë nuk i duhesh botës

Asnjë perëndi sot fjalën time më nuk e kanë

Më duhesh Cezar sonte t’i kujtoj këngët e Homerit

Ato që i ringjallin betejat për Trojën 

Njëmijë herë i kam numrue 952 kafkat e Çele Kalasë

Asnjëherë dhembjen askush s’ma mori për këto plagë.

PS-Çele-Kalanë e ndërtuan turqit me 952 kafka shqiptarësh në Nish! 

Filed Under: LETERSI Tagged With: agimiane, Antologjia, e poetit AGIM DESKU

DËSHMORI

August 23, 2020 by dgreca

Nga Memisha Gjonzeneli-ÇIKAGO-

Kisha pak vite që pata ardhur në Amerikë. Si fillim, çdo gjë ishte e vështirë: Pa gjuhë  dhe pa miq e shokë, si isha mësuar unë. Kështu që shpirtërisht isha për toke. Pushim beja vetëm të dielën. Për çdo të diel unë shkoja te një lokal që kishte Shqiptar  dhe pinim kafe. Lokali qe afër shtëpisë. Ai ishte në rrugën Montros dhe Linkoln, në një kënd. Dola nga shtëpia dhe po veja te lokali. Sa u afrova nja 100 metra larg, pash një lokal tjetër, u bëra kureshtar  dhe shkova atje. Hyra brenda. Nuk kishte njërës, po vetëm një tavolinë, ku dy vetë po loznin shah dhe nja tre të tjerë, po shikonin. Mua më ka pëlqyer gjithë jetës loja e shahut, ndaj shkova drejt tavolinës dhe u ula. Në këtë kohë vjen i zoti lokalit dhe më pyet se çfarë  do pija? Unë i thash nuk dua gjë. E po duhet të dalsh jashtë zoteni, tha ai, si me të qeshur. Pa lexoje, se çfarë thotë ajo letra e varur: “Duhet të konsumosh minimum me shumë se dy dollarë”. Atëherë  më sill  një birrë.

Në tavolinën që loznin shah ishin ulur edhe tre vetë, që shikonin. Kur pash si loznin e kuptova që nuk ishin lojtarë të mirë. E mbaruan lojën. Njeri nga ata që ishte ulur, më ftoj të lozja me të. Pranova. Ai lokal ishte i Boshnjakve. Ai që më ftoj të lozja ishte vëllai i të zotit të lokalit. Para se të fillonim lojën ai u prezantua: Më quajnë Iljas dhe jam nga Bosnja. Dhe unë jam Shqiptar, me quajnë Memo. Ai u gëzua, se nuk kishte njërës të tjerë në lokal, kështu që dhe vëllai tjetër erdhi dhe u ul dhe po shikonte lojën.  Iljazi lozte mirë shah. Ai ishte shumë i kujdesshëm. Lojën e parë e munda, u ndamë me një ushtar, pra loja qe e fortë. Loja e dytë doli barazim, të tretën, unë që në fillim kalova në avantazh dhe e fitova krejt lojën. Ai donte të lozte akoma, po unë nuk pranova. Ai u mërzit pak, po pastaj u qetësua.  Merr diçka për të pirë, më tha. Merrni nga një birr, tha i vëllai. Kështu që u miqësuam me Iljazin. Kur do ikja: birrën e paguaj unë më tha Iljazi. Po ti, hajde sa herë të duash, je i mirë pritur, më thanë që të dy. Ishin njërës të mirë. Unë u thash u faleminderit, po unë punoj 6 ditë në javë, kështu që, vetëm të dielave mund të vijë. Kur të kesh kohë, hajde, më thanë njëzëri. 

Të dielën tjetër unë rishkova në atë lokal. Atë dite punonte Iljazi. Sa më pa mua, u gëzua dhe qeshi. Te tavolina shahut ishin nja 5veta. Dy loznin dhe tre shikonin. U ula dhe unë. Iljazi me solli një birrë dhe ma bëri me shenjë, që ata, nuk lozin mirë. Ngjitur me mua ishte ulur një burrë që të tërhiqte vëmendjen: Flokët i kish prerë  shkurt, si ushtarak , trupi mesatar muskulor dhe as me asnjë tule të tepërt. Dukej  sikur sapo kishte ardhur nga plazhi. Me moshë ishte afro 30 e ca vite, po nuk kuptohesh. Dukej më shumë si boksier. Ai nuk i ngriti sytë kur u ula unë, se shikonte me vëmendje lojën dhe  nuk i interesonte se çfarë ndodhte për rreth. Loja ishte në një pozicion, kur njeri do ta bënte mat tjetrin. Unë i fola: Mos, se je mat, i thashë, pastaj i kërkova të falur. Ai nuk e kishte pikasur fare, lëvizjen  që e bënte mat. Kur, erdhi Iljazi dhe ma bëri me shenjë që të mos flisja. Më së fundi ata e mbaruan lojën.

Djali, që ishte afër meje, ma bëri me shenjë që të loznim. Unë pranova. Ai nuk lozte mirë. E munda 3 me zero. Mendova se do mërzitej, po ai nuk e bëri veten  fare. Kur mbaroj loja po me shikonte me simpati.

Erdhi  Illjazi. Hajde më tha, se më ke mundur javën që kaloj. Mos u shqetëso, se do të të mund  edhe sot! Të shohim më tha, dhe vuri gurët. Loja përfundoj prapë 2 me 1, për mua. Illjazi u mërzit, se edhe punë nuk kishte. Kështu që u ul me njërin nga ata, të lozte.

Unë u ngrita për të ikur dhe po në atë kohë, u ngrit dhe ai djali që ishte afër meje. Kur vajtëm te dera, ai me pyeti:  Ke makinë? Jo i thash, si me keqardhje, po kam biçikletë. Dolëm jashtë. Më tha të njihemi: Mua me quajnë Luan dhe me zgjati  dorën.  Mua me quajnë Memo dhe i shtrëngova dorën, është kënaqësi i thashë. Edhe për mua tha ai.  Jam Shqiptar nga  Vlora! Ai për herë të parë  buzëqeshi: Qenkemi patriot,  më tha edhe, unë jam Shqiptar   dhe kam jetuar kohë në Vlorë. U ndamë. Javën tjetër unë shkova prapë në lokal. Ai, ishte te vendi i zakonshëm. Unë sa vajta i përshëndeta. Ai nuk ma ktheu mua përshëndetjen, po porositi dy birra, një për mua dhe një për vete. Mora birrën e ngrita dhe i thash gëzuar ai prapë nuk ma ktheu përshëndetjen. Atëherë unë e ula birrën dhe vura në tavolinë. Ai bëri sikur nuk e pa dhe vazhdoj të pinte. Ndenja dhe pak dhe u ngrita për të ikur. Ai për herë të parë u shqetësua dhe më hodhi dorën në shpatull dhe më tha: Të lutem mos ik! Më duhet të iki, i thashë:  Për të lozur nuk  po loz, muhabet nuk po bëj me njeri. Kështu që është më mirë të iki. Ai prapë më tha: Të lutem mos ik! Hajde ulemi te ajo tavolina tjetër dhe bëjmë muhabet. E po me që nuk njihemi dhe ke dëshirë po ulemi, i them unë dhe u ula. Po birrën nuk e mora me vete. Ai u kthye dhe e mori dhe kur u ulëm, e mori shishen e ngriti dhe tha: Gëzuar për gjithnjë! Unë ja ktheva: Gëzuar!

Ai ishte interesant: Kishte një zë të ëmbël, dhe shpesh fjalët i shoqëronte me buzëqeshje. Fliste pak. I ulem shishet në tavolinë. Po me hetonte me vëmendje sikur ishte hera e parë që po më shikonte. Pastaj  më tha: Do të lutem për diçka. Do ma bësh qejfin! Varet çfarë do më kërkosh, i them unë. Pak fjalë nga biografia jote! Ç’e do ti biografin time, i them unë. Të lutem ma bëj qejfin! Mirë, i them, po kam frikë se do mërzitesh! Ai prapë nguli këmbë, të lutem më tha, pastaj  çfarë bën kështu,  të gjithë njerëzit që takon u kërkon biografin, i them unë. Jo tha. po ti më dukesh i veçantë. Dhe unë nuk kam të njohur, veç ata me të cilët punoj. Ke qejf të marrim nga një konjak, ndofta na ndihmon. Dakord, porosita dy konjak.

Tani më dëgjo dhe mos më ndërpre: Kam lindur në Vlorë. Ishim tre motra dhe katër vëllezër. Në vitin 1944, në dhjetor, arrestojnë babin, si pjesëtar i Ballit Kombëtar dhe e dënuan, si fillim me vdekje, më vonë e bënë me 25 vite burg. Me shtëpi rrinim në Skelë, te godina e Anton Markut, ose si quhesh me vonë, Turizmi. Nëna u fut në punë në Ullishte. Kështu, të mbetur rrugëve,  7 fëmijë, e kishim të vështirë. Shpesh nuk hanim as dy vakte buke, më së shumti, thatë. Kuptohej që u edukuam me shoqërinë. Nëna vinte shumë e lodhur, dhe nuk mund të merrej me ne. Shtëpia jonë rrethohej nga tri anët me det. Veç xhadenë kishim para, që ishte tokë. Kështu që miku dhe shoku më i ngushtë për ne, ishte deti. Në vitin 1958 në 15 korrik arratiset vëllai i madh. Ishte ushtar, në Çukë të Sarandës dhe iku me not në Korfuz.  Mbas tre muajve mua më arrestojnë. Me që isha i vogël mora gjysmën e dënimit: U dënova12 dhe gjysma mbeti 6 vite, nga ato bëra 5 vite dhe u lirova. Kisha mësuar për saldator dhe ky profesion më ka mbajtur gjallë gjithë jetën. Në vitin1968 na internojnë. Mbas katër vite unë fillova punë prapë me montimin. Vëllain e vogël e futën dy herë në burg dhe bëri 20 vite: Dy herë nga 10 vite. Edhe vëllai më i madh u dënua 8 vite, se kishte sharë Partinë Komuniste. Në vitin 1990 erdhëm të tre vëllezërit me gjithë familjet, këtu në Amerikë. Dy, janë në Arizona, njeri, në Njuxhers dhe unë, këtu me ty. Punoj saldator tek një Grek. Fshiva sytë që më ishin mbushur me lot dhe po qeshja. Ai nuk kish lëvizur fare nga vendi. Sytë i kishte ngulur në një pikë dhe nuk po i hiqte. Kur i fola unë, ai gati u tremb dhe tha: Shumë interesante kjo biografi! 

Ndenja pak pastaj i thashë: Tani e ke radhën ti. Ndenji pak pastaj tha si i menduar: Besoj se për sot, kjo që tregove, është e mjaftueshme. E lemë për javën tjetër, se të them të vërteten, nuk jam përgatitur. Unë u ngrita për të ikur. Ai tha: Të kesh besim se javën tjetër unë do të të pres, po këtu.

Kaloj një javë. Gjithë java më kaloj në pritje se çfarë do më thoshte LUANI. 

Të dielën shkova atje, si zakonisht. I zoti i lokalit më përshëndeti dhe më pyeti: Do pish gjë? Më sill dy birra i them unë.

Unë e përshëndeta Luanin, ai ma ktheu si me përtesë: Memo, më ke future në mendime, me ato që me tregove dje. Nuk kam fjetur i qetë! Në ketë kohë erdhi birra. I zoti i lokalit mu drejtua  mua: Memo, si ja gjete çelësin këtij, duke treguar Luanin, që e bere të flasë. Ky, ka një muaj këtu, po me asnjë njeri nuk bën muhabet. Habitem që e shoh duke folur me ty. Kaq tha dhe u largua.

Morëm birrat, i thamë gëzuar njeri tjetrit dhe pimë. E di që mezi po pret, tha. Gjithnjë  kam menduar se unë jam më fatkeqi në dynja,  po paskam gabuar. Po kur të dëgjova ty, thashë me vete se paska dhe me keq…Tani me dëgjo: Nuk e di se kur kam lindur saktë. Por, si pas Shtëpisë së Fëmijës, kam lindur aty nga viti pesëdhjetë e ca. Jam rritur gjithë kohën në Shtëpinë e Fëmijës. E fundit që mbaj mend ishte Vlora dhe Tirana.  Kam plot  kujtime të bukura. Në Vlorë ne rrinim te konvikti,  karshi plazhit. Me mësime shkoja mirë. Po kisha  një teke, që të zihesha  me shokët, sidomos me më të rriturit. Po më shumë zihesha me vendasit.  Mbarova filloren  dhe fillova të mesmen. Isha në klasën e dytë  të shkollës së mesme. Tani  isha në Tiranë. Kisha dëgjuar se në Polici ishte një klasë që mësonin  mundjen sambo. Shkova , mezi m pranuan, sidomos kur morën vesh që isha nga shtëpia e fëmijës. E fillova klasën  me shumë pasion. Në fund të vitit, dola i dyti. Çdo mëngjes bëja fizkulturë në ballkon të fjetores, kështu që formova një trup  vetëm me muskuj.  E mbarova gjimnazin. Ata të jetimores më thanë nuk të mbulojmë dot për në Universitet. Në qoftë se do të shkosh në këto kurset një vjeçare, ne të qëndrojmë. Kalova një vit pa punë dhe pa shkollë. Shpesh shkoja dhe flija fshehur te shokët. Ata me mbanin dhe më ushqenin. Po erdhi koha që u mërzita me këtë lloj jete dhe mendova që të arratisem. Fillova të marr informacione të ndryshme për t’u arratisur. Një dite po rrija te lulishtja e Kalit të Skënderbeut. Kur vjen një burrë afro 50 vjeç dhe me ulet në stol. Në të vërtet nuk kishte stola bosh, dhe unë i thash  ulu. Ndenji nja 10 minuta pa folur, pastaj foli, nga t kemi më tha. I thash me përtesë: nga Vlora, po ti nga je, lere mos m pyet tani nuk di nga jam. Po pse i them unë, se me është mërzitur, jeta m tha. Nuk e pyeta më gjatë. Po pas pak  ai tha: Kam 15 ditë që kam dal nga burgu. Bëra 12 vite. Po çfarë kundërvajtje bëre, u bëra kureshtar. U arratisa në Jugosllavi! Dhe filloj të tregoj me hollësi si kishte ikur. Mirë po qentë Jugosllavë më dorëzuan. Unë bëra gabim të madh që u dorëzova, ata nuk më panë mua kur kalova kufirin. Unë vajta vet tek ata. Duhej të ikja, të mos  dorëzohesha. Po, të  ikja, të kaloja ose në Austri ose në Itali. Është fare kollaj nuk e ruajnë fare kufirin, kalon dhe kërkon azil politik. Unë e regjistrova këtë histori. Ndofta Zoti ma pruri pranë. Pas një jave unë kalova kufirin Shqiptar dhe u futa në Jugosllavi. Ika deri në mëngjes deri sa u gdhi, dhe u gjenda  afër një qyteti. U futa në qytet. Pash një lulishte ku kishte dhe stola dhe shkova u ula në një stol. Unë nuk bija në sy. Njësoj  ishim veshur. Pas nja dy ore sheshi po mbushej  me njërës. Kur dëgjova një djalë që po i fliste shqip një shoku. Ja vura syrin njërit prej atyre, që ishte dhe moshatar me mua. Kur mbeti vetëm unë u afrova si rastësisht . Kur ai me foli: Di të lozësh shah, më tha. Po. i them unë, po nuk loz dhe aq mirë, po s’ka gjë tha ai. Vumë gurët  dhe filluam lojën.  Ai fitoj 3 me 1, po patjetër që unë e lash edhe vet. Ai u gëzua dhe me tha hajde pimë ndonjë aranxhat. Me gjithë qejf i them unë, po nuk kam para. Hajde se kam unë, tha ai. I morëm pijet dhe u ulem në qoshe të parkut. Kur u binda se mund të ishte djalë i mirë e pyes: A ke besë Shqiptari? Po tha, unë jam nga Shqipëria, nga Berati. Atëherë shumë mirë i thashë: Kam nevojë për ndihmë . Sot kam ardhur nga Shqipëria. Dua të shkoj ne Itali, se këta kam frikë se më dorëzojnë. Jugosllavët nuk kanë besë. Ai u ngrit dhe më qafoj. Më dha pak para, bleu dhe pak ushqime dhe më tregoj me hollësi si të veproja. Para 10 ditëve unë përcolla një shokun tim. Do veja edhe unë me të, po pres të vijë nga Shqipëria, djali i xhaxhait.  Ndenjëm bashkë deri në darkë. Pastaj unë hipa në tren dhe zbrita afër kufirit. Aty kalova më këmbë dhe u dorëzova te posta Italiane në Trieste dhe kërkova strehim  politik. Në Itali më futën në një kamp me refugjatë. Kishin kaluar nja dy muaj në kampe. Një mbas dite shkova nga moli ku vinin anije nga shtete të ndryshëm. Ishte shumë bukur. Më ra në sy një anije jo shumë e madh po e bukur me një flamur të madh Amerikan. Menjëherë më vajti në mendje sikur të vete në Amerikë, kjo është  tamam ëndërr. Prita deri në darkë mos bëja ndonjë gjë, po prita kot. Të nesërmen që në mëngjes shkova te moli. Kur pash për së largu  që nga anija po zbrisnin dy marinarë. I ndoqa pas sa u larguan nga moli dhe u dola para. Ata u habite në fillim po nuk u trembën. U luta që të më ndihmonin të veja në Amerikë. Ata panë njeri tjetrin  dhe ranë dakord se çfarë të më thoshin mua. Hajde nesër në orën 9, po në këtë vend. Gjithë natën nuk bëra gjumë deri sa u gdhi. Të nesërmen që në 8 e gjysmë  unë isha te vendi. Kur plot në orën 9 ata erdhën. Më thanë: Folëm me kapitenin dhe ai pranoj. Më prunë dhe një palë pantallona dhe një bluze. Mbas darke, të jesh këtu më thanë, ne do vijmë me 3 ose 4 marinarë dhe do të marrim të të çojmë në anije. Mbas darke ata erdhën dhe unë i veshur, nuk dalloja nga ata, dukesha njësoj. Më dhanë dhe një ajdi. Kartë fotua më ngjante pak. E mësova përmend çfarë shkruhej  në të dhe pas dy orëve u futem në anije pa asnjë problem. Nuk para bënin kontroll të rreptë, sidomos te anijet Amerikane. Atje po na priste kapiteni. Kur më pa i pëlqeva nga fiziku. Deri sa të mërijmë në Amerikë ti do punosh këtu në anije. Pastaj më caktoj punën.  Puna ishte fare e lehtë, veç duhej kujdes. Kapiteni më dha dorën dhe  tha mirë se erdhe. Dhe iku. Anija  do shkonte në disa shtete pastaj do mërinte në Nevjork.  Gjithçka kaloj mirë,  veç  pati një incident të vogël: Një marinar  me orgjinë nga Meksika erdhi dhe me tha që të bëja edhe një punë që në të vërtet duhej ta bënte ai. Unë nuk flisja me njeri, me pune isha shumë korrekte dhe e kryeja shumë mirë. Kur u kthye meksikani e pa që puna e tij nuk ishte zënë me dorë dhe u nxeh. Ai ishte pak më i  gjatë se unë. Erdhi dhe më hodhi dorën në shpatull, të më tërhiqte me forcë te puna e tij. Por as ai nuk e kuptoj si u gjend në shesh: Një  këmbë ja kisha vënë në gjoks  dhe një krah të përkulur, gati në të thyer. Ai bërtiti i lemerisur, në çast erdhën marinarët dhe kapiteni kur e pan skenën po qeshnin. Kur një shok i tij erdhi të ma hiqte me forcë nga unë, duke  më shtyrë. Në moment edhe atë e shtriva mbi shokun. Të qeshurat u ndërprenë. Ndërhyri kapiteni. Unë i lëshova, ata u ngritën pak si të turpëruar. Si ishte puna tha kapiteni. Meksikani i tregoj kapitenit të vërteten, po tha nuk ma merrte mendja se do më gjente kështu. Kapiteni i pajtoi. Dhe as njeri nuk e zuri këtë ngjarje në goje. Veç kapiteni më tha një dite: Është mirë për ty, të rrish dhe të punosh këtu në anije. Unë ndenja afro një vit në atë anije. Të gjithë më donin dhe unë shpesh dilja me ta në tokë. Anglishten e mësova fare mirë. Kisha një memorie të fortë. U mërzita, kapiteni më kish shumë për zemër, por unë doja të ikja.

Kështu, kur anija jon u ankorua prapë në Njevnjuork, unë mblodha plaçkat në një thes plasmasi dhe në 12 të natës, u futa në ujë. Distanca nuk qe as më shumë se një mile. Dola në tokë. Tani unë dija çdo gjë për jetën Amerikane. Para kisha plot. Ika nja gjysme  ore më këmbë, kur erdhi një autobus,  hipa në të. Zbrita në Manhaten. Shkova te një festfude dhe hëngra bukë, kalova te një urë,  pash që po flinin nën të.  Gjeta dhe unë një vend dhe u shtriva. Në mëngjes u ngrita me qejf dhe fillova të bridhja, po thuaj isha në qendër. Kur fati dhe rastësia më ndihmuan. Dëgjova një burrë që i foli shokut shqip. Me një herë ju afrova, e i them të lutem mos je gjë Shqiptar. Po tha ai jam Shqiptar prej Ulqini. Të lutem mund të më ndihmosh, se kam nevojë. Posi jo, po te mundem,  tha ai. Atëherë i tregova pak historinë time, si kisha ardhur në Amerikë. Në këtë kohë erdhi  dhe shoku që fliste me t dhe pyeti mos keni ndonjë problem. Jo i tha shoku.  Ky vëllai jon sot ka mërit në Amerikë, dhe po na kërkon ndihmë. Mirë se erdhe me tha ai, të priftë e mbara. Çfarë pune di të besh, më pyeti njeri  nga ata. Çdo pune, tani sa për fillim. Ju lutem me tregoni si fillohet. Ne fillim duhet të gjesh banesë me fjet, pastaj të gjesh punë. Më fal, tha ai që erdhi, ku fjete mbrëmë. Unë erdha natën, po nja katër apo pesë orë, fjeta në një urë. Atje flinin ca zezakë dhe ca Meksikanë. Mirë, si fillim, nuk është keq dhe qeshi. A ke pare me vete, me pague  për fjetjen. Kam pak pare, po mase do punoj dhe do mbledh pare. Ata të dy më çuan te një dyqan Shqiptar edhe ai nga Ulqini, po ishte burrë shumë i mirë. Ai me tha: Mos u mërzit edhe punë edhe me fjet do të gjej unë. Dhe me të vërtetë  më gjeti një dhomë ku flinte dhe një person tjetër. Tani për tani do flesh këtu, ndërsa për punë, do ta marrim ne, thanë ata djemtë nga Ulqini.

Kaloj afro një vit unë isha ambientuar shumë mirë. Punoja në ndërtim dhe paguhesha shumë mirë. I plotësoja të gjitha kushtet. Isha i fuqishëm me trup si sportist, ose si boksier. Një herë në punë, tre Meksikan dhe një zezak, u zunë me këta shokët e mi dhe po i rrihnin keqas. Bosi ishte Amerikan, po shumë burrë i mirë. Unë u futa me një herë e kapa zezakun, e përplasa në tokë e shoqërova me një boks, sa ai u ngrit dhe iku me vrap duke bërtitur. U futa në mes të dy Meksikaneve dhe njeri nga  ata nxori një thikë dhe mu turr me thikën para. Për katër sekonda, ai dergjej në shesh duke bërtitur dhe këmba ime ishte mbi fytyrën e tij. Dy Meksikanët e tjerë  ikën me vrap duke bërtitur. E lirova dhe atë, që po e mbaja dhe ai iku me vrap. Bosi po na shikonte dhe kur ata ikën na tha neve në shqip: Punë e mirë. Të dy shqiptarët, sa do që ishin gjithë gjak, erdhën dhe më qafuan dhe më falënderuan. Më hapën dhe namin. Zezaku nuk erdhi më në punë. Meksikanet erdhën dhe na kërkuan të falur. Puna vazhdoj  pa probleme. Mbas ca kohe më duhej të merrja dokumentet dhe gjeta një avokat të mirë, që me premtoj se do i merrja pa problem. Kur shkova në zyrën e emigracionit, ata më pritën shumë keq. Pamja ime nuk ua mbushte mendjen me ato që u thosha unë. Rastisi që në këtë kohë në zyrë u fut një oficer. Me një herë i hodhi sytë te unë, diçka i tha  atij zyrtarit dhe doli. Sa doli oficeri, në zyrë e u fut një vajzë, që njoftoi zyrtarin se e kërkonte ai oficeri. Zyrtari u kthye dhe me tha mua të kthehesh si sot java, në orën 9. Dola jashtë. Avokati u tremb dhe më tha kam frik se mos të deportojnë.  Nuk ma ha mendja i them unë. Ata ma thanë si me dashamirësi.  Mbas një jave vesha një bluzë të bukur pambuku në ngjyrë kafe, që nuk dallonte nga ngjyra trupit dhe i nxirrte në pah muskujt e trupit.

Sa hyra në sallën e pritjes erdhi ajo vajza dhe me tha hajde, se po të presim. Në Zyrë po me priste ai ushtaraku, ndërsa  zyrtari qe ulur e anë të tavolinës. Unë sa hyra brenda  i përshëndeta. Ulu më tha oficeri. Tani të lutem, ma thuaj dhe njëherë biografinë pa gabime. Pastaj më pyeti në isha i martuar, po prindërit më tha? Nuk i kam njohur u përgjigja. Tani më tha: Më dëgjo me vëmendje:

A ke dëshirë të bëhesh ushtar Amerikan? Dhe filloj të tregoj çfarë privilegje do kisha në qoftë se pranoja. Unë nuk e lash të vazhdonte. Ka qenë ëndrra ime, i thash. Ai qeshi. Është  një nder i madh që më bëhet mua. Firmosa nja dy shkresa, pastaj ai më pyeti ku fle, ke nevojë për ndonjë gjë. Jo i thash unë. Këto që folëm këtu nuk do i zësh në gojë me njeri. Mbas 10 ditëve më folën dhe që atë dite u vesha ushtar. Së bashku me nja 10 vetë të tjerë, hipëm në një vajon ushtarak dhe zbritëm në Teksas. Aty na priste një autobus ushtarak i vogël. Ai na shpuri në një bazë ushtarake.  Aty filluam që të  nesërmen  stërvitjen. Kurrë nuk kisha menduar se ekzistonin stërvitje kaq të renda. E gjithë stërvitja bëhej si në xhungël. Flinim shumë pak. Mbas 9 muajve dukeshim sikur ishim vëllezër. Çdo pjesë e trupit ishte vetëm muskul. Unë mbarova me më të mirët. Sambua, që kisha bërë në Shqipëri më ndihmoj shumë. Sidomos në përleshje trup me trup. Po me mundoj pak hedhja preciz me parashutë. Po dhe asaj ja mora dorën shpejt. U bëra mjeshtër. Misionin e parë e bëmë ne Kuvajt. Ne ishim një muaj më parë se të fillonte lufta në Kuvajt. Eliminuam disa organizata ekstremiste fetare. Kështu gjithë kësaj kohe kemi qenë sa te një vend në tjetrin. Shpesh na japin pushime nga 15 deri 20 ditë. Po unë nuk kam njeri, kështu që shkoj sa në një shtet në tjetrin. Këtu në Çikago nuk kam njeri fare. Ti je i pari që po me pëlqen.

Ai fliste dhe unë dëgjoja, kokën e mbante poshtë. Ndofta e kishte të vështir të rreshtonte kujtimet. Sa mbaroj u ngrit si me sustë. Do iki më tha. Dhe iku pa asnjë fjalë tjetër. Kishe qejf ta shikoje atë trup të bukur duke ikur.

Të dielën tjetër më mori që në mëngjes në telefon dhe më tha mos ha mëngjes se kam porositur unë. Prandaj mos u vono. U nisa ta takoj dhe sa e pash u gëzova. Me ato që mësova për të, fillova ta shikoj ndryshe. Kishte veshur një bluzë me grykë të hapur, ngjyrë kafe, se ai dhe ngjyrën trupit e kishte bronci, çka e nxirrte më dukshëm në pah bukurinë e tij. Sa u pamë, i dhamë dorën njeri tjetrit dhe pastaj u përqafuam. Kur u shkëputëm, më tha me të qeshur: Nuk mbaj mend, kur ka qenë hera e fundit, që jam qafuar me ndonjë. 

Shkuam te një lokal, aty afër dhe hëngrëm  mëngjes. Unë doja të paguaja. Ai qeshi, mos harro traditën Vlonjate më tha. Nxori një karton si kredi-kartë, po me ngjyrë si ushtarake, dhe ja dha kamerierit. Ai e mori e pa dhe i tha mos ke tjetër, se unë nuk kam par si kjo. Ai i tha: Shko e fute në makinë se e njeh aparatura. Ai u kthye me gjithë të zotin dhe kërkuan falje, se si duket, ai karton i kishte sqaruar dyshimet me sigurinë e tij shtetërore.

Memo, më tha kur do ndaheshim: Do të them diçka. Po, hë ore vëlla, se na tërbove! Ai qeshi: Më kishte marrë malli të dëgjoja vlonjatçe dhe vazhdoj: Ti tani e di që unë të kam për zemër. Nuk kam asnjë njeri të veçantë dhe është i vetmi numër telefoni personal, që unë e mbaj mend në çdo çast. Unë qesha. Pa ma thuaj! Ai ma tha saktësisht. Dëgjo Luan, i them unë, në dorën tënde ishte sa të njiheshim. Tani që njihemi, po kaq është dhe në dorën time…Të kesh bindje, se kudo  që të jesh, në rrezik a në nevojë unë do të të gjendem gjithmonë me gatishmëri e dashuri, si  për vëllain e  vogël. U qafuam dhe u ndamë. Ai u largua shpejt se nuk donte ta shikoja që sytë i kishte me lot. 

Kaluan pak kohë . Ai sikur kish harruar të vinte. Vetëm një herë në 5 ose 6 muaj më merrte në telefon. Unë nuk mund ta merrja, me mendimin mos e shqetësoja. E pyesja direkt për shëndetin dhe për gjëra nga më të rëndomtat dhe ai gëzohej që unë isha korrekt.

Nuk e mbaj mend sa kohë kish që nuk ishim lidhur me Luanin. Po bëhesha gati të flija. Bije zilja e telefonit të shtëpisë.  Lere, më tha djali se e marr unë, kur e dëgjoi me dha mua: Po të kërkon ty, personalisht. Në vesh dëgjoj zërin e ëmbël të Luanit. Ai po më pyeste: Do vemi sivjet në Skelë të Vlorës, Memo?

– O Luan, sa më ka marrë malli të të qafoj.

-Hajde qafomë, 100 metra nga shtëpia jote jam.

-Pritmë se erdha!

U vesha dhe dola. Kur, për së largu dallova se Luani kishte dal në një dritë dhe po ma bënte me dorë me përzemërsi.

U përqafuam me shumë mall dhe u nisem për te lokali i miqësisë. Vura re që Luani çalonte dhe një këmbë e kishte të fashuar. U ulëm në lokal. Kishte prurë një shishe konjak Francez, që ishte shumë cilësor. E hodhëm në dy gota të mëdha. E kaluam  krahun si rreth, te njeri tjetri dhe thamë njësoj, gëzuar. Të dyve nuk na pëlqente akoli po në të tilla raste, sikur kish tjetër lezet edhe muhabeti.

-Këtë që ke bërë, mos e bëj më! E nisa si me shaka bisedën.

-Çfarë hataje kam bërë, tha ai, me te qeshur.

– U bënë shumë kohë që nuk të kam parë! Ti tani  je vëllai im i vogël.

Ai tha kam pas probleme dhe shumë detyra. E pe që jam plagosur, po u habita, që nuk u bëre merak të më pyesje. Unë qesha: Ti me ke mësuar që për disa gjera të mos të të pyes dhe të mos bëhem kureshtar. Isha i bindur se ti do ma shpjegoje vetë. Po, tha ai, para tre muaj isha në Afganistan, vet i pestë. Shkatërruam atje tre grupe të fuqishme talibanësh. Po dhe ata po na kërkonin. Dikush nga oficerët Afgan që ishte me ne na kish spiunuar. Ne po futeshim thellë, po asnjë nga shenjat që duhet të merrnim, nuk po shikonim. E pash që ishte kurth. Shpejt me qetësi të kthehemi mbrapa, se është kurth, u them shokëve. Unë mbeta i fundit. Kur dëgjoj një shpërthim. Humba ndjenjat. Kur u përmenda, e pash veten në një tunel, të plagosur dhe të lidhur në këmbë.

Kur na futën në kurth, nja dy herë desh të më vrisnin, po në qime shpëtova. Nuk e di se çfarë prisnin. Kur ishim në kurs bëmë nja 50 orë gjuhë Arabe, kështu që unë merrja vesh se çfarë bisedonin edhe  pse ata nuk  e dinin që unë kuptoja.  Ata kurrë nuk e morën vesh që unë isha në grupin më special të ushtrisë Amerikane. Një dite ata po bënin fjalë me njeri tjetrin. Ishim në dalje të tunelit dhe unë isha para tyre. Kur në moment u shfaq  një gjuajtës pa pilot, që goditi në qendër tunelin. U dëgjua një shpërthim i madh. Vala shpërthyes, për fatin tim, më nxori jashtë. Kur erdha në vete e pash gjithë trupin të mbuluar me pluhur. Me vështirsi u ngrita në këmbë. Në tunel ishim afro 40 vetë, po nuk dukej asnjë. Me vështirësi lidha këmbën. Mbajta dhe disa fusho në dorë se mos më duheshin. Gjeta një rrugë këmbësoresh. Udhëtova afro 5 orë. Kur dëgjoj një zhurmë aeroplani, nuk pata kohë vetëm sa ngrita fashot lart e ai u zhduk. Mbas gjysmë ore dëgjova zhurmën e një helikopteri që erdhi drejt meje. Hipa në helikopter. Sa zbrita më çuan ne spital. Kështu që tani jam me pushime. Të shikojmë sa do zgjasin pushimet. Shokët shpesh më kërkojnë. Si u ndamë, mbas një jave, më mori ne telefon dhe tha që po largohej. Po në qoftë se do, hajde mere makinën time. Ajo do të lehtësojë shumë vëlla.

-Të faleminderit shumë nuk e dua. Të dua ty, të lutem ktheu shpejt…

Ai iku, më duket se shkoj në Irak. Para se të ikte më tha se ka njohur një vajzë Shqiptare. Asaj i kam folur edhe për ty. Kështu që ajo do të të flas vet. Kur të vij do ta marr me vete dhe të tre do t’i kalojmë pushimet bashkë.

Kaluan  afro dy vjet. Gjatë kësaj kohe Luani më foli 5 herë në telefon. Me thotë gjithnjë  se e ka marrë shumë malli. Të njëjtën gjë i them dhe unë. Po unë e di se ai e ka të pa mundur të vijë. E gjithë bota vazhdon të jetë në luftë dhe kudo, në përpjekje për t’i ndaluar ato janë Amerikanët, pra kudo është dhe vëllai im i vogël. Aq i mirë e aq i dashur.

Një të diele binte shi i rrëmbyer e tjetër soj. Ishim ulur dhe po hanim bukë. Bije zilja e telefonit. Shkoj e hap dhe dëgjoj një zë femre që  po qante, si me ulërimë.    -Memo,  më tha, jam Lonora, shoqja e Luanit.

-Lonora çke që po qan me ngashërim?

– Luani na la.

-Mos, bërtita unë, nuk ka mundësi. Ai është i pavdekshëm, Luan i vërtetë.

-Jo, Memo, erdhën dy oficerë në shtëpi dhe shpallën kobin. 

Ai u varros atje ku luftoj. Gjithë shokët, ata ishin familja e tij. Arkivolin e mbuluan me lule të freskëta.

Ajo qante, po dhe unë këtej qaja me dënesë i pikëlluar në kulm, për vëllain tim të vogël, humbur në luftën e pafundme botërore .

Ndërkohë ndihem krenar që pata marrëdhënie dhe përmenda fragmente jete, për një Hero Ndërkomëtar, lindur në Shqipëri, që e kishte emrin LUAN MURATI…

Cikago 2020GUSHT.

Filed Under: LETERSI Tagged With: DËSHMORI, Memisha gjonzeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT