• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FATOS ARAPI DHE VLORA

February 22, 2025 by s p

Nga Albert HABAZAJ/

Duke shfletuar kolanën e veprave të zgjedhura poetike të poetit shkëlqimtar Fatos Arapi, kërkoja poezi me motive qytetare, sepse më duhen për një punim, por, interesant, ndalova tek poezi “e vogël” me titullin “Popullorçe”, botuar në vëllimin “Urna e vogël”: poezi të zgjedhura: 1997-2003 “Urna e vogël” (Tiranë, Neraida, 2014, f. 169). 

I hodha një sy të shpejt vertikalisht, edhe pse ajo është e shkurtër dhe mund ta përpish me një kalim. 

Çfarë të bëj e shkreta Vlorë?!

Një flamur dëshmor në dorë.

Do qëndroj se s’po qëndrojmë.

Do luftoj se s’po luftojmë.

E shkreta Vlorë po Vlorë.

bën’ të bëjmë Shqipëri,

bën’ të bëjmë demokraci,

bën’ Evropë e s’i qëndron.

Çfarë të bëj e shkreta Vlorë

bëhet shkrumb e bën liri.

Bëhet shkrumb e bën dëshmorë.

Është një vjershëz e këngëzuar me 11 vargje me rimë, që rrjedh monokolonë, e thjeshtë si strukturë, që na kujton ato këngët e vjetra lakonike, të cilat me pak vargje shpalosnin shumë kuptime të bukura, të thella dhe me mesazhe kthjelltësisht të qarta. Në një formë tjetër më shpunë tek vargjet e xha Matos e Selim Hasanit, Xhebro Gjikës dhe ca burrave të rëndë të këngës së madhe, para e pas këtyre kapedanëve të labërishtes. 

Kujtoj që dikur Ismail Kadare ka thënë për njërin nga 4 “gjeneralët” të teksteve të këngëve labe Hamdi Pulon e Tragjasit, se vargjet e këtij poeti popullor do t’i kishin zili dhe poetët më të mirë të vendit. Ndërsa, poezia “Popullorçe” e Fatos Arapit është shembulli më i lartë i duhur e i synuar për tekstin e këngës, që fiton automatikisht përveç vulës poetike, edhe vulën folklorike (e cila është vështirë të mirret kollaj, po nuk kaloi në disa sita, që i përdor gurra popullore në rrjedhat e kohës). Poezia “Popullorçe” është Shkolla e Tekstit Poetik të Këngës Labe, aq e domosdoshme për të qenë funksionale, kur sot jo pak tekstexhinj (që kanë a gjejnë lekë, etj.), i harrojnë ligjet e pashkruara të folklorit shqiptar, e harrojnë “Kanunin” e Këngës popullore të Shqipërisë së Jugut (e lokalizoj, meqë e njoh më mirë këtë territor etnografik, që tradicionalisht, me gjuhën popullore është quajtur Toskëri). Dhe shkruajnë, more shkruajnë!… S’mund ta fitosh grurin, kur korr kashtë. Nuk e quaj të nevojshme të merrem shumë me analizën letrare të kësaj vjershe të Fatosit, sepse ajo është e bukurshkruar, e këndshëmlexueshme, e mirëkuptueshme. Poezia “Popullorçe” e Arapit është një këngëz e gjallë, sa energjike, aq kurajoze, simbolike dhe domethënëse, me një gjuhë plot nerv e guxim, mbushur me dramacitet, që ka fytyrë të dinjitetshme, sa altruiste, aq dyshuese, që lëviz e shqetësuar, që merr frymë shëndetshëm, kombëtarisht, qytetarisht, vlorërisht, me një dashuri fatosiane që dhemb, deri në sakrificën më sublime. Kjo poezi këndohet për bukuri si një këngë labe, që i prek telat e zemrës jo vetëm çdo vlonjati, por çdo shqiptari, që i dhemb në eshtër Atdheu ynë, shqyer nga çapaçulët helaqë të kombit.

Dr. Fatos Arapi njihet në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht si poet modern, ndër themeltarët e poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si Ai, i zjarrtë në ndjenja si Fatos Arapi. 

Shtëpia botuese “Neraida”, botuesja e veprës së tij të zgjedhur poetike na jep këtë profil lakonik të autorit tonë: “Fatos Arapi shkëlqeu si poet në vitet ’60 të shekullit XX. Si mjeshtër në artikulimin e lirikës qytetare ai është njëherësh edhe më moderni ndër poetët e kohës së tij. Me një poezi krejt të veçantë dhe qartësisht të dallueshme nga të tjerët, me një varg që në brendësi kishte delikatesën, por mendim e figuracion të ri, që merrte dritë dhe njëherësh dritësonte, Arapi ndërthurte pasqyrimin e zhvillimeve dhe ndryshimeve në Shqipërinë e kohës me konceptet emancipuese dhe iluminuese, duke e larguar atë nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar”. Universi i botës lirike dhe liriko-epike të Fatos Arapit është identiteti ynë letrar dhe kulturor.

Në vëllimin e parë “Më jepni një emër”: poezi të zgjedhura, 1962-1989 (Tiranë, Neraida, 2014) vetë Fatosi shkruan “Dy fjalë” në të çelur të librit. Nuk janë shumë, kështu që po i paraqes për lexuesin tonë: “Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”. Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Është një mesazh i madh, është Testamenti i Poetit për ne. Ai na e la me mirësi, bekim e besim. Në nderim të së Vërtetës, Ai nuk mund ta mirrte me vete. Brenda rreshtave të këtij mesazhi jam edhe unë. Dëlirësisht dhe dhembshurisht, e gjej vetveten në formën time. Aq sa. Ashtu si. Brenda rreshtave të Testamentit të Madh je dhe ti, është edhe ajo apo ai poet qytetar, jemi ne, jeni ju, janë ata dhe  ato poete të vërteta, që i shërbejnë emancipimit të vonuar qytetar të Shqipërizës sonë hallerënduar.

Unë e kam dashur shumë, edhe pse është shkëlqimtar tek yjet më të bukur të qiellit poetik. Unë e dua shumë Fatosin tonë dhe, sa të kem frymë, do ta dua sikur ta kisha vëllain tim të madh.

Fatmirësisht e kam pasur mik, jemi takuar në Vlorë, në Tiranë, edhe në shtëpi të tij më ka ftuar disa herë, kemi kuvenduar e kemi pirë kafe poetike, më ka dëgjuar me vëmendje dhe dashamirësi dhe unë e dëgjoja gati me adhurim tek fliste e fliste palodhshëm shumë me atë zërin e tij të drithshëm si një fije bari në tramundanë. Gjatë bashkëbisedimit me të, që nuk doja të mbaronte kurrë, më shfaqej imazhi poetik i Uitmanit (Walter Witman), por e sprapsja këtë shembëlltyrë, sepse unë kisha të Madhërishmin tim Fatos Arapin. Për të kam shkruar edhe shkrime, edhe poezi, edhe elegji me lot ulliri…

Një shkurtore jetëshkrimore e tij mund ta paraqes: Fatos Tol Stavre Arapi lindi në Zvërnecin e bukur të Vlorës më 19 Korrik 1929 dhe mbylli sytë në Tiranë më 11.10.2018. Poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, novelist, përkthyes, gazetar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkloristikës. Ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë intelektuale dhe letrare – kulturore. Shkrimet e Fatosit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht, sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e botëror të vlerësimit.

“Vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri” – shkruan eseisti dhe poeti shqiptaro-kanadez Erlind Sulko. 

Fatos Arapi na la dhuratë gjuhë letrare. Ai bëri letërsi të përkryer, që guxoi e rroku hapësirat e misteret e Universit.

Poezia e tij është një bashkëbisedim harmonik i dashurisë me dhembjen.

Por këtu unë qëndrova ca dhe kalova ndërmend:

Kush poet si Fatos Arapi Zvërnecit i ka kënduar vendlindjes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar babait e nënës – dhembjes së veshur me tw zeza, vëllait të lirisë me lot dhe mallit  të bukur të gjyshes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar lirisë?! Kush?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar luftës çlirimtare?! Kush?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Tiranës?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar atdhetarëve të vërtetë, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë!?

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Atdheut?! Vetëm Fatos Arapi ka thënë e shkruar. “Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori i pavdekshmi – loti” sikundër që “Tragjedia është Atdheu i vërtetë i poetëve”.

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar detit?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar gjolit, limonave, portokalleve dhe ullinjve?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dashurisë?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dhembjes?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar qytetit?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar peizazhit, stinëve, natyrës e hapësirave të pamata?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar universit?!

Kush poet si Fatos Arapi…?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar ndershmërisë?!

Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Ali Asllanit dhe Petro Markos?!

Kush poet si Fatos Arapi  ka thurur lirika aq të bukura shoqërore?!

Kush poet si Fatos Arapi ka kënduar rreptësisht aq dhembshur autoironi për Fatosin ëndërronjës të heshtur?! (Shembuj klasikë të kulturës së lartë qytetare në prozë, kujtime dhe oratorì janë Eqerem bej Vlora, Faik Konica dhe Fan Noli, ndërsa, në kohën e re, që tashmë gjendet e regjistruar në Arkivin e Letërsisë bashkëkohore shqiptare është Dritëro Agolli).

VLORËS… Kush i ka kënduar Vlorës më shumë, me aq dashuri e më bukur se Fatos Arapi?!

Në fakt, në të gjithë arsenalin e tij poetik, gjen pak Vlorë (edhe në ato poezi ku nuk përmendet emri i saj aulonian, në të gjitha motivet e bukura të poezisë së tij fisnike ka ngjyrë Vlore. Të gjitha poezitë e Fatos Arapit janë veshur me ngjyrë Vlore, e cila ndrit kaltërisht.

Pa kaluar në statistika (ndoshta vlen të përgatis një minibibliografi të poezive të tij për vendlindjen, Vlorën e Aulonës së lashtë e diellore me detin, Jonin e Adriatikun, Zvërnecin dhe Sazanin, Karaburunin dhe Çikën, Orikumin dhe Shashicën, Malet e Vetëtimave – Akrokeraunet dhe Dhërmiun), por në këtë përmendje nderimi kujtoj që vetëm në 4 vëllimet me poezi të zgjedhura nga botuesi, poeti, përkthyesi dhe bashkëzvërnecari i tij Jani Malo, janë përfshirë 70 poezi për Vlorën dhe arealin e saj kulturor, njerëzor e historik nga Shtegu i Dritës Fatos Arapi, “i larë nga dritat e shenjta të Mesdheut”. 

Filed Under: LETERSI

UAN FILIPI POLITIKAN DHE LUFTËTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE

February 14, 2025 by s p

Rreth librit të zotit Enver Lepenica me të njëjtin titull

Nga Dr. Çelo Hoxha

Drejtor i Institutit të Studimeve për krimet dhe Pasojat e Komunizmit

C:\Users\User\Documents\480026602_617682434212772_1951997932883507884_n.jpg

Në kolanën e librave të botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit gjatë vitit 2024 , përfshihet edhe libri i studjuesit Enver Lepenica “Uan Filipi politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”. Autori i librit shkruan në parathënien e këtij libri: “Emri i patriotit të shquar Uan Filipi (Mbrostar Fier 1901 – pushkatuar në Tiranë 1948), politikanit atdhetar dhe luftëtarit deri në frymën e fundit i çështjes kombëtare ishte bërë shumë i dashur për mua, pasi e kisha dëgjuar për herë të parë në familjen time, në fshatin tim dhe në krahinën time, por kur fillova të hulumtoj në fushën e historisë jo vetëm që mu rrit vlerësimi për të por ndjeva detyrën të shkruaja për veprën e tij patriotike, për jetën që ia kishte kushtuar popullit të tij. Uani u diplomua në Itali për mjeksi. Hyri shpejt në lëvizjen patriotike fillimisht në grupet komuniste, mori pjesë në kryngritjen e Fierit dhe u denua me vdekje. Ishte ideolog dhe udheheqës i Ballit Kombëtar dhe Luftës Antifashiste me veprimtari kryesisht në Vlorë, në krah të Dr. Skënder Muços e Hysni Lepenicës.

Kujtimet e të afërmve të mi por edhe të fshatarëve të mi që e kishin njohur Uanin, në vendlindjen time Lepenicë dhe në qarkun e Vlorës gjatë Luftës Antifashiste përsëriteshin e ripërsëriteshin në kujtesën time. 

Një vend të veçantë në nxitjen për të shkruar këtë libër pati edhe çifti bukur vlonjat Pandeli dhe Tefta Mërkuri – Janina. Pandeli Mërkuri ishte nipi i Uan Filipit, pasi babi tij, Koli ishte kushëri i parë i Uan Filipit. Sidoqoftë në këtë libër jam munduar të paraqes jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Uan Filipit patrioti që e lidhi fatin e tij me fatin e atdheut dhe që punoi e luftoi për lirinë dhe përparimin e vendit të tij, me guxim e trimëri, pa u dorëzuar nga burgimet dhe dënimet me vdekje, pa u tërhequr, duke lënë shembullin e një luftëtari demokrat revolucionar, luftëtari antifashist dhe antikomunist.

Komunistët terroristë e torturuan dhe e pushkatuan pa pasur prova dhe fakte juridike dhe më pas u munduan të mbulonin kujtimin e tij me heshtje, por nuk ia arritën qëllimit mizor të tyre. Veprimtaria e Uan Filipit ishte shkruar në historinë dhe ndërgjegjen e popullit të tij”.

                                                *         *        *

Me shumë interes në këtë libër paraqet edhe hetimi, torturat çnjerzore mesjetare dhe gjykimi dhe dënimi i ashtuquajturve grupi i dytë i deputetëve, në të cilin u përfshi pa lidhje edhe Uan Filipi. Ky grup, sikundër u deklarua gjatë gjyqit dhe ankesave që bënë të dënuarit, ishte një grup i krijuar nga Sigurimi i Shtetit dhe shumë prej tyre e njohën njeri tjetrin në sallën e gjyqit. 

Autori Lepenica  na thotë se ky gjyq ishte një komedi me përfundime tragjike. 

U dënuan 7 vetë me vdekje dhe u pushkatuan: deputeti Riza Dani 63 vjeç, deputeti Faik Shehu 48 vjeç, deputeti Islam Radovicka 49 vjeç, tregtari Syrja Selfo 35 vjeç, mjeku Uan Filipi 47 vjeç, juristi Hilmi Hysi 35 vjeç, komunisti revolucionar Hasan Reçi.

Këta ishin 7 të dënuarit me vdekje, por në të dënuarit me vdekje duhen shtuar edhe ata që vdiqën nën torturat çnjerzore mesjetare: Paulin Pali, Myzafer Pipa, Ferit Hysenbegasi, Demir Kallarati, Mestan Ujaniku, Hivzi Kokalari etj.

U dënuan me burgim të përjetshëm 6 vetë: Deputeti Kostandin Boshnjaku pjesmarrës në revolucionin e tetorit 1917 në Rusi, n/kolonel Mestan Musabelliu, kapiten Demir Kallarati, mjeku Isuf Hysenbegasi, mësuesi Nexhmi Ballka, juristi Hivzi Kokalari.

U dënuan me 20 vjet burg: deputeti Arif Gjyli, inxhinjer Adem Beli, fetar Ibrahim Hasa, ekonomist Bexhet Shehu.  

U dënuan me 15 vjet burg: kapiten Halit Gjolena, kapiten Kamber Backa. 

Autori i librit përshkruan aktivitetin e të gjithë të dënuarve. Të gjithë ata ishin pjesmarrës aktiv në Luftën Antifashiste të rreshtuar në Frontin Nacionalçlirimtar që udhëhiqej nga Partia Komuniste. Në saje të meritave të luftës pas çlirimit ishin në detyra të larta shtetërore ushtarake dhe civile. 

Kështu që libri nuk paraqet vetëm verimtarinë atdhetare të Uan Filipit, por duke përshkruar dënimin e grupit dytë të deputetëve bëhet pjesë e historisë së Luftës Antifashiste dhe të diktaturës komuniste, i mbështetur në dokumente të shumta arkivore.   

                                                 *         *        *

Promovimi do të bëhet më 21 shkurt, në “Ditët e Kujtesës”, Tirana Internacional Hotel, salla Abret, ku çdo libër do të prezantohet nga vetë autorët.

Filed Under: LETERSI

Reflektim panoramik mbi librin: “Porosia e kullës” të autorit Dr. Pashko R. Camaj

February 12, 2025 by s p

Hamid Alaj

New York/

Kur më ra në dorë libri “Porosia e kullës” e autorit Dr. Pashko R. Camaj, për momenti u ndala dhe mendoja pak. I thash vetes se ç’farë na është e shkruar në këtë “porosi”. Erdha në vete dhe pa hezituar shfletova aty këtu disa fletë të librit, me një shikim dhe vërejtje të pa reflektuar ndonjëherë më parë në mendjen time. Fola me vetëveten dhe thashë që pa humbur kohë duhet filluar dhe lexuar këtë libër, me një kuriozitet në vete, duke menduar se ç’farë “porosie” na solli autori i librit, Dr. Pashko R. Camaj.

Për herë të parë me Dr. Pashko R. Camaj u njoha në një restaurant, i cili drekonte me familjen e tij dhe në ndërkohë kaloj nga tryeza e tij ku ishte i ulur, ndëgjoj se po flasin shqip dhe pa hezituar i afrohem dhe më prezantohet se është Pashko Camaj nga Malësia dhe më thotë: “I Camajve të Martin Camaj”. Thashë me vete se ky qenka pinjoll i Camajve të njohur nga Malësia. Ashtu më doli. Tani që më ra në dorë libri i tij “Porosia e kullës” dhe kur e lexova këtë libër mu kujtuan ato fjalë që “ky pinjoll i Camajve” më kishte thënë në restaurant kur për herë të parë e takova, dhe tani me leximin e këtij libri e vërtetova se vërtetë është ai që më patë thënë. Nuk u zhgënjeva dhe librin e lexova me plotë dëshirë, pasion dhe një kujdes të veçantë si kurrë më parë ndonjë libër tjetër.

Libri “Porosia e kullës e autorit Dr. Pashko R. Camaj, është një libër kujtimesh por lirisht mund ta quajm edhe si libri i “përmallshëm” sepse kujtimet jo radhë herë na shprehin edhe mallin e një përsoni, i cili shkruan duke shpreh mallin për vandlindjen, për atdheun, për një vend apo për ndonjë ndolli çfarë do qoftë ajo. Pra, edhe në këtë libër autori Camaj, jo pak shpreh mallin e tij për vendlindje e sidomos për “kullën” duke i bërë të ditur lexuesit se “kulla” ka edhe porosit e veta. Kujtimet e tija tregojnë udhëtimin e tij si i ri i moshës 20 vjeçare, ku autori Camaj paraqet jetën e Tij, pra jetën e një të riu, i cili mori rrugën e mërgimit nga vendlindja e tij Malësia për në SHBA, duke përshkruar tërë sfidat e tij që ka kaluar deri në arritjen e sukseseve në tokën e premtuar.

Dr. Pashko R. Camaj, kur vendosi të marrë rrugën e mërgimit ai nuk e pyeti veten se “a ishte ky vendim i gabuar”, por duke parë arritjet e tija dhe suksese në jetën e tij, ai bie në dilemë dhe përsëri pyet veten e tij dhe bie në një vendim se “nuk ishte vendim jo aq i gabuar për mua, jo aq për të ardhmen time, por më tepër për të kaluarën tim”. Këtu autori i librit “Porosia e kullës” Dr. Camaj, kur thotë: “për të kaluarën time” hedhë në dritë ate se në vendlindjen e tij, të parët e tij kanë jetuar në një “kullë” për shumë breza, dhe këtu ai krijon kujtimet e asaj kohe, edhe pse si i ri që ishte, mirëpo ai në atë moment kur e ka marrë rrugën e mërgimit dhe lë vendlindjen e tij thotë se “a kam mëkatuar ndaj tyre”, pra ndaj brezave që kanë jetuar në atë “kullë”, të Malësisë, vandlindjes së tij.

Libri “Porosia e kullës”, në një aspekt tjetër e sidomos tek malësori i trevës nga e ka origjinën autori i librit, por edhe në shumë treva tjera shqipëfolëse mund të zbëthehet edhe si: “kullë”, që emri i saj është përdorur në kuptimin e një shtëpie zkonisht ndërtuar prej guri, ku kanë jetuar një familje e madhe, ku mbrohen traditat e lashta shqiptare, si dhe “porosia” që ka të bëjë me amanetin, pra në një kuptim të mirëfilltë “amaneti i kullës” ku malësori ka marrë veprime vendimtare për familjen e tij dhe jo vetëm. Në këtë kuptim besoj se edhe autori i librit Dr. Pashko Camaj ka pasë trashëguar një traditë të tillë sa që edhe ai vetë atëherë kur mori rrugën e mërgimit, mori veprime vendimtare të dalura nga ajo “kullë” malësore. Kështu që nga ky aspekt autori i librit Dr. Camaj u bazua dhe mori vendimit që ta përshkruaj atë vendim që ka marrun mu aty në atë “kullë” dhe të na hedhë në dritë librin e tij me kujtime të quajtur “Porosia e kullës”.

Kur shletova librin dhe pastaj duke lexuar atë, të bie në sy sesa me mjeshtëri autori i librit ka përdorur kontekstet e fuqishme midis “porosisë” dhe “kullës”, që si fillim e nis me traditat e trevës nga vjen e duke e vazhduar me rrugëtimin e emigrimit të tij, duke përshkruar sfidat që ka kaluar, e duke e përfunduar me arritjet e tij, deri në gradën shkencore Doktor i Shkencave Mjekësore si dhe Sekretar i Federatës Panshqiptare të Amerikë “Vatra”, ndërthurje e këtyre ngjarjeve dhe kujtimeve e cila përkon me sukseset të cilat i ka arritur gjithë këto vite në SHBA. Krenari.

Autori në këtë libër që në fillim të lë përshtypjen se shkruan sikur është duke folur me veten e tij, sepse në të vërtetë ai flet me veten e tij, pasi që para syve dhe në mendjen e tij, zënë jehonë porosit e dalura nga kulla prej ku mori rrugën e mërgimit. Po t’i referohemi librit në të lexuar, në gjuhën e shkruar, në rrëfimin e ngjarjeve, Dr. Pashko R. Camaj ka shklruar bukur, ka rradhitur ngjarjet me një rrëfim jashtëzakonisht të bukur me përsonazhet real duke llogaritur veten dhe motrën e tij dhe ka pëdorur një gjuhë të pastër aty këtu edhe në të folmen e trevën së Malësisë, mbi të cilën ndërtoi “Porosin e kullës”, që për ne mërgimtarët lirisht mund ta quajmë edhe si “libër i mallit”, sepse ngjarjet e përshkruara aty në libër e ngacmon çdo mërgimtarë që ka nisur rrugën e mërgimit të nisur nga kulla e vet.

Ngjarja e përshkruar në librin “Porosia e kullës” e autorit Dr. Pashko R. Camaj, është një libër kujtimesh por edhe një libër shumë emocionues, që autori përshkruan disa ngjarje nga e kaluara e tij si dhe paraqet një realitet të pranishëm në tërë trojet shqiptare, e që është migrimi, një plagë e pa shërueshme e kombit tonë. Autori e pranon dhe e paraqet bukur mirë se e kaluara ka qenë me dhembje dhe sakrifica, por ai nuk e mohon se edhe e tashmja është një hipokrizi. Ai pa në shumë raste na paraqet “porosin”që kishte dhe shprehej në “kullë”, ku e sheh se ajo mbizotëron edhe sot por me një mbizotërim aty këtu të zbehtë, e jo si në kohës kur ai i përjetonte ato “pororsi”. Autori i librit Dr. Pashko R. Camaj në librin e tij “Porosia e kullës” gjithashtu shpreh eksperiencën e jetës dhe sfidat e saj ku do të gjejmë mjaft sekuenca jetësore, ku vetë i ka përjetuar, disa të cilat i ka lënë pas (kaluar) e disa i ka përjetuar edhe për aq vite sa është në mërgim deri në arritjen e sukseve që e bënë një njeri me suksese të merituara, sfida që pothua se i kalon shumica e shqiptarëve në emigrim.

E gjithë kjo që na përshkruan autori në librin “Porosia e kullës”, janë mesazhe të rrepta për të rinjtë që mos ta braktisin vendi e tyre, por edhe nëse e braktisin, bile së pakur të i kenë porosit e “kullës” prej nga kanë dalur dhe kanë lënë vendlindjen e tyre dhe t’i barti ato me vete sepse “ku mbizotëron heshtja, aty mbizotëron brenga”.

Për të mos e vazhduar më tej shkrimin tim gjegjësisht reflektimin panoramik mbi librin “Porosia e kullës” e autorit Dr. Pashko R. Camaj, mikut, kolegut dhe lirisht mund të them se edhe bashkëvendasit tim, edhe pse në mes kemi një liqe që na ndan, Liqenin Labeat (Liqeni i Shkodrës), ku si unë si Dr. Pashku e kemi pasur pasion të jemi në brigjet e tij, dua ta përmbylli me urimet e mia më të pëzemëta për këtë botim, po pa u nda vetëm këtu por duke pritur botime tjera në të ardhme, duke na bërë që gjithnjë të reflektohemi edhe më tej në veprimtarin e tij letrare, shkencore e çfarë do qofshin ato.

Urime dhe gjithnjë suksese mik i nderuar Dr. Pashko R. Camaj.

Filed Under: LETERSI

NJË TRIPTIK I PAAUTORIZUAR NGA KADAREJA

February 10, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

(Romanet “Shkaba”, “Spiritus” dhe “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”)

Vepra e Kadaresë është një kompleks i madh ndërtimor, me artere dhe kapilarë të shumtë që i lidhin romanet me njëri-tjetrin si pallatet e një blloku apo si dhomat e një labirinthi. Këto artere mund të jenë tematike dhe këtu mund të grupojmë romanet me “çati” osmane, ose me “kolona” nga antikiteti grek, mund të jenë me rimarrje karakteresh siç ndodh te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Nëntori i një kryeqyeti”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit”, etj. Edhe tre romanet e mëposhtme kanë disa kapilarë lidhës, si: periudha e njëjtë kohore e diktaturës komuniste, lufta e klasëve me mekanizmin e biografive, përpjekjet e dëshpëruara individuale për të dalë matanë klonit të kufirit, etj.

Romani “Shkaba” (1996)

Nga që ka vetëm 100 faqe me një shkrim më të madh nga i zakonshmi, romanin “Shkaba” mund të lexohet me një frymë. Autori kishte paralajmëruar diçka që te përmbledhja “Ftesë në studio” duke u ndalur te përralla e Qerozit që ngjitet nga bota e poshtme mbi shpinën e një shkabe dhe kërkon mish pas çdo kra-kraje. Vjen kjo gjetje domethënëse për një dukuri të rëndomtë në vitet e diktaturës: largimi nga  kryeqyteti i të padëshiruarve dhe degdisja në qytete provincialë, ose internimi nëpër fshatra. 

Romani ka mjaft elementë surealistë, por do të qëndroj te realizmi, pasi gjatë atyre orëve që zgjati rileximi, më mbërtheu një ndjesi e trishtë ngaqë rrugëtimi im profesional ka disa ngjashmëri me Maksin e “Shkabës”. Ai përfundoi te ai qytet i vogël dhe u strehua në hotel se nuk kishte pranuar të bënte konformistin. Bashkë me Tiranën, humbi edhe Anën; Ana tjetër që njohu, ishte gjithashtu e dëbuar, prandaj shpresat për t’u ngjitur atje lart ishin zero. Kishte dy mundësi për të dalë nga humbella ku kishte rënë: ose të fillonte të shkruante letra pendestare derisa të prekte zemrat e qeveritarëve të lartë, ose të arratisej. E para dukej e pamundur, pasi rëniet vazhdonin: përveç Anës, aty përfundon edhe Gazmend Hila, aty qëndron për një kohë edhe shkrimtari Skënder Bermema; pas ca kohësh aty vijnë edhe disa nga ata që kanë qenë ekzektutorë të të dëbuarve të mëparshëm. Ja pse Maksi kërkon zgjidhjen e dytë, të niset drejt liqenit prej të cilit ishin larguar shumë njerëz të tjerë që nuk e gjenin më veten të dëshirueshëm në shoqërinë ekzistuese. Ishte ajo zgjidhja e përrallës me Qerosin, po duke qenë përrallore, rezulton fatale, donkishoteske. Në një gjendje të turbullt mendore, duke shfrytëzuar mungesën e rojeve te kopshti zoologjik, hap kafazin e shkabës dhe…

Kjo tregon se sistemi i diferencimit të njerëzve në diktaturën e proletariatit kishte hyrë në një udhë pa krye dhe nuk ofronte asnjë zgjidhje. Mjerisht, edhe sot vazhdon të ndodhë e njëjta gjë, lufta për pushtet dhe babëzia për të gllabëruar sa më shumë të ardhura nga pasuria publike, po mban peng sistemin e vlerave.

Romani “Spiritus” (1996)

“Shqipëria e braktisur, pa gojë, e padëgjuar nga kurrkush, kaq të fortë e pati ahtin që donte të nxirrte, saqë një natë tetori ai aht e bëri baltën të fliste sikur të kishte shpirt.” (f. 256)

E sjell këtë citim nga kjo vepër e pazakontë “…jo vetëm për nga tharmi, por nga gjithçka: nga brumi, mënyra e ngjizjes, ndërtimi”, (f. 237) pasi, si rrallëkund, autori ka dhënë shpjegime për veprën në pjesën e fundit të saj. Konkluzioni: “Një transplantim i variantit kinez të përgjimit nga romani “Koncert në fund të dimrit” që kulmon me një përkitje zhvarrimi.” Në pjesën e tretë dhe të fundit të veprës “Çmërs”, autori jo vetëm e pohon këtë, por të befason: E kundërta kishte ndodhur – një “zëth”  ishte marrë nga Shqipëria dhe ishte kinezëruar “çjentiçia”, në pritje për t’u sjellë në vendin e origjinës; Shpend Guraziu ishte quajtur Van Mei, Arian Vogli ishte bërë shefi Çzhan, dobësimi i vështrimit të diktatorit këtu përthehet si sëmundje e Maos atje. Kjo zhvendosje e largët te “Koncerti” mban brenda blasfemi që mund të kapen vetëm sot. Kinezi Van Mei thotë: “Jeta e tyre (shqiptarëve – K.N.) ka për t’u tharë si jona. Atëherë do ta vënë re llahtarën, por ç’e do, do të jetë vonë.” (Koncert në fund të dimrit, 1988, f. 470) Në leximin tim të parë para njëzet e ca vjetësh nuk e kisha vënë re këtë lidhje mes dy veprave, madje nuk më ishte fiksuar përdorimi i kahershëm i “çimkave” të sotme.

Pas romanit “Shkaba” me 100 faqe prisja që libri i radhës të ishte sintetizuar në 150 faqe. Ngjarjet janë lokalizuar në qytetin B. në vitet 1980-83. Shfaqja e dramës “Pulëbardha” të Çehovit trand jetën e banorëve dhe kthehet në test për syçelësinë e diktaturës në kushtet kur teposhtja ekonomike po kërciste gjithnjë e më shumë. Për të ruajtur klimën e terrorit në popull, në funksion të mbajtjes së pushtetit, krahas spiunëve të zakonshëm, fillon përdorimi i teknikave të regjistrimit. Shumë prej njerëzve, duke më përfshirë edhe mua, nuk e dinin se ekzistonte një kontroll i tillë, përgjuesit ishin armë ekskluzive e sigurimit të shtetit. Aksioni ngrihet në grotesk kur Xhelo Vranishti, veterani i përkëdhelur i partisë, kërkon një zëth për t’ia vënë shemrit të vet, Arif Dukës, i cili, “pasi merrte vrull nga rakia, s’linte rast pa ngritur veten e pa ulur vlerat e Xhelos në luftë.” Krejt ndryshe ndodh me ata që e ndejnin se ishin objekt i survejimit: e shfrynin zemërimin mbi rrobat ku mund të futej përgjuesi duke i futur në makinat larëse me temperaturë të lartë, i hekurosnin egërsisht, prisnin që duke i shtypur, të kërcisnin si morrat. Si mjeshtër i selitjes së gjuhës, autori krijon edhe një familje kuptimore fjalësh posaçërisht për ta: zëtha, princër, insekte të shtetit, veshët e vdekjes, sakrofagth, të gjorthit, të vogëlthit, zëthiana, zëthavënës, zëthaheqës, etj.

Ky angazhim policor i sigurimit të shtetit, nuk është një nismë nga poshtë, siç ndodhte me trumbetimin që u bëhej nismave revolucionare të masave punonjëse, por një porosi nga maja e piramidës, shoqëruar me marrëveshje për importimin e pajisjeve nga Kina. Për herë të parë Enver Hoxha vështrohet përmes një qelqi me të cilin vëzhgohet eklipsi diellor: nuk përmendet asnjëherë me emër, por vetëm si diktatori, udhëheqësi, Ai. Për herë të parë në një vepër të Kadaresë del edhe gruaja e diktatorit për t’i dhënë mjaft hapësirë në kapitullin XIII me komisionin e dhuratave për udhëheqësin me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Vepra kulmon pikërisht këtu, kur Arian Vogli, shefi i sigurimit të qytetit, do t’i bëjë dhuratë ‘Princin 017B’, nxjerrë nga varri i inxhinierit elektrik Shpend Guraziu, ku gjendet jo vetëm prova e seancës së spiritizmit, por edhe një copëzë kumt për Perëndimin, çka përbën zbulesë të përpjekjeve të armiqve të jashtëm kundër pushtetit popullor, kundër Shqipërisë socialiste. Po aty ka dhe një qoshkëzë për dytsin (sozinë) e udhëheqësit.

Personazhe si Edlira Gjikondi, Suzana Kraja, Skënder Morina, ndihmës Naumi, mjeku H. janë thjesht garniturë e veprës; venitja e seksit të grave, përçudnimi i gjuhës, dhjetëra njerëz që përfunduan në internim ose në burgje janë pasojat e tmerrshme të situatës së nderë deri në trokitjen e demokracisë. 

Romani “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” (2002)

Te romani “Spiritus” ka një detaj të vogël, në dukje të parëndësishëm: “Një aktor e vranë me armë gjahu mu në mes të rrugës” (f. 18), kurse në faqet 20 dhe 21 jepen edhe të dhëna të tjera, pa u përmendur emri. Pikërisht ky aktor i vrarë është personazhi kryesor i romanit “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” që merr shtysë nga vrasjet në kufi në fund të viteve ’80 të shekullit të shkuar. Me siguri autori, përveç mbështetjes mbi ndonjë ngjarje të vërtetë, ka patur në dorë edhe materiale të tjera, çka mund të kuptohet nga dëshmitë në prokurori në fund të disa kapitujve, madje më duket sikur emrat e të vrarëve që jepen në fund të veprës, janë realë.

Shqipëria e atyre viteve ishte futur në një qerthull rrënimi ekonomik që mbulohej me një propogandë agresive, saqë shumë njerëz rrugëdaljen filluan ta kërkojnë përtej kufirit duke e paguar shpesh me çmimin e jetës. Lul Mazreku nga qyteti B. nuk ia del të vazhdojë Institutin e Arteve dhe i duhet të shkojë ushtar në Sarandë. Ende pa u nisur, një nga shokët e vet, Nik Balliu, ia fut xanxat e arratisë. Paralelisht, Vjollca Morina, vajzë nga kryeqyteti, stazhiere në Bankën Kombëtare, duke shfrytëzuar një njollë në jetën e saj, rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dërgohet në Sarandë në sezonin e plazhit për të zbuluar ata që kishin në mend të arratiseshin. Rritja e numrit të të arratisurve ka alarmuar majën e piramidës shtetërore dhe partiake dhe një prej komandantëve të kufirit jep idenë e rritjes së terrorit ndaj banorëve duke ekspozuar të vrarët në kufi. Në mungesë të një kufome, Lul Mazreku pranon të luajë rolin e parë dhe të fundit në jetën e tij duke u shtirur si i vdekur në një varkë, në këmbim të liridaljes për të takuar Vjollcën.

Rrënimi ekonomik ka sjellë edhe një degradim të gjuhës së komunikimit mes të rinjve, ushtarëve dhe femrave të rekrutuara duke krijuar një vathë fjalori vulgar të pazakontë në veprat e Kadaresë: “qytet i pjerdhur, atë plaçkën e ka si llokum,  të lëroj nënën, i preku herdhet, ca pordhacë, lugu që sajohej midis kofshëve… mbyllja e rrumbullaktë pak më poshtë i ngjante një kopse ngjyrë kafe me ca rrudha e qepje anash… po ti qenke trap fare, na çave bythën me këtë, mos të dukem gjë si byths? unë të shkërdhej nënën! mos hodha ndonjë pordhë? t’i ruajnë bythën, fol, shkërdhatë, mos kakarisni, moj lavire.” 

Në antitezë me këtë fjalor agresiv, gjithçka ndryshon rrënjësisht kur flitet për Butrintin dhe lidhjet e tij me antikitetin, një urë lidhëse me Trojës dhe Romës, me pandehmat se këtu mund të ketë ndaluar vetë Enea. Duke vënë historinë e këtij vendbanimi të lashtë si libër në duart e Vjollca Morinës, Kadare gjen rastin për t’u rikthyer në Trojë nga ku është ndezur zjarri që i ka dhënë jetë jo vetëm letërsisë greke, por edhe asaj botërore.

Përfundimi më i rëndësishëm pas këtij rikthimi në universin kadarejan është më i qartë se çdo herë: vepra e Kadaresë duhet rilexuar.

Filed Under: LETERSI

Zhyl Vern, ai që me romanet e tij befasoi shkenctarët, magjepsi lexuesit dhe u rëndit me Agatha Christie dhe William Shakespeare

February 8, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Me legjimitetin e gjithkohshmërisë dhe kapërthimit të çdo limiti të mundësisë së njeriut për të sunduar botën, ai është quajtur “babai i fantashkencës”. Por, kohëpaskojet, tejpërçimi i dijes dhe ç’kodimi i mistereve dhe sekreteve nga njeriu, vërtetuan se ishte shumë më shumë se aq. Ai ishte një mëndje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Ai nuk vinte nga qielli, por gjithçka që endi me kaq pasion dhe mendjebegati, e ngriti famën e tij lart në qiell, në një shkrepëtimë shndritëse ylli. Është fjala për poetin, dramaturgun dhe romancierin e zhanrit fikshën shkencor, Jules Verne, (Zhyl Vern) (8 shkurt 1828 – 24 mars 1905). Ai ishte një ndër shkrimtarët i njohur dhe më të lexuar francez në botë.

Reputacioni i tij ishte dukshëm i ndryshëm në rajone anglishtfolëse, ku ai nuk ka qenë shumë i mirëpritur sepse është etiketuar si një shkrimtar i zhanrit fikshën ose shkrimtar për fëmijë. Megjithatë kjo nuk shterroi interesimin e gjithë shtresave dhe grupmoshave, gjë që shtyu botuesin e tij të ribotojë disa herë romanet e Jules Vern.

Grupmoshat që lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij janë pa dallim. Siç ka mrekulluar të rriturit, ka megjepsur fëmijët. Mendimtarët, shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit, i ka shokuar me faktet dhe përfytyrimet, saktësia e të cilave do të ishte befasuese me ballafaqimin e fakteve përmes sprovave dhe sfidave shkencore në periudhat e mëvonshme. Deri para disa kohësh ka qenë autori më i përkthyer dhe më i admiruar, por do të mbetet përgjithmonë një shembull i pashembullt i letërsisë fantashkencës. Vepra e Zhyl Vern që nga viti 1979, u rendit me të njëjtën pritshmëri dhe interesim me kolanën krijuese të Agatha Christie dhe William Shakespeare.

Shpikjet e përshkruara në shumë prej librave të tij më të famshëm tashmë janë bërë realitet dhe veprat e tij kanë frymëzuar breza të terë krijuesish e shpikesish.

Biografia Zhyl Verni lindi në qytetin e Nantes, në Francën Perendimore. Ai ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi studimet për drejtësi në Paris, por i ndërpreu ato për të filluar karrierën e si shkrimtar. Ai filloi të bashkëpunonte me botuesin Pierre-Jules Hetzel, i cili e ndihmoi Vernin të publikonte por edhe duke e këshilluar për këshilluar për fushën e letërsisë. Jeta e tij është e mbarsyer me aventura dhe befasi, të cilat ngjizën thellë realitete imagjinative dhe zgjuan ato botë, ato larmi fantastike përfytyrimesh, të cilat kanë mbetur përgjithmonë si vlerat më të vlefta të leximit.

Pas suksesit të librave të tij, Zhyl Verni fitoi popullaritet në gjithë botën duke u shndërruar nga emrat më të lakuar. Ai u tërhoq nga jeta publike dhe bleu një shtëpi në Amien, një qytet i qetë bregdetar. Këtu ai filloi të rregullonte marrëdhëniet me disa nga anëtaret e familjes me të cilët s`kishte marrëdhënie të mira (përfshire dhe djalin e tij) si dhe u frymëzua për disa nga kryeveprat e tij. Zhyl Vern vdiq në Amien më 24 mars 1905 dhe u varros në këtë qytet.

Vepra e tij është sa interesante aq dhe bujare. Zhyl Vern ka shkruar 58 romane, por midis veprave të tij më të njohura përmenden: Aventurat e tri anglezëve dhe tri rusëve në Afrikën Jugore, Gjarpëri i detit, “Pesë javë në balonë”, “Ishulli misterioz”, Rreth botës për 80 ditë, “20 milje nën det”, “Nga Toka në Hënë”, “Udhëtim në qendër të Tokës”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Fari në fund të botës”, “Sfinksi i akujve”, “Bijtë e kapitenit Grant”, “Kapiteni pesëmbëdhjetëvjeçar”, “Dy vjet pushime”, “Aventurat e çuditshme të kapiten Antiferit”, “Mateo Sandorf”, “Mikel Strog”, “Piloti i anijeve të Danubit”, “Fshati ajror”, “Ndodhitë e një kinezi”, “Rrezja e gjelbert”, “Ylli jugor”, “Doktor Oksi”, “Kështjella në Karpate”, “Përplasja e anijes Xhonatan”, “Nje qytet lundrues”, “Vullkani i artë”, “Aventura e jashtëzakonshme e ekspeditës Barsak”, “Arkipelagu në flake”, “Mësymja e detit”, “Rrëmbimi i shpikësit”, “Dramë në Livoni”, “Udhëtaret e rinj”, “Shkolla e Robinsoneve”, “Dimërim në akull”, ” 2 vite me pushime “. Kolana e tij krijuese pushtoi me mrekullimin përfytyrues gjithë botën dhe foli me gjuhët e gjithë rruzullit për të vijuar të mbetet në shkallën më të lartë të interesimit në gjininë e fantashkencës.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 291
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT