• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Amaneti” i Fatos Arapit për t’u prehur në Konispol

October 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Një qiri i ndezur diku në gjithësi

Për kë digjet vallë?

Me Fatos Arapin, poetin, shkrimtarin, dramaturgun dhe humanistin e shquar, na lidhi një miqësi e gjatë, 43 vjecare, derisa ai, bashkë me poezinë e tij, u ngjit në krahët e Perëndive. Arapi shënjoi rrugën time të artit, duke u interesuar për botimin e cikleve të para me poezi në gazetat dhe revistat e kohës, qysh në vitin 1981, kur isha maturant në gjimnaz. Isha i lumtur në shoqërinë  e tij. Për mua mbeti një poet e shkrimtar gjenial, një shpirt i dëlirë, me energji të pashtershme. Nuk u mor me politikë, madje kishte neveri për politikën, megjithëse pati oferta. Fatosi vazhdonte të mbetej skeptik për gjithçka, por njëkohësisht shumë i vëmendshëm ndaj ngjarjeve. Në vitet e para të demokracisë, 1993 – 1994, së bashku me prof. Pandeli Çinën e disa personalitete të tjerë, krijoi  “Forumin e Intelektualëve të Pavarur Shqiptarë”, që pati mjaft jehonë në hapësirën mbarëshqiptare, duke bërë thirrje e promemorje për t’u orientuar drejt në momentet historike që po kalonte vendi. Por disa vite më pas veprimtaria e Forumit u fashit e u shua dalëngadalë, si pasojë  e trysnisë që ushtronte tërthoras politika zyrtare. Fatosi dhe kolegët e tij bënë një tërheqje të butë nga misioni i tyre intelektual e atdhetar.

– Pse kaq i tërhequr profesor? – e pyesja shpesh në vitet 2000. Mendimi juaj  do ishte mjaft i vlefshëm në demokracinë tonë të re.…Që njerëzit të shohin të vërtetën në sy. Kush mund ta tregojë më mirë të vërtetën se një shkrimtar i njohur, një intelektual i pavarur?

– Njerëz të pavarur nuk ka…Njeriu është i varur nga historia… ma kthente shkurt, duke filozofuar. E po, demokraci është kjo? Kjo është një vorbull ku jemi ngatërruar keq…Nuk e duroj dot anarkinë me pronat e me gjithçka…

***

Fatos Arapi u lind më 1930 në Zvërnec të Vlorës, nga një familje patriote. I ati, Tol Stavre Arapi, kish luftuar me pushkë në dorë për lirinë e atdheut, kurse i vëllai, Vllasi, u zhduk pa nam e nishan në vitet e para të diktaturës komuniste. Fatosi ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë, në fillim si gazetar dhe më vonë, për një kohë të gjatë, si pedagog. 

Nisi të shkruante që në vitet e studimeve dhe, rreth viteve 60, emri i tij iu bashkëngjit autorëve si Kadare e Agolli, që po tentonin ta emanciponin poezinë e deriatëhershme. Vargjet në shqip nisën të ishin më të lirë edhe falë Fatos Arapit. Ai e shpalli që në fillimet e kredos së tij poetike se “qenia është liri dhe liria është qenie”.

I përballur me një jetë të stuhishme Arapi, në mbi 60 vjet aktivitet krijues, synoi krijimin e një poezie që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akullt të realizmit socialist. 

Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi e vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Poezia e tij, për gjatë gjysmë shekulli, arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike, me thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit dhe figuracioni i freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996. 

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, ku ai qëndron në rreshtat e parë dhe ku u kritikua disa here për  hermetizëm dhe modernizëm , Fatos Arapi ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. 

Fatos Arapi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke shkruar disa drama si: “Drama e një Partizani pa emër”,1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”,1995, etj.

“Drama e një Partizani pa emër” u vu në fokus të goditjeve apokaliptike në Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965). Pleniumi, me kritika të rrepta, e paraqiti autorin si kundërshtar të ideologjisë së partisë, kundërshtar të letërsisë dhe artit të realizmit socialist. Madje edhe shtrembërues i së vërtetës për Luftën Antifshiste Nacional Çlirimtare”. Heroi i dramës së Fatos Arapit ngrihej mbi heronjtë e dramave të tjera socreale, të cilët portretizoheshin si butaforikë.

Pasuan privacione të shumta. Autori u godit dhe, si rrjedhojë, Fatos Arapin e hoqën nga puna si pedagog dhe e degdisën në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës. Por megjithë largësinë e pakapërcyeshme që ndante talentin e tij të rrallë me nivelin e ulët të kohës që jetoi, Fatos Arapi mbeti gjithmonë i frymëzuar, i papërmbajtshëm, me një temperament të etshëm e plot tallaze. Poezia e tij sa universale aq edhe filozofike dhe ekzistenciale, edhe sot e kësaj dite mbetet një enigmë, me një shkëlqim engjëllor, me një forcë të jashtëzakonshme, magjiplotë. 

***

Në maj të vitit 2015 ishte takimi ynë i fundit, te kafja pranë  Teatrit të Operas dhe Baletit. Binte një shi i hollë me plogështi. Sa u ul në tavolinë filloi të më lexonte i emocionuar, si rrallëherë, në mënyrë gati patetike, disa vargje për Konispolin, që i kish shkruar atë mëngjes në një copë letër:

“Një qiri i ndezur diku në gjithësi

Për kë digjet vallë?

Konispoli si një re lulebajamesh

varur rri 

në perëndimin e allët.

Shoh yjet pellazgjikë

që shuhen mbi Qafë Botë

me ahet e ngurosura të çamëve…

Kur të vdes

Atje më shtini

Mes reve me bajame…”

Mbeta i shtangur dhe menjëherë i ngulita në mendje këto vargje brilante. Nuk di ku ka përfunduar kjo poezi, që fare mirë mund të futej në çdo antologji. M’u lidh gjuha për disa çaste. Edhe Fatosi ishte tepër i emocionuar. Iu mbushën sytë me lot. (Aso kohe profesori mallëngjehej shpejt).

 – Profesor?…Jeni mirë? –  belbëzova.

-Oh, jam shumë mirë…Miku im! Dhe filloi të fliste shpenguar: Do shkojmë bashkë në Konispol, të ngjitemi në Çukën e Aitoit, pastaj kafen e pimë lart në Buar, përmbi Qafë Botë, të shohim detin e Sajadhës, ku vjen aroma e peshkut dhe e kripës së bardhë. Aty ku fryjnë erërat e Jonit dhe mblidhet gulsh malli për Çamërinë…

U kujtova se Fatosi, vite më parë, kish shkruar për Konispolin reportazhe e skica. Madje ngjarjet e një novele të tij zhvilloheshin atje. Por kjo kërkesë e tij, e shprehur poetikisht, më la pa mend.

-Edhe Zvërneci është po aq i bukur, i lashtë dhe i magjishëm…i thashë. 

-Nuk më pëlqen të shkoj në vendlindje, ma preu shkurt. – Tokat tana i kanë zaptuar “peshqit e mëdhenj” me dokumenta false…Nuk e ke marrë vesh se ç’bëhet te Gryka e Pashës? Atje dua të prehem…në Konispil! Konispoli është hyjnor…Nis që nga koha e Paleolitit. Edhe atje është një vend që quhet Mali i Nartës. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se vendbanimet i përkasin shek. III para Krishtit. Konispoli është i vetmi që na ka mbetur nga Çamëria. E ku ka më mirë se të prehem atje? Të thërras në ndihmë mitologjinë… Çamëria është toka e shenjtë e Shqiptarisë!

Kaq do të mjaftonte që ky personalitet i shquar kombëtar të shpallej “Qytetar Nderi i Konispolit” pas vdekjes.

Ashtu u ndamë atë ditë dhe nuk e pashë më rrugëve të Tiranës. Telefoni  dilte jashtë linje. Kur pyeta më thanë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar dhe nuk dilte nga shtëpia. Vitet më pas nuk komunikoi me njeri, derisa u shua mbrëmjen e 10 tetorit 2018, në moshën 89-vjeçare, për të mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e brezave.

Si s'të desha pak më shumë – poezi nga Fatos Arapi – Revista ...

Filed Under: LETERSI

“Camera Obscura”

October 9, 2024 by s p

Prof. Stefan Çapaliku/

Kam shkru nji libër që s’kam mujtë mos me e shkru. Kam shkarravitë nji libër duke qenë i mbushun me dyshime, që kohët e fundit më kanë vizitu nga të tana anët. Kam kurdis nji libër gjatë kohës kur jam ndie si fotograf, me kryet e zhytyn në nji thes të zi, që ishte paradhoma e nji kutie të errët. Brenda kësaj kutie më asht përmbysë bota, më kanë ba laradasha imazhet.

Kam hartu nji libër duke dashtë me i ngjasu atij kalimtarit të vetmuem që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si nji peizazh vesesh epshore. E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata… prandaj personazhet e mia nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske.

Siç thotë Susan Sontag të libri i vet mbi fotografinë ”Aparati fotografik asht nji sublimim i armës, të fotografosh dikë është nji vrasje e pandërgjegjshme, nji vrasje e butë, e përshtatshme për nji kohë të trishtuar dhe plot ankth…”

E kam zgjedhë me ndërgjegje këtë rrugë duke dashtë t’i shmangem sa ma shumë që të ishte e mundun poezive sentimentaliste, erotike dhe qarramane, territore në të cilat janë arritë rezultate të jashtzakonshme dhe të pakapërcyeshme.

Me këtë rast kam dashtë të eksploroj disa përmbajtje të reja që më kanë rrethu, me shpresën se janë përmbajtjet e reja ato që do më çojnë drejt formave të reja.

Filed Under: LETERSI

NJË LEXIM I PËRDITËSUAR ROMANEVE TË ISMAIL KADARESË

October 8, 2024 by s p

Kosta Nake/

“Përbindëshi”, Vepra 1, Onufri 2007

Letërsia antike mbetet një thesar që shekujt e kanë kaluar nëpër prizmin e tyre dhe, jo vetëm e kanë mbajtur të gjallë në kujtesën e njerëzimit, por edhe kanë hedhur dritë mbi gjërat e njohura duke shkërmoqur thërrmija diamantesh. Me romanin “Përbindëshi” Kadareja bëri këqyrjen e parë të vëmendshme te Troja, Iliada dhe Homeri.

Është mahnitëse që të arrish të heqësh paralele imagjinare mes një historie tepër të largët dhe fatit të një çifti të ri, pastaj si magnet, të tërheqësh ngjarje dhe karaktere që janë të gjithëkohshëm. Paridi rrëmbeu Helenën, Gent Ruvina rrëmben Lenën; Menelau i çoi fiset greke në Trojë për ta rimarrë Helenën, Maksi i çon shokët e vet në rrethinat e kryeqytetit për ta ndëshkuar Lenën dhe rrëmbyesin. Gjithçka fillon me furgonin e braktisur jashtë qytetit nga Cen Tufina pas një aksidenti dhe autori jo vetëm e tjetërson në një kalë të drunjtë, por fut brenda tij edhe një grup njerëzish që sakaq të kujtojnë grekët brenda Kalit të Trojës.

Në kapitullin V, Gent Ruvina, duke parë nga dritarja e hotelit barakat me katrama nën shiun e mëngjesit, hamendëson për zgjimin e parë të Helenës në Trojë. Kaq mjafton që të hyjë në ca labirinthe gjuhësorë të cilët dikush tjetër mund t’i shohë sikur kanë ngrirë përjetësisht. Dhe ja ku dalin dy xhevahiret e para: Troja është Iljoni, domethënë “Ylli Jonë, kurse Iliria është Ylli i Ri. (f.263) Pra nuk është një gërmim për të shuar kureshtjen, por për marrë diçka të çmuar për historinë tonë të munguar.

“Kamarja e turpit”, Vepra 8, Onufri 2008

“Kamarja e turpit” u shfaq së pari tek lexuesit dhe adhuruesit e romancierit si pjesë e triptikut “Ura me tri harqe” (1978) me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Duke e rilexuar pas disa dekadash sakaq përfytyron një kompleks analogjik: Ali Pasha i Tepelenës – pashallarët e 33 viteve tranzicion, Sulltani – SPAK-u, Kamarja e Turpit – Burgu 313.

Tani që perdja e idealeve të dhjetorit 1990 është shqyer duke u kthyer në një cergë mjerane, pas figurave që pretenduan t’ia ndryshonin faqen Shqipërisë dhe të zbardhnin fatin e shqiptarëve, u zbuluan zullumqarët që luftuan për të krijuar çifligjet e tyre që me mandatin e parë qeverisës. Në Kamaren e Turpit ku janë ekspozuar me radhë disa koka ministrash, Tunxh Sar Aksham Hatai është vënë në kërkim të kokës së një zëvendëskryeministri dhe Sulltani ka një listë të gjatë kokash që presin të ekspozohen duke iu përgjigjur zhgënjimit të madh të njerëzve idealistë që besuan se demokracia ishte një kapërcim i thjeshtë ylberi.

Më e pabesueshmja ka ndodhur: pushteti që u ndërtua me parafabrikate demokratike, shumë shpejt u vesh me mekanizma despotike duke krijuar me shpejtësi një shpurë itharësh që ndezën projektorët e bajraktarizmit dhe lëshuan plugjet e ankthit dhe frikës. “Shqiptarët ishin zemërakull me Aliun (lexo: me pushtetarët e sotëm) dhe nuk iu përgjigjën thirrjes së tij sepse ai i kishte shtypur, i kishte varur, i kishte pranguar.” (f.299)

Për tri dekada u krijua ideja se Sheshi i Demokracisë nuk ka më nevojë për Kamare Turpi, se kishte perënduar dielli i shuar me përgjakjen rreth e rrotull qafës. Përpjekjet e ethshme për krijim çifligjesh u fshehën pas iluzionit se Shqipëria, falë përpjekjeve, ishte bërë e përkëdhelura e Europës dhe dinjitarët e saj kishin gjetur gjithandej miq euroatlantikë. Vetëpëlqimi i tyre u rrit në grotesk kur, ashtu si Ali Pasha, në planin e brendshëm u përpoqën të ngjajnë me Skënderbeun ose Ismail Qemalin, pasi edhe këta si dhe Skënderbeu e ndryshuan “kahjen e historisë duke e kthyer Shqipërinë drejt Perëndimit.” (f.321) Por, ashtu si Ali Pasha, në planin e jashtëm guxuan të ngrenë krye kundër Amerikës sepse i përkasin një vendi që “të ngec në grykë… Shqip… Shqipre… një lloj shpendnaje, me pupla të përgjakura, që bien nëpër erë, vërtiten, ah, nëpër rrebesh, s’di ta them, o Allah.” (f.396)

“Eskili ky humbës i madh” (1990)

“Eskili ky humbës i madh” është një etalon se si mund të bëhet një studim shterrues për një autor dhe veprën e tij. Është vendosja e një guri kilometrazhi në rrjetin e udhëve të antikitetit që Kadare jo thjesht i shkeli si adhurues, por u ndal gjatë si studiues për t’i vëzhguar me vëmendje, për të bërë zbulime befasuese dhe për të hedhur hipoteza. Siç dëshmoi vetë autori tek “Ftesë në studio”: “Kur kam shkruar librin për Eskilin, kam dashur, veç të tjerash, të vë në provë ndërgjegjen time: a mund të shkruaja diçka për një popull tjetër (për një popull tjetër ballkanas), me të njëjtin përkushtim siç do të bëja për popullin tim?” (botim i vitit 1990, f.273)

Kadare kërkoi thellë te koncepti i së drejtës si një prej ideve gjeniale të Eskilit dhe ja ku zbulojmë pse pati një ndjesi të veçantë: ta ilustronte me artefakte shqiptare.

Shtatë tragjeditë e mbetura kaluan në sitën e analizës së autorit. “Koeforet” me pëlhurën-rrjetë që Klitemnestra ia hodhi Agamemnonit para se ta godiste dhe njollat e thara të së cilës na kujtojnë menjëherë këmishën e përgjakur te romani “Prilli i thyer”.

Duke iu rikthyer luftës greko-trojane, Kadare e konsideronte si pretekst rrëmbimin e Helenës dhe i mëshonte “shkeljes së zakonit të mikut” dhe “tryezës së dhunuar” që përbën një gur themeli në kanunin shqiptar.

Një ndërkallje e neneve nga Kanuni i Lekë Dukagjinit është një këmbëngulje për të thënë se nuk ka një ishull grek të lulëzimit të letërsisë, por një shtrat ballkanik që e ushqeu atë dhe këtu shpërtheu pezmi i Kadaresë që pas Perandorisë Romake edhe studiuesit e tjerë të metropoleve botërore janë treguar shpërfillës ndaj këtij trualli që ka pjellë kryevepra të mahnitshme.

Kur kthen dyshen e fundit të faqeve të librit, sheh se surprizat nuk kanë të mbaruar. Te raportet e Eskilit me konkurrimin dhe të Eskilit me Greqinë unë lexoj raportin e Kadaresë me Çmimin Nobel dhe me Shqipërinë, pa e vënë dorën në zjarr dhe pa ngulur këmbë si mushka. Po citoj dhe secili le të bëjë vlerësimin e vet.

“Kishte kohë që në trurin e tij shkumëzonte pakënaqësia. Vendimi i jurisë ishte pika e fundit e derdhur në një gotë të mbushur prej kohësh. Nuk i mbetej veçse të shfrynte me vete: në djall të vinin të gjitha… Në djall çdo gjë, në djall të vente Greqia bashkë me grekët. Vend zemërngushtë, mosmirënjohës, kujtesëshkurtër. Ai qe përpjekur ta bënte të pavdekshme, por ajo s’e meritonte.” (f.152)

“Piramida” (1991)

Ka qenë pjesë e përmbledhjes “Ëndërr mashtruese”. Pasi pushtoi letrarisht Europën dhe Azinë, perandori Kadare hodhi vështrimin te kontinenti i tretë, Afrika, me synimin që ta fuste brenda zotërimeve të veta Egjiptin dhe një nga simbolet më të njohura botërisht, piramidat e Gazës. Romani dëshmon se pati bërë përgatitje speciale para mësymjes.

Kam patur mbi tavolinë rrugë të shkelura nga shkrimtari francez Eric Faye, kritiku gjerman Andreas Breitenstein, gazetari Andre Clavel, Gjekë Gjolekaj, gazetari shqiptar me banim në Amerikë, prandaj rileximi im u kufizua te rrafshi i nëndheshëm i tekstit, pra ku Egjipti është Shqipëria, ku Keopsi është Enver Hoxha, ku egjiptianët janë shqiptarët.

Kryeprifti Hemiunu, që para se të fillojë ndërtimi i piramidës i thotë faraonit dy gjëra thelbësore: “Ideja e piramidës lindi në një kohë krize,” se ajo “…është në radhë të parë pushtet, shtypje, burg, para, po aq sa ç’është trullosje e turmave, ngushtim i mendjes, vyshkje e vullnetit, mërzi dhe humbje.”

Përbetimet e zbuluara nga policia e fshehtë e faraonit Keops, të kujtojnë grupet armiqësore të viteve ’70 në Shqipëri me akuzat për tradhëti e sabotim, që çuan në arrestime, tortura, internime dhe ekzekutime me vdekje. Ceremonia e dekorimit të kryepriftit Hemiunu, pasohet nga goditja e tij, ashtu si ndodhi me nomeklaturën më të lartë të shtetit diktatorial. Situata e nderë i tjetërsoi njerëzit, “…ata flisnin si në kllapi, dënonin armiqtë e shtetit me një dehje të sinqertë, përdëlleheshin për faraonin sovran.”

“Në një drekë zyrtare Keopsi tha fjalët e famshme: Piramidën e kanë halë në sy armiqtë tanë, por sa më shumë ta përgojojnë ata, aq më lart ne do ta ngremë atë drejt qiellit.” (f. 54) Pas këtyre fjalëve ne i kemi gati deklaratat bombastike: Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Ne në gojë të ujkut hedhim valle. Armiqtë na kanë në grykën e pushkës, ne i kemi në grykët e topit.

Në kapitullin e shtatë të “Piramidës” përshkruhet një fragment kohor nga një periudhë e gjatë, një gjeneratë ku koha nuk matet me javë apo me vite, por në gurë, secili me peshë disa ton dhe në mijërat e vdekjeve të tmerrshme dhe të panevojshme, që shkaktohen prej transportit dhe vendosjes së tyre. Me një ironi të jashtëzakonshme dhe të goditur, viktima kurorëzuese e piramidës përfundon vetë Keopsi. Sepse piramida, e parë nga ideatorët e tij si një simbol përulës ndaj pushtetit të tij të plotë dhe të pakundërshtueshëm, arrin të duket në sytë e tij si një kujtesë për vdekjen personale. Rrokullisja e gurit të shtatë duke filluar nga qielli është aludim për rrokullisjen e afërt të sistemit.

Deklarimi është i drejtpërdrejtë: “Piramidat, duke mos dhënë asgjë, jashtë çdo lëshimi, ishin mishërim i pastër i sundimit.” (f.84) Kurse në faqen 93, kur në vend ka ardhur një klimë mosbesimi mes njerëzve, njëri prej tyre thotë: “…jam i dyzetenjëshit unë, more vesh, shko gjej ndonjë tjetër për ta trembur…, mua më merr të keqen, se ti i kishe buzët me qumësht kur unë e lashë krahun te…”

Varianti i parë i veprës i përfshirë në përmbledhjen “Ëndërr mashtruese” u shkrua në vitin 1989. Botimi si roman më vete më 1992 rriti numrin e kapitujve nga shtatë në gjashtëmbëdhjetë dhe kapitulli “Antipiramida” ka një shtesë ku mjedisi shqiptar i krijuesve që filloi të gëlonte nga disidentët pas vitit 1991 bën muuu!

“Të tjerë rrëfenin bëmat e tyre, si e kishin namatisur shkallanën e dyzetenëntë, si e kishin pshurrur në të pesëdhjetë e tretën,…. poetët tregonin vjershat ku sipas tyre kishin patur nënkuptime kundër Keopsit si dhe ankthin që i kishte sfilitur për atë shkak… Amenherunemefi rrëfente për shembull torturën që kishte hequr kur kishte shkruar sidomos dy vargjet: “Mullibardhat tek iknin varg, unë i pashë e qava pak…” (f. 123)

Kapitulli “Kafkana” me Timurin e çalë dhe stepën pranë Ispahanit në Azi sjell një model tjetër të ushtrimit të sundimit absolut e barbar për të nënvizuar faktin se të gjitha diktaturat, pavarësisht formës dhe mjeteve, në thelb janë e njëjta gjë, mekanizëm për thyerjen e vullnetit të popullit.

Epilogu është shpërthyes ndaj diktaturës në Shqipëri. “Shfaqja e dytë ndodhi gjashtëqind vjet më pas, në dheun e vjetër të ilirëve ku banonin tani pasardhësit e tyre me emrin shqiptarë. Si në një koitus kozmik… piramida plakë lëshoi jo një por qindra mijëra pjella të saj. Ato quheshin bunkerë dhe secili, sado i vockël ishte në krahasim me nënën, e bartte tërë tmerrin dhe marrëzinë e saj.” (f. 137-38)

“Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” (1980)

Ku dhemb dhëmbi vete gjuha. Ky është vështrimi im për dy kapitujt nga përmbledhja “Gjakfohtësia” që shërbyen si trase për romanin e ardhshëm. Në kapitullin e parë është dita e parë e punës së Ebu Qerimit në Tabir Saraj. Këtu mund të gjurmosh aluzione për Tiranën. Në kapitullin e dytë autori “pushton” pallatin nga brenda duke zbuluar se si funksionon ai. Pastaj del dhëmbi i prishur. Ebu Qerimi u përket Qyprillinjve – të përkëdhelurve dhe të ndëshkuarve të perandorisë, që kanë një epos të famshëm. Këtu është vendi i duhur për të përcjellë mesazhe. Cili ishte raporti i Shqipërisë me Perandorinë Osmane?

“… Ju shqiptarët kujtuat me të drejtë se ata (turqit – K.N.) po vinin t’ju pushtonin, kurse ata nuk bënin gjë tjetër, veçse ju sillnin dhuratë një perandori të tërë.” (f.536) “Turqit na dhanë neve shqiptarëve atë që na mungonte, hapësirat e mëdha.” (f.537)

Biseda mes Qyprillinjve kulmon me një aluzion për izolimin e Shqipërisë socialiste: “Ata do ta fitojnë ndonjë ditë pavarësinë vërtet, por do të humbin… këtë hapësirë vigane ku fluturojnë si era, do të mbyllen në atë truallin e tyre të ngushtë, krahët do t’u pengohen e do t’u përplasen nga një mal në tjetrin, si shpendët që s’marrin dot fluturimin, do të vyshken, do të squllen e më në fund do të thonë: ç’fituam kështu?” (f.537-538)

Të shkruaje kështu 40 vjet më parë nuk ishte pa rrezik. Mjaftonte një sy vigjilent, një trokitje në Tabir Saraj dhe të tjerat vinin sakaq.

“Stinë e mërzitshme në Olymp” (2002)

Ja ku vjen zbritja në fushën e përballjes, një dalje nga hullia e romanit për të rikrijuar një tragjedi. I bindur për analogjinë që vendos autori me realitetin shqiptar dhe me sistemet diktatoriale të të gjitha kohëve, për herë të parë në anët e faqeve kam përdorur fjalët “tak”, “trak”, “trak- truk”, “shtrak”, “shtraka-shtruk” sipas intesitetit me të cilin ekspozohet aktualiteti pavarësisht se dukjet janë në qiell, në tokë, apo nëntokë. Këto shënime janë aq të shumta, sa do të zinin një hapësirë të konsiderueshme, prandaj do mundohem të bëj një përzgjedhje pikante.

“Në Olymp diçka po ndodh. Kurse ca syleshë ose që hiqen ashtu, duan të na bindin për të kundërtën: punët venë mirë e më mirë, e ardhmja është e ndritur, uniteti midis zotave s’ka qenë kurrë kaq i fortë.” (f. 17)

Ne, që e kemi jetuar atë kohë, i kemi dëgjuar sa herë deklaratat për unitet brenda radhëve të partisë.

“Nuk është hera e parë që ndodh kjo: hapet fjala se po bëhet një mbledhje për thatësirën dhe pastaj del se qenka zbuluar një komplot.” (f. 24) “Tani pritet një valë e re spastrimesh.” (f. 87)

Vitet ’70 të shekullit që lamë pas, ishte krijuar ideja sikur atmosfera ishte mbushur me grupe armiqësore.

“Kur ka ndonjë përleshje, na thërresin. Përherë si rrogëtarë. Pastaj, me të mbaruar punë, na vënë shkelmin.” (f. 34)

Edhe pse këto fjalë vendosjen në bisedën midis të burgosurve politikë, ajo ka vlerë përgjithësuese për shumë shtresa të popullsisë, madje shtrihet edhe mbi tranzicionin tonë, po të mbajmë parasysh se tragjedia u shkrua në vitin 1996.

“Kështu ka qenë gjithmonë në Olymp. Të gjithë e përfytyrojnë jetën këtu si parajsë. Muzikë, këngë të nimfave, pasdite të prillit me gotën e nektarit përpara, duke filozofuar. Kurse në të vërtetë, është tjetër gjë. Ankth, dyshime. Komplote të qena e të paqena.” (f. 38) “Kur me një banor të Olympit jam kaq i pamëshirshëm, e merrni me mend si do të jem me ju të tjerët.” (f. 88)

Këtu nuk është e vështirë të thuash që jemi te Blloku i nomeklaturës komuniste.

Të dënuarit në farefis dhe dëbimet (f. 44); krahasimi mes Athinës dhe Spartës, mes demokracive demagogjike dhe diktaturave të deklaruara hapur (f. 78); Eskilit i kërkojnë që dramën, para se ta sjellë në teatër, duhet ta çojë te strategu (f. 82), çka nënkupton censurën; braktisja e Athinës prej Eskilit (f. 108), na shkon menjëherë në mend ikja e vetë Kadaresë.

Antagonizmi Zeus – Promethe mund të shikohet në disa rrafshe duke kapur përmasa universale. Nga njëra anë kemi një zot/njeri të kapur fort pas fronit të pushtetit që për ta mbajtur atë, gjithkush i duket komplotist, nga ana tjetër kemi një zot/njeri tjetër që ekzistencën e vet e lidh me njerëzimin. Regjimet tiranike janë mostra që kryejnë krime të përbindshme.

Në dukjen e trembëdhjetë, rikthimi i Prometheut në Olymp duket si komedia “Shumë zhurmë për asgjë”, por nuk është kështu dhe shpjegimin e bën vetë Zeusi: “Ka patur raste kur heronjtë e pamposhtur që s’i theu as shpata e as rrufeja, i mposhti froni ose posti i lartë.” (f. 154)

Ka dhe një shpjegim tjetër për këtë antagonizëm dhe është përsëri Zeusi që flet: “Unë kam menduar se njeriut nuk i duhet dhënë as përkryerje e as liri pa cak. Ti ke qenë për të kundërtën. Unë kam menduar se truri njerëzor është bisha më e lemerishme, ndaj duhet të jetë i lidhur me vargonj. Ti, përkundrazi, ke qenë për lirinë dhe harlisjen e tij.” (f. 174)

Pastaj vjen një shpjegim kadarejan që lidhet me ndarjen e aktit të sjelljes së zjarrit me mosmirënjohjen njerëzore, madje ka një fare pezmi se njerëzimi po shkon drejt një krize të ngjashme me këtë që po ndodh në Ukrainë dhe Liban.

Filed Under: LETERSI

“Udhëtim pa mbarim”

October 7, 2024 by s p

Agim Baçi/

Të udhëtosh, thotë Claudio Magris në librin e tij “Udhëtim pa mbarim”, është të kuptosh se ke qenë edhe “nga ana tjetër”, në anën ku s’ke shkuar më parë e nuk e njeh ende “tjetrin”. Por kthimi – ama vetëm kthimi- është rivendosja e një kufiri më të qartë mes asaj që ke dashur të shohësh, asaj që ke dashur të njohësh, dhe asaj që ja vlen gjithnjë ta mbash si pjesë të vetes tënde duke mos e ndryshuar kurrë.

“Nuk ka udhëtim pa kapërcim kufijsh – politikë, gjuhësorë, social, kulturorë, psikologjikë, qoftë edhe kufij të padukshëm që ndajnë një lagje nga një tjetër në po të njëjtin qytet, apo ato mes njerëzve, deri tek ata më të mundimshmit që mbijnë nga skëterrat tona e na zënë rrugën. T’i kapërcesh kufijtë; edhe t’i duash – gjersa përcaktojnë një realitet, një individualitet, i japin trajtë duke e shpëtuar kësisoj nga e padallueshmja – por pa i himnizuar, pa i kthyer në idhuj që kërkojnë therori gjaku. T’i kuptosh si të ndryshëm, si të përkohshëm e kalimtarë, si trupi i njeriut, e si të tillë të denjë për t’i dashur; të vdekshëm, në kuptimin që t’i nënshtrohen vdekjes, ashtu si udhëtarët, e jo të bëhen rast e shkak për vdekje, siç kanë qenë e janë shpeshherë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris).

Magris nis një udhëtim siç jemi të gjithë në udhëtimin ku parakalojmë me njerëz të ndryshëm, me tradita e histori ndryshe nga e jona. Ai niset për një dëshirë njohjehe mbi botën, madje pa fshehur bindjen si Don Kishot se do të arrijë atje ku duhet. Nuk e zbehin dyshimet e Sanço Panços, që vjen si rrëzim përditshëm i së menduarës mbi një vend, mbi një gjuhë, mbi një autor, mbi një histori. Jo, ai ka dëshirë të udhëtojë me njeriun, me atë që ka mbijetuar në shekuj, po ku moderniteti apo postmoderniteti prej kohësh tenton ta rrëzojë në tapetin e harresës.

“Besnik ndaj vlerave mbetet jo ai që ka mall për lashtësinë dhe ngatëron të përjetshmen me të shkuarën, as ai që struket në vetmi aristokratike e arkaike, shterpë e patetike, por ai që pranon me përulësi të zhytet në rrëmujën e përditshme gjithfarë, në ndryshimet e gjithçkaje relative, të zakoneve dhe hierarkive, sepse kështu mëson të njohë e të respektojë dinjitetin njerëzor edhe kur i paraqet në forma dhe mënyra me të cilat nuk është mësuar dhe që mund edhe ta përjashtojnë apo trubullojnë atë vetë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris)

Më dëshirën për të njohur tjetrin, për të kaluar në lëkurën e tij, Magris ka udhëtuar përmes letërsisë, me historinë, dhe sjell pamje të gjithë llojeve të kufijve në Europën Qëndore, në Skandinavi, në Iran, në Kinë e Vietnam, e deri në pyjet në Kanada. Ka përshkruar ata që mbijetojnë si të jenë të vetmit- sorbët, istranët, çiçët e çiribirët.

Novalis, Josep Roth, Kundera, Jamek, Gunter Grass e poetët Shirazi e Sadiu janë pika ku shpesh ai kërkon të mbështesë “pamjen e dujur për njeriun”. Nuk mund të shmangë Niçen kur kërkon të kuptojë prej tij se “pas pisit është vetëm pis”, çka i vihet përballë asaj që vjen nga Ungjilli, ku citohet se “pas të pastrit vjen i pastri”.

Magris kalon kufij, ngre lart raportin e përkujdesjes ndaj atyre që kanë ditur të rrisin fëmijë e nipër dhe që vijojnë të mbajnë flamurin e njerëzores, e na fton si në përralla që pas një pylli pikëpyetjesh për mbijetesën, për tjetrin, të ktheheni te Njeriu. Magris sugjeron se është “qielli në lëvizje” ai që i jep udhëtarit një ndjesi sikur di t’i paraprijë vdekjes. Por cilës vdekje? Ajo fizike mundet të vijë herët ose vonë, nga një tjetër caktim. Ajo shpirtërore varer prej mesh. Dhe të shmangësh një vdekje të tillë është këmbëngulja se secili duhet të nisë që të udhëtojë, duke mos mbetur pjesë e një mosnjohjeje të kufijve me tjetrin dhe botën– e kufijve të dukshëm e të padukshëm.

Don Kishoti, Shvejku, Pinoku, Fausti nuk janë thjesht personazhe, por janë bashkëshoqërues të këtij rrugëtimi, për t’u ndalur më pas edhe me Hajdegerin, Kafkën, Niçen, Gëten, edhe me mjaft emra të tjerë, të cilët janë udhëtarë nëpër shumë kufinj.

Udhëtimi është pjesa ku bota rimerr përmasa të tjera. Mund të qëllojë të jesh Odise, Don Kishot apo Robinson Kruzo. Mund të duhet të sillesh si Xhepeto e të ndërtosh Pinokun tënd, ose të përgjigjesh, pasi ke vënë në dyshim gjithçka që ke menduar apo ëndërruar, si Don Kishoti Sanço Panços: “Edhe bën vaki”!

Udhëtimet shpesh kemi dëshirë t’i kujtojmë e t’i rikujtojmë. Na ndodh të hapim fotot. Kalojmë nëpër duar suveniret. Mendojmë edhe një herë rikthimin për ta shijuar edhe me dikë që kemi për zemër e që nuk e pa dot bashkë me ne atë pjesë të rrugës që deshëm ta bënim.

Magris, një nga shkrimtarët dhe esseistët ndër me të vlerësuarit për botën të cilën sugjeron, duket sikur përsërit përmes gjithë ndjesive të njëjtën moto: “udhëtimi nuk mbaron kurrë!”. I ardhur në shqip nga Mimoza Hysa, libri “Udhëtim pa mbarim” mbetet një kontakt i jashtëzakonshëm me të dëshirueshmen e përhershme – atë të botës që duam ta shohim, njohim e ta përshkruajmë vetë.

Filed Under: LETERSI

Karakteri unik dhe universal i veprave të Ismail Kadares

October 5, 2024 by s p

Elda Talka

Marsida Dedja

Blerina Kanxha/

Një nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqiptare, më i përkthyeri, më i njohuri, më i vlerësuari ndër shkrimtarët shqiptarë. Ka shkruar qysh në rininë e hershme duke u konsideruar si sensacion fillimisht ndër letrat shqipe mandej me të kaluar vitet forcoi figurën e tij si shkrimtar serioz duke sjellë vepra monumentale në gjuhën shqipe. Kadare ka kontribut si në poezi duke rafinuar vargun e duke sjellë një qasje më moderne në poezinë shqipe, po ashtu siç ka kontribut masiv edhe në prozë. Modernizmi është rryma letrare që më së shumti ndërmerr në të veprat e tij, por sidoqoftë ka dhe plot aspekte postmoderniste, kryesisht në veprat në të cilat rikthen mitet, legjendat e baladat.

Një nga mënyrat e preferuara me të cilat ndërshtreson veprat e tij, Kadare, zgjedh një formë të vjetër letrare, një ngjarje të hershme, duke e risjellë duke e mbajtuar ashtu siç është, por duke e zhvendosur në kohë dhe jo në hapësirë, por edhe duke e tjetërsuar në kohë e hapësirë si në rastin e romanit “Përbindëshi”. Në opusin e veprës kadareane “Kush e solli Doruntinën” paraqet romanin enigmë. Ky roman ka një strukturë e cila zhvillohet në disa trajta. Kohësisht, mbivendosen kohët kur ngjarja të cilën e njohim ndodh bashkë me ditët kur hetuesi Stres Balsha zhvillon hetimet e tij. Ngjarja është përtej kufijve të fantastikes. Dyshohet se një i vdekur ka sjellë një të gjallë. I hetuari është një i vdekur. Njeriu që mund të dëshmojë, Doruntina, një nga personazhet më mirë të realizuara, është e hutuar, gjysmake. Kjo situatë e detyron hetues Stresin të shkojë në limite të cilat as që e kishte menduar. Kjo detyrë është e vështirë, për vetë mënyrën në të cilën i shkon si rast,mënyra se si ndërtohet dosja, pra ky rasti i hetimit dhe i gjithë vazhdimi. Shtresimi mitik e bën të rrëzohet ideja se ky është roman policesk, skematik. Në fakt është roman që mban misterin, ritmin e romanit policesk, por që qëndron postmodern pasi e shthur baladën, e shthur historinë famëkeqe më të cilën të tërë njihemi.

Personazhet vijnë me krejt qasje tjetër, të tërë shkojnë drejt digresionit. Për të kuptuar Doruntinën e Kostandin, Stresi shkon pas e më pas në kohë. Doruntina, dëshmitarja e vetme e sigurt në momentet e para është e turbullt e pasigurt dhe më pas vdes pas lënë asnjë dëshmi shteruese e konkrete. Sipas saj, Kostandini e kish sjellë në shtëpi dhe Doruntina duhej besuar për faktin se nuk e dinte që vëllezërit kishin vdekur. Ndërkaq ajo që e shtyn më tej hetimin është nëna. Nëna e Doruntinës e bën krejt të pabesueshëm faktin se Kostandini nuk ka se si të jetë gjallë dhe kurrsesi nuk mund ta kish sjellë Doruntinën. Alivanosja e agonia e saj ecnin në të njëjtin ritëm saç rritej misteri i hetuesit. Ka raporte përpjestimore në vepër të cilat duken sikur plotësojnë një masë muzikore supsensi. E përkryejnë atë. Ndërkaq koha interferon duke e qartësuar fokusin herë tek drama e familjes Vranaj çka dihet dhe herë tek shtojca që e risjell baladën në jetë, te hetimi i ngjarjes. Diç përngjan frojdiane kjo rrimarje pasi Frojdi i trajtonte si paciente personazhet letrarë e ndërkaq Kadare merr në hetuesi një baladë. Shtresimi kuptimor së pari ndikohet nga dëshira për të marrë enigmën dhe për ta zgjidhur. Kjo nuk është një enigmë dosido. Është një enigmë paradoksale. Ndiqet një i vdekur. Ndërkaq hetimet nxjerrin krejt të kundërtën. Një i gjallë e ka sjellë Doruntinën e hidhet hija e dyshimit të shëndeti mendor i Doruntinës. Mos vallë kjo pamje haluçinante ka brenda saj një dramë të thellë? Këto janë dyshimet që ngrihen paralel me leximin e veprës. Koha duke konverguar në mënyra të ndryshme, duke u përthyer, krijon imazhe jo të qarta çka shpie të mendosh se Doruntina ndoshta nuk mban asnjë sekret dhe vuan mendërisht. Vepra është e hapur dhe Doruntina është një karakter mbi të cilin mund të dyshohet në gjithëfarëlloj mënyrash. Një nga ‘problemet’ që sjell mënyra sesi luhet me kohën në vepër është edhe shumëzëshmëria, shumërrëfimtarësia. Çështja shihet nga disa këndvështrime, në tone zyrtare, subjektive, profesionale ndaj dhe klasifikimi i veprës si postmoderniste do t’i shkonte për shtat pasi shthur gjithë atë ç’është ndërtuar mbi baladën. Nuk tenton ta tjetërsojë. Thjesht çon mjedisin në baladë. Jo personazhet e baladës në një kohë të dytë.

Areali magjik ndihet në disa aspekte ndër to më i vërejtshmi është burimi prej nga është marrë subjekti. Përdorimi i hiperbolizmit, transgresionit kohor, plasja e qelqeve të verës në zyrën e hetuesisë metaforikisht, sjell divergjenca ndaj asaj çka mund ta quajmë realitet të veprës. Koha është e ndërdyshtë, personazhet të gjithë janë të dyshuar dhe kjo është vetëm vepër e vdekjes. Personazhi që i bën të gjithë lëmsh në një farë sensi është vetë vdekja. Ajo trazon dhe alivanos gjersa ua pinë frymën personazheve e degdis njerëz të hetojnë derisa të bëjnë të mundur gjetjen e një fakti konkret të cilin vdekja kurrsesi nuk mund ta infektojë. Nën vdekje shtrihet areali i magjisë tek Kadareja, sepse në jetë personazhet janë aktivë, kërkojnë të dinë, lëvizin, mësohen me kohën. Ndërsa nën vdekje janë të nështruar të rregullojnë një element të sistemit të jetesës siç është koha, që të shmangin tisin e vdekjes. Kjo ndodh tek “Kush e solli Doruntinën”.

Disa veçori të veprës së Kadaresë Përdorimi i mitive dhe figurave mitologjike. Mitologjia dhe mitet duke qenë një përfytyrim fantastik i marrëdhënieve shoqërore të popujve të ndryshëm në një shkallë të hershme të zhvillimit të tyre përfaqësontë për atë kohë një element culture. Si e tillë ajo nuk mund të injorohet në zhvillimin e kulturës, historisë përfshirë edhe letërsinë. Lëvrimi i temës historike e cila shtrihet ndonjëherë deri në kufijtë e mitologjisë. Personazhe të temave historike ka raste që u shkon përshtat manteli mitik. Kadareja është gjithnjë i ndjeshëm ndaj krijimtarisë folklorike nga e cila ka marrë lëndë duke shfrytëzuar në mënyra të ndryshme. Në veprat e tij ka figura shprehëse, leksik nga shumë lloje mitologjish: pagane, afetare, egjiptiane, greke, romane, slave, iliro-shqiptare, por që mbizotëron mitologjia greke.

Përdorimi i lëndës mitike në tri shkallë: 1.Përdorimi me kuptimin e tyre të hershëm. 2.Aktualizimin e tyre për të vënë më mire në dukje përmbajtjen e një dukurie a personazhi në kohë të reja. 3.Çmitologjizimi i tyre. Në rastet kur figurat mitologjike vihen në shërbim të ngjarjeve dhe personazheve bashkëkohorë ato përdoren kësisoj me një kuptim të ri. Mitet dhe figurat e mitologjisë kur përfshihen ngjarje e personazhe të bashkëkohësisë përdoren si metafora, krahasime, paralelizma, simbole, antiteza, epitete. Në raste të tilla e gjithë ngarkesa e tyre kuptimore që rri e strukur te historia dhe ndërgjegja e lexuesit bie menjëherë në kohën e sotme dhe ndihmon të kuptohet më mirë thelbi i saj, madje edhe të zgjerohet korniza e saj. Prezenca e enigmave është karakteristikë e veprave të Kadaresë. Kjo mund të shihet si tendencë e autorit si symbol i përpjekjeve për të hyrë në botën e të panjohurve për të shtruar problem që presin përgjigje. Shpeshherë ai rimerr enigmat nga lashtësia, të gatshme, por autori i parashtron në variantin e tij për zgjidhjen e tye. Si mitizmi ashtu edhe çmitizimet shoqërohen nga prania e ankthit dhe nga një shqetësim i madh për fatin e dikujt a diçkaje.

Biografia e tipave dhe e personazheve të krijuar nga Kadareja me veprimet, veçoritë psikologjike, karakteret dhe jetët e tyre nuk lë pa shënuar asgjë që ndodh në këtë botë sado e lodhshme apo e veçantë është ajo. Është kjo arsyeja që autori krahas të zakonshmes sjell dhe endrrat, gjendjet delirante, halucinante, fallet, të ashtuquajturat parathënie kasandrike, seancat e spiritizmit, përrallat etj. Paraqitja e këtyre gjendjeve irreale nuk është një qëllim në vetvete, as një abuzim professional për të bërë sensacion. Veç kësaj paraqitja e tyre nuk bëhet vetëm për qëllime artistike apo thjesht për të rritur arsenalin e mjeteve shprehëse. Të gjitha ato ëndrrat janë aktivizuar më një kuptim metaforik në funksion të një ideje të caktuar.

Veçori të gjuhës dhe stilit Në veprën e Kadaresë krahas ligjërimit, rrëfimit të subjektit, individualizimit të personazhve si veçori të stilit do të veçohet përdorimi i figurave letrare të cilat jo vetëm plotësojnë atë çka kërkon të arrijë autori por herë-herë shënojnë një hap cilësor në njohjen dhe karakterizimin e personazheve, dukurive, ngjarjeve, sendeve. Figurat si: krahasime, paralelizmat, analogjitë, shpirtëzimet, simbolet, konvencionet, hiperbolat, paradokset, alogjizmat bëjnë të paraqitet një sistem i plotë që ka konceptin e vet, strukturën, funksionin, burimet, variantet. Megjithatë është një sistem i hapur, jo i kodifikuar, përherë i freskët.

Mënyra origjinale të trajtimit të temave në veprat e tij. Koncepti hero-send të jetë i copëtuar ose simbol. Shpeshherë kemi pranëvënie të tragjikes, komikes, të bukurës, të shëmtuarës që përqasin shumanësi të personazhit. Kadare nuk vendos kufij të qartë kohorë dhe hapësinorë të veprimit me anë të kuptimeve të paracaktuara duke univesalizuar dukuritë shoqërore. Motivet i merr nga eposi, baladat, legjendat, gojëdhënat, udhëtimet jetë-a-vdekje.

Universaliteti. Aftësia për t’u dhënë krijimeve letrare karakter sa unikal aq edhe universal është një nga vlerat e artit kadarean. Vepra e tij emeton probleme të rëndësishme. Ajo sugjeron të vërteta universal e po ashtu filtrohet një koncentrat që ja vlen të diskutohet për atë fragment kohor të caktuar kur janë vendosur ngjarjet, që në fund shndërrohet në një kohë ideale dhe të largët.

Arkitektura e veprës letrare. Në krijimtarinë e tij kompozicioni çmohet si një nga potencialet që e veçojnë atë. Karakterizohet nga zhdërvjelltësia, përthyerja e një kompozicioni unik e drejtvizor duke përdorur mozaikë kompozicionalë, të harmonizuar ku gjen: fjalën e autorit në vetën e tretë, monologë personazhesh, copra ditaresh, raportesh, relacionesh, letra dhe mesazhe ndërmjet personazheve, dialogë në formën e dramës, kronika dhe gjithfarë alternimesh të kohës. Shpeshherë në qendër të ndërtimit kompozicional gjendet kontrasti. Përthyerja në kapituj e mikrokapituj duke ju shmangur rrjedhës së përgjithshme të ngjarjeve dhe zgjerojnë këndvështrimin. Këto ndërhyrje quhen me gjithfarë emrash: si kapituj pa emër, kapitulli i parafundit, kapitulli i fundit, kronika, të thënat e personazhit x, etj Përsa i përket personazhit qëndror si një element që bie në sy në kompozicionin e një vepre dallohen disa tipe. Ka vepra që 1.Kanë një personazh qëndror. 2- Këtë rol e luan një dyshe. 3- Dy a tri personazhe sillen si katalizatorë të subjektit pa kuptuar se ata nuk kanë ndonjë funksion. Fjala e autorit ka një peshë specifike pasi është më tepër tregim sesa rrëfim, dhe përshkrimi është vlerësim sesa ekspozim. Digresionet dhe alternimet janë një tjetër cilësi kompozicionale e tij të cilat janë krejtësisht funksionale dhe brenda vibrimit të subjektit të veprës dhe të ngjarjeve që trajtohen.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT