• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIJIMTARIA LETRARE E MIRA MEKSIT

August 28, 2024 by s p

Në penën e kritikut Shpendi Topollaj

Kadri Tarelli

Pak dit më parë doli nga botimi, libri i shkrimtarit Shpendi Topollaj: “Venera del nga deti”. Mbi krijimtarinë e shkrimtares Mira Meksi. Isha ndër të parët që vetë autori ma dhuroi librin, me ballinë kompozuar bukur; Titulli “Venera del nga deti”, një hyjnizim i gjetur dhe i gdhendur artistikisht. Një foto e vetë Mira Meksit, që shpreh në heshtje një botë të madhe shpirtëror. E gjitha me gjuhën e ngjyrave, ujit dhe portretit me pamje fisnike. E përgëzova për këtë botim të fundit, i bindur se ka bërë një punë të paqme dhe me shumë vlera arti e shkrimtarie. E njoh prej kohësh gati të gjithë krijimtarinë e Shpendit, që me këtë botim mbushen plot 77 libra, me tematikë të larmishme, si romane, novela, tregime, kritikë dhe vlerësim autorësh, poezi, drama, publicistikë, dhe monografi letrare (Kështu po e quaj librin e tij, “Venera del nga deti”. Mbi krijimtarinë e shkrimtares Mira Meksi. Shpesh, i shtyrë nga kënaqësia letrare dhe kumti që përcjell veprimtaria e Shpendit, jam ndalur dhe kam bërë edhe shkrime vlerësimi, që nga romani “Mashtruesi”, që unë e quaj kryevepra e tij, e deri tek ky i fundit, që po qëndis tani. Disa prej tyre i kam përfshirë në librin tim “Kur lexoj një libër”, disa janë botuar edhe në shtypin ton, atë të huaj dhe portalet elektronike.

Besoj kam të drejtë të shpreh një lloj kërkese dhe nevojë mirënjohje shkrimore, shoqërore dhe intelektuale, se ka ardhur koha që e gjithë vepra e këtij shkrimtari kaq prodhues në letrat shqipe, të studiohet tërësisht, si pjesë e letërsisë kombëtare shqiptare. Le t’i mbetet kohës të gjykojë e të vendosë, – thonë të diturit, – por dikush duhet t’i bjerë kambanës që të dëgjohet dhe i mençuri të zgjohet.

Diku më sipër, librin “Venera del nga deti” e quajta “Monografi letrare”, ku përfshihen, as më shumë e as më pak, dhjetë shkrime analitike, të cilët i quaj pa frikë proza poetike për nga forca dhe bukuria e fjalës artistike:

. Pse e quaj kështu këtë libër?

. Fantazia e pabesueshme e Mira Meksit.

. Mira Meksi, mjeshtre e shndërrimit të historisë në art.

. Ana njerëzore e intelektualit të madh atdhetar Mid’hat Frashëri.

. Parisi vret. Një roman tjetërsoj i Mira Meksit.

. Mira Meksi zbulon harkun e pathyeshmërisë së amazonave.

. Kur Mira Meksi sheh përtej krimit.

. Kënga e trishtuar e dashurisë, na ndjek pas.

. Mira Meksi për çudinë e ndjenjave njerëzore.

. Ja dhe Mira për mua…….!

Gjithsesi i mbetet lexuesit të gjykojë e të vlerësojë penën, forcën e mendimit, artin dhe bukurinë e fjalës së autorit Topollaj. Ndërsa unë tashmë i rrahur në krijimtari letrare, në veçanti në një lloj kritike apo vlerësim librash, ndaj një këndvështrim disi të krahasuar apo të diferencuar, ndryshe nga Shpendi dhe ca më shumë nga Mira Meksi, si në leximin e krijimtarisë, ashtu edhe në gjetjen dhe përdorimit të mjeteve të saj në shkrimtarinë time.

Me pak fjalë po shprehem kështu:

Më pëlqen të lexoj, dëgjoj dhe shijoj mitologjinë, apo krijimtarinë e të mëdhenjve të botës letrare. Gjej dhe veçoj edhe shprehje apo mendime të vyera, shumë prej tyre si gjetje filozofike, veshur me art fjale. I shkruaj dhe i përdor si forcë mendimi, apo si mjet ilustrimi nëpër shkrimet e mia, për të thënë se jeta, veprimtaria dhe mençuria nuk lindën sot. Ato kanë jetuar e vepruar së bashku me njeriun, në mijëra e mijëra vjet, duke ndërruar vetëm kohë, vend dhe autor. Këtu më duhet të shtoj edhe pak fjalë: Nuk e pata të lehtë të përshkruaj të gjithë udhën e nëndheshme të “Gjarprit”, Hyut të Ilirve, në librin “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”, të Mira Meksit. Mua më pëlqen jeta e gjallë mbi tokë.

Ndërsa Shpendi ka një meritë tjetër, që dallon nga unë: Njeh mirë mitologjinë, ka kujtesë të fortë. Heronjtë e tij, sa herë bien ngushtë, si në çaste fitoreje apo humbje, lumturie e trishtimi, deliri apo dashurie, ulen e bisedojnë shtruar me Hyjnitë apo të diturit e lashtësisë. Shpendi ka durim e guxim të ndjekë e të futet edhe në fantazinë e çdo autori, të jetojë e të përjetojë frymëzimin e tyre, siç këndoj unë edhe këtu nëpër faqet e këtij libri kushtuar Mira Meksit. Ai nuk përton të përshkojë pa u ngutur udhët e nëndheshme e të mbidheshme, dhe këtë “pasuri” ta përdorë, diku edhe me tepri, duke e vendosur të lidhur e përshtatur, në të gjitha shkrimet e tij. Kështu, çdo krijim merr formë të bukur në pamje, të ngjeshur në mendim, duke e bërë çdo shkrim të pakohshëm apo të gjithëkohshëm. Nuk i them që të mburret, por sipas gjykimit tim, shkrimet e Shpendit kanë një tingëllim disi të veçantë nga të gjithë autorët që kam njohur e lëçitur deri më sot. Aq sa herë pas here, i them: bëhu më i kursyer…! Po ku pyet Shpendi……!

Kurse autore Mira ka dhunti të veçanta, qoftë si letrare me shumë fantazi, veçanërisht në gjetjen e temave, ca më shumë në “gatimin” e brumit të tyre, ashtu edhe në formë e në përmbajtje, – do të thosha unë. Ajo i bën heronjtë e librave të saj, qofshin edhe persona të njohur historik, të jetojnë në tri botë: Në jetën që prekim çdo ditë, në mitologji dhe më së shumti në fantazinë dhe frymëzimin e vetë autores, e cila mjeshtërisht i qëndis, i qep i shqep, i vesh i zhvesh, i lag i than, i nxin i zbardh, i lidh dhe i zgjidh, si të dojë dhe kur të dojë, duke i bërë të pavdekshëm. Aq e vërtetë është kjo sa Shpendi citon: “Ajo, si rrallëkush u ka hedhur ngjarjeve dhe personazheve të saj, tunikën e purpurt të mitologjisë. Faqe. 28.

Besoj se vlen të bëj një krahasim apo përqasje të përshkrimit të jetës dhe veprimtarisë së heronjve të veprave të saj, veçanërisht kur janë pjesë e historisë. Në histori shfletohen dokumente arkivore apo arkeologjike, që nuk të lenë hapësirë të fantazosh, as të flasësh me sikur. Pasi jeta dhe historia nuk bëhen dhe shkruhen me sikur. Kështu heronjtë, qofshin luftëtarë, komandantë, shkrimtarë, artist, poetë, shkencëtarë, politikanë, profesorë apo burra shteti, janë të ngurtë dhe ngjarjet zhvillohen sipas ligjeve, logjikës dhe mjeteve të kohës. Emri dhe portretet e tyre mund t’i shohim nëpër piktura, faqe libri, reviste apo gazete, në rastin më fatlum edhe në buste e përmendore nëpër sheshe të qyteteve, si model nderimi e përjetësie. Por të gjithë, sikur nuk ngjajnë me ne. Ata janë si të maskuar e të veçuar nga jeta e zakonshme, të zhveshur nga andrallat njerëzore, me ndjenja të ndrydhura apo të fshehura, me dëshira të copëtuara e të mbuluara, pa vese apo huqe, të lindura apo të fituara gjatë jetës. Thjesht janë vdekatarë por jo si ne. Mira e përmbys këtë qasje, duke e bërë të plotë me gjysmën tjetër; që është bota njerëzore.

Askush nuk habitet, ndërsa në romane apo vepra letrare ndodh çudia. Figurat historike kanë liri të plotë, janë në dorë të shkrimtarit, t’i degdisë ku të dojë, duke i futur në të fshehtat dhe udhëkryqet e jetës, në fantazinë dhe frymëzimin letrar, gjithmonë pa cenuar historinë. Besoj është forma më e gjetur për t’i bërë heronjtë pjesë e ndërgjegjes shoqërore apo kombëtare, sepse këto libra i lexon kushdo. Ata bëhen të pavdekshëm, por në një formë dhe frymë tjetër, si hero jo vetëm i historisë, por edhe i letërsisë. Është një formë e lakmuar për të gjithë racën njerëzore, pasi jeta, emri dhe vepra e tyre shtyhet, ndrydhet e shtrydhet nëpër romane e novela, duke u bërë vetvetiu pjesë e ndërgjegjes kombëtare, herë-herë edhe pjesë e kulturës botërore.

Kështu ka ndodhur edhe me të madhin dijetar e atdhetar, diplomat e politikan Mit’hat Frashëri, të cilin studiuesi Uran Butka e quan “Gjeniu i kombit”, për veprimtarinë atdhetare në dobi të shqiptarizmës. Një libër goxha i madh në pamje, por i rëndë në dokumente e shkrime, ku përfshihet e gjitha veprimtaria e tij si diplomat e shtetar. Edhe unë me modesti i kam kushtuar një shkrim, lidhur me një broshurë të vockël: “Plagët Tona”. “Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”, botuar nga Mit’hat Beu në vitin 1924, ku shpenguar munda të shkruaj këto pak fjalë: “Të botohet, që të jetë në çantën e mësuesit dhe shkollarit, në dosjen e pedagogut dhe studentit, në tavolinën e zyrtarit, në trastën e deputetit, në bllokun e gazetarit dhe në fletoren e shkrimtarit e poetit, më tej akoma, në magjen dhe sofrën e çdo gruaje. E thënë shqip: në bibliotekën e çdo shqiptari”.

Ky shkrim u publikua: “Fjala e lire” Londër. 13. 07. 2020, Gazeta “Bota sot”, Dardani, 13. 07. 2020, Revista “Dituria”, Suedi. 13. 07. 2020, Gazeta “Dielli”, SHBA. 14. 07. 2020. “Zemra shqiptare”, Zvicër. 14. 07. 2020, “VOAL. Zëri shqiptarëve”, Zvicër. 25. 07. 2020.

Ndërkohë, shkrimtarja Mira Meksi shkon më tej, i kushton Mit’hat Frashërit, një roman të tërë, titulluar: “Kutia e Agatha Christie-t”. Një vepër e merituar për këtë figure tepër të lakuar e të lakmuar nga literatura, koha dhe politika zyrtare, që vazhdon të shpojë, të shërojë e të lëndojë edhe në ditët që po kalojmë. Mira Meksi këtu tregon shpirtin e saj të madh. E madhja thërret në kuvend të mëdhenjtë e kombit, duke i ngrohur me një dhuratë shkrimore, si një shportë me copëza jete, që i mungojnë shkrimeve të ftohta të historisë.

Është një punë e madhe studimore, para shkrimore, tepër e ngarkuar dhe e pëlqyer e autores, njëkohësisht e lavdëruar nga të gjithë ne, aq sa edhe Shpendi Topollaj i kushton një shkrim analitik: “Ana njerëzore e intelektualit të madh atdhetar Mit’hat Frashëri”.

Nuk çuditem aspak, që Shpendi shpërthen këtu në një frymëzim të vrullshëm, pak më lart se zakonisht. E tërheq së tepërmi tema kombëtare, si nderimi për shpirtin atdhetar të këtij mendimtari dhe politikani të pashoq në historinë tonë shtet-formuese, që e shtyn të shprehet: “Pa shpërfillur aspak përpjekjet e Mit’hat Frashërit, për t’i paradalë problemeve pafund që i qenë hapur Shqipërisë, sidomos nga orekset dhe dinakëritë e fqinjëve tanë, madje duke i theksuar ato, Mira ka ndërtuar edhe anën njerëzore të këtij politikani, duke i mëshuar ndjenjave të fuqishme që përftoheshin nga dashuria për femrën”. Vetë analiza e Shpendit është një krijimtari letrare dhe poetike e mirëfilltë, që i bën nder dhe ngre lart krijimtarinë e autores Mira.

Përpiqem të qetësoj disi ndjeshmërinë time, po ku të lë shteg Shpendi, kur bëhet fjalë për dashurinë, që si fill i artë i lidh, i mbështjell dhe i zgjidh të gjithë këto ngjarje e shkrime që përmblidhen në këtë libër.

Po e shënoj si diçka të veçantë, por të bukur, në krijimtarinë e këtij autori tashmë me emër në letrat shqipe. Nëse nuk bindeni, lexoni shkrimin: “Mira Meksi zbulon harkun e pathyeshmërisë së amazonave”, kushtuar romanit “Puthja e Amazonës”. Përsëri një temë e marrë nga lashtësia, që frymon dhe frymëzon poetët dhe shkrimtarët e të gjithë kohërave. Është një përzierje kohësh, të dashurisë së pakohë të dy vajzave që dashurojnë me po aq pasion, pavarësisht se njërën e takojmë nëpër udhët e mjediset tona dhe tjetra na vjen së largu nga Mitologjia. “Sepse gruaja nuk ka lindur sot. Ajo ka lindur botën”, shprehet Shpendi si filozof i lashtësisë. Faqe 70.

Nuk i ve faj Shpendit…..! E si të mos frymëzohesh kur ndeshesh me këto fjalë magjike: “Dashnorët jetojnë një vegim përjetësie, duke qenë të vdekshëm, nuk ka ligështim trupi dhe shpirti që i mposht. Ata ndihen baras me Zotat e Olimpit”. Faqe 76. Më tej: “dashuria është zjarr që shkrumbon gjithçka, është përbindësh që kërkon të ushqehet çdo ditë me gjakun dhe mishin e dashnorëve që magjeps…. Ajo nuk nginjet kurrë. Kërkon përsosmërinë, ngulmon të përtërihet sa herë që i mbaron rrëshira e pishtarit, që mban ndezur zjarrin. Faqe 77.

Besoj nuk e teproj të sjell në kujtesë edhe një copëz krijimtarie në vijim të romanit, ku shkrimtarja jonë Mira Meksi, gjen vend për të përfshirë edhe Frosinën e bukur, të dashurën e djalit të Ali Pashait, që u mbyt në liqenin e Janinës, për t’u shndërruar në legjendë. Dhe legjendat jetojnë sa vetë jeta.

Më pëlqen përfundimi logjik i shpendit: – “Shkrimtarja jonë Mira Meksi është shkrirë e bërë njësh me heroinat e saj”. Si një ndarje mendimi me Gëten, kur thotë: “Çdo shkrimtar, në një farë mase paraqet në veprat e tij vetveten, shpesh edhe kundër vullnetit të tij”. …. “Në një farë mënyre, me këtë roman sa artistik aq edhe studimor, Mira i ka bërë një shërbim të vyer historisë”.

Urime Znj. Mira Meksi, për këtë krijimtari kaq të bukur dhe të veçantë, duke lartësuar emrin tuaj, bashkë me letërsinë shqipe. Shpendi ju ngriti një përmendore në letra. E meritoni! Ndaj shkruani me fjalën tuaj magjiplotë: “I dashur Shpendi! I “përpiva” vargjet e tua!…… Nuk e dija që brenda shpirtit të kritikut me skalpelin e analizëtekstit në dorë, të fshihej një shpirt aq vibrues…… Ju uroj të mira!”. Faqe 117.

Urime Shpendi! Kur përfshihesh nga frymëzimi, nxjerr perla të vërteta arti, që i vlejnë këndimit, kënaqësisë, letërsisë dhe shoqërisë.

Dëshiroj që kjo frymë magjie t’u shoqërojë gjatë gjithë jetës.

Kadri Tarelli

Gusht 2024.

Filed Under: LETERSI

Vepra “Institucionet Islame dhe Imamët e Krajës” e studiuesit Hamid Halaj iu bë dhuratë Bibliotekës së Vatrës

August 27, 2024 by s p

Qëllimi kryesor i këtij punimi është që lexuesit t’ia ofrojë një hyrje të shkurtër dhe sa më të qartë të historikut të insti- tucioneve islame të Krajës. Pastaj lexuesi do të njihet edhe me biografitë e shkurtra të personaliteteve myslimane nga kjo trevë (që kanë shërbyer në këto institucione), të imamëve me origjinë nga Kraja, por të cilët kanë dhënë kontribut jash- të vendlindjes së tyre, si dhe do të njihet edhe me imamët të cilët punuan në trevën e Krajës, por që nuk ishin nga kjo tre- vë. Me një fjalë, ky libër nxjerr në pah kontributet që imamët krajanë dhe ata jashtë kësaj treve kanë dhënë në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, duke përfshirë edhe disi- plina të ndryshme shkencore. Ata, me punën e tyre, përbënin një themel të fortë për përhapjen dhe përparimin e dijes e të fesë islame brez pas brezi.

Ndonëse trajtimi ynë nuk është përkufizuar në vite, me- gjithatë jemi përpjekur që vitet të mos i lëmë anash, duke përfshirë periudhat kohore kur janë formuar institucionet is- lame në Krajë dhe kur imamët krajanë dhe ata jashtë trevës së Krajës kanë shërbyer aty, që në përgjithësi është një pe- riudhë të gjatë, madje duke nisur që nga viti 1602, kur edhe u themelua institucioni i parë islam në Krajë.

Mendoj se, me anë të kësaj vepre, do të dalë në pah një përpjekje e jona për hulumtimin dhe publikimin sa më origji- nal të saj, duke bërë fjalë për përhapjen dhe trashëgiminë e madhe historike të këtyre prijësve të dijes dhe të kohës së tyre, në mënyrë që komuniteti ynë krajan, mbase edhe ai gji- thëshqiptar, të mos i harrojë ata, por t’i pranojë në gjirin e vet dhe t’i nderojë kontributet e tyre si në shkencë, njohuri dhe qytetërim brenda kombit të vet. Nuk mund ta lëmë pa e thek- suar faktin se disa studiues dhe autorë të njohur kanë kontribuuar në këtë fushë, duke shkruar dhe duke analizuar aspekte të ndryshme të kontributeve të tyre në kulturën dhe trashëgi- minë tonë kombëtare.

Thënë ndryshe, ky punim paraqet përpjekjet e mia për një hulumtim sa më të gjithanshëm rreth institucioneve islame në trevën e Krajës. Kjo është një ide e kamotshme, dëshirë dhe kuriozitet i imi, i bazuar në vullnet e pasion, për ta stu- diuar e për ta hedhur në letër çështjen e institucioneve islame në trevën e Krajës. Fjala është për një trevë, siç është Kraja, vendlindja ime, e cila është sa e pasur po aq edhe e pahulum- tuar në disiplina të ndryshme shkencore. Jo vetëm kaq, nga- se, krahas kësaj, në këtë kontekst, hyn edhe veprimtaria e institucioneve arsimore e kulturore islame në këtë trevë, vep- rimtaria arsimore e mësimdhënësve (hoxhallarëve-imamëve, myderrizëve etj.). Dekadat e punës për arsimimin e të rinjve në këtë trevë etnikisht shqiptare janë objekt studimor për një studim të mirëfilltë, i cili përbën një pasuri të çmuar. Prandaj është shumë e rëndësishme që kërkimi shkencor të vazhdojë në këtë drejtim.

Kur vendosa që t’i hyja një përpjekjeje të tillë, nuk dy- shoja se duhet të më duhej t’ia kushtoja një pjesë të mirë të kohës sime. Po ta kisha llogaritur kohën që e kërkon një nis- më kësodore, me siguri se nuk do ta kisha filluar këtë pro- jekt. Fatmirësisht nuk mendova ashtu, ngase e nisa punën me vullnet dhe pasion, duke lexuar literaturë të shumtë gjatë hu- lumtimit, duke bërë intervista e biseda me njerëz të kësaj tre- ve, e kur takohesh me njerëz të dijes dhe hyn në biseda të tilla, aty inkurajohesh që të vazhdosh punën e nisur.

Burimet, rreth këtij punimi, të cilat do të mund të merre- shin në konsideratë për ndriçimin e gjendjes së këtyre insti- tucioneve në trevën e Krajës, janë të pakta dhe të paraprira me fragmente të vogla. Përveç pak shkrimeve, që kemi për- fshirë në këtë punim, kemi në dorë materiale të shkruara nga kronistë të huaj, apo studiues shqiptarë, të cilët kanë hulum- tuar në arkiva të ndryshëm shqiptarë apo turq dhe kanë hedhë dritë rreth këtyre institucioneve në këtë trevë. Deri tani ka ekzistuar një boshllëk i madh i njohurive dhe të dhënave shkencore mbi këto institucione. Me daljen në dritë të këtij libri, po bëjmë përpjekje që këtë boshllëk ta mbushim dhe të pajisemi me të dhëna bazike, me informata që janë burime faktografike dhe të cilat janë nxjerrë nga kujtesa e popullsisë së trevës në fjalë. Historia e gjithëpërfshirëse e këtyre institu- cioneve është e pamundur, sepse mungojnë edhe dokumentet dhe informacionet e shumta.

Për ta zbuluar historikun e zhvillimit të këtyre institucio- neve në trevën e Krajës është e domosdoshme që të gjurmo- het në të kaluarën e tyre, në zanafillën e tyre, gjë që shpie në përparim të mëtejshëm, nga e kaluara në të ardhmen dhe nga e mangëta drejt të plotës. Edhe dokumentet të cilat posedojnë në xhamitë e Krajës dhe ato të pakta që hedhin dritë mbi këto institucione, duhet ta pranojmë se nuk janë shkruar në gjuhën shqipe, gjë që e vështirëson edhe më shumë gjetjen e së vër- tetës lidhur me themelimin e këtyre institucioneve, sidomos të mejtepeve të para në këtë trevë. Këtu nevojitet gjithashtu hulumtimi i veprave të autorëve të huaj në drejtim të kësaj teme, sidomos në Sanxhakun e Shkodrës, ku bën pjesë edhe zona e Krajës, ashtu që do të sigurohen burime të mjaftuesh- me për zanafillën e hapjes së këtyre institucioneve.

Krahas literaturës së përdorur, kam bërë edhe intervista të ndryshme rreth imamëve krajanë dhe atyre jashtë Krajës, por me shërbim në Krajë, duke e ndërlidhur literaturën me dësh- mitë e gjalla. Nëpërmjet kësaj lexuesi mund të njoftohet për punën e atyre edukatorëve të popullit të trevës, të mësuesve (imamëve), të cilët arritën të përgatisin breza të tërë me for- mim kulturor dhe fetar islam, në këtë trevë, disa prej të cilë- ve ndoqën shkolla të larta në vendet islame, në kuadër të të cilave u dalluan për arritje të larta. Me punën e madhe që bë- në figura e tyre erdhi gjithnjë duke u lartësuar, duke u konsi- deruar edhe si punë fisnike. Ata, me përkushtimin e tyre, bë- në të pamundurën për edukimin dhe mësimin e fesë në dobi të popullit të kësaj treve. Në këtë rrugë nuk krijuan të mira materiale dhe as kapital, por jetuan si gjithë populli tjetër, me rrogat e tyre modeste. Për këtë populli i trevës i donte dhe i respektonte, duke i ruajtur në kujtesën e tyre si njerëz fisni- kë, si mësuesit e tyre në mejtepe, por edhe si përhapës të di- jes.

Ky punim është shpërfaqje e punës që e kemi bërë dhe njoftim i masës më të gjerë me të. S’ka dyshim se libri që ju e keni në duar i dedikohet komunitetit islam, por edhe opini- onit të gjerë mbarëkombëtar dhe jo vetëm atij.

Ne po e çelim një kapitull të ri, apo thënë krajançe, po e “hapim një shteg”, ndërsa të tjerët le ta vazhdojnë

Filed Under: LETERSI

T’fikunit e nji ylli

August 26, 2024 by s p

Albert Vataj/

Tuberkulozi e kishte përndjekur vite të gjata, si një demon i pamëshirshëm, “shenjtorin” e poezisë shqipe. Por hapat e tij fundit nisën gushtin e 86 viteve më parë, hapa të cilët rendën gjëmimshëm në zbrazëtinë që do të gërryente grahma e tij e mbrame. Më 12 gusht 1938 Migjeni shtrohet në sanatoriumin San Luigi, pranë Torinos. Tre ditë më vonë, “poeti i mjerimit” i nënshtrohet një operacioni të rëndë, ku i hiqet një pjesë e madhe e mushkërisë. Më 15 gusht 1938 bie në koma, për të mos u përmendur më. Gjendja e tij në koma vazhdoi plot 11 ditë.

Më 26 gusht 1938, afër mesnatës zemra e Migjenit kishte ndaluar. Fiket për me mbet nji prej kushtrimeve ma t’zashme të kohës. Ai iku për me mbet i gjall në përjetësinë e momenteve gjëmuese. Shkodrën e deshti dhe s’drashtu tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim, njaq andrra dhe gazmim, anipse t’vdirun prej lëngimit qi e përndoqi… Kjau, e kangës i’a dha me za shpirti, qeshi e u mner, heshti dhe foli… jo nuk foli por gjimoi, siç nji krahnuer din me gjimu nën peshën e rand t’dhimbjes qi s’mujti me e kaërdi, pa i’a lshu piskamës, pa guxu malit me i’a ngjesh, grushtin e paligjshëm.

Përmes penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.

May be an image of 1 person

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI

ITSHKSH VJEN ME KATËR BOTIME TË REJA

August 24, 2024 by s p

Në prag të manifestimit shkencor-kulturor “Drita e Gonxhës”, edicioni i katërt, (që fillon më 26 gusht), ITSHKSH (Departamneti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze) vjen me katër botime (, “Gjona Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë”, “Si dhe pse lindi Departamneti për studimin e trashëgimisë shpirtërote të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze “, Revista “Drita e Gonxhës” nr. 3, dhe “Porositë e Shën Nënës Tereze për ne” – në bashkëpunim me redaksinë e botimeve “Drita”), të cilët do të promovohen në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, gjatë ditëve të këtij manifestimi. E veçanta e këtyre titujve, është sepse secili prej tyre ngërthen nga një fabulë dhe përmbajtje të veçantë, me ngjarje e protagonistë gjithashtu të veçantë. Ndërkaq e përbashkëta e këtyre botimeve është sepse të gjitha kanë një kryepersonazh në qendër, Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Trerteze, e cila ka intriguar vëmendjen e autorëve, me famën dhe bëmat e saj.

Filed Under: LETERSI

FLAMURTHE MBI HARTËN E FUSHËBETEJËS ROMANORE

August 20, 2024 by s p

Kosta Nake/

Strukturimi i një vepre dhe mbushja e saj me brumin letrar mund të jetë unike për çdo shkrimtar, madje mund të ndryshojë edhe te i njëjti autor nga një vepër te tjetra. Në leximin më të fundit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” m’u duk sikur autori, duke vendosur në qendër një ushtarak, ka marrë diçka nga arti ushtarak duke ngulur flamurthe në subjektin e veprës, ashtu si strategët veprojnë në hartat e tyre gjatë luftës.

Një gjeneral, 20 vjet pas mbarimit të luftës, vjen të mbledhë eshtrat e ushtarëve të vrarë në një tokë që e kishin pushtuar paraardhësit e tij. Pushtimi ka rezultuar në përplasje të armatosur, me humbje jete nga të dy palët, rrjedhimisht toka që mban të rënët duket armiqësore në sytë e gjeneralit. Kësaj qasje të padëshiruar ai i përgjigjet me krenarinë e misionarit duke vendosur flamurthin e parë.

Gjenerali shoqërohet nga një prift dhe fund e krye ka një dualizëm të heshtur mes tyre dhe këtu ngrihet flamurthi i dytë.

Mes të vrarëve gjendet koloneli Z. dhe të dy misionarët janë nën kërkesat e familjarëve, nënës dhe gruas së kolonelit. Ç’është ky pasion i tepëruar i kësaj gruaje për burrin e vrarë njëzet vjet më parë me të cilin ka qëndruar vetëm dy javë? Po ato largime të priftit me gruan e kolonelit a nuk të bëjnë të dyshosh dhe të vendosësh një flamurth për një betejë në rrafshin pasuror?

Pas kapitullit të Italisë fashiste disa ushtarë u tërhoqën me trupat kryesore, një pjesë u bashkuan me forcat partizane, të tjerë u strehuan në familjet shqiptare, rrjedhimisht të vrarët mund të klasifikoheshin si heronj apo dezertorë nga atdheu amë, por armiq dhe viktima nga vendi i pushtuar. Këtë flamurth e ngre një plakë me fjalët e saj: “I thoni atij që të mos i përziejë këta, me të tjerët, biro. I kemi qarë me ligje, si djemtë tanë.” (f.58) Kjo shprehje humanizmi përsëritet edhe me atë fshatarin që merr vesh për mbledhjen e eshtrave dhe i dorëzon pa bërë pazar me grumbulluesit: “Le të prehet, i gjori, në vendin e tij.” (f.104)

Zhvarrimi nuk është pa incidente. Në një mur, me thëngjill dhe me shkronja të mëdha është shkruar: “Kështu e pësojnë armiqtë.” Naiviteti i një fshatari ngre një tjetër flamurth: “…bashkë me ta do të nxjerrin edhe ballistët e vrarë e do t’i shpien prapa diellit.” (f.62)

Një flamurth ngre ditari i ushtarit të vrarë duke na kthyer pas në kohë për të treguar fatin e atyre që e humbën luftës, iu rikthyen modestisht jetës civile dhe humbën statusin e ushtarakut. Krenarinë e gjeneralit thyhet kur nuk arrin ta kuptojë pse shqiptarët nuk u ranë në qafë ushtarëve italianë. Pas kësaj thyerje të parë vjen goditja e dytë me shpërfilljen e përgjithshme nga popullsia.

Nik Martini është një tjetër flamurth që ngrihet në çastet e para të pushtimit dhe përfton antitezën e madhe: Një njeri që vritet për atdhe dhe nuk ka varr, përballë ushtarit pushtues që nuk harrohet po kërkohet edhe pas dekadash.

Kundërvënia ndaj misionarëve vazhdon me atë plakun me mustaqet bigë. “Posa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë.” (f.173)

Gjoleka, kryepunëtori i grupit të zhvarrosjes infektohet dhe vdes duke ngritur flamurthin e radhës.

Kulmi i betejës me flamurthe shënohet me plakën Nicë që ka vrarë dhe varrosur me duart e saj kolonelin Z. Ajo e shkel betimin e saj për ta mbajtur të fshehtë deri në çastin kur gjenerali, jo vetëm shkon në dasmën e fshatit i paftuar, por do ta sfidojë armiqësinë e vjetër duke u ngritur në valle. Kjo është goditja përfundimtare e krenarisë së tij që pasohet nga shkelmimi i thesit me kockat e kolonelit, kalimi i një nate nën pushtetin e alkoolit dhe gatishmëria për të bërë pazar për shkëmbim eshtrash ngaqë edhe natën e fundit para largimit vijnë telegramet me kërkesa që hidhen në kosh.

Akti i fundit i betejës së humbur është përmbyllja e misionit pikërisht natën kur Shqipëria feston ditën e çlirimit dhe parakalojnë kuadratet e fitimtarëve.

(Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, Vepra 2, Onufri 2007, f.7)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT