• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udha e poezisë…

May 30, 2024 by s p

Irena Dragoti/

Rruga drejt poezisë nuk është një ëndërr që të rikujtohet teksa zgjohesh një mëngjes të bukur plot diell, apo dëshira e një pasditeje medituese me çaj në dorë, mes zogjve në kopësht, por një udhëtim i tërë i cili nis nga dhuntia, te leximi si proces i vazhdueshëm, tek formimi yt në zhanrin letrar e njerëzor. Më pas tek kultivimi si “grykësi” e egos tënde, pa u shkëputur nga realiteti, ku duhet të mësosh të jetosh me mediokritetin, konkurencën e egos e jo poezisë, zilinë, gjuajtjen me gurë, kritikën krahinore apo oportuniste, pronësinë e saj nga emra të çertifikuar në sisteme politike etj etj. Dhe ti pyet veten: Pse e zgjedh këtë udhëtim me kaq kokëçarje? A je në gjendje t’i bësh ballë një mentaliteti të ngujuar e kokëfortë njëjtë si kanuni i Lekë Dukagjinit, që precipiton në një standart imagjinar vlerash apo ngërthehet nga delirime të patrup kohe e largësie? A je gati të zhvishesh nga trupi i kujtesës apo t’i largohesh njeriut që mendon se di gjithçka për botën, por asgjë për vehten? A je gati të sharlatohesh nga një ambjent, ku nuk flitet më për parametra, por për ëndrra e dëshira nate, apo nga një ambient ku poezia e realizmit socialist qoftë dhe disidenca si (borxh i së shkuarës) na imponohet si vlerë e pakundërshtueshme kombëtare, pa u filtruar?

A je gati të mbytesh si një gur në fund liqeni, pra vetflijosh paqen tënde, a të shpërndash rrathë negativiteti e rreziku, njerëzve që do më shumë, apo t’i bëhesh hije vetes? A je gati të endesh në qiej mizantropikë, plot reteorika të rreme dhe tangencialitetit të vlerave letrare? A je gati të përplasesh me mure kështjellash letrare pa dyer të vërteta? A je gati të kuptosh se poezia nuk është profesion i marrë me qera për të jetuar? A je gati të ringjallësh frikën e të qënit (i,e) dobët e të mohosh guximin e të jetuarit vetëm? Sa gjenerata do shkatërronte guximi yt nën hipnozën e arritjes së majave?

Kur zhvendosesh në një vend kaq të madh si Amerika, ti kupton sa i vogël, apo i rrejshëm është shkëlqimi që ti ke mitizuar për dekada tëra në vendin tënd, duke frenuar hapin e kultivimit e vetrritjes poetike, si një dhuratë që Zoti ia bën vec sinqeritetit. Para se ti hysh kësaj udhe, gjithkujt nga ne i duhet një përballje me një sistem vlerash të vërteta letrare, ku poezia të jetë e pavarur nga dogmat e autentizmit kombëtar e të vlerësohet veç nga bukuria e saj, pa qenë garë njerëzorësh, por reflektim drite, ku shëmbëllimi në kohë, të mbetet njëjtë me përmasat reale.

A je gati të jetosh brenda cilësie e jashtë vetëtimave që e matin botën veç me sy? A je gati të shohësh letërsi groteske, utopike që nuk profilizon standartet e vetes? Ëndrra është i vetmi zjarr që njeriu ndez padashje e që shpesh e rrit apo vret parakohe. Bota, mbetet një xhep ku strukim ëndrrat, kurse vetja, një valixhe frikërash e nëse delirojmë për më tej ëndrrës, botës e vetes mund të gjendemi një ditë, në një vend të shkretë, duke dorëzuar lumturinë. Bën gjithnjë dimër, kur ti ëndërron e lufton veç tituj, sepse udha për tek titujt kthehet në një poezi që nuk do të shkruhet kurrë. Poezia është pëllëmbë, për të shtrënguar si prekje e munguar, njeriun brenda nesh. Pyete veten a ke takuar këtë njeri?

Filed Under: LETERSI

Parisi i njëmijë bardëve…

May 29, 2024 by s p

Parisi është një histori. Një histori e madhe dhe një gjeografi humane. Ndoshta ai është kryeqyteti ku më shumë se kudo në botë pulson historia e një arti të madh, historia e shkrimtarëve dhe artistëve të Francës dhe të botës, ngjarje dhe jetë njerëzish, artistësh që i kënduan njeriut dhe universit, vende dhe emra që hynë në historinë e botës përmes emrit dhe artit të tyre.

Endrra ime e adoleshencës ishte të shikoja një ditë Parisin. Të shkelja mbi kalldrëmet e Parisit për të piktakuar personazhet që kisha ndeshur tek Të mjerët apo romanet e Zhyl Vernit. Ashtu si Zhyl Verni me Dyzet mijë lega nën det dhe Rreth botës për 80 ditë, edhe ne fëmijët e Shqipërisë udhëtonim nëpër qiejt e botës. Atëherë, çdo javë, në shtëpinë time vinte një burrë i moshuar, i kërrusur, me një shkop në dorë dhe një mjekër të bardhë, me një hundë shqiponje dhe një kapelje të vjetër në kokë. Ishte një nga ata që kishin mbaruar liceun francez të Korçës, por që regjimi i kishte larguar dhe mënjanuar si ish borgjezë, që adhuronin Perëndimin. Por ai e kishte qef rakinë dhe kur vinte, nëna ime i nxirrte një dopio raki dhe na linte në detyrat tona të frëngjishtes. Shpejt nga avujt e alkoolit, ai kënaqej dhe udhëtonte në një botë tjetër, të largët, harrohej në ditë dehëse dhe një botë të ëmbël, dhe pas nja dhjetë minutash fillonte të recitonte Nervalin dhe Bodlerin, duke më treguar histori të kaluara që lidheshin me Parisin. Më fliste me pasion për Shatobrianin, dhe Lamartinin, për Senën dhe Eifelin, për urat e shumta dhe Luvrin, për sheshet me emër dhe shkrimtarët e mëdhenj, Bodlerin dhe Hygonë, (Hugo), mbi rrugën Rivoli apo sheshin e Bastijës, për një Bastijë, që siç thoshte ai, në kohën e Revolucionit ishte mbytur mes flakësh. Nostalgjik, ai më tregonte parreshtur gjersa një çast, shikoja që koka e tij varej dhe ai fillonte të dremiste. Ligjërata për shkrimtarët e mëdhenj të Francës kishte mbaruar…

Kur në vitin 1991 shkova në Paris dhe çdo mëngjes e pasdite kaloja nën këmbët e kullës Eiffel, për të shkuar në ambasadën shqiptare në Rue de la Pompe, afër Trocadero-s, kjo ëndërr e realizuar më dukej si diçka irreale, përsëri si ëndërr.

Që atëherë, nën urat e Parisit ka rrjedhur shumë kohë. Nga ditë në ditë, nga muaji në muaj, dhe nga vitit në vit, ky qytet më zbulonte hiret dhe të fshehtat e tij. Dhe unë e dashurova këtë qytet. Nëpër vite do të përjetoja pikërisht atë që kishte shkruar dhe Heminguei për të: Parisi, një festë e pambarimtë! Nëpër vite, këmbët, por dhe rastësia më çuan nëpër vende ku zbulohej një histori e re, një ngjarje e madhe, vende ku kishin jetuar shkrimtarët, ku kishin krijuar veprat e kryeveprat e tyre, ku ishin dehur dhe bërë dashuri, ku kishin qarë apo ishin vetëvrarë, vende ku kishin shkuar të jetonin përjetësisht. Padyshim, ishte emocionante vizita ime e parë në shtëpinë muze të Balzakut, në rrugën Raynoud, në atë shtëpi ku Balzaku u fshihej huadhënësve dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave të tij të fundit. Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi, duke i ringjallur çdo vizitori figurën e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të madh të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit.

Në letërsinë e Balzakut ka një gjeografi të habitshme të këtij qyteti, aq sa studjuesit e sotëm flasin për një «arkeologji» balzakiane të Parisit, pasi shumë vende të përshkruara nga shkrimtari i madh nuk ekzsitojnë më. Në librin e tij Djalli në Paris, duke përshkruar këtë qytet, ai shkruante: «Fizionomia e Parisit në vitet 1500 ishte ajo e rrugës Saint-Antoine; më 1600 ishte ajo e rrugës Royal; në vitet 1700 jeta përqëndrohej rreth Pont-Neuf dhe më 1800 rreth Palais Royal. Të gjitha këto vende, njëri pas tjetrit kanë qenë bulevarde. Toka në to ka qenë e pasionuar. Më së fundi dhe vetë bulevardi pati fatin e tij. Nga rruga Faubourg du Temple në Rue Charlot, ku lëvrinte Parisi, jeta e tij në vitin 1815 kaloi në Boulevard des Panoramas. Më 1820 ajo u përqëndrua në bulevardin Gand, ndërsa tani ajo tenton të ngjitet drejt Madelaine-s. Më 1860 zemra e Parisit do të jetë që nga rruga e Paqes e gjer në sheshin e Concorde-s…»

«Père Lachaise» në cep të Parisit ishte një qytet i vërtetë të vdekurish, një «qytet» me «banorët» e tij, «shtëpitë» dhe rrugët e tyre. Aty preheshin shumë nga të mëdhenjtë, nga Molieri, Bomarsheja, (Beaumarché) e La Fonteni, duke vazhduar me Balzakun, Prustin, Bodlerin, Zolan, Mopasanin, e gjer tek Koletë, Elyar, etj. Duke bredhur nëpër të, unë zbuloja historinë dhe gjymtyrët e tij, gjymtyrë njerëzorë dhe shpirtra që i kishin kënduar këtij qyteti, që kishin ngjizur jetët e tyre me historinë e këtij trualli. Udhë, «bulevarde», shkallë të çuditëshme, portale të mëdhenj e të habitshëm, varre gjigandë dhe monumente, siç është dhe ai i Balzakut, ku vizitorë jo të pakët kanë dëshirë të bëjnë një fotografi para bustit të tij. Kohë njerëzore, kohë revolucionesh, luftrash dhe çlirimi, vitesh të paqta dhe ngazëllimi. Piketa qytetërimi. Dhe vizitori pasi udhëton në këtë qytet-mortor, pyet vetveten: kush vallë është prehur brenda këtyre mureve? Cilët ishin ata? Kudo janë gjurmët e tyre. Në Hotel Ritz, në sheshin e famshëm Vendôme, atje ku ngrihet obelisku i Napoleonit, një suite e hotelit ka emrin «Marcel Proust». Aty ishte një nga prehjet e tij të përherëshme. Por po të futesh në brendësi, të kalosh nëpër korridorin e gjatë, në fund do të gjëndesh në një bar të vogël që quhet «Bari Heminguei», vendi ku korrespondeti i luftës, Ernest Heminguei, shkruante dhe dërgonte njoftimet e tij për gazetat amerikane. Deri vonë, një nga kamarierët e Ritz tregonte se në betejën e sheshit Vendôme më 1944, ku Heminguei morri pjesë, ai ishte ndër të parët që hyri në hotel dhe zuri një suitë, duke porositur 50 shishe «Martini» për vete dhe miqtë e tij. Atje në Ritz, janë dhe gjurmët e Scott Fitzgerald dhe plot shkrimtarëve të tjerë. Amerikanët e «Brezit të Humbur» i gjeje më shpesh në barin e madh amerikan të «La Coupole»-s, në bulevardin Montparnasse.

Në 19, Quai Voltaire, buzë Senës, për një kohë jetoi Bodleri, më pas Uald (Wilde) dhe pastaj në të njëjtën ndërtesë dhe Wagner, ku ai mbaroi partiturën e pjesës muzikore Mjeshtër këngëtarë. Në Rue de l’Université jetonte Xhejms Xhois, autori i famshëm i Uliksit. Surrealistët jetonin më së shumti në Montparnasse, ku lindën disa shkolla letrare. Në kopshtet e Luksemburgut, janë statujat e Verlenit, Floberit, Sandit, etj, dhe kjo sepse jeta e tyre u lidh ngushtë me këtë kopësht, që na kujton gjithnjë dhe Zhan Valzhanin e famshëm të Hygoit, i cili shëtiste me Kozetën e vogël. Lagjia e «Marais»-së, e «Kënetës», siç e kishin quajtur prej shekujsh parizianët, meqë kur vinin shirat e vjeshtës, lagjia përmbytej nga ujrat gjer në pranverë, të kujtonte barrikadat e Të mjerëve dhe Gavroshin që vërtitej sa andej këndej. «Les Halles» të kujton gjithnjë librin e Zolasë për Parisin, Barku i Parisit, (Le Ventre de Paris), pasi aty ishin jo vetëm pazari, por dhe thertoret e qytetit. Në Rue des Beaux Arts, në fundin e shekullit XIX, vdiste i vetmuar Oskar Uald, i cili pak ditë më parë kishte pëshpëritur në ethe: «Unë jam njeriu që duhet ta mbyll këtë shekull». Në varrezat e Bagneux, në perfieri të Parisit, pronari i hotelit të tij, i kishte vendosur një kurorë mbi varr me mbishkrimin: «Për qeraxhiun tonë!»

Një natë dimri të vitit 1902, në Rue de Bruxelles, ishte gjetur i vdekur në apartamentin e tij shkrimtari Zola bashkë me të shoqen. Kishin vdekur në gjumë nga gazi i qymyrit. I gjetën duke fjetur në gjumin e përjetshëm. Në Rue Pigalle, në numrin 16, në epokën e dashurisë së tyre jetonin dikur Zhorzh Sandi dhe Frederik Shopen. Në numrin 55, Hygo, ndërsa në numrin 60, Bodleri. Pak më tutje është kabareja e famshme «Le Chat Noir», ku mblidheshin simbolistët me në krye themeluesin e simbolizmit francez, arvanitasin Zhan Moreas apo ndryshe Jani nga Moreja, ndërsa lart në kodrën e Montmartre-s, rrëzë katedrales së Sacre-Cœur, në kabarenë e natës «Le lapin agile», në Rue des Saules, mblidheshin surrealistët me në krye Apoliner, Reverdi, apo Maks Zhakob. Jo larg tyre ishte «Le Bateau Lavoir», ku mblidheshin Pikaso, Modiliani, Apoliner… Numra, emra rrugësh, histori romanesh e poemash, fate njerëzore, si vetë fati i të madh Vijon, (François Villon), poetit të Parisit, të dënuar në të gjallë të tij që mos ta shkelte më Parisin, qytetin që ai i kishte kënduar aq shumë. Kur u dënua me litar, poeti shkroi balladën e tij të famëshme Ballada e të varurve. Ishte po ajo poemë që liceistët e Korçës, siç kujtonte poeti dhe shkrimtari shqiptar Dhimitër Shuteriqi, e dëgjonin në recitimin patetik të profesorit të tyre Georges Aguesse.

Para disa kohësh, një mbrëmje të vonët, nuk di pse u gjënda në rrugën «Rue Decartes», jo larg Panteonit. Ndoshta për t’i rënë më shkurt drejt shtëpisë time. Kur ja, në anë të rrugës, në numurin 37, një pllakë më tërhoqi vëmendjen: «Këtu ka vdekur poeti i madh Pol Verlen, në 9 janar të vitit 1896». Pas Rembosë, (Rimbaud), Verleni për mua ishte nga më të preferuarit e poezisë botërore. Dhe ja, poshtë pllakës, një tjetër shënim: «Pikërisht këtu në vitet 1921-1925 ka jetuar gjithashtu Ernest Heminguei». Ngrita sytë lart dhe në dritën e zbehtë të rrugës, në ato dritare, imagjinova ditët e fundit të Verlenit që kishte vdekur si një njeri i varfër edhe pse poet i madh. Ishte hoteli i dikurshëm, i cili dhe tani, shërbente si hotel. Një miku im francez, François Bilange, i apasionuar pas poezisë, më kishte thënë se kur ishte njohur me gruan e tij e kishte sjellë atë në “dhomën Verlen”. Atje donte të flinte një natë me të, në dhomën ku poeti i kishte kënduar aq shumë dashurisë. Por që ta rezervoje atë dhomë duhej ta bëje kërkesën me kohë, pasi nga e gjithë bota kishte të apasionuar që donin të vinin të kalonin një natë në dhomën e poetit dhe mikut më të madh të Rembosë.

Po, Parisi ndryshonte, lëvizte, pasionohej sa në njërin apo tjetrin breg të Senës. Nga kodra e Montmartre-s, ku rrinin më parë poetët dhe artistët, më pas në kohën e «parnasianëve», bota letrare u zhvendos në Quartier Latin, pastaj drejt Montparnasse-it në fundin e shekullit XIX. Ndërsa në mesin e shekullit XX, shpirti letrar e artistik u vendos në lagjen e vjetër të Saint-Germain-dès-Près. Në kafenetë «Le Flore» dhe «Les Deux Magots», mblidheshin shkrimtarët dhe botuesit. Aty niste aventura letrare e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit XX. Para tyre, kryqëzimi ballë kishës së vjetër Saint-Germain-dès-Près e viteve 1100, tashmë quhet «Sheshi Sartre-Beauvoir» në kujtim të çiftit mitik të shekullit. Sot, ky Paris duket se e ka humbur qëndrën e vet, sikur diçka ka ndodhur dhe artistët e mëdhenj janë shpërndarë, si të duan të shkrihen me të tjerët, mes qytetarëve. Rrallë herë ata shfaqen diku dhe kjo më shumë në ekranet e televizioneve dhe rrallë në sheshet publike. Ata nuk dehen më ashtu si kolegët e tyre të hershëm, nuk janë më bohemë…

Kështu e ka përjetuar Parisi metamorfozën e tij, si një bohem, pa i kapërcyer kufijtë e qytetit, edhe pse disa vende mitike nuk ekzistojnë më. Dikur, në Palais Royal, ishte një kafene që quhej «Kafeneja e të Verbërve», pasi në atë kafene kishte një orkestër me katër muzikantë, që të gjithë të verbër. Ç’spektakël! Aty shkonin shpesh shkrimtarët dhe dramaturgët e teatrit të Komedisë Franceze. Deviza që afishohej në këtë kafene ishte: «Këtu kemi nderin të jemi qytetarë, të pijmë cigare dhe t’i drejtohemi tjetrit me «ti»… Koha ka bërë të vetën. As «Shtëpia e Artë», (Maison d’Or), siç quhej ajo shtëpi, kur dikur mblidheshin shkrimtarët romantikë, nuk është më. As shëtitoret e dikurshme të Marsel Prustit ku shëtistin «personazhet» e tij, as shtëpia e André Bretonit në 43, Rue Fontaine, atelieri i prijësit të madh të surrealistëve, që më parë ruhej si një lloj muzeu privat plot piktura, maska afrikane, libra, manifeste, antikuare artistike, etj. Siç më thoshte një ditë në një kafene të Montparnasse-it, studjuesja e Bretonit dhe e Robert Desnos, profesoresha Marie-Claire Dumas, më së fundi ai apartament ishte kthyer në një afer imobiliar dhe ajo e vuante shumë këtë, revoltohej dhe shante qeverinë. Gjithçka që kishte mbledhur Bretoni në atë shtëpi ishte shitur në ankand. Një histori që humbiste drejt harresës. Tani, jo larg që andej, vetëm kolltuku i Molierit ka mbetur në katin e sipërm të teatrit të Komedisë Franceze. Ai kolltuk është mbresëlënës, sepse pikërisht aty, në shfaqjen e fundit të tij, Molieri i sëmurë ishte ulur dhe interpretonte në komedinë e tij I sëmuri imagjinar. Atje dhe kishte vdekur më 17 shkurt të vitit 1673, në orën dhjetë të mbrëmjes… Po, shumë vende historike nuk janë më, as «Café Voltaire», ku mblidhej Balzaku të takonte miqtë e tij letrarë, në Sheshin Odeon. Aty shkonte dhe personazhi i tij i Iluzioneve të humbura, Lucien Rubenpre.

Bodleri ishte parizian dhe ai i këndoi shumë Parisit, i këndoi hireve të tij por dhe të :”keqes” në vëllimin poetik Lulet e së Keqes, i këndoi Parisit të ngazëllyer dhe Parisit, «me sytë e një plaku të çmendur». Megjithatë, duke iu drejtuar Parisit, ai këndonte:

«Në çdo gjë tënden, unë kam nxjerrë thelbësoren

Ti më dhe baltën dhe unë e ktheva atë në ar.»

Viktor Hygo lindi në Paris. Po në Paris dhe vdiq. Nga shtëpia e tij në avenynë «Victor Hugo», rruga zgjatet drejt pyllit të Bulonjës, dhe pa arritur ende atje, të shfaqen papritur statuja e punime skulpturale me figurën e Hygosë dhe muzat e tij. Hygo si një pan pagan dhe vajzat-muza, të dashurat e tij. Hygo ishte një dashnor i madh, i përjetshëm. Edhe plak ai përhumbej në hiret lakuriqe të një trupi të kolmë… Po, poetët dhe shkrimtarët janë të pranishëm në jetën e këtij qyteti. Dhe nuk habitesh që pllakat-piketa të njoftojnë për historinë e tyre. Natali Sarot, Alen-Rob Grije, Fransuazë Sagan me romanet e saj të «Valës së Re», Mirëmëngjes trishtim apo A e doni ju Bramsin? Ti ecën në Rue Richelieu dhe e di që atje, Stendali shkroi E kuqja dhe e Zeza, më tutje në 8, Rue Commartin, ai shkroi Kështjella e Parmës dhe më vonë, në Rue Cambon, shkroi kryeveprën tjetër të tij, Lucien Leuven. Atij i pëlqente të bridhte e të jetonte rreth Operas, Bursës, të prehej në kafenetë pranë «Teatrit Komik», duke përsëritur shpesh: «Parisi është një qytet hyjnor». Ai kishte rënë në dashuri me Parisin. E si mos ta dashuroje këtë qytet? Si?…

Personazhet letrare të këtij qyteti janë të panumurt, pasi në çdo rrugë që merr, në çdo kthesë, qoftë dhe një rrugicë e ngushtë, gjen gjurmët e një autori të shquar. Në Rue Mazarine, në një ndërtesë jo shumë të lartë, jetonte Robert Desnos, poeti surrealist me të dashurën e tij Juki, siç e kishte pagëzuar piktori Fujita, në japonisht, që do të thoshte «dëbora rozë». Në shkurtin e vitit 1944, një mëngjes, Robert Desnos u arrestua në shtëpinë e tij. Para se ta merrnin, ai i dha Jukit stilografin e tij «Parker», duke i thënë: «Ruaje. Do të kthehem ta marr.» Por më kot e priti Juki. Ai s’do të kthehej më në Rue Mazarine. Ai do të vdiste në një kamp nazist, ditët e para të çlirimit të kampit. Ai nuk e puthi lirinë. As të dashurën e tij. Pikërisht aty në Rue Buci, na shfaqet hija e Bodlerit me armë në dorë, në ditët e Revolucionit të shkurtit të vitit 1848. Shkrimtarët e mëdhenj ishin humanistë, ishin kundër diktaturave dhe shtypjes së lirisë. Kështu shkonte drejt barrikadave të këtij revolucioni Hygo, Lamartin apo Dymas?

Një ditë, duke iu ngjitur Montmartre-s përmes një rruge të ngushtë e të kalldrëmtë, kisha parë një skulpturë të çuditëshme. Ishte Njeriu që kalon murin, (L’Homme passe-muraille), e krijuar nga Zhan Mare për mikun e tij Marsel Eme, sipas veprës kryesore të këtij shkrimtari. Figura ishte e çuditëshme sepse pikërisht ishte vetë shkrimtari që tentonte të përshkonte përmes murit si një qënie hyjnore. Dhe po të ngresh kokën lart, në një pllakë pranë një ndërtese lexon të shkruhet: «Këtu ka banuar deri sa vdiq shkrimtari Marcel Aymé».

Shkrimtarët janë ngado. Mjafton të ecësh dhe t’i piktakohesh me ata. Mund t’i përshëndesësh. Një ditë, tek prisja një mikun tim përballë kishës së Invalidëve që strehon arkivolin e Napoleonit dhe të disa prej mareshallëve të tij, nuk kisha vënë re se pas shpinës time, në një pllakë mermeri, ishte shkruar se pikërisht atje, gjatë luftës, kishte banuar shkrimtari i famshëm Sent Ekziperi, autori i romanit Fluturimi natën, piloti i luftës që ishte ngritur në qiell dhe nuk ishte kthyer më. Ajo pllakë më kujtoi menjëherë ato ditë të rinisë, kur kineast i ri, me atë frëngjishte të çalë, përpiqesha të përktheja me një mikun tim kineast, librin e tij Princi i vogël, duke hyrë në një botë të veçantë filozofike e humaniste.

Po, poetët dhe shkrimtarët janë kudo në këtë qytet. Që nga viti 1960, në 56, Rue de la Varenne jetonte poeti Lui Aragon. Aty dhe vdiq. Atë e vendosën pranë varrit të Elsës, të dashurës dhe gruas së tij, në «Parc du Moulin». Ai i kishte thënë asaj se do ta rrethonte me muzikë. Pas vdekjes së tij, në varrin e tyre u vendos një gramafon me muzikë të Bahut dhe me Këngën e Bilbilit, i cili gjatë gjithë kohës do të shpërndante muzikën e tyre preferuar. Andre Malro ka lindur në Rue Damremont. Para se të vdiste, autori i La Condition Humaine, kishte shkruar: «Detyra e shekullit të ardhmë do të jetë ri-integrimi brenda njerëzimit të hyjnive të tij». Thua se njeriu është larguar apo i ka harruar mitet e tij, mitologjinë dhe hyjnitë. Ja dhe Rue de la Vielle-Lanterne. Më 26 janar të vitit 1855, varur tek brava e portës së apartamentit të tij, u gjënd pa jetë turpi i poetit Nerval, veshur me kostumin e tij të zi dhe këpucët llustrafina. «Të paktën agonia kishte qenë e butë, sepse kapelja nuk i kishte rënë nga koka.» – shkruante Aleksandër Dyma, që ishte nga të parët që kishte shkuar pranë mikut të tij.

Si çdo qytet, dhe Parisi ka magjinë e tij. Njerëzit i duan kafenetë. Atje piktakohen, kuvendojnë, vëzhgojnë bashkëqytetarët e tyre, shkëmbejnë lajmet e botës dhe tresin vështrimin tutje, ku lumi njerëzor vërshon i pandërprerë. Kur ka diell, taracat e tyre janë të mbushura plot e përplot. Eshtë një tjetër atmosferë. “Selecte”, “Brasserie Lipp”, «La Rotonde», kafenetë ku bridhte Zhak Prever dhe poetët e tjerë, Elyar, Aragon, Superveij, Sent Xhon Pers, Rob-Grije, Misho, dhe më tutje, «Closerie des Lilas», ku mblidheshin simbolistët e më pas rrymat e tjera letrare, ku endeshin personazhet letrarë të shekullit të kaluar si André Gide, Simenon, Jonesko, Malro… «Les Procopes», kafeneja më e vjetër e botës, e hapur që në vitin 1688 nga vëllezërit italianë «I Proccopi», mblidhte jo vetëm shkrimtarë si Bomarshe, Volter, Didero, por dhe udhëheqësit e Revolucionit Francez si Robespier, Marat, Danton, apo më pas Napoleoni… Aty ngjizej shpirti i bëmave të mëdha. Ajo i ruan ende gjurmët e kohës, me librat e shkrimtarëve të saj vendosur në rafte të vjetër, me letrat e vjetra që stolisin sallonet e stilit mbretëror. Ndërsa «Fouquet’s», në Champs Elysées ka më shumë fotot e artistëve sesa të shkrimtarëve, të cilat bëjnë ballë nëpër mure. Aktorët, yjet e teatrit dhe të kinematografisë. Megjithatë fotografia e Xhejms Xhois aty është e palëvizëshme: ai ishte klienti i preferuar dhe i përditshëm; ai dinte të linte veç bakshishe të majme. Ishte fisniku anglez, i ngjashëm në këtë anë me Oskar Uald.

Sot nuk është më moda e salloneve letrare që organizoheshin në kohën e Balzakut e të Marsel Prustit, sallonet e zonjës Recamier, apo Madame Strausse, Madelaine le Maire si dhe ai i zonjës de Cavaillet. Sot është koha e kafeneve letrare, e “café littéraire” ku mblidhen poetë e shkrimtarë dhe prezantojnë librat e rinj, diskutojnë, etj. Madje ka kafene të njohura që kanë dhe çmimet e tyre letrare. E tillë është “Les Deux Magots”, e cila çdo vit jep një çmim letrar për veprën më të pëlqyer: “Prix Les Deux Magots”. Por ka dhe kafane letrare mjaft popullore, të vogla, siç është “Le Smoke” në afërsi të kryqëzimit Vavin, ku një mbrëmje, dhe ne disa shqiptarë, recituam poezitë tona. Poezia është kthyer kështu si kënga dhe kafeneja-letrare një skenë ku mund të këndojnë të gjithë.

Në Rue de Varenne, në Institutin e Kulturës Italiane, një ditë pata fatin të takoja Zhylien Grin, një amerikan i lindur në Paris dhe që mbeti gjithë jetën një shkrimtar parizian. Autori i njohur i romanit Dixie, banonte në katin e parë të një ndërtese në Rue Cortambert, ku në krah të djathtë ngrihej madhështore fasada e shapeles “Les Soeurs Blanches”, (“Motrat e Bardha”). Edhe ai e adhuronte Parisin. Në një libër mbi qytetin, ai kishte shkruar: “Në sytë e mi, Parisi do të mbetet dekori i një romani që askush nuk do të mundë ta shkruajë”. Po cili vallë mund ta shkruante portretin e një qyteti të tillë? A mund të bëhesh ky afresk gjigand. Cili gjeni mund ta riprodhonte atë. Vetëm jeta e Vijonit është një roman tronditës më vete. Saga të mëdha janë edhe jetët e Lamartinit, Rembosë, Malarmesë, Mopasanit, Fransua Moriak, Albert Kamy, Elyar…

Në mbrëmje, buzë Senës, bukinistët i mbyllin bankinat e tyre ku ka me mijra libra që ata ua shesin kalimtarëve e më shumë vizitorëve të huaj. Libra të vjetër, afishe, gazeta të fillimit të shekullit, harta të Parisit të vjetër dhe të botës, kartolina të vjetra dhe pamje nga «Belle Epoque» me balerinat e Pigalle, «Moulin Rouge» apo «Folies Bergères». Një herë, pa u bërë shkrimtar i njohur, Zhëné, (Genet) kishte vjedhur tek bukinistët një botim luksoz të Verlenit. Policët e kishin kapur, por ai menjëherë u ishte lutur ta çonin tek poeti Zhan Kokto. Dhe Kokto, (Cocteau) e mori në mbrojtje letrarin e ri. «Po ta besoj se Zhëné vjedh për të ushqyer trupin e shpirtin, – i kishte thënë ai mikut të tij avokat, – ai është një “Rembo” dhe Remboja nuk mund të dënohet». Madje Kokto doli dhe dëshmitar në gjyqin e tij. Kur gjykatësi e kishte pyetur Zhënénë se «Çdo të thonit ju po t’ju vidhte dikush librat», ai i ishte përgjigjur: «Do të isha krenar». – «A e njihni çmimin e këtij libri?» – «Jo, por njoh vlerat e tij»… Në gjyq Kokto u ngrit duke kërkuar të dëmshpërblente dëmin e shkaktuar dhe deklaroi se një shkrimtar i madh nuk duhej dënuar.

Një ditë, tek vëzhgoja ndërtesën ku kishte banuar Rembo, në Rue Monsieur le Prince, m’u kujtua një bisedë e dikurshme me ish të burgosurin politik Hasan Jero, dikur student në Paris. Edhe ai e adhuronte Rembonë. Edhe ai kishte jetuar në vitet e shkollës në Rue Monsieur le Prince, në hotelin me të njëjtin emër. Kur ishte në burg, siç më tregonte ai, shpesh shpirti i tij bridhte në Parisin e munguar, në Place de la Sorbonne, Place Saint-Michel, në kafenenë «Luxembourg» apo «Cluny», në Rue Harpe, ku kishte jetuar Verleni… Parisi qëndronte i gjallë dhe në momentet më të vështira të një ekzistence në diktaturë, ku jeta mund të shuhej nga çasti në çast. Po kështu kishte ndodhur dhe me Jusuf Vrionin, i cili ishte një lexues i madh i letërsisë franceze por dhe përkthyes i jashtëzakonshëm. Edhe ai ishte student në Paris, edhe ai ishte një ish i burgosur politik. Parisin mundi ta shikonte përsëri pas pesëdhjetë vjetësh. Dhe një ditë, tek shëtisnim buzë Senës, duke më folur për mbresat e këtij udhëtimi të parë, ai më tha sesi një ditë vjeshte, kur kishte lënë Parisin për herë të fundit, në stacionin e trenit në “Gare de Lyon”, ai ishte përkulur dhe kishte puthur kalldrëmin. Ai kalldrëm ishte gjithçka. Ishte shpirti i një qyteti, nga i cili ai nuk mundej dhe nuk donte të ndahej. Ja pse këto kalldrëme gjithë histori, janë të dashura për ne.

Po, ky është Parisi, një “festë e pambarimtë”, një festë ngazëllimi, dhe më shumë… Parisi është atdheu i njëmijë poetëve dhe shkrimtarëve, trualli i njëmijë bardëve.

Filed Under: LETERSI

Një ftesë për të gjithë dashamirësit e librit…

May 28, 2024 by s p

Të nderuar bashkatdhetarë, me kënaqësi ju njoftojmë se Allbanian Alliance of New Jersey, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Garfield, organizon një ngjarje të veçantë dhe historike që do të mbahet më 1 qershor 2024, nga ora 11:00 AM deri në 2:00 PM, në adresën 500 Midland Ave, Garfield, NJ 07026.

Kjo ngjarje paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për:

Njohjen dhe promovimin e veprave të autorëve shqiptarë në komunitetin tonë.

Hapjen e një koleksioni të ri librash, të dhuruar nga autorë shqiptarë të njohur.

Pasurimin e Bibliotekës Publike të Garfield me këtë koleksion të veçantë.

Garfield është një qytet me një numër të konsiderueshëm prej rreth 3,500 shqiptarëve, prej të cilëve rreth 1,150 janë nxënës në shkollat publike. Kjo iniciativë për të sjellë një koleksion të gjerë librash shqiptarë në bibliotekën e qytetit do të jetë një shtesë e rëndësishme për kulturën tonë.

Programi i Eventit është si vijon:

10:30 AM – 11:00 AM: Mirëseardhja dhe regjistrimi i pjesëmarrësve.

11:00 AM – 11:30 AM: Fjalë përshëndetëse nga Albanian Alliance of New jersey, Ambasadorja e shqiperise ne Kombet e Bashkuara, Kryebashkiaku i Garfield dhe figura të tjera të larta nga Bergen County.

11:30 AM – 12:00 PM: Prezantim i antologjisë dhe dhurimi i koleksionit të librave nga Profesor Doktor Fatmir Terziu dhe poetë të tjerë.

12:00 PM – 12:30 PM: Lexime letrare nga poetë të mirënjohur.

12:30 PM – 2:00 PM: Performanca muzikore dhe valle tradicionale shqiptare.

Të Ftuar Nderi për këtë event janë:

Ambasadorja e Shqipërisë në Kombe të Bashkuara

Kryebashkiaku i qytetit të Garfield dhe anëtarët e bordit të tij.

Figura të larta nga Bergen County.

Poetë të shquar të antologjisë shqiptare të 100 viteve të fundit.

Gjatë këtij eventi, Kryebashkiaku i Garfield do të shpërndajë certifikata mirënjohjeje për autorët e pranishëm. Allbanian Alliance of New Jersey ka siguruar dhe do të dhurojë disa libra të Profesor Doktor Fatmir Terziu, duke pasuruar më tej koleksionin e bibliotekës.

Ju ftojmë të gjithë të merrni pjesë në këtë ngjarje historike dhe të kontribuoni në pasurimin e trashëgimisë kulturore të qytetit tonë. Pjesëmarrja juaj do të jetë një nder dhe mbështetje e madhe për komunitetin shqiptar në Garfield.

Për më shumë informacion dhe për të konfirmuar pjesëmarrjen tuaj, ju lutemi të kontaktoni në email: albanianallianceofnewjersey@gmail.com ose në numrin e telefonit: (201) 693-3798.

Ju mirëpresim me kënaqësi!

500 Midland Ave

Garfield, NJ, 07026

Me respekt,

Allbanian Alliance of New Jersey

Filed Under: LETERSI

Albanologu mjedolog prof. dr. Mentor Quku përmes thesarit të madh të kolanës serioze eseistike të 11 vëllimeve shkencore rizbulon figurën brilante të poetit dhe eruditit të shquar dom Ndre Mjedën

May 25, 2024 by s p

“Mjeda, u bë udhërrëfyesi dhe shptimtari i im. U bë shpirti im binjak. U bë vuajtja dhe dhembja ime, u bë idoli im, ai që trasnformoi plotësisht jetën time”. – Prof. dr. Mentor Quku (1939-2014), albanolog

“Maratonës unikale për Ndre Mjedën, po i afrohet finishi. Ky që kemi në dorë quhet Mjeda-9, por është i njëmbëdhjeti botuar, po të marrim parasysh se kemi Mjeda-3 (libri i parë) dhe Mjeda 3 (libri i dytë), si dhe Mjeda-6 (libri i parë) dhe Mjeda-6 (libri i dytë). Pra, jemi në vigjiljen e përfundimit të monumentit aq të bukur, aq të paraqitur në detaje dhe me imtësi skrupuloze, për jetën dhe veprën e një shkrimtari, një studiuesi, një kleriku, një atdhetari… dhe mbi të gjitha të një njeriu të madh të pavdekshem, siç është Ndre Mjeda. Quku edhe këtij vëllimi, që kemi në dorë i ka dhënë ngjyrë disi divulgative, e ka bërë si të thuash, libër për të gjithë kategoritë e lexuesve. Madje po t’a lexojmë këtë vëllim, do t’u shtohet kurreshtja dhe dëshira per t’u njohur me gjithë maratonën, me gjithë monumentin Ndre Mjeda. Ky vëllim, që kemi në duar, në vigjilje të përurimit të merituar të veprës, mund të etikohet: “NDRE MJEDA PER TE GJITHE” Fadil Kraja, Shkodër, tetor 2013

Klajd Kapinova

Mjeda – 1 Rinia (1866-1888)

Libri i parë i serialit  studimor Mjeda – 1 Rinia (1866-1888), i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Vepra në fjalë, ka gjithsej 640 faqe të numruara, me 2728 futnota, me 138 fotografi, spote, fotokopje dokumente, grafika dhe pasqyra, harta e ilustrime. 

Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori dhe albanologu ynë skrupuloz prof. dr. Mentor Quku, me një përkujdesje profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të poetit brilant Ndre Mjedës (Mjedjës), fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës.

Për më tepër, shohim se studiuesi i kujdeshëm dr. Quku, përkundet nga ideja se historia origjinale e poetit brilant dom Ndre Mjedës, është përsëritje e përshpejtuar e historisë së fisit të tij. 

Faqe pas faqe, shohim se katër kapitujt e tjerë; “Aventura franceze”, “Tre vjet nën diellin spanjoll”, “Tre vjet të tjera në Kroaci” dhe “ Në Itali”, sqarojnë bëmat e poetit tone, gjatë karuzelit të tij të madh, që u detyrua të bënte rreth e qark Evropës plakë. Dhe historia e larmishme, me rritje dhe uljet e saj vijon me intensitet dhe shtrirje të gjërë.

Një kapitull qëndror, është ai i shtati, që biografi origjinal i mjedeologjisë prof. Quku ia kushton poezisë “Vaji i bylbylit”, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit dhe mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.

Vëllimi tërheqës, i trajtuar gjerësisht me një stil tërheqes mbyllet me kapitullin e nëntë “Viti i mbarë 1888”, vit kur Mjeda boton tre libra dhe ka në dorëshkrim shumë vepra të tjera letrare. 

Ai ishte vetëm 22 vjeç, kur i pajisur me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një kujtesë fenomenale e një talent të rrallë, kishte arritur të bëhej një nga artistët dhe poliglotët më të shquar të kohës. 

Bariu i përkushtuar shpirtëror Mjeda, brenda një kohe relativisht të shkurtër, ishte bërë, në saj të talentit të tij të jashtëzakonshëm, një ndër shqiptarët më të mirënjohur asokohe.

Mjeda – 2 Albanologu (1888-1899)

Vëllimi në fjalë, ndahet në nëntë pjesë. Libri monografik, ka gjithsej 642 faqe të numruara, me 1048 futnota, me 203 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta dhe ilustrime të reja. 

Pjesa e parë e monografisë e mbushur me shembuj konkret faktografik, nga jetëshkruesi Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet shkrimtarit dhe albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë nga media dhe qendrat shkencore albanologjike të Shqipërisë dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës në Dardani. 

Pjesa e dytë dhe e tretë e veprës, i kushtohet shkencërisht analizave të poezive të Cremonës, që u hartuan asokohe nga Mjeda, gjatë katër viteve shkollore në Kolegjin De Vida, ku ai ishte profesor muzike dhe bibliotekar: Malli për atdhe, Shtegtari, Uzdaja pa dobi, Meyerling, si dhe dy poezitë kushtuar mikut Pal Moretit.

Pastaj vijnë tre pjesë të tjera interesante, të mbushur me episode e ngjarje të larmishme historike, që i kushtohen periudhave të ndryshme kur poeti Mjeda jetoi, studioi dhe krijoi në Krakov, Gorizie dhe Kraljevica.

Një vend të veçantë zënë letërkëmbimi i pasur dhe shumë interesant i personalitetëve brilante të kohës si dyshes Mjeda-Meyer, leximi i të cilave na jep apo tregon me detaje informacione të shumta dhe interesante lidhur me kontributet e shumëanshme të poetit brilant dom Ndre Mjeda në fushat e studimeve albanologjike.

Në këtë kontekst, këtu gjithashtu jepen vlerësime shkencore lidhur me poezitë relike të Mjedës: “Gjuha shqipe”, “Iliri dhe Epiri”, “Nji shoqit t’em qi kthete në Shqipni”, “I tretuni”.

Kapitujt shtatë dhe tetë, i kushtohen angazhimit të klerikut katolik dom Mjedës me studime të rëndësishme të karakterit të mirëfilltë albanologjik, si dhe lidhjeve të tij me rrethet shkencore të kohës, sidomos me albanologun më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyer. 

Shkrimtari geg Mjeda, ka mbledhur dhe ka përgatitur me kujdes për botim si: proverba, shprehje proverbiale shqipe, këngë lirike, humoristike, historike, si dhe legjenda të trevave gege, të pasura me histori dhe fjalë të rralla, të cilat fatkeqsisht kanë humbur dhe po zhduken si kripa në ujë edhe ata pak shprehje dhe fjalë frazeologjike origjinale etnike gege.

Të gjithë këto sa cituam më lart, u botuan me emrin e Meyerit, në Studime shqiptare VI, Viene, në vitin 1897, për shkaqe oportuniteti të rrethanave të kohës. 

Me interes, theksoj se janë zbardhjet e kërkimeve të shumta, që na ofron në këto vepra të reja  studiuesi dhe albanologu shkodran prof. dr. Mentor Quku, për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe.

Vëllimi voluminoz mbyllet me pjesën e nëntë, e cila faqe pas faqeje hedh dritë lidhur me problemin e largimit të dom Mjedës nga jezuitët dhe për etapën e kthimit të po dom Mjedës në atdhe, në pranverën e vitit 1899.

Mjeda – 3 libri i parë Alfabeti (1899-1912)

Ky vëllim i pasur studimor dhe jetëshkrimor, ka si objekt periudhën historike të kthimit të Mjedës në atdhe deri në periudhën Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe në vijimsi i kushtohet ndihmesës së klerikut të shquar dom Ndre Mjedës për alfabetin e gjuhës së bukur amtare shqipe. 

Hulumtuesi pasionant prof. dr. Mentor Quku, gjatë gjithë shtrirjes së veprës në fjalë, i provon me dokumente origjinale dhe silogjizma bindëse punën këmbëngulëse 20-vjeçare të poetit dom Ndre Mjedës, për një alfabet shkencor dhe praktik për të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë rolin e tij të shquar në punimet e Kongresit të Manastirit. 

Libri i ri ka gjithsej 680 faqe të numëruara, me 970 futnota, me 160 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta dhe ilustrime. 

Për një shekull, kjo ngjarje madhore kombëtare, u manipulua për shkaqe jashtëshkencore. Kongresin e Manastirit autori biograf prof. Quku e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.

Autori hulumtues Quku, përmes një metodike thellësisht shkencore, ka dhënë një version të ri mbi punimet asokohe të Kongresit të Manastirit. 

Ai ka provuar, se secili nga delegatët shkoi në Kongres si dalëzotës i një alfabeti të caktuar dhe se të gjitha rrugët për kompromis, që u provuan ditët e para të punimeve fatkeqsisht dështuan. 

Ky vëllim në fjalë, provon në mënyrë serioze punën e madhe që bëri intelektuali dhe patrioti i shquar dom Ndre Mjeda ynë, për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, se ai ka qenë i aftë të falë punën e tij shumëvjeçare si dhe të ndryshojë qëndrimin e tij, sa herë që këtë gjë ia kanë kërkuar asokohe situata dhe interesat madhore të kombit. 

Kështu ndodhi në ditën e 20 nëntorit 1908, kur poeti ynë dom Ndre Mjeda bëri kthesën e madhe historike në momentin e fundit, kur po shihej qartë dështimi i Kongresit të Manastirit.

Eruditi largpamës dom Ndre Mjeda, tërhoqi alfabetin e tij me shenja diakritike, për afirmimin e të cilit kishte punuar intensivisht për njëzet vjet me radhë dhe punoi për një alfabet tjetër, alfabetin që fatmirësisht kemi sot në përdorim.

Hulumtuesi pasionant prof. Quku, përmes gjuhës së pasur të fakteve të reja historike, ka provuar rolin vendimtar prej negociatori të talentuar të meshtarit dhe patriotit tonë dom Ndre Mjedës në këtë moment delikat dhe kthese shumë të rëndësishme historike.

Albanologu Quku, me argumente dhe risi faktografike, ka provuar se alfabeti i Kongresit të Manastirit është alfabet kompromisi, një akt pajtimi për gjithë shqiptarët, është një zgjidhje e re politike.

Duke shfletuar me kujdes faqet e veprën se re studimore, shohim se një interes me vlera historike paraqet gjithashtu kapitulli i fundit i librit me titull sinjifikativ: “Pas Manastiri”, i cili tregon gjerësisht se si, në prag të Pavarësisë, dom Ndre Mjeda u marrtirizua nga xhonturqit e kohës, për shkak të pjesëmarrjes dhe rolit shumë aktiv të tij në Kongresin XII Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg, në Kongresin e Manastirit 1908, si dhe për transkriptimin e teksteve shkollore shqipe, në alfabetin e ri unik, për të gjithë shqiptarët, alfabetin e Manastirit.

Mjeda – 3 libri i dytë Liria (1899-1912)

Në këtë vëllim voluminoz, autori prof. dr. Mentor Quku, ndriçon jetën dhe veprën shumë përmasore të dom Ndre Mjedës, (përjashto ndihmesën për alfabetin e gjuhës shqipe). 

Libri i ri voluminoz në fjalë, ka gjithsej 766 faqe të numëruara, me 1087 futnota, me 136 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. 

Në këtë vëllim serioz, shohim se profesor Quku, hedh dritë mbi veprën e poetit, gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar dhe mësues. 

Në krye të këtij libri, autori dhe biografi i talentuar Quku, gjerësisht skjaron me dokumente e analiza periudhën 4-vjeçare të Vigut të Mirditës, ku shërbeu si famullitar (1899-1902). 

Më tej ai e ndjek fatin e meshtarit dom Ndre Mjedës në fshatrat: Rubik, Nënshat, Kodhel, Dajç të Zadrimës, Grash, për të përfunduar në fshatin e vogël, por me histori të madh dje dhe sot me emrin e vjetër etnik shqiptar Kukel.

Shkencëtari dhe hulumtuesi ynë prof. dr. Mentor Quku, ka skjaruar me fakte bindëse pjesëmarrjen e dom Ndre Mjedës, në kryengritjen e Mirditës (1901-1902), në ngritjen e shkollës së parë shqipe në Alpet e Veriut, në Iballë (1901-1903), arrestimin e tij nga turqit e Perandorisë Xhihadiste Islame Otomane, më 11-20 tetor të vitit 1902 dhe më vonë, në prag të Pavarësisë së Shqipërisë, në datat 1 dhe 2 nëntor të vitit 1912.

Në këte vëllim voluminoz shumë të pasur faktografik, i jepet një vend i dukshëm krijimeve të tij poetike të kësaj periudhe, si: “Bashkonju”, “Të popujve të lypim lirim”, “Për një shkollë shqipe mbyllë prej qeveris otomane”, “Shqypes arbnore”, si dhe soneteve “Lirija”, “Lissus”, “Scodra”. 

Po ashtu aty gjerësisht jepen të dhëna të reja, për poezitë asketike të poetit brilant dom Ndre Mjedës, si dhe këngët mirditore historike të trimërisë, të mbledhura dhe përpunuara me durim dhe kujdes si bleta punëtore për botim nga vetë ai.

Tek kundron me andje këte vepër, sheh se albanologu ynë Quku, jep me detaje të dhëna interesante për projektet e reja ambiciooze të intelektualit të shquar dom Mjedës, për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet e bibliotekat e mëdha të Romës, Vjenës etj., për dokumente me rëndësi kryesore për historinë e Shqipërisë. 

Në mënyrë të veçantë, janë projektet e tij (Dom Ndre Mjedës), për të vazhduar veprën seriale të dyshes Farlatit-Coletit, me titull: “Illyricum Sacrum”.

Nëse shikohet me kujdes kronika e ngjarjeve, në vijim të veprës në fjalë, shohim se tepër intriguese për lexuesin janë projektet e tij ekologjike (mjedisore), për të rezatuar modele për zonat përreth. 

Edhe këtu autori hulumtues prof. Quku, nxjerr vazhdimisht nga studimet e tij të pavarura, konkluzionin e rëndësishëm se kleriku i shquar katolik shqiptar dom Ndre Mjeda, nuk i caktoi asnjë rol poezisë së tij, gjë që provon bindshëm, se krijimtaria e tij poetike ishte art i vërtetë, art i kulluar. 

E kundërta ndodh me pjesët e tjera të veprës së tij. Kujtojmë, se asokohe kleriku shqiptar dom Ndre Mjeda, nuk mund të qëndronte indiferent, kur shtrohej problemi i lirimit të Atdheut, ai i ndërtimit të shtetit të ri shqiptar, apo ai i proçesit formues të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Kështu ai përpiqet të marrë pjesë dhe të luajë një rol udheqës në kryengritjet e vazhdueshme popullore, të luajë rol prej misionari në emancipimin e vijueshëm të përparimit të fshatit dhe fshatarit shqiptar asokohe, në modernizimin e ekonomisë private të bujqësisë, blegtorisë, pemtarisë, në arsimimin e domosdshëm të brezit të ri, e sidomos në studimin e pasurimin e gjuhës shqipe, gjë që ai e vlerësoi si pasurinë më të madhe kombëtare. 

Vëllimi në fjalë, mbyllet me kapitullin Retrospektivë, ku trajtohen probleme nga më të ndryshmet, që kanë lidhje me nënën e Mjedës, me vitin e botimit të Shahirit Elierz, me Kongresin e Hamburgut, me Kongresin e Manastirit, me problemin e autorësisë së disa përkthimeve në italisht, të poezive të Mjedës si dhe me të dhëna rreth studiueses së Ndre Mjedës, Jolanda Kodrës.

Mjeda – 4 Identitet

Libri i ri voluminoz, gjithashtu natyrshëm hedh dritë mbi etapën e katërt biografike të poetit (1912-1925), që përshin shërbimet e tij si famullitar (bari shpirtëror), si mësues, si deputet, si asamblist dhe si koordinator. 

Libri, është i pajisur me një aparat të pasur shkencor të dendur, me skica, harta, tabela, grafikë, spote, fotografi, fotokopje, frontespice, ç’ka në këte rast flet kjartë për metodën e thelluar shkencore të autorit Quku, i cili bën krahasime serioze, çel (hap) debate interesnate, tek ngre teza dhe hipoteza për diskutim, bën analiza esenciale dhe provokime me objekte serioze shkencore. 

Kjo vepër e re, ka gjithsej 634 faqe të numëruara, me 923 futnota, me 96 fotografi, 5 spote, 66 fotokopje dokumentesh, 6 grafika e pasqyra, 4 harta e ilustrime.

Vepra e re, me shumë vlera albanologjike shkencore ndriçon me dokumenta dhe analiza të hollësishme jetën e mëtejshme të meshtarit dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar (28 nëntor 1912) dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare (2 mars 1925). 

Në esencë libri i ri voluminoz, tenton të theksoj përpjekjet e vijueshme të shqiptarëve, për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal.

Pikërisht për këte Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës së pasur burimore shqipe, historisë, etnologjisë, folklorit dhe mitologjisë amtare. 

Autori prof. dr. Mentor Quku, preferon të skjaroj disa nga dilemat, të krijoj dilemma të reja, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit e rinj të ardhshëm, që të përfshihen natyrshëm në diskutime serioze dhe të thelluara të reja, të ndërmarrin gjurmime shteruese serioze albanologjike në arkiva, biblioteka dhe muzeume sot dhe nesër.

Vepra e botuar për lexuesit mbarëshqiptarë, është e shoqëruar me treguesit e zakonshëm të emrave të njerëzve dhe të vendeve gjeografik si dhe me një përmbledhje (resume) në gjuhën angleze, që e bën veprën objekt diskutimi të ri për rrethet albanologjike. 

Edhe kësaj radhe esencialisht theksoj, se hulumtuesi i kujdeshëm dhe shumë rezultativ prof. dr. Mentor Quku, shohim se i ka qëndruar besnik idesë për të paraqitur jetën e Mjedës në unitet me veprën e tij si dhe me epokën që e lindi, atë që me të drejtë sot quhet mjedologjia.

Mjeda – 5 Gjuhëtari

Në periudhën e fundit jetësore, (1925-1937), dom Ndre Mjeda, pati një përkushtim të veçantë ndaj veprimtarisë së shumanshme shkencore, letrare, gjuhësore, asketike dhe pedagogjike. 

Libri i ri, ka gjithsej 733 faqe të numruara, me 801 futnota, me mbi 200 fotografi, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, harta e ilustrime. 

Në vitet 1925-1929, kleriku i shquar dom Ndre Mjeda jetoi i mbërthyer në famullinë e tij në Kukel, realisht i dënuar, që të mos lëvizte jashtë famullisë.

Në vitet 1930-1937, Mjeda punoi si profesor i gjuhës shqipe në qytetin e kulturës në Shkodër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin zyrtar si famullitar i kishës së Kuklit. 

Ai gëzoi përkrahjen dhe nxitjen e një reformatori të madh, siç ishte Gjenerali i Përgjithshëm i Jezuitëve, Wladimir Ledohowsky. 

Poeti dhe studiuesi dom Ndre Mjeda, do të merret kryesisht me studime gjuhësore, si edhe me botime të kësaj natyre, me vëllime të veçanta ose me artikuj problemorë dhe kritikë. 

Për këtë edhe do të rigjallëroj letërkëmbimin me shumë albanologë të huaj, miq e dashamirë, nxënës dhe dishepuj të tij të shumtë. 

Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. 

Nga burimet e pasura të veprës në fjalë, shohim se megjithëse thuajse i vetmuar dhe i zhgënjyer në planin kombëtar e atë social, ai do të punojë fort (shumë) deri në fund të jetës.

Një ndër projektet e tij të vjetra dhe ambicioze, ishte ngritja e një Akademie Letrare Shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara, që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria “Agimi”, KLSH) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në qytetin e Shkodrës Shoqërinë Letrare “Shën Jeronimi”. 

Në kuadrin e kësaj shoqërie letrare, dom Ndre Mjeda do të botoj disa vepra letrare dhe këto kryesisht të autorëve të vjetër të traditës shqiptare. 

Ai do të botoj asokohe veprën e Bogdanit “Çeta e Profetëve”, si edhe do të filloj të transkriptoj “Pasqyrën e të Rrëfyemit” të imzot Pjetër Budit.

Një kapitull i veçantë në këte faze, është debati që lindi mes tij dhe studiuesit të ri qytetar shkodran Filip Fishta. Dom Ndre Mjeda dha shembullin e madh të kërkuesit apo hulumtuesit shkencor në gjuhësi. 

Gjithashtu, shohim se ai organizoi në moshë të shtyrë ekspeditën në vendlindjen e imzot Pjetër Budit, Gurin e Bardhë, për të njohur kësisoj të folmen e Budit, si edhe kërkime në arkivat e Parisit e të Romës, për të gjetur sa më shumë veprat e rralla të panjohura të klerikëve katolik dhe në veçanti të Budit. 

Ardhja e Mjedës profesor i gjuhës shqipe në Seminarin e Jezuitëve, korrespondon me fillimet e revistës me profil fetarë dhe kulturorë shumë serioze asokohe me emrin “L.E.K.A.”, si edhe me afrimin e poetit dhe intelektualit të shquar dom Ndre Mjedës pranë saj. 

Mund të themi me bindje të plotë, se pesha e madhe që kishte në mjediset jezuite, bëri që personaliteti i Mjedës të interferohej edhe në profilin e revistës kulturore të kohës L.E.K.A.

Një ndër këto efekte, është stabilizimi i normës letrare, që përdori revista prestigjioze e kohës. Mund të themi, se praktika drejtëshkrimore e revistës mori një profil të kjartë, që shkonte drejt afrimit me toskërishten, nën drejtimin e poetit brilant dom Ndre Mjedës. Nji gjâ e bâni të Madh e të padekshëm Mjedën: dashunija e stërfuqishme për gjuhën shqipe.

Ne këtë vëllim studimor prof. dr. Mentor Quku, në mënyrë të kjartë analizon veprën e rëndësishme “Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe“, e cila u pasua nga një debat mes tij e linguistit dhe mësuesit të shquar atë Justin Rrotës o.f.m. (1889-1964). 

Gjithashtu në këto vite, sikurse shihet kjartë në media, është rindezur letërkëmbimi Mjeda-Pedersen, i lënë në mes para tri dekadash.

Dom Ndre Mjeda, pasqyrohet si zotëronjës i mirë i shumë gjuhëve të huaja (poliglot), si: italisht, latinisht, greqishte e vjetër, si edhe gjuhët sllave, i shumë fushave të dijës dhe të shkencës bashkëkohore, njohës shumë i mirë i fjalëformimit të fjalëve shqipe në proçesin e vet historik, si etimologji, onomastikë, dialektologji, morfologji e fjalës, si në studimin e shkëlqyer: Prend e Prendë  (1932), apo në Dromca toponamastike (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta), (1936), ku debatoi me studiuesin Josip Gel. 

Poeti brilant Mjeda, njihet për aftësitë e tij për kërkime të dokumenteve të vjetra të shqipes, për përpunimin dhe botimin e tyre. Relikte të dialektit të shqipes së Istries, puna me veprat e Budit, transkriptimi i 14 ligjeratave të “Cuneus Profetarum“ të imzot Pjetër Bogdanit, si edhe “Shenjime bibliografike: Bartoli Matteo Nji relikte e dialektit t’Istries, Në “Studi albanesi”, Roma, 1931.  

Në vitet 1930-1937, dom Ndre Mjeda punoi gjatë për një vepër fondmentale të gjuhësisë shqiptare “Fjalorin leksikografik“ të gjuhës shqipe.

Quku, gjatë hulumtimeve të tij prej shumë dekadave, do të mësoj për njeriun dom Ndre Mjeda dhe këte ai do t’a bëj përmes letërkëmbimit që pati në këtë periudhë aktive të jetës së tij. Albanologu Prof. Quku, na ofron në librin e ri kryesisht letrat të këmbyera në mes të dy vëllezëve në jetë dhe Krishtin: dom Ndre Mjedës dhe emzot Lazër Mjedës.

Një bllok tjetër, është edhe ai i këmbyer në mes të dom Ndre Mjedës dhe atë Jak Gardinin S.J., në periudhën e viteve 1933-1937.

Së fundi, janë edhe letra të këmbyera me personalitete e njerëz të tjerë të thjeshtë. Shohim së pari bllokun e letërkëmbimit të dom Ndre Mjedës me emzot Lazër Mjedën. 

Në Arkivin Qendror të Shtetit (Tiranë, Shqipëri), ruhet një bllok i mirë i letrave, që prifti italian atë Jak (Giacomo) Gardini S.J. i dërgoi dom Ndre Mjedës në vitet 1933-1937.

Po ashtu jepen edhe pjesë të ruajtura nga letërkëmbimi me albanologë të ndryshëm, si edhe me personalitete të ndryshme të kohës apo edhe me njerëz të thjeshtë të popullit.

Një kapitull më vete zë vdekja e poetit, i cili sapo u kthye nga Tirana sëmuret nga paraliza e zemrës dhe vdes në Shkodër më 1 gusht 1937, në vigjiljen e festës se Kuklit, shën Shtjefnit. Katafalku me trupin e tij, vendoset në kishën e Jezuitëve në Shkodër.

Rinia studentore, përfaqësues të tjerë të rinisë shkodrane, miq e dashamirës, dishepuj e bashkëpunëtorë bëjnë homazhe para trupit të tij.

Nderimet, fjalimet dhe proçesionet në qytet me arkivolin e tij u  bënë ditën e hënë, më 2 gusht. U varros në kriptin e Kishës së Jezuitëve. 

Humbja e një prej krojeve më të pastra të lirikës shqiptare, dom Ndre Mjedës, u përcoll me dhimbje në madhe nga populli.

Mjeda 6

Bibliografia libri i parë (e atij)

Bibliografia libri i dytë (për atë)

“Të lexosh kolanën e veprave studimore të Mentor Qukut për Ndre Mjedën do të thotë të lexosh arritjet studimore të tij prej dekadash, por të konsultosh bibliografinë e tij për Mjedën, do të thotë të kesh njohje të plotë për arritjet njëshekullore në fushë të mjedologjisë. Po mbushën disa dekada, që kur mjedologu pafundësisht i pasionuar, Mentor Quku, boton studime të formateve të ndryshme për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, prandaj jo rastësisht brenda më pak se një dekade ka arritur të përmbyll kolanën e tij shumëvëllimëshe të këtij personaliteti poliedrik” – Prof. dr. Begzad Baliu

Biblografia e komentuar e Ndre Mjedës e përbërë nga 1057 faqe, dëshmon në mënyrë të veçantë përkushtimin e studiuesve ndaj vargut të poezisë së tij, të cilin me pak e shohim te studimi metrik i poezive të tyre, si dhe një prirje paradigmatikete letrarëve po aq sa edhe të gjuhëtarëve, për vlerësimin e gjuhës së pasur, në mënyrë të veçantë leksikut të poezisë së tij. 

Bibliografia e monografisë seriale Mjeda, është rezultat i realitetit të kohës, autori nuk e kishte të lehtë studimin, mbasi ai asokohe në fakt ishte i rrethuar nga mure të rrepta izolimi, që e pengonin në të gjitha drejtimet. 

Prof. dr. Mentor Qukut, asnjëherë nuk ju dha mundësia të vizitonte arkivat, bibliotekat apo muzeumet, për të gjetur gjurmët e Mjedës. Atij sërisht, asnjëherë nuk iu dha mundësia të vizitonte vendet, ku jetoi dhe punoi Mjeda jashte shtetit, gjatë 20 viteve të rinisë së tij. Kufizime dhe izolime të tilla nuk kishte si mos të reflektoheshin, në botimin e kësaj bibliografie.

Zakonisht për përgatitjen e bibliografive tematike, krijohen grupe pune shkencetarësh, studiuesish e punonjësish të specializuar, për të krehur mjedisin letrar e gjuhësor, që lidhet me objektivin e bibliografisë.

Këto përgatitje kanë nevojë për donacione financiare dhe kërkojnë angazhimin maksimal të studiuesve për periudha të gjata kohore. 

Botimet e para, që flasin mbi Mjedën, janë katalogët e përvitshëm të Provincës Venete (1881-1898), të cilët botoheshin në Shkodër. Më pas, ai zë vend në kronikat e katalogët e përvitshëm të shtypit shqiptar të kohës.

Shkrimet e para për Ndre Mjedën, i gjejmë në fillim të shekullit XX, në organet e shtypit të  kohës, si: “Albania”, “La nazione Albanese”. Ndërsa libri i parë, që flet gjerësisht për jetën dhe veprën e tij është ”Albanien und die Albanesen” (Shqipëria dhe shqipëtarët), Eien, 1910, i Paul Sibertz-it. 

Më pas, Ndre Mjedës i kushtuan vend në veprat e tyre edhe autorë të tjerë. Biografi i parë, që trajtoi Mjedën si autor të veçantë është Justin Rrota (“Letratyra shqype”, 1925). 

Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Mjeda u pranua, duke u çensuruar pjesërisht. Kontribute të veçanta u dhanë për ndriçimin e figurës së Mjedës, sidomos në shtypin e emigracionit shqiptar, ku dallohet revista zë madhe “Shejzat” (1957-1978) e drejtuar nga ish Ministri i Kulturës prof. Ernest Koliqi, IAM, emigracioni shqiptaro-amerikan, etj. 

Mjeda, asokohe ka tërhequr vëmendjen si të studiuesve vendas dhe të huaj. Në krye të listës së studiuesve, që vunë themelet e studimeve mjedologjike janë: Llazar Siliqi (1924-2001), prof. Eqrem Çabej (1908-1980), atë Justin Rrota o.f.m. (1889-1964), Jolanda Kodra (1910-1963, italo-shqiptare), prof. Injac Zamputti (1910-1998), prof. Kolë Ashta (1918-1997), prof. Jup Kastrati (1924-2003), prof. Mahir Domi (1915-2000), prof. Tomor Osmani (1935), Ismail Kadare (1936), prof. Vehbi Bala (1923-1990), Mark Gurakuqi (1922-1970), Andrea Varfi (1914-1992), Filip Ndocaj (1914-1983), Drago Siliqi (1930-1963), Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), Jorgo Bulo (1939-2015), Koço Bihiku (1927-2013), Razi Brahimi (1931-2015), prof. Adriatik Kallulli (1938-2011), Rinush Idrizi (1938-2008), prof. Klara Kodra, Gjergj Zheji (1926-2010), mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989 ish nxënës i poetit dhe mësuesit dom Ndre Mjedës) etj.

Kjo bibliografi, nuk përfshin burime kapilare, me përjashtim të rasteve kur ato paraqesin interes të veçantë. 

“Theksoj, se kjo bibliografi, nuk ka synim shterues dhe se objektivi kryesor i saj ka qenë mbështetja e serisë monografike Mjeda. Nëse do të shërbej edhe më tej, studiuesve dhe bibliografëve të ardhshëm, do të isha i lumtur”, shkruan kyemjedologu më i përkushtuar prof. dr. Mentor Quku.

Mjeda – 7 Bashkëkohësit

Libri, ka gjithsej 494 faqe të numruara, me mbi 290 fotografi, spote, fotokopje dokumentesh, grafika e pasqyra, skica, harta e ilustrime. 

Tek ky vëllim, autori përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta.

Autori i palodhur prof. dr. Mentor Quku, në këtë libër, na ka paraqitur kjartë një dom Ndre Mjedë të dalur prej përshtypjeve e mendimeve të një morie njerëzish, të cilët kanë patur rastin t’a njihnin nga afër në jetën e tij mes njerëzve. Ky ka qenë një shestim krejt i posaçëm i autorit studiues. 

E parë në këtë rrafsh, ndryshe prej shumë botuesve dhe studiuesve të veprave të autorëve tonë të shquar, prof. dr. Mentor Quku, është kapur me një aspekt krejt të veçantë, për të studiuar personalitetin e një figure të madhe letrare dhe historike njëherazi.

Ka qenë një ide krejt origjinale dhe mendoj se ka për të patur vlerë për studime të ngjashme me këtë. Dhe nuk është, një punë e thjeshtë dhe e lehtë. Është dashur për të ndjekur e gjurmuar një numër të madh personash, pastaj për t’i intervistuar, duke nxjerrë prej secilit njoftime të dorës së parë, të cilat kanë nji vlerë të pakrahasueshme, për të kuptuar më mirë një personalitet kaq poliedrik sikurse ishte fatmirësisht dom Ndre Mjeda.

Këtë autori e ka bërë, duke ndjekur këta persona, si i thonë fjalës mal në mal e kodër në kodër, duke regjistruar gjithçka nxirrnin prej gojës, duke pasqyruar kujtimet, që mbanin në mendjet e zemrat e tyre. Kështu ai i ka dhanë fjalët e tyre në sintezë, pa i mbushur me fjalë të kota, por duke i paraqitur në mënyrë lakonike, në esencën, në thelbin e tyne. 

Kësisoj, që me pak dhe pa stërhollime të lodhshme, na del përpara një dom Ndre Mjedë i thandruem më së miri, si, deri më sot, pak kush deri më sot ka mundur t’a imagjinoj.

Të gjitha këto skjarohen dora-dorës jo vetëm prej dokumentimit, që parashtron autori i kësaj vepre prof. Quku, e cila në vetvete përban një përmendore ngritur Mjedës. Këtë e vërtetojnë edhe sa e sa dëshmitarë të intervistuar, të cilët duhen lexuar mbi e nën rreshta sepse, në mënyrë të thukun, thonë më shumë se ç’ka thjesht shkruhet ose është shkruar deri sot.

Pjesën më të madhe të tekstit, të përfaqësuar prej intervistave, e plotëson më në fund riprodhimi i disa shkrimeve kushtuar dom Ndreut, në trajtën e portreteve, kujtimeve e të njoftimeve të nxjerruna prej autorësh e veprash të ndryshme të të gjitha kohëve.

Autori brenda vitit na ka dhënë vëllimin Mjeda – 6, Bibliografia, dhe na ofron gjithashtu edhe aparatin e pasur burimor shkencor, ku është mbështetur hartimi i plotë i kësaj monografie në fjalë. 

Me perjashtim të vëllimit Mjeda – 1, që ka si redaktor Selami Tabakun dhe korrektor letrar Paulin Perjen, të gjithë vëllimet e tjera të serisë së cituar më lart kanë redaktor studiuesin e onomastikës dr. Jusuf Shpuza dhe korrektor letrar Palokë Rrotanin. Libri, është përpunuar në Studio Grafike Vizion, me udhëheqës shkodranin e talentuar Meritan Spahia.

Ballina, është vepër e piktorit të talentuar shkodran Gjergj Spathari. Fotografia, është vepër e mjeshtrit të madh, të fundit të dinastisë së fotografëve shkodranë, Angjelin Nënshatit (1929-2008). 

Kujtojmë, se ilustrimet e librit janë vepër e piktorit të filmit shqiptar, shqiptaro amerikanit Astrit Tota. E gjithë seria, e cila është realizuar me një cilësi të lartë nga Shtëpia Botuese ILAR.

E gjithë seria, dallohet për risi në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, dom Ndre Mjeda. 

Seria Mjeda u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas dom Ndre Mjedës, i cili mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.

Mjeda – 8 Album

Përveç monografive eseistike, autori ka botuar edhe tre vëllime me burime të drejtëpërdrejta, ku mbështetet kolana, Mjeda – 6 Biblografia, Mjeda – 7 informacionet nga bashkëkohësit, Mjeda – 8 albumi. 

Ky libër, ka gjithsej 196 faqe, ku përfshihen libra, dokumente të bibliotekës apo arkivit vetjak të Mjedës, objekte të përdorimit vetjak të tij, vepra në dorëshkrim apo të botuara të tij, studime dhe kritika, që i janë bërë veprës së tij nga të tjerë.

Metoda kërkimore, që ka ndjekur autori hulumtues Quku e ka shty drejt nevojës për botimin e një albumi fotografik kushtuar kësaj figure të shquar.

Interesimi për fotografinë e Mjedës e ka burimin në një hobi të vjetër të autorit, për fotografinë gjithashtu, me një traditë te familjes së tij, e cila kishte ruajtur me akribi të gjitha dokumentet dhe fotografitë, duke pasuruar brez pas brezi arkivin, bibliotekën personale dhe fototekën e familjes. 

Në mënyrë të veçantë përgatitja për botim i Mjeda-8 Album, ka qenë më e vështira dhe më problematikja, për arsye të kërkimit, gjetjes dhe përpunimit të fotografive.

Gjatë gjithë periudhës të studimeve mbi Mjedën (1974-2010) prof. Mentor Quku, ka bërë një punë kolosale kërkimore, ndër arkiva, fototeka, biblioteka në biblotekat lokale e ato jashtë vendit. 

Sejcila fotografi mbart një histori më vehte, të gjetjes apo të përpunimit të saj, derisa është përgatit për botim. 

Profesor Mentor Quku, shprehet: ”Këtu dua të falenderoj për ndihmën që me kanë dhënë: Gegë Marubin, Semiha Osmanin, Gëzim Uruçin, Filip Guraziun, Gaspër Logorecin, Kolec Çefën, Palok Rotanin. Fotografi artist Angjelin Nenshati ka qenë gjithnji pranë planeve të mia për të përjetësuar Mjedën e sidomos gjatë kohës së hartimit të këtij albumi, i cili ka filluar të projektohet vite ma parë. E një rëndësie të veçantë ka qenë edhe konsulenca dhe mbështetja që më ka dhënë studioja “Nenshati”. Të tre djemtë e mikut tim Angjelin Nënshati, Leoni, Aleksi dhe Emiliani, kanë bërë një punë të madhe, për rritjen e cilësisë së fotografive të këtij albumi.” 

Me botimin e këtij libri, synohet të sensibilizohet opinion shqiptar, për zbulimin dhe publikimin e fotografive të tjera të Mjedës, duke filluar që nga fëmijëria deri në moshën 42-vjeçare, ku kemi edhe fotografinë e parë të rekorduar të tij.

Mjeda – 9 Përmbledhje e monografisë Mjeda

Kjo vepër e re, i paraqitet lexuesit shqiptar si variant më i ri i një studimi monografik rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës. Vëllimi ka gjithsej 256 faqe, nëpërmjet të cilave çdokush do mund të kete privilegjin të njihet sadopak me gjenialitetin e Mjedës. 

“Maratonës unikale për Ndre Mjedën, po i afrohet finishi. Ky që kemi në dorë quhet Mjeda-9, por është i njëmbëdhjeti botuar, po të marrim parasysh se kemi Mjeda-3 (libri i parë) dhe Mjeda 3 (libri i dytë), si dhe Mjeda-6 (libri i parë) dhe Mjeda-6 (libri i dytë).

Pra, jemi në vigjiljen e përfundimit të monumentit aq të bukur, aq të paraqitur në detaje dhe me imtësi skrupuloze, për jetën dhe veprën e një shkrimtari, një studiuesi, një kleriku, një atdhetari… dhe mbi të gjitha të një njeriu të madh të pavdekshem, siç është Ndre Mjeda.

Quku edhe këtij vëllimi, që kemi në dorë i ka dhënë ngjyrë disi divulgative, e ka bërë si të thuash, libër për të gjithë kategoritë e lexuesve. Madje po t’a lexojmë këtë vëllim, do t’u shtohet kurreshtja dhe dëshira per t’u njohur me gjithë maratonën, me gjithë monumentin Ndre Mjeda.

Ky vëllim, që kemi në duar, në vigjilje të përurimit të merituar të veprës, mund të etikohet: “Ndre Mjeda për të gjithë”, shkruan shkrimtari shkodran Fadil Kraja, Shkodër, tetor, 2013.

Prof. Mentor Quku, na zbulon Ndre Mjedën si një talent të jashtëzakonshëm, i pajisur me një mendje të rrallë. Ai ishte poet i një ndjeshmërie të lartë, i shquar për një frymëzim poetik të veçantë, si dhe për botën e pasur shpirtërore, i cili hapi një faqe të re lirizmi në letërsinë shqipe. 

Kjo mjaftoi, asokohe që ende i ri në moshë, ai të zinte një vend të merituar nderi, në Panteonin Kombëtar Shqiptar.

Vizioni, që krijoi krijimtaria e tij, ishte garanci e sigurtë për leximin dhe rileximin e saj në të gjitha kohërat. Kjo edhe në saj të ndjenjave të flakta atdhetare dhe të intranzigjencës së tij proverbiale. 

Dom Ndre Mjeda, ishte një figurë sa komplekse, aq edhe kontradiktore. I mbyllur në vetvete, me një temperament të zjarrtë dhe karakter të fortë, i njohur për guximin e çmendur, shpirtin e sakrificës dhe vullnetin e madh për punë.

Si udhëtar i përjetshëm, ai shëtiti në lëvizje të pandërprerë në të gjithë kontinentin e Europës, ndërsa Shqipërinë ai e preku si eksplorues në çdo pëllëmb, si: Alpet e Veriut, Zadrimën, Bregun e Drinit, Fushën e Lezhës, Anën e Malit, Bregun e Bunës, Manastirin, Shkupin, Prizrenin, Lezhën, Durrësin, Beratin, Tiranën, Elbasanin etj. 

Ai shpesh u ndodh në qendër të trazimeve të mëdha, në mes të vorbullave të kohës, për t’u përballuar me të fuqishmit e botës, me mbretër dhe perandorë.

Ne, shohim si Mjeda i pajisur me një arsim klasik të shkëlqyer dhe me një kulturë të gjërë, e solli rasti të përfshihej në shumë fusha të dijës dhe ia doli me shumë sukses. Kushdo, që lexon këte vëllim, i lind natyrshëm pyetja: Cili është trualli gjenetik që lindi një titan të tillë?

“Duke hedhur një vështrim mbi gjenezën e dom Ndre Mjedës, mësojmë se ai nuk është i vetmi njeri i shquar i rrethit të tij. Me origjinë nga Alpet Shqiptare, ata ndërruan herë mbas here vendbanimet e tyne, derisa përfunduan pothuaj të gjithë në Shkodër. 

Për shekuj me radhë ato përrjetuan vështirësi të mëdha, gjithsesi duke ruajtur identitetin. Mërgimi dhe mbijetesa, lanë gjurme tek personaliteti i dom Ndre Mjedës. Tërë jetën ai manifestoi ndjeshmëri të theksuar ndaj femijëve jetimë, ndaj mjerimit, ndaj injorancës, ndaj varfërisë. 

Mjeda, ishte poeti i guximit, në të cilin nga një element i personalitetit e ktheu në system filozofik. “Guxo”, është poezia, që ka pozicion qendror në korpusin e tij poetik. Gjeneza e vëllezërve, tek Mjeda përbën një nga shkaqet e lindjes së rrymave dhe kundër rrymave, që shoqëruan karrierën e tyre. 

Ndre Mjeda, së bashku me të vellanë Lazrin, jo vetëm nuk e fshehën origjinën e tyre malësore dhe të varfër, por here pas here e nënvizuan atë me qendresën e tyre dhe i ruajtën me fanatizëm. Ata mbetën deri në fund me krenari si produkt i spirales gjenetike të të parëve të tyre.

Me anën e këtij vëllimi mendojmë t’i japim përgjigje pyetjeve:

-Kush ishte Ndre Mjeda?

–Çfarë vendi zë në historinë e Gjuhësisë shqiptare? 

– Çfarë vendi zë Mjeda në jetën e shoqërise shqiptare?” shkruan albanologu prof. dr. Mentor Quku.

Mjeda Vepra 1 Poezia (së shpejti)

Mjeda Vepra 2 Proza

Në këtë vëllim me 240 faqe, autori ka zgjedhur të përqendrohet në tre vepra të zgjedhura të dom Ndre Mjedës, të cilat dallohen për stilin e lartë artistik, për fjalorin dhe frazeologjin e pasur, për gjuhën popullore si edhe për prirjen ndaj një drejtshkrimi, që afron dy kryedialektet. 

Në këtë drejtim poeti, prozatori dhe gjuhëtari Mjeda u bë një nga dishepujt më të shquar të rilindasit elbasanas Kostandin Kristoforidhi (1827-1895). Tre veprat e zgjedhuna në prozë janë: “Shën Luigj Gongaza”, “Historija e shenjte” dhe biografi e imzot Pjetër Bogdanit, Arqipeshkev i Shkupit. 

Edhe pse ka më se 80 vite nga vdekja e Ndre Mjedës, kanë munguar përpjekjet të institucionëve shkencore për botimin e veprave të plota të tij. Ka pasur vetëm disa botime të poezisë së Mjedës dhe ato kanë lënë për të dëshiruar.

Kjo ka ndodhur, pse vepra e Mjedës paraqitet në forma nga më të ndërlikuarat dhe më të vështirat për tu gjurmuar, për tu studiuar dhe për tu botuar. Gjithashtu, mund të ketë ndikuar edhe fakti, që botimet e tij në prozë të jenë të fushave liturgjike, hagjiografike, patronimike.

“Në veprën madhore të Ndre Mjedës, një vend të rëndësishëm zë proza, ku shohim përpjekjet e tij gati sublime, që historinë e shenjtë të Krishterimit t’a bëjë të flasë edhe në gjuhën shqipe, dhe jo pak, por shumë. 

Si bari shpirtëror, që e njeh grigjen, që drejton ai di të zgjedh në shkrimet e tij për Krishtërimin atë që përtypet më lehte nga besimtarët ashtu siç është “Historija Shenjte” me që ai e ka shkruar me pikësynim divulgativ (të thjeshtë), të kuptueshëm, të kapshëm e të përtypshëm për masat e besimtarëve, për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e punës e të mundit. 

Historia e shenjtorit Luigj Gonzaga, histori plot dritë dhe hije, është shkruar për të vaditur shpirtin e sakrificës deri dhe të vetmohimit për dritën hyjnore, e cila për Mjedën është ajo që deshirojne shqiptaret. Eshte gjithashtu liria shpirterore dhe ajo politike, qe sipas Mjedes nuk mund te kuptohet pa djerse dhe ne se eshte e domosdoshme pa gjak.

Edhe parathenia qe mjeshtri i madh Mjeda I ben librit ”Jeta e se lumes Virgin Mri” ka po ato synime. Dashuria pa kufi, dhembshuria, gatishmeria per te ndihmuar te tjeret, meshira hyjnore duhet te jene gjithnje ushqim i shpirtit njerezor per ta bere jeten e dobishme edhe kur ajo eshte e mundimshme. 

Kjo eshte tunika e Ndre Mjedes, nje kapak I praruar I gjithe vepres se tij madhore. Nje kapak I praruar i gjithë veprës se professor Qukut, mjedologut unikal shqiptar.”, shkruan shkrimtari Fadil Kraja, Mjeshtër i Madh, Shkodër, prill, 2014

Kush është shkencëtari i mjedologjisë, albanologu erudit prof. dr. Mentor Quku?

Ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e Shkodrës. Ai qysh heret shfaqi një talent të veçantë në pikturë. Mori mësime nga ikonografja e njohur Viktori Puzanova, si dhe nga piktorët e shquar Simon Rrota dhe Vladimir Jani.

Lufta e klasave, gjatë periudhës së errët të sistemit komunist, ia ndërpreu të drejtën për të vazhduar studimet në këtë fushë.

Në qershor 1954, ai kreu shkëlqyeshëm shkollën e mesme pedagogjike Shejnaze Juka në Shkodër, në vitin 1957 dhe më pas vijoi Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, ndërsa në vitin 1963 Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës. 

Në vitet 1954-1957, ka shërbyer arsimtar në shkollat e Shtiqënit, Brutit dhe Kukësit.

Në vitet 1957-1961, ka shërbyer në shkollën e mesme Hydajet Lezha, Lezhë. 

Për dy vite shkollore, 1961-1963, ka qenë mësues në shkollën e mesme Xheladin Fishta, Shkodër. 

Më 1963-1965, ai ka kryer shërbimin ushtarak në Laç të Milotit.

Në vitet 1965-1991, ka qenë mësues në shkollën e Barbullushit. Afërsia me Kuklin, fshatin e shërbesës së dom Ndre Mjedës, ngjallën tek Mentori pasionin “mjedian”, që e shoqëroi deri në frymën e fundit.

Në fushën e studimeve albanologu prof. dr. Mentor Quku është autor i shumë studimeve e botimeve, si në metodikë të dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstollogji, psikologji e arteve figurative, psikologji sportive, psikologji e moshave.

Ai gjithashtu si intelektual erudit kontribuoi shumë në histori, histori arti, letërsi biografike, letërsi politike, letërsi për fëmijë, histori e letërsisë për fëmijë, mitologji, folklor, frazeologji, toponomastikë. 

Prof. Quku, ka botuar gjithashtu vazhdimisht në: 

Studime filologjike, 

Studime historike, 

Studime pedagogjike, 

Kultura popullore, 

Buletin shkencor i Universitetit Luigj Gurakuqi Shkodër, 

Kumtari i Muzeut Historik Shkodër, 

Seminari Shkencor Ndërkombëtar Shkodra në shekuj, 

Nëntori, 

Les Lettres Albanaises, 

Shqipëria e Re, Ylli, 

Hylli i Dritës, 

Gjuha e Jonë, 

Albanica Ekskluzive, 

Lemba, 

Flaka, 

Illyria, 

Dielli, 

Koha Javore. 

Pa dyshim puna më me vlerë, si tema qëndrore e studimeve të tij prej disa dekadash mbetet ajo e poetit brilant Ndre Mjedës. “Mjeda, shkruan albanologu prof. dr. Mentor Quku – u bë udhërrëfyesi dhe shpëtimtari i im. U bë shpirti im binjak. U bë vuajtja dhe dhembja ime, u bë idoli im, ai që trasnformoi plotësisht jetën time”.1 

Eshtë nji fakt interesant në jetën e Mjedës dhe Qukut. Mjeda, kishte krijuar magjinë e tij për “tri dekada me radhë”2, aq vite ju deshtën edhe albamolgut të shquar prof. Qukut për të studiuar dhe nxjerrë në dritë veprën e mjeshtrit. 

Mbi “një mal njohunish dhe njoftimesh”3 të shpërndame jo vetëm në Shqipni por edhe në arkivat dhe bibliotekat ma të famshme të Europës, Mentor Quku ja arriti me i “mbarështrue… dhe me na dhanë, për herë të parë, nji Mjedë që na shfaqet ashtu si pak, kush ka mujtë me e hamendë të tillë”. 4 Willy Kamsi 

Sot kjo vepër jetësore ka një shpërblim intelektual. M. Quku për të gjallë të tij arriti të shikojë të materializueme një degë të veçantë të shkencave albanologjike “Mjedologjinë”, që tashma ka edhe organin e saj me të njajtin emër. 

Quku, pati idhull Mjedën, por tashma “Mentori” është ba udhërrëfyes për studiuesit e rinj që krahas Mjedës munden me trajtue edhe librat Mentor Qukut, për atë, pra për Mjedën. 

Me emnin e Mentor Qukut, janë të lidhuna edhe një seri botimesh dhe tubimesh shkencore mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. 

Më 1991-1992 ishte drejtor në shkollën e Bahçallekut. 

Më 1992-2000, professor dr. Mentor Quku, ka qenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër. 

Dr. Quku, ishte gjithashtu drejtor i revistës Kumtari, nr. 5, 6, 7, si dhe i gjashtë vëllimeve të Seminari Ndërkombëtar, “Shkodra në shekuj”, I, II/1, II/2, III/1, III/2, III/3. 

Albanologu Quku, ka drejtuar projektet dhe ka organizuar katër seminare ndërkombëtare “Shkodra në shekuj” (1, 2, 3, 4).

Në vitin 2004, botoi vëllimin e parë Mjeda-Rinia. 

Me këtë rast fondi Dr. Peters Mahringer-Fonds i bëri një vlerësim maksimal, duke i siguruar mundësitë për ekspedita kërkimore shkencore në arkivat, bibliotekat dhe muzeumet e Vjenës.

Më 2005-2006, ai punoi në Österreiche Haus-Hof-und Staatsarchiv, Österreische National Bibliothek, Archiv der Universität Wien, Bibliothek des Ost-und Südost Europa Instituts, Muzeun Nacional të Vjenës, Meyerling Museum, Bibliotekën e Universitetit të Gracit. 

Albanologu ynë prof. Mentor Quku gjithashtu bashkëpunoi me personalitete të shquara të kulturës dhe shkencës, si: prof. Arshi Pipa, Bernard Stillfried, Ilona Slavinskin, Ivan Boserup, etj. 

Hulumtuesi i palodhur Quku, punoi në arkivat e Tiranës, Shkodrës, Arkivin e Propaganda Fides, Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin Historik të Provincës Venet.-Met. Gallarate; si dhe bëri kërkime në Arkivin e Bibliotekës së Hamburgut, Chataue Aleux Laval, Bibliotekën Naukowa Ksiy Jezuit, Krakow; në The Royal Library, Manuscripts and Rare Books-Copenhagen; në Manastirin e Ara Christi, El Puig, Valencia, Kuvendin San Spirito, Porta Coeli.

 Është laurat i çmimit letrar “Serembe”(2008) dhe “Ndre Mjeda”(2011) si dhe i titujve: ”Mësues i merituar”(1991), “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës”(2011) “Profesor Nderi” i Universitetit “Luigj Gurakuqi”(2014)

Seria e kolanës MJEDA në qarkullim:

–Mjeda-1 (1866-1888) Rinia, Tiranë, Korrik 2004,

-Mjeda-2 (1888-1899) Albanologu, Tiranë, Tetor 2005.

–Mjeda-3 libri i parë (1899-1912) Alfabeti, Tiranë, Gusht 2007.

-Mjeda-3 libri i dytë (1899-1912) Liria, Tiranë, Gusht 2008.

-Mjeda-4 (1912-1925) (Identitet) Tiranë, Gusht 2009.

-Mjeda-5 (1925-1937) Gjuhëtari, Tiranë, Gusht 2010.

-Mjeda-6 libri i parë (Bibliografia), Tiranë, Korrik 2012.

–Mjeda-6 libri i dyte(Bibliografia), Tiranë, Shkurt 2012.

-Mjeda-7 (Bashkëkohësit), Tiranë, Maj 2005.

–Mjeda-8 (Album), Tiranë, Dhjetor 2010.

-Mjeda-9 (Permbledhje e monografisë Mjeda), Tiranë, Tetor 2013.

–Mjeda Vepra 1 (Poezia), Shkodër, Maj 2024.

-Mjeda Vepra 2 (Proza), Tiranë, Maj 2014.

VLERESIME

Gjithnjë e më shpesh e shikojmë emrin e dom Ndre Mjedjes në të përditshmet shqiptare, kryesisht falë punës së kujdesur shumëvjeçare të studiuesit Mentor Quku, i cili na hap faqe të reja nga jeta e tij.

Radio Vatikani

E nderuara Valbonë!  E falënderoj babën Tuaj për veprën që ka qitë në dritë edhe pse ndoshta mundi i Tij as përsëafërmi nuk do të paguhet, por që do të bahet i pavdekshëm me këtë vepër kolosale. Ju përshëndes dhe në se flisni, Mentorin të ma përshendesni përzemërsisht.

Dom Anton Kçira, Detroit, Michigan, SHBA

Me dije, dashuri dhe përkushtim të lakmueshëm, studiuesi prof. dr. Mentor Quku, ka kërkuar parreshtur të zbulojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, të shmangë deformimet apo gabimet që sjellin kohët. Janë aq të shumta, të argumentuara dhe bindëse ballafaqimet, krahasimet, debatet e polemikat që ai sendërton në serialin e monografive të tij, për çështje të koklavitura e të ndërlikuara të Lëvizjes Kombëtare, si për çështjen e alfabetit, të lëvizjes demokratike në Shqipërinë e viteve ’20, për historinë e shkollës shqipe, të letërsisë, etj, çfarë provon se argumentet e shumta i kanë zhdërvjelltësuar edhe metodën dhe optikën e vlerësimit të dukurive ose, thënë ndryshe, kanë përcaktuar stilin e tij si studiues. Ai ka arritur të japë, duke tejkaluar nivelin e deritanishëm, mozaikun e shumëvlershëm të Mjedës, që është jashtëzakonisht i pasur dhe i larmishëm. 

Prof. Fatbardha  Hoxha

Lidhja Quku-Mjeda është një fatalitet me fat, një lidhje deri në palcë. Më shumë se 30 vjet Quku “bashkëjeton” me njeriun dhe personalitetin Ndre Mjeda. I projektuar brenda Mjedës, Quku ka premtuar një seri me dhjetë vëllime, punë që i takon një akademie. Ai është i vetëdijshëm për atë që ka marrë përsipër dhe po ia del më së miri të kryejë këtë detyrë dhe i vetëm. Puna me Mjedën e mbush me energji dhe i jep forcë për të ecur para pa u ndalur. Ky optimizëm dhe vullnet i mirë e ka sjellë këtu ku është sot. Mirënjohje! E kemi menduar, dikush ia ka thënë. Të gjithë duhet t’ia themi këte fjalë prof. Mentor Qukut. Për të kjo është mbështetja më e madhe.

Arjeta Ferlushkaj

Albanologu i shquar prof. dr. Mentor Quku, falë një pune të palodhshme prej shumë dekadash, vjen para lexuesit mbarëshqiptar me një kolanë të plotë të jetës dhe veprës së gjeniut të shekullit XX, Ndre Mjeda. Me këto monografi tetë vëllimesh, dr. Quku, na mundësoi jo vetëm ne, bashkëkohësve të tij, por edhe brezave të ardhshëm njohjen e plotë të jetës dhe veprave të këtij Rilindasi të Madh, aq sa, pa këtë vepër monumentale, ai do të kishte mbetur në “hije”, sikurse kanë mbetur shumë të tjerë deri më sot. Me këtë vepër, ai u jep edhe një leksion të mirë historianëve të letërsisë dhe studiuesve të figurave të shquara të kësaj gjinie, se me çfarë pasioni e përkushtimi të madh duhet t’u përvishen hulumtimeve, studimeve dhe analizave për ndriçimin e plotë edhe të figurave të tjera, që nderojnë kombin tonë ndër shekuj. Me Mjedën, prof. dr. Quku hyri me dinjitet në elitën e studiuesve më të mirë, duke zënë një vend nderi në krye të kësaj elite dhe së bashku me Rilindësin e Madh-Mjeda, pavdeksoi edhe veten e tij. 

Tomë Mrijaj, New York

I nderuari Mentor, Kontributi juaj real që keni dhënë për të nxjerrë në pah vlerat historike-kulturore të Shkodrës, në radhë të parë dhe më gjërë, janë dëshmia më e qartë për vlerat tuaja si qytetar i denjë i Shkodrës, si intelektual e punonjës shkencor, por edhe si drejtues i zoti e me vizion. Asnjë punë nuk mund të jetë e suksesshme, në qoftë se nuk paraprin shpirti e frymëzimi, për vepra të mira që do të zënë vend në Altarin e Kulturës Kombëtare dhe do t’u shërbejë brezave.

Prof. Mahir Hoti

Çdo lexues, sado i zakonshëm të jetë, nuk ka se si të mos përulet dhe të heqë kapelen dy herë. Një herë për Mjedën e Madh dhe herën e dytë për atë, që po na e jep, kaq të madh e të vërtetë Mjedën, Mentor Qukun. Ndërsa studiuesit, historianët, gjuhëtarët, politikanët e vërtetë, ata, kanë një visar, nëse duan të njohin Mjedën, në përgjithësi dhe Shqipërinë e atyre viteve në veçanti.

Fadil Kraja

Jam me mbresat e pashlyeshme të leximit të veprës “Mjeda-2”, dhe në këtë ndërmarrje të madhe jetësore, të pashembullt, së paku në letërsinë tonë të shkruar, ju uroj shëndet e forcë për t’a përfunduar sa më shpejt e me dinjitet shkencor. Për mua që kam ndjekur mirë shkrimet tuaja, pothuaj nga ato të parat e deri më sot në korpuse të plota, për Ndre Mjedën, ka qenë trimëri e guxim burrëror i juaji për t’ia hyrë filozofisë, teologjisë, religjionit kristian, letërsisë, analizës së tekstit, metrikës, figuracionit letrar, gjuhës etimologjisë, epistolarit, organizimit të jetës të njërit prej urdhërave më të vështirë dhe enigmatikë (e pse jo edhe më të përfolur gjatë shekujve), Shoqërisë Jezu (SJ), dishepujt e së cilës njohën, përzgjodhën, rritën, kulturuan dhe edukuan fenomenin MJEDA! Nuk po them për pedagogjinë dhe psikologjinë, sepse ne jemi pedagogjikas!

Prof. Tefë Topalli

Mentor Quku, i cili ka vite që studion Mjedën, deri tash ka botuar katër vëllime për Mjedën, botime që Akademia e Shkencave të Shqipërisë apo Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk i ka pa as në ândërr. Po lexoj vëllimin që studjon, hulumton, përimton, veçon, bashkon, përshkruan, vërteton, daton, polemizon, pohon veprimtarinë e jashtëzakonshme të dom Ndreut për alfabetin e gjuhës shqipe, që në të vërtetë është një histori gati krejt e re për themelimin e alfabetit tonë. Drejt me thanë, ndonëse Mjeda është në qendër të vemendjes, ky libër i kushtohet po aq gjithë veprimtarisë, peripecive dhe përpjekjeve titanike të atdhetarëve shqiptarë për alfabetin që kulmon me Kongresin e Manastirit. Gjithçka është në një vështrim të ri, mbi të gjitha mbi të vërteta të reja. Vepra e tij është madhore, madje universale, sa letrare aq dhe historike, sa arkivore aq edhe shkencore, sa “e vjetër” po aq edhe një risi.

Besnik Dizdari

Erdhi pra dita, që e vërteta të delte në dritë. Dhe këtê, për dom Ndré Mjedën e bani Mentor Quku. Merita e tij, âsht se ka dijtë me sundue nji mal njohunish e njoftimesh të cilat sidoqoftë asht tepër e vështirë me i mbarështue dhe se ka mbërrijtë me na dhanë, për herë të parë, nji Mjeda që na shfaqet ashtu si pak kush ka mujtë me e hamendë të tillë.

Willy Kamsi

Vepra, është një sintezë e madhe kronologjike e jetës, veprës, bashkëkohësve dhe e kohës në të cilën jetoi Ndre Mjeda. Ajo është njëkohësisht një arkiv i madh dhe shembull i kërkimit jetësor të një teme, sikur është kjo e Mjedës, të cilën studiuesi i pasionuar Mentor Quku e ka ngritur në shkencë më vete: mjedologji. Autori nuk përfaqëson grup studiuesish që kanë marrë një detyrë institucionale. Ai në të vërtetë është duke kryer një mision, me të cilin është kthyer në një institucion më vete.

Prof. Begzad Baliu

Profesor Quku të uroj nga zemra për punën e madhe, shumë të madhe që ke bërë, duke arritur ta shterrosh Mjedën, edhe pse në bisedë ju shpesh më keni thënë se figura të tilla nuk shterrohen kurrë. Me veprat që na keni dhurue, pra duke e shterrue këtë figurë kaq komplekse, Ju keni kryer një detyrë të madhe atdhetare, duke e pasuruar gjerdanin e kulturës sonë me një gur të çmuar. E kam pasë gjithmonë bindjen se keni qenë një punëtor i klasit të parë, tash më duket se asht pak të them Mjeshtër i Madh.

Skënder Temali

Mentor Quku ka kapërcyer mbi një metodikë standarte në zbërthimin e një figure historike, që zakonisht kufizohet me shprehjen stereotipe: “Jeta dhe veprimtaria” e x, y, z…”. Në punimin e tij gjigand ka ndarë jetën me veprimtarinë, e këto të dyja i ka ndarë po ashtu në të tjera kategori, duke i kushtuar jo pak secilës prej tyre, por edhe një vëllim të tërë siç është rasti i alfabetit. Apo siç është rasti i vëllimeve të pritshme që do të dalin dy vitet e ardhshme: Atdheu, Liria, dhe Gjuhëtari. Tetë do të jenë gjithsej vëllimet për figurën e Mjedës, çka shënon edhe një rekord në lëmin e studimeve në letrat shqipe, si nga volumi ashtu dhe nga përmbajtja.

Ermir Hoxha 

Është puna jetësore e hulumtuesit Mentor Quku, siç mund të thuhet, është edhe projekti më i madh i hartuar ndonjëherë për një krijues të Rilindjes sonë Kombëtare. Çështja e parë, që të imponohet, pasi të mbyllesh kopertinat e këtij vëllimi, që është nisma shumëvëllimëshe e punës së këtij autori, është: a e kemi lexuar ne Mjedën, çka dimë për Mjedën, a e kemi studiuar ne krijimtarinë e tij, a kemi njohuritë elementare për jetën dhe rrugën krijuese të Mjedës? Shumë prej këtyre dilemave hiqen pasi të lexohet ky libër siç, në të njëjtën kohë, shumë dilema shtohen posa përfundohet libri. Mendoj, se kjo është veçoria e parë e një hulumtuesi, të heqë dhe të shtojë dilema.

Emin Kabashi

Mentor Quku studiues i mirënjohur, që tërë jetën ia ka kushtuar hulumtimit dhe studimit të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, kohë më parë ka botuar veprën studimore: Mjeda 1. Është kjo një vepër studimore, e shkruar me përkushtim dhe akribi shkencore, që hap një epokë të re në studimin e figurës dhe veprës së  Ndre Mjedës. Është kjo një monografi studimore alternative, ku ka shumë gjurmime, shumë vlerësime dhe rivlerësime, shumë provokime shkencore, shumë hipoteza, por edhe shumë bibliografi e arkivistikë.

Prof. Isak Ahmeti 

Lamtumira e fundit, Mentorit 

Mik i shtrenjtë, shok i ngushtë, të madhe e pata kënaqësinë për aq vite sa përjetova raportet me ty si ish-kolegë, më vonë si miq e bashkëpunëtorë e së fundi si shokë të pandarë në tavolina kafeneje, në dreka e darka, gjatë eskursioneve an’ e kand vendi! 

E konsideroja një shans e një privilegj ruajtjen e asaj lidhjeje që, krahas miqësisë së vjetër familjare, rrënjët i pat në identitetin tonë moralo – qytetar dhe në interesat e përbashkëta intelektuale.

E sot, ajo e kalueme e lakmueshme mua po me kthehet si bumerang e po më lëndon së tepërmi, sepse unë kam para vetes arkivolin tand duke u përpjekur me të thanë lamtumirën e ndarjes së përjetshme, atë lamtumirë që unë e përfytyroja në role të anasjellta, sipas llogaritjeve te mia, në përkatësi me moshat tona.

Vdekja, ka llogaritje të tjera, ka kapriçiot e veta fatale! 

Sëmundja jote e randë erdhi papritmas, na befasoi, gjithashtu dhe vdekja veproi me tinëzi, të rrëmbeu pa zhurmë, kur të dashurit tu besonin se s’do t’ju ikje kaq shpejt. 

Me stoicizmin tand ti gjete forca me e mbulue bindshëm dramën tënde trupore e shpirtërore: qe jo vetëm i qartë në mendime, por edhe këmbëngulës në veprime, për të nxjerrë në dritë pa ndërprerje botimet e fundit të kolanës së pavdekshme “Mjeda”, tundimi yt i madh shpirtëror e intelektual. 

Si mund të shlyej nga kujtesa dy telefonata tua të fundit: e para, kur më kërkove me të përkthye letrat më të fundme të Mjedës që sapo t’i kishin sjellë dhe e dyta, pas 3-4 ditësh, ku më lajmëroje së ato ishin bërë pjesë e një shkrimi të gjatë tëndin në “Rilindasi”-n e një dite më parë! 

E si të mos thuhet me zërin lart: Ti qe i papërsëritshëm, ti sfidove vdekjen që të përgjonte të shtrati!

Jeta, nuk qe aq dorëhapët me ty: kalove shqetësime, i mposhte me guxim dhe, sikur parandjeje diçka kërcënuese, shfrytëzove çdo minutë të sajin, realizove veten profesionalisht, krijove familjen ideale me një bashkëshorte të mrekullueshme e me bija të devotshme. 

Me pasionin tand iu imponove meritueshëm botës shkencore dhe u afirmove si personalitet i nivelit akademik. Bota endimit dhe e letrave do t’a ndjejë dukshëm humbjen tënde të parakohshme!

Si të dashurit tu, do të përlotem për ty, tani si njeri, sepse krahas vlerave që i dhe vendit si qytetar i nderuar e si studiues i jashtëzakonshëm, modeli i intelektualit të përkushtuem, ti ishe njëheri kryefamiljari shembullor, miku i sinqertë i papërtueshëm, një shok i mrekullueshëm. 

Ti rrezatoje energji, vitalitet e optimizëm: nuk u përpoqe vetëm për t’ia ngritur monumentin vetes, ashtu si ia ngrite, por me shumë bujari u bëre katalizator i vertetë që dhe ne, miqtë tu,të faktorizoheshim në jetën kulturore të qytetit e më tej. 

Mirënjohja e përbashkët do të mbetet e përjetshme ashtu si kujtimi yt!

Pushofsh në paqe!

Prof. Nexhmi Bushati 

“Meriton me u kujtue sot në 82-vjetorin e lindjes emni i Mentor Qukut, mësuesit e studiuesit që ia kushtoi nji jetë të tanë figurës së dom Ndre Mjedjes. 

Pasioni, asht ai që i mban gjallë njerzit e s’lejon, që puna e përditshme t’i rrafshojë ata. 

Vështirë me ia gjetë shokun këtij studiuesi të censhëm, për vijueshmëninë në kohë të kërkimeve të tija, të kryeme në kushte të vështira dhe pa ndonji përkrahje. 

Janë fatlume ato figura, që gjejnë studiues kaq pasionant si ai, e fatlumë janë edhe ata që duen sot me studiue Mjedjen pse gjejnë tek vepra e Mentor Qukut nji gurrë të gjallë.”

Prof. Ardian Ndreca

Mentor Quku–mjedologu i apasionuar

(20 Janar 1939 – 1 Qershor 2014)

Dom Ndre Mjeda, krijoi një shumësi mrekullish sa letrare aq dhe gjuhësore, sa historike aq dhe politike, realizoi diçka madhështore për kombin tonë. 

Me veprën e vet i bëri me dije shqiptarëve për trashëgiminë e tyre e njëkohësisht e bëri të njohur me më të mirat e veta kombin tonë në të gjithë botën. 

Por, një pjesë e veprimtarisë do të mbetej e pandriçuar në qoftë se nuk do të kishim një Mjedë të dytë, sa i takon vullnetit dhe seriozitetit për të hulumtuar dhe sistemuar edhe ato që vetë Mjeda ndoshta do të kish harruar apo anashkaluar.

Studiuesit e rinj, kanë në dorë 10 vëllimet, kushtuar kësaj figure, të cilat përmbajnë gjithsej 5841 faqe shkencore të shoqëruara me 5472 referenca, me mijëra dokumente, fotografi, grafike, skema, skica, pasqyra, harta, etj. 

Për realizimin e këtyre vëllimeve janë studiuar me mijëra libra, studime, artikuj, kumtesa, ligjërata të 413 autorëve me 1175 zëra bibliografikë. 

Me mijëra dokumente arkivore të zbuluara dhe të paraqitura ndër radhët e librave me qindra letra, dorëshkrime e autografe të paraqitura Mjedës, letra të tij, si edhe ka identifikuar me dhjetra vepra anonime apo të panjohura të Mjedës.

Kjo veprimtari daton që herët, që në vitin 1974 dhe si për koincidence ngacmimi fillestar vjen nga një ligjeratë që mban në Akademinë e Shkencave . 

Zgjedhja ishte Mjeda. U desh një vit pune kërkimore, nëpër biblioteka dhe arkiva, konsultime të gjera me dorëshkrimet e tambulateve të Xanonit pasi dorëshkrimet e Mjedës mungonin. 

Kjo herë e parë, do të vijonte për plot 40 vite.  Krahas arkivave, muzeve, bibliotekave të vendit, arkivave personale në vend, një punë e jashtëzakonshme është realizuar edhe në ne arkivin shtetëror të Vjenës, në Grac, Kopenhagen, Vatikan, në arkivin e Propaganda Fides, në arkivin e jezuitëve në Krakov të Polonisë, në arkivin e Gallarates në Itali, në Prishtinë, Prizren, etj.

Perveç arkivit të Mjedës, në arkivin personal të familjes Quku, ndodhen një larmi letrash, fotosh, CD, DVD, etj. 

Me interes paraqitet letërkëmbimi i dendur me rreth 650 personalitete. Mjeda studioi për 20 vite në kryeqendrat më të civilizuara të Europës, mori pjesë në Kongresin e Hamburgut të orientalistëve XII, me 750 delegatë, të gjithë shkencëtarë, linguistë dhe albanologë, me të cilët pati kontakte e letërkëmbim.

Veprimtaria e tij shtrihet në tërë Ballkanin, Italinë, Perandorinë Turke, Europën mbarë etj. Interesimet e Qukut shkojnë deri në Amerikë, Kanada etj.

Prof. Elinda Dibra 

Shënim: Artikulli është shkëputur nga libri: “Dritë hije historike në New York” (New York, 2024), me autor Klajd Kapinova, i cili është në procesin e botimit onlibe nga kompanine e medha ameirkane dhe botërore, si: Amazon, Barnes and Noble etj.

Filed Under: LETERSI

KATËR NDALESA NË BURGJET E ARSHI PIPËS

May 25, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

FERRI DANTESK SHPËRNGULET PËRKOHËSISHT NË VLOÇISHT

 (Poema epike “Kanali”, f.63)

Për ata që s’e dinë, kampi i të burgosurve të punës në Vloçisht nuk ka ekzistuar, për ata që e dinë, është si dallgë e turbullt e një vërshimi që përmbyt, për ata që e provuan mbi shpatullat e tyre ishte një ferr dantesk i shpërngulur përkohësisht atje për të marrë 73 jetë njerëzish ndër 2500 të dënuar vetëm në shtatë muaj. 

Brezi im e ka njohur vetëm anën heroike të punës për tharjen e kënetës së Maliqit nëpërmjet romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe ekranizmit të tij, kurse ky shfrytëzim mizor i të dënuarve politikë dhe ordinerë ka humbur gjatë në terr informativ. Mjafton të përmend tri figura të shquara të kombit: Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej dhe Arshi Pipa të cilët e provuan atë kalvar dhe arritën të dalin gjallë prej andej, që të kuptohen përmasat e goditjes së verbër të diktaturës së proletariatit. Prej tyre, vetëm Arshiu u arratis dhe dëshmoi për atë që ndodhi atje, Eqremi dhe Mitrushi heshtën që të mos i bënin të tjerët të heshtnin. 

Thelbin e trajtimit e sjell në kujtimet e veta një i dënuar që përsërit fjalën e komandantit të kampit, Tasi Marko: “Ky është kamp i punës së detyruar dhe nuk është kamp pushimi.” 

Poema përbëhet prej 25 tingëllimash, mjedisi dhe vargu i tyre është dantesk, por ka dhe një dallim të rëndësishëm: Dante shkon në Ferr si vizitor, i shoqëruar nga Virgjili, kurse Arshi Pipa shkon atje si skllav. 

Tingëllima  e parë ka vetëm dy vargje për natyrën: 

“Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.”  

Pastaj menjëherë zbulohet mjedisi i skëterrshëm ku luftohet për mbijetesë. 

Tingëllima e tretë fillon me një portretizim të të dënuarve: 

“A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj. 

Fëtyra dheu ku syt e shojtun ngrohen

kur shofin bukën; faqe që gropohen

e nofulla qi dalin si patkoj.

Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,

automa kockash, nji bërsi, nji pleh,

ku veç prej emnave dallon e njeh.”  

Norma e punës ishte e panegociueshme dhe nuk bëhet asnjë përjashtim për moshën dhe gjendjen fizike: 

“Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri…

bani ja vdis: ankimi s’ban dobi.” 

Të dënuarit zgjoheshin në orën tre të mëngjesit për të filluar punë në orën gjashtë, pasi fronti i punës ishte deri në Nizhavec. 

“Sa zente çquhej nata nga mëngjezi

ndër balta zhyteshim deri te brezi.”  

Me dy vargje jepet gjendja e vuajtësve: 

“Zbathun ishim shumica e natja e brymtë

na futej deri n’eshtnat e krahnorit.” 

Tingëllima 12 vendos një paralele me skllevërit që ndërtuan piramidat e Egjiptit dhe koloseun e Romës, me të dënuarit që hapën kanalin që lidhi lumin e Moskës me Vollgën. Poeti fokusohet te vdekja që rrëmbeu jetën e dhjetra të dënuarve, sepse nuk u bënë dot ballë urisë, mungesës së ujit të pijshëm dhe lodhjes: 

“Vdesin hendeqeve ndër brraka gjaku,

vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.” 

Ai lë për një çast vuajtjet dhe vdekjet për të ngjallur shpresën: 

“Ju shelqet e Vloçishtit qi shkëlzeni

kur lehtë puhija gjethin ju valvit,

te djerri  qi veç kallma  e driza rrinë

uzdajën time ndoshta shembëlleni?”  

Dy tingëllima sjellin një skenë barbarie që prevalon nga dëshira për jetë: 

“Posa dha shpirt, e tu i plaçkitun krodhën

e bukës, krypën e çka n’torbë ju ndodhën.”  

Plotësohet me një konkluzion të drejtpërdrejtë te tingëllima pasuese: 

“E pamë si prej urije pezmatohet

e bahet kafshë njeriu e bahet bishë.” 

Tingëllima 20 lë skenat e mjerimit dhe shpërthen me një apostrofë: 

“O paqe e votrës, ambëlsi e fmis!

Rreze e një malli t’ fortë qi nuk u shkime!

A  do t’i shofim prapë ato bekime?

A vinë mâ dit’ e humbuna t’rinis?” 

Dy tingëllima bëjnë përqasjen e kampit të punës me kampet e përqëndrimit nazist dhe konstatimin e hidhur që dhuna e xhelatëve shqiptarë ndaj bashkëkombasve të tyre ua kaloi atyre të turqve, serbëve dhe grekëve.

Përmbyllja u vë vulën vuajtjeve, qëndresës dhe shpresës: 

“Me shpirt ndër dhëmbë duruem na kët skëterrë,

lirin andrruem te nata e bame sterrë,

e zemrat tona atë për flamur rrokën.

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

nga tyranija e randë atdheu do t’shkundesh,

dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

mâ e bukur do t’shkëlqente besa jonë.

Vuej po qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!”

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT