• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE NUK VIJMË TË NJËJTË

April 9, 2024 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

Stamford, 7 prill 2024/

Përshëndetje Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, në veçanti grupit organizues të këtij eventi si dhe mediave të pranishme!

Faleminderit që nga koha juaj e ngushtë (siç është për këdo këtu në SHBA), ju zgjodhet t’i kaloni disa orë në shoqërinë e Panairit të Librit Shqip.

Pse është kaq i rëndësishëm ky eveniment, sa herë që bëhet?

I pari u zhvillua në vitin 2009 dhe i dyti në vitin 2010, të dy edicionet u zhvilluan në New York. Ky edicion i tretë na gjen sot bashkë, pas 14 vitesh, në një shtet tjetër, Connecticut.

Po lexoja për zhvillimin e dy panaireve te para dhe, duke qene një diferencë goxha e madhe kohore, menjëherë pata dy ndjesi:

E para ishte krenaria. Me gjithë verejtjet që zakonisht shoqërojnë çdo organizatë dhe çdo aktivitet që bëhet, jo vetëm këtu në komunitetin shqiptar në SHBA, por kudo, gjej rastin të falenderoj të gjithë ata burra të pa lodhur dhe ato gra të sakrificës, që, me gjithë angazhimet personale të një jetë larg vendlindjes, morën përsipër të ngrenë në këmbë një shoqatë për shkrimtaret. Me gjithë ulje-ngritjet e veta, me superlativa apo me vërejtje, kjo shoqate është bërë 23 vjeçe. Secili nga ne MUND dhe DUHET ta ndihmojë SHSHSHA-në që të kërkojë çdo ditë më të mirën nga vetja e saj.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë nuk ka iniciativa apo anëtarë për të cilët duhet të na vijë turp. Kjo Shoqatë bën një punë për të cilën çdo shqiptar i Amerikës, e jo vetëm, duhet të ndjejë krenari, sepse modelet paraprinjëse krijuese ishin dhe vazhdojnë të jenë frymëzuese: Fan Noli, Faik Konica, si dhe shumë të tjerë. Ky konstatim nuk vjen si anëtare por si një qytetare e diaspores shqiptare në SHBA. Ky është një falenderim e mirënjohje për të gjithë shkrimtarët, që nga themeluesi Gjekë Marinaj e deri tek anëtari më i ri, për kontributin e tyre intelektual dhe njerëzor.

Ndjesia dyte që pata ishte ngutja. Pse do të thoni ju? Në të dy edicionet e para, po lexoja emrat e disa shkrimtarëve dhe autoriteteve institucionale që kishin marrë pjesë. Disa prej tyre, nuk i kemi më mes nesh.

Në aktivitetet që bëhen në komunitet, jo gjithmonë e kemi mundësinë t’i ndjekim dhe vjen një kohë që kuptojmë se kemi humbur shumë nga mosprania. Në panairin e dytë, në vitin 2010, të pranishmit kanë pasur mundësi të takonin Fatos Kongolin. Sot, unë kam mundësinë të takoj një autor shumë të dashur për mua, Visar Zhitin. Mundësi të tilla nuk duhen humbur, qoftë nga shkrimtarët e qoftë nga lexuesit. Sepse, në çdo takim letrar apo panair, ne nuk vijmë të njëjtë.

Prandaj, ejani të bëhemi bashkë, sa herë që kjo shoqatë ju dërgon një ftesë. Ejani të bëhemi bashkë, sa herë që keni një projekt të mirë për ta ndarë. Ejani të bëhemi bashkë që të bëjmë letërsi e kritikë të mirë. Ejani e takoni njëri-tjetrin sepse, pas çdo viti, pas çdo vepre të shkruar a të botuar, ne vijmë ndryshe. Kur vijmë ndryshe, kemi shumë për të thënë, jo vetëm për njëri-tjetrin por edhe për lexuesit tanë.

Panairet e librit shqip nnë Amerikë nuk janë e nuk kanë pse të jenë të njëjtë si ato që bëhen në Shqipëri. Ne kemi të tjera misione shtesë, për të cilët duhet të jemi të qartë që në fillim (ajo që quhet “Utile”), por kjo nuk do të thotë që mund të mos tregojmë vëmendje ndaj literaritetit, pra cilësisë së fjalës si art.

Me këto dy ndjesi personale, unë shpresoj të frymëzoj e të ngacmoj secilin prej jush, sidomos me ngutjen. Nganjëherë mendojmë se kemi kohë mjaftueshëm për t’u takuar, për t’u lexuar mes vedi por mos harroni të nguteni: le të njihemi përtej takimit të parë, përtej librit të parë, përtej panairit të parë. Çdo ditë ne vijmë si një tjetër dhe duhet të vijmë edhe më të mirë.

Ju uroj suksese secilit prej jush dhe frymëzim kur të uleni para letrës së bardhë dhe ftoj lexuesit të gjejnë veten apo ndjesi të bukur përcjellura nga faqet e librave tuaj!

(Fjala e rastit në edicionin e tretë të Panairit të Librit Shqip në SHBA)

Filed Under: LETERSI

NË ILIRIDËN QË KEMI HUMBUR

April 8, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Mbi varrin e Shekspirit midis të tjerash janë edhe këto dy vargje:
“Bekuar qoftë njeriu që këta gurë i kursen,
Mallkuar qoftë ai që kockat m’i rrëmben.”
Me të njëjtin thelb, por në një kontekst të ndryshëm historik, edhe romani “Shpërngulja e të vdekurve” merret me kockat, jo për të marrë një copëz nga lavdia e dikujt, por për të ruajtur identitetin kombëtar. Përdorimi i toponimeve, viteve dhe inkuadrimi i të vërtetave historike të fut në një grackë nga ku del kur vë re se vendlindja e rrëfimtarit është Suka kurse ajo e shkrimtarit Gërçeci. Kjo gjë përmbys edhe raportin mes reales dhe trillit dhe i bën magjitë dhe legjendat lehtësisht të përtypshme. Duke pasqyruar zhvendosjen e një fshati nga Shkreta e Rekës së Epërme në Sukë shkrimtari jo vetëm ka sjellë fatin e pikëllimtë të një pjese të kombit shqiptar dhe trojeve të tij, por e ka kthyer atë në një thirrje të fuqishme për të rikuperuar gabimet e së shkuarës. Shqiptarët nuk janë endacakë, ata shquhen për lidhjet e forta me rrënjët nga fillon e ushqehet vitaliteti i tyre, ata kanë ruajtur të gjallë një nga gjuhët më të vjetra të Europës, ata janë autoktonët që i mbijetuan përpjekjeve për asimilim ose dëbim. Duke u ndalur edhe pak në këtë kuadër të përgjithshëm historik dhe atdhetar të veprës nuk mund të mos bashkohesh me dhembjen e autorit për Iliridën e humbur prej Mollës së Kuqe te Dibra e Madhe dhe për kryeqytetin e mohuar shqiptar të Shkupit, i cili vetëm pak më shumë se një shekull ishte vendi ku gëlonte shqipja dhe zotëronin shqiptarët. Ndalesa e parë hipotetike: Po sikur të ishte bërë? Do të ishim fatlumë se mund të ishim bashkuar të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm. Por mund të ishim edhe fatkeqë se, duke u pushtuar nga serbët apo bullgarët, mund të ishte fshirë përfundimisht gjuha dhe kombësia shqiptare.
Rrëfimtari sjell historinë e një familjeje në tre breza që ka dhënë ndihmesën e vet në qëndresën ndaj synimeve asimiluese të fqinjve dhe për mbajtjen gjallë të flakës atdhetare. Nuk duket shumë bindës gjyshi që kthehet nga Damasku dhe ndjehet bosh që nuk arriti në kohë për të qenë pjesë e dërgatës shqiptare të Shkupit, por tingëllon natyrshëm qasja atdhetare e babait kur guxon të ngrihet mbi çallmën e hoxhës në vitin 1960, në Duqanxhikun e Shkupit, ku ishin mbledhur hoxhallarët e njohur të Shkupit e Kumanovës për të diskutuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Hoxhë Dema, duke qenë më shumë atdhetar se klerik, ka guximin të deklarohet kundër shpërnguljes: “Ne merremi me murimin e urës që bashkon bregun e lindjes me atë të vdekjes, por ç’vlen ajo urë nëse brigjet ku do vdesim, nuk do kenë shenjën e bregut ku kemi lindur.” (f.88.) “Ajo urë duhet gozhduar me mbrojtjen e qumështit të nënës dhe të dheut ku ke lindur… Unë jam i gatshëm të mëkatoj, nëse kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar popullin tim.” (f.89) Fill pas kësaj vjen ndërhyrja mbështetëse e hafëz Idrizit: “Feja pa komb dhe kombi pa besimtarë, është si lumi pa ujë.” (po aty). Edhe pse përmendet thjesht si fakt, qëndrimi i Demës një muaj në Kosovë gjatë kohës së luftës që zhvillohej atje, i shërben pasurimit të jetëshkrimit të tij atdhetar.
Atdheu fillon nga familja, ushqehet dhe mbështetet prej saj, rritet në përmasa të reja kur del nga familja e bashkohet me fshatin, del nga fshati e bashkohet me vendlindjen e madhe. Ja pse amaneti i gjyshes për rrëfimtarin është edhe mesazhi i madh që u përcillet me po aq patos edhe gjeneratave të reja sot, pasi lëvizjet demografike kanë marrë përmasa të tilla që, siç shkruan autori: “…shtohet numri i kullave të mbetura shkretë.” (f.149)
Historia shqiptare personifikohet me figurën e gjyshes së rrëfimtarit dhe ka arritur të krijojë modelet shqiptare aq të ngjashëm me Hoze Arkadion, Ursulën dhe fshatin Makondo të Markezit. Duket paradoksale, por është e vërtetë, se gruaja shqiptare ka luajtur një rol përcaktues në fatet e kombit tonë, edhe pse mjedisi shoqëror ishte tepër patriarkal. Sikur të mos mjaftonte gjyshja, autori ka shkuar edhe më tej me një tjetër figurë të spikatur si Fatushja që zbret në Jug deri në Çamëri për të zbuluar thesarin e mbetur atje pas dëbimit të çamëve për të riparuar shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit dhe kullën e Faik Konicës. Reciprokisht nënës së rrëfimtarit i vijnë nga Parga dy breshka që do ndërprisnin magjinë e vdekjeve, plotësuar me breshkat e sjella nga Sanxhaku, pas të cilit përvijohet harta e trojeve ilirike.
Ka një simbol mbi të cilin endet rrjeta e origjinës së lashtë të një fshati: varret e sjella nga Reka e Epërme, qoftë edhe me një pjesë të kockave. Ka dhe një kufi kohor të përafërt kur fillon e lëviz gjithçka: atëherë kur katragjyshja Lefkë të premten pastronte xhaminë, të shtunën kishën, pra atëherë kur pati filluar konvertimi vullnetar ose i sponsorizuar.
Magjia, bestytnia dhe legjenda vërtiten rreth breshkave dhe zhguajve të tyre. Meqë Ilirida nuk kishte dalje në det, bestytnitë trazuar me shkencë i atribuohen breshkave të tokës: gjaku i breshkës, i përzier me çaj prej gjethe ftoi, shuan mallin dhe qetëson shpirtin; zhgualli i breshkës mbron kullën nga magjitë dhe xhindet; për një javë, shtatë herë në ditë, po thithe ajër nga zhgualli i breshkës me rreth jeshil, shërohesh nga astma.
Mjedisi magjik i Sukës vjen si refren me numrin shtatë si pasqyrë e besimit islam. “A nuk e keni parë se si Allahu krijoi shtatë palë qiej (në kate).” (Nuh, 15) Mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta… dhe shtatë kallinj të gjelbër e (shtatë) të tjerë të tharë…” (Jusuf, 43) “Ai (xhehenemi) i ka shtatë dyer…” (el Hixhr, 43-44) “Kush i ha shtatë hurme, nuk e godet atë ditë e keqja e as sihri…”
Në inventarin e skenave ku realja shkon në kufijtë e legjendës, vlen të veçohet skena e dasmës së Demës ku kali i nuses kërkon të futet te oborri i kullës së Fatushes, fillimi i këndim-dënesjes së Fatushes dhe hedhja nga çardaku e shamisë së bardhë qëndisur me lule të kuqe dhe e lagur me lotët e saj që mbetet e varur te degët e ftoit, nëna e Demës që shkon e merr dhe futet në valle. Skena tjetër është ajo e varrit të Zenit me shtatë zhguaj të gozhduar me nga një potkua, me nga një pikë të zezë që tregonte në cilën govatë ndodhej gjaku i tyre. Skena e radhës është varrimi i Fatushes në Shkretë të Rekës së Epërme nëpër një shi të rrëpishëm dhe mbledhja e breshkave të gjalla rreth varrit. Skena e fundit lidhet sërish me breshkat, mënyrën e sigurimit të numrit të nevojshëm nga Parga e Çamërisë dhe Pazari i Ri i Sanxhakut ku fiset shqiptare kishin harruar gjuhën e qumështit të nënës.
Ka edhe një veçori markeziane rrëfimi në këtë vepër me rrethanat dhe karakteret që rimerren disa herë duke hedhur dritë mbi hijet e së kaluarës. Është gjyshja me rrëfimin e saj që ngre siparin e veprës, madje i jep edhe emrin e vet kapitullit të parë. Në kapitullin e tretë ajo nuk jeton më, por rrëfimet e saj marrin përmasat e kumtit. Do të rishfaqet në kapitullit e shtatë dhe të fundit, këtë herë në ëndrrat e rrëfimtarit me kërkesën domethënëse për t’u rivarrosur në Rekën e Epërme, si pjesë e “një dukurie thuajse çmendurake që përfshiu të gjithë fshatarët” (f.147), “si pre e magjisë kolektive.” (f.148) Ajo do të bëhet pjesë e kujtimeve të rrëfimtarit i cili kishte fjetur me të edhe natën e fundit duke frymëmarrë grahmën e fundit të saj si simbol të një lidhjeje që nuk mund të ndërpritet kurrë.
Në se gjyshja vjen në vepër si zëdhënëse e historisë, Fatushja plotëson botën magjike të dashurisë së thellë e të pamposhtur. Vrasja e vëllait Zeni, mbështjellë me enigmë nga aparati shtetëror, e çon atë në një vendimmarrje të vështirë: prishjen e fejesës me Demën shumë pak kohë para dasmës. Që pikëllimi i saj të mos mbartet në kullat e tjera ajo kërkon që Samimija, e fejuara e Zenit, të bëhet gruaja e Demës dhe ia del. : “Unë do ta jetoj dhembjen e të gjithëve, Dema e bija jote le të mbjellin lulishte në mes të asaj dhembjeje!” (f.102) Dita e dasmës ishte një dramë për Fatushen që shkon te varri i të vëllait ku gjen shtatë zhguaj breshkash dhe i godet ato me një purtekë thane nën dhomën e gjerdekut. Fillon që këtu një dashuri sysh prej çardakëve të dy kullave që janë pranë dhe do ta ndërpresë vetëm vdekja e Demës, e pasuar shpejt edhe nga vdekja e Fatushes. Këtë lidhje të jashtëzakonshme autori e sjell në trajtë e një ding-dongu dymbëdhjetëorësh: “betimet që ia kishin dhënë njëri-tjetrit, çastet që mbetën në të kaluarën, ankthi i pritjes, shpresat që sjell e nesërmja, pakuptimësia e kohës së jetuar larg vetëm duke shikuar njëri-tjetrin nga çardakët e kullave, takimndarjet e shikimit të tyre, kurora e stolisur me lotderdhje, shpresat se një ditë do të jenë përjetësisht së bashku, malli përvëlues që vazhdonte t’i linte të terura buzët e saj, lutjet e saj për lumturinë e tij, ecja drejt fundit, përjetësia së cilës i besonin të dy.” (f.111)
Brenda këtyre viteve gruarimi dhe burrërimi të mundimshëm të Fatushes ka dy pika kulmore: kryeplaku Lati, i mbetur vejan, i qepet Fatushes, madje e kërcënon “Ti e di se mund t’ia bëj sherrin edhe ndryshe.” (f.115) Këtë e zgjidh Dema duke u veshur si vajzë dhe duke i lënë takim në Pyllin e Vakëfit ku e vret me sëpatë. Të njëjtën gjë bën vetë Fatushja kur mëtues të shtatit të saj bëhen dy aktivistë komunistë, të cilët i fton të shkojnë jashtë fshatit dhe i vret me revole. Ilustrohet kështu ajo që thotë poeti skocez Aleksander Smith: “Rruga e çdo njeriu në jetë shënohet me varret e dëshirave të veta.”
Ngjyrat e rrëfimit të Kim Mehmetit pasurohen me rrafshin politik. Gjyshi merr vendimin e dhimshëm ta largojë nga kulla njërin nga djemtë, Sylën, një ndarje që rimerret disa herë duke sjellë shkaqe të ndryshme: dashuria e tij me një vajzë nga një fshat tjetër që është serbe, por që në origjinë dilte se kishte rrjedhur nga katërgjyshja Lefkë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjyshi bëri një lojë të zgjuar me dy porta: Demën e dërgoi në veri të bashkohej me gjermanët, kurse Sylën drejt Gjakovës të bashkohej me partizanët, të dy larg vendlindjes që ta kishin më të lehtë për të fshehur bëmat luftarake. Pastaj konkluzioni i hidhur që del edhe jashtë kufijve të një fshati e krahine: “Sukjanët thuajse gjithmonë kishin luftuar në anën e gabuar dhe ishin vrarë nëpër luftrat e të tjerëve, pa bërë asnjë luftë për vetveten.” (f.53) Në Jugosllavinë titiste, duke qenë në anën e fitimtarëve, Syla u vendos në Beograd, u bë komunist dhe pozita e tij politike e shpëtoi Demën nga burgu kur i tejkaloi kufijtë angazhimit fetar. Duke qenë bashkëpunëtor i pushtuesve gjermanë, edhe pse i ndihmoi hebrejtë në kampet e punës, ai e mbajti të fshehtë këtë copëz të jetës.
Në një rrafsh më të gjerë lufta politike zhvillohet te Varret pa Kufoma: forcat serbe duan t’i fshijnë gjurmët e së kaluarës shqiptare duke i lëruar varret. Një popull pa varre është një bashkësi pa kujtesën e domosdoshme. Siç shkruan shkrimtarja amerikane Harriet Beecher Stowe: “Lotët më të hidhur që derdhen mbi varre janë për fjalët që mbetën pa thënë dhe punët që mbetën pa bërë.” Në përmasa të mëdha dhe asgjësuese, duke luajtur me besimin, në vitin 1960 politika serbe filloi dëbimin fetar të shqiptarëve në Turqi.
Në rrafshin e ngushtë vetjak, ka dy deklarata të forta politike të rrëfimtarit që mund të jetë dhe autori: e para, më e guximshmja, që rrallë e dëgjon: “Kam qenë një komunist i devotshëm dhe aq besnik sa nuk rreshta së binduri tim atë që të ketë kujdes e të mos e përdorë fenë për të penguar revolucionin socialist.” (f.73) “Më rrëmbeu vala e vrullshme e ideologjisë komuniste.” (f.76) Deklarata e dytë: Ruaj të gjithë librat fetarë të babait, njësoj si kompletet e veprave të Titos, Enverit dhe Leninit.
Ngjyra e katërt e veprës është ajo religjioze e sendërtuar mbi Kuranin dhe mbrojtjen e tij. Ishte një kopje e shkruar me dorë dhe që ishte sjellë nga Reka e Epërme si dëshmi e rrënjëve të vendlindjes. Për ta mbrojtur nga sekustrimi dhe asgjësimi serb në vitin 1958 hoxhë Dema vjen ilegalisht në Shqipëri dhe ia beson at Nikollës në Elbasan, por edhe këtu ishte një variant i pushtetit komunist, i ftohtë ndaj fesë dhe nuk kishte më asnjë siguri. Lufta kundër fesë depërtoi edhe brenda në familje: “Dy brigje të largëta ku qëndronim unë dhe im atë: bregu im ideologjik, ku valëvitej flamuri i burimit të lumturisë njerëzore; i babait ku kishin bujtinë shpresat për shpërblimin që do të merrnin në botën e pasvdekjes.”
Edhe pse romani ka mjaft nota pikëllimi, ai përshkohet nga mesazhe që të bëjnë të ndalosh, të meditosh dhe të reflektosh: “Jemi bërë të pandjeshëm ndaj mjerimit të fqinjit… Kur më flasin për bëmat e të tjerëve në anët tona, i ndjej të largët e të huaj.” (f.54) Dhembja dhe pikëllimi janë njësitë më të sakta matëse për të përcaktuar dimensionin e saktë të aftësisë sonë për të dalë përtej mjegullës së vuajtjeve. “Ia vlen të mbash gjallë iluzionin se kjo botë një ditë do të ketë shenjë njohëse vetëm mirësinë… duhet mbajtur gjallë besimi se në këtë botë ka një sy që i sheh të gjitha bëmat njerëzore, një vesh që i dëgjon edhe të heshturat e njerëzve,… se është diku një bibliotekë e madhe e padukshme ku ruhen të shënuara të gjitha bëmat e atyre që ishin e nuk janë më.” (f.61)
Mbërrijmë te përmbyllja gogoliane: “Çdo njeri është një guacë e mbyllur, me margaritarin e vockël e të ndritshëm brenda vetes, margaritar i përbërë nga mbeturinat e qindra ëndrrave e dëshirave që i ka shtrydhur dora e pamëshirshme e fatit jetësor, margaritar të ngjeshur nga realja, ajo që kemi përjetuar, por të pjekur në furrën e areales – të asaj që kemi ëndërruar.” (f.161).
(Romani “Shpërngulja e të vdekurve” i Kim Mehmetit, Saras 2015).

Filed Under: LETERSI

Libri shqip feston në SHBA!

April 7, 2024 by s p

Të gjithë ju lexues, dashamirës të librit në shqip apo të çdo gjuhe qoftë, të gjithë ju bashkëkombas të komunitetit shqiptar, ejani festoni bashkë në Panairin e Librit Shqip!

Në veçanti, ju lexuesit e rinj e të vegjël, ejani njihuni nga afër me emra të shquar të letrave shqipe, njihuni me fjalën e tyre artistike shqipe dhe krijoni një kujtim për jetën tuaj!

Bota e larmishme e kulturës shqiptare, larg atdheut, ka nevojë të pasurohet edhe më shumë duke pasur frymën tuaj bashkëkohore dhe energjinë e re në të. Vetëm kështu, duke gërshetuar bashkë mendime e ndjesi, mund ta mbajmë gjallë e ta forcojmë dashurinë për të shkruar e për të lexuar shqip!

Të gjithë ju autorë që lëvroni gjuhën shqipe dhe që sillni tek lexuesi copëza nga botëkuptimi shqiptar, edhe në anglisht, ejani të njiheni edhe më mirë me njëri-tjetrin, përtej një takimi formal, përtej një libri të parë. Le të shkëmbejmë, përveç krijimtarisë, edhe përvoja, gjendje dhe aspirata!

Të gjithë bashkë, për librin dhe me librin! 🇦🇱🇺🇸

E diel, 7 prill 2024

📍Ferguson Library, 1Public Library Plaza, Stamford, CT

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

Filed Under: LETERSI

DYQIND ARSIMTARËT E ERNEST KOLIQIT NË KOSOVË …

April 6, 2024 by s p

Frano Kulli/

Ende sot mbasi kanë kaluar tetëdhjetë vjet han prap hamendësime pjesmarrja e Ernest Koliqit në qeverinë e Shevqet Vërlacit (21 prill 1939 – 3 dhjetor 1941). Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, siç pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer . Sikurse ende përmendet si e dhënë gojore edhe një bisedë e Koliqit , rrethanë e momentit kur ai ftohet në Tiranë për t’i propozuar postin e ministrit. Është viti 1939 ai kishte pak kohë që ishte emëruar titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Sipas gojëdhënës, Koliqi nuk e jep përnjiherë pëlqimin, por kërkon pak ditë kohë. Prej atje kthen në Shkoder e takon… At Gjergj Fishten.
-Më kanë propozue me u ba ministër i arsimit, pader…
-Me u ba minister – ia kthen pader Gjergji, pa pritë shpjegime më të gjata prej bashkëfolësit.
-Po, unë s’kam mujt me e dhanë fjalën, për pa u pá e me fol me ty, pader – kërkon të shtjellojë kërkesen e vet Koliqi më parë se t’ia merrte mendimin atij që e çmonte aq shumë.
-Po pra po, me u bá minister – ia kthen me këmbëngulje pader Gjergji e i thotë prerë argumentin e vet- se të tanë tjerët e bajnë ma keq se ti… ( O Zot ç’farë kut vlerësimi për vlerat kishin njerëzit si ata. Me një ekzigjencë shembullore për dijet e për punët në dobi të saj e të kombit). Dhe Ernest Koliqi, kështu u bë ministër i shtetit për arsimin. Ministri me gjurmën më të dukëshme e të dobishme në arsimin e shqiptarëve… Sapo filloi punën në këtë detyrë , ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si Ministër i Arsimit në shtatorin e vitit 1941 ai mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë, të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime sepse ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare.
Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësuar mirë si i tillë shkoi ndër mend dhe e bëri punë të kryer dërgimin te vëllezërit e nji gjaku atë për atë çfarë ishte më e nevojëshme atje. Dërgoi mësues për të dhënë dije atje, duke plotësuar kështu të nxënit e të mësuarit shqip si nevojë jetikë për ruajtjen e idenditetit kombëtar, të shqiptarëve të atjeshëm që historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut amë.
Në vijim të asaj ç’ka nisi ministri Koliqi, “në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë “.
Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari…). Edhe si arsye madhore për ta shpëtuar albanologun e shkëlqyer hebre nga kthetrat e nazistëve.
Qeveria e Shqipërisë 4 vjet më parë, ministren e arsimit e kishte nga Kosova. Nuk e di se për ç’potenciale publike e punë të mirë mund të përmendet zonja. Përveçse si përzgjedhje kinse patriotike e kryeministrit, Zotit Rama në sinkron me mbledhjet e përbashkëta të atyre kohëve, të dy qeverive, tashmë të harruara, vendimet e të cilave u “shkruan në akull”. Dhe po të sjellësh ndër mend “shown” e atëhershëm ndjen neveri prej fallsitetit. Si për shumë gjëra të tjera të shpeshta , këso dore…. Për traun e rrugës së kombit a për a për taksën e shtrenjtë të mallrave që qarkullojnë nëpër të ndërmjet dy popullatave shqiptare andej e këndej. Apo për taksën e shtrenjtë të librave 6%,(edhe të librit shqip, sigurisht) më të shtrenjtën në rajon.
Kurse po t’i krahasosh punët e ministres së vitit 2019 me ministrin Ernest Koliqi, të vitit 1941…fyen rëndë historinë…
foto: prointegra.ch

Filed Under: LETERSI

Prej nga buron krijimtaria e Naum Priftit dhe çfarë sjell ajo tek ne sot?

April 5, 2024 by s p

Ardian Murraj/

Gjatë gjithë jetës krijuese prej më se shtatë dekadave, libri, skena dhe ekrani i dhanë gjerësisht njohje Naum Priftit. Pas ndarjes së tij nga jeta vitin e kaluar, familjarë, kolegë dhe studiues, bashkëkohës të tij dhe lexues të rinj gjatë muajit mars shënuan me disa takime e sesione studimore jetën dhe veprën e shkrimtarit duke përkujtuar 92 vjetorin e lindjes më 7 mars 2024 pa Naum Priftin. E thënë më thjeshtë, Naumi ta kërkon kohën si spektator kur gjendesh përballë skenës dhe ekranit, ndërsa kur përpara veprave të tij vihesh si lexues autori të rrëmben me një formë premtuese se ai ka lënë diçka tjetër edhe për kohën më pas, si për të thënë se shumë shënime dhe dorëshkrime të tij presin për t’u botuar dhe ngjan të thotë se “…do të më kujtoni edhe në të ardhmen”.

Mjeshtri i prozës nuk është më mes nesh, por ai e jetoi dhe e deshi jetën ashtu sikurse edhe hyri mes jetëve të njerëzve natyrshëm dhe i thjeshtë. Sikurse “Midis Dy Kohësh”, vëllim me shënime udhëtimi, kujtime, portrete dhe ese, 2005, shkruar nga Naum Prifti, autori u ndodh midis dy shekujve dhe midis dy sistemeve shoqërore. Kjo ndodhi gjatë jetës së tij jo vetëm me kapërcimin e mijëvjeçarëve, por edhe mes dy vendndodhje shtetesh si Shqipëria dhe Amerika.

Në këtë gjendje të ndërmjetme koha dhe dimensioni i saj të lënë mbresa me disa veprimtari përkujtimore për Naum Priftin. Koha, është elementi më i rëndësishëm i jetës që ai e la të shkruar. E vendosur edhe në titullin “Midis Dy Kohësh”, në vetvete ajo kthehet përmes përkujtimoreve si një ringjallje të cilat me siguri njerëzit dhe brezat do t’i përsëritin sërish. Me të njëjtin titull u mbajt takimi kushtuar autorit në Qendrën Kombëtare të Leximit dhe Librit në Tiranë më 5 mars, 2024 https://gazetadielli.com/naum-prifti-shkrimtari-i-te…/

Më 12 mars, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, referuesit profesorë dhe doktorë të fushës së letërsisë paraqitën për herë të parë brenda një seance, shumësinë e dimensioneve të Naum Priftit si Mjeshtër i Prozës së Shkurtër.

Dimensioni i tretë tek njeriu krijues dhe punëtor rikujtohet për çka bërë dhe kjo i bën shkrimtarët të përjetshëm për kulturën e vendit të tyre si edhe deri atje ku kjo kulturë arrin të depërtojë, të njihet dhe të përqafohet. Me lajmet e ditës kur media ndiqte dhe transmetonte radhazi këto veprimtari, gjendej mbresa sa e bashkëkohësve dhe e bashkëpunëtorëve plot përshtypje po aq edhe e personazheve që zbulonin veten duke treguar se e kishin jetuar kohën dhe ngjarjen edhe përse mesazhi studimor dhe akademik vlerësohej në përcjelljen e lajmit. Me këtë rast, një episod i posaçëm Profil i realizuar nga televizioni Euronews Albania iu kushtua njohjes më të afërt me jetën dhe veprën e shkrimtarit Naum Prifti ku përmblidheshin vlerësimet e akademikëve dhe referuesve, si edhe fragmente jete nga familjarë, bashkëfshatarë, miq të familjes, mësues dhe lexues.

I përfaqësuar me disa gjini dhe zhanre letrare, me dramaturgjinë e teatrit dhe skenarin e filmit artistik dhe vizatimor, një drejtim tjetër njohës që nevojitet të hidhet dritë dhe të vështrohet tek Naum Prifti është jeta e tij si publicist dhe gazetar. Ndoshta këtu gjinden shënimet dhe dorëshkrimet e krijimtarisë së pabotuar të tij, por, që për sa kohë, Naum Prifti jetoi dhe shkroi mes Shqipërisë dhe Amerikës, ashtu siç ai gjendet mes dy kohëve, profili i tij shpreh dëshirën për t’u njohur nga brezat e rinj. Autorja dhe gazetarja e emisionit Profil Greta Topjana e Euronews Albania e ka “takuar” autorin Naum Prifti për herë të parë si nxënëse në 9-vjeçare kur lexoi tregimin Mandolina e prej atij momenti ka qenë shumë kureshtare të njohë më shumë veprat e tij, por edhe vetë autorin. “Vitet kaluan dhe fatkeqësisht vjet mora vesh lajmin e trishtë që Naum Prifti kishte ndërruar jetë dhe përtej keqardhjes njerëzore kisha edhe keqardhjen që nuk e takova shkrimtarin nga afër për të më shuar shumë kuriozitete që kisha,” shprehet Greta. Profili i përgatitur prej saj gjatë muajit marsit Amaneti i Naum Priftit transmetohet në Euronews Albania https://youtu.be/qltOXuEliys…

Ajo ishte kureshtare të dinte më shumë përveç se për krijimtarinë e tij edhe për jetën personale mes Shqipërisë dhe Amerikës… për më tepër ngaqë “veprat e autorëve si Naum Prifti janë krijuar në një kohë kur letërsia ashtu sikurse çdo gjë tjetër kontrollohej nga shteti… por ai me një elegancë i shkroi fëmijëve për historitë apo personazhet e fshatit duke i kamufluar me emrat simpatikë të librave të tij. Duhet të jemi mirënjohës për veprat që ka lënë pas shkrimtari se ka rritur dhjetëra breza fëmijësh me vepra shqip të cilat edhe sot në një epokë dhe regjim tjetër për Shqipërinë janë po aq të dashura,” vëren gazetarja Greta Topjana. Duke e parë në tërësi trashëgiminë letrare të Naum Priftit, ajo e quan atë “pjesë të kujtesës kulturore të popullit shqiptar … Duhet ta kujtojmë të shkuarën për të mësuar nga gabimet, por edhe për të vlerësuar punën e artistëve dhe intelektualeve që e çuan para misionin e tyre edhe atëherë kur një fjalë e “gabuar” të burgoste apo të internonte….”

Pa dashur as ta quajmë rastësi dhe as fat si të tillë, mund të shikohet më tej se si puna dhe përkushtimi rizbulohen edhe atëherë kur njeriu kontribuon mes bashkëkombësve për Shqipërinë. Ndonëse jo fort e hulumtuar më vete, publicistika e Naum Priftit vlen të zbërthehet si komponent kyç në unin e tij krijues për nga rëndësia dhe përkushtimi i njohjes të së vërtetës njerëzore sepse kërkimi me natyrë publicistike dhe kureshtja për njerëzoren ishin burimi i krijimtarisë së gjatë të Naum Priftit. Në qershor të vitit 2018, me rastin e 106 vjetorit të Vatrës, ish-Sekretari i Vatrës Naum Prifti mori nderim jetësor. Në fjalën e tij, ai më shumë theksoi se çfarë do t’i duhej një publicisti dhe gazetari në profesion dhe që e ndihmon atdheun të cilin dëshiron ta shohë të qytetëruar.

“… unë shkela çdo pëllëmbë toke të hapësirës brenda vendit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe kudo mbajta shënime udhëtimi. Njoha fshatarin, punëtorin, policin, ushtarakun, bariun. Shkruajta për vuajtjet e mundimet, këngët e legjendat, humorin dhe tragjedinë shqiptare. Mbi të gjitha njoha shpirtin shqiptar çka u bë dhe mbeti burimi i krijimtarisë sime”.

Të flisje në një tubim feste me bashkëkombësit ku një organizatë atdhetare e kishte kapërcyer shekullin dhe është më shumë se pavarësia e Atdheut, kjo tregonte shumë jo vetëm për thjeshtësinë dhe ndjenjat profesionale, por për detyrimin që shqiptarët duhet të kenë për t’i trashëguar këto institucione të para atdhetare si Vatra dhe Dielli.

Atë vit Naum Prifti ishte 86 vjeç dhe me aq sa kishte njohur dhe arritur, me thjeshtësi dhe nga zemra shprehej: “Forca e Vatrës nuk qëndron tek fondet e saj monetare, por tek shpirti i njerëzve të përkushtueshëm që udhëhiqen nga idealet e saj të larta atdhetare. Mendoj se në këtë përvjetor, Vatra ka provuar se i ka kaluar sfidat dhe sprovat. Dhe Kjo Vatër Nuk Ka Për T’u Shuar. Faleminderit për nderimin dhe Gëzuar!”

Shkëputur nga fjala e Naum Priftit mbajtur në Mbrëmjen Gala kushtuar 106 vjetorin e themelimit të Vatrës, 1 Qershor, 2018 https://gazetadielli.com/naum-prifti-kjo-vater-nuk-ka…/

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT