• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ANTITABU – për filozofinë filotabu shqiptare”

November 3, 2023 by s p

Dr. Donik Sallova/

Libri “ANTITABU – për filozofinë filotabu shqiptare”, i autorit, diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, është një libër i cili që në titull tregon aspiratën kundërshtuese ndaj temave, çështjeve, aspekteve dhe tipareve tabu të shoqërisë shqiptare, që përfshijnë shtetin dhe kulturën tonë shtetërore, kombin dhe historinë tonë kombëtare, kulturën dhe elitat tona intelektuale. Libri që thekson prirjen tonë filozofike tabuizuese veçanërisht ndaj nevojës, detyrës dhe obligimit për të mbrojtur, kultivuar dhe përparuar të vërtetën dhe interesin tonë kombëtar, denoncon rolin e elitave politike, intelektuale, kulturore e shkencore në mirëmbajtjen dhe ngulitjen e kësaj mendësie e filozofie edhe tek shtresat e gjera shoqërore. Duke u masivizuar si e tillë, kjo prirje tashmë është bërë normë dhe ka prekur pothuajse çdo segment të shoqërisë shqiptare, duke e rrezikuar kështu sistemin vleror që e mbajnë në këmbë kombin dhe shtetin.

Autori Murati, me saktësinë prej kronikani, me përkushtimin prej ditarëshkruesi dhe refleksionin prej intelektuali e studiuesi, ka evidentuar çdo ditë anomali të sjelljes e mendësisë sonë kolektive, por veçanërisht të elitave tona drejtuese politike e kulturore, që në thelb kanë filozofinë tabuizuese ndaj të vërtetave që duhet t’i dimë dhe t’i themi si shoqëri e si politikë, si dhe interesave që duhet t’i mbrojmë e forcojmë si shtete e si komb. Libri që përbëhet nga pasazhe mendimi e elaborimi mbi zhvillimet politike brenda dhe jashtë Shqipërisë (pra edhe brenda dhe jashtë Kosovës) për periudhën e viteve 2020-2023, vë në pah shkaqe dhe pasoja të filozofisë filotabu shqiptare, sikurse identifikon role të luajtura dhe qëndrime të munguara të elitave tona kundrejt kësaj filozofie.

Kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve, frika për të etiketuar se kush janë armiqtë e interesave tona kombëtare dhe qasja krahinore në politikat shtetërore janë disa tipare që autori evidenton tek elitat tona politike në Shqipëri e në Kosovë. Mungesa e qëndrimit dinjitoz dhe kundërshtues të elitave politike në Kosovë deri në vitin 2021 ndaj qasjes favorizuese të BE-së kundrejt Beogradit në dialogun Kosovë-Serbi, servilizmi i elitave politike në Shqipëri ndaj Serbisë dhe Greqisë në vend të mbrojtjes së interesit shqiptar në Ballkan, indiferenca e shtetit shqiptar ndaj absurdit të Shqipërisë në NATO me Greqinë që e mbanë në fuqi ligjin e luftës ndaj nesh e deri tek gjuha abstrakte e politikanëve shqiptarë që kur kujtojnë masakra e krime kundër shqiptarëve gjithnjë harrojnë t’i përmendin emrat dhe kombësinë e krimineleve që i kryen këto krime, janë vetëm disa nga tabutë që thyen ky libër.

Studiuesi Murati, konsideron se ky servilitet i elitës politike shqiptare kundrejt shteteve fqinje burimin e ka në faktin që në politikën shqiptare asnjëherë nuk ndodhi tranzicioni i propaganduar nga komunizmi në demokraci, por se kjo klasë politike është reciklim i programuar i nomenklaturave komuniste të cilat u mbollën në Shqipëri pikërisht nga shtetet fqinje, përkatësisht dhe veçanërisht nga Serbia. Ambasadori kritikon me ashpërsi qëndrimin e nënshtruar të qeverisë shqiptare ndaj politikës greke dhe pretendimin e saj të shprehur gjithnjë e më shpesh për kinse cenimin nga shteti shqiptar të minoritetit grek në jug të Shqipërisë. Në të kundërt, qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka përfaqësuar ndonjë politikë kushtëzuese në raportet më Greqinë, duke hequr dorë përfundimisht nga hapja e çështjes çame, nga kërkesa për shfuqizimin e ligjit të luftës, apo edhe duke qëndruar krejtësisht indiferente ndaj ambicies së Greqisë për zgjerimin në ujërat e detit Jon.

Si një vazhdimësi e librit “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”, ambasadori Murati edhe në këtë libër ka paraqitur kritikat e tij ndaj qëndrimit të qeverisë së Shqipërisë për raportet Kosovë-Serbi. Që nga mbështetja për projektin serb të Mini-shengenit ballkanik që dështoi në “Hapjen e Ballkanit” për influencën ruse, e deri tek marrja nën mbrojtje nga kryeministri shqiptar të “pozicionit të vështirë” të Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, dëshmohet se qeveria shqiptare nuk e ka parë Serbinë me sytë e Kosovës, por përkundrazi duke i ofruar bashkëpunim pakushte Serbisë në projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke e kritikuar qeverinë e Kosovës në politikën e saj, Tirana zyrtare gjithnjë e më shumë i është qasur Kosovës nga pikëvështrimi i Beogradit.

Si një diplomat karriere, që njeh gjuhën diplomatike, autori në libër ka paraqitur kritikat e tij kundrejt qasjes së Bashkimit Europian ndaj Serbisë politika e së cilës vazhdon të zhvillohet e papenguar brenda margjinave të shovenizmit e hegjemonizmit. Pavarësisht se Serbia replikon deri në autenticitet sjelljen e Rusisë me pretendimet territoriale dhe kontrolluese ndaj fqinjëve, BE-ja e ka toleruar, për të mos thënë e ka inkurajuar Serbinë duke mos e dënuar asnjëherë as drejtëpërdrejt e as tërthorazi aspiratën e saj. Ajo çfarë ndodhi në Banjskë të Kosovës më 24 shtator të këtij viti i vërteton venerimiet e këtij libri se Serbia e perkdhelur nga Europa do të bëhet gjithnjë e më shumë si Rusia që pushtoi Ukrainën.

Libri që po promovojmë sot, synon që përmes rrëzimit të filozofisë tabuizuese të elitës politike të ndihmojë në përmirësimin e shoqërisë shqiptare e cila nuk qëndron jashtë fokusit të kritikës së tij. Si një popull që është vonuar në shumë procese historike, dhe siç thotë autori, edhe ka gabuar përgjatë historisë, e ka të nevojshme reflektimin e thellë për të ndryshuar, si kompensim i revolucionit të munguar në historinë tonë kombëtare. Kombet që nuk janë themeluar me revolucion, pra që nuk i kanë për-kufizuar disa vlera dhe norma me vijë të kuqe, atëherë këto kombe përgjatë historisë kanë pasur probleme më të mëdha dhe të ardhmen e kanë ndërtuar me më shumë vështirësi e shpesh edhe me çmim më të lartë. Prandaj, libra si ky të autorit e mendimtarit kombëtarist Shaban Murati janë një pedagogji e domosdoshme kombëtare per shoqëritë si e jona.

Ky libër, sikurse edhe shumë libra të tjerë të Shaban Muratit, do t’i bashkohen korpusit të veprave që përmes kritikës synojnë të nxisin reflektimin, ndryshimin dhe përmirësimin e shoqërisë shqiptare. Këtu kam në mendje vecanërisht dy librat e publikuar së fundmi të Elvis Hoxhës “Parapolitik 1 & 2”, si dhe librin e Hysamedin Ferajt “E pafilozofuara” si një tekst pionier mbi filozofinë e pafilozofuar shqiptare. Shaban Murati është sot ndër figurat e rralla që me vitalitetin e tij prej krijuesi po plotëson boshllëqet e mendimit mbi kombin, interesin e strategjinë kombëtare të krijuara nga mungesa e rolit parësor në shoqëritë tona të Universitetit dhe Shkollës Kombëtare. Përmirësimi i shoqërisë shqiptare padyshim që do ta përmirësojë edhe politikën dhe shtetet tona, sepse siç thotë Aristotetli “virtyti i qytetarit është edhe virtyti i shtetit”.

Filed Under: LETERSI

Prania e veprës së Camajt në arealin e shqipes

November 2, 2023 by s p

Behar Gjoka*/

Me veprën letrare të Martin Camajt, fati ka qenë i dyzuar, madje edhe tani më tepër është një prani e papranishme. Njëherit, ka qenë lodërtar dhe i mbrapshtë, sepse Camaj e thoshte me sublimitet: Unë jam i juej, e ju jeni të mitë! Po ne, bashkëkombasit e shkrimtarit, lexuesit e veprës letrare dhe gjuhësore, a ia kemi mbërritur momentit ma ia kthye, po me atë klithëm dashnie që poeti e la vjerrë. Camaj dhe vepra e gjerë, ende notojnë në rrethin vicioz, që pati përmendur me herët Ardian Klosi: … në çdo epokë kemi të bëjmë me një luftë pa mëshirë kundër elitës kulturore shqiptare, që kositet sapo hedh rrënjë., e cila parathotë fatin e secilës kohë. Thirrja, që buron prej vetëdijes së vlerave të endura prej M. Camajt, do të jetë: Ti je yni e na jemi të tutë! Në këtë komunikim transhendental, tejet largëvajtës, gati-gati kozmik, shumëçka asht pezull, në pritje të një moti ma dashamir e mirëkuptues, që vlerat të radhiten në krye të shenjave moderne të letrave shqipe. Në thelbin shkrimor, ka qenë lodërtar, jo se deshti, po se nuk pati shteg tjetër, në kuptimin që asht një dukuni atipike, e gjuhës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore. Martin Camaj, në gjallje dhe amshim, ka rendur në kundërpërpjetat jetësore dhe intelektuale. Jeta dhe vepra e Camajt, është kundër rrjedhës së kohës, kundër rrjedhës letrare dhe gjuhësore (në Shqipëri pas vitit 1944), ndonëse nuk bani beteja “gladiatorësh”. Me laryshi, pa bujë dhe zhurmë, duke u thelluar në shprehësinë letrare, i kundërvihet amullisë së unitetit dogmatik. Rrethana e shkrimit të përkundërtë me realizmin socialist, vijimi i lavrimit të gegnishtes, janë dy treguesit, që e bëjnë fatin e tij, të mbrapshtë në letërsinë bashkëkohore. Dy prej shenjave identifikuese, janë tregues përveçimi nga pjesa tjetër e letërsisë bashkëkohore, të cilat parashtrojnë veçanësinë:

A – Me shenjat letrare në shkrimin e poezisë, prozës, dramatikës, bartin dy cilësi:

– Mungesa e realizmit socialist, që lidhet me refuzimin fillimtar, arratisja për shkaqe politike, i dha dorë për të shpëtuar nga shkrimi ideologjik në letërsi.

– Kurba e lavrimit letrar, në poezi dhe prozë, falë shtegtimeve në Prishtinë, Romë, Mynih, kontakteve me letërsinë moderne, gjurmimeve të vlerave letrare, shndërrohet në një përvojë moderne në letërsinë bashkëkohore. Moderniteti që ngjizet duke gërshetuar traditën e letrave shqipe, me frymën moderne të letërsisë europiane, spikatet në përmbledhjet poetike Nema, Bualli, Palimpsest, e sidomos në madrigalin Drandja, si dhe në romanet Rrathë dhe Karpa.

B – Sendërgjimi i veprës, në poezi, prozë dhe dramatikë, me anë të variantit të gegnishtes, me ndonjë element të arbërishtes. Fakti i shkrimit të veprave letrare me variantin e gegnishtes, ndonëse të përpunuar, në nivelin e gegnishtes letrare bashkëkohore, e cila formulon dy tipare:

– Ndërlidhjen e letërsisë me traditën e shqipes, “Meshari” i Gjon Buzukut.

– Shkalla e përpunimit të gjuhës, në dëshminë e teksteve, me kahje moderne.

Shkrimi letrar në variantin e gegnishtes, vijon që të mbetet nyja gordiane e teksteve letrare të Camajt. Qasja ndaj lavrimit të gegnishtes, është lënë në heshtje, me gjasë, është nënkuptuar si çështje e qartë, e cila nuk ka nevojë për thellim argumentesh. Faktologjia e shkrimit në gegnisht, është tregues i shenjave unike që bart krijimtaria letrare. Hapësira tekstologjike, botimi i veprës letrare dhe gjuhësore, është përgjigjja më e mirë, ndaj përpjekjeve për ta lënë në hije. Shkrimi i teksteve në gegnisht, ku merr vlerë dekodimi i fakti gjuhësor dhe letrar. Shtrimi dhe zgjidhja e problemit thelbësor, të poetikës së Camajt, mishëruar në poezi, prozë dhe dramatikë, nuk ka gjasa të tejkalohet. Në mesin e shtysave, që e detyruan që të lëvronte gegnishten, ta ngrinte në zenitin e ligjërimit bashkëkohor, kërkohen te gjurmët personale, si dhe të konteksteve jetësore dhe rrethanat e shkrimit të gjuhës dhe letërsisë në bashkëkohësi. Megjithë atmosferën e shumëfishtë, dy shkaqe, shihen si më kryesoret:

E para: Mundësia e ngallicave siprane, që e nxitën Camajn, për të vijuar lavrimin e gegnishtes, është një ndjesi e brendshme, e thellë, që lidhet me ligjërimin bisedor me të cilin u rrit. Kur autori la atdheun, e vetmja “pasuri” e patundshme, që mori me vete ishte gjuha gegnishte. Në një kuptim të ngushtë, gegnishtja për Camajn, ishte djepi ku u përkundën dëshirat, aspiratat, andrra për një jetë ma të mirë, e sidomos për liri kreative.

E dyta: Faktografia domethënëse, ku pjesa dërrmuese e teksteve , është plasuar me gegnishte, në kuptimin logjik, është vijimi i kundërshtisë së Kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, gjë që gegnishten e përvijon si “vorri” ku fle magjia e shkrimit. Camaj e dinte se çka ndodhte në Shqipëri, madje e ndiqte me shqetësim, sidomos rrëshqitjen e letërsisë në binarët e realizmit socialist, si dhe të përpjekjes sizifiane, të fitimtarëve të komunizmit, për të rrudhur praninë dhe rolin e gegnishtes, arbërishtes dhe të secilës ngjyresë të gjuhës shqipe. Kjo rrethanë, e përjashtimit absurd, e cila megjithatë vijon sot e gjithë ditën, krijoi ndarje sociolinguistike, si dhe përthau ligjërimin bisedor dhe letrar, si pasojë e trysnisë jashtëgjuhësore të ushtruar nëpër këto vite.

*Autor i librit Martin Camaj-shkrimtaria e tij, botuar në vitin 2010

Filed Under: LETERSI

Wilhelm zu Wied: Memorandum për Shqipërinë

October 30, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Princi gjerman i Shqipërisë, Wilhelm Wied, në vitin 1917 hartoi “Memorandumin për Shqipërinë”, në të cilin ai flet për formimin e shtetit të Shqipërisë dhe mbretërimin e tij si Princ i Shqipërisë, si dhe për situatën e politikës së brendshme, të jashtme dhe ekonomike të vendit.

Princi gjerman Wilhelm zu Wied (1876-1945) lindi nga një familje fisnike protestante në Neuwied në Rhine, i vendosur midis Bonn dhe Koblenz. Nëna e tij ishte Marie, Princesha e Holandës. Një oficer në ushtrinë prusiane, Wied ishte një kushëri i perandorit gjerman dhe ishte nipi i mbretëreshës Elizabeth të Rumanisë. Ai ishte i martuar me Princeshën Sophie (1885-1936) nga Schönburg-Waldenburg në Saksoni. Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i ofruan atij si kandidat kompromisi, fronin e vendit të sapopavaruar të Shqipërisë, tokë për të cilën ai dinte shumë pak në atë kohë. Pas reflektimit të duhur, ai pranoi ofertën dhe mbërriti në Durrës më 7 mars 1914 me një anije detare austro-hungareze për të marrë fronin e mbretërisë së tij të re të vogël. Situata kaotike politike si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët e Shqipërisë, e bëri praktikisht të pamundur mbretërimin e princit dashamirës. Përveç kësaj, si rezultat i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai mori pak ose aspak mbështetje financiare ose ushtarake nga jashtë. Më 3 shtator 1914, pas më pak se shtatë muajsh në fron, princi braktisi Shqipërinë në bordin e një jahti italian, megjithëse pa abdikuar zyrtarisht. Ai kishte shpresuar të kthehej në Shqipëri pas luftës, por humbja e Gjermanisë në vitin 1918 i bëri këto pritje iluzore. Më 1917, ai regjistroi një “Denkschrift über Albanien” (Memorandum mbi Shqipërinë) me tetëdhjetë e dy faqe, në të cilën ai prezantoi pikëpamjen e tij për mbretërimin e tij të shkurtër si dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë Memorandum mbi Shqipërinë princi Wied trajtoi këto tema:

1. Takimi i Ambasadorëve të Londrës

2. Shqipëria deri në zgjedhjen e princit të ri

3. Zgjedhja ime si Princ i Shqipërisë

4. Koha në Shqipëri

5. Shqipëria gjatë Luftës Botërore

6. E drejta ime për Shqipërinë

7. E ardhmja e Shqipërisë

8. Pyetje të politikës së jashtme

9. Pyetje të politikës së brendshme

10. Ridizajnimi i ushtrisë

11. Qeveria dhe administrata

12. Çështjet ekonomike

Filed Under: LETERSI

Mirënjohje, për një poet, shkrimtar dhe botues, në librin “Fuqia e fjalës, së Adnan Mehmetit”, të Namik Selmanit

October 26, 2023 by s p

Emi Krosi/

Kur në jetë vlerësohesh, për veprën tënde, sidomos në kozmosin e madh të letërsisë, pasi kur fillon të shkruash mendon se unë do të bëhem “më i madhi”, apo unë do të arrij në majë, por përmes zjarrit të kudhrës së durimit, duhet të farkëtosh të ardhmen tënde, sidomos përmes librave dhe leximeve, e kupton që ke mbetur në fund. Por, të shkruarit nuk ka garë. Nuk bëhet turravrap. Ajo do durim, kohë, që vetë “horizonti i pritjes”, të shpalosë gjithë atë peshtaf të botës tënde letrare dhe të shkrimtarisë. Po si? Përmes interferencave të kohëve të reja, përmes kumteve të vlerave, përtej vetëvetes, kur i mat vlerat edhe me të tjerët dhe nuk je aq egosit, për të thënë: ua, sa i madh jam!

Në sfondin vjeshtës së Tiranës, ku rrugët kanë shtruar tapetin ngjyrë okër, areola e pemëve tashmë ka zhveshur gjymtyrët e tyre të drunjta, në tetorin e librit, Namik Selmani, vjen me një monografi, të shkruar shkurt por bukur, për Adnan Mehmetin, me titull: “Fuqia e fjalës, së Adnan Mehmetit”; e përbërë nga këto pjesë:

– pjesa e parë; (rrugëtimi njëzetvjeçar në familjen e madhe të Lidhjes Shqiptaro-

Amerikane të Shkrimtarëve, poeti A. Mehmeti, e lidhi jetën, veprën, përditësinë me atë Lidhje), për të ndryshuar, ndoshta edhe historinë e trishtë, të kësaj lidhjeje që fillesat e saj i ka që nga emigrantët e parë shqiptarë në Amerikë. Në atë komunitet të madh, ka lindur gazeta “Dielli”, u themelua Kisha Autoqefale Ortodokse e udhëhequr nga At. Noli, ka lindur VOA, (Zëri i Amerikës në shqip), pastaj lindja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Amerikës e shumë …e shumë organizata të tjera. Shumë punë, duke shpalosur librin dhe gjuhën shqipe para lexuesit amerikan, duke mbledhur dhe promovuar në një panair libri, shumë shkrimtarë dhe poetë shqiptarë që jetojnë në Amerikë: po, ky emocion ka edhe një emër. Një emër organizatori. Është libri, por dhe ata që e ideojnë këtë aktivitet. Por, merita ka dhe për botimin e “Penës”, revistë e Shoqatës, ku promovohen të gjithë krijuesit shqiptar në mbarë hapsirën amerikane. Po, ashtu edhe shtëpia “Adriatic Press”, një shtëpi që promovon vlera duke botuar, libra dhe përkthime cilësore, ashtu siç “Albumi” i Fan Noli-t, që ribotohet pas 75 vitesh. Ja çfarë shkruan autori: “ Adriatic Press” ka të drejtën për të botuar revistën “PENA” organ i shoqatës, si dhe të gjitha librat që lidhen me shoqatën e shkrimtarëve”. Edhe aktiviteti, me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së Nolit me Shoqatën në Boston, apo edhe pejzazhe, meditime, kujtime, intervista, publikime, shkëmbime idesh dhe promovime, takime letrare etj., vinë si kurora mbi këtë libër, për nderim të veprës dhe punës së Adnan Mehmetit.

– pjesa e dytë: (është më poetike dhe letrare, me persiatje, vështrime, kumtesa, recensa

dhe qasje kritike për veprat e poetit dhe shkrimtarit Mehmetit, konkretisht “Ndajfoljet e vendit” poezi dhe udhëpërshkrimet tek libri “Simfonia e udhëtimeve”). Autoi ka risjellë shkrimet e miqve, por edhe të pjestarëve për veprën e tij, jo vetëm letrare, por edhe për eventet letrare-kulturore, si edhe për “artin” e organizimit të konkurseve, apo edhe të festivalit të poetëve shqiptarë në Nju -Jork. Nuk mungojnë edhe shkrimet për veprën letrare, por sidomos për veprën me udhëpërshkrime; “Simfonia e udhëtimeve”, një urë komunikimi mes vendeve, popujve, kombeve, feve, besimeve dhe kultura të ndryshme. Marrëdhënia mes një kulture të një kombi shumëmilionësh, shumëgjuhësh dhe multikulturor, përballë një kombi me një gjuhë më të vjetër në botë dhe me kulturën më të lashtë, të trasmentuar brez pas brezi nëpër shekuj.

Sëfundmi: libri na rrëfen sesi, A. Mehmeti, ka arritur të krijojë një njësi të përbashkimit të gjithë shkrimtarëve, artistëve dhe kulturologëve që jetojnë në gjithë hapsirën e madhe Amerikane, të mblidhen, të promovojnë vlerat e kulturës tonë të lashtë Iliro-Dardane, sidomos të gjuhës shqipe, një gjuhë, që pas gjashtëmijë vitesh, akoma flitet dhe shkruhet nga folësit e saj shqiptarë.

Filed Under: LETERSI

KUR LINDI ATI…

October 23, 2023 by s p

AT’ GJERGJ FISHTA I LETRAVE SHQIPE

– në 152 vjetor, adhurim dhe antologji –

nga Visar Zhiti

Përpara emrit të poetit GJERGJ FISHTA gjithsesi vemë atë fjalëzën e shkurtër, por të madhe dhe parake, “Atë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej ÁTI, që nuk i vjen vetëm prej hierarkisë kishtare si françeskan, ai është si atë në letrat shqipe dhe ende më thellë, në vetëdijën e shqiptarit.

Ai është mbartës dhe përcjellës i amaneteve, i kumteve që dalin nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve, u bë vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një eposi madhështor, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne e shekullit XX, ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhëmbje dhe dufe, dhe befas si poet ai di të shndërrohet dhe në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zëmërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Po, po, At’ Gjergj Fishta ka kohën e tij, e krijoi vetë… Bëhet dhe i pakohë dhe po aq aktual, kur është qortues, duket sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet vazhdimisht mes njerëzve.

Átë Gjergj Fishta u shqua dhe si veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet në Tiranë, akademik në Romë, në kolonat e kulture europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.

ÀT GJERGJ FISHTA është një fenomen Kombëtar, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, madhor e deri dhe anekdodik. Kur dikush, p.sh, mes njerëzve niste të recitonte diçka prej tij, – e kujtonte albanalogu i shquar Robert Elsie, – menjëherë të tjerë e vazhdonin recitimin, dukej sikur krijohej aty për aty kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobuz, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.

Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, që kërkonte harrim, e shoqëruar me denigrime e fyrje si askujt, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet e tij, por më shumë se aq. Vepra e At‘ Gjergj Fishtës është vetëdijë dhe qendresë, kushtrim dhe dinjitet, eshte shkëmb metaforik. Peizazhi më i fuqishëm i mendësisë shqiptare. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *

Sot, më 23 Tetor, bëhen plot 152 vjet nga lindja e tij. Natyrisht populli dhe shteti ashtu si akademitë, Universitetit, kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, etj, e kanë thënë fjalën për At’ Gjergj Fishtën, gurra që nuk shterr… dhe duhet ta thonë në çdo përvjetor. Asnjë gazetë nuk e përkujtoi sot, më shkruan me dëshpërim njëri prej lexuesve të tij më pasionante, Zef Skanjeti, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, por risjell fjalët e mia të thëna shpesh për Fishtën dhe “antologjinë e vigël”, të përgatitur nga Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.

Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmëritsht me Shqipërinë dhe shqiptarët…

SHQYPNISË

(1909)

T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,

Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës,

qi vallzon n’blerim të prillit;

porsi i ambli fllad i erës,

qi lmon gjijt e drandofillit;

porsi vala e bregut t’detit,

porsi gjama e rrfés zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,

porsi gjumi m’nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

edhe ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka’i bien qiellvet tue flutrue

n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.

……………………………………..

SHQIPNIA E LIRË

(1921)

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë

S’njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m’cak të vet.

DREDHA E DJALLIT

Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmeron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shën. nga Z. S.)

……………………………………

E shka t’lânë kta kater ujq,

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se per né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi…

Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t’vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

MOMI

(1902 )

(MOMI – I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)

…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjale e flasin:

Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…

…………………………………………….

M’ kambe kryekungujt prej si u vune,

Duel padija n’ krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t’urtit jashte kuvendit.

Duel me faqe t’ bardhe tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnise zani atehere i humbi,

T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s’e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin…

KOHA E ARIT NE SHQYPNI

(1907)

…Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashke se dy shqyptarë.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n’drite kane dale:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m’nji fjale.

…Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.

JO, heu paça ! S’jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S’a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtete e tu njehe miza…

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

(Duke u nisur veçanerisht nga kjo “bisede”, shënim Z.S.)

Skanderbegu : A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?

Djalli : Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…

Shen Pjetri : …Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni…

…

Skanderbegu : Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?

Djalli : Si jane?… Si i don anmiku…

PALOKE CUCA

(Poeme satirike, 1922)

Fragment

Ah, ju grekomanë – do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,

Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë

Që, sikur orli lëshon permbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë

E llapazana t’sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.

……

*- të katolikë

( SQARIM – me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët.)

“KORRUPSIONI”

— nga “Gomari i Babatasit”

Kush zhelan-kush sallahan,

Po yrysh lshue t’gjith m’pilaf,

Ta kanë qitë, po, Shqipnin n’grusht,

E toçë brryl mastikë e n’musht,

T’kanë ba zyret monopol

Ç’prej Koplikut m’Konispol,

Franka ar tue grrye me spol,

Do ministra-e Kryeministra,

Tjert prefekta-e nënprefekta,

Kta n’Botore ata n’Foshnjore,

Disa antarë-disa gjygjtarë:

Kush me da tokën e Shqipnisë…

Ju rrugaça e sallahana,

Vagabonda, shakllabana,

Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,

Qi të mjerës moj Shqypni

Kthellë hi i keni në mushkni,

Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

Po der kur, bre batakçi!

Bre coftina kalbë mbi dhe!

Der kur ju tu’ u tallë npër ne,

Do t’na qelbni fis e atdhe?…..

Për do “gazetarë”

…

Edhe kshtu po qep e shkep,

Me nji shqipe per gazep

E si t’ishin ne kllapi,

Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,

Pa pase shkrimi as kambe as krye,

N’ mereqep kartat kane zhye,

E t’ kane pjelle-me nder me thane-

Njata artikuj qe ty dhane

S’ t asht der sot me u vu me i kndue.

Se ata, besa – m’ndigjo mue-

Nuk i kane shkrimet zanat:

S’ jane per pendë, por jane per shat.

Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjate jeta!

Per me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jete ma parë

Njeri i ndershem e atdhetar,

T’ jete fisnik, zemer-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket hafije

Mandej duhet qe t’ kete dije-

Dije t’hàpt n’ekonomi,

N’histori e ne tregti,

N’politike e ne drejtsi;

Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi

Shk’ asht lirija e qytetnimi,

T’ jete shqiptar ne shkrim e n’goje,

Fjala n’pende mos t’i ngurroje:

Mbare e mbare punte t’i kallzoje

Me t’ ngushtue me kndue perdhuni

Shka nder shtylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiote e laraman,

Qe mendon se per taman

Te tane bote rri n’ “sahan”,

Çka mund t’ shkruej, po t’pyes une ty

Ky qi as byk nuk ka ne krye,

Jo ma tru?…

Lahuta e Malësisë

Fragmente

(Tek Epika shohim te skalitura si postulate pjese te historise se vertete te Shqiperise, te miqve e te armiqve te saj) Shënim i Z.S.)

Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit *

N’dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t’drejta t’njerit

Si t’duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s’mbolle, mbjell n’arë t’hueja

Der ku t’duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n’duer tueja?

……………………………………..

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkashit

Çohi djelm si shqipe t’lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t’mos u dhimet jeta.

Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre gjallë mbi dhe

Për dhe t’vet kush dekë ka ra

Ai s’ka vdekun, por ka le.

*- Rusia

* * *

(Një ligjerim në gojën e Marash Ucit tek Lahuta… mund te cilesohet si amanet i Fishtes per brezat, nje “shkolle” e vertete edukimi, pse jo edhe per sot… Shënim i Z.S.)

Amanet un ‘jam t’u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m’u xanë

Mos m’u xanë, as mos m’u nga

Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T’huejn me fjalë mos t’ a poshtnoni;

Bukën para, por t’ia shtroni

N’Shqiptari si a kenë zakoni

………………………………………

Edhe n’mend kinje nji fjalë:

Zemres s’frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n’va t’pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *

Për deshmoret në Letersinë Shqipe zor se gjendet ndonjë poezi më e bukur e dinjitoze. Po tek Lahuta, tek Kanga Ndermjetesia, një perlë e veçante për armonie fetare të vertet në Shqiperi.

(Shën. i Z.S.)

…O ata t’lumtë qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

………………………………………..

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue

për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

(I zgjodhi Zef Skanjeti)

Foto: “Adhurim brezash” – kompozim nga piktori Gjergj Kola

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT