• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË GJYSMË SHEKULLI POEZI NGA NIKO KACALIDHA

August 3, 2023 by s p

Visar Zhiti
Roselle, Chicago/

– mbresë –

Duke shfletuar sërish antologjinë e poezive të zgjedhura të poetit Niko Kacalidha, “Heraldikët e borës”, fëshpërimën e fletëve të librit ke qejf ta krahësosh me fëshfërimat e gjetheve të një pylli dhe e ndjen se është fjala për pyllin e kujtesës, me dritëhijet e tij, dhe jo thjesht të një vetmitari, që endet andej, por të kujtesës së gjerë, njerëzore, të emocionit të saj, që atë pjesë të kohës së vet e ktheu në poezi.
Janë 50 vjet krijimtari, që dhe unë e kam të njohur qysh në rininë time të parë, gjimnazist, e një poeti të ri, Niko Kacalidha, që duket se ka mbetur i tillë, duke ruajtur atë freski e habi të bukur duke i shtuar vit pas viti përvojën dhe maturinë epike. Dëshira e atëhershme për ta njohur poetin, por që mund të mos e takoje kurrë, përmbyshet tani me poezinë e tij, aty paraqitet ai më së miri.
Dhe ke një dëshirë tjetër, si ta përkufizosh poezinë e tij, ç’mund të thuash për të dhe e gjen, ajo përkufizohet vetëm me vetveten.
Vazhdoj shfletimin, libri sikur bëhet më i dashur me autografin e autorit, i shkoj në fund, lexoj distikun e fundit:

“Mirë, në fillim ishte fjala dhe kjo
nuk lëkundet.
Po pse para ekzekutimit kërkohet
fjala e fundit?”

Tronditëse fjala ekzekutim. A mos është metaforë? Se në fund të fundit ka një çast suprem të tillë për të gjithë, po jo për jetën, jo…
Dhe kthehem prapë në krye të librit, në faqen e parë, poezi e vitit 1972, ja dhe vargu i parë:

“Unë jam paqësor si deti dhe i egër
si deti…”

Dy krahasime me të njëjtën gjë, detin dhe deti s’është thjesht “gjë”, por është metaforë jete dhe vetë jetë, zanafillë dhe përjetësi dhe dallgët e tij janë vargjet homerikë të poemës së njeriut që i rri përballë dhe thirret prej tij, në ravgime përmes shkulmeve dhe legjendave në zbulime ishujsh të rinj e stere tjetër, në kthimet kavafjane, etj, etj, ku:

“Dallga jepte shpirt
në brigjet tona”… –

kështu thotë poeti. Brigjet tona janë gjoksi ynë me një det të tërë shpirti…
Dhe futemi prapë në pyllin e kujtesës, në atë të vetes, me poezinë e Niko Kacalidhës dhe gjejmë prapë natyrë e mitologji, cicërima zogjsh e tempuj, dhimbje dhe Trojë, ikje dhe varre, drerë, Akeront, Sarandë, Helenë, Bibël, Krisht, verë, forma të tjera poezie, tercina, vendlindje, Greqia e re, një vend tjetër europian, Gjermania, udhëtime e poezi si prozë e shkurtër, flatra Shqipërie, shkronja korsive, elegancë, metafora të tjera “Trupi i agulllimit” dhe prapë etj, etj:

“Darka e shenjtë
Unë i paftuar në vetminë e detit.
Të dehurit e flaknin nëpër dallgë
dhe copë e çikë bëhej kupë e hënës.

Helena
Tre mijë vjet kërkoj nëpër Trojë
dhe gjej vetëm pleqtë mbi mure
transparencës së këmishës tënde.

Ferri i çarë
Frynte era e egërsisë së shpirtit.
Shkallëve dy këpucë të shqyera.
Mos ishin vallë të Visar Zhitit?”
…

Natyrisht s’kam si të mos ndal te kjo befasi, të gjesh emrin në varg, jo vetëm emri, por dhe këpucët, metaforë e ecjes, akoma më shumë – dhe Ferrin tënd të çarë, fat i një populli, çast dantesk…
Takim i ri dhe ku, në poezi. Më i sinqerti.
Më i sigurti dhe më i pambrojturi mes dhimbjeve dhe zemëratave si në një shtjellë…
Mbyll kopertinat e librit si për t’u mbrojtur vërtet dhe më bëhen si porta kështjelle. Nga brenda tyre kanë shkruar poetë dhe studiues, Sadik Bejko e Jani Malo, Moikom Zeqo e Gëzim Basha, ndërsa pas në shpinë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, të gjithë e gjejnë të arrirë dhe të virtytshme poezinë e Niko Kacalidhës, poetit shqiptar dhe grek bashkë, truall nga njëri dhe qiell nga tjetri, po dhe e ndërsjellta dhe deti i përbashkët, Joni: poezia.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Pritja për Jashtë Shtetit – E Vërteta dhe Prapaskenat

August 1, 2023 by s p

Naum Prifti/

Pas një karantine të gjatë për vizë hyrje, vëllain tim, Peter Priftin, e lejuan të vinte në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1985, pak muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Lejimi i tij nënkuptonte se çështja e pastërtisë politike të vëllait ishte zgjidhur. Dhe duke hequr nga supet hijen e dyshimit politik, Lidhja e Shkrimtarëve do lejonte që unë të hyja në listat e artistëve që udhëtonin jashtë shtetit. Pas pritjes disavjecare, krijova bindjen se çështja e vëllait nuk kishte ndonjë lidhje organike me daljen time jashtë shtetit meqë edhe pas ardhjes së tij unë nuk isha aq “i besuar” nga diskasteret sa të merrja pjesë në takime rajonale e ndërkombëtare me grupe të shkrimtarëve e artistëve shqiptarë. E dija se mënyra më efikase ishte të ankoheshe, të luteshe, të bëje zhurmë, të mallëngjeheshe, të çurriteshe, të qaje, duke shkuar nga instanca në instancë dhe sidomos të vije në lëvizje shokët, miqtë, të njohurit për të thyer opinionin dhe për të fituar përdëllimin e zotërve të plotfuqishëm. Në praktikë duhet t’u serviloseshe shefave, t’u rrije para e më shumë prapa, t’i qerasje, t’u premtoje dhe t’i siguroje se do të ktheheshe duarplot dhe përsëri t’i ftoje për dreka, darka, dhe madje të krijoje edhe një lloj miqësie familjare me ta.

Të gjitha këto unë i dija, por nuk isha aq i shkathët dhe as aq i zellshëm sa t’i praktikoja. Nuk më mungonin paratë, as koha, por më ngjanin të neveritshme veprimtari që s’përkonin me karakterin tim dhe ishin jashtë natyrës sime. Ndodhte që edhe t’i premtoja vetes se javën e ardhshme do takohesha me filan zyrtar apo drejtues, se do ta ftoja për drekë a darkë, dhe gjithmonë e shtyja për më tej, mbasi kurdoherë kisha diçka “urgjente” për të shkruar, redaktuar, recensionuar. Nuk mund t’i braktisja dorëshkrimet për t’u vërdallosur zyrave, korridoreve, shkallëve, oborreve të institucioneve. Pas debateve të brendshme momentale, më në fund vendosa se nëse ajo qe rruga e vetme për të çarë shtegun, duhet të mos mbaja më shpresa.

Gjithmonë kam patur plot shokë të mirë e të ndershëm, të cilët më kanë dashur dhe më duan, ashtu sikurse i dua edhe unë. Kam ndihmuar të gjithë ata që më janë drejtuar për ndihmë ndërkohë kam një lloj pezmatimi për ata shokë që i kishin mundësitë praktike të ndërhynin atje ku duhej për të lehtësuar “hijen e dyshimit” që më ndiqte pas dhe nuk i pashë të bënin për mua atë që do të kisha bërë unë për ta, po të isha në vendin e tyre.

Ndoshta u mungonte kurajua ose vullneti, ose të dyja bashkë. Një pjesë mendonin se gjendja ime ekonomike qe e shkëlqyer, se babai me kishte lënë një trashëgimi, se vëllezërit me sillnin dhurata sa herë vinin, se unë mund të blija çdo gjë te “valuta” ose nga firmat e mëdha jashtë shtetit. Në Shqipëri vajtja jashtë shtetit u bë biznesi më me leverdi ose rruga më e shpejtë për të siguruar përfitime materiale. Veç “blerjeve” vizita turistike është e paguar nga shteti, çka sjell edhe rivalitet të fortë, prandaj luftohet me çdo mjet, me intriga dhe shpifje, me bërryle e stërkëmbësha për të nxjerrë jashtë liste kolegun dhe për t’i zënë vendin. Konkretisht një javë shërbim jashtë shtetit sjell vlera materiale sa për gjashtë muaj rroge mesatare në vend. Nuk e harroj kurrë thënien e një shokut tim se i ngjallnin zili edhe këpucët e jashtme. Duke krijuar krahasime të paqena e fallco, dalja jashtë shtetit “justifikohej” me ç’rast për veten e tyre dhe për nevojtarët e shumtë, që shpesh ishin ata që ishin mësuar të ankoheshin vazhdimisht.

Çdo familje shtronte darkë kur përcillte dikë jashtë shtetit. Përveç një lloj tradite për t’i uruar rrugë të mbarë udhëtarit, aty festohej një lloj rritje në statusin e mirëqenies materiale të rrethit familjar e miqësor. Deri në vitet ‘70 kur shërbimet kufizoheshin në vendet e botës socialiste përfitimet qenë modeste. Kur u hap rruga drejt perëndimit, u krijua mundësia të silleshin orendi shtëpiake si televizorë me ngjyra, magnetofonë, kasetofonë, frigoriferë, lavatriçe, etj. Madje thuhej se shoferët e parqeve paguanin ryshfete fantastike deri në një çerek milioni lekë, pra dy vjet e gjysmë rrogë të një nëpunësi të lartë, për të siguruar një patentë TIR, sepse e dinin që do të nxirrnin dyfishin e tyre nga afër katër rrugëtime.

Mua tema e udhëtimeve jashtë filloi të më acaronte nervat. Më parë i dëgjoja plot kureshtje bisedat e të shëtiturve e njëherit të besuarve të pushtetit, por tani mezi i duroja. Tema më e shpeshte vërtitej rreth gastrologjisë, pjatave dhe gotave. Çfarë intelektualësh qenë këta që flisnin vetëm për barkologji? Kur më pyesnin njerëz që më njihnin pak, e kaloja shpejt duke thënë se kisha udhëtuar disa herë. Më shumë sesa nga kujdesi për të mbrojtur dinjitetin e Lidhjes së Shkrimtarëve, më dukej se nuk doja t’ju ngjallja dyshime si njeri që ka “cene” në biografi veçanërisht kur disa prej tyre as që dyshonin se unë kisha vizituar kushedi sa shtete. Nuk e harroj një mikun tim, i cili gjatë bisedës rreth përshtypjeve të tij në Turqi, kërkoi ndihmën time për emrin e një ure, duke besuar se unë e kisha parë Stambollin. Unë buzëqesha duke ia kthyer “Starovën po, Stambollin jo akoma”.

Nentor 1989 – Java e Kulturës Shqiptare në Austri minus Letërsinë

Seksioni i Jashtëm i Lidhjes më njoftoi zyrtarisht se bëja pjesë në grupin e artistëve që do shkonin në Linz, Austri për javën e Kulturës Shqiptare nga 9 në 16 nëntor 1989. Agron Kaiku që mbulon sektorin e jashtëm të Lidhjes më kumtoi se isha ngarkuar të mbaja referatin me temë “Identiteti kombëtar i letërisë shqiptare” “jo më shumë se 5-6 faqe të daktilografuara’ sqaroi ai. Kjo ngjau pa iu lutur kujt, pa iu ankuar as Lidhjes, as ndonjë zyre tjetër. Kjo do të thotë se nuk isha më i mënjanuari që përcillte të tjerët deri në aeroport. Kësaj here do të shkoja unë i përcjellë nga dashamirët.

Praktika e shërbimeve jashtë shtetit i përngjan një enciklopedie me skandale, intriga e prapaskena. Duke e ditur këtë, të interesuarit e ndjekin procedurën hap pas hapi dhe në çdo hallkë sepse dokumentet e dikujt ngelen në ndonjë sirtar derisa afron ose kalon afati i takimit, pas të cilit vjen shprehja “Tani s’keni pse niseni, sepse nuk e arrini aktivitetin.” Askush nuk mban përgjegjësi pse u vonua nisja dhe kush e vonoi. Madje edhe në simpoziume e konferenca ndërkombëtare, dërgatat shqiptare shpesh herë kanë vajtur me vonesë për arsye nga më të ndryshmet duke filluar që nga kursimi fondeve e të tjera me radhë. Edhe grupit për Austri ku isha unë mund t’i ngjante e njëjta gjë dhe nisur nga praktika nuk ua kumtova lajmin e gëzuar gruas e vajzave, motrës e kunetërve. E pohoj se isha ndjerë i anashkaluar dhe i mënjanuar prej kolegëve shumë më të rinj se unë, të caktuar në delegacione të ndyshme. Kur shkonin për herë të parë jashtë shtetit, disa prej tyre shprehnin një farë keqardhje sikur po kapërcenin mbi mua, sikur po merrnin para meje diçka që nuk u takonte, po pastaj shërbimet e tjera u dukeshin krejt të natyrshme. Kjo ishte edhe më e theksuar gjatë vizitave të shpeshta të anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ‘70 –’80 në Kosovë, kur mua nuk m’i dorëzonin as ftesat që më dërgonte Universiteti i Prishtinës, Teatri i Kombësive në Shkup apo Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

Edhe kur janë të planifikuara zyrtarisht, udhëtimet jashtë Shqipërisë nuk janë kurrë të sigurta por të shoqëruara me të papritura dhe pengesa hap pas hapi. Shërbimi mund të anullohet ose shtyhet për një kohë të pacaktuar. Emri i çdo pjesëtari të dërgatës mund të hiqet nga lista në instancat ku kalon për miratim dhe personit në fjalë mund të mos i jepet asnjë arsye dhe asnjë shpjegim. Në vend të transparencës ka opakësi të papërshkueshme dhe bunacë konspirative por edhe justifikime qesharake që personi i interesuar të vazhdojë të besojë se pushteti e nderon dhe nuk ka rezerva kundrejt tij. E gjitha kjo nuk është veçse hipokrizi shtetërore për të mbuluar veprimet e fshehta dhe të pamoralshme. As posedimi i pasaportës as viza së bashku me biletën e udhëtimit, nuk japin siguri të plotë për kalimin e kufirit. Në disa raste ka pasur kthime nga banaku i kontrollit të dokumenteve në aeroport ose edhe pasi personi ka hyrë brenda në avion. Më mirë të isha i përmbajtur me pjesëtarët e familjes që të mos shqetësoheshin edhe ata nga ankthi i pritjes për vajtjen në Austri. Pas një jave, i thashë vetëm Elës duke iu lutur të mos ia rrëfente kujt edhe për disa javë. Edhe pas gati 25 vjetëve e kisha të freskët në kujtesë vitin 1961 kur m’u akordua bursë nga Ministria e Arsimit për studime në Institutin Gorki të Moskës dhe Ministria e Brendshme nuk më dha pasaportë.

Java e Kuturës Shqiptare në Austri parashihte një seminar me referate për artin, letërsinë dhe kulturën, hapjen e dy ekspozitave, njëra me objekte etnografike, tjetra me piktura. Në fillim të tetorit Agron Kaiku më pyeti nëse pasaporta ime ishte ende e vlefshme. “Apo i ka kaluar afati?” shtoi Agroni. Buzëqesha sepse përveç letërnjoftimit të zakonshëm të identitetit nuk kisha pajisur kurrë me pasaportë sepse pajisja nënkuptonte udhëtim jashtë dhe unë nuk kisha udhëtuar deri atëherë përtej hapësirës administrative shqiptare. Ai s’kishte asnjë dyshim se unë i kisha kaluar kufijtë disa herë. Po”, iu përgjigja në mënyrë afirmative “ka skaduar me kohë”. “Mirë, s’ka problem, mbushim një të re. Nxori një skedë ku shënoi gjeneralitetet e mia. Papritmas duke e parë me sytë e mi gjestin burokratik, nisa të mendoj seriozisht për kumtesën dhe se çfarë interesimi mund të zgjoja te auditori austriak për letërsinë shqipe të përmbledhur në 5-6 faqe. Duke shkuar ndërmend veprat dhe autorët kryesorë që nga De Rada deri te Ismail Kadareja mu duk se tharmin e saj gjatë një shekulli nga “Bagëti e Bujqësi (1889) përbën patriotizmi. Në vitet “30 diapazoni u zgjerua paksa me tema sociale, filozofike, simbolike dhe lirike dhe u kthye sërish pas çlirimit në shtratin patriotik. Pa dyshim subjektet patriotike, po aq sa e kanë stimuluar letërsinë, aq edhe e kanë kufizuar. Mirëpo ende nuk më vinte t’i hidhja mendimet në letër dhe i mbaja me vete si një lloj sekreti.

Ditën e premte më 18 tetor, Agroni me kërkoi urgjentisht shtatë copë fotografi. U drejtova në Institutin e Monumenteve të takoja fotografin Pleurat Sulo, mikun tim. Ai sapo mësoi përse më duheshin, m’i dha në dorë brenda dy orësh dhe në përgjithësi shoqëria jonë ka një solidarizim shoqëror të hatashëm për të ndihmuar ata që udhëtojnë jashtë shtetit. Një hallkë tjetër u kalua me sukses duke e sjellë udhëtimin edhe më pranë.

E Vërteta dhe Prapaskenat

Të hënën në mëngjes, ndërsa po shkoja si zakonisht në Bibliotekën Kombëtare, shoh veturën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve para pallatit ku banonte, vetëm pak metra nga Pallati i Kulturës, ku është salla e Bibliotekës. Mendova të pi një kafe me Dritëroin dhe të konsultohesha për kumtesën në Linz si delegat i Lidhjes së Shkimtarëve. Ai zbriti nga makina shpejt, m’u afrua shoqërisht, më hoqi disi mënjanë dhe me pamje fare të qetë më tha: “E more vesh, besoj. Udhëtimi për në Austri u prish”. Buzëqesha me ironi sikur t’i jepja të drejtë asaj pjese të brendshme që nuk më kishte lejuar të isha shumë optimist. Më shkoi në mendje se Agroni më kërkoi fotografitë për pasaportën ditën e premte dhe se të shtunë dhe të diel zyrat qenë mbyllur. Dritëroi vazhdoi: “Austriakët e kanë anulluar kumtesën tënde. Nuk të tha Agroni? Do të thërrasë në zyrë”.

Dritëroi më qerasi me kafe – kafeja e ngushëllimit në këtë rast- dhe ndërkohë patëm një bisedë shoqërore. Në bisedat intime Dritëroi shquhet për sinqeritet, ndjenja demokratike dhe humanitare. Aty më tha se nuk qe çështje pasaporte dhe se pengesa nuk kishte ardhur prej Ministrisë së Brendshme. “Me ata e kemi sqaruar çështjen tënde dy- tre vjet përpara. Për Fadil Krajën dhe për ty kishin rezerva, nuk donin t’u jepnin pasaportë për jashtë shtetit. Për Fadilin thoshin se qe i përjashtuar nga partia nja 15 a 20 vjet me parë” E pyeta: “Po me mua ç’kishin? Unë s’kam qenë as i përjashtuar, as i dënuar.” Nuk më dha sqarime, veç më kumtoi se ai vetë kishte marrë takim me zëvendësministrin përkatës, të cilit i tha se Kraja dhe Prifti qenë personalitete të kulturës dhe njerëz të nderuar, që kishin shkruar vepra të mira që studioheshin në shkollë dhe së fundi e kishte bindur. Ndoshta edhe vetë Kryetari kishte patur dyshime se premtimi i tij nuk vlente, derisa më vonë, po këtë temë e kishte ngritur te Foto Çami, i cili kishte zënë postin e Ramiz Alisë në parti. Mësova se Fotoja menjëherë e kishte marrë në telefon personin përkatës në Ministrinë e Brenshme duke i tërhequr vërejtën me fjalë të ashpra. Pas disa kohe Dritëroi e mori me vete Fadil Krajën në një udhëtim më duket në Algjeri – dhe atij praktikisht iu hoq karantina, kurse unë mbeta aty ku isha.

Dy ditë pas bisedës me Dritëroin, Agron Kaiku më tha lajmin te shkallët e Lidhjes, më këmbë. Ndoshta më mirë, sepse biseda dukej si diçka krejt e rastit, kurse në zyrë do të kishte hije më të rëndë. Ai më siguroi se s’kishte arsye politike, por çështja qe se “austriakët nuk e donin kumtesën për letërsinë”. Agroni e kishte parë me sytë e tij teleksin e ardhur në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme nga Ambasada jonë në Vjenë. Piktura mbetej, poçeria, arsimi, kultura po ashtu, vetëm letërsia dhe kinematografia u dogjën, se qytetarët e Linzit nuk donin të dëgjonin për to. Mësova se Abdurrahim Myftiu, punonjës i bërthamës Artistike të Akademisë, do të mbante kumtesën për kinematografinë shqiptare. Por kur e pyeta ai për habinë time më tha se nuk dinte asgjë rreth atij projekti. Shoqërisht më rrëfeu se qe planifikuar të shkonte me shërbim të gjatë dymujor në Gjermaninë Perëndimore dhe si pasojë nuk i interesonin pesë ditë në Linz. Vetëm pak personave u rezervohet favori të shkojnë dy-tre herë jashtë shtetit brenda një viti prandaj atij nuk i qe prishur asgjë. Më vonë mësova se kumtesa i qe ngarkuar regjisorit Dhimitër Anagnosti, por prej tij mora vesh se po shkonte në Itali të xhironte disa skena të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, prandaj Austria nuk i interesonte.

Atëhere nisa të besoj se intriga ndaj meje ishte kurdisur në zyrat e Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Me kryetarin, Jorgo Melicën kisha patur marrëdhënie korrekte kur ai ishte instruktor kulture në kryeministri. Ftohja midis nesh ngjau kur punoja në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Mbase kishte pasur pritshmëri për raporte dhe analiza për gjendjen e teatrove dhe të artit skenik sepse në një mbledhje kolegjiumi në Ministri, më qortoi duke thënë se priste më shumë prej meje. Çfarë t’i thosha shokut Jorgo, se teatri ynë për shkak të censurës së partisë nuk mund të dilte nga kriza e thellë, se letërsia jonë qe më skematike se kurrë, se arti nuk mund të lulëzonte në diktaturë. Ishte e rrezikshme edhe t’i mendoje e jo më t’i shkruaje, prandaj preferova heshtjen, kurse ai e mori si gjest jomiqësor, sikur nuk doja ta ndihmoja për propozime konkrete para shefave. Sigurisht për nëpunësat ka vlerë të veçantë mendimi që dëgjohet nëpër zyrat dhe kuluaret për secilin individ. Nëpunësit tanë janë mjeshtër për manovrime dhe intriga të holla, të cilat vështirë se mund të zbulohen as prej komisioneve të ekspertëve. Edhe po të supozoj për rastin konkret se hetimet mund të bëhen nga ndonjë instancë e caktuar, ato do përfundojnë te teksti i ardhur nga Vjena i ashtuquajtur “tekst zyrtar nga Ambasada jonë”. A është faktik, me firmë e vulë? Apo një marrëveshja e fshehtë me interes të ndërsjellë midis Ambasadës, Ministrisë së Jashtme dhe Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme për të hequr dy persona nga grupi dhe për të futur dy të tjerë? Këtu puqen interesat e palëve ndërkohë ridërtimi i prapaskenës është i thjeshtë nga ana logjike thurur sipas marifeteve apo djallëzive të cilat i kam inventarizuar nga goja e nëpunësve tanë: “Një porosi me telefon drejtuar ambasadës sonë në Vjenë: “Na bëni një teleks me këtë përmbajtje dhe çdo gjë rregullohet.”. Djallëzia e një intrige që s’mund të verifikohet kurrsesi. Çka mbetet i përhershëm është rregulli se gjithmonë sajohet një gënjeshtër për të mbuluar të parën e me radhë. Nga burokracia shqiptare me trashëgimi të fortë të bizantinizmit, e shartuar me përvojën dhe dinakërinë e KGB-se është e pamundur të zbulosh të vërtetën ose prapaskenat, të cilat në realitetin socialist ekzistojnë me cinizëm pranë njëra tjetrës.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

NJË DITË PAS FITORES…

July 31, 2023 by s p

– përsiatje nga Visar Zhiti -/

Është koha më e rëndësishme

dhe më e rrezikshmja ajo e mbasfitores…

Dhe dëgjojmë për fitoret që ndodhin në vendin tonë, aq shumë të përsëritura, fitore të njëllojta, që entuziazmojnë shumë e shumë njerëz njëlloj, kur s’kuptohet çfarë u fitua dhe kush dhe pse është fitore prapë ajo që s’ishte fitore as herën e parë, madje jo dhe aq e mirë, ngulmimi s’është fitore, etj, etj, ndërkaq më përsillen befas në mendje vargjet e pamëshirshme të Nolit, edhe pse si një terapi dëshpëruese:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni!…”

Çfarë s’meritojmë, Imzot?…

Është poezia e tij me gjuhë biblike,“Moisiu në Mal”, dhe ashtu si Bibla me vlerë të përjetëshme, edhe poezia e Fan Nolit ka porosi të tilla që më duken aktuale për fitoret apokrife, pas të cilave nuk ka mbërritje.

Po ta lexojmë edhe një herë të gjithë poezinë për bukurinë e saj të egër:

MOISIU NË MAL

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

Krye-Profeti trimi me fletë,

Të bisedonjë me Perëndinë

Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,

Qëndron me frikë, pret i tronditur,

Dhe Jehovaj i flet prej një reje

Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni !”

Krye-Profetit dita i ngryset

Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

Me lot në sy, me zemër të ngrirë

I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

Pse më përplase, më përpëlise,

Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

Dhe sot ma preve ?

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

Së largu Zoti ia pasqyron,

Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja,

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

Atje sa bukur, këtu sa zi,

O Moisi.

Këtej ka dimrin, andej pranverën,

Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

Liberator!

Si përzihen fitorja me mosfitoren! Premtimi me ëndrrën, antiteza me pranverën dhe dimrin, me parajsën dhe skëterrën… me ne dhe ne, që mbetemi përballë tyre, pa ditur të zgjedhim…

Mund të flitet shumë e më shumë për këtë poezi, por s’po shkoj më tej, veç dua të them se ajo më sjell mua, e kam me veten, dhe dy imazhe të fuqishme, e para, skulpturën mahnitëse të Moisiut të Michelangelo-s, që gjendet në Romë, në Kishën ”San Pietro in Vincoli”, ku familjarisht shkonim shpesh ta admironim, me orë të tëra rrinim para saj, më vonë u gëzova kur lexova se aty vinte shpesh që të shikonte “Moisiun”edhe Zigmund Freud i ri…

Ajo është vërtet një triumf me artin.

Po entuziazmi ynë për fitoret tona abdsurde, për të mos thënë të dēmshme, mos kanë nevojë për “Frojdin”, për psikiatër? – pyeta veten befas.

Poezia “Moisiu në Mal” është shkruar nja një shekull më parë dhe tani e mora nga “Albumi” i Nolit, të cilin, kur e botoi në Vitin 1946, ua kushtoi fitimtarëve të luftës, atyre që më pas ndërtuan mbylljen dhe ferrin e shqiptarëve e Noli do të prishej përfundimisht me ta. Neve do të na mbetej frika nga fitoret… duket sikur të tilla do t’i kishim…

Po të dalim tek e dyta, tek imazhi i Imzot Fan Noli, poet dhe gjeni i përkthimit, që i solli shqipes triumfalisht një Hamlet e Makbeth e një Don Kishot magjepsës, që Khajamin e bëri të dehej shqip, por ja, që i shkrepte dhe atij për fitore të mbrapshta duke u bërë “kryeministri që i binte fyellit”, siç e thotë dhe vetë, i pa parë, që solli ambasadën bolshevike në Tiranë, të parën në Ballkan. Dhe u përsërit e u përsërit, kryeministër jo me fyell, s’dua të flas për ata me karabina e kallashnikovë, por me penel. Nejse, Noli solli një tjetër fitore të madhe, që lidhet me shpirtin dhe identitetin, që s’po dimë ta ruajmë vërtet, themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Noli risolli dhe fantazmën heroike e frymëzuese të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, që e kishte marë emrin nga Shën Gjergji që mposhti Dragoin mizor dhe dhunues. Me emrin Gjergj triumfoi rilindja jonë…

KONJAKU “SKËNDERBEU”.

Dhe ne fitoret skënderbejane i shndërruam në një patriotizëm romantik, që si për t’u dehur prej tij, i shtydhëm dhe në një shishe konjaku me famë, madje dhe në botë, “Konjak Skënderbeu”. Dhe po përsërisim fitoret pa kuptim, ndërsa në entuziazmin e një ditë më pas, duke pëplasur gotat gjumëndjellëse plot me urime, biem si rishtarë në makthin e paharruar, pa parandjenja, aq më mirë, se ndoshta s’do të përsëritet e kaluara aq tamam. Na i tha dhe një Gjergj bashkëvuajtës, që erdhi nga burgjet dhe ëndrra, kërkoi fitoret morale si (ri)fillim, t’i arrinim bashkarisht, por e lamë mënjanë, duke ia mbyllur rrugën, që na e tregoi për një çast…

Roselle, Chicago, 30. 07. 2023

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

MEMISHA GJONZENELI, TREGIMTAR I REALITETIT RRËQETHËS

July 29, 2023 by s p

Albert HABAZAJ

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Albania/

Prozatori shqiptaro-amerikan Memisha Gjonzeneli vjen me vëllimin e tretë të tij të porsa botuar me titullin simbolik “Nëna”, novela dhe tregime, me dëshirën e mirë që ta ndante këtë kënaqësi letrare me miqtë e tij dhe dashamirësit e librit në Vlorë, në qytetin e lindjes.

Emri i tij është i mbarëdëgjuar në Vlorë dhe në Shqipëri si një nga saldatorët më të zotë në rang republike, qysh nga viti 1956 e në vijim. Gjurmët e tij janë në hidrocentralin e Ulzës, në Ulzë Memua mbaroi shkollën e rezervave për saldator. Ia kishin nevojën mjeshtërisë së duarve dhe mendjes së tij në ujësjellësin Durrës – Tiranë e sidomos në veprat e mëdha industriale në Elbasan, Ballsh, Fier, Fierzë, Ulzë, Vlorë e gjetkë. Ai punonte si hero i heshtur me dinjitet, por i palëkundur në bindjen e tij, i pakompromis dhe i patunduar nga lajkat. Mënyrën e jetesëss në familje dhe në shoqëri, ngjarjet e përditshme të jetës familjare, veprimtarinë në punë e mbas pune i pezmatonte deri në tejskajshmëri melankolia dhe zymtësia, që brengoste dhe shpirtërat e gurtë. Mbresat, kujtimet, mendimet, motivet, mesazhet nga ajo kohë, autori na i dhuron sot në formën e një libri artistik me burim autobiografik, nën kujdesin dhe përkushtimin e redaktores së vëllimit, shkrimtares dhe botuesese së njohur Enrieta Sina.

Dëshiroj të theksoj që Memisha Gjonzeneli është një shkrimtar human, i cili trajton tema sociale të jetuara; është autor me individualitet, që nuk i ngjan askujt tjetër, veçse vetvetes – fëmijës së tretë nga fundi ndër 7 fëmijët e Muhamet dhe Zonjë Gjonzeneles, Dadës kapedane. Ai nuk është shkrimtar që do të duket, as kopjac, por origjinal në vërtetësinë shkrimore, i ndjeshëm deri në drithërimë në rrëfimin e tij dhe i prekshëm deri në kapilarë me ato që shkruan. Edhe pse ka hequr të zinjtë e ullirit, ai shkruan me dashuri, pa mllefe, me mesazhe tejdukshëmrisht humane. Temat e narracionit të Gjonzenelit sa universale, po aq vetiake, si janë dashuria e zjarrtë, vdekja e hidhur, familja e shtrenjët, hakmarrja absurde, vuajtja e pamerituar, çmenduria tej çdo mase të arsyeshme, dhembshuria e thellë, liria e hapësirave njerëzore, drejtësia e munguar etj., gjithsesi parë me syrin e tij.

Një fjalë e urtë na kujton që nuk ke pse pi një fuqi me verë, që të kuptosh ç’shije ka ajo, mjafton një gllënjkëz… ku e kam fjalën?! Nuk është e nevojshme të trajtoj të 12 njësitë letrare në prozë që ka libri i Memos, por do të cek sadopak tregimet “Nëna” dhe “Patrioti”. Tregimi “Nëna” është autobiografik. Në një kalim sipërfaqësor, të jep përshtypjen e një vështrimi të përgjithshëm, që nuk ngjall interes. Tek “Nëna”, jo vetëm si realitet i hidhur, por patjetër si metaforë e spikatur, narrativa ka këtë trajektore. Sipari: Shfaqet mbesa, xhaxhi, telefonata e shkurtër…, mërzitja e xhaxhait, që pse mbesa nuk e kishte uruar për tregimin e radhës, siç bënte herët e tjera, kërkesa e mbesës, shtangia e xhaxhait. Këtu hapet perdja e tregimit. Xhaxhai / autori nuk e priste dhe nga hutimi, tronditet, ndërkohë e falënderon me zemër mbesën e mirë dhe aq të dëlirë, që i kërkoi të shkruante për Dadën, heroinën e familjes, Zonjën e vërtetë, që e admironin në kohë dhe në hapësirë nga Skela në SHBA. Nuk kam ndërmend të bëj analizë teksti, se nuk shkon, por më ngeli në mendje simbolika e emrit Aresti (“Arestime”), i motrës që lindi 15 ditë pasi u fut në burg më dhejtor 1944 babai i 7 fëmijëve, 4 djemve dhe 3 vajzave… dhe autori u hap digën kujtimeve të vërshojnë, ashtu siç janë, siç kanë ndodhur, kronologjikisht, me njerëzit që e rrethonin, me ballafaqimet tinzare, me përplasjet egra, me jetën e vështirë e mjerane të të mirurve me babë e pa baba, me një nënë sizifiane, motori i familjes, kurajoze tek zoti, vërtet amazonë e dinjitetit familjar, e veçantë, e rrallë. Nderim gjer në paharrim për atë nënë të jashtëzakonshme skelare, që edhe pse nuk e kam njohur fizikisht, Memua ma pruri të gjallë me rrëfimin e tij dhe sinqerisht kam qarë, kur po e lexoja tregimin këtë të shtunë që kaloi, duke fshehur lotët nga dy mbesat e vogla…

Tregimi “Patrioti”, në pamje të parë ngjan si një tregim me luftë të drejtpërdrejtë në front. Por, autori, ndoshta intuitivisht di të kapë detajin e jetës që kërkon të pasqyrojë artistikisht në veprën letrare. Një djalë 10-12 vjeçar, Rexh Meta quhej, ishte bir i dy prindërve jo vetëm të varfër, por të pikur fare, të cilët nuk nuk e mbanin dot vogëlushin dhe ia falën Marashit, i cili ishte mirë ekonomikisht. Është tronditës deri në pabesueshmëri përshkrimi i realitetit rrëqethës nga autori në këtë tregim. Kemi një djalë të dobët, të paqethur, me një palë pantallona, që nuk kuptohej se cila pjesë e andrave ishte origjinale. Për këmishë, kishte gjetur një thes të vjetër dhe i kishte hapur tri vrima, një për kokën, dy për krahët. Të palara dhe me andra… edhe shtëpia me dritare të voglasi gryka zjarri…

Por, atje ku shkoi, Rexha u bë lopçar që s’gjendej në katund. Në një ditë gushti me vapë, lopët shkojnë vetë në hije. Dhe ai u ul në një hije peme, kur dëgjon të bërtitura dhe sheh pluhur që ngrihej përpjetë nga një karrocë me 4 kuaj dhe revanshi i tyre i tërbuar s’ndalej. Autori meriton përgëzime në njohjen në imtësi të situatës që paraqet, sesi veproi djali duke nxjerrë lopët përpara për të bllokuar udhën, sesi i vendosi trastën në gojë kalit që dukej më i tërbuari, sesi i bllokoi gojën dhe sytë deri në qetësimin e gjendjes dhe zgjidhjen e saj. Brenda në karrocë ishin një çift i huaj, londinezët Majk Shejn dhe Enrjeta Shejn që kishin ardhur në Shqipëri si turistë. Jemi në vitet 1943-’44. Çifti, për të shprehur mirënjohjen, ndaj lopçarit shpëtimtar, pas bisedave dhe “tregtisë” së detyruar me Marashin e morën me vete Rexhën në Londër duke e mirëmbajtur si ta kishin djalin e tyre (ata ishin ndoshta 50 vjeçarë a më shumë, shkonin shtet më shtet si turistë, por s’kishin fëmijë). Djali kalonte shumë mirë me ta dhe të tre jetonin si në përralla, si mbreti me mbretëreshën dhe princin e tyre, si dritë syri. U arsimua, mori edukatën fisnike të familjes që e birësoi, shkëlqeu në mësime, edhe në universitet, edhe në studimet pasuniversitare, në master, në Kembrixh studioi për ekonomi. Fatkeqësisht Majku vdes papritur nga një goditje në zemër. Hidhërimi i Enrjetës dhe Rexhës nuk përshkruhet. Megjithatë, jeta vazhdon. Familja e tyre kishte një traditë që mbante një fletore të vjetër, mbi 150 vjeçare, ku shkruhej udhëshkrimi jetësor i familjes në breza. Meqë Rexha kishte shkëlqyer, dhe ngaqë Enrjeta kishte mundësi ta ndihmonte djalin e birësuar i tha të zgjidhte të shkonte ku dëshironte me punë, por i rekomandoi kompanitë që veprojnë në Kinë ose në Indi, sepse po të punonte në Kinë apo në Indi, për një kohë të shkurtër bëhesh i pasur dhe e ke të zgjidhur jetën. Rexha, gjenetikisht ishte shqiptar, iu kujtua lajtmotivi i të parëve: “Shqipëria është e të gjithë” Shqipërtarëve” dhe zgjodhi Shqipërinë. Emocione të fuqishme e ngashërime nga të dy, por Rexha i premtoi që unë do të vij prapë, por patjetër edhe ti do të vish në Shqipëri. Në Tiranë e mirëpritën, filloi punë, u bë drejtor departamenti, më pas ministër. Por janari i vitit 1944 i thanë dhe i pret në mes ëndrrat e bukura qytetare të intelektualit atdhetar Rexh Meta pa asnjë motiv të qenësishëm. Arbitrarisht e nxorrën në gjyq dhe e dënuam me 25 vjet burg. Se e deshi aq shumë Shqipërinë, ai la Londrën, kapitalin dhe famën dhe fundi i tij këtu nuk u morr vesh as mbas një çerek shekulli burg, e liruan apo e çuan në “akademinë” e Burrelit…

Autori shqiptaro-amerikan Memisha Gjonzeneli mund të quhet ndryshe Harmonia e Kontrastit Jetësor, Njeriu i Rezistencës së Madhe ndaj Diktaturës së Egër, që siç shprehet shkrimtarja Enrieta Sina “Të vërtetën e tregon bukur, por e vërteta nuk është gjithmonë e bukur”…

May be an image of 2 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: LETERSI

“PSHERËTIMA E  HUMBJES”, NJË RRËFIM PËR DRAMAT FAMILJARE

July 27, 2023 by s p

Nga Orest Çipa

“Sapo u afrua, por ende pa më përshëndetur, Adrian Kota, sikur të nxirrte psherëtimën e fundit, më tha: E humba djalin!”, – këto janë fjalët e para të romanit  “Psherëtima e humbjes” të cilat e rrëmbejnë lexuesin në skutat “torturuese” të hapsirës gri të mendimit, në një shteg me dredhina mistike, deri në përhumbje të frymës së vet. Në këtë “botë” tjetër, autori Bujar Skëndo, mjeshtërisht e mban “peng” lexuesin në sirtarët e kuriozitetit njerëzor me një ankth ipulsiv, vazhdimisht në rritje.  Kjo vepër është pasqyra me e kthjellët e “dramës” që lëngon furishëm në zemrën e familjes së ditëve tona, të këtyre ditëve që ne po frymojmë “shtëllungën” vrastare të modernitetit.  

Kontrasti, ftohtësia, ndjenjat, mbingarkesa, mosmarrëveshja, dashuria, largësia, kthimshpina, inati, malli, turpi, vetndërgjeja, ngurtësia, pasioni, konfuziteti, malli, dashuria dhe shumë element të tjerë, të qëndisura bukurisht me një shqipe të kulluar dhe plotë elegancë i japin librit një vlerë artistike të jashtzakonshme. Në rrëfenjat e kësaj vepre psiko-sociale e cila shpesh-herë shoqërohet  me debatin dhe medyshjet e brendshme të personazheve e bëjnë edhe më shumë të kërkueshme shfletosjen nga faqja në faqe të ngjatjeve në dy anë të ndryshme të botës. Qysh në kontaktin e parë me librin, titulli “intrigues” shpejgon qartësisht se autori ka aftësinë “hipnotizuese” për ta gllabëruar vëmendjen e lexuesit dhe “dalledisur” atë sipas dëshirës së vet në këtë humner të bukur ngjarjesh. “Psherëtima e humbjes”, në vetkuptimin e saj është procesi i marrjes së frymës thellë dhe nxjerrja e saj me forcë, zakonisht kur jemi të brengosur a të mërzitur, është më shumë se një titull i thjeshtë libri. Është një akt vet-ngushëllimi, një akt shfryrjej ndaj humbjes së të dhimbsurve të zemrës. Një humbje që deri diku shpreh edhe dështimin e zhbërjes së marrëdhënieve brenda familjes. Romani më i ri i sjellë nga Bujar Skëndo, zhvillohet në dy korsi te dryshme të cilat kryqëzohen vazhdimisht me njëra-tjetrën pasi në vetvete mbartin të njëjtën problematikë, marrëdhënien prind-fëmijë .

Ngjarja e parë  zhvillohet midis New York-ut dhe New Jersey-t në SHBA.  Familja e ardhur nga Shqipëria prej disa vitesh përjeton një “shok-im ” emocional pasi djali i vetëm, Mondi së bashku me familjen e tij ndërpret marrëdhëniet me babin dhe nënën në mënyrën më të çuditshme dhe të menjëhershme të mundshme. Si të gjithë prindrit, Ardiani dhe Vera ligështohen emocionalisht nga kjo heshtje dhe largësi e krijuar në mënyrë misterioze nga djali i tyre i vetëm. Ata do përpiqen të kërkojnë arsyet dhe motivet të kësaj braktisjeje të cilat hera-herës i çojnë në qorrsokake dëshpërimi.  Ndërsa në rastin e dytë ngjarjet zhvillohen midis Tiranës dhe Sarandës. Edhe këtu është po i njëjti motiv , pra motivi përbashkues me familjen e parë,  veçse ndryshojnë rrethanat dhe arsyeja. Në rastin e mësipërm shkaqet e largimit të Modit mbeten më të fshehta deri në pikën ku autori na lejon të mësojmë më shumë, ndoshta edhe për shkak se ftohtësia dhe e panjohura janë më të lidhura ngushtë se tek rasti i dytë.

Piro, personazhi kryesor në paralelin e dytë të ngjarjeve, është ndarë nga martesa e parë me mirëkuptim pasi për arsye shëndetësore ai nuk bënte fëmijë. Mirëpo, pas disa vitesh ai vendos të martohet sërisht. Kësaj here,  gjithçka shkon mirë dhe lumturia në çift i shtyn ata për të birësuar një fëmije me qëllim që jeta bashkëshortore mos të shndërrohej në monotone. Ndërkohë që vitet kalojnë dhe Fredi, djali i birësuar e mëson të vërtetën e adoptimit të tij të mbajtur fshehtësisht nga Piro dhe Anita. Këtu gjithçka ndryshon, krisja në familjen e tyre sapo ka nisur. Në këtë rrëfenjë ngjarjesh, ka ngjyra dhe nuanca më të theksuara të cilat të zhysin në ato thellësitë e përshkrimeve psikologjike . Inati dhe zhgënjimi i djalit ndaj të atit është mjaft interesant së si autori e ka sjellë në jetë. Ky libër dëshmon realitetin e brishtë të këtyre viteve të fundit që familjet shqiptare brenda atdheut por edhe jashtë kufijve, përballen të gjunjëzuara ç’do ditë e më shumë ndaj shpejtësisë dhe “suferinës tranzite”. Në dorën që shtrëngonte çelësat e shtëpisë së vjetër, ndieu dhimbje… Një psherëtimë e zgjatur i doli nga shpirti. E kuptoi se ishte psherëtima e humbjes përfundimtare. Psherëtima e humbjes së pakthyeshme,” – këto janë fjalet përmbyllëse të romanit me autor Bujar Skëndo.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Orest Cipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT