• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

M I Q Ë S I A  S H Q I P T A R O – A U S T I R A K E – DR. JANI BASHO, FIGURË MADHORE KOMBËTARE

June 28, 2023 by s p

Nga: Mr. sci.Hazir Mehmeti, Vjenë/

“I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qënë Austria merhume e Habsburgëve. S’duhet t’ia hamë hakën. …Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë. Ja arsyeja e parë dhe ja arësyeja e dytë: Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut.” Fan Stilian Noli

 Në radhën e kontakteve mes dy popujve shekujve, do veçojmë shkrimin nga gazeta e Tiranës “Vullneti” e datës 22 janar 1931.  Kjo miqësi rrënjët e ka të thella shekujve në themelet e studimeve të albanologëve gjerman. Ata argumentuan se gjuha  shqipe është pasardhësja e drejtpërdrejtë e ilirishtes.

Ministri i Austrisë, Shkëlqësia e tij O. Guenther, i paraqiti këto ditë kredencialet Lartmadhërië së Tij Mbretit Zog.

Në kët rast Ministria e Jashtme dha një drekë për nderin e Ministrit të Austrisë në Shqipëri dhe në këtë drekë muarën pjesë personalitete më të çquara të jetës sonë politike.

Ceremonia nuk pati vetëm vleftën e një çfaqjeje hoborësie diplomatike po edhe ngjyra e nje simpatie të nxehtë dhe të sinqertë që populli i ynë ushqen për Austrinë.

Populli ynë, midis virtyteve të tjera, e ka të gjallë ndjenjën e mirënjohjes. Kur sheh që sidomos jë i huaj pëpiqet për të mirën e tij, këtë të mirë nuk e harron kurrë dhe mundohet të gjejë rastin për t’ia shpërblyer. Sikur të ishte një popull i math dhe i pasur, shqiptari nuk do të kursehei kurrë vendin tonë, themeluan pa humbur kohë në Shkodër një Komisii letrare, duke i shtyrtur shqiptarët që të merrenn nxehtësisht me zhvillimin e gjuhës së tyre. Në këtë muaren pjesë njerëzit më të çquar nga gjitha krahinat e Shqipërisë, si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Kostaq Totta, Gjergj Pekmezi, Salih Novica dhe të tjerë.

Po austriakët e kuptuan mirë se nuk mjafton vetëm që një Komisi letrare të mërej me caktimin e regullake gramatikale dhe sindaktitike, me përpilimin e një fjalori dhe me hartimin e librave shkollore: duhej një organizim më i gjërë në degën e arsimit. Për t’i arrite këtij qëllimi, themeluan një Drejtori të Përgjithëshme duke shpërndarë ndër krahinat e ndryshme, si inspektorë, disa prej anëtarëve të Komisisë në fjalë.

Në këto mënyrë në pak kohë Shqipërisë u ngritën shkolla, duke shpërndarë drejtën e kulturës dhe të komsisë.

Aqë sa u përket pikëpamjes kulturale që pas mendjes s’onë jepe pemë më të forta, ndonse pak si të largëta.

Nga pikëpamja politike së shtë nevojë të zgjatemi tepër. Me një fjalë të gjithë shqiptarët janë të bindur se Austria është fakrori kryesorë për imponimin dhe kosoldimin e independencës së tyre.

Në bazë të kësaj bindjeje që i përgjigjet kryekëput të vërtetës, shqipatrët s’kanë lënë rast pas  çfaqur mirënjohjen e tyre, gjë që e bënë, më një ceremoni të thjeshtë po të përzemërt, edhe me rstin e ardhjes së Shkëlqësisë së Tij z.Guenther, ministër i Austrisë në Shqipëri.

Jemi të sigurt që edhe Shkëlqësia e Tij nuk do të kursehet të zhvillojë për ne atë energji dobiprurëse që është në natyrën e popullit austriak.”, përfundon artikulli i gazetës së kohës. 

    Në periudhën e Austro-Hungarisë nisi zanafilla e shkencave shqiptare, kryesisht nga studiuesit gjerman të cilët botuan vepra studimore lidhur me shqiptarët. U botuan artikuj, monografi e studime nga shkencëtarët  e hapësirave të ndryshme gjermano-folëse. Shumë nga këto studime janë aktuale dhe të pacenueshme edhe në kohën tonë. Duhet veçuar këtu studimet  e shkencëtarëve të kohës mbi historinë e shqiptarëve, arkeologjinë shqiptare, etnografinë shqiptare, folklorit, të gjuhësisë, duke vënë kësisoj themelet e para të studimeve albanologjike me një vërtetësi të pakontestueshme. Shkencëtaret gjerman vunë themelet e studimeve në shkencat natyrore si në botanikë, zoologji, arkeologji, gjeografi, në shkencat medicine etj. Pra veprimtaria studiuese e shkencëtarëve gjermanofolës është me rëndësi të  gjithanshme dhe të një rëndësi historike për kombin shqiptar i cili vuante nën robërinë aziatike për pesë shekuj. Disa nga emrat e njohur qe nga shekulli i pesëmbëdhjetë me Arnold von Harffin duke vazhduar deri në fillimin mijëvjeçarit të tretë.  Njëri nga dokumentet më të vjetër të shkruar në gjuhën shqip është Fjalorthi i Arnold Fon Harff-it.

      Kush nuk ka lexuar për Dr. Jani Bashon, mikun e Ajnshtajnit?

            Njëra nga figurat e mëdha kombëtari i cili studioi në Austri është Dr.Jani Basho

Atdheu…   

      Vjen nga Pogradeci. Pasi e kreu gjimnazin grek dhe turk në Manastir ndoqi studimet e larta (1915-21) për  mjekësi interne, kirurgji të përgjithshme dhe obstetrikë-gjinekologji (1921-24) në Vjenë, mori titullin “Unicus Medicus Doctor”, kjo e ka kuptimin “Mjek i veçantë”.

 Vjena…

Themelues i  Shoqërisë Studentore  “Albania” në Vjenë revistës “Djalëria”, ku Jani Basho shkruan artikuj politik me frymë patriotike të cilat kanë vlera edhe sot.

   Menjëherë pas studimeve(1923) kthehet në atdhe. Themelues i Obstetrikë-Gjinekologjisë Shqiptare. Ishte në vepër një patriot i madhe i kombit.   Ishte mik me Albert Ajnshtajnin, i cili punonte në Universitetin e Vjenës aso kohe.

Nënshkrimi i parë si kryetar i ALBANIA, Jani Basho, Burggasse 42/10, Wien  Nga Shoqënia e studentëve shqiptarë ALBANIA, WIEN , der Vereinpräsident: Basho,

Gazeta “Djalëria”: “Sikundër nuk mund të rrojë një njeri pa gjak, sikundër nuk mund të zhvillohen bimët pa Diell, ashtu edhe një popull pa një gjuhë të zhvilluar nuk mund të naltësohet”.  Në vendlindje ku fillon punë në mjek ushtarak dhe mjek personal i Mbretit Zog. Ai dha ndihmë të madhe në kualifikimin e kuadrove të reja në Shqipëri.

    Jani Basho – doktori i cili ndikoj tek Mbreti Zog që t’i jepet pasaporta shqiptare  Albert Ajnshtajnin

      Nga kontaktet me shokët e ngushtë Basho merr kërkesë me rëndësi që ta ndihmon Ajnshtanin nga arrestimi prej nazistëve i cili kërkohej si person me origjinë hebre. Ky shqetësim u vërtetua me arrestimet e shumë figurave të njohura nga shkenca e kultura, mes tyre albanologu Nornert Jokli, i cili u arrestua në banesën e tij në Vjenë “Neustiftgasse…. u ekzekutua  nga nazistët në prill të vitit 1942. Takimi me shokët vjenez ishte lutje për ta ndihmuar Ajnshtanin nga arrestimi. Ja si shkruan dokumenti në gjermanisht se si i luten Dr.Jani Bashos për ta ndihmuar me pasaportë shokun e tyre Albert Ajnshtajn: 

     “Bei dem Treffen, das er mit engen Freunden hatte, richteten sie eine Bitte an ihn: Sein Freund, Albert Einstein, sei in Gefahr und werde von den deutschen Nazis als Jude gesucht und müsse gehen, was aber aufgrund seines Passes unmöglich sei sein Deutsch war von der Gestapo beschlagnahmt worden. Also sagten sie ihm, da Sie der Leibarzt von König Zog sind, sagen Sie dem König, er solle ihm einen albanischen Pass geben.  

          Sipas dëshmitarëve të shumtë nga kontaktet me familjen Basho në Pogradec, Ajnshtajni vjen në Shqipëri në fillim të vitit 1930, qëndron tri ditë. Veç tjerash atë e pret në takim Mreti Zog.  I pajisur me pasaportë shqiptare, me emër shqiptar, Ajnshtajni udhëton për në Amerikë.  Jani Bashos nga Amerika i shkruante  Ajnshtajni letra falënderuese dhe i tregonte për vështirësitë në jetën e tij. Të gjitha dokumentet në zyrat e Mbretit Zog dhe dy shtëpitë e familjes së Dr. Jani Bashos në qendër të Tiranës, u dogjën dhe shkatërruan nga komunistet në pushtet në vitin 1945, duke humbur çdo gjurmë rreth letërkëmbimit me Ajnshtajnin. 

Në arkivin e Jerusalemit ruhen disa nga letrat që Albert Ajnshtajn i ka dërguar Jani Bashos.  Ajnshtajni duke e parë terrorin gjenocid të Serbisë ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve e fajëson Serbinë në letrën e tij të shkruar me 6 maj të vitit 1931.

        Letra që shpëtoi Shqipërinë 

   Studentët shqiptarë të prirë nga Dr.Jani Basho, i shkruan letër prej katër faqe presidentit amerikan  Wilson, me lutjen  që ta merr në mbrojtje Shqipërinë në Konferencës së Paqes e cila mbahet në Paris në vitin 1918.  Vërtet në Paris u mbrojte Shqipëria dhe kjo letër e nënshkruar së pari nga Dr. Jani Basho u zbulua 100 vjet më vonë, në vitin 2018, u cilësua si letra që shpëtoi Shqipërinë. 

 Letra përfundon:

 Të përvuajturit,

cand. med. Jan BASHO, cand. Bodenkultur Remzi BAÇE, cand. ing. H. HIFZI, cand. jur. Nush BUSHATI, stud. phil. Djevat KORÇA, cand. Export akademi Luigj KAKARRIQI, stud. ing. Gjovalin GJIADRI, Aspirat Pharm. Raku BUDA dhe stud. ing. Fuad ASLAN (Vjenë, Austri15 / 12 / 1918)

Filed Under: Mergata

“HISTORIA, IDENTITETI DHE KULTURA SHQIPTARE”

June 27, 2023 by s p

Prof. Teki Kurti/

Aktivitet madhështor i organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar” Naim Frashëri” Aargau- Zvicër (LAPSH). Në Zvicër janë mbi 300.000 mijë shqiptarë. LAPSH-i ka vite që është angazhuar për hapjen e shkollave suplimentare të mësimit të gjuhës shqipe. Në përfundim të vitit mësimor, LAPSH-i organizoi një Tryezë shkencore me temë: “HISTORIA, IDENTITETI DHE KULTURA SHQIPTARE”. Tryezën e hapi me fjalën përshëndetëse Kryetari i LAPSH-it Riza Demaj, gjithashtu përshëndeti Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër z. Sami Ukelli dhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë Valon Gashi. Tryezën shkencore e hapi Akademik Frashër Demaj nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ku trajtoi temën: “Historia dhe Identiteti”. Prof. Dr. Zymer Neziri trajtoi temën : “Etnokultura dhe identiteti ynë: Vështrim për rolin e epikës historike”. Nga Tirana, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti trajtoi temën: “Munomentet kulturore-historike, simbole të identitetit kombëtar”. Nga Universiteti i Tetovës, Prof. Zeqirja Rexhepi trajtoi temën: “Shqiptarët midis integrimit eropian dhe bashkimit kombëtar”. Prof. Binak Ulaj trajtoi temën : “Gjuha etnike dhe identiteti kombëtar” dhe Prof. Hasan Hasani trajtoi temën: “Kosova Lindore pjesë e pandarë e historisë kombëtare shqiptare”. Ditën e dytë e morën fjalën nxënësit e shkollës shqipe. Emocione të fuqishme, ata të veshur bukur me kostume kombëtare nga prindërit e tyre e të përgatitur mirë nga mësuesit sollën me interpretimet e tyre vargje nga Naim Frashëri, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Migjeni, Fan Noli, Ndre Mjeda, etj. Vallja e grupit “Shota”,e këngët e bukura shqipe e bënë aktivitetin elektrizues. Përgjatë dy ditëve mbetëm plot mbresa të pashlyera pasi përkujdesi në detaje ndaj nesh nga Visari familiarisht, Naimi, Rexhepi, Bajrami e Daj Riza ishte i jashtëzakonshëm. Faleminderit të gjithëve.

Aaragu – Zvicër 24-25. 06.2023

Filed Under: Mergata

KUR HISTORIA PËRSËRITET PER KEQ

June 26, 2023 by s p

– Mendime dhe analizë e shkurtër mbi ngjarjet e fundit në Rusi –

Nga Dr. Jani Gjoni -/

E gjithë bota po ndjek me vëmëndje situatën në Rusi, lajme dhe komente nga më të ndryshmet, nga mundësia e një loje tek rreziku global nëse Wagner merr në dorë armët bërthamore.

Senatori Amerikan Hiram Johnson ka thënë “Viktima e parë në lufte është e vërteta” për skepticizmin e tij në lidhje me hyrjen e US në Luftën e Parë Botërore.

Po ku fshihet e vërteta në këtë gjëndje të trazuar në Rusi?

Lufta në Ukrainë një dështim i forcave Ruse që është rezultat në mes të tjerave edhe nga përfshirja e një morie formacionesh në front, ku shihet mungesa e një komade unike për të drejtuar e kontrolluar veprimet luftarake sipas një plani të qartë, si dhe mungesa e theksuar e vullnetit të trupave për të luftuar. Në frontin Rus ka një koordinim të dobët të forcave për shkak të pjesmarrjes në disa drejtime autonome të njësive Bjelloruse, Ceçene, forcave paramilitare, e formacioneve të ndryshme mercenarësh, ku më i afirmuar është Wagner. Ky formacion privat ushtarak vjen me një përvojë të madhe, përgatitje profesionale, armatim modern, organizim të mire dhe me vullnet të lartë për të luftuar. Përgjatë luftimeve në Ukrainë ato janë shquar për suksese të dukshme në disa rajone ku më i spikaturi ishte marrja e qytetit Bakhmut.

Aktiviteti i tij ka filluar që në vitin 2014 kur u krijua dhe formua me ndikimin dhe mbështetjen e Putinit, si një formacion privat i lidhur ngushtë me Ushtirnë dhe shërbimin e saj inteligjent. Aktiviteti i këtij grupi mercenarësh ushtroi veprime të fshehta dhe të hapura brënda dhe jashtë Rusisë.. Ky grup është një kontigjent rrenegatësh i gatshëm për të kryer detyra jashtë forcës së ligjit, një detashment mafioz në duart e Putinit me krime të shumta në vëndet Afrikane. Në tërësi, kjo është pamja që njohim të gjithë.

Në muajt e fundit të luftimeve në Ukrainë kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin ka filluar mjë përplasje më ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe oficerët madhorë të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Ruse duke mbajtur jashtë kriticizmit presidentin Rus Vladimir Putin. Prigozhin e ka konsideruar atë – Putinin- si viktimë e keqinformimit me qëllim nga ushtria dhe shëbimi inteligjent. Ai disa herë i ka bërë thirrje Putinit të distancohet nga udhheqja e Ushtirsë dhe të veprojë për largimin e ndëshkimin e tyre si të pa aftë e të korruptuar. E tërë kjo përplasje ka bëre të mundur afirmimin e Wagnerit në public, dhe ndërtimin e një imazhi të pëlqyer e me kredibilitet. Ndërkohë që Putini është realisht kreu i të dy anëve, si Ushtria dhe Wagner janë mbushur me njerëzit e tij besnik që papritur janë kthyer në kundërshtarë të egër. Duket sikur kafshët kanë dale nga kontrolli.

Por si duhet kuptuar veprimi i djeshëm, marrshimi i forcave të Wgnerit drejt Moskës për të goditur udhëheqjen e Ushtrisë por jo Putinin?

Putini publikisht e konsideroi këtë ngjarje shumë të rëndë dhe Wagnerin si një grup tradhëtar, thikë mbas shpine shtetit dhe popullit Rus. Megjithëse forcat e Wgnerit u tërhoqën sot me ndërmjetësira dhe marrëveshje të brënda llojit (ruso-bjellorus) përsëri konfuzioni public mbetet i lartë, kë duhet të besojnë njerëzit, cila është e vërteta dhe kujt i sherben kjo?

Historia e njerëzimit është e mbushur me konflikte e përplasje për pushtet ku intrigat dhe pabesitë gjithnjë kanë patur si qëllim të fshehin të vërtetën. Një situate e ngjashme është ajo e vitit 1934 në Gjermaninë Nziste e konsideruar si “Night of the Long Knives”, një kërkim i thjeshtë në internet na sqron se: “Hitleri ishte i vetëdijshëm se udhëheqja e SA-së, përfshirë Röhm-in, kishte bindje radikale socialiste dhe se SA-ja kishte bërë një kërcënim potencial për udhëheqjen e tij. Për më tepër, udhëheqësit ushtarakë gjermanë ishin të shqetësuar për ndikimin e rritur të SA-së dhe për potencialin e saj për të destabilizuar vendin. Për të adresuar këto shqetësime, Hitler vendosi të eleminonte udhëheqjen e SA-së dhe të konsolidonte pushtetin nën kontrollin e tij.

Në qershor të vitit 1934, Hitleri dhe SS-ja (Schutzstaffel), nën drejtimin e Heinrich Himmler-it, organizuan “Naten e thikave të gjata”. Gjatë kësaj përgjakjeje, Hitleri urdhëroi SS-në të arrestonte dhe ekzekutonte udhëheqësit kyç të SA-së, duke përfshirë edhe Röhm-in. Përgjakja zgjati përtej SA-së dhe u ndërmor ndaj kërcënimeve të tjera të perceptuara për autoritetin e Hitlerit. Kjo ngjarje shënoi një pikë kthese të rëndësishme në konsolidimin e pushtetit të Hitlerit, pasi ai efektivisht eleminoi opozitën e brendshme dhe forcoi kontrollin mbi Partinë Naziste dhe shtetin gjerman.”

Tingëllon pothuajse njësoj me realitetin e gjëndjes së sotme në Rusi. Një vit më pare Putini filloi konfliktin ushtarak me Ukrainën me synimin se fitorja do të çimentonte përjetësisht udhëheqjen e tij në vënd, gjë qe jo vetëm nuk ndodhi, por e tërhoqi Rusinë në një luftë pa fund duke shkaktuar dëme të medha njerëzore, materiale. Kjo situate sfidante rrezikonte pushtetin personal, prandaj duhej gjetur një zgjidhje për të justifikuar humbjen. Faji duhet hedhur diku tjetër jashtë oborrit zyrtar, dhe ashtu si Hitleri, grupi mercenar u bë preja e rradhës. U propogandua se Wagner është armiku, tradhëtari me rrezikshmëri madhore për Rusinë dhe boten prandaj duhet ndalur dhe dënuar. Shumë e ngjashme me historinë Hitleriane.

Bota e qytetëruar i ka nxjerrë mësimet nga e kaluara dhe nuk do bjerë pre e kësaj propogande djallëzore por a do ta besojë populli Rus? Kjo ngelet për t’u parë në vazhdim.

Filed Under: Mergata Tagged With: Jani Gjoni

Vizita e Baker 32 vjet më parë në Tiranë: Liria funksionon- Freedom Works

June 23, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York/

101 vjet marrëdhënie SHBA Shqiperi : Mesazhet amerikane nga vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri

https://www.facebook.com/100001458714713/posts/5389339221124648/?startTimeMs=54000&mibextid=v7YzmG

WASHINGTON : 32 vjet më parë në Tiranë- 22 Qershor 1991, Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, ishte i pari zyrtar i lart amerikan që do të vizitonte Shqipërinë komuniste, në ditët e para të pluralizmit, e cila shënon edhe rënjen e diktarurës komuniste më të egër në botë, dhe se marredheniet e SHBA me Shqiptaret kishin mbetur gjallë te shqiptarët…..

Vizita e një Sekretari Shteti ishte e para e një udhëheqësi perëndimor pas lejimit të pluralizmit në Shqipëri, e cila përcolli edhe Mesazhet amerikane nga vizita e James Baker me atë thënjen e tij të famshme se « Liria funksionon – Freedom Works ».

Shqipëria, ka qënë vendi ku amerikanët kanë dhënë gjatë gjithë kohës që nga themelimi i shtetit shqiptar ndihmën e tyre të vyer, përjetojë me atë moment edhe vizitën historike të një Sekretari Shteti në Shqipëri, që prej kohës së vendosjes së marrëdhënive me SHBA .

Ish drejtori i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj ish një nga protagonistët e asaj vizite historike, i cili ishte përkthyesi zyrtar i Sekretarit të Shtetit James Baker në vizitën e 22 Qershorit 1991 në Tiranë, për cdo vjet e ri-kujton atë vizitë duke publikuar fotografit nga vizita e Baker dhe një pjesë të fjalimit historik që ai mbajti në sheshin “Skënderbej”.

Video: https://www.facebook.com/100001458714713/posts/5389339221124648/?startTimeMs=54000&mibextid=v7YzmG

Baker doli në tribunë me liderin e atëhershëm të opozitës, Sali Berisha, ministrin e Jashtëm Muhamet Kapllani dhe kryetarin e Komitetit Pluralist Egzekutiv të Tiranës, Llambi Gegprifit duke shmangur daljen me Ramiz Alinë dhe drejtuesit e tjerë komunistë që ishin vendosur në krye të PS që sapo kishte ndërruar emrin.

Dr. prof. Biberaj atëherë ishte përkthyesi zyrtar i Departamentit të Shtetit për vizitën e Sekretarit të Shtetit James Beker, dhe tha në gjuhën shqipe:,

“Në emër të presidentit Bush dhe popullit amerikan , kam ardhur sot këtu për të të thënë: Liria funksionon – Freedom Works.Më në fund, jeni të lirë të mendoni me mendimet e tua. Më në fund, jeni të lirë të flisni me mendjen tuaj. Më në fund, jeni të lirë të zgjedhin krerët tuaj. Më në fund, jeni të lirë të adhuroni rrugën tuaj……Mirë se erdhët, qytetarë të lirë të Shqipërisë, të Lirisë…Liria funksionon!”, citohet të ketë thënë James Baker me 22 Qershor 1991 – 32 vjet më parë.

101 vjet marrëdhënie SHBA Shqipëri

Presidenti Warren Harding, më datën 28 korrik 1922, dha urdhërin Sekretarit i Shtetit Charles Evans Hughes që ti dorëzonte notën diplomatike kryeministrit për të firmosur notën diplomatike, që, SHBA vendoste marrëdhëniet me Shqipërinë. Firmosur nga komisioneri amerikan i rangut ministër Fuqiplotë dhe i Dërguar i Jashtëzakonshëm Maxwell Blake, i cili ia dorëzoi atë ditë kryeministrit të 10-të të shtetit shqiptar Xhaferr Ypi që mbante në të njëjtën kohë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm. (marr nga libri i Ilir Ikonomit– “Pushtimi, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” (UET Press, 2012).

Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ardhur natyrshëm vetëm 3 vjet pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodroë Wilson, vuri në konferencën e Paqes në Paris, duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.

Ambasador i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka qenë Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922.

Një diplomat që jo thjesht vuri gurin e parë kilometrik në një rrugë të gjatë të marrëdhënieve diplomatiike, por që ishte njëkohësisht i pari që ndriçoi shtetin amerikan se çfarë ishte Shqipëria, çfarë ishin shqiptarët dhe si mund ta ndihmonte Amerika Shqipërinë, qysh në atë kohë.

Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.

Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Mbretit Zog nga vendi.

Ambasada amerikane në Tiranë, u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 shtator.Me ardhjen e komunistëve në pushtet, për 52 vjet asnjë diplomat amerikan dhe shqiptar nuk vuri këmbë në Shqipëri dhe në SHBA.

Më 1946 i Enver Hoxha e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar, dhe SHBA, e quajti imperializmin amerikan , ndersa shtetin amerikan e cilësoi si xhandarin e botës.

Më 15 mars të vitit 1991 këto marrëdhënie u rithyen dhe ambasadori William Rajerson do të bëhej ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve.

Vetëm 3 muaj pasi ishte rihapur ambasada më 21 qershor 1991 ishte Sekretari amerikan i shtetit James Baker që do të vizitonte Tiranën.Me mijëra shqiptarë mbushën sheshin Skëndërbej – duke i rezervuar një pritje madhështore, e ngulitur në memorien e të gjithëve.

Pas rrëzimit të regjimit komunist, dhe vizitës së ish Sekretarit të Shtetit James Baker – Tirana zyrtare është vizituar thuajse nga të gjithë Sekretarët amerikanë të shtetit, përveç Uoren Kristofer, dhe sekretarit aktual Anthony Blinken.

Në 101 vjet marrëdhënie Shqipëri SHBA, vizitat historike eshtë ajo e Presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, me 10 qershor 2007, takimi dhe konferenca për shtyp me ish Kryeministrin Sali Berisha – deklerata e tij që i vendosi vulën pavarësisë së Kosovës.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një Kosovë të pavarur dhe sovrane, ka qenë e pakushtëzuar. Një gjë të tillë e kishte përsëritur presidenti amerikan, George W Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në takimin që kishte pasur në vitin 2007, me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berishën.

Bush kishte deklaruar se populli i Kosovës simbas tij duhej që të kishte SHBA-të ato që e mbështesnin pavarësinë në mënyrë të fuqishme dhe të prerë.

Ndërkohë, derisa në konferencën e përbashkët të tij dhe Berishës, bëheshin pyetje për mundësinë e vonesave në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, Bush kishte thënë se janë duke diskutuar me diplomatë rusë e të BE-së rreth disa mospajtimeve, megjithatë ai kishte thënë se nëse nuk arrihet një gjuhë e përbashkët atëherë “Mjaft është mjaft, dhe Kosova është shtet i pavarur”.

Filed Under: Mergata

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 21, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

(Vijon nga numuri i kaluar)

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”

FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika

(Vijon nga numuri i kaluar)

Mbas kërkesave të z. Mirakaj , që fliste n’emër të tij, por përfaqësonte Bllokun Kombëtar Indipendent dhe shqiptarët në përgjithësi, i erdhi rradha kryeministrit italian të shprehte pikëpamjet e tij e të Shtetit të tij, në lidhje me gjëndjen e përgjithëshme dhe, në veçanti, mbi marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë. Mussolini tregohet shumë dashamirës e i vendosur të sigurojë popullin shqiptar, në lidhje me t’ardhmen e tij. Nga ajo bisedë po shkëpus për t’i paraqitur këtu pjesët më të rëndësishme: 

“Jam thellsisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemët të haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnisht edhe tjera herë si Ju shkëlqesë, ashtu edhe të tjerë përgjegjsa e patriotë Shqiptarë.

I çmoj burrat e sinqertë qi kanë guximin t’a thonë të vërtetën edhe kur të jetë e hidhun”

Është një hyrje më duket, më shumë diplomatike, se sa e sinqertë, në përputhje më shumë me mendësinë shqiptare se sa atë italiane. Por të rëndësishme janë fjalët që ai thotë, pavarësisht se ato ishin të kushtëzuara nga shumë faktorë, e nuk mundën të sendërtohen në vepra.

“Përveç korigjimeve që janë në vazhdim simbas dëshirës së shprehun nga përgjegjsat Shqiptarë, provën ma të prekëshme të dashunisë e të ndjenjës së drejtësisë, u a kam dhanë tue i këthye në gjiun e Atdheut tokët iredente menjëherë, pa pritë mbarimin e luftës; me këte kam dashtë t’u jap provën e të drejtave të njëpërnjëshme të dy popujve tanë në çështjet që i përkasin veçmas njanit apo tjetrit. Lufta siç ka barrën e randë e rreziqet, ka edhe të drejtat e saj. Në parim të këtyne të drejtave, Italia po të kishte dashtë kishte mujtë me i konsiderue Kosovën e të tjera vende, pjesë integrale të Jugosllavisë së mundun, e si të tilla, me i administrue për llogari të vet deri në mbarim të luftës.

Nuk desha të përfitoj këte rasë e këte të drejtë, konseguent me premtimet  që i kam ba un Popullit Shqiptar.

Kemi lanë të varun për tashti çështjen e Çamërisë me administratë autonome dhe një Komisar Shqiptar, pse ashtu e lypshin rrethanat, por edhe kjo në mos ma përpara, në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejtë e saj.”  

Ka një dozë të theksuar hipokrizie në këto fjalë të Kryeministrit italian. Ai e din se flet për një problem tejet qenësor e jetik për shumicën dërmuese të shqiptarëve e përdor në këtë rast “shkopin dhe karrotën”. Nga një anë ve në pah rëndësinë e vlerën e vendimit te qeverisë italiane për t’i bashkëngjitur Shqipërisë krahinat e rrëmbyera me fuqinë ushtarake nga Vëndet fqinjë e në tjetrën i përmënd bashkëbiseduesit “të drejtën për t’i administruar për llogari të vet deri në mbarim të luftës” që bie ndesh me premtimin e mëposhtëm se “në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejta e saj”. Mbi të njëjtin objekt, simbas tij, ka dy të drejta. 

Për sa i përket bashkimit të Çamërisë ai thotë një të pavërtetë, të cilën e mbulon me shprehjen e përgjithëshme “pse ashtu e lypshin rrethanat”. Fakti ishte se edhe mbas dy vitesh të prillit 1941 ai mbeti vetëm një shpresë e pasendërtuar, megjithë përpjekjet e pafund të kombëtaristëve shqiptarë. Madje ai përgënjeshtrohet nga vetë komisari i caktuar prej tij, që nuk është as Fejzi Alizoti dhe as Xhemil Dino, por Karlo Umiltà, njeriu drejtpërdrejtë përgjegjës për mos bashkimin e Çamërisë, si pasojë e raporteve të rreme që dërgonte nga terreni. Ja çfarë shkruante vetë komisari Umiltà në librin e tij: “Jugosllavia e Shqipëria”: 

“Të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin  si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të  tjera, të banuara, pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët  myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

Megjithë ankesat e Xhemil Dinos  dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, qeveria e jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj, një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë pa dobi për askënd.

Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më qeverinë tonë”    

Duket qartë kundërshtia në mendime ndërmjet Mussolinit dhe komisarit Umiltà mbi çështjen e bashkimit të trevave jugore. Kjo gjë të le një farë dyshimi në strategjinë italiane n’atë drejtim, dyshim që kthehet në siguri, sepse nuk u vu asnjëherë në tryezë për zgjidhje. Por le të vazhdojmë të ndjekim fjalën e kryeministrit në përgjigje të bisedës së Mirakajt:

“Një gja asht e krejt e kjartë  dhe e pandryshueshme në koceptin tim evropian, e në të cilin hyn në konsideratën ma të favorshme edhe Atdheu i të Madhit Gjergj Kastrioti-Skënderbé, i Atij Hero që nuk asht vetëm i Shqipnisë, por edhe i gjithë Evropës: një  ndër shpëtimtarët e qytetërimit evropian-kristjan. Ky koncept përmblidhet në këtë formulë:

“Do t’ishte utopija ma e shëmtueme e shekullit të XX me synue aneksimin e kolonizimin e një Populli Evropian cilido kjoftë. Do t’ishte mohimi i misionit qytetnues e turp për historinë e Italisë po të synonte këtë padrejtësi, e po e them: vepër barbare në dam të Popullit Shqiptar, që asht ndër ma të vjetrit e autokton të këtij kontinenti.”

Retorika e kryeministrit italian është në një nivel të lartë. E po n’atë nivel është edhe mashtrimi i tij, por le t’a ndjekim deri në fund në këtë sprovë gojtarie të lëvdueshme:

“Ju ap autorizimin t’a shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në “Lëvizjen e Birëve të Shqipes” e t’i epni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten  ndjenjave, nevojave e dëshirave të Popullit tuej. Ju autorizoj të formoni njëzet bataljone shëtitës e jam i bindun se do të jenë të denjë për emnin me të cilin keni vendosë t’i pagëzoni; emën magjik “Birt e Shqipes” (nome magico “figli dell’aquila), për të cilin ata, që do të kenë nderin me e pasë, duhet të jenë krenarë (orgogliosi). Do t’u ve në dispozicion  gjithshka  u lypet për plotsimin  e këtyne  formacioneve, përfshi këtu edhe fondet. Ka kohë që kam vendosë me i dhanë individualitetin kombtar ushtrisë Shqiptare, në kuadrin e përgjithshëm t’ushtrisë italiane. Kemi shembull HONVED-in e dikurshëm të Hungarisë. Hapi i parë asht ba  në bashkfjalimin qi kam pasë së fundit me shkëlqesën Kruja, i cili m’a pat kërkue këte gja, tue i përmbledhë përnjëherë bataljonet Shqiptare në katër regjimente, e tue i dallue me Kunorën e Skënderbeut në qafore të xhaketës. Që atëherë i premtova shkëlqesës Kruja , me arrijtë në katër divizione e me iindividualizue krejt Shqiptarisht.” 

“U kam premtue Shqipninë e Madhe; e Madhe them, pse tregu politik ndërkombëtar e pat gjymtue tepër padrejtësisht ndër kufinjtë e 1913-ës. Do të keni mbas ksajë lufte Shqipninë Shtet Sovran, ndër kufinjtë etnikë tansisht.”

“Edhe në rasën ma fatkeqe, të hipotezës së humbjes së luftës nga ne, nuk kanë për t’iu mungue armët as tjerat mjete, e as teknikët për të mbrojtë ekzistencën e Kombit. Kam mjaft djelmoça që, me një shenjë të shprehjes së vullnetit tim, kanë për të ngelë në Shqipni, e që do të vihen vullnetarë në rreshtat e forcave t’armatosuna Shqiptare. Justifikimi i një veprimi të tillë asht i thjeshtë. Un due t’i jap Popullit Shqiptar provën e plotë se, në Popullin italian ka me të vërtetë një vlla ma të madh, tek i cili ka për të gjetë përherë mbështetje të sinqertë.”

Këtu mbaroi fjala e Benito Mussolinit. Për z. Mirakaj dhe shoqëruesit e tij qenë fjalë shprese e besimi që mbështeteshin tek vetë shpresa e kryeministrit italian që e bëri të tejdukej në aluzionin për armët speciale të gjermanëve. Falënderimet qenë të sinqerta, por nuk mungoi nga ana e tij, shprehja e shqetësimit dhe ritheksimit të nevojës imediate e të domosdoshme për Shqipërinë, duke paralajmëruar një tjetër “trokitje në derën e Duçes”:

“Gjaja e ngutëshme për t’i a  arrijtë qëllimit përfundimtar në çështjen Shqiptare asht sigurimi i qetësisë së mbrendëshme, sigurimi i rregullit. Kjo arrihet me shkatrrimin e lëvizjes komuniste, që çështja Shqiptare e ka thikë mbas shpatullash në shërbim të sllavizmit, prandej, gjaja e parë e kryesore për tani asht me rekrutue e organizue bataljonet shëtitës, i vetmi mjet për të vue qetsinë e për të shkatrrue lëvizjen bolshevike.

Porsa të kthejmë në Tiranë , do të vé në dijeni Kryeministrin dhe Ministrin e punëve të mbrendëshme, me të cilët më lidhë edhe miqësi e ngushtë (e ka fjalën për Mark Gjomarkajn) (shënim i autorit), e kështu, na vihemi në dispozicjon pa kushte. Po kje se ndeshim në moskuptime e pengesa, kemi për të trokitë prap në derën e Duçes”     

   Siç shihet në këtë bisedë jo zyrtare të ish ministrit Mirakaj, vihet në dukje një problem i hershëm i Shqipërisë së pushtuar nga italianët, ai i kërkesës për mundësinë e armatosjes së një numëri të caktuar të të rinjve shqiptarë, që të ishin të varur nga ministria e Brëndëshme e që të ishin të gatshëm për të mbrojtur kufinjtë e Shqipërisë etnike kur të vinte çasti i volitshëm e i nevojshëm. Kjo kërkesë ishte bërë edhe nga Mustafa Kruja, si kusht për të marrë në dorëzim qeverinë në dhjetor 1941. Edhe atëherë ishte premtuar nga ana e Italisë, por mbeti vetëm një premtim. Kola e dinte mirë, por ka dashur t’i a shkëpuste këtë premtim kryeministrit italian, si e vetmja shpresë për të përballuar gjëndje shumë të vështira që hamendësonte se mund të vinin për Shqipërinë e për kombëtarizmin shqiptar. Mussolini e premtoi përsëri por nuk pati mundësi t’a sendërtojë, sepse mbas tre muajsh ai nuk ishte më kryeministër. Ishte vetëm kjo arsyeja e mos realizimit të premtimit apo mungesa e dëshirës e ndoshta frika tek italianët se ata ushtarë shqiptarë do të ktheheshin kundër tyre? Fakti ishte se premtimi i bujshëm mbeti vetëm në fjalët e tij pa gjetur zbatim. 

Megjithatë ai mbeti në histori si një veprim në dobi të atdheut e dëshmon se ajo klasë politike, bashkëpunuese me Italinë, ka punuar me ndershmëri për interesat e vërteta të Shqipërisë, pa vështruar interesat vetiake. Edhe Marku ishte i vendosur në vijën atdhetare të kolegëve të tij. Mbas dorëheqjes së qeverisë Kruja ai u kthye në shtëpi, por më 12 shkurt 1943 ai u betua përsëri si ministër i Punëve të Brëndëshme në qeverinë  e Maliq bej Bushatit, që mbeti në fuqi vetëm 76 ditë. Në librin  “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” të studjuesit e gazetarit Roland Qafoku shkruhet: “Vetëm pas disa ditësh që mori detyrën kryeministri pati debat të madh me ministrat, shumica e të cilëve ishin nga Veriu. Një prej tyre ishte Marka Gjoni, ministër i Brëndshëm , i cili kërkonte të vepronte me forcë në jugë të Vëndit për të shtypur rezistencën. Kryeministri nuk e pranoi këtë, madje debatoi gjatë, deri sa i mërziti italianët…”Ky fragment i cituar është marrë nga libri “Shqipëria gjatë luftës “1939-1945”të historianit e e politologut amerikan Bernd Fischer.

Muajtë kalonin me shpejtësi e lufta kishte ndërruar drejtim përsa i përkiste fateve të saj. Si pasojë e fuqisë së aviacionit amerikan të zotuar në qiejt e Bashkimit Sovjetik, Stalingradi qëndroi kundër rrethimit gjerman  e, më pas, filloi kundërsulmin sovjetik. Italia kapitulloi më 8 shtator 1943 e Gjermania mbeti e vetme në luftë kundër aleatëve. Megjithatë, për të mos lejuar hapjen e një fronti të ri në Ballkan me ndonjë zbarkim të anglezëve, komanda e lartë gjermane dha urdhër të pushtohej Shqipëria. Marku, siç e thamë më sipër, me mirditorët e tij siguroi qetësinë e duhur për të lejuar zhvillimin e lirë të punimeve të Asamblesë kombëtare të dalë nga zgjedhjet e vetme të përgjithëshme të Shqipërisë etnike.

Vijon

Filed Under: Mergata Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT