• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRAMA LINDORE E MIQËSISË PERANDORAKE

April 18, 2024 by s p

Kosta Nake/

Fati i grave të ish-kampit socialist që u martuan me burra të huaj është temë e njohur jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe brenda Veprës së Kadaresë. E reja qëndron në gjininë letrare që ka zgjedhur ta bëjë këtë, një miksim i skenarit të filmit me dramën. Vendosja e fatit të Ljuba Marinovës në tri kohë: në fillim viteve ’60 kur dashuria e sjell nga Moska në Tiranë: në vitin 1968 kur ndodhej në burg dhe vitet pas ndryshimit të sitemit politik, ka bërë që të përdoret thyerja kompozicionale me alternime të shpeshta të skenave të ngjarjes, me një shkrirje të kufijve mes ëndrrës dhe zgjëndrrës.

Ljuba është vajza ruse që, për shkak të moshës dhe mjedisit propogandistik, kthehet në një flutur që vjen nga dimri rus në një vend të ngrohtë, me portokalle dhe afër kufirit me Perëndimin. Vajza që humb shumë nga Moska për të marrë diçka nga Tirana, kthehet në një zog të lirë që gjen ngrohtësi jo vetëm nga mjedisi natyror, por edhe ai shoqëror. Por ajo vjen në Shqipëri në kohën më të papërshtatshme për të vjelë kokrrat në pemën e dashurisë, pasi shumë shpejt fillon acarimi i marrëdhënieve mes dy shteteve që zgjerohet si ftohje e Shqipërisë me gjithë kampin socialist. Ka vetëm dy zgjidhje, të dyja të dhimbshme: ndarja si çift me fëmijët që mbeten pa një krah ose ruajtja e familjes së vogël dhe ndarja pa kthim me familjen e madhe.

Bashkudhëtare në fatin e përzishëm të ndarjes ka dhe gra të tjera, si Nadja, Kristina, kontesha, etj. që rritin përmasat e rolit represiv të shtetit. Po faqja e butë e dashurisë së pastër e të paqme të Ljubës mbështetet mbi faqen e ftohtë të aviatorit Arian Shkreli, i cili, për shkak të raportit të veçantë që ka me tokën poshtë tij, është dhe mbetet një atdhetar i palëkundur. Ai humb vendin e punës sepse është martuar me një të huaj, nga ana tjetër është i gatshëm ta sakrifikojë dashurinë, t’i vërë zemrës një gur dhe ta lejojë Ljubën të kthehet në Bashkimin Sovjetik.

Ajo që ndodh përcillet fillimisht midis grave përmes grimcave të dyshimit dhe shikimit të filxhanëve, pastaj vjen një ditë që dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. “S’ka më flamuj sovjetikë. S’dëgjohen më këngë ruse.” (f.560)

Përmasat e dramave familjare bëhen tronditëse sepse barra kryesore vihet mbi shpatullat e brishta të grave, e shprehur në fjalët e Nadja Gracovës, bashkëshortes së Rudianit: “Jemi të pambrojtura midis kthetrave të tyre… Do të na shqyejnë.” (f.562)

Që në titullin e figurshëm të veprës autori e ka bërë këtë veçim, por do ta rimarrë në fjalët që vendos në gojën e diplomatit të parë: “Kjo botë që ne e quajmë Lindje dhe me të drejtë quhet mbretëria e së keqes dhe e mërzisë, ka një thesar që ende nuk njihet: gratë.” (f.552) Duke qenë student në Moskë, duke njohur vajzat ruse, diplomati bëhet zëdhënës i Kadaresë dhe metafora e sorkadhes shpreh jo vetëm delikatesë, por edhe dhimbshuri për fatin e tyre tragjik.

Ndryshe nga romani “Dimri i vetmisë së madhe”, këtu tregohet represioni e shtetit ndaj të vetëve dhe shtetasve të huaj, duke krijuar një hapësirë që sa vjen e shtohet, madje ftohet për të hyrë në lojë edhe “Pallati i ëndrrave” me fjalët e shefit të kundërzbulimit: “Dyshoj se po fillon ajo që i trembem më shumë: zona e errët e paranojës.” (f.572)

Sofika e filxhanëve, dhe jo vetëm, futet në mekanizmin e egër të zbulimit të komploteve për vrasjen e udhëheqësit. Qytetarët e zakonshëm dhe ata të piramidës së lartë të shtetit përfundojnë në hetuesi, ulen në fron me peshën e fajësisë vetjake të paracaktuar, por duhet medoemos të tregojnë dhe bashkëpunëtorët. Në një mbledhje në ministri, një nëpunës i lartë thotë: “Autokritika e shokut ministër është e pamjaftueshme. Thellohu, shoku ministër. Lehtëso veten. Ndihmoje Partinë.” (f.580) Këgo janë formulime të njohura që kanë dalë në dritë pas hapjes së pjesshme të arkivave.

Një karakter mjaft i realizuar, edhe pse në plan të dytë, është Blendi, vëllai i Arianit, që bëhet mik i vërtetë për Ljubën, me atë inskenimin e errësirës për të parë RAI-n dhe me deklaratën e rrezikshme: “Shqipëria do të bëhet vend perëndimor.” (f.532) Figura e tij merr një përndritje të re duke i dalë për zot Ljubës në çastin e arrestimit. “S’e prekni dot! Jam kunati i saj.” (f.581)

Tension të lartë dhe intesitet të veçantë, frymëmarrje të pezulllt kanë orët e largimit të Ljubës drejt aeroportit; madje as hipja në avion nuk mjafton për të shpëtuar nga hetuesia dhe burgu.

Natyra e kësaj zgjedhjeje e kufizon ndërhyrjen e autorit, por ai është romancier dhe, ashtu si në jetë dhe në krijimtari, i thyen trinat kufizuese për të bërë atë që e ndjen së brendshmi dhe s’mund ta mbajë vetëm për vete. Kur Ljuba paraqitet për të filluar punë në uzinë, ajo bëhet pre e “vështrimit dyshimtaro-kureshtaro-epshor të shefit të kuadrit.” (f.527) Ka një prezantim të pazakonshëm të një personazhi në sfond: “pusht Lefteri, horri i njohur i uzinës.” (f.529) Një ndalesë më të gjatë si autor bën te tabloja e gjahut: “Si një tufë sorkadhesh të kapura në një rrjetë-kurth, ato ia kaluan njëra-tjetrës panikun, ndërsa rendnin sa në një drejtim në tjetrin, për t’i shpëtuar rrethimit. Kështu provonin të gjenin një të çarë, një dalje nga ajo rrethojë, nëpër porta ambasadash të ndryshme: çeke, hungareze, polake, rumune, e sidomos sovjetike. Por pengesat ishin kudo… (f.562)

Prej vitit 2019 është shkruar për një film ruso-shqiptar që merrte shtysë nga ky skenar.

E vendosur në fund Veprës 20, e paraprirë nga dy refleksionet e gjata “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe “Pesha e kryqit”, vepra ka fatin e madh të ketë një parathënie të gjatë nga vetë autori.

(Ismail Kadare “Sorkadhet e trembura”, Synops për një tjetër art,

Vepra 20, f.517)

Filed Under: Opinion

NIKKI HALEY, ISH-GOVERNATORE, ISH-AMBASADORE, KANDIDATE DERI KOHËT E FUNDIT PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA DHE “NUSJA SHQIPTARE” * I BASHKOHET INSTITUTIT TË  NJOHUR KONSERVATIV “HUDSON” NË WASHINGTON

April 17, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Në një njoftim për media ditën e henë, Instituti i njohur konservativ, Hudson, në Washington tha se Nikki Haley, ish-governatore e shtetit Karolina e Jugut dhe ish-ambasadore e Shteteve të Bashskuara të Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, do i bashkohet këtij instituti amerikan në zë si promovues i politikave konservative të mbrendshme dhe të jashtme si dhe i sigurisë kombëtare.   

 Në njoftimin e Institutit Hudson me këtë rast citohet Nikki Haley të ketë thenë duke pranuar emërimin, se “Kur politikanët tanë dështojnë të identifikojnë armiqtë tanë si të tillë, ose kur dështojnë të vlerësojnë rëndësinë e aleancave tona, atëherë bota është më pak e sigurt”, duke shtuar se “kjo është arsyeja se pse puna e Institutit Hudson është aq e rëndësishme”, në këtë kohë. Instituti Hudson, vazhdon të citohet ish-ambasadorja dhe ish-kandidatja për presidente, “Beson se populli Amerikan duhet të ketë faktet për problemet dhe politikanët duhet të gjejnë zgjidhjet, në mbështetje të një të ardhmjeje të sigurt, të lirë dhe të begatë. Mezi pres që t’u bashkohem kolegëve në Istitutin Hudson, që në parttneritet me ta, të mbrojmë parimet që e bejnë Amerikën vendin më të mirë në botë”, është shprehur, Zonja Nikki Haley.

Ndërsa Presidenti i Institutit Hudson, Z. John P. Walters e priti Zonjën Haley me fjalë të ngrohta duke thenë se, “Nikki është një udhëheqse e sprovuar dhe efektive si në fushën e politikës së brendshme ashtu edhe të politikës ndërkombëtare. Në një periudhë ngjarjesh politike të pakontrollueshme dhe konfliktesh, Nikki Haley ka vazhduar të jetë mbrojtëse e patundur e lirisë dhe mbështetse e bindur dhe efektive e sigurisë dhe begatisë amerikane. Jemi krenarë që ajo po i bashkohet Institutit Hudson”, ishin fjalët e Presidentit të Institutit Hudson, duke mirëpritur Nikki Haley-n në radhët e këtij instituti shkencor,  një ndër më të njohurit, botërisht. Në të kaluarën si edhe tani shumë personalitete të njohura të politikës amerikane kanë qenë bashkpuntorë të Institutit Hudson, përfshiur Henrz Kissingerin, ish-Zevendës presidentin Dan Quale, ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Ppmpeo e të tjerë.

      Nikki HaleyAmbasadorja Nikki R. Haley i bashkohet Institutit Hudson, një ent konservativ me fame botërore që merret me politikat e brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara  

Gjatë fushatës për president si kandidate e Partisë Republikane, Nikki Haley ka promovuar një politikë të jashtme amerikane të fortë dhe vendimtare përball krizave globale siç është lufta Rusi-Ukrainë, luftimet Izrael Hamas e të tjera konflikte ndërkombëtare. Qendrimi i saj ishte në contrast të plotë me qendrimin e ish-presidentit Donald Trump i cili kembëngulë për të mbajtur Shtetet e Bashkuara jasht konflikteve ndërkombëtare. Ishte Shkurti i vitit që kaloi, kur Zonja Haley shpalli kandidaturën e saj për presidente të Shteteve të Bashkuara, por në fillim të muajit që kaloi ajo njoftoi anullimin e fushatës së saj për detyrën numër një në vend – pasi në përballim me ish-Presidentin Trump, ajo humbi 14 nga 15 zgjedhjet në shtetet që mbajtën votime në të ashtuquajturën “super Tuesday”, në fillim të Marsit.  Megjithkëtë, sipas njoftimeve në media, Nikki Haley është shprehur se ndonëse anulloi fushatën e saj si kandidate e Partisë Republikane për President, ajo nuk e ka ndër mend të heshtë në lidhje me çështje të rëndësishme të politikës së brendshme e të jashtme dhe sigurisë kombëtare.

Siç duket, Haley ka zgjedhur si platformë institutin e njohur Hudson në Washington për të vazhduar të “përdor zërin e saj për të folur në mbështetje të çeshtjeve me rëndësi, në të cilat ajo beson”, siç është shprehur ajo me rastin e anullimit të fushatës për president fillim muajin e kaluar. Deri më tani, Zonja Haley nuk ka mbështetur Z. Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane për president.  

Unmute

* “Nusja Shqiptare” – Nikki Haley ka thenë më heret në takime me grupe shqiptaro-amerikanësh, kur ajo shërbente në Nju Jork se ajo është e martuar me një biznesmen amerikan me origjinë shqiptare. Në atë kohë ajo është angazhuar, publikisht, duke premtuar se do të punonte për rritjen e numrit të njohjeve — nga vendet anëtare të OKB-së — të Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. 

Frank Shkreli

Governor Nikki Haley, joined by her family Michael, Rena and  Nalin, cross Sumter Street on their way to the State House after the Inaugural Prayer service held at Trinity Episcopal Cathedral, Wednesday morning.

Nikki Haley me bashkshortin Michael, në ditën e inaugurimit të saj si governatore e shtetit Karolina e Jugut, 2015.   

Filed Under: Opinion

“VATRA”, “DIELLI” DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

April 16, 2024 by s p

Kastriot Fetahu/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” u krijua në 28 prill 1912 dhe mori çertifikatën nga shteti i Massachusetts në 13 qershor 1912, ku figurat kryesore të saj ishin dy korifej, Fan Noli dhe Faik Konica. Formimi i një diaspore mund të artikulohet si udhëtimi thelbësor drejt bërjes; një proces i karakterizuar nga rigrupime të pandërprera, rekreacione dhe përsëritje. Së bashku këto veprime të theksuara përpiqen të hapin hapësira të reja të vetëdijes postkoloniale diskursive dhe performuese.

Prej themelimit të saj kjo Federatë mori menjëherë atributet e një qeverie në mërgim, pasi Noli dhe Konica lobuan fuqishëm në Europë dhe SHBA për të mbrojtur interesat dhe kërkesat kombëtare shqiptare deri në mbarimin e luftës së parë botërore, e më pas u mbajt Konferenca e Paqes në Paris në vitet 1919-1920 në të cilin Presidenti Amerikan Woodrow Wilson vendosi veton ndaj planeve të armiqve të Shqipërisë duke mbrojtur integritetin territorial në fjalimin e tij më 6 maj 1919 kur deklaroi se “Shqipëria duhet të jetë e pavarur!”

Është gazeta “Dielli” që trajtonte çdo ditë problemet e Shqipërisë në ato vite të stuhishme e deri në ditët e sotme.

“Vatra” dhe “Dielli” i saj ishin institucione prestigjioze kombëtare për të bashkuar shqiptarët e jashtë kufijve në qëndrimin e përbashkët për ruajtjen territoriale të kombit tonë. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA në vitin 1922 ishte një fitore e madhe për shqiptarët dhe në këtë mes është edhe kontributi i Federatës “VATRA” në këtë arritje madhore. Po kështu edhe në çlirimin e Kosovës lobimi i Federatës Vatra dhe Antoni Athanas, i cili takoi Presidentin Bill Klinton, bëri të mundur përfshirjen e fuqishme të SHBA në krijimin e dy shteteve shqiptare në zemër të Europës, duke trashëguar nga Noli dhe Konica fuqinë e saj për të kontribuar në çështjen shqiptare. Vatranët janë krenaria e diasporës shqiptare për këtë trashëgimi dhe e ardhmja është premtuese për fatet e kombit tonë, duke qënë edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra një faktor i rëndësishëm kombëtar.

Në planin e ruajtjes së vlerave kulturore, gjuhësore dhe arsimore, Vatra “i ngjan UNESCO” për seriozitetin e saj. Ngritja e Flamurit në festën e Pavarësisë është atdhedashuria e diasporës nën udhëheqjen e Federatës VATRA për të revokuar tek emigrantët shqiptarinë dhe flamurin tonë.

Vizitat e Presidentit Amerikan George J Bush dhe gjashtë Sekretarëve Amerikanë të Shtetit, James Baker në 1991, Madeleine Albright në 2000, Colin Pawell në 2003, Hillary Clinton në 2012, John Kerry në 2016 dhe Antony Blinken në 2024 janë tregues të marrëdhënieve të ngushta midis SHBA dhe Shqipërisë dhe Federata VATRA është gjithmonë aty, një urë lidhëse në detin e miqësisë Shqiptaro-Amerikane.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” janë seriozisht të angazhuar që idetë e Fan Nolit dhe Faik Konicës të progresojnë për mbrothësinë e shqiptarëve dhe ëndrrës së bashkimit të trojeve kombëtare, duke e bërë Shqipërinë, Kosovën e kombin shqiptar faktor paqeje e sigurie në Ballkan e më gjerë.

Filed Under: Opinion

U FESTUA NË NEW YORK 113 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË

April 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Prill 2024- Shoqata “Malësia e Madhe” bashkoi shqiptarët e Amerikës në festën përkujtimore të kryengritjes së Malësisë së vitit 1911. Një manifestim patriotik madhështor në përkujtim të një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është ngjarje e një rëndësie specifike pasi beteja e malësorëve ishte për interesa të përgjithshme shqiptare, mblodhi krerë dhe luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare dhe suksesi i ngritjes së flamurit në Deçiq është arritje historike e kryengritjes së vitit 1911.

Mbrëmja festive nën prezantimin e Diana Ivezaj Cacaj,

e udhëhequr nga Lek Dedvukaj, Ermina Bushi Lleshaj, dhe ekipi muzikor, filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himnit kombëtar shqiptar kënduar nga Engjëll Junçaj e Gjystina Bojaj. Pasi u mbajt 1 minut heshtje për dëshmorët dhe heronjtë e kombit, kryetari i Shoqatës Malësia e Madhe z.Senad Lulanaj në fjalën e tij theksoi se kryengritja e Malësisë ishte vepër gjigande patriotike që u la me gjakun e malësorëve. Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në lutjen e darkës u ndal te trimëria dhe pamposhtmëria e malësorëve kundër perandorisë otomane dhe vepra thelbësore e Dedë Gjo’ Lulit dhe kryengritjes në historinë tonë kombëtare shqiptare. Prof.Elena Kocaqi si folësja kryesore në aktivitetin patriotik theksoi se kryengritja e Malësisë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të popullit shqiptar. Ajo shpjegoi etapat e rrugëtimit historik të kryengritjes, pjesëmarrësit, organizimin, etapat e luftimeve dhe rezultatet e saj: Një arritje e kryengritësve ishte se kërkuan njohjen e kombësisë shqiptare, gjuhës shqipe dhe lëvrimin e saj kudo ku jetonin shqiptarë, u kërkua autonomi dhe guvernator shqiptar, shqiptarët të përfaqësohen me deputetë në parlamentin osman. Kryetari i shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan z.Agron Dedivanaj në fjalën e tij solli në vëmendje rëndësinë e kryengritjes së Malësisë në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nosh Rroku Camaj recitoi para të gjithëve një baladë të gjatë kushtuar Ded Gjo’Lulit, Ismail Qemalit e trimave malësorë të kryengritjes së Malësisë. Organizata më e vjetër patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës Federata Pan-Shqiptare Vatra përfaqësohej nga sekretari Dr. Pashko Camaj i cili përshëndeti aktivitetin dhe diskutoi rreth krenarisë kombëtare dhe historisë identitare të shqiptarëve që lidhen edhe me kryengritjen e lavdishme të Malësisë.

Kryengritja e vitit 1911 arriti të bashkojë shqiptarët, kryesisht të vilajetit të Shkodrës, pati sukses historik dhe ktheu vëmendjen e Stambollit ndaj kërkesave të shqiptarëve duke iu dhënë përgjigje me shkrim dhe duke iu plotësuar atyre disa prej pikave të marrëveshjes. Darka festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të shquar të organizatave e shoqatave patriotike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës, model atdhedashurie e shqiptarie për tre dekada me radhë.

Filed Under: Opinion

“Timsi”, shteti-parti dhe partia-shtet

April 13, 2024 by s p

Sokol Paja/

Skandali “Tims” është padyshim ndër skandalet më të rënda në shtetin shqiptar të tranzicionit postkomunist. I harruar dhe i kaluar në heshtje prej muajsh prej organeve ligjzbatuese, kopjimi, ruajtja dhe transferimi i të dhënave personale të shqiptarëve e shtetasve të huaj nën posedim të personave të paautorizuar përbën një akt të pastër kriminal, një precedent të tmerrshëm të rënies së shtetit ligjor, gjunjëzimit të institucioneve, cënimit të sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s dhe shkelje të një sërë ligjesh, marrëveshjesh e konventash ndërkombëtare. Një ditë e zezë për shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Shteti shkërmoqet prej punonjësve shtetërore. Shteti ka dështuar totalisht të mbrojë të dhënat e qytetarëve të Republikës. Asnjë përgjegjësi nga zinxhiri komandues e drejtues i cili duhej të jepte llogari që ditën e parë të skandalit të rrezikshëm e të paprecedentë.

Të gjitha skandalet kombëtare në shtetin shqiptar mbajnë një përgjegjës: Edi Rama. Kryeministri më i dobët dhe më i dëmshëm i Shqipërisë e shqiptarëve vazhdon “mbretërimin” e tij të mandatit të tretë duke sjellë pasoja të tmerrshme në ekonominë, sigurinë shtetërore e keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Dëbimi nga Shqipëria i 1 milion shqiptarëve në 11 vite keqqeverisje, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e vendit dhe katandisjen e vazhdueshme prej më shumë se një dekadë. Partia- shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem.

Në skandalin “Tims” është e pashpjegueshme sesi Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka thënë asnjë fjalë dhe nuk është marrë asnjë masë. As Komisioni Hetimor Parlamentar as arrestimi i ish drejtorit hajdut Muça, nuk i lajnë mëkatet e këtij skandali me përmasa të frikshme. Shteti është thyer e kthyer nën komandën e patronazhistëve dhe aktivistëve, specialistët dhe punonjësit me integritet janë zëvendësuar apo transferuar në periferi. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet. Vjedhja e të dhënave personale të shqiptarëve si hyrje-daljet e personave në pikat kufitare, dokumentet biometrike të shtetasve, gjeneralitetet e tyre, ngjarjet kriminale, ngjarjet nën hetim të raportuara në sistemin e brëndshëm të policisë, aksionet e policisë së shtetit, dosjet hetimore më të bujshme, lista terroristëve apo personave me rrezikshmëri të lartë dhe në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, gjobat e makinave të qytetarëve të Republikës, strategji, plane veprimesh apo informacione të ndryshme sekrete të rëna në duart e personave jo përgjegjës përbëjnë një akt të tmerrshëm kundrejt interesit të shtetasve të Republikës dhe interesave të vetë shtetit shqiptar. Një tradhti e tmerrshme, shteti “shet” të dhënat sensitive të shtetasve. Vetëm largimi i kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që fusin duart në xhepat e shtetit, në kurrizin e qytetarëve dhe institucioneve e shpëtojnë Shqipërinë nga plagët shumëplanëshe dhe të shumanëshme.

Në një shoqëri demokratike perëndimore, qeveria do kishte rënë 100 herë, ndërsa në Shqipëri Rama me shpurën e tij vazhdon vjedhjet e abuzimet, shoqëria e qytetarët heshtin dhimbshëm. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët që jo vetëm të ketë ndëshkim shembullor mbi skandalin “Tims” por institucionet shtetërore përgjegjëse të kërkojnë ndihmë nga BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rritjen e kapaciteteve të sigurisë e mbrojtëse kibernetike, ndryshim të legjislacionit dhe rritje të kapaciteteve të specialistëve të fushës me qëllim që skandale të tilla të mos rrezikojnë qytetarët, institucionet dhe vetë shtetin. Shteti ka rënë, Republika në rrezik jetik.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT