• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRI, TË KËRKUAM NDËR SHEKUJ

February 23, 2024 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

16-vjetori i pavarësisë së Kosovës

Sundimi i të huajve, sidomos sundimi serbomadh, i ka shkaktuar plagë të madhe popullit shqiptar. Për të mbijetuar në këto kodra të Ballkanit, nga gjiri i popullit lindën Micë Sokola. Duke u përballur ndër shekuj me stuhi dhe furtuna, Kosova martire u shndërrua në metaforë të qëndresës. Duke qenë vendës, shqiptarët lëshuan rrënjë të thella në tokën dardane. U kalitën ndër luftëra dhe beteja dhe u bënë të fortë sa guri, u shndërruan në shkëmb të pathyer. Lokja nënë i rriti bijtë në rrafsh dhe në kodra, mu si shqiponja në maje të maleve të thepisura të Bjeshkëve të Nemuna. Kosova, kjo dhimbje e kombit, diga e shqiptarisë përballë hordhive të egra barbare, grabitqarëve dhe hienave gjakpirëse të gadishullit. Kosova, në ballë të frontit për të mbrojtur folenë mijëvjeçare të shqipes. 

Ti Kosovë u përballe me elaboratet e ideologëve serbomëdhenj. Nuk u dorëzove para “Naçertanies” së Ilija Garashaninit. Nuk u theve as para elaborateve të Vasa Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriqit. U sulën mbi ty Kosovë, akademikët sllavë. Deshën të të dëbojnë në tokë të huaj, në Anadolli. Tentuan të të syrgjynosin, por ti Kosovë, me gjoksin të fortë si shkëmbi, u bëre ballë erërave të furishme të historisë. 

Luftërat dhe betejat e shqiptarëve të Dardanisë janë vazhdim i qëndresës historike të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (1405-1468), i cili çerek shekulli e mbrojti qytetërimin evropian nga inkursionet aziatike. 

Ti Kosovë ke dhënë shumë trima, që s’harrohen kurrë.

Kosovë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që kërkoi t’i japë fund sundimit osman. Në kërkim të dritës së lirisë, njëri ndër udhëheqësit kryesorë të Lidhjes, Abdyl Frashëri (1839-1892) trokiti në dyert e kancelarive evropiane. I tha Evropës: “Sot e tutje, nuk duam të jetojmë nën terrin dhe errësirën mesjetare. Jemi pjesë e kontinentit dhe duam të na pranoni në gjirin tuaj”. Kosovë e Haxhi Zekës (1832-1902), prijësit ushtarak, njërit ndër organizuesit e Lidhjes, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kosovë e veprimtarit aktiv të Lidhjes, Ymer Prizrenit (1820-1887). 

Je Kosovë e luftëtarit revolucionar Azem Bejtës të njohur si Azem Galica (1889-1924) dhe e “Heroinës së Popullit” Shote Galicës (1895-1927) të cilët për lirinë e kombit, u përplasën me xhandarët e pashiqëve dhe të karagjorgjeviqëve. Kosovë e atdhetarit dhe demokratit, e udhëheqësit të lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, Heroit të Popullit Bajram Currit (1862-1925). Je tokë e njërit prej ideologëve kryesorë të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar, Hasan Prishtinës (1873-1933).  Dardani e Shaban Polluzhës (1871-1945), mbrojtësit të vendosur të popullit, i cili ra heroikisht në luftimet e përgjakshme kundër pushtuesve serbo-malazezë. Je kullë e Tahir Mehës (1943-1981) në Prekaz, i cili më 13 maj 1981, në një përleshje me forcat pushtuese serbo-sllave, para se të vritej nga gjakpirësit, vrau nëntë policë pushtues dhe dy të tjerë i plagosi. 

Pas rënies së Azem Bejtës, gjyshi i Tahir Mehës Emin Lati, në vitin 1941 pushkën e Azemit ia dorëzoi të birit Nebiut (babait të Tahir Mehës). Kjo pushkë në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në luftën e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, por edhe në luftën e Tahir Mehës kundër policëve serbo-sllavë.  

O hero i kullës së Prekazit, je në trojet ilire, rrënjës në këto anë. Hienat e gadishullit nuk ia dolën jo, të të shkulin. E rëndë sa guri, e fortë sa shkëmbi, para ardhacakëve të Karpateve nuk u shtrove, nuk u shtrive kurrë. 

Pushtuesit i provuan të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës. Të vranë, të plagosën, të burgosën, të torturuan, të dënuan me dënime drakonike, të mbyllën në zandanë, në kazamate, por ti Kosovë, ja ku je, më e fortë se kurrë. Ta morën bukën e gojës, të lanë pa bukë, pa dritë, pa ditë. Të lanë në terr, në errësirë, në ngricë, por ty Kosovë, ja ku të kemi, më të ndriçuar dhe më të shndritshme se kurrë. Të përballën me xhandarë, me policë, me ushtarë, me paramilitarë, me çetnikë, me hetues, me prokurorë, me gjyqtarë, me gardianë, por ti Kosovë s’u theve dot, ja ku të kemi, më të fortë se kurrë. Kosovë, ti dhimbje e shqiptarisë, në vijën e parë të frontit, përballë armiqve bizantinë dhe bolshevikë. Kosovë, ti digë e Arbërisë, plagët tua s’do të kullojnë gjak më, jo!    

Për të ecur para rrugës së lirisë, profesor Anton Çetta (1902-1995) u tha bashkëkombësve: “T’i japim fund gjakmarrjes”. Në vitin 1990 erdhi në krye të Këshillit Qendror të Lëvizjes kombëtare për pajtimin e gjaqeve. Plaku i urtë ia doli të pajtonte mijëra familje që ishin në hasmëri. Deri kah mesi i viteve ’90 dukuria e gjakmarrjes u zhduk pothuajse krejtësisht. 

Kosovë e Adem Demaçit (1936-2018), Nelson Mandelës së Evropës, i cili para kolonialistëve serbo-çetnikë qëndroi si shkëmb graniti. Bacë, nuk të thyen hienat grabitqare. Një jetë të tërë ia kushtove idealit të bashkimit kombëtar. U bëre ballë stuhive, Ti o simbol i qëndresës heroike.    

Nga gjiri yt Kosovë, doli edhe Ibrahim Rugova (1944-2006). Ky u tha pushtuesve sllavë: “Sot e tutje, në Dardani s’ka për të pasur parti komuniste jugosllave. Do t’i çelim shtigjet tona të dritës dhe të përparimit. Tani e tutje, miqtë tanë Kosovë, do t’i kërkojmë dhe do t’i gjejmë në Perëndim – në Uashington, Berlin, Londër, Romë. Për ty Kosovë, njësoj si për mbarë kombin, dielli shqiptar lind në Perëndim”.

Ti e linde Dardani Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilës iu bashkëngjitën bijtë dhe bijat më të shtrenjtë të shqiptarisë.      

Nga gjaku yt Kosovë, lindi kryetrimi i Arbërisë, Adem Jashari. Për liri, pavarësi, demokraci dhe bashkim kombëtar, u kacafyt me murrlanin, me stuhitë, me furtunat. Me erërat u përplas, me vetëtimë i mpiu sytë. Qëndresa e tij është luftë epike, e paparë në Evropën e shekullit njëzet. Prej kullës së qëndresës, i priti me gjoks plumbat e armikut, artilerinë e rëndë të përbindëshit sllav. Ai dhe pushka e tij, përballë tankeve, mortajave, granatave. Nuk shtrihet jo, Iliria. Nuk thyhet jo, Arbëria. Nuk jepet jo, Dardania. Përballë përbindëshave, si një mal hijerëndë, i patundur qëndroi. 

Kryekomandant, krenaria jonë, nderi dhe lavdia jonë. Na e solle lirinë dhe dritën, na dhe historinë, na bëre me nder. Je i gjallë, jeton në zemrën e çdo shqiponje. Për brezat e sotëm, pasardhës të ilirëve të moçëm, stërnipa dhe stërmbesa të Skënderbeut (1405-1468), bijë të Nënë Terezës (1910-1997), Ti o trim epik je burim i pashtershëm frymëzimi. Prej Teje  mësojmë se si ruhet pragu i shtëpisë, si mbrohet toka e të parëve, si fitohet liria. Nga Ti  mësojmë se gjaku është i shtrenjtë dhe i shenjtë vetëm kur derdhet në luftë për liri dhe pavarësi – kundër armikut. Flijimi yt është sakrificë sublime. Flijimi yt Bacë, e ka emrin Kosovë, e ka emrin liri, pavarësi, demokraci. Je dinjiteti ynë. Ti Bacë u le një porosi të rinjve, brezave. U sugjerove ta duan atdheun, të mësojnë ditë e natë. Ua tregove fjalët e Naimit Frashërit (1844-1900): “… dhe dritë e diturisë përpara do na shpijë … “, ua bëre me dije se një popull ecën para vetëm me punë të ndershme. I këshillove ta luftojnë të keqen dhe padrejtësinë në radhët e tyre, të mos shpërngulen nga mëmëdheu, të krijojnë familje, t’i respektojnë miqtë perëndimorë, ta ruajnë miqësinë e përjetshme me Amerikën. U tregove brezave se shqiptarët kanë vetëm një flamur, se flamuri i tyre është ai Gjergj Kastriotit, se himni i tyre është ai që i bashkon “Rreth flamurit…”, se hero kombëtar i tyre është Skënderbeu, loke e shenjtë e tyre është Nënë Tereza., ideal i çdo shqiptari është bashkimi kombëtar.       

Na mësove kryekomandant se kryevlera jonë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Na e bëre me dije se ushtria dardane doli nga gjiri i popullit, se në radhët e saj u rreshtuan bijtë dhe bijat më të shtrenjtë të kombit. 

Ti je gjallë Bacë, jeton në zemrat tona. Në saje të epopesë së Jasharajve, ne sot marrim frymë lirisht. Armiqtë janë flakur përtej kufirit të Dardanisë. Na mësove se si ta duam paqen, të jetojmë në paqe me të gjithë popujt paqedashës. Na mësove të punojmë dhe ta begatojmë jetën, të jemi solidarë, t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Në saje të mësimeve Tua, çdo bir shqiponje në zemër e ka Shqipërinë. Ti na e rikujtove se Shqipëri i thonë tokës, ku bukës i thonë bukë dhe ujit ujë.

Monumenti i pavdekësisë Tënde është shndërruar në vend pelegrinazhi dhe homazhi. Varrezat e dëshmorëve të kombit, monumentet e Jasharajve i vizitojnë i madh e vogël. Mbi monumentet prej mermeri të bardhë vënë lule të freskëta dhe përulen me pietet. Shumë prej tyre s’i mbajnë dot lotët. Vijnë nxënës, studentë, zejtarë, bujq, blegtorë, njerëz të biznesit, krijues artistikë, qytetarë të rëndomtë dhe intelektualë. Vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, vijnë bijt e shqipes nga diaspora, kalojnë dete dhe oqeane. Para sakrificës Tënde përulen mijëra të huaj. 

Presidenti i ShBA-së, Xhorxh W. Bush (George W. Bush, 1946- ), me rastin e vizitës së tij në Tiranë më 10 qershor 2007, me bashkëshorten Laura Bush (1946- ), paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Orakulli i Dodonës dhe ai i Delfit parathoshin ditë më të mira për shqiponjat. 

Pas një kohe të caktuar, më 17 shkurt 2008, ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht udhëheqësit politikë të shtetit, e shpallën mëvetësinë e Republikës së Kosovës. 

Bacë, y krye. 

Kjo ngjarje na përkujton vjeshtën e tretë të vitit 1912 kur Ismail Qemali (1844-1919) e shpalli në Vlorë mëvetësinë e Shqipërisë. Sundimi, shtypja dhe pushtimi sllav mori fund njëherë e përgjithmonë. Kosova ecën para drejt integrimit në familjen e botës së qytetëruar. 

Ditën e shpalljes së pavarësisë, bënte ftohtë. Megjithëkëtë, atë ditë qindra mijë shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike, i pushtuan dhe i mbërthyen sheshet e qyteteve të Dardanisë. Filloi festa e cila zgjati deri në zbardhjen e ditës së re. Të rinj e pleq, vajza e djem, gra e burra, me flamuj kombëtarë në duar luanin vallen e shqipes. Rapsodët u këndonin dëshmorëve të kombit që ranë në altarin e lirisë. Kremtimin e kësaj dite të shënuar e transmetuan të gjitha mediumet më prestigjioze të rruzullit. Gjysma e kombit, pas një kalvari dhe golgote shekullore, të paparë në Evropë, për herë të parë thithte ajrin e lirisë. 

Valonin edhe flamuj amerikanë. Dikush mbante në dorë portretin e presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1964- ), dikush tjetër, atë të sekretares amerikane të shtetit, çifutes së lindur në Pragë, Medlin Ollbrajt (Madeleine Albright, 1937-2022). 

Për një kohë të shkurtër, pavarësinë e republikës ës re e njohën 117 vende të botës. Gjatë periudhës së pavarësisë, Kosova ndërtoi institucione demokratike, infrastrukturë, autostrada. U ndërtua edhe Rruga e Kombit. Qindra mijë shqiptarë të Kosovës, çdo vit e vizitojnë Shqipërinë dhe i shijojnë rrezet e Adriatikut e të Jonit.

Kosova gjithmonë do t’i përkujtojë dhe do t’i nderojë dëshmorët e kombit të rënë për liri. Do të kujdeset për familjarët e dëshmorë dhe për bijtë e tyre. Ajo kurrë s’ka për të hequr dorë nga zbardhja e fatit të të pagjeturve.

Kosova sot është shteti më i konsoliduar i rajonit. Ajo ndërtoi ligje sipas të cilave të drejtat e pakicave, përfshi edhe të drejtat e minoritetit serb, respektohen si në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian. Për fat të keq, ora e Serbisë është ndalur dhe ka ngecur në shekullin nëntëmbëdhjetë. 

Cilido gjeneral ushtrie që do të shkelte si pushtues në tokën arbërore, humbjen e ka të pashmangshme. Në mbarim të luftës, s’do t’i mbetej tjetër, pos t’i mbledhë në thasë najloni, kockat apo eshtrat e ushtarëve të shtrirë në fushëbetejë.

Kosovë, e vogël je, e pakë, e veshur me shajakë, por përmbi supet e tu të njomë i mbajte të gjitha ëndrrat e shekullit tonë. Ishte ëndrra zjarre, flaka e pushkës çlirimtare.  

Në kërkim të lirisë ndër shekuj, tehut të shpatës kemi ecur prore.  

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion

“Sherbestari i Shqipërisë” dhe kontributi i shtypit politik të mërgatës së Amerikës në çështjen kombëtare

February 22, 2024 by s p

Sokol Paja/

Nën moton “Shqipëria e shqiptarëve” revista “Sherbestari i Shqipërisë” organ i rinisë së “Ballit Kombëtar”, botuar në Detroit në vitin 1960, me 34 faqe, përbën një kontribut të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm në çështjen kombëtare. Në vitin e 6-të të botimit, në numrin 11-12 që po ia paraqesim publikut, shkrimin kryesor redaksional nën autorësinë e N.Tchami e zë “Çamëria”. Aty paraqitet imtësisht krahina shqiptare e Çamërisë, historia e saj, gjeografia, popullsia, bujqësia e gjithçka lidhet me Çamërinë. Abas Ermenji i dedikon një shkrim kulturës kombëtare dhe moralit kombëtar, pasuar në botim nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, një shkrim rreth Konferencës së Paqes së Parisit etj. Revista ka frymë të pastër nacionaliste dhe trajton tema madhore historike kombëtare.

Shtypi politik i partive politike antikomuniste në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt shumë të veçantë të trashëgimisë së mërgatës dhe arritjeve të tyre shumëplanëshe. Është e mahnitshme mënyra e qasjes që gazetat dhe revistat e kohës së mërgatës kishin ndaj bashkatdhetarëve e publikut të gjërë shqiptaro-amerikan, niveli i lartë profesional, thellësia e mendimit kritik e analitik dhe mbi të gjitha boshti kombëtar i veprimtarisë mediatike janë aspekte pak të trajtuara dhe prej historianëve e studiuesve.

Nxjerrja në pah e këtij shtypi të disa dekadave më parë jo vetëm rikthen për informim masiv perla nga një plejadë intelektualësh por imtësisht ekspozon një epokë të panjohur mediatike dhe veprimtarie komunitare atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e kombit në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Temat e trajtuara, thellësia analitike, gjuha, stili dhe argumentet që gjenden në shtypin patriotik e fetar në vitet 80-të përbëjnë një shkollë më vete dhe për gazetarinë e sotme. Pas viteve 80-të mërgata në USA ishte fuqizuar në aspektin ekonomik, politik dhe intelektual. Zhvillimi i mediave të shkruara në këto kohë është një prej treguesve për rritjen e kapaciteteve të mërgatës. Protestat më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej mërgatës shqiptare kundër komunizmit erdhën pas viteve 80-të dhe u fuqizuan vit pas viti deri në shembjen e komunizmit në Shqipëri. Roli i mërgatës shqiptare në USA për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare si Kosova, Çamëria, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe luftës kundër komunizmit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Media e shkruar e kohës u jepte një përkrahje të paimagjinueshme. Media ishte syri, mëndja dhe zemra e mërgatës. Gazeta “Dielli” i paraqet para publikut këto revista e gazeta jo vetëm për të ekspozuar punën kolosale intelektualëve e patriotëve shqiptarë në Amerikë por për tu shprehur mirënjohjen për përkushtimin për përpjekjet e dedikimin këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë por dhe për të lidhur organikisht të djeshmen dhe të sotmen në mërgatën shqiptare të Amerikës dhe përpjekjet historike për komb dhe atdhe. Në historinë e shtypit shqiptar të mërgatës, shtypi i shkruar në Amerikë mban vulën kryesore të ndikimit, rolit, shërbimit dhe trashëgimisë për vetë specifikat, terrenin, kushtet dhe rrethanat historike e politike ku u zhvillua ky shtyp. Është detyrë në çdo kohë e kërkuesve shkencorë, gazetarëve e punonjësve të instituteve albanologjike në shtetet amë e trojet etnike që të hulumtojnë mbi veprimtarinë e shtypit të mërgatës shqiptare në Amerikë pasi rëndësia historike e këtij shtypi si regjistër historik kombëtar, si dëshmi e fakteve, historive epokale, kronikave, episodeve dhe ngjarjeve e mbi të gjitha të trashëgimisë kulturore, politike, sociale, ekonomike dhe komunitare të shqiptarëve në Amerikë, është e jashtëzakonshme.

Njohja e shtypit të kohës, është një mundësi njohjeje ekskluzive sesi u zhvillua dhe u rrit mërgata shqiptare në Amerikë.

Filed Under: Opinion

𝟮𝟱 𝗮𝗿ë𝘀𝘆𝗲𝘁 𝗽𝘀𝗲 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗮𝗻 𝗺𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘀𝗵𝘁

February 21, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot më 20 shkurt, në 33 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, qytetarët erdhën masivisht të gjitha anët e Shqipërisë, për të protestuar kundër abuzimeve dhe ligësive të panumurta të sektit Rama në pushtet. Në qendër të zhgënjimit total të tyre, ndaj premtimeve të këtij pushteti mashtrues, qëndrojnë dhjetra të këqija të mëdha që kanë shkretuar vendin dhe vrarë shpresën e shqiptarëve, si më poshtë:

1. Braktisja e frikshme e vendit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar themelor i boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për asnjë cens që organizohet në botë.

2. Shbërja e plotë e portit 2,700 vjeçar të Durrësit. Zerimi dhe zhvendosja e portit kryesor tregtar të vendit në Porto Romano, përmes një manovre shumë të vështirë teknike, pasi në Porto Romano ka cektësirë, për të pastruar paratë e korrupsionit dhe të oligarkëve të sektit Rama, përmes gjoja një investimi të një porti jahtesh dhe vilash, të një miliarderi arab.

3. Aventura me ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Braktisja e gjetjes së një investuesi të huaj strategjik për portin, gjoja se kreditë e buta të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe të donatorëve ndërkombëtarë kërkojnë kohë të livrohen dhe zgjedhja krejt e papërgjegjshme, për të përballuar koston mbi 2 miliardë euro të ndërtimit të portit të ri nga paratë e takspaguesve shqiptarë.

4. Rikthimi i lojrave të fatit, kësaj plage sociale dhe ekonomike, në formatin online. Pa pyetur fare për rrezikun e përhapjes masive të vesit të lojrave të fatit online në gjirin e të rinjve dhe madje edhe adoleshentëve, sekti Rama në pushtet miratoi ditët e fundit Ligjin për Lojrat e Fatit Online. Ky sekt qëndron tërësisht i verbuar nga makutëria për të bërë para, duke pastruar paratë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përmes një veprimtarie që pjell orë e çast varësi, varfërim dhe drama familjare.

5. Kanabizimi masiv i vendit. Sipas Raportit për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ” Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.

6. PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit.

7. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik .

8. Dorëzimi i interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

9. Dorëzimi i detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare.

10. Dyfishimi i borxhit publik. Në dhjetë vjet 2013-2023, borxhi publik i Shqipërisë(ai zyrtari dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP dhe detyrimeve të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 7 miliardë euro në mbi 14 miliardë euro!

11. Shpërdorimet galopante në investimet publike. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit!

12. Politika e fasadave. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik me qindra miliona euro në vit.

13. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.

14. Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnje nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar.

15. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global.

16. Goditja ndaj mediave. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojnë këto media.

17. Inkurajimi i grupeve kriminale dhe pastaj “të hanë kokat”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë dhjetë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR dhe e dëshmuar edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

18. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i (sh)përdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti në pushtet

19. Shkatërrimi i bujqësisë. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 ishte më i ulët se ai i vitit 2023, në një kohë kur shpërdorimi i fondeve të IPARD II ka shtyrë Zyrën e Hetimit OLAF të Komisionit Evropian të bllokojë fondet e Programeve IPARD II dhe IPARD III të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

20. Mungesë e thekshme e mbrojtjes së shtresave të varfëra. Megjithë 900 milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitet 2022-2023, qeveria e sektit Rama vetëm rimbursoi pensionet në këto dy vite, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për 790 mijë pensionistë!

21. Mungese e mbrojtjes së biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në dy vitet e fundit eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 17 përqind, në krahasim me lekun në tregun vendas. Qeveria e sektit Rama vetëm u premton paketa ndihme e mbështetje eksportuesve, sidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

22. Propogandë arrogande dhe manipuluese gebelsiane. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra emisione, shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit Rama.

23. Grabitja e Butrintit përmes dhënies me koncesion. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.

24. Gllabërimi i Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimi i sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

25. Tentativa për të grabitur Shkollën Tregtare të Vlorës – shkolla simbol e Vlorës, që këtë vit feston 100 vjetorin e krijmit të saj ashtu siç vepruan edhe me dhënien e Portit të Vlorës për të ndërtuar pallate. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të kësaj porte kryesore ujore të vendit.

Me dhjetëra mijëra qytetarë mbushën sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër të këqijave të mësipërme dhe kundër dhjetra e qindra ligësive të tjera, që Rama, sekti dhe oligarkët e tij kanë mbi dhjetë vjet që ua imponojnë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

Filed Under: Opinion

Vatra Tampa festoi 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

February 20, 2024 by s p

Tasim Ruko/

Vatranët dhe patriotët shqiptarë në Tampa festuan 16 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një festë madhështore për të gjithë komunitetin shqiptar në nderim të heronjve e dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur.

Shqiptarët festuan këtë datë të shënuar në Restorantin “Asteria Longe” në pronësinë e patriotit shqiptaro – maqedonas Gazment Gega ku kaluam çaste festive të gëzueshme për nder të Dardanisë heroike. Gjithmonë Federata Vatra qëndron në ballë të këtyre aktivitete, si organizata patriotike më e vjetër dhe më e fuqishme në diasporën e Amerikës. Mbrëmjen festive e hapi me një urim anëtarja e kryesisë së degës zonja Eva Keta. Kryetari i degës z. Isuf Spahia mbajti fjalën e rastit kushtuar rëndësisë historike të pavarësisë. Z. Isuf Spahija rrjedh nga një familje patriotike e Drenicës martire ku populli i Drenicës mbajti peshën më të madhe gjatë luftës për çlirimin e Dardanisë, duke sakrifikuar jetët e tyre, dhe ranë dëshmorë për të mos vdekur kurrë, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari bashkë me gjithë familjen e tij në piedestalin e lirisë së përjetshme. Na nderoi në këtë darkë soleme, me pjesëmarrjen e tij patrioti, ish financieri i Federatës Pan-Shqiptare Vatra z.Marjan Cubi, bashke me zonjën e tij Dila Cubi. Marjani është një Vatran mbi 40 vjet anëtar i saj dhe kontributor i madh i çështjes kombëtare, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bashkë me të gjithë vatranët e tjerë veteranë në veçanti për çështjen e çlirimit të Kosovës. Mbrëmja u ndez me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur të komunitetit, Sali Malaj, Kristina Marku dhe këngëtari i ardhur posaçërisht nga Shqipëria për këtë aktivitet z.Dule Malindi. Me interpretimin e këtyre artistëve, dhe nën tingujt e muzikës së bukur popullore nga të gjitha trevat, u krijua një atmosferë e bukur festive. Vlen për të përmendur organizatorët e kësaj mbrëmje, z.Isuf Spahia, zonja Eva Keta, z. Behar Xhafa e z. Gaz Gega. Si gjithmonë shqiptarët janë të bashkuar për të festuar ditët përkujtimore kombëtare, si dita e ngritjes së flamurit në Vlorë në 1912, dhe kjo e pavarsisë së Dardanisë para 16 vjetësh. Brezi jonë mund ta quaj veten një brez me fat, sepse ne jetuam në këtë periudhë, e gëzuam çlirimin e Dardanisë tonë të dashur. Punojmë fort dhe lutemi që të vijë koha që brezi që jemi ne e fëmijët tanë ta shohin edhe bashkimin kombëtar. Sjpresojmë dhe besojmë se kjo ditë do të jetë e afërt, koha punon për shqiptarët. Mërgata në Florida dhe SHBA ka potenciale të mëdha kombëtare. Të punosh për komb e komunitet është nder i madh i jetes së një patrioti më mërgim sidomos.

Patrioti i madh, ish kryetari i Vatrës z.Agim Karagjozi gjatë një interviste në 2008 tha: tashti le të vdes i qetë e i lumtur sepse mu ralizua ëndrra dhe dëshira ime e madhe, arrita të shoh me sytë e mi Kosovën e pavarur.

Pavarësia e Dardanisë u fitua me shumë mundim, sakrifica sublime, me gjak dhe jetë të flijuara. Shqiptarët e Kosovës janë heronj. Ata i mbijetuan heroikisht regjimit genocidal serb. Fale SHBA e NATO Kosova e fitoi lirinë, liri të cilën e gëzojmë e jetojmë dhe falë punës së jashtëzakonshmetëmërgatës së Amerikës. Gëzuar Dardani. Rroftë Shqipëria Etnike.

Filed Under: Opinion

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

February 19, 2024 by s p

Sot në ambientet e Forumit Politik Diplomatik të Ballkanit u organizua ceremonia e ndarjes së çmimit “Ambasador i Paqes” për kryetarin e VATRËS Dr. Elmi Berisha. Në praninë e një audience të respektuar, akademikë, intelektualë, personalitete nga qarku kulturor, universitar, veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë nga të gjitha trojet etnike, Presidenti i FPB- së Dr. Fadil Lekaj, pas ndarjes së çmimit vlerësoi lart angazhimin e kryetarit Dr.Berisha si veprimtar politik, në rrafshin diplomatik dhe afirmimin e vlerave tona kombëtare në SHBA.

Kryetari Dr. Berisha, falënderoi Forumin Politik Diplomatik Ballkanik për këtë çmim nderi dhe u zotua që si VATËR dhe si kryetar nuk do të ndalet së punuari në interes të afirmimit të vlerave kombëtare dhe prespektivës së shqiptarëve në të gjitha trojet etnike dhe se do jenë zë i fuqishëm në institucionet dhe forumet relevante në SHBA.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Gjeneralët dhe Komandantët e shquar të UÇK-së Hisen Berisha dhe Nasim Haradinaj, të cilët folën me pietet dhe konsiderata të larta për punën e VATRËS e në veçanti për dinamikën e viteve të fundit udhëhequr nga kryetari Dr.Berisha. Të dy gjeneralët vlerësuan lart kontributin e kryetarit Berisha duke evokuar edhe ngjarje nga lufta çlirimtare dhe kontributin e Dr. Berishës në atë periudhë kritike për kombin tonë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT