• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E Ç’DO TË THEMI PËR KASEM TREBESHINËN?

August 9, 2023 by s p

Nga VISAR ZHITI/

Kështu kisha pyetur një ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?

Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani që bëhen 6 vjet që s’është më?

Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

…po sjell shkrimin e atëhershëm, të më shumë se një dekade më parë, të botuar në disa media brenda dhe jashtë vendit, me një titull të ri:

DIMË QË DIKTURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes. Një ditë pas datëlindjes së 85-të të Kasëm Trebeshinës ç’do të themi për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shkruarin, por sa më shumë të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe credo, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, uri e frikëra të ndryshme, por dhe një hetues, gardian, e gjykatës, por edhe dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.

Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit, ndërkaq ende nuk janë botuar shumica e dorëshkrimeve të Trebeshinës, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve të librave të tij, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira e mosbotimit.

2.

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me asketizëm dhe që ndryshon ngadalë, fat i mbylljes rrënuese dhe i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie, për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve dhe flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit, aty i mbillte nëpër turpin e vet dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij qysh në fillim e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën shtetërore dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndje fitimtar, por humbës, ama, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën.

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere: “Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë. (Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demçi, kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën e tij, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj medtode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë të vërtetë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin admiruesit e tij. Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

Megjithëse i padëshirueshëm për ne, madje dhe i pakuptimtë, na duket se ka mbetur një konflikt që shfaqet herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotura me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare. Do të doja të ndalesha pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur, që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për të trembur dhe torturuar njeri-tjetrin dhe të gjithën. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonit ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letërsisë shqipe, iluzioneve të saj, harrimeve dhe gabimeve. Shpresoj të jetë kështu.

Trebeshinën s’e la vendi ta botojë veprën dhe tani pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letërsisë, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, gati 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, që të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, jo vetëm ne, që e lexojmë, por edhe ata që e krijojnë. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme. Sa më larg zilive të burgut dhe jashtëburgut, të lavdisë dhunuese, sepse që të dyja, edhe burgu edhe lavdija nuk janë letërsi, por një pjesë e vogël e lëndës për letërsi. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë guximin qytetar dhe ndërgjegjen e shëndoshë kolektive.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

SIGURIA KOMBËTARE, INTERESI YNË I MBIJETESËS!

August 8, 2023 by s p

Hyzri Salihu/

Nëse duam të bëjmë Historinë e Re të Shqipërisë dhe të Kombit, të ngremë lartë frymën e patriotizmit, kundër praktikave të vjetra në cështjet e sigurisë kombëtare. Ende në mbrojtjen e interesave kombëtare ndihemi të mundur dhe të nëpërkëmbur nga historia jonë tragjike, por jo të pajtuar me humbjen. Kjo na motivon të ringrihemi në këmbë dhe të luftojmë për të drejtën kombëtare të mohuar. Ta fillojmë ndryshimin nga vetëvetja. Është koha e patriotizmit për të ruajtur veten dhe jetën tonë. Ndihemi të rrezikuar nga qëndrimi agresiv i Serbisë, e cila me stratagjemën e saj tenton të na imponojë një luftë dhe gjakderdhje në veri të Kosovës.

Të mos e nënvleftësojmë këtë situatë të rrezikshme për të siguruar integritetin territorial të shtetit tonë. Popullsia shqiptare e shpërndarë në disa shtete po ndodhet nën presionin e asimilimit dhe cpopullimit të heshtur me masa represive, të cilat bien në veshin e shurdhër të BE. Toka dhe pasuritë kombëtare po nënçmohen. Ato janë bërë pre e grabitjes në të gjitha format. Raportet midis forcimit të mbrojtjes dhe përgatitjes për luftë, ndryshimeve në psikologjinë e njerëzve tanë, po sjellin fenomenin e rrezikshëm të përcarjes. Siguria publike mbetet e rrezikuar nga veprimtaria kriminale e grupeve të nxitura dhe mbështetura vertikalisht nga Beogradi. Situata që kemi sot brenda shtetit dhe rrotull kufijve të tij është e mjaftueshme për të kuptuar dhe vlerësuar kërcënimet dhe rreziqet e një luftë të egër hibride që po na imponohet përpara syve tanë.

Po përballemi me rreziqe dhe kërcënime të brendshme, me akte kriminale terroriste, me trafiqe dhe tregëti të pandershme, me pasoja të rrezikshme për të cilat duhet të tërheqim vemendjen tonë dhe të institucioneve shtetërore për rritjen e standardit të sigurisë. Presioni i nacionalizmit agresiv të Serbisë është burim i kërcënimeve dhe rreziqeve, i cili rrezikon bashkëjetesën dhe sigurinë në vend dhe në rajon. Tashmë këmi një listë emrash të njerëzve publikë, të cilët minojnë unitetin dhe janë vënë në shërbim të politikave të Beogradit. Po marrim goditje të njëpasnjëshme ndaj vlerave të identitetit historik, të cilat tentojnë të gërryejnë pavarësinë e fituar me gjak e sakrificë të madhe. Mungesa e unitetit dhe konflikti i brendshëm politik po kthehet në rrezik madhor për sigurinë kombëtare. Mungesa e zhvillimit ekonomik të qëndrueshem, po kthehet në rrezik për sigurinë kombëtare. Dezinformacioni mediatik po godet unitetin dhe po nxit rikthimin e konflikteve të brendshme.

Veprimtaria e shërbimeve inteligjente të huaja nxit urrejtjen, përcarjen, goditjet fetare përmes formave hibride shumë të rrezikshme ndaj sigurisë kombëtare. Konformizmi i drejtësisë me pushtetin politik ka sjellë krizën e besimit, duke u kthyer në kërcënim për rendin kushtetues. Korrupsioni dhe padrejtësia sjellin rreziqeve të mëdha kundër sigurisë. Mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë e ka kthyer vendin në çerdhe për kriminelë dhe fshehje të individëve shqiptarë që kërkohen nga drejtësia. Politikën e jashtme dhe diplomacinë tonë ende nuk po dimë t’i kthejmë në burime të sigurisë kombëtare. Burimi kryesor i sigurisë janë shteti, baza juridike dhe qytetari, uniteti politik që garanton rendin tonë kushtetues. Çështjet kryesore shtrohen hapur dhe konkrete. Ato kanë të bëjnë me Tokën tonë, Sigurinë Njerëzore, organizimin e Mbrojtjes dhe rritjen e Burimeve të Akumulimit.

Të hedhim sytë drejt bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë ushtarakë, me plane konkrete për rritjen e kapaciteteve tona ushtarake të mbrojtjes. Njerëzit, Toka, uji, pasuritë mbitokesore e nëntokësore dhe hapësira ajrore janë elementet jetike të shenjta për sigurinë e kombit. Ato janë thesari i vazhdimësisë së jetës dhe kemi detyrimin t’i ruajmë si sytë e ballit. Sekreti i kohës është nevoja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare për grumbullimin e parave në rritjen e buxhetit shtetërore për përballimin e krizave të sigurisë në rajon. Ndihma reciproke Tiranë – Prishtinë dhe anasjelltas është baze e suksesit tonë për të kapëcyer sfidat e kohës. Politika këtë duhet ta bëjë pa i marrë leje askujt.

Filed Under: Opinion

“NOLI SHOW” HAPSIRA TELEVIZIVE E SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

August 7, 2023 by s p

Sokol Paja/

Media shqiptaro-amerikane çdo ditë e më shumë po zë një vend të rëndësishëm në peisazhin mediatik amerikan. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kudo ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarë, mediat që shfaqen si pjesë e rëndësishme integrale e trashëgimisë komunitare, bëhen automatikisht pjesë e historisë së komunitetit tonë. Mediat shëndërrohen jo vetëm si promotore e organizatore të komunitetit shqiptar në USA por mbi të gjitha si memorie e qënësishme komunitare, kulturore dhe atdhetare.

Nazim Salihu, producent i emisionit televiziv “Noli Show” në Connecticut, në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e tij personale dhe angazhimet mediatike, hapsirën mediatike shqiptare “Noli Show” si një mundësi e promovimit të kulturës kombëtare, talenteve shqiptare, ngjarjeve historike të kombit shqiptar, ngjarjet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht në Connecticut, New York e New Jersey. Z.Salihu shprehet se emisionet televizive, puna e mediave në përgjithësi është jo vetëm pasqyra e jetës komunitare shqiptare në mërgatën e Amerikës, por mbi të gjitha media është arkivi, trashëgimia dhe memoria digjitale e komunitetit tonë. Nëse s’ka media s’ka as komunitet. Është jetike për kohezionin e një komuniteti ekzistenca e medias sidomos në ditët e sotme ku teknologjia e shoqëria po zhvillohen në hapa galopantë – citoi producenti Salihu. Karrierën e gazetarisë si shërbim dhe angazhim publik Nazim Salihu e filloi në vitin 1999 në Maqedoni gjatë krizës së refugjatëve dhe bashkëpunoi me gazetarin Frank Pichel nga Colorado si përkthyes. Kontaktet e para mediatike i kishte në vitin 2012 me televizionin News Channel 3 Rocky Hill, Connecticut dhe ideja kryesore e tij ishte hapja e një emisioni televiziv që promovon kulturën dhe komunitetin shqiptar. Në shërbim të komunitetin shqiptar në Connecticut e më gjërë, Nazim Salihu në vitin 2019 nxori në transmetim produksonin personal mediatik “Air Production” ku zhvilloi disa dokumentarë me sukseset e shqiptarëve në USA, emision i cili vazhdon edhe sot rrugëtimin mediatik. Gjatë vitit 2020 “Noli Show” u shfaq në hapsirën televizive të Tv Alba Live një television i dashur dhe i vlerësuar prej shqiptarëve në New York e më gjërë. Te “Noli Show” deri më tani janë realizuar plot 73 emisione me personalitete e figura publike të ftuar që rrëfejnë suksesin personal, kombëtar e kulturor për të gjithë ndjekësit e shumtë.

Emisionet e “Noli Show” sot transmetohen live në Rocky Hill Community TV, Connecticut. Emisioni televiziv kaq i ndjekur dhe kaq i dashur për shqiptarët “Noli Show” ndërthur në vetvete rrëfime ekskluzive, sukseset e artistëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës dhe jo vetëm, ngjarjet më të rëndësishme kulturore e sociale të komunitetit dhe mbi të gjitha rrëfimet individuale të shqiptarëve të suskesshëm dhe betejat në rrugën e gjatë të famës e karrierës artistike e mediatike. Emisionet e “Noli Show” transmetohen ekskluzivisht sot edhe tek TV Kultura Shqiptare e cila gjithashtu prej cerek shekulli i shërben komunitteit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me profesionalizëm dhe besnikëri. “Askush më mirë se media nuk arrin ta identifikojë, promovojë, dhe ta memorizojë një talent, një ngjarje apo një histori sesa media e komunitetit. “Noli Show” është konceptuar si një hapsirë televizive komunitare e komunitetit për komunitetin. Një shërbim për komunitetin shqiptar pasi mediat janë oksigjeni i komunitetit, memoria jonë kolektive” përfundon rrëfimin dhënë për “Dielli”-n e Vatrës producenti Nazim Salihu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DOM NDRE MJEDA NË SYTË E NXËNSIT TË TIJ, MONSINJOR DR. ZEF OROSHIT

August 5, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ditët e fundit lexova disa shkrime kushtuar përvjetorit të kalimit në amshim të Dom Ndre Mjedës (1 gusht, 1937), meshtarit, poetit lirik, studiuesit dhe hulumtuesit të palodhëshëm të gjuhës shqipe. Me këtë rast, mu kujtuan bisedat që ndante me mua në fillim të 1970-ave për Dom Ndre Mjedën — Mons. Dr Zef Oroshi, (1912-1989) miku im dhe ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar edhe nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine. 

Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, Dom Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komunsite shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.

Në një shkrim përkujtimor botuar bë revistën Jeta Katolike Shqiptare, (Tetor-Dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes. Dom Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhit jezuit) ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, sin ë Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se  kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasunoi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuenin e tij Ndre Mjedën. Megjithse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda, “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, — “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Mjedës.

Kur është kthyer në Shqipëri, shënon Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhenë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjen e famshme Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famuli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka thenë Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emrin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjerrshit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndëlr më të thellët që ka pasur Shqipëria përshumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çeshtje gramatikore të shqipës kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, për veprimtarinë letrare të Dom Mjedës. 

Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqsin e paharruar të shkollës së përmendur, Kolegja Saverjane, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës” dhe si, “njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Oroshi. 

Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt që nuk ka të bejë me gjuhën as me letërsinë – ndërsa shkruan se, “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”, sipas Dom Zef Oroshit.

Dom Ndre Mjedës, ka shkruar Dom Zef Oroshi, i ka takuar të jetonte në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij, Me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretrit Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshen Teuta.” 

Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij, botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare më 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, “me këto vepra, megjithse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…”, por megjithë këtë, “Ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para syshë”, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej.”

Dom Zef Oroshi është shprehur se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ketë “pasë për mësues, këtë mjeshtër zamadh tëgjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe”, dhe vazhdon me kujtimet e tija: “Dom Ndre Mjeda qe perosnalitete i përsosur në ndejë e në sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, këthënezej e skuqej në fytyrë – aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë – me musteqe të trasha e të dendura e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.”, ka shkruar Dom Zef Oroshi në artikullin e tij në kujtim të mësuesit të vet Dom Ndre Mjedës.

Dom Zef Oroshi ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste – përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta, duke thënë se, “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme.”

“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.”  (Defunctus Adhuc Loquitur”.

Frank Shkreli

Aforizma.al - Thënie nga Ndre Mjeda

Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dy mësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin

Autori — pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

“MIK FESTIVAL” SI PROMOVIM I KULTURËS,  TURIZMIT, HISTORISË E QYTETËRIMIT SHQIPTAR

August 3, 2023 by s p

Aleksandër Ikonomidhi Sulioti kordinator artistik i “MIK Festival” rrëfen ekskluzivisht për Diellin e Vatrës në New York, detaje të organizimit të edicionit të 6-të të festivalit që promovon turizmin, muzikën e kulturën shqiptare. Në rrëfimin dhënë Editorit të Diellit Sokol Paja, z.Sulioti shprehet se MIK Festival u kthye në një pikë të fortë rajonale, ku takohen dhe zhvillohen ide dhe vlera artistësh si të rinj ashtu dhe të afirmuar në funksion të zhvillimit të zonës e të rajonit më gjerë.

MIK FESTIVAL EDICIONI I 6-TË

MIK Festival rikthehet në edicionin e tij të gjashte në qytetin e Korçës ku spektatorë të shumtë e ndoqën atë në pesë edicionet e kaluara. Edhe këtë vit, festivali do të ruajë formën klasike duke shtuar elementë argëtues për ta mbajtur qytetin zgjuar deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë viteve të kaluara festivali ka arritur të shndërrohet në një histori suksesi për sa i përket organizimit të tij madhështor, artistëve pjesëmarrës dhe audiencës artdashëse. Sjellja në jetë e një

evenimenti madhështor të një rëndësie të madhe në rrafshin kulturor/artistik, do të mundësojë përfshirjen dhe lartësimin e qytetit të Korçës në hartën e zhvillimeve kulturore të rajonit.  Festivali MIK që tashme ka hyrë në traditën e qytetit që nga viti 2018, lindi si ide e Znj Inva Mula gjatë një mbremje poezish e serenatash perms miqve të mirë Korçarë. Turizmi kulturor është, padiskutim, një nga degët më të rëndësishme së veprimtarisë ekonomike në mbarë botën. Sektori më i gjerë i këtij turizmi kontribuon në përfitimet ekonomike në shumicën e vendeve të botës përsa i përket gjenerimit të burimeve të të ardhurave, ashtu edhe rritjes së punësimit dhe investimeve, strategji që duhet zbatuar për një zonë si Korça ku turizmi kulturor duhet të jetë një nga sektorët kryesorë të saj.

TË FRYMËZUAR NGA SHARMI DHE HISTORIA E QYTETIT

Të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim përfshirjen e tij, në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit te Europes. MIK Festival zgjati katër ditë të plota me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën,  historinë e një qyteti, djep të qytetërimit tonë. Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit

dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Qyteti i Korçës është i vetmi qytet në vend, i cili ka dimensionin artistik,  audiencën,  arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e këtij festivali kaq ambicioz. 

OBJEKTIVAT E PROJEKTIT: PROMOVIMI DHE PËRHAPJA E MUZIKËS CILËSORE NË SHQIPËRI

 Ngritja e një skene artistike madhështore, e përmasave europiane në qytetin e Korçës, mes angazhimit dhe pjesëmarrjes së artistëve, nga zhanre të ndryshme artesh përgjatë ditëve të festivalit.

 Zhvillim audiencash vendore dhe krijim audiencash të reja, mes sjelljes së turistëve nga Europa, me qëllim ndjekjen e festivalit.

 Kthimi i MIK Festival në një pikë të fortë rajonale, ku takohen dhe zhvillohen ide dhe vlera artistësh si të rinj ashtu dhe të afirmuar në funksion të zhvillimit të zonës e të rajonit më gjerë.

 Nxitja e zhvillimit ekonomik për qytetin dhe rajonin përmes sjelljes në jetë të këtij projekti, duke fuqizuar pozitat e një destinacioni turistik shumë të rëndësishëm, tashmë me profil kulturor më të theksuar.

 Nxitja e bashkëjetesës dhe shkëmbimit kulturor.

 Përfitimi kolektiv social dhe nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm artistik në qytetin e Korçës, duke zhvilluar aktivitete si brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me konsolidimin, funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucionit të Muzikës Ndërkombëtare me nisma të planifikimit dhe zhvillimit për shprehjen dhe komunikimin kreativ, zbatimin e programeve dhe aksioneve edukative si dhe çdo aktivitet që është pjesë e sektorit të Industrisë Kulturore që promovon kulturën dhe arsimin, forcon kohezionin social dhe zhvillimin rajonal.

 Promovimi dhe përhapja e muzikës cilësore në Shqipëri dhe veçanërisht e talenteve të reja të vendit dhe atyre shqiptarëve që shquhen në skena muzikore jashtë vendit.

 Kultivimi shpirtëror, edukimi dhe argëtimi i publikut shqiptar dhe

veçanërisht i të rinjve.

 Edukimi muzikor dhe zhvillimi artistik i fëmijëve dhe të rinjve.

 Promovimi dhe zhvillimi ndërkombëtar i muzikës dhe kulturës shqiptare, veçanërisht repertorit klasik shqiptar dhe promovimi i krijimeve të reja muzikore.

 Nxitja e prodhimit dhe lehtësimi i shpërndarjes së veprave muzikore të krijuara nga profesionistë si dhe veprave të krijuara nga brezi i ri i artistëve.

 Promovimi ndërkombëtar i traditës dhe historisë muzikore të qytetit të Korçës.

 Krijimi i qytetit si një vendtakim i artistëve shqiptarë dhe të huaj me komunitetin muzikdashës të qytetit dhe veçanërisht me të rinjtë, mësuesit, institucionet dhe organizatat e edukimit muzikor duke e evidentuar si një vend takimesh për profesionistë të muzikës ku do shkëmbehen dhe do

shpërndahen vepra muzikore dhe programeve audiovizive.

 Informimi i publikut korçar për trendet e ofruara nga industria e muzikës bashkëkohore.

 Lidhja e studimeve muzikore me tregun e punës në vende të ndryshme të botës.

 Paraqitja e mundësive për orientim profesional muzikor të talenteve të reja.

 Takimi dhe ndërveprimi (networking) ndërmjet institucioneve dhe grupeve

shoqërore që praktikojnë plotësisht ose pjesërisht muzikën e rajonit.

 Identifikimi dhe zhvillimi i talenteve të reja.

 Formimi i një turizmi të qendrueshëm në Korçë.

 Prodhimi, zhvillimi, promovimi dhe përhapja e benefiteve kulturore në

përgjithësi.

AKTIVITETET KRYESORE TË PROJEKTIT “MIK FESTIVAL”

I gjithë festivali i këtij viti është një buqetë unike tingujsh që jo vetëm shtrihet në kulturën dhe në traditën muzikore të shteteve të ndryshme, por dhe një udhëtim i veçante në periudha të ndryshme historike muzikore me “mjet” artistë të nivelit më të lartë muzikor në llojin e tyre. Gjashtë koncerte të ndryshme përbëjnë një “spektakël muzikor” tërheqës me vepra të A. Dvořák, G. Puccini, M. Ravel, F. Schubert, Schumann, C. Saint-Saens, Xh.Rossini, por edhe nga: Mikis Theodorakis, G. Dendrino, Grouya, Kristo Kono, Avni Mula etj. Solistë nga vende të ndryshme të botës do të mbërrijnë në Korçë duke prezantuar talentin dhe aftësitë e tyre para publikut artdashës dhe kërkues.

PROGRAMI I MIK FESTIVAL NË DETAJE

E premte, 28 korrik: ora 19:00: Hapja e Festivalit me një koncert kushtuar jetës dhe veprës të muzës së pare shqiptare: Jorgjie Truja- Filçe. Interpretuan: Solistja e TKOB dhe Operas së Sofjes, soprano Ramona Tullumani pjesë të repertorit botëror të Operës dhe këngë popullore, të cilat Jorgjia Truja ose i ka interpretuar gjatë karrierës së saj, ose i ka vënë në skenë në fillimet e TKOB si regjisorja e parë shqiptare. Në piano e shoqëroi pianistja e TKOB Ingrid Pulizo e

cila përbën një “rrëfim okular” të historisë së muzës së parë, pasi Ingridi e takuar atë nga afër në fillimet e saj dhe ka fituar edhe festivalin që mban emrin e saj. Një udhëtim i rrallë live nëpër kohë në Skenën e Teatrit nën drejtimin e vetë të madhes Inva Mula, e cila ndër të tjera performoi me Ramona Tullumanin duetin e njohur të Konteshës me Suzanën nga “Dasma e Figaros”. Vlen të theksohet se për arsye simbolike, pasi vetë Musa e parë Jorgjie Truja në karrierën e saj të gjatë kishte promovuar dhe ndihmuar disa këngëtarë të rinj lirikë të Shqipërisë, përshëndeti me dy këngë popullore tenori korçar Gjergji Mani që prej 15 vitesh performon në skenat e Rumanisë. Koncertin e homazhit e ndoqi nga kariga e përparme e teatrit e bija e sopranos së madhe, pianistja e njohur Takuina Adam, e cila totalisht e prekur, falënderoi Inva Mulën dhe organizatorët e Mik festivalit nga skena.

TE SHESHI I PAZARIT KONCERTI “AROMA GREKE”

Në Sheshi i Pazarit Koncerti “Aroma Greke” kushtuar 98-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh grek “Mikis Theodorakis”. Ku interpretoi Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit Grek Kalliopi Vetta, një nga bashkëpunëtoret e fundit të kompozitorit grek. Kalliopit iu bashkuan Maestro dhe Kompozitori i madh grek Janis Ioannou, krijues i disa hiteve të njojura greke bashkë me instrumentistë nga Athina që kanë bashkëpunuar me vetë Mikis Thodhorakis si: Aris Koukos në buzuk, Fotis Mylonas në bas dhe në flaut, Angeliki Papanikolaou në fizarmonikë dhe Giorgos Mitsotakis në bateri. Një koncert i veçantë që në pjesën e pare të tij solli hite të njohura greke dhe në pjesën e dytë të tij ishte kushtuar veprës të kompozitorit kryesor grek Mikis Theodorakis, Vepra e Theodorakis u vulos dhe la gjurmë në Greqi dhe në botë që në fillim të viteve 1960, kur në zemër të Luftës së Ftohtë, ai mbajti të hapura kanalet e komunikimit me vendet e Aleancës Lindore. Programi i këtij koncerti të veçantë solli pika kontakti midis kulturës greke dhe shqiptare, duke përziere këngët e Theodorakis me historinë muzikore më të re dhe bashkëkohore të Lindjes dhe Perëndimit të Europës.

NËN RITMIN E HAPAVE TË FLAMENKOS

E shtunë, 29 korrik : ora 19:00: Koncerti spanjoll "Nën ritmin e hapave të Flamenkos" në Teatrin e Korçës A.Z. ÇAJUPI me artistët katalanas: Alba Bioque, Jeronimi Maya, Violetta Barrio, David Domingues. Një shfaqje e mrekullueshme që transportoi për 1:30 minuta publikun Korçar në Spanjën e largët nën ritmin e hapave të flamenkos. Flamengo është një vallëzim tradicional i krahines Andaluzise që e ka origjinën në Spanjën jugore. Megjithatë, për shkak të migrimit të vazhdueshëm të popullit të Spanjës, ai u përhap me kalimin e viteve në të gjithë vendin që nga Jugu i Spanjës. Për shumë analistë konsiderohet si "valle migrimi". Kjo është arsyeja që ne zgjodhëm ta sjellim atë në Korçë, një qytet me një histori të madhe migrimi ndër shekuj. Në verë, kur shumë prej emigrantëve kthehen në vendlindje, do të kenë mundësinë të jetojnë përvojën e veçantë të Flamengos këtu në qytetin e Korçës. Kërcimtarët do të shpalosin një aftësi natyrore që është e lindur dhe instinktive. Ata do të kërcejnë me meloditë magjepsëse spanjolle me pasion duke i dhuruar publikut një spektakël unik.

LA NOTTE ITALIANA…

Ora 21:30 Sheshi i Pazarit: Koncert italian "La Notte Italiana" me Orkestra Simfonike FA të drejtuar nga Maestro Elda Laro. Interpretuan kryeveprat e dashura të repertorit italian të njohur gjerësisht në mbarë botën, plot lirikë italiane dhe dhjetëra kujtime sopranoja italiane Desirée Rancatore dhe tenori italian Giulio Pelligra. Një mbrëmje e veçantë muzikore që i dha mundësinë publikut artdashesh të udhëtojë me muzikën italiane në kohë. Ku u interpretuan pjesë të njohura nga Rossini, Guglielmo Tell, Arditi, L, Donizetti, Bellini, Verdi, Mascagni, Puccini, Giordano, Cardillo, De Curtis, Denza Di Capua etj.

MBORJE, ATY KU TAKOHEN SHPIRTI, MUZIKA DHE GASTRONOMIA

E diel, 30 korrik: Ora 12:30 në fshatin Mborje: Koncert "Aty ku takohen shpirti, muzika dhe gastronomia" në pararojë të kishës "Ristozi" që daton nga viti 1390 në fshatin Mborje të Κorçës, me Arie antike dhe psalme byzantine rumune nga kompozitori rumun Ciprian Porumbescu që ka shkruar mes të tjerash edhe muzikën e Hymnit Kombëtar të Shqipërisë, Interpretuar nga Tenori Korçar Gjergji Mani dhe Sopranoja Rumune Ionela Mani. Më pas vijoi një degustim nga shefi shqiptar me famë Bler Dervishi.

KONCERTI FINAL I EDICIONIT TË 6-TË TË MIK FESTIVALIT ISHTE KONCERTI SHQIPTARO-RUMUN

Ora 19:00 Koncert në fshatin Drenovë: Koncerti final i edicionit të 6-të të Mik Festivalit ishte koncerti Shqiptaro-rumun " Një ditë shkova nga Drenova" serisht me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Maestro Elda Laro. Interpretuar nga tenori Korçar që vjen nga Rumania Gjergji Mani dhe sopranoja rumune Ionela Mani. Ari i mbrëmjes, një klarinetist brilant nga Shqipëria që vjen nga ana tjetër e oqeanit (SHBA) Igli Tuga. Μeriton të theksohet në këtë pike se lidhja e fshatit Drenovë me kulturën Rumunë është e thellë dhe buron nga vetë historia e Shqipërisë, të mos harrojmë se artisti i madh lirik shqiptar Dhimitër Toskani i njohur në Rumani dhe si Mihaj Mihajlesku kishte origjinë nga Drenova dhe ishte një nga personalitetet që përgatiti disa prej pionierë të Operas Shqiptare si Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Jorgji Velo etj. Dy artistët nga Rumania performuan këngë shqiptare të njohura si Baresha, Lule Lule, Këndon Bilbili poshtë te Zalli, këngë arbëreshe, këngë të folklorit rumun si Lie Ciocârlie, Gânduri por dhe arie të Lirikës Rumune si Cine Iubește și Lasă, Sărmane Lăutar Pribeag, Duet Bertha & Ciprian. Igli Tuga me klarinetë i shoqëruar nga OSFA interpretoi An American in Paris duke perifrazuar artistikisht identitetin e tij si emigrant në SHBA dhe traditën historike se Korça është Parisi i vogël. Vlen të theksohet se koncerti u zhvillua në një nga skenat më të mëdha të ngritur ndonjëherë në natyrë në Shqipëri me spektatorët të ulur mbi dengje kashte. Skena e projektuar posaçërisht në një peizazh të mrekullueshëm natyror nën perëndimin e diellit dhe lindjen e hënës -monent që jetuan të gjithë ata që ishin të pranishëm-hapi një faqe të re si për aktivitetet koncertale të MIK Festivalit ashtu edhe për aktivitet e shumta të rajonit të Korçës me ndihmën dhe mbështetjen e Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • 145
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT