Aleksandër Ikonomidhi Sulioti kordinator artistik i “MIK Festival” rrëfen ekskluzivisht për Diellin e Vatrës në New York, detaje të organizimit të edicionit të 6-të të festivalit që promovon turizmin, muzikën e kulturën shqiptare. Në rrëfimin dhënë Editorit të Diellit Sokol Paja, z.Sulioti shprehet se MIK Festival u kthye në një pikë të fortë rajonale, ku takohen dhe zhvillohen ide dhe vlera artistësh si të rinj ashtu dhe të afirmuar në funksion të zhvillimit të zonës e të rajonit më gjerë.
MIK FESTIVAL EDICIONI I 6-TË
MIK Festival rikthehet në edicionin e tij të gjashte në qytetin e Korçës ku spektatorë të shumtë e ndoqën atë në pesë edicionet e kaluara. Edhe këtë vit, festivali do të ruajë formën klasike duke shtuar elementë argëtues për ta mbajtur qytetin zgjuar deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë viteve të kaluara festivali ka arritur të shndërrohet në një histori suksesi për sa i përket organizimit të tij madhështor, artistëve pjesëmarrës dhe audiencës artdashëse. Sjellja në jetë e një
evenimenti madhështor të një rëndësie të madhe në rrafshin kulturor/artistik, do të mundësojë përfshirjen dhe lartësimin e qytetit të Korçës në hartën e zhvillimeve kulturore të rajonit. Festivali MIK që tashme ka hyrë në traditën e qytetit që nga viti 2018, lindi si ide e Znj Inva Mula gjatë një mbremje poezish e serenatash perms miqve të mirë Korçarë. Turizmi kulturor është, padiskutim, një nga degët më të rëndësishme së veprimtarisë ekonomike në mbarë botën. Sektori më i gjerë i këtij turizmi kontribuon në përfitimet ekonomike në shumicën e vendeve të botës përsa i përket gjenerimit të burimeve të të ardhurave, ashtu edhe rritjes së punësimit dhe investimeve, strategji që duhet zbatuar për një zonë si Korça ku turizmi kulturor duhet të jetë një nga sektorët kryesorë të saj.
TË FRYMËZUAR NGA SHARMI DHE HISTORIA E QYTETIT
Të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim përfshirjen e tij, në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit te Europes. MIK Festival zgjati katër ditë të plota me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën, historinë e një qyteti, djep të qytetërimit tonë. Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit
dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Qyteti i Korçës është i vetmi qytet në vend, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e këtij festivali kaq ambicioz.
OBJEKTIVAT E PROJEKTIT: PROMOVIMI DHE PËRHAPJA E MUZIKËS CILËSORE NË SHQIPËRI
Ngritja e një skene artistike madhështore, e përmasave europiane në qytetin e Korçës, mes angazhimit dhe pjesëmarrjes së artistëve, nga zhanre të ndryshme artesh përgjatë ditëve të festivalit.
Zhvillim audiencash vendore dhe krijim audiencash të reja, mes sjelljes së turistëve nga Europa, me qëllim ndjekjen e festivalit.
Kthimi i MIK Festival në një pikë të fortë rajonale, ku takohen dhe zhvillohen ide dhe vlera artistësh si të rinj ashtu dhe të afirmuar në funksion të zhvillimit të zonës e të rajonit më gjerë.
Nxitja e zhvillimit ekonomik për qytetin dhe rajonin përmes sjelljes në jetë të këtij projekti, duke fuqizuar pozitat e një destinacioni turistik shumë të rëndësishëm, tashmë me profil kulturor më të theksuar.
Nxitja e bashkëjetesës dhe shkëmbimit kulturor.
Përfitimi kolektiv social dhe nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm artistik në qytetin e Korçës, duke zhvilluar aktivitete si brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me konsolidimin, funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të institucionit të Muzikës Ndërkombëtare me nisma të planifikimit dhe zhvillimit për shprehjen dhe komunikimin kreativ, zbatimin e programeve dhe aksioneve edukative si dhe çdo aktivitet që është pjesë e sektorit të Industrisë Kulturore që promovon kulturën dhe arsimin, forcon kohezionin social dhe zhvillimin rajonal.
Promovimi dhe përhapja e muzikës cilësore në Shqipëri dhe veçanërisht e talenteve të reja të vendit dhe atyre shqiptarëve që shquhen në skena muzikore jashtë vendit.
Kultivimi shpirtëror, edukimi dhe argëtimi i publikut shqiptar dhe
veçanërisht i të rinjve.
Edukimi muzikor dhe zhvillimi artistik i fëmijëve dhe të rinjve.
Promovimi dhe zhvillimi ndërkombëtar i muzikës dhe kulturës shqiptare, veçanërisht repertorit klasik shqiptar dhe promovimi i krijimeve të reja muzikore.
Nxitja e prodhimit dhe lehtësimi i shpërndarjes së veprave muzikore të krijuara nga profesionistë si dhe veprave të krijuara nga brezi i ri i artistëve.
Promovimi ndërkombëtar i traditës dhe historisë muzikore të qytetit të Korçës.
Krijimi i qytetit si një vendtakim i artistëve shqiptarë dhe të huaj me komunitetin muzikdashës të qytetit dhe veçanërisht me të rinjtë, mësuesit, institucionet dhe organizatat e edukimit muzikor duke e evidentuar si një vend takimesh për profesionistë të muzikës ku do shkëmbehen dhe do
shpërndahen vepra muzikore dhe programeve audiovizive.
Informimi i publikut korçar për trendet e ofruara nga industria e muzikës bashkëkohore.
Lidhja e studimeve muzikore me tregun e punës në vende të ndryshme të botës.
Paraqitja e mundësive për orientim profesional muzikor të talenteve të reja.
Takimi dhe ndërveprimi (networking) ndërmjet institucioneve dhe grupeve
shoqërore që praktikojnë plotësisht ose pjesërisht muzikën e rajonit.
Identifikimi dhe zhvillimi i talenteve të reja.
Formimi i një turizmi të qendrueshëm në Korçë.
Prodhimi, zhvillimi, promovimi dhe përhapja e benefiteve kulturore në
përgjithësi.
AKTIVITETET KRYESORE TË PROJEKTIT “MIK FESTIVAL”
I gjithë festivali i këtij viti është një buqetë unike tingujsh që jo vetëm shtrihet në kulturën dhe në traditën muzikore të shteteve të ndryshme, por dhe një udhëtim i veçante në periudha të ndryshme historike muzikore me “mjet” artistë të nivelit më të lartë muzikor në llojin e tyre. Gjashtë koncerte të ndryshme përbëjnë një “spektakël muzikor” tërheqës me vepra të A. Dvořák, G. Puccini, M. Ravel, F. Schubert, Schumann, C. Saint-Saens, Xh.Rossini, por edhe nga: Mikis Theodorakis, G. Dendrino, Grouya, Kristo Kono, Avni Mula etj. Solistë nga vende të ndryshme të botës do të mbërrijnë në Korçë duke prezantuar talentin dhe aftësitë e tyre para publikut artdashës dhe kërkues.
PROGRAMI I MIK FESTIVAL NË DETAJE
E premte, 28 korrik: ora 19:00: Hapja e Festivalit me një koncert kushtuar jetës dhe veprës të muzës së pare shqiptare: Jorgjie Truja- Filçe. Interpretuan: Solistja e TKOB dhe Operas së Sofjes, soprano Ramona Tullumani pjesë të repertorit botëror të Operës dhe këngë popullore, të cilat Jorgjia Truja ose i ka interpretuar gjatë karrierës së saj, ose i ka vënë në skenë në fillimet e TKOB si regjisorja e parë shqiptare. Në piano e shoqëroi pianistja e TKOB Ingrid Pulizo e
cila përbën një “rrëfim okular” të historisë së muzës së parë, pasi Ingridi e takuar atë nga afër në fillimet e saj dhe ka fituar edhe festivalin që mban emrin e saj. Një udhëtim i rrallë live nëpër kohë në Skenën e Teatrit nën drejtimin e vetë të madhes Inva Mula, e cila ndër të tjera performoi me Ramona Tullumanin duetin e njohur të Konteshës me Suzanën nga “Dasma e Figaros”. Vlen të theksohet se për arsye simbolike, pasi vetë Musa e parë Jorgjie Truja në karrierën e saj të gjatë kishte promovuar dhe ndihmuar disa këngëtarë të rinj lirikë të Shqipërisë, përshëndeti me dy këngë popullore tenori korçar Gjergji Mani që prej 15 vitesh performon në skenat e Rumanisë. Koncertin e homazhit e ndoqi nga kariga e përparme e teatrit e bija e sopranos së madhe, pianistja e njohur Takuina Adam, e cila totalisht e prekur, falënderoi Inva Mulën dhe organizatorët e Mik festivalit nga skena.
TE SHESHI I PAZARIT KONCERTI “AROMA GREKE”
Në Sheshi i Pazarit Koncerti “Aroma Greke” kushtuar 98-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh grek “Mikis Theodorakis”. Ku interpretoi Këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit Grek Kalliopi Vetta, një nga bashkëpunëtoret e fundit të kompozitorit grek. Kalliopit iu bashkuan Maestro dhe Kompozitori i madh grek Janis Ioannou, krijues i disa hiteve të njojura greke bashkë me instrumentistë nga Athina që kanë bashkëpunuar me vetë Mikis Thodhorakis si: Aris Koukos në buzuk, Fotis Mylonas në bas dhe në flaut, Angeliki Papanikolaou në fizarmonikë dhe Giorgos Mitsotakis në bateri. Një koncert i veçantë që në pjesën e pare të tij solli hite të njohura greke dhe në pjesën e dytë të tij ishte kushtuar veprës të kompozitorit kryesor grek Mikis Theodorakis, Vepra e Theodorakis u vulos dhe la gjurmë në Greqi dhe në botë që në fillim të viteve 1960, kur në zemër të Luftës së Ftohtë, ai mbajti të hapura kanalet e komunikimit me vendet e Aleancës Lindore. Programi i këtij koncerti të veçantë solli pika kontakti midis kulturës greke dhe shqiptare, duke përziere këngët e Theodorakis me historinë muzikore më të re dhe bashkëkohore të Lindjes dhe Perëndimit të Europës.
NËN RITMIN E HAPAVE TË FLAMENKOS
E shtunë, 29 korrik : ora 19:00: Koncerti spanjoll "Nën ritmin e hapave të Flamenkos" në Teatrin e Korçës A.Z. ÇAJUPI me artistët katalanas: Alba Bioque, Jeronimi Maya, Violetta Barrio, David Domingues. Një shfaqje e mrekullueshme që transportoi për 1:30 minuta publikun Korçar në Spanjën e largët nën ritmin e hapave të flamenkos. Flamengo është një vallëzim tradicional i krahines Andaluzise që e ka origjinën në Spanjën jugore. Megjithatë, për shkak të migrimit të vazhdueshëm të popullit të Spanjës, ai u përhap me kalimin e viteve në të gjithë vendin që nga Jugu i Spanjës. Për shumë analistë konsiderohet si "valle migrimi". Kjo është arsyeja që ne zgjodhëm ta sjellim atë në Korçë, një qytet me një histori të madhe migrimi ndër shekuj. Në verë, kur shumë prej emigrantëve kthehen në vendlindje, do të kenë mundësinë të jetojnë përvojën e veçantë të Flamengos këtu në qytetin e Korçës. Kërcimtarët do të shpalosin një aftësi natyrore që është e lindur dhe instinktive. Ata do të kërcejnë me meloditë magjepsëse spanjolle me pasion duke i dhuruar publikut një spektakël unik.
LA NOTTE ITALIANA…
Ora 21:30 Sheshi i Pazarit: Koncert italian "La Notte Italiana" me Orkestra Simfonike FA të drejtuar nga Maestro Elda Laro. Interpretuan kryeveprat e dashura të repertorit italian të njohur gjerësisht në mbarë botën, plot lirikë italiane dhe dhjetëra kujtime sopranoja italiane Desirée Rancatore dhe tenori italian Giulio Pelligra. Një mbrëmje e veçantë muzikore që i dha mundësinë publikut artdashesh të udhëtojë me muzikën italiane në kohë. Ku u interpretuan pjesë të njohura nga Rossini, Guglielmo Tell, Arditi, L, Donizetti, Bellini, Verdi, Mascagni, Puccini, Giordano, Cardillo, De Curtis, Denza Di Capua etj.
MBORJE, ATY KU TAKOHEN SHPIRTI, MUZIKA DHE GASTRONOMIA
E diel, 30 korrik: Ora 12:30 në fshatin Mborje: Koncert "Aty ku takohen shpirti, muzika dhe gastronomia" në pararojë të kishës "Ristozi" që daton nga viti 1390 në fshatin Mborje të Κorçës, me Arie antike dhe psalme byzantine rumune nga kompozitori rumun Ciprian Porumbescu që ka shkruar mes të tjerash edhe muzikën e Hymnit Kombëtar të Shqipërisë, Interpretuar nga Tenori Korçar Gjergji Mani dhe Sopranoja Rumune Ionela Mani. Më pas vijoi një degustim nga shefi shqiptar me famë Bler Dervishi.
KONCERTI FINAL I EDICIONIT TË 6-TË TË MIK FESTIVALIT ISHTE KONCERTI SHQIPTARO-RUMUN
Ora 19:00 Koncert në fshatin Drenovë: Koncerti final i edicionit të 6-të të Mik Festivalit ishte koncerti Shqiptaro-rumun " Një ditë shkova nga Drenova" serisht me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Maestro Elda Laro. Interpretuar nga tenori Korçar që vjen nga Rumania Gjergji Mani dhe sopranoja rumune Ionela Mani. Ari i mbrëmjes, një klarinetist brilant nga Shqipëria që vjen nga ana tjetër e oqeanit (SHBA) Igli Tuga. Μeriton të theksohet në këtë pike se lidhja e fshatit Drenovë me kulturën Rumunë është e thellë dhe buron nga vetë historia e Shqipërisë, të mos harrojmë se artisti i madh lirik shqiptar Dhimitër Toskani i njohur në Rumani dhe si Mihaj Mihajlesku kishte origjinë nga Drenova dhe ishte një nga personalitetet që përgatiti disa prej pionierë të Operas Shqiptare si Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Jorgji Velo etj. Dy artistët nga Rumania performuan këngë shqiptare të njohura si Baresha, Lule Lule, Këndon Bilbili poshtë te Zalli, këngë arbëreshe, këngë të folklorit rumun si Lie Ciocârlie, Gânduri por dhe arie të Lirikës Rumune si Cine Iubește și Lasă, Sărmane Lăutar Pribeag, Duet Bertha & Ciprian. Igli Tuga me klarinetë i shoqëruar nga OSFA interpretoi An American in Paris duke perifrazuar artistikisht identitetin e tij si emigrant në SHBA dhe traditën historike se Korça është Parisi i vogël. Vlen të theksohet se koncerti u zhvillua në një nga skenat më të mëdha të ngritur ndonjëherë në natyrë në Shqipëri me spektatorët të ulur mbi dengje kashte. Skena e projektuar posaçërisht në një peizazh të mrekullueshëm natyror nën perëndimin e diellit dhe lindjen e hënës -monent që jetuan të gjithë ata që ishin të pranishëm-hapi një faqe të re si për aktivitetet koncertale të MIK Festivalit ashtu edhe për aktivitet e shumta të rajonit të Korçës me ndihmën dhe mbështetjen e Fondi Shqiptar i Zhvillimit.