Sokol Paja/
Media shqiptaro-amerikane çdo ditë e më shumë po zë një vend të rëndësishëm në peisazhin mediatik amerikan. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kudo ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarë, mediat që shfaqen si pjesë e rëndësishme integrale e trashëgimisë komunitare, bëhen automatikisht pjesë e historisë së komunitetit tonë. Mediat shëndërrohen jo vetëm si promotore e organizatore të komunitetit shqiptar në USA por mbi të gjitha si memorie e qënësishme komunitare, kulturore dhe atdhetare.
Nazim Salihu, producent i emisionit televiziv “Noli Show” në Connecticut, në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e tij personale dhe angazhimet mediatike, hapsirën mediatike shqiptare “Noli Show” si një mundësi e promovimit të kulturës kombëtare, talenteve shqiptare, ngjarjeve historike të kombit shqiptar, ngjarjet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht në Connecticut, New York e New Jersey. Z.Salihu shprehet se emisionet televizive, puna e mediave në përgjithësi është jo vetëm pasqyra e jetës komunitare shqiptare në mërgatën e Amerikës, por mbi të gjitha media është arkivi, trashëgimia dhe memoria digjitale e komunitetit tonë. Nëse s’ka media s’ka as komunitet. Është jetike për kohezionin e një komuniteti ekzistenca e medias sidomos në ditët e sotme ku teknologjia e shoqëria po zhvillohen në hapa galopantë – citoi producenti Salihu. Karrierën e gazetarisë si shërbim dhe angazhim publik Nazim Salihu e filloi në vitin 1999 në Maqedoni gjatë krizës së refugjatëve dhe bashkëpunoi me gazetarin Frank Pichel nga Colorado si përkthyes. Kontaktet e para mediatike i kishte në vitin 2012 me televizionin News Channel 3 Rocky Hill, Connecticut dhe ideja kryesore e tij ishte hapja e një emisioni televiziv që promovon kulturën dhe komunitetin shqiptar. Në shërbim të komunitetin shqiptar në Connecticut e më gjërë, Nazim Salihu në vitin 2019 nxori në transmetim produksonin personal mediatik “Air Production” ku zhvilloi disa dokumentarë me sukseset e shqiptarëve në USA, emision i cili vazhdon edhe sot rrugëtimin mediatik. Gjatë vitit 2020 “Noli Show” u shfaq në hapsirën televizive të Tv Alba Live një television i dashur dhe i vlerësuar prej shqiptarëve në New York e më gjërë. Te “Noli Show” deri më tani janë realizuar plot 73 emisione me personalitete e figura publike të ftuar që rrëfejnë suksesin personal, kombëtar e kulturor për të gjithë ndjekësit e shumtë.
Emisionet e “Noli Show” sot transmetohen live në Rocky Hill Community TV, Connecticut. Emisioni televiziv kaq i ndjekur dhe kaq i dashur për shqiptarët “Noli Show” ndërthur në vetvete rrëfime ekskluzive, sukseset e artistëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës dhe jo vetëm, ngjarjet më të rëndësishme kulturore e sociale të komunitetit dhe mbi të gjitha rrëfimet individuale të shqiptarëve të suskesshëm dhe betejat në rrugën e gjatë të famës e karrierës artistike e mediatike. Emisionet e “Noli Show” transmetohen ekskluzivisht sot edhe tek TV Kultura Shqiptare e cila gjithashtu prej cerek shekulli i shërben komunitteit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me profesionalizëm dhe besnikëri. “Askush më mirë se media nuk arrin ta identifikojë, promovojë, dhe ta memorizojë një talent, një ngjarje apo një histori sesa media e komunitetit. “Noli Show” është konceptuar si një hapsirë televizive komunitare e komunitetit për komunitetin. Një shërbim për komunitetin shqiptar pasi mediat janë oksigjeni i komunitetit, memoria jonë kolektive” përfundon rrëfimin dhënë për “Dielli”-n e Vatrës producenti Nazim Salihu.