• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONFLIKTI (PAQËSOR) I PAMBARUAR ME SERBINË, PASOJAT DHE IMPLIKIMET

June 24, 2023 by s p

Gabimi më i madh që është toleruar të ndodhë në dialogun me Serbinë nga ana e faktorit politik të Kosovës, ka qenë moskëmbëngulja që në tryezën e dialogut në emër të serbëve lokalë të flasin vet përfaqësuesit e tyre, të zgjedhur në mënyrë demokratike, e jo Beogradi. A mund të ndodhë që EULEX-i dhe KFOR-i, ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998, të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës? Por, si mund të parandalohet kjo?

Nga Mehmet PRISHTINA

Serbia deklarativisht nuk e njeh shtetin e Kosovës, por një ditë ajo dërgoi disa komandos të maskuar dhe qyqarë në “territor të huaj “ ku kidnapoi tre policë kosovarë. Nëse Kosova nuk është shtet (ose pjesë e Serbisë), siç thotë Beogradi, atëherë si ka mundësi që ajo të rrëmbejë “qytetarët e saj” në vend të vet?! Si duket, në vendimmarrjen e Vuçiqit veprojnë disa demonë të padukshëm që ia ngatërrojnë planet, duke e paraqitur atë tragjikomik para botës.

Beogradi zyrtar gjatë gjithë kohës thotë se veriu i Kosovës duhet të kontrollohet politikisht vetëm nga “Lista Serbe” dhe nga askush tjetër, sepse serbëve të Kosovës nuk iu lejohet pluralizmi politik, por në anën tjetër Presidenti Vuçiq në daljet e tij publike ka luajtur rolin e “zëdhënësit” të kësaj force politike, duke paralajmëruar hapa konkretë që duhet të ndjekin serbët e Kosovës. Ndër ata hapa, Vuçiqi përmendi edhe Vidovdanin (28 qershor) si ditë e shenjtë ku serbët lokalë do të marrin një “vendim të rëndësishëm”.

Gabimi më i madh që është toleruar të ndodhë në dialogun me Serbinë nga ana e faktorit politik të Kosovës, ka qenë moskëmbëngulja që në tryezën e dialogut në emër të serbëve lokalë të flasin vet përfaqësuesit e tyre, të zgjedhur në mënyrë demokratike, e jo Beogradi. Përfshirja e Serbisë në dialog, si një shtet i huaj, e ka defaktorizuar elementin serb të Kosovës, por në anën tjetër ia ka shtuar gjasat institucioneve të Kosovës për të qenë të hendikepuara në raport me zgjidhjen e problemeve reale që i kanë serbët në veri të vendit dhe në pjesët tjera. Në këtë mënyrë, Serbia para botës është paraqitur si një palë “konstruktive” që gjoja po iu ndihmon serbëve “të lënë pas dore” në Kosovë, ndërkohë që gjatë gjithë kohës regjimi i Beogradit i ka përdorur serbët lokalë si instrument manipulativ për të zgjëruar të ashtuqaujturën “botë serbe”.

Këtë manipulim të madh të politikës serbe, fare pak e kanë trajtuar institutet, mediat, intelektualët, analistët e Kosovës dhe lufta e brendshme politike (për pushtet), si duket ka qenë kryekauza e vetme e mendimit dhe veprimit alternativ në vendin tonë. Kanë munguar analiza të detajuara në gjuhë të huaja nga vetë autorët shqiptarë të Kosovës, të cilët do ta trajtonin raportin në mes të Kosovës dhe Serbisë, jo si çështje të pazgjidhura të serbëve lokal, por si një konflikt i pambaruar, ku Beogradi vazhdon të jetë i përqëndruar me aksionet destabilizuese në vendin tonë, me të vetmin synim kryesor: shtetin e Kosovës ta paraqes sa më jofunksional. Edhe insistimi për krijimin e Asociacionit, shkon në këtë linjë logjike.

Vizita e fundit e Kryeminstrit Kurti në Vatikan dhe audienca te Papa Françesku, për çka kontribuoi fuqishëm lobi shqiptar i biznesmenëve dhe intelektualëve në Itali, shpjegon më së miri domosdonë e ndërmarrjes së hapave më dinamik nga diplomacia jonë e cila do t’ia zhvishte ujkut të dikurshëm në Beograd lëkurën e qengjit që po mundohen t’ia veshin disa diplomat në Bruksel dhe Washington.

Por kjo qasje aspak parimore e diplomacisë Perendimore, po kritikohet hapur nga mediat, deputetë dhe intelektualë të shumtë në Evropë dhe Amerikë.

“Zyrtarisht thuhet se SHBA-të duan të përpiqen ta çlirojnë Serbinë nga përqafimi rus dhe për këtë e mbështesin Vuçiqin dhe regjimin e tij. Por kjo padyshim nuk funksionon fare. (…) Politika qetësuese e Perëndimit ndaj Serbisë dhe, në të njëjtën kohë, presioni në rritje ndaj qeverisë së Kosovës – BE-ja madje dëshiron të vendosë masa kundër kabinetit të Kurtit – deri më tani nuk e ka afruar Serbinë me Perëndimin. Dhe ka nga ata që besojnë se është një përmbysje e plotë e politikës amerikane për diçka tjetër: përkatësisht për ndarjen e Kosovës”, shkruan prestigjiza e Vjenës, “Der Standard”.

Madje me një qasje më të detajuar mbi pasqyrën e shtrembëruar që ka kohët e fundit Perendimi ndaj Kosovës, vjen edhe eksperti gjerman për Kosovën, Konrad Clewing, i cili në një intervistë me Deutsche Wellen, në mes tjerash, vuri në dukej se tensionet aktuale janë shqetësuese, pasi Vuçiqi tani po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij. Shqetësues është edhe fakti që Perëndimi kohët e fundit ka mbajtur qëndrim të njëanshëm, në anën e Serbisë, edhe pse forcat e NATO-s në veri të Kosovës (konkretisht në Zveçan) nuk u sulmuan vetëm nga përfaqësuesit e popullsisë lokale, por – edhe nga agjentët e shërbimit sekret serb dhe policia. Perëndimi heshti për një kohë për arrestimin e tre policëve kosovarë dhe deri tani nuk e ka dënuar ashpër këtë veprim, nënvizon Konrad Clewing.

Shefi i diplomacisë evropiane Josef Borrel gjatë takimit që ka pasur me Kryeminustrin Kurti, ka këmbëngulur edhe një herë në deeskalim të situatës, që nënkupton: tërheqja e policisë nga objektet komunale në veri, shpallja e zgjedhjeve të reja, si dhe largimi i Kryetarëve nga ndërtesat komunale.

Kurti nga ana e tij u zotua se do të përmbush vetëm njërin nga tre kushte e mësipërme: organizimin e zgjedhjeve të parakoshhshme në katër komunat në veri të vendit.

“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërsa sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, e kuptojmë se ka rëndësi për zgjedhje të parakohshme me proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, kampanjë e hapur dhe fer dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. S’mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas, por mbetet të shihet. Jam i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt”, ka thënë Kurti para gazetarëve, duke shtuar se në takim me Borrellin ka shpalosur dokumente që tregojnë se ku janë rrëmbyer tre policët e Kosovës brenda territorit të vendit si dhe ka kërkuar reagim të ndërkombëtarëve.

Arsyeja pse institohet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë- Serbin, nuk ndërlidhet vetëm me këto dy vende, por parasegjitash me kontekstin gjeopolitik të një krize, e cila mund të shkaktoj destabilizim rajonal. Për rrjedhojë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare të SHBA-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.

“Ballkani Perëndimor përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve”, është gjykimi i presidentit amerikan, Joe Biden, i cili mbi bazën e kësaj e ka vazhduar Urdhrin Ekzekutiv për emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Nga ana e tij edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në fillim të javës se NATO-ja mund të ndërmarrë hapa të tjerë, nëse është e nevojshme. Shumë kush këtë deklaratë e lexoi si një formulë që NATO mund të imponoj në veri të Kosovës, duke aluduar në krijimin e të ashtuquajturës “Republika e KFOR-it”, term ky i lancuar (dhe aspak i menduar mirë) për herë të parë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Por vëzhgues dhe ekspertë ndërkombëtarë që meren me sigurinë në Ballkan, e kanë përjashtuar një opsion të tillë, sepse për NATO-n ky mund të jetë një mision që është i dënuar të dështojë që në start. Me fjalë të tjera përjashtohet çfarë do lloj mundësie e vendosjes së ndonjë protektorati ushtarak-ndërkombëtar në veri të vendit, ndonëse ka zëra që thonë se prania ndërkombëtare në veri të Kosovës do të rritej, nëse EULEX-i dhe KFOR-i – ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998 – të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës. Kjo do t’i jepte fund vakumit të pushtetit në veri të Kosovës dhe nuk do të lejonte që Serbia ta mbushte atë dhe të zhvillonte më tej ambicjet e saj për destabilizimin e shtetit të Kosovës. Por kjo mund të ndodhë vetëm në rast se shterren të gjitha mekanizmat demokratike për përfshierjen e serbëve në menaxhimin e pushtetit vendor dhe kur Qeveria e Kosovës nuk do të mund të fillonte edhe një acarim të ri me BE-në dhe Washingtonin për një kauzë të shpifur që Beogradi qëllimisht e përdor për efekte të politikave të veta destabilizuese.

Prandaj, në vend të acarimeve dhe keqkuptimeve të panevojshme, faktori politik i Kosovës (pushtet dhe opozitë) duhet të përqëndrohet (përmes një Rezolute) tash e tutje në tre gjëra kruciale: në angazhimin maksimal për deeskalim të situatës në veri të vendit, në krijimin e parakusheteve për një dialog substancial me serbët lokal, përfshi edhe gjetjen e modaliteteve për Asociacionin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe rikthimin e besimit dhe bashkëpunimit të sinqertë me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.

Prishtinë, 23 qershor, 2023

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Prishtina

Bamirësi shqiptare në New York

June 23, 2023 by s p

Sokol Paja/

Shqiptarët në mërgatën e Amerikën lartësojnë çdo ditë emrin, vlerat, historinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Në veprimtarinë e tyre patriotike dhe komunitare shqiptarët gjithmonë shkëlqejnë dhe tregojnë vlerat më të çmuara si popull, si kulturë dhe si komb karshi kombeve e popujve të tjerë. Bamirësia i ka kthyer sytë e botës te shqiptarët si vazhdues të misionit e shpirtit human global të Nënë Terezës. Në kulmin e Pandemisë Globale dhe me krizën e çmimeve, shqiptarët bamirës mrekullojnë çdo ditë njerëzit në nevojë dhe pamundësi.

Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx, New York, bashkë me veprimtaren e komunitetit Samantha Zherka shpërndanë ushqime për rreth 1500 persona me kombësi shqiptare, spanjolle dhe amerikane. Samanta Zherka juriste dhe veprimtate e komunitetit i sponsorizoi për veprimtarinë e bamirësisë në Boston Road në Bronx New York dhe rrugë të tjera. Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx e drejtuar nga Aleksandër Nilaj dhe ekipi i vullnetarëve prej 11 vitesh është e përfshirë në aktivitete komunitare bamirësie ku vetëm në kohën e Pandemisë Covid-19 kanë shpërndarë rreth 10 mijë arka me ushqime në javë për njerëzit në nevojë. Kjo organizatë humanitare ka numëruar përmbi 100 vullnetarë shqiptarë e të huaj të angazhuar në aktivitete bamirësie. Në ditët e sotme çdo të enjte kjo organizatë ndihmon rreth 800 persona në javë, për të sëmurët dhe të pamundurit ua dërgojnë pakot ushqimore në shtëpi.

Përveç individëve në nevojë Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” ndihmon dhe organizata partnere bamirëse dhe subjekte religjioze. Në Shqipëri vazhdon të dërgojë edhe sot mjete motorike për persona me aftësi ndryshe, pajisje elektroshtëpiake, ndihma nga më të ndryshmet për njerëz në nevojë dhe fatkeqësi. Shqiptarë që shërbejnë, ndihmojnë e ofrojnë kapacitetet, infrastrukturën e kohën e tyre në shërbim të njerëzve në nevojë, përbëjnë një krenari kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

SERBIA VAZHDON DESTABILIZIMIN E KOSOVËS SIPAS SKENARIT DHE POROSIVE TË MOSKËS

June 22, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Rrëmbimi i tre policëve të kufirit në krye të detyrës në afërsi të kufirit verior te Kosovës, është vazhdim i planeve destabilizuese në Ballkan me porosi dhe mbeshtetje politike nga Moska e ‘qarramanit’ Vuçiç dhe e partnerëve të tij ne rajon.

Kjo padyshim në vazhdën e taktikave për të larguar nga drejtimi pengesën e tyre të fundit, njërin nga kryeministrat shqiptarë më dinjitoz dhe patriotë të tre dekadave të fundit z. Albin Kurti, me qëllim krijimin e kushteve për bashkësitë me shumicë serbe dhe më pas ndarjen e territorit të Kosovës ne veriun e saj.

Rrëmbimi i forcave policore gjatë kryerjes së detyrës në brendësi të territorit te një vendi demokratik nga një vend fashist si Serbia, e cila drejtohet nga nje president autokrat, i korruptuar me mendësi të shekullit të kaluar dhe vegël e Federatës Ruse në Ballkan, përbën jo vetëm një agresion ndërkombëtar por në të njëjtën kohë edhe krijon kushtet për destabilizimin më tej të situatës në Ballkanin Perëndimor.

Si shtetas shqiptar por në të njëjtën kohë si një nga ish ushtarakët që vendin tim së bashku me kolegët e mi è kemi bërë krenar kudo në botë duke përfaqësuar me profesionalizëm flamurin kombëtar tonë, do të dëshiroja të shikoja dhe dëgjoja per here te pare një reagim të fortë nga drejtuesit e vendit tim, të cilët e kanë detyrim kushtetues të mbrojnë shtetasit shqiptarë brënda dhe jashtë vendit.

Për këtë arsye por jo vetëm, ndihem i turpëruar në maksimum kur mendoj se kush na drejton. Por për më keq sa më lartë, sa herë që dinjiteti i shtetit të ‘pafajshëm’ serb, shtet i cili ka shkaktuar katër luftëra dhe genocid në Ballkan, ushtria, milicia dhe grupet çetnike të së cilës kanë vrarë mijëra pleq, gra, burra dhe fëmijë, kanë përdhunuar mijëra gra e vajza, ‘shtetarët’ tanë paturpesisht vrapojnë t’i dalin ne krah dhe për më keq opozitarët e Kosovës në vend që të mbështesin qeverinë e tyre në këtë situatë kaq kritike, janë sulur si çakej duke e sulmuar padrejtësisht vetëm për të përfituar një karrige dhe për të grabitur çti dalë përpara.

Qasja e politikanëve shqiptarë në mbështetje të ‘qarramanit’ Vuçiç, jo vetëm qe është e papranueshme, por është antikombëtare dhe e dënueshme. Fatkeqësisht kjo ndodh vetëm tek një popull si populli jonë ‘dele’, i cili është dorëzuar përpara varfërisë, talljes, fyerjes, vjedhjes, keq qeverisjes, blerjes së të ardhmes, shpopullimit të rinisë, popullsise dhe lista është pa fund.

Asnjë njësi e xhandarmarisë serbe, as ushtria e Serbisë nuk do të guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë kriminal dhe antikushtetues në rast se faktori politik në Republikën e Shqipërisë nuk do të ishte i përçarë, nuk do të ishte hapur në mbështetje të interesave serbe në Ballkan dhe të ndarjes së Republikes së Kosovës.

E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për partitë politike në Kosovë. Partite politike dhe drejtuesit e saj, pikërisht tani kanë mundësi që të tregojnë përpara faktorit ndërkombëtar unifikim kombëtar dhe mbështetje për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Ky është momenti i duhur për të mbështetur presidenten dhe kryeministrin e Kosoves, duke treguar unitet kombëtar dhe dënuar të gjithë së bashku këtë agresion të papranueshëm. Në rast se arrihet ky unitet në të gjitha trojet Shqiptare, të gjithë politikanët tanë të korruptuar nuk do të kenë as guximin as mundësinë të dalin dhe të mbrojnë ministrin e fundit të Milosheviçit.

Presidentja Vjosa Osmani, kryemistri Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës me këtë rast duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me komandën e KFOR-it, bashkësinë dhe institucionet ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve perëndimore dhe veçanërisht me SHBA-të. Kam bindje të plotë se një ditë SHBA-të dhe DASH do t’i tregojnë vendin Vuçiç-it dhe strukturave të tij kriminale të cilat veprojnë sipas skenarëve destabilizues të Moskës.

Këto ngjarje ndodhin edhe për faj të qasjes së gabuar prej shumë vitesh te komunitetit ndërkombëtar. Mbështetja e vazhdueshme e politikanëve të BE-së dhe SHBA-ve ndaj anti-amerikanit Vuçiç, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka bërë atë më trim për të vazhduar axhendën për destabilizimin e Ballkanit ne interes vetëm të Vladimir Putinit.

E kam thënë edhe herë të tjera, mbështetja e liderve autokratë dhe të super të korruptuar në Ballkan nuk i ka sjellë asnjë të mirë popujve të Ballkanit, përkundrazi kjo ka bërë që qytetarët të mos kenë më besim tek institucionet demokratike ndërkombëtare.

Policia e Kosovës nuk ka asnjë arsye të dekurajohet, por përkundrazi ky rrëmbim antikushtetues i banditëve frikacakë serbë me uniformë, duhet ti bëjë edhe më të bashkuar me qëllim vazhdimin e misionit të tyre të shenjtë kushtetues mbrojtjen dhe sigurinë publike të qytetarëve të vendit në të gjithe territorin e tij.

Si përfundim, kam shkruar edhe herë të tjera se nisma si Ballkani i Hapur dhe ekzistenca e pasurive të jashtëzakonshme të pasurive minerale në verit te Kosovës së bashku me liqenin e Ujmanit të cilat janë vlerësuar në 250-300 miliardë Euro, po i lënë pa gjumë mercenarët serbë, bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës dhe oligarkët perëndimorë që mesi po presin t’i shfrytëzojnë ato.

Pasuritë kombëtare të Kosovës nuk janë pronë e askujt, aq më tepër e serbëve të cilët i kanë shkaktuar kaq shumë vuajtje popullit tonë në Kosovë. Ato i përkasin dhe duhet të shfrytëzohen vetëm për interes të qytetarëve të saj.

Dr. Dritan Demiraj

Filed Under: Opinion

ADEM DEMAÇI: “E PARA ËSHTË FJALA E LIRË – HAPI I DOMOSDOSHËM DREJT DEMOKRACISË

June 21, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

ADEM DEMAÇI: “Në Librin e shenjtë thuhet: ‘E para ishte fjala’. Në kohën tonë mund të themi: “E para është fjala e lirë” — si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. 

Në fjalimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të mërkurën që kaloi para Parlamentit Evropian në Strasburg, Vjosa Osmani kujtoi dy figura të njohura të historisë kombëtare moderne të shqiptarëve; Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, të dy fitues të Çmimit Sakharov, të përzgjedhurur nga Parlamenti i Evropës. Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci s’ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion nga Rugova, por janë dhe vizion i popullit të Kosovës | Gazeta Telegraf 

Në vitin 1991, Parlamenti Evropian i ka dorëzuar Adem Demaçit Çmimin e lartë, Sakharov — për integritetin e tij në kundërshtimin e një regjimi autoritar – ish-regjimit diktatorial komunist jugosllav.  Duke cilësuar Çmimin si një nderim ndaj popullit të Kosovës, Demaçi ka deklaruar, ndër të tjera,  me atë rast se, “Liria e fjalës është hapi i parë jetik drejt demokracisë.  Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetën, përparimi nuk është i mundur”, është shprehur ish i burgosuri i regjimit komunist jugosllav, Adem Demaçi.  Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Aktivisti i të drejtave të njeriut dhe shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën 55 vjeçare mori çmimin prestigjioz, Sakharov të Parlamentit Evropian, për përkushtimin e tij, ndaj të drejtave të njeriut dhe si mbrojtës i lirisë së fjalës. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, Demaçi u ka thenë parlamentarëve evropianë se, “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.  Në atë kohë, Demaçi ushtronte, nën rrethana shumë të vështira, detyrën e Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  Për shkak të shkrimeve dhe pikëpamjeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet ish-jugosllave. 

A group of men sitting at a podium

Description automatically generated with low confidence                     Adem Demaçi duke folur në Parlamentin Evropian, 1991

Në fjalimin para parlamentarëve evropianë, Demaçi ka theksuar nevojën për lirinë e fjalës, si diçka të domosdoshme për demokracinë, ndërsa ka denoncuar dhunën dhe shkeljen brutale të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Fjalimi i Demaçit në Strasburg në vitin 1991 konsiderohet ende si një prej fjalimeve më historike në Kosovë dhe në trojet shqiptare – në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.


Ishte pra rëndësia që ai i kushtoi lirisë së fjalës dhe lirisë së të menduarit, si tema më e rëndësishme e fjalimit të tij me atërast, ajo që tërhoqi atëherë dhe sot vëmendjen e atyre që e dëgjuan por edhe kur lexohet sot ai fjalim është tepër aktual për botën shqiptare, pasi liria e fjalës dhe e shtypit të lirië, mbetet ende një sfidë që po pengon zhvillimet demokratike në trojet shqiptare – megjithë shmebjen e komunizimit zyrtar mbi 30-vite të kaluar.  Demaçi e pat filluar fjalimin e tij para Parlamentit Evropian duke cituar Biblën: “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet, ka shtuar ai; “E para është fjala e lirë, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. “Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progress”, u ka thënë Adem Demaçi parlamentarëve evropianë në vitin 1991, në mbrojtje të lirisë së fjalës, si një e drejtë bazë e njeriut, pa të cilën nuk funksionon demokracia:

“Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.

“Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të Fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni edhe tingullin e Fjalës së Lirë Shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi”.  Adem Demaçi i ka cilësuar “dashnorët e fjalës së lirë”, si individët më të pasionuar ndaj lirisë së fjalës, si “dashnorët më të flakët në botë”, e si të tllë, “ata janë të pathyeshëm e sypatrembur”, u ka thënë Demaçi parlamentarëve evropianë më shumë se 30-vite më parë. 

Demaçi ka cilësuar ish-disidentin dhe ish-akademikun e kohës sovjetike Andrei Sakharov, emrin e të cilit bartë Çmimi që iu akorduar Adem Demaçit nga Parlamenti Evropian – si një “dashnor i fjalës së lirë”.  Që sipas tij, “Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin atë nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë. Ai vdiq, por fjala e lirë nuk i tradhton kurrë dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën ata të pavdekshëm”, ka theksuar Adem Demaçi.

Adem Demaçi përfundoi fjalimin e tij të 4 dhjetorit, 1991 me një apel dreejtuar deputetve të Parlamentit Evropian:

Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve, bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”, përfshir këtu edhe botën shqiptare, e sdidomos botën shqiptare sot!  Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja”, -ka këshilluar Adem Demaçi.

 “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28-vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, konsiderohet, gjerësisht, se Adem Demaçi mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.

Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Adem Demaci gjatë jetës së tij njihej si kundështar i madh i regjimit komunist serbo-jugosllav. I quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Dardania, Amerika dhe Kurti

June 20, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Gjithë këto ditë është zgjuar armata e gazetarëve mediokër për të vënë në gijotinë Kryeministrin Kurti.
Nuk mbesin prapa dhe “politikanët” e shkëlqyer që nuk kanë lexuar asnjë libër politik në jetën e tyre, por, si Pisttacus erithacus që mëson pesëdhjetë deri në dyqind fjalë përmendësh, kakarisin si gjelat mbaje plehu. Tek ne, amigdala është më e zhvilluar se në kombet tjera, prandaj gjëmon Kasandra dhe Nostradamus për arkën neoniane që po moleps popullin shqiptar dardan. Ndërsa mendja “brilante” e karizmës së stisur jep alarmin, “Eureka”, duke shpalosur zgjidhjen “brilante” të Makron dhe Scholz.…

Dardania është një shtet sovran në rrethinat e kufirit nacional. Europianët duhet t’a kujtojnë gjakun e derdhur, luftën e perëndimit ndaj ardhacakëve nga lindja e errët. Pavarësisht strategjisë së djersës Ahtisaarit, diplomatët laramanë mundohen të shfrytëzojnë ndonjë mangësi juridike të “draftit” të tij . Por, Amerika nuk bjen kurrë viktimë e brajberisë politike. Ajo nuk ka dëshirë të lektiset midis zgjuarsisë artificiale dhe falsitetit politik, ngaqë përvoja e supershtetit ka kaluar të gjitha korentet dhe etapat politike botërore. Në raste të tilla, Amerika vë në plan thënien lapidare të Teodor Ruzvelt: “Speak softly and carry a big stick”.

Dardania dhe politikanët delitantë, nuk duhet të harrojnë ALFEN: Nëse dëshiron të jesh mik i Amerikës dhe të sigurosh mbrojtjen e saj , minimumi duhet të koordinosh veprimet, sepse Amerika është një perandori e ndërtuar nga një fuqi jashtë konceptit të thjeshtë njerëzor, dhe robi është shumë i pafuqishëm t’i bëjë karshillëk.

Amerika ka përfaqësuesit e vet nëpër shtete të ndryshme si dhe në Dardani. Kryeministri Kurti apo Presidentja Osmani, duhet të koordinojnë gjithshka me Ambasadorin Jeffrey M. Hovenier. Sipas Kryeministrit Kurti, bisedat e tija janë të përditëshme me ambasadorin amerikan. Atëherë Kurtit, duhet t’i kthehen kredencat e mohuara nga gjykimet epileptike brenda dhe jashtë vendit.

Amerika është protektori dhe zëri i të vërtetës i të gjithë popujve të shtypur. Veçanërisht ne shqipfolësit jemi borxhli Amerikës. Por, çadra e ditës me shi nuk funksionon gjithmonë borxh, sidomos kur rrufetë godasin ditën për diell, çfarë tregon se Kryeministri Kurti është në të drejtën e Zotit.…
Këtu nuk është loja e veriut, as kundër Kurtit (që nuk është kukull), por, “hales për peq” për t’a telendisur Dardaninë keq e më keq.

Amerika e di më mirë se askush tjetër se Vuçiqët e soj sorollopi i tij, sa herë janë ulur në tavolinat politike nuk kanë sjellur ndonjë gjë të re. Sipas “Klan Kosova”, Vuçiq pranon dokumentat por jo targat, duke treguar se ai dhe klani i tij nuk heqin dorë nga strategjia e vjetër. Në këtë rast dhe raste të tjera, amerikanët dhe Europa nuk mund të injorojnë lidershipin dardan në aksionet e veta shtetërore. Perëndimi nuk mund t’i bëjë simbiozë rrënjët e lirisë me zinxhirët e tiranisë, zinxhirë që vetë ata kontribuan për t’a shkulur nga toka e shenjtë e Dardanisë.

Aktualisht, Dardania jonë e shtrenjtë po kalon momente provokuese e destabilizuese. Diku rrahen forcat e KFOR-it, diku grabiten policë-oficerët dardanë…diku shpërthen eksploziv, dhe më keq: rrahen gazetarë !

Por në të gjitha të këqijat përbindëshe, ka një të mirë : Për herë të parë banditët serbë “pranuan” kufirin Dardan, dhe se tre polic-oficerët paskëshin kaluar kufirin serb për të marrë “këpurdha”. Se po mos ishte ashtu siç thonë serbët, përse do arrestoheshin policët dardanas në tokën e vet ? Ka gjë më qesharake dhe më të bukur se ky vetëkurthim ? Në vite, serbët thonin se Dardania është Serbi pra, nuk ka kufi! Po si ka mundësi që mendjet brilante të Serbisë e hëngrën sapunin për djathë në aksionin blic për të mbrojtur “kufirin e tyre”?! Zoti punon në mënyra misterioze.…

Siç e kam thënë në vazhdimësi: “Eshtë koha e shqiptarëve që jetojnë në rrethinat e 50 mijë kilometra katrore dhe nuk ka kthim prapa”. Qoftëse shqiptarët nuk e kuptojnë këtë, nuk është faji i të huajve që nuk na kuptuan kurrë!

Shqipëria dhe Dardania duhet të mendojnë për vete dhe për 10 mijë kilometra katrorë të Çamërisë, popullin tonë që jeton atje.

Shqiptarët duhet t’a mësojnë njëherë e përgjithmonë një gjë: Shitja e vetvetes, qoftë edhe për “Nobel Price”, qoftë dhe për një perandori pakufi, nuk shërben kurrë si lartësim, por si tradhëti. Shqiptarët duhet të jenë një zë në mbrojte të Dardanisë dhe udhëheqësve të popullit , të cilët po zbatojnë ligjet e shtetit .

Të mos qeverisë ligji? Faliment ! Të zbatohet ligji? Ulërimë!! Nëse ligji bëhet disfatist…cila është formula e ligjvënësve të huaj për të mbrojtur zhvillimet demokratike të kombeve të tyre?

James Madison thotë : “Nëse njerëzit do të ishin engjëj nuk do kish nevojë për qeveri”. Ndërsa unë them, engjëjt janë të përbotshëm dhe pranohen kudo, por jo vampirët që fshihen në diell dhe bëjnë kërdinë në terr pas shpinës së govermentit.

Populli shqiptar Dardanas është një popull virtuoz që di të studjojë, të bëjë politikë, luftojë e punojë për komb brenda dhe jashtë atdheut.

Zotni Kurti, Zonja Osmani, Zotni Konjufca, Zotni Haradinaj etj…duhet të kuptojnë se, “divide et impera” nuk duhet të funksionojë në lirinë e brishtë të Dardanisë.

Ne jemi një komb prej 15-20 milionësh dhe le ti shërbejmë bashkimit të çdo grimce nacionale për ti treguar botës se, historia e shqiptarëve është fillimi i historisë së Europës, dhe, mëshira dhe ndëshkimi vjen nga gjuha e patjetërsueme e popullit autokton shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT