Alfons Grishaj/
Gjithë këto ditë është zgjuar armata e gazetarëve mediokër për të vënë në gijotinë Kryeministrin Kurti.
Nuk mbesin prapa dhe “politikanët” e shkëlqyer që nuk kanë lexuar asnjë libër politik në jetën e tyre, por, si Pisttacus erithacus që mëson pesëdhjetë deri në dyqind fjalë përmendësh, kakarisin si gjelat mbaje plehu. Tek ne, amigdala është më e zhvilluar se në kombet tjera, prandaj gjëmon Kasandra dhe Nostradamus për arkën neoniane që po moleps popullin shqiptar dardan. Ndërsa mendja “brilante” e karizmës së stisur jep alarmin, “Eureka”, duke shpalosur zgjidhjen “brilante” të Makron dhe Scholz.…
Dardania është një shtet sovran në rrethinat e kufirit nacional. Europianët duhet t’a kujtojnë gjakun e derdhur, luftën e perëndimit ndaj ardhacakëve nga lindja e errët. Pavarësisht strategjisë së djersës Ahtisaarit, diplomatët laramanë mundohen të shfrytëzojnë ndonjë mangësi juridike të “draftit” të tij . Por, Amerika nuk bjen kurrë viktimë e brajberisë politike. Ajo nuk ka dëshirë të lektiset midis zgjuarsisë artificiale dhe falsitetit politik, ngaqë përvoja e supershtetit ka kaluar të gjitha korentet dhe etapat politike botërore. Në raste të tilla, Amerika vë në plan thënien lapidare të Teodor Ruzvelt: “Speak softly and carry a big stick”.
Dardania dhe politikanët delitantë, nuk duhet të harrojnë ALFEN: Nëse dëshiron të jesh mik i Amerikës dhe të sigurosh mbrojtjen e saj , minimumi duhet të koordinosh veprimet, sepse Amerika është një perandori e ndërtuar nga një fuqi jashtë konceptit të thjeshtë njerëzor, dhe robi është shumë i pafuqishëm t’i bëjë karshillëk.
Amerika ka përfaqësuesit e vet nëpër shtete të ndryshme si dhe në Dardani. Kryeministri Kurti apo Presidentja Osmani, duhet të koordinojnë gjithshka me Ambasadorin Jeffrey M. Hovenier. Sipas Kryeministrit Kurti, bisedat e tija janë të përditëshme me ambasadorin amerikan. Atëherë Kurtit, duhet t’i kthehen kredencat e mohuara nga gjykimet epileptike brenda dhe jashtë vendit.
Amerika është protektori dhe zëri i të vërtetës i të gjithë popujve të shtypur. Veçanërisht ne shqipfolësit jemi borxhli Amerikës. Por, çadra e ditës me shi nuk funksionon gjithmonë borxh, sidomos kur rrufetë godasin ditën për diell, çfarë tregon se Kryeministri Kurti është në të drejtën e Zotit.…
Këtu nuk është loja e veriut, as kundër Kurtit (që nuk është kukull), por, “hales për peq” për t’a telendisur Dardaninë keq e më keq.
Amerika e di më mirë se askush tjetër se Vuçiqët e soj sorollopi i tij, sa herë janë ulur në tavolinat politike nuk kanë sjellur ndonjë gjë të re. Sipas “Klan Kosova”, Vuçiq pranon dokumentat por jo targat, duke treguar se ai dhe klani i tij nuk heqin dorë nga strategjia e vjetër. Në këtë rast dhe raste të tjera, amerikanët dhe Europa nuk mund të injorojnë lidershipin dardan në aksionet e veta shtetërore. Perëndimi nuk mund t’i bëjë simbiozë rrënjët e lirisë me zinxhirët e tiranisë, zinxhirë që vetë ata kontribuan për t’a shkulur nga toka e shenjtë e Dardanisë.
Aktualisht, Dardania jonë e shtrenjtë po kalon momente provokuese e destabilizuese. Diku rrahen forcat e KFOR-it, diku grabiten policë-oficerët dardanë…diku shpërthen eksploziv, dhe më keq: rrahen gazetarë !
Por në të gjitha të këqijat përbindëshe, ka një të mirë : Për herë të parë banditët serbë “pranuan” kufirin Dardan, dhe se tre polic-oficerët paskëshin kaluar kufirin serb për të marrë “këpurdha”. Se po mos ishte ashtu siç thonë serbët, përse do arrestoheshin policët dardanas në tokën e vet ? Ka gjë më qesharake dhe më të bukur se ky vetëkurthim ? Në vite, serbët thonin se Dardania është Serbi pra, nuk ka kufi! Po si ka mundësi që mendjet brilante të Serbisë e hëngrën sapunin për djathë në aksionin blic për të mbrojtur “kufirin e tyre”?! Zoti punon në mënyra misterioze.…
Siç e kam thënë në vazhdimësi: “Eshtë koha e shqiptarëve që jetojnë në rrethinat e 50 mijë kilometra katrore dhe nuk ka kthim prapa”. Qoftëse shqiptarët nuk e kuptojnë këtë, nuk është faji i të huajve që nuk na kuptuan kurrë!
Shqipëria dhe Dardania duhet të mendojnë për vete dhe për 10 mijë kilometra katrorë të Çamërisë, popullin tonë që jeton atje.
Shqiptarët duhet t’a mësojnë njëherë e përgjithmonë një gjë: Shitja e vetvetes, qoftë edhe për “Nobel Price”, qoftë dhe për një perandori pakufi, nuk shërben kurrë si lartësim, por si tradhëti. Shqiptarët duhet të jenë një zë në mbrojte të Dardanisë dhe udhëheqësve të popullit , të cilët po zbatojnë ligjet e shtetit .
Të mos qeverisë ligji? Faliment ! Të zbatohet ligji? Ulërimë!! Nëse ligji bëhet disfatist…cila është formula e ligjvënësve të huaj për të mbrojtur zhvillimet demokratike të kombeve të tyre?
James Madison thotë : “Nëse njerëzit do të ishin engjëj nuk do kish nevojë për qeveri”. Ndërsa unë them, engjëjt janë të përbotshëm dhe pranohen kudo, por jo vampirët që fshihen në diell dhe bëjnë kërdinë në terr pas shpinës së govermentit.
Populli shqiptar Dardanas është një popull virtuoz që di të studjojë, të bëjë politikë, luftojë e punojë për komb brenda dhe jashtë atdheut.
Zotni Kurti, Zonja Osmani, Zotni Konjufca, Zotni Haradinaj etj…duhet të kuptojnë se, “divide et impera” nuk duhet të funksionojë në lirinë e brishtë të Dardanisë.
Ne jemi një komb prej 15-20 milionësh dhe le ti shërbejmë bashkimit të çdo grimce nacionale për ti treguar botës se, historia e shqiptarëve është fillimi i historisë së Europës, dhe, mëshira dhe ndëshkimi vjen nga gjuha e patjetërsueme e popullit autokton shqiptar.