• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së

May 26, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së.

Në takim me ministrin Osmani, Presidentja diskutoi për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetëm të OSBE-së, si dhe diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht. Tutje, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e saj për ta avancuar rrugën euroatlantike të vendit tonë, i cili mbetet prioritet shtetëror.

Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Filed Under: Opinion

Nxënës nga Rozhaja, Plava e Gucia, Ana e Malit e Kraja vizituan Shqipërinë

May 25, 2023 by s p

Nxënësit e klasave të IX-ta rreth 230 nxënës nga Rozhaja, Plava e Gucia në fundjavë dhe të hënën e të martën ishin në Shqipëri 60 nxënës nga Ana e Malit e Kraja për tu njohur nga afër me historinë e tyre kombëtare. Shpresojmë që aktivitete të tilla të zgjojnë vetëdijen kombëtare, ndalojnë asimilimit dhe t’ua çelim sytë atyre që janë asimiluar (“boshnjak”). Aktivitet i sponzoruar nga Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan Trojet Tona në bashkëpunim me Fondacioni Plavë Guci • Plave Guci Foundation.

Filed Under: Opinion

“SHPRESAT PËR NJË SHQIPËRI TË PAVARUR NË DORË TË ANGLISË…” — INTERVISTA E ISMAIL BEJ QEMALIT PËR THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR NË PARIS (1916)

May 24, 2023 by s p


Ismail Bej Qemali (© Henri Manuel, Paris) — Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2
Ismail Bej Qemali (© Henri Manuel, Paris) — Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Maj 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 18 marsit 1916, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervistë me Ismail bej Qemalin për Shqipërinë

Historia e ngjarjeve që çuan në pavarësinë e vendit të tij shpjeguar nga burrështetasi shqiptar — Shpresat në dorë të Anglisë 

(Speciale për The Christian Science Monitor)

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2

Paris, Francë — Gjatë një interviste dhënë një përfaqësuesi të The Christian Science Monitor, Ismail bej Qemali, burrështetasi i njohur shqiptar, i cili fitoi pavarësinë e vendit të tij pas 20 shekujsh (këtu gabohet gazeta) nga nënshtrimi i tij ndaj sundimit turk, shpjegoi në detaje historinë e brendshme të ngjarjeve që çuan në shpalosjen e flamurit shqiptar të pavarësisë në Vlorë në muajin nëntor 1912. Këto detaje, shpjegoi ai, nuk ishin përmendur (botuar) më parë.

E gjithë jeta publike e Ismail Bej Qemalit ka qenë e bazuar në idenë e zhvillimit dhe përparimit shqiptar krah për krah me një Turqi të begatë dhe të mirëqeverisur. Këto dy elemente, tha ai, ishin thelbësore për një zgjidhje të shëndoshë të çështjes ballkanike. Ai është ndoshta i vetmi burrë shteti i mbijetuar, i cili deri në momentin e fundit punoi vazhdimisht dhe në mënyrë të qëndrueshme për ruajtjen e Turqisë dhe për t’u siguruar të gjitha racave dhe kombësive në perandori të drejtën për të marrë pjesë në qeveri dhe për të gëzuar drejtësi absolute. Turqia, megjithatë, deklaroi ai, ishte devijuar nga rruga e drejtë nga partia xhonturke, e cila kishte penguar kryerjen e të vetmes politikë me të cilën ajo mund të rigjenerohej, duke e zëvendësuar atë që e kishte çuar në shkatërrimin e plotë moral të saj.

Në verën e vitit 1912, kur lufta ballkanike dukej e pashmangshme, Qemal Beu kishte bërë përpjekjen e fundit për të ndryshuar fatet e Turqisë. Gjërat në ato ditë marshuan me shpejtësi dhe tendenca e përgjithshme e ngjarjeve rezultoi në një bashkim të shteteve ballkanike për përmbysjen e Turqisë. Për këtë periudhë u hapën negociatat nga Mbreti i Malit të Zi me qëllim që Qemal Beu ta vizitonte atë për një konferencë. Ky i fundit takoi gjeneralin Becel, të dërguarin e mbretit, i cili e nxiti të shkonte në Cetinje për të takuar mbretin, por ftesa nuk u pranua, pasi Qemal Beu e konsideroi të padëshirueshme për momentin nga pikëpamja politike. Megjithatë, ai ra dakord të shoqëronte gjeneralin Becel në Shën Porta Rosa, ku takoi të parin, Princin Mirka, dhe ku më në fund vendosi të mos e vizitonte Mbretin.

Për të parandaluar zvarritjen e Shqipërisë në Ballkanin e afërt, Princi Mirka më pas “i kërkoi Qemal Beut” të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Mali i Zi, tha Princi Mirka, do të lejonte që të gjitha furnizimet të kalonin nëpër territorin e tij, do të furnizonte gjithashtu një sasi materiale luftarake për Shqipërinë, në mënyrë që, nëse ishte e nevojshme, të mbronte interesat e saj nga pushtimi i Turqisë, dhe mbi të gjitha do të merrte përsipër të ndërmjetësonte me Rusinë dhe të merrte pajtueshmërinë e saj për autonominë e Shqipërisë. Qemal Beu, i cili pa se Turqisë po i vinte fundi i nervave dhe se Shqipëria do të vuante po të mos bëhej ndonjë ndryshim, parashikoi gjithashtu se do të ishte e kotë të shpallte pavarësinë e saj nëse më pas do të ishte në kapriçon e Rusisë, sepse deri tani kishte qenë një ligj i pashkruar në politikën ruse që të mos përkrahej kurrë një shtet josllav në Ballkan. Gjatë negociatave, u kuptua gjithmonë se ndërkohë që një rirregullim (riorganizim) i territorit në Ballkan ishte i pashmangshëm dhe se disa popuj duhej të çliroheshin nga sundimi i Turqisë, nëse ajo nuk reformonte menjëherë politikën e saj, Turqia, nga ana tjetër, nuk do të shkatërrohej. Pas këtij diskutimi, Ismail Qemal Beu shkoi në Kostandinopojë, ku bëri përpjekjen më të lartë të jetës së tij për ta kthyer Turqinë nga rruga që ajo kishte nisur.

Fakti që ai mund ta shihte Turqinë nga një këndvështrim i jashtëm dhe se ai e dinte saktësisht se cilat ishin planet e shteteve ballkanike, e vendosi atë në një pozicion unik për të parë qartë përpara dhe për të këshilluar se si mund të shmangej goditja e kërcënuar. Përpjekje të forta u bënë prej tij për të nxitur qeverinë të ndryshonte programin e saj, ndërkohë që kishte ende kohë për të shpëtuar Turqinë, por ato rezultuan të padobishme dhe për rrjedhojë ai bëri më të mirën që mundi, në rrethanat e krijuara, për Shqipërinë.

Pikërisht në këtë kohë Qamil Beu, anglofili i madh, ishte vezir i madh dhe i ofroi Ismail Qemal Beut postin e presidentit të “Conseil d’Etat”, por meqenëse as vetë Qamili i madh nuk ishte në gjendje të bënte ndonjë reformë të vërtetë dhe partia xhonturke atëherë ishte shumë e përkushtuar ndaj politikës së tyre, Qemal Beu refuzoi emërimin dhe para se të largohej nga Kostandinopoja shpërtheu lufta ballkanike. Kështu u bë e nevojshme që Qemal Beu të kthehej në vendin e tij sa më shpejt që të mundej dhe ai u largua nëpërmjet Vjenës, ku pati një takim me kontin Berchtold. Armiqtë e Qemal beut nuk ngurrojnë të thonë se ai ia shiti Shqipërinë te Austria, një deklaratë të cilën ai shpjegon jo vetëm që nuk ka të vërteta, por është një shpikje padyshim dashakeqe siç e kanë vërtetuar faktet.

Me të mbërritur në Vlorë në nëntor 1912, ai gjeti jo më pak se 60 delegatë që përfaqësonin jo vetëm të gjitha rrethet e vendit, por edhe besimtarët e feve ortodokse, katolike dhe myslimane, të cilët morën pjesë në një konferencë kombëtare ku ishin të gjithë krerët e shquar të Shqipërisë. U votua Pavarësia e Shqipërisë dhe Ismail Qemal beu u emërua kryetar i qeverisë së re dhe ministër i punëve të jashtme. Kushtetuta u krijua kryesisht sipas modelit të Zvicrës. Qemal Beu qëndroi në krye të qeverisë për 14 muaj, por me ardhjen e Princ Vidit, vështirësitë e tij u bënë pothuajse të pakapërcyeshme. Princi, të cilin ai e përshkruan si një jo-entitet dhe rrjedhimisht lloji më i vështirë i njeriut për t’u përballuar, ishte i hapur ndaj çdo lloj ndikimi dhe nuk kishte asnjë ide apo përvojë individuale të qeverisjes. Duke konstatuar se ai nuk mund të pranonte planet e tij për bashkimin e të gjitha interesave në mënyrë që të ndeshej me armiqtë e tyre me një front të vetëm, Qemal Beu preferoi të tërhiqej, në vend që të mbetej në pushtet si një figurë e thjeshtë.

Në përgjigje të pyetjes se pse pushtetet e ndryshme po luftonin të gjitha për Shqipërinë, Ismail Qemal Beu tha se çështja shqiptare mund të përmblidhej në pak fjalë. Fillimisht kishte një marrëveshje midis Austrisë dhe Italisë, e cila parashikonte që, pavarësisht se çfarë do të ndodhte, të dyja do të insistonin për vazhdimin e status quo-së, për sa i përket Shqipërisë. Nuk duhet menduar se ky pakt bëhej në interes të Shqipërisë, sepse, përkundrazi, të dyja lakmonin portet shqiptare të Adriatikut, ndonëse pse secila prej tyre preferonte të qëndronte pa to përgjithmonë, në vend që tjetra t’i zotëronte ato përfundimisht… Këto porte në duart e Austrisë ose Italisë do të përcaktonin praktikisht çështjen e kontrollit të Adriatikut, i cili kishte qenë molla e vërtetë e sherrit midis Austrisë dhe Italisë, dhe kështu Shqipëria kishte mbetur për një kohë të gjatë e pashqetësuar mes këtyre dy forcave. Lufta e fundit e kishte ndryshuar të gjithë këtë.

I pyetur se cila ishte politika e tij në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, Ismail Qemal Beu u përgjigj se e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë ishte në Angli. Ai synonte të vazhdonte punën e tij për një Shqipëri të lirë, duke zotëruar autonominë e saj. Gjithçka që dëshironin në Shqipëri ishte që të liheshin të qetë. Ishte e rëndësishme që bota të kuptonte se shqiptarët ishin raca më e vjetër në Evropë dhe se ata dëshironin të vazhdonin qytetërimin dhe zhvillimin e tyre. Ndonëse nuk ishin të shkëlqyer si tregtarë, ata kishin qenë të shkëlqyer në mënyra të tjera. Shumë nga shtetarët dhe gjeneralët e mëdhenj të Orientit (Lindjes) ishin furnizuar nga Shqipëria dhe vendi ishte ende i aftë t’i jepte orientit një cilësi intelekti që ishte shumë e nevojshme dhe që ndoshta do të kishte vështirësi ta gjente diku tjetër.

Aktualisht atyre u ishte hequr një pjesë e madhe e territorit të tyre, sepse fqinjët e tyre, me pretendimet më të dobëta, u kishin marrë atyre të gjitha fushat dhe qytetet, duke i lënë vetëm malet. Një sipërfaqe e madhe toke, për shembull, ishte marrë nga Mali i Zi me pretendimin se në këtë territor të gjerë kishte diku një manastir të banuar nga murgj malazezë.

Bashkëkombasit e saj kërkojnë rikthimin e territorit të tyre. Nëse Shqipëria do të mbrohej, duhej kuptuar se nuk mund të përfshihej në Serbi, Greqi apo Maqedoni, e lëre më Italinë. Ata donin që kufijtë e tyre të vendoseshin mbi baza etnike. Aty ku territori zotëronte le të themi 80 për qind e lart të nënshtetasve shqiptarë, sigurisht që vetëm të tillët duhej të përfshiheshin në kufij. Për shembull, në Shkodër, mbi nëntë të dhjetat e popullsisë ishin shqiptarë dhe megjithatë Mali i Zi e pretendonte atë. Shqiptarët nuk ishin vetëm sot në shumicën dërrmuese në këtë pjesë të vendit që ata pretendojnë se është Shqipëria e së ardhmes, por të tillë kanë qenë që në lashtësi.

I pyetur se si priste që të riktheheshin të drejtat e vendit të tij, Ismail Qemal Beu tha se ai mund të përsëriste vetëm se shpresa e tij e madhe qëndronte në ndikimin që Anglia mund të sjellë në zgjidhjen përfundimtare. Nëse e gjithë historia e saj e kaluar nuk ishte një hipokrizi e madhe, të cilën ai nuk e besoi për asnjë moment të ishte rasti, Anglia ishte e detyruar të mbronte kombet e vogla. Shtetasit anglezë e dinin shumë mirë se në momentin që do të largoheshin nga ideja për t’i dhënë një mbrojtje të tillë, Anglia do të humbiste atë që përbënte thelbin kryesor të madhështisë së saj. Pavarësisht nga provat e dukshme për të kundërtën, tha Qemal Beu, unë ende ruaj besimin tim se i gjithë ndikimi i Anglisë do të përdoret për të siguruar lirinë e Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

Gjurme shqiptare ne Bukuresht…

May 24, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kisha e Shen Nikolles ne Bukuresht, nje kishe e ndertuar perbri nje kishe te drunjte qe nga shekulli XVII, nga Dinastia Branceavanu dhe restauruar nga Grigore Gjika IV ne 1825. Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin. Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak. Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin kishtar dhe kishin marrë me qera një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”. Shqiptarët e Rumanisë të entuziazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.

Kjo kishe ka qene Kisha Ortodokse e komunitetit shqiptar nga 1911-1945. Ketu meshoi per here te pare ne shqip Fan Noli dhe mblidheshin te gjithe personalitet shqiptare te Bukureshtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

Veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari, u takua në Departamentin e Shtetit, me Gabriel Escobar

May 23, 2023 by s p

Washington DC, (21 Maj, 2023):Veprimtari i dalluar i komunitetit, Harry Bajraktari gjatë një vizite private, është takuar në Washington, Departamentin e Shtetit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, shkruan ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, raporton INA(Illyria News Agency).

“Këtë javë, me djalin tim Naimin, patëm një vizitë të këndshme e të frytshme në Washington, me ndalesa në Capitol Hill dhe Departamentin e Shtetit,” shkruan ai ndërsa thekson se ka mbetur i kënaqur, nga ky takim veçanërisht nga biseda e hapur, që ka patur me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, ai thotë se: “Unë, ofrova pikëpamjet e mia për disa nga shqetësimet dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët e Kosovës për negociatat si dhe dyshimet për gatishmërinë e Serbisë, për të ecur drejt së ardhmes.”

Veprimtari nga Nju Jorku,shkruan po ashtu se ka folur me zotin Escobar, duke diskutuar shumë çështje, në radhë të parë për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të rajonit.

“Për çka zoti Escobar, thotë Bajraktari, gjeti kohën dhe dha shpjegimet e tij për angazhimin e SHBA-së në mbështetje të Kosovës, ecurinë e negociatave me Serbinë dhe rrugën e mundshme të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.”

Harry Bajraktari më tej thotë, se ka patur edhe një diskutim të mirë për Shqipërinë. “E shpreha hapur shqetësimin tim se Shqipëria po bëhet një sistem njëpartiak, gjë që nuk është si duhet të funksionojë demokracia dhe sigurisht jo çfarë imagjinonin shqiptarët kur përmbysën komunizmin më shumë se 30 vjet më parë. Kjo nuk është çfarë meriton Shqipëria as nuk është rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.”

Ndihmës Sekretari i Shtetit, simbas Bajraktarit, ka konfirnuar edhe një herë se Shqipëria, është një aleat i rëndësishëm dhe do të gëzojë gjithmonë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. “Por, edhe ai nuk ishte i kënaqur me gjendjen e demokracisë sot, ndërkohë që shprehu shpresën se vendi do të gjejë rrugën për të përmirësuar demokraticinë dhe për t’u ofruar alternativa më të mira njerëzve.”

Duke cekur Maqedoninë, Malin e Zi si dhe pakicën shqiptare në Serbi, shkruan veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari: “Ai përshkroi disa nga zhvillimet në rajon nga perspektiva e tij dhe se si ato ndikojnë në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor”

Po simbas tij në fund, ai( Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar), këmbënguli që komuniteti shqiptaro-amerikan të përfshihet më shumë. Duke bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit, mund të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për problemet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor./bs/

Filed Under: Opinion Tagged With: Harri Bajraktari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT