• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SHPRESAT PËR NJË SHQIPËRI TË PAVARUR NË DORË TË ANGLISË…” — INTERVISTA E ISMAIL BEJ QEMALIT PËR THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR NË PARIS (1916)

May 24, 2023 by s p


Ismail Bej Qemali (© Henri Manuel, Paris) — Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2
Ismail Bej Qemali (© Henri Manuel, Paris) — Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Maj 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 18 marsit 1916, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervistë me Ismail bej Qemalin për Shqipërinë

Historia e ngjarjeve që çuan në pavarësinë e vendit të tij shpjeguar nga burrështetasi shqiptar — Shpresat në dorë të Anglisë 

(Speciale për The Christian Science Monitor)

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 18 mars 1916, faqe n°2

Paris, Francë — Gjatë një interviste dhënë një përfaqësuesi të The Christian Science Monitor, Ismail bej Qemali, burrështetasi i njohur shqiptar, i cili fitoi pavarësinë e vendit të tij pas 20 shekujsh (këtu gabohet gazeta) nga nënshtrimi i tij ndaj sundimit turk, shpjegoi në detaje historinë e brendshme të ngjarjeve që çuan në shpalosjen e flamurit shqiptar të pavarësisë në Vlorë në muajin nëntor 1912. Këto detaje, shpjegoi ai, nuk ishin përmendur (botuar) më parë.

E gjithë jeta publike e Ismail Bej Qemalit ka qenë e bazuar në idenë e zhvillimit dhe përparimit shqiptar krah për krah me një Turqi të begatë dhe të mirëqeverisur. Këto dy elemente, tha ai, ishin thelbësore për një zgjidhje të shëndoshë të çështjes ballkanike. Ai është ndoshta i vetmi burrë shteti i mbijetuar, i cili deri në momentin e fundit punoi vazhdimisht dhe në mënyrë të qëndrueshme për ruajtjen e Turqisë dhe për t’u siguruar të gjitha racave dhe kombësive në perandori të drejtën për të marrë pjesë në qeveri dhe për të gëzuar drejtësi absolute. Turqia, megjithatë, deklaroi ai, ishte devijuar nga rruga e drejtë nga partia xhonturke, e cila kishte penguar kryerjen e të vetmes politikë me të cilën ajo mund të rigjenerohej, duke e zëvendësuar atë që e kishte çuar në shkatërrimin e plotë moral të saj.

Në verën e vitit 1912, kur lufta ballkanike dukej e pashmangshme, Qemal Beu kishte bërë përpjekjen e fundit për të ndryshuar fatet e Turqisë. Gjërat në ato ditë marshuan me shpejtësi dhe tendenca e përgjithshme e ngjarjeve rezultoi në një bashkim të shteteve ballkanike për përmbysjen e Turqisë. Për këtë periudhë u hapën negociatat nga Mbreti i Malit të Zi me qëllim që Qemal Beu ta vizitonte atë për një konferencë. Ky i fundit takoi gjeneralin Becel, të dërguarin e mbretit, i cili e nxiti të shkonte në Cetinje për të takuar mbretin, por ftesa nuk u pranua, pasi Qemal Beu e konsideroi të padëshirueshme për momentin nga pikëpamja politike. Megjithatë, ai ra dakord të shoqëronte gjeneralin Becel në Shën Porta Rosa, ku takoi të parin, Princin Mirka, dhe ku më në fund vendosi të mos e vizitonte Mbretin.

Për të parandaluar zvarritjen e Shqipërisë në Ballkanin e afërt, Princi Mirka më pas “i kërkoi Qemal Beut” të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Mali i Zi, tha Princi Mirka, do të lejonte që të gjitha furnizimet të kalonin nëpër territorin e tij, do të furnizonte gjithashtu një sasi materiale luftarake për Shqipërinë, në mënyrë që, nëse ishte e nevojshme, të mbronte interesat e saj nga pushtimi i Turqisë, dhe mbi të gjitha do të merrte përsipër të ndërmjetësonte me Rusinë dhe të merrte pajtueshmërinë e saj për autonominë e Shqipërisë. Qemal Beu, i cili pa se Turqisë po i vinte fundi i nervave dhe se Shqipëria do të vuante po të mos bëhej ndonjë ndryshim, parashikoi gjithashtu se do të ishte e kotë të shpallte pavarësinë e saj nëse më pas do të ishte në kapriçon e Rusisë, sepse deri tani kishte qenë një ligj i pashkruar në politikën ruse që të mos përkrahej kurrë një shtet josllav në Ballkan. Gjatë negociatave, u kuptua gjithmonë se ndërkohë që një rirregullim (riorganizim) i territorit në Ballkan ishte i pashmangshëm dhe se disa popuj duhej të çliroheshin nga sundimi i Turqisë, nëse ajo nuk reformonte menjëherë politikën e saj, Turqia, nga ana tjetër, nuk do të shkatërrohej. Pas këtij diskutimi, Ismail Qemal Beu shkoi në Kostandinopojë, ku bëri përpjekjen më të lartë të jetës së tij për ta kthyer Turqinë nga rruga që ajo kishte nisur.

Fakti që ai mund ta shihte Turqinë nga një këndvështrim i jashtëm dhe se ai e dinte saktësisht se cilat ishin planet e shteteve ballkanike, e vendosi atë në një pozicion unik për të parë qartë përpara dhe për të këshilluar se si mund të shmangej goditja e kërcënuar. Përpjekje të forta u bënë prej tij për të nxitur qeverinë të ndryshonte programin e saj, ndërkohë që kishte ende kohë për të shpëtuar Turqinë, por ato rezultuan të padobishme dhe për rrjedhojë ai bëri më të mirën që mundi, në rrethanat e krijuara, për Shqipërinë.

Pikërisht në këtë kohë Qamil Beu, anglofili i madh, ishte vezir i madh dhe i ofroi Ismail Qemal Beut postin e presidentit të “Conseil d’Etat”, por meqenëse as vetë Qamili i madh nuk ishte në gjendje të bënte ndonjë reformë të vërtetë dhe partia xhonturke atëherë ishte shumë e përkushtuar ndaj politikës së tyre, Qemal Beu refuzoi emërimin dhe para se të largohej nga Kostandinopoja shpërtheu lufta ballkanike. Kështu u bë e nevojshme që Qemal Beu të kthehej në vendin e tij sa më shpejt që të mundej dhe ai u largua nëpërmjet Vjenës, ku pati një takim me kontin Berchtold. Armiqtë e Qemal beut nuk ngurrojnë të thonë se ai ia shiti Shqipërinë te Austria, një deklaratë të cilën ai shpjegon jo vetëm që nuk ka të vërteta, por është një shpikje padyshim dashakeqe siç e kanë vërtetuar faktet.

Me të mbërritur në Vlorë në nëntor 1912, ai gjeti jo më pak se 60 delegatë që përfaqësonin jo vetëm të gjitha rrethet e vendit, por edhe besimtarët e feve ortodokse, katolike dhe myslimane, të cilët morën pjesë në një konferencë kombëtare ku ishin të gjithë krerët e shquar të Shqipërisë. U votua Pavarësia e Shqipërisë dhe Ismail Qemal beu u emërua kryetar i qeverisë së re dhe ministër i punëve të jashtme. Kushtetuta u krijua kryesisht sipas modelit të Zvicrës. Qemal Beu qëndroi në krye të qeverisë për 14 muaj, por me ardhjen e Princ Vidit, vështirësitë e tij u bënë pothuajse të pakapërcyeshme. Princi, të cilin ai e përshkruan si një jo-entitet dhe rrjedhimisht lloji më i vështirë i njeriut për t’u përballuar, ishte i hapur ndaj çdo lloj ndikimi dhe nuk kishte asnjë ide apo përvojë individuale të qeverisjes. Duke konstatuar se ai nuk mund të pranonte planet e tij për bashkimin e të gjitha interesave në mënyrë që të ndeshej me armiqtë e tyre me një front të vetëm, Qemal Beu preferoi të tërhiqej, në vend që të mbetej në pushtet si një figurë e thjeshtë.

Në përgjigje të pyetjes se pse pushtetet e ndryshme po luftonin të gjitha për Shqipërinë, Ismail Qemal Beu tha se çështja shqiptare mund të përmblidhej në pak fjalë. Fillimisht kishte një marrëveshje midis Austrisë dhe Italisë, e cila parashikonte që, pavarësisht se çfarë do të ndodhte, të dyja do të insistonin për vazhdimin e status quo-së, për sa i përket Shqipërisë. Nuk duhet menduar se ky pakt bëhej në interes të Shqipërisë, sepse, përkundrazi, të dyja lakmonin portet shqiptare të Adriatikut, ndonëse pse secila prej tyre preferonte të qëndronte pa to përgjithmonë, në vend që tjetra t’i zotëronte ato përfundimisht… Këto porte në duart e Austrisë ose Italisë do të përcaktonin praktikisht çështjen e kontrollit të Adriatikut, i cili kishte qenë molla e vërtetë e sherrit midis Austrisë dhe Italisë, dhe kështu Shqipëria kishte mbetur për një kohë të gjatë e pashqetësuar mes këtyre dy forcave. Lufta e fundit e kishte ndryshuar të gjithë këtë.

I pyetur se cila ishte politika e tij në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, Ismail Qemal Beu u përgjigj se e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë ishte në Angli. Ai synonte të vazhdonte punën e tij për një Shqipëri të lirë, duke zotëruar autonominë e saj. Gjithçka që dëshironin në Shqipëri ishte që të liheshin të qetë. Ishte e rëndësishme që bota të kuptonte se shqiptarët ishin raca më e vjetër në Evropë dhe se ata dëshironin të vazhdonin qytetërimin dhe zhvillimin e tyre. Ndonëse nuk ishin të shkëlqyer si tregtarë, ata kishin qenë të shkëlqyer në mënyra të tjera. Shumë nga shtetarët dhe gjeneralët e mëdhenj të Orientit (Lindjes) ishin furnizuar nga Shqipëria dhe vendi ishte ende i aftë t’i jepte orientit një cilësi intelekti që ishte shumë e nevojshme dhe që ndoshta do të kishte vështirësi ta gjente diku tjetër.

Aktualisht atyre u ishte hequr një pjesë e madhe e territorit të tyre, sepse fqinjët e tyre, me pretendimet më të dobëta, u kishin marrë atyre të gjitha fushat dhe qytetet, duke i lënë vetëm malet. Një sipërfaqe e madhe toke, për shembull, ishte marrë nga Mali i Zi me pretendimin se në këtë territor të gjerë kishte diku një manastir të banuar nga murgj malazezë.

Bashkëkombasit e saj kërkojnë rikthimin e territorit të tyre. Nëse Shqipëria do të mbrohej, duhej kuptuar se nuk mund të përfshihej në Serbi, Greqi apo Maqedoni, e lëre më Italinë. Ata donin që kufijtë e tyre të vendoseshin mbi baza etnike. Aty ku territori zotëronte le të themi 80 për qind e lart të nënshtetasve shqiptarë, sigurisht që vetëm të tillët duhej të përfshiheshin në kufij. Për shembull, në Shkodër, mbi nëntë të dhjetat e popullsisë ishin shqiptarë dhe megjithatë Mali i Zi e pretendonte atë. Shqiptarët nuk ishin vetëm sot në shumicën dërrmuese në këtë pjesë të vendit që ata pretendojnë se është Shqipëria e së ardhmes, por të tillë kanë qenë që në lashtësi.

I pyetur se si priste që të riktheheshin të drejtat e vendit të tij, Ismail Qemal Beu tha se ai mund të përsëriste vetëm se shpresa e tij e madhe qëndronte në ndikimin që Anglia mund të sjellë në zgjidhjen përfundimtare. Nëse e gjithë historia e saj e kaluar nuk ishte një hipokrizi e madhe, të cilën ai nuk e besoi për asnjë moment të ishte rasti, Anglia ishte e detyruar të mbronte kombet e vogla. Shtetasit anglezë e dinin shumë mirë se në momentin që do të largoheshin nga ideja për t’i dhënë një mbrojtje të tillë, Anglia do të humbiste atë që përbënte thelbin kryesor të madhështisë së saj. Pavarësisht nga provat e dukshme për të kundërtën, tha Qemal Beu, unë ende ruaj besimin tim se i gjithë ndikimi i Anglisë do të përdoret për të siguruar lirinë e Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

Gjurme shqiptare ne Bukuresht…

May 24, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kisha e Shen Nikolles ne Bukuresht, nje kishe e ndertuar perbri nje kishe te drunjte qe nga shekulli XVII, nga Dinastia Branceavanu dhe restauruar nga Grigore Gjika IV ne 1825. Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin. Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak. Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin kishtar dhe kishin marrë me qera një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”. Shqiptarët e Rumanisë të entuziazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.

Kjo kishe ka qene Kisha Ortodokse e komunitetit shqiptar nga 1911-1945. Ketu meshoi per here te pare ne shqip Fan Noli dhe mblidheshin te gjithe personalitet shqiptare te Bukureshtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

Veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari, u takua në Departamentin e Shtetit, me Gabriel Escobar

May 23, 2023 by s p

Washington DC, (21 Maj, 2023):Veprimtari i dalluar i komunitetit, Harry Bajraktari gjatë një vizite private, është takuar në Washington, Departamentin e Shtetit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, shkruan ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, raporton INA(Illyria News Agency).

“Këtë javë, me djalin tim Naimin, patëm një vizitë të këndshme e të frytshme në Washington, me ndalesa në Capitol Hill dhe Departamentin e Shtetit,” shkruan ai ndërsa thekson se ka mbetur i kënaqur, nga ky takim veçanërisht nga biseda e hapur, që ka patur me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, ai thotë se: “Unë, ofrova pikëpamjet e mia për disa nga shqetësimet dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët e Kosovës për negociatat si dhe dyshimet për gatishmërinë e Serbisë, për të ecur drejt së ardhmes.”

Veprimtari nga Nju Jorku,shkruan po ashtu se ka folur me zotin Escobar, duke diskutuar shumë çështje, në radhë të parë për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të rajonit.

“Për çka zoti Escobar, thotë Bajraktari, gjeti kohën dhe dha shpjegimet e tij për angazhimin e SHBA-së në mbështetje të Kosovës, ecurinë e negociatave me Serbinë dhe rrugën e mundshme të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.”

Harry Bajraktari më tej thotë, se ka patur edhe një diskutim të mirë për Shqipërinë. “E shpreha hapur shqetësimin tim se Shqipëria po bëhet një sistem njëpartiak, gjë që nuk është si duhet të funksionojë demokracia dhe sigurisht jo çfarë imagjinonin shqiptarët kur përmbysën komunizmin më shumë se 30 vjet më parë. Kjo nuk është çfarë meriton Shqipëria as nuk është rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.”

Ndihmës Sekretari i Shtetit, simbas Bajraktarit, ka konfirnuar edhe një herë se Shqipëria, është një aleat i rëndësishëm dhe do të gëzojë gjithmonë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. “Por, edhe ai nuk ishte i kënaqur me gjendjen e demokracisë sot, ndërkohë që shprehu shpresën se vendi do të gjejë rrugën për të përmirësuar demokraticinë dhe për t’u ofruar alternativa më të mira njerëzve.”

Duke cekur Maqedoninë, Malin e Zi si dhe pakicën shqiptare në Serbi, shkruan veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari: “Ai përshkroi disa nga zhvillimet në rajon nga perspektiva e tij dhe se si ato ndikojnë në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor”

Po simbas tij në fund, ai( Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar), këmbënguli që komuniteti shqiptaro-amerikan të përfshihet më shumë. Duke bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit, mund të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për problemet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor./bs/

Filed Under: Opinion Tagged With: Harri Bajraktari

50-VJETORI I REVOLTËS ANTI-KOMUNISTE NË SPAÇ

May 22, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Me pjesmarrjen e Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës, Zotit Bajram Begaj u zhvillua ceremonia e përkujtimit të 50- vjetorit të revoltës Antikomuniste të Spaçit me datën 21 Maj, 2023, ora 11: 00 në kampin çfarosës të Spaçit.

Perkujtimi me rastin e këtij përvjetori ishte një obligim per te nderuar qëndresën, sakrificën, patriotizmin kombëtar të Shqiponjave të lirisë që 50 vite ma parë, në mes breshërive të plumbave, mbrojtën identitetin kombëtar — Flamurin kombëtar Kuq e Zi përdhosja me yllin bolshevik të stalinizmit! Ishte ky një rast historik për të valvitur flamurin kombëtar mbas 50- vitesh nga ajo revolte, në nderim të 4 martirve të lirisë që u pushkatuan në revoltën Antikomuniste të Spaçit nga regjimi komunist i Enver Hoxhes: Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko e Skender Daja, por, njëkohësisht, edhe në nderim të mbi 6000 shqiptareve të pushkatuar e të zhdukur nga diktatura komuniste! Në vijim shënimi i autorit, në kujtim të këtij përvjetori dhe heronjve të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës:

Në këtë përvjetor të revoltës anti-komuniste, unë do kisha shumë për të thënë për ketë vend çnjerzor këtu në Spaç – por fjalët jo vetëm që nuk mjaftojnë por, njëkohësisht, janë edhe të tepërta.

Ne kete burg të vdekjes, po t’i mbyllim sytë dhe të dëgjojmë në heshtje, do ndjejmë britmat e viktimave të pafajshme nga qelitë e errëta e të izoluara.

Në heshtje mund të dëgjojmë ofshamën e tyre: “Pse na vratë o vëllazën shqiptarë!?” Ata presin përgjigje prej nesh, ndërsa si patriotë të mirë, në luftë për liri e demokraci, megjithëse skuqën këto shkëmba me gjakun e tyre, sot ata bëjnë thirrje për PAJTIM dhe jo për hakmarrje.

Për fat të keq, kjo ofshamë, ende nuk gjenë simpati në Shqipëri. Ende bie në veshë të shurdhër dhe në sy të verbër. Shqiptarët, pa dallim bindjesh politike – “të majtë e të djathtë”, si dhe qeveritë dhe kuvendet e 3-dekadave të kaluara — po bëhen gjithnjë e më indiferent ndaj këtyre krimeve të komunizmit dhe simboleve të atij regjimi – siç është Spaçi — tre dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar.

A është sot Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s, në nivelin e saj njerëzor e moral që të pakën të përballet me krimet e komunizmit, të pranojë, zyrtarisht, me ligj, distancimin nga e kaluara e saj kriminale komuniste, në interes të pajtimit kombëtar, ashtu siç kanë vepruar ish-vendet komuniste të Evropës lindore e qendrore, dekada më parë?

Indiferenca dhe heshtja zyrtare nga qeveria shqiptare sot ndaj këtyre krimeve kundër njerëzimit, është e papranueshme në shekullin XXI, në një shtet që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s. Kësaj i thonë të jesh i shurdhër dhe verbër ndaj një peshe të rendë të historisë – asaj të krimeve të komunizmit!

“Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim djallëzor i së keqës”, ka thënë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. “Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, sidomos, atëherë, kur shumica është në rrugë të gabuar”, ka thenë Kardinali Fulton Sheen.

Sot, viktimat e regjimit të Enver Hoxhës dhe familjet e tyre kërkojnë të Vërtetën dhe zyrtarizimin me ligj të Kujtesës së viktimave të krimeve të komunizmit – ashtu që e kaluara kriminale e historisë së shëmtuar komuniste, si kjo e burgut të Spaçit — të mos bëhet pjesë integrale e historisë së brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.

Para këtyre qendrestarëve midis nesh – këtyre simboleve të vërteta të lirisë e demokracisë, të moralit, pajtimit dhe tolerancës – unë përulëm me respektin dhe falënderimin më të thellë për sakrificat e tyre dhe të gjithë ish-të burgosurve bashkvuajtës të tyre që kanë dhënë jetën për këto ideale dhe vlera perëndimore.

Ndërgjegja e jonë kolektive duhej të kërkonte të Vërtetën dhe përballimin me të kaluarën komuniste. Kërkon dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe kujtimin e viktimave – siç kanë bërë vendet ish-komuniste evropiane.

Është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist në Shqipëri — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën, t’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre njerëzor si shqiptarë. Çdo viktimë e regjimit totalitar komunist të Enver Hoxhës, ka të njëjtin dinjitet njerëzor si të gjithë ne dhe meriton drejtësi, përkujtim dhe njohje nga të gjithë, e sidomos nga autoritetet zyrtare në vend.

Simpatizantëve dhe nostalgjikëve të komunizmit si dhe atyre që deklarojnë se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, unë u them shkoni në Spaç dhe shikoni “sukseset” dhe anën “pozitive” të komunizmit të Enver Hoxhës. Të gjithë kanë nevojë të vizitojnë Spaçin. Ashtu siç është shprehur Ismail Kadare për veprën e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, si një vepër që duhet të lexohet nga të gjithë—ashtu edhe në Spaç e gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë të shkojë e të shikojë për veten, “sukseset” dhe anën “pozitive” të diktaturës komuniste: “Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nepërkëmburit, e po aq në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq e ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”, ka thenë Kadare.

Unë shpresoj se edhe në Shqipëri, më në fund, siç ka thenë Vaclav Havel: “E Vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”.

Krimet shtetërore gjysëm shekullore të ish-regjimit komunist kundër bashkombasve këtu në Spaç dhe anë e mbanë Shqipërisë, duhet të kujtohen dhe të mos harrohen, ashtuqë që kjo histori fatzezë e Kombit të mos përsëritet më.

Spaçi kurrë më! NEVER AGAIN!

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

Atdheu dhe Gjuha mëmë

May 20, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Fjala është për gjuhën indo-evropiane, ku bënë pjesë gjuha shqipe. Nga dymbëdhjetë degët e kësaj familje, gjuhët balltike dhe sllave nganjëherë kombinohen në një degë; ashtu si indo-iranishtja dhe shqipja, dhe frigjishtja. Ndonjëherë, ilirishtja dhe trakishtja lihen mënjanë sepse dihet shumë pak për to. Me këto dy ndryshime, numri i degëve do të ishte dhjetë. Por një diagram pemësh është menduar të jetë një skicë e marrëdhënieve të gjëra dhe nuk përfaqëson një histori të plotë.

Ky është qëndrimi zyrtar i shkencës së gjuhêsisë sot.

Mendimi mes gjuhëtarëve është se origjina e gjuhëve të familjes indo-evropiane e rrjedh nga Anadolli. Ata e mbështesin këtë ide, duke përdorur metodën e re filogjenetike.

Ka edhe ide të tjera, siç është hipoteza kladistike që thotë se gjuha është huazuar nga biologjia. Por kjo procedurë konsiderohet e pasigurt në rezultate. Njeriu qëllimisht ndreq një shkrim të vetin gjatë gjithë kohës, por nuk mund të riformësojë qëllimisht gjenet e veta. Mënyra se si riprodhohet një risi gjuhësore në një bashkësi të të folurit është krejt e ndryshme nga mënyra se si riprodhohet një mutacion në një popullatë mbarështuese. Topografia e ribashkimeve të gjuhëve është shumë më komplekse dhe shpejtësia e degëzimit të gjuhës është shumë më e ndryshueshme. Ndërsa gjenet përhapen si njësi të plota, përhapja e gjuhës është gjithmonë një proces modular dhe disa module (gramatika dhe fonologjia) janë më rezistente ndaj huazimit dhe përhapjes së fjalëve.

Dy gjuhëtarë, Russell Grey dhe Quentin Atkinson, u përpoqën të punonin rreth këtyre problemeve, duke përpunuar një përzierje metodash kladistike dhe gjuhësore përmes programeve kompjuterike. Ata sugjeruan që para-anatolian u shkëput nga pjesa tjetër e komunitetit indo-evropian rreth viteve 6700 pes. Para-Tocharian u nda më pas (rreth 5900 pes), pastaj para-greke/armenishtja (rreth 5300 pes); para-indo-iranian/shqipja (rreth 4900 pes). Pastaj ishin para-balto-sllavishtja; dhe para-italo-kelto-gjermanike rreth vitit 4500 pes. Arkeologjia tregon se 6700–6500 pes ishte koha kur fermerët e parë u larguan nga Anatolia për të kolonizuar Greqinë. Deri tani, vështirë se dikush mund të kërkojë një përputhje më të ngushtë midis datave arkeologjike dhe filogjentike. Dhe dëshmia se latinishtja kentum (qindra) në degën italike dhe lituanisht shimtas (qindra) në degën baltike janë të lidhur gjenetikisht, është ndërtimi i rrënjës së lashtë *k’tom.

Atdheu indo-evropian është si miniera e Holandezit të Humbur, një legjendë e Perëndimit Amerikan, e zbuluar pothuajse kudo, por e konfirmuar askund. Kushdo që pretendon se e di vendndodhjen e tij reale mendohet të jetë pak i çuditshëm – ose më keq. Vendlindjet indo-evropiane janë identifikuar në Indi, Pakistan, Himalaje, Malet Altai, Kazakistan, Rusi, Ukrainë, Ballkan, Turqi, Armeni, Kaukazin e Veriut, Siri/Liban, Gjermani, Skandinavi, Polin e Veriut dhe ( sigurisht) Atlantis. Disa atdhe duket se janë futur vetëm për të siguruar një precedent historik për pretendime nacionaliste ose raciste për privilegje dhe territore. Të tjerët janë të çmendur me entuziazëm. Debati, në mënyrë alternative, thjesht akademik, komikisht absurd dhe brutalisht politik, ka vazhduar për gati dyqind vjet. Provat çojnë në një rrugë të konsumuar drejt një destinacioni të njohur: kullotat në veri të Detit të Zi dhe Detit Kaspik, në atë që sot është Ukraina dhe Rusia jugore, të njohura gjithashtu si stepat Pontiko-Kaspike. Disa studiues, veçanërisht Marija Gimbutas dhe Jim Mallory, kanë argumentuar për këtë atdhe gjatë tridhjetë viteve të fundit, secili duke përdorur kritere që ndryshojnë në disa detaje, por duke arritur të njëjtën pikë përfundimi. Zbulimet e fundit kanë forcuar idenë se, “Hipoteza Pontiko-Kaspiane është aq domethënëse saqë në mënyrë të arsyeshme mund të pajtohet me supozimin se ky ishte atdheu”, thonë studiesit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT