• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rasti Del Ponte–Beograd dhe ndikimi në drejtësinë ndërkombëtare

October 22, 2025 by s p

Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen viktima tipike të “lojës së balancës” që Del Ponte e aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë.Ata u gjykuan jo për shkak të provave të forta juridike, por për të përmbushur një funksion politik dhe simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare: të dëshmohej se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”

Sylë Ukshini

Një lexim krahasues i veprave të Nevenka Tromp (Prosecuting Slobodan Milošević: The Unfinished Trial, 2016) dhe Carole Hodge (The Balkans on Trial: Justice vs. Realpolitik, 2019) ofron një analizë të thelluar mbi një nga episodet më të debatueshme të drejtësisë ndërkombëtare pas luftërave në ish-Jugosllavi: kompromisin e majit 2003 ndërmjet Carla Del Ponte-s dhe Beogradit. Ky zhvillim interpretohet nga të dyja autoret si një moment kyç, që ndikoi në mënyrë të ndjeshme në perceptimin e pavarësisë institucionale, transparencës dhe konsistencës juridike të Tribunalit të Hagës (ICTY).

Sipas Tromp, kompromisi nuk përbënte një marrëveshje formale, por një pakt të heshtur politik, që e zhvendosi Tribunalin nga një proces rreptësisht juridik drejt një negociate diplomatike me autoritetet serbe. Zbatimi i Regullit 54 bis, që lejonte vendosjen e masave mbrojtëse mbi dokumente shtetërore, i mundësoi Beogradit të kufizonte qasjen në materialet kyçe të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC), duke reduktuar transparencën gjyqësore dhe duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndjekjet e ardhshme për krime lufte.

Tromp e përshkruan këtë zhvillim si një kthesë paradigmatike në funksionimin e Tribunalit të Hagës:

“Negociatat jashtë sallës së gjyqit zëvendësuan vetë procesin gjyqësor, duke e kthyer ndjekjen ligjore të përgjegjësisë në një kompromis politik që mbrojti interesat shtetërore të Serbisë.” (Tromp 2016, 178)
“Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar rreth deklasifikimit të dokumenteve ushtarake kyçe dobësoi autoritetin e tij dhe e bëri të paqartë vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë.” (Tromp 2016, 182).

Kronologjia e zhvillimeve dhe natyra e kompromisit

Sipas dokumenteve dhe analizave të Nevenka Tromp, dinamika ndërmjet Prokurorisë së Tribunalit të Hagës dhe autoriteteve serbe gjatë vitit 2003 përfaqëson një periudhë kyçe, ku drejtësia ndërkombëtare kaloi nga veprimi juridik në negociatë politike. Ngjarjet mund të lexohen si një proces gradual të institucionalizimit të kompromisit.

Më 17 shkurt 2003, Carla Del Ponte njoftoi ministrin e jashtëm serb, Goran Svilanović, se aktakuzat ndaj disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin në përgatitje. Paralelisht, ajo pranoi lirimin e përkohshëm të Milan Milutinović-it, ish-presidentit të Serbisë, si shenjë bashkëpunimi nga Beogradi. Ky gjest, që në pamje të parë mund të interpretohej si hap teknik procedural, në fakt krijoi terrenin për një marrëdhënie të re politike mes Tribunalit dhe Serbisë.

Më 2 prill 2003, Svilanović artikuloi qartë “vijat e kuqe” të Beogradit: dokumentet që implikonin zinxhirin komandues të ushtrisë dhe shtetit serb nuk do të dorëzoheshin në asnjë rrethanë. Kjo shënoi momentin kur bashkëpunimi me Tribunalin u kushtëzua nga ruajtja e sekreteve shtetërore dhe nga mbrojtja e figurave të larta politike e ushtarake.

Në maj 2003, Del Ponte i dërgoi një letër zyrtare autoriteteve serbe, ku pranonte që pjesë të caktuara të dosjeve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) të mbroheshin me masa të posaçme, në këmbim të dorëzimit të tyre për përdorim të kufizuar gjyqësor. Me këtë veprim, drejtësia ndërkombëtare pranoi faktikisht logjikën e kompromisit: sigurimin e provave të pjesshme në vend të transparencës së plotë.

Ky zhvillim nuk ishte thjesht një akt teknik, por një moment kthesë në raportin midis Tribunalit dhe shtetit serb. Ai shënoi kalimin nga një proces juridik të pavarur në një marrëdhënie të ndërmjetësuar politikisht, ku bashkëpunimi minimal u vendos mbi parimin e përgjegjësisë penale dhe zbardhjes së së vërtetës. Tromp e përshkruan këtë si fillimin e një “simetrie të rreme” në drejtësinë ndërkombëtare — një kompromis që ruajti interesat shtetërore të Serbisë në kurriz të integritetit të Tribunalit dhe të viktimave të krimeve të luftës.

Dy qasje komplementare: Tromp dhe Hodge

Nevenka Tromp e interpreton kompromisin e majit 2003 si një moment kritik të dobësimit të integritetit institucional të Tribunalit, pasi ai shënoi fillimin e një qasjeje të ndërmjetme midis ligjit dhe diplomacisë. Për të, Regulli 54 bis u shndërrua në instrument të politizimit të drejtësisë, duke u përdorur për të mbrojtur interesat shtetërore të Serbisë.

Ndërkaq, Carole Hodge e sheh këtë kompromis si pjesë të një strategjie më të gjerë të “balancimit penal”, përmes së cilës prokuroria ndërkombëtare kërkonte të ruante një ekuilibër etnik në ndjekjet penale. Ajo argumenton se kjo strategji rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta ndaj figurave të UÇK-së, si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, për të krijuar perceptimin e paanshmërisë së Tribunalit.

Hodge thekson:

“Ky rast nuk duhej të kishte shkuar kurrë në Hagë, sepse provat ishin të pamjaftueshme dhe dëshmitarët të pabesueshëm. Krahasuar me krimet e forcave serbe, akuzat ndaj Limajt ishin të vogla dhe zakonisht i përkisnin juridiksionit kombëtar.” (Hodge 2019, 211–214)

Po ashtu, ajo shton se:

“Rasti Haradinaj përfaqësonte kulmin e strategjisë së balancimit të Del Ponte-s. Ai u akuzua për të ruajtur iluzionin e paanshmërisë, jo sepse kishte prova të mjaftueshme.” (Hodge 2019, 215–217)

Dy prokurorë britanikë, Sir Geoffrey Nice dhe Andrew Cayley, refuzuan të merrnin përsipër aktakuzën duke e konsideruar të pambështetur me prova, por ajo megjithatë u ngrit nën presion politik. Këto raste, sipas Hodge, krijuan një “iluzion të paanësisë” që dëmtoi kredibilitetin e Tribunalit dhe e paraqiti drejtësinë ndërkombëtare si instrument të Realpolitik-ës.

Efektet dhe kostot e kompromisit

Në planin juridik, kompromisi i majit 2003 prodhoi pasoja të ndjeshme mbi integritetin e procesit të drejtësisë ndërkombëtare. Zbatimi i Regullit 54 bis, që i lejonte Serbisë të vendoste masa mbrojtëse mbi dokumentet shtetërore, kufizoi transparencën e provave dhe pamundësoi ndërtimin e zinxhirëve të plotë të përgjegjësisë komanduese. Si rrjedhojë, shumë nga dokumentet kyçe të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (SDC) – që mund të ndriçonin lidhjet midis vendimmarrjes politike në Beograd dhe krimeve të kryera në terren – mbetën të padisponueshme për trupën gjykuese. Ky veprim dobësoi standardet e provueshmërisë dhe krijoi një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit bashkëpunimi politik me shtetet mund të zëvendësonte kërkesat themelore të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Në planin politik, kompromisi e transformoi Tribunalin nga një institucion i pavarur juridik në një aktor të ndërmjetëm midis drejtësisë dhe diplomacisë. Strategjia e ashtuquajtur e “balancës etnike”, që synonte ruajtjen e një ekuilibri simbolik në ndjekjet penale, prodhoi pasoja të shumëfishta. Nga njëra anë, ajo shërbeu për të bindur Beogradin se drejtësia ndërkombëtare nuk ishte selektive; nga ana tjetër, krijoi perceptimin e një simetrie artificiale midis agresorit dhe viktimës. Kjo qasje rezultoi në ngritjen e aktakuzave të dobëta dhe të motivuara politikisht ndaj figurave të UÇK-së, ndërkohë që shumë krime të dokumentuara të forcave serbe mbetën të paadresuara. Në këtë mënyrë, balanca e pretenduar shërbeu jo si garanci e paanshmërisë, por si mjet për të zbutur tensionet politike me Serbinë dhe për të ruajtur kredibilitetin e përkohshëm të Tribunalit.

Në planin institucional, kompromisi e dëmtoi rëndë besueshmërinë e Tribunalit si organ i pavarur juridik. Gatishmëria për të negociuar mbi transparencën e provave krijoi një perceptim të fortë se drejtësia ndërkombëtare ishte e gatshme të sakrifikonte parimet procedurale për interesa politike. Kjo zbehje e autoritetit institucional ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën si u perceptua ICTY në opinionin publik ndërkombëtar dhe rajonal — jo më si simbol i drejtësisë globale, por si instrument i Realpolitik-ës ndërkombëtare. Në pasojë, shumë nga vendimet e tij filluan të interpretoheshin më shumë në terma të ekuilibrave diplomatikë sesa të drejtësisë penale.

Në tërësi, kompromisi Del Ponte–Beograd krijoi një model të ri të drejtësisë së negociuar, ku parimet juridike u nënshtruan ndaj interesave politike të momentit. Ky model, i lindur në Tribunalin e Hagës, më vonë do të shfaqej në forma të tjera të drejtësisë tranzicionale në Ballkan, duke përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës – një institucion që trashëgon dilemat dhe tensionet midis drejtësisë dhe diplomacisë, të filluara që në vitin 2003.

Narrativa e mohimit dhe instrumentalizimi politik nga Serbia

Siç vërejnë Tromp, Hodge dhe Geoffrey Nice, Serbia ka përdorur drejtësinë ndërkombëtare në mënyrë selektive, duke pranuar autoritetin e saj vetëm kur kjo i ka shërbyer interesave politike. Akuzimi i Kosovës për krime ka qenë pjesë e një strategjie shtetërore për barazimin moral, që synon të zbehë legjitimitetin e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të mbajë të hapur çështjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës.

Që nga vitet 1990, Serbia ka ndërtuar një narrativë të qëndrueshme mohimi, duke i paraqitur krimet e forcave të saj si “aksione mbrojtëse” dhe duke refuzuar çdo formë përgjegjësie institucionale për to. Një ndër format më të sofistikuara të këtij mohimi ishte fshehja e dokumenteve sekrete të Këshillit Suprem të Mbrojtjes (Supreme Defence Council – SDC), e realizuar me miratimin e Prokurores Carla Del Ponte. Ky kompromis, i arritur në vitin 2003, pati pasoja të drejtpërdrejta në drejtësinë ndërkombëtare, sidomos në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2007 në çështjen Bosnia and Herzegovina v. Serbia and Montenegro.

Tromp thekson se këto materiale u dorëzuan në dy versione:

  • një version i plotë, i cili u mbajt sekret dhe nuk iu dorëzua mbrojtjes;
  • një version i redaktuar, i cili u pranua për përdorim të kufizuar nga Tribunali (ICTY).

Ky veprim, sipas saj, dobësoi strukturën provuese të Prokurorisë dhe krijoi precedent që drejtësia ndërkombëtare mund të negociohej në bazë të interesave shtetërore.
Tromp shkruan se:

“Gatishmëria e Tribunalit për të negociuar mbi deklasifikimin e dokumenteve kyçe ushtarake e dobësoi autoritetin e tij dhe e zbehu vijën ndarëse midis ligjit dhe diplomacisë.” (Tromp, 2016, f. 182)

Tromp argumenton se kjo fshehje dokumentesh ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e çështjes Bosnia v. Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (2007).
Për shkak se ICJ përdori si burim kryesor dokumentet e publikuara nga ICTY, mungesa e versioneve të plota të SDC-së bëri që:

  • të mos provohej zinxhiri i komandës midis ushtrisë jugosllave (VJ) dhe njësive serbe në Bosnje;
  • të mos mund të argumentohej plotësisht përfshirja shtetërore e Serbisë në planifikimin dhe zbatimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Si rezultat, Gjykata nuk e shpalli Serbinë përgjegjëse për gjenocid, por vetëm për “mosparandalim të gjenocidit”. Tromp e përshkruan këtë si një “dështim i drejtësisë ndërkombëtare”, ku kompromisi i Del Ponte-s shpëtoi shtetin serb nga përgjegjësia penale ndërkombëtare.

Në vijim, Serbia ndoqi strategjinë e ashtuquajtur “moral equivalence”, duke barazuar krimet e saj në Bosnjë dhe Kosovë me pretendime për krime të UÇK-së. Sipas dëshmive të Tribunalit të Hagës, kjo logjikë u përdor edhe në procesin ndaj Milošević-it, ku ai përpiqej të paraqiste Serbinë si viktimë të “separatizmit dhe terrorizmit shqiptar”. Pranimi i fajësisë do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale për elitën shtetërore serbe, prandaj mohimi i krimeve mbetet një element përbërës i identitetit politik dhe diplomatik të Serbisë.

                                                               ***

Në këtë kuptim Marrëveshja Del Ponte–Beograd përfaqëson një nga rastet më të qarta të ndërthurjes midis ligjit dhe politikës në drejtësinë ndërkombëtare të pasluftës në Ballkan. Serbia përfitoi nga kufizimet procedurale për të ruajtur kontrollin mbi dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes dhe për të shmangur ekspozimin e provave që implikonin strukturat shtetërore në krime lufte. Nga ana tjetër, Prokuroria ndërkombëtare synoi të ruante një imazh të paanshmërisë përmes krijimit të një ekuilibri penal artificial, që në praktikë u përkthye në akuzimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse ky kompromis mundësoi një bashkëpunim të përkohshëm mes Tribunalit dhe autoriteteve serbe, ai pati pasoja afatgjata mbi legjitimitetin, transparencën dhe pavarësinë institucionale të ICTY-së, duke ushqyer perceptimin e drejtësisë selektive në Ballkan. Në këtë kontekst, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj mund të konsiderohen si viktima tipike të strategjisë së “balancës” që Carla Del Ponte aplikoi për të ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Tribunalit dhe për të nxitur bashkëpunimin e Serbisë me të. Ata u gjykuan jo mbi bazën e provave të qëndrueshme juridike, por për të përmbushur një funksion simbolik në arkitekturën e drejtësisë ndërkombëtare – për të dëshmuar se ICTY “nuk ishte kundër serbëve, por kundër të gjithëve”.

Në një plan më të gjerë, ky episod ndihmon të kuptohet origjina konceptuale e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të ngritura mbi logjikën e ngjashme të ndërthurjes midis politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare. Ky zhvillim ka zgjatur debatin mbi raportin ndërmjet sovranitetit shtetëror, ndërhyrjes ndërkombëtare dhe drejtësisë tranzicionale në Evropën Juglindore, duke e vendosur Kosovën në qendër të një paradigme të re të drejtësisë së pasluftës – as plotësisht kombëtare, as plotësisht ndërkombëtare, por të ndërmjetme dhe të kontestuar në legjitimitet.

Filed Under: Opinion

Një zë përtej kufijve: Odiseja shumëgjuhëshe e Arshi Pipës

October 20, 2025 by s p

Nga Hektor Çiftja

Universiteti “A. Xhuvani”, Elbasan/

(Mbi librin akoma jo shumë të njohur të Arshi Pipës “Autobiography” të shkruar në SH.B.A. në 1988 dhe të botuar në Tiranë në 2000.

Si një poet shqiptar i mërguar u bë i vetmi i kombit tonë që i bashkohet radhëve të autorëve më të mëdhenj botërorë që shkruan në gjuhë jo amtare – duke shkruar historinë e jetës së tij në pesë gjuhë dhe duke i dhënë Shqipërisë një zë në skenën letrare botërore.

Imagjinoni një poet shqiptar që mund ta shprehte shpirtin e vet po aq lehtësisht në italisht sa edhe në shqip; që shkruante vargje në frëngjisht e anglisht për të përshkruar trishtimet e mërgimit; dhe që madje përkthente veten – varg për varg – për t’u siguruar që mesazhi i tij të mbërrinte si tek atdheu ashtu edhe tek bota e gjerë. Kjo është trashëgimia e jashtëzakonshme e Arshi Pipës, një poet disident dhe studiues, jeta e të cilit lexohet si një odise nëpër gjuhë. Në një kohë kur shumica e shkrimtarëve i qëndrojnë besnikë gjuhës së tyre amtare, Pipa spikat si i vetmi poet shqiptar që e ka vënë kombin tonë krah për krah me shkrimtarët e shquar botërorë “exophonic” – autorë si Joseph Conrad, Samuel Beckett dhe Vladimir Nabokov, të cilët të gjithë shkëlqyen në gjuhë të huaja për ta. Historia e Pipës është një histori kuraje intelektuale dhe qëndrese krijuese: një shqiptar që i mbijetoi përndjekjes dhe mërgimit, por gjeti lirinë duke rishpikur vetveten nëpërmjet fjalëve të huaja. Ky rrugëtim, njëherazi entuziast dhe ndriçues, u ofron shqiptarëve të diasporës si një burim krenarie për identitetin tonë kulturor ashtu edhe një ftesë për të rizbuluar një zë poetik unik që kapërceu kufijtë.

Poet i shumë gjuhëve, një shqiptar në mërgim

Lindur më 1920 në Shkodër, Arshi Pipa u formua në një epokë të trazuar për Shqipërinë. Ai mori doktoraturën në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dëshmoi vendin e vet të binte nën një regjim komunist shtypës. Në vitin 1946, për “krimin” e recitimit të një vargu subversiv, u burgos për gati një dekadë në kampet famëkeqe të punës së diktaturës së Enver Hoxhës. Ashtu si shumë intelektualë të brezit të tij, e vetmja rrugëdalje që i mbeti Pipës nga tirania ishte arratisja jashtë vendit – fillimisht në Jugosllavi në vitin 1957 dhe më pas, në vitin 1959, në Shtetet e Bashkuara. Kështu filloi jeta e tij si një i mërguar politik, një fat i njohur për shumë shqiptarë në diasporë. Por ajo që Pipa bëri me atë fat ishte krejt e jashtëzakonshme: ai e shndërroi mërgimin në art, dhe e bëri këtë në pesë gjuhë të ndryshme.

Pasi u vendos në Amerikë, Pipa u bë një profesor i nderuar i letërsisë, por kurrë nuk e harroi poetin brenda vetes. Gjatë viteve, ai shkroi poezi në shqip, italisht, frëngjisht dhe anglisht, duke pasqyruar mozaikun e kulturave që kishte përjetuar. Në shtëpinë e tij në Uashington, D.C., ai madje fliste përditë frëngjisht – partnerja e tij e kahershme ishte franceze (dhe albanologe, madje), kështu që frëngjishtja u bë gjuha e tyre familjare. Nuk është çudi, pra, që kur Pipa përgatiti kryeveprën e tij të fundit – një përmbledhje me titull domethënës Autobiography – ai e shkroi atë si një qilim gjuhësor. Ky libër, i përpiluar më 1988 dhe i botuar pas vdekjes së tij në vitin 2000, është një autoportret poetik i rrëfyer nëpërmjet një kori gjuhësh. Duke shkruar në gjuhët e së shkuarës dhe të së tashmes së tij, Pipa nuk po rrëfente thjesht historinë e jetës së vet; ai po provonte një pikë. Ai tregonte se një zë shqiptar, edhe në mërgim, mund të jehonte në skenën botërore – se historia e kombit tonë mund të rrëfehej në idiomat e Evropës dhe Amerikës, pa e humbur shpirtin e vet.

Çfarë është shkrimi “exophonic”?

Qasja shumëgjuhëshe e Pipës e vendos atë në një kategori të rrallë që studiuesit e quajnë shkrim “exophonic” – letërsi e krijuar në një gjuhë tjetër nga ajo amtare. Njihet gjithashtu si translingualizëm letrar, dhe ka një histori të pasur. Mendoni për Joseph Conrad, të lindur në Poloni, i cili shkroi “Heart of Darkness” në një anglishte të rrjedhshme, ose autorin irlandez Samuel Beckett, i cili krijoi kryevepra ekzistencialiste në frëngjisht. Këta shkrimtarë dolën jashtë kufijve të gjuhës së tyre amtare dhe gjetën zëra të rinj krijues. Sipas kritikëve letrarë, autorë të tillë translingual na detyrojnë të mrekullohemi me arritjen e tyre – është mjaft e vështirë të shkruash poezi të shkëlqyer në gjuhën tënde të parë, e jo më në një të dytë a të tretë. Më e rëndësishmja, ata shtrojnë pyetje magjepsëse mbi identitetin: a e ndryshon vallë secila gjuhë që flasim se kush jemi ne? Jetojmë vallë, në një farë kuptimi, disa jetë – një për secilën gjuhë?

Për Arshi Pipën, këto pyetje nuk ishin aspak teorike; ato ishin realiteti i të shkruarit të tij të përditshëm. Ai e përshkroi veten dikur si “një hibrid”, i formësuar nga shumë ndikime dhe kultura. Dhe me të vërtetë, jeta e Pipës ishte një studim i ndërthurjes së identiteteve: ai ishte shqiptar nga lindja, i shkolluar italisht, një akademik amerikan në karrierë, dhe adhurues i kulturës franceze në jetën personale. Në terma letrarë, ai ishte poliglot në kuptimin e plotë të fjalës. Vepra e tij përçon atë që filozofi Ludwig Wittgenstein ka thënë: “Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime.” Duke përvetësuar gjuhë të reja, Pipa po thyente kufijtë e botës së tij të parë dhe po hynte në botë të reja. Natyrisht, çdo gjuhë e re vinte me kufizimet e veta – ai fitonte një audiencë më të gjerë, por gjithashtu duhej t’u përshtatej nuancave të reja. (Siç mund të thuhet: sa herë që ai ndërronte gjuhë, fitonte një zë të ri, por linte pas një zonë të vjetër rehatie.)

Megjithatë, Pipa e përqafoi këtë sfidë me zell. Të shkruarit në një gjuhë jo amtare mund të jetë një akt sfidimi dhe fuqizimi për një të mërguar. Është një mënyrë për të thënë: “Nuk do të lejoj që distanca apo barrierat gjuhësore të më heshtin – unë mund ta tregoj historinë time kudo, në cilëndo gjuhë.” Studiues të dygjuhësisë, si Aneta Pavlenko, vënë në dukje se kur shkrimtarët adoptojnë një gjuhë të dytë, ata në thelb po e bëjnë atë të tyren, duke pohuar të drejtën e tyre për t’u dëgjuar në traditën letrare të asaj gjuhe. Pipa bëri pikërisht këtë. Duke krijuar poezi drejtpërdrejt në anglisht dhe italisht, ai nuk priste përkthyes apo leje nga askush – ai vetë po afirmonte vendin e Shqipërisë në ato kultura. Sigurisht, siç na kujton edhe Pavlenko, autorë të tillë shpesh ndiejnë se duhet vazhdimisht të provojnë legjitimitetin e tyre në gjuhën e adoptuar, duke mbrojtur pa reshtur të drejtën e tyre për t’u shprehur në atë gjuhë. Pipa e njihte mirë këtë trysni; në fund të fundit, një shqiptar që shkruante anglisht në vitet 1980 mund të pritej me habi a dyshim. Por ai nuk e la që kjo ta ndalte.

Ndoshta vëzhgimi më i bukur për jetën shumëgjuhëshe të Pipës vjen nga shkrimtarja Eva Hoffman, e cila, duke reflektuar mbi udhëtimin e saj dygjuhësh, ka thënë: “Si çdo njeri, unë jam shuma e gjuhëve të mia.” Në rastin e Pipës, të qenit shuma e pesë gjuhëve e bëri atë jashtëzakonisht të pasur në shprehje. Secila gjuhë që ai përdorte prekte një aspekt të ndryshëm të përvojës së tij. Dhe larg së ndjeri “i copëtuar” nga këto gjuhë të shumta, Pipa më në fund mësoi t’i linte ato të bisedonin me njëra-tjetrën, duke thurur një autoportret të bashkuar nga fijet e tyre. Siç vërejti Hoffman, të mësosh të jetosh në më shumë se një gjuhë mund të jetë çorientues në fillim – njeriu mund të ndiejë thyerje psikologjike ose humbjen e vetvetes së dikurshme. Pipa me siguri kaloi një periudhë heshtjeje kur sapo mbërriti në Amerikë, sikur muza e tij shqipe të ishte bërë memece në një botë anglishtfolëse. Por me kohë, ai gjeti një mënyrë për t’i pajtuar ato identitete. Ai filloi të “ëndërronte anglisht”, për të përdorur metaforën e Hoffman-it, dhe më në fund mundi të shkruante poezi në të. Deri në fund të jetës së tij, Pipa mund të kalonte me lehtësi nga shqipja në italisht, frëngjisht dhe anglisht, duke lejuar secilën gjuhë që të “modifikojë dhe plehërojë tjetrën”, derisa ato të gjitha u bënë pjesë e një rrëfimi të vetëm madhështor – rrëfimit të tij.

Autobiography: një jetë në pesë gjuhë

Në vitin 1988, Arshi Pipa vendosi të përpilonte atë që do të ishte kurorëzimi i karrierës së tij poetike. Ai ishte gati 70 vjeç, një disident me përvojë dhe njeri i letrave, dhe kishte ndjenjën se kjo përmbledhje do të ishte testamenti i tij poetik. Me vend, ai e titulloi “Autobiography”. Por ndryshe nga çdo autobiografi tjetër që mund të keni lexuar, kjo nuk ishte shkruar në një gjuhë të vetme. Si mund të ishte? Jeta e Pipës ishte jetuar përgjatë kaq shumë peizazheve gjuhësore sa një gjuhë e vetme kurrsesi s’mund ta përfshinte atë. Siç shpjegoi vetë Pipa në një parathënie, poezitë në Autobiography përfshijnë të gjithë jetën e tij të rritur dhe janë renditur kronologjikisht. Dhe meqë secili kapitull i jetës së tij ishte i gërshetuar me një gjuhë ose vend të caktuar, libri natyrshëm shpaloset në disa gjuhë. Ai lexohet pothuajse si një udhëtim nëpër kohë dhe hapësirë, me gjuhën si mjet udhëtimi.

Për t’u dhënë lexuesve një ide të kësaj strukture unike, ja pjesët kryesore të Autobiography dhe gjuhët që Pipa përdor në secilën prej tyre:

Vitët e Rinisë – në italisht: Libri hapet me një pjesë të titulluar “Juvenilia”, ku përfshihen disa poezi nga rinia e Pipës në Shqipëri, të cilat më pas ai i përktheu në italisht. Italishtja ishte gjuha e formimit të hershëm akademik të Pipës (doktoraturën e mori në Firence) dhe e ngjyros kujtimet e rinisë së tij me një ngrohtësi klasike mesdhetare. Duke përkthyer vargjet e tij të para shqip (të botuara fillimisht më 1944) në italisht, Pipa në mënyrë simbolike vendos rrënjët e tij shqiptare në një kontekst më të gjerë evropian – sikur të thoshte se rinia e tij shqiptare tashmë mund të flasë në gjuhën e Dantes.

Jeta Studentore dhe Intelektuale – në italisht: Seksioni tjetër përmban poezi origjinale që Pipa shkroi në italisht gjatë viteve të tij universitare në Firence. Këto krijime, të shkruara në vitet 1940, pasqyrojnë mendjen e një intelektuali të ri, të zhytur në filozofi dhe art. Italishtja, me trashëgiminë e vet të pasur poetike, ishte një mjet krejt i natyrshëm për temat erudite dhe stilin e rafinuar të këtyre vargjeve.

Vitët e Burgut – nga shqipja në anglisht/italisht: Një nga pjesët më prekëse të librit përfshin poezitë e Pipës të shkruara në burg. Gjatë burgosjes së tij brutale (1946–1956 në Shqipërinë komuniste), Pipa kishte krijuar fshehurazi poezi në gjuhën shqipe, të cilat u botuan më vonë si “Libri i burgut” në vitin 1959. Në Autobiography, Pipa përfshin një përzgjedhje të këtyre poezive të burgut, por në përkthim – disa të përkthyera në italisht, disa në anglisht. Kjo zgjedhje është e fuqishme: duke përkthyer dëshminë e tij personale të vuajtjes në gjuhët e Evropës Perëndimore, Pipa siguroi që historia e gulagëve të Shqipërisë të mos mbetej e fshehur pas Perdes së Hekurt. Një shembull i spikatur është poema “Neli”. E shkruar fillimisht në shqip për të nderuar një shok burgu, Pipa e paraqiti atë në anglisht për Autobiography. Poema përshkruan një të burgosur fshatar, Neli, i cili duroi sëmundjen dhe vuajtjet në kampin e punës pa e humbur kurrë njerëzinë apo dinjitetin e tij. Pipa shkruan në disa vargje prekëse:

“In prison much I learned not found in books.

Humanity plucked bare of feathers I saw, and was disgusted.

Yet something else I saw, the like of Neli, no scores,

the good seeds of perhaps a better future.

So I accepted life, and could live out my fate.”

Duke zgjedhur anglishten për këto vargje, Pipa metaforikisht hap portat e burgut, duke i lejuar botës anglishtfolëse të dëshmojë atë që pa ai vetë. Është letërsi e kthyer në dëshmi. Imagjinoni një lexues shqiptar në vitin 2000 teksa kupton se një audiencë amerikane mund të lexonte për “Nelin” pa përkthim – duhet të ketë qenë një çast krenarie dhe katarsisi. Autobiography në këtë mënyrë lidh kapitullin më të errët të Shqipërisë me ndërgjegjen globale.

Mërgimi i Hershëm – frëngjisht (dhe anglisht): Pjesa e titulluar “Exile” përmban poezi nga fundi i viteve 1950 dhe fillimi i viteve 1960, menjëherë pasi Pipa u arratis nga Shqipëria. Është interesante që shumë prej këtyre krijimeve u shkruan në frëngjisht, të hartuara gjatë qëndrimit të Pipës në Sarajevë (atëherë Jugosllavi) ku ai jetoi shkurtimisht përpara se të shkonte në SHBA. Pse frëngjisht? Pjesërisht arsye personale – siç u përmend, Pipa jetonte mes një komuniteti frankofon dhe madje ndante jetën me një partnere franceze, kështu që frëngjishtja ishte bërë gjuhë familjare për të. Por gjithashtu, frëngjishtja i dha atij një zë të ri për të artikuluar zhvendosjen e thellë që ndiente si refugjat. Të shkruante në gjuhën e vet amtare për humbjen e Shqipërisë mund të ishte tepër e drejtpërdrejtë, tepër e dhimbshme në atë çast; frëngjishtja i ofroi një distancë të lehtë emocionale dhe një shije kozmopolite, sikur të mund ta kanalizonte mërgimin e tij në traditën më të gjerë intelektuale evropiane. Disa poezi në këtë pjesë janë gjithashtu në anglisht, duke pasqyruar përshtatjen graduale të Pipës me gjuhën e vendit të tij të ri, Amerikës.

Heshtja dhe Rilindja – nga shqipja në anglisht: Pipa pranoi në shënimet e tij se kur u vendos në Shtetet e Bashkuara më 1959, kaloi një “periudhë boshe” në poezinë e vet. Për disa vite ai shkroi fare pak ose aspak poezi – një heshtje që flet shumë për trazirën psikologjike të fillimit nga e para në një gjuhë e kulturë të re. Vetëm gjatë një viti akademik në Romë (1970–71) iu rikthye muza. I rrethuar nga gjuha italiane dhe kujtimet e Evropës, Pipa u ndje i rifrymëzuar në krijimtari. Shumë poezi në Autobiography u shkruan ose u konceptuan pikërisht gjatë asaj periudhe romake. I përtërirë, ai u kthye në SHBA dhe nga mesi i viteve 1970 filloi të shkruante përsëri poezi – tani gjithnjë e më shumë në anglisht. Duke zotëruar gjuhën me kalimin e kohës, më në fund ai mund ta bënte anglishten të vetën. Nga vitet 1980, si një intelektual shqiptaro-amerikan i afirmuar, Pipa natyrshëm përdorte anglishten për t’iu drejtuar botës. Pjesët e vona të Autobiography përmbajnë këto poezi në anglisht, duke shfaqur një zë reflektues, i sigurt dhe të hapur ndaj botës.

Finalja – Dy gjuhë njëherazi: Përmbledhja mbyllet me një tour de force: një poemë të quajtur “Venerianda.” Kjo pjesë paraqitet në dy versione, krah për krah – një në anglisht dhe një në shqip. Është një satirë therëse e drejtuar kundër diktatorëve (titulli, me një tingëllim latin dinak, i bie të kujtojë emrin “Enver” – diktatori shumëvjeçar i Shqipërisë – i kombinuar me një prapashtesë klasike). Ajo që habit është se si Pipa përdor këtë format dygjuhësh. Ai nuk u kënaq duke ia lënë një përkthyesi; përkundrazi, ai vetë përpunoi dy versione të ndryshme – një të përshtatur për lexuesit perëndimorë dhe një për shqiptarët. Si rezultat, “Venerianda” komunikon në dy gjatësi vale. Vetë Pipa vuri në dukje se secili version është i veçantë, pothuaj sikur të kishte shkruar dy poema të ndara mbi të njëjtën temë, sepse ai e dinte që konteksti kulturor i secilës audiencë ishte i ndryshëm.

Në versionin anglisht, ai mund ta shpjegonte ose ta krahasonte tiraninë e Shqipërisë me terma që një i huaj mund t’i kuptonte; në versionin shqip, ai mund të ishte më i drejtpërdrejtë me referenca vendëse dhe zemërim të papërmbajtur që vetëm ata që e kishin jetuar do ta vlerësonin plotësisht. Për t’u siguruar që asgjë të mos “humbiste në përkthim”, Pipa me zgjuarsi përdori referenca nga letërsia klasike latine që lexuesit e shkolluar si në Lindje ashtu edhe në Perëndim do t’i njihnin – një mënyrë e zgjuar për të krijuar terren të përbashkët. “Venerianda” është kështu kurorëzimi i përkryer i Autobiography-së: ajo mishëron ekzistencën e dyfishtë të Pipës si një i mërguar që jeton midis dy botëve dhe përmbush dëshirën e tij për të folur njëkohësisht me dy kultura. Për një lexues shqiptar, të shohë gjuhën e vet dhe anglishten krah për krah në faqe është një pohim prekës që historia jonë i përket të dyja sferave.

Leximi i Autobiography është një përvojë unike. Një çast has një poezi dashurie të ëmbël në italisht, çastin tjetër një reflektim melankolik në frëngjisht, pastaj një epigram politik therës në anglisht, dhe më pas një jehonë përmalluese në shqip. Megjithatë, me gjithë këtë “ndërrim të kodeve”, libri nuk të duket kurrë i copëzuar. Përkundrazi, krijon përshtypjen sikur po dëgjon një muzikant të shkëlqyer duke luajtur një suitë me instrumente të ndryshme – çdo pjesë në një tonalitet të ri, por të gjitha brenda së njëjtës vepër. Pipa arrin të ruajë një zë poetik të njëtrajtshëm edhe kur fjalori ndryshon. Fija lidhëse është historia e jetës së tij: mërgimi dhe malli, kujtesa dhe sfida, humori filozofik dhe urtësia humaniste. Në fund, kupton se të gjitha ato gjuhë të shumta të Arshi Pipës janë thjesht faqe të një zëri të vetëm, të një identiteti të vetëm – një shpirt shqiptar që hyn në dialog me botën.

Urë midis Shqipërisë dhe botës: pse ka rëndësi trashëgimia e Pipës

Arritja e Arshi Pipës me Autobiography është më shumë se një gur kilometrik personal – është një gur kilometrik për letërsinë shqiptare në skenën botërore. Duke guxuar të shkruajë poezi shumëgjuhëshe, Pipa e vendosi traditën tonë letrare kombëtare krah për krah me një traditë më të gjerë evropiane e globale të shkrimtarëve ekzofonikë. Ai tregoi se një poet shqiptar mund të qëndrojë krenarisht në shoqërinë e legjendave si Conrad dhe Beckett, duke kapërcyer kufizimet e gjeografisë dhe gjuhës. Në fakt, Pipa është i vetmi poet shqiptar deri më tani që i është bashkuar këtij “klubi” ekskluziv të autorëve transgjuhësorë, duke zotëruar gjuhë të huaja për të krijuar letërsi të qëndrueshme. Kjo është diçka me të cilën çdo shqiptar – sidomos ne në diasporë – mund të krenohet. Vepra e tij shërben si një urë kulturore, duke pohuar se tregimet dhe vlerat shqiptare mund të përcillen në çdo gjuhë pa e humbur fuqinë e tyre.

Është e rëndësishme që Pipa e përdori këtë urë për të çuar të vërtetën tonë përtej kufijve. Kujtojmë se gjatë dekadave kur Pipa shkruante, Shqipëria ishte e izoluar pas Perdes së Hekurt. Ishte pak gjasë që zërat e shkrimtarëve tanë të arrinin në Perëndim, sidomos nëse ata ishin kritikë ndaj regjimit. Duke kaluar në anglisht, Pipa e kapërceu atë pengesë. Ai nuk priti për përkthyes, as nuk priti që Shqipëria të hapej; ai i shkroi drejtpërdrejt botës. Në këtë mënyrë, ai u bë njëfarë ambasadori i përvojës shqiptare, megjithëse jozyrtar. Për shembull, kur lexuesit perëndimorë në vitet 1980 lexonin poezinë e tij “Neli” në anglisht, ata, në heshtje, ishin të ftuar të ndienin empati me të burgosurit politikë të Shqipërisë – një realitet që përndryshe do të kishte mbetur një zë i largët. Përmes poezisë ekzofonike, Pipa krijoi empati dhe ndërgjegjësim përtej kufijve gjuhësorë.

Një shembull tjetër mbresëlënës i mënyrës se si Pipa lidhte Shqipërinë me rrymat botërore është fakti se ai ndërthurte referenca kulturore evropiane në veprën e tij. Ai e quajti një cikël poezish “Ça Ira” (frëngjisht, që do të thotë “Do të shkojë mirë”), duke evokuar himnin e famshëm të Revolucionit Francez. Atij cikli i vuri si epigraf disa vargje nga Giosuè Carducci (një poet italian i njohur). Duke bërë kështu, Pipa e vendosi luftën shqiptare për liri në vijimësi të drejtpërdrejtë me luftërat e mëdha evropiane kundër shtypjes – nga barrikadat e Parisit të shekullit XVIII te rrëzimi i diktaturave në shekullin XX. Ishte mënyra e tij për të thënë: lufta jonë është po ajo luftë. Për një shkrimtar shqiptar të mërguar të bënte të vetat simbole si “Ça Ira” ishte një pohim i guximshëm i përkatësisë. Pipa i thoshte botës se kultura shqiptare është pjesë e mozaikut evropian, dhe anasjelltas u thoshte shqiptarëve se ata kanë vendin e vet të ligjshëm në rrëfimin madhor të lirisë dhe dinjitetit njerëzor që përshkon kombet dhe shekujt.

Vlen gjithashtu të përmendet roli i Pipës si intelektual disident përmes këtyre veprave shumëgjuhëshe. Në mërgim, ai shkroi jo vetëm poezi, por edhe studime akademike e politike (shpesh në anglisht) që nxirrnin në shesh të vërtetat e komunizmit shqiptar. Harold B. Segel, një historian letrar, madje e krahasoi Pipën me figura si Paul Goma i Rumanisë – shkrimtarë disidentë që hodhën dritë mbi tiranitë në atdheun e tyre që t’i shihte bota. Shkrimet e Pipës në anglisht, si Albanian Stalinism dhe Studies on Kosovo, si dhe kritikat kulturore që ai botoi, të gjitha kontribuan në futjen e historisë së Shqipërisë në diskursin global. Në këtë kuptim, Autobiography-ja e tij shumëgjuhëshe është pjesë e një angazhimi më të gjerë për t’u siguruar që Shqipëria të mos mbetej një cep i izoluar dhe pa zë i Evropës. Ai e kishte parë nga afër se si gjuha mund të bëhej burg (kujtoni që u burgos pjesërisht sepse recitoi një përkthim të Goethe-s, gjë që regjimi e pa si akt subversiv!). Kështu ai e ktheu gjuhën në një armë çlirimtare. Çdo poemë që ai shkroi në anglisht ose frëngjisht ishte një akt i vogël në thyerjen e izolimit të imponuar mbi kulturën shqiptare.

Për diasporën shqiptare sot, trashëgimia e Pipës ka një jehonë të veçantë. Edhe ne jetojmë mes gjuhëve dhe botëve. Shumë prej nesh kanë ndërtuar jetë në vende të reja – duke mësuar anglisht, italisht, gjermanisht apo greqisht – ndërkohë që mbajnë shqipen në zemër. Pipa na tregon se ky përjetim i të jetuarit “në përkthim” mund të jetë një burim krijimtarie dhe force. Ai refuzoi të zgjidhte një identitet në vend të një tjetri apo të kufizohej në një gjuhë. Përkundrazi, ai përqafoi identitetin hibrid – ashtu siç bëjnë shumë shqiptarë të diasporës. Duke lexuar veprat e tij, ne mund të shohim pasqyrimin e udhëtimeve tona: nostalgjinë për gjuhën amtare, entuziazmin dhe sfidën e përvetësimit të një gjuhe të re, dhimbjen e ndarjes nga atdheu, dhe dëshirën e fortë për ta bërë trashëgiminë tonë të njohur e të respektuar në mërgim.

Një ftesë për të rizbuluar poezinë e Arshi Pipës

Entuziaste dhe njëkohësisht e thellë, Autobiography shumëgjuhëshe e Arshi Pipës qëndron si një fanar në letrat shqipe. Ajo na kujton se kultura jonë është e gjallë dhe e aftë të përshtatet, e aftë t’i flasë botës në shumë idioma. Ka ardhur koha t’i rikthehemi poezisë së tij. Për ata në diasporë, sidomos brezat më të rinj që mund të mos kenë dëgjuar për Pipën, është një thesar që pret të zbulohet. Vargjet e tij mbartin ADN-në lirike të Shqipërisë – ritmet e tregimeve popullore që i rrëfente gjyshja e tij në Shkodër, thellësinë filozofike të një mendjeje që dialogoi me Danten dhe Bergsonin, dhe shpirtin e pamposhtur të një njeriu që i mbijetoi padrejtësisë e prapë këndoi për shpresën.

Leximi i Pipës nuk është një ushtrim akademik; është një përvojë emocionale dhe frymëzuese. Mund ta hapni Autobiography dhe të gjeni një poezi për çdo gjendje shpirtërore dhe për çdo pjesë të shpirtit shqiptar. Një faqe mund t’ju çojë në brigjet e Liqenit të Shkodrës me “kështjellën veneciane që hedh një hije ilire” (siç përshkruan Pipa në një poezi), ndërsa faqja tjetër mund t’ju bëjë të buzëqeshni me një satirë therëse ndaj diktatorëve. Dhe gjithnjë do ta ndjeni praninë e një njeriu që e deshi Shqipërinë pa masë – aq shumë sa ai e mori zërin e saj në botë të tjera dhe bëri që të dëgjohej.

Arshi Pipa u nda nga jeta në vitin 1997, pikërisht teksa Shqipëria dilte nga izolimi dhe diaspora po rilidhej me atdheun e lirë. Në një farë mënyre, domethënia e plotë e veprës së tij po lulëzon vetëm tani. Ne jetojmë në një epokë ku identitetet dygjuhëshe dhe transnacionale janë të zakonshme, ku letërsia e përkthyer festohet. Pipa ishte para kohe në këtë drejtim. Ai i dha Shqipërisë një vend në tryezën e letërsisë botërore duke shkruar në gjuhë të shumta – dhe e bëri këtë pa zbehur aspak këndvështrimin e tij thellësisht shqiptar. Kjo është një trashëgimi që ne të gjithë mund ta çmojmë.

Prandaj, për shqiptarët anembanë globit, ja një ftesë: rikthehuni te poezia e Arshi Pipës. Nëse e zotëroni anglishten, kërkoni vargjet e tij në anglisht dhe mahnituni se si një shqiptar mund të shkruante me aq elegancë në “gjuhën e Shekspirit”. Nëse dini italisht ose frëngjisht, shihni si i derdhi ai përjetimet e veta në ato tinguj. Dhe sigurisht, lexoni edhe vargjet e tij shqip, për të ndier pulsin e gjallë në palcë të gjithçkaje. Do ta mbyllni librin jo vetëm me admirim për artin e Pipës, por edhe me një krenari të përtërirë për qëndrueshmërinë dhe larminë e kulturës sonë. Fundja, përmes Arshi Pipës mësojmë se një rrëfim shqiptar mund të thuhet në çdo gjuhë – dhe prapëseprapë ta trazojë shpirtin. Ky poet i madh i tregoi botës çfarë mund të arrinte Shqipëria në mërgim. Tani na takon neve ta çojmë përpara atë rrëfim, duke festuar identitetin tonë me të njëjtin entuziazëm dhe shpirt të hapur që pati ai.

Filed Under: Opinion

Urime Qendrës Islame Shqiptare në Detroit me rastin e 80 vjetorit të themelimit

October 19, 2025 by s p

Mondi Rakaj/

Në emër të Federatës “Vatra”, mora pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Qendrës Islame Shqiptare në Detroit.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, përcolla përshëndetjet dhe urimet më të mira në emër të Kryetarit të Federatës “Vatra”, z. Elmi Berisha, dhe Nënkryetarit, z. Alfons Grishaj, të cilët për arsye objektive nuk mundën të marrin pjesë personalisht në këtë aktivitet.

Shpreha mirënjohjen time të veçantë ndaj Imam Shuajp Gërgurit për ftesën e bërë dhe theksova kënaqësinë që tradita e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë vazhdon të ruhet e të përsëritet. Ashtu si dikur, kur marrëdhëniet mes Kryetarit të “Vatrës” Fan Nolit, Imam Vebi Ismailit dhe Baba Rexhepit ishin shembull bashkëpunimi e harmonie, edhe sot vërehet një frymë e ngrohtë uniteti mes prijësve fetarë.

Është kënaqësi të shohim të gjithë drejtuesit fetarë të ulur në një tryezë të përbashkët, duke dëshmuar se marrëdhëniet tona janë më të mira se kurrë më parë.

Edhe një herë, urime të përzemërta për 80-vjetorin e Qendrës Islame në Detroit! Uroj që kjo traditë dhe harmoni të vazhdojnë gjatë dhe që të festoni sa më shumë përvjetorë të tillë. Një organizim i shkëlqyer mbi veprimtarinë fetare dhe atdhetare të Qendrës Islame Shqiptare, si pasuri e vyer e komunitetit shqiptar në Michigan.

Institucionet fetare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar për ruajtjen e pasurisë shpirtërore, materiale e atdhetare. Bashkësitë fetare historikisht dhanë një kontribut fenomenal në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Filed Under: Opinion

UÇK-ja në Tiranë: Simbol i Bashkimit Kombëtar dhe Solidaritetit Ndërkombëtar

October 18, 2025 by s p

Nga Tirana: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Tirana u bë epiqendra e një tubimi historik që shprehu mbështetjen e pakushtëzuar për ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procese gjyqësore ndërkombëtare në Hagë. Ngjarja nuk ishte thjesht një akt politik apo qytetar, por një manifestim i fuqishëm i solidaritetit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfaqësuar një mesazh të qartë për drejtësi, moral dhe respekt për sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

1. Bashkimi politik dhe shoqëror mbi çdo dallim

Tubimi grumbulloi personalitete të shquara nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora: ministra, deputetë, ish-diplomatë, drejtues partie, akademikë, opinionistë dhe qytetarë aktivë. Ata vendosën mënjanë dallimet politike dhe ideologjike për të dëshmuar se mbështetja për UÇK-në është një kauzë kombëtare e pakontestueshme.

Pjesëmarrës aktiv ishin shqiptarët nga diaspora, veçanërisht ata nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera të botës, si dhe përfaqësues nga viset tjera shqiptare që ruajnë lidhje të forta historike, kulturore dhe politike me kombin. Ky bashkim i gjerë demonstron qartë se mbështetja për UÇK-në nuk është e kufizuar vetëm brenda hapësirës shqiptare, por përfaqëson një ndjenjë dhe përgjegjësi të përbashkët kombëtare, që bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.

Flamujt, pankartat dhe simbolika e UÇK-së ishin të pranishme në çdo cep të tubimit, duke krijuar një vizion të përbashkët krenarie dhe përgjegjësie kombëtare, ku politika, qytetarët lokalë dhe diaspora u bashkuan në një unitet të jashtëzakonshëm.

2. Dimensioni historik dhe moral i UÇK-së

Folësit rikujtuan me emocion betejat dhe sakrificat e jashtëzakonshme të luftëtarëve të UÇK-së, duke theksuar se drejtësia nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit historik dhe njerëzor. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte vetëm një forcë ushtarake që luftoi për lirinë, por u bë simbol i idealit të lirisë, dinjitetit dhe unitetit kombëtar.

Ky dimension moral përforcon mesazhin kryesor: liria dhe dinjiteti kombëtar kanë peshë më të madhe se çdo akt juridik i izoluar, dhe çdo gjykim ndërkombëtar duhet të kuptojë rëndësinë e sakrificës së popullit shqiptar.

3. Mesazhi ndërkombëtar dhe diplomatik

Manifestimi shërbeu si një apel diplomatik i fuqishëm: ish-eprorët e UÇK-së nuk janë thjesht individë në një proces gjyqësor; ata përfaqësojnë një kapitull të shenjtë të historisë së një kombi që luftoi për lirinë dhe dinjitetin e vet.

Tirana u bë një platformë simbolike ndërkombëtare, ku liderët politikë, qytetarët lokalë dhe përfaqësuesit e diasporës bashkuan forcat për të dërguar një mesazh të qartë: çdo proces drejtësie duhet të marrë parasysh dimensionin historik dhe moral të sakrificës kombëtare. Ky apel është i drejtuar te institucionet ndërkombëtare, diplomatë dhe partnerë strategjikë, për të njohur dhe respektuar trashëgiminë historike të popullit shqiptar dhe për të garantuar një drejtësi të plotë, të balancuar dhe legjitime.

4. Rëndësia politike dhe shoqërore

Tubimi i 16 tetorit nuk ishte vetëm një akt mbështetjeje për ish-luftëtarët, por një paralajmërim i qartë politik dhe diplomatik: mbështetja për veteranët e lirisë është një kauzë kombëtare që nuk mund të politizohet apo injorohet. Në një rajon ku tensionet politike shpesh janë të larta, ngjarje të tilla tregojnë fuqinë e unitetit kombëtar dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si bazë për konsolidimin e shtetit dhe stabilitetin rajonal.

Bashkimi i qytetarëve nga trojet shqiptare, viset tjera dhe diaspora nënvizon se mbështetja për UÇK-në është një kauzë globale e shqiptarëve dhe një vlerë morale dhe politike që duhet të respektohet nga të gjithë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

5. Atmosfera emocionale dhe simbolika

Tubimi ishte i mbushur me emocione të thella dhe simbolikë të fuqishme. Mijëra qytetarë, veteranë dhe përfaqësues nga diaspora shprehën krenarinë dhe respektin për kontributin e ish-eprorëve të UÇK-së. Folësit ndanë kujtime dramatike nga lufta, duke rikujtuar momentet vendimtare që shënuan rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës.

Ky nuk ishte vetëm një tubim politik – ishte një akt afirmimi i kujtesës historike dhe krenisë kombëtare, ku pjesëmarrësit nga të gjitha trojet dhe diaspora treguan se identiteti kombëtar shqiptar nuk njeh kufij.

6. Mesazhi kombëtar dhe ndërkombëtar

Më 16 Tetor 2025, UÇK-ja u ngrit si simbol i bashkimit kombëtar dhe përkushtimit ndaj drejtësisë historike. Manifestimi dërgon një mesazh të qartë: shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut, nga viset tjera shqiptare dhe diaspora, mbeten të bashkuar dhe krenarë për kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lirinë dhe dinjitetin e kombit.

Në nivel ndërkombëtar, ngjarja konfirmon se drejtësia nuk mund të perceptohet jashtë kontekstit të sakrificës historike dhe identitetit kombëtar. Çdo aktor ndërkombëtar duhet të njohë dhe respektojë këtë trashëgimi, për të garantuar një drejtësi të plotë, të balancuar dhe legjitime. Tirana u shndërrua sot në një qendër simbolike të mesazhit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke treguar se uniteti dhe solidariteti shqiptar, brenda vendit, në viset tjera dhe në diasporë, janë jo vetëm vlera morale, por edhe faktor politik dhe diplomatik i pashkëputur nga e tashmja dhe e ardhmja e rajonit.

Filed Under: Opinion

VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË “ALBANIAN BOOKFEST” MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK

October 16, 2025 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë në New York, New Jersey, Philadelphia etj organizon për herë të parë një festë madhështore të librit shqip në New York. Një ngjarje kulturore dhe atdhetare me synim themelimin e një tradite të vyer që rrit, promovon dhe bashkon shqiptarët e mërgatës rreth dijes, librit e kulturës.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra fton shtëpi botuese, autorë, grup autorësh, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ti bashkohen festivalit të librit shqip që do të zhvillohet në New York nga datat 28 – 30 nëntor 2025. Ky festival libri është një ngjarje kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.

Për herë të parë libri shqip i të gjitha gjinive e prej të gjitha trevave do bëhet bashkë në New York për të shënuar ngjarjen më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Vatrës.

Komisioni i organizimit: Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT