• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE SFIDAT E SAJ PËR PAVARËSINË

February 27, 2023 by s p


Dr. Paulin Marku/

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 në Prishtinë është një datë e rëndësishme historike. Udhëtimi për arritjen e këtij akti të rëndësishme dhe të veçantë për Shtetin e Kosovës ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Procesi pati plot sakrifica të ndryshme, me humbje të shumta në jetë njerëzish, dëme financiare e ekonomi, shkatërrim pronash, si dhe në aspektin human e kulturor. Vlen të kujtohet, se përpjekjet e shqiptarëve për shpëtimin e trojeve nga copëtimi dhe për arritjen e Lirisë e Pavarësisë së Shqipërisë është i hershem. Ndërkohë kur trojet shqiptare ishin në fokusin e copëtimit apo të pushtimit, shqiptaret reagonin me çdo forme për të shpëtuar tokat shqiptare. Kjo është dëshmuar vazhdimisht nga krerët shqiptar, të cilët përpiqeshin me çdo kusht për të mbrojtur territoret, edhe pse nën pushtimin Osman. Kongresi i Berlinit i vitit 1878 aneksonte rajone të banuara prej shqiptareve. Forcat shqiptare patën rezistence të armatosur pas shpalljes së vendimit, si dhe zhvilluan takime me drejtues lokal administrativ, përfaqësues të qeverisë, lobuan në qarqet diplomatike për të fituar mbështetjen e ndërkombëtareve dhe për t’i bindur për mbrojtjen nga copëtimi të tokave shqiptare. Veprimet për mbrojtje të interesave kombëtare dhe në mbrojtje të copëtimit të trojeve shqiptare janë dëshmuar vazhdimisht me organizime dhe kuvende të ndryshme: Lidhja e Prizrenit, lidhja e Pejës, kryengritje të një pas njëshme në vitet 1910-1912, të cilët ishin të vendosur me çdo kusht për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Nëpërmjet takimeve dhe lobimeve me shqiptaret e mërgatës dhe duke shfrytëzuar çdo njohje ndërkombëtare për realizimin e ëndrrës shekullore për një Shqipëri të Lirë dhe të Pavarur. Situata e krijuar, nga faktor të brendshëm dhe të jashtëm, kishte bindur më shumë se kurrë, atdhetarët dhe krerë të ndryshëm shqiptar për rrezikun që i kanosej kombit shqiptar nga dobësimi i Portës së Lartë dhe rritjes së agresivitetit të monarkive ballkanike për t’u zgjeruar në dëm të territoreve shqiptare. Ndërkohe që lufta e I-rë ballkanike më 1912 ishte rrezik serioz i copëtimit të viseve shqiptare, patriotet shqiptar nga krahina të ndryshme, me në krye Ismail Qemalin, më 28 nëntor 1912 shpallën në Vlore Pavarësinë e Shqipërisë dhe krijuan qeverinë e parë kombëtare. Me ketë ngjarje të rëndësishme materializua ëndrra shekullore e popullit shqiptar me sakrifica të mëdha dhe me shumë martirë të kombit, për ta bërë Shqipërinë një shtet të lirë e të pavarur. 

Konferenca e Ambasadorëve, e cila u mbajt në Londër ku filloi punimet në dhjetor 1912 dhe mbylli punimet në gusht 1913, njohu shtetin e pavarur shqiptar, po për interesa globale ndërkombëtare, padrejtësisht la jashtë kufijve më shume se gjysmën e trojeve dhe të popullsisë shqiptare, të cilat i kaluan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Konferenca e Londrës vendosi që Kosova të mbetej jashtë kufijve dhe brenda shtetit shqiptar u përfshinë vetëm 28 mijë km katror me rreth 740 mijë banorë. 

Trevat shqiptare, të shkëputura nga Shqipëria më 1913 në mënyrë arbitrare të padrejte, si rezultat i vendimit të Konferencës së Londrës kanë shkaktuar mjaft zemërime dhe debate. Lufta e parë botërore i gjeti shqiptarët të pafuqishëm për të bashkuar viset shqiptare. Shqipëria e Kosova u kthyen në shesh betejash midis forcave ushtarake (serbe, malazeze, bullgare, italiane, greke, austro-hungareze dhe franceze). Pas humbjeve të mëdha në njerëz dhe në dëme materiale do të ndodhte tjetër konferencë që do te vendosej edhe për fatet e shqiptarëve dh të trojeve,të cilat ishte vënë në diskutim për ekzistencën e tyre. 

Në vitin 1919 filloi punimet Konferenca e Paqes. Ajo rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë , ndërsa për çështjen e ribashkimit të territoreve shqiptare, të mbetura jashtë kufijve në Konferencën e Londrës mbeti një çështje e pazgjidhur. Delegacioni shqiptar i mbështetur edhe nga diaspora bënë përpjekje të ndryshme për ribashkimin e trojeve shqiptare por ishte e pamundur. Ata kërkuan ndreqjen e padrejtësive territoriale të vendosur në konferencën e Berlinit 1878, Londrës 1913 por nuk pati ndryshime dhe nuk e morën në konsideratë kërkesën e delegacionit shqiptar. Kështu, shumë territore dhe popullsi shqiptare mbeten jashtë kufijve përfshirë edhe Kosovën.

Çështja e Kosovës, ka patur padrejtësitë e saj në rrjedhat e ngjarjeve historike dhe mund te thuhet se mos zgjidhja në mënyrë të drejtë dhe anashkalimi i marrjes seriozisht të kërkesave të shqiptareve që të ishin pjesë e pandashme e territoreve të Shqipërisë, kanë shkaktuar trazira në Ballkan dhe në Evropë. Shqiptarët janë ndër rastet e pakta e një ndasie dhe copëtimi, se si një komb arrin të ndahet në pesë shtete. 

Asgjë nuk u realizua për bashkimin e trojeve shqiptare gjatë periudhës së Ahmet Zogu, i cili nga viti 1925-28 ishte president i Republikës së Shqipërisë dhe pastaj për 11 vite, deri me 7 prill 1939 ishte në krye të fronit mbretëror, Mbret i shqiptarëve. Ai arriti të realizojë disa reforma të rëndësishme në politiken e brendshme (kushtetuese, financiare e ekonomike, ushtarake, infrastrukturë, shtimin e tokave bujqësore e kanalizime, bashkëpunime ndërkombëtare, krijoi mundësi për shkëmbime mallrash eksport-import… , etj), ndërsa në politikën e jashtme për bashkim të trojeve shqiptare nuk pati sukses për ndryshim kufijsh për të bashkuar trojet shqiptare.

Lufta e II-të Botërore ishte një tjetër tentative e shqiptarëve për të bashkuar trojet e tyre, por rezultoi e pasuksesshme. Për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 nuk pati çlirim dhe ribashkim me Shqipërinë. 

Pas luftës II-të botërore, Shqipëria do të drejtonte politikat e saj me Bllokun e Lindjes dhe do të vuante sistemin komunist nën regjimin e Enver Hoxhës. Si rrjedhojë pati pasoja ekonomike, shoqërore, luftë klasash, persekutime e internime. Ndërsa për korrigjim kufijsh as që bëhej fjalë gjatë regjimit komunist. Shqiptarët e Kosovës u përballen me probleme të ndryshme por ata i shpëtuan shkombëtarizimit dhe shfrytëzuan hapësirat e tyre të kufizuara për të arritur suksese në fusha të ndryshme.

Në fillim të viteve 90 në Shqipëri ndodhen trazira dhe pati lëvizjet e para për shembjen e regjimit komunist, çlirimin nga sistemi totalitar dhe kërkonin pluralizëm politik dhe liri e demokraci. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës u përballen me sfida të mëdha për të fituar lirinë, vetëqeverisje dhe për të qenë një vend i pavarur. Problemi i Kosovës ka shkaktuar krizë ballkanike dhe më gjerë, si element i rëndësishëm i politikave në rajon. 

Është fakt se populli shqiptar është një ndër popujt më të vjetër në Evrope dhe po ashtu evropian. Po ashtu, shqiptarët kane dëshmuar se janë pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Këto janë dëshmuar nga studiues të huaj dhe vendas, nga diplomat te ndryshëm, si dhe nëpërmjet sondazheve dhe analiza të shumta rreth kësaj çështje. Pranimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe dritë shprese për mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e një populli të shtypur për dekada. 

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe fitoi simpatinë e shqiptarëve. Çështja e sigurisë është aspekt politiko-gjeopolitik ndërkombëtare, ndërsa aktoret që u përballën në terren ishin forcat ushtarake. Lufta në Kosove për çlirimin e vendin dhe për të fituar lirinë e pavarësinë ishte e ashpër me humbje të shumta jetë njerëzish, shkatërrim ekonomik, shoqëror e kulturor. Këto janë bazat e konceptit të sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosove, të cilat ishin sfida te mëdha dhe ne qarqet ndërkombëtare drejt Pavarësisë se Kosovës. Pra, lufta në Kosovë shkaktoi dëme të mëdha me humbjen e shumë jetë njerëzish, u shkatërrua ekonomia, institucionet, pronat dhe pati mjaft pleq, gra e fëmijë që u shpërngulën nga shtëpitë dhe pronat e tyre. Për shqiptaret e Kosovës Pavarësia ishte një moment kyç që vendoste të ardhmen e vendit. 

 Ndërkombëtaret kishin vendosur disa kushte dhe ishin të hapur në disa opsione për të diskutuar çështjen e pavarësisë. Mund të thuhet se Komuniteti Evropian ishte në dilemë rreth mënyrës se si do te arrihej pavarësia. Ata punonin që të jepej garanci ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të jetë e Lirë dhe e Pavarur dhe s’duhet të ketë copëtime, si dhe të garantonin jetese multi-etnike, ku përfshiheshin të gjitha komunitetet e pakicat. 

Gjatë periudhës 1999-2008 çështja e Kosovës dhe e ardhmja e Shtetit që sapo lindte hapi debate në qarqet ndërkombëtare por boshti kryesor ishte barazia, liritë dhe te drejtat themelore për çdo banorë në Kosove, pa dallim race e etnie. Në të drejtën Ndërkombëtare është parim bazë dhe dokument zyrtare i OSBE-se , akti i Helsinkit: “Në bazë të parimit të barazisë së popujve e të së drejtës së tyre për vendosje, të gjithë popujt kanë gjithnjë të drejtën të vendosin në liri të plotë, kur duan dhe si të duan, statusin e tyre politik, si të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe të vazhdojnë sipas dëshirës së tyre zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore-kulturore”. 

Nga ana e tyre, ndërkombëtarët pas luftës filluan që të punonin për trajnuar dhe për të ngritur institucionet në Kosovë (sistemin juridik, financiar, administrativ dhe organe të tjera shtetërore, ushtrinë, policinë dhe sistemin mbrojtës).   

ShBA kërkonin partneritet serioz me Evropën për çështjen e Kosovës. Për arsye se Kosova mbetej një çështje e nxehtë që mund të trazonte përsëri Ballkanin dhe kjo nuk dëshirohej as nga SHBA dhe as Bashkimi Evropian. Fulbright shprehej: “Zgjidhja përfundimtare e Kosovës pa copëtimin e  territoreve të saj, është kyçi i stabilitetit në Ballkan”. 

Po ashtu, gjenerali amerikan, Klark në vitin 2005 pohonte: SHBA dhe komuniteti ndërkombëtare duhet të shqyrtojnë statusin final të Kosovës para se të bëhej shumë vonë për ta parandaluar tragjedinë. Përpjekjet ishin të vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe të Kosovës për shpalljen e Pavarësisë dhe organizimin e shtetit. Përkrahja e vendeve aleate në mbështetje të këtij shteti të sapo formuar ishin të vazhdueshme, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan vazhdimësi në përkrahje të procesin shtet-formues. Aleatët ndërkombëtar dëshmuan seriozitet dhe ishin të bindur se Kosova duhet të jetë Shtet i Pavarur.

Çlirimi i Kosovës ishte ngjarje e madhe dhe përben arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë se Shqipërisë. SHBA dhe BE mundësuan sfidën e madhe historike, Kosovë e Lirë e Pavarur që shënon një ngjarje të rëndësishme për çdo shqiptar, e cila mban datën 17 shkurt 2008. Pas shumë vuajtjesh e betejash vjen ajo ditë e shumëpritur për Kosovën që të vendosen fatet e një populli të vuajtur për të jetuar të lirë e të pavarur. 

Luftëtarët shqiptar, shumë prej tyre të kthyer edhe nga emigracioni për të luftuar për lirinë e Kosovës, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e diasporës shqiptare të Amerikës, ishte pararendësi i diplomacisë amerikane për Kosovën dhe kauzën e saj. SHBA, së bashku me aleatët ndërkombëtar Evropian dhe me ndërhyrjen e NATO-s ishin vendimtarë për Pavarësinë e Kosovës. 

Vlen të citojmë Presidentin Bill Klinton, i cili shprehej nga Prishtina “Ne luftën, ju paqen”, një shprehje mjaft domethënëse dhe kurajuese për shqiptarët, duke dëshmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë luftën për Kosovën, ndërsa Shtetit të ri të porsaformuar i takonte të ndërtojë paqen.

Në mbyllje, do të pohoja se për shqiptarët ka qenë fat i madh që në momente të ndryshme vendimtare historike për të ardhmen e popullit shqiptar, të kemi në krah, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Filed Under: Opinion

30 VJETORI I THEMELIMIT TË SHOQATËS “KRAJA” NË NEW YORK-SHBA

February 27, 2023 by s p

FJALA PËRSHËNDETËSE NGA ISH-KRYETARI I SHOQATËS “KRAJA” Z. HAMID ALAJ
I nderuar Kryetar i Shoqatës “Kraja”!
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptaro-amerikane!
Të nderuar mysafirë!
Të dashur bashkëfshatarë dhe të pranishëm!
Zonja dhe zotërinj!
Mirë mbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë tubim për të kujtuar 30 vjetorin saktësisht 32 vjetorin e themelimit të Shoqatës Atdhetare “Kraja” këtu në New York. Themi saktësisht 32 vjetorin sepse po aqë vite ka që është themeluar shoqata por ne jemi thelluar më tepër në historikun e saj 30 vjeçarë, duke vjelur të dhëna rreth këtyre tre dekadave veprimtarie të saj të suksesshme.

Të nderuar të pranishëm.
Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Kryetarit të Shoqatës “Kraja” me seli në New York, z. Samih Kanaqit, në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës dhe në emër të Këshillit Organizativ të kësaj mbrëmje, të jem para jush për të përshëndetur këtë tubim madhështorë me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja”. Me shpirt dhe me zemër plot, jam shumë i lumtur që jemi të gjithë së bashkut për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm të komunitetit krajan, sepse ky është një kulm i punës sonë dhe tuaj të palodhur me plotë rezultate nga viti në vit, rezultatet e një ndër shoqatave shqiptare më aktive, më organizative dhe më patriotike e kombëtare në New York.

Komuniteti krajan këtu në New York por edhe në vendlindje sot ndihet i lumtur në këtë ditë të madhe feste, që bashkarisht me ju të kujtojmë dhe të përjetojmë një ngjarje të madhe me rëndësi historike për Krajën dhe krajanët siç është themelimi i Shoqatës “Kraja” në New York.

Zonja dhe zotërinj!
Pas viteve ’90-të, ishin kohë të vështira për popullin krajan, të pa punë ku shumë ndërmarrje ku ishin krajanë të punësuar filluan të falimentonin, ku krajanët filluan të diferencoheshin nga pushteti i atëhershëm, ku në mënyra të ndryshme ishin të përsekutuar për t’u larguar nga vendi i tyre, pra për ta boshatisur vendlindje me çka edhe ja arritën qëllimit, në bazë të situatës dhe gjendjes politike në trevën e Krajës dhe në të gjitha trevat shqiptare gjithandej, jashtë shtetit amë, ku para dhe pas atyre viteve tashmë komuniteti krajan numëronte një numër të konsiderueshëm të bijëve të vet në mërgim, bijë të shkolluar, të arsimuar e të edukuar, me profesione të ndryshme, biznismen e atdhetarë krajanë, ndaj në këto rrethana të rënda duke e parë popullin e vet në vendlindje, në Korrik të vitit 1991 me nismën e një grupi të bashkëfshatarësh krajanë me banim në New York themeluan Shqatën “Kraja” e që në fillim u quajt Shoqata Kulturore-Humanitare “Kraja” e cila filloi të veprojë menjëherë. Pastaj Këshilli Inicues i Shoqatës Kulturore-Humanitare “Kraja” në bazë të dispozitave mbi organizatat dhe shoqatat e mergimtarëve në mbledhjen e mbajtur më 26 Janar 1992 nxorri edhe rregulloren e saj.

Tre dekada, pra 30-të vite ekzistence, pune dhe veprimtarie të një shoqate nuk janë pak, por janë të mjaftueshme për t’u ndalur e analizuar, vlerësuar e njohur sfidat, peripecitë, arritjet dhe sukseset e saj që tashmë i ka bërë vend vetes në mesin e atyre shoqatave që dhënë kontribut të rëndësishëm kombëtar e patriotik jo vetëm ku ajo vepron, në kumunitetin e saj këtu në mërgim po ashtu edhe në vendlindje e më gjërë. Prandaj për këtë dhe arsye të tjera, së bashku me udhëheqësin e shoqatës organizojmë këtë eveniment me qëllim të njohjes sa më të mirë të funksionimit të Shoqatës “Kraja”.

Shoqata “Kraja” rrugëtimin e vet e nisi me një numër të vogël antarësh, por falë punës së tyre të madhe dhe me vlerë, vullnet e shpresë dhe gadishmëria e tyre e madhe shfaq një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshme të saj. Sigurisht se nga ajo kohë e deri në ditët e sotme Shoqata “Kraja” është zhvilluar në shumë rafshe pa lënë anash modifikimin e saj, përzgjedhjen e satafit drejtues, mjetet e punës dhe përdorimin e teknologjisë së re, përdorimin e rrjeteve sociale e mediatike, etj., gjithnjë në përputhje me vizionin e saj që ka pasur dhe ka e që është “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” si dhe ruajtja e vlerave gjithë kombëtare shqiptare.
Si çdo shoqatë tjetër edhe Shoqata “Kraja” gjatë rrugëtimit dhe misionit të saj humanitar, patriotik, kulturor, aktiviteteve e programeve të ndryshme të dalura nga gjiri i saj, është përballur me të mirën dhe të vështirën, andaj duhet të jemi në dijeni se shoqata dhe udhëheqësia e saj nuk ka harruar kurrë se ajo është institucion në vete për komunitetin krajan me një rol shumë të rëndësishëm kombëtar.
Zonja dhe zotërinj!
Qëllimi i themelimit të Shoqatës “Kraja” këtu në diasporë ishte dhe do të vazhdojë të jetë siç cekëm edhe më parë “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” dhe atyre gjithë kombëtare shqiptare, si një bashkim i komunitetit krajan kudo që ndodhën duke kultivuar traditat dhe vlerat më të mira të të parëve tanë që do ta rreshtoja nën moton “Nga do shko, por Krajën mos e harro”. Si vatër e vetme e grumbullimit të krajanëve në diasporë Shoqata “Kraja” është dhe do të vazhdojë të jetë qendra e vetme e cila u ka hapur dyert, zemren dhe shpirtin bijave dhe bijëve të vet, nga të gjithë fshatrat e trevës së Krajës. Të gjithë ata që punuan dhe po vazhdojnë të punojnë në të mirë të shoqatës dhe komunitetit që ajo përfaqëson, në karrierën e tyre me punë vullnetare u dëshmuan të suksesshëm, kush më shumë e kush më pak në varësi të kushteve, situatave e mundësive të krijuar.

Të nderuar të pranishëm!
Shoqata “Kraja” misionin e saj e nisi që nga muaji Korrik të vitit 1991, të pasuar me tre dekada me radhë, mision ky që vazhdoi me sukses deri në ditët e sotme. Ajo gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj të jashtëzakonshëm në sfera të ndyshme shoqërore.
Sot, me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja” mund të flasim me krenari në realizimin e shumë veprimtarive të planifikuara të shoqatës nën drejtimin e të gjithë udhëheqësve të saj, këshillit drejtues dhe antarëve të saj dhe të atyre, pra donatorëve, që kanë financuar veprimtaritë e shoqatës tonë.

Zonja dhe zotërinj!
Në vazhdim të këtij fjalimi do të jap disa të dhëna, ndër më të rëndësishmet, që më të drejtë kanë bërë që shoqata të ketë një afirmitet në komunitet, dhe jo vetëm pa anashkaluar edhe veprimtari të tjerat që për shkak të kohës që kemi në dispozicion nuk do t’i cekim në vazhdim, e shohim më të rëndësishme që tu hedhim një vështrim pak më tepër atyre aktiviteteve që shoqata ka realizuar gjatë këtyre tre dekadave ekzistence. Sot, ne ish/udhëheqësit dhe udhëheqësit aktual të Shoqatës “Kraja” me mburrje i shpalosim të gjitha këto arritje përkundër sfidave që na kanë përcjellë, por në fakt duhet kuptuar se ato nuk varen vetëm nga ne, por nga ne të gjithë për të arritur suksesin e duhur. Falë themelimit të Degës së Shoqatës “Kraja” në vendlindjen tonë Krajë në Mars të vitit 2016, realizimi i këtyre veprimtarive u bë edhe më i lehtë dhe më i menaxhuar nga stafi drejtues i kësaj dege.
Një arritje me vlerë nga Shoqata “Kraja”, sidomos kohëve të fundit vlen të ceket edhe hapja e programit të vallëzimit dhe sidomos dy vitet e fundit të veprimtarisë së sajë padyshim se është edhe hapja e shkollës shqipe “Mëso Shqip” në bashkëpunim me shoqatën Ana e Malit dhe asaj të Ulqinit. Duke shpresuar me bindje të plotë se kjo vatër arsimi do të vazhdojë objektivin e saj në edukimin e brezave të rinj ajo po u hap dyert e së ardhmes të rinjëve që të edukohen dhe arsimohen edhe në gjuhën shqipe, falë mësueseve profesioniste dhe stafit drejtues të saj, gjë që i bën krenarë gjithë prindërit e këtyre fëmijëve dhe jo vetëm.

Në vazhdim të këtij fjalimi dua të filloj në radhë të parë misionin humanitar të Shoqatës, e cila ka qenë e gatshme të ofrojë ndihmë financiare aty ku e ka lyp nevoja, e që duhet filluar që nga fillimi i formimit të saj, kur filloi kontigjenti i ndihmave të para financiare në vendlindje në vitin 1992 në shumën prej $10.000 dhe jashtë saj, konkretisht në Kosovë po në vitin 1992 me të njëjtën shumë prej $10.000. Pastaj pason ndihma që Shoqata “Kraja” ka ofruar gjatë luftës në Kosovë në një shumë rreth $90.000, shumë kjo e grumbulluar nga komuniteti krajan.
Me kalimin e viteve, varësisht nga situata e krijuar në vendlindje dhe jo vetëm Shoqata “Kraja” ka ofruan ndihmë financiare edhe në sektorin e shëndetësisë, në trajtime shëndetësore, në katër (4) raste të nevojshme. Në këtë sektor ajo ka grumbulluar një shumë financiare prej $211.000.
Vitë për vit duke e pasë parasysh buxhetin financiar të shoqatës udhëheqësia e saj e ka parë të nevojshme edhe ofrimin e ndihmave për familjet në nevojë në pakot ushqimore kryesisht në vendlindje, me një aktivitet më të dukshëm duke filluar nga viti 2016 gjer në vitin 2021, prej 141 pakove ushqimore për 130 familje në nevojë, arrihet shuma e përgjithshme prej $22.300.

Vlen të cekim se Shoqata “Kraja” në shtatë (7) vitet e fundit ka shpërndarë edhe ndihma financiare në formë bursave për shkollimin e studentave dhe studenteve nga treva e Krajës, duke pasë parasysh se studentet krajanë janë shumë më të papërkrahur financiarisht nga strukturat komunale dhe shtetërore për fitimin e bursave studentorë. Duke pasur parasysh këto fakte dhe nevojën për të ndihmuar në sektorin e arsimit Shoqata “Kraja” mori iniciativen për shpërndarjen e bursave. Në këtë sektor deri më tani është arritur të shpërndahen gjithsejt 91 bursa të tillë në një shumë prej $75.300, duke përfshirë edhe një studente që tërë shpenzimet financiare gjatë studimeve akademike i ka mbuluar shoqata.

Ndihmat tjera që ka ofruar shoqata gjatë këtyre 30-të viteve ekzistencë dhe punëve të palodhshme të aktivistëve të saj mund të renditen në seksione të ndryshme, ku pa dyshim se ndihma e saj bën emër edhe këtu në diasporë, gjatë aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptaro-amerikane, organizimeve të ndryshme kulturore, muzikore, pjesmarrjeve në evenimete të ndryshme, ndihma në raste vdekje brenda komunitetit krajan në vendlindje, pjesmarrjen në festivalet shqiptare këtu në New York, organizim të piknikëve, grumbullimin e ndihmave me rastin e tërmetit në Shqipëri në vitin 2019, grumbullimin e ndihmave të familjeve në nevojë në vendlindje, ndërtimin e një shtëpie në vendlindje, ndihma për menaxhimin e Degës së shoqatës në vendlindje-Krajë, ndihmë financiare gjatë vizitës së dy kongresmenëve amerikan Tom Lantos dhe Joe Diogardi në trevën e Krajës dhe në trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptare nga diaspora ku në Krajë për nderë të tyre u shtrua një drekë nga Shoqata “Kraja”, ka kontribuar për udhëtimin e kryetarit të LD në MZ dhe viziten e tij në Vashington DC, ndihma për financimin e ngritjes së bustit të heroi Kombëtarë Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e shkollës fillore në Ostros të Krajës, donacion për shoqata të ndryshme në diasporë dhe jashtë saj, organizim e natës së diasporës dhe piknikut në vendlindje, financimin e WebFaqes për promovimin e turizmit në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë për manifestimin e Ditës së Verës në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë në organizimin e lojrave sportive në vendlindje, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e botimit dhe promovimit të njërit dhe tjetrit libër, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e organizimeve të Ditës së Pavarësis së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ka ofruar ndihmë dhe pjesëmarrëse në Paraden Shqiptare, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e shenjtërimit-kanonizimit të Nënë Terezës si dhe ndihmë financiare Shoqata “Kraja” ka ofruar edhe për organizimin e manifestimit me rastin e emrimit të rrugës në Bronx me emrin e heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skëmderbeut, ndihmë financiare Fondacionit “Nazire Cura”, financimi i programit të vallëzimit dhe shkollës shqipe “Mëso Shqip” e shumë ndihma tjera sa do modeste të kenë qenë ato. Ato nuk do ti cekim veç e veç por shuma e përgjithshme e këtyre ndihmave arrin në $ 250.200.
Në bazë të kësaj që u tha më lartë mund të konstatojmë se Shoqata “Kraja” brenda këtyre viteve ekzistence, edhe pse shumica e këtyre të dhënave statistikore në profile të ndryshme janë realizuar në periudha të ndryshme kohore, vimë në përfundim se shuma financiare e ofruar nga Shoqata “Kraja” arrinë në një shumë të përgjithshme prej $668.800, një shumë kjo e realizuar nga gjithë neve si komunitet që vimë nga një trevë etnikisht shqiptare siç është treva jonë e Krajës.

Një mirënjohje e veçantë dhe e pakufishme u takon edhe juve bashkëvendas të nderuar sepse, Ju jeni ata që keni hedhur besimin tuaj mbi shoqatën dhe udhëheqësin e saj ndër vite, andaj dua t’ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë evenimet të 30 vjetorit të Shoqatës “Kraja”, pa lënë anash gjithë angazhimin tuaj që keni pasur gjatë gjithë këtyre viteve të aktiviteteve të shoqatës, sepse falë kësaj mbështetje është arritur objektivi kryesor dhe fisnik që shoqata ka për detyrë të realizojë dhe në këtë mënyrë mund të ecim përpara si gjithë të tjerët.

Pa pretenduar se me këtë që u tha më lartë, është thënë e gjithë historiku i Shoqatës “Kraja”, por mund të them se jam përpjekur të bëjë më të mirën e mundur për të dhënë sa më shumë statistika rreth punës së saj 30-të vjeçare, më lejoni që fjalimin tim ta përfundojë këtu duke ju falenderuar në emrin tim përsonal dhe në emër të kryetarit si dhe në emër të gjithë këshillit drejtues të shoqatës për pjesmarrjen tuaj si dhe në përkrahjen tuaj në çdo hap aty ku e lyp nevoj dhe kërkon shoqata nga ju. Uroj që aktivitetet e shoqatës “Kraja” të vijojnë edhe qindra vite të tjera në ruajtjen dhe kultivimin e traditave krajane dhe gjithë shqiptare. Urojmë të qëndrojmë të bashkuar deri në pafundësi duke i shërbyer vendlindjes, popullit të saj dhe trevës tonë Krajës..
Zoti ju bekoft Ju dhe familjet Tuaja, Krajen dhe popullin krajan dhe gjithë shqiptarët kudo që të jenë. Zoti e bokoftë shtetin amë Shqipërinë Etnike.
Ju faleminderit dhe ju falenderoj për kohën që më dhatë.

Filed Under: Opinion

VATRA DO NDEROJË NESËR MË 26 SHKURT 2023 LEGJENDËN E FUTBOLLIT SHQIPTAR RAMAZAN RRAGAMI

February 25, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në përkujdesjen e veçantë të degës së Vatrës Ridgewood, nesër, ditën e diel më 26 Shkurt 2023 ora 11 am, në Selinë Qëndrore të Vatrës do të nderojë legjendën e futbollit shqiptar Ramazan Rragami në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta. Ftohet media dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

Kryetari Glauk Konjufca: Kosova do të qëndrojë deri në fund me popullin ukrainas

February 24, 2023 by s p

Udhëheqësit e shtetit ndanë letër-falënderime për gazetarët nga Ukraina.
Në njëvjetorin e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u organizua ceremonia e pritjes dhe dorëzimi i letrave të falënderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë të shteteve mike, të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mysafirë të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast tha se lufta e Ukrainës është luftë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të demokracisë kudo në botë. Ajo shtoi se fitorja e Ukrainës është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera, në veçanti fitore e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri e demokraci, siç është populli i Kosovës.
Presidentja Osmani tha se Kosova do të jetë gjithnjë me popullin ukrainas, sepse, siç theksoi ajo, ua njeh dhimbjen dhe rrëfimin e mbrojtjes të së vërtetës.
“Ne kemi hapur zemrat dhe dyert për gazetarët ukrainas, sepse ua njohim dhimbjen, e njohim rëndësinë e rrëfimit të mbrojtjes të së vërtetës. Sepse, jemi me ta në këto orë të errëta të historisë së tyre. Ukraina nuk do të jetë e vetme, sepse atje po mbrohet çdo ditë Evropa e tërë dhe e lirë. Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës, sepse e drejta është në anën e saj”, tha presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova do të qëndrojë deri në fund me popullin ukrainas, duke përmendur edhe rezolutën e votuar në Kuvendin e Kosovës për të pranuar qytetarë nga Ukraina në Kosovë.
“Kosova qëndroi fuqishëm me Ukrainën që kur lufta nisi. Kosova menjëherë e ka dënuar këtë sulm të padrejtë dhe Kuvendi ka miratuar rezolutën që shpreh gatishmërinë për të strehuar qytetarë dhe gazetarë ukrainas”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se qëndrimi i gazetarëve ukrainas në Kosovë ka kompensuar dekada të tëra të mungesës së afërsisë së dy popujve.
“Ju me rrëfimet e juaja për Kosovën keni shkrirë akujt, duke e bërë më të mirën për popullin e juaj që është atje, që po lufton e po vuan, të dijë të vërtetën e cila na bashkon, e kjo e vërtetë është rruga nëpër të cilën kemi kaluar. Qytetarët e Kosovës para 24 vitesh ishin në këpucët tuaja. Ne u përballëm me një regjim gjenocidal, i cili kurrë nuk u distancua nga krimet e luftës dhe akte të gjenocidit që ka bërë mbi popullin tonë të pafajshëm”, tha kryetari Konjufca.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i di shumë mirë pasojat e luftës, prandaj do ta mbështes dhe solidarizohet me Ukrainën në të gjitha format, deri në fitoren e saj ndaj agresionit rus.
Kryeministri Kurti tha se agresioni rus në Ukrainë është sulm mbi lirinë dhe demokracinë.
“Në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Do të jemi pranë jush si popull, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Ukraina duhet të fitojë, sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, tha kryeministri Kurti. Luidmyla Makei, përfaqësuese e gazetarëve ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, tha se agresioni rus në Ukrainë bëri që shtetet demokratike të kuptojnë rrezikun që paraqet për botën regjimi kriminal i Vladimir Putinit. Makei falënderoi institucionet e Kosovës për gatishmërinë për strehimin e tyre, duke thënë se Prishtina është bërë shtëpia e dytë dhe mundësi që t’i tregojnë botës për luftën që po bëhet në Ukrainë.
“Këtu ndihemi mirë. Çdo ditë gjejmë mbështetjen e politikanëve, kolegëve gazetarë dhe qytetarëve të thjeshtë që na ndalin në rrugë dhe na pyesin se si i kemi familjet tona. Këtu nuk bien raketa, por shpirti dhe zemrat tona janë gjithnjë me Ukrainën”, tha gazetarja Makei.
Në fund presidentja Osmani, kryetari i Kuvendit Konjufca dhe kryeministri Kurti ndanë letër-falënderimet për 10 gazetarë ukrainas, të pranishëm në këtë ceremoni.

Filed Under: Opinion

“Një vit luftë = Ukraina stoike, USA/NATO/BE më të vendosur”

February 24, 2023 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj: 

Në kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me interes të shtuar 365 ditë/netë luftime në fushbetejën “me/për Ukrainën”. 

Në vijim po paraqes një përmbledhje të mësimeve strategjike, nga 1 vit i përballjes stoike të Ukrainës si dhe vendosmërisë së Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE) në fushbetejën me të keqen e përbashkët, Rusinë-Putiniste:

Si sot një vit mē parë, në 24 Shkurt 2022, regjimi Putinit j’u rikthye përqasjes  neo-naziste të ndryshimit të kufijve shtetërore, statusquosë dhe hartës gjeopolitike nëpërmjet agresionit ushtarak.   

Para një viti, Rusia-Putiniste e nisi agresionin, jo vetëm me konceptet, armatimet dhe mendjet e ndyshkura por edhe me ambicie dhe objektiva perandorake (nënkupto paranojake). Por, mbas një viti luftimesh rezulton  e rraskapitur, edhe më e izoluar dhe më e diskredituar.

Pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara  muajin e fundit për të rimarë inisiativën strategjike si dhe restauruar moralin e rrënuar, në fakt, në përballjen me Ukrainen gjatë vitit 2022 Rusia humbi: “reth 40% të teritoreve të pushtuara (Mëmës-Rusi); 120 mijë të vrarë, mbi 3 Trilion €, ose 2 herë më shumë se Prodhimi i Përgjithshëm Neto i Rusisë për 2022 (1.7 trilion €); moralin e ushtrisë dhe kohezionin e kombit Rus; epërsinë si dhe iniciativën strategjike”! 

Përgjatë një viti luftimesh, u vërtetua  se agresioni ushtarak i Rusisë-Putiniste, nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës por edhe:  “kërcenim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, vlerave perëndimore  si dhe ndaj interesave të Aleancës Euro-Atlantike (USA/NATO/BE)”.

Por mbas një viti luftimesh të përgjakshme, mund të them me bindje se, Rusia-Putiniste i humbi me turp betejat për të testuar kohezionin mes 30 vendeve të NATO-s, edhe duke kërcënuar “si shtet terrorist” me gazin si arë gjeopolitike apo me përdorimin e armëve bërthamore. Në të kundërt, gjatë 2022, mbi 50 miliard € armatim dhe pajisje ushtarake moderne, etj janë prova që tregojnë për kohezionin e përforcuar dhe vendosmërinë e Alancës Transatlantike në mbështetje të Ukrainës.

Po ashtu, mbas një viti lufte, Rusia gjendet edhe më e izoluat nga bota e qytetëruar: “vetëm 4 shtete terroriste e njohën këtë aventure neo-naziste”; për shkak të kësaj lufte rrezikon seriozisht përjashtimin nga 5-shja vendimarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB si dhe besoj jo shumë vonë, Putini, Zullumqarët dhe Gjeneralët e Tij do të përgjigjen për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.  

Përgjatë 1 viti lufte, Putinit refuzonin  t’i jepnin dorën edhe autokratët e Azis Ju-lindore, ndërsa si aleat të Rusisë kanë mbetur vëtëm regjimet terroriste, si Irani, Korea e Veriut dhe Junta e Malit. 

Jo vetëm përgjatë këtij viti, Rusia keq-dështoi për të ndezur një front të ri lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar si dhe ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan, apo duke ricikluar oshilacionet e Beogradit zyrtar për të kërcënuar me agresion ushtarak sovranitetin teritorial të Republikës së Kosovës, njëkohësisht edhe ndaj prezencës së NATO/KFOR ?!

Thënë sa më sipër, një vit luftime me “superfuqinë e kapur nga paranojat e ambicieve staliniste”, treguan se krahas përballjes sublime të Ukrainës, fati i luftës mbetet i ndërlidhur nga mbështetja e perëndimit. Prandaj SHBA, UK, Gjermania dhe pothuaj të gjitha vendet e NATO-s kanë konfirmuar dërgimin e tankeve (Abrams, Challenger dhe Leopard) të gjeneratës se fundit, të cilët do të vendosin fatin e luftës në tokë. 

Në terma financiare, paketa e mbështetjes së Ukrainës nga perëndimi, USA, UK, Norvegji, Gjermani dhe vendet e NATO-s (sisteme Patriot, Dronë, Tanke, etj) e konfirmuar për vitin 2023 arrin mbi 100 miliard €. 

Ndërsa Samiti Historik i BE në Kiev (3 Shkurt) dhe vetëm 2 ditë më parë (22/02), vizita si “suprizë – strategjike” e Presidentit të SHBA, Joe Biden, demostrojnë vëndosmërinë e palëkundur të perëndimit për ta mbështetur pa kompromis Ukrainën deri në fitoren përfundimtare ndaj të keqes së përbashkët, Rusisë-Putiniste.

Në përmbyllje, për titull të këtij opinioni, kam përzgjedhur të citoj Ish-kryeministrin e UK, Blair: “falë rezistencës stoike të Ukrainës dhe vendosmërisē se Perëndimit”, Rusia – Putiniste do ta humbas luftën si dhe do të gjynjëzohet nē përballjen fuqinë ushtarake, kohezionin e përforcuar dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)! 

Me këtë rast, nuk kemi pse të mos e përshëndesim, rolin aktiv të Republikës së Shqipërisë, si rrjedhojë e përfaqësimit krah SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB; për mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimarrjeve në NATO dhe kontributeve me shumë se modeste që RSh vijon ti japë Ukrainës martire. 

Në shtesë, do këshilloja faktorët politik & aktorët shtetërorë të Tiranës që: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskretitimi ndërkombëtar, përfshi në Ballkan që e pret Rusinë, është një rrethanë e favorrshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj“!

* Ekpert për SK, Rajonin dhe NATO,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; 

Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe Ish:

Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.

Filed Under: Opinion Tagged With: Piro Ahmetaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT