• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 114-TË

February 15, 2023 by s p

Sokol Paja/

“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 114-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie.

“Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse.

“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Përkrah z. Jim Xhema, nderuam figurën e Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

February 14, 2023 by s p

Përparim Rama/

Kënaqësi dhe tejet frymëzuese që bashkë me z. Jim Xhema – bashkëudhëtarin e Presidentit Rugova në rrugëtimin drejt pavarësisë së Kosovës, vizituam familjen e tij, me të cilët kujtuam lidhjet e forta vëllazërore të Presidentit me Z. Jim Xhema.

Zonja Fanë theksoi kontributin e jashtëzakonshëm që z. Xhema ka dhënë për vendin dhe popullin e tij.

Përulje, nderim e falënderim për veprën e Presidentit Rugova, Jim Xhemës dhe gjithë intelektualëve të rezistencës paqësore të viteve 90-ta e tutje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Jim Xhema

Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Urdhri i Lirisë, veprimtarit të njohur të mërgatës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema

February 14, 2023 by s p

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, z. Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se Xhim Xhema është ikonë e mërgata shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu respektin dhe mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës se Kosovës për rolin e pazëvendësueshëm të mërgatës shqiptaro-amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani foli edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve te Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA.

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten e Republikës se Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Filed Under: Opinion

Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen strategjike përballë Dialogut me Serbinë

February 13, 2023 by s p

PRISHTINË, 13 Shkurt 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë, tha sot Kryeministrit Albin Kurti në Debatin parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Fjala e plotë e dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit:

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Kuvend në kuadër të debatit parlamentar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 13 shkurt 2023

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

Një, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e Dialogut; qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra të atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në Qeveri, dhe,

Dy, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Si rezultat i qasjes sonë fillestare, dhe kujdesit tonë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian dhe zv.Presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, për herë të parë, në më shumë se 12 vite dialog, pranoi të bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022, ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qëndrore: një, ‘Korniza e përgjithshme e marrëveshjes’, dhe, dy, ‘Çështjet aktuale’. Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga jashtë (ndërkombëtarisht), në formatin e dialogut të Brukselit. Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të Qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo në çështje të brendshme siç ishte praktika nga viti 2011 e deri në ardhjen tonë në Qeveri. Dialog për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, pra, jo dialog për dialog, jo dialog për menaxhim krize.

Në takimin e datës 18 gusht iu bëra të qartë Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Presidentit Vuçiq që Kosova nuk do të pranojë më një Dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjelltë. Edhe pse takimi përfundoi pa një rezultat specifik në planin bilateral, ai e dha efektin e tij të menjëhershëm.

E kjo është, vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022, apo prezentimi i propozimit franko-gjerman.

Më 9 shtator 2022, në Prishtinë erdhën dy emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me lehtësuesin evropian të dialogut, Miroslav Lajcak. Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe parimet e qarta ndër-shtetërore të së drejtës ndërkombëtare). Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që t’i respektojë dy parime procedurale përderisa nuk ka një qartësim nga të dyja palët për ecjen përpara:

Një, respektimin e konfidencialitetit të dokumentit të propozuar nga ta derisa të ketë një avancim të procesit negociator; më lejoni të ritheksoj që kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar në kuptim të një detyrimi bilateral që unë si kryeministër kam ndaj shteteve të emisarëve, dhe,

Dy, që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që mos-pranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.

Edhe pse u kërkua respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre, unë pata vendosur për t’i ftuar kryetarët e tri partive opozitare për t’i njoftuar me përmbajtjen e propozimit.

Propozimin franko-gjerman, që më tutje do e duhet ta quajmë evropian, e konsiderova me kujdes. Pas një analize të thelluar, konstatova që Propozimi ngërthen disa karakteristika, si në vijim:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes Gjermano-Gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve tjera të ngjashme të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndër-shtetërore (psh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore). Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar (në vitin 1973) që atëherë që Marrëveshja Gjermano-Gjermane ngërthente në vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare;

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura;

3. Propozimi gjithashtu përcaktonte njohjen nga palët të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve, në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO apo të sigurisë sikurse NATO;

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare;

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyreve të përhershme diplomatike, në formën e legatave (që janë ambasada faktike, e që përbënin formë normale të marrëdhënieve ndër-shtetërore para luftës së dytë botërore);

7. Propozimi gjithashtu përmbante normën e njohjes së dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave, nga njëra-tjetra.

8. Propozimi megjithatë përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e para: normën që përcaktonte që komuniteti serb do të ketë një të drejtë të vetë-menaxhimit ‘në përputhje’ me instrumentet/konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; dhe, dy, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në ligjin tonë për komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.

9. Pika 10 e fundit parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Qeveria e komentoi verzionin e parë të Propozimit, dhe kërkoi avancim të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj. Ne gjithashtu kërkuam përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë dhe respektin e të dyja palëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë harmonizimin e palëve me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë (konvergjencën me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian), që është e rëndësishme për shkëputjen e Serbisë nga kontrolli i Moskës zyrtare.

Që në komentin e parë të Qeverisë, ne e vlerësuam Propozimin si ‘bazë të mirë’ për një diskutim të mëtejshëm. Arsyet që na shtyen të konstatonim ashtu ishin:

1. Propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme, ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; të gjitha marrëveshjet e mëparshme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës, dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe punëve të brendshme të Republikës së Kosovës.

2. Propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti, që ka qenë kryefjala e Marrëveshjes origjinale gjermano-gjermane, nënkuptonte një premisë ndërkombëtare të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të palëve ndaj njëra-tjetrës. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin në detyrime dhe të drejta, përfshirë, psh. sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, është preambula e Propozimit, fjalia e tretë;

3. Propozimi ka një gjuhë të qartë, vlerore dhe universale, që reflekton standardin e rregullimit ndër-shtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve të pavarura;

4. Propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra-tjetrës. Njohja de facto juridikisht por edhe politikisht (ashtu siç është interpretuar e ofruar zyrtarisht nga emisarët dhe shtetet sponsorizuese të Propozimit) është e pakontestuar në tekstin e Propozimit;

5. Propozimi përmbante obligimin që një marrëveshje finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmën e afërt, dhe ajo do të jetë një detyrim për Serbinë përpara anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

6. Propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë në kuptim të konventave të Këshillit të Evropës, më kryesorja prej tyre Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i garancave për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre;

7. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.

Unë gjykova që Plani përmbante parime të qarta të së drejtës ndërkombëtare sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura, i referohej Kartës së Kombeve të Bashkuara si një dokument që i adresohet vetëm akterëve shtetëror të pavarur, dhe, për herë të parë, përfshinte koncepte universale e civilizuese të së ardhmes demokratike të palëve në kontinentin evropian.

Dhe tash më lejoni të kaloj edhe te vizita e emisarëve me datë 20 janar 2023, te Plani Evropian, verzioni përfundimtar.

Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një verzion të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Verzioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit:

-Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta;

-Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre.

Unë ua dhashë edhe komentet e mia në verzionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur me 20 janar këtu në Prishtinë, dhe sërish në formë të shkruar. Edhe herën e parë edhe herën e dytë, komentet e mia i kanë formë të shkruar. Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve.

Pas vizitës së lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak, me datë 6 shkurt 2023, dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit, unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor.
Mbi këtë bazë theksoj si në vijim:

E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto;

E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; dhe

E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë.

Filed Under: Opinion

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 13, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. mblodhi anëtarë, të ftuar nderi e miq të saj mu në zemër të Manhattan-it për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. 15 vjet që nga dita kur Kosova frymon e lirë, është një festë tejet e madhe për të mëdhenj e të vegjël. Sa shumë e mbajtëm frymën për ta parë këtë ditë, sa bij e bija nënash e shkruan lirinë me gjakun e tyre. Sa engjëj të pafajshëm u sakrifikuan ende pa ardhur në jetë nga dora gjakatare e pushtuesit serb. Oh, Kosovë, vetëm zemra jote i di lotët e vuajtjet, sakrificat e mundimet që më në fund të bënë ty të lirë e prandaj këta miq të tutë Kosovë, u mblodhën për të festuar lirinë tënde. Gëzuar Kosovë! Gëzuar 15-vjetorin e lirisë të urojmë ne një grup i vogël, por me një zemër të madhe që jemi mbledhur së bashku në Amerikën e largët. Aktivitetin e drejtoi znj. Alketa Veshi, Znj. Veshi ftoi në skenë grupin artistik “Skënderbej”, i cili u përgatit nga znj. Adelina Lacaj për të vallëzuar nën tingujt e këngës “Oh sa mirë me qenë shqiptar”. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili duke i uruar pavarësinë Kosovës ndër të tjera theksoi: “Kosova ka derdhur gjak gjatë gjithë historisë së saj për të arritur këto të drejta të ligjshme. Vetëm 15 vjet më parë edhe me ndihmën e aleatëve të saj veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo fitoi pavarësinë dhe të drejtat e saj për të qenë shtet i pavarur”. Të gjithë shqiptarët kudo në botë sot nderojnë kujtimin e trimërinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve serbë dhe për të fituar pavarësinë që gëzojnë sot”. Pas z. Lacaj, Elisa Qehaja ftoi një mik të veçantë të shqiptarëve për fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. William Walker, i cili demaskoi masakrën e Recakut që ndodhi më 15 janar 1999. Z. Walker është gdhendur në zemrat e popullit të Kosovës, i cili e njeh si trimin që nuk kishte frikë të denonconte të vërtetën dhe si adhurues i të drejtave të njeriut. Ambasadorit Walker iu dorëzua një pllakatë Mirënjohjeje. Përshëndetjet vijuan me z. Fran Shkreli, publicist i njohur në Diasporë, z. Mark Qehaja, kryetar Nderi i shoqatës “Skënderbej” Inc. z, Blerim Gjocaj, luftëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës direkt në luftë, Zamira Lacaj, pjesëmarrëse në forcat amerikane të ruajtjes së paqes në Ferizaj dhe z. David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County.

Qerim Gjocaj dhe Paulin Gega kënduan: “Në Dardani bjen një tupan”.

Pjesa e dytë e programit vijoi me referime.

Referimi i parë u mbajt nga z. Sokol Paja, editor i gazetës më të madhe në Diasporën shqiptare “Dielli”, organ qendror i konfederatës pan shqiptare “Vatra” me temë “Qëndrimet mbi Gjykatën Speciale dhe Pasqyrimi në gazetën “Dielli”.

Referimi i dytë u mbajt nga profesor Paulin Marku me temë: Përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për organizimin e shtetit dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Referimi i tretë vijoi nga z. Shpend Gjocaj, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Kosovë, pjesëmarrës direkt dhe drejtues në luftën për çlirimin e Kosovës me temën: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve rreth UÇK kishte një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.

Anëtari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Edit Dautaj, ish-ushtarak dhe studiues për problemet ushtarake referoi mbi temën: Ndërhyrja ajrore e NATO-s dhe përdorimi i

teknologjisë moderne në luftën e Kosovës.

Një moment sa çlodhës po aq edhe emocionues erdhi nga grupi i valleve “Skënderbej”, i cili luajti vallen e Pavarësisë që i dha ngjyrat e paqes aktivitetit. Në pjesën e tretë të programit u promovua libri “Abdyl Gjocaj, mësues e luftëtar, rrëfime dhe kujtime” shkruar nga Profesor Asoc. Dr. Besim Muhadri, shkrimtar dhe ligjërues në universitetin “Fehmi Agani, në Gjakovë. Rreth librit komentuan z. Sokol Paja editor i gazetës Dielli, z. Mhill Velaj, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për z. Qerim Gjocaj dhe Blerim Gjocaj anëtarë të të shoqatës dhe luftëtarë të UÇK-së dhe z. Mhill Velaj. Certifikatat u dorëzuan nga z. Bashkim Shehu, kryetar Nderi i shoqatës dhe z. Asllan Bushati. Aktiviteti u mbyll me disa poezi të interpretuara nga grupi “Skënderbej” dhe poezi kushtuar Kosovës nga z. Isa Brecani dhe kënga e kënduar nga Qerim Gjocaj: Jem Ilira jem Teuta. Edhe një herë shoqata “Skënderbej” Inc. uron njëzëri: festofsh përjetësisht pavarësinë Kosovë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Luljeta Xhediku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT