• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen strategjike përballë Dialogut me Serbinë

February 13, 2023 by s p

PRISHTINË, 13 Shkurt 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë, tha sot Kryeministrit Albin Kurti në Debatin parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Fjala e plotë e dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit:

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Kuvend në kuadër të debatit parlamentar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 13 shkurt 2023

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

Një, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e Dialogut; qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra të atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në Qeveri, dhe,

Dy, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Si rezultat i qasjes sonë fillestare, dhe kujdesit tonë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian dhe zv.Presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, për herë të parë, në më shumë se 12 vite dialog, pranoi të bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022, ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qëndrore: një, ‘Korniza e përgjithshme e marrëveshjes’, dhe, dy, ‘Çështjet aktuale’. Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga jashtë (ndërkombëtarisht), në formatin e dialogut të Brukselit. Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të Qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo në çështje të brendshme siç ishte praktika nga viti 2011 e deri në ardhjen tonë në Qeveri. Dialog për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, pra, jo dialog për dialog, jo dialog për menaxhim krize.

Në takimin e datës 18 gusht iu bëra të qartë Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Presidentit Vuçiq që Kosova nuk do të pranojë më një Dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjelltë. Edhe pse takimi përfundoi pa një rezultat specifik në planin bilateral, ai e dha efektin e tij të menjëhershëm.

E kjo është, vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022, apo prezentimi i propozimit franko-gjerman.

Më 9 shtator 2022, në Prishtinë erdhën dy emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me lehtësuesin evropian të dialogut, Miroslav Lajcak. Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe parimet e qarta ndër-shtetërore të së drejtës ndërkombëtare). Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që t’i respektojë dy parime procedurale përderisa nuk ka një qartësim nga të dyja palët për ecjen përpara:

Një, respektimin e konfidencialitetit të dokumentit të propozuar nga ta derisa të ketë një avancim të procesit negociator; më lejoni të ritheksoj që kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar në kuptim të një detyrimi bilateral që unë si kryeministër kam ndaj shteteve të emisarëve, dhe,

Dy, që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që mos-pranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.

Edhe pse u kërkua respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre, unë pata vendosur për t’i ftuar kryetarët e tri partive opozitare për t’i njoftuar me përmbajtjen e propozimit.

Propozimin franko-gjerman, që më tutje do e duhet ta quajmë evropian, e konsiderova me kujdes. Pas një analize të thelluar, konstatova që Propozimi ngërthen disa karakteristika, si në vijim:

1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes Gjermano-Gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve tjera të ngjashme të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndër-shtetërore (psh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore). Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar (në vitin 1973) që atëherë që Marrëveshja Gjermano-Gjermane ngërthente në vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare;

2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura;

3. Propozimi gjithashtu përcaktonte njohjen nga palët të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve, në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;

4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO apo të sigurisë sikurse NATO;

5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare;

6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyreve të përhershme diplomatike, në formën e legatave (që janë ambasada faktike, e që përbënin formë normale të marrëdhënieve ndër-shtetërore para luftës së dytë botërore);

7. Propozimi gjithashtu përmbante normën e njohjes së dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave, nga njëra-tjetra.

8. Propozimi megjithatë përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e para: normën që përcaktonte që komuniteti serb do të ketë një të drejtë të vetë-menaxhimit ‘në përputhje’ me instrumentet/konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; dhe, dy, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në ligjin tonë për komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.

9. Pika 10 e fundit parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Qeveria e komentoi verzionin e parë të Propozimit, dhe kërkoi avancim të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj. Ne gjithashtu kërkuam përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë dhe respektin e të dyja palëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë harmonizimin e palëve me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë (konvergjencën me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian), që është e rëndësishme për shkëputjen e Serbisë nga kontrolli i Moskës zyrtare.

Që në komentin e parë të Qeverisë, ne e vlerësuam Propozimin si ‘bazë të mirë’ për një diskutim të mëtejshëm. Arsyet që na shtyen të konstatonim ashtu ishin:

1. Propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme, ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; të gjitha marrëveshjet e mëparshme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës, dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe punëve të brendshme të Republikës së Kosovës.

2. Propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti, që ka qenë kryefjala e Marrëveshjes origjinale gjermano-gjermane, nënkuptonte një premisë ndërkombëtare të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të palëve ndaj njëra-tjetrës. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin në detyrime dhe të drejta, përfshirë, psh. sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, është preambula e Propozimit, fjalia e tretë;

3. Propozimi ka një gjuhë të qartë, vlerore dhe universale, që reflekton standardin e rregullimit ndër-shtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve të pavarura;

4. Propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra-tjetrës. Njohja de facto juridikisht por edhe politikisht (ashtu siç është interpretuar e ofruar zyrtarisht nga emisarët dhe shtetet sponsorizuese të Propozimit) është e pakontestuar në tekstin e Propozimit;

5. Propozimi përmbante obligimin që një marrëveshje finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmën e afërt, dhe ajo do të jetë një detyrim për Serbinë përpara anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

6. Propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë në kuptim të konventave të Këshillit të Evropës, më kryesorja prej tyre Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i garancave për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre;

7. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.

Unë gjykova që Plani përmbante parime të qarta të së drejtës ndërkombëtare sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura, i referohej Kartës së Kombeve të Bashkuara si një dokument që i adresohet vetëm akterëve shtetëror të pavarur, dhe, për herë të parë, përfshinte koncepte universale e civilizuese të së ardhmes demokratike të palëve në kontinentin evropian.

Dhe tash më lejoni të kaloj edhe te vizita e emisarëve me datë 20 janar 2023, te Plani Evropian, verzioni përfundimtar.

Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një verzion të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Verzioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit:

-Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta;

-Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre.

Unë ua dhashë edhe komentet e mia në verzionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur me 20 janar këtu në Prishtinë, dhe sërish në formë të shkruar. Edhe herën e parë edhe herën e dytë, komentet e mia i kanë formë të shkruar. Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve.

Pas vizitës së lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak, me datë 6 shkurt 2023, dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit, unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor.
Mbi këtë bazë theksoj si në vijim:

E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto;

E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; dhe

E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë.

Filed Under: Opinion

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 13, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

Kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. mblodhi anëtarë, të ftuar nderi e miq të saj mu në zemër të Manhattan-it për të festuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. 15 vjet që nga dita kur Kosova frymon e lirë, është një festë tejet e madhe për të mëdhenj e të vegjël. Sa shumë e mbajtëm frymën për ta parë këtë ditë, sa bij e bija nënash e shkruan lirinë me gjakun e tyre. Sa engjëj të pafajshëm u sakrifikuan ende pa ardhur në jetë nga dora gjakatare e pushtuesit serb. Oh, Kosovë, vetëm zemra jote i di lotët e vuajtjet, sakrificat e mundimet që më në fund të bënë ty të lirë e prandaj këta miq të tutë Kosovë, u mblodhën për të festuar lirinë tënde. Gëzuar Kosovë! Gëzuar 15-vjetorin e lirisë të urojmë ne një grup i vogël, por me një zemër të madhe që jemi mbledhur së bashku në Amerikën e largët. Aktivitetin e drejtoi znj. Alketa Veshi, Znj. Veshi ftoi në skenë grupin artistik “Skënderbej”, i cili u përgatit nga znj. Adelina Lacaj për të vallëzuar nën tingujt e këngës “Oh sa mirë me qenë shqiptar”. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili duke i uruar pavarësinë Kosovës ndër të tjera theksoi: “Kosova ka derdhur gjak gjatë gjithë historisë së saj për të arritur këto të drejta të ligjshme. Vetëm 15 vjet më parë edhe me ndihmën e aleatëve të saj veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo fitoi pavarësinë dhe të drejtat e saj për të qenë shtet i pavarur”. Të gjithë shqiptarët kudo në botë sot nderojnë kujtimin e trimërinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve serbë dhe për të fituar pavarësinë që gëzojnë sot”. Pas z. Lacaj, Elisa Qehaja ftoi një mik të veçantë të shqiptarëve për fjalën e tij përshëndetëse, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. William Walker, i cili demaskoi masakrën e Recakut që ndodhi më 15 janar 1999. Z. Walker është gdhendur në zemrat e popullit të Kosovës, i cili e njeh si trimin që nuk kishte frikë të denonconte të vërtetën dhe si adhurues i të drejtave të njeriut. Ambasadorit Walker iu dorëzua një pllakatë Mirënjohjeje. Përshëndetjet vijuan me z. Fran Shkreli, publicist i njohur në Diasporë, z. Mark Qehaja, kryetar Nderi i shoqatës “Skënderbej” Inc. z, Blerim Gjocaj, luftëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës direkt në luftë, Zamira Lacaj, pjesëmarrëse në forcat amerikane të ruajtjes së paqes në Ferizaj dhe z. David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County.

Qerim Gjocaj dhe Paulin Gega kënduan: “Në Dardani bjen një tupan”.

Pjesa e dytë e programit vijoi me referime.

Referimi i parë u mbajt nga z. Sokol Paja, editor i gazetës më të madhe në Diasporën shqiptare “Dielli”, organ qendror i konfederatës pan shqiptare “Vatra” me temë “Qëndrimet mbi Gjykatën Speciale dhe Pasqyrimi në gazetën “Dielli”.

Referimi i dytë u mbajt nga profesor Paulin Marku me temë: Përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për organizimin e shtetit dhe shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Referimi i tretë vijoi nga z. Shpend Gjocaj, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Kosovë, pjesëmarrës direkt dhe drejtues në luftën për çlirimin e Kosovës me temën: Bashkimi i të gjithë shqiptarëve rreth UÇK kishte një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.

Anëtari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z. Edit Dautaj, ish-ushtarak dhe studiues për problemet ushtarake referoi mbi temën: Ndërhyrja ajrore e NATO-s dhe përdorimi i

teknologjisë moderne në luftën e Kosovës.

Një moment sa çlodhës po aq edhe emocionues erdhi nga grupi i valleve “Skënderbej”, i cili luajti vallen e Pavarësisë që i dha ngjyrat e paqes aktivitetit. Në pjesën e tretë të programit u promovua libri “Abdyl Gjocaj, mësues e luftëtar, rrëfime dhe kujtime” shkruar nga Profesor Asoc. Dr. Besim Muhadri, shkrimtar dhe ligjërues në universitetin “Fehmi Agani, në Gjakovë. Rreth librit komentuan z. Sokol Paja editor i gazetës Dielli, z. Mhill Velaj, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Në këtë aktivitet u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për z. Qerim Gjocaj dhe Blerim Gjocaj anëtarë të të shoqatës dhe luftëtarë të UÇK-së dhe z. Mhill Velaj. Certifikatat u dorëzuan nga z. Bashkim Shehu, kryetar Nderi i shoqatës dhe z. Asllan Bushati. Aktiviteti u mbyll me disa poezi të interpretuara nga grupi “Skënderbej” dhe poezi kushtuar Kosovës nga z. Isa Brecani dhe kënga e kënduar nga Qerim Gjocaj: Jem Ilira jem Teuta. Edhe një herë shoqata “Skënderbej” Inc. uron njëzëri: festofsh përjetësisht pavarësinë Kosovë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Luljeta Xhediku

Kryeministri Kurti bisedoi me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet

February 11, 2023 by s p

Prishtinë, 11 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi dje një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze.

Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.

Filed Under: Opinion

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS SI MASË E AFTËSIVE REFLEKTIVE PËR BËRJE

February 10, 2023 by s p

Prof. dr. Arben HOXHA
Instituti Albanologjik, Prishtinë/

Hyrje

Liria nuk është aftësi; ajo është kushti i të gjitha aftësive. Si aftësi, ajo është cilësi e gjësë; si kusht i të gjitha aftësive, ajo është qenia e gjësë. Është kjo arsyeja se pse Hajdegeri në ontologjinë fundamentale të tij do të konsiderojë se nuk është njeriu ai që e zotëron lirinë, është liria ajo që e zotëron njeriun. Liria shkon përtej kufijve të njohjes logjike dhe është kushti i saj. Luftëtari i lirisë jodomosdoshmërisht duhet t’i ketë të lexuar filozofët apo shkrimtarët që kanë shkruar për lirinë. Adem Jasharit nuk i janë dashur t’i lexojë Platonin, Homerin, Eskilin, Spinozën, Kantin, Hegelin, Sartrin, Poperin etj. si parakusht për ta materializuar aktin e vet të flijimit për liri. Pasioni i intuitës për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë rrënjëve të fijeve të barit të atdheut të kërcënuar nga shkelja e çizmes së huaj e tejkalon çdo përfytyrim të arsyeshmërisë njerëzore që i përcakton kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes. Pa këtë pasion as ideja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) nuk do të mund të ekzistonte, e aq më pak do të mund të flitej për aktualizimin e saj.
Liria, si pasion i intuitës, është përfaqësim i drejtpërdrejtshmërisë së qëndrueshmërisë që ka një person në bindjen për rolin e vet në bërjen e gjërave në botë. Ndërkaq, liria si vlerë përcaktohet nga afërsitë e vetëdijes aksiologjizuese për të zgjedhur atë që është e rëndësishme në procesin e bërjes, e kjo do të thotë për kapërcimin kualitativ nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë të bërjes së ekzistencës. Historikisht vështruar, filozofia e vlerës së lirisë – siç thotë Sartri – si themel i të gjitha vlerave, është zhvilluar paralelisht me shfaqjen e një shqetësimi dominues për qëllimet njerëzore në rrugën e zgjerimit të kufijve të ekzistencës së njerëzimit. Vetëm përmes vetëdijes aksiologjizuese, liria si vlerë, mund të ngrihet në një realitet promodial, mbi bazën e të cilit mund të kuptohet dhe të ndërtohet tërësia e ekzistencës njerëzore.
Në kushtet e pushtimi klasik të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, shprehur me terma të Hajdegerit, liria do ta zgjedhë subjektin e realizmit të vetes – UÇK-në dhe vetë ekzistenca e UÇK-së do të jetë e ndërlidhur nga përcaktimi i saj për ta zgjedhur vlerën e lirisë. Pa UÇK-në, si subjekt i lirisë, nuk ekziston vlera e lirisë. Sartri thotë se jashtë angazhimit të subjektit që i zgjedh vlerat, vlerat nuk ekzistojnë. Është subjekti UÇK ai që do ta sjellë vlerën e lirës në ekzistencë, për t’u shndërruar vetë në subjekt me vlerë. Rrjedhimisht, mund të themi se vetë ekzistenca e subjekti të UÇK-së që e ka sjellë vlerën e lirisë në ekzistencë është një vlerë që duhet të njihet nga të gjithë.

Pikëpamja aksilogjizuese utilitariste

Pyetja që shtrohet sot është se lufta e UÇK-së nga të qenit subjekt i lirisë a ka arritur që të shndërrohet në përmbajtje të vetëdijes sonë aksiologjike, si përcaktuese e qëllimeve tona kombëtare për bërje?
Nga zgjedhja që kemi bërë për mënyrën e (ri)varrimit të dëshmorëve të UÇK-së menjëherë pas luftës; me qëndrimin tonë ndaj memorialit të Kullava të Jasharëve tash e 23 vjet, nga mënyra e satanizmit të ushtarëve të UÇK-së në mediet tona para e pas luftës; prej hartimit të Ligjit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së (çështja aq shumë e përfolur e Listës së Veteranëve të luftës së UÇK-së është treguesi i përmasës së sëmundjes shpërfytyruese të marrëdhënies sonë me idenë e lirisë dhe rregullimi i Listës së saktë të Veteranëve nuk mund të arrihet asnjëherë pa shërimin moral të kësaj marrëdhënieje!); prej mënyrës së hartimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila luftën e UÇK-së nuk e përmban si premisë juridiko-politike të shtetësisë së Kosovës dhe nga mënyra e themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, mund të konkludohet se UÇK-ja, në radhë të parë, nga shqiptarët, më pas edhe nga ndërkombëtarët, është parë si një vlerë që buron nga pikëpamja e aksiologjisë utilitariste, e cila llogarit në interesin praktik (e edhe material) tash dhe këtu, në njërën anë, brenda forcave politike shqiptare në luftën për pushtet ndërsa, nga ana tjetër, në rrafshin e politikave ndërkombëtare, si vlerë për ekuilibrim forcash në shoqërinë botërore. Në të dyja rastet, më parë sesa një e mirë e dëshirueshme si qëllim, UÇK-ja do të perceptohet një e mirë e dëshirueshme si mjet.
Në qoftë se Gjyqi i Nurembergut do të jetë pasqyrim i sistemit të drejtësisë mbi të cilën do të funksionojë rendi i ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Speciale, si pjesë e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, do ta pasqyrojë krizën e sistemit të rendit botëror në këtë fillim të mileniumit të ri. Në rastin e Gjykatës Speciale, përkundrejt Gjykatës së Nurembergut, e drejta pozitive do të mbetet pa përmbajtjen e të drejtës morale. Ndërsa Gjykata e Nurembergut do të jetë produkt i sistemit të drejtësisë, i cili do ta menaxhojë “rendin botëror” të pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Speciale do të jetë produkt i sistemit të drejtësisë ndërkombëtare në kontekstin e botës gjeopolitike të “ekuilibrit botëror”, si mishërim i raportit dinamik midis forcave kundërshtuese në një sistem të hapur. Nëse rendi është statik, ekuilibri është dinamik, thotë teoricieni i politikës Saul Cohen. Karakteri dinamik që buron nga përplasja e forcave të kundërta, për ta ruajtur ekuilibrin global, “flijon” agjentë të ndryshëm që ka në dispozicion (edhe përbërës të së drejtës ndërkombëtare, edhe elementë të vlerës së lirisë!) në funksion të stabilitetit, si tipar i ekuilibrit global. Në kontekstin e “rendit botëror” të pas Luftës së Dytë Botërore (dhe jo vetëm) do të ishte e pamundur të imagjinohej një “Nuremberg” kundër hebrenjve. Në kontekstin e “ekuilibrit botëror”, në emër të “pastrimit” të një lufte çlirimtare, me lehtësi të papërballueshme për asnjë fuqi imagjinate bëhet realitet ekzistenca e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së. Gjykata e Nurembergut ishte produkt i forcave aleate fituese të Luftës së Dytë Botërore; Gjykata Speciale është produkt i nevojave për stabilitetin e ekuilibrit midis forcave të superfuqive botërore konkurruese në luftën për zgjerimin e zonave të tyre të interesit.
Sistemi i drejtësisë ndërkombëtare, i fillimit të mileniumit të tretë, do të jetë shfaqja e thelbit të parimit të ekuilibrit global. Gjykata Speciale është simptoma e mungesës së “rendit” të shoqërisë botërore. Gjykata Speciale në Hagë do të bazohet në moralin universal të të drejtave të njeriut, si një instancë juridike supernacionale me aspiratën për arritjen e një harmonie planetare duke u bazuar në aspiratat empirike të natyrës njerëzore (Jean-Jacques Wunenburger). Në rastin e Gjykatës Speciale të Hagës, universaliteti i moralit të të drejtave të njeriut do të jetë kërcënim serioz i të drejtës së popujve për liri. Gjykata e Nurembergut me moralin e të drejtës kolektive, si një entitet konkret historik, do të vihet në funksion të lirisë, sigurisë dhe mirëqenies së njerëzimit. Duke u bazuar në të drejtën pozitive dhe duke e përjashtuar prej saj çfarëdo lloj mundësie implikimi të së drejtës morale në të, Gjykata Speciale në Hagë do ta trajtojë barabarësish si pushtuesin ashtu edhe të pushtuarin; si ushtruesin e gjenocidit ashtu edhe atë që ka pësuar nga gjenocidi.

Lufta kundër vlerës së UÇK-së si luftë kundër rendit botëror

Agresionit ushtarak rus në Krime e Ukrainë i ka paraprirë agresioni diplomatik rus e serb për kontestimin e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare përmes kontestimit të karakterit të drejtë të luftës së UÇK-së. Themelimi i Gjykatës Speciale nuk është çështje e testimit të qëndrueshmërisë së vlerës së UÇK-së, por testim i qëndrueshmërisë së rendit botëror, i qëndrueshmërisë së besimit në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare, i cili shfaqet përmes trajtimit juridik të së drejtës së një lufte antikoloniale, siç ishte lufta e UÇK-së.
Themelimi i Gjykatës Speciale është finalizimi i agresionit që Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, do të bëjë, në njërën anë, mbi hapësirën e boshatisur të vetëdijes aksiologjizuese shqiptare për lirinë, si vlerë supreme dhe, nga ana tjetër, mbi arealin e vetëdijes aksiologjizuese utilitariste perëndimore.
Si?
Duke përdorur hapësirat e boshatisura që ekzistojnë ndërmjet vlerës universale të moralit të të drejtave të njeriut dhe vlerës “partikulare” të moralit të së drejtës kolektive të popujve për liri në sistemin e së drejtës ndërkombëtare penale. Kontradikta midis vlerës së një kriteri abstrakt universal e jashtëkohor (të drejtat e njeriut) dhe vlerës së një kriteri konkret në histori (lirisë së popujve të veçantë), në rastin e Gjykatës Speciale do të tejkalohet përmes përqafimit të vlerës së parë duke e përjashtuar nga logjika e drejtësisë vlerën e kriterit të dytë. Gjykata Speciale do ta bëjë një zhvendosje thelbësore të vëmendjes nga trajtimi i tërësishëm i njeriut si qenie e lirë dhe si vlerë te dimensioni i njeriut si person fizik dhe juridik. Për rrjedhojë, shprehur me terma të Toma Akuinit, kriteri i drejtësisë së sjelljes do t’i mbivendoset kriterit të drejtësisë së kauzës. Në këtë mënyrë logjika e drejtësisë do të pezullohet nga koncepti i luftës së drejtë dhe luftës së padrejtë. Për rrjedhojë Gjykata Speciale Kosovën do ta kthejë nga një çështje e historisë së dekolonizimit në çështje të të drejtave të njeriut.
Ndërsa presioni i bashkësisë ndërkombëtar kundrejt deputetëve të Kuvendit të Kosovës për domosdoshmërinë e themelimit të Gjykatës, do të jetë tregues i krizës së vetëdijes aksiologjizuese perëndimore në kontekstin gjeopolitik të ekuilibrit global (vetëm konteksti gjeopolitik i ekuilibrit global e bën të kuptueshëm presionin që ShBA-ja do të ushtrojë mbi establishmentin politik të Kosovës për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale) aprovimi i Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të jetë treguesi i kapaciteteve të ulëta të vetëdijes aksiologjike shqiptare për vetëbërje. Në të vërtetë, do të jetë tregues i aftësive të munguara krijuese përballë qëllimit për kapërcim nga modusi i ekzistencës së mbijetesës në modusin e ekzistencës për bërje.
Prej një përmbysjeje të tillë të logjikës së të drejtës dhe drejtësisë, Serbia do të synojë ta ndërtojë narracionin e vet moral se:
– intervenimi i NATO-s ka qenë një gabim;
– se në Kosovë, si pjesë jugore e Serbisë, nuk ka pasur luftë mes ushtrisë së Serbisë dhe UÇK-së, porse aty ka ndodhur një luftë civile për pushtet midis UÇK-së terroriste dhe partive paqësore e minoriteteve etnike të pambrojtura;
– se ushtria e policia serbe kanë ndërhyrë me qëllim që ta parandalojnë dhe ta pamundësojnë këtë luftë civile, por intervenimi i NATO-s ia ka pamundësuar këtë duke marrë një vendim të gabueshëm për largimin e babës (Serbisë) nga shtëpia (Kosova) (Rezoluta 1244), në vend se të dëbohet “fëmija problematik” (UÇK-ja);
– NATO padrejtësisht e detyroi “babën” (lexo Serbinë administrative, ushtarake e policore) të dëbohet nga shtëpia, duke e ndarë atë edhe nga “fëmijët e vet të mirë”. Ekzistenca e Gjykatës Speciale është provë e mjaftueshme që baba (Serbia) tashmë duhet të kthehet në shtëpinë e vet pranë “fëmijëve të vet të mirë” në Kosovë.
Me pak fjalë, ky është narracioni që, përmes Gjykatës Speciale, Serbia do të përpiqet ta rrisë vëllimin e argumentit për “të drejtën morale” të kthimit të saj në Kosovë. Ndërkaq, brenda Kosovës subjektet konkurrente politike, duke përfituar nga goditja që do ta marrë “krahu i luftës” prej Gjykatës Speciale, do të përpiqen të krijojnë “avantazhe morale” për rolin e tyre në historinë më të re të “çlirimit” dhe të “shtetndërtimit” të Kosovës.
Mjerim! Kaq është pika e lartësisë ku mund të arrijë steka e interesave meskine të vetëdijes tribaliste shqiptare!

Përfundim

Mbrojtja e vlerës së lirisë përmes instrumenteve të sistemit të drejtësisë (lokale apo ndërkombëtare) duhet të jetë shprehje e fuqisë motivuese për rritjen e jetës dhe sigurisë së ekzistencës së shoqërisë njerëzore në botë. Gjykata Speciale nuk do t’i shërbejë lirisë dhe mirëqenies së njerëzimit, sepse është mekanizëm për ruajtjen e baraspeshave të forcave mes shtetesh në një rend botëror të luhatshëm nga paqëndrueshmëria e sistemit të vet të drejtësisë. Presioni për themelimin e Gjykatës Speciale nga ndërkombëtarët drejtuar kuvendarëve të Kosovës, është prova që vërteton se liria e një populli, në vend të rritjes së sigurisë së lirisë së njerëzimit, mund të përdoret si mjet për harmonizimin maksimalist të interesave kundërthënëse në kontekstin gjeopolitik të “ekuilibrit botëror”.
Për shkak se vlera e lirisë është e ndërlidhur me motivimin, sepse vetëm përmes motivimit vlera merr kuptim, Kuvendi i Kosovës, me aktin e aprovimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka vendosur standardin moral të ndarjes së vlerës nga motivimi. Me votimin pro themelimit të Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës, popujve që bëjnë lufta antikoloniale gjithandej botës, ashtu sikurse edhe pasardhësve tanë, u ka dërguar mesazhin dekurajues e antihistorik se liria në përgjithësi, dhe liria e tyre në veçanti, nuk përfaqëson ndonjë interes me rëndësi për zhvillimin dhe emancipimin e llojit njerëzor në botë; se liria nuk është çështje e vullnetit dhe e së drejtës morale të subjekteve të veçanta, por çështje nomenklaturash dhe raporte forcash.
Qëndrimi i tillë ndaj UÇK-së është tregues i mungesës së parimeve të filozofisë së vlerave dhe të vetëdijes sonë të kufizuar aksiologjike në rrugën e bërjes subjekt në histori.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Opinion

KONTRIBUTI I SHBA DHE NATO-s NË PAVARËSINË E KOSOVËS

February 8, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ
Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”/

Pavarsia e Kosovës u gatua ndër vite nga populli i saj luftëtar e liridashës dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s me operacioni “Forca Aleate”të drejtuara dhe udhëhequra nga SHBA.
Operacioni “Forca Aleate” është modeli më domethënës i luftës së sotme, i ndryshimeve thelbësore që ka pësuar ajo në të gjitha drejtimet. Ai përfaqëson një luftë unike, e para dhe e vetmja që ka zhvilluar aleanca euroatlantike, luftë që tregoi fuqinë e saj, karakterin e saj demokratik dhe human, vendosmërinë e saj për dënimin e dhunës, terrorizmit shtetëror e gjenocidit, si dhe vërtetoi në praktikë nevojën e mbijetesës së NATO-s, pas dilemës mbi ekzistencën e saj me përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Më 27 dhjetor 1992, administrata e presidentit Bush e paralajmëronte Millosheviçin se “në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga forcat serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përgatiten për angazhimin e forcës ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.
Në dhjetor të vitit 1997 ministrat e jashtëm të NATO-s deklaruan se interesi i NATO-s në stabilitetin e Ballkanit nuk qëndronte vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por në të gjithë rajonin dhe shprehën shqetësimin për rritjen e dhunës etnike në Kosovë.
Gjatë vitit 1998, konflikti midis forcave ushtarake e policore Serbe dhe UÇK-së shkaktojë vrasjen e mbi 2000 kosovarëve dhe largimin nga trojet e tyre e rreth 400 mijë civilëve të pafajshëm. Komuniteti ndërkombëtar më në fund u shqetësua për konfliktin me përmasa të mëdha humanitare, dhe rrezikun që kishte zgjerimi i tij edhe në vendet fqinje.
Në 28 maj 1998, Këshilli i Atlantikut të Veriut, nëpërmjet ministrave të jashtëm e shtroi problemin në dy plane: së pari, u bënë thirrje të gjitha palëve për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës, dhe së dyti, u angazhuan për sigurimin e stabilitetit e të sigurisë në vendet fqinjë, me theks të veçantë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Më 12 qershor 1998, Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kërkuan një vlerësim mbi masat që duhen marrë në të ardhmen, në përputhje me zhvillimet e krizës në Kosovë.
Në shtator të po këtij viti, udhëheqësit politikë të vendeve europiane arritën të bindin veten e tyre se revanshi i Millosheviçit duhej të ndalej me çdo mjet. Shkak për këtë u bë sulmi brutal i forcave serbe i ndërmarrë muaj më parë (Mars) ndaj familjes Jashari në Prekaz ku mbetën të vrarë shumë civilë të pafajshëm, (vetëm nga familja Jashari 22 anëtarë të familjes nga 2 deri në 74 vjeç). Këtu fillon rritja e mbështetjes politike europiane për sulmin ajror dhe ndalimin e dhunës serbe.
Më 24 dhe 25 shtator 1998, në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Sekretari i Mbrojtjes, Kohen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Havier Solana, argumentuan me forcë se shmangja e katastrofës humanitare duhet të zëvendësonte nevojën për një rezolutë të OKB-së. Në fund të këtij takimi ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s vendosën të kërcënojnë Millosheviçin me goditje ajrore nëse ai nuk ndalonte dhunën në Kosovë.
Në 18 tetor 1998, tre zyrtarët më të lartë të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Solana, Kryetari i Komitetit Ushtarak gjenerali Nauman dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europë gjenerali Klark, vizituan Beogradin, për t’i dhënë mesazhin se urdhri i aktivizimit ishte gati dhe do të ishte më mirë që Millosheviçi të zbatonte kërkesat.
Në të njëjtën kohë Grupi i Kontaktit dërgoi në Beograd Riçard Hollbrukun me misionin për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Millosheviçi asnjëherë nuk e zbatoi premtimin e bërë, por përkundrazi vazhdoi sulmet kundër shqiptarëve deri sa në janar 1999, forcat serbe masakruan më shumë se 45 shqiptarë të paarmatosur (Raçak), ngjarje që i detyroi vendimmarrësit amerikanë dhe europian të lënë mënjanë marrëveshjen e arritur nga Hollbruku dhe të kërkojnë për një diplomaci më të rreptë.
Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars 1999, Hollbruk iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi.
Megjithatë, deri në fillimin e operacionit, komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s ju desh të kalonte shumë vështirësi që kishin të bënin në radhë të parë më arritjen e konsensusit brenda vetë aleancës.
Operacioni filloi pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia, si aleatja tradicionale e Serbisë, kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen ushtarake dhe pritej që ajo të vendoste veton në Këshillin e Sigurimit të OKB. Për të shmangur këtë situatë, NATO nuk e kërkoi mandatin e Këshillit të Sigurimit. Kjo shkaktoi shumë polemika dhe brenda vetë NATO-s për ligjshmërinë e operacionit, pasi në Nenin V të Traktatit të Washingtonit (1949) përcaktohet qartë se NATO futet në luftë në rast se njëri prej anëtarëve të saj sulmohet. Siç dihet, Kosova nuk ishte anëtare e NATO-s. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e detyroi Aleancën të sulmonte Serbinë?
Sipas analistëve të ndryshëm, SHBA dhe aleatët e NATO-s kishin tre interesa të forta gjatë krizës kosovare:
Së pari, agresioni serb në Kosovë kërcënonte direkt paqen në të gjithë Ballkanin dhe stabilitetin në rajonin juglindor të NATO-s. Vazhdimi i luftimeve në Kosovë kërcënonte:
a. prishjen e procesit të suksesshëm të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë;
b. ri-inicimin e kaosit në Shqipëri;
c. destabilizimin e Maqedonisë me minoritetin e saj të madh shqiptar dhe,
d. përhapjen e destabilitetin në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Bullgarinë e Greqinë.
Së dyti, represioni i Beogradit në Kosovë krijoi një krizë humanitare të përpjesëtimeve të mëdha. Operacioni famëkeq “Patkoi” nga serbët, kjo fushatë spastrimi etnik, ishte planëzuar muaj më parë nga Millosheviçi si një mjet brutal për t’i dhënë fund krizës sipas mënyrës së tij.
Së treti, drejtimi dhe rruga që ndoqi Millosheviçit, e cila çoi ne operacionin “Forca Aleate”, sfidoi direkt kredibilitetin e NATO-s, një aleancë e cila kishte formuar themelin e sigurisë transatllantike për 50 vjet.
Në fushën diplomatike, në fund të janarit 1999, Grupi i Kontaktit (Francë, Gjermani, Itali, Angli, Rusi e SHBA) u kërkoi serbëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të takoheshin na Rambuje, Francë, për të arritur një marrëveshje, e cila u realizua në dy raunde (6-23 shkurt në Rambuj e pasuar nga raundi i dytë 15-18 mars në Paris). Në bisedime (rreth 20 ditë) shqiptarëve iu afrua autonomi e gjerë, nën garancinë e NATO-s, por jo pavarësi dhe serbëve të pranonin dhënien e autonomisë, por jo sovranitetin, duke e lënë statusin e Kosovës përfundimisht të hapur.
Në raundin e dytë delegacioni kosovar i nënshkroi propozimet e bëra, ndërsa ai serb nuk i pranoi. Në fushën ushtarake, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s i dhanë Sekretarit të Përgjithshëm Solana fuqinë për të autorizuar goditje ajrore sipas vendimit të tij. Kjo gjë i bëri goditjet ajrore më të besueshme, sepse e kaloi autoritetin e vendimmarrjes nga një komitet prej 19 anëtarësh tek një person i vetëm.
Planëzimi u bë i plotë, duke përfshinte mbështetjen e NATO-s për monitorët e OSBE-së, mbështetje për detyrimin e embargos kundër Serbisë, dislokime trupash në Shqipëri dhe Maqedoni për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Realizimi i këtyre opsioneve do të kërkonte angazhimin e 7000 deri në 23000 trupave të NATO-s. U planëzuan gjithashtu dhe mundësitë e tjera për një përdorim me të madh të forcës, që përfshinte një fushatë ajrore të ndarë në tre faza.
Me gjithë këto përpjekje komuniteti ndërkombëtar ndërmori përpjekjen e fundit diplomatike. Më 21 mars 1999, tre ditë para fillimit të operacionit, Ambasadori Hollbruk shkoi në Beograd për ta paralajmëruar për të fundit herë Millosheviçin.
Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare.
Objektivat politike brenda Kosovës ishin:
Të ndalonte vuajtjet dhe t’ i jepte fund shtypjes dhe dhunës Serbe.
Të detyronte Milosheviçin të ndryshonte sjelljen e papranueshme jo vetëm nga pikëpamja humane, por se kërcënonte edhe shtetet fqinjë.
Të realizonte një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Objektivat politike jashtë Kosovës ishin:
Të stabilizonte vendet fqinjë.
Të ruante unitetin e aleatëve.
Të kufizonte dëmtimin e marrëdhënieve me Rusinë.
Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti.
Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojmë rikthimin e Holokaustit.”
Operacioni “Forca Aleate” u realizua në tre faza.
Faza e parë, nga 24 deri më 27 mars, bombardimet në këtë fazë kishin si qëllim të shihej sjellja e presidentit Milosheviç, me qëllim që ai të detyrohej të reflektonte. Milosheviçi në vend që të reflektonte bën të kundërtën ai e thelloi edhe më tej fushatën e tij ushtarake për spastrimin etnik të Kosovës me shpresën se do të krijonte një krizë humanitare për shtetet fqinje e do ta detyronte perëndimin të tërhiqej. Objektivi kryesor i kësaj faze ishte, nxjerrja jashtë funksionit e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore dhe krijimi i kushteve që pilotët të kishin superioritet në ajër.
Faza e dytë, nga 27 mars deri më 23 prill. Objektivat kryesore të kësaj faze ishte, izolimi dhe shkatërrimi i njësive ushtarake, paraushtarake dhe policore, të ndërpriste furnizimin dhe përforcimet duke goditur vendkomandat, logjistikën, linjat e komunikimit, njësitë e MB, si dhe njësi ndihmëse. Në këtë fazë u përdorën municione të preçizionit të lartë, u përdorën sistemet e drejtimit me satelit, u futën në luftim mjete të reja si dhe u goditën trupat serbe në terren, rrugët, urat mbi Danub, depot e municionit, bazat dhe këto jo vetëm në territorin kosovar, por edhe në Serbi, përfshi dhe kryeqytetin e Beogradit.
Faza e tretë, filloi në ditën e Samitin të Washingtonit, më 23 prill 1999. Kjo fazë ishte e ndarë në dy nën faza. Objektivat e kësaj faze ishin; Në këtë Samit u vendos që të intensifikoheshin sulmet kundër Serbisë, me objektiv kryesor të neutralizonte ose të shkatërronte kapacitetet që mund të kryenin, të monitoronin, apo të vazhdonin operacionet ushtarake, duke goditur objektiva të zgjedhur taktikë dhe strategjikë si, dëmtimin e forcave ushtarake serbe në Kosovë, infrastrukturën, selitë e presidentit, ministritë, industrinë ushtarake, energji, karburantet etj. Synimi ishte që këto objektiva të goditen kudo që ndodhen në të gjithë Federatën.
Vlen të theksohet se Këshilli i Atlantikut të Veriut nuk mori ndonjë vendim zyrtar për të kaluar në Fazën 3 (nën fazën e dytë).
Në operacionin “Forca e Aleate” gjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, me pjesëmarrjen e 13 shteteve dhe 1090 avionë, duke kryer rreth 37.225 misione ose afërsishtë 300 sulme ajrore në ditë, nga të cilat 10.484 ishin sulme goditëse – pa asnjë dëm të pësuar nga Aleanca. U hodhën 22.00 bomba ndaj 410 objekteve fikse e 520 objekteve taktike me një saktësi 99.6 %, vetëm 30 bomba shkaktuan dëme anësore.
NATO kishte siguruar të dhëna të rëndësishme për objektet ushtarake serbe, sasinë, vendodhjen e njësive e reparteve, aerodromeve, të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore, karburanteve, vendkomandave, sistemet e telekomunikimit etj.
Në dispozicion të aleancës veç bazave ushtarake që kishte në Itali (Avjano) dhe në det të hapur u vunë edhe ato të Turqisë, Hungarisë si dhe hapësira ajrore e Bullgarisë dhe e Shqipërisë. Aleanca deri në gjysmën e fazës së dytë të sulmeve kishte goditur 150 objekte strategjike, ishin asgjesuar 50% e avionëve Mig-29 që kishin Forcat e Armatosura Serbe, dy vendkomandat ushtarake kryesore të serbisë, si dhe 40% e rezervave të karburanteve në tërë Serbinë. Në vazhdim u intensifikuan sulmet mbi objekteva të rëndësisë së veçantë si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ministria e Punëve të Brendëshme, TV shtetëror Serb, selia e PS e Milosheviçit etj. Sipas komadantit të skuadriljes që u fut e para mbi territorin Kosovar nënkolonelit Amerikan Dejv Nikols, për çdo objektiv që goditej bëheshin më parë 8 lloje zbulimi që nga ai satelitor, më tej me avionët pa pilot, me mjet me rreze lazer, me mjete optiko-pamore etj. Përdorimi i një sasie kaq të madhe zbulimi ishte në parimet e aleancës e cila kërkonte shkatërrimin e makinës së vjetër Serbe dhe dhënies fund genocidit në Kosovë.
Pas gjithë këtyre sulmeve më në fund, Millosheviçi u detyrua të plotësojë kushtet politike të vendosura nga Aleanca:
Lindë pyetja, pse Millosheviçi pranoi në heshtje kushtet e NATO-s? Disa nga arsyet sipas mendimit tim janë:
Dëmi i madh njerëzor e material që po rritej çdo ditë nga bombardimet
Solidariteti i vendeve të aleancës dhe këmbëngulja për ta çuar operacionin deri në fund.
Përpjekjet e vazhdueshme të aleancës për të angazhuar Rusinë në diplomaci. Kur përfaqësuesi i BE Ahtisari dhe ai rus Çhernomyrdin u takuan me Millosheviçin dhe folën me një zë, Millosheviçi e kuptoi se kishte mbetur i izoluar dhe nuk mund të priste më ndihmë nga Rusia.
Ndërtimi i fuqisë luftarake tokësore të NATO-s (helikopterët apache në Shqipëri, forcat e implementimit të paqes në Maqedoni dhe përgatitjet e dukshme për dislokimin e forcave të tjera)
Këmbëngulja e UÇK-së ishte një pengesë serioze, veçanërisht ringritja e tyre në javët e fundit të fushatës, demostroi tek Millosheviçi se ai nuk mund ta eleminonte këtë rrezik.
Vendet e NATO-s përdorën edhe mjete të tjera politike dhe ekonomike si forcimi i sanksioneve ekonomike, kufizimet e udhëtimeve, ngrirja e financave serbe në banka etj.
Padia e Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës i bindi disa nga mbështetësit e tij më të fortë se konsesusi politik i aleancës kundër veprimeve serbe, në vend që të dobësohej, vazhdonte të forcohej më tej.
Në sulmet ajrore duhet thekësuar se rrethë 80% e të gjitha kontributeve të përdorura ishin të SHBA.
Pas 11 javësh sulme ajrore më 9 qershor u nënshkrua marrëveshja taktiko-ushtarake në Shkup ku mes të tjerash kryesore ishte tërheqja e trupave serbe nga Kosova.
Më 12 qershor 1999 forcat e KFOR-it fillojnë operacionin “Mbrojtja e Bashkuar”.
New York Shkurt 2023
Foto: PortAlb

Filed Under: Opinion Tagged With: gezim mustafaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT