• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA DENONCON TMERRET E SOCIALIZMIT

February 6, 2023 by s p

“Socializmi nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Të ënjten që kaloi, Kongresi i Shteteve të Bashkuara – miratoi, zyrtarisht, një rezolutë me të cilën denoncohet socializmi si doktrinë dhe sistem qeverisjeje. Rezoluta amerikane kundër socializmit, e sponsorizuar nga kongresistja republikane, Maria Elvira Salazar nga shteti Florida, u miratua në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, me 328 vota në favor dhe 86 kundër. Është kjo një rezolutë me të cilën pajtohet (concurs) edhe Senati i Shteteve të Bashkuara. Kjo është një votë me shumicë dërmuese në favor të rezolutës kundër socializmit, ndërkohë që të gjithë antarët e Partisë Republikane votuan për miratimin e saj, siç bëri edhe shumica e kongresistëve të Partisë Demokrate (109), ndërsa 86 prej antarëve demokratë të Kongresit, votuan kundër miratimit të kësaj rezolute. BILLS-118hconres9ih.pdf (congress.gov)

Socialism Resolution Vote

Vota përfundimtare për miratimin e rezolutës me të cilën Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës denoncoi “tmerret e Socializmit”, duke shpallur gjithashtu se socializmi si doktrinë nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

2 Shkurt, 2023

Në një njoftim për median, sponsorizuesja e kësaj rezolute,  H. Con. Res. 9, kongresistja e shtetit Florida, Maria Elvira Salazar u shpreh se miratimi i rezolutës që denoncon tmerret dhe ideologjinë socialiste, “Është një fitore për çdo njeri në Shtetet e Bashkuara që beson në fuqinë e lirisë individuale dhe jo në socializmin shtypës shtetëror”.  Me këtë rezolutë, shtoi ajo, “Ne i dërguam një mesazh botës se socializmi nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

 Në atë njoftim, thuhet gjithashtu se për antarët e Partisë Demokrate, kjo ishte hera e parë që u detyruan të merrnin, publikisht, një qendrim sa i përket socializmit. Por, megjithkëtë, në njoftimin e kongresistes Salazar thuhet se është për të ardhur keq që kjo votë tregoi gjithashtu se pothuaj gjysma e demokratëve në Kongres refuzojnë gjithnjë të denoncojnë socializmin. Ndonëse një shumicë e demokratëve iu bashkuan republikanëve duke votuar në favor të rezolutës që denoncon socializmin, si ideologji majtiste dhe tmerret që kjo ideologji ka shkaktuar gjatë historisë, kjo ishte një votë që përçau Patinë Demokrate në Kongtres, të pakën për këtë çështje. Vota e demokratëve ishte 109 në favor dhe 86 kundër.  Disa prej këtyre demokratëve në Kongresin amerikan, që votuan kundër kësaj rezolute që denoncon socializmin, janë deklaruar ose janë cilësuar nga të tjerët si “socialistë demokratë”. 

Kongresistja Salazar, si sponsorizuese, e paraqiti këtë rezolutë duke përmendur përvojën e banorëve në distriktin e saj në jug të Floridës, shumica me origjinë kubane, që ata ose para-ardhësit e tyre janë arratisur gjatë dekadave nga tmerret dhe krimet e regjimit komunist të Fidel Castros në Kubë. Frank Shkreli; Një frymë e re anti-socialiste /anti-komuniste në Kongresin e ardhshëm të ShBA-ve | Gazeta Telegraf  — Duke iu drejtuar kolegëve të saj në Kongres, kongresistja Maria Salazar u bëri thirrje kolegëve që ta miratojnë rezolutën kundër socializmit sepse një masë e tillë  do të tregonte se Kongresi, Shtëpia e Popullit tonë, denoncon pa asnjë dyshim këtë ideologji “mizore dhe të padrejtë”.

Në rezolutën e miratuar me votë dërmuese nga antarët e dy partive kryesore – republikanë e demokratë – thuhet se, “Ideologjia socialiste mandaton përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një personi ose partie, diçka që është provuar herë pas here të ketë përfunduar në regjime komuniste, qeverisje totalitare dhe në regjime diktaturash brutale.”   Në rezolutë, me të drejtë theksohet, se krimet më të mëdha në histori janë bërë nga ideologët e socializmit e komunizmit gjatë shekullit të kaluar e deri më ditët e sotëme dhe nënvijon aktet barabare që regjimet socialiste/komuniste kanë kryer anë e mbanë botës.  Rezoluta thekson se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, denoncon socializmin në të gjitha format e tij dhe kundërshton, fuqimisht, zbatimin e politikave socialiste në Shtetet e Bashkuara. Sipas kongresistes republikane, Zonjës Salazar, kjo rezolutë garanton që, “Shtetet e Bashkuara do të angazhohen se nuk do të miratojnë ose të zbatojnë politika socialiste të cilat me doemos çojnë në shkatërrime ekonomike dhe regjime autoritaritare politike.”

 Ndërkaq, kongresistja demokrate nga Florida, Zonja Debbie Wasserman Schultz, e cila mbështeti rezolutën kundër socializmit denoncoi rëndë autokratët socialistë në fjalimin e saj në sallën e Kongresit, ndërsa kritikoi disa udhëheqës politikë amerikanë, të cilët kritikojnë zgjedhjet demokratike si dhe disa programe amerikane. “Unë po ngrihem për të folur për të denoncuar të gjithë autokratët socialistë kudo, të cilët vendosin pushtetin autoritar dhe pasuritë e tyre mbi interesat e qytetarëve të vetë. Kjo rezolutë, injoron disa prej krimeve më të mëdha të këtyre autokratëve” botërorë, ndërsa, sipas saj, anashkalon përpjekjet e disa udhëheqsve amerikanë që imitojnë taktikat e tyre, është shprehur demokratja e shtetit Florida, kongresistja Debbie Wasserman Schultz.

Miratimi i kësaj rezolute javën e kaluar në Kongresin amerikan (me pajtimin edhe të Senatit),më sjellë kujtime dhe më bën të ndihëm personalisht i kënaqur, pasi denoncimi i socializmit dhe komunizmit dhe i krimeve që regjimet komuniste, anë e mbanë botës, kanë kryer në emër të kësaj ideologjie — është dhe ka qenë si një mision i jetës time. Me modestinë më të madhe më duhet të rrëfej se këtë “luftë” e kam filluar nga ditët e para, me të arrijtur në Shtetet e Bashkuara – madje nga bankat e shkollës – siç mund të shikoni më poshtë shkrimin e 50-viteve më parë, e deri në ditët e sotëme Frank Shkreli: Argumenti kundër socializmit | Gazeta Telegraf– duke u munduar të paralajmëroj – sipas mudësive të mia — edhe sot ashtu si përpiqesha të bindja një gjysëm shekulli më parë kolegët studentë dhe disa profesorë në atë kohë – mbi rreziqet e socializmit për Shtetet e Bashkuara dhe për botën.

Po, Shqipëria e Kosova kur do të denoncojnë socializmin dhe komunizmin? Frank Shkreli: Dita Shqiptare e Lirisë në Uestçester të Nju Jorkut dhe krimet e komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf – Për fat të keq, për 30-vjetë tashti — Në vend që Shqipëria të denoncojë dhe të ndëshkojë krimet e komunizmit – siç ka bërë mbarë bota perëndimore dhe të kujtojë gjithashtu viktimat e atij sistemi terrorist — forcat nostalgjike të komunizmit në nivelet më të larta të politikës shqiptare dhe në sistemin e të ashtuquajturës “drejtësi” shqiptare, me arrogancën dhe indiferencën e tyre ndaj krimeve dhe viktimave të komunizmit në Shqipëri – në vend të denoncimit të socializmit dhe komunizmit për krimet e tyre në atë vend,  përkundrazi, po përpiqen të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. 

Frank Shkreli

Representative Maria Elvira Salazar

Kongresistja e Partisë Republikane Maria Elvira Salazar e shtetit Florida – sponsorizuesja kryesore e rezolutës së Kongresit Amerikan e miratuar me shumicë nga Dhoma e Përfaqsuesve të enjëtn që kaloi, me pajtimin gjithashtu të Senatit amerikan. Rezoluta denoncon doktrinën socialisto-komuniste dhe “tmerret e socializmit”.   

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare

February 5, 2023 by s p

Mirela Kanini*/

Përshëndetje miq, patriotë dhe bashkëatdhetarë.

I nderuar Kryetar i Vatrës z.Elmi Berisha, të nderuar kryesi e Vatrës e vatranë.

Më lejoni së pari t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në inagurimin e krijimit të Federatës Vatra për herë të parë në Chicago. Mirënjohje të gjithëve që na nderoni sot. Është nder dhe privilegj të jemi anëtarë të organizatës më të vjetër shqiptare. Është shans historik për ne si bashkekombas në Chicago të lëmë gjurmë në historinë tonë kombëtare duke dhënë kontributin tonë për historinë, kulturën, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vatra për më shumë se një shekull është pjesë e komunitetit mbarë shqiptar në shumë shtete të Amerikës. Vatra ka shënuar historinë tonë kombëtare. E themeluar nga patriotët e shquar Faik Konica dhe Fan Noli të cilët kanë ndikuar parreshtur në çështjet shqiptare. Është nder dhe privilegj për të gjithë ne që të jemi anëtarë të Vatrës si një nga organizatat patriotike më dinjitoze e prestigjioze e shqiptareve të Amerikës. Qëllimi kryesor i kësaj Federate dhe çfarë duam ne të arrijmë ështe bashkimi i komunitetit tonë dhe forcimi i identitetit shqiptar e vlerave tona kombëtare. Lexoj në sytë tuaj suksesin dhe forcën për të çuar përpara amanetin shekullor të Vatrës sonë historike.

Vërtet Amerika është vendi që na priti krahëhapur duke na dhënë oportunitetin të ndërtojmë këtu jetët tona, por ne nuk mund ta harrojmë kurrë origjinën dhe prejardhjen tonë shqiptare. Atdheu ka gjithmonë nevojë për ne. Do ti referohesha sot pikërisht një shprehje të Fan Nolit “ mbahu nëno mos kij frikë se Ke djemtë në Amerikë”. Por jo vetëm djemtë, sot ka dhe vajzat. Si bashkatdhetarë kemi nevojë të jemi të bashkuar dhe përkrahim njëri tjetrin. Chicago ka një komunitet të gjërë dhe të mrekullueshëm që do të shkëlqejë edhe më shumë në vazhdim. Ajo çfarë do të jetë ndryshe në të ardhmen nën drejtimin e Vatrës është organizimi i aktiviteteve të shumëllojshme duke perfshirë të gjitha grup moshat. Do të organizohen aktivitete sportive, kulturore – artistike, promovime librash, parada kombëtare e botime meqënëse ne kemi fatin e mirë të kemi plot shkrimtarë e poetë të mirënjohur shqiptarë në Chicago. Do të zhvillohen takime, biseda dhe sigurisht festime nga më të ndryshmet. Sa më e gjërë pjesemarrja aq më e sukseshme dhe funksionale do të jetë kjo Federatë. Gjithashtu ne do të perfshijme në këtë Federatë shqiptarë nga të gjitha trevat, Shqiperi, Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi. I Uroj Vatrës sonë në Chicago punë të mbarë dhe ju të gjithëve gjithashtu. Faleminderit shumë për gadishmërinë tuaj dhe patriotizmin që ju karakterizon. Mbështetja juaj është frymëzim dhe energji për secilin nga ne.

Në këtë ditë të rëndësishme për Vatrën Chicago dua ti shpreh mirënjohje Editorit të Diellit z.Sokol Paja me të cilin kemi punuar për gati 2 vite që të vijmë te kjo ditë për të cilën jemi bashkuar sot.

Le të përdorim zërin tonë, forcën tonë për të qënë ndryshimi që duam të jemi në botë.

Zoti i bekofte të gjithë shqiptarët kudo që janë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*Kryetare e Vatrës në Chicago.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Kanini

SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE

February 4, 2023 by s p

Foto: Halil Mula

Nderime tek varri i Senatorit Dole në Varrezat Kombëtare në Arlington, afër Washingtonit — E pranishme edhe familja Dole.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

“Tani është koha për të vepruar.  Tani është koha për të marrë një qendrim të fortë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Jugosllavi. Tani është koha për të marrë një qendrim vendimtar – jo kundër ndonjërit prej kombeve që përbejnë Jugosllavinë – por kundër një tiranie komuniste.”  Senatori Bob Dole — Njoftim per median, 20 Shtator, 1990, pasi delegacioni i Senatit i kryesuar prej tij, ishte këthyer në Washington nga vizita në Prishtinë, një vizitë e cila sipas shumë analistëve, zgjoi ndërgjegjen amerikane dhe botërore ndaj tmerit që po ndodhte në Kosovë.

Ky ishte qendrimi i fortë i Senatori Robert Dole në mbrojtje të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Por, ishte edhe qendrimi i fortë — i këtij burrë-shtetasi të madh amerikan dhe mik i dedikuar në mbrojtje të drejtave të Kombit shqiptar – kundër regjimit të diktatorit serb Millosheviçit — asaj “tiranie komuniste”, siç e ka cilësuar Senatori Dole. Ka qenë Xhim Xhema ai i cili kishte kërkuar nga miku i tij Senatori Dole dhe kolegët e tij senatorë, që të shkonin në Kosovë në gusht të vitit 1990 dhe të shikonin për veten gjëndjen e krijuar atje – që ata më vonë e cilësuan si tmeret që po ndodhnin në Kosovë.  Xhim Xhema, aktivist i njohur i çeshtjeve shqiptare dhe mbrojtës — i pa asnjë interesi personal — i të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve dhe mik i ngusht për dekada i Senatorit Dole, ka thenë se pa Senatorin amerikan, republikanin Robert Dole, Kosova nuk do të ishte sot e pavarur. Unë do doja të shtoja se pa Xhim Xhemën, shqiptarët nuk do të kishin një mik aq të madh siç ishte Senatori Bob Dole. Dhe pa kontributin e vyer të bashkatdhetarit tonë të nderuar, Z. Xhim Xhema – këtij shqiptari dhe amerikani të madh – kam drojë se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot. 

Ishte ky Xhim Xhema — aktivisti i shquar prej dekadash i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe miku i ngusht i ish-Senatorit amerikan, republikanit Robert Dole — ai i cili këtë javë organizoi udhtimin dhe i priu një delegacioni shqiptaro-amerikanësh për një vizitë në Washington, ditën e enjtë me 2 Shkurt, 2023 – në përvjetorin e parë to varrimit të Senatorit Bob Dole — për të bërë nderimet e rastit ndaj këtij miku të madh të shqiptarëve.  

Z. Xhim Xhema dhe dhjetëra anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku morën pjesë në ceremoninë përkujtimore (të organizuar nga Z. Xhema), që u zhvillua në Varrezat Kombëtare të Arlingtoni, afër Washingtonit.  Mori pjesë gjithashtu edhe familja Dole, së bashku me miqtë shqiptaro-amerikanë të ish-Senatorit Dole. Ceremonia pranë varrit të Senatorit Robert Dole në Varrezat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara ishte e përzemërt, plotë ndjenja, respekt, kujtime të mira dhe mirënjohje për këtë amerikan të madh. Aty pranë varrit të tij – në 1-vjetorin e varrimit — ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që, si pjesë e këtij komuniteti dhe si shumë shqiptarë kudo, kanë për ish-Senatorin Dole. I pranishëm aty ndodhej edhe ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në Washington për takimin vjetori, Mengjesi i lutjeve.  

Xhim Xhema, organizuesi i këtij përkujtimi — aktivisti dhe miku i ngushtë i ish-Senatorit Dole – përshëndeti, shkurtimisht, të pranishmit me rastin e 1-vjetorit të varrimit të mikut të tij prej dekadash: “Jemi mbledhur për të nderuar Senatorin Bob Dole – një hero dhe një burr-shtetas të madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektuar, i cili ka shërbyer si udhëheqës i shumicës republikane në Senatin amerikan, për më shumë se një dekadë. Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë për më shumë se 30-vjetë. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë  për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë.  Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të frymëzojë. Brezat e ardhëshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirë njohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhim Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit.

Aty pranë varrit të tij – në këtë përvjetor, ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që ne dhe shumë shqiptarë kudo, kemi për Bob Dole.

Ishim aty për të falënderuar Senatorin Dole por njëkohësisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheun tonë të dytë, që jo vetëm na ka strehuar ne si emigrantë politikë, shumica jonë të ardhur në këtë vend, të arratisur nga “tirania komuniste”, siç e cilësonte Senatori Dole, regjimin komunist. 

Por, ishim aty, gjithashtu, për të falënderuar Amerikën tonë të dashur e të bekuar,  që ka lindur burra si Senatori Dole, që i erdhën në ndihmë Kombit shqiptar në njërën prej periudhave më të rrezikshme në historinë e tij – pastrimit etnik dhe shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet shekullore dardane, çfarosjes së shqiptarëve nga trojet e veta shekullore — nga një regjim barbar terrorist serb, përfaqsues i denjë i një tiranie komuniste sllavo-aziatike.

Ishim aty, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të një heroi amerikan por edhe të një heroi për shqiptarët — si përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan — që ta kujtojmë atë, për ta falënderuar atë për punën e tij të madhe dhe për dedikimin e tij të pakushtëzuar në mbështetje të popullit shqiptar gjatë një periudhe prej tri dekadash shërbimi si Udhëheqës i Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe si një burrshtetas i dalluar i Amerikës tonë të dashur, e cila ka qenë gjithmonë pranë nesh, në kohë të caktuara e të vështira historike, nepërmjet bijve dhe burrave të saj, si Senatori Robert Dole. 

Natyrisht, se me këtë rast, grupi i shqiptaro-amerikanëve nga Nju Jorku shkoi në Washington për të nderuar dhe falënderuar Senatorin Robert Dole dhe për nderuar kujtimin e tij.  Por, nuk do isha i sinqert me veten as me të tjerët, nëqoftse nuk them se Senatori Dole nuk ka punuar vetëm. Ka pasur bashkpuntorë.  Ai ka pasur gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan – në veçanti këshillat dhe ndihmën e bashkatdhetarit tonë të dashur e të nderuar, Z. Xhim Xhema. Z. Xhema është jashtzakonisht modest dhe të gjithë ne që e njohim, e dijmë, se atij nuk i pëlqen të flitet ose të shkruhet për ‘të dhe vepimtarinë e tij shembullore dhe të pa kushte patriotike, si dhe për vet-mohimin e kontributin e tij madhështor në interes të çeshtjes kombëtare shqiptare, gjatë dekadave. Por, do a s’do miku im dhe i shumë shqiptarëve, pa dallim, e vërteta duhet të thuhet: se unë nuk dua as ta marr me mend se ku mund të ishte sot Kosova pa miqësinë dhe bashkpunimin e ngushtë midis këtyre dy burrave të mëdhej – shqiptaro-amerikanit Xhim Xhema dhe burrshtetasit të shquar amerikan, Senatorit Robert Dole nga shteti Kansas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ata që besojnë: sikur vet Perendia i bashkoi këta dy burra për të punuar për shpëtimin e shqiptarëve dhe për të mirën e njerëzimit. 

Pas ceremonisë pranë varrit të Senatorit Robert Dole, Z. Xhim Xhema shtroi një drekë për pjesëmarrësit në njërin prej restauranteve të njohur të Washingtonit, ku aktivistët shqiptaro-amerikanë takoheshin shpesh, me Senatorin Dole, në kulmin e aktiviteteve të tyre në Washington, gjatë 1980-ave dhe 1990-ave.

Ky udhtim në Washington dhe ceremonia pranë varrit të Senatorit Dole, ishte vetëm një përkujtim dhe falënderim për mikun e madh të shqiptarëve në përvjetorin e parë të vdekjes së tij. Shqiptarët, e sidomos Kosova, nuk i ka mbetur hak atij.  Prishtina zyrtare e ka përjetësuar historinë e ndihmës së Senatorit Dole për shqiptarët, Republikën e Kosovës, pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e saj.  Republika e Kosovës, në mirënjohje, ka vendosur një pllakë dhe ka ngritur një statujë në qendër të Prishtinës në kujtim të vizitës së ish-Senatorit Robert Dole dhe 6 kolegëve të tij senatorë amerikanë në verën e vitit 1990. Siç dihet, pass asaj vizite, ishte Senatori Dole, ai që paralajmëroi i pari Washingtonin dhe botën për tmeret që kishte parë në Kosovë, me atë rast, ndërkohë që kishte paralajmëruar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ. Bob Dole bëri që, nga ajo ditë e deri më sot, Washingtoni zyrtar të mos e shikonte kurrë më ish-Jugosllavinë siç e konsideronte deri atëherë, si një vend mike e Shteteve të Bashkuara me një reputacion ndër-shtetëror, që nuk do ta gëzonte kurrë më në Washington.

Ndërkaq, nga Nju Jorku dhe Washingtoni, shvendosemi për pak në Prishtinë, nga ku këto ditë erdhi lajmi shumë i mirë, të cilit iu gëzua pa masë komuniteti shqiptaro-amerikan. Një lajm për një gjest bujar e fisnik nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Z. Përparim Rama (i cili mori pjesë në drekën e shtruar në Washington në kujtim të Senatorit Dole), se Komuna e Prishtinës ka vendosur që, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, të emërojë një rrugë të Prishtinës me emrin, siç thuhet në njoftim, “Të heroit Xhim Xhema”, bashk-puntorit të ngushtë Senatorit Robert Dole:  “Me 45 vota PËR, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kryeqytetit vendosi ta përjetësojë veprimtarinë e paepshme të zotit Xhim Xhema për çështjen kombëtare, duke ia vënë rrugës “A” emrin e këtij njeriu të madh.   E nderojmë përkushtimin e tij të palëkundur për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, duke ua sjellë ndihmën e krerëve të politikës amerikane popullit të Kosovës në kohët më të vështira”, thuhet në  njoftimin zyrtar të kryetarit të Komunës së Prishtinës, z.Përparim Rama. 

Një nderim i madh dhe shumë i merituar nga bashkvëllëzrit e tij në vendlindje – me qëllim për të përjetësuar veprimtarinë patriotike shumë dekadshe të Xhim Xhemës, për lirinë dhe të drejtat e tyre përgjithmonë – pikërisht në 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në 1-vjetorin e varrimit të mikut të tij të ngushtë dhe mbështetsit të madh të Kosovës, ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndjerit Robert Dole. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

“Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit

February 3, 2023 by s p

Sokol Paja/

Operacioni “Fijet” me shtrirje në të gjitha Qarqet e Shqipërisë, tregoi shkërmoqjen e shtetit përballë krimit të organizuar.

Çmontimi i kamerave sekrete të instaluara nga bota e krimit në qytetet kryesore të Shqipërisë tregoi forcën e krimit dhe dobësinë e shtetit. Mijëra imazhe qytetarësh, grafika, lëvizje, të dhëna sensitive që duhet të mbroheshin me ligj, posedohen sot nga bota e krimit të organizuar.

Kamerat e paligjshme në rrugët e Shqipërisë sollën një fuqizim të pa imagjinueshëm në eksponentëve kriminalë me pasojë një zinxhir vrasjesh duke tronditur opinionin dhe sigurinë publike të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Çmontimi me spektakël i këtyre kamerave nga policia e shtetit shqiptar, i vonuar dhe qesharak, tregon pasigurinë në të cilën jetojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. I turpshëm ky reagim i shtetit pas që krimi mbaroi hesapet e tij. Shteti ka tradhëtuar besimin dhe detyrimin ndaj qytetarëve shqiptarë.

Kamerat e paligjshme regjistruan eksponentët më të tmerrshëm të botës së krimit që shkaktuan një sagë likujdimesh shpesh dhe të qytetarëve të pafajshëm në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Shteti ka dështuar të ruajë, kontrollojë, sigurojë territorin. Gjithçka ka rënë në duart e mafies. Mafja ka depërtuar në çdo qelizë të shtetit. Shteti dhe qeveria e korruptuar ka bërë një aleancë të fshehtë me tyre. Për nga organizimi dhe funksionimi, mafia duket si shtet dhe shteti ngjason me një mafie të organizuar për mënyrën sesi vjedhin e abuzojnë me qytetarët shqiptarë. Instalimi i kamerave të paligjshme është një rast flagrant i cenimit të sigurisë kombëtare, një skandal i pa precedentë në historinë moderne të shtetit shqiptar. Një shtet anëtar i NATO-s që nuk kontrollon dot territorin, sjell pasoja të rënda për sigurinë e shtetit dhe rajonit. Në Shqipëri strehohen eksponentët më të rrezikshëm të mafies në Ballkan. Shteti ka rënë.

Mafia dixhitale ka shkërmoqur shtetin dixhital. Të gjitha të dhënat e qytetarëve shqiptarë janë në duart e botës së krimit. Asnjëherë më shumë se sot, shqiptarët nuk janë më të rrezikuar nga qeveria që i vjedh, tradhëton, braktis e poshtëron çdo ditë. Askush nuk jep llogari për asgjë. Askush nuk mban asnjë përgjegjësi për skandalet e njëpasnjëshme. Qeveria e Ramës nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë më në detyrë. Me përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin “Charles McGonigal” i vë vulën largimit të menjëhershëm të qeverisë që nuk përfaqëson më asnjë shqiptar. Qeveria Rama është një e keqe kombëtare që duhet larguar menjëherë. Nesër do jetë vonë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA

February 2, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Që nga viti 1991 e këndej, s’ka ditë që shqiptarët të mos e përsërisin refrenin: “aleatët tanë perëndimorë”; “miqtë tanë perëndimorë”; “partnerët tanë strategjikë”. Me kalimin e kohës, ky refren u shndërrua në klishe. Me aleatë, shqiptarët nënkuptojnë ShBA-në dhe fuqitë e tjera të Perëndimit. Refrenet e sipërthëna u përdorën dendur sidomos pas luftës së Kosovës të viteve 1998 dhe 1999. 

Vitet e fundit po shihet se aleatët tanë perëndimorë nuk na dalin zot sa duhet, nuk na përfillin si dikur. Mbase janë të zhgënjyer me shqiptarët. Ata çdo vit hartojnë raporte për Shqipërinë dhe për Kosovën. Shqiptarët ndërkaq, raportet e tilla nuk i marrin me seriozitet. 

Ka kohë që aleatët tanë perëndimorë janë bërë aletë të Serbisë. Ç’paradoks! Bota demokratike, në miqësi me një Serbi fashiste. Një gjë e tillë rrallë ka ndodhur në histori. 

Në Konferencën e Ambasadorëve (1912-1913), gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia, me vendimet që morën, më tepër se gjysmën e shqiptarëve i lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare. Nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër – siç u shpreh shtypi i kohës – shkëputën krahinat më pjellore dhe që kishin qenë vatra të Lëvizjes Kombëtare”. Kundër shqiptarëve në këtë konferencë ishin: Rusia, Franca dhe Anglia. Gjermania fare nuk çau kokën për shqiptarët.

Fuqitë e Mëdha evropiane nuk e njohën qeverinë e Ismail Qemal Vlorës (1844-1919). Në tetor të vitit 1913 caktuan në krye të shtetit shqiptar princin gjerman nga një familje protestante – Vilhelm Vidin (Wilhelm Wied, 1876-1945). Ky erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914. 

I bindur se e vetmja rrugë për t’u dhënë fund çrregullimeve dhe anarkisë në vend ishte krijimi i një qeverie të vetme për gjithë Shqipërinë, më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqje, duke ia kaluar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Me këtë akt u shënua edhe rënia e qeverisë së tij, që ishte krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 4 dhjetor 1912. Argumentet historike, politike dhe gjeografike të tij në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, Evropa nuk i përfilli. Megjithëkëtë, këtij burri të shtetit, historia i dha të drejtë. Paqja në Ballkan nuk mund të rivendosej duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. 

A po përsëritet sot historia në rastin e Kosovës?! A po e flijojnë sot Kosovën, miqtë tanë perëndimorë?! 

*   *   *

Ka kohë që miqtë tanë perëndimorë e kanë shpërfillur çështjen e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës.

Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944- ) ka qenë kancelar në vitet 1998-2005. Është i pari kancelar gjerman që ka miratuar vendimin për ndërhyrjen e forcave ushtarake gjermane në operacionet luftarake jashtë vendit. Me fjalë të tjera, kur ky ishte kancelar, forcat ushtarake gjermane, në kuadër të NATO-s, morën pjesë në ndërhyrjen ushtarake kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Më pas ky u bë i afërt me Vladimir Putinin (1952- ). Në vitet 2016 dhe 2017 ka qenë katër herë Beograd ku është pritur nga kryeministri, përkatësisht kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Është ndër shtetarët e rrallë, në mos i vetëm që e viziton Beogradin, ndonëse ka marrë vendim për ndërhyrjen kundër makinerisë vrastare serbe. Kjo tregon se qëndrimi i tij ndaj Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht. Në kohën e tij, çështja e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës nuk bëri asnjë hap para.

Pas Shrederit, në krye të Gjermanisë vjen kancelarja Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 1954- ). Kjo qëndroi në krye të Gjermanisë gjashtëmbëdhjetë vjet. Edhe kjo, mu si paraardhësi i saj, ishte e afërt me Moskën, me Putinin. Afrinë me Moskën e arsyetonte me çmimin e volitshëm të gazit natyror rus. Edhe gjatë qeverisjes së saj, çështja e rrumbullakimit të Kosovës fare nuk lëvizi nga vendi. Nën ndikimin e Putinit, Merkeli për Kosovën mbështeste një zgjidhje kompromisi me Serbinë. 

Barak Obama (Barack Hussein Obama, 1961- ) në krye të ShBA-së ka qenë dy mandate. Edhe në kohën e tij, puna e Kosovës nuk u mbyll. Në kohën e presidencës së tij, sekretare e Shtetit ishte Hilari Klinton (Hillary Diane Rodham Clnton, 1954- ). Me një fjalë, Obama për Kosovën s’ndërmori dot gjë. 

Zgjidhje përfundimtare s’i dha Kosovës as presidenti Donald Tramp (Donald John Tramp, 1946- ). Duhet thënë se në kohën e tij, Kosova e formoi shtrinë e vet.

Presidenti i përtashëm i ShBA-së Xho Bajden (Joseph Robinette Biden, Jr. 1942- ) njihej si mik i shqiptarëve. Por, gjatë mandatit të tij të deritashëm, punën e Kosovës mundohet ta zgjidhë me njëfarë kompromisi, thellësisht në dëm të shqiptarëve. 

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) ngul këmbë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që s’është gjë tjetër përpos shtet brenda shtetit. Përpos anglishtes, Eskobari flet edhe spanjisht, rusisht, serbisht, kroatisht, çekisht, portugalisht. 

Nga sa më sipër rezulton se vitet e fundit Kosova fare s’ka qenë në agjendën e miqve perëndimorë. Përveç kësaj, duhet shtuar se vitet e fundit Fuqitë perëndimore si Gjermania, Franca, Austria, Italia, ShBA-ja etj. kanë investuar me të madhe në Serbi. Bëhet fjalë për miliarda euro, për hapjen e dhjetëra mijë vendeve pune. 

Ç’paradoks?! Fuqitë perëndimore investojnë në një Serbi fashiste të udhëhequr nga kriminelët si Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi (1966- ).      

*   *   *

Shumë analistë shqiptarë në shkrimet e veta e kanë demaskuar dhe e kanë stigmatizuar politikën destabilizuese, destruktive, luftënxitëse, antidemokratike, antihistorike,  retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste dhe fashiste të Beogradit dhe të Vuçiqit në rajon, e në veçanti ndaj Kosovës. Është për t’u habitur sesi në qendrat perëndimore shkrimet e tilla kanë hasur në Vox clamantis in deserto.     

*   *   *

Ka kohë që perëndimorët po e ledhatojnë Serbinë. A thua pse?! Mbase për arsye se në vitin 1999 ndërhynë ushtarakisht kundër makinerisë vrastare të saj dhe tani sikur duan të tregojnë se nuk janë kundër popullit serb. S’ka dyshim se perëndimorët duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e interesit dhe nga sfera ruse e ndikimit për ta futur në zonën perëndimore të interesit dhe në sferën perëndimore të ndikimit. Dhe ky kalkulim ka një çmim. Po del se ky çmim duhet të jetë Kosova. Për ta kënaqur Serbinë dhe Vuçiqin, duhet ta shkelim mbi interesat jetikë të Kosovës. Investimet në Serbi, mbase janë interes ekonomik i ndërmarrjeve perëndimore. Por, të njëjtin interes ndërmarrjet gjermane mund ta realizojnë duke investuar në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër të rajonit. Perëndimorët duan ta bëjnë për vete Serbinë ndoshta edhe për shkak të pozitës gjeografike të saj. 

Fuqitë perëndimore të cilat ngulin këmbë që Beogradi t’i vërë sanksione Rusisë, janë fuqi filoserbe. Edhe kjo e ka një çmim në dëm të Kosovës: “Ti Serbi, vëri sanksione Rusisë, ndërsa ne do të të shpërblejmë në raport me Kosovën”.     

 Kosova e dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe e mbështeti atë në forma të ndryshme. Megjithëkëtë, qendrat perëndimore fare s’e përfillin një përcaktim të tillë të shqiptarëve në shkallë kombi. 

Në anën tjetër, Serbia edhe pse është i vetmi shtet në Evropë që nuk i vuri sanksione Rusisë, ajo favorizohet, përkëdhelet, ledhatohet, mbështetet, privilegjohet nga Fuqitë perëndimore.

Çfarë absurditeti?! E dhimbshme dhe e turpshme. 

Në vend që ta mbështesin për muri Serbinë dhe Vuçiqin, ata ushtrojnë trysni mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin (1975- ) dhe tentojnë ta izolojnë atë, ta anashkalojnë apo ta shpërfillin. Ky veprim i aleatëve tanë perëndimorë është jodemokratik për arsye se ai e ka mandatin e shumicës së popullit të Kosovës. Diplomati perëndimor që thotë se do ta bëjmë asociacionin pa Kurtin, ai shkel parimet demokratike themelore mbi të cilat funksionon  Bashkimi Evropian.   

Evropë! Nuk ndërhyn Albin Kurti në punët e Serbisë. Është Vuçiqi ai që ndërhyn në punët e Kosovës. Kurti nuk e destabilizon Serbinë. Është Vuçiqi ai që synon ta destabilizojë Kosovën, madje edhe tërë rajonin. Nuk ka qenë Vuçiqi i burgosur në burgjet e Kosovës. Ka qenë Kurti i mbyllur në zandanët e xhandarëve serbë. Për qytetarët e saj, Kosova është një çështje jetike, për Serbinë ndërkaq, nuk është veçse interes kolonialist. 

*   *   *

Ka kohë që në ShBA vepron lobi serb. Nuk dihet saktë përse kohët e fundit Uashingtoni e çon mirë me Beogradin dhe me Vuçiqin. Nuk mund të besohet se kjo ndërlidhet me zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Kandidati demokrat, Xho Bajdeni apo ndonjë tjetër, duke e çuar mirë me Beogradin mbase dëshiron t’i sigurojë votat e serbëve të atjeshëm, ndonëse nuk kemi të bëjmë me ndonjë numër të madh serbësh në Amerikë. 

Ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) është mjaft i angazhuar rreth “çështjes” së Kosovës. Sipas tij, së pari u dashka të formohet bashkësia e komunave serbe, pastaj të shqyrtohen çështjet e tjera. Ai shton se marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Serbisë do të forcohen akoma më shumë. 

*   *   *

Fuqitë e mëdha kanë interesa perandorake. Ato nuk janë mik vetëm me ty. Ata synojnë të lidhin miqësi me tërë botën. Herë-herë, edhe me shtetet jodemokratike, për të mos thënë tiranike, despotike dhe autokratike. 

Një Fuqi e Madhe mund t’i thotë Serbisë të inskenojë trazira në veri të Kosovës, për t’ia bërë me dije Kurit se pa ne nuk mund të përballesh me Serbinë. Ka të ngjarë që një skenar i tillë të ketë ndodhur edhe me rastin e bllokimit të rrugëve para do kohe. 

Politika e sotme e Fuqive të Evropës s’ka sesi mos të ta përkujtojë politikën antishqiptare të tyre të kohës së Kongresit të Berlinit (1878) dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913). Atëherë, shqiptarët i quanin mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, duhet t’i lëmë pa shtet ose me një gjysmë shteti. 

Për katër për qind serbë të Kosovës, është ngritur në këmbë i tërë Perëndimi, me gjithë atë Amerikë në krye. Atëherë shtrohet pyetja: Përse ndërhynë Fuqitë perëndimore në vitin 1999?! Për të krijuar brenda Kosovës shtet brenda shtetit?! Nuk duhet besuar se ka politikan në Kosovë që do ta nënshkruante njëfarë dokumenti që parashikon krijimin e shtetit brenda shtetit. Të tillat nënshkrime, historia nuk do t’i falte. Gjunjëzimin e Kosovës para synimeve të shfrenuara serbe historia nuk do t’ia falte as Tiranës, as inteligjencies së Shqipërisë, as të ashtuquajturës klasë politike të Shqipërisë. 

Këto farë projektstatute që parashikohen për Kosovën janë katërçipërisht në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Një shtet brenda shtetit të formës së këtillë nuk e kanë pritur as serbët, as Vuçiqi. Këtë farë projekti për themelimin e shtetit brenda shtetit nuk do t’ia kishin bërë Kosovës as edhe armiqtë historikë të shqiptarëve. Me këtë farë projekti të shtetit brenda shtetit ngadhënjyes i shumëfishtë po del kryekrimineli Vuçiq dhe Serbia fashiste. Me shtetin brenda shtetit, fitues i padiskutueshëm po del Vladimir Vladimiroviç Putini. 

Çfarë paradoksi?! Në një anë, ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Serbia ushtron gjenocid të heshtur, në anën tjetër për serbët e Kosovës parashikohet krijimi i shtetit brenda shtetit, përkundër faktit se i gëzojnë të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta të BE-së. Atëherë, nga kjo rezulton se BE-ja nuk u besuaka vlerave dhe parimeve të veta. 

Ky brez i politikanëve të BE-së nuk e njeh sa duhet historinë e Ballkanit, sidomos ideologjinë dhe politikën serbomadhe të dyqind vjetëve të fundit. 

Një ditë s’kanë për të qenë në skenën politike, as Gabriel Eskobari, as diplomati sllovak i cili vjen nga një shtet që s’e ka njohur Kosovën, Mirosllav Lajçak (1963- ), as politikani spanjoll, me kombësi argjentinase dhe spanjolle, i cili po ashtu vjen nga një shtet që s’e njeh Kosovën,  Josep Borel (Josep Borrell, 1947- ). Kosova ndërkaq, kjo digë që mbron shqiptarinë, do të qëndrojë ndër shekuj. 

Shqiptarët properëndimorë, përballë Serbisë bizantine dhe proruse. Fitues po na dalin, madje me ndihmën e perëndimorëve, serbët prorusë. Të mos pandehin Fuqitë perëndimore se Serbia do të heqë dorë nga vëllai i madh – Rusia. Ata i lidh përkatësia familjes sllave, i lidh edhe bolshevizmi. 

Gjithë kjo zhurmë për një grusht serbësh. Në Maqedoni jetojnë mbi 30% shqiptarë. Po sikur këta të kërkojnë një entitet shqiptar?! Jo, Fuqitë perëndimore kërkojnë prej tyre të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. A s’e shohin BE-ja dhe Uashingtoni se mbartës i shtetësisë në Maqedoni është një popull me identitet të diskutueshëm, përballë shqiptarëve që s’kanë në dorë pothuajse asgjë konkrete.               

*   *   *

Në një kohë kur vendoset për çështje historike që ndërlidhen me Kosovën, politikanët e Shqipërisë – Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama kacafyten ndër vete. Sikur në Kosovë nuk ndodh asgjë. Puna e Kosovës u intereson atyre vetëm kalimthi. E dhimbshme, e turpshme. Shqipëria duhet t’i japë Kosovës mbështetje morale, politike dhe diplomatike. Po këtë duhet ta bëjë edhe inteligjencia e Shqipërisë, institucionet shkencore më të larta të kombit. Një letargji e këtillë, një moskokëçarje si kjo, s’është parë askund në histori. Indolencë dhe indiferencë e pafalshme. 

Është detyrë e Perëndimit të mbështesë Kosovën demokratike, ku ka rend dhe rregull si në asnjë vend tjetër të rajonit, ku luftohet korrupsioni, ku ndërtohet suksesshëm shteti ligjor, shteti i së drejtës. S’paskan mundur Fuqitë perëndimore t’i bindin pesë shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës!! Gjepura. S’paskan mundur Brukseli dhe Uashingtoni për ta pranuar Kosovën në BE dhe në NATO!!  

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT