• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dom Fran Kola përkujtoi me nderim patriotin dhe shqiptarin e madh Zef Balaj

January 18, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 18 Janar 2023 – U kujtua me nderim e respekt patrioti i madh Zef Balaj. Dom Fran Kola u takua me familjen Balaj, bashkëshorten Linën, djemtë Davidi e Jozefi ku u përcolli fjalët e shpirtit për kujtimin e një patrioti, kontributori e shqiptari të madh si Zef Balaj. “Ta kujtoni me nderim të veçantë Zef Balajn, njeriun që ia kushtoi jetën e veprën e tij në shërbim të Atdheut, komunitetit e çështjes kombëtare. Zefi ishte burrë fisnik, një kontributor i madh, një burrë i urtë, veprimtar i shquar, një shqiptar që asnjëherë nuk u ndal duke bërë mirë. Zoti e pastë në mbretërinë e tij këtë shqiptar të nderuar e të respektuar” tha në fjalën e tij Dom Fran Kola. Familja Balaj shprehu mirënjohjen dhe falenderimin për këtë përkujtim si vlerësim ndaj rolit, kontributit e jetës së Zef Balajt për kombin e komunitetin. Në këtë përkujtim morën pjesë vatranë e patriotë që nderuan veprën dhe jetën e Zef Balës, Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj, ish-kryetari Dritan Mishto, vatranët Anton Raja e Petrit Doda. Nën mikpritjen dhe përkujdesjen e veçantë të Anton Rajës, vizitën Dom Fran Kola e vazhdoi në Vatër ku u zhvillua një bisedë e ngrohtë rreth kontributit të Federatës Vatra në çështjen kombëtare sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

Mbi përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

January 17, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 17 janar 1468, u nda nga jeta Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar, kalorës i kredos evropiane, i cili i la botës si dëshmi për më shumë se pesë shekuj, që një njeri i vetëm, i frymëzuar dhe i mbështetur nga një popull guximtar dhe liberator mund të ndryshojë rrjedhën e historisë jo vetëm të një kombi por të mbarë qytetërimit perëndimor.

Gjergj Kastrioti, të cilit iu dha nga Porta e Lartë emri Skënderbej, pra Skënder, Aleksandër nga Aleksandri i Madh, ishte një personalitet i rëndësishëm jo vetëm për fatin e Arbërisë por edhe të Evropës.

Otomanët ishin në kulmin e fuqisë së tyre, të afta për të depërtuar në zemër të Evropës e madje kishin për qëllim rrëzimin e papatit, pushtimin e Romës, si zemra e Evropës, dhe kthimin e kontinentit në fenë islame, por gjatë fushatave të tyre ushtarake pushtuese në Ballkan pësuan humbje nga ushtria e arbërve me në krye Gjergj Kastriotin, duke mos i lejuar të avanconin e të përmbushnin misionin e tyre.

Falë Gjergj Kastriotit, Evropa ruajti identitetin, kulturën dhe besimin e krishterë. Ndaj edhe Selia e Shenjtë në Vatikan vazhdon t’i referohet heroit tonë si një hero të Europës i cili e bashkoi perëndimin.

Mbi këtë vlerë papët, të gjithë pa përjashtim, e kanë konsideruar e titulluar Skënderbeun si “Defensor Fidei” (Mbrojtës i besimit), si një Athleta Christi (Atlet i Krishtit), si një simbol që bashkoi besimtarët europianë.

Papa Piu e ngriti Skënderbeun në piedestal pesë shekuj më parë, dhe 50 vjet më parë Papa Pavli i gjashtë e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Europa. Së fundmi edhe Papa Francesku iu referuar Skënderbeut si mbrojtës i kredos së Krishterë dhe Atlet i Krishtit.

Statujat dhe monumentet e heroit tonë gjenden anëembarë botës, dhe ai gjendet në libra dhe në literaturën e huaj.

Libra mbi princin shqiptar filluan të shfaqen në Evropën Perëndimore në fillim të shekullit 16-të. Ai përmendet nga pena e viganëve të letërsisë. Voltaire e nis kapitullin e tij “Marrja e Konstandinopojës” me frazën : “Sikur Perandorët grek të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.”

Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive të shekullit 18-të, Skënderbeu i autorit britanik, William Havard, një tragjedi e vitit 1733, pastaj George Lillo, Heroi i krishterë (1735), dhe Skënderbeu i Thomas Whincop, Ose, Dashuria dhe Liria, (1747).

Një numër poetësh dhe kompozitorësh gjithashtu u frymëzuan nga karriera e tij ushtarake. Poeti francez i shekullit 17-të, Ronsard shkroi një poemë rreth tij, ashtu si edhe poeti amerikan i shekullit të 19-të, Henry Wadsworth Longfellow.

Në vitin 1855, Camille Paganel shkroi Histoire de Scanderbeg.

Edhe kompozitori italian Antonio Vivaldi shkroi një operë me titull Skënderbeu (interpretuar më 1718). Një tjetër operë me titull Skënderbeu ishte edhe ajo e kompozitorit francez të shekullit 18-të, François Francœur (interpretuar më 1763).

Gjatë më shumë se pesë shekujve të pushtimit otoman në Shqipëri figura e Gjergj Kastriotit u fshi tërësisht në mënyrë të qëllimshme nga kujtesa jonë kombëtare për të ndalur vetëdijen e zgjimit dhe kryengritjes për pavarësi. Por, arbëreshët në Itali, pasardhësit e Skënderbeut, luftëtarëve dhe ndjekësve të tij, në veçanti Jeronin de Rada, e rikthyen figurën e Gjergj Kastriotit. Arbëreshët jo vetëm që mbajtën gjallë prej shekujsh gjuhën, ritet, kulturën, historinë, fjalët Arbër e Arbëri, por ndezën flakën e rizgjimit kombëtar.

Heroi ynë, kjo figurë përbashkuese u bë simbol i rilindasve të cilët nisën rrugëtimin e Shqipërisë për pavarësi. Duke bërë kështu që figura e tij të ishte sërish guri i themelit për fatin e kombit shqiptar që arriti pavarësinë në 1912.

Gjergj Kastrioti nuk ishte thjesht një mit legjendash, ai ishte një hero i vërtetë me përmasa epokale e falë tij, Shqipëria, Evropa dhe të gjitha vendet që kanë luftuar e luftojnë për liri, kanë patur e do kenë një shembull të jashtëzakonshëm heroizmi, vizioni, largpamësie dhe bashkimi të një populli për liri.

Libertatem diu vivere

Filed Under: Opinion Tagged With: bledar kurti

Kosova si boomerang i Serbisë dhe standardet e dyfishta ndërkombëtare

January 16, 2023 by s p

Sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, të shkaktuara nga Serbia, përpos pasojave negative që reflektohen në stabilitetin e vendit, ato e kanë edhe një anë të mirë: përmes këtyre krizave gjithnjë e më tepër po zbulohet dhe del në pah fytyra e vërtetë e një politike hegjemoniste serbe e cila Kosovën po vazhdon ta përdorë si laborator i projekteve të të ashtuquajturës “bota serbe”. Pra sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, i cili është një njohës i shkëlqyer i historisë së Ballkanit, ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmitt, kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE-ja mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.

Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Ai theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.

Në po të njejtat valë është edhe eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, i cili duke komentuar incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe plagosjen e dy të rinjëve serbë afër Shtërpcës, në një prononcim për gazetën gjermane Bild, ka kondstuatuar se ato mund të mos jenë të fundit.

Clewing është shprehur se “konfliktet e dhunshme lokale në veri të Kosovës janë veçanërisht të pritshme”, ndërsa ka shtuar se “zhvillimet janë ‘krejtësisht të hapura’ dhe përveç luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ‘pothuajse gjithçka është e mundshme’”.

Jo pak media serioze ndërkombëtare me të drejtë kanë vërejtur se veprimet destruktive të Beogradit nuk do të kishin mundur të kenë shtrirje në Kosovë, nëse diplomacia ndërkomnbëtare do të tregohej më rigoroze ndaj Vuçiqit. Për rrjedhojë edhe media prestigjioze amerikan, Bloomberg, në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, ndër të tjera shkruan se SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë

“Më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit sërish është në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftës që mund të tërheq Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, shkruan bloomberg.

Më tej në analizë thuhet se “me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim fatal”.

Emërues i përbashkët i analizave dhe studimeve që po bëhen kohët e fundit mbi raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht mbi rolin aspak konstruktiv të Beogradit në kontekst të tejkalimit të problemeve, është gjithsesi një qasje pak a shumë më objektive që jo me çdo kusht vendos simetri të fajit dhe përgjegjësisë, siç ishte vërejtur në të kaluarën kur Kosova fajësohej njësoj si Serbia për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Madje Greg Delawie, ish-ambasador i SHBA-ve në Kosovë në një prononcim për mediat tha shprehimisht se BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj

“BE-ja mund ta zgjidhë problemin, por ajo duhet të heqë dorë nga zakoni i saj i ‘bothsides-ism’ që i trajton masat serbe si grumbullimi i forcave ushtarake përgjatë kufirit të Kosovës në të njëjtën kategori si Kosova që kërkon targa të ligjshme për makinat brenda territorit të saj”.

Sigurisht që këto qëndrime ndërkombëtare nuk kanë mbetur pa u reflektuar edhe në Beograd, ku mediat e atjeshme po transmetojnë deklarata të ndryshme në të cilat del në sipërfaqe njëfarë zhgënjimi nga politikat e Vuçiqit ndaj Kosovës.

Nëse presidenti, Aleksandër Vuçiç, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, nuk do të kalojë pa pasoja të rënda për qytetarët e Serbisë. Sipas Sreçko Gjukiq, një ish-diplomat, disa skenarë janë në lojë. – Njëri, më i favorshmi, të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestuar për anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Megjithatë, kjo është me të vërtetë e pamundur sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për të legjitimuar Kosovën në organizatën botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiç. Së dyti, shton ai, në rast se negociatat dështojnë, padyshim se do të ishte sërish faji i Beogradit, do të fajësohet se nuk është bashkëpunues, historia nga Rambujeja po përsëritet.

Nga ana tjetër Goran Miletiç, drejtor programi i Civil Rights Defenders, thotë për gazetën e pavarur “Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative.

Kur jemi te pasojat, tani në Beograd mediat e pavarura haptazi shkruajnë se Serbia ndodhet në një pozicion shumë të vështirë. Duhet të zgjedhë mes Rusisë, ose Perëndimit. Nëse nuk e zgjedh anën e duhur , Brukseli mund të pezullojë dhënien e ndihmës financiare, e cila do të ishte fundi i investimeve të ardhshme dhe të mëparshme. Dhe mund të jetë shumë më keq: fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili është i mundur që nga viti 2009, dhe mund të ketë një pezullim të asistencës së madhe para anëtarësimit të BE-së nga fondet IPA, si dhe heqjen të statusit kandidat.

Për rrjedhojë, destabilizimi i Kosovës nga Serbia e ka edhe një anë të mirë dhe kjo e mirë është në duart e vet kosovarëve, nëse dijnë ta kanalizojnë drejt diskursin publik që do ta nxirte Serbinë lakuriq para syve të botës me veprimet e saj destruktive kundrejt shtetit tonë.

Prishtinë, 16.01.2023

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Prishtina

Kryeministri Kurti: Ambasadori Walker, duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës

January 14, 2023 by s p

Pejë, 14 janar 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e nderimit të Ambasadorit William Walker me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti “Haxhi Zeka”:

I nderuar ambasador William Walker, mik i madh i Kosovës,

E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar ministra të tjerë të Qeverisë së Republikës, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari dhe Armend Mehaj,

I nderuari rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, z. Armand Krasniqi,

Të nderuar rektorë e profesorë të universiteteve të tjera,  

I nderuari kryetar i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ju kryetarë të komunave të tjera, të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe të Shtimes, Qemajl Aliu,

I nderuar Kryetar i Komisionit parlamentar për arsim, Ardian Gola,

I nderuari deputet i Kuvendit, Bexhet Pacolli,

Shumë të nderuar studentë, përfaqësues të misioneve diplomatike, punonjës të Universitetit e të administratës,

E nderuara zëvendësambasadore Alyson Grunder,

Zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm,

Në kohëra të vështira historike, njësoj siç në periudha krizash personale, një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm. Madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë, janë pikërisht kohërat e vështira ato që mund t’ua sjellin një të tillë. Në botën e traditave shqiptare, miku i shtëpisë është një figurë tejet e respektuar, e cila nderohet deri në paprekshmëri, sipas kodeve tona zakonore shqiptare të mikpritjes, që është vlerë e theksuar e jona. Sot jemi mbledhur pra këtu në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit të saj: diplomatin amerikan William Walker.  

Zotëri William Graham Walker është vërtet një mik i popullit të Kosovës, sepse mes njerëzve të vendit tonë, janë të pakët qytetarët e huaj që janë kaq gjerësisht të njohur dhe kaq unanimisht të vlerësuar sikurse zotëri Walker. Në këtë pikë, dua të them veçanërisht, që ambasadori Walker është dhe miku im, që nga koha e luftës kur jemi takuar për herë të parë dhe jemi njohur në Prishtinë dhe deri sot kur po ritakohemi sërish këtu në Pejë.  

Më 1998, ambasadori William Walker erdhi në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin. Për qytetarët e Kosovës atë kohë aq shumë i mirëseardhur, ky mision ishte lehtësisht i identifikueshëm nga veturat me ngjyrë portokalli me të cilat lëviznin të 700 anëtarët e këtij misioni verifikues.   

Në mediat ndërkombëtare atë kohë, Kosova ende prezantohej si një provincë e Serbisë, ku në njërën anë ishin forcat e armatosura policore dhe ushtarake serbe të regjimit të Millosheviqit, kurse në anën tjetër vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ushtri ishte krijuar si një lëvizje e armatosur guerile, nga populli shqiptar i Kosovës, i cili që nga viti 1945, ishte mbajtur dhunshëm nga Serbia nën Jugosllavinë e dytë, si komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Qëllimi i UÇK-së atëbotë ishte të luftonte forcat jugosllave deri në çlirimin e Kosovës, çfarë edhe u arrit në qershor të vitit 1999. Por në fillet e saj, duke qenë jo shumë e njohur për qëllimet dhe teknikat e saj, UÇK-ja ishte klasifikuar si ekstremiste e madje edhe terroriste. Do të ishte pikërisht Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së, ai që me raportimet e tij nga terreni për veprimet luftarake, lëvizjet e popullsisë dhe zhvillimet e tjera në Kosovë, do të ndihmonte në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për UÇK-në, çfarë i siguroi asaj ndihmë nga NATO.  

Kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej nga politikat nacionaliste shoviniste të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, pasi ndezi luftërat me mijëra viktima në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, radha i erdhi siç e dimë dhe Kosovës. Mbi 60 mijë forca të armatosura të Serbisë, ndërmorën operacione policore dhe ushtarake ndaj shqiptarëve të Kosovës, me qëllim të spastrimit etnik të saj, duke përdorur teknika gjenocidale. Mes viteve 1997 – 1999, mbi 13.500 njerëz u vranë, rreth 20.000 gra e vajza u dhunuan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë të vrarë, mbi 1100 sosh, teksa mbi 860 mijë të tjerë, qytetarë të vendit tonë u dëbuan jashtë Kosovës, kurse mbi gjysmë milioni u zhvendosën brenda saj, teksa qindra fshatra të tëra e lagje qytetesh u dogjën dhe pasuritë e tyre paraprakisht u plaçkitën.  

Duke synuar shpartallimin dhe shpërbërjen e plotë të njësive të UÇK-së, me qëllim për t’u hakmarrë ndaj ushtarëve të saj, në janar të vitit 1999, policia e Serbisë e rrethoi fshatin Reçak të Shtimes, me justifikimin se po kërkonin “terroristët” shqiptarë. Ata nuk i lejuan verifikuesit e OSBE-së të hyjnë në fshat. Në mëngjesin e 15 janarit 1999, forcat e Serbisë vranë plot 45 civilë shqiptarë në Reçak, duke i lënë trupat e tyre në një luginë mes maliit. Kur kreu i Misionit Verifikues në Kosovë, William Walker arriti të hynte në Reçak, ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë të këtij fshati, nga forcat serbe. Mes trupave të masakruar të këtyre 45 banorëve të fhsatit e përballë gazetarëve, William Walker deklaroi: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit.” Ky ishte mesazh i qartë dhe shumë i fuqishëm nga një ambasador i OSBE-së, për gjithë publikun dhe komunitetin ndërkombëtar. Asgjë nuk e ka ndryshuar më shumë rrjedhën e ngjarjeve të luftës në Kosovë, se sa jehona e maskarës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, mësuar ashtu siç ishte raportuar për të nga ambasadori Walker.  

Po atë mbrëmje, në një konferencë për media në selinë e verifikuesve në Prishtinë, William Walker deklaroi para gazetarëve të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, duke thënë: “Nuk kam fjalë për ta përshkruar mllefin tim personal … para një pamje që mund të përshkruhet si krim i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam avokat, nga ajo që unë pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj krimin si masakër, krim kundër njerëzimit. Gjithashtu nuk hezitoj t’i akuzoj forcat qeveritare të sigurimit për përgjegjësinë.”  

Ambasadori Walker para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës. E duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Këto deklarata të ambasadorit William Walker, ishin denoncime zyrtare të tij në emër të Misionit Verifikues në Kosovë të OSBE-së, ndaj forcave dhe autoriteteve serbe që po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Këto raportime të ambasadorit Walker e ndryshuan diskursin dhe kursin ndërkombëtar ndaj luftës që po zhvillohej në vendin tonë. Presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton, reagoi menjëherë duke dënuar vrasjet e 45 shqiptarëve në Reçak nga forcat serbe, teksa u kujdes që trupat e NATO-s të ishin të gatshme për veprim. Dy muaj më pas, më 24 mars 1999, avionët e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve në Jugosllavi, që solli çlirimin e Kosovës në qershor të atij viti.  

Andaj nga këtu e përballë jush, më lejoni të ju drejtohem personalisht: faleminderit zotëri William Walker!

Ne shqiptarët nuk do t’ua harrojmë asnjëherë atë çfarë keni bërë për Kosovën dhe historia e popullit tonë tashmë e ka rezervuar një vend të veçantë të Kosovës për emrin tuaj dhe për rolin e kontributin e punës tuaj.  

Atë kohë, Serbia e Millosheviqit u pat munduar ta mbulojë krimin e saj në Reçak duke e falsifikuar narracionin për të. Por fatmirësisht, masakra e Reçakut është e dëshmuar nga filmimet e mediave edhe ndërkombëtare, nga dhjetëra dëshmitarë okularë të mbijetuar dhe nga Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së. Më pas edhe ne pamë të vërtetën, të cilën na e kumtoi së pari ambasadori William Walker. Në bazë të këtyre dëshmive, intervistimit të 63 dëshmitarëve dhe provave të Tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për 18 persona serbë që dyshohen se ishin të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut më 15 janar 1999. 

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ne ndamë mjetet për financimin e botimit të librit të shkruar nga ambasadori Walker për masakrën e Reçakut, i cili padyshim që do të jetë një dëshmi e shkruar me shumë vlerë për historinë e kësaj masakre dhe të luftës në Kosovë. Për këtë ju falënderoj përzemërsisht dhe mezi pres ta lexoj këtë libër dhe ta shpërndaj edhe te ata të cilët ende nuk e njohin plotësisht rastin e masakrës së Reçakut.  

Në këtë 24- vjetor të masakrës së Reçakut, duke kujtuar 45 viktimat e masakruara nga forcat serbe, më vjen mirë të shoh që ambasadori Walker është ende në shëndet të mirë, se do të vazhdojë dëshmimin e tij për këtë masakër edhe në të ardhmën. Duke ju uruar për titullin “Doctor Honoris Causa” të cilin po e merrni sot nga Universiteti “Haxhi Zeka” këtu në Pejë, më lejoni që bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, edhe një herë të ju falënderoj e t’u jem mirënjohës për rolin tuaj korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Filed Under: Opinion

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër”

January 14, 2023 by s p

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër” Një fjali e thjeshtë, thënë thjesht, që, besojmë se e ka çdo shqiptar si ‘credo’ brenda vetes, por dhe populli na mëson se fjala peshon aq sa ai që thotë… Kur kjo thënie na vjen nga një grua, madje nga gruaja më e njohur e planet, jo vetëm kaq, por që është dhe shenjte, çdo fjalë aty shkëlqen si e gdhendur në mermer, shndërrohet në porosi, në detyrë, në mision.

Nga Visar Zhiti

Prandaj dhe këtë thënie, me fuqinë e proverbit dhe të urdhëresës, Don Lush Gjergji e bëri titull libri, që jo shumë kohë më parë doli në Prishtinë dhe para disa ditësh u botua dhe në anglisht dhe ne këtu kemi dhe librin dhe autorin tani, mes nesh. Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë etj., letërsi artistike, poezi e romane, deri edhe drama e filma, etj., dalin kudo, qe Vatikani, ku është Selia e Shenjtë e në Itali, në Ballkan, në Francë dhe Angli, në Gjermani etj., në të gjithë Europën dhe përtej oqeanit në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, në Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të Krishtit në ndihmë të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj edhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, “Nobelin për Paqe”, por ende më lart, atë të Selisë së Shenjtë, e shpallur shenjtore në shekullin XXI, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjtën tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe kudo, në Shqipëri e në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, të atin nga Prizreni e nënën nga Gjakova, kur tani Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm, janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes sonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë…

Ky libër u përurua së pari në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës, që mban emrin “Nënë Tereza”, unë fola dhe atje, dhe po përurojmë botimin anglisht këtu në Miçigan, pas ditës së Shën Gjergjit që është dita botërore e Librit, sepse atij si çlirimtar një vajzë spanjolle i dhuroi një libër, ndërkohë në 23 prill kanë lindur dhe Shekspiri, Servantesi… jemi në kishën e “Pajtores së Shqiptarëve”, Zojës së Shkodrës, të Këshillit të Mirë, që Nënë Tereza e adhuronte dhe e kishte frymëzuesen dhe mbrojtësen e saj. 555 vjet më parë ajo kishte ikur nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtimit otoman, shkoi në Genacano të Italisë, që t’i kujtonte Europës popullin martir shqiptar… Kjo qendër kulturore këtu mban emrin “Nëne Tereza” dhe shenjtja jonë shpërndan vërtet vazhdimisht besim dhe kulturë.

Institucioni i Bisedës: I HOLD THA ALBANIA PEOPLE IN MY THE HEART është dhe mesazhi kryesor i librit. Autori bën një qasje ende më të afërt duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë, tani dhe në gjuhën e punës së Nënë Terezës, anglisht. Çështje nga më të larmishmet, flitet për familjen dhe varfërinë, dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tonë dhe Krishtin dhe shkojnë lart, nga toka në Qiell.

Pra, skena janë toka dhe qielli dhe personazhet: Shenjtja dhe meshtari. Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptarët e hershëm dhe që duhet rikthyer me atë dinjitet në kuvende e parlamente.

Papa Françesku porosit që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do njohim më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku. Dhe ky libër është një takim e bëhet shkak takimesh të tjera me ikonë Shenjten moderne të shekullit XX, ku mes gëlimeve të ndjesive sa tokësore, por me hirin e Hyut, përthuket dhe meraku ndaj atdheut dhe vendlindjes: me popullin shqiptar në zemër, duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, ku ke lindur dhe je, njëri tjetrin, të çdo race dhe besimi dhe së bashku përparoni… Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Misionarja e përkushtuar na shfaqet njësoj kudo, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në metropole, në emër të të varfërve dhe vetëm për ta, në kriza sociale dhe në luftë, ku shkonte Nënë Tereza, ndërpriteshin luftërat.

Nga plagët tek yjet, kam thënë. Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që përmbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigjja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo… Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime… Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan ungjillor,

– u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, ngaqë, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Sundimtarët e Shqipërisë nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike nuk duhet të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta në diktaturën komuniste sidomos të klerit katolik, burgosjet, internimet, deri edhe pushkatime, shembja e tempujve të fesë, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipërinë e atëhershme si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë.

Thënë shkurt: burg ose ferr. Dhe duhet të kujtojmë që Nënë Tereza lutej për Shqipërinë, edhe pse nuk futej dot, dhe për Kosovën, ku do të shkonte shpesh, të paktën nja 5 herë na e dëshmon Don Lush Gjergji, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë. Më mbeten sytë te Fjala e shkruar e Nënë Terezës për motrat e saj në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit… Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

TË VAZHDOJMË TË SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonisë së madhe të dhënies se çmimit “Nobel”, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq, ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm. – Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti… Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujtdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”.

Ajo beson te vlera njerëzore dhe barazia para Zotit, vetvetja është e mjaftë. Dhe kur pritej fjala e saj, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje bashkërisht. Mes gazetarëve të shumtë pohoi se: nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit. Ky kumt u përhap në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi, mes telave me gjemba dhe rojave me armë.

-Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë?, – pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në burgun e Spaçit. Dëgjova para se të më arrestonin, në televizorin italian fshehurazi se çmimi “Nobel për Paqe” iu dha një murgeshe shqiptare.

-Vërtet?

-Po, e dëgjova vetë. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë. Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës. Në burg kishim dhe priftërinj. Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe një meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar që shkruante, mbante shënime, projektonte librat e ardhshëm. Ishte Don Lush Gjergji. Dhe jemi së bashku këtu nën mrekullinë e Shenjtes sonë, të gjithë. Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë:

Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja çmimi “Nobel për Paqe”? Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfrit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka…

Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” “Duajeni njëri-tjetrin siç ju do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, ngaqë të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët”. Kështu foli Nënë Tereza.

Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo aty se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj, babain ia helmuan kur u kthye nga Beogradi nga një mbledhje patriotike, ndërkaq ai ndjente dhe se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditshme për atëherë dhe sa e vlefshme për më pas: Kush jeni Ju?

Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”. JAM SHQIPTARE! – tha Nënë Tereza Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit. Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të njëritjetrit.

Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkroi me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpakë, por urtësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”. E noterizuar për përherë.

Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët, historianët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundshme etj.

Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke dhënë kështu mundësinë për t’u botuar herë pas here me shumëçka të grumbulluar ndër vite për Nënën, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes sonë. Dhe erdhi dita që Nënë Tereza të vinte dhe në Shqipëri. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe po binte perandoria komuniste. Vuri lule te varri i nënës dhe tek i motrës pranë. Dhe erdhi prapë e prapë, kur Shqipëria u hap dhe vendosi sistemin demokratik, e lidhur me botën euroatlantike.

Vëllezërit e mi myslimanë, thoshte ajo dhe ashtu siç bekoi projektin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës bektashiane atje, një degë e shëndoshë e së cilës është dhe këtu në Detroit. Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II ashtu si një bijë që pret mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër. Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Shqiptarët, kur udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që shkon në Tiranë me avion, përsëri në atë aeroport duket sikur i mirëpret ajo.

Lutjet e Nënë Terezës për paqe, por vëllazërim mes popujve dhe dashuri mes njerëzve, kanë frymë të përhershme kundër urrejtjes, sidomos sot, që buçet lufta në Ukrainë e vriten të pafajshëm e fëmijët mbeten rrugëve mes bombardimeve. Dhe s’ka si të mos na kujtohet lufta në Kosovë. Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe ishte është kundër çdo lufte dhe kundër çdolloj arme, që nga ato të abortit dhe deri tek ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë, e te pandemitë, që i përhap djalli.

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbërja. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, do të dëshmonte botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi dhe Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Dhe lutja Zotit iu dëgjua.

E lëvizi botën. Dhe ajo përsëriste shpesh: Mësomë të dua, o Zot!… Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe më duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, matanë oqeanit, në SHBA, deri këtu për të përhapur dritën e saj qiellore. Nënë Tereza kishte dhe qytetarinë amerikane ashtu si atë të Vatikanit bashkë me atë italiane e indiane, por kur mori dhe pasaportën shqiptare, diplomatike madje, ishte vërtet e gëzuar.

Po ajo ishte vetë gëzimi i botës, investitore e buzëqeshjeve e quanin, industrialist e dashurisë. Jam një copë lapsi në duart e Zotit, thoshte ajo për veten e saj. E di e gjithë bota tani që ajo është shqiptare, por sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, pyes herë pas here, kjo ka rëndësi tani, them. Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën perëndimore dhe krishterimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Siç duket, duhet të kuptojmë të gjithë se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri. Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandantin dhe Shenjten.

Jemi një popull që ka dhuruar shenjtër, Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, ku kreu vizitën e parë apostolike në Europë, dhe në vende të tjera ka përsëritur shpesh që duhet të jemi krenarë për këtë grua dhe e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në sheshin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve, të Vatikanit, Italisë, të SHBA-ve, Indisë, nga e gjithë bota katolike, valëviteshin më së shumti flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe të Maqedonisë së Veriut (të Jugut për ne, shqiptarët).

Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe. Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Kishën tonë dhe është ky libër që po përurojmë? Apo ky libër është një pëllumb paqeje, i nisur për kudo me lajmin e mire? Gjithsesi, vepra për Shenjtën Nënë Tereza është si një Ungjill sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT