• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI NË KOHËN E SHPALLJËS SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 24, 2022 by s p

(Me rastin e 110-vjetorit)

Dr.Nail  Draga

Ne aspektin gjeopolitik për  opinionin e gjërë është e njohur së në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878) harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi.

Në vend që  Fuqitë e    Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht ti takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këti shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj nga kjo kohë me  fillimin e  rrudhosjes  së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse ne rastin konkret  raportet shqiptaro-malazeze  moren një kahje tjetër.

1.Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878

Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë(1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë ti jepet Malit të Zi, një vendim të tillë nuk u realizua në sajë të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP ku u zhvillu edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompenzim për të u bënë pazarlleqe nga Fuqitë e Mëdha që ti jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoj mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane  ne prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.

Viset shqiptare të cilat kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të  mbajnë  komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar që ishte  qyteti i  Shkodrës.

Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qendroj 32-34 vite varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjës në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal së çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas.

2.Ofanziva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës(tetor 1912-prill 1913)

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhen Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta ne mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre. 

Ndërsa aleanca e arritur  në mes  Malit të Zi dhe Serbisë në  Lucernë të Zvicrës (27.IX.1912), me nenshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nenvizuar është së “ate që së cili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon“, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha, ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territorëve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar(tetor 1912-prill 1913) është i veçantë ku edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku  informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat  e tyre ushtarke e politike  cila ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar së po ti realizohej projekti i zgjerimit territorial ne lindje madje deri të lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t’i ul armët para se lumi Drin të bëhët kufiri jugor i Malit të Zi”.Ndërsa gjatë Luftës së I Ballkanike(1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi(në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve  në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Sërbia prej Matit deri te Shkumbini. 

Në Konferencën e Ambasadorëve  në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse ne ketë formë do i mundësohej Serbisë për të realizuar endrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se  nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë “ose Shkodrën, ose vdekjen”. 

Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, me 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t’i mbetet Shqipërisë. Por malazezet kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin te rrethuar Shkodrën duke  vazhduar  operacionet luftarake të bindur së çka fitohet me luftë edhe do t‘iu takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij  filloj demonstrimi detar, i cili me 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithate forcat malazeze pushtuan Shkodrën me 24 prill 1913 pasi ate iu dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni  i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë  pas qendrimit tri javësh forcat malazeze me 14 maj 1913 pasi e plaçkiten u larguan nga Shkodra ku menjihër u vendosen forcat ndërkombëtare.

Por edhe pse humbi Shkodrën pas luftërave ballkanike Mali i Zi u zgjëru territorialisht duke përfituar një territor me sipërfaqe prej  4958km2, që është më tepër se 48% të territorit pas Kongresit të Berlinit(9.475km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht ku një pjesë e konsiderueshme e tyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare.

3.Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare 

Në rrethana të tilla të luftës nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulet nga vendbanimet e tyre. Kështu një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shëmbull tipik shërben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këti qyteti nën administrimin e Malit të Zi(nëntor 1880) pothuaj 1/3 e popullsisë së qytetit emigroj duke u vendosur kryesisht në Shkodër por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. 

Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyçe ishte   ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me  urdhër të  Simo Popoviqit  i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin  dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej. 

Në lidhje me ketë çështje,  po ashtu në mënyrë transparente dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme, ku thuhet se “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq(shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t’ i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë  krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi.Deri sa të mos realizohet ky qellim, nuk kemi se çka të gëzohemi”.

Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet  ne praktikë, ku si qellim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.

Kështu kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur  deri në mesin e vitit 1893, me ç’rast  gjithsej janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave iu janë ndarë 5000 rrallë tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë (që është e barabartë me 22.450m2). Për të krijuar kushte me të mira për kolonistët pushteti planifikonte të hapte toka të reja, duke planifikuar ne ketë drejtim tharjen e liqenit të Zogajve dhe të Knetës. Ne ketë drejtim janë angazhuar ekspert të ndryshëm  të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku ne plane afatgjata është planifikuar të  fitohen toka të reja rreth me sipërfaqe prej 20000 rrallë, por rrethanat shoqërore te kohës  sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në ketë drejtim, më ç’rast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në ketë pjesë të Malit të Zi”.

Aspiratat ekspansioniste ndaj këti mjedisi i ka shprehur edhe vet princ Nikolla, i cili theksonte”…me vendosjen e malazezeve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe  në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.

Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore ne keto mjedise  kemi një emigrim të dhunshëm në sajë të paknaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, më ç’ rast një pjesë e konsiderueshme  e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan. 

Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike ku zyrtarizimi i aneksimit të territorëve të pushtuara, dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara  në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu  rrudhoste hapësirën etnogjeografike shqiptare, e cila ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet.

4.Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi 

Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë, për të kaluar nën një okupim të ri, ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë me 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmen e territorëve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territorët e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në Siujdhesën Ballkanike.

Shqiptarët pritnin vendimet e definitive të kësaj Konference, me shpresë  së përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për tu çliruar nga okupatori por çdo gjë mbeti vetëm iluzion sepse vendimet ishin subjektive kryesisht sipas intrigave dhe  interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranon edhe vet ministri i jashtëm anglez E.Grej i cili ka thënë se”  Jam i bindur se , kur  të dihen  të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njëriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qellimi kryesor ishte të mos hapej konflikt mdis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis  Fuqive të Mëdha, mund të themi se  ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë“.  

Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoj aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në regjionet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar.

Përfundim

Pas Kongesit të Berlinit(1878), vitet  1912/13 ishin vendimtare në  përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimu në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në sajë të tyre vendimeve  përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, e cila si e tillë u përgjysmua si ne aspektin territorial dhe ate popullativ. 

Nga ana tjetër  ishin fqinjët malazezët, serbet dhe grekët të cilët dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë  nuk ka dilemë se bazohej  në mitomani dhe mbeshtjetjen diplomatike e ushtarake të disa shtetëve pansllaviste me në krye  Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si  qellim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit  etnik të popullar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë  se një veprim i tillë kishte prapavi strategjike në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmën në Siujdhesën  Ballkanike.

Literatura:

1.Bernard Stulli, Albansko pitanje 1875-1882, JAZU, Radovi, knj.318, Zagreb, 1959

2.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1911, NY 2004

3.Skënder Rizaj,

4.Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Art Club Ulqin 1994

5.Në një cep të Ilirisë(monografi për shqiptarët në Mal të Zi),Art Club, 2007

6.Mr.Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Art Club, Ulqin 1998

7.Mr. Riza Rexha, Shkodra në projektet e zgjërimit territorial të Malit të Zi(shek.XIX-XX), Lemba nr.3-4, Ulqin, 2000

8.Gazmend Shpuza, Në vazhdën e gjurmimeve për epokën e Rilindjes Kombëtare, Toena, Tiranë  1997

9.Dr.Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914, Botoi: Instituti i Historisë, Prishtinë 2003

10.Hortense von Zambaur,Rrethimi i Shkodrës(10 tetor 1912-22 prill 1913), ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2006

11.Edith Durham, Lufta për Shkodrën, ”Camaj-Pipa”, Shkodër 2005

12.Mihajlo Vojvodić, Skadarska kriza 1913 godine, Beograd 1970

13.Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojten e Ulqinit, Tiranë 1979

14.Branko Babić, Politika Crne Gore u novo oslobodjenim teritorijama 1912-1914, Titograd 1984

15.Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd, 1963

16.Miomir Dašić,Pregled teritorijalnog širenja crnogorske države, Istorijski Zapisi, br.1, Titograd 1987

17.Jacob Gould Schurman, Luftërat ballkanike 1912-1913, Uegen,Tiranë,2006

Filed Under: Opinion Tagged With: Nail Draga

LUIGJ GURAKUQI – DORË E DJATHTË E ISMAIL QEMALIT  NË 110-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 23, 2022 by s p

“Shqiptari dëshiron të jetojë i lirë dhe i lumtur”

Nga Frank Shkreli  

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
No photo description available.

                                                 “Shqiptari dëshiron të rrojë i lirë dhe i lumtur”

“Pak ndër prijsa e udhëheqës janë ata që mundohen t’a zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që t’i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen t’a drejtojnë në udhë të mbarë. Ka, mjerisht, ma shumë asish që thonë se vullneti i popullit nuk duhet marrë parasyshë, e që ndonëse e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lihet e të drejtohet prej atyne, pse ata vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me e përgatitun për fatbardhësinë e tij.” (Luigj Gurakuqi, Ora e Malevet, Nr. 37-sipas Revistës Shëjzat)  

No photo description available.

                    Luigj Gurakuqi, shembull i një demokrati të vërtetë

Në vigjilje të 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria osmane le të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit — dorën e djathtë të tij — parlamentarin dhe opozitarin shqiptar, “par excellence”,  njërin prej figurave më të shquara të Kombit shqiptar, i cili për sa jetoi, ”Nuk ka pasur ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, sipas historianit Stefanaq Pollo.  Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “Po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Megjithëse është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të Kombit shqiptar, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues. Profesor Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën ”Shëjzat”, nënvizon për lexuesin, fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit, si njeri dhe si politikan:  ”S’kam pa ndër Shqiptarë… një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aq të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëreshë, e të huaj që interesoheshin për Shqipëni, qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…besonin në përpjekjet e tij, të çdo lloji…”, ëshët shprehur Koliqi. 

Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkëpunëtor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, kujtonte se Luigj Gurakuqit, i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas tij, vetia që e dallonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij: “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi njerëzit me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë klerikësh të ndryshëm, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qëndronte”!

Parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë sot, pozitë dhe opozitë, po t’ia donin të mirën Shqipërisë dhe Kombit shqiptar, do bënin mirë të marrin shembull tek Gurakuqi: “Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shenjtë që ia kishte besuar populli”.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tija duke shkruar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, (zëra) të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës kundërshtonte me matuni:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuese jo rrënuese…”, ka shkruar Ernest Koliqi për Guralkuqin parlamentar. 

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe.  Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.

Megjithëse vlerësimet e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të Kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, fjalë të cilat sikur jehojnë edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime themelore politike, shoqërore dhe ekonomike në Shqipërinë e asaj kohe, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, se si përfaqësues të shqiptarëve, “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam (si popull) bani ligjet themelore që të mund të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”

“Të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar!”, janë fjalët e Luigj Gurakuqit, që pasqyronin atëherë dhe sot dëshirën e mbarë popullit shqiptar, dëshirën ende të parealizuar plotësisht, që më në fund shqiptari të rrojë në shtëpinë e vet, “I lirë dhe i lumtur”, të mos marrë rrugët e botës në kërkim të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe lumturisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin  2022, fjalët e tija edhe sot tingëllojnë si largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, nëqoftse vërtetë do të bëhet Shqipëria, si fjalë udhëzuese. Ai këshillon që në këtë “Ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një”, ndërsa ka paralajmëruar se, “çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës” dhe botës.  (Luigj Gurakuqi: “Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913).

Ndonëse fjalët dhe këshillat e Luigj Gurakuqit janë folur ose shkruar më shumë se 100-vite më parë, ato për fat të keq, tingëllojnë aq aktuale sot, kur të marrim parasysh aktualitetin politik në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë. Në prag të 110-vjetorit të Shqipërisë, Luigj Gurakuqi bën thirrje për reflektim dhe për pendim. Një thirrje kjo që politika shqiptare, në përgjithësi, do bënte mirë po të reflektonte se ku e ka çuar Kombin, pas 30-vite tranzicioni “post-momunist”, ku shumica dërmuese e shqiptarëve e kërkojnë jetesën – “lirinë dhe lumturinë” në perëndim – duke zbrazur kështu trojet shqiptare, si rrallë herë në historinë tragjike të Kombit shqiptar.

Luigj Gurakqui i bën thirrje sot klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare për reflektim dhe për pendim serioz, për faktin se në çfarë gjëndje politike dhe ekonomike është sot fisi i shqiptarit: Në një artikull që Gurakuqi shkruante nga Parisi në prag të 28 Nëntorit  të vitit 1919, këshillonte: “E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut.  T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Po i sjell këto citime të Luigj Gurakuqit në këtë 110-vjetor të Pavarsisë së Shqipërisë, jo se kam ndonjë iluzion se klasa politike aktuale do reflektojë dhe të “pendohet” siç këshillonte dikur Luigj Gurakuqi, sepse me të bëmat dhe të pa bëmat e tyre gjatë tre dekadave të fundit, na kanë bindur se nuk janë as reflektues as të penduar. Por, besoj se ia vlen të kujtohet Luigj Gurakuqi jo vetëm në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, por gjithmonë, sepse ai ishte dhe mbetet njëri ndër më të Mëdhenjtë e Kombit shqiptar, një shembull i një patrioti të flakët dhe një demokrat i përkushtuar pro-perëndimor.  Fjalët e Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por edhe për të tashmen dhe për të ardhmen – do duhej të shërbenin si një fuqi frymëzuese për të gjithë, sidomos për klasën politike shqiptare të shekullit XXI, e veçanërisht në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve. 

Frank Shkreli

No photo description available.
May be an image of 6 people
No photo description available.

                                            Në krah të Ismail Qemalit

No photo description available.

                                 Pandeli Cale me Luigj Gurakuqin

May be an image of 3 people

                       Me më të mëdhejt e Shkodrës dhe të Kombit

No photo description available.
No photo description available.

                                                         Luigj Gurakuqi, demokrat i vërtetë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Presidentja Osmani priti në takim kongresistin amerikan, Ritchie Torres

November 21, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kongresistin amerikan, Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, të cilin e falënderoi për punën e tij të jashtëzakonshme në mbështetje të Republikës së Kosovës, si dhe e njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe situatën aktuale të sigurisë.

Në takim me kongresistin Torres, Presidentja Osmani vuri theksin në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të, si dhe angazhimin e tij për mbështetjen e mëtejme të Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se kongresisti Torres po e vazhdon trashëgiminë historike të kongresistit Eliot Engel, duke qenë një zë i fuqishëm i Kosovës në Kongresin amerikan.

Kongresisti Torres theksoi se Kosova është mike dhe aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara dhe se do të punojë afër me administratën amerikane për ta vazhduar mbështetjen për Republikën e Kosovës.

Filed Under: Opinion

110 vjetori i Pavarësisë, 110 nxënës, mësues e prindër të Shkollës Shqipe Alba Life, festë në Vatër

November 19, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 19 Nëntor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëve të Alfabetit Shqip mikpriti 110 nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës shqipe Alba Life. Një vizitë shumë emocionuese e fëmijëve shqiptarë, trashëgimtarëve të vazhdimësisë së rracës sonë të bukur shqiptare, të historisë sonë të lavdishme, të kulturës sonë të veçantë, gjuhës dhe identitetit tonë këmbëtar shqiptar. Një festival i ngjyrave kuq e zi që ngriti peshë zemrat e të gjithë të pranishmëve. Fëmijët e Shkollës Shqipe përformuan në mënyrë të shkëlqyer duke kënduar këngët: Ty flamur të duam shumë, Gjuha shqipe-gjuha jonë, Rroftë Shqipëria etj. Fëmijët recituan poezi kushtuar Pavarësisë, Gjuhës Shqipe, heronjve të kombit tonë duke emocionuar të gjithë të pranishmit. Fjalën përshëndetëse në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli e bëri Editori i cili theksoi ndihmën dhe mbështetjen që Vatra e Dielli i ka dhënë Shkollave Shqipe në historinë 110 vjeçare. Fëmijët që mësojnë shqip, që këndojnë shqip, që flasin shqip jashtë Atdheut, janë ambasadorët e vërtetë të kombit tonë. Në fjalën e tyre para të pranishmëve, themeluesi i Shkollës Shqipe Alba Life z.Qemal Zylo dhe mësuesja zonja Kozeta Zylo shprehën vlerësim për Vatrën si qendër atdhetarie në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i bashkon gjithmonë shqiptarët nga të gjitha trojet në tokën e premtuar të Amerikës. Federata Vatra është zjarri i pa shuar i atdhedashurisë që mban gjallë shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra e Dielli janë historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kozeta Zylo, Qemal Zylo, Sokol Paja

Në prag të kremtimit të “Përvjetorit të Artë” të Kolegjit Universitar “Qiriazi”

November 19, 2022 by s p

Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, nderohet me Medaljen “Mirënjohja e Përvjetorit të Artë”

Në prag të kremtimit të “Përvjetorit të Artë”, sot në sallën “Charles R. Crane”, të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, në Kodër-Kamëz, u organizua ceremonia e dhënies së Medaljes “Mirënjohja e Përvjetorit të Artë”, z. Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në SHBA.

Medalja me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të Tij të çmuar dhe vlerat e treguara në drejtimin e Federatës Pan-Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “VATRA”. Personalitet i shquar, me vizione dhe rol të spikatur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Për konsolidimin e lidhjeve institucionale ndërmjet VATRA-së dhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si vazhdimësi historike me ikonat e arsimit tonë kombëtar, Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë trashëgimia e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, por edhe pjesë e historisë së Federatës Pan-shqiptare “Vatra””, e akorduar nga Senati Akademik, iu dorëzua nga Presidenti i këtij Kolegji, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj.

Në ceremoninë e dekorimit të z. Berisha, merrnin pjesë studentë dhe pedagogë të këtij universiteti. Të pranishëm ishin edhe Dr. Naim Dedushaj, drejtor i Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Hazis Vardar, biznesmen, kryetar i Rrjetit të Bizneseve në Francë, të cilët shoqëronin kryetarin e “Vatrës” në turneun e Tij. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Robert Dako, nipi i Sevasti e Kristo Dakos dhe themelues i “Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Sevasti e Parashqevi Qiriazi”; Irfan Hysenbelliu, President i “Hysenbelliu Group”; Maksim Meço, rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”; Kadri Morina, president i INSIG, biznesmen e humanist dhe të tjerë.

Z. Berisha duke përshëndetur të pranishmit tha, se ndihet i nderuar që pikërisht nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, merr një vlerësim të tillë. “Vatra” me “Qiriazin”, u shpreh ai, kanë të përbashkët kontribuesit: motrat Qiriazi dhe rilindasin Kristo Dako, i cili në një kohë ka qenë kryetar i kësaj Federate dhe redaktor i “Diellit”, organit legjendar të “Vatrës”. Miku nga Shtetet e Bashkuara, tha në vijim se, dy institucionet tona, “Vatra” dhe “Kolegji Universitar Qiriazi”, mund të bëjnë më shumë për vlerësimin e këtyre figurave emblematike të Rilindjes dhe të arsimit kombëtar shqiptar. Përpara se të hapnin Institutin Femëror “Qiriazi” në Kodër-Kamëz, në afërsi të Tiranës, të tre themeluesit dhanë një kontribut të çmuar në organizimin e mësimit të gjuhës dhe të shkrimit shqip, në mesin e diasporës në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Uldedaj e garantoi kryetarin Berisha, se institucioni Tij, do të jetë gjithmonë e më tepër në krah të Federatës Panshqiptare “Vatra”, për përmbushjen e misionit të saj edhe si kontributore në realizimin e projekteve të përbashkëta.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • 189
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT