• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“BABA” I FLAMURIT

November 18, 2022 by s p

Orest Çipa/

Në këtë anë të botës, këtu në lagjen Pelham Parkway, për më shumë se 35-vitesh, shqiponja e shqipeve të Bronx-it, lartësohet bindshëm me një krenari llaftaritëse, seriozitet imponues e fisnikëri të kulluar.

Kjo shenjë e shenjtë e kombit tonë, është dëshmitare e ç’do fryme shqiptari që i ka rënë udha apo jeta e ka përplasur në këtë rrugicë “ëndrash” amerikane.

Ky flamur, flamuri shqiptar, ndoshta, nuk është flamuri më i vjetër që është “qëndisur” me kaq shumë atdhedashuri por me siguri është ndër më jetgjatët në shtetin e New York-ut.

Me shikim nga lindja i derdhur në një fushë të kuqe gjaku me shqiponjën e zezë dykrenare në mes, me krahë të hapur anash, secili krah i shqiponjës ka 9 pendë e bishti ka të grumbulluara në tufë shtatë pendë, këtë ditë të ngrohtë nëntori, flamuri të jep ndjesinë e të qënit në dheun tonë.

Ka gjasa se këtu, mëhalla më e madhe e shqiptarëve të këtij shteti, është krijuar nën “mburojën” dhe “bekimin” e këtij simboli mistik i cili ka një peshë të veçantë në ndërgjegjen tonë patriotike.

Pak hapa më tutje, ndodhet Mother Teresa Way (rruga “Nënë Tereza”), në veri-lindje jo shumë largë nga shqiponja, është Fan Noli Way ( rruga “Fan Noli”), në këtë hapsirë fizike, në një kohë shumë të shkurtër janë hapur disa shkolla në gjuhën shqipe, dyqane me artikuj të ndryshëm ushqimore nga vendi ynë, zyra biznesi e restorante me ushqim tradicional shqiptar, kafene dhe organizata kulturore nga treva të ndryshme të atij guri matanë oqeanit.

Në këtë lagje, vite më parë nisi botimi i gazetës “Illyria” e sot vazhdon të botohet gazeta më e vjetër shqiptare në ekzistencë të pandërprerë, gazeta “Dielli”.

E më në fund, amaneti shkoi në vend!

Uratës së flamurit ju thurr edhe një “jetë” tjetër, Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way ( rruga “Gjergj Kastriot Skënderbeu”).

Ishte ora 9-të e mëngjesit, unë u afrova tek kryqëzimi i rrugëve “Lydig Ave” dhe “Barnes Ave”, aty ku pikërisht kisha lënë vendtakimin me “Baba”-Xhemën dhe Isën për të mësuar më shumë rreth historisë së shqiponjës së shqipeve të Bronx-it!

Xhema është flamurtari i vetëm shqipar (zanat i rrallë që do ndjenjë e shpirt të fortë burri) që njoh sot për sot këtu në Amerikë por edhe në Shqipëri.

-“Tungjatjeta shqipe” ! – Bertiti Xhema me një zë kumbues e pas tij, me një zë më të embël plotë mirësjellje, Isa më tha “mirëmëngjes”!

Ndërsa unë për t’ju bërë qejfin të dyve jua ktheva: “ Tungjatjeta “Baba i flamurit”, “Ku je or Isë Boletini”!

Xhema qeshi me të madhe, saqë për një çast më ngjau se do ti shpërthente zemra nga gëzimi për këtë vlerësim që i bëra lidhur me detyrën e shenjtë që ai mbart mbi supe prej vitesh.

Për ti ngacmuar pak, ju drejtova të dyve dhe u thashë: -“Ore ju të dy jeni nga Kosova ç’lidhje keni me flamurin tonë, ju keni tuajin”?!

Xhema nuk foli, ndoshta nuk më dëgjoi mirë, ndërsa Isa e kishte përgjigjen në majë të gjuhës.

-“Shqiponja është e juve prej poshti, ndërsa gjaku ã i joni”- tha dhe më përqafoj.

Me Babën (“baba” i thërasin të gjithë fëmijët e lagjes, shqiptar dhe amerikanë) isha takuar disa herë dhe kishim kuvenduar pak fjalë informuese, ndërsa Isa ishte mik i një mikut tim i cili më mahniti me shqipen e tij, ai zotëronte batutat dhe thënie tipike të baltës sonë, ndonëse në SHBA kishte ardhur 2-vjeç.

Pasi shkëmbyem disa mirësi zakoni me shtrëngime të shpeshta duarsh, Isa nisi të më tregojë historinë e flamurit të parë në këtë lagje i cili kishte qënë në murrin e pallatit që shfaqej përballë.

“Te ky pallati që sheh para nesh, kanë jetuar disa familje shqiptarësh nga Mali i Zi, dhe dy familje të ardhura nga Kosova. Flamuri i parë është bërë pikërisht aty tek ai këndi (ma tregoj me gisht), diku nga vitet 70-të, nga dy djem me orgjinë nga Gjakova. Kishin probleme me të zotin e pallatit sepse ai j’ua fshinte shpesh. Pronari e fshinte ditën ndërsa djemtë tanë e bënin sërish natën. Kjo histori vazhdoi për disa vite, derisa u bë këtu që është tani”-tha Isa.

Ndërsa Xhema shoti se midis viteve 1975-së dhe 1988-të (nuk ishe shumë i sigurtë) pati disa fatkeqësi, dhe për nder të këtyre shqiptarëve u bë ky flamur.-“Tek kjo vendndodhje që jemi tani, ka humbur jetën një djalosh, por në këtë rrugicë për çështje nderi kanë humbur jetën edhe disa shqiptarë të tjerë, kështu që vendosëm të bënim këtë flamur për kujtimin e tyre. Qysh kur bëmë këtë flamur, ka pasur ngjarje shumë të mira. Ka qenë ogur i mirë! Nuk e kishim menduar por u kthye në vendtakim për të gjithë që vinin nga vendlindja”-tha ia.

Po këtë flamur, a kanë dashur t’jua heqin ndonjëherë apo ta zhgaravisin?

-Po more, edhe këtu kemi pasur shpeshherë probleme, kanë dashur për ta fshirë por i kemi dalur për zot. E dinë të gjithë në Amerikë se neve shqipeve të Bronx-it më mirë të na marrësh jetën se të na marrësh flamurin tonë.

Sa herë në vit e rifreskoni me bojë flamurin?

-Dikur ne ziheshim kush ta bënte me të kuqe fushën apo më të bukur shkabën, ndërsa tani jam vetem unë. Vetëm kam mbetur ! Më ndihmon dhe djali por në përgjithësi jam vetëm unë. E lyej një hërë në dy vjet.

Po pse ke vendosur të merresh me këtë punë?

-“Nuk di të bëjë asgjë tjetër”- tha Isa dhe në të qeshur e sipër na shkiti me justifikimin se ishte von për trenin.

Ndërsa, Xhema mu kthye me një seriozitet të ashpër malësori dhe tha: “Po nuk u morra me flamurin me ca të merrem”?!

-Po kur nuk je ti këtu kush e ka për detyre të kujdeset?

-Unë jam këtu në të katërta anët e kësaj rruge nga mëngjesi në darkë. Para tre vjetësh e kam bërë flamurin dhe një herë më të madh se ishte. Po nuk isha unë është detyra e të gjithëve! Të gjithë e dinë ç’farë do baba kur nuk është këtu.

-Po kur të vdesësh ti?

-Unë do vdes një ditë po ky flamur s’ka për të vdekur kurr! Kur të iki unë, djali im do kujdeset për të e pas tij, djali i djalit e kështu me rradhë ,deri sa të kemi frymë në breza!

Filed Under: Opinion Tagged With: Orest Cipa

DËSHMI HISTORIKE: SI E BOTUAM KORPUSIN ILLYRICUM SACRUM ME MBËSHTETJEN E PRESIDENTIT DR. IBRAHIM RUGOVA

November 16, 2022 by s p

(Pjesa e dytë)

Vepra Illyricum Sacrum, për opinionin perëndimor e ndërkombëtar, atë politik, kulturor, shkencor dhe intelektual, dëshmon në formë burimologjike-dokumenatre se tradita, kultura, feja, shtetësia dhe
elementet e tjera të jetës publike dhe shoqërore, ishin pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë, në këto troje denbabaden. Me një vepër të tillë, të cilën nuk e kishin popujt e tjerë të Gadishullit
Ilirik, më vonë Ballkanik, jo vetëm demostrohej në mënyrë bindëse dhe argumentuese historia e pasur shumëshekullore, por dëshmohej një e vërtetë historike, të cilën e kishin bërë
publike studiuesit e huaj, e pikërisht ata të mbështetur nga Vatikani dhe Perëndimi disa shekuj më parë, e që sot ishte pothuajse domosdoshmëri t’iu rikujtohej disa politikanëve,
intelektualëve dhe shkencëtarëve shqipëtarë. Duke qenë një enciklopedi në vete, korpusi Illyricum Sacrum, do të shërbente për të gjithë, dhe në të gjitha fushat, si udhërrëfyesi më i saktë dhe më i drejtë, në debatet dhe diskutimet që do bëheshin për çështjet madhore kombëtare.

Prof. dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies
Budapest

Përpjekjet për një ribotim të korpusit tetë-vëllimësh Illyricum Sacrum nuk përfundojnë me dështimin e don F. Buliqit. Në vitin 2001, dr. J. Kolanoviq, drejtor i Arkivit Shtetëror Kroat dhe prof. dr. Sh. Sinani drejtor i Drejtorisë së Përgjithëshme të Arkivave Shqiptare, bisedojnë për një ribotim të mundshëm elektronik të Illyricum Sacrum-it. Përkundër dëshirave dhe idesë së shkëlqyer një gjë e tillë nuk arrihet. Pengesat kryesisht ishin të natyrës financiare dhe teknike. Pas disa përpjekjeve HDA arrin të skanojë të tërë korpusin Illyricum Sacrum, përkatësisht tetë vëllimet e para, [Skanimi ishte bërë në laboratorin profesional të HDA-së në Zagreb, por më vonë u vërejt se ishin bërë gabime dhe se kishte shumë mungesa faqesh në pothuajse të gjitha vëllimet, nëntë sa ishin gjithsejt], ndërsa vëllimin e nëntë atë me titull: “Accessiones et Correctiones all’Illyricum Sacrum del P. D. Farlati di P. G. Coleti,” e skanoi M. Ahmeti. [Një gjë e tillë nuk është shënuar në ribotimin fototipik të shkurtit 2005, të bërë nga shtëpia botuese Arbi ltd. Prishtinë].
Në këtë kohë, ribotohet korpusi tjetër me dokumente, me shumë rëndësi për mesjetën shqiptare, Milan von Sufflay, “Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia (Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913-1918, vëll. I-II. Ribotuar në vitin 2002 nga DPA dhe Ekskluzive, Tiranë-Prishtinë, nën përkujdesjen e dr. Musa Ahmetit), nga i cili ribotim, Musa Ahmetit i lindi ideja për një ribotim të mundshëm të Illyricum Sacrum-it, sikurse ndodhi edhe me Acta Albaniae…. I-II. Një ide e tillë i njoftohet S. Blakaj, me 12 dhjetor 2002, ku i dërgohet në formë të shkruar, një letër me të dhënat kryesore për veprën, mbi mundësinë e ribotimit fototipik, përmbajtjen e korpusit Illyricum Sacrum, gjendjen ekzistuese dhe rezultatet e përpjekjeve për ribotim elektronik të J. Kolanoviq dhe Sh. Sinanit. Letrën e dërguar S. Blakaj e sjellim në vazhdim:
“Shumë i nderuari z. Blakaj!
Pas bisedës së djeshme me telefon, ku biseduam edhe për mundësinë e ribotimit fototipik të veprës Illyricum Sacrum, ngjashëm me “Acta Albaniae… I e II” të Sufflay, sot po ju dërgoj disa nga të dhënat kryesore për veprën Illyricum Sacrum, rëndësinë e saj si burim historik për Ilirinë dhe ilirët, Ballkanin dhe popujt e Ballkanit që kanë jetuar e jetojnë këtu, dhe veçanërisht për shqiptarët, ngase ju nuk kishit shumë informacione për këtë vepër.
Vepra Illyricum Sacrum është shkruar nga Daniele Farlati dhe Jakob Koleti, por është filluar nga Filip Riçeputi, në vitin 1694. Gjithsejt ka tetë vëllime, format in folio, me rreth 5.600 faqe, duke llogaritur këtu edhe vëllimin e nëntë, që e ka botuar don F. Buliq në vitin 1910. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1751 në Venedik dhe i fundit, vëllimi i tetë, në vitin 1819 po ashtu në Venedik. Vepra është në gjuhën latine. Ka ilustrime të ndryshme dhe disa harta të formateve të ndryshme. Shoqërohet me një indeks që është punuar me shumë kujdes nga autorët e veprës dhe mund të shërbejë si një enciklopedi e vogël orientuese, jo vetëm për veprën, por edhe për Ilirinë e lashtë në kuptimin e gjerë të fjalës, për të ardhur deri në mesin e shekullit të XVIII ose fillimin e shek. XIX.
Vepra trajton historinë kishtare, civile, politike, shoqërore, kulturore, sociale, shpirtërore… etj, të Ilirisë së lashtë nga antikiteti, deri në vitin 1819, kur botohet vëllimi i tetë. Historia kishtare trajtohet në mënyrë të veçantë, që nga koha e ungjilltarëve që kaluan në Iliri, psh. Palit, etj. Pastaj aty gjejmë të dhëna të sakta për kryeipeshkëvitë, ipeshkëvitë dhe dioqezat, historinë e tyre që nga krijimi, zhvillimi i tyre, shtrirja territoriale, pastaj emrat e kryeipeshkëve, ipeshkëve dhe prelatëve të tjerë kishtarë. Në mënyrë kronologjike, të argumentuara me dokumente, burime të sakta dhe literaturë, trajtohen ngjarje dhe fenomene të ndryshme me rëndësi të veçantë, psh., dyndja e sllavëve, por edhe gjendja e Ilirisë para dyndjes së sllavëve dhe pas dyndjes së sllavëve, [Letrat e papës Gregori Magno]. Historia e luftërave të shumta në Iliri që nga lashtësia, e ilirëve me romakët, avarët, sllavët, etj, pastaj me turqit dhe të tjerët, janë të trajtuara me një saktësi dhe korrektësi të çuditshme për kohën kur u shkrua vepra Illyricum Sacrum. Në vëllimin e shtatë, gjejmë tekstin e Kuvendit të Arbnit nga viti 1703, por edhe shumë letra të Skënderbeut me të tjerët dhe të tjerët më të, origjinali i të cilave nuk ekzisotn më. Pra në këtë vepër na janë ruajtur në formën më besnike dhe origjinale të mundshme. Trajtimi i gjendjes së popujve dhe shteteve të ndryshme përmes relacioneve të bëra nga relatorë të dërguar nga Vatikani, është një e veçantë tjetër, psh. relacioni i Marin Bicis, etj.
Në të gjitha vëllimet e veprës Illyricum Sacrum, gjejmë të dhëna për Ilirët dhe Ilirinë, për shqiptarët dhe Shqipërinë në kufijtë etnikë, për Dardaninë, etj. Me këtë dëshiroj të theksoj, se pohimet e disa historianëve dhe albanologëve, të cilët nuk e kanë shfrytëzuar dhe konsultuar këtë vepër, se për shqiptarët dhe ilirët ka të dhëna vetëm në vëllimet shtatë e tetë, është i pasaktë, tendencioz dhe shumë i gabuar. Një gjë të tillë e pohojnë ata që nuk e njohin gjuhën latine dhe greke si dhe ata që nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë burimet origjinale dhe shkruajnë vepra historike duke kopjuar ose cituar të tjerët, përkatësisht, nuk e shënojnë fare se është citim i citimit, por lënë të kuptohet se ata kanë konsultuar dhe shfrytëzuar atë vepër ose atë autor, edhe pse një gjë e tillë nuk është fare e vërtetë.
Vepra Illyricum Sacrum sipas të gjitha gjasave është para zhdukjes përfundimtare, ngase me sa di unë, nuk ka më shumë se disa komplete në tërë bibliotekat e botës. Mund të ketë ndonjë vëllim, por komplete si tërsi janë të pakta. Zhdukja e saj, është një dëm i pakompensueshëm për historinë e ilirologjisë, albanologjisë, popullit shqiptar dhe popujve të tjerë të Ballkanit, ngase burimet që i gjemë aty, një pjesë e mirë e tyre, veçanërisht origjinalet, janë zhdukur dhe nuk gjendën më. Pra, i vetmi burim është kjo vepër, e cila edhe sot e kësaj dite është e patejkaluar për historinë tonë kombëtare, edhe pse, siç e ceka më lart, ajo nuk është shfrytëzuar pothuajse fare nga historianët tanë, as edhe kur është shkruar “Historia e Popullit shqiptar,” as në botimim e mëhershëm dhe as në këtë të fundit. Dëshiroj t’ju njoftoj se ka pasur disa përpjekje për ribotim, por ajo nuk është ribotuar asnjëherë deri me sot. Shkaqet e mosribotimit janë të shumta dhe të ndryshme. Kohëve të fundit, në vitin 2001, ishte një ide e cila edhe u zhvillua me mjaft sukses në fillim, për një ribotim të mundshëm elektronik, përkatësisht që e tërë vepra të hidhej në CD apo DVD dhe pastaj edhe në internet. Për këtë ide kanë biseduar dr. J. Kolanoviq dhe dr. Sh. Sinani. Çështja ka ngecur tashmë për disa shkaqe objektive. Nuk besoj se ajo do realizohet, përkundër dëshirës dhe këmbënguljes së dr. Kolanoviq e dr. Sinanit.
Unë kam parasysh se ky është një projekt shumë i shtrenjtë. Kërkon jo vetëm shumë shpenzime, por edhe kohë për përgatitjen e tij, dhe atë fillimisht, duhet të kontrollohet faqe për faqe skanimi i bërë nga HDA, për të tetë vëllimet, duke pasur origjinalin afër, gjë që është mjaft e vështirë, pastaj të shikohet mundësia e plotësimeve dhe përmirësimve, ngase skanimi nuk është edhe shumë cilësor. Në vazhdim duhet menduar të bëhet një studim hyrës, të cilin mund ta përgatis unë, ku do të trajtohet historiku i veprës, kushtet në të cilat është shkruar, mbështetësit kryesorë të saj, p.sh. papa Klementi i XI, Albani me origjinë shqiptare. Domosdo që duhet të ketë një ekip specialistësh të cilët do ndjekin hap pas hapi zhvillimet dhe përgatitjet për botim. Këtu mendoj se duhet të jenë ndër të tjerë, dr. Kolanoviq, dr. Sinani, prof. Stipçeviq dhe disa historianë të huaj, me të cilët duhet të bisedohet. Nëse ju do të jeni dakord me një ide të tillë, atëherë unë do të marr mendimin edhe të dr. Shaban Sinanit dhe të dr. Kolanoviqit për një projekt të tillë, për të shikuar mundësinë se çfarë mund të ofronin ata në gjithë këtë inisijativë, e cila mund të botohet me tre bashkëbotues, DPA, HDA dhe Ekskluzive. Shenimet për secilin vëllim veç e veç, numrin e faqeve, dimensionet dhe disa të dhëna për autorët e veprës po jua dërgoj me attach së bashku me disa ilustrime, përkatësisht frontespicet e katër vëllimeve, të parit, të katërtit dhe të shtatit e të tetit. Ju lutem, nëse duhen shënime dhe të dhëna plotësuese ose sqaruese për veprën, autorët apo ndonjë gjë tjetër, unë jam i gatshëm ta bëj një gjë të tillë.
Këtu në Zagreb, flitet me shumë simpati dhe respekt për “Acta Albaniae… I e II” të Sufflay, në gazetat e përditshme Vjesnik, Jutarnji List, Novi List, Veçernji List dhe në Hrvatsko Slovo, kishte disa shkrime për ribotimin. Edhe kolegët si në Universitet, HDA, ashtu edhe në HAZU e bibliotekë [SNK], më kanë uruar për punën e bërë. Bile kishte nga ata që nuk e besonin derisa nuk i panë me sytë e tyre vëllimet e botuara. Me këtë rast, dëshiroj t’ju kërkoj edhe disa komplete të cilat janë më se të domosdoshëm të sillen në Zagreb. Është biseduar për një promovim të mundshëm këtu, por, siç ju kam shkruar edhe më parë, presim mendimin tuaj.
Me shumë respekt, nga Zagrebi, Musai.”
[Kjo letër është shkruar më 12 dhjetor 2002, në Zagreb. Po e botojmë pa asnjë ndërhyrje, si dëshmi kohe për të saktësuar momentin e parë të idesë për ribotimin e korpusit Illyricum Sacrum. Është majft interesant letërkëmbimi që ne gjatë punës sonë kemi shfrytëzuar e konsultuar, për ribotimin e korpusit Illyricum Sacrum, që është i vëllimshëm dhe i bërë më shumë personalitete të shkencës, kulturës dhe politikës në disa gjuhë, që në një moment të caktuar mund të shërbejë si dëshmi historike për të gjitha sfidat, problemet, shqetësimet dhe peripecitë që janë kaluar për të arritur në rezultatin përfundimar, ribotimin e Illyricum Sacrum, në shkurt të vitit 2005. Me këtë rast, ne kemi zgjedhur vërtetë një numër jashtëzakonisht të vogël të letërkëmbimit, për të dëshmuar se janë bërë të gjitha përpjekjet e duhura që kjo vepër të jetë në duart e studiuesve dhe lexuesve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të tjerë, edhe pse shqiptarët, veçanërisht disa historianë dhe mentorët e tyre, për shkak të mosnjohjes së gjuhës latine dhe greke, ribotimin e pritën me brengën se “do të kushtojë relativisht shtrenjtë” dhe se “do të dalë në shitje me një çmim që do të jetë i paarritshëm për shumicën e qytetarëve” duke treguar kështu diletantizëm, miopi dhe shkallë të ulët profesionalizmi].
Menjëherë pas marrjes së kësaj letre, S. Blakaj, reagon shumë pozitivisht, duke rënë dakord me idenë e ribotimit fototipik, por njëherësh kërkon edhe të dhëna plotësuese, si dhe mendimet e disa prej specialistëve kroatë rreth kësaj vepre dhe mundësisht një përllogaritje të përafërt të shpenzimeve të mundshme për një projekt të tillë.
Natyrisht, S. Blakaj, ishte dakord që të bisedohej edhe me DPA dhe HDA si bashkëbotues të mundshëm, ngase për një projekt të tillë kapital, vërtet duhej sfiduar jo vetëm koha, shpenzimet por edhe shumë pengesa, që në fillim nuk mund të parashikoheshin. Fillimisht dr. Sinani, mbështet një ide të ribotimit fototipik të tërë veprës, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton për ndihmë të pakursyer. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe dr. Kolanoviq në emër të HDA. Në fillim të vitit 2003, dr. Sinani i bën një letër dr. Kolanoviq duke njoftuar, ndër të tjera edhe për gatishmërinë e DPA-së për ribotimin fototipik të Illyricum Sacrum.
Veprimet e para ishin bërë. Puna po ecte për së mbari. Herë pas herë kishte probleme por ato tejkaloheshin me kujdes. Gjatë tërë kohës, komunikohej me forma të ndryshme, telefon, letra dhe takime të shpeshta në Tiranë, Prishtinë, Zagreb, Romë dhe qytete të tjera. Në ndërkohë, kishim ide të reja. S. Blakaj, p.sh. propozon që të shikohej mundësia e botimit të tërë korrespodencës së autorëve të Illyricum Sacrum. Një gjë e tillë, për momentin ishte e pamundur, përkundër saktësmit të vendndodhjes së letërkëmbimit, ngaqe ai përbëhej nga disa vëllime voluminoze dhe ndodhej në shumë arkiva e biblioteka. Fizikisht një gjë e tillë nuk arrihej. Duke ndjekur nga afër mbarëvajtjen e të gjitha punëve, çfarëdoqofshin ato, S. Blakaj, i bën një letër ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, duke kërkuar mbështetje financiare. Letra është më shumë një promemorje, në të cilën saktësohen të dhënat më themelore për projektin dhe veprën. Një veprim i tillë ishte me rëndësi të madhe. Kyçja e institucioneve zyrtare shtetërore kosovare, kishte peshë të dyfishtë, ngase me anë të dokumentave dhe botimeve serioze, të vëllimshme dhe të njohura në botën shkencore e kultuore, tregohej para opinionit të huaj, politik, intelektual dhe shkencor, se shqiptarët, më shumë se njëherë, janë trajtuar nga studiues e specialistë të huaj, nga këndvështrime të ndryshme, duke treguar me argumenta dhe dëshmi të forta, vazhdimësinë e pandërprerë iliro-arbërore-shqiptare që nga lashtësia deri në ditët e sotme, dhe një gjë e tillë, hidhte poshtë pretendimet sllave se Kosova ishte “Serbi e vjetër.” Vetë pohimi i D. Farlatit se shën Mateu ishte në Dardani në kohën e ungjillizimit të dardanëve, pastaj emrat e ipeshkëve, shenjtorëve dhe martirëve dardanë, janë një argument i fortë, për të vazhduar me të tjerë, për të drejtën e pavarsisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Vepra Illyricum Sacrum e shikuar nga ky aspekt, ishte dëshmia më bindëse, për opinionin perëndimor, atë politik, kulturor, shkencor dhe intelektual, se tradita, kultura, feja, shtetësia dhe elementet e tjera të jetës publike dhe shoqërore, ishin pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë, në këto troje denbabaden. Me një vepër të tillë, të cilën nuk e kishin popujt e tjerë të gadishullit Ilirik, më vonë Ballkanik, jo vetëm demostrohej në mënyrë bindëse dhe argumentuese historia e pasur shumëshekullore, por dëshmohej një e vërtetë historike, të cilën e kishin bërë publike studiuesit e huaj, e pikërisht ata të mbështetur nga Vatikani dhe perëndimi disa shekuj më parë, e që sot ishte pothuajse domosdoshmëri t’iu rikujtohej disa politikanëve, intelektualëve dhe shkencëtarëve shqipëtarë. Duke qenë një enciklopedi në vete, korpusi Illyricum Sacrum, do të shërbente për të gjithë dhe në të gjitha fushat, si udhërrëfyesi më i saktë dhe më i drejtë në debatet dhe diskutimet që do bëheshin për çështjet madhore kombëtare.
Më lart, kemi cekur kërkesën e S. Blakaj për disa mendime të historianëve dhe specialistëve kroatë për veprën Illyricum Sacrum. Meqenëse shumë herë në letërkëmbime, në katalogje të ndryshme, por edhe në shtypin e ditës është cituar letra dhe mendimi i prof. A. Stipçeviqit, për Illyricum Sacrum, ne sjellim në vijim letrën së bashku me rekomandimin për Ministritë përkatëse të Tiranës dhe Prishtinës.
“Zagreb,19. XII. 2003
“Para disa ditesh më kishit dërguar një letër përmes e-mailit, por nuk munda t’ju përgjigjem menjeherë sepse po e përfundoja një liber timin që duhej me kohë t’ia dorëzoja botuesit. Por, ndërkohë u paraqit dr. Musa Ahmeti me telefon dhe më është lutur t’ju shkruaj një rekomandim të shkurtër që do t’u dërgohej ministrive gjegjëse në Prishtinë e Tiranë për një bashkëfinancim të botimit të veprës “Illyricum Sacrum.” Kisha përshtypjen se puna është e ngutshme dhe menjëherëë i hyra punës. Si shtojcë të letrës po ju dërgoj rekomandimin tim, po mbasi nuk e di e-mailin tuaj, rekomandimin po ia dërgoj Musës. Shpresoj që rekomandimi i dërguar do t’i shërbejë qëllimit të vet.
Vepra “Illyricum Sacrum” është një nga veprat më të rëndësishme që trajton historinë mesjetare dhe të kohës së re të Ballkanit përendimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, dhe kjo është vlera e saj më e madhe. Në rekomandimin e dërguar posaçëm kam tërhequr vërejtjen që nismëtar i idesë për këtë vepër ishte papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, nga Italia, i cili me të gjitha forcat e ka përkrahur këtë projekt. Pa të vështirë se do të realizohej një punë aq kolosale.
Jam shumë i gëzuar që një vepër e tillë do të dalë në botim reprint, sepse botimi origjinal është aq i rrallë, sa që në Zagreb e kemi vetem në një komplet, kurse dëgjoj që në Shqipëri nuk ekziston asnjë komplet i kësaj vepre, pos disa vëllimeve të shpërndara. Vepra ka rëndësi, se aty janë përmbledhur dokumente që janë zhdukur pa gjurmë, të cilat janë të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar.
Jam i bindur se botimi reprint i kësaj vepre do të gjejë të interesuar edhe në vendet e tjera, sepse shumë institute e biblioteka që janë themeluar në shekujt XIX e XX nuk kanë mundur ta sigurojnë këtë vepër e cila është një nga të mbërrimet kapitale historiografike në Evropën e atëhershme.
I juaji, Aleksandër Stipçeviq”
Ja edhe rekomandimi për ribotimin e Illyricum Sacrum që ishte përgaditur nga prof. A. Stipçeviqit, për të dy Minstritë e kulturës atë Tiranës dhe Prishtinës:
“Kur Klementi XI u bë papë i Romës, pikërisht me nxitjen e tij, filloi njëra ndër ndërmarrjet më kolosale historiografike në Evropën e atëhershme. Ky papë, në të vertetë, ishte me origjinë shqiptare dhe si djalë i ri, duke ditur për prejardhjen e vet, mblidhte lënden për një vepër që kishte menduar ta shkruante për prejardhjen dhe lashtësinë (Le Origini e le Antichita) të Ilirikut të lashtë. Ai e dinte që stërgjyshët e tij kishin ardhur nga Shqipëria në Italinë e mesme, kështu që interesimi i tij për të kaluarën e shqiptarëve ishte plotësisht i kuptueshëm. Më vonë, lëndën e mbledhur, kur është ulur në karrigën papnore, nuk ka mundur ta shfrytëzojë shkaku i punëve të shumta që është dashur t’i kryejë në postin papnor. Por, kur merr vesh se jezuiti Filipe Ricepputi ka ndërmend të shkruajë historinë kishtare të Ilirikut, e fton në Romë dhe ia jep të gjithë lëndën që e kishte mbledhur për veprën e vet të parealizuar. Pos kësaj e pajis me rekomandimet të cilat Ricceputit gjerësisht ia hapin dyert e arkivave e të bibliotekave jo vetëm të Romës po edhe të qyteteve të tjera italiane. E kur Ricceputi më 1720 niset për në “Ilirik,” gjegjësit në qytetet e brigjeve lindore të Adriatikut, papa ia paguan të gjitha shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Dalmaci e në Mal të Zi e Shqipëri. Riçeputi mbledh lëndë kolosale të shtypur e dorëshkrimesh dhe në Padovë fillon rregullimi dhe përgatitja e saj për shtyp. Nuk ia del, por punën e tij e vazhdon Daniele Farlati, e mbas tij edhe Jacopo Coleti. Gjithsej janë shtypur tetë vëllime të mëdha të kësaj vepre nga viti 1751 deri më 1819. Posaçërisht është e rëndësishme të theksohet që autorët e kësaj vepre kolosale sjellin tekste integrale të përshkruara nga dorëshkrime kodeksesh nga të cilët, mbasi është kryer puna, shumica janë zhdukur. Pikërisht për këtë kjo vepër edhe sot ka rëndësi të dorës së parë si burim i të dhënave për historinë mesjetare të Ballkanit perëndimor, prandaj është fort e rëndësishme që historianët e tashëm ta kenë në dorë këtë vepër e cila është bërë raritet i vërtetë bibliografik. Prandaj mendoj që botimi reprint i kësaj vepre është i një rëndësie të madhe për të gjithë ata që merren me të kaluarën e të gjitha vendeve që tash ndodhen në hapësirat e Ilirikut antik, dhe atë jo vetëm për historinë kishtare, siç mund të mendohet mbi bazën e titullit të veprës, por edhe për historinë politike, kulturore e tjetër të këtyre popujve.
Prof. dr. Aleksandër Stipçeviq, në Zagreb, 18. XII. 2003.”
Me kalimin e kohës, mbështetja, veçanërisht ajo e intelektualëve, shtohej nga shumë institucione kulturore të mbarë Evropës, duke shprehur kënaqësinë për një impenjim të tillë. Shumica ishin të impresionuar, ngase kishin parasysh vlerat e jashtëzakonshme të vepërs, ndërsa në anën tjetër edhe vështirësitë e shumta që atë [korpusin Illyricum Sacrum] ta shfrytëzonin dhe konsultonin për shkak të raritetit të saj nëpër biblioteka dhe arkiva. Në anën tjetër, kishte edhe persona të atillë që ishin skeptikë dhe mosbesues se tërë ky projekt do të përfundonte me sukses. Këtu duhen veçuar, posaçërisht kolegët historianë dhe albanologë shqiptarë, por edhe disa të “ashtuquajtur” intelektualë, të cilët, në vend që të ishin mbështetësit kryesorë, bënin të kundërtën, duke shkruar kundër kësaj kryevepre dhe duke treguar naivitet dhe mosnjohje të veprës, të cilën kishte raste që e kishin cituar, në “studimet e tyre” pa e pasur kurrë në duar!
Kur një popull dhe komb drejtohet nga një intelektual dhe personalitet që për tërë jetën është marrë me studime, krijime dhe shkrime, ai mund të kuptojë më mirë se askush vlerën dhe rëndësinë që vepra të tilla kapitale kanë për memorien dhe kulturën kombëtare, i tillë ishte dr. Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës. Duke qenë i vetëdijshëm për një gjë të tillë, S. Blakaj, pasi kishte biseduar më parë me z. Sali Cacaj, i dërgon një letër dr. Ibrahim Rugovës, në të cilën i kërkon mbështetje jo vetëm financiare, por edhe zyrtare dhe institucionale.
Përgjigjia ishte e menjëherëshme, duke mbështetur projektin pa asnjë rezervë. Për fat të keq, një gjë e tillë, nuk ndodhi me institucionet e Tiranës. Institucionet më kompetente u njoftuan në rrugë zyrtare, por edhe tjetër, për projektin, idenë dhe ribotimin fototipik-anastatik. Janë të shumta përpjekjet e bëra që korpusi Illyricum Sacrum, të gjendej edhe në bibliotekat dhe arkivat e Shqipërisë. Pos letrave dhe letër-promemorjeve, prof. Shaban Sinani, më shumë se një herë, në shtypin e ditës bën thirrje publike për mbështetje dhe përkrahje për një projekt të tillë të rëndësishëm. Pothuajse në çdo hap, u ndeshëm me murin e heshtjes. Në vazhdim sjellim dy letra të drejtuara në dy adresat më kompetente të Shtetit shqiptar, përkatësisht titullarëve përkatës, të cilët ishin të obliguar të kujdesen për kulturën kombëtare, historinë, albanologjinë dhe shkencën në përgjithësi. Letrat i sjellim pa asnjë ndërhyrje:
“Tiranë, më 04.05.2004
Lënda: Botimi i “Illyricum Sacrum”
Z. Namik Dokle, Zëvendëskryeministër
Këshilli i Ministrave
I nderuari z. Zëvendëskryeministër,
Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin e përsëritur me anë të kësaj letre. Dëshiroj t’Ju informoj se përgatitja e botimit “Illyricum Sacrum“ tashmë ka përfunduar dhe “ARBI ltd“, botues me qendër në Prishtinë, është në përfundim të lidhjes së kontratës me shtypshkronjën në Slloveni.
Sikurse Ju kam shkruar, duke qenë se kostoja e këtij botimi është mjaft e madhe, botuesi do të porosisë vetëm tirazhin e parapaguar, ose të kërkuar me marrëveshje. Ky është një botim për biblioteka dhe institucione dhe jo për t’u shitur në treg për individë.
Gjatë ditës së djeshme kam pasur një takim me don David Xhuxhën (Drejtor i Seksionit Shqip të Radio Vatikanit) dhe Skënder Blakajn (drejtor i ARBI ltd“. Bashkëbiseduesit u shprehën se shtypshkronja nuk i pret. Për këtë arsye kërkova një takim me ministrin Klosi, por ai po nisej për një udhëtim jashtë shtetit. U zhvillua një takim informues me këshilltarin e z. Klosi.
“Illyricum Sacrum” është në nëntë vëllime dhe botimi i parë i saj, nismë e Papa Klementit të 11-të, ka zgjatur afër 200 vjet. “Illyricum Sacrum” është me përmasat e një arkivi më vete, që praktikisht vetëm ribotimi fototipik mund ta shpëtojë nga zhdukja. Në Shqipëri gjenden vetëm dy ose tre vëllime. Përveç institucioneve të Kroacisë, të cilat, sikurse më njoftuan bashkëbiseduesit, janë të gatshëm të marrin ekskluzivitetin e gjithë tirazhit, për këtë botim kanë kontribuar si mundësues edhe Presidenti i Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës.
Unë mendoj se parapagimi ose premtimi me marrëveshje i blerjes së 50 kompleteve të kësaj kolane 9-vëllimshe, që do të hyjë për herë të parë tërërsisht në Shqipëri, nuk është ndonjë barrë e pambajtshme për buxhetin e shtetit. Nuk e fsheh se duke insistuar në këtë çështje dua të mbroj edhe interesat e institucionit që drejtoj. Ideja e botimit të “Illyricum Sacrum“ është propozuar për herë të parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë. Për sigurimin e origjinalit-matricë kemi konsumuar të gjitha lidhjet tona ndërinstitucionale me partnerë të huaj në Itali, Vatikan, Kroaci, Mal të Zi e gjetkë. Një pjesë e skanimeve janë bërë me tarifa favorizuese, duke qenë emri i DPA të Shqipërisë porositës. Mirëpo të gjitha këto janë kontribute intelektuale dhe me një peshë fare modeste financiare. Pra, “ARBI ltd”, duke konstatuar koston e përgjithshme të botimit, nëse asnjë institucion nga Shqipëria nuk do të porosisë një tirazh prej botimit, nuk do të respektojë premtimin e kohës së fillimit të punës, që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të jetë bashkëbotuese e veprës.
Botimi i “Illyricum Sacrum” do të na mundësonte që menjëherëë të propozojmë regjistrimin e saj në programin “Memoire du Monde” dhe për këtë unë i kam hedhur disa hapa paraprakë. Mirëpo një propozim i tillë nuk mund të formalizohet me Unesco-n pa e pasur të plotë botimin në bibliotekë.
Së fundmi, thjesht për të theksuar dobinë praktike të kësaj nisme, dëshiroj t’Ju kujtoj se historianë të shquar të Shqipërisë, ndër të cilët Ak. Kristo Frashëri, për të këshilluar një dokument nga “Illyricum Sacrum“, janë detyruar të marrin rrugën dhe të shkojnë në Bibliotekën e Shkodrës, ku ruhet e vetmja kopje e vëllimit të katërt!
Bashkëngjitur po Ju dërgoj një kopje të fletë-palosjes së përgatitur nga “ARBI ltd“ për të informuar mundësuesit e botimit për rëndësinë e tij.
Me falënderime paraprake, me stimë dhe konsideratë të lartë,
Shaban Sinani, Drejtor i Përgjithshëm.”
Në vazhdim është letra e dytë, [ose më saktë, letër-promemorja] e adresuar për ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili personalisht, është njoftuar më shumë se njëherë për tërë projektin, ndërsa këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e minsitrit, poashtu janë njoftuar disa herë, në takime të veçanta. Edhe kjo letër është dërguar nga Tirana, përkatësisht nga dr. Sinani, i cili ishte i angazhuar që nga fillimi drejtpërdrejtë në projekt, dhe madje fillimisht ishte menduar edhe si bashkëbotues, siç vërehet edhe nga letra në vazhdim:
“Tiranë, më 16.05.2004
Lënda: Për mbështetjen e botimit të kolanës “Illyricum Sacrum”
z. Blendi Klosi, Ministër
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
C: z. Namik Dokle
Zëvendëskryeministër
I nderuari z. Ministër,
Drejtoria e Përgjithëshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) ka disa vite që punon, me partnerë të brendshëm e të jashtëm, shtetërorë e joshtetërorë, për të përgatitur një ribotim fototipk të kolanës “Illyricum Sacrum,” një monument i dokumentalistikës për botën iliro-shqiptare prej krishtërimit të hershëm deri në mesjetë.
“Illyricum Sacrum” është një vepër nëntëvëllimshe, e përgatitur kryesisht nga Daniele Farlati (për këtë arsye e njohur kryesisht me emrin e tij), por e paraprirë modestisht dhe e përfunduar në përputhje me qëllimin nga bashkëpunëtorë të tij. Ideja dhe propozimi i ribotimit të “Illyricum Sacrum” ka qenë e DPA. Duke mos pasur funksionalisht buxhet për botime (të paktën deri tani), DPA ka dhënë ndihmën e vet duke autorizuar kërkimet në emrin e vet në institucionet shtetërore jashtë vendit, duke siguruar tarifa lehtësuese shërbimi në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe. Në tërësinë e tyre, duke pasur parasysh koston mjaft të lartë të rishtypjes, këto janë shpenzime të vogla dhe nuk bëjnë të mundur që DPA të paraqitet si bashkëbotuese e veprës, aq më pak që shtetit shqiptar t’i sigurohet një tirazh i merituar.
Nisur nga rrethanat e mësipërme, ne i kemi propozuar Zëvendëskryeministrit që të shihet mundësia e marrjes së përgjegjësisë së shtetit shqiptar në formën e kontributit në buxhetin e botimit, për të siguruar: 1. Një tirazh relativ për nevojat e bibliotekave më të mëdha të vendit dhe për nevoja të larta të protokollit shtetëror; 2. Një institucion i shtetit shqiptar, i cili ka dhënë deri tash një kontribut intelektual për përgatitjen e botimit, paraqitet si bashkëbotues (DPA), ku mund të ketë edhe emra të tjerë entesh të tillë, të disa shteteve duke përfshirë ente privatë, që janë të gatshëm të përballojnë koston. (…) Jo vetëm dokumentet e mbledhuara, por dhe veprat e botuara, dijetarët shqiptarë thuajse nuk i njohin integralisht ose, më saktë, nuk kanë njohur ndonjëherë integralisht. Kjo jo vetëm për faktin se nuk i kanë pasur asnjëherë në duar të 9 vëllimet (madje për vëllimin e 9-të pakkush e di se ekziston), por edhe për faktin tjetër, që “Illyricum-i” historik shtrihej prej Triestes në Artë dhe deri në thellësi të Ballkanit. Në botimin “Albanica” I-II, 1998, Tiranë, jepen të dhëna të sakta se çfarë vëllimesh të “Illyricum Sacrum” ruhen në bibliotekat shqipatre (gjithësej 3-4 vëllime). Për ilustrim të faktit që studiuesit shqiptarë as informacionin nuk e kanë të plotë, për këtë korpus le të citojmë një shënim nga bibliografia serioze “Albanica”, botuar në Tiranë me 1998, në të cilën përmenden vetëm tre vëllime të “Illyricum Sacrum.” “Vëllimi i dytë është i dëmtuar. I mungojnë fleta e titullit dhe 16 faqe. 350 faqet e para janë të dëmtuara.” Çfarë kërkohet? Kërkohet mbështetje financiare nga ana e MKRS, në kufij të arsyeshëm relativë, duke llogaritur që, sipas parashikimit, kostoja e një serie të plotë të 9 vëllimeve.
Në kushtet kur Ministria e Kulturës e Kroacisë mund të blejë rreth 300 kopje të serisë së plotë dhe Ministria e Kulturës e Kosovës 100 kopje, do të ishte e arsyeshme që, përmes MKRS, pala shqiptare të parablinte së paku 100 kopje. Kontributi si subjekt mbështetës do të siguronte të drejtën e tirazhit falas, përpjestimisht me shumën e vënë në dispozicion. Po ashtu, një institucion shqiptar (DPA) do të paraqitej si bashkëbotues në ballinë. Shuma që do të mundësonte këtë, sipas përllogaritjes së entit botues që negocion me shtypshkronjën, është jo më pak se 50 mijë euro.
Me besim në bashkëpunimin tuaj dhe me gatishmërinë për të siguruar lidhje të drejtpërdrejta të MKRS me entin privat botues “Arbi ltd”, që mban peshën kryesore buxhetore për gjithë këtë inciativë,
Dhe me respekt
Shaban Sinani, Drejtor i Përgjithshëm.”
Është e pashpjegueshme heshtja deri në mospërfillje e institucioneve shqiptare, aq më parë, kur dihet publikisht se në asnjë bibliotekë apo arkiv shqiptarë, nuk ruhet një komplet me të gjitha vëllimet e korpusit Illyricum Sacrum. Me këtë rast, duke botuar vetëm këto dy letra, ne në mënyrë të hapur hedhim poshtë disa pohime se institucionet shqiptare kompetente të kulturës, nuk kanë qenë të njoftuara në rrugë zyrtare, edhepse, një gjë e tillë është bërë publikisht, më shumë se një herë. Sipas të gjitha gjasave, studjuesit, shkencëtarët, historianët dhe albanologët shqiptarë do të jenë të detyruar që edhe në të ardhmen të udhëtojnë jashtë Shqipërisë, [ose të presin në radhë për të pasur në duar një komplet të falur për BK të Tiranës nga ana e botuesit], për të konsultuar këtë vepër e cila është e patejkaluar edhe sot e kësaj dite për shumë fusha të albanologjisë dhe historisë, përkundër faktit se është shkruar para më shumë se 250 vitesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

KRYETARI I VATRËS VIZITË NË FAMILJEN JASHARI

November 15, 2022 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha zhvilloi një vizitë shumë emocionuese në familjen Jashari, Kompleksin Memorial të Varrezave të Familjes Jashari në Prekaz duke u përulur në nder e respekt të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari e të rënëve për lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Vatrës nderoi sakrificën historike të Adem Jasharit familjarisht. Kryetari i Vatrës gjatë vizitës vëllazërore zhvilloi homazhe duke vënë kurora me lule te varri i Adem Jasharit, u prit ngrohtësisht në kullën e Rifat Jasharit ku u kujtua qëndresa e familjes Jashari, lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjëndja në Kosovë e perspektiva e popullit shqiptar në Kosovë. Në takimin e përzemërt u diskutua rreth rolit të shqiptaro-amerikanëve dhe kontributit të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Rifat Jashari e falenderoi kryetarin Berisha për vizitën duke i shprehur mirënjohjen e veçantë Vatrës e shqiptarëve të Amerikës si mbrojtës të çështjeve kombëtare. Kryetari Elmi Berisha e garantoi Bacën Rifat Jashari se Vatra do bëjë gjithçka për vëllezërit e motrat në Kosovë, për zhvillimin e Kosovës, me qëllim që çdo shqiptar jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri e në trojet etnike të ndjehet i sigurtë, i përfaqësuar dhe nën mbikëqyrjen e veçantë të Vatrës e shqiptaro-amerikanëve. Historia, sakrifica, lavdia e Jasharëve është unike në historinë e kombit tonë. Nderim përjetë komandantit legjendar Adem Jashari, Jasharëve heroikë dhe gjithë të rënëve për Lirinë e Kombit tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, rifat jashari

Shkolla shqipe” Mëso Shqip” në Staten Island program për Festën e Flamurit Kombëtar

November 14, 2022 by s p

Sokol Paja/

Shkolla shqipe” Mëso shqip” në Staten Island New York po vazhdon punën e saj dhe në semestrin e dytë shkollor. Kjo fole e ngrohtë atdhetarie ka hapur dyert e saja përsëri në fund të shatorit ku nxënësit e kësaj shkolle po ndjekin mesime në gjuhën shqipe e po ashtu po mësojne vallëzime tradicionale shqiptare. Një organizim i shkëlqyer i Shoqatës Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini. Këto aktivitete kulturore, edukative e patriotike nxënësit e shkollës i mbajnë çdo javë në shkollën PS 2, të dielave duke filluar nga ora 10 deri 2:30 me përkushtimin e vullnetin e çeliktë të mësueseve të gjuhës dhe vallëzimit. Jo më larg se dje ato kremtuan festën e madhe të 28 Nëntorit duke ju bëre të ditur nxënësve shqiptarë se nga ato vijnë, dhe nga i kanë rrënjët, duke i njohur me historinëe tyre krenare kombëtare. Këtë gjë e realizuan me shumë mjeshteri me ane të projekteve të ndryshme. Ato përgatitën poezi me rastin e Ditës së Flamurit, bënë projekte me figurat e heronjeve me të mëdhenj shqiptarë e kështu nxënësit u njoftuan më afër me kulturën traditën dhe sakrificat që kanë bërë ndër shekuj këto figura madhështore që ne sot ta festojmë të lirë këtë ditë.

Buzqeshja e tyre dhe entuziazmi dhe dëshira për të ditur e mësuar më shumë rreth kësaj date të rëndësishme ishte rezultati më i mirë për mësueset. Po ashtu në anën tjetër nuk munguan vallet e këngët me motive patriotike dhe atdhedashëse që ushtonin si një melodi zemre dhe mbushnin plot zemrat e prindërve që po i ndiqnin deri sa ato vallëzonin e këndonin. Po ashtu kjo shkollë me datë 20 nëntor do shfaqë një program të larmishëm kulturor e artistik kushtuar Ditës së Flamurit Kombëtar.

Kjo shkollë është model atdhedashurie, përkushtimi e dedikimi për shqiptarinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DËSHMI HISTORIKE SI U BOTUA KORPUSIN ILLYRICUM SACRUM MË MBËSHTETJEN E PRESIDENTIT TË KOSOVËS: Dr. IBRAHIM RUGOVA

November 13, 2022 by s p

Prof. dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies

Budapest

(Pjesa e parë)

Ribotimi i korpusit Illyricum Sacrum nuk ishte ide e re dhe as e para. Përpjekje dhe iniciativa për ribotim ka pasur edhe më parë, por të gjitha kanë mbetur vetëm të tilla. Paraqitja e tyre në mënyrë kronologjike është mjaft interesante, sepse na dëshmon zhvillime të çuditshme, prapaskena e drama të cilat mund të ndodhnin vetëm në Ballkan. I kemi ndjekur një për një të gjitha këto përpjekje, duke shfletuar dokumenta, dorëshkrime, letërkëmbim si dhe shkrime e studime të botuara të vetë pjesëmarrësve në këto ngjarje, por edhe të atyre që nuk kanë qenë drejtpërdrejtë të kyçur në to, duke u bërë dëshmitarë të momenteve shumë të rëndësishme ose thënë ndryshe pjesë e pandarë e kësaj kryevepre. 

Qëllimi ynë kryesor në këtë rast, është që me korrektësi dhe paanshmëri të paraqesim ato ndodhi dhe ngjarje deri në momentin e daljes nga shtypshkronja të ekzemplarëve të parë të ribotimit fototipik-anastatik të Illyricum Sacrum në shkurt të vitit 2005. Sipas dokumenteve dhe dorëshkrimeve ekzistuese, i pari që kishte planifikuar një ribotim të mundshëm të korpusit Illyricum Sacrum, ishte njëri nga autorët e kësaj vepre, pikërisht ai që edhe e përfundoi atë, at Jakob Koleti. Mirëpo nga një ide e tillë, atë e largoi vdekja. 

Duke studiuar dorëshkrimet e at Koletit, një tjetër personalitet i rëndësishëm për korpusin Illyricum Sacrum, don Frane Buliq, i bëri përpjekjet e para për një ribotim të mundshëm që në vitin 1902, për t’i vazhduar ato edhe zyrtarisht në vitin 1906. Megjithëse nuk i arrin rezultatet e dëshiruara përkatësisht ribotimin e Illyricum Sacrum që me përpjekjet e para, ai nuk u dekurajua. Përkundrazi e la për më vonë, duke pritur momentin më të favorshëm për një gjë të tillë. Gjithmonë shpresonte se do të mund të realizonte një ribotim serioz dhe në nivel ashtu siç ishte edhe vetë vepra dhe për këtë gjë bisedoi madje edhe me një botues nga Parisi. 

Duke e vlerësuar si një vepër me rëndësi të veçantë dhe tepër të rrallë, e cila vështirë se gjendej për t’u konsultuar, don F. Buliqi mendon që ta botojë Illyricum Sacrum në mënyrë fototipike-anastatike. Megjithatë, në një moment të caktuar, pasi u bë i vetëdijshëm për problemet e shumta, që nga ato financiare e deri te te ato profesionale, por gjithashtu edhe nga zhvillimet politike të kohës, ai tërhiqet nga ideja e parë, duke planifikuar tashmë një botim komplet të ri, me autorë të tjerë, të një “Illyricum Sacrum-i” tjetër. Për një ide të tillë, sa ambicioze aq edhe të parealizueshme, [Ne mbështesim mendimin me prof. V. Novakun, kur pohon se: “don F. Buliqit i mungonte ndihma e papëve, për një ndërmarrje të tillë,” ndërkohë që të tre jezuitët: Riçeputi, Farlati e Koleti, e patën atë, por jo vetëm kjo ndihmë, ishin edhe rrethanat politike dhe shoqërore ato që u bënë pengesa kryesore për të realizuar një ndërmarrje të tillë. Novak, në studimin e tij, sjell edhe këtë të dhënë: “Në vitin 1918, papa Benedikti i XV, studiuesit françez, R. Graffin, i kishte dhënë 20.000 franga frenge për botimin e Serbia Sacra.” Një gjë e tillë, tregon interesimin e vazhdueshëm që kishin papët dhe Vatikani për të ashtuquajturën “Iliri të lashtë”] don F. Buliqi bën edhe veprimet e para. Më 29 dhjetor 1918, ai u dërgon të gjithë ipeshkëve të Jugosllavisë së atëhershme dhe të Shqipërisë një letër-qarkore, në të cilën u lutet atyre që të mbledhin dhe sigurojnë burime, dorëshkrime dhe dokumente, për të rishkruar një histori të madhe të kishës, si dhe botimin e ri të “Illyricum Sacrum” nga kohërat më të lashta deri në fillim të shekullit XX.

Një veprim tjetër i rëndësishëm ishte mbështetja e historianit serb Stanoje Stanojeviq, me të cilin don F. Buliq bisedon gjatë verës së vitin 1920 në Rogashka Sllatinë, duke u dakorduar që një ndërmarrje e tillë, të ketë karakter ndërkombëtar dhe për të, të ftoheshin të gjithë historianët e kishës, qofshin ata katolikë, ortodoksë apo laikë jugosllavë, por edhe emra të nderuar të shkencës ndërkombëtare. I pari që u ftua nga studiuesit e huaj ishte don G. Morin, pasi don F. Buliq gjeti mbështetjen e ndihmën e kryeipeshkvit të Zagrebit imzot Anton Bauerit, imzot S. Ritigut, prof. F. Shishiqit, prof. V. Klaiqit dhe at J. Jeleniqit. Për këtë qëllim, don G. Morin arrin në Zagreb më 20 janar të viti 1921 dhe qëndron deri me 24 korrik të vitit 1921. Gatishmëria e don G. Morinit ishte një nxitje jo vetëm për don F. Buliqin por edhe për të tjerët, ngase emri dhe veprat e tij ishin shumë të njohura në mbarë Evropën.

Takimi i parë për fillimin e punës në projektin e ri “Illyricum Sacrum” u mbajt në Akademinë e Arteve dhe Shkencave Jugosllave të Zagrebit, [JAZU-Zagreb] në Zagreb, më 26 janar 1921, [Procesverbali i takimit me 26 janar 1921 në JAZU, të cilin e kishte mbajtur imzot Svetozar Ritig, është i daktilografuar në dy faqe makine, ndërsa faqja e tretë ka disa shënime me dorë të S. Ritigut. (HDA, Zagreb, fondi 816, “Osobni fond Svetozara Ritiga”)] me pjesëmarrjen e don F. Buliqit, prof. Klaiqit, prof. Shishiqit, at Jeleniqit, imzot Ritigut, Hertlingut, don Morinit dhe prof. Kovaçeviqit nga Maribori. Në këtë takim përcaktohen orientimet kryesore programore, duke theksuar se duhej të rishkruhej historia laike dhe kishtare e Ilirikut deri në shekullin e IX. Me këtë rast, për drejtues të përkohshëm të projektit të pranishmit emërojnë don F. Buliqin, ndërsa për sekretar at Jeleniqin. Imzot Ritigu propozon që menjëherë të formohen komisionet përkatëse, të cilat do të fillonin punët pa humbur kohë. Prof. Klaiqi propozon emrat e disa studiuesve që duhej të ftoheshin për të punuar në këtë projekt, me këtë renditje: nga Beogradi: dr. S. Stanojeviq; dr. J. Radoniq, A. Anastasijeviq dhe dr. Vl. Qoroviq; nga Lublana: dr. Hauptman, dr. F. Kos, dr. M. Kos, dr. Zorea, dr. N. Radojçiq; nga Sarajeva: dr. M. Vanino, dr. Q. Truhelka; nga Vjena: dr. K. Patsch; nga Djakovo: M. Paviq dhe nga Hercegovina: at P. Dragiçeviqi. Këtu poashtu propozohet që don G. Morin të jetë organi ekzekutiv në këtë projekt dhe ndërkohë ai duhet të punojë në përgatitjen e studimit për kalendarin e shën Jeronimit në të cilin dalin emrat e disa shenjtorëve nga Iliria e lashtë.

Duke analizuar me vëmendje diskutimet, propozimet dhe përfundimet e nxjerra nga takimi i parë inicues, fillimisht për ribotimin fototipik-anastatik të Illyricum Sacrum, pastaj edhe idenë e botimit të një vepre të re me titull të njejtë, ku do të pasqyrohej historia e të dyja kishave [asaj perëndimore dhe lindore] deri në ndarjen përfundimtare të tyre, konkludojmë se qëllimi kryesor ishte rishkrimi i një historie të Ilirisë kishtare dhe civile nga kohërat më të lashta deri në mesin e shekullit XI, duke plotësuar Farlatin me burime dhe të dhëna të reja për popujt që kishin banuar në ato territore.

Don F. Buliq, me t’u kthyer në Split, përpilon një letër-qarkore për ministrin e Kulturës së Jugosllavisë së atëhershme, Svetozar Pribiqeviq, duke zbërthyer idenë e ribotimit ose shkrimit të një vepre të re, me shpresë se do të gjente mbështetjen financiare. Meqenëse është dokument me një rëndësi të veçantë, si për sa i takon konceptit dhe pikëpamjeve të don F. Buliqit, lojës së dyfishtë që ai bënte duke u përpjekur t’u shmangej ndikimeve politike dhe nacionalizmit serb e në anën tjetër duke ruajtur krenarinë kroate, ashtu edhe për shkak të paraqitjes reale të gjendjes rreth korpusit Illyricum Sacrum ne e sjellim në vazhdim atë të përkthyer në gjuhen shqipe (Origjinali është shkruar në gjuhën kroate, jo serbo-kroate dhe ruhet në HDA, O. F. S. Ritig, kut. 2. Këtë letër me disa shkurtime e ka botuar edhe V. Novak, duke i bërë një koment të njëanshëm, veçanërisht, duke i interpretuar në mënyrë tendencioze idetë dhe qëndrimet e don F. Buliqit):

“Zoti ministër, 

Gjatë vitit 1906, kur unë i nëshkruari, kisha provuar me një botues parisien që të ribotoja me metodën anastatike disa nga vëllimet e veprës Illyricum Sacrum të shtypura nga jezuitët Farlati e Koleti në Venedik gjatë viteve 1751-1819, për të cilën vepër një pjesë të materialit e kishte mbledhur më herët Riçeputi, i ndihmuar nga Pacifik Bica prej Rabi (më vonë kryeipeshkv i Splitit 1746-1756), vepër e cila në fakt kishte mangësi, posaçërisht në dy vëllimet e fundit VII e VIII që trajtonin ipeshkvitë e Duklës, Tivarit, Ulqinit, Durrësit, Sriemit, Shkupit, Beogradit, Ohrit etj. dhe këto për shkak se ishin të shtypura në numër të kufizuar ekzemplarësh; ashtu edhe para vitit 1906, përkatësisht në vitin 1902 kur i nëshkruari ka botuar në disa vite në vazhdim (1902-1910) në revistën e tij shkencore “Bullettino di archeologia e storia dalmata,” korrigjimet dhe përmirësimet, të cilat vetë Koleti i kishte bërë për ribotimin e kësaj vepre madhore dhe më vonë gjatë viteve 1911-1912, kur i nënshkruari, kishte botuar “Kronotaksu Solinskih Biskupa od III.-VII. Vijeka uz dodatatk Kronotaksa Splitskih Nadbiskupa od razorenja Solina do polovice XI. vijeka,” kishte ëndërruar ai, se do ishte shumë mirë, që në bazë të gërmimeve arkeologjike të kryera përgjatë gjithë vendit tonë, në dekadat e fundit, në bazë të hulumtimeve historike nëpër arkivat evropiane si dhe në bazë të studimeve të shkencëtarëve dhe hulumtuesve të historisë sonë të ribotonte Illyricum Sacrum të korrigjuar, të plotësuar në botimin e dytë, ose ç’ka do të ishte më mirë sikur të shkruhej krejtësisht i ri, për historinë kishtare të Ilirisë në kuptimin e gjerë të fjalës, e cila vepër do të na pasqyronte depërtimin e krishtërimit dhe shtrirjen e tij në territoret tona deri në shekullin e nëntë dhe pastaj deri në ditët e sotme.

Me rastin e përkujtimit të 1500 vjetorit të Ediktit të Milanos në vitin 1913 si dhe të vdekjes së Dioklecianit në pallatin e tij këtu (313-1913), manifestimi solemn u bë në varrin e martirëve të Diokleciatit dhe në pallatin e tij në Peristil të Splitit dhe me rastin e po këtij manifestimi në vitin 1914 në Nish, në qytetin e lindjes së perandorit Konstantin, i nënshkruari, ka botuar një studim për këta perandorë me shpresën se pas luftërave ballkanike do të mund të eliminohej ndarja e cila ekzistonte që prej nëntë shekujsh mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ndarje në mes të lindjes dhe perëndimit, në kuptimin politik është eliminuar në shtetin tonë dhe do të përfundojë edhe në mes të kishave me rastin e rregullimit të situatës dhe në një gjendje të tillë mund të kontribuojë kjo letër e nëshkruar nga unë.

I nënshkruari, mendon se ka ardhur momenti që të arrihet qëllimi i tij. Që nga viti 1881, ai ka gjetur një ftesë të shkruar nga kleri dalmatinas ku ndër të tjera thuhej “kur tani ndarja në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e thelluar gjatë rrjedhës së historisë dhe konflikeve të brendshme, përkatësisht ndërmjet Romës dhe Bizantit nuk ka më arsye të ekzistojë, tani që në gërmadhat e trungut bizantin kthehen qëllimet sllave etj.; tani kur – vazhdon autori i letrës – sllavët e Lindjes kanë pranuar të jetojnë nën ndikimin e kulturës së Perëndimit, e cila mund t’u sjellë atyre shumë të mira për fiset e tyre sllave, dhe po kjo mund t’i kontribuojë kulturës së Perëndimit, ndërkohë që sllavët e Perëndimit ndjejnë kërkesë jetësore të thellohen në burimet shkencore të Lindjes, të cilat na njoftojnë për kulturën dhe jetën e përbashkët, për historinë tonë të përbashkët deri në shekullin e nëntë,” tani, i nënshkruari, mendon se ka ardhur momenti që të realizohen qëllimet kryesore të cilat i kishte menduar vite me rradhë. (…) Para dy vitesh, shkrimtari i njohur francez Don Germain Morin, anëtar i Urdhërit Benediktin në kuvendin Maredsous në Belgjikë ka marrë lejen nga udhëheqësi i Urdhërit të tij që të vijë lirisht në shtetin tonë për kërkime shkencore. Morin është i njohur në botën shkencore si njëri ndër hulumtuesit më të mirë të historisë së vjetër kishtare në tërë Evropën. Me artikujt e tij studimorë është dalluar deri në kohë të luftës në Revue Bénédictine, të cilën e ka botuar kuvendi i Maredsous. Edhe në periodikë të tjerë të Evropës ka studime të tij shkencore. Para Luftës dhe gjatë saj ka punuar në Bibliotekën Mbretërore të Monakos, ku edhe ishte laureuar. Studimet e tij për homelitë e Shën Augustinit i boton në fund të vitit 1917 në një libër mjaft voluminoz. Në hulumtimet e tij, herë pas here ai është marrë edhe me Ballkanin dhe p.sh. ka ndriçuar figurën e Niketës, ipeshkvit të Remesianës (Ak-ili, Bella-Pallanka) në Serbinë e vjetër, mikut të madh të Shën Paulinit nga Nola, duke vërtetuar se ishte ipeshkv i këtij qyteti dhe jo i Akuilesë (rreth vitit 410), dhe sipas të gjitha gjasave ai ka krijuar njërin nga himnet më të bukura të kishës perëndimore “Te Deum laudamus”. Janë të njohura hulumtimet e tij për veprat e shën Çezarit, d’Arles, dhe për Amalariun, për ipeshkvin Treverskom, i cili në vitin 813 ishte anëtar i legatës së Karlit të Madh dërguar Mihalit, perandorit të Bizantit, për të cilat qëllime ka ardhur në Zarë në vitin 805 dhe ishin në legatën e parë kur kaluan tek Karli i Madh i shenjtë, Dogji i Venedikut, Pali, duka i Zarës dhe Donati (i treti me këtë emër) ipeshkv i Zarës. Me Morinin njihem që prej 20 vjetësh, dhe kemi bashkëpunuar në fusha të ndryshme shkencore. (…) G. Morin ka pranuar që para dy vjetësh të punojë në fushën e historisë së kishës jugosllave. Edhe pse është 59 vjeç, ai është i freskët, i kthjellët e i shkathët. Me dashamirësinë e shkëlqesisë së tij, kryeipeshkvit të Zagrebit, dr. A. Bauer, drejtuesit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Jugosllave të Zagrebit, në Zagreb, i është mundësuar që më 21 janar të vitit 1921, Morin të arrijë në Zagreb nga kuvendi Monserrat afër Barcelonës, ku kishte qëndruar muajt e fundit. Këtu, më datë 26 janar është mbajtur një takim që të shihej në është e mundur që të realizohet një aksion shkencor për qëllimin e lartpërmendur. Në të kanë marrë pjesë një numër i vogël ideatorësh të këshillit të përkohshëm, përkatësisht disa personalitete nga Kroacia, Dalmacia, Sllovenia dhe Bosnia. Profesori i universitetit të Beogradit, Stanoje Stanojeviq, i cili kishte premtuar se do të vinte, nuk mundi të marrë pjesë për shkak të obligimeve zyrtare. Në fillim u vendos që para se të fillohej me punët konkrete të kujdeseshim për sigurimin e mjeteve materiale që i nënshkruari, si kryetar i përkohshëm i këshillit organizues të udhëtonte për në Beograd dhe të vinte te ju me kërkesë, zoti ministër, që për vitin 1921/1922 të futet në buxhetin shtetëror shuma prej 60.000 dinarësh për nevojat e këtij aksioni si p.sh. udhëtime të të nënshkruarit ose të anëtarëve të tjerë me Morinin, në të gjitha ipeshkëvitë e shtetit tonë, në të gjitha kuvendet kryesore që me prelatët kishtarë të njërës dhe të kishës tjetër, të bisedojë gojarisht për nevojat e këtij aksioni, që t’i informojë për të, dhe të kërkojë prej tyre ndihmë materiale e morale, pastaj për ata të cilët do të mund të merrnin pjesë si ndihmës ose anëtarë të rregullt, si dhe nëpër urdhërat e kuvendeve, të zgjidhte ndonjërin nga priftërinjtë dhe kallugjerët për bashkëpunëtorë, që të shikonte bibliotekat e kuvendeve dhe ato të universiteteve si dhe arkivat në kanë apo jo ende materiale të pabotuara, i cili do të mund të shërbente për botim, etj. Don Germain Morin, i cili megjithatë ndenji në Zagreb, mori urdhër që të punojë me burimet dhe librat të cilat ndodhen në bibliotekat e atjeshme dhe të tjerat që do t’i silleshin nga Biblioteka e Muzeut Arkeologjik të Splitit t’i nxjerrë dhe t’i shënojë të gjithë martirët, shenjtorët e të gjithë Ilirisë së vjetër dhe të përgatisë bibliografinë si fillim i punës së këtij aksioni, dhe në bazë të kësaj të krijohet baza e re në këshillin organizativ me specialistë të cilët do të duhej të takoheshin në prill ose maj të këtij viti, për një marrëveshje për të punuar secili në drejtimin e tij. Për një aksion të tillë është e domosdoshme edhe një bibliotekë e veçantë profesionale. Në Zagreb ka plot gjëra si në Bibliotekën Universitare, në Bibliotekën e Akademisë, si dhe në bibliotekat e Beogradit, Lubjanës, dhe në ato të kuvendeve, ipeshkvive etj. Edhe në Bibliotekën e Muzeut Arkeologjik të Splitit ka diçka të mirë, që është siguruar në bazë të rezultateve të kërkimeve në fushën e historisë kishtare dhe të gërmimeve arkeologjike në Solin, por e gjithë kjo është pak, duke i krahasuar ato me nevojat e këtij aksioni. Duhen edhe plot gjëra të tjera të specializuara. Veçanërisht ftojmë instrumentum, eruditët dhe historianët e kishës. Për këtë qëllim, tani për tani na duhen 20 000 dinarë, të cilat janë të llogaritur në shumën e lartcekur prej 60 000 dinarësh. Duhet theksuar se kjo bibliotekë e specializuar, e cila do të krijohej tani, do të mbetej në shtetin tonë për nevoja të ardhëshme, ndërsa më vonë do të vendosej se cilës bibliotekë universitare ose biblioteke tjetër do t’i dhurohej. Para se autori i kësaj letre të vijë personalisht në Beograd që të paraqesë gojarisht këtë ide të tij dhe të këshillit organizativ, e ka konsideruar të domosdoshme që lutjen t’ia dërgojë në formë të shkruar personalitetit tuaj, zoti ministër, që ju ta lexoni e ta shqyrtoni me shpresën që do ta merrni parasysh. 

Kjo është një punë e ngatërruar, të cilën e kemi filluar për shtetin tonë, por është filluar me shpresën e mirë se do të përfundojë me sukses. Një pjesë studiuesish ka filluar të punojë në fushën e hagjiografisë, ndërsa pjesa tjetër e studiuesve që do të angazhohen në historinë e shenjtë kishtare të vendeve tona do të jenë profesorë nga universitetet dhe nga fakultetet teologjike; nga Serbia: J. Radoniqi, S. Stanojeviqi, D., Anastasijeviq, Vl. Çoroviq, I. Ruvarac; nga Kroacia: F. Shishiq, V. Klaiq, S. Ritig; nga Bosnia: Dr. Jeleniq (tani në Zagreb); nga Gjakova Dr. M. Paviq, nga Mostari, Dr. P. Dragiçeviq; nga Sarajeva: Truhellka; nga Maribori: dr. Kovaçiq; nga Lubjana: prof. Srebrniq, të dy profesorët Kos, at e bir, prof. Grifc si dhe shumë të tjerë, të cilët do t’i bashkangjiten këshillit të zgjeruar kur një të parashikohej se do të fillonte aksioni konkret dhe kur mund të llogarisnim në ndihmën Tuaj financiare. 

Kemi shpresë se ky projekt do të ketë sukses edhe nga këndvështrimi tjetër. Nuk është se kjo fushë është krejt e pahulumtuar, dhe se në këtë punë nuk është provuar edhe më parë të shkruhej. Në dekadat e fundit është shkruar për historinë kishtare në revista, në studime të veçanta nga ana e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Ekziston edhe ndonjë studim i veçantë për hagjiografinë e vendeve tona, por ka edhe të huaj, të cilët janë marrë me këtë çështje. Megjithatë, e gjithë kjo është sipërfaqësore, pa një qëllim të caktuar, sipas rastit, ose siç kërkojnë kërkimet arkeologjike që të shkruhet për këtë apo atë eksponat. Për historinë e krishtërimit në Dalmaci ekzistojnë mjaft studime të cilat janë botuar në të lartpërmendurin Bulletino, i cili duhet thënë se nga viti 1920 e në vazhdim botohet në gjuhën serbo-kroate si dhe me një rezume të shkurtër në gjuhën frenge në fund të çdo artikulli të rëndësishëm. 

Një pjesë e madhe e historisë sonë, e asaj të shenjtë e kishtare, ndodhet ende nën tokë. Duhet hapur “Almae Matris Telluris,” që ajo të na japë atë që historianët e asaj kohe kanë shënuar në mënyrë të përgjithshme e të kujdesshme. Së bashku me Frushka Gorën, e pasur është edhe rrethina e famullisë së Shën Dhimitrit në Mitrovicë si dhe rrethina e kishës së rrënuar pravosllave, të varrit të Shën Gjergjit etj. 

Nga lufta e tmerrshme që kaloi, nga pasojat e së cilës ka vuajtur i gjithë njerëzimi, ndërsa nga këndvështrimi socio-kulturor do të ketë pasoja të paparashikueshme për të gjithë popujt, e sidomos për ne. Amerika do të pushtojë ekonominë e Evropës, ndërsa kjo, e veçanërisht perëndimi do të provojë të pushtojë edhe më tutje e sidomos në planin e kulturës Ballkanin, e veçanërisht shtetin tonë të ri, si urë në mes të dy botërave. Dëshmi për këtë është profesori parizien Jacques Zeiller, i cili përfshin në veprën e tij të fundit të lartpërmendur të gjithë territoret nga Korushka e Krajinës deri në Detin e Zi. Ne, le të na pushtojë Perëndimi, por deri në një masë të caktuar. Le të merren me historinë tonë historianët e Perëndimit, por deri në një kufi të caktuar. Ne, ne duhet të jemi të parët në fushën tonë, e pas nesh Evropa perëndimore. Të mos jemi shpirtngushtë dhe t’i mbyllim dyert librit tonë në Evropë, por të jemi të parët: nil de nobis sine nobis. Ne duhet që ta hulumtojmë çdo fushë të diturisë, dhe pas nesh të tjerët. Me ndihmën tonë, ata të bëjnë çfarë të duan. 

Don Germain Morin do të jetë në këtë vepër organ ekzekutiv i këshillit, dhe do të drejtojë të gjitha punët. Puna jonë duhet të jetë e pranishme në Evropë. Për këtë shkak, do të ishte mirë që krahas gjuhës serbo-kroate, e tërë vepra të jetë e shtypur p.sh. edhe në gjuhën frënge. Don Germain Morin është një stilist dhe specialist për punime të tilla në gjuhën frënge. Varianti i punës do të mbajë titullin sipas përmbajtjes, por pjesa kryesore do të ketë titullin Fastes écclesiastique della Yougoslavie, e ngjashme me titullin e historisë kishtare të Duchesne Fastes épiscopau della Gaule. 

Ky studim ka për qëllim që të ngrejë shpirtrat dhe interestin e njerëzve dhe kishës për studime më të larta. Do të ishte e preferueshme që G. Morinit t’i mundësohej hapja e katedrave të patrologjisë në tre universitetet e vendit tonë. Ai është specialist për këtë, por kjo patrologji duhet të kufizohet në atë kishtare. Etërit dhe shkrimtarët e tjerë të cilët do të merreshin me kishat tona qofshin ato të lindjes apo të Perëndimit, do të njiheshin më për së afërmi me këtë fushë, sepse patrologjia e përgjithshme e kishës studiohet tashmë në fakultet tona teologjike. Në këtë mënyrë, kleri i ri do të informohej me gjithë literaturën patristike të vendeve tona. Don Morini, i cili ka filluar të mësojë edhe gjuhën tonë, do të mbajë leksione në gjuhën latine ose frenge dhe kryesisht në semestrin veror ose dimëror në Lubjanë, Beograd, ose Zagreb. Një punë e tillë e Morinit do të shërbejë për të afruar shpirtrat e rinj të studentëve, të fakulteteve teologjike, të cilët nuk do të gjenin vetëm ushqim shpirtëror në burimet teologjike, por do të njiheshin më mirë me ta. 

Që ky aksion të mund të përparojë, do të ishte e domosdoshme që – siç e kemi cekur më lart – nga buxheti shtetëror për vitin 1921/1922 të ndahej shuma 40.000 dinarësh për nevoja fillestare të Morinit për udhëtimet e tij, dhe të anëtarëve të tjerë të këshillit organizues, ndërsa 20.000 dinarë për nevojat e bibliotekës së specializuar. 

I nënshkruari, është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj çështje si dhe për problemet me të cilat do të ballafaqohet ai në fushën profesionale dhe në atë ekonomike. Megjithatë, nga studimi i përgjithshëm dhe specifik i këtij problemi, shpresojmë se pak nga pak aksioni do të përparojë. Shteti ynë i ri, i cili duhet të ecë përpara në të gjitha drejtimet, nuk duhet të dështojë në aspektin kulturor. Nuk guxon të lejojë ose të shikojë me gjakftohtësi që studiuesit e huaj të na pushtojnë: ne nuk jemi as një lloj kolonie ballkanike për Perëndimin. Në shtetin prej 12 milionë banorësh do të gjenden specialistë të mirë nga këto fusha, rreth të cilëve do të mblidhen gjeneratat e reja, por ato duhen edukuar. Zoti ministër, në duart Tuaja është realizimi i kësaj pune të rëndësishme. Duke shpresuar për mirë, zoti ministër, pranoni me këtë rast përshëndetjet dhe respektin tim. 

Monsg. F. Buliq. Drejtor i Muzeut Arkeologjik Shtetëror.” 

[Meqenëse e kemi sjellë letër-qarkoren, nuk menduam se është e domosdoshme të lëshoheshim në komente dhe analiza të veçanta të këtij dokumenti, edhe pse mendojmë se ka vend për të tilla. Lexuesi dhe studiuesi i nderuar le të gjykojë dhe analizojë vetë, për të gjitha ato që shkruan don F. Buliq]. 

Duke qenë shumë energjik dhe këmbëngulës, don F. Buliq cakton takimin e dytë për të analizuar dhe kontrolluar mbarëvajtjen e punëve rreth Illyricum Sacrum. Takimi i dytë mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut më 17 shkurt 1921. Të pranishëm ishin: dr. F. Shishiq, dr. S. Stanojeviq, dr. S. Ritig dhe don G. Morin. Për shkak të motit të lig dhe borës së madhe, don F. Buliq nuk arrin të marrë pjesë. Në këtë takim, S. Stanojeviq, propozon që me botimin e Illyricum Sacrum duhet të shkohet jo vetëm deri në shekullin e IX, por deri në të XVI. Këtë e mbështet F. Shishiq dhe S. Ritig, duke shtuar se do ishte më se e arsyshme të shkohej deri në periudhën osmane! Është me rëndësi të theksohet se që në këtë takim vërehen tendencat e studiuesve serbë, për të zënë funksione sa më të favorshme, duke bërë ndryshime të ndjeshme, në vendimet që ishin marrë në takimin e parë, më 26 janar 1921. S. Stanojeviq, në këtë kohë, ishtë nënkryetar i don F. Buliq, dhe zëvendës i tij në të gjitha punërat, ndërsa për vete rezervon të gjitha të drejtat për kontakte me botën shkencore brenda dhe jashtë Jugosllavisë. Ai gjithashtu merr përsipër të bëjë të gjitha ndërhyrjet pranë qeverisë dhe të dyja kishave, asaj lindore dhe perëndimore. Me këtë rast emërohet formalisht edhe nënkryetari i dytë, dr. F. Kovaçeviq. Sekretar emërohet dr. V. Novak duke zëvendësuar dr. J. Jeleniq, ndërsa arkëtar emërohet Vl. Qoroviq. Emrat e anëtarëve të tjerë të Këshillit për botimin e Illyricum Sacrum mbesin të njejtë, ndërkohë që propozohen emra të rinj të studiuesve dhe dijetarëve të huaj si: J. Zeiller, Louispetit, Duchesne, Vasiljev, Lebedjev, Patch. Në këtë takim don. G. Morin, shpreh pakënaqësitë e veta rreth pengesave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet gjatë punës së tij në Zagreb. Ai lexon edhe një letër të cilën ia kishte dërguar don F. Buliqit, ku e njoftonte për këto probleme. Në të ai shprehte edhe pikëpamjet dhe rezervat e tij rreth projektit Illyricum Sacrum. Shumë i rëndësishëm duhet të ketë qenë takimi i tretë i mbajtur në Beograd më 27 shkurt 1921. Në këtë takim, nga ana e studiuesve dhe dijetarëve kroatë, merr pjesë vetëm F. Shishiq ndërsa nga ana e serbëve janë të pranishëm: prof. N. Vuliq, J. Radoniq, D. Anastasieviq, Vl. Qoroviq, V. Novak dhe disa studiues dhe intelektualë të tjerë serbë. Në këtë takim, sipas prof. V. Novakut që ishte dhe vetë pjesëmarrës, është marrë qëndrim i prerë: që i gjithë projekti duhet të organizohet në atë formë që të botohen vetëm burimet dhe studimet nga fusha e historisë kishtare e të dy kishave, asaj lindore dhe perëndimore, pra me këtë rast, kemi një shmangie nga ideja kryesore që kishte shprehur në fillim don F. Buliq. Duke shfrytëzuar mungesën e don F. Buliqit, prof. S. Stanojeviq dhe të tjerët, ndër ta edhe prof. F. Shishiq nga Zagrebi, bëjnë ndarjen e sektoreve përkatës dhe formojnë grupet e punës me një përbërje të çuditshme, duke shfaqur hapur tendencën e marrjes së kompetencave grupit të Zagrebit si edhe dështimin e krejt projektit. Në këtë takim, i tërë projekti ndahet në gjashtë seri të mëdha, për t’u ndarë më vonë në nënseri e kështu me radhë. Është shumë domethënëse përbërja e serive, përkatësisht përcaktimi i autoriteve shkencore që do merren me hulumtimin, studimin dhe shkrimin e veprës. 

Seria e parë do të kishte për titull pune: “Krishtërimi deri në ardhjen e sllavëve në Iliri.” Shkencëtarët që duhej të përgatisnin këtë seri ishin: don G. Morin, në nënserinë: Legjendat, Martirët dhe dogmat kishtare; N. Vuliq, në nënserinë: Historia politike dhe burimet historike; don F. Buliq, në nënserinë: Salona. Seria e dytë do të kishte për titull pune: “Krishterimi deri në gjysmën e shekullit të shek. IX.” Shkencëtarët që duhej të përgatisnin këtë seri ishin: prof. F. Kos, në nënserinë: Historia e Sllovenisë; prof. D. Anastasjeviq, në nënserinë: Legjenda e shën Dhimitrit nga Selaniku dhe historianët e shkrimtarët bizantinë. Seria e tretë do të kishte për titull pune: “Shën Qirili dhe Metodi.” Ndërsa do e përgatisnin: prof. F. Shishiq dhe F. Grivec në nënserinë Burimet, literatura dhe legjendat. Seria e katërt do të kishte për titull pune: “Krishtërimi nga fillimi i shekullit të X deri në vitin 1054.” Në këtë seri do të punonin shkencëtarët dhe historianët: D. Anastasieviq dhe don F. Buliq në nënserinë: Shkaqet e ndarjes së kishave në atë të lindjes dhe perëndimit. Burimet dhe literatura. Seria e pestë do të kishte për titull pune: “Krishtërimi nga viti 1054 deri në vitin 1198.” Për këtë seri dhe nënseritë e saj, bashkëpunëtorët nuk ishin përcaktuar me arsyetimin që do të caktoheshin më vonë, dhe përkatësisht do të inkorporoheshin edhe studiuesit e huaj. Seria e gjashtë do të kishte këtë titull pune: “Bogumilët.” Në këtë seri do të punonte vetëm prof. Vl. Qoroviq, dhe atë në nënserinë: Bogumilët, historia, literatura dhe burimet.

Nga një vështrim i kujdeshëm i ndarjes së serive dhe nënserive marrim vesh se periudha osmane nuk është prekur fare, edhe pse ishte vendosur në takimin paraprak të Zagrebit më 27 shkurt 1921 dhe se ishin shmangur jo vetëm studiuesit kroatë, por edhe ata të huaj. Duke qenë konsekuent dhe parimor me idenë fillestare, don F. Buliq reagon shumë ashpër kur informohet për një gjë të tillë, duke kërkuar llogari nga V. Novaku dhe F. Shishiq, se cilat ishin arsyet e shmangies së emrave të: V. Klaiqit, S. Ritigut, Jeleniqit, Hauptmanit, F. e M. Kosit, Zoreas, Vaninos, Truhelkës, Paviq, Dragiçeviq dhe të huajve: J. Zeiller, Louispetit, Duchesnes, Vasiljev, Lebedjev, Patch, etj? Ndërsa ishte shumë i befasuar kur kishte vërejtur se ai ishte përcaktuar të punonte në serinë e katërt dhe atë në nënserinë “Shkaqet e ndarjes së kishave në atë të lindjes dhe perëndimit, burimet dhe literatura.” Shqetësimet e tij i vërejmë në një letër që i drejton prof. Viktor Novakut, ku ndër të tjera shkruan: “zotërinjtë me siguri kanë harruar se unë tashmë jam i lodhur dhe kam 75 vjet dhe se “aetas vergit ad occasum.” Përveç kësaj obligimet e shumta administrative rreth themelimit të Muzeut Arkeologjik të Splitit më marrin shumë kohë, puna rreth botimit të Bullettino…si dhe më e rëndësishmja obligimet rreth botimit të dytë të Illyricum Sacrum më lënë shumë pak mundësi ose aspak fare që të shkruaj studime dhe nënseri të veçanta…”

Situata e krijuar ishte shumë e pafavorshme për projektin e don F. Buliqit, kështu që ai, menjëherë cakton një takim tjetër, të katërtin më 24 maj 1921. Takimi mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut ku të pranishëm ishin: F. Buliq, S. Stanojeviq, N. Radojçiq, J. Jeleniq, S. Ritig, V. Novak, G. Morin. Që në fillim të takimit, fillon një debat i ashpër dhe shumë i rreptë nga ana e don F. Buliqit. Këtij i kundërvihet S. Stanojeviq i mbështetur nga N. Radojçiq. Përfundimisht rrëzohen vendimet e takimit të Beogradit më 27 shkurt 1921, duke u kthyer në konceptin ideor fillestar të don F. Buliqit. Tashmë i gjithë projekti ndahet në tre seri të mëdha. 

Seria e parë titullohet: Ballkani deri në ardhjen e sllavëve, të cilën do e përgatisnin don G. Morin, don F. Buliq dhe prof. N. Vuliq. Pas shumë debatesh, kjo seri ndahet në katër nënseri të reja. Nënseria e parë do të ndahej pastaj në këto vëllime: a) Hagjiografi; b) Kultet e shenjtorëve; c) Martirologji, dhe d) Burimet dokumentare. [Duhet theksuar me këtë rast se një ndarje e tillë, në katër nënseri, u propozua dhe u zbërthye në mënyrë shumë profesionale dhe me përgjegjësi nga don G. Morin, i cili kishte parasysh Ilirinë e lashtë si term gjeografik, e jo atë për të cilën u përcaktua S. Stanojeviq. Me këtë rast don G. Morin, në mënyrë të hapur shpreh mospajtimet dhe shqetësimet e tij. Ky moment ishte një shenjë paralajmëruese për tërheqjen e tij nga projekti. Një gjë të tillë, ai e bën më 24 korrik të vitit 1921]. Me këtë rast janë zhvilluar diskutime të shumta dhe thelbësore se çfarë nënkuptohet me Illyricum Sacrum? Përfundimisht, të pranishmit janë pajtuar me mendimin e prof. S. Stanojeviq, se me Illyricum Sacrum kuptohen: “të gjitha ato territore në të cilat sot banojnë serbët, kroatët dhe sllovenët, por edhe ato territore në të cilat dikur kanë jetuar sllavët e jugut. Pos këtyre edhe ato territore në të cilat sot nuk jetojnë sllavët. Shtrirja historike e emrit Illyricum Sacrum nuk përputhet me gjendjen e sotme, pra duhet kuptuar ashtu siç u cek më lart.” [Me këtë rast, ne nuk do të bënim ndonjë koment të veçantë, pos që mund të themi, se këto janë idetë dhe qëllimet e serbëve gjatë gjithë historisë. Jemi të mendimit se ribotimi i Illyricum Sacrum në shkurt të vitit 2005, është përgjigja më e mirë për të gjithë sllavët, në përgjithësi dhe serbët në veçanti]. Edhe pse V. Novak ishte i pranishëm në këtë debat dhe pajtohet me një përkufizim të tillë, ai në shkrimin e tij “Illyricum Sacrum” të botuar me 17 korrik 1921, për këtë çështje shkruan: “Në kuptimin e gjërë të fjalës me termin Iliri, në kohën e perandorëve romakë nënkuptoheshin njësitë administrative romake, për gadishullin Ballkanik, ndërsa Illyricum Sacrum është titulli i veprës së Daniel Farlatit në të cilën vepër është paraqitur historia e popujve të Ballkanit e ndarë sipas shtrirjes së ipeshkëvive ekzistuese” duke shprehur një qëndrim disi të ndryshëm nga ai që u mor në takimin e katërt të Zagrebit. Nënseria e dytë do të ndahej në këto vëllime: a) Fasti episcopales; b) Koncilet me të gjitha dokumentat përkatëse dhe studimet kritike. Nënseria e tretë do ndahej në këto vëllime: a) Shtrirja gjeografike e krishterimit në Iliri;  b) Mbishkrimet epigrafike dhe rezultatet e reja të gërmimeve arkeologjike në Maqedoni e Mitrovicë të Sriemit. Nënseria e katërt do të ndahej në këto vëllime: a) Historia politike dhe burimet historike; b) Salona.

Seria e dytë titullohet: Deri në ardhjen e turqve në Ballkan, në përgatitjen e së cilës do të duhej të punonin: S. Ritig, Hauptman, S. Stanojeviq, F. Shishiq, D. Anastasijeviq, N. Radojçiq, Vl. Qoroviq, dhe V. Novak. Kjo seri ndahej në këto nënseri: Nënseria e parë do të ndahej në këto vëllime a) Sllavët e jugut deri në gjysmën e shekullit të IX; ky vëllim do të përgatitej nga prof. Hauptman b) Historia e Sllovenisë, ndërsa ky vëllim nga N. Radojçiq; c) Legjenda e shën Dhimitrit nga Selaniku. Ky vëllim do të përgatitej nga D. Anastasijeviq. Nënseria e dytë do të ndahej në këto vëllime: a) Shën Qirili dhe Metodi; për të cilin vëllim nuk ka shënime se kush mund ta përgatiste; b) Burimet, literatura, bibliografija, veprimtaria dhe legjendat që kanë të bëjnë me Illyricum Sacrum. Ky vëllim do përgatitej nga F. Shishiq; c) Historia e riteve dhe e shërbesave fetare. Ky vëllim do të përgatitej nga S. Ritig. Nënseria e tretë do të kishte vetëm një vëllim: Nga fillimet e krishtërimit deri në fillim të shekullit të X. Ky vëllim do përgatitej nga S. Stanojeviq dhe D. Anastasjeviq. Nënseria e katërt do të kishte vetëm një vëllim: Krishtërimi nga viti 1054 deri në vitin 1198. Ky vëllim do të përgatitej nga V. Novak dhe S. Stanojeviq. Nënseria e pestë do të kishte këto vëllime: a) “Pravoslavlje” në shtetin Nemanid. Ky vëllim do të përgatitej nga N. Radojçiq; b) “Pravoslavlje” dhe krishtërimi në Bosnie nga Kulin bani deri në zhdukjen e Bosnies. Ky vëllim do përgatitej nga J. Jeleniq; c) Dalmacia dhe Dubrovniku. d) Kroacia, Slavonia dhe ish-Hungaria Jugore në shekujt XIII-XV. Ky vëllim do përgatitej nga M. Paviq. Nënseria e gjashtë do të kishte vetëm një vëllim: Bogumilët, historia, literatura, bibliografija, burimet dhe studimi kritik. Ky vëllim do të përgatitej nga Vl. Qoroviq.

Për serinë e tretë, atë të periudhës turke, debatuesit nuk kishin arritur të merreshin vesh, prandaj kishte mbetur që në një nga takimet e ardhëshme të përcaktoheshin për nënseritë, vëllimet dhe emrat e studiuesve që do përgatisnin vëllimet. Këtu ishte vënë theks i veçantë në hipotezën se në këtë seri do të angazhoheshin studiues dhe dijetarë të huaj. Si pjesë plotësuese për të gjitha seritë, nënseritë dhe vëllimet u pranua që të jetë: Urdhërat kishtare dhe prelatët kishtarë të të dy kishave atë lindjes dhe perëndimit.

Përpjekjeve të don F. Buliqit u vjen fundi. Ai cakton takimin e pestë dhe të fundit më 5 dhjetor 1921, i cili mbahet në Zagreb, në famullinë e Shën Markut, në appartamentin e dr. Ritigut ku të pranishëm ishin: F. Buliq, F. Shishiq, S. Ritig, M. Abramiq dhe V. Novak, pra vetëm dijetarët kroatë. Mungonin serbët, sllovenët dhe të tjerët. Takimi nuk zgjati shumë dhe don F. Buliq, detyrohet që të pranojë njërin nga dështimet më të rënda në jetën e tij. I ndodhur para sfidave nga më të ndryshmet, abuzimeve dhe prapaskenave; largimit të bashkëpunëtorëve të huaj, të cilët ishin bartësit më të rëndësishëm të projektit Ribotimi i Illyricum Sacrum-it, ai bën një rikapitullim të të gjitha përpjekjeve të veta për të shpëtuar këtë kryevepër, përpjekje këto që e kishin nismën në vitin 1902, për të vazhduar pastaj në vitet 1906, 1912, 1918 dhe përfundimisht vitin 1921, vit i cili përmbyll një kapitull të “ngjarjeve të zakonshme për Ballkanin, por aspak të arsyeshme dhe të kuptueshme për Evropën.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 186
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT