• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mark Gjonaj organizoi Iftar vëllazëror në Qëndrën Islame Shqiptaro Amerikane në Queens

April 28, 2022 by s p

Mu në çastet e muzgut të bukur pranveror të dielës së fundit të prillit, në hapsirat e Qëndrës Islame Shqiptaro Amerikane në Queens, në një atmosferë të përshpirtëruar dhe vëllezërore, u mbajt iftari solemn me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit. Mikëpritësi i iftarit ishte themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, kurse organizatori i tij ishte politikani, aktivisti dhe filantropi i shquar shqiptar, Mark Gjonaj. Në iftar morën pjesë një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të shoqatave shqiptare, figurave të shquara të komunitetit shqiptarë, nga intelektualët, afaristët, si dhe antarët dhe besimtarët e rregullt të Qendrës. Fjalën përshëndetëse e mbajti Imami i Qendrës, Edin Gjoni, i cili përzemërsisht përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për ardhjen e tyre. Ai në veçanti falënderoi mikpritesin e iftarit, z. Arbër Hajdarin dhe organizatorin, Mark Gjonaj, duke i uruar të dy ata për kontributin e tyre të lartë të cilin ata parreshtur e japin në shërbim të kombit. Ai, ndër të tjera tha:“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur sofrën (tryezën) e ndajmë së bashku me fqinjët dhe miqtë, sidomos në këtë muaj të begatë. Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin përpiqemi t’i afrohemi Zotit. Kjo vërtetë arrihet me zbatimin e riteve dhe adhurimeve fetare, por gjithashtu edhe duke iu afruar zemrës së tjetrit. Prandaj, ky është muaj i miqësisë, dashurisë, ndjeshmërisë dhe respektit reciprok ndaj të tjerëve. Iftari është një rast i shkëlqyeshëm për ta realizuar një gjë të tillë. E nuk e thonë kot, “një nga rrugët të cilat na çojnë te zemra e tjetrit kalon pikërisht nëpër stomak”. Prandaj, unë sot falënderoj në veçanti Arbërin dhe Markun që na mblodhën sonte këtu dhe na mundësuan që të ushqehemi në nivele të shumta të qenies sonë, trupore, emocionale dhe ato shpirtërore.” Pas fjalës hyrëse, fjalën e ka marë Mark Gjonaj. Ai tha se, është një bekim i vërtetë kur mblidhemi së bashku “to brake bread together”. Prandaj edhe tek shqiptarët tradicionalisht vlen thënia, “shtëpia i takon Zotit dhe mikut.” Ai theksoi, se Ramazani është muaj në të cilin neve i japim një kuptim të vërtetë jetës. Se jeta e jonë nuk guxon të jetë vetëm akumulim i të mirave materiale, por duhet të jetë shumë më tepër se kaq. Në ata momentet e fundit të jetës tonë, çdo njëri prej nesh duhet ti bëjë pyetje vetes: “A e lëmë këtë vend më mirë seç e kam gjetur? Dhë në ç’masë kam kontribuar për ta lënë në gjendje më të mirë?” Arbër Hajdari është një prej atyre i cili ka kontribuar dhe kontribuon shumë për ta lënë këtë botë më mirë seç e kishte gjetur. Së bashku me vullnetarët e vet ka ndërtuar pesëqind shtëpi dhe qindra të tjerëve punon për t’ia siguruar ushqimin, dhe ka arritë atë që askush më parë nuk ka arritë ta bëjë. Prandaj, një duartrokitje për Arbër Hajdarin.” Më tej, Arbër Hajdari iu drejtua të pranishëmve duke i bërë të njohur se puna e tyre ka filluar me datën 24 shtator 2015, që njëherazi kishte rastisur të jetë dita e festes së Bajramit. Pra, “një ditë që mendonim ta kalonim ndryshe dhe të fillojmë të veprojmë diçka ndryshe” tha Hajdari. Kësaj nisme janë përgjigjur një numër i madh njerëzish. Sot Fundjava ka qendrën në Tiranë dhe në ka degët në çdo qytet. Ajo numron 13,000 vullnetarë në krejt vendin. Megjithatë, “çfarëdo që të jetë bërë” theksoi ai “nuk është unë që kam bërë ndonjë gjë. Kontributi më i madh ka qenë kontributi juaj. Në të vërtetë, puna që është bërë ëhtë shpërblim i qëllimit të pastër që keni pas për të bërë një punë mirë. Në momentin kur të humbet pastëritia e këtij qëllimi kjo punë do të shkatërrohet më shpejt se çfarë është krijuar.” Ai shtoi se bëmirësia nuk ëshët vetëm ndihma materiale. Bëmirësi është çdo fjalë mirë dhe buzëqeshje e cila sjellë shpresën se situata do të bëhet më mirë. Hajdaraj në fund uroi që Zoti t’ia pranojë gjithë agjërueseve këtë muaj, që t’ia pranojë lutjet e tyre. Ai shtoi, “më bëhet zemra mal sa herë që vijë këtu, sepse çdoherë ju shohë gjithëve bashkë dhe akoma më të fortë. Ju falëminderit!”Pas kësaj Hajdari iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve kurehtarë, me ç’rast foli për projektet e rradhës së Fundjavës Ndryshe, si dhe për përfitimet Fundjavës nga sistemet tjera bëmirëse, konkretisht ata Amerikane. Më në fund studiuesi Dr.Paulin Marku e përmbylli me konstatimin se Arbër Hajdari falë punës së madhe që e bën ai nuk është thjeshtë një djalë 28 vjeçar, por në veprimtari dhe pedagogji tregon se është një burrë, kaluar burrërinë. Ai përgëzoi atë, stafin e tij dhe të gjithë donatorët arrijnë që të këthejnë buzëqeshjen tek të sëmurit, lumturinë te fëmijët dhe të vjetrit që kanë nevoja për ilaçe dhe ndihma mjeksore. Ramazani qoftë i bekuar dhe të pranuara qofshin lutjet tuaja! Ju falenderit për ftesë.” Pas iftarit të shijëshëm i cili u përgatit nga duart e vyera të pronarit të “Tratoria Ora”, Ramo Besit, Imam Edin Gjoni bëri lutjen e pas-ushqimit. Ai tha, Falëmnderit Zotit i cili na mundësoi çfarë të hamë dhe të pijmë. dhe që na mblodhi sonte këtu në këtë iftarë të begatë. Paqja, mëshira, mirësitë dhe bekimet e Zotit qofshin mbi zemrat bujare që e kanë shtruar këtë iftar, mbi miqtë të nderuar që e kanë ngrënë këtë iftar, mbi duartë e vyeshme që e kanë përgatitur dhe mbi gjithë që gjinden në këtë vend. O Zot i jonë, të falëmnderojmë për këtë faltore, Xhami, në të cilën na mblodhe, për shtëpitë, familjet, miqtë tonë dhe shokët të cilët na i dhurove dhe me ta na nderove, e sidomos për të pranishmit tonë sonte këtu. O Zot i jonë, kur të kemi ushqim, na i kujto ata që të uritur janë, Kur të kemi shtëpi, na mundëso t’i kujtojmë ata që kulm mbi kokë nuk kanë, Kur të kemi punën, na kujto ata që pa punë janë, Kur në mirëqenie të jetojmë, na mundëso t’i kujtojmë ata që vuajnë, Kur të jemi në shoqëri të miqëve dhe dashamirëve, na mundëso ti kujtojmë ata që të vetuar janë. Kur ti kujtojmë ata, na mundëso që ta zhdukim egoizmin tonë, ta ngrejmë ndjeshmërinë tonë, dhe jepna mundësinë që t’i ndihmojmë atyre – me fjalë dhe vepër – ta kenë atë që nuk e kanë, e që e neve e quajmë për mirëqenie të sigurtë dhe të patjetërsueshme. Ngase qëllimi i këtij muaji të bekuar të Ramazanit është që të afrohemi Ty, duke veshur veten tonë me cilësitë dhe tipare e mëshirës, bujarisë, altruizmit dhe dashurisë. Duke e gëzuar këtë ushqim sonte, të lutemi që të na japësh shëndet dhe force të vazhdojmë më tutje në këtë drejtim dhe të jetëjmë dhe punojmë ashtu që Madhëria e jote të jetë e kënaqur me ne. O Zot, bekoji dhe begatoji familjet tona, komunitetitm tonë, vendlindejn dhe atëdheun tonë, dhe këtë tokë për të cilen e lidhe fatin tonë SHBA. Amin!

Filed Under: Opinion Tagged With: edin gjoni, Qëndrën Islame Shqiptaro Amerikane në Queens

TI ISHE PJESË E PËRDITSHMËRISË SONË, DO T’NA MUNGOSH ZEF BALAJ!

April 25, 2022 by s p

 Nga Dalip Greca

Shumë gjëra që kam brenda vetes nuk munda t’ia thosha Zef Balës. Ende vuaj.…

     Unë sërish i kërkoj ndjesë familjes Balaj, siç i kërkova dhe të përndershmit dom Pjetër Popaj, pas ceremonisë së varrimit, për shkak se nuk munda t’i artikuloja fjalët që dilnin nga shpirti, dhe s’arrita të përcjell gjithçka kisha në mendje e në zemër për fisnikun Zef Balaj, njeriun e mirë që ishte bërë pjesë e përditshmërisë sonë. 

      Aty në elter, me arkivolin dhe portretin e Zefit përballë, me sallën e kishës mbushur plot, me familjen e pikëlluar, ngashërimet dhe lotët ishin të pashmangshëm dhe ndodhi që herë-herë, në vend të fjalëve të nxirrja veç frymë, tinguj, rrokje.

         Fjalët qenë të pabindura.Nuk doja të ndodhte kështu, por dhimbja për Zefin ishte zotruse në qenien time.

       Zefin e njoha para 23 viteve, kur nisa punën në gazetën Illyria. E takova në Arthur Avenue 24 korrik 1999, ku ndodhej atë kohë dhe redaksia e gazetës.Më kujtohet prezantimi: Jam Zef Gjoni prej Mziu të Pukës, më thërrasin edhe kosovari i Pukës…Dhe që atë kohë nuk u ndamë.Nuk kishte veprimtari të komunitetit, ku të mos merrte pjesë Zefi. Unë, që nuk kisha makinë për të udhëtuar, ndjehesha mirë kur ai më telefononte: -A ke me se shkon tek Legalistët për përkujtimin e Abaz Kupit?

  • Me tren ,- i përgjigejsha.
  • Mos u ngut se do të vij dhe unë e shkojmë bashkë me Asllanin, në grup.
  • A do të shkosh tek “Dita e Lirisë” kushtuar Nik Mrnaçaj?…Do të vij të marr tek shtëpia. 
  • Do të shkojmë tek Mit’hat Frashëri…? 
  • Ka protestë para OKB, po vij të marr….Dhe kështu nuk linim aktivitet të komunitetit pa marrë pjesë:Në veprimtaritë e Ligës, në ato të shkollave shqipe, ku ishte pjesë e bordit, në ato të Vatrës, të Kishës, të Shkrimtarëve e artistëve etj.Kemi udhëtuar me Zefin edhe për në Boston, Uashington, Miçigan, Virxhinia etj.

         Zefi u bë ëngjëll në mënyrën e vet edhe për ringjalljen e gazetës Dielli, që nuk botohej prej 2 vjet e gjysëm dhe kështu e gjeti edhe 100 vjetori i numrit të parë. Zefi ishte një ndër ata që propozoi emrin tim për drejtimin e Diellit, pasi ish editori Anton Çefa e kishte lënë detyrën.Kryesia e aprovoi dhe e votoi në Këshill me unanimitet, siç shkroi i ndjeri kryetar i Vatrës, ing.Agim Karagjozi, në numrin e parë të Diellit të edituar prej meje, shtator 2009.

         Në Vatër e ndjeva përherë përkujdesjen e ngrohtë të Zefit.Mëngjeseve pasi shkonte në zyrën e biznesit, linte zonjën e tij atje, vinte tek Vatra dhe më ftonte për kafe:- Dil nga “kulla” dhe shkojmë në kafe!Ke nevojë për pushim! Kur nuk mund të vinte në mëngjes, telefononte në drekë:- Po vij të marr për drekë! Nuk linte hapsirë për kundërshtim.

       Kur më gjente me fshesë në dorë tek pastroja para Vatrës, më thoshte me humor:-Po t’i përse nuk shkon të punosh në pastrime se merr dhe para më shumë se të japim ne ?…

Kur kalonim në 187 street drejt Arthur Ave, shpesh ndalte makinën afër një ndërtese me kolor zebrash,dhe më tregonte se dikur aty mblidheshin shqiptarët dhe kalonin kohën e lirë… pronar i kafesë ishte Zef Sadria.-Ja këtu, tek pallati përbri, kam punuar, kur jetoja në Mosholu Park, duke punuar si super itendent.Nuk dija anglisht, por pronarja ishte italiane dhe komunikoja italisht.Kjo ishte punë e dytë, se për shumë kohë kam bërë 2 dhe 3 punë në 24 orë…dhe vazhdonte t’më tregonte se si kishte rrjedhë jeta e tij, nga punët e rëndomta deri tek pronar ndërtesash e real state.

        Zefi ishte pjesë e “protokollit” të pritjes së mysafirëve që vizitonin Vatrën për gjatë 12 viteve që unë drejtova Diellin.Nuk mungonte, dhe ishte përherë i sjellshëm dhe i dashur me mysafirët, pa harruar t’i ftonte për kafe,drekë a darkë, si të ishte koha.

       Kishte dhe raste kur mbetesha keq dhe nuk gjeja njeri me makinë për të marrë gazetën nga shtypshkronja,ose për ta çuar nga Vatra në zyrat e postës, ai nuk kursehej t’më ndihmonte.

         I miri Zef nuk i shmangej asnjëherë fushatave fondmbledhëse të Vatrës dhe kontributeve për gazetën Dielli, përkundrazi printe.Nuk ka fushatë që kam organizuar për Diellin, ku ai të mos printe, nuk ka numër festiv të 28 Nëntorit, ku ai të mos merrte faqen e tij me ngjyra për të përcjellë urimet për kombin për Ditën e shenjtë të Flamurit.

    Kur u organizua numri special i Diellit për 100 vjetorin e Vatrës dhe paralelisht do të publikohej për të parën herë edhe një zhurnal, ai nuk nguroi të sponsorizojë.

          Kur organizova konkursin me rastin e veprimtarisë “2016, Viti i Faik Konicës”, i thashë Zefit: – Më duhen pak para për fituesit e konkursit për veprën dhe studimet më të mirë për Konicën dhe Vatrën. Arka e Vatrës është bosh, si t’ia bëjmë, ku t’i gjejmë nja 3 mijë dollarë?

-Mos u merakos, unë do të ndihmoj.Dhe premtimin e mbajti.Janë shumë e shumë raste.

         Zefi nuk kursehej, ai ndihmonte shkrimtarët që i trokisnin tek dera e biznesit, kur ata kërkonin sponsorizim për botimet e tyre. I ndjeri Luigj Çekaj, e ka përjetësuar në librin e tij”Një Shkrelas në Manhattan”, ku Zefit i kushtohet një poezi mirënjohëse për bujarinë e tij. Ka dhe shumë autorë të tjerë,që e kanë prekur bujarinë e Zefit me katër shifra, deri edhe në 5 mijë dollarë. Ai ishte filantrop i komunitetit për individë e për organizata, për Kisha e Katedrale, për xhami e çdo faltore tjetër të Zotit.

Na iku shpejt i miri Zef. Për nëntë muaj u shkri. Ende e kam brenda vetes zërin e tij të lodhur në telefonatën e fundit:Do të bëhem  mirë dhe do të shihemi shpejt! Por nuk mundi. Shkoi të pushojë! Do t’na mungojë njeriu i mirë Zef Balaj…

Pusho në Paqe mik i dashur; pranë njerëzve të dashur që shkuan para Teje! 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Zef Balaj

“I HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART”

April 25, 2022 by s p

Conversation with Mather Teresa 

– Në përurimin e librit të Don Lush Gjergjit, përkthyer në anglisht, në takimin në Detroit, SHBA, 24 prill 2022 –

Nga Visar ZHITI

Në Detroit, Miçigan, në qendrën kulturore “Nënë Tereza” pranë kishës katolike shqiptare “Our Lady of Albania”, u përurua libri në anglisht “I hold the Albanian people in my heart” (Unë e kam në zemer popullin tem shqiptar”, kushtuar Shenjtes Nënë Tereza, botimi më i fundit nga Dom Lush Gjergji, i cili kishte ardhur nga Kosova, për të qenë i pranishëm mes shqiptaro-amerikanëve dhe lexuesve të tij të shumtë, antarë të shoqatave shqiptare, antarë te këshillit të dy kishave tona në Miçagan, “Pajtorja e Shqiptarëve” dhe e “Shën Palit”, përfaësues të feve të tjera,   etj.

Takimin e hapi meshtari Dom Ndue Gjergji dhe ia dha fjalën shkrimtarit Visar Zhiti, që foli për vlerat dhe rëndësinë e këtij botimi. Me pas foli dhe autori, Dom Lush Gjergji, tregoi dhe për botimin e ri në shqip “Shën Jeronimi ilir” dhe falenderoi për takimin.

Fjala e plotë e Visar Zhitit   

“I HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART”

Conversation with Mather Teresa 

– Në përurimin e librit të Don Lush Gjergjit, përkthyer në anglisht, në takimin në Detroit, SHBA, 24 prill 2022 –

Nga Visar ZHITI

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër”.

Një fjali e thjeshtë, thënë thjeshtë, që, besojmë se e ka çdo shqiptar si ’credo’ brenda vetes, por dhe populli na mëson se fjala peshon aq sa ai që thotë…Kur kjo thënie na vjen nga një grua, madje nga gruaja më e njohur e planet, jo vetëm kaq, por që është dhe shenjte, çdo fjalë aty shkëlqen si e gdhendur në mermer, shndërrohet në porosi, në detyrë, në mision. 

Prandaj dhe këtë thënie, me fuqinë e proverbit dhe të urdhëresës, Don Lush Gjergji e bëri titull libri,që jo shumë kohë më parë doli në Prishtinë dhe para disa ditësh u botua dhe në aglisht dhe ne këtu kemi dhe librin dhe autorin tani, mes nesh.

Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë, etj, letërsi artisitike, poezi e romane, deri edhe drama e filma, etj, dalin kudo, qe Vatikani, ku është Selia e Shenjtë  e në Itali, në Ballkan, në Francë dhe Angli, në Gjermani  etj, në të gjithë Europën dhe përtej oqeanit në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, në  Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të Krishtit në ndihmë të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj dhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, Nobelin për Paqe, por ende më lart, atë të Selisë së Shenjte, e shpallur shenjtore në shekullin XXI, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.   . 

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjten tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe kudo, në Shqipëri e në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, të atin nga Prizreni e nënën nga Gjakova, kur tani Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes tonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë…

Ky libër u përurua së pari në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës, që mban emrin “Nënë Tereza”, unë fola dhe atje, dhe po përurojmë botimin anglisht këtu në Miçigan, pas ditës së Shën Gjergjit që është dita botërore e Librit, sepse atij si çlirimtar një vajzë spanjolle i dhuroi një libër, ndërkohë në 23 prill kanë lindur dhe Shekspiri, Servantesi… jemi në kishën e “Pajtores së Shqiptarëve”, Zojës së Shkodrës, të Këshillit të Mirë, që Nënë Tereza e adhuronte dhe e kishte frymëzuesen dhe mbrojtësen e saj. 555 vjet më parë ajo kishte ikur nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtmit otoman, shkoi në Genacano të Italisë, që t’i kujtonte Europës popullin martir shqiptar…

Kjo qendër kulturore këtu mban emrin “Nëne Tereza” dhe shenjtja jonë shpërndan vërtet vazhdimisht besim dhe kulturë  . 

         Institucioni i Bisedës:

I HOLD THA ALBANIA PEOPLE IN MY THE HEART është dhe mesazhi kryesor i librit. Autori bën një qasje ende më të afërt duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë, tani dhe në gjuhën e punës së Nënë Terezës, anglisht.

Çështje nga më të larmishmet, flitet për familjen dhe varfërinë, dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tonë dhe Krishtin dhe shkojnë lart, nga toka në Qiell.

Pra, skena janë toka dhe qielli dhe personazhet: Shenjtja dhe meshtari.

Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptrët e hershëm dhe që duhet rikthyer me atë dinjitet në kuvende e parlamente.

Papa Françesku porosit që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do njohim më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku.

Dhe ky libër është një takim e bëhet shkak takimesh të tjera me ikonë Shenjten moderne të shekullit XX, ku mes gëlimeve të ndjesive sa tokësore, por me hirin e Hyut, përthuket dhe meraku ndaj atdheut dhe vendlindjes: me popullin shqiptar në zemër, duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, ku ke lindur dhe je, njëri tjetrin, të çdo race dhe besimi dhe së bashku përparoni…

Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Misionarja e përkushtuar na shfaqet njësoj kudo, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në metropole, në emër të të varfërve dhe vetëm për ta, në kriza sociale dhe në luftë, ku shkonte Nënë Tereza, ndërpriteshin luftrat. Nga plagët tek yjet, kam thënë. 

Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që permbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo…Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime…

Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan ungjillor, – u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Sundimtarët e Shqipërisë nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën… 

Unë shtoj këtu se Tirana politike nuk duhet të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta në diktaturën komuniste sidomos të klerit katolik, burgosjet, internimet, deri edhe pushkatime, shëmbja e tempujve të fese, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipërinë e atëhershme si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Thënë shkurt: burg ose ferr.

Dhe duhet të kujtojmë që Nënë Tereza lutej për Shqipërinë, edhe pse nuk futej dot, dhe për Kosovën, ku do të shkonte shpesh, të paktën nja 5 herë na e dëshmon Don Lush Gjergji, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Më mbeten sytë te Fjala e shkruar e Nënë Terezës për motrat e saj në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit….Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

  TË VAZHDOJMË TË SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonies së madhe të dhënies se çmimit Nobel, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te vlera njerëzore dhe barazia para Zotit, vetvetja është e mjaftë.

Dhe kur pritej fjala e saj, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje bashkarisht. 

Mes gazetarëve të shumtë pohoi se: nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit. Ky kumt u përhapën në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi, mes telave me gjëmba dhe rojave me armë.  

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? – pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në burgun e Spaçit. 

Dëgjova para se të më arrestonin, në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare. 

Vërtet? 

Po, e dëgjova vetë. 

Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë. Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës. Në burg kishim dhe prifterinj. Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe një meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar që shkruante, mbante shënime, projektonte librat e ardhshëm. Ishte Don Lush Gjergji.

Dhe jemi së bashku këtu nën mrekullinë e Shenjtes tonë, të gjithë.

Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë: Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe? Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka… Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët” – Kështu foli Nënë Tereza. Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo aty se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj, babain ia helmuan kur u kthye nga Beogradi nga një mbledhje patriotike, ndërkaq ai ndjente dhe se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlevshme për më pas: Kush jeni Ju? Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”. JAM SHQIPTARE! – tha Nënë Tereza Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit. Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të njëri-tjetrit. Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por urtësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la: 

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”

E noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët, historianët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonëshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundëshme, etj.  Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke dhënë kështu mundësinë për t’u botuar herë pas here me shumëçka të grumbulluar ndër vite për Nënën, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes tonë.

Dhe erdhi dita që Nënë Tereza të vinte dhe në Shqipëri. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe po binte perandoria komuniste. Vuri lule te varri i nënës dhe te I motrës pranë. Dhe erdhi prapë e prapë, kur Shqipëria u hap dhe vendosi sitemin demoktarik, e lidhur me botën euroatlantike. Vëllezërit e mi myslimanë, thoshte ajo dhe ashtu siç bekoi projektin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës bektashiane atje, një degë e shëndoshë e së cilës është dhe këtu në Detroit.

Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II ashtu si një bijë qe prêt mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër.  

Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Shqiptarët, kur udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që shkon në Tiranë me avion, përseri në atë aeroport duket sikur i mirëprej ajo.

Lutjet e Nënë Terezës për paqe, por vëllazërim mes popujve dhe dashuri mes njerëzve, kanë frymë të përhershme kundë urrejtjes, sidomos sot, që buçet lufta në Ukraine e vriten të pafajshëm e fëmijët mbeten rrugëve mes bombardimeve. Dhe s’ka si të mos na kujtohet lufta në Kosovë.

Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe ishte është kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë, e te pandemitë, që i perhap djalli. 

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbëria.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington. Dhe lutja Zotit iu dëgjua. E lëvizi botën. Dhe ajo përsëriste shpesh: Mësomë të dua, o Zot!… Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe më duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, matanë oqeanit, në SHBA, deri këtu për të përhapur dritën e Saj qiellore. 

Nënë Tereza kishte dhe qytetarinë amerikane ashtu si atë të Vatikanit bashkë me atë italiane e indiane, por kur mori dhe pasaportën shqiptare, diplomatike madje. Ishte vërtet e gëzuar.

Po ajo ishte vetë gezimi i botës, investiore e buzëqeshjeve e quanin, industrialist e dashurisë. Jam një copë lapsi në duart e Zotit, thoshte ajo për veten e saj.   

E di e gjithë bota tani që ajo është shqiptare, por sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, pyes herë pas here, kjo ka rëndësi tani, them.  

Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe krishtërimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Siç duket duhet të kuptojmë të gjithë se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri. Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandantin dhe Shenjten. Jemi një popull që ka dhuruar shenjtër,    

Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, ku kreu vizitën e parë apostolike në Europë, dhe në vende të tjera ka përsëritur shpesh që duhet të jemi krenarë për këtë grua dhe e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në sheshin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve, të Vatikanit, Italisë, të SHBA-ve, Indisë, nga e gjithe bota katolike, valëviteshin më së shumti flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe të Maqedonisë së Veriut, (të Jugut për ne, shqiptarët). Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe. Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Kishën tonë dhe është ky libër që po përurojmë? Apo ky libër është një pëllumb paqeje, i nisur për kudo me lajmin e mire?

Gjithsesi Vepra për Shenjten Nënë Tereza është si një Ungjill sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja! 

letra

Letra e Shenjtes Nënë Tereza, shkruar shqip, 

në ditën e marrjes së çmimit Nobel,

nga e cila ka marrë titullin dhe libri… 

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

“ALB-USA” PORTA SHQIPTARE PËRTEJ ATLANTIKUT

April 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

Patrioti sipërmarrës e bamirës Ardian Golemi nga oficer në ushtrinë shqiptare e punonjës në fushën e radiologjisë në New York, është kthyer në një njeri shumë të rëndësishëm që mban gjallë lidhjet e bizneseve shqiptare me tregun amerikan dhe diasporën shqiptare të Amerikës. Një lidhje sa ekonomike por mbi të gjitha shpirtërore mes shqiptarëve përtej Atlantikut. “ALB-USA” është njësia e transportit ndërkombëtar të madhrave e produkteve të ndryshme nga Shqipëria në USA e cila prej 5 vjet funksionimi, është kthyer në një industri shërbimi e tregtie gjigande. Ardian Golemi familjarisht ka 17 vjet në USA dhe ka 28 pika furnizimi në Shqipëri dhe Kosovë duke ndihmuar fuqishëm tregtarët e prodhuesit shqiptarë që të eksportojnë prodhimet dhe produktet e tyre përtej Atlantikut. Tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një mundësi e shkëlqyer për tregjet shqiptare e produktet shqiptare që jo vetëm të depërtojnë të konsumatori shqiptar në tokën e lirw e jo vetëm, por edhe të konkurojnë në cilësi e çmim produktet e huaja. Ardian Golemi aktualisht importon rreth 240 produkte tregtare nga Shqipëria dhe Kosova në USA duke qenë lider në transportin ndërkombëtar të tregtimit të madhrave shqiptare. Produktet që kërkohen dhe konsumohen më shumë nga shqiptarët në Amerikë janë: Vaji i ullirit, djathi, gogozharet, fasulet, jufkat, pijet shqiptare etj. Përveç shqiptarëve që janë konsumatorë besnikë, ka edhe amerikanë që blejnë produktet shqiptare që importohen prej sipërmarrjes “ALB-USA” të Ardian Golemit. Zhvillimi i kësaj sipërmarrjeje shqiptare ndër më të suksesshmet në Amerikë ka sjell një revolucion për qasjen e produkteve shqiptare ndaj konsumatorit e tregut të huaj. Sipas Ardian Golemit në fillim të importimit të produkteve shqiptare në Amerikë, 90% e produkteve i blinin veç shqiptarët, ndërsa tani raporti ka ndryshuar, 60% e konsumatorit është shqiptar e 40% tregu i huaj. Amerikanët, bullgarët dhe kryesisht ballkanas e vendet skandinave e baltike janë kthyer në konsumatorë të rregullt të ushqimeve e produkteve shqiptare. Sipas Ardian Golemit rritja e çmimeve globalisht ka krijuar shumë vështirësi në këtë tregti dhe transport ndërkombëtar.  Mbajtja e çmimeve në minimumin e rritjes, ka mbajtur konsumatorin besnik të produkteve shqiptare, por nëse vazhdon kështu shprehet z.Golemi, e ardhmja do jetë me shumë sfida të panjohura. Edhe pse mungojnë statistikat zyrtare shtetërore, sipas Ardian Golemit, ka të dhëna të qenësishme se tregtia në rritje dhe eksportimi i produkteve shqiptare në Amerikë, e ka ndihmuar biznesin shqiptar, për ta bërë edhe më të qartë diferencën, duhet përkrahje qeveritare sidomos nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri. Z.Golemi qorton bizneset dhe prodhuesit shqiptarë pasi shqiptarët në Shqipëri sipas tij, shesin shtrenjtë dhe nisen direkt nga ideja e pasurimit të shpejtë, në vend që të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm shpërndarjeje dhe eksporti. Aktualisht, Ardian Golemi në sipërmarrjen e tij ka 6 punonjës të gjithë shqiptarë dhe ka pikë shpërndarje në disa shtete amerikane si: Florida, Chicago, North Carolina, New York, Connecticut, Boston, Wisconsin, Pennsylvania, me përqëndrim më të fuqishëm në dy pika në New York dhe Michigan. E ardhmja e kësaj industrie shërbimi e tregtie sipas Ardian Golemit synon në hapjen e një shërbimi të posaçëm për individët që dëshirojnë të marrin në vend produktet që importohen nga Shqipëria e Kosova. Përveç “ALB-USA” Ardian Golemi me familjen zotëron dhe njësinë tregtare të shërbimit “Argjiros Corner” si një mundësi jo vetëm tregtie por mbi të gjitha si ekspozim produktesh shqiptare, një mundësi atraktive për të njohur edhe të huajt produktet e Shqipërisë e Kosovës. Ardian Golemi na shpjegon për Diellin e Vatrës se në të ardhmen synohet një shtrirje edhe më e madhe në shumicën e shteteve amerikane dhe në Kanada ku do shihet në të vazhdim detaje nga legjislacioni vendas. Ardian Golemi është një shembull i shkëlqyer i patriotit bamirës. Ai çdo muaj ndihmon me shuma monetare dhe ushqime Shoqatën Duart e Hapura,  Qëndrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, Qendrën Islame të Kulturës në New Jersey, Kishën Katolike në Queens e shumë individë në fatkeqësi, ndihma e bamirësi që i kalojnë vlerën 7 mijë dollarë në muaj. “Argjiros Corner” në adresën: 28-22 Astoria Blvd, Queens, NY 11102 dhe “ALB-USA Enterprises Inc” në adresën: 529 Bryant Ave, Bronx, NY 10474, përbëjnë një investim familjar dhe patriotik që mban gjallë e të fortë lidhjen mes Shqipërisë dhe Amerikës jo vetëm në tregti por në të gjitha llojet e shërbimeve të biznesit e transportit të madhrave. Sipas Ardian Golemit shteti shqiptar duhet të ndihmojë bizneset kur duan që këta prodhues qofshin të vegjël apo të mëdhenj të eksportojnë jashtë shtetit të përshtasë legjislacionin dhe kryesorja qeveria shqiptare duhet të ndihmojë bizneset dhe favorizojë prodhuesit e vegjël në bazë, jo paketuesit e mëdhenj, mbyll rrëfimin e tij të suksesit për gazetën Dielli të Vatrës, biznesmeni bamirës Ardian Golemit.

Filed Under: Opinion Tagged With: ardian golemi, Sokol Paja

VATRA PROMOVOI “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI” DHE “LARG ATDHEUT”

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra promovoi më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Media, miq, vatranë, patriotë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë morën pjesë në këtë festë kulturore-letrare në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, u mbajt 1 minutë heshjte në nderim të largimit në amshim të Zef Balajt, vatranit e patriotit të shquar. Fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj i cili theksoi rëndësinë e promovimit të këtyre botimeve dhe falenderoi Dervish Eliton Pashajn e Teqen Bektashiane Shqiptare të Michiganit për punën në dobi të kulturës, fesë e çështjes kombëtare. Dervish Eliton Pashaj u shpreh në fjalën e tij se libri “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” i është kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në bibliotekën e sotme bektashiane. “Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh” tha ndër të tjera Dervish Pashaj. Ky libër është një homazh i dhimbshëm për klerikët e vrarë e persekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri. Tonin Mirakaj në kumtesën e tij u ndal te figura e Xhevat Kallajxhiut dhe roli i tij në gazetën Dielli. “Gjate 10 viteve si Editor i gazetes “Dielli”, i ndieri Xhevat mundi të bashkëpunojë me shumë emra të njohur ne Mergaten Shqiptare ketu dhe ne Europe, te cilet me shkrimet e tyre e pasuruen dukshem gazeten Dielli. Editorialet qe shkruente Xhevati, paraqesnin mendime rreth ngjarjeve kombetare dhe nderkombetare, qe ne nje menyre apo tjeter, kishin te bejne me situaten e veshtire ne vendlindje, Kosove dhe vende te tjera te banuara nga Shqiptarë. Paraqesnin gjithashtu permbajtjen ne mbrendsine e gazetes, gje qe terhiqte lexuesin. Editorialet jane shpirti i gazetes, thoshte i ndieri Xhevat” kujtoi për të pranishmit Tonin Mirakaj. Sipas studiuesit Idiz Lamaj Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë kujton Lamaj, Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e Diellit në një kohë mjaft të ndërlikuar. “Ndikimi politik i regjimeve komuniste të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thellë në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë, i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës” kujtoi për të pranishmit Idriz Lamaj. Sipas Dalip Grecës Editor i Diellit 2009-2021, libri “Larg Atdheut” është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. “Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca” tha ndër të tjera z.Greca. Pas promovimit, Dervish Eliton Pashaj i dhuroi Vtarës 680 USD në shenjë respekti e mirënjohje për promovimin si dhe veprimtarinë e çmuar në dobi të çështjes kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: eliton pashaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT