• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA E TRASHËGIMISË SHQIPTARE NË “KENSICO DAM PLAZA” NË NEW YORK, FESTË E TRASHËGIMISË KULTURORE E SHPIRTËRORE SHQIPTARE

June 10, 2022 by s p

Në Kensico Dam Plaza, Qendra Nënë Tereza e Famullisë Zoja e Shkodrës dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan një festë madhështore në nder të trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë. Nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, festivali i trashëgimisë shqiptare si një pasuri dhe identitet i pastër kombëtar shqiptar, traditë e moçme shqiptare, kulturë, muzikë, këngë e valle shqiptare të gërshëtuara me sport si garat në futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera, guzhinë shqiptare e gëzim të ëmbël shqiptar, shënuan një festë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Drejtuesi kryesor i veprimtarisë artistike dhe kulturore Fran Çotaj bashkë me koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh” Grupin Rozafati, këngëtarët Gerona Hyska, Edmond Nikolla, Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh” të shoqëruar nga Dritan Papa dhe DJ Edi e kthyen festivain në një festë magjike për të gjithë të pranishmit. Mark Gjonaj dhe Vedat Gashi e vlerësuan këtë aktivitet si për nga pjesëmarrja dhe mesazhet që përcjellin për shqiptarët në mbarë trevat shqipfolëse. Dom Pjetër Popaj në fjalën e rastin vlerësoi Festivalin e Trashëgimisë Shqiptare për traditën që ruan, për vlerat që trashëgon dhe mbi të gjitha për kënaqësitë dhe krenarinë që i fal çdo të pranishmi. Dita e trashëgimisë shqiptare është kthyer në një festival mbarëkombëtar shqiptar që ruan dhe përjetëson kulturën shqiptare në Amerikë.

Filed Under: Opinion

NË PËRVJETORIN E 144 TË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 10, 2022 by s p

Dr. Etleva Lala

Budapest

Për Lidhjen Shqiptare te Prizrenit është shkruar mjaft deri sot, janë botuar monografi, studime dhe vëllime me dokumente e dorëshkrime, por, megjithatë ka mbetur një pjese e madhe e burimeve arkivore, lende kjo e dorës se pare, e pa botuar dhe pa hulumtuar. Studiuesit dhe specialistet e kësaj periudhe i pret një lëndë mjaft voluminoze dorëshkrimesh, dokumentesh, raportesh, relacionesh dhe materiali tjetër ne disa arkiva, siç janë ato te Vjenës, Romes, Vatikanit dhe Zagrebit. Gjatë viteve te kaluara, kemi shfrytëzuar pjesërisht disa nga fondet e këtyre arkivave dhe si kontribut modest, për ndihmese studiuesve shqiptare dhe te tjerë, ju ofrojmë rezultatet e kërkimeve tona, me dëshirë qe ato te shkojnë edhe me tutje, veçanërisht ne përvjetorët tjerë te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit.

Në arkivin shtetëror kroat në Zagreb, para disa kohësh në fondin arkivor “Dokumente për kryengritjen boshnjake”, 1871-1881 janë zbuluar rreth 200 raporte të konsullit gjeneral austro-hungarez në Shkodër, Fridrih Lipihut dhe të konsullit tjetër po ashtu të austro-hungarezë, në Sarajevë, Wasich -it.

F. Lipihu ka lindur në Lublanë në vitin 1834, ndërsa ka vdekur në vitin 1888. Ishte diplomat i karrierës, student i Akademisë Orientale të Vienës dhe “njohës i shkëlqyer i situatës në Shqipëri, në atë kohë”, siç përshkruhet në një tekst të shkurtër në botimin e ri të Leksikonit biografik Austriak, nga viti 1993. Në Shqipëri ka shërbyer 24 vjet, fillimisht në Prizren, pastaj pas vitit 1878 në Shkodër, si konsull gjeneral i Austro-Hungarisë. Siç ceket në Leksikonin e përmendur Austriak, raportet e tija, për zhvillimet dhe kundërshtimet e popullsisë shqiptare, kundër zbatimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit, i ka botuar ministria e punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, së atëhershme, në Vjenë, në botimet e saja zyrtare, të ashtuquajturat “Librat e kuq” për vitet 1877-1881.

Për F. Lipihun, kanë shkruar nekrologje edhe gazetat e Vienës, pas vdekjes së tij, në vitin 1888. “N. Prese,” e datës 4 korrik 1888 dhe “Viener Caitung” e datës 4 dhe 22 korrik të vitit 1888. F. Lipihu ishte shumë i zoti, i besuar por edhe diplomat i shkolluar karriere, me një përvojë të gjatë, siç vlerësohet nga gazetat e Vienës dhe Leksikoni Austriak; njohës i shkëlqyer i situatës së përgjithëshme të atëhershme në Shqipëri, si dhe njohës i disa rrymave ekzistuese shqiptare që dalloheshin në disa këshilla në qendrës së Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe i atyre  çarqeve që ishin me ndikim shumë të madh në “Këshillin e Shkodrës”; të atij në Gjakovë dhe në vende të tjera, sikur që mund të vërehet nga raportet e tija të vitit 1878.

Në kuadër të këtij shkrimi, si një përmbledhje e burimeve dhe të dhënave themelore, kryesisht të lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, për Lidhjen e Prizrenit, si ngjarje mjaft e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, kemi shfrytëzuar lëndën e pabotuar e cila ruhet në këtë arkiv.

Në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, në fondin: “kryengritja boshnjake” [HDA, fond nr. 435, Dokumentet mbi kryengritja boshnjake /Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz – Verwaltungs – Praesidial/ 1878-1881,] kohë më parë kemi zbuluar disa qindra dokumente, përshkrime dhe raporte të konsullit austro-hungarez në Shkodër, F. Lippich-ut, i cili raportonte nga janari i vitit 1878 deri në dhjetor të vitit 1881, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Monarkisë Austro-hungareze, grofin Andrassy, për zhvillimet dhe organizimet e popullsisë shqiptare në “Ligën popullore” [Volkslige], për të mbrojtur vendbanimet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë në të cilat kishin jetuar denbabaden, të cilat do t’iu jepeshin fqinjëve sipas përfundimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, i cili, në muajin qershor të vitit 1878 kishte filluar punimet e tija, duke marr një seri vendimesh, për ndarjen e këtyre viseve dhe dorëzimin e tyre fqinjëve sllav, mbretërisë së Malit të Zi dhe mbretërisë së Serbisë dhe një pjesë Greqisë. Të gjitha këto shtete së bashku me Bullgarinë, sapo ishin çliruar nga sundimi konservator, jodemokratik dhe vjetruar nga çdo shikim i Perandorisë Osmane. 

Këto raporte të konsullit gjeneral Lippich, në fillim, në origjinal i janë dërguar Ministrisë së punëve të jashtme në Vjenë; por, përshkrimet [Abschrifeten] ju janë dërguar për “dijeni” [zur Kenntnissnahme] nenmarshallit; baronit Fran Filipovich; komandantit të forcave ushtarake për Kroaci e Sllavoni si dhe gjeneralit të artilierisë në Zagreb: “…Feldzeugmeisters, Commandirenden Generals für Croatien und Slavonien, Exellenz, Agram”.

Baroni Franjo Filipoviqi ishte vëllai i gjeneralit, baronit Filipoviq, i cili drejtonte forcat ushtarake austro-hungareze me rastin e okupimit të Bosnjes dhe Hercegovinës. [Baroni F. Filipoviqi, me parashtesen “von Philippsberg,” ka lindur ne Gospiq më 12 tetor 1820; ndërsa ka vdekur më 8 qershor 1903 në Vjenë. Vëllai Josipi, gjithashtu gjeneral dhe nenmarshal, ka lindur në Gospiq, nga një familje krajshinike me tradita ushtarake, më 28 qershor 1819; ndërsa ka vdekur më: 6 gusht 1889 në Pragë]. Është evidente se gjeneral Fran Filipoviqi si udhëheqës ushtarak për Kroaci e Sllavoni, duhej të ishte i njoftuar për ngjarjet në Ballkan dhe në kufinjët me Bosnje e Hercegovinën, duke përdorur të gjithë mjetet për të okupuar këtë të fundit.

Së bashku me këto relacione të konsullit gjeneral nga Shkodra, Lippich-ut, në dokumentat që përmban ky fond, janë të ruajtura edhe disa raporte të konsullit gjeneral të Austro-Hungarisë, nga Sarajeve, Wasstisch-it; të adresuara për për udhëheqësin, gjeneralin F. Filipoviq në Zagreb. Një pjesë e këtyre raporteve bën fjalë edhe për çetat e shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë, në kuadër të radhëve ushtarake të njësive të Perandorisë Osmane, por edhe në anën e kryengritësve, duke ofruar shënime shumë interesante dhe të sakta. pushtuar nuk e mbështesin  Malin e Zi.

Fondi 435, “Dokumentat për kryengritjen boshnjake, 1871-1881;” [Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz–Verwaltungs–Praesidial], i cili është në Arkivin Shtetëror Korat, në Zagreb [HDA] përmban një lëndë mjaft voluminoze dhe të pasur me dokumente për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ky fond për vitet 1878-1881, ka 24 kuti me dokumente origjinale dhe të pabotuara. Pothuajse të gjitha dokumentet janë në gjuhën gjermane, një pjesë fare e vogël janë në gjuhën frënge.

Pos raporteve dhe relacioneve që jepen për vitet e veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në këtë fond, ruhen edhe dokument të tjera para dhe pas kësaj periudhe kohe; por, nën konsullatën e Sarajevës dhe atë të Trebinjës, ka edhe një numër të konsideruar dokumentesh që bëjnë fjalë për rrezikun e zhvillimeve politike në Shqipëri, pastaj për veprimtarinë e qetave shqiptare në kuadër të ushtrisë turke; si dhe të qetave tjera që ishin mbështetëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. 

Të dhënat që gjinden në këto dokumente janë, çuditërisht të sakta, precize, me shqiptim të drejtë dhe tepër korrekt si të toponimeve, mikrotoponimeve, emrave personal, por edhe ngjarjeve dhe datave të caktuara. Pothuajse në gjithë fondin, me pedanteri ushtaraku, janë shënuar ngjarjet në mënyrë kronologjike, pa lejuar ngatërrime, përsëritje apo tejkalime të mundshme.

Regestat që ofrojmë për botim, janë vetëm për vitin 1878, dhe atë jo për tërë vitin, por janë zgjedhur 20 sosh, me qëllim të një prezantimi sa më korrekt të dokumenteve, duke pasur parasysh që studiuesve dhe lexuesve të ju ofrojmë mundësin e një njohje sa më të përgjithshme me përmbajtjen e tërë fondit. Natyrisht, dokumenti i përmbledhur në vetëm disa rreshta, e kur ka raste, që në origjinal, ka disa dhjetëra faqe, mund të mos jetë pasqyrim besnik i tërësisë, por ne kemi bërë përpjekje që të ruajmë sa më besnikërisht thelbin e qëndrimeve dhe ideve të kohës kur është krijuar dokumenti.

Përshkrimet e raporteve të konsulit gjeneral austro-hungarez, F. Lippich në Shkodër, dërguar ministrit të punëve të jashtëme të Monarkisë Austro-Hungareze, grof. Andrassy-it, për ngjarjet politiko-ushtarake në vitin 1878 në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi; të cilat për dijeni i dërgoheshin edhe baronit, gjeneralit F. Philippovich, komandant i përgjithshëm ushtarak, për Kroaci e Slavoni, me seli në Zagreb.

Të gjitha dokumentat janë marrë nga fondi: Dokumentat për kryengritjen boshnjake, 1871-1881; [Akten des K. K. General – Commandos Zagreb Grenz–Verwaltungs–Praesidial], të cilat ruhen në Arkivin Shtetëror Korat, në Zagreb [HDA], vetëm për vitin 1878, për muajt mars – dhjetor. [sign. HDA, fondi 435, nr. 377-2945, 1878].

  1. Shkodër, 11 mars 1878

Nga pozita e guvernatorit të përgjithshëm civil dhe ushtarak, në Shkodër është larguar Mustafa Pashai. Në vend të tij është emruar Hysen Pashai, gjeneral divizioni dhe komandat i trupave ushtarake në Shkodër. Konsuli gjeneral austro-hungarez nuk i kushton rëndësi të veçantë këtij ndryshimi në këtë provincë, pos që vë në pah se Hysen Pashai në vendime politike është më energjik dhe ka moshë më të re se paraardhësi i tij. Komisioni i përzier, turko-malazias, i formuar pas nënshkrimit të marrëveshjes në janar të këtij viti, për përcaktimin e kufinjëve të përkohshëm në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, është shuar, pas nënshkrimit të paqes së Shën Stefanit.

  1. Shkodër, 19 prill, 1878,

Trupat malaziase në teritoret e okupura të Shqipërisë së Veriut (Tivari, Anamalas, Kraj, Ulqin) kanë rreth 1800 ushtarë. Mali i Zi, në raportet zyrtare paraqet numrin e ushtarëve prej 6000 vetësh. Para disa kohësh është nxierr urdhër që ushtarët të mbajnë armët në gjendje gadishmërie, dhe të sigurojnë edhe disa opinga shtesë. Në viset e okupura pozita e banorëve është gjithnjë e më e vështirë. Për shkak të situatës politko-ushtarake, fusha ka mbetur djerr; situata më e rëndë është në rrethin e Tivarit. Mungesa e ushqimeve dhe veshmbathjeve është njëri nga porblemet kryesore në Ulqin. Kanë shpërthyer epidemi të ndryshme sëmurjesh.

  1. Shkodër, 4 maj 1878, 

Përfaqësuesit e fisit katolik malësor shqiptar, të Shkrelit, kanë deklaruar se janë të gatshëm për të luftuar kundër Malit të Zi. Lutem që qeverija austro-hungareze ti ndihmoj në ornaizim dhe ti furnizoj me ushqime. Theksojnë se nuk do të pranojnë humbjen e pavarsisë. Është më se e qartë se okupimi i Shqipërsië Veriore nga ana e Malit të Zi, ka shumë pak përkrahës. Nëse Mali i Zi, pretendon që të pushtojë pjesët malore, të cilit i kanë takuar me paqen e Shën Stefanit, (prill 1878), duhet të pregaditet për një luftë të përgjakshme. Shumicë e banorëve të pjesës së pushtuar nuk e mbështesin  Malin e Zi.

  1. Shkodër, 15 qershor 1878

Qytetarët e Shkodrës të bashkuar, myslima e të krishterë; së bashku me përfaqësuesit e fiseve malësore dhe qyteteve të tjera, kanë bërë publik vendimin që i bashkohen Lidhjes Shqiptare, e cila është themeluar në Prizren. Shteetve pjesëmarrëse në Kongresin e Berlinit, do të ju dërgojnë një telegram [deklaratë] të përbashkët ku hapur do të deklarohen për mbrojtjen e kufinjëve dhe tokave shqiptare. Shkak për një veprim të tillë të qytetarëve shqiptarë si duke është zgjerimi i teritoreve malaziase në Veri të Shqipërisë, në dëm të shqiptarëve. Kishte edhe disa zëra të veçuar të cilët kërkonin autonomi dhe bashkim me Monarkinë Austro-Hungareze. Konsulli austro-huhgarez është i njoftuar për konceptin e deklaratës dhe nuk kishte vërejtje tjera, pos atyre gjuhësore.

  1. Shkodër, 22 qershor 1878

Pëfaqësuesit e pushtetit turk, janë përpjekur që lëvzijet e shqiptarëve në Shkodër, Prizren e gjetiu, ti paraqesin me një qëllim dhe karakter tjetër, duke tentuar që të ndryshojnë karakterin e tyre nacional, në favor të asaj se ata, shqiptarët, kërkojnë të ruajnë autoritetin qëndror të Portës së Lartë dhe lidhjen me të. Si duket qëllimet e Portës së Lartë janë që duke futur elemente të tjera nacionale, jo myslimane, dëshiron të vë në plan të parë qëllimin fetar e jo atë nacioanl që ka Liga Shqiptare. Megjithkëtë, Liga Shqiptare duhet të insistoj për barazi të plotë të besimeve dhe kështu do të fitonte një karakter të përgjithshëm popullor, duke kundërshtuar qëllimet e Portës së Lartë, që gjithë lëvizjes ti jap karakter të një kryengritje fetare. 

  1. Shkodër, 30 qershor 1878

Delegatët shkodranë të Lidhjes Shqiptare udhëtuan për në Prizren, për të marrë pjesë në Kuvendin Qendror. Delegatët marrin rrogë të rregullt, por konsulli gjeneral nuk ka informata se nga kush fond. Ipeshkvi greko-katolik i Elbasanit përmes konsullatës së Durrësit ka kërkuar mbështetjen [mbrojtjen] e qeverisë Austro-Hungareze. Kërkesen e ka bërë gojarisht. Kërkesë të ngjashjme kanë bërë edhe priftërinjët katolikë.

  1. Shkodër, qershor 1878

Sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Tivari do ti takoj Malit të Zi, gjë që ka shkaktuar shqetësime të shumta të qytetarëve. Shqipëria, me këtë rast ka pësuar një humbje të ndieshme politke, por edhe teritoriale. Ky teritor gjithmonë i ka takaur Shqipërisë, si politkisht ashtu edhe sipas funksionit kishtaro-relegjioz. Jan dëgjuar zëra të fortë, të cilët kërkojnë se Tivari do të mbrohet me armë dhe se Lidhja Shqiptare në Prizren, do të duhej ti mbështeste financiarisht, me armatime dhe me ushtarë në një konflikt të mundshëm me Malin e Zi. Konsulli austro-hungarez, dyshon në mundësinë e mbrojtjes me sukses të Tivarit nga ana e shqiptarëve dhe Lidhjes së Prizrenit.

  1. Shkodër, 13 korrik 1878

Me rastin e vendimit të Kongresit të Berlinit që Tivari ti takoj Malit të Zi, qytetarët shkodranë kanë formuar një Këshill për mbrojtjen e territoreve shqiptare me program të njëjtë politik me Lidhjen e Prizrenit. Është bërë zgjedhja e kryetarit, anëtarëve të këshillit. Ka filluar mbledhja e mjeteve financiare. Bëhen përpjekje për formimin e një policie popullore me disa qindra anëtarë. Si duket, përfaqësuesit e pushtetit turk, kanë marrë vendim që Këshillit ti lejohen një pjesë e të ardhurave nga tatimet ushtarake-luftarake sid he disa të ardhura të tjera. Në Prizren është një situatë krejt tjetër. Atje, Këshilli ka ndërmarrë shumë veprime, ndërsa për hollësi të tjera, do të ketë në raportet tjera, njofton konsulli austro-hungarez.

  1. Shkodër, 20 korrik 1878

Vërehet një shqetësim i madh i Këshillit në Shkodër, me rastin e lëshimit të territoreve të: Zhablakut, Shpuzës e Podgoricës, Malit të Zi. Si duket Këshillin e Shkodrës e kontrollon Hysen Pasha. Në Prizren situata është shumë serioze. Populsia shqiptare atje është e armatosur me armë shumë moderne; ndërsa udhëheqësve ju është dhënë autorizim i pakufizuar në raport me organet qeveritare, pos tjerash edhe për çështje politike.

  1. Shkodër, 10 gusht 1878

Edhepse marrëveshja për paqe është ratifikuar, si duket Porta e Lartë nuk i ka dërguar fare instruksione guvernatorit të përgjitshëm të Shkodrës, Hysen Pashait, për tërheqjen e trupave nga zona e Podgoricës. Edhepse këto territore i ka fituar Mali i Zi, as ata nuk marrin ndonjë vepri m konkret, pos që bëjnë një sigurim formal. Guvernatori [qeveritari] Hysen Pashai këkron nga Lidhja Shqiptare e Pizrenit, që në rast të sulmit nga ana e malaziasve, Lidhja të dërgoj trupa ushtarake për ndihmë. Kanë arritur lajmet e para për marshimet e trupave austro-hungareze në Bosnjë. Ky lajm është pritur me disponime të ndryhsme, dikund me gëzim, e në disa raste me frikë e drojë.

  1. Shkodër, 16 gusht 1878

Guvernatori i përgjithsëm, Hysen Pashai, kërkon nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndihmë në njerëz dhe armatim, për shkak të ngjarjve ushtarake që po ndodhin në Bosnje. Por, shumë shpjet ka qenë i informuar se okupimi po bëhet në marrëveshje me Portën e Lartë. Në Prizren ka pasur shqetësime me rastin e okupimit ë Bosnjës.

  1. Shkodër, 24 gusht 1878

Një telegram që ka mbërritur nga Stambolli, njofton arritjen e Mehmet Ali Pashait dhe sqaron se ai kishte për detyrë të çarmatoste popullsinë e armatosur shqiptare; të shpërndate Këshillin Nacional Shqiptar [Lidhjen Shqiptare të Prizrenit], t’i dorëzonte Plavë e Gusi, Malit të Zi, të qetësonte vendin dhe të siguronte paqen si dhe zbatimin e vendimeve të Kogresit të Berlinit. Ardhjae tij ka shkaktuar tërbimin e shqiptarëve të tubuar rreth Lidhjes së Prizrenit. Këshilli i Shkodrës bën përpjeke të bind fiset e malësorve të Veirut, që janë të besimit të krishterë, për të kundërshtuar dorëzimin e Podgoricës, Malit të Zi. Përfaqësuesit e fiseve e kanë qartë se territoret e tyre mbeten në Shqipëri, ndërsa Grudën e Triepshin, Mali i Zi duhet të ja kthej Shqipërisë.

  1. Shkodër, 1 shtator 1878

Marshali, Mehmet Ali Pashai ka hasur në vështërsi të shumta për zbatimin e obligimeve që kishte marrë nga Porta e Lartë. Në një nga rrugët kryesore të Prizrenit, është vrarë telegrafisti i marshallit Mehmet Ali Pashai. Është pikëpyetje e madhe në do të reagojë Porta e Lartë apo jo? Ngase ata vetë po organizojnë dhe drejtojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si mjet për të realizuar interesat e tyre në territorin e Shqipërisë.

  1. Shkodër, 14 shtator 1878

Në Gjakovë, është vrarë, marshalli, Mehemt Ali Pashai, në një sulm që kanë organizuar fiset malësore shqiptare. Në këtë vrasje është e përzier edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka flijuar marshalin Mehmet Ali Pashain, edhepse ne mledhjen e saj të mbajtur me 27 gusht 1878, Lidhja kishte pranuar të njihte kufinjët e përcaktuar nga Kongresi i Berlinit. Megjithatë, nuk duhet pritur ndonjë reagim energjik të Portës së Lartë lidhur me këtë ngjarje tragjike, ngse udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, nuk janë asngjë tjetër pos figura që me to udhëheq Porta e Lartë.

  1. Shkodër, 21 shtator 1878

Situata politike në Shkodër ka filluar të qetësohet, pas tentimit të destabilizimit të rendit dhe qetësisë publike. Disa qindra hapa larg nga konsullata e Austro-Hungarisë, në dretim të saj, është shtirë me armë zjarri. Rastin e ka marrë që ta hetojë personalsiht Hysen Pasha. Këshilli Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bën sikur ka hequr dorë nga rrethet të cilat kanë marrë pjesë në vrasjen e marshallit Mehemt Ali Pashait në Gjakovë. Problemi qëndron aty se: Prizreni e ka organizuar të gjithë këtë rrëmujë, por ju ka frikën pasojave.

  1. Shkodër, 29 shtator 1878

Këshilli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për Gjakovë, është akuzuar nga Këshilli Qendror i Lidhjes së Prizrenit, në Prizren, për pjesmarrje në vrasjen e marshallit Mehmet Ali Pashait. Mund të vërehet se Lidhja Shqiptare është duke e humbur ndikimin që kishte në zhvillimet politike në botën e jashtme; por edhe në vetë Shqipërinë. Një nga shkakqet e mundshme është edhe mos harmonija në kryesinë e saj. Në ndërkohë shumë trupa ushtarake turke po përqëndrohen në drejtim të Kosovës. Ekziston një rrezik i ri për një luftë të mundshme në Kosovë. Përfaqësuesit e fiseve malësore të Veriut janë të gatshëm ti përgjigjen thirrjes së Lidhjes Shqiptare për luftë kundër Malit të Zi. Okupimi i Bosnje e Hercegovinës ka përfunduar.

  1. Shkodër, 5 nëntor 1878

Ka mbërritur ftesa e Sheh Mustafait nga Prizreni, që delegatët e Shkodrës të shkojnë për një këshillim, në Këshillin Qendror të Lidhjes Shqiptare, në Prizren, gjë që ka shkaktuar ndarje mendimesh në mesin e anëtarëve të Këshillit shkodran. Sipas mendimit të tyre Lidhja Shqiptare e ka bërë shpenzime të shumta, pa treguar rezultate konkrete; për këtë arsye disa nga anëtarët e këshillit shkodran janë skeptik. Nëdrsa në anën tjetër, kur Shkodra kërkoi ndihmën e Lidhjes Shqiptare në Prizren, ata nuk reaguan fare, por heshtën. Këshilli i Shkodrës ka kërkuar mendimin e Hysen Pashait, por ai nuk ndodhej në Shkodër. Kjo do të ishte hera e parë, që një udhëheqës zyrtar i Portës së Lartë, publikisht të tregonte qëndrimet e ija ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  1. Shkodër, 12 nëntor 1878

Dorëzimi i Gusisë, Malit të Zi, ende është shumë porblematike. Një anëtar i nderuar i fisit të Kelmendit e ka vizituar konsullin e monarkisë austro-hungareze në Shkodër. Me dorëzimin e Gusisë, Malit të Zi, edhe ky fis humb disa territore të rëndësishme. Arrijnë lajme se pas vrasjes së marshallit Mehmet Ali Pashait, ka përpjekje për riorganizimin e Lidhjes Shqiptare, por në veprimtarinë e saj e cila është nën ndikimin e Stambollit, çdo herë e më shumë vërhet një qëndrim armiqësor i hapur kundër Monarkisë Austro-Hungareze.

  1. Shkodër, 18 nëntor 1878

Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodër, ka marrë vendim, meqenëse kthimi i  guvernatorit, Hysen Pashait u zgjat shumë, që në takimin e Këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare në Prizren, të dërgoj një anëtar të vetin, për të marrë të gjitha njoftimet sekrete nga Sheh Mustafai. Bejlerët e Dibrës ende nuk janë të gatshëm për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të riorganizuar. Nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të ndjek politikën e saj parimore, nuk do të ketë mundësi që ti shmanget një konflikti të afërt me Monarkinë e Austro-Hungarisë. Nëse trupat e ushtrisë austro-hungareze okupojnë Novi Pazarin dhe Mitrovicën e Kosovës dhe drejtohen për Prizren e Prishtinë, atëher, edhe Dibra me siguri se do të okupohej.

  1. Shkodër, 18 dhjetor, 1878,

Raport mbi pregaditjen dhe gjendjen e gadishmërisë së trupave ushtarake turke, nën komandën e Ali Sain Pashait dhe ushtrisë së Malit të Zi, në pozicionet rreth Tivarit. Oficieri austro-hungarez von Thymel është i angazhuar për studime të hollësishme për gjendjen e trupave malaziase. Në popullsim shqiptare të besimit musliman, janë të pranishme parashikimet e mundshme që ushtria Turke të mbrojë Shqipërinë nga pretendimet teritoriale malaziase. Fiset e shqiptare të malësorve të krishterë nga krahina e Mirditës (Kastrati, Hoti, Gruda, Shkrlei, Kelmendi) organizojnë forcat ndihmëse për mbrojtje kundër Malit të Zi.

Pos dokumenteve të cituara si regesta dhe atyre të përmendura, duhet veçuar edhe dhjetëra dokumente të tjera nga fondi i: “Mëkëmbësit të mbretit për Dalmaci” për vitet 1875-1881. [Sot ruhen në Arkivin Shtetëror të Zarës, fondi 88]. Në këtë fond, ruhet një numër i konsideruar i raporteve të konsullit gjeneral nga Shkodra, Wasich-it, i cili një vit më vonë, siç e kemi cekur më lartë, emërohet konsull në Sarajevë. Raportet e konsullit gjeneral Wasich nga Shkodra, i dërgoheshin Mëkëmbësit për Dalmaci, gjeneral Rodiqit. [Gjeneral Gabrijel Rodiqi ka lindur në Vrginmost, më 12 dhjetor 1812; ndërsa ka vdekur në Vjenë, më 21 maj 1890. Në vitin 1869 emërohet udhëheqës ushtarak për Dalmaci. Nga viti 1870 emërohet “Mëkëmbës” për Dalmaci, me seli në Zarë].

Filed Under: Opinion Tagged With: Etleva Lala

PROGRAMI I KONFERENCËS SHKENCORE NDËRKOMBËTARE: “VATRA” – 110 VJET NË SHËRBIM TË ATDHEUT DHE KOMBIT SHQIPTAR

June 9, 2022 by s p

PROGRAMI I KONFERENCËS SHKENCORE NDËRKOMBËTARE:

Filed Under: Opinion Tagged With: Vatra

Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

June 8, 2022 by s p

OKSFORD, 6 Qershor 2022-Gazeta DIELLI/  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Britani të Madhe.

Gjatë qëndrimit atje, Kryeministri Kurti do të zhvillojë takime të nivelit të lartë. Në mesin e tyre, ai do të takohet me Sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss.

 Në 6 Qershor 2022 Kryeministri Kurti mbajti një ligjëratë të hapur në Oxford Union,  e një ligjëratë  tjetër e mbanë të nesërmen në Universitetin e Cambridge.

 “Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë”, theksoi mes tjerash Kryeministri Kurti.

Fjala e Kryeministrit Kurti në Oksford Union

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Oksford Union:

Të nderuar anëtarë të Oxford Union,

Të dashur anëtarë dhe mysafirë të komunitetit, të nderuar akademik të Oxfordit,

Zonja dhe zotërinj,

Është e vështirë të hysh në këtë dhomë debati dhe të mos e ndjesh peshën e historisë. Përgjatë viteve, Oxford Union është shfaqur si një ndër sheshet më të rëndësishme në botë. Duke marrë parasysh historinë e vjetër me shekuj dhe prestigjin e tij, kështu duhet të jetë. Në botën tonë të sferave të fragmentuara publike dhe eko dhomave virtuale, forumet globale publike si ky janë më të rëndësishëm se kurrë. Duke e mbrojtur dhe duke u përkujdesur për këtë institucion, ju po na bëni shërbim të gjithë neve. Prandaj, faleminderit që po mbani të gjallë traditën tuaj të respektuar, dhe faleminderit që më ftuat të jem sot këtu me ju. Jam shumë i nderuar me ftesën tuaj.

Jam ftuar t’ju flas këtu si politikan i së majtës demokratike dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë. Secili nga këto identitete, kur merret në konsideratë ndaras, sjellë shumë sfida të veta. Të jesh sot lider i majtë kudo në botë, qoftë edhe në vendet e mirë etabluara dhe të pasura është mjaftueshëm e vështirë. Për më tepër, të jesh Kryeministër kosovar, pa marrë parasysh bindjet etike politike të dikujt, nuk është as punë e lehtë. Dikush mund ta imagjinojë se çfarë ndodhë kur kombinohen këto dy identitete, siç ndodhin rëndom në personalitetin tim: vështirësitë shtohen mjaft shpejtë. Këtu dua të përqendrohem në dy sfida kyçe me të cilat përballet një agjendë socialdemokrate transformuese në një vend si Kosova – e para, ambient i armiqësuar gjeopolitik dhe e dyta, kapacitete të brishta shtetërore. Do t’i them disa fjalë mbi natyrën e këtyre dy sfidave dhe të diskutoj shkurt sesi partia jonë politike (Lëvizja Vetëvendosje) është marrë me to në të kaluarën, dhe se si qeveria ime po përpiqet t’i adresojë sot ato. Mund të jenë disa mësime më të përgjithshme për të majtën demokratike në përgjithësi, posaçërisht në këto kohë të trazuara të përhapjes së gjerë të prapakthimit demokratik  dhe që nga 24 shkurti i këtij viti, rikthimi i luftës në kontinentin tonë.

Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit.


Sido që të jetë, thelbi i së vërtetës që përmban thënia e Churchillit është se gjeopolitika priret të jetë brutale në pjesën tonë të botës. Për pjesën më të madhe të historisë së tij, Ballkani ka qenë në udhëkryqin e vijave të betejës gjeopolitike, një lloj kufiri ku perandoritë perëndimore dhe lindore janë përplasur ashpër me njëra-tjetrën. Në historinë moderne, një brutalitet i tillë është ndjerë veçanërisht në kurrizin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, fati që e priste një aktivist shqiptar të Kosovës që kërkonte të drejta civile dhe politike për popullin e tij ishte ose vrasja ose burgimi i përjetshëm. Megjithëse shqiptarët përbënin vetëm rreth 13 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, ata përfaqësonin 80 për qind të të burgosurve politikë të saj – Adem Demaçi, një nga të burgosurit politikë më të famshëm në Evropë dhe më gjerë, kaloi 28 vjet në burg. Këto fakte do të duhej t’i bënin të mendojnë dy herë shumë anëtarë të shquar të së majtës ndërkombëtare, të cilët edhe sot e kësaj dite e shohin Jugosllavinë komuniste si një parajsë idilike socialiste, ose siç e shprehin disa prej tyre në një letër drejtuar Titos në 1974, “një anëtar i respektuar i familjes së kombeve progresive/përparimtare dhe paqedashëse.”

Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit.

Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të.

Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim. Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet.

Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK).  Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë. Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.

Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit. Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”. Nga ana tjetër, formula e elitës politike kosovare për statusin final ishte “definitivisht më shumë se autonomi dhe asgjë më pak se pavarësi”. Përballë këtyre dy formulave kundërshtuese, zgjidhje kompromisi e bashkësisë ndërkombëtare po shkonte në drejtimin e “pavarësisë së mbikëqyrur me autonomi shumë të reduktuar”. Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.

Ndërhyrja jonë kritike në realitetin politik kosovar të asaj kohe mund të konsiderohet si populiste. Në të vërtetë, kjo etiketë na u vu shpesh në mënyrë pezhorative nga kundërshtarët politikë dhe komentuesit e medias. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tipari ynë populist ishte një tipar demokratik dhe gjithëpërfshirës, jo ekskluziv i bazuar në gjak dhe tokë. Që në fillim e kemi bërë të qartë se lufta jonë nuk ka qenë e drejtuar kundër serbëve të Kosovës apo ndaj ndonjë pakice tjetër për këtë çështje. Përkundrazi, ne kemi theksuar shpesh se Kosova është e të gjithë atyre që e konsiderojnë si vendlindjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në dokumentet dhe shkrimet tona, ne mbrojtëm të drejtën e kthimit të serbëve të Kosovës – të gjithë atyre që nuk kishin kryer krime lufte ose që nuk kishin shërbyer dhe përfituar nga regjimi i Serbisë. Për më tepër, ne gjithmonë do të nënvizonim të përbashkëtat që ndajnë shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Për shembull, ne do të theksonim se si bashkëqytetarë ata përballen me probleme sociale shumë të ngjashme: varfëria, papunësia, mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor e kështu me radhë. Probleme të tilla të përbashkëta sociale janë shumë më të rëndësishme se identitetet e tyre të ndryshme etnike. Serbët e Kosovës që duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet me bashkëqytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar gjithmonë këtë te lëvizja jonë politike. Ata e kuptuan herët se nacionalizmi i perceptuar i lëvizjes sonë ishte i drejtuar kundër projektit kolonialist të Serbisë, jo kundër serbëve të Kosovës. Prandaj sot më trajtojnë si kryeministër të tyre. Marr rregullisht letra dhe peticione prej tyre dhe ata takohen me mua për të diskutuar nevojat dhe interesat e tyre si anëtarë të shoqërisë sonë. Vlen të nënvizohet se ata e bëjnë këtë pavarësisht kërcënimeve shumë serioze që marrin nga Beogradi.

Mendoj se këtu ka një mësim më të gjerë për progresistët. Sot populizmi është kthyer në një term abuzimi, por duhet të kujtojmë se një lloj populizmi është i qenësishëm në vetë idenë e demokracisë. Parimi më themelor i demokracisë përfaqësuese moderne, domethënë, “një person, një votë”, ka karakter populist. Deklarata e famshme e Abraham Lincoln “Qeveria e popullit, nga populli, për popullin” është gjithashtu populiste. Në të njëjtin kuptim, fraza që të mbetet në mendje e lëvizjes sonë “jo negociata, vetëvendosje!” mund të shihej edhe si populiste. Por ky është lloji i populizmit që ne demokratët nuk duhet ta braktisim kurrë. Përndryshe, ne rrezikojmë të tjetërsojmë njerëzit dhe autoritarët e krahut të djathtë janë shumë të lumtur të ndërhyjnë si zëdhënësit e tyre. Me fjalë të tjera, në vend që të shkojmë në ekstrem, duhet të insistojmë në një dallim kritik midis populizmit progresiv, gjithëpërfshirës, nga njëra anë, dhe populizmit ekskluziv, të gjakut dhe tokës, nga ana tjetër. Populizmi ynë gjithëpërfshirës duhet të afirmojë të drejtën e popullit për vetëqeverisje duke hedhur poshtë konceptin e popullit si një totalitet organik i bashkuar nga lidhjet e gjakut. Tërësisë organike të populistëve të djathtë, ne duhet t’i kundërvëjmë analizën klasore. Vetëm analiza klasore mund të ekspozojë karakterin iluzor të të gjitha pretendimeve ndaj totalitetit organik. Për më tepër, vetëm analiza klasore mund të zbulojë se sa të përbashkëta kanë, le të themi, një nënë beqare e papunë serbe në komunën veriore të Mitrovicës dhe një nënë beqare shqiptare e papunë në komunën jugore të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë.

Kam kandiduar për këtë detyrë me dy premtime kryesore: punësim dhe drejtësi. Që nga marrja e pushtetit/detyrës mbi një vit më parë, këto dy fusha politike kanë qenë në qendër të vëmendjes sime si Kryeministër. Përveçse duhet të shkojë kundër thelbit të dogmës neoliberale, në kontekstin kosovar një agjendë reformash social-demokratike përballet me disa sfida shumë specifike. Ato kanë të bëjnë kryesisht me burimet e kufizuara të një ekonomie në zhvillim dhe kapacitetet e kufizuara të një shteti të ri. Ne jemi një nga vendet më të varfra në Evropë. Vitet e aparteidit, luftës dhe keqmenaxhimit të burimeve tona ekonomike të pasluftës kanë lënë gjurmët e tyre të pagabueshme në ekonominë e vendit. Si rezultat, një program ambicioz social-demokratik i zhvillimit ekonomik i bazuar në paradigmën e shtetit zhvillimor duhet të fillojë me burime mjaft të pakta. Përveç kësaj, burokracia jonë shtetërore është e re dhe për këtë arsye pa përvojë. Falë praktikave të dobëta të rekrutimit të qeverive të mëparshme, ka goxha shumë paaftësi edhe në burokracinë tone gjithashtu. Sidoqoftë, ka mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Qeveria ime ka ndjekur disa strategji të ndryshme për t’i trajtuar ato. Këtu dua të përmend shkurtimisht vetëm njërën prej tyre, përkatësisht përfshirjen e komunitetit tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë.

Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë. Duke vepruar kështu, ata na kanë ndihmuar të blejmë paqen e çmuar sociale. Megjithatë, remitancat janë një mjet mbijetese, jo një mjet zhvillimi ekonomik. Ajo që qeveria ime po përpiqet të bëjë është të mobilizojë komunitetin tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë. Kjo do të thotë të përdorim burimet e tyre njerëzore si dhe kapitalin financiar. Ekspertiza e tyre mund të na ndihmojë të reformojmë burokracinë tonë, sistemet tona arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe ekonominë tonë. Në vend që burimet e tyre financiare të shërbejnë thjesht si ndihmë humanitare, ne po përpiqemi të krijojmë mundësi për investimin e tyre në ndërmarrje fitimprurëse që do të krijonin vende pune për të rinjtë tanë. Ky partneritet për zhvillimin ekonomik po fillon dalëngadalë të formësohet. Për shembull, qeveria jonë tashmë ka filluar të shfrytëzojë ekspertizën e profesionistëve tanë të mërgatës për qëllime të hartimit të ligjeve dhe politikave themelore që na duhen për të filluar zbatimin e programit tonë ekonomik. Përveç kësaj, qeveria jonë tani është duke emetuar bono për diasporën tonë. Bono të tilla na ndihmojnë të mbledhim fonde shtesë, duke ofruar gjithashtu një mundësi të sigurt investimi për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Sipas mendimit tim, ky ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet midis vendit të origjinës dhe mërgatës – domethënë, nga ndihma humanitare në partneritet për zhvillim – është një ndryshim i madh për vendet në zhvillim që përballen me rrethana të ngjashme.

Edhe pse është shumë herët për të gjykuar efektet neto afatgjata të reformave të brendshme të qeverisë sime, treguesit e hershëm flasin mjaftueshëm në favorin tonë. Pavarësisht ndikimeve negative të pandemisë globale COVID-19, vitin e kaluar ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Një besim i tillë përkthehet në konsum më të madh, investime më të mëdha dhe të ardhura më të mëdha tatimore. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa eksportet janë rritur 83 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën 34 për qind. Krahas performancës ekonomike, ka pasur edhe ndryshime pozitive në renditjen e vendit tonë në indekset me reputacion ndërkombëtar që ndjekin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe transparencën. Për shembull, vitin e kaluar Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij të Sundimit të Ligjit. Ne kemi përmirësuar renditjen tonë me 17 vende si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (të lëshuar nga Reporterët pa Kufij) dhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Me fjalë të tjera, progresi ynë ekonomik po ecën paralelisht me një proces të thellimit demokratik, edhe pse historia na mëson se nuk ka asnjë lidhje të nevojshme midis të dyjave. Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi problemet ekonomike po çojnë në prapakthimin e demokracisë edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme.

Jetojmë në kohë të rrezikshme. Në vitin 2020, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë përditësoi orën e tij të fundit të botës nga dy minuta në mesnatë në 100 sekonda në mesnatë – mesnata nënkupton një fatkeqësi përfundimtare për njerëzimin. Kjo është më afër mesnatës që ka qenë ndonjëherë që nga debutimi i saj në 1947. Në arsyetimin e tyre për përditësimin, grupi i shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur përmend mosbesimin në rritje dhe mungesën e bashkëpunimit në politikën ndërkombëtare si një faktor kyç që rrit rrezikun nga kërcënime ekzistenciale të tilla si ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore. Prapakthimi demokratik që po dëshmohet në mbarë botën po kontribuon shumë në një gjendje kaq të dhimbshme të politikës ndërkombëtare. Në këto rrethana kritike, mbrojtja e demokracisë merr një kuptim shumë më domethënës. Duke luftuar për ta mbrojtur atë, ne mbrojmë më shumë se një formë qeverisjeje: ne mbrojmë perspektivat për mbijetesë të denjë njerëzore. Prandaj, dëshpërimi nuk është diçka që mund ta përballojmë në këtë pikë. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Baza morale është në anën tonë. Para se të bëhet tepër vonë, le të sigurohemi që ta kthejmë atë në një terren të lartë politik.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe mezi pres diskutimin tonë.

Filed Under: Opinion

Komunikimi politik i liderave në Shqipëri

June 7, 2022 by s p

Haris Vongli, MSc/MPA

PhD Candidate, Glasgow Caledonian University, London

Si komunikojnë liderat shqiptarë?

Së pari, demokracia në Shqipëri ka pësuar ulje e ngritje drastike gjatë 3 dekadave të pluralizmit politiko-partiak. Ajo që vihet re më së shumti është tranzicioni i tejzgjatur. Për rrjedhojë, demokracia është e brishtë dhe po ashtu të gjithë përbërësit e saj, përfshirë komunikimin politik të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre. Lidershipi është padyshim frymëzim, një optikë e gjerë shprese – në sjellje, artikulim e pamje. Forma dhe përmbajtja e lidershipit duhet të jetë e prekshme dhe shembullore, në mënyrë që të ndiqet pa ndonjë propagandë të jashtëzakonshme.

Gjuha e komunikimit politik është tejet e rëndësishme, jo vetëm në ditët e sotme; ka qene gjithherë e tillë, duke qenë se lidhet drejtpërdrejt me një ndër asetet kryesore të politikanit – komunikimin. Parë nga një aspekt psikologjik, studime të shumta kanë vërtetuar peshën e madhe të gjuhës së trupit, sa i përket komunikimit të ideve. Rregulli i Albert Mehrabian ilustron peshën që zënë disa aspekte të komunikimit politik: “7% fjalët 35% tonaliteti i zërit dhe 55% gjuha e trupit“. Në një shoqëri e cila është konsumatore e “fast-foodit”, në çdo aspekt shoqëror, pesha e imazhit dhe e posturës është rritur vazhdueshëm edhe në politikë.

Duke qenë se gjuha e komunikimit politik lë shpesh për të dëshiruar, komunikimi politik nuk është fort efektiv. Në strategjitë e komunikimit politik mungon origjinaliteti. Pavarësisht zotësisë së këshilltarëve të komunikimit të shumë prej figurave politike kryesore në vend, në optiken time duket qartë se strategjitë e komunikimit janë të huazuara nga perëndimi, por nuk gjejnë zbatim të drejtë në realitetin politik shqiptar. Ato shtrembërohen në praktikë, edhe nëse në teori mund të jenë premtuese.

Nëse votuesit shqiptarë do të ishin të vëmendshëm, do kuptonin se komunikimi politik gjatë fushatave zgjedhore lokale dhe qendrore vjen nga një strategji, nga një kompani PR-i apo nga një ekip që punon pikërisht për të formësuar një fabul për partitë politike dhe politikanët që garojnë kundër njëri-tjetrit. Kuptohet se ky komunikim është i strukturuar për një periudhë të caktuar kohe, pasi ai, në periudha të shkurtra, ndryshon dukshëm në krahasim me periudhat e dala nga fushatat elektorale.

Pra, dua të them se premtimet janë strategji për të tërhequr elektoratin drejt votimeve, por me të ardhur në pushtet Partia Socialiste, apo edhe pas humbjes së opozitës në zgjedhjet e fundit në 2021-shin, shumë nga prioritete e premtimet janë lënë në harresë dhe qëllimi i tyre është një fallcitet i ndërtuar jo vetëm me mund por edhe para, që në fakt dalin edhe nga taksat e shqiptarëve.

Komunikimi politik është pjesë e një pakete të gjërë elektorale e cila ka synim, ndër të tjera e mbi të gjitha, tërheqjen e elektoratit për të votuar një parti apo një tjetër. Dua të theksoj se në to prevalon manipulimi, edhe në detajet më të vogla.

Duke qenë se tonaliteti i zërit/intonacioni zë 35% të komunikimit, qartazi tregohet pesha e saj në komunikimin publik. Eksperti i komunikimit Chris Anderson (krijuesi i platformës TED, sugjeron një metodë/aftësi të rëndësishme në komunikimin publik që ka lidhje të drejtpërdrejtë me tonalitetin e zërit – ajo është narrativa (aftësia për të rrëfyer histori). Kjo aftësi është e rëndësishme edhe për politikanët, sepse një narrator i mirë është joshës në komunikimin publik.

Kjo varet nga shoqëria dhe qasja e saj ndaj poltikës, por edhe mentaliteti kulturor si një aspekt psikologjik i rëndësishëm. Veshja në përgjithësi ka pësuar ndryshime të shumta, ndër vite dhe dekada, ndërkohë veshja e politikanit ka mbetur e pandryshuar. Kjo mund të lidhet me konceptimin e një lloj “uniforme” politike, e gjithëpranuar si shprehje e seriozitetit e në të njëjtën kohë, duke e trajtuar si element të mërzitshëm nga pikëpamja psikologjike dhe estetike, e bën popullin/konsumatorin/elektoratin më të fokusuar drejt thelbit e jo paraqitjes. Ndërsa shumë politikanë shqiptarë, kanë tentuar ta sjellin veshjen në një format më modern e më sipërfaqësor, pra më të pëlqyeshëm, duke rrëshqitur në një degradim të theksuar serioziteti dhe estetike. Pra, figura kryesore politike shqiptare veprojnë në të kundërtën e “filozofisë së kostumit”, duke tentuar të përfliten për veshjen më shumë se sa thelbin. Kështu tërheqin vëmendjen nga problematikat reale, siç ndodh rëndomë me kryeministrin Rama, etj.

Komunikimin politik e shohim të përhapur në masë, në çdo formë, në platformat online të cilat janë biznes më vete. Edhe në perëndim është kështu, por detyrimi moral ndaj lexuesve dhe lufta e përditshme që bën media digjitale – më shumë në shërbim të popullit se sa politikanit, prevalon dhe ndryshon dukshëm. Në Shtetet e Bashkuara përshembull, “lufta“ që u bëhet politikanëve, presidentëve, kongresmenëve, senatorëve, etj, është e pakrahasueshme nga kompromiset që bën media dhe publiku në Shqiperi. Dhe për çfarë? Që të vazhdojmë të qeverisemi nga ata që më pak ndihemi të përfaqësuar?! Për fat të keq, funksioni mediatik dhe civil në Shqipëri, në përgjithësi, ka mbetur në shërbim të politikanit dhe kjo është padyshim një qasje e prapambetur, që tregon sa të varur jemi jo vetëm financiarisht, por edhe intelektualisht, kulturalisht. Demokracia është mentalitet, po ashtu komunikimi politik si dhe format e shpërfaqes së tyre

Filed Under: Opinion Tagged With: haris vongli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT