• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA PROMOVON MË 20 PRILL 2022 LIBRAT: “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI”  DHE “LARG ATDHEUT”

April 10, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të promovojë ditën e Mërkurë më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Do të referojnë në këtë promovim: Dervish Eliton Pashaj, Tonin Mirakaj, Idriz Lamaj dhe Dalip Greca.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

Presidenti që na duhet

April 10, 2022 by s p

Afrim Krasniqi/

Brenda pak ditësh Kuvendi i RSH nis procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Koncepti i “zgjedhjes” në rastin e Presidentit është më afër konceptit “emërim” sesa produkt i një gare zgjedhore. Vetëm 28 deputetë mund të propozojnë një kandidat për President dhe këto mandate i kanë vetëm dy grupe, PS dhe PD. Kushtetuta parashikon tre raunde votimi me 84 vota (nga 77 që ka aktualisht mazhoranca) dhe më pas, dy raunde votimi me 71 vota. Në secilin prej katër raundeve të para mund të ketë kandidatë të rinj në proces, raundi i fundit nuk lejon kandidatë të rinj dhe nëse Presidenti nuk zgjidhet, parlamenti shpërndahet duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Në asnjë nga raundet nuk kërkohen detyrimisht dy kandidatë, madje nuk ka detyrim as të ketë kandidatë, duke e konsideruar raundin e konsumuar edhe kur nuk ka votim e kandidatë. Presidenti i zgjedhur përpara datës 24 maj e merr detyrën më 24 korrik, duke pasur një periudhë dy mujore tranzicioni. Sistemi ynë zgjedhor për Presidentin nuk lejon vetëkandidimin apo rikandidimin. Mund të ketë individë që duan të zgjidhen Presidentë, por ata mund të legjitimohen vetëm nëse sigurojnë 28 nënshkrime deputetësh, siç mund të ketë Presidentë që duan një mandat të dytë, por nuk kanë mundësi të jenë në garë nëse nuk sigurojnë mbështetje të njëjtë paraprake. Ky sistem është penalizues për garën presidenciale dhe për integritetin e institucionit të Presidentit. Ka vende me sistem të njëjtë parlamentar që i lejojnë Presidentit në detyrë në rikandidojë pa mbështetje paraprake parlamentare ose që mund të ketë kandidatë me numër më të vogël mbështetësish, duke pluralizuar garën për Presidentin.Sistemi ynë nuk e lejon zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët. Alibia refuzuese lidhet me pretendimin se zgjedhja nga populli duhet shoqëruar me rritje të kompetencave të Presidentit. Në fakt, në Evropë, madje edhe në vende fqinje rreth nesh (Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, Kroacia apo Sllovenia), zgjedhja direkte e Presidentit nuk e ka ndryshuar natyrën parlamentare të shtetit dhe se Presidentët në këto vende kanë kompetenca të njëjta dhe në një rast, më të pakta, sesa Presidenti në Shqipëri. Zgjedhja direkte vetëm sa do ta forconte integritetin e institucionit, lidhjen mes qytetarëve e Presidentit, si dhe konceptin e llogaridhënies dhe përgjegjësisë publike. Zgjedhja nga parlamenti e dobëson Presidentin dhe siç ka ndodhur në dy raste, ai i është mirënjohës personalisht shefit/shefave të mazhorancës që e kanë përzgjedhur, jo qytetarëve dhe shoqërisë. Zgjedhja direkte do ta dobësonte fuqinë e partive politike dhe të krijonte figura publike me mbështetje, të cilat edhe nëse dështojnë, do të ishin bërthama për lëvizje të reja politike në vend.Gjatë tri dekadave Shqipëria ka pasur 7 presidentë, 6 të zgjedhur nga mazhoranca e radhës dhe 1 President konsensual. Nga sondazhet e vazhdueshme zgjedhja konsensuale ka refuzuar më e vlerësuara, jo për shkak të formulës sa për shkak të cilësive të Presidentit të zgjedhur. Aktualisht mazhoranca ka deklaruar gatishmëri për bisedime politike, por bisedimet kanë vlerë vetëm në dy raste: kur ajo e ka të pamundur zgjedhjen e Presidentit, jo kur ka 6 vota më shumë sesa kufiri zgjedhor i nevojshëm, si dhe në rastin kur mazhoranca dëshiron të japë një mesazh politik të integritetit institucional, maturimit politik dhe të gjithëpërfshirjes, – cilësi që në politikën shqiptare thuajse deri tani nuk ekzistojnë. Në këto rrethana, me siguri zgjedhja e tanishme e Presidentit do të ndodhë në raundin e katërt, atëherë kur numrat vendosin dhe kur deputetët i frikësohen humbjes së mandateve, pra shpërndarjes së parlamentit. Cili është modeli i Presidentit që kërkon Shqipëria e sfidat e saj? Krahas kritereve kushtetuese, Presidenti duhet të ketë së paku katër cilësi thelbësore: të njihet për integritetin profesional dhe publik, të jetë promovues i kulturës ligjore dhe kushtetuese, të mos jetë i akuzuar për korrupsion dhe as militant politik, si dhe të gëzojë besim nga partnerët kryesorë perëndimorë, sidomos SHBA dhe BE. Shqipëria ka me mijëra individë që mund të pretendojnë të emërohen Presidentë, por natyrisht ka vetëm një numër të kufizuar individësh që plotësojnë standarde të tilla. Midis tyre, ata që mund të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e mazhorancës mund të jetë së paku 50% më i vogël, ndaj lista emërore mbetet shumë e kufizuar, por e mjaftueshme për një vend të vogël si Shqipëria. Loja me emrat, gjinitë, skemat, etj, duke kërkuar më të pranueshmin midis militantëve të një partie, apo emra pa përvojë solide të integritetit institucional, vetëm sa e dobëson akoma më shumë procesin dhe besimin publik tek ai. Presidenti i Republikës nuk mund të jetë një “ministër tjetër” i qeverisë, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën dhe as produkt i pazareve të votave apo dhurimit për shkak të nevojave politike, eksperimente që rezultuan të dështuara.Shqipëria përballet me sfida të mëdha, ka problem të shumta, ka mosbesim të madh qytetar tek politika e institucionet, shoqëria ndodhet në udhëkryq, ndërkohë që Presidenti i ri do të betohet me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në një rend të ri të sigurisë botërore. Për këto dy motive thelbësore, emri për President/e duhet të reflektojë integritet dhe maturi, procesi duhet të tregojë integritet dhe sens përgjegjësie, procedura parlamentare duhet të respektojë solemnitetin institucional e kushtetues dhe mbi të gjitha Presidenti që na nevojitet duhet të reflektojë atë që Shqipëria duhet të jetë apo synon të jetë, jo atë që Shqipëria ka eksperimentuar, që është apo që nuk ka mundur të jetë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Afrim Krasniqi

NJË HISTORI E PABOTUAR PËR GJ. K. SKËNDERBEUT NGA VITI 1752 E AUTORIT KROAT – ÁT MATE ZORIÇIQIT

April 9, 2022 by s p

Faqja e pare e doreshkrimit te Zoriciqit nga viti 1752

Faqja 90 nga doreshkrimi i at M. Zoriciqit nga viti 1752
Faqja e fundit e doreshkrimit te Zoriciqit nga viti 1752

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, në fondin e pasur me dorëshkrime të kësaj famullie, ruhet një dorëshkrim i át Mate Zoriçiqit, me titull: Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg /Pasqyrim i të përndritshmit dhe të nderuarit fisnik Gjergj Kastriotit të quajtur Skanderbeg/. Ky dorëshkrim ruhet me signaturën: R. K – 17/I. II. 

Përkundër vlerës burimore dhe rëndësisë kohore kur u shkrua, ky dorëshkrim nuk është botuar kurrë deri me sot. E kanë përmendur deri me sot vetëm kalimthi, pa dhënë informacione të sakta, përshkrim të përmbajtjes apo fizik vetëm dy studiues Ivan Kukuljeviq Sakcinski dhe Zeqeria Neziri.

Gjatë qëndrimit tonë në Shibenik, patëm fatin që ta studiojmë në vend origjinalin e këtij dorëshkrimi mjaft voluminoz dhe shumë të vlefshëm: arritëm të bëjmë edhe transkriptimin e tij dhe njëkohësisht të nxjerrim edhe një riprodhim të tërësishëm fotografik dhe një tjetër të skanuar me rezolucion shumë cilësor.

Dorëshkrimi ka 92 fletë, format të madh, (in foglio) me dimensione: 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesë e dytë ka trembëdhjetë kapituj, dhe gjithsej përbëjnë njëzetë e dy kapituj. 

Çdo kapitulli i paraprinë një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse tregon se për çfarë bëhet fjalë në tekstin në vazhdim! I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e dorëshkrimit. Përveç kësaj, emrat e bashkë-luftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij janë shënuar me një korrektësi të jashtëzakonshme. 

Në disa raste, vërehet një njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, qëndrim ky të cilin autori e arsyeton me mjeshtëri të veçantë, duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut, në atë kohë. Megjithatë, autori nuk lë pa përmendur as rolin e paçmuar që luan në këtë kohë (mesjetë) Republika e Shën Vlashit – Raguza (Dubrovniku i sotëm) për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ai rikujton figura dhe autoritete të shquara shqiptare që jetuan e vepruan në Dubrovnik në këtë kohë ose vite më vonë si vëllezërit Gazuli (Gjoni, Pali e Ndreu), pastaj Marin Biçikemin, disa nga pinjollët e Topiasve, Muzakajve etj. Një vëmendje të veçantë i kushton dhënies së titullit të “qytetarisë së nderit” Gj. K. Skënderbeut, por edhe djalit të tij Gjonit, si dhe ndihmës që Republika i ofroi Donikës (bashkëshortes së Skënderbeut) dhe djalit të saj Gjonit pas vdekjes së prijësit shqiptar etj. Shënimet janë të sakta dhe fitohet përshtypja se át Mate Zoriçiqi ka shfrytëzuar burimet arkivore raguzane të kohës.

Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos faqet e para dhe ato të fundit. Edhe në brendësi, në disa vende lexohet me vështirësi. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila ishte e cilësisë së dobët. I tërë dorëshkrimi është shkruar në të ashtuquajturën “bobinë letre”. Teksti lexohet lehtë. Ai është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e ikavicës, nga një dorë e vetme fillim e fund, pa ndërhyrje redakture, që lenë të kuptohet se ishte përgatitur për botim. 

Për studimin e tij Át Mate Zoriçiqi ka përdorur burime të shumta, veçanërisht literaturë të botuar, të kohës të cilën ai ka pasur mundësi ta shfrytëzonte duke qenë se jo vetëm udhëtonte shpesh në Venedik, Romë, Milano, Paris, Vjenë, Budapest etj, por edhe sepse një gjë të tillë ia mundësonte edhe qyteti i Shibenikut dhe qytetet e tjera përreth ku kishte biblioteka mjaft të pasura. Sipas informacioneve të tërthorta kemi arritur në përfundim se át Zoriçiqi ka shfrytëzuar edhe burime të dorës së parë, d.m.th. lëndën arkivore të Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), Venedikut dhe Romës.

Át Mate Zoriçiqi i shtjellon me kujdes të veçantë të dhënat burimore historike, ngjarjet, personalitetet e kohës, datat dhe informacionet e tjera, duke sjellë mjaft gjëra të reja jo vetëm për kohën kur u shkrua teksti, por edhe për ditët e sotme. Ai i qasej në mënyrë krejt të veçantë figurës së Gj. K. Skënderbeut. Pasi flet për dorëzimin e tij si peng në moshën tetë-vjeçare, përshkruan lidhjet e tij me të atin Gjon Kastriotin, ndërsa kur flet për Gjergj Kastriotin si intelektual át Mate Zoriçiqi në f. 14 të studimit të tij në dorëshkrim shkruan: “Skënderbeu lexonte dhe shkruante arabisht, turqisht, greqisht dhe kroatisht.” Fare qarte e ka shënuar “kroatisht” (Hervatski), që nënkupton se Skënderbeu ka shkruar edhe kroatisht, nëse me këtë át Zoriçiqi nuk ka menduar për sllavishten – çirilicën, sepse mesa duket ai ka pasur në dorë edhe dokumentet origjinale në shkruara në çirilicë nga kancelaria e Gj. K. Skënderbeut, dokumente këto që ruhen edhe sot e kësaj dite në Arkivin Historik të Dubrovnikut (si ilustrim ne po botojmë njërin nga këto dokumente). Në vijim të dorëshkrimin nuk gjejmë shënim tjetër për gjuhët e tjera që fliste ose shkruante Gj. K. Skënderbeu siç ishin gjuhët: shqip, latinisht e italisht.

Tërheq vëmendjen edhe pohimi i át Mate Zoriçiqit se e ëma e Gjergj Kastritotit, Vojsava, ishte nga një derë fisnike e njohur e fisit të shquar të Tribalëve shqiptarë të Pollogut (Maqedoni e sotme). Këtë pohim, át Zoriçiqi nuk e mbështet në ndonjë burim ose literaturë, por sidoqoftë për ne është mjaft interesant qëndrimi i tij. Po ashtu, ndoshta është ndër biografët e parë të Gj. K. Skënderbeut, që pohon se tre vëllezërit e Skënderbeut nuk i mbyti Sulltani, por ata vdiqën nga vdekje natyrale, pra as të helmuar dhe as në robëri, siç jemi mësuar të lexojmë në ditët e sotme. 

Dorëshkrimi është i përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori, në faqen e fundit, /f. 92/. Kjo datë, na bën të pohojmë, se ky është, njëri ndër krijimet më të vjetra, deri sot të njohura, të një autori kroat për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ky dorëshkrim, është edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun. 

Meqenëse as vepra e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit, nuk është shumë e njohur për studiuesin dhe lexuesin shqiptar, ngase ajo është përkthyer vetëm fragmentarisht, (siç do shohim më poshtë) po sjellim disa nga të dhënat kryesore edhe për të.

Është e njohur se vepra e botuar e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit i takon zhanrit të përmbledhjeve të studimeve, është e punuar nga këngë epike dhe shënime në formë kronikash. Lëndën për këtë vepër át Kaçiq-Mioshiqi filloi ta mblidhte aty nga viti 1730 nga burime të shkruara dhe ato tregimtare gojore popullore, me qëllimin kryesor që të ndihmonte vetëdijesimin etnik dhe politik popullit kroat. Për herë të parë vepra e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit “Razgovor ugodni naroda slovinskoga” [Biseda të këndshme të popullit sllav] është botuar në Venedik në vitin 1756 duke u pasuar nga një botim i dytë në vitin 1759, i plotësuar dhe i ripërpunuar. Botimi i dytë deri me sot është botuar më shumë se shtatëdhjetë herë në gjuhë të ndryshme të botës. 

Disa nga këngët e át Andrija Kaçiq-Mioshiqit janë botuar të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Për herë të parë këngën e parë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun “Skenderbegovi mejdani” [Dyluftimet e Skënderbeut] e ka për kthyer shqip át Pashk Bardhi duk e botuar në gazetën “Shqipëria” të Bukureshtit, në vitin 1897, nr. 18, f. 4. I njëjti përkthyes, boton këngën e parë dhe gjashtë këngë të tjera të përkthyera në shqip në revistën e Faik Konicës “Albania” në vitet 1899 – 1901 dhe pas Luftës së dytë Botërore poeti kosovar Esat Mekuli (Sat Nokshiqi) boton tre këngët e para të përkthyera shqip në revistën e Prishtinës “Jeta e re”, 1967, nr. 6, f. 1181-1196 dhe 1968, nr. 1, f. 21-24.

Nuk është rastësi që për Gjergj Kastriotin Skënderbeun shkruajnë dy françeskanë kroatë, mendimtarë dhe ideatorë të Rilindjes kroate ose të njohur në historiografi si “Hrvastki ilirizam” [Ilirizmi kroat], sepse jo vetëm këta të dy, por edhe kleri tjetër kroat, kishte një bashkëpunim shumë të ngushtë me klerikët shqiptar. Kjo gjë mund të dokumentohet që nga shekulli XIV e këndej, [kur në Dubrovnik, shërbenin 28 priftërinj vetëm nga Drishtiti (shek. XIV)], sepse përveç afërsisë territoriale ekzistonte edhe faktori tjetër ai shkollimit të përbashkëtë të klerikëve të rinj shqiptarë e kroatë dhe studimit të përbashkët tyre në kolegje të ndryshme në Itali, Romë e gjetiu.

Këto lidhje, duhet të shikohen edhe nga aspekti kohor-historik. Nëse kemi parasysh (sipas legjendës) se françeskanët për herë të parë në Shqipëri i gjejmë që në fillim të Urdhërit të tyre, përkatësisht që në kohën e vetë Shën Françeskut, i cili duke u kthyer nga Siria në vitin 1220, ndalet në Lezhë, dhe vë themelet e Urdhërit të tij në Shqipëri, te Kuvendi i Zojës Shën Mëri. Por, nëse nuk duam të bazohemi në legjendën e sipërpërmendur, po në burime dokumentare, atëherë mund të themi që françeskanët e filluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri të paktën në fillimin e vitit 1236. Këtë e vërteton bula e papës Gregori IX (1227-1241) e lëshuar më 22 maj 1236 (viti i dhjetë i pontifikatit të tij), në të cilën shkruhet se atje ka “disa rregulltarë të cilët tani vonë kanë shkuar në atë krahinë, me dëshirën e tyre”. Megjithatë, të gjithë studiuesit dhe historianët që merren me historinë e këtij Urdhëri janë të një qëndrimi se, së paku që nga viti 1240 Urdhëri i Françeskanëve ishte aktiv dhe vepronte në territoret shqiptare. Pra, siç vërehet lidhjet e françeskanëve shqiptarë dhe kroatë kanë ekzistuar që nga themelimi i këtij Urdhëri, për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Duke e konsideruar si heroin më popullor të popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës së krishterë në përgjithësi, pjesa më e madhe e rilindasve kroat, ndër të tjerë edhe: át Mate Zoriçiqi e át Andrija Kaçiq-Mioshiqi, do ta e lartësojnë figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumët gazetash, etj, sepse në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjërimit Osman në Ballkan si mënyrën të vetme të kundërvënjës së këtij pushtuesi, për një bashkim kombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar kroat, për të cilin ata luftuan me shekuj të tërë duke e pasqyruar atë në shumicën e veprave të tyre! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndrëgjegjësimit kombëtar të popullit kroat, posaçërisht në kohën e rilindjes kroate, sepse nga kjo kohë pos ribotimit të veprës së Marin Barletit “Histori e Skënderbeut” në latinisht në Zagreb më 1743, kemi edhe botime të shumta krijime origjinale të autorëve të tjerë kroatë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

NË DOBI TË KOMBIT DHE KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË

April 8, 2022 by s p

Imer Laçaj, kryetar i shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., në një rrëfim ekskluziv për gazetën Delli, Organ i Federatës Panshqitare të Amerikës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen veprimtarinë e shoqatës dhe objektivat për të ardhmen si shoqatë në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare. Nga bashkëpunimi me Federatën Vatra dhe shoqatat tjera në Amerikë deri te ruajtja e identitetit kombëtar, zhvillimi i shkollës shqipe, ndihmat në projektet e komunitetit shqiptar dhe mbajtja ngushtë e lidhjeve me Shqipërinë, Kosovën e trojet shqipfolëse.

GJUHA SHQIPE, KULTURA DHE IDENTITETI KOMBËTAR

Në vazhdimësi të veprimtarive në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë e kryesisht në New York, do ta kem primare në veprimtarinë time si kryetar dhe si shoqatë atdhetare ruajtjen e traditave dhe vlerave të popullit shqiptar, dhe veçanërisht  të gjuhës shqipe, identitetit kulturor dhe kombëtar, nëpërmjet organizimit të takimeve me karakter patriotik dhe kulturor në komunitetin shqiptar, festimin e ngjarjeve të shënuara të historisë së popullit e kombit tonë si: shpalljen e pavarësisë, etj. dhe promovimin e figurave të shquara të popullit tonë në shekuj. Respekti ndaj heronjve e martirëve të kombit tonë lartëson çdo shqiptar. Heronjtë dhe martirët tanë janë pika kryesore e historisë sonë të lavdishme dhe e identitetit tonë historik e kulturor autentik.       

SHQIPTARË TË BASHKUAR, SHQIPTARË MË TË FORTË

Është domosdoshmëri që shqiptarët të jenë të bashkuar, kudo ata veprojnë e punojnë. Nuk mund të jemi një zë i fuqishëm nëse forcat tona nuk bashkohen për qëllimin e përbashkët të angazhimit ndaj çështjes kombëtare dhe mirëqënies së komunitetit shqiptar në Amerikë. Si kryetar bashkë me shoqatën tonë do ta kemi objektiv parësor bashkëpunimin e ngushtë dhe të pandërprerë me të gjitha shoqatat që veprojnë në SHBA, dhe më gjërë, veçanërisht me VATRËN, për arritjen e misionit të shoqatës tonë si dhe forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane. Si shoqatë do të mbështesim përpjekjet e popullit heroik shqiptar të Kosovës për njohjen e pavarësisë, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, do ndihmojmë në demokratizimin e mëtejshëm dhe promovimin e Shqipërisë turistike dhe do të bashkëpunojmë me bisnesmenët shqiptarë dhe jo vetem, për rritjen e donacioneve që do të vihen në shërbim të misionit të shoqatës tonë e aktiviteteve në dobi të komunitetit e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ne duhet ti jemi përjetë mirënjohës popullit e kombit mik amerikan. Falë mbështetjes së Amerikës ne ekzistojmë si shtet e si komb. Pa mbështetjen amerikane shqiptarët nuk janë të sigurtë në Ballkan. Lavdi përjetë SHBA dhe ndihmës së pa kursyer tash e më shumë se një shekull për popullin shqiptar e për dy shtetet tona Kosovën e Shqipërinë. Këtë vit ne festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe duhet të jetë një festë mbarë kombëtare për të gjithë shqiptarët si shenjë mirënjohjeve dhe vlerësimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.                      

E ARDHMJA E SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE “SKENDERBEJ” INC

Një drejtues që nuk sheh nga e ardhmja është një një drejtues i dështuar. Me qëllim që shoqata jonë të forcohet dhe të kryejë misionin e saj, të gjithë bashkë do të punojmë fort që dhe gjithë energjitë tona do ti bashkojmë me qëllim që të punojmë me përkushtim për rritjen e aktiviteteve në komunitet, për pjesëmarrje masive në aktivitetet e komunitetit shqiptar, për rritje numrit të antarësisë, dhe veçanërisht të të rinjve, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si biseda të lirë, shëtitje me biçikletë, vizita në muzeume si dhe piknik në natyre dhe në parqet e ndryshme në NYC dhe më gjërë. Kryesia o shoqatës sonë atdhetare e përbërë nga patriotë dhe ekspertë të fushave të ndryshme si Lekë Preçi Nënkryetar, Alketa Veshi Ktona Sekretare, Adrian Tahiri Financier, Arta Xhaferri, Bujar Sadikaj dhe Qerim Gjocaj anëtarë, kam bindjen se do të jenë një mbështetje e fortë dhe përfaqësues dinjitozë të shoqatës dhe komunitetit shqiptar në New York. Do të përkrahim dhe mbështesim mësimin e gjuhës shqipe dhe do të bashkëpunojmë veçanërisht me shkollën shqipe AlbaLife, duke motivuar jo vetëm fëmijët e anëtarëve të shoqatës, por edhe të komunitetit shqiptar për mësimin e gjuhës mëmë. Ne do të jemi aktivë në çdo organizim dhe mbështetje për talentet shqiptare në New York e më gjërë me qëllim që bijtë e bijat tona të krenojnë jo vetëm veten e tyre me arritjet e tyre por edhe komunitetit e kombin tonë.

MIRËNJOHJE TË VEÇANTË PËR PATRIOTIN MARK QEHAJA E BASHKIM SHEHU

Patrioti Mark Qehaja dhe Bashkim Shehu për punën e bërë dhe kontributin e dhënë meritojnë respekt të veçantë jo vetëm nga si shoqatë: kryetari, kryesia e deri te anëtari më i ri por edhe nga komuniteti për punën e jashtëzakonshme që këta drejtues kanë bërë nën udhëheqjen e tyre në krye të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. Pa lidershipin e tyre, pa forcën dhe energjitë e tyre të jashtëzakonshme ne nuk do kishim arritur të shkëlqenim dhe të mbesim në memorien e komunitetit për aktivitetet e arritura dhe sukseset e shënuara. Për vitin 2021 aktivitetet kanë qenë të kombinuara. Ato të karakterit patriotik me aktivitete argëtuese, sportive e kulturore. Megjithëse Pandemia e Covid-19, ka përfshirë gjithe globin edhe gjatë vitit 2021, nuk e ka penguar shoqatën tonë të zhvillojmë aktivitete të ndryshme në shërbim të anëtarëve dhe komunitetit në përgjithësi si: Është përkujtuar, on line 13 vjetori i pavarësisë së Kosovës me 21 shkurt 2021,  me të ftuar nga diaspora dhe aktivistë të diasporës, duke mbajtur disa kumtesa, mbi luftën heroike të popullit të Kosovës kundër agresorëve serbe, më 29 Gusht 2021, kemi organizuar me klubin e çiklistëve të shoqatës, marrjen pjesë në maratonën e lëvizjes me biçikletë në 5 lagjet e NYC (Bike marathon) 40 mile (60Km), më 20 Nëntor 2021 kemi organizuar me madhështi festimin e ditëlindjes së Heroit Legjendar të Kosoves, Adem Jashari, me pjesëmarrjen e shumë aktivistëve patriotike e politikë në diasporë dhe më gjërë, kemi marrë pjesë në festimin madhështor të 109 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra, me 28 Nëntor 2021 e shumë aktivitete të tjera të cilat i dhanë kuptim veprimtarive tona në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar.   

KUSH ËSHTË IMER LAÇAJ?

Ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake Skënderbej në vitin 1978 dhe akademinë e lartë  ushtarake në Tiranë, dhe është diplomuar në vitin 1983, në specialitetin  e artileri  tokësore. Nga viti 1983 deri në vitin 1992 ka punuar në divisionin e Shkodrës me detyra të ndryshme, nga komandant baterie, komandant grupi artilerie, asistent shef zbulimi artileri brigade, dhe në vitin 1992 është transferuar në Divizionin e 5- të, në Tiranë. Ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1995, përqendruar në lagjen Staten Island, të New York City, si resident i rregullt dhe ka fituar nënshtetësinë amerikane në vitin 2000. Ka vazhduar studimet e larta në universitetin e qytetit të NY në Staten Island. Në vitin 2005, është graduar me Associate degree në Acounting dhe në vitin 2006 graduar me bachelor’s degree në Economiks dhe financë. Tani punon në administratën e një spitali në Staten Island dhe përkatësisht në departamentin e rakordimit dhe të manaxhimit të informacionit të pacientëve. Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar në New York City, deri ne Washington DC, është pjestar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. që nga krijimi i saj në vitin 2017, prej më shumë se 4 vitesh dhe zgjedhur si anëtar i kryesisë, që në krijimin e saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: bahskim shehu, Imer Lacaj, Mark Qehaja, Sokol Paja

PËRJETËSOHET EMRI I FAN NOLIT NË AMERIKË

April 7, 2022 by s p

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461, do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461.  Në njoftimin për këtë ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”.  Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan, historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në njoftimin e tij. 

Ceremonia e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa dyzina organizatash shqiptaro-amerikano — duhej të ishte zhvilluar fillim muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.  Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet, Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona.  Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij.  Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve tona.

Ia vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.  Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.  

Arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet — besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.

See the source image
Text, letter

Description automatically generated

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave.  Ndërsa si anëtar i komunitetit shqiptar në  Shtetet e Bashkuara ai ka shërbyer si zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të shqiptarëve kudo ndërkohë që vet emri i tij reflekton edhe sot promovuesin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së këtyre marrëdhënieve. 

Të shtunën me 9 prill, komuniteti shqiptaro-amerikan në Bronks të Nju Jorkut, me emrimin e një rruge në nder të tij, do të kujtojë njërin prej shqiptarëve më të njohur të këtij komuniteti, por edhe një burrështetas të dalluar dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare në të kaluarën, në vazhdimësi nderon edhe sot Kombin shqiptar në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në veçanti.  Kjo është edhe arsyeja që Z. Mark Gjonaj ka punuar aq gjatë dhe me aq vendosmëri për të nderuar këtë burrë të madh të Kombit shqiptar me emrimin e një rruge në Nju Jork, në emër të këtij shqiptaro-amerikani të njohur të botës shqiptare. “Të një burri me të cilin do krenohej çdo vend”, do shkruante gazeta britanike, ‘Manchester Guardian në vitin 1924.  Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, kishin vendosur Bostonin si kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare të trojeve shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i kishin shpresat për të ardhmen e kombit të vet – në Amerikën e Washingtonit, Xhefersonit dhe Wilsonit, vendit të lirisë dhe të demokracisë. 

Rruga me emrin e Fan Nolit në Nju Jork do ua kujtojë këtë fakt brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikën tonë të dashur por edhe shqiptarëve kudo, e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork.  Fan Noli citohet të ketë thënë se Shqipëria dhe shqiptarët i kanë shumë borxhe Amerikës. Në kuadër të këtij 100-vjetori të marrëdhënieve midis dy vendeve tona mike – të dyja të dashura shumë për të gjithë ne — komuniteti shqiptaro-amerikan, falë përpjekjeve të aktivistit të dalluar të komunitetit tonë Mark Gjonaj – po i këthen një borxh sado të vogël Fan Nolit për punën e tij si promovues i këtyre marrëdhënieve dhe i veprimtarisë së tij kombëtare dhe fetare, në përgjithësi gjatë shekullit të kaluar, këtu në Shtete e Bashkuara.

Frank Shkreli

When Fan S. Noli met U.S President Wilson on the 4th of July, 1918

Fan Noli me udhëheqës të tjerë botërorë, të ftuar nga Presidenti Woodrow Wilson, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik, 1918.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT