• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A PO E HUMBET PERFUNDIMISHT LUFTEN PUTINI? A PO E FITON LUFTEN UKRAINA?

March 23, 2022 by s p

Nderkohe qe lufta ne Ukraine ka kater jave qe po vazhdon me intensitet te pamenduar, çdo dite e me shume e gjithe bota po perjeton shkaterrimin e dhjetra njesive tankiste, te motorrizuara, mekanizuara, mjeteve te mbeshtetjes ajrore, helikoptereve te sulmit, mjeteve te mbeshtetjes logjistike, mjeteve te mbrojtjes kunderajrore, artilerise se rende dhe per me teper me shume se 10.000 ushtare te vrare dhe 20.000 te plagosur te ushtrise ruse. Pergjate gjithe kesaj kohe, ushtria ruse nuk ka realizuar asnje nga objektivat e saj strategjike qe te marre nen kontroll kryeqytetin Kiev, por as objektivat shume te rendesishme ne qytetet bregdetare Mariupol dhe ne Odesa, madje ne disa raste kunder ofensiva e ushtrise ukrainase ka arritur qe te rimarre territoret e pushtuara nga ruset. Njesite ruse po goditen pa meshire nga ushtria pa “eksperience” e Ukraines, duke mos shfaqur asnje taktike te qarte, komandim-kontroll, e paorganizuar, e pastervitur, e paushqyer, e pa mbeshtetur dhe pa moral per te vazhduar luften. Pamjet e dezertimeve te ushtareve ruse tregojne tashme se Putini eshte drejt deshtimit te plote. Ne gjykimin tim kete e pasqyron me se miri intensifikimi i perdorimit te armeve te fuqishme raketore, si raketa hipersonike “Kinzhal, e perdorur se fundi kunder depove te furnizimit ne Ivano Frankvsk. Kjo rakete bashke me raketen “Avangard” konsiderohen si krenaria e armeve strategjike Ruse. Duhet theksuar se perdorimi i kesaj rakete moderne, e cila ka shpejtesine 13 here me shpejte se shpejtesia e zerit, e afte ti shmanget sistemeve te mbrojtjes kunderajrore ose raketore, me fuqi goditese tre here me shume se raketa amerikane “Tomahawk”, e afte te perdore edhe koke nukleare, eshte shenja e qarte e deshperimit te Putin per humbjen e pashmangshme te kesaj lufte te padrejte. Ne gjykimin tim, ai po kerkon ti dergoje nje mesazh te rendesishem NATOs dhe SHBA-ve, duke e ndryshuar strategjine e tij, duke e bere ate edhe me vdekjeprurese per popullin e Ukraines. Strategjia ushtarake e Putinit ne fillim te luftes, ishte nxjerrja jashte funksionit dhe shkaterrimi i sistemeve kunderajrore dhe avioneve te Ukraines, me qellim kontrollin e plote te hapesires ajrore. Por kjo ndryshoi krejtesisht ne momentin kur perendimi dergoi rreth 20.000 raketa moderne kunderajrore dhe kundertanke, duke e detyruar Putinin tashme te urdheroje perdorimin e armeve shkaterruese si raketat hipersonike dhe termobarike TOS-1 dhe TOS-1A, te cilat jane duke u perdorur ne shkelje te ligjeve nderkombetare te luftes duke shkaktuar vdekjen e shume civileve, objekteve civile madje edhe duke kryer genocid kunder popullsise civile. Raketa “Kinzhal” per lexuesit eshte nje rakete hipersonike, e cila eshte ndertuar per te nxjerre jashte luftimit nje grup luftarak anijesh ose objektivash ushtarake dhe jo per lufte kunder qendrave te banuara. Atehere natyrshem lind pyetja: Pse Putin po perdor arme kaq te rrezikshme, shkaterrimtare dhe vdekjeprurese? A eshte kjo nje strategji qe ai po e ben vetem kunder rezistences se Ukraines, apo po kerkon te dergoje nje mesazh edhe per vendet e tjera si Polonia, Rumania, Moldova, Suedia, Finlanda, Norvegjia, etj qe ata te qendrojne jashte mbeshtetjes se rezistences se Ukraines? Nderkohe, gjykoj se ne javet ne vazhdim ky konflikt po futet ne nje faze edhe me te rrezikshme, nderkohe qe strateget ruse po e keshillojne qe te vazhdoje nje fushate edhe me intensive bombardimi, duke perdorur arme edhe me te fuqishme strategjike, hipersonike, termobarike madje kane shkuar deri ne çmenduri, duke kerkuar edhe marrjen ne konsiderate te perdorimit te armeve nukleare taktike (per te cilat une besoj se behen ne kuader te luftes psikologjike dhe jo per perdorim real).Ne gjykimin tim perdorimi nga ana e Putinit te ketyre armeve, behet me te vetmin qellim qe presidenti Zelenski te pranoje nje mareveshje ne termat me te favorshem per Putinin, duke e detyruar te pranoje sa me shpejt kushtet e tij, ne menyre qe ai te ruajte fytyren perpara popullit rus dhe aleateve te tij.Por ne te te njejten kohe, ai po kerkon qe te dergoj nje mesazh gangsteresh te forte:”Mos u kruani më me mua”. Se fundi, mendoj se eshte e pashmangshme qe ne rast se ky konflikt vazhdon edhe 3-4 jave per te cilin une dyshoj, ushtria ruse do te kete humbur perveç fytyres perpara botes, mitin e pathyeshem te ushtrise Ruse, dy dekada modernizimi te ushtrise, por me e rendesishme gjysmen e makinerise se luftes dhe te ushtareve te tij, te cilen do ti duhet shume kohe dhe para ti zevendesoje. Dritan Demiraj, Ph.D. Ish komandant i Forcave Speciale.

Filed Under: Opinion

SHQIPËRIA TË DISTANCOHET NGA KLYSHËT E RUSISË

March 22, 2022 by s p

Të hiqet dorë nga “Ballkani i Hapur”

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Në një deklaratë të ditëve të fundit, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shprehet se Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur. Absolutisht e vërtetë dhe jam dakort plotësisht me thirrjen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.  Në deklaratën e KASH theksohet nevoja, që “Në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s të 24 marsit, Amerika e Veriut dhe Evropa kanë një shans historik për të treguar vendosmërinë dhe guximin e tyre të palëkundur për të mbështetur vlerat dhe parimet e përbashkëta që qëndrojnë në themelet e aleancës së vendeve të lira dhe demokratike”. Ukraina ka nevojë për mbështetje të palëkundur. (albanianambassadors.al)

Ç’prej fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën, Shqipëria, në përputhje me qendrimet e vendeve të tjera të NATO-s si edhe nepërmjet  deklaratave të përfaqësuesit të saj dinjitoz në OKB — Ambasadorit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha – Shqipëria, publikisht, ka bërë dhe ka thënë gjërat që duhen, në bashkpunim me aleatët perëndimorë, për të ndaluar barbarizmat e Rusisë putiniste në Ukrainë.  Ashtu si Perendimi, edhe Shqipëria gjëndet përball një momenti, në mos historik, atëherë të rëndësishëm për të hequr dorë njëherë e mirë nga flirtimet e rrezikshme me Serbinë putiniste, për nisma siç janë “Ballkani i hapur” dhe “minishengeni ballkanik”.

Shqipëria duhet të hedhë një hap jetik, në këtë mes, si nismëtare – së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut – e të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”.  Ky projekt, ashtu si ai para tij, “minishengeni ballkanik”, më është dukur gjithmonë si një projekt – i pamenduar dhe i pa studiuar  mirë — kundër interesave kombëtare  të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfshir Kosovën. Definitivisht, e kam pa si një vegël në interes të Serbisë dhe nepërmjet saj në interes të përhapjes së influencës së Rusisë putiniste në Ballkanin Perëndimor.  Prandaj, sidomos duke pasur parsyshë gjëndjen në Ukrainë dhe qendrimin serb ndaj okupimit të atij vendi nga Rusia, si një detyrim moral dhe kombëtar, Tirana zyrtare — publikisht dhe diplomatikisht — duhet të tërhiqet menjëherë nga projekti “ballkani perëndimor”, ashtuqë  të hiqet dorë prej saj si një ide dhe si praktikë dhe kembë e krye të hidhet në shportën eskperimentale të plehrave të historisë ballkanike që, historikisht, i kanë kushtuar shumë interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Madje, Shqipëria duhet të shkojë një hap më tej dhe t’i bejë thirrje, drejt për drejt, Serbisë, që të bashkohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – në përputhje me BE-në dhe NATO-n – ndër të tjera, duke vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste për barabarizmat që po kryen ndaj popullësisë civile të pafajshme në Ukrainë. 

Në të vërtetë, duke mos u tërhequr nga nisma serbo-ruse, “ballkani i hapur” dhe duke mos i kërkuar Serbisë – i vetmi vend evropian së bashku me Bjellorusinë që refuzon sanksionet– që të distancohet nga Rusia –Tirana zyrtare nuk është në përputhje as me thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian drejtuar Serbisë që të bashkohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, si një ndëshkim për invadimin e një shteti sovran e demokratik evropian nga Moska. Bile, është bërë thirrje për ndëshkimin e Serbisë në lidhje me këtë çeshtje ndërsa disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që të ndalohen, përkohësisht, bisedimet me Serbinë si dhe të ndërpriten ndihmat financiare për aleatin e ngushtë të Rusisë në Ballkan, Serbinë, për derisa ai vend nuk ndjek dhe nuk zbaton qëndrimet e BE-së në lidhje me Rusinë.

Serbia i ka hedhur poshtë thirrjet e perëndimorëve për t’iu bashkuar sanksisoneve kundër Rusisë, me justifikimin, sipas Presidentit serb, Vuçiq, se vendimi i Serbisë kundër sanksioneve ishte i drejtë, “për arsye se Rusia mbështet përpjekjet e Serbisë kundër Kosovës dhe pretendimet (e Boegradit) mbi Kosovën”.  Deklarata e Vuçiqit është e qartë.  Qendrimet dhe lidhjet e Serbisë me Rusinë kanë qenë, historikisht, dhe janë aktualisht, qartësisht dhe vendosmërisht, antishqitare. Unë nuk e kuptoj se kush shqiptar mund të presi ndonjë të mirë nga Beogradi për interesat shqiptare!  Unë nuk e dij se çfarë arsyeje tjetër kërkon Tirana zyrtare, që nuk largohet menjëherë nga nisma “ballkani i hapur”, me Serbinë.  Deklarata të tilla si kjo e Vuçiqit, duhej ta kishin distancuar me kohë Shqipërinë nga Serbia dhe jo ta afronin më ngusht duke lenë jashtë gjysmën e Kombin.

Në një kohë kur nuk ishte në “modë” — ka nja 10-15 vjetë — që me modesti kam paralajmëruar mbi influencat e huaja, (ruse, kineze dhe turke) në Ballkanin Perëndimor e sidomos në trojet shqiptare.  Madje edhe më kanë kritikuar se, “ora jote ka ngelur në luftën e ftohtë”. 

Sidoqoftë, sot çdo gjë është e qartë. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë të tjerëve. Nuk është diçka sekrete tani se Rusia putiniste me agresionin e saj kundër Ukrainës e ka ndërmend të shkojë përtej kësaj zone gjeografike, përfshur Ballkanin, (politika ‘near abroad’ e Rusisë që u referohet ish-shteteve anëtare të Bashkimit Sovjetik) me “diplomacinë e saj mashtruese”, siç është shprehur kohët e fundit edhe ish-Ministri i Jashtëm i Rusisë, Andrey Kozyrev, për të përhapur influencën e saj – politike, ekonomike dhe ushtarake — përfshir Ballkanin Perëndimor. 

Shqipëria sot, nëqoftse dëshiron të jetë e besueshme, serioze dhe e vendosur për ato që thotë në entet ndërkombëtare, përfshir Kombet e Bashkuara, në lidhje me agresionin rus në Ukrainë, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet pa vonesë nga “ballkani i hapur”, por edhe duke i bërë thirrje Serbisë tu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Vetëm një hap i tillë i bën deklaratat e Shqipërisë, në mbështetje të Ukrainës, të jenë në përputhje me vlerat e shteteve aleate perëndimore. 

Të parët tanë na kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: Kujdes klyshët e Rusisë! Ka ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor dhe të distancohet, njëherë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm.  Distancohuni nga klyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë bolsheviko-liberale!? Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” po fle me djallin. Distancohuni nga e keqja!

Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

A KEMI MBËRRITUR NË FUNDIN E PANDEMISË?

March 21, 2022 by s p

Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Në muajin e fundit apo dhe pak më shumë, pyetja më e zakonshme mbi Covid-19, të paktën që më është drejtuar mua, ka qenë, a ka mbaruar më e keqja e pandemisë dhe nëse jo, si do ta dimë se kur është fundi i saj? Në kërkim të qartësisë, shumë ekspertë të shëndetit publik, virologjisë, ekologjisë së sëmundjeve infektive, kanë shprehur optimizëm të matur, por edhe një shkallë pasigurie. Kur bëhet fjalë për këtë pandemi, pasiguria duket se është po aq mbizotëruese sa Covid-19 që nga fillimi i tij. Teksa shënojmë dy vite nga fillimi i kësaj fatkeqësie globale, situata e pandemisë është lehtësuar ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe shumë vende të tjera. Megjithatë, pjesa më e madhe e botës mbetet e pavaksinuar dhe shumë e cenueshme. Dhe paparashikueshmëria e evolucionit viral dhe sjelljes njerëzore do të thotë që ne mund të kemi nevojë për një dozë të shëndetshme përulësie ndërsa shkojmë në të ardhmen. Ditë më të ndritshme ka të ngjarë përpara, por të panjohurat vazhdojnë të mjegullojnë një pamje të qartë të së ardhmes.

PRA, ÇFARË ËSHTË KY “STEALTH” OMICRON

“Stealth” Omicron, i njohur gjithashtu si varianti Omicron BA.2 u zbulua për herë të parë në Evropë në fund të janarit dhe që atëherë ka bërë rrugën e tij nëpër botë, duke u bërë lloji kryesor pas infeksioneve të reja të koronavirusit në të paktën 18 vende. Ky variant i ri, po bën rrugën e tij në të gjithë SHBA-në dhe po përhapet më shpejt në shtetet e saj Verilindore dhe Perëndimore. Varianti BA.2 duket se është në rrugën e tij për t’u bërë lloji dominues i Covid-it, duke u dyfishuar afërsisht çdo javë për muajin e fundit, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA (CDC). BA.2 konsiderohet si një “nën linjë” e variantit Omikron shumë të transmetueshëm. Është një version i ndryshëm i Omicron nga BA.1, i cili ishte përgjegjës për rritjen e fundit në fillim të vitit. Ai ka një sekuencë gjenetike të ndryshme nga BA.1 dhe është quajtur “varianti i fshehtë” sepse nuk ishte aq i lehtë për t’u zbuluar. Ajo që nuk dihet ende është nëse BA.2 shkakton sëmundje të rënda siç bëri omicron BA.1, gjë që shkaktoi një rritje të shpejtë të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve për një muaj përpara se të binte po aq shpejt. Ndërsa omicron BA.1 u konsiderua më i butë sesa lloji origjinal i Covid dhe varianti Delta, ai çoi në një rritje të vdekjeve nga Covid në SHBA: 60,000 në janar 2022, dyfishi i numrit të vdekjeve në nëntor 2021.

A ËSHTË FILLIMI I NJË RRITJEJE TË RE?

Rastet e Covid-19 ende po bien në mënyrë drastike në SHBA edhe pse BA.2 po përbën një pjesë më të madhe të atyre rasteve në pakësim që më 18 mars, BA.2 përbënte 27 për qind të rasteve. Me ‘çlirimin’ dhe heqjen e shumë masave mbrojtëse në SHBA, BA.2 mund të jetë në gjendje të gjejë një platformë për t’u përhapur më lehtë nga personi në person. Por ka disa arsye për të dyshuar se do të sjellë një rritje të madhe të re të rasteve dhe shtrimeve në spital, siç bënë “kushërinjtë” e tij të mëparshëm. Optimizmi buron nga një sërë faktorësh, mes tyre kryesori imuniteti i përhapur në SHBA, qoftë i fituar nëpërmjet vaksinimit apo infeksionit. I fundit, një infeksion veçanërisht shumë ngjitës Omicron ‘imunizoi’ shumë miliona njerëz. Këta faktorë i japin shumicës së ekspertëve të shëndetit publik besimin se për SHBA-në dhe pjesën më të madhe të Evropës, valët më shkatërruese të Covid-19 janë në të kaluarën. Përveç imunitetit, ekzistojnë trajtime të reja, efektive për Covid-19, si antitrupat monoklonalë dhe ilaçet antivirale – të cilat mund të ndihmojnë njerëzit e infektuar të shmangin shtrimet në spital dhe vdekjen. Gjithashtu, disponueshmëria më e gjerë e maskave dhe filtrave të ajrit me cilësi të lartë – dhe një kuptim më i mirë i ventilimit, distancimit social dhe strategjive të tjera zbutëse na vendos në një pozicion më të mirë për të reduktuar transmetimin sesa ishim më herët në pandemi. Edhe pse imuniteti pakësohet me kalimin e kohës, mbrojtja kundër sëmundjes më të rëndë dhe vdekjes do të mbetet për një kohë mjaft të gjatë. Pra, edhe pse njerëzit mund të vazhdojnë të infektohen me SARS-CoV-2, por rezultatet më të këqija ka shumë të ngjarë të jenë prapa nesh. Sidoqoftë, Covid-19 na ka luajtur më parë. Siç kemi qenë dëshmitarë gjatë dy viteve të fundit, mendimet e dëshiruara janë dëshmuar herë pas here naive. Shpresat fillestare se vaksinat do të ishin një biletë drejt lirisë u shkatërruan nga dobësimi i imunitetit dhe shfaqja e varianteve më ngjitëse. Sa më tej do të evoluojë virusi nga këtu është e pamundur të parashikohet.

A KA MBARUAR MË E KEQJA E PANDEMISË?

Përgjigja ime për këtë pyetje: ka shumë të ngjarë që për shumë njerëz, e keqja ka mbaruar, por për shumë tjerë mund të jetë ende një kërcënim real. Edhe kur kulmi i krizës pandemike zbehet në pasqyrën e pasme për disa, të tjerët përgjithësisht ata tashmë të margjinalizuar nga aksesi i dobët në kujdesin shëndetësor dhe dobësitë e tjera do të vazhdojnë të jetojnë me efektet e tij më të këqija. Duke qenë se pandemia ka mbaruar kryesisht për dikë, mund të mos nënkuptojë se ka mbaruar për dikë tjetër. Deklarimi se më e keqja ka mbaruar i lejon njerëzit të shpërfillin ata që janë ende në rrezik të madh. Kjo përfshin njerëzit me imunitet të kompromentuar dhe ata që jetojnë në pjesë të botës me akses të kufizuar të vaksinave. Në nivel global, ka miliona e miliona njerëz që nuk kanë ende akses në një vaksinë – dhe për ta më e keqja mund të vijë ende. Për më tepër, ka shumë të panjohura që lidhen me numrin afatgjatë që simptomat e “Covidit te gjatë ” mund të vazhdojnë të kenë tek njerëzit. Ekziston një grup i madh njerëzish që mund të vuajnë ndikimet afatgjata të Covid. Për ta, më e keqja mund të mos ketë mbaruar ende. Pikëpamja globale është veçanërisht e kthjellët. Rajonet e botës që nuk kanë pasur nivele të larta të infeksioneve dhe vaksinimeve dhe nëse kufizimet e ashpra të vazhdueshme nuk vonojnë rritjet e transmetimeve, rritjet e tyre më të dëmshme mund të jenë ende në vazhdim.

Virusi SARS-CoV-2 ka të ngjarë të shkaktojë sëmundje njerëzore në të ardhmen, dhe në këtë kuptim, ai mund të bëjë akoma më shumë dëme sesa ka bërë tashmë. Por për shkak se këto efekte do të shpërndahen për një periudhë më të gjatë, ne mund të mos i përceptojmë ato si të rënda sa valët e shtrimit në spital dhe vdekjes që kemi përjetuar gjatë këtyre dy viteve të fundit. Ne mund të jetojmë me të për një kohë shumë, shumë të gjatë – kështu që në këtë kuptim, më e keqja nuk është prapa nesh. Kur do ta shpallim fundin e saj? Ne mund të mos e njohim as fundin e pandemisë ndërsa e kalojmë atë. Në vend të kësaj, mund të kërkojë një distancë historike përpara se të shikojmë prapa dhe të gjejmë një pikë që mund të ketë qenë fundi i kësaj pandemie. Sigurisht, nuk do të ketë një datë të caktuar kur të zgjohemi dhe të themi se pandemia ka mbaruar. Si çdo gjë tjetër me Covid-19, edhe data e përfundimit të pandemisë, ka të ngjarë të jetë objekt i debatit të nxehtë social dhe politik.

Filed Under: Opinion

Vatra u takua me Kongresistin Lee Zeldin

March 20, 2022 by s p

Dielli/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u prit në një takim të ngrohtë nga Kongresisti Republikan, Lee Zeldin, i cili po kandidon për guvernator i Nju Jorkut (New York). Ai e vlerëson shumë kombin shqiptar dhe komunitetin shqiptar në Amerikë ndaj sot kishte rezervuar një pritje shumë miqësore për vatranët të cilët të udhëhequr nga kryetari z. Elmi Berisha i parashtruan disa kërkesa për lobim të çështjes kombëtare. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur, mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe lobim i fuqishëm në institucionet amerikane të çështjes kombëtare, ishin katër kërkesat që vatranët i kërkuan Kongresistit Republikan, Lee Zeldin. Ky i fundit u ofroi mbështetjen e plotë dhe garantoi vatranët se do jetë zëri i shqiptarëve në çdo kohë. Kongresisti nga Long Island, New York është i njohur për shqiptarët sidomos për mbështetjen e kauzës së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë nga serbët pas mbarimit të luftës në Kosovë e në disa raste ka mbajtur qëndrime të forta publike në favor të shqiptarëve. Në takimin e organizuar nga vatrani Paulin Mrnaçaj ishte i pranishëm edhe z.Mehill Velaj Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane e shumë personalitete të diasporës shqiptare në New York e më gjërë.

Filed Under: Opinion

NJË AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË SI DIPLOMATI MAL BERISHA

March 19, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*/

Libri që promovojmë sot në Vatër”Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha mendoj se i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati, ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer kurrë mbrapsht.

Libri është voluminoz me më shumë se 500 faqe, i organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu parë tek gjashti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale, ku shfaqet diplomati dhe njeriu.

Ai që rrëfen, pra ambasadori, është jo vetëm diplomati, por mbi të gjitha njeriu, që ashtu si lexuesi ka shpirt që ndjen; shpirt që dhemb, dhe jo vetëm si prind për djemtë e tij, kur ndodhen të vetmuar para oqeanit të frikshëm të jetës, të mërguar në moshë fare të re, duke jetuar e u shkolluar larg prindërve, por edhe kur shkon nga kjo jetë i biri i një miku, siç është rasti i Atjonit të Visar dhe Eda Zhitit-ai vajton; apo kur humb jetën një pacient që kurohet në Stamboll, qoftë ai dhe i panjohur…Rrëfen një shpirt që ndjen edhe kur bën një punë të mirë për kombin, edhe kur zgjidh një çështje të komplikuar diplomatike, edhe kur merr një porosi urgjente, që të jep tension siç ishte rasti i marrjes së vizës për Presidentin Berisha në Konsullatën e Indisë në Stamboll, ndërkohë që pasaporta duhej marrë nga Tirana e duhej kthyer po në Tiranë me të njëjtin avion, kur kalkulimet kohore janë të limituara, krahas kohës së fluturimit vajtje-ardhje të avionit, i lejojnë vetëm një orë brenda dy fluturimeve;- të udhëtimit të pasaportës Tiranë-Stamboll-kthim, dhe nisjes së presidentit Berisha drejt Kalkutës, ku do të merrte pjesë në ceremonite mortore, homazheve,varrimin, meshen për Nënë Terezën.Ndërsa ndjek dinamikën e veprimeve, nuk i shpëton ankthimit të rrëfimit.

  Në libër ndesh dhe probleme madhore, çaste kritike për shtetin shqiptar, siç është rasti i vitit ’97, kur fqinji ynë Jugor kërcënon integritetin e kufijëve të Shqipërisë,-ky pretendues dhe lakmues i hershëm i  trojeve jugore të Shqipërisë tenton ta shfrytëzojë situatën e krijuar në vitin e mbrapshtë, tenton të fusë trupat ushtarake dhe ta bënte fakt të kryer marrjen e “Vorio Epirit”. Shqipëria ndihet e kërcënuar- Zbritja me helikopter e zevendësministrit të Punëve të Jashtme, Kranis Idiotis në Kalanë e Gjirokastrës, prej nga iu bëri thirrje të ashtuquajturve ‘Grupeve të Shpëtimit Kombëtar’, që të mblidheshin dhe ta përmbysnin pushtetin e ligjshëm shqiptar dhe të vendosnin administratën greke në vend të tij-ishte një ngjarje e paprecedent, që e shqetësojë shumë diplomacinë e re shqiptare të shtetit demokratik. Dhe Konsulli Mal Berisha, që fati i dha mundësinë të ishte në vendin e duhur në kohën e duhur, ishte një nga tre diplomatët që vunë në lëvizje shtetin turk për të ndaluar të keqen.

      Përmes librit lexuesi mëson se çfarë u luajt pas perdes, si dolën 12 pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë. Së bashku me mikun e tij Enver Tali, konsullin e Kosovës, një mik dhe personazh i dashur për ambasador Mal Berishën, si dhe me Ambasadorin Shqiptar në Ankara, Skënder Shkupi, arritën të takonin numrin 2 të partisë qeverisëse, krahu i djathtë i zv/kryeministres dhe Ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë e Erbakanit,-Tansu Çiller. Ai i dëgjoi me vëmendje diplomatët shqiptarë, dhe pas kësaj bisede,lindi deklarata që përmbante 12 Pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke, që e shpëtuan Jugun e Shqipërisë. 

    Pas bisedës Konsullit Mal Berisha iu dorëzua Letra e shtabit të Ushtrisë Turke, që u përkthye aty për aty dhe u dërgua në Tiranë dhe media ia përcolli atë publikut të gjerë.

Edhe shtypi turk menjëherë përcolli lajmin. Citoj:“Tre diplomatë shqiptarë të akredituar në Turqi patën një takim shumë të rëndësishëm me personalitete të larta turke.Ata i paraqitën palës turke shqetësimin e madh për rrezikun që i kanosej vendit të tyre. Disa orë më vonë, diplomatët u njohën me një dokument prej 12 pikash nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke lidhur me aksionin, që do të ndërmerrej në Lindje të Greqisë në rast të një agresioni të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë. Kjo bëri që planet greke të mbeteshin vetëm në lojën e fjalëve të qeveritarëve dhe në mendjet e sëmura të organizatave Vorio – Epiriote”. 

Po ashtu diplomacia shqiptare në Turqi ishte shtysë për takimi e 18 shoqatave shqiptaro – turke me Presidentin Turk Süleyman Demirel.

Cilat ishin pasojat pozitive?

-Më datën 29 Mars 1997, pas një takimi urgjent me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneralin Ismail Haki Karadaĝi, zv/ kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Turqisë,Tansu Çiller, deklaroi përsëri para shtypit dhe medias turke: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, ndaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”. -(Marrë nga e përditshmja turke “Turkish Daily News”, 30 Mars 1997). 

Shërbimi dhe veprimtarite diplomatike në Konsullatën e Stambollit zënë 133 faqe të këtij libri, dhe përpos këtyre që përshkrova, në mendje të mbeten rrëfimet për Enver Tali- Marathonomaku i Lirisë, -Përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, që në  Dhjetor 1995, I ndihmuar edhe nga diplomacia jonë në Turqi, hapi përfaqësinë Republikës së Kosovës në Stamboll.Libri na njeh me veprimtaritë e shumta që u kryen përmes këtij institucioni gjysëm legal.

Me interes lexohen rrëfimet-SA FÉ USHTROJNË SHQIPTARËT? -Takimi i Feve Monoteiste në Stamboll-(Vjeshtë 1993)-Si u kapërcye tendenca për t’i përçarë shqiptarët, duke e përcaktuar bektashizmin si fe të katërt, por diplomacia shqiptare në mirëkuptim me krerët fetar, arriti që ta shmangë “kurthin, që i kishin ngritur Shqipërisë, e cila e ka vlerë të trashëguar harmoninë fetare.

 Me kurreshtje lexohet edhe vizita e Presidentit Sali Berisha në Turqi dhe organizimi i takimit të pa parashikuar me Presidentin Izraelit Ezer Weisman- siç lexohen dy vizitat në Turqi te ish kongresistit republikan amerikan në vitet 1994 dhe 1995, President të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi, takimet me Yasemin Dobra Manço, mike e Shqipërisë,Parandalimi i Bosnjës në Kosovë etj.

   Me interes janë përpjekjet e Konsullit Mal Berisha në kërkim të gjurmëve të Nolit në vendlindjen e tij, Ibrik Tepe-Trakë, së bashku me professor John Freely, takimi me gazetarin Emin Sahatçiu; lobimi për çështjen shqiptare, veçanërisht për Kosovën e okupuar nga serbët etj.

  Që në ditët e para të shërbimit diplomatik Konsulli Mal Berisha, duke pasur pranë një kryekonsull model, të kulturuar, intelektual klasi si z. Orhan Zarshati, nis aplikimin e filozofisë të pushtetit të butë, aq i domosdoshëm për shtete e kombe të vegjël. Veprimtaritë kulturore, ekspozitat, koncertet e artistëve me emër në Stamboll dhe Tiranë, nisi të japë frytet e e diplomacisë aktive.

        ***

E përsëris ambasadori Mal Berisha rrëfen bukur. Kur rrëfimi vjen nga shpirti ka sinqeritet, ai të bën për vete, të emocionon, ta drithëron qenien.Kur tregon fate tragjike të pacientëve shqiptarë që kuroheshin në Stamboll nga veshkat me ndërmjetësinë e Konsullatës shqiptare, falë një marrëveshje xhentelmenësh të arritur nga Ministritë e Shëndetësisë të dy vendeve, ku zbatuse e marrëveshjes ishte Konsullata  Shqiptare, e cila duhej të përkujdesej për të sëmurët, për strehimin e tyre, për gjetje sponsorësh, por edhe për anën njerëzore. Lexuesi mbetet në ankth për fatin e secilit pacienti, kur sheh se si konsulli bashkë me familjen bëhen jo vetëm strehë e parë e pacientëve, para se të shtroheshin në spital, por ata kryenin edhe rolin e familjarëve të munguar për pacientët duke bërë sakrifica për t’iu ndodhur atyre pranë, kohë e pa kohë, natën dhe ditën, madje duke respektuar traditen shqiptare, duke u derguar dhurata simbolike.Ky sherbim mbartete edhe rreziqe per personelin e Konsullates dhe familjaret e tyre. Shumë prej të sëmurëve me veshka që vinin nga Shqipëria mbartnin dhe infeksione që përbënin rrezik për familjarët e diplomatëve të Konsullatës, por ata i trajtonin sikur t’i kishin familjarë të tyre. Mendoj se ky akt dhe të tjerë, tregojnë fisnikëri, më shumë se sa humanizëm. Dhe ishin jo pak që morën ndihmë në Stamboll, por 156 pacientë dhe pasi i shtronin për kurim, nuk harronin që t’i vizitonin në spital e të përkujdeseshin për ata.Përshkrimi i rasteve targjike, kur pacientët nuk arrinin në spital, pasi shkonin ne graden e fundit e si pasoje humbnin jetën në udhëtim,dhe duheshin kthyer në Shqipëri trupat e tyre, apo rasti i 13 vjeçarit Hasandoçi, që nuk i funksionin të dyja veshkat,- nga që nuk u gjet një dhurues veshke, pranoi e ëma të bënte dhurimin e veshkës së saj, por fatkeqsisht organizmi i 13 vjeçarit nuk u përshtat me veshkën e nënës dhe pas 2 muajësh ndërroi jetë në Shqipëri. Familja e konsullit pikëllohet sikur ta kishte njeriun e familjes.Por jo më pak dhimbje e përkujdesje mbart dhe rasti i Afërdita D, që ndërroi jetë në spital. Gjatë këtij rrëfimi shprehet jo vetëm dhimbja e familjes së konsullit Mal Berisha, por dhe humanizmi i saj për t’u përkujdesur për të birin e pacientes së vdekur, ku Donika, bashkshortja fisnike e ambasadorit, luan rolin e nënës për ta qetësur të birin e se ndjeres,i cili kalon në krizë momenti che perplaset me personelin e spitalit, duke e konsideruar fajtor.Familja  e merr djalin në shtëpinë e vet dhe përkujdeset për kthimin e trupit pa jetë me shpenzimet e tyre. 

       ….Takimi dhe rrëfimi për Kadri Roshin, mikun e tre presidentëve: Dr. Berishës, Dr, Rugovës dhe presidentit Demirel, dhe zonjën e Tij Drita, që u operua nga zemra në Stamboll, përbëjnë një nga rrëfimet e bukur, emocionues te ketij libri. Kadri Roshi ishte një mik i hershëm edhe i Konsullit Mal Berisha. Telefonata e artistit të madh Kadri Roshi një natë të vonshme nga nhe spital ne pjesen aziatike te Stambollit, mbart dramën e tij, që konsulli përpiqet t’ia lehtësojë, por sjell në libër dhe kujtime nga koha e shkuar….

         Në përshkrimet e tij ambassador Berisha aplikon me mjeshtëri kthimin pas në kohë gjatë tregimit të ngjarjeve. Retrospektiva, sjellja në kujtesë e njohjes me Kadri Roshin, vënia në skenë e dramës “Tokë e ndezur” të Fahri Balliut me trupën amatore kosovare në Borizanë, është përshkruar mjeshtrisht dhe përcjell emocione të forta.Ashtu siç dëneste publiku që ndiqte trupën amatore gjatë shfaqjes të luajtur ne pallati e kultures se Laçit gjate Olimpiades Kombetare te amatoreve, vene ne skene nga amatorët e Borizanës nën regjinë e të madhit Kadri Roshi, mendoj se po ashtu dëneset dhe lexuesi kur lexon rrëfimin e ambasador Mal Berishës. Ishin Kohe te nxehta per Kosoven.

         Mendoj se libri” Ambasador i Pushtetit të Butë” mbart vlera të shumfishta: diplomatike, historike, Kombëtare, sociale  dhe letrare. Autori rrëfen bukur, përdor fjali të shkurtra me sintaksë të thjeshtë,njeh mjaft mire morfoogjine, dhe ka gjuhe te paster.Ai të tërheq në rrëfimin e tij, nderton situata te ngarkuara emocionalisht, të shuan dhe kurreshtjen gjatë përshkrimit të objekteve, siç është rasti për Konsullatën e Vjetër të kohës së diktaturës në Stamboll, ku përshkruan “dhomën e Partisë” dhe “dhomën e Sigurimit”, që ngjanë me vendet e fshehta të sekteve fetare….etj.

      Me sa kam vënë re edhe në librat e tjerë të autorit ai është shumë pasionat dhe hulumtus dhe investigues për detajet historike të ngjarjeve që përshkruan, kur herë pas here kthehet pas dhe gjurmon historinë. Psh tek përshkruan “pritjen me rastin e Festës së 28 nëntorit 1992 në Hotel Mercury, ai sjell fakte historike se aty pranë ishte dhe Hoteli “Perla Palas”, nga ku ishte nisur për misionin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Ismail bej Qemali dhe se po në të njëjtin hotel, ka bujtur edhe mbreti Zog gjatë udhëtimit të tij mërgimtar dhe se në librin e njerëzve të shquar, të cilët kishin qëndruar në atë hotel, figuronte edhe emri i Tij, përkrah emrit të Mata Harrit.Po ashtu kur shërbente ambasador në Londër, ai kthehet pas në kohë dhe ndjek gjurmët e mqëve anglezë të kombit tonë.

Ambasador Mal Berisha, siç shprehet shkrimtari, gazetari, dhe diplomati Besnik Mustafaj, ish Minisitër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe ish ambasador në Francë, i takon atij brezi diplomatësh shqiptarë, të cilët hynë në shërbimin e jashtëm të Republikës sonë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fill pas kthesës së madhe, që mori historia e Shqipërisë. Si i tillë, ambasador M. Berisha përshkruan në libër ndryshimin e madh mes diplomacisë së diktaturës komuniste dhe Diplomacisë së re. Diplomacia komuniste kishte si parim izolimin, ku porosia(sipas konsullit paraardhës) ishte e prerë: “Nëse do t’ua jepni dorën konsujve amerikanë, anglezë e izraelitë, më mirë kthehuni vetë në Shqipëri dhe jepni llogari, për tradhti ndaj atdheut!”, ndërsa shërbimi i ri që përfaqësonte diplomati Berisha dhe personeli i ri,kishte për moto hapjen e Shqipërisë ndaj botës!

 Rrëfimet e Stambollit mbyllen me “Telefonata e fundit” dhe “lamtumira”.E para na shpalos përmasat e një legjende shqiptare, ku nje letër e ish editorit të gazetës Illyria Vehbi Bajrami, për të gjetur gjurmët e një familje shqiptare, të shpërndarë mes Amerikës dhe Turqisë, edhe pse asimilimi ka bërë punën e vet, madje kanë pësuar ndryshime dhe elementët thelbsor të identifikimit, Konsulli, edhe pse ishte në fundin e shërbimit, i gjenë gjurmët e pjeseve te ndara dhe e bashkon virtualisht familjen e ndarë mes kontinenteve.E sa shërbime të tilla kreu konsulli Mal Berisha, përveçse bëri shërbime të çmuara per shtetin shqiptar? Kreu me devocion detyrimin njerëzor, shpirtror dhe diplomatike ndaj Kosovës së okupuar? Lexojeni librin dhe do të gjeni atje gjurmët e një pune të jashtzakonshme kombëtare.

  Në të gjashtë kapitujt e librit gjenë gjurmët e punës të diplomatit të pushtetit të butë.Edhe kur ia hoqën pasaportën diplomatike ata që erdhën në pushtet pas revolucionit të ’97-tës, ai nuk u dorëzua. Me shpenzimet e veta e çvendosi veprimtarinë në Amerikën e Lirisë dhe Demokracisë. Ku më mirë se sa në Amerikë, ku merren vendimet e Botës, mund të ndihmohej Kosova për ta çliruar nga pushtuesi serb?

 Përmes librit njihemi me punën titanike të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte për Ballkanin;njihemi me lobimin e fuqishëm të çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës.

Ambasador Mal Berisha e lartëson veprën e ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, duke i dhënë meritat që i takojnë, por dhe duke përshkruar me detaje lobimin, ku dhe vetë ambassador Mal Berisha ishte pjesë vullnetare e Ligës.

Autori shkruan: -Me krijimin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joseph DioGuardi doli si lobist shumë i fuqishëm dhe efektiv, njësoj siç ishte “Vatra” më parë, e cila i doli zot Shqipërisë me parullën noliane“Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

– Vetë ambasadori Mal Berisha u vu në dispozicion të Ligës. 

– Edhe pse ishte pa Pasaportë diplomatike diplomati Mal Berisha nuk kurseu asgjë për t’u vënë në shërbim të çështjes së Kosovës-në libër do të gjeni shënimet për darkën për Kosovën me kongresmenë, si Benjamin Gilman, takimet në Këshillin e Marrdhënieve me Jashtë në Kongres -Me Senatorin Robert Dole, ish Sekretarin e Shtetit,Henry Kissinger etj…

– Emocionuse janë tregimet për ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në bazën ushtarake në Fort Dix ku zbritën rreth 6 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës, rërfimet janë prekse, sureale, ta ndalin zemrën. Do të mjaftonte vetëm rrëfimi i dhimbshëm”Përqafimi-Shehrija jetime, dhe të ndjesh në qenien tënde si lexues tragjedinë dhe dramën e shqiptarëve të Kosovës. Intervista nga oficeri i emigracionit qe i beri Sherijes ne prani te Mal Berishes, ta ndal friment, dhimbje, dhimbje…,.

Një rol të rëndësishëm luajti ambasadori Mal Berisha në informimin e opinionit publik amerikan në 11 emisione televizive, ku përballoi edhe debate me serbët.

Në libër zë vend dhe kumtesa për Vatrën në 90 Vjetorin e Diellit- Roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, e përshkruar nga katër autorë të huaj -Edewin Zhak, Dr.Harris Silajxhiç me librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Arkivat e Washingtonit”, Dr. Charles Telford Erickson, mik i shquar i “Vatrës  si dhe Edith Pierpont Stickney, me librin“Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare nga viti 1912 deri më 1923”, botuar më 1925 –

-Vend të rëdësishëm zë në libër edhe Konferenca e Rambujesë dhe kontributi i Presidentit të Ligës Qytetare Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Ai ishte një nga oponentë e fortë kundër tekstit të Marrveshjes, që realisht e linte Kosovën nën autonominë Serbe.Shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës serbëve që nuk e nënshkruan marrëveshjen që e linte Kosovën me një lloj autonomie nën Serbi.

         Autori sjell detaje edhe përkontributi e LQSHA-së nëpërmjet librit historik “Shpëtimi në Shqipëri”(botunar ne 10 mije kopje ne gjuhen angleze due 2 mije kopje ne gjuhen shqipe-perkthyer nga Mal Berisha) dhe ndikimi që pati tek Lobi Hebraik në SHBA dhe në botë. Do të mjaftonte detaji qe sjell autori me një nga kontributorët e Ligës, z. Agim Aliçkaj, i cili me librin në dorë, ulet në gjunj përpara ish sekretarit të shtetit Amerikan Kissinger,nje filgure elitare e politikes boterore me ndikim te jashtzakonshem, i cili e kundërshtonte në fillim bombardimin e Serbisë, por më pas ndryshoi mendim dhe deklaroi në CNN International natën e 24 marsit 1999“Duhet shpëtuar populli shqiptar i Kosovës nga shfarosja, por edhe nderi i SHBA-së.Tani nuk ka kthim pas”. …

Nga viti 2000 deri në vitin 2009 diplomati Berisha kontribuoi drejtërsëdrejti në Kosovë duke punuar në Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, duke dhene nje contribute me shume vlera. 

Në vitin 2009 ai do të rifillojë missionen zyrtar diplomatik në Minisitrinë e Jashtme, duke dhënë kontribut të veçantë në diplomacinë rajonale. Ai do te ishte i pranishem edhe ne Gjykaten Nderkombetare te Hages, kur u dha vendimi per te drejten e Shpallje se Pavaresise se Kosoves.

Nga Qershori 2009, loboi për Kosovën në Lindjen e Mesme, si Siri, Liban, etj.

‘Diplomacia kulturore”- “Pushteti i butë” qe buron nga filozofia e Joseph Nye mendoj se është realizuar më së miri gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe, fillimisht si i ngarkuar me Punë Aditerim -2012-2013, më pas ambassador në Londër, ku shkëlqejnë: Vendosja në Londër e Bustit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe,një aventurë e guximshme, që ka në themel të realizimit vetë ambasadorin me miqtë që e mbështetën, edhe pse 8 mijë Euro të shpenzuara per kete qellim nga kursimet e buxhetit familjar, ende nuk janë dhënë nga Ministria e Kulturës dhe shteti shqiptar!

Së dyti-“Notes on Albania” në tre edicione , ku u provua Shqipëria Kulturore me VIP-at neper Bote, dhe anglezët në vend të kronikave të zeza për shqiptarët që mbizotronin median angleze, panë anën tjetër të medaljes, shqiptarët e famshëm dhe anglezët e amerikanet-miq të Shqipërisë.

Sinqerish, unë nuk njoh ambasador tjetër ne keta 30 vjet demokraci që të ketë bërë aq shumë për kombin tonë se ç’bëri ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij të ndërprë nga pushteti partiak, edhe kur nuk kishte post diplomatik, por në mënyrë të veçantë gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe. Ai ishte promotor i promovimeve kulturore, historike, si përparësi e pushtetit të butë: Ambasdor Berisha jo vetëm kreu detyrat që i diktonte posti i ambasadorit, por pati kohë të afronte pranë ambasadës Shoqatën Anglo – Shqiptare (AAA) në Londër, të ndiqte gjurmët e familjes angleze Herbert – mike e shqiptarëve dhe të mikut të çmuar që bëri aq shumë për Shqipërinë “Charles Telford Erickson, amerikani qe i kushtoi jetën Shqipërisë”, të ndiqte gjurmët e Edith Durham, të ndiqte shqipërimin Nolian të Shekspirit, të sillte në Londër artistët e shquar shqiptar, të vendoste bustin e Skënderbeut në Londër dhe në zonën arbëreshe të Molises -Itali,të gjurmonte historinë e Skënderbeut tek autorët anglezë  etj etj…

Në fund e falenderoj ambasadorin Mal Berisha për kënaqësinë që na dhe me këtë libër me rëndësi të veçantë për historinë e diplomacisë shqiptare.Le të presim se së shpejti do të promovojmë edhe librin e ri qe ambasadori e paralajmëron në këtë libër, siç ka promovuar Vatra edhe librat e tjerë të tij. Faleminderit ambasador Mal Berisha, anetar Nderi i Vatres shqiptare!

*Mbajtur gjatë promovimit të librit në Vatër me 15 Mars 2022.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasador. Pushteti i Bute, dalip greca, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT