• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vetëvrasje…

November 19, 2021 by s p

Leon Mirakaj/

Shpërtheu në mëmëdhe.“Duam dënimin me vdekje”. Sa lehtë!Harrohet krimi, dhimbja e familjes, viktima e njomë.Sytë gjithë gjak të shoqërisë impotente kthehen nga vrasësi. “Në litar!”. “T’i presim kokën!”. “Ta tredhim e pastaj ta vrasim!”. Asnjë pikë refleksioni mbi çfarë ndodhi e çfarë ndodh përditë.Duam gjak.Gjithë frustrimi i jetës, i të përditshmes,dështimi i gjithë shoqërisë na kthen në atë që është më e thjeshtë për t’u bërë. Te xhelati. A thua kjo zgjidh gjithçka apo kthen në jetë djalin e shkretë?!A thua kjo e sjell prapë në gjirin e familjes së shkatërruar nga dhimbja. Vallë kjo gjë a do ndalojë krime të tjera!?Çdo reagim i familjes do qe i justifikuar. Ata i kuptoj.Shoqërinë dhe mekanizmat e saj, jo.Në fakt është ky problemi!Kjo shoqëri nuk ka mekanizma mbrojtës karshi krimit e as di ta përballojë atë për konseguencë.Nuk lexova një koment ku të thuhej: ”Ligji duhet të veprojë”. Nuk kanë besim te ligji.Tolerancë për të kuptuar pse ndodhi, në ç’ambient është rritur viktima dhe krimineli. Asfare!Në lajme ndoqa sekuenca të shtëpisë ku banonte autori i krimit. Është gati e pamundur që një qenie njerëzore e rritur e që jeton aty të mos jetë potencial krimi. Më shumë se varfëri! Mizerie!Degradim!E gjitha para syve të një shteti që duhet, pikërisht për këtë katergori, të jetë social e i kujdesshëm. Para syve të një shoqërie që bie nga retë edhe pse, mizerjen e ka dy hapa larg. Artikulime dhimbjesh e “analizë” njerëzish, gjitonësh që janë retroanalfabetë. Një tmerr i rrethuar me llum. Një llum që prodhon krim në çdo cep pallati a semafor, i gjithi i ndriçuar nga llampa e një fallciteti baresh e retorantesh, bisnesesh të ngritura mbi krim. Krim që glorifikohet kur të kalon para hundës me makina lluksoze a kur e sheh në podiume e tavolina mediash, duke dhënë mend e moral. Në të kundërt, njerëzit janë gati të çojnë në satër hallkën më dobët të sajë, më mjerane, që kapet e përdoret si: ”luftë efikase ndaj krimit nga shteti e shoqëria”.Vrasësi kishte kohë që bërtiste: ”Jam unë ai që vras e do vras. Më shpëtoni. Më fusni diku që të shpëtoj. Një çmendinë për mua. Në burg veç, më hiqni nga kjo çmendinë ku jetoj”. Po ne zgjedhim mënyrën më të thjeshtë. Mbyllim veshët. Kokën nga ana tjetër. Pastrojmë deri te lesa e shtëpisë. Plehrat e pastruara të dhomës i hedhim te rruga e të tërëve, sepse është e të tërëve pra, jo e jona. E jemi të qetë. Në fakt, jo tamam të tillë.Një cep syri e një hoje truri e mbajmë të zgjuar. Duhet patjetër të zëmë në faj dikë e veç fajin e përbashkët, atë që na bën të jemi qytetarë të përgjegjshëm për gjithçka që ndodh mes nesh, ta ndiejmë sa më larg. “U gjet krimineli. Urraaa!Ja ky është mostra. Fëlliqërsira. Plehu i shoqërisë”. Ai pleh që hedhim në rrugën e përbashkët kur pastrojmë.Për ata që duan xhelatin me sëpatë a bëjnë meme me litar nëqafë, dua t’u them:”Më gjeni një statistikë të vetme ku vrasja e një krimineli ka ulur kriminalitetin në një vend.Një të vetme.E kundërta është e vërtetë.Një shoqëri e shëndoshë, nuk lë jashtë dere askënd nga pjesëtarët e saj, nuk i fshin ata e pastaj t’i hedhë në rrugë, por është përgjegjëse për çdo veprim, sepse çdo veprim bie edhe mbi të, një shoqëri e tillë i ka të gjitha shancet të shërojë veten pa ndier instiktet ancestrale të shpellës që ta sundojnë.Nëse do mbajmë kokën mënjanë për çdo padrejtësi, sado e vogël të jetë, duke mos e parë si tonën, si të përbashkët, si pjesë të dobësisë, por edhe si mundësi për ta shëruar, do vazhdojmë pafund të prodhojmë vrasës e vrasje. Mundësitë për të qenë spektatorë të makabriteteve të tilla do jenë gjithmonë e më të mëdha. Ndërgjegjësimi i të qenit shoqëri solidariteti, bashkëpunimi, indiferenca civile e hedhur tutje, dashuria për njëri-tjetrin, mendoj se është zgjidhja e vetme.Janë pastaj, ligjet e zbatuara drejt të kësaj shoqërie që, atë që quhet krim fiziologjik ta izolojnë sipas arsyes që ligji mban në vetvete. Ligje të vëna nga qytetarë që paktin social do ta shihnin si gjënë më të shenjë. Në qiell, aty ku mendoj se ndodhet tashmë shpirti i vogëlushit të vrarë barbarisht, është Ai që do gjykojë e do e marrë pranë vetes.Këtu në tokë, jemi ne që duhet të paqtojmë shpirtrat e mendjet e munduara, të zhytura në mizerjen që së bashku krijojmë e që, vetëm së bashku mund ta largojmë.Pa sëpata, litarë e plumba. Pa fshehur dobësitë tona, duke vrarë dikë si shpagim, por t’i referohemi e të mundim të keqen veç me ndërgjegje të lartë e me ligje, që mendjet e shpirtrat e ngritura në nivele qytatarësh pra, Njerëzish të denjë, prodhojnë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leon Mirakaj

PRINCI VILHELM VIDI NË SHQIPËRI DHE QËNDRIMI I AT GJERGJ FISHTËS NË REVISTËN “HYLLI I DRITËS”

November 18, 2021 by s p

Sokol PAJA/

Të gjitha besimet fetare në Shqipëri që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në Shpalljen e Pavarësisë u shndërruan në një element bashkimi të fortë dhe atdhedashurie. Vuajtjet e gjata që përjetonte populli shqiptar prej pushtuesve, konfliktet e vazhdueshme me fqinjët, luftërat ballkanike, qëndresa e vazhdueshme e popullatës për mos copëtimin e territoreve shqiptare, lobimit në kancelaritë Perëndimore për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, ishin faktorë themelorë që e mbajtën gjallë frymën e bashkëpunimit në popull si dhe midis klerit fetarë, të cilët e konsideronin një domosdoshmëri dhe detyrim kombëtar. Veprimtaria shpirtërore, atdhetare, diplomatike, klerikale e mediatike e klerit katolik pati një rol te rëndësishëm dhe kontribuoi në bashkimin e shqiptarëve për interesa kombëtare. Në kushtet e tensioneve dhe rebelimeve të vazhdueshme në Ballkan, shqiptarët kishin qëllim kryesorë ruajtjen e paprekshmërisë së Shqipërisë së Pavarur dhe konsolidimin e Shtetit në rang Kombëtarë dhe Ndërkombëtarë. Klerikët katolikë me në krye At Gjergj Fishtën patën ndikim pozitiv dhe mbështeste ardhjen në Shqipëri të Princit, Vilhelm Vidi Vidi. Princ Vidi erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe gjeti mbështetjen e klerit katolik duke shpresuar se do të gjenin shpëtim kombëtar edhe për shkak se Ai ishte perëndimor dhe gëzonte mbështetjen e Austro-Hungarisë si dhe për faktin se Perandoria Habzburge ishte mbrojtëse e krishterimit në Evropë. Për ardhjen e princ Vidit dhe për politikën që do të ndiqte në Shqipëri shkruan gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Në këtë publikim do të veçoja shkrimet e revistës “Hylli i Dritës”, drejtuar prej At Gjergj Fishtës, kryesisht në numrin 6 e 7 të vitit 1914. Shkrimeve e botuar ne revistën“Hylli i Dritës”,  referohen  me titujt përkatës: “Kena Mretin tonë” dhe “Kohë e re n Shqypnijë”. Aty  tregohet qartë se me ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, vendi do të ndryshohet për së miri dhe do të forcohet më shumë aparati shtetëror dhe politika e jashtme. Në shkrimin e parë vërehet dhe del në pah pritja me entuziazëm e Princ Vidit, shpëtimi dhe autoriteti që do të vendoste Princi i huaj për forcimin e shtetit shqiptar. Po aty citohet se Fishta nuk harron së theksuari se nuk mjaftonte që të thërrasim rroftë Shqipëria por që të gjithë të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë për të mirën e atdheut tonë dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar. Dita e ardhjes së Princit, sipas Fishtës është një ditë e madhe për kombin shqiptar pasi e konsideronte si shpresë dhe mundësi e mirë për të shuar problemet e brendshme të krerëve të ndryshme shqiptar dhe për konsolidimin e Shtetit në gjeopolitikën perëndimore. Më e rëndësishmja dhe themelorja sipas Fishtës në këto dy shkrime del formimi dhe përdorimi i një statuti  bazë si ligjë që drejton shtetin dhe institucionet. Gëzimi dhe përkrahja shfaqet në mënyrë maksimale dhe entuziaste në faqet e revistës “Hylli i Dritës” me titull: “Koha e re n’Shqpnije” në numrin 6, faqe 169 të vitit 1914. Citoj: “Kaa Shqypnije kaa. Edhe pak ditë e Mreti po vjen me xanë vendin që i takon e selinë e tij, e armiqtë e Shqypnijës që janë mundue me paat shkimun e t’hupun prej ftyrës së tokës popullin dhe komin shqiptar, kanë më cuce ambasadorët e vet me përshëndetë Mretin e Shqiptarevet Vidin. Shqypnija u ba mretni vetëm prej Evropet, e jo prej noj veprimit të vedit, por për me gjallnue e për me gzue duhet me veprue. Me dashtë me e majtë n’jetë mretninë tonë të Shqypnijes lypet qi qeveria posa e ndertueme, do të jetë e pamvarme e as s’do të jete e detyruese me i dhanë arsye kërkujt për punët e veta, pose Mretit tonë dhe kombit”. Ardhjen e Princ Vidit klerikët katolikë e personifikonin me rilindjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe me vendosjen e një rregulli të gjithëmbarshëm. Vetëm mbreti Vilhelm Vid mund ta shpëtonte një vend si Shqipëria që vinte me ato trazira dhe një robërie 500 vjeçare osmane. Shqipëria sipas Fishtës do të bëhet dhe do të eci sa më lart në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të kombit dhe të shoqërisë shqiptare. Pra, ardhja e Mretit u prit me shumë entuziazëm dhe pëlqim pasi tek ai vareshin shpresat e kombit dhe të rindërtimit të shtetit dhe të administratës shtetërore shqiptare të brishte. Ky shtet sipas Fishtës do të ndërtohej dhe nuk do të ishte i detyruar që të jepte llogari tek askush veç do të punonte më ç’të mundte për një zhvillim dhe përparim të shtetit shqiptar. Revista “Hylli i Dritës” në botimin pasardhës, numër 7, viti 1914, faqe 203 titullohet: “Kena mretin tonë” At Gjergj Fishta shprehet: “Ky Mret  tue u dhanë mendve shqiptare shkas kish diea, kaa me i ardhë vendit përparmi i vërtetë, e lirija e popullit tonë s’ka me kënë ma e aq e kundërshtueme. Ky Mret ka me ditë me avitë zëmrat e popullit që për fat të zi u gjetne larg njana-tjetrës , e drejtësie qi ky ka me çue zanin e vet kundra njatyne qi n’çdo mndyrë trazojnë qetësinë e vendit, apo me shkrrye visaret e kombit. Kena Mretin tonë teri lotët moj nanë shqiptare e gzou, gzoju ti qi tuj përkunde foshnjen e gatoshe vetun per me u ba aj fli n’therore të atdheut”. Fishta bën thirrje në “Hyllin e Dritës” për përkrahje të përgjithshme për Princ Vidin pasi do të quhet me plot gojën si një shpëtimtar për popullin shqiptar. Sipas At Fishtës, ardhja e Mbretit Vidi duhet të gëzonte të gjithë sepse Ai do të ndriçojë mendjen e shqiptarëve, do të mbrojë Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm dhe do ta forcojë automatikisht shtetin shqiptar me diturinë dhe personalitetin e tij siç ishte Mbreti i shqiptarëve në një kohë kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për bashkim. Në këto shkrime del qartë se kleri katolik, me në krye at Gjergj Fishtën shprehu besueshmëri dhe optimizëm në suksesin e Princ Vidit në për stabilizimin e vendit dhe për konsolidimin e Shqipërisë në aspektin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

At Gjergj Fishta, lahutari i letërsisë shqipe – figurë madhore e kombit tonë

November 17, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani/

Shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia më 13 nëntor organizoi një veprimtari letraro – artistike me rastin e 150 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, 110 vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90 vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit

Viti 2021 është shpallur si Viti I 150 Vjetorit të Lindjes së At Gjergj Fishtës (23 tetor, 1871 – 30 dhjetor, 1940). Me këtë rast janë organizuar veprimtari të shumta në trojet shqiptare dhe në diasporë. Edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë me këtë rast javë më parë organizoi një simpozium. Akademia ka qenë dashtë ta bëjë këtë shumë vite më parë, sepse Fishta për një kohë të gjatë u anatemua, u baltos, u mohua nga regjimi komunist. Dy shtetet shqiptare, kombi ynë i ka një borxh, detyrim moral At Gjergj Fishtës. Shoqata jonë, e njohur për veprimtaritë e shumta kulturore e atdhetare, kishte kohë që e kishte planifikuar këtë veprimtari, por për disa arsye objektive e shtymë për muajin nëntor, muajin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. E ku ka veprimtari më të mirë për t’i filluar veprimtaritë tona për Festën tonë Kombëtare?! Ku ka flamurtar më të mirë se At Gjergj Fishta?! Ishte ky një rast i duhur e i përshtatshem për t’i nderuar e përkujtuar edhe dy figura të rëndësishme të letersisë sonë në përvjetorët e plotë të lindjeve të tyre: Migjenin (13 tetor,1911 – 26 gusht, 1938), me rastin e 110 vjetorit të lindjes dhe Dritëro – Agollit (13 tetor, 1931 – 3 shkurt, 2017), me rastin e 90 vjetorit të lindjes. Këto figura shoqata jonë i ka nderuar edhe më parë me veprimtari letraro – artistike, por këtë vit ishte diçka më e posaçme. Në fillim po i themi disa fjalë për At Gjergj Fishtën e pak më poshtë në këte shkrim edhe për Migjenin dhe Dritëro Agollin.

Veprat e At Gjergj Fishtës, vlerë e çmuar kombëtare

At Gjergj Fishta është figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të XX – të. Ai ishte një personalitet i gjithanshëm dhe shumë i sukseshëm në disa lëmi: teologji, letërsi, gjuhësi, publicistikë, diplomaci, politikë, etj. Por, mbi të gjitha, ishte atdhetar e shqiptar i madh. Tërë jetën e tij u angazhua për të mirën e Shqipërisë, përparimin dhe emancipimin e kombit tonë. Po japim në mënyrë kronologjike vetëm disa nga angazhimet e tij:

– Më 1899 – bashkëthemelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, së bashku me Imzot Preng Docin (1846 – 1917), Ndre Mjeden (1866 – 1937), Ndoc Nikajn (1864 – 1951) dhe At Pashko Bardhin (1870 – 1948).

– Në vitin 1902 At Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane të Shkodrës, ku shqipja nisi të përdorej për herë të parë, duke e zëvendësuar italishten si gjuhë bazë.

–  Më 14 – 22 nëntor, 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. Këtu Fishta luajti një rol kyç në hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres ai u zgjodh nënkryetar dhe kryetar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit.

–  Në tetor të vitit 1913 themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane, “Hylli i Dritës”.

– Nga 5 dhjetori, 1916 e deri në nëntor të vitit 1918, botoi në Shkodër gazetën “Posta e Shqypnies”. Po në vitin 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879 – 1925), Ndre Mjeden (1866 – 1937) dhe Mati Logorecin (1867 – 1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype.

– Në gusht të vitit 1919 Gjergj Fishta u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ndërsa në vitin 1921 Fishta përfaqëson Shkodrën në Parlamentin Shqiptar, ku shquhet për gojëtarinë (oratorinë) e tij.

At Gjergj Fishta është autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur kryesisht me kryeveprën e tij epike dhe njërën nga kryeveprat e gjithë letërsisë shqipe, “Lahuta e malcis” (Shkodër, 1937). “Lahuta e malcis” është një poemë epike historike me 15. 613 vargje që në qendër të vëmendjes ka luftën e shqiptarëve për autonomi e pavarësi, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së Veriut, nga viti 1858 deri në vitin 1913. Përfshihet këtu edhe periudha e Lidhjes së Prizrenit dhe përpjekjet e luftërat e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre nga lakmitë grabitçare të serbëve e malazezëve. Paraqiten edhe episode të veçuara heroike, siç është ajo e Oso Kukës në kullë të Vraninës (kullen e barotit), apo rasti i Tringës, që për të mbrojtur moralin, nderin dhe dinjitetin e femrës shqiptare, ajo më parë e zgjedhë vdekjen sesa të bie në duart e armikut: “Edhe dielli dheut i ra/Gjallë po Tringa Shkjaut n’dorë s’ra”. Gjergj Fishta është i njohur edhe për veprat: “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Barbatasit”, “Mrizi i zanave”, etj. Stili i poezisë së Fishtës është i rrjedhshëm, me figuracion të pasur e fjalë të rralla, bazuar në të folmen e popullit. është mjaft i ndikuar nga krijimtaria popullore, Kenget e Kreshnikëve. Përveç poezive lirike dhe atyre epike, Fishta është i njohur edhe për satirat e tij, të cilat e radhisin atë si njërin ndër satiristët më të mirë të letërsisë shqipe, madje edhe atë botërore. Sipas studiusit, Robert Elsie, “Lahuta e malcis” është e para ndihmesë e letërsisë shqipe për letërsinë botërore, ndërsa vetë Fishta është shqiptari i parë i emëruar për Çmimin Nobel. Regjimi komunist për gati gjysëm shekulli u mundua që ta zhdukte Fishtën nga faqet e historisë sonë kombëtare, madje edhe nga faqja e dheut, duke ia nxjerrë eshtrat nga varri e duke ia hedhur në lumin Dri. Shumë studiues janë të mendimit se komunistët e bën këtë jo për gjoja proitalianizmin e tij, por për prosllavizmin, projugosllavizmin e tyre. Por, vlerat nuk zhduken kurrë, nuk ka asnjë stuhi që i zhduk ato. At Gjergj Fishta është figurë madhore e kombit tone, vepra e tij gjithmonë do të mbetet një vlerë e çmuar kombëtare. Me punën dhe veprën e tij At Gjergj Fishta e ka siguruar vendin në majat më të larta të Panteonit të vlerave të kombit tonë. Pranda, nderimi i jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës do të thotë shumë edhe për atë, por edhe më shumë për ne. Edhe sot eshtrat e At Gjergj Fishtës nuk janë gjetur, por vargjet e tij kanë zënë një vend të ngrohtë në zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve qe veten e tyre e quajnë shqiptar.

Veprimtaria letraro – artistike

Veprimtaria për këto tri figura të shquara të letërsisë sonë u zhvillua ditën e shtunë, më 13 nëntor, 2021, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes”. Për shkak të pandemisë kishim kohë pa organizuar veprimtari të tilla, prandaj një veprimtari e tillë u prit me entuziazëm nga anëtarët e veprimtarët e shoqatës sonë. Për shkak të rrethanave të cekura, numri i pjesëmarrësve nuk ishte si në ato veprimtaritë e mëhershme, por entuziazmi, ineresimi, respekti për organizatorët ishte në nivelin e duhur. Salla ku u zhvillua veprimtaria ishte zbukuruar e përgatitur mirë. Në ballë spikasnin portretët e mëdha të At Gjergj Fishtës (pikturë origjinale), Migjenit e Dritëro Agollit. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Bujar Gjoka,i cili i përshëndeti të pranishmit duke i falenderuar për pjesëmarrjen dhe interesimin e tyre për këtë veprimtari. Pastaj z. Gjoka ia dha fjalën zonjës Rudina Bani, nënkryetare e shoqatës dhe mësuese në shkollën shqipe e cila ishte caktuar për ta përgatitur një material për At Gjergj Fishtën. 

Një lidhje shpirtërore me Fishtën

Zonja Bani kishte bërë një vlerësim të përgjithshëm për veprën e At Gjergj Fishtës, por edhe për lidhjen e saj shpirtërore për Fishtën. Ndër të tjera zonja Bani u shpreh: “Kam një lidhje tjetër shpirtërore me Fishtën. Kur u nisa nga Shqipëria për në Amerikë, nuk e di pse shpirti im u pushtua nga vargjet:

“Lamtumire vendet e mia

Që po zhdukeni dalëngadalë

Ushton deti, gjëmon stuhia

Shkundet varka valë mbi valë…”

Duke folur për rëndësinë e figurës së At Gjergj Fishtës dhe vlerën e veprës së tij, zonja Bani vazhdoi: “Të rrallë janë ata poetë që cilësohen si poetë kombëtarë. Të rrallë janë ata poetë që krafasohen me Homerin. I tillë ishte Fishta. I cilësuar nga albanologu austriak, Maksimilian Lambreci (1882 – 1963) si “poetin më të talentauar që ka patur Shqipëria””. Për tematikën dhe motivet në veprën e Fishtës, zonja Bani pohoi: “Fishta do të na sillte dhe përjetonte në veprën e tij jo vetëm zanat, shtojzovallet, por edhe Oso Kukën që vdes duke luftuar në Vraninë për të mbrojtur trojet nga serbo malazezët, heronjtë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, etj.” Zonja Bani, si mësuese e shkollës shqipe, fjalën e saj e përfundoi me disa vargje nga vjersha e Fishtës, “Gjuha shqype”.

Migjeni dhe Dritëroi

Pastaj fjalen e mori z. Sadik Elshani njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, i cili paraqiti punimin me titull: “13 Tetori – një datë, dy poetë viganë: Migjeni dhe Dritëroi”, që është një reflektim në ditëlindjen e dy poetëve. Më 13 tetor të vitit 1911 lindi Migjeni, ndërsa njëzet vite më vonë, më 13 tetor të vitit 1931 lindi Dritëro Agolli – njëri në Veri, tjetri në Jug të Shqipërisë. është kjo një rastësi e rrallë, por ndoshta edhe nuk është rastësi, që dy poetë të mëdhenj të letërsisë sonë të kenë lindur në një datë, kuptohet në kohë të ndryshme, dhe që të dy të jenë nga më të mëdhenjtë poetë të brezit të tyre. Secili në mënyrën e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje të reja letërsisë shqipe. Fatkeqësisht, Migjeni u nda nga jeta në moshë shumë të re, pa i mbushur të njëzeteshtatat, por ishim fatlum që Driteroin e kishim në mesin tonë gjer në moshën e tij mbi 85 vjeçare. 

Migjeni – drejt bashkëkohësisë, drejt modernitetit, drej Evropës

Duke folur për krijimtarinë e Migjenit, ndër të tjera z. Elshani theksoi: “Migjeni pa dyshim është njëri ndër emrat më të dashur në tërë letërsinë shqipe, sidomos është shumë i dashur nga rinia shqiptare. Ai në tërë krijimtarinë e tij artistike, si në poezi, ashtu edhe në prozë, solli diçka të re e të paparë gjer atëherë në letrat tona, solli një stil të ri, një forcë të re e të fuqishme shprehëse. Me Migjenin fillon një periudhë e re në letërsinë shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja që futi Migjeni në letërsinë shqipe, teknika, figuracioni, vargu i lirë dhe forca shprehëse, tematika dhe realizmi me të cilat ai i trajtoi problemet e shoqërisë shqiptare të viteve të tridhjeta i hapën letrësisë shqipe rrugën drejt bashkëkohësisë, drejt moderrnitetit. Migjeni së bashku me Lasgush Poradecin i dhanë letërsisë shqipe vendin e vet të merituar në letersinë dhe kulturën evropiane. Paraqitja e Migjenit në letërsinë tonë është një dukuri që rrallë shfaqet edhe në letërsinë botërore. Me fuqinë e tij artistike, Migjeni erdhi si një meteor në letërsinë shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si një meteor, por me krijimtarinë e tij mbeti në qiellin tonë letrar një yll që do të shkëlqejë gjithmonë. Dhe sa më shumë kohë që do të kalojë, aq më tepër ai do të shkëlqejë, sepse ka një magjepsje me vepren e tij, me jetën e tij të shkurtër. Shkoi i ri dhe do të mbetet përherë i ri, i freskët dhe aktual. Migjeni jetoi, aq sa jetoi dhe bëri atë që bëri. Atë që bëri dhe na ka lënë trashëgim, është e shkëlqyeshme, e përjetshme dhe gjer më sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letërsinë shqipe. Me 27 vite e mbylli ciklin e jetës së tij, e mbylli krijimtarinë e tij brilante”.

Dritëro Agolli, poeti që Dritëron

Në vazhdim z. Elshani i bëri një paraqitje të shkurtër edhe krijimtarisë së Dritëro Agollit, duke i bërë një analizë tematikës, stilit të poezisë dhe prozës së tij. Po shkëpusim një fragment nga kjo paraqitje: “Edhe Dritëro Agolli, së bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, është poeti që i ka prirë brezit të tij. është njëri ndër shkrimtarët më të dalluar, më të dashur, më prodhimtar e më me ndikim në letërsinë bashkëkohore shqipe. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por, mbi të gjitha, ai është i njohur si poet në kuptimin e plotë të kësaj fjale – mjeshtër i vërtetë i vargut. Që në krijimet e tij të para në poezi, ai u paraqit si një zë i fortë origjinal që solli një hov rinor, optimizëm e freski në letërsinë shqipe…Me vargjet e tij plot frymëzim, ai krijoi një botë të re të tijën – një botë agolliane, ku thjeshtësia e komunikimit, porositë universale (të përgjithshme) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, janë shtylla të forta ku mbështetet poezia e tij. Ngrohtësia njerëzore e vargjeve të tij ka bërë që lexuesi që shijon këto vargje, të njëjtësohet (identifikohet) me vetë poetin. Ky raport i ndërsjellë poet – lexues është më tepër i theksuar te Dritëro Agolli se sa te ndonjë poet tjeter në letërsinë bashkëkohorë shqipe.
Kjo frymë poetike është mjaft e pranishme edhe në prozën e tij që është mjaft e suksesshme. Vlen të theksohet, se shumicën e krijimeve të Agollit e përshkon një frymë e hollë e humorit, madje edhe në situata që mund të jenë shumë serioze”.

Vlen të përmendet se edhe tema e diplomës së Dritëro Agollit ka qenë për Migjenin: “Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”, mbrojtur në Universitetin e Leningradit (tani, Saint Petersburg).

Recitime, diskutime, kokteli

Për të pranishmit z. Elshani recitoi një poezi të tijën origjinale në stilin e “Lahutës së malcis”, në stilin satirik të At Gjergj Fishtës, me titull: “Shqetësimi i At Gjergj Fishtës për gjendjen në Shqipëri e Kosovë”. Pra, një pasqyrim i gjendjes kaotike politike në të dy shtetet shqiptare. Poezia u prit mjaft mirë nga të pranishmit. Sidomos u pëlqyen vargjet:

“Shumë keq Kombi na asht përça
Po qysh k’shtu me u përça?!
Shqyptari Shqyptarin vlla e ka
Disa thonë jemi të majtë
Të tjerët thonë jemi të djathtë
Me këto ndasina vllazën mjaft
Se ai vetes që i thotë Shqyptar
S’duhet t’jetë tjetër, veç kombtar


Veç Shqypnin ta ketë parti
Shqyptarizmin ideologji”.

Pas paraqitjes së këtyre materialeve disa nga të pranishmit, Tatjana e Llazar Vero, Sotir Goxhaj, i shprehen mendimet e tyre për këto figura madhore të kombit tonë. Z. Llazar Vero, ish gazetar i gazetës “Bashkimi”, tregoi për takimet që kishte patur me Dritëro Agollin, pa lënë anash as gotat e rakisë. Veprimtaria vazhdoi me shfaqjen e disa videove të përzgjedhura me poezi të këtyre autorëve. Me interesim e vëmendje të madhe të pranishmit e përcollën videon ku vetë At Gjergj Fishta recitonte një pjesë nga “Lahuta e Malcis”, ndërsa në videon tjetër aktori, Reshat Arbana, recitonte poezinë e At Gjergj Fishtës, “Gjuha shqype”. Videoja tjeter ishte me poezitë e Migjenit: “Një natë pa gjumë”, “Vjeshta në parakalim”, “Ekstaza pranverore”, “Kanga e rinisë”. Këtë paraqitje të videove e mbylli Dritëro Agolli duke e recituar poezinë e tij, “Kur te jesh mërzitur Shumë”.

Me kaq pjesa “zyrtare” e kësaj veprimtarie u mbyll, për të vazhduar pastaj me pjesën pak më të lirshme, çlodhëse – koktelin tradicional të shoqatës sonë, me pije e ushqime: Bukë e kripë e zemër. Edhe gjatë koktelit u bisedua për këto figura dhe biseda tjera të lira në mes të bashkatdhetarëve.  Shoqatat krijohen për t’i ruajtur vlerat e traditat kombëtare dhe për të krijuar vlera, për të ushtruar veprimtari të organizuar të bashkësisë sonë shqiptaro – amerikane. Ne po mundohemi t’i bëjmë të gjitha këto…

Philadelphia, më 16 nëntor, 2021

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sadik Elshani

VATRA DHE DIELLI I SHPREHIN MIRËNJOHJE ISH-EDITORIT DALIP GRECA

November 15, 2021 by s p

Dielli/

New York, më 15 Nëntor 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli i shprehin mirënjohje të thellë dhe falenderim të përzemërt ish-editorit epokal të Diellit z.Dalip Greca për dhurimin e mbi 350 librave nga fondi i Bibliotekës personale për Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Ky akt fisnik dhurimi është një pasurim i veçantë për Bibliotekën Shkencore të Vatrës duke u dhënë mundësinë shumë studentëve, studiuesve, hulumtuesve e kërkuesve shkencorë që të hulumtojnë në fusha të ndryshme si histori, media, letërsi, gjuhësi, lidership, shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare etj. z.Dalip Greca meriton në çdo kohë mirënjohjen më të thellë prej vatranëve dhe komunitetit shqiptar për punën e shkëlqyer në Diell dhe Vatër për 12 vite. I shoqëruar nga ish-nënkryetari i Vatrës z.Asllan Bushati, z.Greca me dhurimin e bibliotekës personale tregoi edhe një herë dashurinë e besnikërinë për Vatrën e komunitetin duke dhuruar pasurinë e tij shpirtërore librat e çmuar në shërbim të komunitetit. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në USA. Mirënjohje dhe respekte kurdoherë për ju z.Greca.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

“VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” PROMOVOHET NESËR NË VATËR

November 15, 2021 by s p

Dielli/


Nesër, ditën e Martë më 16 Nëntor 2021, në orën 6.00 pm, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në New York, organizohet promovimi i librit “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” i studiuesit Hamid Alaj. Libri është një studim për veshjet tradicionale të zonës së Krajës. Veshjet kombëtare e tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, herë përfaqësojnë edhe një trevë apo një zonë të vogël rajonale, nëpër periudha të ndryshme kohore. Njëra nga karakteristikat kryesore të një treve, krahine, madje edhe të një kombi, pa dyshim se është edhe veshja si pjesë e kulturës popullore. Njëjtë është edhe për trevën e Krajës, e cila karakterizohet me anë të veshjes së nuses krajane. Ato mund të jenë të ndryshme po aq sa janë të ndryshëm edhe njerëzit që i bartin ato. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht nga një epokë në tjetrën. Ky zhvillim i veshjes është bërë në varësi të kushteve konkrete historike, ekonomike dhe shoqërore në të cilën ka jetuar një komunitet. Andaj edhe veshja e nusënisë krajane është një burim shumë i pasur që na ndihmon në studimin e mëtejshëm të entitetit të popullit të Krajës, në periudha të ndryshme historike. Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të marrë pjesë.Në përfundim të promovimit, patrioti Toni Musaj në bashkëpunim me Vatrën do të ofrojë një kotejl në respekt e nderim të të gjithë pjesëmarrësve.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT