• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMINENT ENTREPRENEUR JIM XHEMA DONATES $ 30,000 TO VATRA

December 29, 2021 by s p

Jim Xhema, a prestigious entrepreneur and major contributor of Vatra, has donated $30,000 to Vatra. The donation supports the funding of one of Vatra’s most important works to document the history of Pan Albanian Federation of America, a broad coalition of Albanians that gave rise to the Albanian national movement and promotes the rights of Albanians.

The project has been under way by a team of academics, researchers led by director of the Institute of History at the Academy of Albanological Studies, Professor Doctor Beqir Meta. It presents the most comprehensive up-to-date account of Vatra. The impact of such work is decidedly significant. Documenting the efforts to promote Albanian interests in a span of over a century is not only part of Vatra’s proud history, it is crucial to building a vision for the future of Albanians on the world stage.

Jim Xhema has been an outstanding supporter of the project that provides a roadmap of how our forefathers pursued their ideals for a country proud of its history, its name and its people. Encapsulating more than a hundred years of our proud history in the United States is a project of incredible magnitude. Vatra is only a few months away from celebrating its 110 anniversary. Its longevity is a testament to the founders’ foresightedness, inspiration and wisdom.

The meticulous recordings and analysis of the publication will serve as a reference for the young generation of Albanians in all Albanian-speaking regions and also for the international body of academia that pursues Albanological studies and historiography. Aside the five volumes of the publication, the project includes multimedia such as a documentary series production on the iconic figures and their involvement in events that have helped shape the history of Albanians in every corner of the globe.

In a time when there is no shortage of good causes in the world, we are extremely grateful that Jim Xhema has chosen to donate to this worthy project that memorializes our path and place in history.

Filed Under: Featured, Opinion

SHQIPTARËT DHE PËRMBYSJA E SISTEMIT TË VLERAVE

December 29, 2021 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli  

– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;

– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;

– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;

– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;

– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

*   *   *

– Periudhë më historike e popullit shqiptar është qëndresa çerekshekullore përballë inkursioneve osmane;

– Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (1405-1468);

– Periudhë politike e shqiptarëve është ajo e Rilindjes Kombëtare, që fillon më 1832 me Naum Veqilharxhin (1797-1846), që arrin kulmin me ngjarjen politike – Lidhjen e Prizrenit (1878); e përfundon me shpalljen e pavarësisë më 1912;

– Figurë e njohur e njohur e Lidhjes së Prizrenit ishte Abdyl Frashëri (1839-1892); (ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Osman);

– Ideolog i mendimit politik shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte Sami Frashëri (1850-1904);

– Ngjarje politike më e madhe e shqiptarëve në shekullit XX është shpallja e pavarësisë, më 1912 në krye me Ismail Qemalin (1844-1919); 

– Personalitet i njohur i çështjes shqiptare në trojet e pushtuara nga serbosllavët ishte Adem Demaçi (1936-2018) – simbol i qëndresës shqiptare në Jugosllavinë e Titos; 

– Ngjarje politike e madhe e kombit në vitet ’90 të shekullit XX është qëndresa politike e shqiptarëve në Kosovë, me në krye Ibrahim Rugovën (1944-2006), përballë pushtuesve serbë; 

– Ngjarje historike e kombit në fund të qindvjeçarit XX është lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin (1955-1998); 

– Ngjarje politike e madhe e kombit në fillim të qindvjeçarit XXI është shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. 

*   *   *

– Vlerë letrare dhe kulturore të shqiptarëve janë humanistët shqiptarë: Gjon Gazulli (1400-1465); Marin Barleti (rreth 1450-1512), autor i veprave të shkruara në latinisht “De obsidione Scodrensi”, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); Mikel Maruli (1453-1500); Leonik Tomeu (1456-1531); Maksim Greku (rreth 1480-1556); Marin Beçikemi (1468-1526);

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë autorët e letërsisë së hershme shqiptare, si: Gjon Buzuku (shek. XVI) – autor i librit të parë të shkruar në shqip “Meshari” (1555); një kopje e vetme ruhet në Bibliotekën e Vatikanit; arbëreshi Lekë Matrënga (1567-1619) – autor i së parës poezi në gjuhën shqipe, njëherazi i pari dokument i shkruar në dialektin e jugut (toskërisht) – “Canzona spirituale” (Këngë e përshpirtshme); Pjetër Budi (1566-1622); Frang Bardhi (1606-1643) – autor i veprës “Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht, me disa shprehje tëprditshme); është e para vepër në leksikografinë shqiptare; përmban 5640 zëra latinisht të përkthyera në shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë; Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), kryepeshkop i Shkupit;

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë shkrimtarët e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, si: poeti i parë i romantizmit në letërsinë shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903); në vitin 1848 themeloi gazetën dygjuhëshe, në shqip dhe në italisht, “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë); ishte i pari periodik që botohej në gjuhën shqipe; Françesk Anton Santori (1819-1894); njihet si autor i së parës dramë origjinale në gjuhën shqipe “Emira”; disa pjesë u botuan më 1887 në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës; Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901);

– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë poetët e letërsisë së Rilindjes, si: poeti kombëtar Naim Frashëri (1846-1900) etj.;

– Personalitete të rëndësishme letrare, kulturore dhe kombëtare shqiptare janë: Faik Konica (1875-1942); në vitet 1897-1902 botoi në Bruksel revistën “Albania”; në vitet 1902-1909 revistën e boti në Londër; studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit; Fan Noli (1882-1965), figurë poliedrike (e shumanshme); kreu Universitetin e Harvardit; më 1908, mbajti në Boston për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe; ky akt përbënte hapin e parë drejt njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale; në vitet 1909-1911 botoi në Boston gazetën “Dielli”; më 28 prill 1912, bashkë me Konicën, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra në Amerikë; Gjergj Fishta (1871-1940), autor i 37 botimeve letrare, midis tyre i poemës epike historike “Lahuta e Malcis”,e quajtën Homeri shqiptar;       

*   *   *

– Bota njeh shumë personalitete shqiptare, sidomos Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997), laureate e çmimit “Nobel” për paqe (1979) dhe Ismail Kadarenë (1936-); mjekun dhe farmacistin amerikan me prejardhje shqiptare, nga fshati Llakavicë i Gostivarit, Ferid Murati (Ferid Murad, 1936-), laureat i çmimit “Nobel” për fiziologji dhe mjekësi (1998).

*   *   *

– Shqiptarët janë popull i ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri; një copëtim i këtillë i trojeve etnike historike të një populli s’është parë dot në historinë e botës;

– Nga Jugosllavia e Nikolla Pashiqit dhe e karagjorgjeviqëve, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen prej vatrave të veta; në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937, akademiku serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990) promovoi elaboratin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve); shumë shqiptarë u dëbuan për në Turqi;    

– Trojet shqiptare mbahen të pushtuara nga Serbia, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Greqia;

– Copëtimi i tokave shqiptare fillon në Kongresin e Berlinit (1878), për të vazhduar në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913; 

– Pushtimin e trojeve shqiptare, gjatë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. prej vitit 1850 e këndej, e ka mbështetur Rusia; ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve, përpos Rusisë, edhe Franca me Anglinë; 

– Sot e kësaj dite, Rusia punon me të madhe për Serbinë dhe kundër shqiptarëve; 

*   *   *

– Shqiptarët kanë një flamur, flamurin e Gjergj Kastriotit; kanë një gjuhë; normat e gjuhës letrare shqipe janë atë të Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972; kanë një histori; një gjuhë, një histori, një komb; 

– Pikëpamja se krahas gjuhës letrare standarde shqipe, ekziston edhe gegërishtja letrare, është pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; një pikëpamje të tillë, shumë kohë më parë, e kanë mbështetur fuqimisht akademikët serbë;

– Pikëpamja se krahas kombit shqiptar ekziston edhe kombi kosovar nuk është veçse pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; mbrojtja e një pikëpamjeje të tillë është tradhti e lartë;

*   *   *

– Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje, as fetare dhe as ideologjike; çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe është e vetmja çështje e pazgjidhur e gadishullit; 

– Të lidhësh miqësi me Beogradin dhe Josip Brozin (1892-1980) apo me Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinin (1879-1953) dhe  Moskën dhe t’i shpallësh luftë ideologjike Amerikës dhe Perëndimit, do të thotë të mos kesh vizion politik; gabimet në histori mund t’i kushtojnë një populli, një shekull, mund ta lënë një popull njëqind vjet pas;

– Shembja e monizmit dhe ardhja e pluralizmit u mundësoi shqiptarëve të bëjnë kthesë historike; tani miq të shqiptarëve janë Fuqitë e Mëdha të Perëndimit;

– Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull politik dhe se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor, shtet demokratik; të dëshmojnë se posedojnë aftësi për të qeverisur shtetin;

– Shqiptarët janë popull perëndimor dhe populli më proamerikan në botë; mirëpo, s’mjafton dot të thuash jam properëndimor dhe proamerikan; për të qenë properëndimor dhe proamerikan duhet t’i respektosh parimet themelore të demokracisë dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës; shtetin që udhëhiqet nga politikanë që shndërrohen në milionerë, Perëndimi nuk e mbështet, madje pavarësisht edhe nga interesat strategjikë që mund t’i ketë ndaj atij; 

– Shqiptarët kanë miq në të katër anët e botës; midis tyre janë Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Italia, Austria, Kroacia, Londra etj.; shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë, në mos i vetmi, të cilët gjatë Luftës II Botërore nuk ia dorëzuan Gestapos as edhe një hebre të vetëm;    

*   *   *

– Periudha e tranzicionit që kalon Shqipëria që prej vitit 1991 e deri më sot, është një periudhë e përgjakshme, e paparë ndonjëherë në historinë e kontinentit të vjetër; çdo vrasje dhe vdekje në qarkullimin rrugor;

– Për problemet me të cilat ballafaqohen, shqiptarët nuk duhet t’i fajësojnë faktorët e jashtëm, siç janë sundimi osman, politika antishqiptare e Beogradit, e Athinës dhe e Moskës; sundimi osman mbi shqiptarët ka marrë fund qysh në vitin 1912; pra, më shumë se një shekull; fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete; 

– Kosova zë vendin e pestë në botë me linjit; megjithëkëtë, ka sasi të pamjaftueshme të energjisë elektrike; të thuash se politikës shqiptare i mungon aftësia për ta qeverisur shtetin, do të ishte e tmerrshme dhe e dhimbshme; shtetin e varfër mund ta udhëheqin vetëm idealistët dhe jo tregtarët apo tyxharët; qëllimi i tyre është të pasurohen dhe t’u lënë pasuri marramendëse fëmijëve, nipave dhe mbesave të veta; akulli i trashë një metër nuk është krijuar për një natë – thonë kinezët; problemet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike në Kosovë burojnë nga e kaluara; 

– Ndër politikanë ka edhe të tillë që hiqen aristokratë të politikës dhe të intelektualizmit; ata pandehin se po qe se vishesh mirë dhe në televizion flet ngadalë, do të tregosh se je aristokrat, edhe i politikës, edhe i intelektualizmit; këta politikanë apo politikane, nuk janë veçse aristokratë të mashtrimit, të manipulimit, të abuzimit, të gënjeshtrës, të vjedhjes, të hajdutërisë, të imoralitetit; aristokratë të mashtrimit dhe të hajdutërisë, brenda një populli të varfër?! Turp dhe mëkat!

– Kjo farë klase politike ekziston në saje të inteligjencies oportuniste dhe konformiste, shumë prej tyre tregtarë flamujsh; kjo kolonë poltronësh fare nuk çanë kokën se Shqipëria zë vendin e dhjetë në botë me ikjen e trurit; të ikësh prej një vendi me pozitë në Evropë, me dy dete, me pasuri dhe me bukuri natyrore, kjo është e dhimbshme; shqiptarët një ditë mund të ballafaqohen me vdekjen e bardhë, d.m.th. me shkallën e vdekshmërisë, më të madhe se të lindshmërisë, me mortalitet më të madh se nataliteti; 

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë.

Noli

– Aristokratët e politikës dhe të intelektualizmit, i kanë edhe shërbëtorët e vet. Këta janë analistët politikë, ekonomikë dhe socialë – që të gjithë mercenarë. Shërbëtorë janë edhe kalemxhinjtë që shkruajnë me porosi dhe që hiqen se po kritikojnë dikë apo diçka. Në shërbim të këtij dance macabre ku mjerimi migjenian pasqyrohet si një metarealitet, janë edhe një pjesë e madhe e mediumeve, e gazetave, e revistave, e studiove televizive, e të ashtuquajturave debate televizive, e portaleve. Në këtë ferr dantesk gjen gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, moderatorë, udhëheqës programesh, debatesh. Asnjëri nga sa më sipër nuk çanë kokën për shpopullimin e trojeve, që shpesh i quajnë ilire dhe arbërore. 

– Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave; kur i dobëti dhe i paafti del e bëhet udhëheqës dhe administrues, të aftit dhe të ndershmit s’i mbetet tjetër pos të marrë rrugët pa kthim të botës;  

– Me reality programe ku mbizotëron zbavitja e lehtë dhe amoraliteti, tregtarët e politikës kanë gjetur edhe mënyra për ta amortizuar pakënaqësinë e shoqërisë. Kaq larg nuk kanë shkuar as edhe perandorët e lashtësisë. 

– Pa një Shqipëri të konsoliduar, nuk mund të pritet përparimi i kombit shqiptar në Ballkan. Derisa shqiptarët merren me vetveten, armiku i tyre po forcohet. Derisa shqiptarët merren me mikrovlera, armiku i tyre ndërton makrosisteme.  

Prof. Xhelal Zejneli      

Filed Under: Opinion

TË SJELLËSH KOHË DHE TË PARALAJMËROSH…

December 27, 2021 by s p

– Në Kosovë del romani “Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit – 

C:\Users\User\Downloads\IMG_2565.jpg

“Botimet KOHA” sjell një roman të pazakontë, i nxjerrë nga e harruara, “Funerali i pafundmë”. Roman i shkruar nga Visar Zhiti për një funeral surreal që ngërthen metafora histroike, rrëfime tragjikomike, cinike e groteske, që të gjitha në funksin të luftimit të diktaturës nëpërmjet letërsisë. Me një stil jashtë të zakonshmes, Zhiti shkrin gjithë talentin lirik për ta sjellë një roman shumë të veçantë.”

Kështu shkruan në lajmin e vet enti “Botimet KOHA” në Prishtinë në publikimin që i bën romanit “Funerali i pafundmë” të shkrimtarit Visar Zhiti. Ky roman del në kohë pandemie dhe i bën jehonë të zymtë edhe pandemisë, por asaj ideologjike. Romani është një përballje letrare me dikaturat, cilatdo qofshin dhe ngado që mund të vijnë. 

Pas botimit të parë në Tiranë, nga “Omsca-1” 2003, romani u botua dhe në Itali me përkthim nga prof. Elio Miracco.

Më pas doli dhe në Rumani, me përkthim të Dr. Luan Topciut. Botimi i tij i dytë në vitin që shkoi, pati disa shtesa, me të cilat doli së fundmi në Prishtinë.

Ndërkaq romani është në process pune për botim dhe në gjuhë të tjera Kritika vendase dhe e huaj e sheh “Funeralin e pafundmë” si vepër postkafkiane dhe postmoderniste, Po rendisim disa pjesë prej tyre, nga shkrimtarë dhe kritikë letrarë.

Funerali i pafundmë.JPG


NJË RRËFIM PËR ECJEN NË ASKUND

Nga Aliu Aliu

Kritik arti, Kosovë


…eshte porosi dhe paralajmerim, eshte rrefimi per ecjen askund te nje kohe, te nje hapesire, te nje rrethi, te nje shoqerie, te nje kolektiviteti qe s’di prej ku eshte nisur dhe pse eshte nisur dhe, me tragjikja akoma, qe s’di per ku udheton ne formen e nje funerali, pse udheton dhe ke perciell. 

lexuesi ne fund pyet: pse gjithe ky trishtim, sikur te paskesh qene paluar neper shekuj, e per t’u shpaluar pastaj ne faqet e romanit “Funerali i pafundme”? 

Dhe na vjen vazhdimisht te pyetemi: c’eshte gjithe ky vizion tragjik, permasash apokaliptike? Enderr, parandjenje e paralajmerim, loje e imagjinates buze humnere, te imagjinates qe pluskon dhe deperton pertej te imagjinueshmes? 

Nga Dr Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit, Mbretëria e Bashkuar.

Po qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit “Funerali i Pafundmë”, nxitoni të gjeni nje kopje. Po qe se libri nuk ështe më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marr kohë, më shkruani që t’iu dërgoj kopjen time. Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Si çdo vepër me vlerë, ky roman ju ofron lexuesve nje trajtim terapik që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani. Si nje Froid letrar, Zhiti e drejton lexuesin me mjeshtëri, simpati, por disa herë edhe me insistim në turneun e vështirë nëpër labirinthet e errëta të koshiencës dhe subkoshiencës. Me Zhitin, letërsia shqiptare ka gjetur nje stil te ri rrëfimi që u përsos nga James Joyce dhe Virginia Woolf.

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, Funerali i Pafundmë është një arritje për letërsinë dhe kulturën shqiptare. 

NË ITALI

VALLE E ÇMENDUR FERRI

https://images-na.ssl-images-amazon.com/images/I/51yLT5y07HL._SX304_BO1,204,203,200_.jpg

Nga Prof. Elio Miracco

Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave : dhëmbja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftrave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një dënduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit.

Nga Davide Brullo 

Funeralin e pafundmё, roman i jashtzakonshёm, qё kashtis ankthin uajtnian tё kёngёs me marramёndjet e Mario Luzi-t  Nё fakt, romani-poemë nё 66 odat e tij kundёr – Nerude, ёshtё varrimi, 100 vjet mbas Revolucionit rus, tё “mendimit tё njёsuar” (nga ana tjetёr, “tё mendosh ndryshe tё ndёrlikohet jeta”), tё Shtetit si “varrmihёs”, tё diktatorit si proletariati i bashkuar (“Nё vdekjen e diktatorit mbretёron njё hije e rёndё nё tё gjithё Shtetin dhe njё angёshti, duket sikur ka vdekur edhe vendi. A do tё gjindet mё njё tjetёr shtypёs kaq i suksesёshёm ?”)

  Nё kёtё valle tё çmendur ferri megjithatё shpёrthen dashuria epshore (“ Qё njё ditё do tё vdisja, e dinja, por qё tё bёnja dashuri nё njё funeral, nuk m’a ka marrё mendja kurrё), madje nё “formё piramidale”. Megjithёse i prashitur nga pushteti, poeti gjithёnjё ulurin “po”-nё e tij mizore jetёs.

Nga Alessandro Zaccuri

Ёshtё njё valle e veçantё vdekёsore ajo qё poeti shqiptar  Visar Zhiti vё nё skenё nё kёtё Funeral tё pafundmё, i pёrkthyer mrekullisht nga Elio Miracco nё njё italishte qё ruan ashpёrsinё dhe guximin e sprovёs sё origjinalit: kapërcimet e papritura qё ngrenё krye nga njё kapitull nё tjetrin… qё pёrmblidhen nё epigrame… dhe rrokullisje dramatike, njё faqe e bardhё pёr tё lёnё tё kuptohet se pragu i tё pathёnёshmes ёshtё arritur.   

I konceptuar si alegoria e totalitarizmit, Funerali i pafundmё kthehet nё njё pёrsiatje mё tё gjёrё mbi gjёndjen njerёzore, ndёrmjet instiktit tё mbijetesёs dhe fatit tё pёrbashkёt : “Ne i pёrkasim tё gjithё vdekjes e mbi tё gjitha nё njё funeral”, shkruan Zhiti, duke bёrё tё depёrtojnё nё bashkёkohёsinё fjalёt e dashura tё Etёrve tё shkretёtirёs.

POROSI EVOLUTIVE ME VLERA UNIVERSALE

Nga Dr. Viktor Marko Solomon

Izrael

Funerali është një dekodifikim jashtëzakonisht simbolik i një procesi që fillon atje ku fillon edhe vetë historia e jetës dhe vazhdon, pambarimisht, i pasuruar me cilësitë, karakteristikat, vlerat dhe vetë domethënien e ekzistencës së saj. 

Vetëm një operacion i mirëkuruar ermeneutik në planin psiko-antropo-sociologjik mund të zbërthejë jo vetëm simbolikën e fuqishme prehomerike të Funeralit të Zhitit, por edhe pasurinë gjuhësore aq të favorizuar nga shqipja në të cilën romani është shkruar, 

Funerali surreal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit  Vetvete – Ego, që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike, që i japin njeriut të sotëm disa  përsigurime, por jo siguri të vërtetë.

NË RUMANI 

https://telegraf.al/wp-content/uploads/2021/10/03-3.jpg

NJË EVENIMENT KULTUROR

Nga Dr. Luan Topçiu

Romani „Funerali i pafundmë” popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin, dhe jo rroposje e beftë. Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion. Poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si “një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë”.

Nga Aurel Maria Baros

Libri i Visar Zhitit, “Funerali i pafundmë” është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie që i është nënshtruar “një marshi funebër” diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit te verbër, një histori përberë prej evenimentesh domethënëse, tragjike dhe tragji-komike, një metaforë e jashtëzakonshme e “turmës” e tërhequr në mënyrë obsesive ne një rrugë që nuk gjen fundin. 

Ne tekstin e Zhitit, siç sugjeruam më lart, bashkekzistojnë lumturisht, me domethënie te thella, sekuenca te tmerrit dhe poezisë se ndjeshme, komikja me absurdin, grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues. “Funerali i pafundmë” i autorit te talentuar dhe te thelle Visar Zhiti duke u publikuar në Rumani, përbën një eveniment te vërtetë kulturor.

         Nga Liviu Lungu

Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktoje lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë.

         Teksti, relativisht i shkurtër: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer…

Filed Under: Opinion

Dekomunistizimi: çfarë fshihet pas këtij termi?

December 26, 2021 by s p

PhD Artan Hoxha

Fundjava e sprasme e nëntorit 2021 që ishte e gjatë sepse përkonte me festën e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë nga ushtritë naziste u festua, të paktën në Tiranë, ashtu si zakonisht kalohen të gjitha festat. Baret, pub-et, birraritë, restorantet u mbushën plot me njerëz të të gjitha grupmoshave dhe paraja u derdh lum. Flirtet nuk munguan: vajzat joshnin me hiret femërore përmes dekolteve dhe minifundeve kurse djemtë, me mjekrat e stiluara dhe flokët me brilantinë ekspozonin muskujt dhe trupat e tyre të palestruar pas bluzave enkas të ngushta. Platformat instagram, facebook e tiktok shpërthyen nga imazhe të shumëllojshme. Duhet të kërkoje shumë mes këtyre pamjeve të mbushura me eros për të shquar ndonjë mesazh patriotik. Politika nuk dukej në horizontin e këtyre festave në një shoqëri që, ashtu si edhe në Europë e Amerikën e Veriut, është e përfshirë katërçipërisht në konsumerizmin dhe hendonizmin e epokës postindustriale. Këto ditë të shënuara të pedagogjisë patriotike dhe ritualit nacionalist, treguan se shoqëria shqiptare po depolitizohet gjithnjë e më shumë. Në pjesën më të madhe të tyre, shqiptarët janë të shqetësuar për të ardhura më të larta dhe për të zgjeruar mundësitë për të zbuluar dhe shpalosur potencialet e tyre; më shumë se sa tek e shkuara ata janë të përqendruar tek e tashmja dhe e ardhmja. Duket sikur thënia e Monteskjesë se “të lumtur janë ata që nuk kanë histori” gjen vend në Shqipërinë e sotme – e në shumë e shumë vende të tjera, gjithashtu – ku, edhe pse historia ka një peshë shumë të madhe mbi të tashmen, ajo gjithsesi zë një vend fare të papërfillshëm në mendjet e shumicës së njerëzve. Por historia, sidomos ajo komuniste, rëndon e shqetëson eksponentë të caktuar brenda forcave kryesore politike në vend dhe festat e 28-29 Nëntorit u dhanë atyre një mundësi të qarkullojnë sërish idetë e tyre. Një fantazmë po u fanitet shpirtrave të këtyre personazheve që lundrojnë mes politikës, medias dhe akademisë. Është fantazma e komunizmit dhe e Enver Hoxhës. 

U bënë disa javë tashmë, që një nga fjalët çelës të debatit mediatik është bërë çështja e dekomunistizimit. Bujar Çela, një deputet i Partisë Socialiste, figurë krejtësisht anonime e politikës shqiptare, gjeti mundësinë të bëhej i njohur duke uruar Ditën e Pavarësisë me një fotografi, ku krahas flamurit kombëtar qëndronte edhe portreti i Enver Hoxhës. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje Partinë Demokratike, që nëpërmjet nënkryetarit të saj kërkoi fillimin me urgjencë të dekomunistizimit. Në një deklaratë për shtyp, Enkelejd Alibeaj, theksoi se bashkë me nazizmin edhe komunizmi është i dënuar nga Bashkimi Europian. Që prej atij momenti, aktivistë të lidhur me forumet drejtuese të Partisë Demokratike në media dhe akademi, kanë nisur një fushatë të vërtetë kundër të kaluarës komuniste dhe kërkojnë edhe kalimin e një ligji mbi dekomunistizimin duke iu referuar në vijimësi një rezolute të Bashkimit Europian. Besoj se e kanë fjalën për rezolutën e 2 prillit të vitit 2009, që dënon të gjitha krimet e regjimeve naziste apo komuniste si dhe njeh se nazizmi, stalinizmi, regjimet komuniste dhe ato fashiste janë një trashëgimi e përbashkët europiane me të cilat, banorët e kontinentit duhet të ballafaqohen përmes një debati të ndershëm dhe konstruktiv. Pra, Europa nuk bashkohet vetëm nga rrënja e përbashkët qytetërimore greko-romake, kristiano-judaike dhe tradita intelektuale laike e iluminizmit – për të cilën ajo mburret – por edhe nga fatkeqësitë e mëdha që tronditën nga themelet arritjet e humanizmit europian.

Qysh prej 28 Nëntorit, debati në Shqipëri ka marrë një tjetër drejtim. Së pari, asnjë nga ata që bëjnë thirrje për dekomunistizim nuk arrijnë dot të përgjigjen se çfarë kuptojnë me këtë term. E po njëlloj, nuk dinë dhe nuk njohin rezolutën e 2 prillit të vitit 2009. Sipërmarrësit mediatikë e politikë që kërkojnë me forcë dekomunistizimin, nuk shprehen mbi dënimin e krimeve të regjimeve që ndiqnin ideologji ekstreme të majta e të djathta, si një reflektim mbi një të shkuar të përbashkët europiane, që nuk i dallon shqiptarët nga europianët e tjerë por i bashkon ata në një trashëgimi të përbashkët historike. Përpos kësaj, ligjërimi që ata përdorin është në shumicën e rasteve revanshist. Ndërsa kërkojnë vendosjen e drejtësisë, ata trumbetojnë për dënimin e krimeve të komunizmit me një gjuhë urrejtjeje. Por, nëse i referohemi sërish Bashkimit Europian, ky e dënon gjuhën e urrejtjes dhe anatemimin e kujtdo për shkak të besimit fetar apo ideologjik, orientimit seksual, gjinisë, racës, klasës, etj. Në fakt, regjimet komuniste dhe fashiste i kanë mbështetur programet e tyre politike mbi ideologji dhe mbi një fjalor, që ushqente urrejtjen për armikun, qoftë ai klasor apo racor. Ndërkaq, në këto dy javë, topat zbrazen kundër komunizmit duke keqinformuar publikun me dashje ose padashje, se kjo ideologji është e dënuar nga BE-ja. Sesi mund të jetë komunizmi i dënuar nga Bashkimi Europian në një kohë kur thuajse në të gjitha vendet e unionit ka parti komuniste dhe kampuset universitare janë të mbushura me marksistë, për këtë askush nga nismëtarët e dekomunistizimit nuk flet. Ndoshta edhe nuk janë të informuar, nuk i dihet. Padija, ashtu si edhe harresa, i bëjnë njerëzit të lumtur dhe i mbushin plot vetëbesim në atë që mendojnë se është kauza e tyre. Në sjellje, këta janë po njëlloj si edhe ata që dënojnë.

Madje, sipërmarrësit e djathtë të dekomunistizimitas nuk pranojnë, e madje e kundështojnë të skandalizuar faktin seKarl Marksi ka qenë një filozof humanist. Që nga ky pohim del qartë se as nuk e njohin dhe as nuk e kanë lexuar Marksin. Si antikomunistë, ata nuk e marrin mundimin ta lexojnë atin e komunizmit “shkencor”, sepse për ta ai është “largqofti” – tjetër çështje, pastaj, sesa janë në gjendje ta kuptojnë atë. Këtu nuk po bëj apologjetin e Marksit, të cilin kam më shumë se 20 vjet që e lexoj dhe sa më shumë i rikthehem, aq më shumë kuptoj se nuk mbështes idetë e tij, sidomos determinizmin e tij historik dhe mëtimin e historia udhëhiqej në rrugëtimin e saj nga një logjikë dhe ishte drejtuar drejt një destinacioni të pashmangshëm: shoqëria komuniste. Si vinte në dukje me mjaft mprehtësi Albert Kamy “sa më shumë njerëzit besojnë te historia, aq më shumë ata humbasin përgjegjësinë për jetët e qenieve njerëzore”. Por kjo nuk do të thotë se duhet të deklaroj se Marksi nuk ishte humanist apo, edhe më keq, ta shpall armik apo heretik. Filozofi i madh gjerman vijon të jetë një figurë qendrore e historisë së mendimit evropian dhe botëror dhe çdo intelektual i mirëfilltë angazhohet seriozisht me veprën e tij. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme të kujtonim Volterin, që në një rast i shkruante një oponenti të tij: “me ty nuk jam dakord dhe mendimet e tua nuk më pëlqejnë, por jam i gatshëm të luftoj deri në vdekje që ti të kesh të drejtën t’i shprehësh ato”.

Në fakt, mënyra se si flasin partizanët e dekomunistizimit të këtij fundiviti dhe sesi e ndërtojnë gjithë ligjërimin e tyre, të bën të kuptosh se ata janë po aq përjashtues, e po aq mohues ndaj “Tjetrit” sa edhe revolucionarët e tipit leninist. Më shumë sesa me ithtarët e lirisë, këta shëmbëllejnë me inkuizitorët. Kërkesave dhe akuzave të tyre u kundërpërgjigjen “specialistë”, “ekspertë”, “studiues” dhe politikanë të së majtës shqiptare apo të lidhur e në shërbim të saj. Në shtyp e televizion ata nisin e rendisin krimet e forcave antikomuniste gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por pa përmendur krimet që kanë kryer forcat komuniste dhe regjimi i PPSh-së gjatë dyzetë e pesë vjetëve të pushtetit të tij. Mos vallë duan të deligjitimojnë kërkesat e PD-së duke heshtur mbi krimet e PKSh-së dhe të PPSh-së? Kjo heshtje e tyre tregon se ata e legjitimojnë represionin dhe dhunën që ushtroi regjimi komunist mbi kategori të tëra shoqërore. Kështu, debati hyn në rrugë qorre dhe reflektimi i nevojshëm dhe klima e diskutimit prishet përfundimisht nga “profesionistët” e palicencuar të të dy krahëve të spektrit politik.

Edhe më shqetësuese janë kategoritë kolektive që përdorin në zhargonin e tyre “dekomunistizuesit” e këtij fundiviti. Repertori konceptual që ka si njësi analize grupin, në rastin konkret “komunistët” në numrin shumës, tregon se sa të pashkëputur janë ata nga tradita intelektuale e shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nga sa i njoh, ata janë të pavetëdijshëm për këtë fill që lidh mendimin e tyre më atë të një shekulli e ca më parë, kohë kjo kur u ngjiz komunizmi, nacionalizmi, eugjenizmi, racizmi shkencor dhe të gjitha ideologjitë që kërkesat e tyre, i artikulonin mbi bazën e të drejtave që i takonin grupit ose grupeve dhe jo individit. Ky i fundit humbiste në kategoritë e gjera sociale ku e vendosnin ideologjitë. Deri ne mesin e shekullit XX është folur për të drejta kombëtare, etnike e klasore. Po njëlloj ndodhte edhe me armikun, i cili identifikohej mbi bazën e disa cilësive që i mvisheshin grupit shoqëror ku ai bënte pjesë. Në Europë, situata do të ndryshonte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, që përkon me rritjen e skajshme të ndikimit amerikan në kontinentin e vjetër dhe kur në këtë të fundit do të depërtonte konceptimi individualist i të drejtave. Tanimë, do të flitej për të drejtat e njeriut dhe jo më të qytetarit, ky i fundit i kuptuar si një subjekt ekskluzivisht politik i angazhuar në jetën politike kombëtare. Individualizimi i të drejtave, i dha fund edhe asaj që është quajtur “tirani e qytetarit” dhe bashkë me të u depolitizua çështja e të drejtave, që i takonte ose i përkiste të gjithë njerëzve, pavarësisht statusit të tyre politik.

Në Shqipërinë e vitit 2021, ata që predikojnë “dekomunistizim” shkojnë në drejtim të kundërt me këtë prirje që ka më shumë se pesëdhjetë vjet që ka hedhur rrënjë në Europë dhe në segmente të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kodet gjuhësore dhe konceptuale që përdoren janë thellësisht kolektive. Në vend që ta trajtojnë problemin e regjimit komunist si një dukuri historike shqiptare dhe botërore, ata vënë në shënjestër kategori të caktuara sociale të cilat i godasin dhe kërkojnë t’i bëjnë përgjegjës me çdo kusht. Nuk flasin për reflektim por për ndëshkim, ose më mirë për ostracizim shoqëror. Historinë e shkruajnë si kanë qejf, shpesh duke e shitur veten si studiues, ndërkohë që nuk janë dhe nuk kanë asnjë formim për të bërë punë akademike serioze, të paktën jo për periudhën komuniste. Ndaj edhe kur e bëjnë këtë, e vënë në shërbim të agjendës së tyre apo edhe të promovimit të vetes. Kërkojnë të përdorin dekomunistizimin si mjet për të politizuar mjedisin gjithnjë e më të depolitizuar shqiptar dhe problemin e drejtësisë ndaj viktimave të komunizmit synojnë ta shndërrojnë nga një problem mbarëshoqëror, që kapërcen të majtën e të djathtën, në një instrument partiak.Në të vërtetë, depolitizimi i shoqërisë shqiptare që ne shohim sot, është tregues i zbehjes gjithmonë e më të madhe të trashëgimisë komuniste. Regjimi komunist donte të përshkonte çdo pore të shoqërisë dhe të kontrollonte çdo sferë të jetës përmes politizimit.Distancimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë shqiptare nga ky politizim dhe debatet që prodhojnë vazhdimisht partitë politike, përfaqësojnë një dekomunistizim spontan e të pakomanduar nga lart.

Në fakt, ata mëtojnë se Partia Demokratike ka të drejtën morale dhe historike të drejtojë dekomunistizimin, kjo me pretendimin se ish të përndjekurit janë elektorati historik i PD-së. E para, pohime të tilla tregojnë qartë se sipërmarrësit politikë dhe mediatikë që kërkojnë dekomunizstimizin, e shohin këtë proces ekskluzivisht si një nismë politike të një partie të vetme duke përjashtuar çdo formë dialogu pluralist që përfshin brenda saj edhe shoqërinë civile. E dyta, ata e rrudhin këtë proces vetëm tek drejtësia për ish të përndjekurit. Sipas këtij arsyetimi, PD ka akaparuar ish të përndjekurit dhe pa të djathtën ata janë jetimë, kurse e majta nuk i sheh si shtetas shqiptar që kanë të drejtën e tyre kushtetuese të dëmshpërblehen moralisht dhe materialisht për të gjitha vuajtjet e tmerrshme që kanë kaluar gjatë regjimit komunist. Nga ky moment, ky problem nuk i takon më shoqërisë dhe të gjithave forcave politike, por vetëm Partisë Demokratike.

Dekomunistizimi dhe monopolizimi i këtij procesi shndërrohet kështu në një mundësi për të fituar kapital politik dhe për të goditur kundërshtarin politik, në këtë rast PS-në, duke e etiketuar atë thjesht dhe vetëm si trashëgimtare të PPSh-së dhe jo si partinë kryesore të së majtës që përfaqëson një pjesë shumë të rëndësishme të elektoratit shqiptar. PS, sipas kësaj logjike, ka ndryshuar emër por jo përmbajtje. Në këtë mënyrë, duke e lidhur dekomunistizimin me rezolutën e vitit 2009 të BE-së dhe europianizimin, PD kërkon të delegjitimojë sa më shumë brenda dhe jashtë vendit PS-në. Përtej padijes dhe zellit të tyre për të ndjekur dhe asgjësuar fantazmën e Enver Hoxhës dhe të komunizmit, arsyeja pse ithtarët e dekomunistizimit flasin dhe përdorin kategori kolektive që vënë në thepin e shënjestrës së tyre grupime të tëra, kanë qëllime të qarta politike të ditës. Duke akuzuar PS-në e vitit 2021 si trashëgimtare të PPSh-së që kishte për ideologji udhëheqëse marksizëm-leninizmin dhe duke deklaruar komunizmin si ideologji të dënuar nga BE-ja, praktikisht kupola e PD-së dhe të gjithë ata që janë në shërbimin e saj, kërkojnë të delegjitimojnë forcën politike që ka pushtetin. Kjo është një nga nismat e shumta që tanimë janë bërë të modës në jetën politike shqiptare, ku opozita kërkon me çdo kusht të polarizojë gjendjen në vend dhe të delegjitimojë partinë që ka fituar zgjedhjet.

Prandaj edhe instrumentalizimi i “dekomunistizimit” ka për të qenë një flluskë sapuni për sa kohë udhëhiqet nga qëllime segmentare që nuk rrokin në gjithë gjerësinë e tyre mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkon distancim nga Enver Hoxha, ai nuk sqaron se çfarë do të thotë distancim dhe nëse distancimi është alternativa e duhur për të reflektuar mbi të shkuarën. Përpos kësaj, zëvendëskryetari i PD-së nuk kërkon reflektim dhe hetim të gjithë atyre që kanë kryer krime në këtë vend. Dhe krime nuk kanë kryer vetëm komunistët, por jo rrallë herë edhe ata që e quanin veten si antikomunistë, sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kur nismat e kësaj natyre, që kërkojnë përfshirje të gjerë, sidomos të shoqërisë civile, lindin nga nevoja politike të ditës dhe i përgjigjen interesit të ngushtë dhe të momentit të një partie të vetme, ato përgjithësisht veniten po aq shpejt sa edhe shfaqen.

Reflektimi mbi komunizmin dhe krimet e tij, kërkon pikësëpari të njohim se çfarë e mbajti aq gjatë atë regjim në këmbë. Në çfarë mënyrash dyzet e pesë vjetët e periudhës komuniste kanë farkëtuar modele që riprodhohen sidomos në kulturën politike dhe në korrupsionin e madh politik që ka përfshirë vendin? Cilat janë pasojat e shumta ekonomike, kulturore, shoqërore të atij regjimi? Si e kaluara komuniste rëndon mbi të sotmen? Kjo nuk mund të arrihet duke e nxirë atë periudhë dhe duke i adresuar asaj të gjitha problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria shqiptare. Ndryshe, do të përfundojmë si Hrushovi me destalinizmin. Duke i mveshur Stalinit të gjitha problemet e Bashkimit Sovjetik, Hrushovi e shfajësoi sistemin që kishte lejuar Stalinin të kryente krimet që bëri – dhe në realizimin e të cilave ishte përfshirë edhe vetë Hrushovi. Duke u marrë më fantazmën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës, e duke i cilësuar mbështetësit e diktatorit stalinist shqiptar si të këqij, nuk do arrijmë asgjë veçse do riprodhojmë, nën një petk tjetër, të njëjtin qëndrim të pakompromistë ndaj kundërshtarit, të cilin intrazigjenca e tipit leninist e shndërron në armik.

Shumë instruktive për këdo partizan të dekomunistizimit është domethënia e obeliksut të Nikita Hrushovit, bërë nga skulptori rus me prejardhje hebatike, Ernst Neizvjestni. Në vitin 1962, Neizvjestni pati një debat shumë të ashpër me Hrushovin. Udhëheqësi komunist e quajti artin bashkëkohor të skulptorit si të degjeneruar, akuzë kjo, të cilës ai iu përgjigj se Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të BRSS-së ishte thellësisht injorant në fushën e artit. Nuk ka nevojë të përshkruaj sesi u shpreh Hrushovi kundër Neizvjestnit. Gjithsesi, në vitin 1972, familjarët e Hrushovit, që kishte vdekur një vit më parë, i kërkuan të bënte qivurin e ish-liderit sovjetik. Neizvjestni pranoi. Obelisku përbëhet nga blloqe graniti të bardhë e të zi, të cilët janë të ngërthyer në pika të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke përdorur një konceptim dikotomik dhe kundërvënien midis dy ngjyrave të kundërta, Neizvjestni përmes kësaj vepre vinte në dukje pikërisht kontradiktat e shumta brenda të cilave ishte kapur Hrushovi. Me qëllime reformatore dhe besimtar i utopisë komuniste, i vendosur të shkëpuste vendin nga trashëgimia staliniste, liberalizues i jetës ekonomike dhe sociale, ai në fund shtypi me tanke lëvizjen hungareze të vitit 1956, ndaloi lirinë artistike ku ishte vetë nismëtar, vijoi përndjekjen fetare me të njëjtin zell si Stalini dhe ekonominë e lejoi të qëndronte e mbërthyer në duart e planifikuesve qendror në Moskë. Përballja mes idealeve dhe realitetit, ndeshja me trashëgiminë staliniste që e kishte formësuar edhe atë vetë, bilanci pozitiv dhe negativ, e bënin Hrushovin një figurë tejet komplekse, gjë që Neizvjestni e shprehu edhe në veprën e tij. Përmes artit të tij dhe gjuhës së ngjyrave të granitit, skulptori i talentuar rus, mblodhi në një monument të vetëm historinë e Hrushovit si njeri dhe të vendit ku ai jetoi dhe drejtoi.

Ndoshta, qivuri i ish-liderit komunist mund të na tregojë shumë më tepër sesi t’i qasemi të shkuarës, pa mllef, por të etur për të kuptuar dhe mësuar sa më shumë prej saj, duke respektuar viktimat por duke bërë kujdes se si të identifikohen xhelatët. Mbi të gjitha, të mos e pikturojmë komunizmin si një distopi tmerri. Duhet kuptuar pse pati mbështetje, sepse gjurmimi i legjitimitetit dhe humbjes së tij nga regjimi komunist, na ndihmojnë më shumë për të kuptuar sesi struktura e pushtetit ndërlidhet me shoqërinë dhe sesi këto përshtaten në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën. Kjo do kohë dhe punë. Në pikturën e tij të njohur “E vërteta, koha dhe historia”, piktori spanjoll Fransisko Goja e portretizonte “kohën” si një burrë me krahë engjëlli që mbante nga dora dhe ndihmonte të “vërtetën”, të portretizuar si një grua, të qëndronte në këmbë. Poshtë tyre, e personifikuar si një vashë thuajse e zhveshur dhe e ulur mbi një shkëmb, qëndronte “historia”, e cila regjistronte ngjarjet, gjë që nënkuptonte se me kohën del e vërteta. Goja ishte bir i kohës së tij dhe besonte plotësisht tek e vërteta. Sot jetojmë në epokën e post-modernitetit dhe siguritë e mëdha të iluminizmit janë tronditur shumë rëndë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga diktaturat e egra të shekullit XX. Unë nuk e kam më besimin e Gojas për arritjen e të vërtetës, sikundër jam shumë skeptik në objektivitetin e historisë apo në emërtimin e saj si shkencë. Gjithsesi, “E vërteta, koha dhe historia” zbut pesimizmin intelektual të kohës që jetojmë dhe tregon se me kohë, nëse e kaluara studiohet për sa më shumë të jetë e mundur, e zhveshur nga qëllimet sektare – si edhe vasha që personifikon historinë – atëherë do të jetë e mundur të zbërthejmë më mirë të shkuarën tonë dhe përmes saj të kuptojmë se ku jemi e ku duam të shkojmë. 

Filed Under: Opinion

ARKIVI APOSTOLIK I VATIKANIT (ARCHIVIO APOSTOLICO VATICANO) SI BURIM I PASHTERSHËM PËR HISTORINË E SHQIPTARËVE

December 26, 2021 by s p

Dr. Etleva LALA

Eötvös Loránd Tudományegyetem (Universiteti ELTE)

Programi i Albanologjisë, Budapest, Hungary

Më 29 nëntor 2021, të gjithë studiuesit e Arkivit Sekret të Vatikanit u njoftuan nga prefekti Sergio Pagano nëpërmjet Newsletter No. 1 të datës 23/11/2021, [1] për ndryshimin e emrit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për gjithë studiuesit e botës: Archivio Apostolico Vaticano do të jetë emri i ri i Arkivit Sekret të Vatikanit. Në vend të emrit që ky arkiv ka mbajtur deri më sot. Ndryshimi i emrit, i bërë nga papa Françesku në një motu propiotë titulluar “The Historical Experience,” të datës 22 tetor 2019 dhe që u botua në L’Osservatore Romano, 28-29 të vitit 2019.

Arkiv Apostolik nuk është një emër krejt i ri apo i pazakontë për këtë institucion, thuhet ndër të tjera në këtë dokument, sepse që në shekullin e shtatëmbëdhjetë arkivat papnorë shpesh quheshin edhe sekret edhe apostolikë (secretum et apostolicum) dhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë njiheshin po kështu: Archivum Secretum Apostolicum Vaticanum. Duke qenë se mbiemri sekretkrijon shpesh keqkuptime në gjuhët moderne, duke nënkuptuar më shumë sekrete të fshehura, sesa dokumente private, që është edhe kuptimi i fjalës secretum në latinisht, u mendua që duke i hequr këtë atribut, d.m.th. fjalën ‘sekret’ këtij institucioni me rëndësi dhe duke e quajtur atë thjesht Arkiv Apostolik të Vatikanit, do të kthehet më shumë në origjinë karakteri i këtij arkivi, d.m.th. arkiv privat i Papës, që i përket vetëm atij, ekskluzivisht, dhe qeverisë së tij.

Sigurisht që në fillim ky ndryshim emri u prit me nostalgji, thuhet në Newsletter, sepse në fund të fundit, termi i vjetër secretum përfshinte një farë joshje për studiuesit, por pastaj të gjithë e kuptuan që duke e hequr këtë epitet, mund të largohet edhe romanticizmi që e rrethon këtë arkiv dhe pasuritë e tij, sidomos nga ata që nuk kanë qenë kurrë në këtë arkiv. Në vazhdim të raportit dhe të idesë që ky arkiv nuk ka sekrete, por vetëm materiale private, flitet edhe për pasuritë e këtij arkivi që janë të hapura për studiuesit që nga marsi i vitit 2020 dhe që janë fondet e pahapura më parë të papës Pacelli: 73 arkivë të nunciaturave pontifike, 15 seri të Sekretariatit të Shtetit, 21 fonde arkivore të Kongregacionit roman dhe të zyrave kuriale dhe palatine, 3 fonde të qytet-shtetit të Vatikanit si dhe 8 fonde të tjera. Të gjitha së bashku janë 120 arkivë dhe fonde arkivore që përmbajnë 20.000 njësi arkivore të reja të panjohura e të pastudiuara para marsit të vitit 2020.

Po sa i pasur është Arkivi Sekret i Vatikanit në të vërtetë?

Që nga kohët më të lashta, Selia e Shenjtë ka ruajtur me kujdes të madh në “scrinium” [2] ose “chartarum”, dorëshkrimet e Biblës dhe të librave të tjera fetare, dokumentet e rëndësishme siç janë “Acta Sanctorum” dhe letrat e dërguara e të pranuara. Scrinium kishte rol të dyfishtë gjatë shekujve, sepse ishte njëkohësisht arkiv dhe bibliotekë e papës dhe e Selisë së Shenjtë, e cila e shoqëronte papën dhe suitën e tij, kudo që ai shkonte, pra edhe në selitë e ndryshme papnore të cilat kanë qenë të shumta gjatë shekujve.

Deri në vitin 649, kjo pjesë e “memories” së Selisë së Shenjtë ishte e vendosur në pallatin e Lateranit në Romë [3], të cilin papët e kishin në të shumtën e rasteve seli të tyre. Scrinium i besohej për ruajtje personelit papnor që përpilonte “letrat papnore”, i transkriptonte ato në regjistra të veçantë dhe pastaj ua dërgonte të adresuarve. Këta persona ishin “notari” ose “scriniari” [4] të drejtuar nga “primicerius [5] notariorum”. Aty nga fundi i shek. X dhe fillimi i shek. XI, e tërë kjo lëndë arkivore vendoset në një seli të re, në kodrat Palatine, afër harkut të Titus-it, në forumin Romak [6], për shkak të rëndësisë që kishte.

Duke pasur parasysh që “çdo arkiv ka identitetin e tij, dhe nuk mund dhe as nuk duhet krahasuar me të tjerët” [7], historia e arkivit përkatës dhe e fondeve të tij ndihmon gjithmonë për të kuptuar historinë e dokumenteve që ruhen në këtë arkiv. Arkivi Sekret i Vatikanit [8] duket se është paksa më i vështirë për t’u përshkruar në mënyrë të kuptueshme për lexuesit dhe studiuesit apo të interesuarit që duan të dinë për të, për shkak të vëllimit dhe shumëllojshmërisë së dokumenteve, të dorëshkrimeve, të librave të botuar e të pabotuar dhe të thesareve të tjera që përmban ky arkiv. Janë shkruar libra të tëra me udhëzime dhe studime me qëllimin e mirë që të mund të ndihmojnë sadopak për të gjetur “fillin e Ariadnës” në labirintin e këtij arkivi, por gjithmonë e më tepër vetë filli i Ariadnës vazhdon të mbetet një “sekret” edhe për studiuesit me shumë përvojë, të cilët kanë kaluar një jetë të tërë duke bërë studime, gjurmime dhe hulumtime për vetë natyrën e tij.

Në fillim, Kuria Romane përdorte një lloj papirusi [9] jo shumë cilësor, [10] i cili nuk arrinte t’i përballonte kohës, prandaj deri në mesin e shek. XI, dokumentet origjinale, dorëshkrimet dhe materialë të tjetër nga arkivi i papëve na është ruajtur fare pak. Në mesin e shek. XI letërkëmbimi dhe dokumentacioni i rregullt i kancelarisë papnore filloi të shkruhej në pergamenë cilësore. Edhe regjistrat më të vjetër papnorë ishin shkruar në papirus, siç dëshmon edhe Johannes Diaconus, [11] ku bëjnë pjesë edhe regjistrat e papa Gregorit I [590-604], që ende shkruheshin në “role” papirusi në vitin 880. Dokumenti i fundit i shkruar në papirus, i ruajtur në origjinal, është nga viti 1057. [12]

Nuk ishte vetëm materiali i përdorur për shkrim shkaku kryesor i materialit të pakët që është ruajtur. Edhe pas futjes në përdorim të pergamenës, nga shekujt e parë na janë ruajtur shumë pak dokumente origjinale dhe kjo për shkak të luftërave të shpeshta dhe të shumta, siç ishte edhe plaçkitja e Romës në vitin 1084 nga Robert Guiskardi. Megjithatë, ekzistojnë mendime se një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të ndryshme në pergamenë, së bashku me regjistrat papnorë, ishin të njohura, qoftë edhe në mënyrë fragmentare, nga studiuesit dhe historianët e asaj kohe, deri në shek. XVI. [13] Një gjë e tillë mund të dëshmohet nga kodiku në dorëshkrim në Bibliotekën Nacionale të Parisit, Mss. Lat. 5204, ku ruhen dy letra të papës Urbani II [1088-1099] si dhe nga kronika e ipeshkvit të Sienës, autor i së cilës është Urban Reversey [14] në vitet 1557-1558. Në British Museum të Londrës ruhet, gjithashtu, një kodik në dorëshkrim në të cilin gjenden regjistrat e papëve të hershëm si Gelasi I [492-496], Pelagi I [556-561], Leoni IV [847-855], Stefani V [885-891] dhe të papës Aleksandër II [1061-1073].

Gjendja e arkivit papnor ndryshoi shumë gjatë pontifikatit të papës Inocent III [1198-1216], i cili mblodhi në Vatikan [15] zyrat më të rëndësishme të Kurisë: kancelarinë (Cancelleria)dhe dhomën apostolike (CameraApostolica). [16]Si rezultat, edhe njerëzit e letrave si kamerlani (Camerlengo) dhe kancelari (Cancelliere) filluan të qendronin në Vatikan. Arkivi që tashmë konsiderohej si thesari i papës dhe i kishës romake u transferua gjithashtu në Vatikan, sepse i mbrojtur nga muri Leonina, Vatikani ishte vendi më i sigurt për kohën. Në këtë thesar bënin pjesë dokumentet në papirus dhe në pergamenë si regjistrat e kancelarisë, kodikë të shumtë, trasta me monedha floriri e argjendi dhe objekte të tjera të çmuara.

Megjithatë, është shumë e vështirë të përcaktohet me saktësi se çfarë fondesh dhe vëllimesh kishte Arkivi i Selisë së Shenjtë para pontifikatit të papës Inocent III, sepse gjatë shek. XII-XIII, ky arkiv ka pësuar humbje të konsideruara dhe të shpeshta. Nga vetë pontifikati i këtij pape, sot, në ASV, ruhen vetëm 5 vëllime [17] në fondinRegistri Vaticani. [18]

Një arsye e rëndësishme për humbjen dhe shkatërrimin e arkivit janë lëvizjet e shpeshta të selisë papnore. Inocenti IV [1243-1254] mori me vete një pjesë të konsiderueshme të arkivit papnor, kur shkoi në Koncilin e Lionit (1245) [19] dhe më vonë ua besoi atë për ruajtje etërve të kuvendit të Klunit, që ishte më i madhi dhe më i rëndësishme në atë kohë.[20] Më vonë, këtë arkiv bashkë me papën dhe me kurinë e gjejmë në Viterbo [21] dhe me Bonifacin VIII [1294-1303] në Ananji (Anagni), ku edhe sot e kësaj dite kanë mbetur disa gjurmë të arkivit papnor. Një transferim tjetër u bë me papën Benedikt XI [1303-1304] në Perugia [22], ku qëndroi për rreth 10 vjet, dhe ku në vitin 1314 u plaçkit nga Gibelinët e Toskanës. [23] Gjatë kësaj kohe, një pjesë e arkivit u vendos në Lucca. [24]

Arkivi u nda në dy pjesë në kohën e skizmës: pjesa më e vogël u dërgua në Francë, në Carpentras [25] dhe tjetra në Assisi, në sakrestinë e bazilikës françeskane. Në këtë të fundit, ai pësoi edhe dy plaçkitje të rënda në vitet 1319 dhe 1320, [26] në kohën e papës Klementi V. Pjesa e arkivit e vendosur në Assisi, që u shpëtoi vjedhjeve e shkatërrimeve, qëndroi aty deri në vitin 1339. [27] Në kohën e papës Benedikt XII [1334-1342], në mes viteve 1339-1342, kjo pjesë e fundit e arkivit papnor, arriti përfundimisht në Avinjon, ku papët kishin bërë rezidencën e tyre që nga viti 1309. [28] Është e tepërt të përmenden këtu dëmet e shkaktuara nga këto transferime të shpeshta, që vazhduan jo vetëm me kthimin e papëve nga Avinjoni [29] në Romë, [30] por edhe nga vetë skizma e madhe perëndimore, ku dokumente papnore lëshonin jo vetëm papët, por edhe antipapët.

Arkivit papnor që u formua në Avinjon iu bashkua edhe pjesa që ishte përqendruar tashmë në Carpentras dhe ajo që vinte nga Assisi. Në vitin 1377, papa Gregori XI [1370-1378] u kthye në selinë romake dhe pas vdekjes së tij filloi një skizmë akoma më e thellë papnore që do ta dëmtonte sërish arkivin papnor. Papa Urbani VI [1378-1389] që u zgjodh pas vdekjes së papa Gregorit XI nuk u njoh nga disa kardinalë që zgjodhën si antipapë Klementin VII [1378-1394]. Ky i fundit u kthye sërish në Avinjon për ta bërë atje rezidencën e tij. Në Avinjon gjendej akoma arkivi papnor që filloi të rritej me dokumentacionin e përditshëm të kurisë së antipapës dhe të pasardhësit të tij, papa Benediktit XIII [1394-1424]. Ndërkohë, në Romë, me aktivitetin e papa Urbanit VI dhe të pasardhësve të tij, papa Bonifacit IX [1389-1404], Inocentit VII [1404-1406] dhe Gregorit XII [1406-1415], lindi dhe u zhvillua një tjetër nukleus arkivor.

Gjendje e keqe e arkivit u përkeqësua akoma më shumë me Koncilin e Pizës në vitin 1409, [31] koncil ky i thirrur për të zgjidhur skizmën, por që në fakt zgjodhi dhe një antipapë të dytë, Alexandrin V [1409-1410], i cili vdiq pak kohë më vonë. Në vend të tij u zgjodh papa Gjoni XXIII [1410-1415]. Si rrjedhojë, kemi tre papë, secili me kurinë e tij dhe me arkivin e tij: [32] njëri në Romë, tjetri në Avinjon dhe i treti në Pizë. Kjo ndarje sigurisht që u reflektua jo veëtm në të gjithë krishterimin perëndimor duke filluar që nga kardinalët, kleri e deri te besimtarët e thjeshtë, por edhe në arkiva. Kjo gjendje skizmatike përfundoi me zgjedhjen e papa Martinit V [1417-1431] në Koncilin e Kostancës, [33] i cili u kthye në Romë [34] gjashtë muaj pas zgjedhjes së tij. Që nga kjo kohë Kuria Papnore rifilloi aktivitetin e saj normal me zyrat dhe tribunalet e saj (Cancelleria, Camera, Penitenzieria etj.) filluan unifikimi i materialit arkivor, megjithëse nuk dihet me siguri sesa material dokumentar solli me vete papa Martini V.

Papa Siksti IV [1471-1484] themeloi Bibliotekën e Vatikanit. “Bibliotheca Secreta” [35] quhej në fillim ai sektor i veçantë që nënkuptonte arkivin. Këtu ruheshin regjistrat më të vjetër të letrave papnore, ndërkohë që materiali tjetër i çmueshëm dokumentar, si diplomat e sovranëve dhe privilegjet e kishës romake ruheshin në kështjellën e Sant’ Angelo, [36] me të cilën biblioteka lidhej me korridore të posaçme që quheshin il Passeto di Borgo. Domosdoshmëria për një arkiv qendror të Selisë së Shenjtë u bë gjithmonë e më e madhe me kalimin e kohës. Papa Siksti IV dhe pasardhësit e tij, sidomos papa Iuli II [1503-1513] dhe Leoni X [1513-1521], bënë shumë përpjekje për ta krijuar por kthesa u bë nga papa Piu IV [1559-1565], [37] i cili bazuar në arkivistikën e re të kohës së tij, që kishte filluar si në planin civil ashtu edhe në atë kishtar, hodhi idenë që arkivi kishtar qendror, i konceptuar në mënyrë moderne, të gjendej në pallatin apostolik në Vatikan. [38] Megjithatë, duke dashur që të përfshinte gjithçka në këtë arkiv, ideja e këtij pape ishte shumë e gjerë dhe gati utopike për t’u realizuar kështu që nuk u arrit të zbatohej në praktikë.

Papa Piu V [1566-1572] ishte po kaq i interesuar për arkivin sa edhe paraardhësi i tij, por i zënë me luftën kundër turqve nuk dha mjetet financiare të nevojshme për këtë qëllim. Meritë e tij, sidoqoftë, është fakti që urdhëroi inventarizimin e arkivit pontifik dhe u interesua shumë për të kthyer dokumentet që gjendeshin në Avinjon. Së fundi, lëshoi edhe një edikt për të inspektuar në dyqanet e tregtarëve romakë për letrat që ata përdornin, sepse tregtarët përdornin letra të arkivave kishtare për të mbështjellë produktet e tyre. [39] Gregori XIII [1572-1585] ka meritën e kthimit të dokumentacionit nga arkivi papnor i Anagni-t dhe të Liegi-t, ku gjithashtu gjendej një pjesë e arkivit, e transportuar atje nga sekretari i papa Adrianit VI [1522-1523].

Papa Siksti V [1585-1590], që në fillimet e pontifikatit të tij, iu vu punës për të realizuar idenë e një arkivi qendror. Me një motu proprio që daton nga 29 prill 1587 [40], papa urdhëroi të gjithë ipeshkvët dhe superiorët e urdhrave dhe të kongregacioneve fetare të Italisë që të inventarizoheshin të gjitha pasuritë dhe shkrimet që posedonin. Përveç kësaj, papa urdhëroi që materiali dokumentar të transportohej në arkivin e Dhomës Apostolike, duke vënë në dispozicion edhe dy dhoma të mëdha për këtë arkiv, që tashmë ishte i bashkuar me bibliotekën, në ndërtesën e destinuar për këtë të fundit.

Një rëndësi të madhe për formimin e arkivit qendror luajti edhe papa Klementi VIII [1592-1605], i cili e pasuroi me diploma të çmuara fondin e pergamenave antike, të krijuar nga papa Siksti IV në kështjellën e Sant’Angelos. Kjo depozitë arkivore u transformua në një arkiv të vërtetë, me emrin Archivum Arcis Sancti Angeli. [41]

Me papa Palin V ishin pjekur kushtet për të zgjidhur problemin e arkivit papnor. Pa mbushur akoma një vit nga zgjedhja e tij si papë, Pali V, lëshoi një breve, [42] më 25 janar të vitit 1606, [43] me anë të së cilës urdhëroi që të gjitha shkrimet e Selisë së Shenjtë dhe të Dhomës apostolike që posedoheshin nga persona të ndryshëm, të dorëzoheshin brenda pesë ditëve tek i dërguari i Dhomës Apostolike ose te kustodët e Bibliotekës Apostolike apo të Arkivit të kështjellës së Sant’Angelo-s. Dënimi për mosbindje ishte maksimal: shkishërim.

Vendimi i papa Palit V për të krijuar një arkiv qendror unik të Kishës, [44] zbulohet në dy dokumente autografe të këtij pape, respektivisht të viteve 1611 dhe 1612. [45] Për sa i përket transferimit të materialeve arkivore dhe në veçanti nga një breve e lëshuar më 31 janar 1612, me titull “Cum nuper,” [46] papa urdhëroi të transferoheshin librat dhe dokumentet nga arkivi i vjetër në arkivin e ri të ngritur në Pallatin Apostolik. Si kustos i arkivit emërohet Bartolomeo Ansidei. [47] Arkivi modern i Selisë së Shenjtë lindi, pra, me iniciativën e papa Palit V, rreth vitit 1610, edhe pse siç e pamë, historia e këtij arkivi i ka rrënjët thellë në kohë dhe është e lidhur me origjinën, natyrën, aktivitetin dhe zhvillimin e vetë Kishës Romane.

Pasi papa Pali V urdhëroi transferimin në tri salla të Biblioteca Segreta (të ashtuquajturat SalePaoline) të regjistrave të bulave, të breveve, të librave të Camera-s, të koleksionit të dokumenteve deri te pontifikati i papa Pius V, lindi një arkiv i ri “pro privata Romanorum pontificium commoditate” (për komoditetin privat të papëve romanë) “ad publicam studiorum utilitatem” (për përdorimin publik të studimeve) me një total prej pak më shumë se tre mijë zërash, [48] pjesa më e rëndësishme e të cilit përbëhej nga regjistrat e bulave që prej papa Inocentit III e në vazhdim (Registra Vaticana). Ky kompleks dokumentar merr emrin që e mbajti deri në nëntor të vitit 2021: Archivio Segreto Vaticano.

Në rrjedhën e shek. XVII, arkivi pati një rritje të konsiderueshme, sidomos me papa Urbanin VIII [1623-1644] dhe me papa Aleksandrin VII [1655-1667]. Nën pontifikatin e Urbanit VIIIhynë në këtë arkiv bulat e papa Sikstit IV dhe Piut V, letrat e sekretarisë së breveve që prej papa Aleksandrit VI dhe Piut V, dokumentacioni i pasur që gjendej në Armaria XXXIX-XLV, librat e Dhomës Apostolike që vinin nga Avinjoni, ku kishin mbetur pas përfundimit të skizmës dhe dokumentet e Koncilit të Trentit. Papa Aleksandri VII vuri në dispozicion të dokumenteve diplomatike të Sekretarisë së Shtetit një kat të posaçëm të pallatit të Vatikanit.

Në gjysmën e parë të shek. XVIII, gjatë prefekturës së Pietro Donnino de Pretis [49] dhe Filippo Ronconit, dokumentet e ruajtura në arkiv morën sistemimin e parë që është ruajtur deri më sot. Nga viti 1751 deri në vitin 1772 historia e arkivit dominohet nga figura e Giuseppe Garampit, i njohur sidomos për skedarin e tij të famshëm që mori edhe emrin e tij. Ai arriti që t’i shtonte arkivit shumë material arkivor të mbledhur andej-këndej, si p.sh. fondin Albani [50], Carpegna, Pio, si dhe 1300 libra të Dhomës Apostolike. Atij i takon edhe merita për bashkimin de jure të dy arkivave ekzistuese deri në atë kohë: Arkivin Sekret të Vatikanit dhe atë të kështjellës së Sant’ Angelo-s.

Në vitin 1783 u transportua në Vatikan edhe ajo pjesë që kishte mbetur në Avinjon, ndër të tjera edhe seria e bulave papnore e njohur me emrin Registra Avenionensia. Në vitin 1798 [51] u transferua praktikisht materiali që gjendej në arkivin e kështjellës së Sant’ Angelo-s, që përmbante ndër të tjera mbi 810 dokumente me vula të arta. Në vitin 1810, arkivat e Selisë së Shenjtë u transferuan me urdhër të Napoleonit në Paris, nga ku u kthyen me shumë humbje në vitet 1815-1817 [52].

Pas marrjes së Romës nga italianët në vitin 1870, komplekset dokumentare që ruheshin në ndërtesa jashtë murit të Vatikanit u nacionalizuan nga shteti i sapolindur italian, duke themeluar kështu nukleusin qendror të Archivio di Stato di Roma. Në vitet 1880 [53]-1881, me iniciativën e papa Leonit XIII [54], Arkivi Sekret i Vatikanit u hap për konsultim të lirë të studiuesve, [55] duke u kthyer kështu në një ndër qendrat më të rëndësishme në botë për kërkime [56] dhe studime historiografike të shumë fushave të ndryshme. [57]

Në vitin 1892 ,[58]në Arkivin e Vatikanit u transferua nga Pallati Lateranens një pjesë e madhe e arkivit të Dataria Apostolicame regjistrat e bulave të kancelarisë që prej vitit 1389 (Registra Lateranensia, dhe Archivum Bullarum antik) si dhe regjistrat e suplikave që prej vitit 1417. Në shek. XX, përveç pjesës moderne të arkivit të Sekretarisë së Shtetit, kanë ardhur edhe arkivat e Segreteria dei Brevi, [59] të S. Romana Rota, të kongregacioneve të ndryshme (Concistoriale, dei Vescovi e Regolari, dei Sacramenti, dei Riti, del Concilio etj.), të Pallatit Apostolik, të Concilio Vaticano I, të nunciaturave të ndryshme (duke filluar që prej vitit 1971), si dhe të disa familjeve fisnike romake të lidhura me historinë e Selisë së Shenjtë (Beni, Borghese, Buoncompagni, Santini, Finy, Cybo, Benincasa, Pasolini-Zanelli, Mecacci, Patrizi-Montoro; Della Valle-Del Bufalo, Rospigliosi, Ruspoli, Marescotti, Montoro, Spada etj.) [60]. Në vitin 2000 hyri në ASV i gjithë materiali arkivor i Concilio Vaticano II, i hapur për studiuesit me vullnetin e papës Paulus VI, dhe në 2020, materiali që u përmend në fillim të këtij shkrimi.

Deri nëvitin 1881, ASV ishte arkivi tipit të mbyllur dhe nuk shfrytëzohej nga studiuesit. Kështu atributi “sekret” vërtet, në një kohë ka përfaqësuar një të vërtetë, sepse një numër shumë i kufizuar studiuesish kanë mundur të shfrytëzojnë dokumente të veçanta, ose në të shumtën e rasteve vetëm përshkrimin e dokumenteve të përgatitur në mënyrë të veçantë për ta nga ana e punonjësve të arkivit. Në të vërtetë, atributi “sekret” [61] vlen ende për një pjesë e këtij arkivi, veçanërisht për disa fonde nga mesjeta dhe ato më bashkëkohoret, pas 22 janarit 1922, sepse lënda arkivore, pas këtij viti, nuk mund të shfrytëzohet për studime dhe kërkimesh kencore, pa lejen e posaçme të papës.

Nëse shikojmë historikisht “hapjen” e fondeve të ASV për studiues, do të dukej përafërsisht kështu: papa Leoni XIII u lejoi studiuesve dhe kërkuesve të bëjnë studime në ASV [62] deri në vitin 1815, [63] përkatësisht deri në kohën e Kongresit të Vjenës, megjithatë sipas një letre të prof. Hubert Bastgen, të vitit 1921, rezulton që dokumentacioni i ASV ishte në konsultim deri në vitin 1830 [64] ndërsa papa Piun XI [1922-1939] [65] e shtyu këtë kufi kohor deri në përfundimin e pontifikatit të papës Gregorius XVI [1831-1846], viti 1846. [66]

Papa Pali VI [1963-1978], me vendimin e tij të datës 22 dhjetor 1966, [67] lejoi që të konsultohen fondet e ASV me dokumente, dorëshkrime dhe lëndë tjetër deri në përfundim të pontifikatit të papa Piut IX [1846-1878], përkatësisht vitit 1878, dhe përfundimisht papa Gjoni Pali II [1972-2005], gjatë pontifikatit të tij, dy herë shtyn kufirin kohor: herën e parë, më 22 dhjetor 1978, [68] lejoi të konsultohen fondet e ASV deri në përfundim të pontifikatit të papa Leoni XIII, përkatësisht viti 1903; dhe herën e dytë, më 20 gusht 1985, [69] hap fondet e ASV për studiues deri në përfundim të pontifikatit të papa Benediktit XV, përkatësisht më 22 janar 1922 [70] dhe, përfundimisht, më 22 janar 1998 [71] u hap edhe “Archivio Sacra Congregationis Romanae et Universalis Inquisitionis Sancti Ufficii – sot: Dottrina della Fede,” i cili gjatë shekujve ka qenë njëri ndër arkivat më intrigues dhe më të përfolur të Vatikanit. [72]

Ky arkiv si dhe disa të tjerë, tërë lëndën arkivore të krijuar gjatë shekujve, e ruan në ambientet e tij dhe nuk e ka dorëzuar në ASV. Të tilla arkiva janë edhe “Archivio della Sacra Congregatione de Propaganda Fide; Archivio del S. Uffizio; Archivio della Prefettura delle Cerimonie Apostoliche, Archivio della Congregazione degli Affari Ecclesiastici Straordinari; Archivio del Buon Governo; Congregazioni dei Seminari e degli Studi; Archivio della Penitentieria.” [73] Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e fondeve janë të hapura për studime dhe kërkime shkencore, në ASV ka ende fonde të cilat nuk mund t’i shfrytëzojnë studiuesit pa leje të veçantë. [74]

Gjatë gjithë historisë së AAV (dikur ASV), që nga themelimi e deri më sot, këtë institucion e kanë drejtuar këta prefektë, emrat e disa prej të cilëve janë të famshëm edhe për serinë e botimeve shumë të rëndësishme me dokumente:

  1. Michele Lonigo [1610-1617];
  2. Baldassare Ansidei [1612-1614, së bashku me Michele Lonigo];
  3. Nicolò Alemanni [1614-1626];
  4. Felice Contelori [1626-1644]
  5. Costanzo Centofiorini [1644-1656];
  6. Domenico Salvetti [1656-1665];
  7. Francesco Ravizza [1665-1675];
  8. Pier Francesco de Rossi [1670-1675];
  9. Giuseppe Vallemani [1675-1676];
  10. Giovanni Bissaiga [1676-1691];
  11. Tommaso de Juliis [1691-1712];
  12. Giacomo Antonio de Pretis [1712-1727];
  13. Pietro Donnino de Pretis [1727-1741];
  14. Filippo Antonio Ronconi [1741-1750];
  15. Giuseppe Garampi [1751-1772];
  16. Mario Zampini [1772-1782];
  17. Callisto Marini [1782-1822 dhe1815 e 1822së bashku me Marino Marini];
  18. Gaetano Marini [1782-1815];
  19. Carlo Altieri [1809-1815së bashku me Callisto Marini];
  20. Marino Marini [1815-1855së bashku me Callisto Marini dhe1822-1855së bashku me Pier Filippo Boatti];
  21. Augustin Theiner [1855-1870];
  22. Giuseppe Cardoni [1870- 1873];
  23. Carlo Cristofori [1873-1877];
  24. Francesco Rosi Bernardini [1877-1879];
  25. Joseph Hergenröther [1879-1890];
  26. Agostino Ciasca [1891-1892];
  27. Luigi Tripepi [1892-1894];
  28. Peter Wenzel [1894- 1909];
  29. Mariano Ugolini [1909-1925];
  30. Angelo Mercati [1925- 1955];
  31. Martino Giusti [1956-1984];
  32. Josef Metzler [1984-1995];
  33. Sergio Pagano [1997-…].[75]

[1]https://www.archivioapostolicovaticano.va/content/dam/aav/newsletter/Tesori_della_Storia1.pdf?utm_source=newsletter&utm_medium=email&utm_campaign=29112021

 

[2]Andrija Nikić, Povijesni Arhiv Kongregacije za Evangeliziranje naroda, bivšsa “De Propaganda Fide,”Zavičajna knjižnica. Život i svjedočansto, sv. 38.,në: “Monumenta Croatiae Vaticana”2(Grafotisak, Mostar, 1996), 12.

[3]Maria Luisa Ambrosini, The Secret Archives of Vatican. With Mary Willis (London, 1972), 83-86.

[4]Sergio Pagano, Terzo Natalini, Aldo Martini, Archivio Segreto Vaticano. Profilo storico e silloge documentaria. Edizioni Polistampa (Firenze, 2000), 18-19. [Në vijim. Paganoet al.Archivio Segreto Vaticano].

[5]Angelo Mercati, “La Biblioteca Apostolica e l’Archivio Segreto Vaticano”Vaticano, edited by G. Fallani, M. Escobar (Firenze, 1946), 476.

[6]Shih:Jean Baptiste Pitra, Analecta Novissima Spicilegii Solesmensis altera continuatioI (Romae, 1885), 152-161; Paul Künzle, “Del cosidetto “Titulus Archivorum”di Papa Damasi,”në Rivista di Storia della Chiesa in Italiai VII(Roma, 1953):1-26; Carl Silva-Tarouca,“Die Quellen der Briefsammlungen Papst Leos des Grossen,” në Papsttum und Kaisertum: Forschungen zur politischen Geschichte und Geisteskultur des Mittelalters Paul Kehr zum 65 Geburtstag dargebracht(München, 1926), 23-47; Enrico Carusi, Carl Silva-Tarouca, Carlos Erdmann, Pontificum Romanorum diplomata payracea quae supersunt in tabulariis Hispaniae, Italiae, Germaniae phototypice expressa iussu Pii PP. XI consilio et opera procuratorum Bibliotheca Apostolica Vaticanae(Romae, 1928), 17-59; Leonard. E Boyle, A Survey of the Vatican Archives and of Its Medieval Holdings (TorontoË Pontifical Institute of Mediaeval Studies, 1972), 7; Jadranka Neralić, Priručnik za istrazivanje hrvatske povijesti u tajnom vatikanskom arhivu od ranog srednjeg vijeka do sredine XVIII stoljeca: Schedario Garampi II (Hrvatski instituti za povijest, 2000), 5 [në vijim Neralić,Schedario Garampi); Paganoet al.,Archivio Segreto Vaticano,19.

[7]Etleva Lala, “Rëndësia e Arkivit të Vatikanit për historinë e shek. XIV të popullit shqiptar,”në Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare22/1 (Prishtinë: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, 2004), 86; Po ajo, “Arkivi Sekret i Vatikanit dhe rëndësia e tij për historinë e shqiptarëve, ”Ekskluzive nr. 29 (Zurich, Prishtinë, Tiranë: nëntor 2002), 83.

[8]Karl A. Fink, Das Vatikanische Archiv. Einführung in die Bestände und ihre Erforschung unter besonderer Berücksichtigung der deutschen Geschichte(Rome, 1943), 126-127 [në vijim: Fink]; Neralić, Schedario Garampi, 4.

 

[9]Paganoet al.,Archivio Segreto Vaticano,19.

[10]Neralić, Schedario Garampi, 5.

[11] Johannes Diaconus ka jetuar në mesin e shek. IX, në Monte Casino, si murg. Më vonë ishte diakon i kishës së Romës. Që në fillim u shoqërua me Anastasin, bibliotekarin e kishës romane dhe pastaj shkroi jetën e papës Shën Gregori i Madh, duke përdorur fjalët e këtij pape dhe ekstraktet e bëra më herët nga letrat e papës në arkivat e kishës romake. Kjo vepër e Johannes Diaconus është edituar nga Jean Mabillon, Acta Sanctorum ordinis Sancti Benedicti, vëll. I(Venezie, 1734), 398-496; Jean P. Migne, Patrologiae cursus completus sive Bibliotheca Universalis, integra, uniformis, commoda oeconomica, omnium ss. Patrum, doctorum scriptorumque ecclesiasticorum qui ab aevo Apostolico ad Innocentii III tempora flouerunt recusio chronologica… Series Prima LXXV (Paris, 1849), nr. 1-188, f. 38-242.

[12]Thomas Frenz, I documenti pontifici nel Medioevo e nell’etá moderna (Città del Vaticano: Schuola Vaticana Paleografia, Diplomatica e Archivistica, 1989), 53; Pagano et al,Archivio Segreto Vaticano,19.

[13]Johannes Ramackers, “Zwei Unbekannte Briefe Urbans II. Zugleich ein Beitrag zum Problem der Register dieses Papstes,”në Quellen und Forschungen aus Italienischen Archiven und Bibliotheken. Herausgegeben vom Deutschen Historischen Institut in Rom, XXVI (Rome:Deutschen Historischen Institut in Rom, 1935-1936), 268-276.

[14]Urbani Reversei, Historia Archiepiscoporum Senonensium VIII. Voluminibusconstans. Parisiis, MS. Exstat in Bibl. Regia. Bern. de Montfaucon Bibl. Bibliothecarum MSS, f. 953; Johan Albert Fabricius, Bibliotheca Latina mediae et infimiae aetatis, vëll. III(Firenze, 1859), 598; Ramackers, Zwei Unbekannte, 270-273.

[15]Ambrosini, The Secret Archives, 115-116.

[16]Mercati, La Biblioteca, 478.

[17]Dietrih Lohrmann, Das Register Papst Johannes’VIII vol. 20 (Tübingen, 1968); Hans-Walter Klewitz, Montecassino in Rom,në “Quellen und Forschungen aus Italienischen Archiven und Bibliotheken Band XXVIII (Roma: Deutsches Historisches Institut in Rom, 1937-1938), 36-47.

[18]Germano Gualdo, Sussidi per la consultazione dell’Archivio Vaticano. Lo Schedario Garampi. I Registri Vatricani. I Registri Lateranensi,. Le “Rationes Camerae”, L’archivio Concistoriale (Città del Vaticano: Archivio Vaticano, 1989), 49, referenca nr. 79 dhe f. 146; Neralić,Schedario Garampi, 6.

[19]Ambrosini, The Secret Archives of Vatican, 117; Paganoet al, Archivio Segreto Vaticano,20.

[20]Ambrosini, The Secret Archives, 117.

[21]Paganoet al., Archivio Segreto Vaticano, 20.

[22]Po aty, 20.

[23]Ambrosini, L’Archivio Segreto, 133.

[24]Neralić,Schedario Garampi, 6.

[25]Paganoet al.,Archivio Segreto Vaticano, 21.

[26]Ambrosini, L’Archivio Segreto, 133; Mercati, La Biblioteca, 479.

[27]Mercati, La Biblioteca, 479.

[28]Gennaro Mollat, Les Papes d’Avignon (1305-1378). Dixième édition revue, remaniée et augmentée (Paris, 1965), 18; Ambrosini, L’Archivio Segreto, 134.

 [29]A. de Boüard, Les fonds des notaires d’Orange à la Bibliothèque du Vatican,në:“Mélanges d’Archéologie et d’Histoire. École Français de Rome”(Paris, Roma: École Français de Rome, 1910), année XXX, fasc. III, f. 210-211.

 [30]Fernand Benoit, L’Interrogatoire de Margarit. Document inédit sur Benoit XIII (1410-1411) et suplément à l’Inventaire du fonds des notaires d’Orange conservé à la Bibliothèque du Vatican,nëMélanges d’Archéologie et d’Histoire XXXIX(Paris, Rome: École Français de Rome, 1921-1922), fasc. I-III, f. 268; Francis X. Blouin Jr., Vatican Archives an Inventar and Guide to Historical Documents of the Holly See (Oxford,New York, 1998), 5; Ambrosini, L’Archivio Segreto, 146.

[31]Pagano et al.,Archivio Segreto Vaticano, 21.

[32]Mercati, La Biblioteca, 480.

[33]Pagano et al., Archivio Segreto Vaticano, 22.

[34]Ambrosini, L’Archivio Segreto, 146.

[35]Pagano et al,Archivio Segreto Vaticano, 22.

[36]Ambrosini, L’Archivio Segreto, 174-175.

[37]Pagano et al.,Archivio Segreto Vaticano, 24.

 [38]Germano Gualdo, “L’Archivio Segreto Vaticano da Paolo V (1605-1621) a Leone XIII (1878-1903). Caratteri e limiti degli strumenti di ricerca messi a disposizione tra il 1880 e il 1903,”në Archivi e Archivistica a Roma dopo l’unita. Genesi storica, ordinamenti, interrelazioni30 (Roma: Archivio di Stato, 1994), 165.

 [39]Për më shumë rreth kësaj teme interesante shih: Francesco Gasparolo, Costituzione dell’Archivio Vaticano e suo primo indice sotto il Pontificato di Paolo V. Manoscritto inedito di Michele Lonigo,nëStudi e documenti di Storia e Diritto, vëll. 8(Roma, 1887), 3-64.

 [40]Paganoet al.,Archivio Segreto Vaticano, 27.

 [41]Po aty.

 [42]Shih Paganoet al., Archivio Segreto Vaticano,277 [në vijim:Pagano2]. Breve është një dokument papnor që për herë të parë paraqitet në fund të shek, XIV. Është më pak solemn sesa bula, nga e cila dallohet për disa specifika të brendshme dhe të jashtme. Para së gjithash, në të cilësohet papa në titull dhe gjithashtu mban vulën e veçantë të shtypur në dyllë të kuq me shenjën e unazës së peshkatarit, që shërben si mjet sigurues mbyllës dhe tregon autenticitetin zyrtar; Thomas Frenz, Papsturkunden des Mittelalters und der Neuzeit. 2., Aktualisierte Auflage, mit 15 Tafeln, vëll. II(Stuttgart, 2000), 35-38; A. Petruci, Note di diplomatica pontificia,në Archivio della Reale Società Romana di Storia Patria89 (Roma, 1966), 47-85; veçanërisht: L’origine dei brevi pontifici e gli antichi eruditi, f.79-85; Karl August Fink, Die ältesten Breven und Brevenregister,në:“Quellen und Forschungen aus Italienischen Archiven und Bibliotheken XXV (Roma: Deutsches Historisches Institut in Rom,1933-1934), 292-307.

 [43]Pagano et al.,Archivio Segreto Vaticano,27; Gualdo, L’Archivio Segreto Vaticano, 167.

 [44]Metzler,“L’Archivio Segreto Vaticano negli ultimi cento anni,”në Archivi e Archivistica a Roma dopo l’unita. Genesi storica, ordinamenti, interrelazioni. Atti del convegno Roma, 12-14 marzo 1990,vëll. 30 (Roma: Archivi di Stato, Ministero per i Beni Culturali e Ambientali. Ufficio centrale per i Beni Archivistici, 1994), 242.

 [45]Herman Diener, Das Vatikanische Archiv. Ein internationales Zentrum historischer Forschung,në:“Il Libro de Centenario. L’Archivio Segreto Vaticano a un secolo dalla sua apertura. 1880/81-1980/81”(Città del Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 1981), 64-65.

 [46]Pagano et al,Archivio Segreto Vaticano, 27; Gualdo, L’Archivio segreto Vaticano, 168.

 [47]Prefekt i ASV në këtë kohë ishte B. Ansidei(31 janar 1612-5 dhjetor 1614), së bashku me M. Lonigo. Shih: Vittorio Peri, Progetti e rimostranze. Documenti per la storia dell’Archivio Segreto Vatiano dall’erezione alla metà del XVIII secolo,Archivum HistoriaePontificiae(Roma: Pontifica Universitatis Gregoriana. Facultas Historiae ecclesiasticae annuale 19, Pontifica Universitatis Gregoriana, 1981), 209.

[48]Mercati, La Biblioteca, 479.

 [49]Pietro Donnino De Pretis, ishte prefekt i ASV më 4 dhjetor 1727-1741.

 [50]Mercati, La Biblioteca,490.

 [51]Po aty, f. 488.

 [52]Martino Giusti, Materiale documentario degli archivi papali rimasto nell’Archivio Nazionale à Parigi dopo il loro ritorno a Roma negli anni 1814-1817. Römischen Kurie… Studien zu Ehren von Herman Hoberg I(Roma, 1979), 263-274; Giacomo Martina, L’apertura dell’Archivio Vaticano: Il significato di un centario,nëArchivum Historiae Pontificiae XVII (Roma: Editum a Facultate Historiae Ecclesiasticae in Pontificia Universitate Gregoriana, 1979), 239-307; Gualdo, L’Archivio segreto Vaticano, 173.

[53]CharlesBurns, L’apertura dell’Archivio Segreto Vaticano alle ricerche storiche,në:“Archivi e Archivistica a Roma dopo l’unita. Genesi storica, ordinamenti, interrelazioni. Atti del Convegno Roma, 12-14 marzo 1990”,pubblicazioni degli Archivi di Stato,saggi 30, vëll. 30(Roma: Ministero per i Beni Culturali e Ambientali. Ufficio Centrale per i Beni Archivistici, 1994), 50; Metzler, L’Archivio Segreto, 243.

[54]OwenChadwick,Catholicism and History. The Opening of the Vatican Archives. The Herbert Henson Lectures in the University of Oxford 1976(Cambridge, 1978); Po ai,Convegno di studio su “Roma punto d’incontro e di niove aperture alla cultura europea dal 1870 al 1914”, Il Centenario della Società Romana di Storia Patria 100(Roma, 1977), 29-204.

[55]Lajos Pastor, Per la storia dell’Archivio Segreto Vaticano nei secoli XIX-XX. La carica di Archivistica della Santa Sede, 1870-1920. La prefettura di Francesco Rosi Bernardini, 1877-1979,nëArchivum Historiae Pontificiae,vëll. 17(Roma: Editum a Facultate Historiae Ecclesiasticae in Pontificia Universitate Gregoriana, 1979), 373, veçanërisht referencat 24 e 25;Martina, L’apertura dell’Archivio, 272-274.

[56]Shih:Burns, L’apertura, 50.

[57]Po aty. Prefekt i ASV, me rastin e hapjes së tij për kërkime dhe studime shkencore ishte Joseph Hergenröther më 1879-1890.

[58]Pastor, Per la storia, 378.

[59]Mercati, La Biblioteca, 490.

[60]Po aty, f. 492; Metzler, L’Archivio Segreto, 246.

[61]Pagano et al.,Archivio Segreto Vaticano, 49.

[62]Eutimio Sastro Santos, La apertura del Archivio del Santo Officio y su relacion con el archivio de Propaganda Fide, enero 1998, në Enutes docete LI,nr. 2-3 (Roma, 1998), 186;

[63]Metzler, L’Archivio Segreto,243.

[64]Archivio Segreto Vaticano. Segreteria di Stato, port. 26915/1921; Po aty, 26916/1921, rubr. 67; Metzler, L’Archivio Segreto, 243.

[65]Metzler, L’Archivio Segreto, 245.

[66]Michele Maccarone, L’apertura degli archivi della Santa Sede per i pontificati di Pio X e di Benedetto XV (1903-1922), Rivista di Storia della Chiesa in Italia 39(Roma, 1985), 341; Metzler, L’Archivio Segreto, 243;

[67]Acta Apostolica Sedis, 1967, vëll. 59, f. 52; Metzler, L’Archivio Segreto, 244, veçanërisht referenca nr. 4.

[68]Acta Apostolica Sedis, 1979, vëll. 71, f. 54; Metzler, L’Archivio Segreto, 244, veçanërisht referenca nr. 7.

[69]Acta Apostolica Sedis, 1986, vëll. 78, f. 378; Metzler, L’Archivio Segreto, 244, veçanërisht referenca nr. 8.

[70]Santos,La apertura, 186-187; Neralić,Schedario Garampi, 4.

 

[71]Santos,La apertura, 181.

 

[72]Po aty, 179-207.

 

[73]Neralić,Priručnik I, 4, veçanërisht referenca nr. 8.

 

[74]Zyrtarisht, sipas shënimeve të ASV, numri i fondeve që nuk mund të konsultohen është 57. Për më shumë shih: Sergio Pagano, Indice dei Fondi e relativi mezzi di descrizione e di ricerca (Città del Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 2004-2005), 9-55, ku janë të shënuar saktësisht emrat e fondeve të cilët nuk mund të konsultohen nga studiuesit. Në f. 2, shënohen sqarimet për sa u cek më lart.

 

[75]Është sot prefekti i ASV.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • 251
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”
  • Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim
  • VISAR ZHITI NDEROHET ME TITULLIN “AKADEMIK HONORIS CAUSA” NGA AKADEMIA NDËRKOMBËTARE E ROMËS
  • Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan
  • Petro Nini Luarasi, 22 prill 1865 – 17 gusht 1911
  • SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN
  • “Armiqtë apo alienët? Shkencëtarët që zhduken një nga një”
  • Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre
  • RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT