
Veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicist, Mësues i Popullit. Lindi në Luaras të Kolonjës. Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës në shkollën e Qestoratit (Gjirokastër) nga mësuesi patriot Koto Hoxhi. Punoi mësues në fshatrat e Kolonjës, ku jepte fshehurazi edhe gjuhën shqipe. Atje përgatiti një grup shokësh për mësues. Më 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe më 1892-1893 shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Punoi drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911). Gjatë mërgimit në Amerikë (1904-1908), qe nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”; i krijimit të komiteteve të fshehta “Për lirinë e Shqipërisë”. Mori pjesë si delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910).
Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i Kombit” (Manastir, 1909-1910), ku ishte edhe redaktor; në “Drita” (Sofje, 1907-1908), në “Kombi” (Boston, 1908), në “Iliria” (Selanik, 1909-1910), në veprën “Mallkimi shkronjave shqipe dhe çpërfolja e Shqiptarit” (Manastir, 1911), mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”. Bënte thirrje për të begatuar gjuhën dhe kombin tonë me kulturë e qytetërim. Propagandoi dhe u përpoq për bashkimin e popullit në luftë për lirinë e Shqipërisë, “për të drejtën dhe mbarësinë”, siç shprehej ai. Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.
Instituti “Lumo Skendo”