• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE NJË DËSHMITARE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT ENVERIST KUNDËR FESË, SHKOI NË AMSHIM

January 4, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source imageRadio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se me 2 Janar, 2020 ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, Motra Marie Kaleta – murgesha shqiptare e cila me dëshminë e saj për vuajtjet gjatë komunizmit – bëri të përlotej edhe Papa Françeskun në vizitën e tij në Shqipëri, në Shtator të vitit 2014. Ajo ndërroi jetë këto ditë, por dëshmia e sajë jeton!

Mesha dhe ceremonia e varrimit u kryesuan nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, së bashku me Ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kulli, me Ipeshkvin e Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, si edhe me meshtarë e rregulltarë të tjerë.  Tashmë, motra imcake, që nuk reshti së dhëni dëshminë e saj të krishterë, pushon tek Varrezat e Rrmajit, nga ku vijon t’u flasë të gjithë atyre që duan të mësojnë nga jeta e saj, thuhet në njoftimin e Radio Vatikanit.  Motra Marie Kaleta, është një nga dëshmitarët e fundit të qëndresës së klerit e të besimtarëve katolikë gjatë komunizmit.  Populli i dioqezës së Sapës, sidomos besimtarët e famullisë së Shën Nikollit në Pistull, e përcollën si i ka hije një qëndrestarjeje dhe dëshmitarjeje të krimeve të komunizmit.

KUSH ISHTE MOTËR MARIA KALETA:

Ajo i përkiste Urdhërit të Murgeshave Stigmatine – e cila së bashku me Kardinalin e sotëm shqiptar, Ernest Simonin, e bëri të përlotej Papën Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014. Maria Kaleta ka lindur më 10 nëntor 1929, në Nënshat të Zadrimës, Shkodër, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Së bashku me prindërit, u zhvendos më vonë në fshatin Pistull, ku shkolla vendore mban sot edhe emrin e Marie Kaletës. Emri i saj, në mos për dëshminë personale — sado që edhe ajo është një dëshmi e fuqishme — është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, apo halla Marie, siç e quanin të gjithë për respekt, ishte e mbesa e dom Ndoc Sumës, i lum martir, viktimë e komunizmit. Në moshën 10-vjeçare, ajo hyri në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga mosha e njomë, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në Kuvendin e Stigmatineve në Shkodër.  Aty jetoi 7 vite, deri më 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga Kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm duke ia mbyllur edhe Perëndisë portat e Shqipërisë, mendonin ata, një herë e përgjithmonë. Por jo edhe portat e zemrës. 

Sipas Radio Vatikanit, murgesha shqiptare Marie Kaleta edhe nën regjimin komunist vazhdoi të mbetej motër stigmatime duke fshehur fenë dhe besimin e saj në të vetmin Zot, të cilin e Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës e kishte shpallur ilegal në Shqipëri, duke u mbështetur tek ata pak njerëz që e mbrojtën dhe nuk e paditën as nuk e dorëzuan tek xhelatët e regjimit komunist. Ja edhe dëshmia e Marie Kaletës – rrëfimi i të cilës, për vuajtjet e Kishës Katolike Shqiptare në kohën e komunizmit — që përloti Papën Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në Shtator të vitit 2014, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe:

“Zoti me mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve duke pagëzu, jo vetëm fëmijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata të cilët më kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se, nuk do të më padisnin.  Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë këtyre viteve kur publikisht ishte e ndaluar të shfaqje besimin. Me thjeshtësinë e zemrës po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga puna e kooperativës.  Gjatë rrugës dëgjoj një zâ që më thërriste. Një grua me një fëmijë në krah më arriti me vrapin e saj. Kërkesa e saj ishte më i pagëzu foshnjën, që mbante në krah. Nga frika, pasi që e dija se ajo ishte gruaja e një komunisti, i them se nuk kam me ça ta pagëzoj, pasi që jemi në mes të rrugës. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më thotë se kanali përbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ça ta nxjerr atë ujë. Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa opangën prej llastiku që kisha veshë. Me ‘të nxora ujë prej kanalit dhe e pagëzova.  Falë njohjes së meshtarëve kam pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjtnueshmin Sakrament, kështu për raste të njerzve të sëmurë që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, më duket e pabesueshme, si kemi duru ato vuajtje të tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhanë forcën, durimin dhe shpresën. Ashtu sikurse me egjrën e shëmbëlltyrës Zoti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni.  Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e kooperativës tepër e vështirë, prapseprap Zoti atyre që i thërret ua jep forcën e vet. Në fakt, në fund ai m’i shpërbleu të gjitha vuajtjet e mia edhe këtu në tokë.  Mbas sa viteve të regjimit u rihap Kisha e unë pata fatin me u gjetë si rregulltare, fat të cilin për sa vite e dëshirova sikurse të gjithë meshtarët e murgeshat e vendit tonë”.

Në një bisedё në vitin 2012 — me Dom David Xhuxha, Drejtor i programit shqip të Radio Vatikanit — motёr Maria Kaleta ka rrёfyer jetёn e saj, ka folur për vuajtjet e besimtarёve, tё klerit katolik dhe tё motrave rregulltare nën regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës.  Ishte shoqe me martiren të Lumen Marija Tuci, që ka vdekur nga torturat më të tmerrshme në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja femër që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të Kishës Katolike Shqiptare.  Sipas Radio Vatikanit, kjo dëshmi e murgeshës Marie Kaletës për vuajtjet e Kishës dhe të mbarë popullit shqiptar nën regjimin komunist, është një thesar i përbashkët, tejet i çmuar, për kujtesën e përhershme që, “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, sikur pat porositur Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993. Porosia e Papa Gjon Palit të II në atë kohë, “që të mos harrohet e kaluara”, si dhe dëshmia e murgeshës shqiptare stigmatine, motër Marie Kaleta, e cila me rrëfimin e saj për vuajtjet e Kishës dhe të popullit shqiptar nën komunizëm, e përloti edhe vetë Papen Françeskun në Katedralen e Shën Palit në Tiranë më 2014 – janë një këmbanë që ende bie – në veshë të shurdhër — për të zgjuar ndërgjegjen morale dhe njerëzore të klasës politike, “post-komuniste” shqiptare, por edhe tek përfaqsuesit e demorkacive perndimore në Tiranë, të cilët refuzojnë të promovojnë një qeverisje dhe një shoqëri më tolerante për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa dallim. 

Siç dihet, edhe sot tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit — ndryshe nga vendet e tjera të Evropës ish-komuniste – Shqipëria refuzon të dënojë zyrtarisht krimet e komunizmit enverist dhe refuzon gjithnjë të përballet me të kaluarën e errët të asaj periudhe.  Siç e kam venë në duklje shpeshëherë në të kaluarën, diplomatët perëndimorë në Tiranë — me heshtjen e tyre në lidhje me këtë çeshtje — vazhdojnë të kenë një njollë të zezë në fytyrat e tyre, për vetën dhe për vendet që ata përfaqësojnë.  

Vura re në portalin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftimin me një ekzaltim krenar e të papërmbajtur, “Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori”.  “Arritje e jashtzakonshme”?!, mos u tallni! Shqipëria nuk kishte as një shtet konkurent, asnjë vend pra nga zona gjeografike që përfaqëson Shqipëria në Këshillin e Sigurimit për dy vitet e arddhëshme, që të ishte i interesuar për atë “arritje të jashtzakonshme”. Pasi vetëm Shqipëria ishte e interesuar nga zona e Evropës jug-lindore, nuk kishte se sit ë mos votohej, por ky është një subjekt për një shkrim tjetër, ndoshta. 

“Arritje e jashtzakonshme”, për Shqipërinë do të ishte njohja zyrtare e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe përballja me ndërgjegjësi morale me të kaluarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, sot anëtare të Bashkimit Evrpian dhe NATO-s, ashtuqë të mos harrohet e kaluara, siç ka porositur edhe Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri, më 1993.  Normalisht, edhe në politikën e jashtme dhe në diplomaci do duhej të kishte përgjegjësi dhe ndërgjegjësim moral dhe etik.

Të falënderojmë për dëshminë tënde të gjallë, Motra Marie – Pushofsh në paqe!

Frank Shkreli

Motër Maria Kaleta e Papa Françesku në Shqipëri, 2014Murgesha shqiptare Marie Kaleta me Papa Françeskun, Shqipëri, 2014, dëshmia e të cilës për sakrificat e saja gjatë regjimit të egër komunist shqiptar, përlotën edhe udhëheqsin e Kishës Universale Katolike. Papa Françesku i ka dhënë motër Maria Kaletës, medaljen e “Kryqit për Kishën e Papën” (Pro Ecclesia et Pontefice).

Motër Maria Kaleta

                                       Murgesha Marie Kaleta në lutje

Motër Maria Kaleta

                                                    Motër Maria Kaleta

Filed Under: Opinion

Kalendari i (de)komunistizimit gjatë vitit 2021

January 3, 2022 by s p

Dr. Jonila Godole/

Të dashur miq, le t’i hedhim një sy në këtë fundvit ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e kujtesës dhe mënyrën se si shoqëria dhe politika shqiptare (nuk) i trajtoi ato. Mund të shtoni natyrisht edhe data apo ngjarje të tjera që ju kanë bërë përshtypje, këtu kam shënuar ato momente kyçe që mua më kanë bërë përshtypje. 20 Shkurt 2021Në 30-vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Hoxha nuk pati asnjë ceremoni zyrtare shtetërore në përkujtim të kësaj dite që shënoi thyerjen e frikës dhe goditjen përfundimtare të regjimit. Të vetmet aktivitete u zhvilluan në kuadër të Memory Days organizuar nga IDMC dhe KAS. Ende nuk dihet nga publiku i gjerë se data 20 shkurt është caktuar si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist në Shqipëri, dhe është flagrante që nuk pati asnjë ceremoni për të nderuar mijëra të vrarë, të burgosur dhe të internuar.11 Mars 2021Kandidatja për deputete në Tiranë, Luljeta Bozo, deklaroi në RTSH24, emisionin televiziv “Dekalog” të gazetarit @Roland Qafoku se “koha e Enverit” kishte pasur më shumë të mira se të këqija. Platforma Europiane e Kujtesës përmes një deklarate i kërkoi lidershipit të PS të distancohet nga deklarata dhe ta rivlerësojë kandidimin e saj në kryeqytet. Por asgjë nga këto nuk ndodhi; kryeministri e mori në mbrojtje kandidaten duke i akuzuar të përndjekurit politikë që reaguan, si dhe institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare si “baltaxhinj”. 30 Prill 2021U dëmtua me grafiti memoriali ne hyrje te Bllokut ne Tirane, i quajtur „Postblloku“ qëi simbolizon terrorin e regjimit komunist dhe eshte vendosur ne kopshtin e viles ku ka jetuar dikur Mehmet Shehu, vepër e publicistit Fatos Lubonja dhe artistit Ardian Isufi (2013). Pas denoncimit të bërë në media dhe rrjetet sociale, dhe sidomos pas angazhimit të institucioneve ndërkombëtare në rrugë formale dhe joformale, Memoriali u rehabilitua nga Bashkia e Tiranës, në heshtje dhe jashtë vëmendjes mediale.Maj 2021Shqipëria u prezantua në Biennalen e Venecias me konceptin e fqinjësisë së mirë gjatë komunizmit përkundër të huajtjes dhe ftohtësisë gjatë ditëve të sotme duke e ilustruar këtë me skena të filmit “Në shtëpinë tonë”, prodhim i Kinostudios i vitit 1979 dhe filma të tjerë. Ministria e Kulturës që e mbështet këtë projekt nuk bëri asnjë deklaratë për kritikat që erdhën nga shoqëria civile për mungesën e reflektimit kritik mbi kontekstin dhe referencat e asaj kohe. Për analogji, do të ishte e paimagjinueshme që të ashtuquajturit “filma kulturorë” (Kulturfilm) të propagandës naziste gjatë viteve 1930, si “Der Kampf um den Himalaya” (Beteja për Himalajën), “Der Berg des Schicksals” (Mali i fatit), “Olympia” etj, të përdoreshin sot si referencë e besueshme për të treguar epërsinë fizike të gjermanëve!!24 Korrik 2021Pa asnjë debat publik dhe diskutime me grupet e interesit, qeveria del se ka ngarkuar arkitektë britanikë të kthejnë vilën e ish diktatorit Hoxha në një „qendër kulturore dhe një vend për imagjinatë dhe debat“. Vila përdoret edhe sot e kësaj dite për pritje të zyrtarëve të huaj dhe për aktivitete promovuese qeveritare. Rast flagrant ishte festimi i 30-vjetorit të UNDP në Shqipëri, në një ceremoni madhështore, ku nuk u përmend asnjë herë të vetme se në cilin truall po festohej dhe me cilën histori lidhet shtëpia. Nga ana tjetër, edhe Piramida, e ndërtuar si një lloj mazoleumi i diktatorit pas vdekjes së tij, u vendos të kthehet në një qendër për teknologjinë e informacionit, pa debat publik dhe përfshirje ne diskutime të grupeve të interesit. https://exit.al/…/enver-hoxha-villa-to-be-turned-into…/30 Gusht 2021Kryeministri Rama deklaroi se ndihej krenar për vëmendjen që qeveria e tij u ka kushtuar ish të përndjekurve të diktaturës duke i dëmshpërblyer plotësisht ata që vuajtën në burgje. Këtu bëhej fjalë për një informacion të pavërtetë: Qeveria Rama 1 dhe 2 vendosën të japin shpërblime vetëm për ish-të burgosurit politikë që jetojnë bazuar në listat që gjetën nga qeveria e mëparshme më 2013, por përjashtuan kategoritë e tjera si të internuarit, etj. Dy muaj më vonë, ish-kreu i KLSH, Bujar Leskaj, do të deklaronte në fjalën e tij në parlament, se detyrimi ndaj të përndjekurve politikë është shlyer në masën 40%, ndërkohë që ngelen ende 60% për t’u shlyer (31 miliardë lekë) që me ritmin e tanishëm do të thoshte 31 vjet të tjera.21 Tetor 2021Aranit Çela, një nga prokurorët më famëkeq të regjimit komunist, i përfshirë personalisht në mbi 650 gjyqe politike, u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare në shtëpi dhe jo në burg, ku do duhej të kishte qendruar pas dënimit të tij të parë. Çela qe dënuar me vdekje për “krime kundër njerëzimit”, por më 24 korrik 1996 dënimi i tij dhe i dy personave të tjerë (drejtori i fundit i Sigurimit, Zylyftar Ramizi dhe ish-prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino) u anullua dhe u kthye në 25 vjet burg. Pas kthimit të socialistëve në pushtet më 1997, gjykatat rishqyrtuan pretendimet paraprake për krime kundër njerëzimit dhe Gjykata e Apelit vendosi më 20 tetor 1997 të heqë akuzat kundër Ramiz Alia dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë pasi ata “nuk mund të dënoheshin për veprime që nuk ishin të paligjshme në kohën kur u kryen”. Ndërkohë të gjithë kishin dalë nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997, ca qenë fshehur brenda apo jashtë vendit.18 Nëntor 2021Në vilën e diktatorit Hoxha promovohet libri “Të lirë” i Lea Ypit me iniciativë të qeverisë dhe në prani të trupit diplomatik. Ndërsa tre javë më vonë, 9 Dhjetor 2021, dokumentari „Diktatori“ i gazetarit dhe autorit Blendi Fevziu shfaqet në Kinema për përfaqësuesit e trupit diplomatik, me ftesë të Ministrisë së Jashtme. Në këto raste del dukshëm në pah një politikë e kahershme e restaurimit estetik të socializmit që po ndiqet nga qeveria socialiste. Synimi është së pari, promovimi i veprave që qeveria mendon se duhet të përcaktojnë narrativën e re si duhet të mendojmë për diktaturën: si një fatkeqësi që na ra, por që pllakosi edhe gjetiu, dhe që sidoqoftë nuk ishte aq kriminale, për sa kohë njerëzit ishin „të lirë“ të jetonin dhe ndiqnin ëndërrat e tyre (fabula e përmbledhur e librit „Të lirë“). Këtu nuk ka si mos të të bjerë në sy që veprat e intelektualëve dhe shkrimtarëve të njohur si Fatos Lubonja „Jetë burgu“ apo Agron Tufa „Ngjizja e papërlyeme“, botuar në të njëjtën kohë, por me qasje krejt të ndryshme ndaj diktaturës sesa libri i prezantuar më sipër, nuk morën asnjë jehonë në media. Dhe së dyti, angazhimi maksimal i qeverisë për t’u treguar ndërkombëtarëve një PS moderne, e cila nuk është trashëgimtare e PPSH dhe krimeve të diktaturës. Kjo strategji ka edhe një arsye tjetër, më afatgjatë, pasi synon indirekt t’i „vjedhë“ kauzën e të përndjekurve politikë PD-së, e cila siç u shpreh kryeministri Rama më 30 gusht 2021, „do duhej të kishte qenë kali i betejës së PD për një shtet më demokratik, dhe që nuk ia doli“ dhe që ai dhe PS po ia dilte ta përmbushte edhe këtë boshllëk. Natyrisht dënimi i krimeve të komunizmit u përket të gjitha partive politike ta bëjnë, dhe pikërisht këtë PS nuk e ka bërë asnjëherë seriozisht deri më sot.28 Nëntor 2021Deputeti socialist Bujar Çela uron festën kombëtare duke evokuar figurën e diktatorit Hoxha dhe nuk tërhiqet nga kjo deklaratë as në ditët në vijim megjithë presionin e opinionit publik. Sipas tij, E.H. “ka kontribute, nuk është nul”. Partia Demokratike reagon kundrejt kësaj deklarate duke premtuar së shpejti propozime konkrete për ligjin e dekomunistizimit dhe dënimit të simboleve komuniste.29 Nëntor 2021Teatri Kombëtar njofton leximin skenik të veprës „Prefekti“ shkruar nga Besim Levonja, ku denigrohet dhe shtrembërohet figura e Qazim Mulletit, kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 1939-1940 dhe prefekt në vitet 1942-1944. Kjo ngjarje provokoi debat të madh në opinionin publik se si duhen trajtuar figurat historike nga këndvështrimi i të dhënave të reja që disponojmë këto 30 vjet për ta. Familja Mulleti u shpreh se do ta ndjekë çështjen ligjërisht, në mënyrë që të ndalojë shfaqjen apo leximin publik të kësaj vepre sa kohë prishet imazhi dhe denigrohet emri dhe kujtimi i të afërmit të tyre.13-15 Dhjetor 2021OSBE organizoi konferencën ndërkombëtare me titull: „Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare…“, ku morën pjesë studiues të njohur të drejtësisë tranzitore brenda dhe jashtë vendit, historianë e familjarë të familjeve të prekura. Tema e konferencës hapi debat mes disa studiuesve vendas në aspektin terminologjik, nëse termi „të zhdukurit“ mund të përdorej për të pushkatuarit me apo pa gjyq gjatë diktaturës, eshtrat e të cilave nuk gjenden, por krimi ndaj tyre është i njohur publikisht. Diskutime hapi edhe çështja e numrit të personave që janë ende pa varr, prej shumë vitesh qarkullon shifra 6,000 persona, por sipas studiuesve kjo shifër nuk është e saktë. Nga ana tjetër, gjatë konferencës u kritikuan iniciativa parimisht pozitive si ajo e ICMP, por që në fund dështoi duke mos dhënë rezultat, dhe duke e përdorur shumën e akorduar për identifikimin e ADN-së së eshtrave, tekefundit për projekte ndërgjegjësuese akorduar shoqatave dhe individëve. Vetë ICMP dhe institucionet shqiptare partnere ia kanë hedhur fajin e dështimit mungesës së vullnetit të prokurorisë për të dhënë leje për zhvarrimet. Deri më tani opinioni publik nuk është njohur me asnjë listë të familjarëve që kërkojnë eshtrat, me asnjë listë totale të atyre që rezultojnë të pagjetur, si dhe me asnjë listë të plotë të vendvarrimeve pranë ish-burgjeve dhe kampeve të punës gjatë diktaturës. Ndërkohë, gjatë vitit që lamë pas u ndanë nga jeta shumë të burgosur politikë, si Uran Kostreci, Sherif Merdani, Qani Beqo Sadiku, etj, vepra e të cilëve meritonte nderim të veçantë në këto 30 vjet. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!!

Filed Under: Opinion

KOSOVA NË NGJARJE VITI EDHE ME SHQIPTARËT VATRANË TË AMERIKËS

January 2, 2022 by s p

-Viti 2021: Kosova dy palë zgjedhje – parlamentare dhe lokale… Sukses historik në lojërat Olimpike në Tokio me dy kampione – medalje të arta të  xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova… “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku u shfaq premierë në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza. Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha…/

-Viti 2022 në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët kudo është i festave të mëdha kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 23 vjetorit të lirisë e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Janar 2022/ Në Kosovë u prit gëzuar Viti i Ri 2022 nën shkëlqimin e fishekzjarreve, më shumë në ambiente familjare e më pak në sheshe nën masa kufizuese në këtë kohë pandemie. U prit edhe duke punuar në institucionet ku puna nuk ndalet kurrë. Në vitin 2022, që në minutën e parë, djalë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku mjekët, infermjerët e punonjësit tjerë kanë punuar edhe në natën e Vitit të Ri.

Në 31 Dhjetor 2021 Komuna e Prishtinës njoftonte se, duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për mbajtjen e rregullave të njëjta për parandalimin e përhapjes të variantit të ri të virusit Omicron, anulohen përformancat live në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria e Kulturës “Prite n’shesh” me qëllim të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm publik.

Gjithsesi, aktivitetet tjera të “Prite n’shesh” vazhdojnë deri në orën 21:30, ndërsa bizneset në fushën e gastronomisë do të operojnë deri në orën 23:00, theksonte komunikata e dërguar.

Viti 2022 në Kosovë dhe për të gjithë shqiptarët kudo është i festave të mëdha kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 23 vjetorit të lirisë e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës… Si një dhuratë për festat për të gjithe fëmijtë shqiptarë do jetë Abetarja e përbashkët  e botar nga Shqipëria e Kosova, për çka është nënshkruar marrëveshja pas mbledhjes së përbashkët të shtatë të dy qeverive mbajtur në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje, mes të cilave Memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

 Ngjarje viti në 2021-tën ishin dy palë zgjedhje – parlamentare në 14 Shtator e lokale në  17 Tetor, të dyjat të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare në Kosovë të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit të lirisë 1999.

Një tjetër ngjarje e madhe ishte Kosova e artë me dy medalje të arta të kampioneve olimpike, xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova në Lojërat Olimpike në Tokio, ku në ceremonitë e dorëzimit të medaljeve Flamuri i Republikës së Kosovës nën tingujt  e Himnit Shtetëror u ngrit në majën më të lartë për të artat historike në festën botërore të sportit.

Në 2021-tën kishte edhe një ngjarje viti në Kosovë të Federatës Pan-Shqiptare  të Amerikës Vatra: “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku u shfaq premierë në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza, të premtën e 13 Gushtit 2021. Filmi dokumentar për Marjan Cubin që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…,ishin mendimet, përshtypjet e vlerësimet në ceremoninë e shfaqjes që ishte edhe festë.

Shqiptarë nga trojet etnike e nga mërgata, miqë të shumtë, të ardhur në promovimin e dokumentarit ka pritur e përshëndetur Marjan Cubi veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, anëtar i Kryesisë dhe arkatar i  Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i shoqëruar si gjithmonë nga shoqja e jetës – bashkëshortja Dila.

Në tribunën e ceremonisë festive të promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin ka folur edhe miku i tij i shumë viteve Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha e të gjithë vatranëve, si dhe të gazetës së VATRËS – DIELLIT – editorit të saj mëse 12 vjet Dalip Greca dhe editorit të ri Sokol Paja.

Agim Rexhaj, i dekoruar nga Presidenti i historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova  në Prill 2004 dhe  Nderi i Kombit –  i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Nishani në Nëntor 2014 gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit,  pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran, edhe në fjalën e tij në promovim, si edhe në dokumentar, kujton edhe takimet me Presidentin Rugova bashkë me Marjan Cubin.

“Marjan Cubi, besnik dhe përkrahës i madh i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova,  mik dhe zbatues i filozofisë Rugoviane… Marjani ka kontribuar dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar”, shprehet Rexhaj, Presidenti i Nderit i Vatrës Shqiptare në Amerikë.

Agim Rexhaj përkujtoi se bashkë me Marjan Cubin ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë…

Marjan Cubi ishte kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Në verën 2021, më 1 Gusht, Agim Rexhaj, i ardhur në Kosovë-vendlindje nga Amerika-Nju Jorku,  ishte  edhe në Lojërat Tradicionale të Rugovës, që u mbajtën në edicionin e 30-të jubilar në fshatin Stankaj të komunës së Pejës.

Duke folur për median e Kosovës nga Lojërat Tradicionale Rugova 2021 Agim Rexhaj kishte edhe këtë mesazh: Kjo traditë duhet çdo herë të vazhdojë dhe me ardhë shqiptarët nga të gjitha viset shqiptare, të bëhet edhe më e hapur –  një manifestim i përbashkët…

“NË ROBËRI PRITET VEÇ FESTA E LIRISË” DHE “SHPRESË SE S’NDËRROJNË VEÇ VITET” ISHIN RAPORTIMET NGA KOSOVA QË I BËJA NË FUNDVITET E PARA 1999-ës

Pritja në sheshe e ndërrimit të moteve është tradicionale që nga viti i madh i lirisë së Kosovës,  hyrjes së forcave paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pranverën e 1999-ës. Në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 1999 qinda mija njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës e të qyteteve tjera kosovare në pritjen e Vitit të Ri 2000.

“Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës”, ishte titulli i raportimit që kam bërë para 22 viteve për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në 1 Janar 2000, ku theksoja se, “Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive bënë transmetime të drejtpërdrejta”.

Ndërsa “Në robëri pritet veç festa e lirisë” dhe “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” ishin raportimet që bëja nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve.

LAJMI QË KAM RAPORTUAR NGA KOSOVA PARA 22 VITEVE  NË 1 JANAR 2000:

Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës

PRISHTINE, 1 janar /ATSH- B. Jashari/ – Afro 100 000 qytetarë në
Prishtinë e pritën Vitin e Ri në sheshe dhe rrugët e mbushura me borë në
shoqërinë e koncerteve dhe programe të ndryshme festive.
Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta.
Një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të
7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor “Nënë Tereza” të Prishtinës.
/dast/  

 [02] Some 100 000 citizens welcome New Year on Prishtine Squares

PRISHTINE, January 1 (ATA)-By B. Jashari, Nearly 100 000 citizens of Prishtine received the New Year on snow covered squares and streets in the company of various festive concerts and programmes.

The capital of Kosova, which celebrated the New Year for the first time in freedom, was one of the five cities of the world from which the biggest TV centers carried live broadcasts.

A message of solidarity, appealing for the rapid release of 7 000 Kosovar sons and daughters, who continue to be held hostage in Serbia’s prisons, was read at the main square “Mother Teresa” of Prishtine. /dast/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Opinion

Një urim ndryshe këtë fundvit

January 1, 2022 by s p

PhD (c). Ll M. Igli TOLA  

Festimi i Vitit të Ri e ka zanafillën qysh nga epoka e Çezarit. Ishte Julius Caesar (Jul Çezari), në vitin 46 p.e.s., ai që krijoi Kalendarin Julian. Në këtë kalendar diellor, ardhja e Vitit të Ri u bë që të përkonte me festën e Janusit (Giano, Iano: Zoti i fillimeve materiale e jo materiale. Hyjni i Romës antike), nga emri i të cilit e ka prejardhjen Janari. Më vonë ndër shekuj ky kalendar u zëvendësua nga ai Gregorian dhe u vendos që Viti i Ri të jetë më 1 Janar. (për kuriozitet ortodoksët vazhdojnë të ndjekin ende kalendarin Julian dhe Vitin e Ri e festojnë më 14 janar.)

Një festë me zanafillë shumë të lashtë, mileniale; ku në thelb të gjithë celebrojmë një moment magjik në të cilin i themi lamtumirë vitit të vjetër, për të filluar një vit të ri me shpresën që të jetë më i mirë.

E ajo që shpreson gjithësecili prej nesh në rrafshin personal apo profesional varion; ama si Shqiptarë ‘ëndrrat’ kësaj here i kemi disi të kufizuara, sepse paradoksalisht kemi 30 vite që zhgënjehemi, na premtohet dhe serviret ‘sapuni për djath’. Andaj gjatë këtyre 365 ditëve të 2022 e në vijim na mjafton që:

  1. ‘Zarfi’ dhe vjedhja nëpër tendera/koncensione/PPP të shkoj të paktën 20%, aq sa ishte disa vite më parë. ‘Është bërë deti kos’ duke shpikur lloj-e-soj ‘yçklash’ e marifetesh që e kanë kthyer përmbys raportin 20:80; ‘zarfi’ është fryrë në mbi 80% të vlerës së projektit dhe ngelet që nga ai 20% të hidhet ndonjë lopat zhavor. 

Pavarësisht se nuk reagojmë, ose reagojmë me hope; nuk jemi budallenj dhe e kuptojmë se po e paguajmë kilometrin e rrugës sa ‘frëngu pulën’, pastrimin dhe incenermin e mbetjeve sa ‘arabi ujin’ etj. 

Duke zhvatur pronën dhe paratë publike për mëse 3 dekada: mjaft syresh janë bërë milionera, për pak veta thonë se i kanë kaluar edhe 1 miliardë euro nëpër ‘Off-shore’. Uleni pak ritmin se kështu do t’Ia kaloni edhe Elon Musk duke rendur drejt trilionit të dollarëve.  

  1. Dakort nuk del hesapi ti rrisni rrogat e administratës se aq është buxheti, kurse privati i cakton vetë në marrëveshje me punedhënësin dhe sipas kërkesë-ofertës; por të paktën mos u tallni kështu barbarisht me mundin dhe dinjitetin e qytetarëve. Një ushti me këshilltarë lokal, që zorr se e merr vesh për çfarë japin mend dhe a kanë shkuar ndonjë ditë të vetme në punë, paguhen sa 2-fishi i një mësuesi. Atij mësuesi që mund të japi mësim edhe në ndonjë fshat të harruar, të bëj nja 2 orë rrugë në borë e shi për të vajtur në shkollë.

Boll me trajtimin ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Të duket sureale dhe ndjen neveri kur sheh se ka ca Institucione ku shoferat (këto mbase ish-pilota të Formula 1), apo sanitaret (ndërsa këto mbase me master në Harvard), marrin nga  1 milion e kusur në muaj. Mos të flasim për shefat dhe drejtorat e tyre. Kurse, inxhinierët, ekonomistët, mjekët që së paku kanë nga një karton diplome firmosin në bordo për 600-800 mijë lekë.

Nqs ka një vend të dytë në këtë planet ku ndodh kjo, qoftë Zimbabve apo Honolulu na thoni, mos të ngelim injorant.

  1. Fjala ‘Eurobond’ mbase tingëllon ‘trandy’, por e kemi kuptuar tanimë që është si puna e ‘dardhës që e ka bishtin prapa’; borxh që duhet ta paguajmë cent-për-cent e plus madje me ca interesa të majme. Prandaj, shtrëngohuni pak dhe mos na emetoni nga 2 obligacione brenda 16 muajve, me vlerë mbi 1 miliard euro. Historia ka dëshmuar me dhjetra herë që shtete shumë më të mëdha i ka kolapsuar borxhi dhe korrupsioni. 

Sikundër termi ‘Eurobond’, rrishtazi në fjalorin tonë u futën edhe termat ‘Arbitrazh’ dhe ‘vendime të Gjykatës së Strasburgut’, veçse edhe këto vetëm sa na e rëndojnë barrën që bartin përditë në kurriz. Falë këtyre ‘3 strumbullarëve’ borxhi publik de-facto i tejkaloi 90% të PBB-së. E aq më keq kur paratë kanë vajtur dhe janë harxhuar për projekte që ose kanë ngelur në letër-3D, ose kanë ngelur ‘rrugëve’ është për të dhënë alarmin SOS.

Për të bërë një krahasim të thjeshtë: vërtetë çdo bebe që lind merr 400 mijë lekë shpërblim, 800 mijë i dyti dhe i treti 1.2 milion; por marrin edhe një çek prej 4800 deri në 5200 euro borxh. Ne do të paguajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër; fundja për të mirën tonë merren ato borxhe. 

“Eh sa shume gjëra bëhen në emrin tënd o popull” – Sandër Prosi.

  1. Sistemi gjyqësor të mos harxhoj shumë energji duke menduar dhe folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Mbase, për to duhen të tjera rrjeta, apo karema-grepa; por të paktën këto ‘peshqit e mesëm’, sardele e cironka ti shohin një herë. U duket vetja Zeus që lëshonte vetëtima: ligjin e shkelin me të dyja këmbët pa iu trembur syri, duke mbajtur veshur mantelin e ‘arrogancës’. Që me të ardhurat e deklaruara nuk justifikojnë dot karburantin për makinën luksoze që bredhin lartë-e-poshtë, jo më makinën vet, rrobat firmato etj.

Kjo është forma më e thjeshë e Vetting-ut, pa kosto të shumta administrative e gjumë mbi dosje voluminoze; thjesht duke bërë një xhiro nëpër rrugët e qytetit.

  1. Të ndalojmë për ca kohë ‘prodhimin’ e VIP-ave, se edhe pak do të kemi më shumë VIP-a se njerëz (jo për gjë, por me dhjetra mijëra shqiptarë po vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit: azilantë, studentë, klandestinë etj). Kurse, VIP-at nuk ikin, se nuk gjejnë dot punë andej, se Europa dhe bota kanë mjaftueshëm VIP-a për vete.  

VIP, nuk është akronimi i “unemployed, and very lazy person”/njeri përtac dhe i papunë ; por i “very important person”/njeri shumë i rëndësishëm. Edhe ndodh të bëhesh VIP se ha fara në Tik-Tok, por jo të gjithë që hanë fara aty janë VIP-a.

Antivlerat kurrsesi në afatgjatë nuk mund të jenë Vlera, sado të përmbyset piramida shoqërore.

. . .

Edhe diçka të fundit, kjo më shumë në formën e lutjes. Mirë që po jetojmë në një “Big Brother” të madh (George Orwell këtë realitetin tonë kishte në mendje kur shkroi romanin “1984”): me lista pagash, borxhesh, tualetesh që kemi në shtëpi shëprndarë vërdallë si mall pazari ; të paktën na vendosni edhe një Premio – 100 milionë lekë të motivohemi tamam dhe shijojmë lojën. 

Filed Under: Opinion

NJË HISTORI ME PASKUINE DHE FLETË-RRUFETË NË QENDËR TË QYTETIT MYZEQAR

December 30, 2021 by s p

Nga Dalip Greca/

Era e ndryshimeve më në fund nisi të fryjë në Shqipërinë e viteve ‘89-90. Takimi i Ramiz Alisë me një grup intelektualësh në gusht 1990, ku u kërkua lejimi i ekonomisë së tregut dhe i sistemit shumëpartiak, u pasua me hapjen e dritës jeshile në shtypin partiak për mendimet ndryshe. Artikulli në dy pjesë i Prof. Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur” botuar me 28 dhe 29 Prill 1990 në Zërin e Popullit,i pasuar nga artikulli i Dr. Sali Berishës me 17 shtator 1990 me kritika të ashpra për kozmetikën e reformave të Ramiz Alisë, çelën rrugën dhe u dhanë zemër shqiptarëve që të vrisnin frikën dhe të ngrinin zërin për padrejtësitë e sistemit.

Jo pa ndrojë, nisa të provoj guximin e penës. Fillimisht me rezeva, pa i mohuar të gjitha”të mirat” e sistemit, shkrova në gazetën”Bashkimi” një artikull me titull”Bisedë për demokracinë në një odë fshati” ku dhe të mirat dhe kritikat i vija në gojën e fshatarëve.Më pas në një shkrim të dytë e forcova penën dhe denoncova padrejtësitë e sistemit në Darësi, e cila ishte trajtuar gjithmonë me syrin e njerkës dhe ishte lënë në varfëri e mjerim, pa investime sociale, pa të drejta studimi, larg shkollave të mesme etj…Kur nisi shtypi i opozitës pena u bë më e idhët. Pata kurajon që ta ktheja penën edhe nga vetja e kolegët, duke kritikuar veten për rolin që kishim luajtur në zgjatjen e jetës të sistemit me lustrën që i bënim. Një shkrim për “fshatin pa emër” ngjalli shqetësim më të madh se sa e kisha menduar.

Pas publikimit të shkrimit, një mëngjes gjeta poshtë derës së zyrës një zarf të mbyllur që më adresohej me emër. Nuk kishte adresë të dërguesit. Letra ishte e mbushur me akuza dhe në fund kërcënonte”E dimë se fëmijët i ke dërguar në fshat. Nëse vazhdon siç e ke nisë, një ditë do t’i gjesh në fundin e liqenit të Laskaricës”.M’u mbush trupi me djersë dhe ndjeva një këputje të plotë të gjymtyrëve dhe dhimbje në gjoks. Sytë më rridhnin lot. Përse gjithë këto kërcënime? Po me fëmijët ç’kanë?

      Në fund të letrës, të shkruar me shkrim të hapur dhe shkronja kapitale, ishte emri i autorëve: Banorët e fshatit Matjan.

Çfarë të bëja? Ku të shkoja? Kë kisha shkelë në kallo me shkrimin e fundit apo ishte ndëshkim për të gjithë? Apo ishte shpagim për qëndrimet e mia të atyre kohëve. 

A vinte vërtetë kjo letër nga fshati Matjan? Si familje dhe si fis nuk shkonim keq me fisin e matjanëve. Dikur, në kohën e Mbretërisë, fisi kishte qenë në gjak me matjanët, por pajtesa ishte bërë publikisht tek shkolla e fshatit Gjuzaj në vitet e Luftës së Dytë Boterore. E kishte bërë vetë Hamit Matjani dhe gjyshi ynë, përfaqësues i fisit, pat ndërruar jetë pak javë pas faljes së gjaqeve. Falja kishte funksionuar. Më pas gjithçka ishte normale. Unë me prindërit dhe vëllezërit e motrat kalonim përherë mes fshatit Matjan, ku kalonte rruga për të shkuar në fshatin Shegas, ku kishim gjyshërit dhe dajot. Asgjë nuk na kishte ndodhë.Unë kisha pasë nxënës shumë prej djemëve dhe vajzave nga matjanët dhe i kisha trajtuar në mënyrë të barabartë me nxënësit e tjerë. Shumë prej tyre ishin të shkëlqyer dhe i kisha stimuluar. Edhe sot i kam miq, jo vetëm në fb.

A ishte shkruar vërtetë ajo letër nga matjansit apo ishte ndonjë vepër e parties apo 1200-tshave? Duhej ta verifikoja. Përmes mikut tim H.H, mësova se një nga burrat që i dëgjohej zëri në fshatin e Matjanëve po kurohej në spitalin e qytetit (në fakt matjanët asnjëherë nuk u bënë fshat me emër të veçantë, edhe njëhere kur e propozuam në Këshillin e Ministrave pas renies se sistemit, na e kundërshtuan për shkak të largësisë së pamjaftueshme me Garunjasin, fshatin nga vareshin)….I kërkova mjekut që e kuronte t’më krijonte mundësinë që të bisedoja me G.M. Ai u tregua i gatshëm. Shkova në spital. 

G.M iu bë qejfi që po e vizitoja dhe më pyeti për prindërit.E pashë se ishte shumë miqësor dhe brenda vetes e krijova opinionin se ajo fytyrë miqsore nuk kishte asnjë lidhje me shqetësimin tim. Kur po bëhesha gati që të dilja, ai më ndali: Nuk ma the shkakun e vizitës!

-Erdha të shoh, i thashë dhe sërish bëra të ikja. 

Por ai ma tërhoqi dorën dhe këmbënguli:-Një hall e ke.

U dorëzova. Nxora letrën nga xhepi i brendshëm i xhaketës dhe ia zgjata ta lexonte.

E pashë se u trondit. 

– Ke mbrojtjen time, më tha. Pastaj shtoi: Më jep 24 orë kohë, do të dërgoj njerëz sot në fshat. Përgjigjen do ta marrësh tek doktori. Ose tek H.H. Jam i bindur se duhet të jetë shkruar nga ata që ke shkelë në kallo, por jo nga ne. Ti na ke mbrojtë dhe ne të jemi mirënjohës.

Ika i çliruar disi, por brenda vetes përjetoja ankthin e enigmës. Vendosa që të të bëja dhe një verifikim tjetër.Takova një mbesë të matjanëve dhe i kërkova që të informonte Xhevitin(i ndjerë), të birin e Hamit Matjanit. Natyrisht as ai nuk dinte gjë(Kur erdha në Nju Jork, Xheviti erdhi më takoi tek redaksia e gazetës Illyria dhe dolëm për kafe. Pastaj erdhi me gjithë zonjën dhe djalin tek shtëpia dhe folëm edhe për atë histori. E intervistova dy herë Xhevitin. Pushoftë në paqe!).

Edhe verifikimi i dytë më bindi se letra duhej të ishte shkruar me porosi të partisë. Këtë bindje ma forcoi letra e dytë, që ishte hedhë poshtë derës të apartamentit tim. Ishte mëngjesi i së nesërmes së letrës së parë. Akoma nuk isha çuar nga shtrati, kur dëgjoj një fërfërimë poshtë derës dhe pastaj ca hapa të nxituara nëpër shkallë. U ngrita dhe pashë zarfin. Dola në ballkon dhe hodha sytë poshtë.. Asgjë nuk dukej.. Sikur e kishte përpi dhe’u. Hapa zarfin. Sërish letra ishte e mbushur me kërcënime. Këtë herë ishte përdorë një stilolaps me ngjyrë të kuqe, por shkronjat ishin të njëta, kapitale. 

Në fund të letrës shkruhej:Selia jonë është tek varrezat e qytetit! 

Kërcënim më të hapur nuk kishte se si bëhej.

Tronditja qe e madhe. Nuk dija ç’të bëja. U përpoqa të mos bëja zhurmë me qëllim që të mos zgjohej ime shoqe. Fëmijët ishin në fshat.U vesha dhe dola. Në kënd të pallatit takova një prej djemve demokratë të lagjes D.K. 

– Ç’të ka ndodhur?-më pyeti plot shqetësim.

Nuk e fsheha dot të vërtetën. I dhashë letrën. 

– Kjo është e dyta, i thashë me gjysëm zëri.

-Mos u shqetëso më tha pasi e lexoi deri në fund; duan të trembin, por ne jemi këtu. Hidh një gurë tek çatia e shtëpisë time dhe unë për dy minuta i mbledh djemtë…Thjesht më dha zemër. 

Këmbët më çuan tek redaksia e gazetës. Isha i pari që hapa zyrën.Të tjerët u vonuan. Pritja po ma shtonte ankthin.Nuk m’u duk shenjë e mirë një vonesë aq e gjatë. Në orën 10 mbërriti shefi. U kollit në korridor dhe pa trokitë hapi derën e zyrës time.

-Eja pak në zyrën time, më tha.

Shkova.

Ai nuk më ftoi të ulesha, por më përcolli urdhërin e pushimit nga puna.

-Përse?-e pyeta me gjysëm zëri.

– Arsyeja është e thjeshtë, tha. Kjo është gazeta e partisë tonë, jo e partisë tënde!

– Unë ende nuk jam në asnjë parti,- kundërshtova.

Ky është vendimi dhe unë kisha për detyrë që ta komunikoja, tha ai dhe kapi telefonin.

– A mund të ma jepni vendimin me shkrim, i thashë me mirësjellje.. Unë dua motivin se do të kërkoj punë tjetër. Kam familjen për të ushqyer.

– Shko merre vendimin tek shoqja sekretare e parë, tha ai.

Ishte e kotë të vazhdoja. Shefi kaq e kishte për detyrë. Shkova dhe kërkova vendimin. Më thanë se nuk ishte zbardhë akoma….dhe nuk u zbardh kurrë… U ktheva si i papunë në shtëpi.

***

Ishin bërë disa ditë që qëndroja i papunë. Ishte mëngjes i zakonshëm. Ecja me hap normal drejt qendrës së qytetit, kur më ndal i shqetësuar miku im B.D. Pa më thënë as mirëmëngjes, më tregon se në qendër të qytetit, tek MAPO, aty ku shpalleshin njoftimet publike, ishte varë një fletë-rrufe kundër meje.

– Janë grumbulluar shumë njerëz dhe po e lexojnë,-më tha. Pastaj më tërhoqi drejt MAPO-s. E ndoqa i bindur, pa e fshehur shqetësimin. 

Po mendoja:Prapë me fletë- rrufe këta? Një fletë-rrufe ma kishin vendosë para dy javëve, ku përgënjeshtrohej një artikull imi, publikuar në shtypin qendror, ku kritikoja kryetarin e Komitetit Ekzekutivë dhe të tjerë. Fletë-rrufeja më cilësonte gënjeshtar dhe kritizer. Në fund të fletë- rrrufesë ishin emrat e të gjithë administratës, përfshi kryetarin, zv.kryetarët,sekretarin, shefat e seksioneve. Po kjo e sotmja, ç’të ishte?

Në qytetet e vegjël lajmi përhapet shpejt. E shihja se kisha marrë mbi vete vështrimet e atyre që e kishin lexuar fletë-rrufenë.

-Ja ai në krah të majtë është, po i thoshte një djal i lagjes shokut përbri, kur na kaluan fare afër.

Kur u afruam tek këndi i fletë- rrufeve pamë se ishin grumbulluar kurreshtarë me shumicë, rrëshqita brinajzi për t’u afruar sa më shumë që ta lexoja se çfarë shkruhej.E lexova me një frymë. Akuzohesha se kisha fshehur biografinë dhe kisha mashtruar partinë, duke mos treguar se isha nipi i një komandanti të Ballit.(natyrisht ishte gënjeshtër). Partia më kishte shkolluar dhe unë e kisha tradhëtuar.Më bënin haram gjithçka.Kisha qenë gjarpër që isha futë tinëzisht në oborrin e partisë.

Në fund shkruhej:

Bashkfshatarët e fshatit Gjuzaj. 

Kur kisha lexuar dhe rreshtin e fundit, ndjeva një prekje në sup. Kthej kokën. Shoh një djal të gjatë të lagjes. Ai më dhuroi një buzqeshje dhe më shkeli syrin, pastaj zgjati dorën dhe e grisi letrën. Në ikje, ngriti zërin që ta dëgjonin dhe të tjerët:- Po pate problem na lajmëro!

Nuk kisha kohë që t’i përgjigjesha. M’u kujtua D. K dhe djemtë e lagjes Teqe.

Kujtohem që ta pyes B.D, që vazhdonte të rrinte krah meje: – Ti e pe vetë apo ta tregojë kush? Si kalove aq herët në qendër të qytetit?

– Shkova të pi kafen e mëngjesit dhe aty takova berber Metin. Ai më tregoj se e kishte parë që në orën 5 të mëngjesit një polic të gjatë që po e vendoste. Në gjysëm errësirë kishte shquar një polic shtatlartë që po e vendoste. Polici ishte nga fshati Halilaj. Berberi e njihte mirë policin se shpesh e thërrisnin në Degë për të qethur të burgosurit.

Po mendoja: Ç’ne bashkëfshatarët e mi të sillnin atë fletushkë, që në orën pesë të mëngjesit.Pse aq me ngut? Së paku duhej të ishin nisë në 3 të mëngjesit për të arritur aty në orën pesë! Pastaj qetësova veten: Njësoj si letrat nën derë, e njëjta dorë. Histori me paskuine.

Natyrisht që ato historitë e mia me paskuine nu kishin asgjë të përbashkët me novelën e shkrimtarit magjik amerikano-latin Gabriel Garcia Markez. Janë paskuine alla shqiptare. Gjeni shumë prej sosh edhe në portalet shqiptare dhe rrjetet sociale! Zoti na ruajte nga shpirtrat e keqinj!

Nju Jork, dhjetor 2021

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 246
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT