• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBI HISTORINË E LETËRSISË SË NDIKUAR

October 19, 2021 by s p


Nurie Emrullai poete dhe studiuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, sjell para lexuesit librin e saj “Ekzili, nostalgjia dhe identiteti në veprat e Milan Kunderës”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, poetja Nurie Emrullai shprehet se letërsia në fund nuk shpik asgjë të re, përveç asaj që ajo zbulon gjithmonë diçka të re brenda nesh. Letërsia i lindi dhe krijoi ligjet e njeriut dhe e përshtati atë në një botë ta panjohur më parë. Njeriu ia doli që përmes letërsisë të njohë veten, misteret, të kaluarën e tij dhe çdo çështje komplekse që e rrethon atë.

HISTORIA DHE LETËRSIA KANË NË QENDËR NJERIUN


“Ja dhe një enigmë tjetër e kujtesës, dhe më themelore se gjithë të tjerat: a kanë kujtimet një kohë të matshme? Vallë zgjasin?… dhe aty fillon tmerri: e shkuara që na kujtohet, nuk ka kohë” Milan Kundera. Historia dhe letërsia kanë në qendër njeriun. Të dyja të shpikura dhe të drejtuara po nga ai, ato krijohen në mënyrë paralele, por me kahe të pakrahasueshme. Nëse historia na jep detajet e një lufte me shifra të definuara, letërsia përcjellë ndjenjën e luftës te lexuesi. Historia gjithnjë është e ftohtë në përshkrimet e saj (sepse atë detyrë ka), ndërsa letërsia e mëson njeriun të ndiejë dhe të krijojë emocion. Letërsia, që në fillesat e saj të hershme, që nga thurja e Miteve, këtu na kujtohen fillimisht poemat epike të Homerit “Iliada” dhe “Odiseja”‒ i cili është “Udhëtari” më i njohur që ka dëgjuar bota; epet e ndryshme të popujve, gojëdhënat, rrëfenjat, përrallat, këngët. Duke vazhduar me krijimin e letërsisë në koherencë me zhvillimin e njeriut, letërsia krijon civilizimin e tij dhe u jep popujve plotnimin e tyre. Letërsia i lindi dhe krijoi ligjet e njeriut dhe e përshtati atë në një botë ta panjohur më parë, dhe e bën këtë vazhdimisht me çdo fëmijë a person që ka interes për të njohur botën.


NJERIU IA DOLI QË PËRMES LETËRSISË TË NJOHË VETEN, MISTERET, TË KALUARËN


Njeriu ia doli që përmes letërsisë të njohë veten, misteret, të kaluarën e tij dhe çdo çështje komplekse që e rrethon atë. Ajo ofron realitete të cilat janë edhe krijime të mendjes njerëzore. Çdo popull ka historinë e tij të letërsisë dhe ka prijësit e saj për ta përcjellë nëpër breza. Por, çfarë ndodh me ata popuj që humbin prijësit e tyre, dhe çfarë u ndodh prijësve që u mohohet e drejta për të pasur një atdhe? Sado që njeriu mundohet të dali jashtë zhguallit të tij, ai asnjëherë nuk mund të tjetërsohet dhe të ndërrojë identitet. Kujtesa dhe lidhja që kemi pas vendit tonë është e trashëguar dhe bartet me të gjitha kujtimet, nostalgjitë dhe dashurinë për të, njësoj siç ndodh për më të dashurit tanë. Falë letërsisë mësojmë për popujt, për historitë e tyre, për zakonet apo karakteret që janë formësuar në shëmbëlltyrën e saj. Për shembull mësojmë rreth besnikërisë së Penelopës ndaj Odiseut, mësojmë për Gilgameshin i cili dëshiron të arrijë pavdekësinë, mësojmë për të bëmat e Don Kishotit dhe të gjithë mbase kemi qeshur e jemi zënë ngushtë nga ideja se kemi gjetur veten diku në ndonjë histori të tij. Kemi lexuar dhe jemi dritësuar (kush ngrihet mbi egon e tij) me vargjet e Rumiut; Fjalën Besë e kemi njohur kur për herë të parë na është rrëfyer legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës. Mësuam traditat e japonezëve dhe ndjeshmërinë e tyre përmes Patriotizm-it të Mishimës, jemi thelluar mbi idenë e Absurdit të Kafkës, Kamysë, e ekzistencializmit të Sartrit. Apo kush e ka lexuar Mjeshtri dhe Margarita të Bulkagovit nis e shikon botën me një sy tjetër.


SI DO TË KRIJOHEJ BOTA DHE RENDI I SAJ PA LETËRSINË?

Duke bërë një pyetje kaq të përgjithshme, është disi e pamundur për ta menduar këtë, mendjet të cilat gjithmonë ngushëllim kanë letërsinë. Letërsia është edhe një lloj ikje nga realiteti drejt një realiteti tjetër, duke përmendur realitetet që krijohen dashur a padashur ne. Kështu, duhet të afrohemi drejt temës dhe qëllimit që është vënë për të analizuar dhe shkruar në këtë studim. Pra, duke ardhur drejt synimit tonë, që është vështrim mbi realitetin që na servon shkrimtari Milan Kundera në veprat e tij. Të krijuarit letërsi për Kunderën ma do mendja është njësoj si për atë që e lexon. Me një thjeshtësi në të shkruar, por me një imagjinatë të pasur e plot ngjyra, Kundera arrin që përmes mendimeve të tij, të aftësojë lexuesin që t’i kapi ndodhitë. Në bazë të terminologjive që kam zgjedhur t’i trajtoj në këtë temë, ndarjet e kapitujve janë bërë në bazë të disa pikave që kam menduar se janë me interes për t’u analizuar në botën e letërsisë dhe që lexuesi të ketë mundësi të njoftohet më hollësisht rreth veprave që ceka pak më lart.


EKZILI SI FORMË FRYMËZIMI PËR SHKRIMTARËT


Ekzili është bërë shtysë e rëndësishme nga i cili frymëzohen shkrimtarë të ndryshëm për të rrëfyer këtë “ikje” të padëshiruar që u shpik nga faktori njeri. Është element bazë i letërsisë moderne. Ekzili përfshihet në grupin e foljeve për shkak se bashkë me fjalën ai bart dhe veprimin. Sot shumë autorë lidhin ngjarjet mbi këtë temë, gjithashtu duke shkruar veprat e tyre në një gjuhë të cilën nuk e kanë gjuhë të lindur, ata bëhen pjesë e një kulture tjetër, së cilës mund të mos i përkasin me identitet, por i përkasin në letërsi (kulturë). Në kuptimin më të gjerë themi se është në ekzil, një person i cili për një periudhë kohore relativisht të gjatë është i zhvendosur nga toka e tij e lindjes për shkak të trazirave, përndjekjeve politike ose shtypjes së vazhdueshme nga shteti i tij. Në ekzil ik njeriu i cili vendi i tij nuk arrin t’i ofrojë asnjë lloj sigurie.


EKZILI, MIGRACIONI, DIASPORA…


Edhe pse ka kaluar një kohë mjaft e gjatë që kur është definuar një përkufizim i tillë, ky lloj këndvështrimi përsëri ka mbetur i njëjtë, ashtu siç qëndron përkufizimi njëjtë për migrimin e diasporën. Për largimin e njeriut nga vendi i tij, gjatë periudhave historike janë shpikur shumë emra dhe terminologji që e përcaktojnë formën e ikjes së njeriut dhe largimin e tij larg atdheut: 1.Ekzili- Forma origjinale latine e fjalës, exul / exilum i referohet një personi të dëbuar, ose aktit të dëbimit të një personi. Fjala ekzil është aq e vjetër sa janë të vjetër dhe qytetërimet e para të botës. 2.Migracioni- i referohet largimit nga një vend në një tjetër, me një largësi të madhe. Në vitin 1610 u përdor për njerëzit, dhe në vitin 1640 u përdorur për kafshët. Por origjinën e fjalës e ka nga migrimi i shpendëve nga një vend në një vend tjetër gjatë ndërrimit të stinëve. 3.Diaspora- kjo fjalë rrjedh nga procesi biologjik i shumimit të disa bimëve në mënyrë aseksuale, domethënë vetëm me anë të bartjes së farave të disa luleve me anë të erës. Diasporë do të thotë njerëz të cilët shkojnë atje ku i bart era. Njerëz pa rrënjë. Megjithatë, luftimet e vazhdueshme që ka pasur bota, shkaqet e vështira ekonomike që kanë pasur popujt e ndryshëm, kanë detyruar shumë njerëz të vendosen nëpër vende të huaja për një jetë më të sigurt dhe më të mirë ekonomikisht. Por, kuptohet që përvojat e mërgimit dhe përballja me të panjohurën ndryshojnë nga një person te tjetri. Periudhat kohore kur ndodh largimi i tyre në një vend tjetër, si dhe shkaku përse ndodh, gjithashtu krijojnë rrethana të reja për njeriun. Ekzili si formë dhe veprimtari ka ekzistuar që në kohën e popujve Romakë, kohë e cila ishte e egër për njeriun. Në ato periudha kohore personi që kishte kryer krime- dënohej për ata me varje në mes të sheshit ose dëbohej nga vendi i tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nurie Emrullai, Sokol Paja

NË LUSHNJË U DORËZUA ”MIRËNJOHJA E ARTË E VATRËS”AKORDUAR PATRIOTIT QERIM BAJRAM HAXHIU

October 18, 2021 by s p

Dielli

Të Hënën, 18 tetor 2021, pranë godinës historike të Kongresit të Lushnjës, ish kryeredaktori i Diellit dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës, Dalip Greca, dorëzoi Mirënjohjen e Artë të Vatrës, akorduar patriotit Qerim Bajram Haxhiu.

Mirënjohja u pranua nga nipi i patriotit Kevin Haxhiu, diplomuar në Drejtësi (Bachelor), i biri i z. Altin Haxhiu. Kevin falenderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA” duke thënë se krahas vlerësimeve të tjera, ky është një nderim i vecantë që e bën krenare familjen e patriotit Qerim haxhiu, por dhe të gjithë fisin Haxhiu.

 Ish editori i Diellit shprehu vlerësim  për patriotin Qerim Haxhiu dhe përcolli përshëndetjet e Kryetarit të Federatës VATRA. Z. Elmi Berisha, të Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. 

VATRA e ka nderuar me “MIRËNJOHJEN E ARTË” z. Qerim Bajram Haxhiu për kontribut të jashtzakonshëm në çështjen Kombëtare jashtë Atdheut, për ruajtjen e Gjuhës Shqipe, për mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt, dhe lidhjet e përhershmë me VATRËN dhe Gazetën”DIELLI”.”

Lushnje, 18 tetor 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, dielli

‘Zgjoi’, ‘Virgjëresha Shqiptare’ dhe ‘Luaneshat e Kodrës’ trimfojnë në Varshavë, ndërsa ‘Pa vend’ në Qipro

October 17, 2021 by s p


Fituesi i trefishtë i Sundance, ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli ka fituar Çmimin e garës ndërkombëtare ‘1-2 Competition’ në festivalin e Varshavës që u ndahet regjisorëve për filmin e parë ose të dytë të gjatë.

Njëkohësisht: ‘Virgjëreshat Shqiptare’ nga Bujar Alimani, bashkëprodhuar me Kosovën ka fituar Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike;

si dhe ‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luàna Bajrami u shpërblye me çmimin ‘FIPRESCI’ që ndahet nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Fimit (Fipresci) për regjisorët nga Evropa Lindore me filmin e parë ose të dytë të gjatë.

Ndërsa filmi shkurtë ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda ka fituar Çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtë në festivalin e filmit të shkurtë të Qipros.

“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishte e mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë. Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale te tjera qe na presin”, u shpreh regjisorja Blerta Basholli.

“Për aftësinë e tij për të portretizuar pasionin për sportin, shpengimin e një vendi dhe të një komuniteti që dëshiron t’i japë kuptim ekzistencës së tij, përmes një tregimi të fuqishëm, rigoroz, por thelbësor dhe prekës, i cili bëhet një reflektim i thellë mbi vullnetin njerëzor” deklaroi juria e festivalit të Qipros me rastin e nadrjes së çmimin kryesor për film ‘Pa vend’ nga Samir Karahoda.

‘Zgjoi’ ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; ‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

‘Virgjëresha Shqiptare’ është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Belgjikës, Shqipërisë dhe Kosovës. Filmi ka për bashkëproducent nga Kosova Besnik Krapin; me producentë Anita Elsain dhe Lesley Bruce-Neary; dhe me bashkëproducentë Tefta Bejko, Peter De Maegd, Tom Hameeuw dhe Simon Ofenloch.

Në rrolet kryesore luajnë: Rina Krasniqi, Gresa Pallaska, Alban Ukaj, Astrit Kabashi. Ndërsa në rrolet tjera luajnë Aurita Agushi, Shkurtë Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Çun Lajçi, Blerta Syla, Valmir Krasniqi, Lurni Krasniqi, Blendi Sadiku, Rebeka Qena dhe Fatlume Bunjaku.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz. Në rrolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Filmi kosovar

POROSITË E KUVENDIT TË SHKUPIT, NJË REFLEKTIM PËR POLITIKËN SHQIPTARE

October 16, 2021 by s p

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane.

Nga Mehmet PRISHTINA/

Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kapërcyll të shek.19 dhe shek.20, kishte intensifikuar betejat diplomatike dhe ushtarake për ruajtjen e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.  Pasi që revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare të cilat patën epilog çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912.  Më 19 gusht “Times “, raportonte se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar… Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Veles. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi,  Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani. Për rrjedhojë, kryengritja u përhap edhe ne viset e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria osmane thuajse i pranoi pjesërisht 14 pikat autonomiste të parashtruara nga Hasan Prishtina, të mbështetura edhe nga Austro-Hungaria (propozimi i Vjenës i 13 gushtit), ndërsa Fuqitë e Mëdha kundërshtuan dhënien e autonomisë dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë, sepse u druheshin shteteve ballkanike dhe interesave të tyre mbi territoret shqiptare, ndaj edhe qeveria osmane e quajti çështjen shqiptare problem të brendshëm të saj. 
Platforma ideologjike e Kuvendit të Shkupit ishte përgatitur nga kolosi Hasan Prishtina, mirëpo pjesëmarrja e tij në këtë Kuvend ishte pamundësuar për shkak se ai bashkë me  Said efendi Hoxhën burgosen në hyrje të Shkupit dhe dërgohet në burgun e Kalamegdanit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk ishte i pranishëm edhe në Kuvendin e Vlorës gjatë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.

Rrethanat në të cilat u organizua Kuvendi i Shkupit, janë të ndërlidhura me ngjarje të bujshme të cilat sollën ndryshime radikale në skenën politike të Ballkanit.   Zhvillimet në terrenet luftarake, ku Turqisë gjithnjë e më tepër po  zbehej fuqia ushatrake e politike, sidomos pas fillimi të luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911), diktuan që harta e Ballkanit të pësojë ndryshime në favor të shteteve shoveniste fqinje dhe në dëm të territoreve shjqiptare. Për t’i parandaluar këto pasoja më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në katër  vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë…, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.

Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen…), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllav, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve, që ishin bërthama e platfmormës ideologjike të Hasan Prishtinës. Konti austro-hungarez  Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.  Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turq, ndryshuan rrënjësisht  konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup. 

Fatkeqësisht këto manovrime dhe marifetllëqe të autoriteteve turke  i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike.  Kjo ishte edhe arsyeja që qarqet sunduese të Sofjes dhe Beogradit ua ndaluan krerëve bullgaro-maqedonas të Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. Për rrjedhojë pas disa takimeve të shumta midis  kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë të ashtuquajtur “Traktati  miqësisë” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptar në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912  me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.

Pjesë e kësaj Aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën, u bë edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të “aleancës…” përfundimisht ,në emër të luftës kundër “robërisë osmane” në tetor 1912 filuan Luftën e Parë Pallkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.

Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar  dhe trojeve etnike shqiptare nga qëllimet ekspansioniste të Aleancës Ballkanike, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:

1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;

 2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të    përbashkët  kundër forcave osmane në Shkodër).

   3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”

Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit  tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht u kalua nga kërkesa e autonimisë në kërkesën për pavarësi.

Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion (Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani), i cili u ngarkua  të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar që do të mbahej në Vlorë më 28 nëntor, 1918. 

Kuvendi i Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë, që po rrezikohej nga Aleanca Ballkanike e shteteve shoveniste fqinje. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se Kuvendi i Shkupit prodhoi vendime që të drejta dhe realiste, që u përgatitën në formë të një dokumenti që i u dorëzuan përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.

Ndërkohë ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet.  Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.

Turqia u gjend e papërgatitur për luftë dhe vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e tyre.

Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.

Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.

Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo ky synim mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar e krerëve shqiptarë, ndërkohë që Shkupi do të vazhdojë të frymojë shqip edhe në saje të ideve dhe perosive të Hasan Prishtinës, të cilat mund të përmblidhen në një nocion kuptimplot: HASANIZMI. 

Prishtinë, 14 tetor, 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Prishtina

A PO AFROHET FUNDI I COVID-19?

October 15, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Numrat, si globalisht ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara tregojnë rënie të shpejtë të rasteve të Covid-19 gjatë muajit të fundit, duke zbuluar shenja se vala e tretë dhe shpresojmë se vala e fundit e madhe është prapa nesh. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të kuptojnë arsyet e baticës dhe zbaticës së infeksioneve, që mbeten disi të paqarta, nuk ka asnjë garanci që rënia e ngarkesave të rasteve do të vazhdojë. Tani për tani, ne shohim shumë të mira, edhe pse është e mbështjellë me disa lajme jo aq të mira.

Lajmi i mirë: Numri i infeksioneve të reja ka rënë 45% gjatë muajit të fundit në një mesatare shtatë ditore prej rreth 88,000, dhe shtrimet në spitale janë ulur 15,5% gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Vdekjet po bien gjithashtu 30% gjatë muajit të fundit – megjithëse më shumë se 1,400 njerëz kanë vdekur ende mesatarisht gjatë shtatë ditëve të fundit.

Lajmi i keq: Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, më shumë se 361,000 vdekje nga koronavirusi janë raportuar këtë vit, duke kaluar 352,000 të regjistruar në vitin 2020. Pra, po, më shumë amerikanë kanë vdekur nga Covid në 2021, sesa në 2020, dhe ne ende kemi më shumë se dy muaj deri në fund të këtij viti. Duke marrë parasysh që vaksina ishte në dispozicion për shumicën e amerikanëve nga Marsi dhe përparime të rëndësishme në trajtimin e pacientëve me Covid, një pyetje-të paktën retorikisht-ka nevojë dhe duhet bërë: pse 2021 do të jetë viti më pandemik, më vdekjeprurës që nga viti 1919? Një pyetje lutet të pyetet: sa nga ato jetë mund të ishin shpëtuar me një vaksinë të thjeshtë që ka qenë gjerësisht e arritshme për të gjithë amerikanët për pjesën më të madhe të vitit? Ndërsa varianti delta shumë i transmetueshëm u bë tendenca dominuese e kombit, duke nxitur një valë tjetër që pa që rastet dhe vdekjet të rriteshin dhe shumë spitale të mbingarkoheshin. Pjesë të vendit, ku normat e vaksinimit ishin më të ulëtat, u goditën veçanërisht rëndë.

Vala e fundit dhe ndoshta e fundit e madhe e Covid-19 është përsëri në tërheqje 

Rëniet më të fundit janë në përputhje me një model që shumë epidemiologë tani e njohin: një cikël disi misterioz dy mujor i valëve të Covid. Që kur filloi në fund të vitit 2019 në Kinë, infeksionet shpesh janë rritur për rreth dy muaj – ndonjëherë për shkak të një varianti, si Delta – dhe më pas kanë rënë për dy muajt në vijim. Arsyet e këtyre cikleve nuk janë kuptuar ende nga epidemiologët. Sugjerimet se këto cikle ndoshta ishin të lidhura me sezonalitetin ose baticat dhe zbaticat e distancimit shoqëror dhe përdorimit të maskës, ka shumë të ngjarë të jenë të pasakta. Prova është në faktin se ciklet dymujore kanë ndodhur gjatë stinëve të ndryshme të vitit dhe kanë ndodhur edhe kur sjellja njerëzore nuk po ndryshonte në mënyra të dukshme. Kjo na lë të konkludojmë se shpjegimet më të besueshme përfshijnë një kombinim të biologjisë së virusit dhe praktikave që lidhen me rrjetet sociale. Variantet në zhvillim të virusit kanë më shumë gjasa të infektojnë disa njerëz, por jo të tjerë. Të pavaksinuarit janë grupi në të cilin virusi gjen hapësirë ​​për të transmetuar dhe “rrotulluar” lirshëm. Pasi të jenë ekspozuar më të prekshmit mes nesh, virusi tenton të tërhiqet, ndoshta të tërhiqet ose të rigrupohet për një valë tjetër. Ata mund të jenë faktorët përcaktues që i duhen një virusi ose varianteve të tij të reja për rreth dy muaj kohë për të qarkulluar nëpër një rajon të caktuar. Ne kemi mësuar se sjellja njerëzore luan një rol në atë se sa i rëndësishëm mund të jetë një shpërthim, me njerëzit që shpesh bëhen më të kujdesshëm pasi ngarkesat e rasteve fillojnë të rriten. Por distancimi shoqëror vetëm mund të mos jetë aq i rëndësishëm sa diskutimet publike shpesh diktojnë, ne priremi të caktojmë shumë autoritet dhe kontroll njerëzor mbi virusin. Ne kemi parë që rëniet e fundit, për shembull, kanë ndodhur edhe kur miliona punëtorë amerikanë u bashkuan me fuqinë punëtore dhe miliona fëmijë u mblodhën përsëri në ndërtesat e shkollave. Cilado qoftë arsyeja, ciklet dy mujore të “kodrave dhe luginave” të Covid vazhdojnë të ndodhin. Është e dukshme si në numrin global ashtu edhe në atë amerikan. Ne pamë që rastet u ngritën nga fundi i Shkurtit në fund të Prillit, pastaj ranë deri në fund të Qershorit, u rritën përsëri deri në fund të mesit të Shtatorit dhe kanë rënë që atëherë.

 Shtrimet në spital dhe vdekjet janë në rënie

Siç e pamë në SHBA, rritja e Delta filloi në disa shtete jugore së pari në Qershor dhe filloi të tërhiqej në Gusht. Në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, filloi në Korrik dhe rastet kanë filluar të bien javët e fundit. Rastet kanë rënë edhe te fëmijët, dhe kjo pavarësisht nga mungesa e vaksinës për fëmijët nën 12 vjeç. Lajmi më inkurajues është se sëmundjet serioze Covid gjithashtu janë në rënie. Numri i amerikanëve të shtruar në spital me Covid ka rënë rreth 25 përqind që nga 1 Shtatori. Vdekjet ditore – treguesit e mbetur – të cilët zakonisht ndryshojnë drejtim disa javë pas rasteve dhe shtrimeve në spital, kanë rënë 10 përqind që nga mesi i Shtatorit. Është rënia e parë e vazhdueshme e vdekjeve që nga fillimi i verës. E rëndësishmja, ndihma është gjithashtu në rrugë për ata persona që kontaktojnë sëmundjen, pasi një pilulë antivirale është zhvilluar nga kompania farmaceutike Merck që së shpejti mund të sigurojë një armë tjetër në luftën kundër Covid-19. Pilula është treguar se zvogëlon përgjysmë shtrimet në spital dhe vdekjet për njerëzit që janë infektuar nga virusi. Ndërsa rënia e rasteve të Covid që po shohim tani mund të mos vazhdojë, pasi cikli dy mujor i Covid nuk është një lloj ligji i provuar i shkencës. Ka pasur shumë përjashtime nga teoritë e ciklit dy mujor. Por kjo pasiguri do të thotë gjithashtu se e ardhmja e afërt mund të jetë më inkurajuese nga sa e prisnim. Dhe ka disa arsye legjitime dhe të mira për optimizmin qe më në fund po e mposhtim këtë pandemi. Përmes përpjekjeve të vazhdueshme të vaksinimit, ne tani kemi 77 përqind të amerikanëve 12 vjeç e lart që kanë marrë të paktën një vaksinë. Së bashku me autorizimin e mundshëm të vaksinës Pfizer për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, ne do të shohim një rritje të konsiderueshme të numrit të vaksinimeve këtë vjeshtë. Pothuajse po aq e rëndësishme, diçka si gjysma e amerikanëve ndoshta kanë pasur tashmë virusin Covid, duke u dhënë atyre një imunitet natyral. Përfundimisht, imuniteti do të bëhet mjaft i përhapur – imuniteti i tufës – që një valë tjetër aq e madhe dhe dëmtuese sa ishte vala e Delta, nuk do të jetë e mundur. Covid-19 do të jetë provuar të jetë një nga pandemitë më të këqija në kohët moderne. Në shumë mënyra, do të jetë një pandemi e panevojshme e tmerrshme. Nga më shumë se 700,000 që kanë vdekur prej tij, vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndoshta shumë qindra mijëra ndoshta do të ishin shpëtuar nëse do të zgjidhnin vetëm vaksinimin. Ky fakt është ai që e ndan këtë pandemi nga të tjerët, si gripi spanjoll i vitit 1918, për të cilin nuk kishte vaksinë në dispozicion.

Më e keqja është pas nesh

Ne e dimë që Covid nuk do të zhduket së shpejti, të paktën jo globalisht. Me sfidat e vazhdueshme globale për të shpërndarë vaksina të mjaftueshme dhe mjaft shpejt, virusi mund të vazhdojë të qarkullojë për ca kohë, ndoshta vite. Por ne gjithashtu e dimë se qasja në vaksina, veçanërisht në vende të tilla si SHBA, do ta shndërrojë Covid në një sëmundje të menaxhueshme, jo shumë të ndryshme nga gripi ose ftohja e zakonshme. Javët e fundit kanë treguar se po i afrohemi një të ardhmeje më të qëndrueshme se ajo që u shfaq gjatë 2-3 muajve të fundit. Mund të themi se çfarëdo që të sjellin muajt e ardhshëm, më e keqja e pandemisë Covid-19, veçanërisht për të vaksinuarit, është prapa nesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr Pashko Camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • 257
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT