• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNE TËREZA FRYMËZIM DHE SHPRESË PËR POPULLIN E VET SHQIPTAR DHE NJERËZIMIN

September 6, 2021 by s p

Nga Valentin Lumaj

(Fjala me rastin e 5 vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës në ceremoninë e hapjes së Festivalit Tradicional Shqiptar në Michigan, 5 Shtator 2021)

Të nderuar vllazën e motra, sot ne shqiptarët dhe mbarë bota përkujtojmë një datë të shënuar, atë të 24 vjetorit të kalimit në amshim dhe 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezes apo Shën Terezes së Kalkutës. Ne si shqiptarë, Nënë Tereza na ben krenare, mbasi ajo se bashku me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, ishin nder te paktit njerez ne bote qe jo vetem me jeten, por edhe me vdekjen e tyre u kthyen ne frymezim dhe shprese per popullin e vet dhe njerezimin. Në gurin e varrit të Nene Terezes në Kalkutë egziston një pllakë në të cilën shkruhet një varg nga ungjilli sipas Gjonit: “Ky është parimi im, duajeni njëri-tjetrin”. Duke pare jeten dhe punen e saj, Nene Tereza është një mësuese e madhe dhe mishërim i dashurisë. Nënë Tereza me misionin e saj bënte gjëra të thjeshta: ushqente të uriturin, kujdesej për të sëmurin dhe shprehte dashuri për të braktisurin, pikërisht atë dashuri që ajo ndjente se i vinte nga Jezu Krishti.Ndersa dashurinë që kishte për Krishtin ajo ia transmetonte njerzve më të varfër dhe më në nevojë të botës. Ajo bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe. Si besimtare e fortë katolike, në fytyrën e çdo njeriu, sidomos të atyre që ishin të sëmurë, te gerbulur, të varfër, të harruar, viktima të padrejtësisë, ajo shihte shëmbëlltyrën e Krishtit. Nënë Tereza ia kushtoi gjithë jetën e saj të vërtetës se njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur nga Zoti me një bukuri dhe vlerë të veçantë e të patjetërsueshme. Vllazen e Motra, sot ne jetojmë në një kohë me sfida të reja dhe të panjohura, ne situata pandemike, keto jo vetem virale por edhe te urrejtjes dhe vetmise dhe te mungeses se dashurise ne mes njerezve. Nënë Tereza eshte ajo nga mund te mesojme si te dalim nga keto pandemi. Nene Tereza eshte zemra hapur, dora e shtrire dhe buzeqeshja, sikurse ajo thoshte: “Paqa fillon me nje buzeqeshje”. Nga jeta dhe trashëgimia e Nënë Terezës ne mund të mësojmë se sa më shumë që përqëndrohemi tek vetja jonë, të duam Zotin, të duam njeri -tjetrin, dhe fryti i kësaj është kënaqësia vetë dhe dashuria që ndjejmë ne vetë. Nënë Tereza është një shembull i mrekullueshëm se çfarë është dashuria dhe si të jemi të gëzuar në botën e sotme. Nene Tereza ne vitin 1979 ne prag te marrjes se çmimit Nobel per paqe do te theksonte:“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Deri tani ndoshta ne shqiptaret e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen vetem si shqiptare, si përfaqësuese të Popullit tonë shqiptar. Por sikurse Gjergj Kastrioti, qe mborjti jo vetem kombin e vet por krejt krishterimin dhe qyteterimin evropian, Nene Tereza me vepren e saj si sherbetore e te semureve dhe te varferve nga e gjithe bota, pa dallim feje apo rrace dhe sidomos me shenjterimin e saj, ajo kalon kufijte e shqiptarizmes duke e vendosur veten e saj ne vendin me te larte nen Zotin, sikurse e quani madhi Dom Lush Gjergji: sinëna e jetës, nëna e dashurisë, nëna e paqes, nene dhe shenjtereshe e gjithe njerezimit.  Vllazen e motra ne Krishtin, jo vetem se Nene Tereza eshte e jona, por jemi me fat sepse ne jemi te Nene Terezes, jemi populli i gjakut te saj dhe sot ajo na thërret, na pret dhe na frymëzon për nje jetë me Zotin dhe me të afërmin ne dashuri dhe ne paqe.

Ne kete dite te shenjterimit tand, Shenjtja Tereze lutu per ne!

Amen! Zoti ju bekofte!

Valentin Lumaj,

Festivali Tradicional Shqiptar

Michigan, 5 Shtator 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Nene Tereza, Valentin Lumaj

BALLKANI PERËNDIMOR DHE DYERT E MBYLLURA TË BE-së

September 3, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli/

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes jetik i vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë. Po të mos jetë BE-ja, Ballkani do të kthehej një shekull para, do të kthehej në kohën kur gadishulli ka qenë fuçi baruti. Pa BE-në, gadishulli i sotëm do të rikthehej në kohën e bellum omnium kontra omnes. Pa një perspektivë integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rajon do të synonin të penetrohen Rusia dhe Kina. Në vendet ku ka popullsi të fesë islame, do të synonte të depërtojë Turqia.  Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende ndodhen në fazën kalimtare. Tranzicioni në këto gjashtë vende, i filluar në vitin 1991, akoma s’ka përfunduar. Tri dekada tranzicion. Tridhjetë vjet në fazën kalimtare. Janë do vende që kanë hyrë në BE pa i plotësuar standardet e Unionit. Një prej tyre është Greqia. Athina, jo vetëm nuk i respekton liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike jogreke, por edhe fare nuk i njeh ato. Greqia është pranuar në BE si vend me popullsi të krishterë i cili ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë. Pa i plotësuar si duhet standardet, janë pranuar në BE të gjitha vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë në afërsi të saj. Domethënë vendet të cilave u kanoset rreziku rus. Vende të cilat nuk i plotësojnë standardet janë edhe Bullgaria me Rumaninë. Megjithëkëtë, ato ia dolën të bëhen anëtare. Vendet që kanë pasur lidhje historike me Gjermaninë apo me Francën, integrimin në BE e kanë pasur më të lehtë. Kroacia është bërë anëtare e Unionit në saje të mbështetjes së Berlinit. Sllovenia u bë anëtare e Unionit pa kurrfarë problemi. Asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i arrijë standardet e Sllovenisë. Brukseli nuk dëshiron t’i ketë me vete shtetet që janë në konflikt ndër vete. Këtu bëjnë pjesë disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Maqedonia e Veriut është në mosmarrëveshje me Bullgarinë rreth identitetit të sllavo-maqedonasve. Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e njeh autoritetin e pushtetit qendror. Në Mal të Zi, Beogradi e ka krijuar kolonën e pestë të vet. Me këso mosmarrëveshjesh nuk shkohet në Evropë. Nuk mjafton të thuhet: “Jemi evropianë, jemi pjesë e kontinentit”. Po qe se vendet e Ballkanit Perëndimor vërtet janë pjesë e kontinentit të vjetër, atëherë ato duhet të ndërtojnë standarde evropiane. Po qe se politikanët dhe popujt e gjashtë vendeve të sipërthëna vërtet janë evropianë, atëherë ata duhet edhe të sillen si evropianë. Uashingtoni dhe Brukseli e dinë mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor, pos integrimit në BE nuk kanë alternativë tjetër. Rusia dhe Kina nuk janë alternativë e BE-së as e aleancës dhe partneritetit me ShBA-në. Fajin për mbylljen e dyerve të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kërkojnë në vetvete. Brukseli mund edhe t’i çelë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Me Serbinë dhe me Malin e Zi, Brukseli qëmoti i ka çelur bisedimet për anëtarësim, por më kot. Këto dy vende vazhdojnë të jenë jashtë Unionit.  Edhe pasi të çilen bisedimet për anëtarësim, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të presin me vite për t’u anëtarësuar. Edhe kur të hyjnë në BE, këto gjashtë vende do të jenë të shpërfillura nga Brukseli. Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë politikanët apo klasa politike dhe inteligjencia apo klasa intelektuale, që ndodhen në skenën politike apo në pozita, që nga viti 1991 deri në ditët e sotme. Tridhjetë me radhë. Përgjegjës për zgjatjen pafund të periudhës kalimtare janë kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, liderët politikë apo liderët partiakë, ministrat dhe deputetët. Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe administruesit e pushtetit vendor. Për zgjatjen pambarim të kalimit nga monizmi në pluralizëm mban përgjegjësi morale edhe inteligjencia e gjashtë vendeve të lartpërmendura. Gjatë periudhës së tranzicionit institucionet arsimore dhe shkencore të vendeve këtij rajoni, nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë. Me fjalë të tjera, akademitë e shkencave, institutet pranë akademive dhe universitetet, gjatë periudhës kalimtare nuk e kanë luajtur rolin e tyre. Inteligjencia e gjashtë vendeve ka qenë oportuniste dhe konformiste. Preokupim i tyre ka qenë zënia e pozitave nëpër institucionet arsimore dhe shkencore – për interesa vetjakë. Për t’i arritur qëllimet personale, inteligjencia e këtyre vendeve, para pushtetarëve është treguar edhe inferiore. Një akademik, një dijetar apo një profesor universiteti ndjehet inferior para një pushtetari mediokër! Në Ballkan ka politikan me diploma universitare të blera apo të falura. Ky injorant e dirigjon dhe e shndërron në vegël, në mjet një drejtor shkolle të mesme, emëron dhe shkarkon rektorë universiteti! A thua një Ballkan i tillë e ka vendin në familjen demokratike!? Heshtja e inteligjencies dëshmon edhe mungesën e demokracisë. Gjithmonë gjatë historisë politikanët autoritarë dhe autokratë kanë synuar ta heshtin dhe ta frikësojnë inteligjencien. Ka raste kur i ndajnë në të përshtatshëm dhe në të papërshtatshëm. Të përshtatshëm i quajnë ata që flasin mirë për ta, ndërsa të papërshtatshëm – ata që i kritikojnë gabimet dhe abuzimet e tyre. Të keqen kanë për detyrë morale ta kundërshtojnë edhe krijuesit letrarë apo artistikë. Askush s’ka të drejtë t’i mbyllë sytë para të keqes. Politika e Ballkanit ka forma të ndryshme për ta neutralizuar shkrimtarin. Shkrimtarët e mëdhenj konsiderohen ndërgjegje e kombit. Të jesh indiferent ndaj një tranzicioni që zgjatë pambarim është akt i pamoralshëm. Intelektuali me integritet është zëri i kohës. Në kohë zezonash shkrimtarët e mëdhenj nuk janë mbyllur në kullën e fildishtë. E keqja dhe e pavërteta troket në ndërgjegjen e shkrimtarit dhe e trazon atë. Mediumet në Ballkan janë vegla, mjete dhe instrumente të pushtetarëve. Ato janë në shërbim të politikës dhe të pushtetarëve. Detyrë e mediumeve apo e studiove televizive është që nëpërmjet debateve të ditëpërditshme të bëjnë shpëlarjen e trurit të njeriut. Rolin e përpunuesve të trurit e luajnë analistët politikë. Mediumet e rajonit janë nën kontrollin e hekurt të politikës dhe të pushtetarëve. Nga kjo del se në këtë rajon apo në këtë pjesë të rajonit, nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Kjo është një utopi. Të ballafaquar me probleme financiare, mediumet e rajonit detyrohen të vihen në shërbim të politikës dhe të pushtetit. Kuptohet, ka edhe mediume që përpiqen të ruajnë mëvetësinë, të jenë më asnjanës, më objektiv dhe më të baraspeshuar. Vegla, mjete dhe instrumente të politikës janë edhe analistët politikë apo personat që krijojnë opinione. Për punën e pandershme që bëjnë, këta farë opinionistë shpërblehen prej punëdhënësve të tyre. Detyrë e këtyre mashtruesve të stërvitur është të shkaktojnë huti, të mbjellin mjegull, të krijojnë nebuloza, të pavërtetën ta paraqesin si të vërtetë. Në këtë pjesë të rajonit shkalla e demokracisë është në pikën më të ulët. Në këto gjashtë vende mungon mendimi kritik, mungon kritika politike, mungon mendimi alternativ, mendimi ndryshe. Mungon edhe kritika sociale. Edhe kur ka njëfarë kritike politike apo kritike sociale, ajo nuk është gjithaq objektive. Edhe ky lloj i kritikës politike është në funksion të politikës, por tani në shërbim të opozitës. Tranzicioni në këtë pjesë të gadishullit nuk zvarritet rastësisht. E keqja në këtë pjesë të rajonit është pjesë e politikës, është shndërruar në sistem dhe kjo nuk mund të luftohet lehtë. Në këtë moçal interesash të rretheve të privilegjuara, individi është i pafuqishëm.  Ndërkohë, popujt e këtyre gjashtë vendeve paguajnë çmim të lartë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi dyndje popujsh, drejt Gjermanisë dhe Amerikës. Trojet shqiptare në gadishull ballafaqohen me shpopullim të frikshëm. Për politikën shqiptare kjo trajtohet si çështje statistikore. Para kësaj tragjedie kombëtare inteligjencia është indiferente dhe indolente. Po t’i hapë Gjermania dyert, shqiptarët do të mbeten pa rini. Në Ballkanit Perëndimor, brenda tri dekadave, përkundër ngecjes, asnjë politikan, kryeministër, ministër dhe deputet nuk dha dorëheqje si detyrim moral. Secili prej tyre shikonte punët e veta dhe interesat e vet dhe jo interesin e përgjithshëm. Të keqen në gjashtë vendet e rajonit s’e has dot askund në Evropë. Ligësinë dhe shëmtinë në këtë pjesë të siujdhesës, mbetet ta krahasosh vetëm me vendet më të pazhvilluara të botës.   

*   *   *

Dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të mbyllura ngase:

– këto gjashtë vende nuk ia dolën të ndërtojnë shtet ligjor;

– nuk ia dolën të ndërtojnë shtet demokratik;

– në këto vende nuk kemi reforma në drejtësi:

– reformat në drejtësi në këto vende janë vonuar;

– në disa nga këto vende sistemi i drejtësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë inekzistent;  

– në këto vende kemi politizim të skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë;

– në këto vende kemi politizimin dhe partizimin e të gjitha institucioneve të shtetit;

– në këto vende zënë pozita të larta politike edhe individë me të kaluar të dyshimtë;

– një numër i politikanëve posedon nivel arsimor ulët;

– administrata shtetërore e këtyre vendeve është administratë partiake;

– administrata publike e këtyre vendeve është në shpërpjesëtim frapant me nevojat e institucionit;

– rreth 50% e punëtorëve të administratës janë tepricë; 

– diletantizmi në këto vende sundon mbi profesionalizmin;

– përcaktimi partiak vlen më shumë se niveli profesional;

– militantizmi partiak vlen më shumë se vlerat etike të individit;

– oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi çmohet më tepër se integriteti moral;

– korrupsioni në këto vende ka përmasa dramatike;

– korrupsioni në këto vende i përfshin majat e shtetit dhe të politikës;

– nepotizmi në këto vende konsiderohet punë normale;

– nepotizmin në këto vende e zbatojnë politikanët dhe pushtetarët;

– në pozita politike dhe shoqërore emërohen dhe caktohen militantët partiakë;

– dallimet sociale janë si në kohën e Çarls Dikensit dhe të Uilliam Thekerit;

– në disa nga këto gjashtë vende, ka punëtorë me paga 150 deri në 200 euro;

– në këto gjashtë vende, për të kryer një punë në ndonjë institucion, duhet të japësh mitë dhe ryshfet;

– në këto gjashtë vende, asnjë punë nuk ka mundur të kryhet pa i dhënë nëpunësit ryshfet;

– ryshfet – në bashki apo në komunë, në administratë, tek ofiqari, korrupsion në gjykatë, në prokurori, në spital, në universitet, në dogana, në polici;

– korruptohen politikanë, ministra, zëvendësministra, deputetë, policë, doganierë, mjekë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish apo komunash;    

– në disa nga këto gjatë vende, vite me radhë mallrat kanë kaluar nëpër kufij dhe dogana, pa kurrfarë kontrolli;

– kontrabanda në këto vende është kryer me implikimin e personave zyrtarë, policëve, doganierëve, ministrave etj.;

– në disa nga këto gjashtë vende kultivimi i lëndëve narkotike, trafikimi dhe përhapja e tyre të përkujton vendet e Amerikës Latine;

– në disa nga vendet e rajonit zbatohet pastrimi i parave të pista njësoj si në vendet e prodhimit të lëndëve narkotike;

– në disa nga këto vende kemi trafikim armësh dhe qeniesh njerëzore;

– shoqëria civile në këto vende nuk është e organizuar sa duhet;

– disa nga këto gjashtë vende nuk tregojnë aftësi për të realizuar zgjedhje parlamentare apo zgjedhje vendore demokratike;

– politikanët e këtyre vendeve nuk dinë se ç’është përgjegjësia politike;

– diskursi, fjalori dhe retorika e politikanëve të këtyre vendeve ndaj oponentëve politikë është triviale, vulgare dhe parake;

– në disa nga këto vende vjedhjet, reketimet, rrëmbimet, plagosjet dhe vrasjet janë dukuri e përditshme;

– aksidentet rrugore në disa nga këto vende janë shndërruar në çështje statistikore;

– ndotja e mjedisit në disa nga këto vende është lënë jashtë kujdesit të shtetit;

– grumbujt e hedhurinave janë shndërruar në gjë normale;

– ndërtimet pa leje kanë përmasa të paimagjinueshme;

– ekonomia gri dhe informale lulëzon në të katër anët;

– në disa nga këto vende qytetarët nuk i kanë shlyer dhe vazhdojnë të mos i shlyejnë detyrimet tatimore, tatim-qarkullimin e mallrave, tatimfitimin; detyrimet për harxhimin e rrymës elektrike, të ujit, të depozitimit të hedhurinave; për klasifikim e hedhurinave as që mund të flitet; 

– në disa këto gjashtë vende është e përhapur në përmasa të frikshme dhuna në familje, e në veçanti dhuna ndaj grave;

– infrastruktura e shkarkimit të ujërave të zeza dhe e ujërave atmosferike e këtyre vendeve është primitive dhe e vjetruar; 

– në disa nga këto vende cilësia e arsimit është në nivel të ulët;

– shumica e udhëheqësve politikë të këtyre gjashtë vendeve janë politikanë autoritarë dhe autokratë, ndërsa në partitë politike nuk ka demokraci të brendshme; ku është dallimi ndërmjet këtyre partive të kohës së demokracisë parlamentare dhe partive të kohës së bolshevizmit!?

Krejt kjo nuk është as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. 

*   *   *

Politikanët e Ballkanit Perëndimor, duke e vjedhur shtetin, janë pasuruar. Kanë krijuar pasuri marramendëse. Politikanë të pasur të vendeve të varfra, të popujve të varfëruar. Shtetet me politikanë dhe me qeveritarë të korruptuar nuk zhvillohen ekonomikisht. Askush nuk investon në shtete të tilla. Papunësia në ato shtete ka përmasa të frikshme. Çdo i dyti në ato shtete e ka në mendje emigrimin, ikjen, shpërnguljen.  

Çdo popull ka qeveri të tillë siç është vetë. Grekët e vjetër kanë thënë: ”Si është populli, e tillë qeveria”. Janë popujt që i votojnë këta politikanë, që i votojnë partitë e tyre. Popujt e Ballkanit Perëndimor nuk votojnë politikisht. Ata votojnë si popuj me probleme dhe me nevoja sociale. Ata janë shndërruar në popuj socialë. Ata votojnë për një vend pune, për një pagë apo për një rrogë. Ata s’bëjnë politikë. Janë të zhveshur nga çdo ideologji. Interesi dhe preokupimi i tyre është ta punësojnë djalin, vajzën, renë, vëllain. Këta popuj të rajonit rrezikojnë të humbin edhe aftësinë për ndryshime.     

*   *   *

Për shkak të problemeve të sipërthëna që mbizotërojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja nuk është e interesuar t’i pranojë ato në radhët e veta. Të ngarkuar me probleme, këto gjashtë vende do të ishin barrë për Unionin. Për të trokitur në dyert e mbyllura të Brukselit, këto gjashtë vende duhet ta ndryshojnë vetveten. Kjo rrugë është e gjatë. Po qe se nuk do ta marrin rrugën e ndërtimit të shtetit ligjor, ironia e politikanëve ballkanikë do të duket si vox clamantis in deserto.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: BALLKANI PERËNDIMOR, Integrimi Europian, Xhelal Zejneli

“NJË SHTËPI E NDARË DHE E PËRÇARË KUNDËR VETES, NUK MUND TË QËNDROJË”

September 2, 2021 by s p

                                                           

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25). Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndroj, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur antarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni këto dy fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për ke due për çka e kam fjalën. Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së Veriut (propozues të Lidhjes “Ballkani i Hapur” dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për antarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë. 

A group of men in suits clapping

Description automatically generated with medium confidence
Foto nga gazeta shqptaro-amerikane, “Illyyria”
Two men in suits standing in front of a body of water

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Dielli”

                                  Nga takimet aktuale në Bled të Sllovenisë

I shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare.  Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohëshme, populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipëri-Kosovë – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me 

Text

Description automatically generated

“Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se 

lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia—megjithë të metat e saj — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbane botës, përfshir popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë — të cilët për interesa jo kombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare — po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Frank shkreli, kosova, shqiperia

VIKTIMAT E KOSOVËS NUK E KANË THËNË ENDE FJALËN E TYRE TË FUNDIT

September 1, 2021 by s p

Nga Ylljet Aliçka

      Në një nga librat e fundit  shkruar nga Zonja Karla del Ponte, ish-prokurorja e Gjykatës së Hagëd, ka parashtruar (sipas të thënave të dikujt ??!!) se një  veprimtari trafiku organesh të robërve serbë ka ngjarë  në një fshat të prapambetur të Shqipërisë.

Përfshi ambiguitetitn  e këtij “zbulimi” të vonuar lidhur me burimin e informacionit, është i habitshëm fakti se deklarata e saj është pasuar nga një mobilizim  i ethshëm mediatik, që, me sa duket,  nuk buron vetëm nga sensacioni i përmbajtjes së kësaj deklarate.

Para ca kohesh akuza e mësipërme u formalizua madje nga një komision ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, menjëherë pas një propozimi të delegacionit rus.Thënë ndryshe, akuza virtuale e një ish prokuroreje po ndjek rrugëtimin e saj institucional.

Ndodh që një ekip gazetarësh të huaj vizitojnë banorin e fshatit të thellë shqiptar në lidhje me çështjen e transplantit të organeve dhe pasi i shpjeguan se çfarë kuptimi kishte transplanti dhe trafiku i organeve, ai nuk mundi ta fshihte habinë e tij mbi progresin që paska bërë shkenca për shërimin e qenive njerëzore, duke zëvendësuar organet e tyre!!

Kështu një familje e ndershme shqiptare u bë e famshme për shkak të një akuze poshtëruese  lidhur me një aktivitet të hamendësuar kriminal.

Sikurse ndodh rëndom, të vërteta ose jo, akuzat e zonjës del Ponte dhe jehona “spontane” e disa medieve ndërkombëtare, përfshirë Komisionin ad hoc të Asamblesë Parlamentare  të Këshillit të Evropës, kanë bezdisur e poshtëruar në terma vlerash, jo vetëm këtë familje dhe banorët e këtij fshati malor, por një komunitet të tërë shqiptar.

Rrethanat  deshën që znj Del Ponte të zgjidhte  një vend të hamendësuar krimi, pra fshatin ku ajo përfytyron se ka ngjarë transplanti i organeve, në një zonë ku kam punuar si mësues fshati për thuajse një dekadë. Pretendoj  se i njoh  mirë potencialet teknologjike të këtij fshati,  pra jam më se i vetëdijshëm  për pabazueshmërinë  e akuzës, me shumë gjasë ashtu si dhe hartuesit dhe autorët e akuzës.

Përse, atëherë, Znj del Ponte hodhi këtë blasfemi menjëherë pasi la mandatin e saj si prokurore, ndërkohë që ajo nuk kishte asnjë pengesë për të ndërmarrë një hetim gjatë mandatit të saj ? Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur ndaj çdo instance të Gjykatës së Hagës, edhe pse shqiptarët kanë pasur gjithnjë vështirësi për të kuptuar  orvatjet e veshura me “objektivitetin e ashpër” të Znj del Ponte, duke dashur çdo herë të baraspeshojë fajësinë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe, njëherazi të shmangë akuzën ndaj serbëve për gjenocid, duke e reduktuar këtë çështje  vetëm në nivel politik.

Po në këtë frymë Shqipëria  ka përshëndetur gjestin  e dorëheqjes së udhëheqësve kosovarë për tu dorëzuar përpara gjykatës së Hagës.

Lind pytja, mos jemi përballë një improvizimi emocional të Znj del Ponte, apo përballë ndonjë nxitimi për të nxjerrë në pah të keqen pa e shqyrtuar më parë, duke dashur të nxjerrë fajtorët, pa marrë as mundimin për të ekzaminuar krimet?

Apo ndofta Znj del Ponte nuk është aq e ndërgjegjëshme për të kuptuar të gjithë të keqen që ajo ka shkaktuar me këtë akuzë virtuale ?

Me të drejtë thuhet se kush  do të vrasë qenin, fillimisht e akuzon atë për tërbim.Nga ky fakt, na lind e drejta të mendojmë  se krimi po përpiqet edhe këtë herë të marrë theksin e virtutit. Në një kohë kur bota demokratike po bën çmos të eliminojë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën serbo-shqiptare, sipas modeleve evropiane, akuza e mësipërme kontribuon më së shumti në një përjashtim të pakthyeshëm të shqiptarëve, nëpërmjet mohimit të njohjes  si dhe poshtërimit moral të tyre.

Nga ana tjetër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nis një hetim mbështetur mbi këtë akuzë imagjinare, kryesuar nga një prej deputetëve më të dalluar antishqiptar, zviceriani Dik Marti, përmes procedurash të stërgjatura dhe gjithçka e financuar nga taksapaguesit e vendeve antere të Këshillit të Evropës, ku bën pjesë dhe Shqipëria. 

Hetim ky në një kohë kur e vërteta e katastrofës masive kosovare ende nuk është shpalosur në tërë dimensionin e saj të vërtetë dhe kur, jo rrallë, kujtimi dhe harresa shndrrohen në institucione manipulimi të së vërtetës, për ta mbuluar atë me tisin e harresës apo veshur me ngjyrat e virtytit.

A ka kjo Asamble të njëjtin vullnet për të zbuluar gjithë të vërtetën ende të panjohur të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë, të atyre mijra viktimave të torturuar e të zhdukur, dhunimeve e masakrve të pangjara në historinë moderne të njerëzimit?

Eshtë e qartë se gjithë këto procedura që do pasojnë dhe zgjatjesh pa fund  të hetimeve do ndihmojnë për të rritur shtresën e pluhurit të harresës ndaj krimeve të vërteta dhe të fajtorëve të vërtetë në rajon. 

Në tallazinë e betejave të perceptimeve të opinionit publik, duket qartë se kemi të bëjmë me  përpjekje për të vënë  shenjën e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet dhe mbijetesë të viktimave kosovare. Përpjekje këto  për të penguar shtetin e ri të Kosovës, që lufton për të konsoliduar  identitetin e tij kulturor e shtetëror, për hapësirën e tij në Evropë për tu çliruar nga traumat e tij historike, vetëm përmes të vërtetave.  Atyre të vërtetave të cilat ndërgjegjja njerëzore, të paktën pas luftës së dytë botërore, duke se nuk po ka ende fuqi t’i perceptojë realisht. 

A ka mundësi që Znj del Ponte të jetë e paaftë për të kuptuar se si dikush nga një aksh etni i çan barkun një gruaje shtatzënë nga një tjetër etni dhe para se ta therë e përdhunojë, e bën film erotik dhe i skalit mbi mishin e gjinjve nga një kryq; apo se si theret një fëmijë dyvjeçar dhe i pihet gjaku në sy të nënës së tij, …

Këto nuk janë fantazi, por realitete dhe dëshmi që, qoftë për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të ndrojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet,  bindesh fare lehtë se ende nuk ka dalë krejtësisht në vëmendje të opinionit publik ndërkombëtar tërë ai krim masiv, polimorf dhe i shumëfishtë, në një kohë kur me qëllim apo kinse spontanisht, me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë përpiqet të fshihet, qoftë dhe duke iu kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik. Të asaj mjeshtërie instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë “armikun objektiv” të kombit serb, nëpërmjet “vizioneve profetike” në lidhje me të ardhmen e ndritur të popullit serb në Ballkan. për të kaluar më pas në  përqasje kokësprapthi të asaj që Peter Handke e quan : “Universi serb i dhembjes”.

A do ti mjaftojë popullit shqiptar apo banorëve të fshatit të thellë malor një shfajësim nga ana e Znj del Ponte? Eshtë fort e mundëshme që edhe kjo gjë të mos ndodhë, thjesht për inerci dhe traditë të modelit serb, që nuk denjoi kurrë të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë.
Por historia i ka bërë shqiptarët,dhe jo vetëm ata, të kuptojnë se shpifja turbullon, por është e vërteta që qetëson. E këto mësime të historisë marrin një tjetër vlerë nëse rikujtojmë se urrejtja e shqiptarëve nuk është aq e rrezikëshme sa miqësia e tyre.

Ylljet Aliçka, botuar ne  Courrier des Balkans

Filed Under: Opinion Tagged With: Karla Del Ponte, Viktimat e Kosoves, Ylljet Aliçka

Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

August 31, 2021 by s p

Nga Genc Pollo

Refugjatët afganas po krahasohen me shqiptarët që lanë vendin duke ikur nga sytë këmbët në vitet 1990-1991. Ky krahasim po përdoret nga propaganda e qeverisë për të ngjallur emocione pozitive dhe për të prezantuar si moralisht të justifikuar strehimin e deri 4000 refugjatëve nga Afganistani. Si zakonisht propaganda nuk kujdeset shumë për vërtetësinë e saktësinë e narrativës së saj. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim. Në 90-91 regjimi komunist ishte ekonomikisht e moralisht i drobitur dhe me përjashtim të disa segmenteve të Sigurimit të Shtetit e të rojeve kufitare kishte humbur vullnetin për ushtruar “dhunë revolucionare”. Ata mijëra e mijëra njerëz të paushqyer e të veshur keq që u dyndën në anijet e ndodhura në porte apo marshuan në male e pyje për gjetur diku një jetë më të mirë nuk kërcënoheshin (më) nga internimi, burgosja e pushkatimi. Ata thjesht ishin shpresëhumbur e të dëshpëruar (çdo krahasimi me vitet e fundit nuk është ose është i rastësishëm). Ata nuk ishin bashkëpunëtorë të shteteve të huaja me prani ushtarake, diplomatike apo ojf-iste në vend por njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë (asokohe njiheshin tre: klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste e inteligjenca popullore). Fillimisht ata u pranuan në shtetet fqinjë (Greqi, Itali e më tej në Europë); por kur u duk se u teprua me numrat e mjetet si në gusht 91 u kthyen me forcë në Rinas përmes një ure ajrore. Ndryshe nga refugjatët afganas atyre nuk ju ofrua evakuim me avion nga shtete të huaja dhe as nuk u pritën e përshëndetën në aeroport nga qeveritarë siç po shohim me kryeministrin ekzibicionist; ata u ndihmuan pjesërisht nga strukturat shtetërore e më së shumti nga qasja karitative e shoqërive në vendet strehuese. Krahasimet historike çalojnë në përgjithësi. Por nëse duhet patjetër të gjejmë një paralele shqiptare me minieksodin në Afganistan më e afërta që gjëndet është ajo e viteve 1944-1946. Ata që kolaboruan me Wehrmacht-in e autoritetet gjermane pjesërisht ikën nga deti e toka brenda vitit 1944. Ata që punuan me misionet anglo-amerikane pjesërisht mundën të largoheshin deri në vitin 1946. Ata që mbetën vuajtën keq pasojat e një vrulli ideologjik totalitar e çnjerëzor shumë të ngjashëm me atë të talebanëve në vitet 90. E vetmja gjë për të cilën tashti mund të shpresojmë e lipset të lutemi është që talebanët e vitit 2021 të jenë më pak dogmatikë e më shumë njerëzorë.Përveçse të shpresojmë e të lutemi lipset edhe të veprojmë që projekte idealiste të Perëndimit, si ai që filloi në v. 2001 në Afganistan, të mos dështojnë si pasojë e inkompetencës, paqartësisë, miopisë e korrupsionit. Për këtë sfidat i kemi këtu, në vendin tonë duke mos harruar se i zoti e nxjerr gomarin nga balta. 

30 gusht 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistani, Genc Pollo, opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT