• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QËMTIME NË “STUDIME ETIMOLOGJIKE NË FUSHË TË SHQIPES” TË EQREM ÇABEJT

August 10, 2025 by s p

Nga prof. dr. Mimoza Kore*/

Vërejtje të përgjithshme

Studimet tona albanistike kanë njohur arritje të shënueshme në dekadat e fundit, por kreun e vendit në to e zë, pa dyshim, vepra madhore e emërtuar thjesht nga Eqrem Çabej, “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Kjo vepër në 7 vëllime e pa dritën e botimit dorajdorës, derisa në vitin 2014 u realizua edhe botimi i vëllimit V, botim që plotësoi gjithë këtë korpus të punës prej katër dekadash të Eqrem Çabejt, që u prit me ngazëllim nga gjuhëtarët e veçanërisht ata të fushës, çka gjen shprehjen më të mirë në kumtin e B. Demirajt: “Consummatum est ~ u kompletua!”

Puna për studimin etimologjik të leksikut të shqipes filloi në trajtë artikujsh prej tij të cilët u botuan fillimisht në “Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës” prej vitit 1960 deri më 1963 dhe në revistën “Studime Etimologjike” prej 1964 deri më 1968. Në vitet që pasuan E. Çabej i plotësoi më tej ato derisa në fundin e viteve ’70 filloi puna për botimin e veprës “Studime Etimologjike në fushë të shqipes”.

Për nevoja të momentit i ishim drejtuar kësaj vepre për të konsultuar etimologjinë e ndonjë fjale të veçantë, jetën e saj, por përpara 2 vitesh, së bashku me dy kolege, u përkujdesëm për redaktimin e të gjithë veprës për ta përgatitur edhe një herë për një botim të ri. Të rrokurit me punë dhe vështrim të kujdeshëm të gjithë kësaj ngrehine madhore që mund të quhet enciklopedi e shqipes, na bëri të kuptojmë më mirë filozofinë e punës, metodën dhe parimet e ndjekura, zgjidhjet racionale e të mbështetura shkencërisht, mesazhet shkencore që arrijnë deri në ditët tona, të cilat i japin ende kësaj vepre vlerën e bashkëkohësisë.

Së pari, qysh në krye të herës E. Çabej përcakton qartë se ky punim ka një karakter të dyfishtë, ai është njëkohësisht kritik e ndërtimtar. Ky është një mesazh për këdo që nis një punë shkencore. Dokumentimi kritik, mbajtja qëndrim, paraqitja e gjendjes së studimit etimologjik të shqipes, vlerësimi objektiv i punës së mëparshme, kjo përbën njërën anë të dukshme të karakterit të përgjithshëm të kësaj vepre.

Për këtë me skrupulozitet shkencor, me objektivitet dhe i mbështetur mbi parimet e avancuara të kohës ai shqyrtoi etimologji të dhëna më parë nga studiues të huaj si: G. Meyer, N. Jokl, Stieri, F. Miklosichi, H. Schuchardti, K. Brugmanni, A. Thumbi, W. Meyer Lübke, H. Helbigu, G. Weigandi, M. Lambertzi, C. Treimeri, M. Vasmeri, M. Bartoli, A. M. Seliščevi, P. Skoku, H. Barići, S. Puşcariu, O. Densusianu, A. Philippide, A. Rosetti, V. Pisani, V. Georgievi, V. Popovići, C. Tagliavini, S. Manni, W. Cimochowski, H. M. Ölbergu etj. Edhe pse përballë kishte gjuhëtarë të mëdhenj, ai shqyrtoi me kujdes shpjegimet e tyre etimologjike shumë prej të cilave konstatoi se ishin të sakta e të pranueshme, shumë të tjera të diskutueshme e deri të dyshimta e të tjera të shpjeguara pa kujdes ose në mënyrë spekulative. Për shembull, lema pështýj, pështymë ishte shpjeguar nga G. Meyer, Meyer-Lübke prej lat. *sputire për sputare. Po kështu sipas tyre kishin shkuar edhe Weigandi, Puşcariu, Tagliavini. E. Çabej e shpjegon si fjalë e mbarë gjuhës, e cila del qysh te Buzuku dhe bazën e ka te një onomatope. Po kështu fjala rend II. “vrapoj, eci me vrap”, të cilën G. Meyer e sillte prej greqishtes e kjo pas sllavishtes.

Me këtë pajtohej edhe G. Weigandi. E. Çabej vlerëson shpjegimin e N. Jokl që shihte një fjalë vendi. Për fjalën kaçe “në shpinë, kaliqafë, kaliboç” fjalë e toskërishtes jugore (Gjirokastër) shënuar së pari te Hahni (210). Jo nga turq. kiç “pjesë e mbrapme, vithe” (G. Meyer 182 te kaç), po nga kal-çe, prej kalë + turq. çe. Edhe sinonimet e kësaj: kaliqafë kalaqafë, kaliboç, kalapiç, kalikaç, përmbajnë fjalën kalë, gjithashtu optikalas; sh. kaliqafë, optikalas. Për sufiksin turk -çe në shqipen sh. A. Xhuvani – E. Çabej. (29v.) E mund të vazhdojmë me çerdhe f. të cilën G. Meyeri (446) e mendonte për një huazim të vjetër prej sll. *čerda= sll. e vj. kishtare črĕda, kurse E. Çabej e shënon si fjalë vendi.

Përveç shqyrtimit të punës së të tjerëve, E. Çabej ndërtoi të gjitha format e fjalës brenda shqipes e nga ana tjetër siç shprehet dhe vete, në rastet kur etimologjia e një fjale, e dhënë prej të tjerëve, paraqitet e drejtë, ai përsëri e përforcoi atë me të dhëna të reja. Në këtë mënyrë ai vlerësoi dhe trashëgiminë e studiuesve shqiptarë edhe pse nuk mund të flitej deri atëherë për studime të mirëfillta etimologjike mbështetur në parime të rrepta shkencore, si: P. Mazreku, N. Keta, E. Mashi, V. Dorsa, J. De Rada, Th. Mitko, N. Gazulli dhe sidomos Dh. Kamarda, K. Kristoforidhi, M. Camaj, A. Xhuvani. Zgjidhjet që kishin dhënë shpesh ishin arbitrare, intuitive, megjithatë ai i vlerësoi dhe shumë prej tyre i pranoi.

Koha në të cilën punoi, kishte dhe kufizimet e veta, por ai me guximin dhe paanshmërinë e shkencëtarit mori në shqyrtim dhe citoi deri në detaj edhe punën e atyre që sistemi i konsideroi të padëshirueshëm, madje i kishte dënuar. Edhe pse nuk u pasqyruan në botimin e kësaj vepre, duke u censuruar, në skedat vetjake të E. Çabejt (për të cilat falenderojmë të bijën që na i vuri në dispozicion) gjejmë emrat: B. Palajt, B. Dema, V. Volaj, Sh. Bardhi, M. Camaj, veprën « Lahuta e Malcis » e shumë zgjidhje të paraqitura në to i ka pranuar si të drejta. Sigurisht, siç e shpjegon dhe vetë, parimisht ka kaluar në heshtje sprovat e kota të diletantëve pa kompetencë.

Mbështetjen më të madhe në nxjerrjen e konkluzioneve të tilla E. Çabej e gjeti te njohja e mirë e gjuhës amtare, e dialekteve e të folmeve shqipe në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarë, të dhëna për të cilat vit pas viti që ai punonte, po shtoheshin e për këtë kanë meritë gjithë gjuhëtarët e kësaj periudhe. Mbështetej, gjithashtu në materialin e trashëgimisë shkrimore të shqipes prej të cilave vinin fjalë të vjetra e të pavëna re në studimet e mëparshme.

E. Çabej nuk kishte qëllim që në këtë punim madhor të studionte shqipen si qëllim në vetvete e për vetevete, por synimi ishte më i gjerë se kaq, të përcaktohej nga ana e leksikut karakteri specifik i shqipes dhe vendi i saj në rrethin e gjuhëve të tjera indoeuropiane me një formulim më të prerë nga ç’është bërë gjer më sot, thotë ai. Një punë e tillë duhet të kryhet dhe për sistemin fonetik e sistemin morfologjik të saj, për të arritur në një gjykim më përfundues në këtë çështje. Kjo bëri që në këtë vepër shqipja të gjente një ridimension së brendshmi, të shqyrtoheshin fjalë e trajta të tyre në të gjitha të folmet, dialektet, tekstet e hershme. Kështu për fjalën Çup “kënd, qoshe” ai jep të gjitha variantet në të folmet e shqipes: çep “sqep; kënd, çip, qoshe”, cep “skanj; qoshe, kënd i dalë; sup; sqep”, qep, sqep, thep, çip “kënd, qoshe”, s-qup, sup. Sigurisht që këto okurrenca albanologët e huaj nuk mund t’i jepnin dot.

Duke njohur mirë gjuhën amtare, jetën që kishte bërë fjala, rrudhjen e përdorimit të saj, variantet parake e ato të vonshme, shtrirjen brenda e jashtë trevave politike aktuale, të gjitha këto bënë që gjuhëtari ynë të dilte në përfundime të rëndësishme për historinë e gjuhës shqipe, për trevat ku ishin shtrirë shqiptarët e të parët e tyre.

Objektiviteti shkencor e përshkon gjithë këtë vepër. E. Çabej nuk mori në shqyrtim vetëm fjalë të cilat mund t’i analizonte, krahasonte e në fund të jepte një përfundim bindës. Ai nuk iu shmang edhe atyre që mbeten ende të pazgjidhura, duke lënë një derë të hapur për ata që do të vijonin të merreshin me etimologji. Nga ana tjetër nuk i vuri vetes detyrë të shtonte me çdo kusht përqindjen e elementit të trashëguar të leksikut prandaj edhe për disa fjalë të shpjeguara si vendase E. Çabej tregoi burimin e huaj, p.sh. edhe pse Meyer, Helbig e Bariç fjalën foshnjë e shpjegojnë si të shqipes E. Çabej e lë të diskutuar, megjithese pranon që shtrihet në të gjitha të folmet. Po kështu gjegjem për të cilën pranon se është fjalë e gjuhës mbarë, sot e vjetruar, por pranon se etimologjitë e gjertanishme janë të gjitha për të hedhur poshtë. U mungon ose mbështesa formale ose kuptimore, disa krejt fantastike.

Pasqyrë dhe analizë e vëllimit III

Për të parë më konkretisht e shqyrtuar më në detaj, morëm në shqyrtim Bleun III (C , Ç, D) të gjithë kësaj vepre, përzgjedhur në mënyrë të rastësishme prej nesh, ku mund të jepet dhe një pasqyrë e etimologjisë së lemave të përzgjedhura prej tij. Këtij vëllimi për fat të mirë, E. Çabej arriti t’i jepte dorën e fundit, ndryshe nga vëllimet e tjera qe mbetën në dorën e parë.

Duke pasur parasysh që ai nuk është një fjalor etimologjik në kuptimin klasik (si p.sh.Fjalori etimologjik i K. Topallit) në të gjenden lema që E. Çabej e gjeti të arsyeshme t’i shqyrtojë duke diskutuar punën e paraardhësve, po kështu gjenden të tjera që nuk kanë përdorim në gjuhën shqipe, por mund të kenë dalë në veprën e dikujt dhe janë bërë objekt analize nga etimologë të mëparshëm, madje dhe ndonjëra e kuptuar gabim prej të huajve, p.sh. dëtónj “i kam një borxh dikuj”. Kjo fjalë-shpjegon E. Çabej- nga sa dimë, nuk ekziston në Shqipëri. G. Meyeri pas gjithë gjasësh e ka marrë prej Zef Kamardës, ose dëshýll m. “humbje në luftë, thyemje” fjalë e përdorur nga Fan Nolit, dëshylli-i Beratit, “Historia e Skënderbeut” (1921) formim pas frgj. désastre, it. disastro: nuk ka hyrë në përdorim të gjuhës.

Me këtë duam të theksojmë se një pasqyrë e tillë paraqet pjesërisht gjendjen reale të shqipes kur është shkruar vepra. Kështu do të pritej që pas lemës foljore di të vinin diabet, diademë, diafragmë, diagnozë, diagonale, dialekt, dialog etj. Përkundrazi vinë lema të tilla që sot nuk përdoren dhe shumicës nuk iu dihet kuptimi, ndihen të vjetruara e shumë prëj tyre vinë prej turqishtes : dibá f. “lloj kumashi i mëndafshtë”, dibét m. “cipë e zezë e ndritshme, dibël mb. “i ligshtë etj. Kjo u realizua prej tij me qëllim për të parë karakterin historik të fjalëve.

Në këtë vëllim janë parë 849 njësi leksikore ( =C 174, Ç 263, D 412), duke përjashtuar variantet dialektore të lemës kryesore, të cilat shpjegohen te shkronja përkatëse e lemës bazë, p.sh. cacpuríq m., mb. lihet pa sqaruar, sepse eshte variant i Spurdhíq ; cagë f.: sh. cak, caherë ndf.: sh. ca ; çeshtíj: sh. teshtíj ; dyzllúk m.; sh. Tozllúk etj.

Po i paraqesim të klasifikuara më poshtë lemat e këtij vëllimi :

C Ç D

fjalë shqipe 119 92 149 =360

greqizma (të gjitha etapat) 13 5 16 =34

latinizma 2 2 24 =28

sllavizma 17 35 44 =96

turqizma 5 107 122 =234

veneciane 7 …. 4 =11

italianizma 4 7 21 =32

arab ..….. ..….. 1 = 1

anglisht ..….. ..….. 1 = 1

arumune 3 ……. …… = 3

spanjisht 1 ……. ……. = 1

etimologji të diskut. 3 12 23 = 38

etimologji dyfishe … 3 7 =10

849

Kjo pasqyrë na krijon një ide të raportit të fjalës vendase me fjalët e huaja, e cila nga vëllimi në vëllim pa dyshim është e ndryshme (shih për vëllimin V B. Demiraj) përveç këtij përpjestimi, kjo pasqyrë është shprehje e historisë së popullit tonë, e kontakteve me kultura e popuj të tjerë, ku dallohet ndikimi më i madh nga gjuhët e pushtuesve historikë, si sllavishtja, turqishtja. Kjo i jep kësaj vepre jo vetëm karakterin e një fjalori thjesht etimologjik, por dhe atij historik e tregon qartë se nuk kemi qenë një popull i izoluar, por jemi përballur me kontakte intesive e të gjata. Këtë e bën më të qartë dallimi prej autorit edhe të fazave nëpër të cilat ka kaluar fjala. Ai bën një shtresëzim kohor të leksikut, kështu e njëjta fjalë ka hyrë fillimisht nga latinishtja e më vonë përsëri nga italishtja duke i dhënë etimologji të dyfishtë fjalës latin, desperare, dhe it. disperare.

Në klasifikimin që kemi bërë kemi përdorur vetëm termin sllavizma, por shumë prej tyre janë periferike e të serbishtes, kurse në Jug mbizotërojnë ato prej bullgarishtes, duke nënkuptuar përsëri një faktor historik: Fjala cep m. II. “vile rrushi e vogël ”, Çabej e cilëson : Huazim krahinor prej sllavishtes. Në Veri prej serbokroatishtes, në geg. jugore prej maq. Cepka.

Kur sqarimi i etimologjisë të ndonjë zëri të veçantë si në rastin e fjalës druaj druej “kam frikë ” qëllimisht futet në tjetër hulli nga studiues të huaj E. Çabej mban qëndrim, madje me tone të ashpra, që nuk është në natyrën e gjuhës së tij, e thotë është një dështim pseudoshkencor, pjellë e një përpjekjeje sistematike shovene për të mohuar me çdo kusht ndikime të shqipes në rumanishten.

Ka zëra në këtë vepër që nga përmasat e trajtimit, argumentet e shumta, shembujt nga të gjitha arealet e shqipe, krahasimet me indoevropianishten e gjuhët e tjera mund të përbënin një artikull shkencor siç ka ndodhur me lemën e porsapërmendur sqarimi i së cilës shtrihet nga f. 413-f. 416.

Në këtë vëllim sikurse në të gjithë veprën e tij janë trajtuar përveç leksikut të përgjithshëm edhe një varg etnonimesh, antroponimesh e toponimesh që shërbejnë si argumente për probleme themelore siç janë çështja e autoktonisë së shqiptarëve dhe e vendit të formimit të gjuhës shqipe, fjalë e terma të besimeve fetare që hedhin dritë për kohën dhe rrugët e depërtimit të krishterimit: Drin m., emër lumi (shq), Drisht m. emër qyteti (shq), Dorsa familje arbëreshe (shq), Dodë emër personal (lat), Dedë m., emër personal (shq) etj. E. Çabej në studimet e tij e kishte shpallur si një parim themelor idenë se “Gjuhët nuk janë madhësi që ekzistojnë në vetvete; ato janë të lidhura ngushtë me njerëzit që i flasin, me popujt si bartësit e atyre gjuhëve, prandaj historia e gjuhëve në thelb është pasqyrë e historisë së popujve e të kulturave”.

Në këtë Ble për shumë zëra janë treguar jo vetëm lëvizjet e fjalëve brenda gjuhës shqipe, por edhe shtegtimi i tyre në gjuhët fqinje: cark m. “vend i thurur me thupra ” fjale e shqipes që ka hyre dhe në arumanisht, rumanisht e greqishte nga njw “thark ”; cilidó ciladó e shqipes ka hyre dhe në arumanishte etj; cerma, ka shkuar prej shqipes dhe në greq. e re, τσέρμα; cime, lloj peshku i vogel ka shkuar dhe në gr. e re veriore, τσίµα; shqip dosë ka shkuar dhe në disa gjuhë fqinje; skr. Dasanče; dashur ka shkuar dhe tek aromunët, dašur, debe f. “enë druri në formë të një gjymi” të vogël ka shkuar dhe në serbokroatishten; degë ka shkuar dhe në aromunishten, deagă; dorëzanë ka shkuar dhe në dialektet e serbishtes, dromsa sh. “thërrime”, me s si në çamërishten, forma që ka hyrë prej shqipes në greqishten e Moresë, vτρóµιζες “groshë të holla”.

I gjithë studimi ngërthen punën e palodhur e të përkushtuar të këtij dijetari në të gjitha fushat e studimit historik të gjuhës: fonetikë dhe gramatikë historike të saj, leksikologji dhe dialektologji historike si dhe histori e kulturës shqiptare. Njohja shumë e mirë e tyre bëri që materiali të trjatohet midis maturisë dhe lirisë së kombinimit, duke i dhënë gjithë punës së tij karakteristika unike, vetjake, prandaj i gjejmë me vend fjalët e gjuhëtari austriak H. Ölberg “Është për të ardhur keq që Çabej nuk formoi një shkollë gjuhësore indoeuropiane të tijën”

Do ta përmbyllnim këtë kumtesë me vlerësimin domethënës të I. Ajetit: “Vepra e rëndësishme e E. Çabejt shënon një kontribut të pazëvendësueshëm në studimet e historisë së gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Ai i la popullit shqiptar dhe kulturës së tij një vepër, e cila do të mbetet e gjallë si sot, si në motet që do të vijnë.”

Literatura:

Ajeti, I. (1982) Studime etimologjike në fushë të shqipes, I, Prishtinë.

Çabej, E. (1975) Studime gjuhësore, V, Prishtinë

Çabej, E. (1982) Studime etimologjike në fushë të shqipes, Bleu I, Tiranë.

Çabej, E. (1996) Studime etimologjike në fushë të shqipes Bleu IV, Tiranë.

Demiraj, B. (2014 ) “Eqrem ÇABEJ: Studime etimologjike në fushë të shqipes”, Bleu V (K-M), SHB Çabej, Tiranë.

*Marrë nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Filed Under: Opinion

Marrëveshja e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në Shtëpinë e Bardhë dhe Kosova

August 9, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

Marrëveshja e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në Shtëpinë e Bardhë nuk është thjesht një akt diplomatik ceremonial — është një pikë kthese historike që përmban shtresa të thella gjeopolitike, ekonomike dhe simbolike.

Pas më shumë se tre dekadash lufte të hapur, përplasjesh të herëpashershme dhe urrejtjes së akumuluar mes dy popujve, fakti që presidenti Ilham Aliyev dhe kryeministri Nikol Pashinyan shtrënguan duart në prani të një presidenti amerikan, është një mesazh i qartë se peizazhi i Kaukazit po hyn në një fazë të re. Kjo nuk ndodh vetëm sepse palët kanë vendosur të mbyllin një konflikt të gjatë, por edhe sepse sponsorimi i marrëveshjes nuk është më Moska, siç ishte për dekada, por Uashingtoni. Në termat e balancës së fuqisë, kjo është një humbje e dukshme për ndikimin rus në Kaukaz dhe një fitore strategjike për SHBA-në.

Nga ana praktike, marrëveshja nuk është vetëm një deklaratë për “paqen e përhershme” — ajo përmban elementë konkretë si hapja e korridoreve të transportit, rivendosja e marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike, dhe ndërtimi i një korridori të madh tranzit që do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e Nakhçivanit. Ky korridor, i emërtuar me një gjuhë të qartë propagandistike si “Trump Route for International Peace and Prosperity”, është jo vetëm simbolik, por një instrument i fuqishëm gjeoekonomik që mund të riformësojë zinxhirët e transportit dhe furnizimit në rajon.

Nëse e shohim nga prizmi ballkanik, marrëveshja e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë shërben si një shembull domethënës për marrëdhëniet e ngrira midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe aty kemi një konflikt të gjatë historik, trauma të thella kombëtare dhe mosbesim të ndërsjellë, të shoqëruara nga ndërhyrja e fuqive të mëdha për të ndikuar në procesin e negociatave.

Një tjetër element i rëndësishëm është zhvendosja e balancës së fuqisë ndërmjet ndërmjetësuesve. Në Kaukaz, ndikimi tradicional rus u zbeh, duke hapur rrugë për një marrëveshje nën patronazhin e SHBA-së. Në Ballkan, BE-ja ka marrë për vite me radhë rolin kryesor të ndërmjetësimit, por procesi ka ngecur. Një ndërhyrje më e fortë amerikane, ose një format i ri ndërkombëtar, mund të krijojë dinamika të reja dhe të shmangë bllokimet e zakonshme.

Mbi të gjitha, marrëveshja Azerbajxhan–Armeni tregon se vendosmëria politike e udhëheqësve është vendimtare. Aliyev dhe Pashinyan ranë dakord të lënë pas një narrativë të bazuar te armiqësia e përhershme. 

Për Kosovën dhe Serbinë, kjo do të thotë se përtej retorikës për konsum të brendshëm, duhet një moment guximi politik ku palët pranojnë se e ardhmja e sigurt dhe prosperuese nuk ndërtohet mbi konfliktin, por mbi bashkëjetesën dhe bashkëpunimin.

Nëse kjo logjikë e Kaukazit do të zbatohej në Ballkan, një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë–Serbi do të duhej të përfshinte jo vetëm çështjet e statusit dhe të sovranitetit, por edhe projekte konkrete infrastrukturore, tregtare dhe energjetike që lidhin dy vendet dhe i bëjnë të varura nga paqja, jo nga tensioni. Vetëm kështu mund të kalohet nga marrëveshjet në letër te realiteti i qëndrueshëm në terren.

Historikisht, Nagorno-Karabakh ka qenë mollë sherri jo vetëm për arsye etnike, por edhe për shkak të pozitës strategjike dhe krenarisë kombëtare të të dyja vendeve. Lufta e parë (1988–1994), lufta e dytë (2020), dhe ofensiva e vitit 2023 kanë prodhuar trauma të thella, dëbime masive dhe akuza reciproke për spastrim etnik. Mijëra familje në të dy anët kanë humbur shtëpitë dhe të dashurit, ndërsa narrativat e viktimizimit janë bërë pjesë e identitetit kombëtar. Pikërisht kjo e bën marrëveshjen e sotme një hap të guximshëm: ajo kërkon të ndryshojë rrëfimin nga “ne dhe ata” në “ne së bashku në të ardhmen”.

Nga këndvështrimi i politikës së jashtme, fakti që marrëveshja vjen në një moment kur Rusia është e angazhuar në luftën e Ukrainës dhe ka humbur kapital politik në Armeni, tregon se SHBA po e shfrytëzon vakumin e krijuar për të vendosur veten si arbitri i ri. Për Armeninë, kjo është një mënyrë për të dalë nga vartësia e plotë nga Moska, ndërsa për Azerbajxhanin — një mundësi për të siguruar një fitore politike të qëndrueshme pa kosto të reja ushtarake.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes historike të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të fuqisë së udhëheqjes amerikane.

Në një postim në “X”, Osmani ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe administratën e tij për rolin e tyre vendimtar në arritjen e marrëveshjes, si dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, për udhëheqjen e treguar.

Sipas presidentes Osmani, nën udhëheqjen amerikane, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë.

“Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajon dhe në mbarë botën,” thuhet në reagimin e saj. Rasti i Kaukazit tregon se, pavarësisht historisë së përgjakshme dhe pozicioneve të ngurta, një marrëveshje është e mundur nëse ekziston presion i jashtëm i qëndrueshëm dhe një ofertë konkrete që u sjell përfitime të dyja palëve. Në rastin e Azerbajxhanit dhe Armenisë, ky presion erdhi nga një aktor që u perceptua si më neutral se ndërmjetësuesit tradicionalë – SHBA-ja – dhe u shoqërua me projekte ekonomike që e bënë paqen të prekshme, jo thjesht një koncept politik. Ky është një mësim i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë: procesi nuk mund të mbështetet vetëm te “njohja” ose “mosnjohja”, por duhet të ofrojë edhe mekanizma konkretë bashkëpunimi që prodhojnë përfitime të përditshme për qytetarët.

“Serbia të njohë Kosovën”, dy kongresistet i shkruajnë Trump: Ndërmjetëso marrëveshjen 👇

Dy kongresiste amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan u kanë dërguar një letër presidentit amerikan, ku propozojnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Siç bënte ditur vetë kongresistja republikane Tenney, e cila ka publikuar letrën në rrjetet sociale, ato i bëjnë thirrje Donald Trumpit të ndërmjetësojë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, që do të përfshinte paqe afatgjatë dhe njohje reciproke.

Dy kongresistet theksojnë se tensionet mes dy vendeve kanë sjellë efekte zinxhir në rajonin e brishtë teksa paralajmërojnë se destabiliteti në Ballkan është pararendës i konflikteve globale. Lëvizja serbe “Ne jemi fuqia e popullit”, teksa njofton lajmin, kujton se kongresistja që ka shkruar letrën është vlerësuar gjatë vizitës në Beograd me urdhrin e flamurit serb, prandaj iniciativa përnjohje reciproke mund të përkthehet si diçka që ka bekimin e Beogradit zyrtar.

Megjithatë, marrëveshja nuk do të jetë magjike. Plagët historike nuk shërohen brenda natës. Mijëra refugjatë armenë nga Karabaku, dhe po aq azerë të dëbuar dekada më parë nga Armenia, mbeten dëshmi e një historie që nuk mund të fshihet me një ceremoni nënshkrimi. Pa një proces të vërtetë pajtimi, pa garanci ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, dhe pa një angazhim të sinqertë nga të dyja qeveritë për të luftuar narrativat e urrejtjes, ekziston rreziku që paqja të mbetet vetëm në letër.

E megjithatë, ky moment është një dritare e rrallë mundësie. Nëse SHBA arrin të ruajë presionin diplomatik, nëse korridoret e reja ekonomike funksionojnë dhe nëse dy popujt fillojnë të shohin përfitime reale nga paqja — atëherë ndoshta Kaukazi Jugor mund të hyjë në një epokë të re stabiliteti. Marrëveshja e sotme, me gjithë simbolikën dhe interesat e saj të fshehura, është një gur themeli; mbetet të shihet nëse do të bëhet ndërtesa e paqes, apo thjesht një pllakë përkujtimore e një premtimi të pambajtur.

Filed Under: Opinion

ARDIAN PEPA, SKULPTORI I HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT

August 7, 2025 by s p

Skulptori Ardian Pepa autor i mbi 60 monumenteve dhe shtatoreve brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, aspekte dhe detaje të panjohura të realizimit të punimeve të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Migjenit, Pashko Vasës etj, analizon skulpturën cilësore në ditët e sotme në betejë me shëmtinë, nepotizmin, mediokritetin e korrupsionin institucional, shkatërrimin e imazhit madhështor të personaliteteve kombëtare nëpërmjet skulpturës së dobët. Me skulptorin Ardian Pepa bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË VEÇANTAT E PUNIMEVE TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TUZ, SHQIPËRI, ITALI

Skulpturat që kam realizuar për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut janë të shumta dhe të shpërndara në disa vende si Shqipëri, Mal i Zi dhe Itali. Secila prej tyre ka një karakter unik, të lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe gjeografik ku është vendosur. Në Tuz, për shembull, shtatorja ekuestre në bronz është një ndër realizimet më monumentale. Figura e Skënderbeut mbi kalë është paraqitur me një forcë dinamike, me shpatën e ngritur, duke transmetuar jo vetëm heroizëm por edhe vendosmëri dhe krenari kombëtare. Në Itali, bustet e vendosura në komunat San Benedetto Ullano dhe Cerzeto janë të ngarkuara me simbolikë, sepse ndodhen në qendra të arbëreshëve – pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit kombëtar. Teknikisht, veprat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë në modelim dhe përpunim të detajuar të formës, ku materiali si balta dhe bronzi përdoret për të nxjerrë në pah fizionominë dhe karakterin e figurës historike. Nëpërmjet këtyre skulpturave kam synuar të ndërtoj ura mes brezave, duke i kujtuar publikut se Skënderbeu është jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përhershëm i identitetit tonë.

PERSONALITETE KOMBËTARE, HISTORI DHE FRYMËZIM

Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime i kushtohet figurave të shquara shqiptare. Kam realizuar shtatore të Nënë Terezës në disa qytete, përfshirë Kamzën, Trieshin dhe Laç-Vau Dejësin, secila me një frymëzim të veçantë për vendosmërinë dhe dashurinë njerëzore që ajo përfaqëson. Skulptura e Pashko Vasës në Shkodër është një tjetër vepër e dashur për mua, sepse ai ishte jo vetëm patriot, por edhe një figurë kulturore e rrallë. Monumenti i Migjenit në Pukë është konceptuar me një gjuhë më lirike, për të shprehur shpirtin e tij poetik dhe rebel kundër padrejtësive. Puna për këto figura nuk është thjeshtë një detyrë artistike, por një dialog i brendshëm mes meje dhe historisë sonë. Këto janë figura që më frymëzojnë, dhe përmes skulpturave dua t’i bëj të pranishme fizikisht në jetën tonë të përditshme. Kam realizuar shtatoren e Koço plakut, një ndër gjeologët e parë shqiptarë i vendosur në Fier dhe Françesk Radit, një ndër këngautorët e parë shqiptar e shumë buste e shtatore të tjera.

SHKATËRRIMI I IMAZHI MADHËSHTOR TË PERSONALITETEVE KOMBËTARE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT

Kur një figurë e madhe kombëtare paraqitet në mënyrë të pasaktë, pa shpirt dhe pa dinjitet në një vepër publike, ndodh një dëm i dyfishtë: nuk fyhet vetëm arti, por edhe kujtesa kolektive. Fatkeqësisht, janë të shumta rastet kur për shkak të mungesës së profesionalizmit, interesave të ngushta apo nxitimit, vendosen monumente që nuk i bëjnë aspak nder figurave që përfaqësojnë. Një bust i Skënderbeut që nuk shpreh forcën e tij, një Nënë Terezë e ftohtë dhe e largët – këto nuk janë thjesht dështime estetike, por deformime të imazhit tonë kombëtar.

SKULPTURA CILËSORE NË BETEJË ME SHËMTINË, NEPOTIZMIN DHE MEDIOKRITETIN

Në shumë raste, konkursi artistik nuk fiton më i miri, por ai që ka lidhje të forta apo që ofron çmimin më të ulët. Kjo e ul nivelin e skulpturës publike dhe demotivon artistët e vërtetë që punojnë me përkushtim. Korrupsioni institucional është një faktor real që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e hapësirës publike. Ka artistë të talentuar që nuk kanë mundësinë të shprehen, sepse sistemi nuk i përfshin, nuk i dëgjon dhe nuk i mbështet.

FILLIMET NË ARTIN E SKULPTURËS

Rruga ime nisi që në fëmijëri, duke modeluar me baltë forma që më dukeshin të gjalla. Studimet në Liceun Artistik me profesor Skender Kraja dhe më pas në Akademinë e Arteve me profesor Hektor Dule dhe Thoma Thomai më dhanë formim të strukturuar. Pas diplomimit, iu përkushtova krijimtarisë së lirë duke realizuar skulptura të karakterit monumental. Një prej veprave të para që shënoi karrierën time ishte shtatorja e fotbollistit te ravenes dhe kombëtares shqiptare Brian Filipit në Itali, një punë me shumë emocion dhe përgjegjësi.

SHPIRTI I SHQIPTARIT DHE HISTORIA SI BURIM FRYMËZIMI

Frymëzimi im më i madh është vetë njeriu dhe historia e këtij vendi. Shpirti i malësorit, përkushtimi i mësueses, sakrifica e luftëtarit – këto janë imazhe që më ndjekin gjithmonë. Skulptura shqiptare sot vuan nga mungesa e politikave kulturore afatgjata, nënvlerësimi i rolit të artistit dhe shpesh nga mungesa e edukimit estetik te publiku. Të rinjve u them gjithmonë: mos e bëni artin si zanat për bukë, por si një formë të lartë përjetimi dhe shërbimi ndaj së bukurës dhe kombit.

KUSH ËSHTË SKULPTORI ARDIAN PEPA?

Jam lindur më 2 mars 1977 dhe prej më shumë se dy dekadash i jam përkushtuar artit të skulpturës. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kam përfunduar Masterin Ekzekutiv për Skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Kam realizuar mbi 60 monumente dhe shtatore brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë. Kam qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kam çmime të fituara në konkurse të rëndësishme. Jam Laborant mësimor në degën e skulpturës monumentale në Universitetin e Arteve dhe vijoj të krijoj me pasion dhe përkushtim. Arti për mua është një mision që nuk mbaron kurrë – është mënyra ime për të jetuar, për të dhënë dhe për të lënë gjurmë.

Filed Under: Opinion

Lideri që Shërben – Nënë Tereza në Zemrën e një Libri të Rrallë Shqiptar-  “Lideri nuk lind… bëhet” të Dr. Iris Halilit

August 5, 2025 by s p

Hysen S. Dizdari/


Shkenca e lidershipit është ndër disiplinat më pak të studiuara në Shqipëri. Me librin e saj “Lideri nuk lind… bëhet”, Dr. Iris Halili sjell një kontribut të jashtëzakonshëm, duke hedhur dritë mbi këtë fushë përmes një analize të thelluar dhe origjinale, e para e këtij lloji në letrat shqipe. Ky libër nuk është vetëm një manual mbi lidershipin – është një ftesë për vetëreflektim dhe zhvillim personal, që provon se çdokush mund të bëhet lider i suksesshëm nëse ndërton karakter dhe etikë të lartë morale.

Ajo që e bën librin unik është qasja e tij shkencore dhe e strukturuar, ku autorja trajton thellësisht rolin e karizmës dhe narcisizmit në suksesin apo dështimin e liderëve. Karizma, sipas saj, është një element i rëndësishëm, por jo vendimtar. Me argumente të mbështetura në shkolla të ndryshme të mendimit, ajo ndihmon lexuesin të kuptojë se çfarë e bën një lider të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Kapitujt kushtuar lidershipit toksik dhe liderëve negativë, përfshirë diktatorët dhe drejtuesit e korruptuar, sjellin një pasqyrë tronditëse, por të domosdoshme, për të kuptuar ndikimin e drejtimit të keq në shoqëri. Libri merr edhe më shumë vlerë kur i dedikon një kapitull të veçantë lidershipit femëror, ku ndër të tjera ndalet tek figura më madhështore e shekullit të kaluar: Shenjtorja jonë, Nënë Tereza.

Në faqen 61, autorja shkruan:

“Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit – përkrah Gandit, Martin Luther Kingut dhe Mandelës – e ka njohur literatura e lidershipit perëndimor si lideren që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror. Ajo na mësoi se dashuria është arma më e fortë që sjell paqe dhe prosperitet. Modeli i saj nuk ishte thjesht fetar, por njerëzor, universal dhe i lirë.”

Ky vlerësim e pozicionon Nënë Terezën si lideren shërbëtore për t’u imituar, një figurë e cila tejkalon kufijtë fetarë dhe kombëtarë. Dr. Halili thekson se shqiptarët nuk kanë pse të kërkojnë modele jashtë vendit – Nënë Tereza është modeli ynë i madh, i gjallë, për të ndërtuar një lidership me vlera humane.

Në mënyrë të veçantë, libri prish mitin e vjetër se arti dhe lidershipi nuk lidhen. Përkundrazi, autorja provon se artistët mund të jenë liderë të jashtëzakonshëm, pasi kanë aftësinë të jenë fleksibël, krijues, dhe të mos e shohin botën bardh e zi. Kjo ua jep atyre një përparësi të madhe në vendimmarrje.

Një tjetër kapitull goditës është ai për rolin e kulturave në lidership. Nëpërmjet një analize të thellë, autorja argumenton pse kultura shqiptare ka dështuar të prodhojë liderë transformues në epokën moderne. Ajo tregon se katër tiparet kulturore që karakterizojnë lidershipin negativ – dhe që, për fat të keq, janë të pranishme te ne – kanë penguar zhvillimin e drejtimit pozitiv dhe reformues.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese Dituria në vitin 2020 dhe ribotuar në vitin 2022, u shpall libri më i mirë i mendimit për vitin 2021 nga portali më i madh online i librit shqip, Bukinist. Sot, ai është i rrallë për t’u gjetur në libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës, por mbetet një thesar i domosdoshëm për çdo student, studiues, drejtues, apo qytetar që synon të kuptojë dhe të zhvillojë lidershipin.

“Lideri nuk lind… bëhet” është më shumë se një libër – është një udhërrëfyes i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të udhëheqin me vlera, të dallojnë liderët e mirë nga ata të këqij, dhe të kuptojnë se lidershipi i vërtetë fillon nga vetja. E si fillim, një hap i zgjuar është të lexoni këtë libër që me vetëm 90 faqe përmbledh me saktësi e maturi thelbin e lidershipit modern.
Një vepër që na bën krenarë për Nënë Terezën, por gjithashtu për autoren që ia ka dhënë shqiptarisë këtë kontribut të jashtëzakonshëm.

Filed Under: Opinion

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon racizmin dhe thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut

August 4, 2025 by s p

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Thirrjet raciste të dhjetra tifozëve ultranacionalistë maqedonas në prani të Kryeministrit Mickovski dhe heshtja e tij, janë njollë dhe shenjë antieuropiane në Maqedoninë e Veriut.

Turp për organizatat e mediave dhe gazetarëve maqedonas që heshtin ndaj akteve të tilla!

Tiranë më 03.08.2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon shfaqjen e thirrjeve raciste dhe ultranacionaliste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, ditën e shtunë, ndërsa zhvillohej një ndeshje basketbolli, ku ndodhej i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Mickovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të kësaj republike. Thirrjet në korr të tifozëve, me aq egërsi dhe antishqiptare, të rikthejnë në kujtesë episode dhe histori të shkuara. Pas gati 23 vitesh, klithma të tilla raciste rikthehen si shenja ultranacionaliste antishqiptare, të cilat mund të fitojnë arenë publike, madje duke qenë i pranishëm edhe kryeministri i këtij vendi, i cili ekziston falë shqiptarëve.(!)

Heshtja dhe mosreagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre thirrjeve, mosdistancimi i federatës maqedonase dhe institucioneve të tjera, është më e rëndë nga akti antiligjor dhe i dënueshëm i korit dhe koristëve të sëmurë që shfaqen si tifozë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër kësi shenjash që të rikthejnë shumë pas në kohë dhe në antibashkëjetesë. Turmat antishqiptare, të veshura me bluza tifozësh nga shtetas të nacionalitetit maqedonas, në republikën fqinjë me Shqipërinë, janë element i rëndë provokativ dhe që kërcënojnë stabilitetin dhe rendin kushtetues në MV.

Me këtë rast, ndajmë shqetësimin tonë dhe kritikën e drejtëpërdrejtë ndaj organizatave të gazetarëve maqedonas, ndaj disa rrjeteve të organizatave rajonale (ku janë dhe nuk janë kolegë shqiptarë), si dhe entiteteve profesionale mediatike në gjuhën maqedonase, të cilët jo vetëm nuk kanë reaguar por që ende, nuk distancohen dhe madje nuk respektojnë ligjet e tyre për masa dhe qëndrime antiraciste, ultranacionaliste dhe me gjuhë aq agresive, ndaj një kombi tjetër dhe bashkështetasve të tyre. Shqiptarët në MV janë hise e plotë dhe e madhe në vlerën e faktorit të padiskutueshëm shtetformues.

Kjo heshtje e kolegëve, mediave maqedonase dhe organizatave të tyre është jo vetëm shenjë e keqe, por një qëndrim i hapur antieuropian, antibashkëjetesë dhe sidomos, antinjerëzor. (!) Është në nderin e tyre të reagojnë sa më parë dhe të ndiejnë skrupujt e qëndrimeve morale, europiane e perëndimore në rajonin që destinacion ka Bashkimin Europian dhe jo në të vjetrat kohë që nuk kthehen dot më kurrë!

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT