• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LE TË RESPEKTOJMË TRADITËN:WELCOME MR.PRESIDENT!

January 28, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA/Urimi i mirëseardhjes ka qenë traditë shekullore e Diellit(1909) dhe Vatrës (1912). Përmes letrave të urimit të kryetarëve të Vatrës dhe editorialeve të Diellit u është uruar mirëseardhja në Shtëpinë e Bardhë presidentëve të zgjedhur, pavarësisht se cila parti i kandidon.Federata Panshqiptare e Amerikës“VATRA”dhe Gazeta DIELLI, në të shkuarën, përgjatë fushatave, nuk mbanin anë të njerës apo tjetrës parti politike, por përpiqeshin që t’i mbështesnin të dy kandidatët me qëllim që dyert e Washingtonit,ku gatuhet politika botërore, të mbeten të hapura për çështjen shqiptare.Kur lindi Dielli më 1909(por edhe kur lindi Vatra më 1912), president i shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zgjedhur 52 vjeçari William Howard Taf i Partisë Republikane, i 27-ti në radhë, që ulej në karrigen presidenciale të Shtëpisë së Bardhë.Dielli shkroi mirë për presidentin dhe Vatra kur u regjistrua në shtet e informoi presidentin për lindjen e institucionit kombëtar të Shqiptarëve në SHBA.Pasardhësi i republikanit Taf, presidenti i 28-të i SHBA, 58 vjeçari Woodrow Wilson,i kandiduar nga Partia Demokrate, padyshim mbetet një nga ikonat e shqiptarëve dhe mbrojtës i pavarësisë së humbur të shqiptarëve, ku Vatra ka meritën se ishte ndërlidhsja me presidentin që qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për dy mandate,1913-1921. Vatra dhe të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës dhe e kanë e treguar ndër vite vlerësimin për figurën ikonë presidenciale Woodrow Wilson. Ishte kryetari i Vatrës Faik Konica që më 1924 i kërkoi Parlamentit shqiptar që t’i vinte emrin e presidentit amerikan Woodrow Wilson portit detar të Shëngjinit në Lezhë, në shenjë nderimi.Këtë e saktëson një kronikë e gazetës Diellit e shtatorit 1930, që e mbart lajmin, ndërkohë që lajmin e përcolli dhe shtypi amerikan që në momentin kur ndodhi ngjarja. Revista amerikane TIMES kishte botuar me 5 gusht 1924 lajmin.Citoj :“Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq.Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri Woodrow Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”.Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shume i dashur për Kombin shqiptar.Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.” Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i miqëve amerikanë të Shqipërisë,I krijuar nga Vatra, por në mënyrë të veçantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S Nolit dhe Kristo Dakos e Sevasti Qiriazit.Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të Kombeve të ndryshme në SHBA.“Vatra” dërgoi Nolin,bashkëthemeluesin e saj,udhëheqësin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, për të përfaqësuar Shqipërinë.Duket se Noli ia doli që t’i përcillte presidentit mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë.Raporti i tij menjëherë pas takimit iu dha shpresë vatranëve, kryetarit të Vatrës Kolë Tromara dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit:“Udhëtimi im këtu triumfoi.Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha.”…Marrdhënie shumë të mira ka shënuar Vatra me presidentin e 40-të të Amerikës, republikanin Ronald Regan, me të cilin ka letërkëmbim, me presidentët Bush, babë e bir, si dhe me presidentin demokrat Clinton. Gjatë presidencës së demokratit Obama, nuk pati ndonjë shkëlqim të marrdhënieve, ndërsa gjatë presidencës të republikanit Donald Trump, një pjesë e shqiptarëve të Amerikës, por edhe degë të Vatrës, si në Michigan dhe New York,Florida, u bënë mbështetës për një mandat të dytë të tij. Madje për të parën herë studiot e televizioneve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, zhurmuan fort.Disa nga shqiptarët në SHBA i dhanë mbështetje të fuqishme presidentit Trump qoftë për filozofinë dhe premtimet e sloganin e tij elektoral“make America great again-again”, por edhe platforma dhe premtimet për zgjidhjen e çështjes së ngrirë të Kosovës në marrdhëniet me Serbinë, jepnin shpresa.Gjithësesi fushata ka mbaruar.Në shtëpinë e Bartdhë është ulur presidenti i 46-të i Amerikës, fatmirsisht mbështetës i çështjes shqiptare dhe shumë i njohur për mbështetjen e Kosovës.Le t’i jemi mirënjohës përsa ka bërë dhe le të shpresojmë se gjatë mandatit të tij Kosova do të dale prej gjendjes së ngrirë.Presidenti Biden u inagurua të mërkurën me 20 janar 2021 si presidenti i 46-të i SHBA.Ai u ul në karrigen e presidentit në moshën 78 vjeçare, më i vjetri në historinë presidenciale.Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë përballë sfidave të shumta; Atij i duhet të fitojë betejën me koronavirusin,të mbajë premtimet për vaksinën kundër COVID-19, të përballet me papunsinë, të ringrejë ekonominë e rrëzuar nga pandemia, por mbi të gjithë do t’i duhet që të gjejë vaksinën për të shëruar Amerikën nga virusi i egër i ndarjeve dhe përçarjeve të thella, nga pabarazia në rritje, plagët e racizmit etj. Në fjalimin e inaugurimit me 20 Janar premtoi se do të jetë president i të gjithë amerikanëve, por arritja e unitetit, siç e pohoi ai vetë, do të jetë tepër e vështirë, në mos i pamundur. Ai u përpoq që të hynte në zemrat e amerikanëve, madje dhe të kundërshtarëve politik, tek u tha:”Peshomëni mua dhe zemrën time. Nëse akoma nuk jeni dakord, ashtu qoftë! Kjo është demokracia. Kjo është Amerika.E drejta për të kundërshtuar paqësisht brenda kuadrit të republikës sonë është mbase forca më e madhe e këtij Kombi.Megjithatë më dëgjoni qartë: Mosmarrëveshja nuk duhet të çojë në përçarje!”Ai kërkoi më tepër respekt dhe dinjitet ndaj palëve:Çdo mosmarrëveshje nuk duhet të jetë shkak për luftë totale. Ne mund ta trajtojmë njeri-tjetrin me dinjitet dhe respekt.Ne mund të bashkojmë forcat,të ndalojmë britmat dhe të ulim temperaturën…Pa unitet nuk ka paqe, vetëm hidhërime, tërbim. Pa progres, vetëm zemërim rraskapitës…”Vatra dëshiron ta shohë z. Biden president të gjithë amerikanëve,ashtu siç ai premtoi. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, në vijim të traditës vatrane 109 vjeçare, i ka dërguar letrën e urimit presidentit. Ai ka vlerësuar kontributin e veçantë të z. Joseph Biden për shqiptarët,veçanërisht për Kosovën.Z. Berisha ka shprehur besimin se edhe në të ardhmen, gjatë mandatit të Tij, Presidenti Biden dhe administrata që drejton, do të forcojnë marrëdhëniet midis vendeve tona,do të avancojnë proceset Euro-Atlantike, Integrimin Europian, finalizimin e njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës me kufijtë ekzistues, do të arrijnë ç’rrënjosjen e korrupsionit dhe rindërtimin e institucioneve të qëndrushme demokratike etj….Le të respektojmë traditën vatrane: Welcome Mr. President!· Editorial i Gazetës Dielli, Janar 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, WELCOME MR.PRESIDENT

Kol Bib Mirakaj ministri që shpëtoi 2000 hebrej!

January 27, 2021 by dgreca

Urdhëri i ministrit të Brendshëm për të pajisur me pasaportë shqiptare hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1943.

Ishte vitit 1943, kur forcat gjermane po mbërrinin në Shqipëri. Një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodhej në territorin shqiptar dhe rrezikoheshin nga nazistët gjermanë. Në atë kohë, ishte ministër i Brendshëm Kolë Bibë Miraka, i cili drejtoi këtë dikaster në periudhën maj 1943 – shtator 1943.

Një urdhër i tij i datës 31 gusht të vitit 1943, detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e vendit tonë në atë kohë. Përmes pasaportave shqiptare ata mund të udhëtonin e të gjenin strehim në Italinë jugore, pjesë e çliruar në atë kohë prej forcave aleate anglo-amerikane.

Faik Quku, autori i librit “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore” (1941-1944), ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kolë Bibë Mirakës. Një moment shumë i rëndësishëm në rrëfimet e Qukut është refuzimi që Kolë Bibë Miraka i bëri shumës së parave që hebrenjtë kishin vendosur t’i jepnin atij si shpërblim, për kohën kur shpëtoi 2000 prej tyre nga nazistët gjermanë.

“Në verën e vitit 1943, Leon Thuri shkoi në zyrën e Kol Bibë Mirakaj, ministër i Punëve të Mbrendshme dhe i ofroi një shumë napolonash për përkrahjen që u kishte dhënë hebrenjve, kur kishte qënë ministër. Por, ai nuk i pranoi këto para dhe e përcolli me sjellje bujare Leon.”
Në atë kohë Kolë Bibë Miraka ishte në mërgim në Romë, hebrenjtë që jetonin në Romë e njohën ministrin që iu kishte shpëtuar jetën dhe vazhduan këmbënguljen për ta ndihmuar atë si shenjë mirënjohje për ndihmën që u kishte dhënë. Ishte koha, kur Kolë Biba kishte tre vjet që po jetonte me ndihmë bamirëse të një kuvendi françeskan. Megjithatë, ai e refuzoi sërish shumën e parave që i ofruan hebrenjtë e Italisë.

“Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj me pjesë qelibari si shenjë kujtimi të mirënjohjes së tyre të paharrueshme. Një shkop ishte i zi e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën tue ecë me nji shkop duhet ta dijë se ishte po i njajti që ja kishin dhurue në Romë hebrenjtë. Nuk ka pasë kurrë tjetër dhe me të ka ecë deri në fund të jetës së tij.

Shumë shqiptarë janë dallue per ndihmën që ua kanë dhanë hebrenjve në Shqipëri, katolikë e muslimanë pa dallim feje, e për këtë arsye Shqipnia njihet si E Drejtë ndër Kombet prej Yad Vashem-it”, shkruan Quku.

Ja dokumenti përmes të cilit, Kolë Bibë Miraka shpëtoi dy mijë hebrenj. Dokumentit është regjistruar me numër protokolli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme./proinformacion.com/

Filed Under: Opinion Tagged With: Kol Bibe Mirakaj, Ministri, shpetoi 2 mije hebrej

ROMAN PA KOHË APO PËR GJITHË KOHËRAT?

January 26, 2021 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/

-Rreth romanit “15 ditë prilli” të Anisa Markarian/

– E ruaj akoma në kujtesë, siç e kam edhe të fiksuar në fotografi atë ditë kur ajo erdhi në Shkodër. Ashtu përpara publikut me një tufë të bukur lulesh në duar, me buzëqeshjen e zgjuar e sytë tejet të mençur nën një palë syze elegante. Dukej e sapodalë nga sekuencat e filmit “Në çdo stinë”, aq i dashur për publikun dhe që e kishte bërë të suksesshme në fushën e kinematografisë atë studenten e talentuar e të zellshme të mjekësisë, yllin e ri të kinemasë shqiptare, Anisa Markarian. Bëhej promovimi i filmit në kinema “Republika në Shkodër”, e cila ishte mbushur plot me dëshirën për ta përshëndetur e duartrokitur mysafiren e bukur. Me këtë imazh në kokë ndalem në librarinë e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, për të blerë pikërisht librin e ri të shkrimtares Anisa Markarian, romanin “15 ditë prilli”, për të cilin kisha lexuar fjalë të mira nga miq e kolegë të mi. Libri më bëri shoqëri gjatë udhëtimit me avion dhe kur zbrita në Bolonjë kisha arritur thuajse në gjysmë të tij, ndonëse ishte voluminoz me gati 400 faqe. Të nesërmen e kisha mbaruar së lexuari. Zakonisht kështu më ndodh me librat e bukur që më tërheqin shumë. Më kujtohet që librin “Dënimi i Paganinit” e kisha blerë në Bulqizë gjatë një shërbimi në Dibër nga gazeta “Bashkimi” dhe e kisha mbaruar brenda natës në hotel turizmin e Peshkopisë. Ka kaluar një vit që kur e kam lexuar librin. Menjëherë pas leximit, i pata shkruar Anisës në një mesazh: “Për shembjen e diktaturave është shkruar shumë, është shkruar mirë nga autorë të zotë, është shkruar keq nga autorë më pak të zotë ose mediokër. Ti ke shkruar shumë mirë sepse nuk je ndalur në kronologji ngjarjesh historike, por ke bërë një gjë më universale, gati jashtë kohës dhe hapësirës, me një stil që varion sipas situatave dhe u rri atyre a pennello siç thonë italianët kur diçka rri në mënyrë perfekte. Po kështu a pennello u rrinë personazhet situatave. Ke krijuar disa karaktere të forta e të veçanta, ku Ida Raez të bën për vete, ta dashurosh e gati ta ndjekësh hap pas hapi, Vlad Krela të bën ta adhurosh për talentin e guximin e tij, por edhe ta godasësh për ndonjë hezitim a vonesë të tij, Teo të krijon një pështjellim ndjenjash por të është gjithnjë e më simpatik e befasues në evolucionin e tij, Bulëza e ëmbël të bën ta ëndërrosh, Jargësi të ngjall krupë e neveri. Të gjitha këto sensacione falë stilit e portretizimit që u ke bërë ti. Tablloja e pazarit, sa e vërtetë aq surrealiste më bëri të ndihem si në skenat e filmit “Dom sa vjeshanje” të Kusturicës”. Pas këtij mesazhi herë pas here më ka ngacmuar idea për të hedhur përshtypjet e mia në një shkrim. Por asnjë herë nuk e gjeja veten aq të lirë sa të ulesha e të shkruaja me nge e me atë dëshirën që na frymëzon një gotë verë e mirë kur ulemi në tavolinë. E nëse tani pas një viti ulem e shkruaj, tregon se mbresat e librit të Anisës më kanë mbetur thellë në kujtesë e do vazhdojnë për shumë kohë. Përshtypja e parë pasi e mbylla librin ishte: Në këtë libër janë pena e shkrimtares dhe syri i artistes kinematografike, që e bëjnë letërsinë e autores të lëvizshme e të rrëshqitshme si karreli i operatorit gjatë xhirimit të një filmi. Lexuesi ecën përmes rreshtash, por me mendje ndodhet në skena të gjalla, midis personazheve dhe e përjeton në mënyrë dinamike çdo ngjarje e episod. Duket sikur autorja, me një ritëm felinian, e ka vendosur posaçërisht gjithë romanin në 15 ditë për ta bërë lexuesin të rendë bashkë me të atyre skenave sa reale, aq edhe surreale e absurde si në filmat e Kusturicës e herë-herë ta ulë ritmin e të shijojë më me nge ato skena të ngrohta dashurie që do të donin dorën e një artisti si Almodovar. 15 ditë prilli. Por është një prill i papërkufizuar në kohë dhe pa përcaktuar amfiteatrin e ngjarjeve se ku ndodhin. Mbase autorja këtë ia lë lexuesit, apo mbase ka synim të caktuar për t’u dhënë ngjarjeve një diapazon më të gjerë, ndërkontinental e gjithëkohor. Sepse Anisa Markarian synon letërsinë e madhe e vështron larg në kohë e në hapësirë. Këtë e kemi parë edhe në tregimet që ajo boton herë pas here.Në romanin e saj është periudha e lulëzimit, dekadencës dhe rrëzimit të regjimit totalitar. Tek shikon figurën sa butaforike, aq edhe djallëzore e kriminale të diktatorit me emrin “I përndrituri”, lexuesi mund ta çojë mendimin tek ish diktatori shqiptar, po aq sa mund ta çojë edhe lexuesi rumun, rus, kinez e të tjerë tek ish diktatorët e mëdhenj, por edhe lexuesit e vendeve e kohërave të tjera tek ish diktatorët e përgjakshëm përgjatë historisë botërore. Sepse pak a shumë lulëzimi, dekadenca e rënia e diktaturave ka patur të njejtën skemë gjithandej e gjithëherë. Autorja përshkruan përmes episodesh e ngjarjesh dramatike nënshtrimin e masës deri në ekzaltim e hyjnizim të figurës së diktatorit dhe shpurës së tij servile, bën sarkazëm me folklorizmin e përzgjedhjes së titujve e dhuratave për ditëlindjen e diktatorit dhe zgjon shpresën me rënien dhe shkatërrimin e regjimit totalitar. Por në mënyrë indirekte ajo përcjell artistikisht mesazhin e madh që nuk mjafton ta rrëzosh diktaturën, por duhet edhe ta denoncosh e dënosh veprimtarinë e saj kriminale, përndryshe ajo mund të ringrihet nga hiri i vetvetes duke përfituar nga amullia e njerëzve që mendojnë se regjimi mbaron me rrëzimin e tij, siç po ndodh aktualisht në shumë vende ku regjimet totalitare u rrëzuan, por janë zëvendësuar nga diktatorë të rinj që e mendojnë pushtetin e tyre të përjetshëm. Përshtypja e dytë ishte ajo e realizimit dhe ravijëzimit të personazheve dhe të ambienteve ku i vendos ngjarjet, çka autorja e bën me një mjeshtëri të spikatur artistike. Heroina e romanit është Ida Raez. Për një çast lexuesi, duke parë se ajo është një studente në mjekësi e që ka edhe prirje artistike, mund të mendojë se autorja ka vendosur në qendër të romanit veten e saj. Por sa më shumë thellohesh në lexim dhe e ndjek këtë heroinë sa rebele e kryeneçe, aq delikate, të brishtë, humane e të ndjeshme në momente e rrethana të caktuara, bindesh se autorja ka arritur të realizojë një figurë më të madhe e më përgjithësuese se vetja e saj. Mbase Anisa do të donte të ishte një Ida Raez, ose mbase do të jetë, por interpretuese e saj, në një film të mundshëm artistik mbi motivet e këtij romani. E me siguri do të dilte një film me përmasa e pretendime të mëdha artistike. Ose të marrim figurën e shkrimtarit Vlad Krela, që autorja e ka jo vetëm si një personazh të rëndësishëm të jetës e të kulturës së vendit ku zhvillohen ngjarjet, por edhe si një mjet artistik përmes veprave të të cilit ajo sjell si të thuash vizionin e fazave të lulëzimit, dekadencës dhe rënies së regjimit totalitar. I vendosur në atë ambient shkrimtarësh dhe artistësh ku pabesia ndaj njëri-tjetrit është injektuar nga regjimi, Vlad Krela të kujton disi Ismail Kadarenë, po aq sa të kujton edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj në vendet e regjimeve totalitare. Mendoj se realizimi i personazheve të tilla me përmasa që dalin tej caqeve të një romani, është një nga vlerat e dukshme të librit të Anisa Markarian. Edhe linja aq e bukur dhe e brishtë midis Teos dhe Bulëzës, përshkrimi i skenave e ambienteve në Kosheren e heronjve apo tunelet e Malit të Urthit, e turmave në demonstratën e madhe, janë të tilla që vetëm një penë mjeshtërore dhe një fantazi tejet e pasur mund t’i sillte me atë kolorit emocional e tronditës, siç i ka sjellë Anisa. Kosherja e heronjve është laboratori i sajimit të heronjve të ditës. Kujtoni heroin pozitiv në letërsinë e realizmit socialist apo heronj si Lei Feni kinez që mblidhte gozhdë e vidha apo Fuat Çela që i binte dhjetës në tabelën e qitjes edhe pse ishte pa sy. Kurse tunelet e Malit të Urthit janë qelitë e moskthimit, përtej tyre ekziston asgjëja, apo moskundi siç thotë në roman shkrimtari Vlad Krela. Imagjinojini në sekuencat e një filmi këto ambiente absurde me heronjtë e tyre tragjikomikë apo tragjikë. Përshtypja e tretë është që Anisa Markarian, me stilin e saj elitar, nuk i drejtohet vetëm lexuesit elitë, por gjithë auditorit letërsidashës, sepse, si tema e trajtuar, ashtu edhe mesazhet që ajo përcjell, janë për një auditor shumë të gjerë, auditor të cilin ajo e ka fituar në vite me talentin e saj, me personalitetin njerëzor si mjeke, si artiste, si femër e me atë thjeshtësi që na bën ta ndjejmë si njërën nga ne, si banoren e portës përbri, por që ka forcën ta ndriçojë rrugicën me buzëqeshjen dhe dritën që i buron nga brenda. Romani “15 ditë prilli” është një roman i fuqishëm, modern, i pasur artistikisht e në aspektin gjuhësor, aspekt në të cilin Anisa i ngjan një amvise të mirë që di të nxjerrë në pah edhe vlerën e mjeteve më të thjeshta të lëna mënjanë nga kujtesa e përgjithshme. E u jep atyre një shkëlqim të ri, jo artificial, por duke i bërë pjesë organike të gjuhës së romanit, duke e bërë atë më të këndshëm, më tërheqës e më intrigues në duart e lexuesit. Mbase autorja do më quajë pak të vonuar në këtë shkrimin tim. Por mendoj se nuk është kurrë vonë të shkruash mbresat për një libër që e mbart brenda teje në ato raftet e veprave të përzgjedhura, ashtu siç nuk je kurrë i vonuar të marrësh nga kantina një shishe verë të vjetër, ta hapësh me delikatesë dhe ta shijosh me miq që ia dinë vlerën.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Nue Lazri

Gjyqi i dytë ndaj Trump, dhe rreziku për Biden

January 23, 2021 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi/

Tani që Donald Trump është një qytetar privat, Senati duhet të hedhë poshtë nenin e shkarkimit ( impeachment) kundër tij për mungesë juridiksioni. Kushtetuta është e qartë: “Presidenti. . . do të hiqet nga detyra për fajësimin. . . dhe bindje ”- jo me mbarimin e mandatit të tij para se të përfundojë procesi i shkarkimit

Gjyqi i ish-Presidentit Donald Trump do të fillojë në javën e dytë të shkurtit, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, ChuckSchumer të premten, pasi Dhoma e Përfaqësuesve të dorëzojë zyrtarisht akuzën në Senat të hënën.

Ndaj ish-presidentit është ngritur një akuzë e vetme: “Nxitja e protestave me dhunë lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar”. Zoti Schumer tha se ligjvënësit që do të veprojnë si prokurorë si dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit Trump, do të kenë kohë të përgatitet për të prezantuar argumentet në proces.

Vendimi erdhi pasi zoti McConnell i kishte kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve që të shtynte dorëzimin e akuzave deri të enjten e ardhshme dhe të binte dakord që fillimi i gjyqit kundër ish-Presidentit Trump të shtyhej deri në mes të shkurtit, për t’u dhënë kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzës. “Procesi për shkarkimin filloi me një procedurë jashtëzakonisht të nxituar dhe minimale në Dhomën e Përfaqësuesve, tha zoti McConnell të premten. “Nuk mund të pasohet me një proces të mangët në Senat që do t’i mohonte ish-Presidentit Trump procesin e duhur, ose të dëmtonte senatin apo edhe vetë presidencën”, shtoi ai. Por pse?

Kushtetuta dhe impeachment

“Tani që Donald Trump është një qytetar privat, Senati duhet të hedhë poshtë nenin e shkarkimit (impeachment) kundër tij për mungesë juridiksioni. Kushtetuta është e qartë: “Presidenti. . . do të hiqet nga detyra për fajësimin. . . dhe bindje ”- jo me mbarimin e mandatit të tij para se të përfundojë procesi i shkarkimit, shkruante në një opinion në  WorldStreatJournal : The PoliticsandLawofTrump’sSecondImpeachment, avokati prof. i Havard-it  Alan M. Dershowitz.

Kushtetuta gjithashtu urdhëron që “gjykimi në rastet e shkarkimit nuk duhet të shtrihet më shumë sesa në shkarkimin edhe skualifikimin” – dhe jo ose vetëm skualifikimin.

Kur u shkrua Kushtetuta, disa shtete lejuan fajësimin e ish-zyrtarëve. Hartuesit e Kushtetutës, lehtësisht mund ta kishin përfshirë atë në dispozitë, por nuk e bënë. Ata gjithashtu zgjodhën shprehimisht të ndalonin praktikën britanike të gjykimit nga legjislatura – me përjashtim të vetëm shkarkimit  “impeachment “- dhe ” Billofattainder “, çdo akt legjislativ ndëshkues ndaj një personi të caktuar.  Ky i fundit, është një veprim i një ligjvënësi që deklaron një person, ose një grup personash, fajtorë për ndonjë krim, dhe i ndëshkon ata, shpeshherë  pa gjyq.

Gjykatat kanë vendosur që dënimet e ndaluara nga Klauzola e BillofAttainder përfshijnë skualifikimin nga mbajtja e detyrës zyrtare.  Për më tepër, Kushtetuta kërkon që Kryetari i Gjykatës duhet te kryesoje seancën “kur gjykohet presidenti i Shteteve të Bashkuara”.

A do të paraqitet në senat z Alito, Kryetari I Gjykatës së Lartë , duke e ditur se ky gjykim nuk ka bazë juridike?

Nëse ai nuk do të paraqitej atëherë do të kishim vetëm një paradë akuzash  nga demokratë dhe asgjë më shumë, të njëjtat me ato në Kongres,  pasi nuk do të kishte një votim nga Senati. Ku në kushtet e senatit me votat 50 me 50 vota e KamalaHarisdo të ishte vota decizive.Nga ana tjetër veprimet e dënueshme të mbështetësve të Trumpit nuk tregojnë për organizim të një grushti shteti. Grushti i shtetit nuk bëhet me ca “tifoza politikë të mjerë” të indoktrinuar nga rrjetet sociale apo qoftë edhe nga Quanon.

Trump fiton po të mos paraqitet në gjyq

Duke mos pranuar të paraqitej në gjyq Trump apo avokatët e tij  Senati do të përballej me problemin e dukshëm të mbajtjes së një gjykimi të një qytetari të  thjeshtë për të vendosur, sipas Nenit I, Seksioni 4, nëse ai “do të hiqet nga detyra” – pasi ai ta ketë lënë tashmë detyrën. Ky është një paradoks dhe vetëm një dëshirë politike e demokratëve dhe e frikës së tyre nga një kanditimimundshëmi pashprehur ende gojarisht, apo si ambicie nga Trump për t’u kandiduar për vitin 2024. Kjo drojë e demokratëve nga Trump ka marrë tashmë përmasa patologjike.

Senati mund të tregojë vetëpërmbajtje institucionale pavarësisht zemërimit të ligjshëm mbi fjalimin e Trump në 6 janar, para trazirave të Kapitolit. Kjo nuk është një çështje individuale, por një çështje institucionale, që duhet të ngrihet para çdo gjykimi. Çdo senator duhet të vendosë nëse një gjykim i tillë është kushtetues, para se të vendosë nëse një i akuzuar mund të hiqet në mënyrë retroaktive, për një krim të lartë apo kundërvajtje. Kjo është një çështje për të cilën njerëzit e arsyeshëm, mund të mos bien dakord.

Precedentët e paqartë

Asnjë ish zyrtar nuk është dënuar kurrë nga Senati, dhe vetëm një është fajësuar. Sekretari i Luftës William W. Belknapqë ishte një fajtor i padiskutueshëm për shkelje të shumta të pafalshme, për të cilat ai rrëfeu vetë, ndërsa dha dorëheqjen nga zyra e tij, disa orë para se Kongresi  unanimisht ta fajësonte atë në 1876. Por senati votoi në favor të një mocioni procedural, që konfirmon juridiksionin e tij për të gjykuar shkarkimin e Belknap-it.

Por dy duzina senatorësh që besuan se ai ishte fajtor, votuan për ta liruar nga akuza për arsye juridiksioni. Një votim i afro gati një shekull e gjysmë më parë nuk krijon një precedent të detyrueshëm. Një precedent më bindës është vendimi i Kongresit për të mos përjashtuar RichardNiksonin,pasi ai u largua nga detyra në 1974, për të shmangur fajësimin dhe me bindje caktuan, se nuk kishte asnjë mundësi lëvizjeje për të vazhduar procesin.

Precedenti i Belknap-it, me fjalë të tjera, ofron ushqim për të dyja palët e debatit, nëse Trump mbetet i prekshëm nga fajësimi. Mbështetësit e shkarkimit të Trump mund të tregojnë për faktin se shumica e Senatit votuan për të lejuar procedurat e shkarkimitqë të shkojnë përpara. Ndërkohë, kundërshtarët e shkarkimit të Trump mund të tregojnë për pafajësinë përfundimtare të Belknap dhe për faktin se një pakicë kritike e senatorëve besuan se një impeachment i Belknap ishte i paligjshëm.

Schumer nxiton, Biden s’kupton

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump. “Ne duam ta mbyllim dhe ta lëmë pas këtë kapitull të tmerrshëm në historinë e vendit tonë. Por shërimi i plagëve dhe uniteti arrihen vetëm nëse ekziston e vërteta dhe llogaridhënia; këtë do ta ofrojë gjyqi,” tha zoti Schumer.

I pyetur lidhur me procesin për gjykimin e ish-presidentit Trump në Senat, zoti Biden nga ana e tij tha: “Nuk kam dëgjuar gjë për hollësitë akoma, por mendoj se nevojitet pak kohë që administrata jonë të vihet në punë. Dua të falënderoj Senatin që miratoi Sekretarin e Mbrojtjes. Duket se do të kemi edhe Sekretarët e Thesarit dhe të Shtetit. Sa më shumë kohë të kemi për të filluar punën në përgjigje të krizës, aq më mirë,” tha zoti Biden.

Rreziku i gjyqit për kabinetin e Bidenit

Si një tregues prove se cili mund të jetë qëndrimi i republikanëve në raport me planet e Presidentit Biden për të miratuar paketën e ndihmës mbi koronavirusin, investimet në infrastrukturë dhe rritjen e taksave. Shpresat e Presidentit Biden për të bërë përpara me shpejtësi me agjendën e tij legjislative dhe emërimet në kabinet pritet të ndërlikohen nga nisja e gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump në fillim të javës së ardhshme dhe mosmarrëveshjet dypartiake për çështje të ndryshme në një Senat të ndarë në mënyrë të barabartë.

Ka argumente të mirëbesimit për autoritetin kushtetues për të dhënë gjykim mbi akte të tilla dhe për të imponuar skualifikimin e ardhshëm nga zyra federale. Sidoqoftë, sipas kësaj teorie, çdo presidenti i mëparshëm mund të ndalohet të kandidojë përsëri nga ndryshimi i bilancit të forcave në Kongres. Impeachments mund të përdoren për të dhënë madje rezultate afatgjata ose favor të disa votuesve.Kështu sot disa republikanë mund tëkërkonin shkarkimin e Biden bazuar në akuzat e FBI për korrupsion të djalit të tij Hunter.

Nëse Senati vazhdon një gjyq pavarësisht nga mungesa e autoritetit kushtetues, Trump mund të rrijë i qetë në Mar-a-Lago dhe të premtojë të sfidojë çdo përpjekje për ta s’kualifikuar atë nga zyra e ardhshme. Në të vërtetë, llogaritja e gabuar politike mund të jetë më e madhe se llogaritja e gabuar kushtetuese. Shkuan konstitucoinalistiJonathanTurley në editorialin në FoxNews: “Trump impeachment trial – whyhisbestdefensemay be nodefense”.

Një gjyq me një tryezë të zbrazët, për mbrojtjen do të zmadhonte pikëpamjen e shumë njerëzve se ky është një ushtrim jo i duhur i presionit politik ose, në minimum, i panevojshëm. Për më tepër, nëse një gjykatë do ta shpallte gjyqin më vonë jo kushtetues, kjo do të shihej si një justifikim i Trump, i cili ka thënë prej kohësh që institucionet e Uashingtonit e kanë përdorur çdo mjet për ta shkarkuar atë nga detyra. Nëse një përpjekje për të ndaluar kandidaturën e tij në 2024 do të dështonte në gjykata, atëherë kjo mund të ringjallë pozitën e tij, e cila aktualisht është në një minimum të ulët  miratimi të të gjitha kohërave. Përtej kushtetutës, ka arsye të forta politike dhe historike që një administratë e ardhshme, nuk duhet të kërkojë akuza ndaj paraardhësit të saj. Në disa vende ish-presidentët dhe kryeministrat e mundur ndiqen rregullisht.

Precedenti Nikson

Nëse Senati zgjedh ta dënojë Trump dhe ta s’ kualifikojë atë nga detyra, gjykatat do tëduhej t’i nënshtrohen këtij vendimi si për ish- Presidentin Nikson. Në mënyrë domethënëse, mendimi i Gjykatës nuk do të thotë se argumentet ligjore përNiksoninnëse Trump është apo jo i prekshëm nga fajësimi janë të parëndësishme. Thjesht do të thotë se i takon secilit senator të vendosë vetë, nëse Kushtetuta lejon që Trump të dënohet dhe gjykatat, nuk duhet t’i marrin me mend ato vendime. 

Demokratët dhe paranoja Trump

Nga ana tjetër po rriten shqetësimet edhe nga vetëdemokratëtnë lidhje me shkarkimin e Trumpit, pasi ditët e para të presidencës së Biden do tëmund të konsumohen nga një mori çështjesh anësore që mund të vonojnë emërimet e Kabinetit të tij dhe, më e rëndësishmja, çdo lloj fitore legjislative. Kur një pjesë e urdhrave administrativë që ai mori ishin agjendë e politikave të krahut radikal të partisë duan miratimin e kongresit, gjë që do të  bënte dëshirën për politika bipartizanetë Bidenit të tingëllonte thjesht hipokrizi. Asnjë çështje nuk është shfaqur si një pengesë më e madhe, sesa gjyqi i shkarkimittë ish-presidentit Donald Trump.

Ka kaq shumë arsye të mira për të dalë kundër Donald Trump gjatë gjyqit të tij të dytë për fajësimin, saqë do të ishte turp ta bëje këtë, për një vërtet të keqe: për ta mbajtur ish-presidentin e turpëruar nga përballja me votuesit e kombit mendojnë disa demokratë. “Një nga qëllimet e tjera të shkarkimit në këtë rast është të sigurohemi që Presidenti Trump nuk është në gjendje të kandidojë përsëri për zyrë federale, se ai nuk është në gjendje të kërkojë presidencën,” tha Përf. Joakin Kastro, D-Texas, gjatë një paraqitje të fundit në televizion.

Pavarësisht nëse duhet një shumicë prej dy të tretave të Senatit Amerikan që tëvotojë për të dënuar Trump, mund të duhet një votim i dytë, i veçantë, i vendosur me një shumicë të thjeshtë votash, për ta ndaluar atë të mbajë ndonjë zyrë të ardhshme, por kjo ështënjë gambit juridik për demokratët, dhe mund të shihet si fitore partiake por do tëtejhuazonte74 milionëamerikanëtqë votuan pro Trumpit.

Sado që demokratët dëshirojnë të ndëshkojnë Trumpin për inkurajimin e mbështetësve të tij për të zbritur në Kapitol, disa demokratë shprehen të hidhëruar për idenë, për të vënë në pritje punët në ditët e para të Biden për një burrë tashmë të larguar nga Zyra Ovale.

 “Unë dua të përqendroj sa më shumë vëmendjen tani në agjendën e Biden sa më shumë që të jetë e mundur dhe të minimizoj vëmendjen për çdo gjë tjetër përveç agjendës së Bidenit,” tha senatori Tim Kaine (D-Va.), I nominuari për nënkryetar i partisë së tij më 2016. Ai do të preferonte ta ndëshkonte Trump me legjislacion për ta ndaluar atë nga mbajtja e detyrës në të ardhmen. “Kjo do të na jepte më shumë kohë për t’u përqendruar në gjërat që janë më të rëndësishme për publikun,” u tha Kaine gazetarëve të premten.

Pelosi dhe Schumer kanë vendosur një afat kohor që do të lejojë që postet më kritike të Kabinetit të plotësoheshin, por me pak shanse për fitore thelbësore, që dalin nga Kongresi. Biden ka lëshuar më shumë se dy duzina urdhrash ekzekutivë, disa që përmbysin vendimet e diskutueshme nga Trump, por asgjë me fuqinë e plotë të një ligji aktual. Kjo do ta dëmtontedefinitivishtpresidencën Biden.

 “Por edhe nëse vetëm demokratët, të cilët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, kanë fuqinë për t’i dhënë fund ambicieve të ardhshme politike të Trump nuk do të thotë, se duhet. Përveç sfidave të pashmangshme ligjore, kjo do të ushqejë mentalitetin e viktimave gjë që e dëshirojnë Trump dhe ndjekësit e tij. Arsenali i tyre i gënjeshtrave do të zgjerohej për të përfshirë pretendimet se ai do të kishte fituar në njëmasë dërrmuese, vetëm sikur të ishte lejuar të kandidonte”. -thuhej nënjë opinion të një demokrati nëMiamiHerald.

Dënimi i Trump me çmim për vendin

Zoti Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra. Senati mund të tregonte vetëpërmbajtje institucionale pavarësisht zemërimit të ligjshëm për fjalimin e Trump të 6 janarit para trazirave të Kapitolit. Trashëgimia e Trump tashmë përfshin dallimin e lavdishëm të dy fajësimeve. Senati nuk do të bënte gjë tjetër veçse ta minonte, atë trashëgimi të papërfillshme me një akt të diskutueshëm jashtëkushtetues. Dëshira për t’i shtuar këtë dënim të mëtejshëm Trump do të vinte me një çmim shumë të lartë për Kushtetutën për presidencën Biden dhe, në fund të fundit, për vendin.

Por Amerika ka jetuar më shumë në përputhje me mesazhin e Presidentit Linkolndrejtuar për Konfederatave që po mposhteshin së shpejti: “Pa keqdashje ndaj askujt, me bamirësi për të gjithë, me vendosmëri në të djathtë, pasi Zoti na jep të shohim të drejtën, le të përpiqemi për të përfunduar punën në të cilën jemi, për të lidhur plagët e kombit “.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjyqi i dytë, Rafael Floqi, Trump

Bajram Bej Haxhiu, Nismëtari i Kongresit të Lushnjes në 1920…

January 20, 2021 by dgreca

…që Regjimi Diktatorial Komunist në 1951 e bëri “Kulak-un” e dytë në Lushnje/

Nga Kevin HAXHIU/

Bajram Rakip Haxhiu i njohur  nga lushnjarët si Xha Bami lindi më 15 gusht 1887 në Lushnjë.Familja Haxhiu është një familje qytetare,fisnike,patriotike e qytetit të Lushnjes.Bajrami ishte patriot nacionalist, demokrat, antikomunist, anëtarë i Komisionit Nismëtar të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram bej Haxhiu shkollën e mesme e bëri në gjuhën turke ndërsa të lartën Bajrami e vazhdoi për financë në Kolegj,në Stamboll.Haxhiu shkrim e lexim në gjuhën shqipe i ka mësuar autodidakt.

Bajrami në Stamboll do të njihej me patriotë të shquar të kombit shqiptarë Rilindasit Kombëtarë.Bajram Haxhiu u ndikua nga idetë patriotike të Rilindasve dhe ndaj gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare shqiptare.Në fillim të shekullit XX Bajram Haxhiu është një nga udhëheqësit kryesor të lëvizjeve antiosmane në Lushnje dhe ishte një pjesëmarrës tepër aktivë në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës.Ai për pjesëmarrjen në këtë lëvizje do të arrestohej dhe dënohej nga qeveria Osmane.Bajrami pasi doli nga burgu nuk u ndal por përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane.Në 17 janarit 1909 në Lushnje një prej organizatorëve të demostratës antiosmane  ishte Bajram Haxhiu.Gjithashtu ai bashkëpunoi edhe me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë për Pavarësi.Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit duke luftuar kundërshtarët e saj serbë dhe kuislingët e Esat Pashë Toptani-t.Bajram Haxhiu nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore.Bajram Haxhiu pas Luftës së Parë Botërore e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Bajram Haxhiu ishte Anëtarë në Komisionin Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu ishte caktuar nga Komisioni Nismëtar me detyrën për shpërndarjen e postës në Durrës,Kavajë,Peqin dhe Elbasan.Haxhiu kontribuoj shumë në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera.Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri Kongresi i Lushnjes dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu përkrahu gjithashtu Luftën e Vlorës më 1920 për çlirimin e Vlorës nga ushtritë pushtuese italiane.Bajram Haxhiu në prill të vitit 1922 ishte Anëtarë në Komisionin e Zgjedhjeve të Para Vendore në Shqipëri për Bashkinë Lushnje.Në vitet ’30 dhe deri nëfillim të viteve ’40 Bajram Haxhiu punoi si tagrambledhës në Zyrën e Financave në Lushnje.Bajram Haxhiu ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe në vitet ’30 ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes.Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italian në prill të 1939 nacionalisti Bajram Haxhiu e priti me urrejtje.Në vitin 1945 regjimin diktatorial komunist që u vendos në Shqipëri Bajram Haxhiu e kundërshtoi gjatë gjithë jetës së tij.Bajram bej Haxhiu ishte një nga pronarët e mëdhenjë të qytetit të Lushnjes dhe që nga Reforma Agrare u shpronësua krejtësisht.Më 25 maj 1951 Bajram Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”.Më 9 maj të vitit 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes Bajram Haxhiu përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë pjesa e vetme që i kishte mbetur bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese.Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht 1972 në Lushnjë në moshën 85 vjeçare,duke u lënë në harresë nga regjimi diktatorial komunist dhe duke mos iu vlerësuar veprimtaria e tij patriotike.Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes,Bajram Haxhiu (pas vdekjes) u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z.Sali Berisha me Dekretin Nr.1008 Datë 18.01.1995,me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë.Rruga në lagjen “Kongresi i Lushnjes”,pranë Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjes” me vendim të Këshillit Bashkiak Lushnje i është vendosur emri “Bajram Haxhiu”.Në qytetin e Lushnjes në vitin 2010 është vendosur edhe busti i patriotit Bajram Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet,Familja e patriotit Bajram Haxhiu,u nderuar në 4 shkurt 2020,nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj me Çertifikatë Mirënjohjeje me motivacionin:-“Për aktivitetin e çmuar dhe kontributin e vyer në shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë”.Bajram Haxhiu është babai i legjendës së futbollit shqiptarë Abdurrahman (Roza) Haxhiu dhe atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare në Diasporën Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu.

-KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES NË KUJTIMET E NISMËTARIT BAJRAM HAXHIU:

 -“Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes,unë kam qënë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi,por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen.Këtu në Lushnje kishte një lëvizje të gjërë patriotike.Para se të mblidhej Kongresi ne hoqëm një flamur Italian dhe e grisëm.Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin por kot.Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit ishte Eshref Frasheri.Unë e njihja edhe më parë se kishte qënë këtu si inxhinier.Mbaj mend se mbasi vendosëm të mblidhej Kongresi na duhej të caktonim edhe shtëpinë ku do të bëhej mbledhja.Për këtë iu drejtuam Kaso Fugës por ai kishte hall se mos binte në bela dhe nuk donte.Atëherë ne vendosëm ta thërresim Kongresin pa dhe në kasolle do ta bëjmë.Aqif Pasha kishte kërkuar që Kongresi të bëhej në Elbasan,por pengesë qe bërë Shefqet bej Vërlaci;ky ishte me kohë me italianët.Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan,Peqin,Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës.Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu.Veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë.Në Elbasan mbaja lidhje me Salim Junikun,në Peqin me Adem Gjinishin,në Kavajë me Idriz Dizdarën dhe në Durrës me Rexhep Shalën.Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari.Rrugës kishte plotë rreziqe,por ne ishim të rinjë në atë kohë dhe i kapërcenim.Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare.Ditën kur filloi punimet Kongresi ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë.

Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi kishin ardhur njerëz nga vënde të ndryshme të Shqipërisë.Por në Kongres kishte shumë lushnjarë.Unë nuk i kujtoj dot të gjithë por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat.Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë.Kudo shifje flamurë kombëtarë bile flamurë te vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijet e shkollës.Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë,aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve.Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë.E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit.Në mur qe një flamure kombëtarë.Në Kongres kishte rregull.Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete.Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit.Kishin ardhur njerëz të armatosur.Disa prej tyre i kishin sjellë vet delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës,por pati edhe nga ata që i thirrëm ne.Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja.Në të njëjtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës por unë nuk jam marrë me forcat.Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua.Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi,Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja,Musa Zagaria nga fshati Koçaj i Fier-Sheganit e të tjerë.Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër që ishte sakat.Të dy ishin djem trima.Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje.Disa prej rojëve vinin edhe në qytet.Italianët i shihnin po nuk i ndalonin.Më kujtohet kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit.Njerëzit nuk i mbanim dot se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë.U nisën disa por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes ja mbathi për nga Vlora.Qeveria që u zgjodh nga Kongresi ndenji nja 4-5 ditë këtu,pastaj e përcuallëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët.Vanë mjaftë forca nga Lushnja,por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”(Shënim:Kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu janë marrë nga libri “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”,Universiteti Shtetërorë i Tiranës,Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë,Instituti i Folklorit,Tiranë 1970).

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajram Haxhiu, Kevin Haxhiu, Kongresi i Lushnjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 291
  • 292
  • 293
  • 294
  • 295
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT