• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë hetim të forcës policore që mbron Kapitolin

January 7, 2021 by dgreca

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë thirrje për një hetim të forcës policore që mbron Kapitolin, duke i falenderuar ata në të njëjtën kohë për veprimet e tyre, pas sulmit të së mërkurës në selinë e organit legjislativ të vendit nga një turmë mbështetësish të presidentit Trump.

Kërkesa u bë nga dy demokratë të cilët në Kongresin e ri do të drejtojnë nënkomisionet që mbikëqyrin buxhetin për Policinë e Kapitolit.

“Do të ketë shumë video, disa që ngrenë shqetësime, disa që tregojnë heroizëm. Na duhet një hetim i plotë se si u shkel kaq shpejt siguria e Kapitolit”, tha senatori Chris Murphy.

Ligjvënësi Tim Ryan vuri në dukje mungesën e përgatitjes përpara tubimeve të planifikuara të së mërkurës, ku mbështetësit e Presidentit Donald Trump u mblodhën për të mbështetur refuzimin e tij të vazhdueshëm dhe të pabazë të humbjes së zgjedhjeve.

“Mendoj se është mjaft e qartë se do të ketë një numër njerëzish që do të pushohen nga puna shumë, shumë shpejt sepse ky është një turp si i turmës, i presidentit, i kryengritjes, dhe përpjekjes për grusht shteti , por edhe i mungesës së planifikimit profesional dhe ballafaqimit me atë që e dinim se do të ndodhte”, tha ai.

Ligjvënësja Ilhan Omar shtoi: “Ne harxhojmë miliarda dollarë për sigurinë kombëtare dhe sot nuk arritëm të mbrojmë kryeqytetin e vendit tonë nga një turmë e paligjshme. E papranueshme!”

Seria e ngjarjeve të së mërkurës filloi me Presidentin Trumpin duke folur në një tubim në mesditë pranë Shtëpisë së Bardhë, duke i kërkuar turmës të vazhdonte luftën për rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa anëtarët e Kongresit po përgatiteshin për çertifikimin e votave dy kilometra larg.

“Ne do të ecim nëpër Bulevardin e Pensilvanisë … dhe do të shkojmë në Kapitol … do të përpiqemi t’u japim republikanëve tanë … llojin e krenarisë dhe guximit për të cilën kanë nevojë për të marrë vendin përsëri në dorë”, tha ai.

Nga ora 13:30, Policia e Kapitolit po u kërkoi gjithë personave që ishin në ndërtesën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe atyre në një ndërtesë ngjitur me Bibliotekën e Kongresit që të evakuoheshin. Pak pas orës 2 pasdite, u njoftua për “një kërcënim të jashtëm të sigurisë të vendosur në pjesën perëndimor të Ndërtesës së Kapitolit “, pasuar së shpejti nga një tjetër alarm që sinjalizonte një “kërcënim sigurie brenda ndërtesës”.

Ligjvënësit dhe personeli u udhëzuan që të gjenin strehë, të mbyllin dyert dhe të qëndrojnë larg dritareve.

Robert Contee, shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit, tha se Policia e Kapitolit në atë moment i kërkoi ndihmë departamentit të tij për forca shtesë.

Në disa nga videot e shumta të shpërndara në mediat sociale dhe nga organizatat e lajmeve, oficerët e Policisë së Kapitolit mund të shihen të rrethuar nga turmat jashtëzakonisht të mëdha që kaluan nëpër barrikada dhe iu shmangën oficerëve që po përpiqeshin të ndalnin përparimin e tyre. Protestues të tjerë u ngjitën në mure ndërsa disa thyen dritaret për t’u futur brenda ndërtesës.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, së bashku me nënpresidentin Mike Pence, i cili po kryesonte seancën e çertifikimit, u evakuuan.

Turma kaloi orë të tëra brenda ndërtesës, përfshi në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, duke lënë pas dyer dhe mobilje të dëmtuara përpara se të dilnin duke u ndeshur me pak rezistencë.

Sipas zotit Contee, deri në orën 18:00 kur Policia e Kapitolit, e ndihmuar nga oficerët lokalë si dhe Garda Kombëtare dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit, rimorën kontrollin, policia kishte qëlluar për vdekje një grua dhe tre persona të tjerë humbën jetën për shkak të problemeve mjekësore.

Policia Metropolitane tha se arrestoi 52 persona dhe 14 nga oficerët e departamentit u plagosën.

Kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser vendosi një ndalim-qarkullimi që hyri në fuqi më vonë, dhe zgjati gjatë gjithë natën. Rreth orës 21 ligjvënësit ishin përsëri brenda në Kongres për të rifilluar seancën e tyre.

“Sapo kalova nëpër Kapitol për t’u kthyer në Dhomën e Përfaqësuesve,” tha ligjvënësja republikane Kelly Armstrong të mërkurën vonë. “Policia e Kapitolit është ende atje. Të rraskapitur, të gjakosur, të fashuar, disa janë në barela. Ata e bënë punën e tyre sot dhe e bënë mirë. Janë akoma këtu. Në mbrojtje të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në mënyrë që Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati të mblidhen dhe të përmbushin detyrën kushtetuese”.

Senatori republikan Mitt Romney shkroi në Twitter falënderimet e tij për Policinë e Kapitolit, FBI-në, Shërbimin Sekret dhe Gardën Kombëtare, duke vlerësuar “profesionalizmin dhe trimërinë” e tyre.

Ndërsa po hynte e enjtja, FBI-ja lëshoi një thirrje për publikun për të siguruar foto, video ose informacion në lidhje me protestuesit.

Në orën 1:13 të mëngjesit erdhi një njoftim i fundit i Policisë së Kapitolit se nuk kishte më kërcënim të brendshëm të sigurisë.

Ndërsa në anën perëndimore të Kapitolit po bëhen përgatitjet për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar, zonja Bowser tha se ajo e zgjati urdhërin e emergjencës për 15 ditë “për të siguruar paqen dhe sigurinë”.

Shërbimi Sekret amerikan udhëheq përpjekjet e sigurisë për inaugurimin, por zakonisht merr ndihmë nga agjenci të shumta si Policia e Kapitolit, policia Metropolitane, Administrata Federale e Aviacionit dhe Garda Kombëtare.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Opinion Tagged With: Chris Murphy, Hetime per Policine, Kapitol

U NDA NGA JETA VATRANI SOTIR PANI

January 5, 2021 by dgreca

…NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË/

“Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” Seneka/

Nga Fuat Memelli-Boston/

-Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani.Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt  një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe.  Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit.

Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston , por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare , Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarin dardhar Vaskë Bruko, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço,  Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.

Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës. “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht- Pilur- Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension në vitin…Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.

Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij , Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e  Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë. Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim  kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”. Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli” “Kombi” e “Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë  të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte  në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”.  Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë 

Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i  librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.

Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar,  “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet. Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli, Sotir Pani, u nda nga jeta

“THE OLD BRIDGE – URA E VJETËR” – VEPËR ME INTERESIME TË GJERA STUDIMORE

January 4, 2021 by dgreca

Shkruan: Prof. As. Dr. Arben PRENDI/

Arjeta Ferlushkaj, pas librit studimor Pasqyrat e postmodernitetit (2012) vjen me librin e saj të dytë, me përmbledhjen studimore The old bridge–Ura e vjetër (2020). 

Libri i saj i parë Pasqyrat e postmodernitetit (2012) u prit me interes nga publiku i specializuar në studimin e letërsisë si një studim që do të sillte një studiuese premtuese, në radhën e studiuesve dhe kritikëve të letërsisë shqiptare. Konstatoj me kënaqësi se autorja vijon ta ruajë e ta kultivojë kërkesën për studimin e letërsisë siç na e dëshmon edhe ky libër i saj i dytë, kërkesë të cilën me siguri do të ketë mundësi ta plotësojë më tej në vendbanimin e saj të ri, në mesin e komunitetit shqiptar në Amerikë, komunitet me një histori të gjatë kontributesh e rezultatesh të rëndësishme për mbijetesën e kulturës dhe letërsisë shqipe.

Thelbi i këtij libri të dytë shpreh lidhjen e vijueshme të autores me letërsinë dhe studimin e saj, pavarësisht lëvizjes edhe në zhanre të tjera të përafërta si eseja, recensioni për libra e autorë, shkrimi publicistik etj. 

Konceptualisht, vëllimi studimor në katër kapitujt por edhe titulli kryesor “The old bridge-Ura e vjetër” shpreh edhe zhvendosjen e autores në një kontekst të ri, në atë të jetës së komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ajo është bërë tashmë, sigurisht duke ruajtur urat e komunikimit me kulturën mëmë por edhe duke u integruar në atdheun e ri. Siluetat e këtyre urave i vërejmë që në pjesën e parë të vëllimit, tek artikulli “Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të mësuar”, ku shprehet shqetësimi për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të vijuar me pjesën e dytë ku merret në shqyrtim vepra letrare e një autoreje që është pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, siç është Albana Melyshi Lifschin, ndërsa në pjesën e tretë dhe të katërt “Ura e vjetër” na nxjerr gradualisht në kontinentin tjetër…

Në pjesën e parë “Shfletime” vihen në dukje rëndësia dhe vlera e veprës letrare dhe joletrare të disa autorëve të traditës apo bashkëkohësisë, të cilët, ose kanë mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve ose është thënë shumë pak për ta. Të tillë janë artikujt për veçori të veprës dhe personalitetit autorëve, si: At Benardin Palajn, At Vinçens Prennushin, por edhe të autorëve të tjerë, si: Ferik Ferrra, Mark Lucgjonaj, Fran Camaj, Alfred Çapaliku, Mentor Quku etj. Këto janë shfletime të rastit por edhe fokusime të përgjithshme mbi vepra të caktuara. Në mbyllje të pjesës së parë, autorja, në artikullin “Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të lexuar”, shpreh shqetësimin për një rënie të interesit për leximin e letërsisë nga brezat më të rinj por edhe gjetjen e rrugëve të duhura për t’ua afruar atyre përmes formave më tërheqëse dhe praktike, veçanërisht për nxënësit e shkollave në Shqipëri, por edhe për nxënësit shqiptarë në SHBA. Në këtë artikull autorja e sheh letërsinë, përveçse si një krijim që ngjall përjetime dhe kënaqësi estetike, edhe si një mënyrë efikase për transmetimin e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit me origjinë shqiptare në SHBA. 

Në pjesë e dytë “Hulumtime dhe studime”, na shfaqet potenca e autores si studiuese dhe kritike letrare. Përmes një ligjërimi të konsoliduar dhe vënies në përdorim të instrumenteve teoriko-letrare të metodave të ndryshme kritike bashkëkohore, autorja tenton të kryejë interpretime interesante dhe me vlerë mbi veprat letrare të disa autorëve të njohur e më pak të njohur, si: Ernest Koliqi, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Albana Melyshi Lifschin, Ag Apolloni.

Me mjaft interes për studiuesin e letërsisë por edhe për mësuesit e letërsisë apo për të interesuarit e tjerë është qasja kritike ndaj autorëve të sipërpërmendur. Kjo qasje nxjerr në pah vlerat e njëmendta të veprave letrare të bëra objekt si edhe aftësitë e autores për të hyrë në strukturat artistike të këtyre veprave në mënyrë profesionale dhe të guximshme, duke asimiluar përvojat e teorive letrare bashkëkohore të cilat bëhen çelësa për dekodifikimin e mesazheve të fshehta të tekstit letrar apo të mekanizmave me të cilat funksionojnë shtresat tekstuale të veprave të shqyrtuara. 

Në artikullin studimor mbi novelat e Ernest Koliqit, autorja zgjedh konceptet e “kujtesës së pavullnetshme” të Prust-it dhe “kohën si vazhdim” të Bergson-it për t‘i aplikuar në zbërthim të kodeve të botës shpirtërore dhe psikologjike të personazheve, por edhe të kodeve të tekstit të fshehura në shtresat e katër teksteve të përzgjedhura. Herë pas here autorja i referohet në analizën e këtyre teksteve edhe psikanalizës së Frojdit (Freud), sipas së cilës fëmijëria ka një rol të rëndësishëm në jetën e mëpasme të njeriut.

Ndërsa, në artikullin kushtuar teknikave narrative që përdor në tregime e novela shkrimtarja Elvira Dones ajo veçon elemente kompozicionalë dhe narrativë, si: mbyllja unazore, analepsën dhe prolepsën, futjen e elementit rast, lojën me kohën dhe hapësirën ndërsa nga ana tematike vlerëson se prozat e Dones paraqesin tjetërsimin e njeriut nën diktaturë, stadin e ri të tjetërsimit të njeriut modern dhe qëndrimin se fati i njeriut është gjithnjë paradoksal.

Mund të vihet re se, në këto punime autorja synon me qëllim apo intuitivisht të pranëvejë autorë të afirmuar me autorë më pak të afirmuar apo më pak të studiuar, siç është rasti me Koliqin dhe Dones apo Ridvan Dibrën dhe Ismail Kadarenë, Albana Melyshi Lifschin e Ag Apollonin. Në fakt hapësirën më të madhe në këtë kapitull e zënë studimet për autorët që krijimtarinë e tyre e botuan pas vitit 1990 dhe në mënyrë të veçantë autori Ridvan Dibra, vepra e të cilit ka qenë objekt shqyrtimi nga autorja edhe në librin e parë “Pasqyrat e postmodernitetit” (2012) por që tashmë analizohet dhe interpretohet nga pikëvështrime të tjera. Në interpretimet e reja për veprën e Ridvan Dibrës studiuesja është fokusuar në veprat Triumfi i Gjergj Elez Alisë, Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë, Nudo, Mjerimi i gjysmës, Franc Kafka i shkruan të birit, Kanuni i Lekës së Vogël etj. Edhe këtu ajo e zgjeron gamën e kërkimeve dhe inventarizimeve në drejtim të elementeve postmoderne në prozat e këtij autori, veprën letrare të të cilit studiesja e përshkruan të pasur me veçori dhe tipare të letërsisë postmoderniste. Besoj se kontributi i interpretimeve kritike të lidhura me këtë autor do të përbëjnë një ndihmesë me vlerë për studiuesit e tjerë që mund të merren me veprën e tij letrare në të ardhmen. Përmes këtyre studimeve, ajo ofron disa mundësi praktike dhe teorike për t’iu qasur teksteve “problematike” dhe “provokative” të shkrimtarit Ridvan Dibra.

Në veçanti, studiuesen e kanë intriguar elementët e letërsisë moderne dhe postmoderne në strukturat artistike të veprave letrare të autorëve shqiptarë bashkëkohorë, në strukturat narrative dhe kompozicionale si edhe në ato semantike. Kërkimi i saj mëton të gjejë dhe të inventarizojë se si funksionojnë këto struktura në raport me veçori të tjera të veprës letrare dhe çfarë ndikimi kanë ato tek vlera estetike e tekstit letrar.

Zakonisht, një pjesë e studiuesve të letërsisë preferojnë të merren me vepra dhe autorë të konfirmuar për vlerat e veprës së tyre letrare. Studiuesja Arjeta Ferlushkaj guxon edhe në këtë drejtim ta thotë fjalën e saj, ndaj me interes janë edhe artikuj studimorë për shkrimtarë pothuajse të pastudiuar siç është rasti i shkrimtarit shkodran Qemal Draçini (1922-1947), i cili vdes në moshë fare të re për shkak të torturave në burgjet komuniste. Në artikullin në fjalë studiuesja merr në shqyrtim tregimin “Era” si një shembull të qartë të talentit të ndërprerë të një prozatori që premtonte shumë të ishte ndër shkrimtarët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, nëse nuk do të binte mbi të kazma e diktaturës komuniste, e cila synoi ta varroste përgjithmonë edhe veprën e tij letrare. Pjesë e kësaj kurajoje profesionale janë edhe studimet për vepra letrare të shkrimtarëve Albana Melyshi Lifschin dhe Ag Apolloni. Albana, një nga shkrimtaret e talentuara, pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan e Agu një nga shkrimtarët e talentuar të brezit më të ri në Kosovë. Kësisoj, studiuesja  ka përvijuar, me siguri jo rastësisht, edhe një përfaqësim simbolik të degëve të letërsisë tonë kombëtare. 

Në artikullin për romanin Yjet nuk janë të kuq, evidentohen mjetet që janë përdorur për të ndërtuar autenticitetin brenda rrëfimit artistik si dhe shqyrtohet lloji dhe roli i komunikimit që veprat e kësaj autoreje ndërtojnë njëra me tjetrën (dialogimi). Shqyrtimi në roman i raporteve ndërmjet fakteve të jetës reale dhe atyre fiksionale, ndërmjet jetës nën regjimin komunist në Shqipëri dhe përpjekjes për integrim të emigrantëve në SHBA, përbën një nga synimet e këtij studimi që nxjerr në pah natyrën e veçantë të veprës letrare të shkrimtares Albana Melyshi Lifschin.

Artikulli për librin Mesjeta ime të shkrimtarit Ag Apolloni është ndër më interesantët e këtij vëllimi dhe përveç zhdërvjelltësisë në përdorimin e termave kritikë, tek autorja dallohet edhe frymëzimi për të provuar klasifikime kundra rrymës apo kundra termave tradicionalë me të cilët zakonisht klasifikojmë se kur një tekst përbën një tekst letrar, poezi, tregim apo roman. Kjo edhe për shkak të lëvizshmërisë së natyrës së tekstit të veprës në fjalë, tekst që kalon herë nga domeni i tekstit letrar e herë nga domeni i tekstit eseistik autobiografik apo tjetër fare. Duke qenë një vepër kapriçioze (studiuesja e pranëvë me roman-à-clef, roman çelës, term i Madeleine de Scudéry) me një tekst të luhatshëm dhe vështirë të klasifikueshëm, studiuesja zgjedh t’i qaset duke çmontuar kodet e saj si mënyra më interesante për të komunikuar me veprën, por edhe për t’ia zbuluar atë lexuesit të mundshëm. Kjo tentohet përmes analizës dhe interpretimit të pesë kodeve të aplikuara në vepër: Inventio (Eurexis), Dispositio (Taxis), Elocutio (Lexis), Memoria (Mnemoa), Pronuntiatio (Hypocrisis). 

Në pjesën e tretë të vëllimit: “Urat e shtypit shqiptar të diasporës”, në artikullin për gazetën “Albania” (1897-1909) të drejtuar nga Faik Konica, autorja thekson rolin e tij në programin dhe orientimin e “Albania” drejt kulturës evropiane perëndimore. Roli i kësaj gazete në krijimin e një fryme dhe letërsie kritike të shkëputur nga propaganda e thatë atdhetare lidhet pazgjidhshmërisht me idetë dhe projeksionet që kishte Konica për kulturën shqiptare. Konica me “Albaninë” e tij u bë një parapërgatitës edhe i zhvillimeve të letërsisë dhe kulturës shqiptare në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX. Siç e analizon edhe autorja në këtë artikull, vërtetë që “Albania” cilësohet si kryevepra e tij, e cila duhet parë edhe si urë që lidhi e përtëriu lidhjet e kulturës shqiptare me atë evropiane perëndimore dhe merita padyshim i takon Faik Konicës, i cili e shihte shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve vetëm duke ndjekur modelin  jetës dhe kulturës së qytetërimit evropian perëndimor. 

Me mbylljen e “Albanisë”, Konica do t’i përkushtohet bashkë me Fan Nolin gazetës tjetër “Dielli” në Amerikë, e cila pati një jetë më të gjatë… Në artikullin në vijim, i kushtohet rëndësi rolit dhe misionit të gazetës “Dielli” për ndriçimin dhe afirmimin e kulturës kombëtare, por edhe për ruajtjen e identitetit të saj në rrethanat jetësore të komunitetit shqiptar në Amerikë përgjatë një shekulli e në vijimësi. Siç shtjellohet edhe në këtë artikull, gazeta “Dielli” u bë një universitet për emigrantin shqiptar në botën e re. Autorja konsideron se gazeta “Dielli” vijon misonin e saj edhe në ditët tona duke ruajtur ato parime e motive që ishin në themel të krijimit të saj, pavarësisht ndryshimeve e përshtatjeve me kohën dhe rrethanat e reja në të cilat ajo botohet. Studiuesja vë në dukje, me këtë rast, lidhjet mes shoqatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli”, lidhje të cilat i shërbejnë komunikimit me komunitetin shqiptar dhe përcjelljes së mesazhit se ata nuk janë vetëm…

Në pjesën e katërt të librit: “Modele suksesi”, kemi dy shkrime publicistike të kushtuara modeleve të sukseshme të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, artikulli për dr.Ermira Babamusta dhe organizatën shqiptare “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”. Përmes këtyre artikujve, autorja dëshiron të përçojë mesazhin se përmes punës dhe angazhimit shqiptarët që jetojnë në Amerikë mund t’ia dalin madje me sukses deri në nivelet më të larta të administratës amerikane si shembulli i dr. E. Babamusta, drejtoreshë e fushatës elektorale për presidentin Obama, e vlerësuar për punën dhe angazhimin e saj me çmime e tituj të lartë, apo shembulli i aktivistëve të organizatës “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”, e cila luan një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Pjesa më e madhe e artikujve dhe studimeve të paraqitura në këtë vëllim studimor janë botuar në disa organe të shtypit dhe në revista shkencore të profilizuara në studimet letrare, pra e kanë kaluar filtrin e verifikimit të disa vlerave thelbësore që duhet të kenë punime të kësaj natyre. Mbetet që me këtë botim të zgjerohet rrethi i receptimit të tyre, duke synuar publikun e specializuar në fushat që u përkasin artikujt, por edhe publikun tjetër që përveç studimeve të thelluara në çështje teorike të veprës letrare, mund të gjejnë artikuj formues dhe informues të vlefshëm për autorë, vepra, figura e personazhe të botës shqiptare. Pra, kategori me interesa të ndryshme kulturore mund të gjejnë veten në secilën nga pjesët e këtij vëllimi studimor.

Prof.as.dr. Arben PRENDI

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Prof.As.Dr. Arben Prendi, The Old Bridge, Ura e Vjeter

URIM I KRYETARIT TË VATRËS Z. ELMI BERISHA

December 31, 2020 by dgreca

Të nderuar bashkombas,

Të dashur vëllezër e motra vatranë,

Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes dhe të Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, t’ju uroj: Gëzuar e Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2021. Me besimin e fortë te i madhi Zot dhe me shpresën e fuqishme në çdo zemër tuajën, përcjell për ju çdo bekim, paqe dhe mirësi. Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin. Kemi kaluar një vit shumë të vështirë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Zotin, shpresën që nuk zhgënjen kurrë. Duke qenë te bashkuar mund të kalojmë çdo vështirësi. VATRA përgjatë vitit që po lëmë pas është munduar t’u gjendet afër bashkombasve në veshtirësi. Vatra, në vitin e ri që po vjen, do të jetë pranë shteteve amë Shqipërisë e Kosovës duke ndihmuar me të gjitha kapacitetet përparimin, zhvillimin e lulëzimin e shtetit e kombit tonë. Ne lutemi dhe do të punojmë për mirëqënien e çdo shqiptari kudo ku vepron, jeton e punon. Në këtë Vit të Ri uroj të kemi më shumë gëzim për të harruar trishtimet e vitit që po lëmë pas. Uroj të kemi më shumë shpresë për mirëqënie e zhvillim në Shqipëri, Kosovë e kudo ku gjenden bashkëatdhetarët tanë. Uroj të kemi më shumë shpresë për ditë më të lumtura, më të bëkuara e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit. Uroj për çdo shqiptar që të kemi sa më shumë forcë e kurajo për të vazhduar përpara në sfidat që kemi si qytetarë dhe si shtete kombëtare. Lutem, uroj dhe shpresoj për më shumë unitet mes shqiptarëve, forcave politike në Kosovë e Shqipëri dhe sigurisht për institucione që punojnë me devocion për qytetarët shqiptarë. Uroj me shpirt që të kemi marrëdhënie më të shëndosha, për solidaritet, për dashuri të pakushtëzuar, për paqe, për besim dhe lumturi në familjen e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, dashuria dhe bekimi i madhit Zot mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare.

GËZUAR

Zoti i bekoftë shqiptarët

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe Amerikën.

Më gëzim dhe nderim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi berisha-Kryetari i vatres, Viti i Ri 2021!

DEKLARATE-VATRA KERKON TRANSPARENCE PER VIJEN DETARE ME GREQINE

December 29, 2020 by dgreca

DEKLARATË/

  • Çështja e vijës së ujërave detare me Greqinë/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, po e ndjek me shqetësim dinamikën e re në lidhje përcaktimin e vijës ujore detare të Greqisë. Marrëvëshja e bërë publike për adresimin e kësaj çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vendimi i fundit zyrtar i shtetit grek për zgjerimin e ujërave të saj detare me 12 milje dhe deklarata e Kryeministrit Rama se Greqia është në të drejtën e saj për këtë zgjerim, vetëm se e kanë bërë më të paqartë, të dyshueshme dhe të kontestueshme këtë çështje. Në kushtet e një terri të plotë informativ nga qeveria e Tiranës, këto veprime dhe deklarata ngrenë pikëpyetje të mëdha si: 

-A është  marrë parasysh e drejta ndërkombëtare dhe kombëtare e ndarjes së ujërave detare? 

-A ka marrëveshje të fshetë në mes kryeministrit Rama dhe palës greke? 

-Në qotë se ka një marrëveshjë të tillë a është marrë parasysh opinion i ekspertëve shqiptarë? 

-Çfarë përfiton dhe çfarë humbet Shqipëria nga ky veprim i fundit i Greqisë.

-Meqenëse vendimet Gjykatës së Drejtësisë në Hagë ka kanë fuqi vendimtare të pakontestueshme, përse nuk është adresuar kjo çështjë më parë në gjykatat speciale të cilat merren direkt me vijërat detare të shteteve?

-A e njeh shteti Grek juridiksionin e vendimeve të Gjykatës së Hagës, dhe në qoftë së nuk e njeh përse u përzgjodh kjo gjykatë për vendim?

Ngejmë zërin tonë në emër të Federatës Panshqiptare Vatra dhe gjithë patriotëvë shqiptarë në Amerikë dhe i kërkojmë Kryeministrit Rama përgjigje dhe  transparencë të plotë dhe në detaje për këtë çështje. Po ashtu, i kërkojmë zotit Rama që të zbutë gjuhën e komunikimit me opinionin publik shqiptar që e kundërshton këtë akt të fundit të Greqisë, të kryejë në çdo rast avokatinë e Shqipërisë dhe shtetasve të saj dhe jo të shtetit grek. 

Në rast të një marrveshje të fshehtë, të mungesës së transparencës, shkeljes së të drejtave dhe interesit kombëtar të Shqipërisë,  në çdo vend të botës do të kishte nuancat e një tradhëtie e madhe kombëtare, që nëse jemi në këto kushte, sigurisht do të marrë përgjigjen që meriton nga shqiptarët. 

Në të njëjtën kohë e inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë në thellimin e traktateve të miqësisë dhe abrogimin e Ligjit të Luftës me Greqinë, por këto në asnjë rrethanë të mos jenë parakushte negociatash për favore për shtetin Grek në vijën detarë në dëm të Shqipërisë. 

Federate Vatra i bën thirrje Institucionit të Presidentit dhe Gjykates së Larte të Republikës së Shqipërise të shfrytëzojnë të gjitha prerogativat që u jep Kushtetuta e Shqipërisë, që të hetojnë dhe të shfuqizojnë çdo nismë dhe çdo marrëveshje të fshehtë që cënon të drejtat ndërkombëtare dhe terësinë ujore të Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë, në interes të popullit shqiptar dhe të ardhmes së tij, të mbajë ne mbikqyrje të plotë të gjitha vendimet e ardhshme të qeverisë Rama, duke qenë në kushtet e një situate parazgjedhore dhe të një rotacion të mundshëm politik. Federata Vatra do te jetë në përkrahje të marrëveshjeve dhe vendimeve të cilat mbrojnë tërësinë territoriale apo ujore të Shqiperisë dhe Kosovës dhe që janë në interes të kombit shqiptar.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra

Filed Under: Opinion Tagged With: kufijte detare, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT