• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARDIAN PEPA, SKULPTORI I HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT

August 7, 2025 by s p

Skulptori Ardian Pepa autor i mbi 60 monumenteve dhe shtatoreve brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, aspekte dhe detaje të panjohura të realizimit të punimeve të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Migjenit, Pashko Vasës etj, analizon skulpturën cilësore në ditët e sotme në betejë me shëmtinë, nepotizmin, mediokritetin e korrupsionin institucional, shkatërrimin e imazhit madhështor të personaliteteve kombëtare nëpërmjet skulpturës së dobët. Me skulptorin Ardian Pepa bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË VEÇANTAT E PUNIMEVE TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TUZ, SHQIPËRI, ITALI

Skulpturat që kam realizuar për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut janë të shumta dhe të shpërndara në disa vende si Shqipëri, Mal i Zi dhe Itali. Secila prej tyre ka një karakter unik, të lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe gjeografik ku është vendosur. Në Tuz, për shembull, shtatorja ekuestre në bronz është një ndër realizimet më monumentale. Figura e Skënderbeut mbi kalë është paraqitur me një forcë dinamike, me shpatën e ngritur, duke transmetuar jo vetëm heroizëm por edhe vendosmëri dhe krenari kombëtare. Në Itali, bustet e vendosura në komunat San Benedetto Ullano dhe Cerzeto janë të ngarkuara me simbolikë, sepse ndodhen në qendra të arbëreshëve – pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit kombëtar. Teknikisht, veprat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë në modelim dhe përpunim të detajuar të formës, ku materiali si balta dhe bronzi përdoret për të nxjerrë në pah fizionominë dhe karakterin e figurës historike. Nëpërmjet këtyre skulpturave kam synuar të ndërtoj ura mes brezave, duke i kujtuar publikut se Skënderbeu është jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përhershëm i identitetit tonë.

PERSONALITETE KOMBËTARE, HISTORI DHE FRYMËZIM

Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime i kushtohet figurave të shquara shqiptare. Kam realizuar shtatore të Nënë Terezës në disa qytete, përfshirë Kamzën, Trieshin dhe Laç-Vau Dejësin, secila me një frymëzim të veçantë për vendosmërinë dhe dashurinë njerëzore që ajo përfaqëson. Skulptura e Pashko Vasës në Shkodër është një tjetër vepër e dashur për mua, sepse ai ishte jo vetëm patriot, por edhe një figurë kulturore e rrallë. Monumenti i Migjenit në Pukë është konceptuar me një gjuhë më lirike, për të shprehur shpirtin e tij poetik dhe rebel kundër padrejtësive. Puna për këto figura nuk është thjeshtë një detyrë artistike, por një dialog i brendshëm mes meje dhe historisë sonë. Këto janë figura që më frymëzojnë, dhe përmes skulpturave dua t’i bëj të pranishme fizikisht në jetën tonë të përditshme. Kam realizuar shtatoren e Koço plakut, një ndër gjeologët e parë shqiptarë i vendosur në Fier dhe Françesk Radit, një ndër këngautorët e parë shqiptar e shumë buste e shtatore të tjera.

SHKATËRRIMI I IMAZHI MADHËSHTOR TË PERSONALITETEVE KOMBËTARE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT

Kur një figurë e madhe kombëtare paraqitet në mënyrë të pasaktë, pa shpirt dhe pa dinjitet në një vepër publike, ndodh një dëm i dyfishtë: nuk fyhet vetëm arti, por edhe kujtesa kolektive. Fatkeqësisht, janë të shumta rastet kur për shkak të mungesës së profesionalizmit, interesave të ngushta apo nxitimit, vendosen monumente që nuk i bëjnë aspak nder figurave që përfaqësojnë. Një bust i Skënderbeut që nuk shpreh forcën e tij, një Nënë Terezë e ftohtë dhe e largët – këto nuk janë thjesht dështime estetike, por deformime të imazhit tonë kombëtar.

SKULPTURA CILËSORE NË BETEJË ME SHËMTINË, NEPOTIZMIN DHE MEDIOKRITETIN

Në shumë raste, konkursi artistik nuk fiton më i miri, por ai që ka lidhje të forta apo që ofron çmimin më të ulët. Kjo e ul nivelin e skulpturës publike dhe demotivon artistët e vërtetë që punojnë me përkushtim. Korrupsioni institucional është një faktor real që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e hapësirës publike. Ka artistë të talentuar që nuk kanë mundësinë të shprehen, sepse sistemi nuk i përfshin, nuk i dëgjon dhe nuk i mbështet.

FILLIMET NË ARTIN E SKULPTURËS

Rruga ime nisi që në fëmijëri, duke modeluar me baltë forma që më dukeshin të gjalla. Studimet në Liceun Artistik me profesor Skender Kraja dhe më pas në Akademinë e Arteve me profesor Hektor Dule dhe Thoma Thomai më dhanë formim të strukturuar. Pas diplomimit, iu përkushtova krijimtarisë së lirë duke realizuar skulptura të karakterit monumental. Një prej veprave të para që shënoi karrierën time ishte shtatorja e fotbollistit te ravenes dhe kombëtares shqiptare Brian Filipit në Itali, një punë me shumë emocion dhe përgjegjësi.

SHPIRTI I SHQIPTARIT DHE HISTORIA SI BURIM FRYMËZIMI

Frymëzimi im më i madh është vetë njeriu dhe historia e këtij vendi. Shpirti i malësorit, përkushtimi i mësueses, sakrifica e luftëtarit – këto janë imazhe që më ndjekin gjithmonë. Skulptura shqiptare sot vuan nga mungesa e politikave kulturore afatgjata, nënvlerësimi i rolit të artistit dhe shpesh nga mungesa e edukimit estetik te publiku. Të rinjve u them gjithmonë: mos e bëni artin si zanat për bukë, por si një formë të lartë përjetimi dhe shërbimi ndaj së bukurës dhe kombit.

KUSH ËSHTË SKULPTORI ARDIAN PEPA?

Jam lindur më 2 mars 1977 dhe prej më shumë se dy dekadash i jam përkushtuar artit të skulpturës. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kam përfunduar Masterin Ekzekutiv për Skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Kam realizuar mbi 60 monumente dhe shtatore brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë. Kam qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kam çmime të fituara në konkurse të rëndësishme. Jam Laborant mësimor në degën e skulpturës monumentale në Universitetin e Arteve dhe vijoj të krijoj me pasion dhe përkushtim. Arti për mua është një mision që nuk mbaron kurrë – është mënyra ime për të jetuar, për të dhënë dhe për të lënë gjurmë.

Filed Under: Opinion

Lideri që Shërben – Nënë Tereza në Zemrën e një Libri të Rrallë Shqiptar-  “Lideri nuk lind… bëhet” të Dr. Iris Halilit

August 5, 2025 by s p

Hysen S. Dizdari/


Shkenca e lidershipit është ndër disiplinat më pak të studiuara në Shqipëri. Me librin e saj “Lideri nuk lind… bëhet”, Dr. Iris Halili sjell një kontribut të jashtëzakonshëm, duke hedhur dritë mbi këtë fushë përmes një analize të thelluar dhe origjinale, e para e këtij lloji në letrat shqipe. Ky libër nuk është vetëm një manual mbi lidershipin – është një ftesë për vetëreflektim dhe zhvillim personal, që provon se çdokush mund të bëhet lider i suksesshëm nëse ndërton karakter dhe etikë të lartë morale.

Ajo që e bën librin unik është qasja e tij shkencore dhe e strukturuar, ku autorja trajton thellësisht rolin e karizmës dhe narcisizmit në suksesin apo dështimin e liderëve. Karizma, sipas saj, është një element i rëndësishëm, por jo vendimtar. Me argumente të mbështetura në shkolla të ndryshme të mendimit, ajo ndihmon lexuesin të kuptojë se çfarë e bën një lider të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Kapitujt kushtuar lidershipit toksik dhe liderëve negativë, përfshirë diktatorët dhe drejtuesit e korruptuar, sjellin një pasqyrë tronditëse, por të domosdoshme, për të kuptuar ndikimin e drejtimit të keq në shoqëri. Libri merr edhe më shumë vlerë kur i dedikon një kapitull të veçantë lidershipit femëror, ku ndër të tjera ndalet tek figura më madhështore e shekullit të kaluar: Shenjtorja jonë, Nënë Tereza.

Në faqen 61, autorja shkruan:

“Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit – përkrah Gandit, Martin Luther Kingut dhe Mandelës – e ka njohur literatura e lidershipit perëndimor si lideren që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror. Ajo na mësoi se dashuria është arma më e fortë që sjell paqe dhe prosperitet. Modeli i saj nuk ishte thjesht fetar, por njerëzor, universal dhe i lirë.”

Ky vlerësim e pozicionon Nënë Terezën si lideren shërbëtore për t’u imituar, një figurë e cila tejkalon kufijtë fetarë dhe kombëtarë. Dr. Halili thekson se shqiptarët nuk kanë pse të kërkojnë modele jashtë vendit – Nënë Tereza është modeli ynë i madh, i gjallë, për të ndërtuar një lidership me vlera humane.

Në mënyrë të veçantë, libri prish mitin e vjetër se arti dhe lidershipi nuk lidhen. Përkundrazi, autorja provon se artistët mund të jenë liderë të jashtëzakonshëm, pasi kanë aftësinë të jenë fleksibël, krijues, dhe të mos e shohin botën bardh e zi. Kjo ua jep atyre një përparësi të madhe në vendimmarrje.

Një tjetër kapitull goditës është ai për rolin e kulturave në lidership. Nëpërmjet një analize të thellë, autorja argumenton pse kultura shqiptare ka dështuar të prodhojë liderë transformues në epokën moderne. Ajo tregon se katër tiparet kulturore që karakterizojnë lidershipin negativ – dhe që, për fat të keq, janë të pranishme te ne – kanë penguar zhvillimin e drejtimit pozitiv dhe reformues.

Ky libër, i botuar nga shtëpia botuese Dituria në vitin 2020 dhe ribotuar në vitin 2022, u shpall libri më i mirë i mendimit për vitin 2021 nga portali më i madh online i librit shqip, Bukinist. Sot, ai është i rrallë për t’u gjetur në libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës, por mbetet një thesar i domosdoshëm për çdo student, studiues, drejtues, apo qytetar që synon të kuptojë dhe të zhvillojë lidershipin.

“Lideri nuk lind… bëhet” është më shumë se një libër – është një udhërrëfyes i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të udhëheqin me vlera, të dallojnë liderët e mirë nga ata të këqij, dhe të kuptojnë se lidershipi i vërtetë fillon nga vetja. E si fillim, një hap i zgjuar është të lexoni këtë libër që me vetëm 90 faqe përmbledh me saktësi e maturi thelbin e lidershipit modern.
Një vepër që na bën krenarë për Nënë Terezën, por gjithashtu për autoren që ia ka dhënë shqiptarisë këtë kontribut të jashtëzakonshëm.

Filed Under: Opinion

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon racizmin dhe thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut

August 4, 2025 by s p

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Thirrjet raciste të dhjetra tifozëve ultranacionalistë maqedonas në prani të Kryeministrit Mickovski dhe heshtja e tij, janë njollë dhe shenjë antieuropiane në Maqedoninë e Veriut.

Turp për organizatat e mediave dhe gazetarëve maqedonas që heshtin ndaj akteve të tilla!

Tiranë më 03.08.2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon shfaqjen e thirrjeve raciste dhe ultranacionaliste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, ditën e shtunë, ndërsa zhvillohej një ndeshje basketbolli, ku ndodhej i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Mickovski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të kësaj republike. Thirrjet në korr të tifozëve, me aq egërsi dhe antishqiptare, të rikthejnë në kujtesë episode dhe histori të shkuara. Pas gati 23 vitesh, klithma të tilla raciste rikthehen si shenja ultranacionaliste antishqiptare, të cilat mund të fitojnë arenë publike, madje duke qenë i pranishëm edhe kryeministri i këtij vendi, i cili ekziston falë shqiptarëve.(!)

Heshtja dhe mosreagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut ndaj këtyre thirrjeve, mosdistancimi i federatës maqedonase dhe institucioneve të tjera, është më e rëndë nga akti antiligjor dhe i dënueshëm i korit dhe koristëve të sëmurë që shfaqen si tifozë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër kësi shenjash që të rikthejnë shumë pas në kohë dhe në antibashkëjetesë. Turmat antishqiptare, të veshura me bluza tifozësh nga shtetas të nacionalitetit maqedonas, në republikën fqinjë me Shqipërinë, janë element i rëndë provokativ dhe që kërcënojnë stabilitetin dhe rendin kushtetues në MV.

Me këtë rast, ndajmë shqetësimin tonë dhe kritikën e drejtëpërdrejtë ndaj organizatave të gazetarëve maqedonas, ndaj disa rrjeteve të organizatave rajonale (ku janë dhe nuk janë kolegë shqiptarë), si dhe entiteteve profesionale mediatike në gjuhën maqedonase, të cilët jo vetëm nuk kanë reaguar por që ende, nuk distancohen dhe madje nuk respektojnë ligjet e tyre për masa dhe qëndrime antiraciste, ultranacionaliste dhe me gjuhë aq agresive, ndaj një kombi tjetër dhe bashkështetasve të tyre. Shqiptarët në MV janë hise e plotë dhe e madhe në vlerën e faktorit të padiskutueshëm shtetformues.

Kjo heshtje e kolegëve, mediave maqedonase dhe organizatave të tyre është jo vetëm shenjë e keqe, por një qëndrim i hapur antieuropian, antibashkëjetesë dhe sidomos, antinjerëzor. (!) Është në nderin e tyre të reagojnë sa më parë dhe të ndiejnë skrupujt e qëndrimeve morale, europiane e perëndimore në rajonin që destinacion ka Bashkimin Europian dhe jo në të vjetrat kohë që nuk kthehen dot më kurrë!

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Opinion

Përdorimi i dokumentacionit nga regjimi serb nga Gjykata Speciale: Një devijim nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Nëse konstatohet se Gjykata Speciale për Kosovën po mbështetet në dokumentacion të siguruar nga autoritetet shtetërore të Serbisë – një shtet që ka qenë palë ndërluftuese, agresore dhe përgjegjëse për krime të shumta të dokumentuara kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, përfshirë mbi 300 masakra, dëbimin e më shumë se 90% të popullsisë shqiptare dhe përdhunime sistematike – atëherë ky institucion nuk mund të pretendojë më objektivitet, paanësi dhe legjitimitet etik apo juridik.

Përdorimi i materialeve të prodhuara nga një regjim i njohur për ideologji ultranacionaliste dhe praktika të spastrimit etnik, e komprometon rëndë integritetin e një gjykate që pozicionohet si ndërkombëtare. Themelimi i kësaj gjykate mbi bazën e raportit të Dick Marty – një dokument i kontestuar për përmbajtjen e tij selektive dhe narrativën e njëanshme – dhe ndikimet politike që e shoqëruan atë, përfaqësojnë një precedent shqetësues për mbizotërimin e interesave gjeopolitike mbi parimet e drejtësisë universale.

Raporti Marty, i mbështetur nga disa qarqe perëndimore në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të balancuara me Serbinë dhe Rusinë, u përdor si justifikim për krijimin e një gjykate që tashmë rrezikon të legjitimojë narrativat dhe dokumentet e prodhuara nga vetë strukturat që janë akuzuar për gjenocid. Drejtësia ndërkombëtare, ndërkohë, kishte vërtetuar më parë, përmes Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, karakterin gjenocidal të veprimeve të Serbisë në Kosovë.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Eliott Behar, në veprën e tij “Tell It to the World” dokumenton se pas Marrëveshjes Holbrooke-Millosheviq të tetorit 1998, autoritetet serbe jo vetëm që nuk zvogëluan praninë ushtarake në Kosovë, por përkundrazi e intensifikuan atë, duke armatosur edhe popullsinë civile serbe. “Në vend që të zvogëlonin numrin e policëve dhe ushtarëve, ata i shtuan ata. Nisën të armatosnin civilët serbë, duke shpërndarë armë për rreth 50 mijë njerëz, në mënyrë që ata të mund të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta,” shkruan Behar (f. 192). Ky veprim përforcon konstatimin se shteti serb ka qenë jo vetëm organizator, por edhe mobilizues aktiv i popullsisë për realizimin e një politike të spastrimit etnik dhe zhdukjes së shqiptarëve nga Kosova.

Historiani John Stoessinger, në librin e tij Why Nations Go to War, nënvizon se Operacioni “Patkoi” përfaqësonte përpjekjen e fundit të Serbisë për zgjidhjen e ashtuquajtur “përfundimtare” të çështjes shqiptare. Sipas tij, strategjia përfshinte rrethimin e popullsisë shqiptare, shkatërrimin e pronës, dokumenteve identifikuese dhe dëbimin masiv, me qëllim që kthimi i tyre të ishte i pamundur. Stoessinger e krahason këtë plan me operacionet e Adolf Eichmann gjatë Holokaustit, duke e konsideruar si një akt me përmasa gjenocidale.

Në të njëjtën linjë, gazetari dhe shkrimtari serb Rade Radovanoviq e përshkruan regjimin serb të asaj kohe si një regjim me tipare të qarta naziste, duke përmendur se në Kosovë janë aplikuar metoda si dëbimi, spastrim etnik dhe likuidimi, të ngjashme me ato të përdorura gjatë regjimeve fashiste në Evropë. Ai thekson se, ndonëse kjo ideologji nuk etiketohet zyrtarisht si nazizëm, ajo përmban thelbin dhe praktikat e tij.

Nëse Gjykata Speciale vazhdon të mbështetet në dokumente të prodhuara nga struktura shtetërore, ushtarake dhe policore serbe – të njohura për përfshirjen e tyre në dhunë të dokumentuar ndaj shqiptarëve, përfshirë përdhunimin e grave si mjet lufte – atëherë ajo po shkel seriozisht parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe po rrezikon të institucionalizojë padrejtësinë.

Filed Under: Opinion

Ndre Mjedja, të shprehunit poetik të bukurisë…

August 1, 2025 by s p

Viola Isufaj/

Te “Të shprehunit poetik të bukurisë”, poeti, besojmë, më klasik shqiptar i të gjitha kohërave, Ndre Mjedja, shkroi: poesia e shfaq me t’shprehun, e jo sido, po me njât’ të shprehun, qi i del prej tugës së zemrës e prej fuqis’ së perfytyrimit. Mjedja do të shkonte më tej kur të flitej për atë çka duhet të kërkojë poezia:…të zgjedhi sendet ma te bukra, ma te ndershme, ma te shieshme, por edhe qi ma fort të përkojnë me arsye e kto do të shfaqi ne vjershí të vet…

Mjeda është përfaqësuesi më i lartë i estetikës së kulluar dhe mendimit të thellë poetik. Poezia e tij është ndërtuar mbi një vetëdije të rrallë për harmoninë formale, për finesën tingullore dhe dendurinë konceptuale. Pak poetë shqiptarë të kohës së tij arritën – një mjeshtëri të tillë që vjen jo vetëm nga talenti, por edhe nga një punë këmbëngulëse mbi gjuhën si substancë e vyeshme dhe e mistershme artistike, si tingull.

Në lirikën mjedjane pulson një ndjeshmëri që shkon përtej teologjisë: është poeti që i flet vetes në heshtje, që vë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës, që ballafaqon jetën me vdekjen jo aq si fate biologjike, sesa si përvoja metafizike. Këtu, vetmia s’është thjesht gjendje emocionale, por edhe një terren kërkimi për të vërtetën dhe kuptimin. Tek Andrra e jetës dhe në shumë nga vargjet e tij, Mjeda s’është vetëm poet i shpirtit të thellë, por edhe i ëndrrës së jetës si koncept estetik dhe etik. Poezia e Mjedës është një përpjekje për të artikuluar eksperienca universale — dhimbjen, vetminë, vdekjen, shpresën — me një ndjeshmëri të lartë etike dhe estetike. Ai lexon botën dhe veten njëkohësisht, dhe na mëson një mënyrë të thelluar të të kuptuarit të njeriut.

Poezia e tij nuk është vetëm personale, ajo bart një kujtesë kombëtare. Mjeda ndërton një galeri figurash emblemë për identitetin shqiptar: nënën si arketip të jetës, Skënderbeun si mit të qëndresës, shqipen si simbol të shpirtit kolektiv. Ai e ngre lirikën në një akt themelimi identitar.

I cilësuar lirik klasik, Ndre Mjedja përmes sintezës së mendimit dhe ndjesive, shpërfaq një lloj qasjeje, mund të themi, moderne ndaj qenies, ndaj gjuhës e formës. Është klasik në kuptimin e përjetësisë së vlerës por modern në ndjeshmërinë dhe mënyrën me të cilën shpalos të përjetshmen.

Mjeda nuk e kupton kombëtarizmin thjesht si thirrje politike, por si projekt arsimor, etik dhe shpirtëror. Ai është një Mësues me pasion, një gjuhëtar me horizont europian dhe një intelektual që i shërben kombit jo përmes retorikës, por përmes veprës.

Si përkthyes i Virgjilit, Horacit, Racines, dhe si stilist i rrallë i shqipes, Mjeda shtron themelet e një shqipe letrare të nivelit europian. Kontributi i tij si gjuhëtar dhe ai në poetikë shkrijnë gjuhën dhe artin në një akt të vetëm themeltar.

Jeta dhe formimi i Mjedës përfshin shumë vende e kultura — Shkodër, Francë, Spanjë, Itali, Poloni — dhe kjo prani në horizonte të ndryshme kulturore i jep poezisë së tij një dimension të jashtëzakonshëm ndërkulturor. Ai sjell në gjuhën shqipe mençuri nga botët ku ka kaluar.

Mjedja, ndonëse shpesh i quajtur neoklasik apo romantik, i shmanget respektimit të rreptë të çdo modeli letrar. Ai përvetëson format, por shpesh edhe i thyen ato në funksion të një tensioni të brendshëm poetik. Ky mospajtim me konvencionin e bën krijimtarinë e tij thellësisht individuale dhe të papërsëritshme. Veprat si Andrra e jetës apo Vaji i bylbylit mbajnë brenda një grishje për interpretim dhe gjithmonë një pasiguri të domethënies, një hendek ku pyetjet mbeten të hapura dhe ku përjetimi nuk shteron në shpjegim.

Mjeda nuk përdor simbole për zbukurim apo për të konfirmuar kuptime të parapërcaktuara por për të shënjuar tensione, mungesa, shpërthime të papritura semantike. Situatat simbolike, jo elementët e traditës, janë ato që e ushqejnë ligjërimin e tij poetik. Ai shmang çdo formë didaktike apo përshkrimore. Natyra nuk është as objekt përshkrimi realist, as sfond dekorativ, por mbart sinjale të domethënieve të brendshme, shpesh të paartikuluara në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vëmendja ndaj detajit është selektive, pothuaj profetike: një metaforë e ndryshimit jetësor, e përmbysjes së qetësisë. Mjeda sidomos te kryevepra e tij përdor aluzione ndaj erotikes, por jo në mënyrë të hapur, as në kuptimin sentimental, por si ngjarje e pashmangshme e jetës, që paralajmërohet nga vetë poezia përmes simboleve të përzgjedhura me kujdes. Këto shenja e afrojnë me poetët modernë të Europës Jugore, sidomos me poetët italianë të kohës. Në vargun e Mjedës ndihen rezonanca të poetëve të mëdhenj italianë të kohës — si për nga struktura metrikore, ashtu edhe nga figuracioni, muzikaliteti dhe ngarkesa kulturore që bartin simbolet e përdorura.

Vargjet e tij janë tërësi kuptimore: atyre nuk mund t’u hiqet e shtohet asnjë rrokje, shkronjë, presje a pikëpresje pa prishur balancën semantike dhe ritmike. Figura poetike vjen befas, me kthjelltësi të rrallë dhe me përqendrim të madh konceptual, larg sentimentalizmit të romantikëve apo rrëfimit të shtrirë të realistëve. Stilizimi duket në mënyrën e lidhjes së frazës, mirëpo, figura e tij në varg, ndryshe nga figura e romantikëve, është e beftë, e papritur dhe shumë e kthjellët. Kurrë më parë në letrat shqipe nuk janë përdorur lidhje figurative të këtij kalibri.

Për Mjedën, mitet, figurat e historisë dhe gojëdhënat nuk kanë funksionin për të ngjallur ndjenja patetike. Mitet, simbolet, gojëdhënat historike nuk e kanë karakteristikë evokimin kuptimor sesa stilizimin. Ato shfaqen si struktura të koduara në tekstin poetik dhe pësojnë një proces stilizimi që i vendos në kohë përtej kohës, në një kohë poetike të përhershme.

Nga të gjitha këto, e përtej, mendojmë se deshifrojmë:

Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë me Mjedën, në letërsinë shqipe, po njoftohet për të parën herë modernizmi.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës
  • THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER
  • Nga Galeritë e Trepçës te Pavarësia e Kosovës – Shkurti 1989 si akti i parë i shtetësisë
  • Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
  • Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës
  • NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”
  • Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare
  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT