• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja dhe Kushtetuta përballë një Kuvendi të Pa-konstituar

July 28, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

I. Konteksti kushtetues: Fundi i afatit dhe fillimi i krizës institucionale

Më 26 korrik 2025 përfundoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit. Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 60-ditor të paraparë në nenin 66 të Kushtetutës nuk përfaqëson thjesht një krizë politike – ai përbën një boshllëk serioz kushtetues, i cili e paralizon funksionimin demokratik dhe institucional të shtetit. Ky realitet imponon nevojën për veprime urgjente, të mençura, të përgjegjshme dhe plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

II. Çka ndodhi konkretisht?

Për më shumë se katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, deputetët e Kuvendit të ri nuk arritën të përmbushin aktin themeltar të konstituimit – zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Seanca e fundit, e mbajtur më 26 korrik 2025, përfundoi pa ndonjë vendim konkret, ndërkohë që disa deputetë tentuan të lënë të hapur idenë se ajo seancë mund të “vazhdohet” në një datë të mëvonshme. Kjo është një keqinterpretim i rëndë dhe krejtësisht i papranueshëm i normave kushtetuese.

As Kushtetuta, as Ligji për Kuvendin nuk njohin një të drejtë për “vazhdim të seancës konstituive” përtej afatit të përcaktuar kushtetues. Përkundrazi, çdo përpjekje për të ndërmarrë veprime pas skadimit të afatit është juridikisht e pavlefshme dhe politikisht e papërgjegjshme. Deputetët që tentojnë të veprojnë në kundërshtim me këtë afat bien ndesh me rendin kushtetues dhe shkelin obligimin solemn të dhënë me betim publik.

III. Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese: Masa mbrojtëse dhe ndalimi i veprimeve të mëtejme

Në kushtet e përshkallëzimit të krizës institucionale dhe vakumit kushtetues, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ndërhyri me vendosmëri, duke miratuar një masë të përkohshme mbrojtëse, me fuqi të menjëhershme dhe detyruese për të gjithë aktorët institucionalë.

Kjo masë ndalon në mënyrë të qartë dhe taksative:

-Thirrjen e ndonjë seance të mëtejshme për konstituimin e Kuvendit;

-Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit ose të ndonjë organi tjetër të tij;

-Miratimin e ndonjë akti apo vendimi parlamentar pas datës 26 korrik;

-Çdo pretendim se “procesi është ende në zhvillim”.

Çdo veprim që shkel këtë masë përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe mund të pasohet me konsekuenca juridike, përfshirë përgjegjësinë individuale për shkelje të Kushtetutës.

IV. Presidentja e Republikës: Garante e rendit kushtetues

Në këtë situatë të paprecedentë, Presidentja e Republikës ka rol kushtetues të pazëvendësueshëm. Neni 84 i Kushtetutës përcakton qartë se Presidentja është garantuese e funksionimit të institucioneve kushtetuese dhe e rendit kushtetues në tërësi. Ky detyrim nuk është simbolik, ceremonial apo deklarativ – është një kompetencë e drejtpërdrejtë dhe obligim i prerë kushtetues.

Nëse Gjykata Kushtetuese, më 8 gusht 2025, konstaton përfundimisht dështimin e procesit të konstituimit, atëherë Presidentja është e autorizuar dhe e detyruar të:

  1. Shpërndajë Kuvendin e pa-konstituar;
  2. Shpallë zgjedhje të reja parlamentare, në afatet që përcakton Ligji për Zgjedhjet;
  3. Garantojë vazhdimësinë e institucioneve dhe stabilitetin kushtetues të vendit.

Çdo hezitim, zvarritje apo neglizhencë në marrjen e këtyre veprimeve do të përbënte shkelje të betimit kushtetues të Presidentes, e cila ka deklaruar solemnitet për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të ligjshmërisë.

V. Të ndalohen keqinterpretimet dhe manipulimet politike

Për të shmangur konfuzionin dhe mashtrimin publik, është thelbësore që:

-Të sqarohet qartë se nuk ka bazë ligjore për konstituim të vonuar;

-Nuk ekziston asnjë e drejtë për “vazhdimin” e seancës pas skadimit të afatit kushtetues;

-Deputetët që tentojnë të ushtrojnë funksione jashtë afatit, nuk përfaqësojnë më vullnetin legjitim të sovranit, por ndjekin qëllime politike të papajtueshme me parimet e shtetit të së drejtës;

-Zbatimi i Kushtetutës nuk është çështje vullneti, por detyrim juridik dhe moral – dhe asnjë kompromis politik nuk mund të mbivendoset mbi normat themelore të shtetit.

VI. Shteti i së drejtës nuk duhet t’i nënshtrohet vullnetit politik

Sistemi kushtetues i Kosovës bazohet në:

-Ndarjen dhe balancimin e pushteteve;

-Funksionimin e rregullt dhe demokratik të institucioneve;

-Respektimin e detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Këto parime janë të panegociueshme dhe nuk mund të cenohen nga asnjë aktor, përfshirë partitë politike apo individë të caktuar që veprojnë në funksion të interesave të pushtetit dhe jo të shtetit.

Nëse e shkelim Kushtetutën për të ruajtur pushtetin, atëherë kemi humbur edhe vetë shtetin.

VII. Thirrje për veprim institucional dhe qytetar

Sot, më shumë se kurrë, kërkohet:

-Integritet dhe vendosmëri nga Presidentja e Republikës;

-Zbatim i pakushtëzuar i masës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese;

-Vetëpërmbajtje dhe përulësi nga deputetët e Kuvendit;

-Përgjegjësi dhe qartësi nga media dhe shoqëria civile;

-Maturim dhe largpamësi nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ruajtjen e legjitimitetit të shtetit dhe besimin e qytetarëve në rendin demokratik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kosova është republikë parlamentare dhe shtet i së drejtës – askush nuk është mbi Kushtetutën

Filed Under: Opinion

“KTHESA E MADHE” E JAKUP KRASNIQIT ËSHTË DËSHMIA MË E FUQISHME PËR PAFAJËSINË E DREJTUESVE TË UÇK-së NË GJYKATËN SPECIALE

July 26, 2025 by s p

Milazim KRASNIQI/

Gjykata Speciale, nëse ka synim të ndajë drejtësinë, librin e Jakup Krasniqit, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, duhet ta ketë busull për vendimin e saj, e jo dëshmitë e rreme të dëshmitarëve të rekrutuar nga shërbimet armiqësore ndaj UÇK, ndaj Kosovës. Pse? Jakup Krasniqi e ka botuar në vitin 2006 këtë libër me kujtime, observime e vlerësime, nga pozita e njërit nga protagonistët e asaj lëvizjeje, duke pasur në posedim dokumentet më të rëndësishme të saj dhe pa e vrarë mendjen se rrëfimi i tij mund të jetë objekt i ndonjë procesi gjyqësor. Nuk ka bërë seleksionim, nuk ka bërë autocensurë. Pra dëshmitë e autorit janë të besueshme e jo të manipuluara, si ato të prokurorëve të Gjykatës Speciale.

Autori librin e ka shkruar me idenë që të zbardhë sa më shumë të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa ndier nevojë të fshehë asgjë, pasi nuk ka fshehë asgjë. Autori ka qenë i bindur se e vërteta që po rrëfente, do t’u ndihmonte të gjithëve që ta kuptojnë të vërtetën, pra edhe armiqve të UÇK-së, armiqve të Kosovës. Autori nuk e ka vrarë mendjen se mos ai vetë dhe libri i tij do të ndiqeshin penalisht për një veprimtari legale dhe çlirimtare që kanë zhvilluar. Pra, edhe nga ky aspekt, dëshmia e tij mund t’i hyjë më së shumti në punë Gjykatës Speciale, nëse e ka për qëllim ta kuptojë të vërtetën për UÇK-në dhe protagonistët që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

Për këtë rast do të ndajë me lexuesit disa fakte që dëshmojnë se akuza ndaj kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ndaj Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe ndaj Kadri Veselit e Rexhep Selimit, është e montuar, pa mbështetje në fakte. Po e nis nga një kryefakt: deri sa përfaqësuesit politikë të UÇK-së po merrnin pjesë në delegacionin e përbashkët (edhe me LDK-në) në Konferencën e Rambujesë, komandantët e terrenit e kishin shkarkuar komandantin e përgjithshëm dhe e kishin emëruar një komandant të ri. Autori, duke qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe pastaj në mbledhjen në terren ku u diskutuan ato ndryshime, ka ngritur disa hipoteza mbi implikimin dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm përfshirë edhe segmente të shërbimeve konkrete sekrete. Këtë pistë Gjykata Speciale me gjasë e ka injoruar në tërësi, ndërsa shumë e mundshme duket që disa nga çrregullimet dhe krimet janë ideuar e mbase edhe kryer nga shërbime sekrete armiqësore. Gjykata do të duhej të gjente mënyra ta adresonte këtë pistë. Jakup Krasniqi pranon se ndryshimet që ishin bërë pa dijeninë dhe pa miratimin e kreut politik (në këtë rast Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe vetë Azem Syles) u miratuan a posteriori nga kreu politik, vetëm për ta ruajtur unitetin. Pra, kreu politik kishte humbur në atë ballafaqim. Kjo provon se segmente të terrenit kishin ndikim më të madh se sa kreu politik. Po qe se Gjykata Speciale e pranon këtë gjendje faktike, pra të implikimit dhe ndikimit të shërbimeve sekrete armiqësore në njërën anë dhe të ndikimit dominues të njerëzve nga terreni, në anën tjetër, atëherë bie poshtë e tërë akuza ndaj drejtuesve politikë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që janë duke u gjykuar në Hagë. Askush nuk mund të gjykohet, nëse nuk ka qenë urdhërdhënës ose zbatues i veprimeve.

Nga dëshmitë që sjellë autori lidhur me Konferencën e Rambujesë, mund të kuptohet qëndrimi absurd i Gjykatës Speciale, e cila ka akuzuar figurat politike që kanë qenë pro pjesëmarrjes në atë konferencë dhe kanë qenë vendimtar për firmosjen e Marrëveshjes së Parisit nga ana e Kosovës. Po qe se Gjykata do të kishte preokupim të zbulonte krimet eventuale, ajo do të duhej të orientohej drejt faktorëve konkretë, që kanë qenë kundër asaj konference dhe kundër firmosjes së asaj marrëveshjeje. Ndërsa, Gjykata është vënë në ndjekje penale të figurave kryesore, që e kanë shtyrë përpara firmosjen e Marrëveshjes së Rambujesë/Parisit. Çdo interpretim logjik do të jep konkluzionin se kjo Gjykatë po tenton një lloj hakmarrjeje ndaj atyre që mundësuan aktivizimin e NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë (Serbisë.) Ky është absurd sui generis, meqë Gjykata financohet dhe vepron në truallin e shteteve të NATO-s (dhe BE-së.) Rezulton se kjo Gjykatë po tenton në mënyrë tinëzare që të akuzojë dhe dënojë edhe vetë NATO-n, për aleancën e saj funksionale me UÇK-në, në pengimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë. Kujt i duhet kjo ndërmarrje perverse, përveç armiqve të NATO-s?

Dëshmia e Jakup Krasniqit në librin “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, për aktivitetin e tij edhe në lëvizjen paqësore, nëse respektohet si fakt, do ta rrëzonte çdo vendim penalizues që eventualisht do të mund të ndërmirrej kundër tij dhe krerëve të tjerë politikë të UÇK-së. Jakup Krasniqi, dëshmon se në kohën kur ishte i angazhuar në kreun e UÇK-së, vazhdonte të ishte kryetar i Degës së LDK-së në Gllogovc (Drenas), duke shërbyer pra edhe në politikën paqesore që ndiqte LDK-ja. Ky fakt nuk mund të injorohet nga Gjykata Speciale, sepse dëshmon se autori përkatësisht i akuzuari Jakup Krasniqi, ka dhënë kontribut në zgjidhjen paqesore të krizës. Vetëm kur është bindur se politika paqesore po dështonte, ai ka kërkuar angazhim me rrugë më aktive për ta mbrojtur popullin dhe Kosovën nga terrori ushtarak e policor i Serbisë.

Edhe angazhimi i Jakup Krasniqit në delegacionin në Rambuje, qëndrimet konstruktive të tij, të cilat e kanë bërë që të pranohej edhe nga LDK-ja si kandidaturë për postin e kryeministrit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, është dëshmi që nuk mund të anashkalohet as nga Gjykata Speciale e aq më pak nga historia e re e Kosovës. Në këtë kontekst mund të sjellë edhe një dëshmi/sqarim plotësues lidhur me takimet e një përfaqësie të LDK-së me Jakup Krasniqin në Tiranë, në maj 1999, të cilit i referohet autori në libër, në faqet 225-226. Meqë kam qenë një nga promotorët e atij takimi, mund të them si vijon: takimi vërtet ka qenë konstruktiv dhe vullneti i Jakupit pë të gjetur një pajtim për inkuadrimin e LDK-së në QPK, ka qenë shumë i madh. Nuk e ka përjashtuar as mundësinë e integrimit të Bujar Bukoshit në atë qeveri, nëse do të ishte propozim yni e as ndryshimin e disa resorëve, për të fuqizuar LDK-në në atë qeveri. E vërteta të cilën autori Jakup Krasniqi nuk ka pasur si ta dijë është se hyrja e LDK-së në atë qeveri, e cila dukej punë e kryer dhe çështje e pak ditëve, (pritej kthimi i Bukoshit nga SHBA në Tiranë) u pengua nga mesazhi që dërgoi Rugova, për të ndërprerë ato kontakte, kur arriti në Romë pas lirimit nga Beogradi, ku faktikisht ishte peng lufte i Millosheviqit. Pra, negociata për të cilat Jakup Krasniqi ka qenë i hapur dhe vullnetmirë, janë ndërprerë nga ana e LDK-së. (Në një takim që më vonë u zhvillua në Shkup me Rugovën, dolën në pah mospajtimet tona për këtë çështje, që sollën edhe largimin e disave prej nesh nga LDK-ja pas çlirimit të vendit.) Pra, mbetet fakt kokëfortë se po të varej nga vullneti i shprehur i Jakup Krasniqit, LDK do të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, çka tregon qartë se ai nuk ka pasur asnjë ndjenjë refuzimi e aq më pak ndjenjë hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve politikë. Ndërsa, po të formohej një qeveri e përbashkët në maj 1999, ashtu si insistonte edhe Jakup Krasniqi, menaxhimi i krizës së pas çlirimit, përfshirë veprimet e shërbimeve sekrete armiqësore dhe aktet e hakmarrjeve, do të menaxhohej me më shumë sukses dhe disa nga ato raste që janë sot në Hagë, nuk do të ndodhnin fare. Këto janë fakte të cilat nuk ka gjykatë në botë, pra as Gjykata Speciale, që mund t’i falsifikojë. Nuk besoj se duhet të inkurajohet askush në Gjykatën Speciale nga letargjia e tashme në Kosovë, e imponuar nga forcat politike fanatike kundër disave nga ish krerëve politikë të UÇK-së. Kjo nuk zgjatë gjithmonë. Kosova dhe shqiptarët do ta kërkojnë drejtësinë dhe të vërtetën e historisë së tyre të lavdishme, deri në ditën e fundit në Tokë.

Lidhur me formimin dhe veprimin e Gjykatës Speciale ka edhe disa gjera të tjera jologjike, të cilat katër të akuzuarit në Hagë thjesht i kanë shndërruar në pengje të lojërave konspirative diplomatike. Në këtë sfond, roli i administratës Obama, me Hilari Klintonin e Xhoe Bajdenin, në imponimin e Gjykatës Speciale, mbetet i pakuptueshëm, i palogjikshëm, absurd. A mund të jetë ai angazhim si pjesë e marrëveshjes xhentëllmene Tallbot-Çernomyrdin në Moskë dhe akordit të ministrave amerikanë e rusë në korrik 1999 në Helsinki? Pyetjet mbeten pezull, por Gjykata me vendosmërinë e saj për të dënuar me çdo kusht, me dëshmitarë të rrremë, kreun politik të UÇK-së që nuk lejoi spastrimin etnik e gjenocidin serb e me vonë riintegrimin e Kosovës në ish Jugosllavi, duket si përgjigje konkrete. Pra, ka indikacione që gjykimi është produkt i akordeve të hershme të fshehta, të vitit 1999, për të shëruar egot e komplekset ruse, e kurrsesi një proces mirëfilli gjyqësor. Është në nivel të idiotizmit tentativa që shërimi i egove dhe komplekseve ruse të vitit 1999 të bëhet duke gjykuar aleatët e NATO-s të asaj kohe, pra, kreun politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa rolin e UÇK-së NATO nuk do të mund të hynte në Kosovë e as të krijonte kushtet për anëtarësim në NATO të shteteve ballkanike, Malit të Zi, Shqipërisë e Maqedonisë, pra forcimin e krahut jugor të NATO-s. Takimet dhe bisedat e Jakup Krasniqit, me kreun e NATO-s, me diplomatët e rëndësishëm perëndimorë në atë periudhë, të prezentuar me fakte në këtë libër, janë dëshmi e pakontestueshme e aleancës së UÇK-së me NATO-n dhe me Perëndimin. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë në botë. Për të vënë drejtësinë në vend, Gjykata Speciale do të mund të mirrej me kryesit konkretë të krimeve e jo me gjykimin e kreut politik të UÇK-së që de facto kanë qenë partnerë i strategjisë së zgjerimit të NATO-s në Ballkan. P.S. Nuk e di a është i përkthyer në anglisht libri i Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.” Nëse është, gjykatësit do të duhej ta kishin lexuar dhe ta kishin para sysh si një fakt të pakalueshëm për të dhënë drejtësinë përkatësisht për t’u dhënë pafajësinë autorit dhe shokëve të tij.

24 korrik 2025

Filed Under: Opinion

PROFILI I NJË SHQIPTARO-AMERIKANI TË HERSHËM: ANTHONY STEVENS – NDIHMËS DHE KËSHILLTAR I HARRY FULTZ

July 24, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.

Shqiptaro-Amerikani Anthony Stevens ka ndërruar jetë me 10 maj,1965. Unë nuk ia kam arrijtur ta njihja të ndjerin Stevens, por kam njohur familjen e tij pas ardhjes time në Amerikë në vitin 1970, sidomos birin e tij Bob Stevens dhe vajzën Marie Stevens (tani të ndjerë) – të dy këta kur i kam njohur fillimisht punonin pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Korriku më kujtoi historinë fillestare të asaj që njihej si Shkollla Teknike Amerikane “Harry Fultz” në vitin 1921 dhe mbylljen e saj nga Ahmet Zogu në korrik, 1933. Nuk dua të flas tani për vet Shkollën Teknike “Harry Fultz” në Shqipëri, Frank Shkreli: Me rastin e Ditës Humanitare Botërore kujtojmë humanistin e madh dhe mikun e Shqipërisë, amerikanin Dr. Harry T. Fultz | Gazeta Telegraf,  pasi historia e saj e lavdishme dihet tanimë.  Njihet roli historik që luajti Shkolla Teknike e Tiranës “Harry Fultz” — një rol të rëndësishëm në edukimin e rinisë shqiptare të asaj kohe, me ndjenjën e atdhedashurisë, disiplinës, dashurisë për njëri tjetrin dhe respektit për punën.  “Perpiqu ta bësh Shqipërinë një vend ku ia vlen të jetosh”, citohet të ketë thënë Harry Fultz në fillimet e veprimtarisë së asaj shkolle.  Por me këtë rast (Korrik 2025) dhe në lidhje me Shkollën Teknike “Harry Fultz”, desha të sjell në kujtim veprimtarinë e hershëme, në fillim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane,  njërin prej shqiptaro-amerikanëve të parë të shekullit të kaluar – Anthony Stevens, në 60-vjetorin e kalimit të tij në amshim – i cili në një dokument të deklasifikuar thuhet se “Si ndihmës e këshilltar permanent, Fultzi ka patur nënshtetasin amerikan Anthony Stevens”. 

Po kush ishte Anthony Stevens njëri prej të parëve shqiptaro-amerikan i angazhuar, në fillim të shekullit të kaluar, në zhvillimin e lidhjeve fillestare diplomatike shqiptaro-amerikane?  Fatkeqësisht, unë nuk posedoj shumë të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe të tjerëve shqiptaro-amerikanë të fillim shekullit të kaluar, të angazhuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në vitet e para të marrëdhënieve dilpomatike shqiptaro-amerikane, vendosur me 1922. Por në rastin e Anthony Stevens ka disa të dhëna, jo aq të plota, por që japin të pakën një pasqyrë të kufizuar nga jeta dhe veprimtaria e Anthony Stevens– në shtypin e komunitetit shqiptar në mërgim, si Shëjzat, Shqiptari ë Lirë dhe Jeta Katolike Shqiptare.  

Sipas atyre të dhënave, Anthony Stevens me origjinë ishte Kosova, i lindur në Zym të Hasit të Prizrenit. Me familjen e tij ai ka ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1909.  Në Amerikë ka filluar punën si nëpunës i Kryqit të Kuq Amerikan, për t’u kthyer në Shqipëri 10-vjet më vonë me 1919 deri në vitin 1924.  Shqipëria e pas Luftës së parë Botërore ishte në gjëndje të mjeruar, nga çdo pikëpamje, sidomos gjëndja ekonomike ishte tepër e rëndë.  Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, si nëpunës i Kryqit të Kuq Amerikan, Anthony Stevens i shërebu me përkushtim misionit bamirës të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri duke ndihmuar bashkatdhetarët e vet me shpërndarjen e ndihmave humanitare, shërbime mjeksore, shpërndarje ilaçesh dhe ndihmash të llojlojshme aq të nevojshme për shqiptarët në atë kohë, e që ishte misioni i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipërinë e pas Luftës së parë Botërore.  Bazuar në punën shembullore të tij në kuadër veprimtarisël së tij si nëpunës i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, por edhe si folës i gjuhës hqipe dhe anglishtes, Anthony Stevens i bashkohet Departamentit të Shtetit me 1922 – vit ky që edhe Harry Fultz mbërrin në Tiranë për të drejtuar Shkollën Teknike deri në vitin 1933.  Siç duket Stevens është kthyer në Washington disa vite më vonë, për tu dërguar përsëri në Tiranë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara deri me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939.

Ndërkohë, Anthony Stevens tani si nëpunës Departamentit të Shtetit shërbente në Washington dhe dërgohej nga hera në herë në Ambasadën Ameikane në Romë. Pas Luftës së dytë Botërore, Anthony Stevens, gjithnjë si nëpunës i Departamentit të Shtetit ishte i angazhuar me fatin e Shqipërisë, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe me mërgatën shqiptare anti-komuniste që ishte larguar nga Shqipëria pas marrjes së pushtetit nga komunistët. Të vjetërit e komunitetit i kujtonin me mall e respekt për punën dhe përpjekjet e tija për të ndihmuar shqiptarët e mërguar, kundërshtarë të komunizmit të pas Luftës së II Botërore, ndërsa shërbente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Romë.  

Shqiptaro-Amerikani Anthony Stevens dhe familja e tij, si nëpunës të Departamentit të Shtetit – djali i tij Bob Stevens dhe vajza Maria Stevens, edhe ata të punësuar pranë këtij enti diplomatik për dekada në Washington dhe në Evropë – kanë lënë pas një reputacion në komunitetin shqiptaro-amerikan që i ka dalluar ata si një familje patriotike shqiptare dhe amerikane. Revista e kohës, Shejzat, e ka cilësuar Anthony Stevens, me rastin e kalimit të tij në amshim, si një “Fytyrë tipike shqiptare.  Në zêmër ushqente kultin e bujarisë së lashtë e në frymën e kulluet të zakoneve tona mâ bujare, rriti në dhé të huej bij e bija. Sado që rrethanat e jetës e kishin hjedhë jashta tue e bâ me xânë vend në shërbim të nji shteti të huej, Ai kurr nuk u çvesh nga cilsitë e ndiesitë shqiptare dhe kudo e kurdo i u paraqit rasti, me fjalë e me vepra, mprojti e përkrahi Shqipninë… përvoja e dendun, rrethanat e  jashtazakonshme nëpër të cilat iu përshkue jeta, e kishin pajisë me nji urti e  mprehtësi të spikatun gjiykimi.  Prej gojës së Tij rridhte fjala paqtuese, këshillat  për bashkim, nxitja m’u përdorë për çlirim e naltësim të Shqipnisë. Tue u ndâ prej  nesh Ai lên nji zbrazti të madhe sepse, burra të mbrujtun me tharmet mâ fisnike  arbnore, pak mbeten tashmâ”.

Jeta dhe veprimtaria e Anthony Stevens – si nëpunës i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar, bashkpunimi i tij ingusht me të madhin dhe të paharrueshmin mik të shqiptarëve Harry Fultz – tregojnë një shqiptaro-amerikan i cili nuk ka pushuar kurrë së punuari për miqëqenjen e popullit të vet, për ndriçimin e tij në idetë përparimtare pas 500-vjet otomanizëm dhe ideve demokratike pas vednosjes së diktaturës komuniste pas Luftës së dytë Botërore në Shqipëri. Si i tillë, Anthony Stevens (por edhe familja e tij diplomatike shqiptaro-amerikane në Amerikë) mund të renditet – me ata shqiptaro-amerikanë që janë dalluar gjatë dekadave — me të drejtë dhe për merita të dalluara – në shërbim të ringjalljes së marrëdhënieve midis dy kombeve tona – atij amerikan dhe atij shqiptar.  

Frank Shkreli

               Ish-Diplomati shqiptaro-amerikan, Anthony Steevens (1891-1965)                      

A flag and flagpole with a black eagle on it

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Opinion

15 Vjet nga Opinioni i GJND-së për Kosovën: Legjitimim Juridik dhe Triumf Diplomatik i një Rasti Sui Generis

July 22, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

(Ekspert i së Drejtës Publike)/

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e Kombeve të Bashkuara publikoi një nga opinionet më të rëndësishme të epokës bashkëkohore, duke përfunduar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Kjo ngjarje shënoi një pikë kulmore në afirmimin juridik ndërkombëtar të subjektivitetit shtetëror të Kosovës, duke ofruar një mbështetje të fuqishme për përpjekjet e saj diplomatike dhe legjitimitetin e saj politik në arenën globale.

Ky opinion ishte rezultat i një kërkese të paraqitur nga Serbia përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2008, me synimin për të delegjitimuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, vendimi i GJND-së, në vend që të ndihmonte pozicionin serb, konsolidoi themelin juridik të shtetësisë së Kosovës dhe i dha asaj një instrument të fuqishëm diplomatik në raportet ndërkombëtare.

I. Dimensioni Juridik i Opinionit: Verifikim i Ligjshmërisë Ndërkombëtare

Në thelb të opinionit qëndron konstatimi se nuk ka asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare që ndalon shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ky është një pohim thelbësor, që i dha fund interpretimeve spekulative se akti i pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me normat juridike ndërkombëtare.

Gjykata nuk shqyrtoi vetë ligjshmërinë e krijimit të shtetit të Kosovës, por verifikoi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare – një diferencë e rëndësishme konceptuale, që i hap rrugën leximeve të ndryshme, por që në thelb nënkupton lejueshmërinë dhe pranimshmërinë juridike të ndarjes së Kosovës nga Serbia në rrethana të veçanta historike e politike.

II. Kosova si Rast Sui Generis në të Drejtën Ndërkombëtare

Rasti i Kosovës është trajtuar gjerësisht në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare si një çështje sui generis, pra me karakter të veçantë dhe të pakrahasueshëm me raste të tjera të ndarjeve shtetërore apo të shpalljeve të njëanshme të pavarësisë.

Ky karakter sui generis buron nga një seri faktorësh të ndërthurur:

-Reprezioni sistematik, spastrimet etnike dhe gjenocidi i kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb gjatë dekadës së fundit të shekullit XX;

-Ndërhyrja humanitare ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO më 1999, që e ndaloi katastrofën humanitare dhe instaloi një administratë ndërkombëtare (UNMIK);

-Procesi i gjatë i negociatave ndërkombëtare për statusin, që u finalizua me propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë e mbikëqyrur si zgjidhjen më të drejtë dhe më realiste.

Këto elemente e bëjnë Kosovën një rast që nuk mund të shërbejë si model për rastet e tjera të separatizmit klasik, por që megjithatë shënon një evolucion të dukshëm në të drejtën ndërkombëtare, ku vullneti demokratik, siguria njerëzore dhe drejtësia ndërkombëtare i japin përparësi vetëvendosjes përballë represionit.

III. Diplomacia Pas Opinonit: Konsolidimi Global i Shtetësisë së Kosovës

Pas shpalljes së opinionit, Kosova u përball me një ndryshim të ndjeshëm në raportin me shtetet e botës. Shumë vende që më parë kishin hezituar të merrnin një vendim, filluan ta njohin pavarësinë e Kosovës duke u mbështetur pikërisht në vlerësimin juridik të GJND-së. Kjo ndihmoi në rritjen e njohjeve ndërkombëtare dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata financiare dhe sportive ndërkombëtare (si FMN, BERZH, FIFA, UEFA, IOC, etj.).

Gjithashtu, opinioni ka shërbyer si armë diplomatike në dialogun me vendet mosnjohëse, duke i zhveshur ato nga argumentet juridike dhe duke i ekspozuar në planin politik dhe moral.

IV. Kontributi i Opinionit në Reformulimin e Doktrinës Ndërkombëtare të Vetëvendosjes

Tradicionalisht, e drejta ndërkombëtare ka njohur vetëvendosjen kryesisht në kontekstin e dekolonizimit. Rasti i Kosovës ka shtrirë këtë parim në kontekste moderne të represionit sistematik dhe të pasojave humanitare, duke i hapur rrugë një interpretimi më të gjerë dhe më njerëzor të vetëvendosjes si parim dinamik në të drejtën ndërkombëtare.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm, që e zhvendos rëndesën e rendit ndërkombëtar nga dogmat e sovranitetit absolut në drejtim të parimeve të drejtësisë, sigurisë njerëzore dhe demokracisë ndërkombëtare.

V. Një 15-vjetor me domethënie strategjike

Përvjetori i 15-të i Opinionit të GJND-së duhet të shërbejë jo vetëm si moment reflektimi, por edhe si platformë për një riaktivizim të diplomacisë strategjike të Kosovës, duke vendosur theksin te:

-Ripërsëritja e natyrës “sui generis” të shtetësisë së saj, si element që nuk cenon integritetin e asnjë shteti tjetër;

-Angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti i SHBA-së dhe shteteve të BE-së, për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike;

-Rivitalizimi i përpjekjeve për anëtarësim në OKB, me mbështetje rajonale dhe globale të mbështetur mbi bazën e ligjshmërisë së konfirmuar nga GJND.

Nga E Drejta në Fakt dhe nga Ligjshmëria në Realizim Diplomatik

Opinioni Këshillues i GJND-së i vitit 2010 nuk e krijoi shtetin e Kosovës, por e legjitimoi atë përballë komunitetit ndërkombëtar. Ai i dha Kosovës një status juridik të qartë, mbi të cilin duhet të ndërtohet një arkitekturë e qëndrueshme njohjeje, bashkëpunimi dhe integrimi ndërkombëtar.

Në kontekstin global të sfidave ndaj rendit ndërkombëtar – nga agresionet territoriale e deri te kthimi i logjikës së fuqisë – Kosova duhet të mbetet një model i rrallë i zgjidhjes së drejtë të konflikteve, përmes të drejtës, ndërhyrjes humanitare dhe vullnetit të lirë të qytetarëve. Dhe ky model është e drejtë ta mbajë emrin që i përket: sui generis – një rast i veçantë dhe legjitim për të drejtën dhe për botën.

15 Years Since the ICJ’s Advisory Opinion on Kosovo: Legal Legitimacy and Diplomatic Triumph of a Sui Generis Case

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Expert in Public Law

On 22 July 2010, the International Court of Justice (ICJ) delivered one of the most significant opinions in modern international legal history. The Court concluded that Kosovo’s declaration of independence on 17 February 2008 did not violate international law. This advisory opinion marked a decisive moment in the legal affirmation of Kosovo’s statehood and provided a powerful tool in its pursuit of international diplomatic recognition.

Requested by the UN General Assembly in 2008 at Serbia’s initiative, the advisory opinion aimed to challenge the legitimacy of Kosovo’s independence. However, the outcome backfired on Serbia and instead strengthened Kosovo’s international legal and political standing, serving as a turning point in its trajectory as a sovereign state.

I. The Legal Dimension: Clarifying the Legality under International Law

The core of the ICJ’s opinion is its unambiguous finding that there is no provision in international law that prohibits unilateral declarations of independence. This affirmation dismantled claims that Kosovo’s statehood was unlawful and reinforced the view that Kosovo’s declaration was legally permissible and legitimate within international law.

While the Court did not rule on the legality of Kosovo’s statehood per se, it assessed the legality of the act of declaration within the framework of international law – a crucial conceptual distinction that allowed the Court to validate the declaration without directly addressing recognition or state formation.

II. Kosovo as a Sui Generis Case in International Law

The case of Kosovo has been widely recognized by international legal scholars and diplomatic practitioners as sui generis – a unique, non-precedent-setting situation due to its exceptional historical, political, and humanitarian context.

This sui generis character derives from several interrelated elements:

-Systematic repression and ethnic cleansing carried out by the Serbian regime, culminating in mass atrocities against the Albanian population of Kosovo;

-The humanitarian intervention by NATO in 1999, followed by the establishment of an international civil administration (UNMIK);

-Extensive internationally-mediated negotiations, culminating in the Comprehensive Proposal of UN Special Envoy Martti Ahtisaari, which recommended supervised independence as the only viable and just solution.

These elements make Kosovo’s case inapplicable to classical secessionist scenarios, while affirming it as a just, necessary, and internationally accepted act in light of human rights, peace, and democratic self-determination.

III. Post-Opinion Diplomacy: The Rise of Kosovo’s International Subjectivity

Following the ICJ opinion, Kosovo experienced a significant boost in diplomatic momentum. Countries that had previously hesitated moved toward recognizing Kosovo as a sovereign and independent state, citing the legal clarity offered by the ICJ. This opinion accelerated Kosovo’s membership in international organizations such as the IMF, World Bank, EBRD, FIFA, UEFA, and others.

It also disarmed the legal arguments of non-recognizing states, exposing their positions as purely political rather than based on international legal norms. Kosovo’s diplomacy was thus strengthened with a clear legal narrative grounded in the ICJ’s conclusion.

IV. Redefining Self-Determination in Modern International Law

Traditionally, the right to self-determination was understood mainly in the context of decolonization. However, the Kosovo case, especially through the lens of the ICJ opinion, has expanded the applicability of self-determination to contemporary settings marked by repression, mass human rights violations, and failed governance.

The Kosovo situation illustrates a shift in international legal reasoning, where human dignity, democratic will, and international peace take precedence over rigid interpretations of territorial integrity. It emphasizes a modern human-centric approach to state formation, consistent with the evolution of international law in the 21st century.

V. Fifteen Years Later: A Strategic Milestone, Not Just a Legal Memory

The 15th anniversary of the ICJ advisory opinion is more than a legal commemoration—it is a call to revitalize Kosovo’s diplomatic engagement, using the sui generis character of its case as a cornerstone for broader recognition and integration.

Kosovo’s strategy must include:

-Reasserting its sui generis status as a unique solution to a unique conflict, not replicable elsewhere;

-Strengthening alliances with international partners, especially the United States and key EU states, to support membership in the United Nations and other global institutions;

-Leveraging the ICJ opinion as an unchallenged foundation for international legal legitimacy, while actively working toward universal recognition.

From Legal Validity to Diplomatic Realization

The ICJ opinion did not create the state of Kosovo—it validated and strengthened its existence in the international legal and diplomatic order. It equipped Kosovo with a unique legal shield, essential for defending its right to statehood in an often fragmented and interest-driven global system.

In a time when international law is under attack from authoritarian powers and revisionist agendas, Kosovo stands as a sui generis model of peaceful and just resolution, supported by law, diplomacy, and democratic will.

Fifteen years later, Kosovo’s journey continues—but with the law on its side and the legitimacy of its people’s aspirations fully recognized by the highest legal authority in the world.

Filed Under: Opinion

Ali Podrimja, bardi i modernizmit në poezinë shqipe

July 21, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

— Një zë poetik që ndërtoi vetëdijen e Kosovës moderne.

Nga fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, letërsia shqipe përjetoi një nga periudhat e saj më delikate. Në Shqipëri, letërsia zyrtare i ishte dorëzuar Realizmit Socialist si ideologji estetike, ndërsa në Kosovë, ndonëse nën trysninë e një federalizmi jugosllav që tentonte të gërryente çdo përpjekje për vetëdije kombëtare, nisi të shpërthente një rrymë poetike ndryshe: moderne në formë, autentike në përmbajtje dhe të ngulitur në dramën ekzistenciale të shqiptarit të Kosovës. Një nga zërat më të shquar të kësaj rryme ishte Ali Podrimja, i cili me vargun e tij të shkurtër, të vrullshëm dhe shpesh dramatik, solli një frymë të re në poezinë shqipe.

Poezitë e tij u shfaqën në Shqipëri për herë të parë në përmbledhjen antologjike “E di një fjalë prej guri” më 1971, krahas poetëve si Azem Shkreli, Esat Mekuli e Din Mehmeti. Kjo përmbledhje përbënte jo vetëm një pasqyrë të nivelit të lartë të krijimtarisë letrare të Kosovës, por edhe një sinjal të qartë se poezia mund të përfaqësojë një ndërgjegje politike dhe kulturore më të thellë sesa propaganda e kohës. Në këtë kontekst, Ali Podrimja shfaqej si “biri i Kosovës”, që dinte t’i jepte zë dhimbjes, mallit, kujtesës, por edhe revoltës së brendshme që buronte nga mohimi historik.

Poema e tij emblemë, “Unë, biri yt Kosovë”, nuk është thjesht një shprehje e dashurisë për vendlindjen, por një akt i njohjes intime të plagëve historike të një kombi. Ai e njeh Kosovën si të ishte vetë trupi i tij: me gjak, me vdekje, me lindje të bardha, me netë të pagjumta. Vargjet e tij shndërrohen në një hartë ndjenjash që lexohen si akte poetike të vetëdijes kombëtare.

Në veprën “Republika”, Platoni kishte përjashtuar poetët nga shteti ideal me arsyetimin se dobësonin shpirtin luftarak të qytetarëve. Historia e letërsisë botërore, por sidomos ajo shqiptare e shekullit XX, ka dëshmuar të kundërtën. Në rastin e Kosovës, pikërisht poetët si Podrimja ishin ata që ruajtën gjallë identitetin shpirtëror të kombit në një kohë kur ai rrezikohej të tretet nën ideologjitë internacionaliste dhe kolonializmin kulturor. Arti i tij nuk ishte thjesht estetikë; ishte mjet rezistence.

Poema “Ankthi” është një kulm i ndjenjës së braktisjes dhe përgjegjësisë njëkohësisht. Aty gërshetohen simbolika mitike dhe konkrete: toka që digjet, skamja që lidh këmbët, zogjtë e ngrirë në ajër — të gjitha këto shndërrohen në metafora të një realiteti të vështirë për t’u përballuar, por të pamundur për t’u mohuar.

Stili i Podrimjes ishte një refuzim i hapur i retorikës së zbrazët. Ai e përmbyste hierarkinë tradicionale të vargut, duke u fokusuar tek fjala si akt i shenjtë. Fjalët e tij janë të kursyera, të ngjeshura, të përzgjedhura me një intensitet që i jep poezisë një dimension etiko-ekzistencial. Tek “Me jetue”, ai i drejtohet të birit, Lumit, me një testament poetik të thjeshtë por të thellë: të jetosh, të ecësh më tej, të mos lehtësosh kurrë veten përballë historisë.

Ky modernizëm formal nuk ishte eksperiment për hir të estetikës, por pasqyrë e fragmentimit të shpirtit shqiptar në një epokë ndarjeje dhe përjashtimi. Poezia e Podrimjes nuk përpiqej të stoliste dhimbjen, por ta shfaqte lakuriq, me tërë tragjikën e saj. Tek “Epika” ai shpall me ton biblik: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, një varg që ka hyrë në ndërgjegjen kolektive shqiptare si një stigmë e papërpunueshme.

Poezia “Parisi, vendlindja” e paraqet më së miri dimensionin universal të poezisë së Podrimjes. Ai ndërton një urë mes fshatit të tij të thellë dardan dhe metropolit europian, por nuk dorëzohet përballë shkëlqimit të Parisit. Ai shkon atje me fyellin — simbol i memories dhe identitetit shqiptar — si mjet për të ruajtur qenien e vet dhe për të treguar se moderniteti nuk është harrim, por integrim i kujtesës. Ai nuk do të përkulet para perëndive të krisura të kohës; përkundrazi, përballë klosharëve të natës pariziene, do të ndiejë erën e ftoit të vendlindjes.

Shuarja e Podrimjes në vitin 2012, në një mënyrë të mistershme në Francë, ishte si një simbolikë e fundit poetike: bardët nuk vdesin në vendin e tyre, por në udhëtim — të vetmuar, si yje që bien në një natë të zezë. Por vdekja e tij nuk ishte heshtje. Ai vetë e kishte parashikuar: “Në trupin tim / plaga më e thellë”. Në poezinë “Rënkimi”, ai i drejtohet rrafshit të Dukagjinit me një klithmë që i kapërcen kufijtë e letërsisë: është një klithmë metafizike për një drejtësi të munguar, për një plagë që nuk mbyllet, për një atdhe që nuk mund të ndalet në vaj.

Ali Podrimja nuk ishte vetëm një poet i Kosovës. Ai ishte një poet i Shqipërisë në kuptimin më të thellë të saj: i trungut të ndarë, i fjalës së mohuar, i kujtesës së rrezikuar. Ai ishte bashkëkohës me të gjitha sfidat e shekullit XX, por njëkohësisht përtej tyre: një udhëtar mes gjuhës dhe vetëdijes.

Nëse Homeri rrëfeu epopenë e Trojës, Podrimja rrëfeu epopenë e Kosovës. Në vend të kalorësve, ai kishte metafora. Në vend të shpatave, kishte fjalë. Por plagët ishin po aq të thella.

Prandaj, nëse sot duam të kuptojmë historinë, kulturën dhe identitetin e Kosovës moderne, nuk mund ta bëjmë pa kaluar përmes vargjeve të këtij bardhi modern, që me një trup të pakët e zë të butë, bëri që fjala shqipe të ushtonte në bjeshkët dhe në metrotë e Evropës.

“Ma jep besën, Lum Lumi,

se nuk do të harrojmë vendlindjen.”

— Ali Podrimja

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT