• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJIGANDËT E SHKENCËS – LEONARDO DA VINCI

April 1, 2020 by dgreca

nga Kathleen Krull/

Përkthyer nga Naum Prifti/

Në shënimet e tij Leonardo zbulon se qëllimi i tij qe studimi direkt i natyrës. “Asgjë nuk mund të gjendet në natyrë që nuk është pjesë e shkencës,” shkruante ai. “Shkenca është kapiteni, ndërsa praktika janë ushtarët.”

EUROPA në Mesjetë, së pari dhe mbi të gjitha nuk kishte libra të shtypura, por vetëm dorëshkrime në latinisht, të kopjuar mundimshëm me dorë për të pasurit. Fshatarët as që kishin parë libra me sy. Dhe shumë njerëz nuk dinin të lexonin, as të shkruanin.

Sa për higjenën, nuk kishte kanalizime as tualete. Pak kush e dinte çfarë qe sapuni, ose veshjet e brendshme. Të varfërit hanin me duar, sepse lugët dhe pirunët i përdornin vetëm të pasurit. Shumë të rritur nuk kishin veçse pak dhëmbë në gojë. Thuajse gjysmët e fëmijëve vdisnin pa mbushur vitin. Gratë mesatarisht jetonin deri në moshën njëzetekatër vjeçare dhe shumë prej tyre vdisnin gjatë lindjeve të fëmijëve.

Nëpër fshatra njerëzit e varfër rronin në një mjerim të vërtetë, sepse familje prej dhjetë a njëzet personash flinin nëpër kasolle me lagështi dhe përdhe si bagëtia. Minjtë ishin të pranishëm. Pas të korrave të këqija uria bënte kërdinë dhe ata vdisnin nga urija. Nëpër qytete rrugët shërbenin si nevojtore dhe ndyrësirat rrinin aty deri sa t’i shpëlante shiu. Një here në disa dekada binte një epidemi misterioze që quhej vdekja e zezë, sepse ajo shfaqej me disa fllucka të zeza në lëkurë. Epidemia e vitit 1348 që përfshiu dhe fshiu një në çdo tre veta në Europë u shpjegua nga shumë mjekë si një eveniment i rrallë i vendosjes së tre planetëve në qiell.

Mjekët nuk bënin praktikë të mirë dhe përparimet në mjekësi qenë të ngadalshme. Kishte mjekë që kishin mbaruar studimet në universitete me famë, por librat që ata lexonin ishin shkruar më se një mijë vjet më parë.  Dhe nëse një gjymtyrë duhej prerë, i derdhej vaj i nxehtë në plagë që të pengohej gjakderdhja. Disa doktorë kishin fare pak ose aspak shkollë. Berberët bënin edhe kirurgji. Një fjashko, qelqe me urine, qe simboli i çdo mjeku. Ata harxhonin shumë kohë duke bërë ekzaminime aty. Doktorët dinin si të trajtonin kockat e thyera, por të sëmurëve që u rridhte gjak nga hundët u jepnin plehë derrash. Dhjetë hardhuca të gjelbra në vaj ulliri besohej se shëronin çdo plagë të hapur. Një ilaç tjetër bëhej nga krimbat e larë me verë dhe me shurrë gomari. Një tjetër quhej briri i unicornit, ose njëbrirëshi. Cerma apo enjtja e gjymtyrëve trajtohej duke i vënë pacientit një unazë safiri në gisht. Pijavicat aplikoheshin kur planetët qenë në një vijë të drejtë. Zakonisht ajo bëhej duke prerë lëkurën, që të rridhte gjaku i keq por duke bërë kujdes të mos pritej ndonjë arterie. Jeta e njeriut qe e shkurtër dhe me rreziqe.Vdekjet aksidentale qenë të shumta dhe vrasjet dy herë më të larta. Shumë sundimtarë qenë tiranë dhe luftërat qenë të zakonshme.Gratë shiheshin si pjesë e djallit. Dhe nëse silleshin jashtë normave trajtoheshin si shtriga dhe digjeshin në turrën e druve. 

Kisha e fuqishme Katolike qe pishtari i dritës në Europë gjatë Mesjetës, por besimtarët trajtoheshin egërsisht. Në Greqinë e lashtë, në Romë, në Kinë dhe në vendet arabe shkencëtarët kishin bërë shumë zbulime për astronominë, mjekësinë, matematikën dhe të tjera. Të shkolluarit islamikë përkthyen veprat e grekëve të lashtë gjuhën arabe, duke i rigjallëruar ato. Ndërsa në Europë shumë nga ato humbën për një kohë të gjatë, për disa shekuj.

Shkenca në Mesjetë përfshinte astronominë dhe matematikën, por populli besonte në magjitë. Prandaj studiohej edhe pseudoshkenca, studimi i engjëjve, lidhja midis karakterit të një personi dhe ndikimi i planetëve në sjelljen e njerëzve.Studimi i alkimisë se si shndërrohen metalet në ar mori përhapje të gjerë. Njerzit e mësuar argumentonin se nuk ishin engjëjt ata që ndikonin apo mbanin planetët në lëvizje. Ata njehsonin vetëm shtatë planete dhe besonin se Toka nuk qe ishull. Për ta, Toka zinte qendrën e universit me trupat e tjerë astronomikë si dielli. 

Një valë e madhe mendimi po përplasej në Europë, me këmbime dhe debate për koncepte themelore. Rezultati qe mirëbesimi në arritjet njerëzore si në shkencat humane që përqendrohen tek mundsimi i jetës mbi tokë. Kjo shpuri në shpërthimin e informacionit të ideve të reja. E gjitha kjo koincidonte me rizbulimet e njohurive të vjetra që kishin humbur prej kohe.

Në krye të kësaj vale qe Leonardo Da Vinci. Ai lindi në kohën e duhur, në vendin e duhur, më 1452 në Itali. Pikërisht atëherë kur u shfaq zyrtarisht Rilindja, në arkitekturë, letërsi dhe shkencë. Dhe shpirti rilindas më i gjallë se kudo qe në Florencë, Itali. Ndërsa Leonardi rritej, ai shihte rreth tij si askush tjetër kishte parë përpara tij. “Ka kaq shumë gjëra të panjohura,” shkruante një ditë. Por ai donte dhe qe i vendosur të gjente përgjigje për vete. Metoda e tij qe të fillonte të pyeste për çdo gjç. Metoda e tij qe ahkencore.

DIZAJNI I LEONARDOS PER NJE QYTET PA MURTAJE

Ai njihej rretheqark Firences si një yll i ri artistik i studios Verrochio, një njeri veçanërisht tërheqës që ishte i mirë për çdo gjë. Qe i këndshëm dhe inteligjent, i aftë të diskutonte për çdo temë. Ai kishte zë të mirë për të kënduar dhe konsiderohej si një nga vjershëtarët më të mirë të kohës së tij, një lloj artist i zhanrit rap i Rilindjes. Ai qe i mirë edhe si sportist, i njohur për forcën e tij fizike dhe si kalorës i mirë. Por Leonardo kishte edhe kusuret e tij. Për dikë që nuk kishte mjete të tjera jetese, ai qe i pakujdesshëm për punë biznesi. Kur më së fundi mori lejen të punonte, disa herë ia doli mbanë, disa herë jo. Për porosinë e parë më 1481, për të pikturuar në një kishë, ai bëri vetëm një skicë para se ta braktiste punën.

Leonardo po ashtu takohej shpesh me Fazio Cardan, profesor i Mjekësisë dhe Matematikës, dhe me familjen e tij. Cardan kishte botuar një libër të famshëm për optikën, shkruar në shekullin e trembëdhjetë nga një Peshkop anglez. Gjatë bisedave me Cardan, Leonardoja mësoi si punonte syri. Syri quhej dritarja e shpirtit, një koncept që Leonardoja e shpuri më tej duke e identifikuar si qendrën vitale për të kuptuar botën e pafundme të natyrës. Ndërsa të tjerët në atë kohë besonin se lentet qenë pjesa më e rëndësishme e syrit, Leonardoja qe më shumë i interesuar për retinën dhe se si krijoheshin atje figurat kur binte drita mbi të.

Ka të ngjarë që duke u ndodhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur ai pati sukses të hynte në shërbim të Ludovico Sforza. Duka e çmonte dukshëm Leonardon, që i shërbeu atij vite me radhë si inxhinier ushtarak dhe po ashtu si arkitekt. Projektet e tij qenë të mdryshme. Këtu bënte piktura, skulptura, një projekt parku, ose armë të reja, një ditë zbaviste oborrin me muzikë`, ditën tjetër prodhonte vaj ulliri.

Gjatë viteve të para të tij në Milano ra një epidemi e madhe e quajtur Vdekja e Zezë. Ajo u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi vdekjen e mijëra milanezëve. Kufoma të ngrëna nga minjtë dergjeshin rrugëve duke pritur varrimin. Ka të ngjarë që gjatë asaj kohe Leonardoja shpiku parfumin e trëndafilit për të mbuluar erën e vdekjes së kudondodhur. Leonardoja për fat nuk u sëmur. Shumë njerëz ia hidhnin fajin fatit të keq, të paracaktuar nga yjet dhe Zoti si ndëshkim për dobësitë e tyre. Ndërsa shumë kristianë akuzonin çifutët që e kishin përhapur me dashje sëmundjen, e cila u bë shkak që shumë prej tyre të persekutoheshin shpesh.

Gjithkush e dinte se sëmundja qe ngjitëse, por askush nuk e dinte si mund ta ndalonte atë. Edhe pse nuk i dinin shkaqet, kafshimet nga minjtë e infektuar ose pickimet e pleshtave, Leonardoja me të drejtë mendonte se kushtet jo të mira të jetës kishin lidhje me sëmundjen. Përgjigjeja e tij për përhapjen e sëmundjes qe ambicioze. Ai përpiloi një plan për riorganizmin e gjithë Milanos. Ai donte ta bënte qytetin më të pastër dhe më të shëndetshëm. Rrugët e Milanos qenë të ngushta, të pista dhe të mbipopulluara të ndërprera nga kanale prej nga delnin natën bretkosa, që bartnin edhe mbeturina të jashtëqitjeve nga njerëzit. Uji i pijshëm qe i kontaminuar. Dhe kur njerëzit bënin banjë, ata e merrnin ujët nga banjat publike.

Për Leonardon sëmundja shkaktoi dy vite ankthi, humbje shokësh dhe drama të përditshme. Ai e kalonte kohën duke projektuar në letër versionin e një qyteti ideal – i pastër dhe efficient, ai mund të shtrihej horizontalisht dhe vertikalisht në dy nivele ku të pasurit mund të jetonin sipër, në hapësira të mëdha me parqe. Rrugët duheshin më të gjera, që të lejonin ajrin e freskët dhe dritën. Leonardo qe njeri i kohës që besonte se të pasurit qenë më të mirë se të varfërit. Pjesa e poshtme qe më e errët dhe me dyqane që reflektonin statusin e shoqërisë, domethënë të zanatçinjve. Plani i tij parashihte pajisje hidraulike, drenazhimin, mjetet e transportit të kafshëve dhe njerëzve si edhe hedhjen e mbeturinave. Ai kishte dizajnuar mjete për pastrimin e rrugëve dhe për oxhaqet. Për të mënjanuar njerëzit që të mos përdornin qoshet e errta si nevojtore, ai planifikonte tualete me ajrosje nga çatia. Ai shkroi rregulla për ruajtjen e shëndetit. Haj vetëm kur ke uri dhe përtype ushqimin mirë. Ndryshe nga italianët e shekullit të pesëmbëdhjetë, Leonardoja qe vegjetarian. Ai i kishte mëri njerëzit që vrisnin zogj për sport dhe mendonte se njerëzit që hanë mish qenë varrshëtitës. Për Leonardon, në të ardhmen njerëzit nuk do të vrisnin më kafshë vetëm për t’i ngrënë. Në një kohë kur të tjerët lakmonin për të ngrënë, ai sugjeronte të hanin supë minestronesh dhe qiqra, sallatë, fruta, verë dhe bukë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leonardo Davinci, Naum Prifti

PREDKU I PLOTË I PAPËS NË KOHËN E EPIDEMISË

March 31, 2020 by dgreca

(Fjala e Papa Françeskut gjatë çastit të lutjes së jashtzakonshme

në rrafshinën e Sheshit Shën Pjetrit)/

E përktheu Eugjen Merlika/

            “Mbasi erdhi mbrëmja” (Mc 4,35). Kështu fillon Ungjilli që ndigjuam. Prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Errësira të dëndura janë grumbulluar mbi sheshet tona, rrugët, qytetet; kanë zotëruar jetët tona duke mbushur gjithshka me një heshtje shurdhuese e një zbrazësirë dëshpëruese, që paralizon çdo gjë që kalon: ndihet në ajër, kuptohet nga veprimet, e thonë vështrimet. Jemi gjindur të frikësuar e të përhumbur. Si dishepujt e Ungjillit jemi zënë në befasi nga një stuhi e papritur dhe e furishme. Kemi kuptuar se jemi në të njëjtën varkë, të gjithë të  dobët e të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të ftuar t’u grahim lopatave së bashku, të gjithë nevojtarë të ngushullojmë njeri tjetrin. Mbi këtë varkë…. jemi të gjithë. Si ata dishepuj, që flasin me një zë të vetëm dhe me ankth thonë: “Jemi të humbur”, kështu edhe ne kemi marrë vesh se nuk mund të shkojmë përpara secili për hesapin e tij, por vetëm së bashku.

Papa lutet për fundin e pandemisë

         Është e lehtë të gjindemi në këtë tregim. Ajo që del e vështirë është të kuptohet qëndrimi i Jezuit. Ndërsa dishepujt janë natyrisht të alarmuar e të dëshpëruar, Ai qëndron mbi kiç, pikërisht n’atë pjesë të varkës që zhytet e para. E çfarë bën? Megjithë pështjellimin fle i qetë, me besim tek Ati – është e vetmja herë në Ungjill në të cilën e shohim Jezuin të flejë. Kur e zgjojnë, mbasi ka qetësuar erën dhe ujrat, u drejtohet dishepujve me ton qortimi: “Përse keni frikë’ Nuk keni ende besim?”

            Përpiqemi të kuptojmë. Ku qëndron mungesa e besimit të dishepujve, që i kundërvihet besimit të Jezuit. Ata nuk kishin reshtur së besuari tek Ai, në fakt po i luteshin. Por të shohim si i luteshin: “Mjeshtër, nuk të bëhet vonë se jemi të humbur?”. Nuk të bëhet vonë: mendojnë se Jezusi nuk interesohet për ta, se nuk kujdesohet për ta. Ndërmjet nesh, në familjet tona, një nga gjërat që dhëmb më shumë është kur dëgjojmë të na thonë: “Nuk të bëhet vonë për mua?”. Është një fjalë që plagos e shkakton stuhi në zemër. Do t’a ketë tronditur edhe Jezuin. Sepse askujt, më shumë se Atij i bëhet vonë për ne. Në fakt, sapo u thirr, i shpëtoi dishepujt besimhumbur.

            Stuhia i heq perden prekshmërisë sonë dhe le të zbuluar ato siguri të rreme e të kota me të cilat kemi ndërtuar ditarët tanë, projektet tona, zakonet e përparësitë tona. Na tregon se si kemi lënë të përgjumur e të braktisur atë që ushqen, mbështet e fuqizon jetën tonë dhe bashkësinë tonë. Stuhia lë të të zbuluar të gjithë synimet për të “paketuar” e për të harruar atë që ka ushqyer shpirtin e popujve tanë, gjithë ato përpjekje për të përgjumur me zakone në dukje “shpëtimtare”, të paafta t’i bëjnë thirrje rrënjëve tona e kujtesës së të moshuarve tanë, duke mbetur kështu pa imunitetin e nevojshëm për të përballuar vështirësitë.  

            Me stuhinë ka rënë makiazhi i atyre stereotipeve me të cilët mbulonim “egot” tona, gjithmonë të shqetësuar për përfytyresën tonë; ka mbetur e zbuluar edhe njëherë tjetër, ajo (e bekuar) përkatësi e përbashkët së cilës nuk mund t’i shmangemi: përkatësia si vëllezër.

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot Fjala e jote sonde na prek e na përket  ne të gjithëve. Në këtë botën tonë, që Ti e don më shumë se ne, kemi shkuar përpara me shpejtësinë më të madhe, duke u ndjerë të fuqishëm e t’aftë për gjithshka. Të etur për fitim jemi lënë të thithemi prej gjërave dhe të trullosemi prej nxitimit. Nuk jemi ndaluar përpara qortimeve të tua, nuk jemi zgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar thirrjen e të varfërve e të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar të patrembur, duke menduar se do të mbeteshim gjithmonë të shëndoshë në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar të lutemi: “Zgjohu o Zot!”

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot, na bën një thirrje, një thirrje për besim. Që nuk është aq të besojmë se Ti ekziston, por të vijmë tek Ty, të të besojmë Ty. Në këtë Kreshmë tingëllon thirrja jote urgjente: “Silluni nga un”, “kthehuni nga un me gjithë zemër”. Na thërret t’a presim këtë kohë prove si një kohë zgjedhjeje. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: koha e të zgjedhurit mes asaj që vlen dhe asaj që kalon, të ndarjes mes asaj që është e nevojshme dhe asaj që nuk është. Është koha të kthejmë rrugëtimin e jetës drejt Teje, o Zot, e drejt të tjerëve. Dhe mund të shohim drejt shumë shokëve shëmbullorë të rrugëtimit që, në frikë, kanë kundërvepruar duke dhënë jetën. Është fuqia vepruese e Shpirtit, e derdhur dhe e ngjizur në kushtime të guximshme e bujare. Është jeta e Shpirtit e aftë të shpërblejë, të vlerësojë e të tregojë se si jetët tona janë të endura e të mbajtura nga njerëz të zakonshëm, zakonisht të harruar, që nuk dalin në titujt e të përditëshmeve e të revistave, as në urat e mëdha të shfaqjes së fundit por, pa dyshim, janë duke shkruar sot ngjarjet përcaktuese të historisë sonë: mjekë, infermiere e infermierë, punonjës të mbitregjeve, të pastërtisë, kujdestarë, trasportues, forca të rendit, vullnetarë, meshtarë, murgesha e shumë e shumë të tjerë që kanë kuptuar se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Përpara vuajtjes, ku matet zhvillimi i vërtetë i popujve tanë, zbulojmë dhe sprovojmë lutjen meshtare të Jezuit: “ që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Sa njerëz  ushtrojnë çdo ditë durimin dhe ngulisin shpresën, duke u kujdesur për të mos mbjellur panik, por bashkëpërgjegjëshmëri. Sa etër, nëna, gjyshër e gjyshe, mësues, i tregojnë fëmijëve tanë me veprime të vegjël e të përditshëm, se si përballohet e kalohet një krizë duke përshtatur zakonet, duke ngritur vështrimet dhe nxitur lutjet. Sa njerëz luten, ofrohen dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: janë armët tona fitimtare.

            “Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?”. Fillimi i besimit është të dijmë se jemi nevojtarë për shelbim. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm; të vetëm fundosemi: kemi nevojë për Zotin, si lundërtarët e lashtë për yjet. Të ftojmë Jezuin në varkat e jetëve tona. T’i besojmë frikërat tona, që Ai t’i mundë. Si dishepujtë të sprovojmë që, me Atë në bord nuk do të ketë mbytje. Sepse kjo është fuqia e Zotit: të kthejë për së mbari gjithshka që na ndodh, edhe gjërat e këqija. Ai sjell qetësinë në stuhitë tona, sepse me Zotin jeta nuk vdes kurrë.

            Zoti na pyet, dhe në mes të stuhisë sonë, na fton të zgjojmë e të vemë në punë solidaritetin dhe shpresën, të afta të japin qëndrueshmëri, mbështetje e kuptim këtyre orëve në të cilat duket se gjithshka po përmbytet. Zoti na zgjon për të zgjuar dhe gjallëruar fenë tonë të Pashkës. Kemi një spirancë: në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer. Kemi një timon: në kryqin e tij kemi qënë shliruar. Kemi një shpresë: në kryqin e tij kemi qënë shëndoshur e përqafuar që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij ringjallëse. Në mes të veçimit, në të cilin po vuajmë mungesën e përzemërsive e të takimeve, duke sprovuar mungesën e shumë gjërave edhe një herë tjetër lajmërimi na shelbon: është ringjallur e jeton pranë nesh. Zoti na pyet nga kryqi i tij për të gjetur jetën që na pret, për të vështruar drejt atyre që na kërkojnë të forcojmë, të njohim e të nxisim hirin që kemi në vetvete. Mos të shuajmë flakën e zbehtë, që nuk sëmuret kurrë e të lemë të rindizet shpresa. Të përqafohet kryqi i tij do të thotë të gjindet guximi për të përqafuar gjithë kundërshtinë e kohës së sotme, duke braktisur për një çast gjithë gulçimin e plotfuqishmërisë e të zotërimit për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë që vetëm Shpirti është i aftë të frymëzojë. Do të thotë të gjindet guximi për të hapur hapësira ku të gjithë të mund të ndihen të ftuar e të lejojnë forma të reja të mikpritjes, vëllazërimit dhe solidaritetit. Në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer për të pritur shpresën e për t’i dhënë mundësi asaj të fuqizojë e të mbështesë të gjitha masat e rrugët e mundëshme që mund të na ndihmojmë të ruhemi e të ruajmë. Të përqafojmë Zotin për të përqafuar shpresën: ja fuqia e besimit që shliron nga frika e jep shpresë.

            “Përse keni frikë? A nuk keni ende besim?”  Të dashur vëllezër e motra, nga ky vënd që tregon fenë shkëmbore të Pietrit, sonde dua t’u le të gjithëve në dorën e Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, shëndeti i popullit të saj, ylli i detit në stuhi. Nga këto kollona që përqafojnë Romën dhe botën le të zbresë përmbi ju, si një përqafim ngushullues, bekimi i Zotit. O Zot bekoje botën, jepi shëndet trupave dhe ngushullim zemrave. Kërkon prej nesh të mos kemi frikë. Por besimi i  ynë është i dobët dhe jemi të ndrojtur. Por Ti, o Zot mos na lerë në mëshirë të stuhisë. Përsërit ende: “Ju mos kini frikë”. Dhe ne, bashkë me Pietrin, “hedhim tek Ti çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne”

Filed Under: Opinion Tagged With: Fjala e Papa Françeskut- Shen Pjeter

NËSE VIRUSI KTHEHET NË NJË ALIBI PËR DREJTUESIT AUTORITARË

March 31, 2020 by dgreca

Nga ALESSANDRA COPPOLA/

            Më e keqja në këto kohë të karantinës, është për atë që lëviz në hapësira të ngushta, ku thithej pak liri: gjendja e spikamës është gjithmonë përligjia e përsosur për krimet e drejtuesve autoritarë (ose të politikanit që synon të bëhet). Nuk është e nevojshme të kapërxehen kontinentët, e ka treguar në Corriere Paolo Valentino: kryeministri hungarez Viktor Orban ka paraqitur një project – ligj që, në fakt, do t’I lejojë të shfuqizojë parlamentin, në kushte alarmi të pacaktuar. Nuk ka kaluar ende, por këtë javë votat duhet të jenë të mjaftueshme për të përdredhur demokracinë në Budapest e për t’i lejuar kryetarit të qeverisë me derete. “Spikama koronavirus”e prej javësh n’Egjypt nuk zhvillohet më asnjë seancë; ndërkaq studenti i Bolonjës, Patrick Zaki, mbetet në paraburgim në Kairo.

            Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin përligjie n’Arabinë Saudite është shtyrë në datë për t’u përcaktuar proçesi që Loujain Alhathloul pret prej dy vitesh në burg, për shkelje të ligjit (pak më parë se të shfuqizohej) që i ndalonte grave të ngisnin makinën: ka shkruar Viviana Mazza. Bota është e përqëndruar tek pandemia dhe policia algjeriane arreston veprimtarin dhe paraqitësin tv Khaled Drareni, që ka treguar muajt e “hirakut, të protestës, dhe sot është i paditur për “atentat ndaj integritetit të territorit kombëtar”. Me dalë në shesh nuk është më e mundur, është e qartë: çfarë do të bëhet me pranverat që sapo po lulëzonin?

            Është rreziku i infektimit, kryeministri Narendra Modi e ka të lehtë të ndalojë në New Delhi marshimin që i bën beleg që në nëndor duke kundërshtuar dallimet kundrejt myslimanëve në Hindi. Në këto kohë përmëndet shpesh “Verbëria” e José Saramago, një infektim i bardhë që vishte sytë dhe shtazëronte njerëzit. Ja: të qëndrojmë të gatshëm, duke mbajtur sytë hapur tek virusi por edhe tek dhunimi i të drejtave themelore që rrezikon gjithashtu të rëndohet.

            “Corriere della Sera”, 28 mars 2020         Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Alessandra Cipola, Eugjen Merlika

HESHTJA ËSHTË FSHEHTËSI E ZANAFILLËS

March 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Don Robert KOLA/

Njeriu përmes heshtjes përmbledh mrekullinë e krijesës në gjirin e vet. Çka bebëza e syrit është për shikimin, heshtja është për mahnitjen. Heshtja është bebëza e mahnitjes. Në gjirin e heshtjes mahnitja bëhet e tejdukshme. Heshtja denjësohet vetëm në gjirin prej nga buron fjala. Poeti është edhe gjiri i fjalës. Fjala: “falë heshtjes bëhet mbretëreshë e qenies njerëzore.”[1]

Mishërimi i aktit të heshtjes kryhet dhe përkryhet vetëm përmes hirit të Hyjit. Hiri i heshtjes është i ngjeshur me misteret e Hyjit dhe përshkon qenien e njeriut me vrushkujt e dritës që shpërthen në mahnitje, siç këndon poeti:

Heshtja është hiri i Hyjit,

ngrohtësi e pashuar dashurie

e ngjeshur me misteret e Tij,

që nëpër qiell e tokë 

përhapet me shkëlqimin e yjeve

të qëndisur me bardhësi resh –

gjakim i ëndrrave të etura;

është joshje që nuk resht,

kërkim i skajeve të thellësive

që të robërojnë me prirje të pafundësisë,

ujëvare ndriçuese e vrushkujve

ngjizur dhe me penjtë e errësirës:

dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –

përshkuar nga drithërima rrëzellitëse.[2]

Besëlidhja me hirin e Hyjit mbahet edhe përmes heshtjes. Kjo besëlidhje e heshtjes është e heshtur si vetë hiri i saj, e ngjeshur me dritën e mistereve të Tij. Antifona në Tetëditëshin e Krishtlindjes, i këndon misterit të hirit të heshtjes që zbret nga froni mbretëror i Hyjit, në të cilin qëndron gjithë plani i shpëtimit: “Cum enim quietum silentium contineret omnia.” (krahs Ur 18, 14-15)

Fshehtësia e heshtjes është fshehtësi e zanafillës. Heshtja i përket zanafillës dhe është fshehtësi herake. Ajo qëndron në pamjen e saj zanafillëse dhe është si vetë natyra e hirit të saj: gjithmonë zanafillore. “Përmes heshtjes, në çdo çast njeriu mund të gjendet në zanafillë. Kur është i lidhur me heshtjen, njeriu jo vetëm që merr pjesë në zanafillën e saj, por gjendet edhe në zanafillën e çdo gjejë.”[3]

Heshtja nuk përfshihet duke e gjurmuar atë, por duke u gjurmuar prej hirit të saj. Ajo është si hiri i pëllumbeshës në plasat e shkëmbit, siç këndon Kënga e këngës. Qëndron në plasat e shkëmbit dhe është thjesht aty vetëm për të shfaqur fytyrën në gjithë shkëlqimin e bukurisë dhe fjalën me plot ëmbëlsim (krhs Kk 2, 14). “Fjala duhet të mbetet e lidhur me heshtjen nga ku shpërthen. Është veçantia e qenësisë njerëzore që fjala të kthehet kah heshtja, është pikërisht vetia e qenies së njeriut të kthehet mbrapa drejt vendit nga ku vjen heshtja. Fjala e njeriut nuk është e përcaktuar vetëm nga e vërteta, por edhe nga mirësia: përmes mirësisë së zemrës fjala i kthehet zanafillës. Është e rëndësishme që përmes mirësisë fjala të jetë e lidhur me heshtjen, sepse në këtë mënyrë, çdo fjalë veç mban në vetë dhe natyrën e saj: zotërimin ndaj mirësisë. Në fjalën e lidhur me heshtjen më të lartë banon mirësia më e thellë.”[4]

Heshtja është prehër i fjalës. Në prehrin e heshtjes fjala bëhet vatër e mirësisë. Shën Benedikti, duke e cilësuar heshtjen si “taciturnitas,” që nënkupton dashurinë ndaj heshtjes, që përbën edhe shpirtin e jetës murgjerore, porosit se heshtja dhe dëgjimi i përket nxënësit: “tacere et audire discipulum convenit.” (Bendikti, Regula 6). 

Heshtja nuk improvizohet. Çdo vegël për të mbërritur heshtjen është “kitsch” i heshtjes. Sikur ka në art “kitsch,” ka edhe “kitsch” në heshtje. Heshtja është aty ku të qenit shfaqet. Më shumë ka heshtje në lojën e një fëmijë, në përqafimin e dy të dashuruarve, në përkëdheljen e nënës, në fytyrën e rrudhur të një të varfëri, në vallen e fluturimit të shpendëve, në sythin e lules që bulëzon. Me një fjalë, aty ku thjesht shfaqet krijesa është heshtja. Heshtja nuk është shurdhësi ndaj krijesës, por është hapje zanafillore ndaj saj. Asgjë nuk e kërcënon heshtjen e njëmend, sikur pandehma e panteizmit që ngulfat dhe ngulfatet në shurdhësi ndaj rendit të krijesës. “Panteizmi është mospërfillje pikërisht ndaj gjithësisë; është rrënjësisht plogështia rrënjësore që të pranojë tërë njëmendësinë e kësaj bote. Duke e humbur fijen absolute që i lidh gjërat e kufizuara në mes tyre, që i jep secilës kuptimin e saj dhe të vërtetën e saj, panteizmi i kthehet domosdoshmërisht përfytyrimit të kësaj bote relative duke bërë prej saj një hyj. Ndaj edhe fytyra e misterit, kthehet vetëm në tymnajë. Panteizmi perëndimor, i cili dora – dorës rrëshqet në kultin drejt botës materiale dhe të ndjeshmërisë, i mban për iluzion gjërat e shpirtit, ndërsa panteizmi oriental, i përqendruar në botën e brendshme të shpirtit, e mban vetëm për joshje mikluese botën e ndjeshme dhe të dukshme. Çdo panteizëm në pandehmat e veta teorike për të hyjnizuar botën, mbaron në gjymtim të krijesës.”[5]

Aty ku mohohet krijesa, mohohet edhe heshtja. Asgjë nuk i kundërvihet heshtjes sikur qëllimi. Qëllimi është sajim. Sajesa qëndron vetëm për të joshur. Flaka e saj është të yshturit për të joshur sa më shumë dhe sa më shumë josh, aq më e pa pangopur bëhet. Bile, duke ngrenë bëhet edhe me e uritur. Joshja është pangopësi e pangopur. Heshtja nuk është joshje e qetësisë, por është rrokje e njëmendësisë. 

Heshtja s’ka qëllim. Trajta e saj është virgjërore, siç është drita. Jo pse është e paprekshme, por sipas vetë natyrës së saj ontologjike është plotësi e plotë. Nuk kërkon asgjë, thjesht është. Ajo qëndron në trajtën e saj. Trajta e heshtjes e shquan thelbin dhe përmbajtjen e saj. 

Pikërisht për këtë heshtja bëhet tërheqëse për krijuesit: për poetin, mistikun, kompozitorin. Krijimtaria e tyre bëhet tërheqëse falë trajtës e cila shquhet dhe shquan përmbajtjen dhe thelbin e krijimit të tyre. Ato falin një dritë zanafillore, mbase mbajnë në vete një heshtje virgjërore të plotësisë që plotëson, sa herë që shfaqen. Janë të mbjella në heshtje dhe mbjellin heshtje.

Hiri i heshtjes nuk është privilegj vetëm i krijuesve. Me siguri, heshtja e mbjellë nga veprat e tyre është mahnitëse, por fryti i saj mblidhet vetëm në përsosjen e përmbushjes në “Amen-in” e pambaruar të Lavdisë së Hyjit, që do të përfshijë mbarë krijesën. “Heshtja është fshehtësia e botës që do të vijë.”[6] Kremtimi i veprave të Mbretërisë së Hyjit është duvaku nusëror i heshtjes, që fal Dritën e Zanafillës dhe Zjarrin transfigurues të Apokalipsës. Përmes heshtjes bëhet e tejdukshme drita e Zanafillës: “Në heshtjen e Hyjit është heshtja e Zanafillës, e krijesës dhe e fillimit, që rishtazi shfaqet.”[7] Në heshtje është i përmbledhur edhe Zjarri i Apokalipsës, që shfaq “tokën e re dhe qiellin e ri.” (Zb 21, 1) 

Heshtja është duvaku i endur nga drita e Zanafillës dhe Zjarri i Apokalipsës, që tejfiguron krijesën në shkëlqimin e Mbretërisë hyjnore. Lavdia e Hyjit është kurora dhe kurorëzimi i krijesës. Psalmtari i cili thur këngën e lavdeve që është frymëmarrja e lirisë së krijesës, duke kundruar misterin e Hyjit në heshtje, heton se ajo është lavdërim për Hyjin: “Tibi silentium laus.” (Ps 64, 2). 

Heshtja është vesë e hirit të heshtur, përmes të cilës thuret dhe epikleza e lavdisë së Hyjit me rrahje të pashqyrtueshme, mu në zemrën e krijesës. Heshtja është balsami shugurues i krijesës, e cila e thur krijesën me Dritën e Zanafillës dhe me Zjarrin e Apokalipsës. 


[1] H. E. MUÇA, Nga “Prushi i bukurisë” tek hiri i “Syve të heshtjes,” në: A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, Vëll. 3, Shtëpia Botuese Faik Konica – Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019, f. 133. 

[2] A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, f. 95.

[3] M. PICCARD, Il mondo del silenzio, Servitium 2014, f. 24.

[4] M. PICCARD, Il mondo del silenzio, f. 37.

[5] G. THIBON, Il tempo perduto, l’eternita trovata, D’Ettoris Editori 2018, f.35t.

[6] ϹЄРAФІM СAРOBСКИ, Пророk љyбaви божије, Бeoгрaд 2007, f. 51.

[7] F. MANNS, Simboli biblici, Chirico 2013, f. 65.

Filed Under: Opinion Tagged With: Don Robert Kola, Heshtja

COVID-19:CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

March 29, 2020 by dgreca

GUVERNATORI CUOMO ZGJAT DERI NE 15 PRILL AFATIN E MBYLLJES PËR BIZNESET JO JETIKE/

  • “PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER/
  • CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER/

      Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të kenë rritje të numrit të infektuarëve me 17,981 për 24 orë , me 2,469 viktima (249 për 24 orët e fundit), duke e cuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve në 141,559 me 4,435 të shëruar. New Yorku vazhdon që të jetë në qendër e epidemisë të COVID-19.

                       Nuk i kanë shpëtuar kësaj epidemie as bashkatdhetartë tanë, edhe pse nuk i kemi të dhënat e plota, shënojmë se: Të Dielën u shtrua me shqetësime në frymëarrje edhe një bashkatdhetar shqiptar me banim në Bronx,i moshës 79 vjeçare duke e çuar në 5 numrin e shqiptarëve në NY të identifikuar si bartës të virusit dhe me probleme.

  Edhe New Jersey, fqinjë me New Yorkun, ka filluar ta rrisë shkallën e të prekurëve dhe të viktimave. Për 24 orëshin e fundit u raportuan 2,262 të infektuar plus, duke e çuar numrin total në 13,386,i renditur i dyti në radhën e shteteve të prekur nga Coronavirusi, dhe u shënuan 21 viktima për 24 orë. Edhe Michigani i ka rritur shifrat e të infektuarëve me 836 pacientë të infektuar vetëm në 24 orët e fundit, 21 vdekje më shumë në këtë fundjavë, Illinoisi gjthashtu shënoi 18 viktima në 24 orët e fundit.

New Yorku mbanë peshën kryesore të panepidemisë. Pothuajse 60,000 raste të infektuar nga koronavirusi dhe 1.000 vdekje ishin të dokumentuara deri të dielën në të gjithë Shtetin e New York-ut, njoftoi të Dielën Guvernatori Andrew Cuomo, ndërsa zgjati deri me 15 prill afatin e mbylljes të bizneseve jo jetike në të gjithë shtetin.

“Virusi vazhdon marshimin e tij në të gjithë shtetin e Nju Jorkut,” tha Cuomo në konferencën e tij të përditshme të shtypit në Albany, duke përmendur se vetëm dy qarqe në të gjithë Shtetin deri më tani nuk kanë raste të konfirmuara të COVID-19. “Nju Jorku është epiqendra.”, përsëriti ai.

Tani shteti i New Yorkut ka regjistruar  59.648 pacientë të konfirmuar, me 965 të vdekur, theksoi Cuomo.

Kjo shifër përfshin 32308 pacientë të infektuar dhe 678 vdekje vetëm në New York City, ku një banor tani po vdes çdo 8.9 minuta, sipas statistikave të qytetit.

Me kulmin e kurbës, që end enuk ka ardhur, Cuomo zgjati urdhrin e tij “PAUSE” duke detyruar mbylljen e bizneseve jo-thelbësore në të gjithë shtetin, për të paktën deri në 15 Prill, me tendencë rishtyrje për më tutje, ndoshta edhe majin, por të kemi parasysh deklaratë e Presidentit Trump se 1 Qrshori mund të jetë data e daljes nga beteja.

Gjithësesi Cuomo paralajëmroi se ky afat kohor nuk është përfundimtar pasi po ndiqet situata çast pas çasti dhe në përshtatje me çfarë do të ndodhë do të merren edhe masat e mëtejshme.

“PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER

Avokati 50-vjeçar që ishte pacienti ‘zero’ në Westchester ka dalë nga spitali i shëruar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, njoftoi Guvernatori i shtetit të New York-ut, Andrew Cuomo të Dielën.

Eshtë fjala për avokatin Lawrence Garbuz – i cili u identifikua më 2 Mars si mbartësi i parë i virusit COVID-19 në New Rochelle, dhe më pas infektoi në mënyrë zinxhir 50 persona. Ai gati u shtrua në gjendje kome, kur e dërguan në spital, por mjeksia arriti që ta shëronte, dhe pas 27 ditësh ai u kthye në shtëpi.

Guvernatori e kishte lënë lajmin për ta bërë surprizë gjatë konferencës për shtyp kur deklaroi: “Pacienti zero ‘në Westchester, New Rochelle – i cili ishte shumë i sëmurë për një kohë shumë të gjatë, në fakt ka shkuar në shtëpi”.”Ai është jashtë spitalit,” tha guvernatori, duke mos dhënë detaje të tjera.

Garbuz – i cili udhëtoi me trenin e Metro-Northit për të arritur në firmën e tij avokatore në Manhattan – nuk kishte shkuar në ndonjë shtet tjetër jashtë SHBA ku ishinpikat e nxehta të koronavirusit, por ka të ngjarë ta ketë marrë virusin nga dikush tjetër brenda vendit.

Virusi u përhap me shpejtësi në mesin e dhjetra  personave në komunitetin e tij, duke e shtrirë veprimin e koronavirusit në sinagogën e familjes.

Cuomo të Dielën e përdori atë si një shembull se si veprimtaritë fetare kanë bukurinë e tyre, por ndodh që edhe sëmurin shumë njerëz.

CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

CBS News po vajton për humbjen e Maria Mercader, një veterane e gazetarisë. Ajo mbuloi lajmet e rrjetit CBS për gati tre dekada dhe ndihmoi në formimin e strategjisë për korrespondentët dhe reporterët e rrjetit.

Maria ishte 54 vjeç dhe vdiq nga koronavirusi Covid-19 në një spital të New York, edhe pse vuante nga kanceri. Ajo kishte qenë në pushim mjekësor, por që nuk lidheshin me koronavirusin, që nga muaji shkurt.

Maria luftoi kancerin për më shumë se 20 vjet, dhe ishte një frymëzim sa herë që kthehej në punë, edhe pse e dinte se sëmundja e kërcënonte t’i jepte fund jetës, por ja edhe COVID-19 e sulmoi atë.

“Më shumë sesa talent-është shprehur Susan Zirinsky, presidente CBS News-“Maria ishte pjesë e gjithë jetës sonë. Edhe kur ishte në spital, ajo do të thërriste dhe do të ndihmonte me këshilla, inkurajim dhe do të thoshte ‘ju mund ta bëni këtë.” Unë e quaja Marian një “luftëtare”. Maria ishte një dhuratë që ne e vlerësonim “….

Maria filloi në CBS News në vitin 1987.Ajo mbuloi ngjarje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë vdekjen e Princeshës Diana dhe sulmet e 11 shtatorit. Ajo fitoi një çmim Emmy  në 2004 për punën e saj në një raport “CBS Sunday Morning”.

Maria Carla Mercader lindi në 28 nëntor 1965 në New York City. Ajo ndoqi Dominican Academy në Manhattan, dhe u diplomua në College of New Rochelle në vitin 1987.

Frymëzuar nga nëna e saj, Gladys, e cila ishte pianiste për Teatrin e Baletit Amerikan, Maria e donte muzikën dhe ishte një mbështetëse e madhe e baletit.

NJË SHËRBIM I RI URGJENCE NË MANHATTAN PËR COVID-19

Në kërkim të rritjes së kapaciteteve të shtretërve dhe hapsirës, këto ditë është duke u ndërtuar edhe një spital në terren i urgjencës në Parkun Qendror të Manhattan, njoftoi stacioni lokal i lajmeve NY1. Objekti me 68 shtretër ndodhet përtej vendndodhjes së Spitalit Mt Sinai në anën Lindore. Do të ketë një “njësi të kujdesit të frymëmarrjes me aftësi të ICU” dhe do të jetë në gadishmëri operacionale deri të martën në mëngjes, trasmetoi NY1.

Punëtorët e një organizatë të krishterë nga Karolina e Veriut kanë filluar ndërtimin e strehimoreve të përkohshme mjekësore. Dr Elliott Tenpenny, i cili drejton ekipin, tha se zyrtarët shtetërorë e hartuan planin pasi M Sinai kërkoi ndihmë.

Themelimi i një qendre të përkohshme mjekësore vjen midis tensioneve në rritje në sistemin mjekësor të qytetit të Nju Jorkut, duke filluar nga një fluks i pacientëve me koronavirus deri tek mungesa e aksesit të punonjësve të kujdesit shëndetësor në pajisjet mbrojtëse.

Përgatiti: Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • 340
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT