• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë

March 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa/

Teksa gjithë kontinenti europian dhe më gjerë gjendet përpara një sfide të paprecedentë dhe një gjendjeje alarmi për pandeminë COVID-19, fati i qeverisë së Kosovës është në udhëkryq. Situata surreale e krijuar përbën një shembull zhgënjyes të pragmaticitetit politik që përmbys një qeveri legjitime dhe vetë instituticionin e votës së lirë, nëpërmjet së cilës ajo u zgjodh. Por, edhe më rrezikshëm akoma, këto veprime të ndërmarra nga aktorët politikë vijnë me kosto të shumëfishuar në kushtet e paqartësisë së madhe për atë çfarë do të ndodhë në vijim.

Mocioni i mosbesimit, kërkuar nga LDK, do të sillte detyrimisht rrëzimin e një qeverie tejet jetëshkurtër, por do të fuste edhe të gjithë shtetin në një terren të pasigurt. Ndryshimi radikal i jetës së përditshme të qytetarëve si pasojë e vazhdës së masave të jashtëzakonshme të ndërmarra kundrejt koronavirusit, e bën edhe më të pavolitshëm konfliktualitetin aktual politik. Në vend që të kishte një koordinim më të madh përballë një armiku të përbashkët që kërcënon shëndetin publik, klasa politike e Kosovës është ngërthyer në një lojë shkatërruese për përgjegjësinë politike dhe institucionale.

Gjasat janë që përshkallëzimi i situatës politike të jetë materializuar pikërisht në këtë moment delikat për të shmangur organizimet dhe protestat e mundshme kundërshtuese. Por, këto lloj llogaritjesh duhen riparë. Në kushtet kur është e pamundur për të mbajtur zgjedhje të reja, një qeveri e dalë me marrëveshje dhe pa legjitimitet zgjedhor do të sillte destabilizim dhe humbje të besueshmërisë së autoriteteve shtetërore, në një moment kur besimi është element jetik. 

Pavarësisht mëtimeve për të paraqitur një qeveri teknike ose stabiliteti si mundësi për tejkalimin e situatës, faktet janë kokëforta. Dhe këto fakte parathonë që shteti i Kosovës do të mbetet në mëshirën e entiteteve politike të cilat, edhe në kushtet e mungesës së mandatit elektoral dhe përballjes së munguar me votuesin, mbajnë të centralizuar vendim-marrjen. Kjo partitokraci e shëmtuar tregon se si zhvlerësohet procesi elektoral dhe vota e lirë. Përballja kryesore e një politikani është me votuesin dhe pesha në skenën politike duhet të jetë proporcionale me aftësinë për të marrë votëbesimin e elektoratit. Kur vendimmarrja mbetet në duart e politikanëve të cilët e kanë të munguar këtë votëbesim, pikëpyetjet për llogari-dhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë janë të mëdha. 

Justifikimet e përshkallëzimit të situatës, duke ia atribuar atë edhe aktivitetit të diplomatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, kalojnë në plan të dytë demokracinë e vetë vendit. Për më tepër, kjo bëhet edhe në një moment kur ka një pasiguri të madhe edhe në skenën ndërkombëtare. Gjasat reale ekzistojnë, që të ketë ndryshime të rëndësishme politike në vendet partnere brenda muajve të ardhshëm dhe anashkalimi i partneriteteve zyrtare për hir të kanaleve dytësore cënon kredibilitetin e Kosovës dhe rrezikon të vijë e shoqëruar me pasoja afatgjata. 

Fati i qeverisë aktuale, (kjo e fundit e lindur mes njëmijë dyshimesh pasigurish as dy muaj më pare), ishte parashkruar që tek zvarritja që iu bë në mënyrë të tejzgjatur bisedimeve ndërmjet atyre që do të përfundonin si partnerë në qeverisje. Akuzat dhe mungesa e besimit që u vërejt gjatë asaj peiudhe ndërmjet palëve ishte një paralajmërim ogurzi për bashkëqeverisjen e tyre. Por, përtej provokimeve dhe fërkimeve që e kanë karakterizuar dialogun paszgjedhor si dhe dy muajt e fundit, bashkëqeverisja jetëshkurtër ka treguar se ekzistojnë mundësitë dhe elementët e bashkëveprimit. Tejkalimi i dasive duhet të ishte një mision shtetformues, sikurse u premtua dhe jo një tjetër lojë politike, sikurse po rezulton. 

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, zonja Viola von Cramon, theksoi se procedimi i mocionit të mosbesimit do të ketë pasojat jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën në rradhë të parë, por, më gjerë, edhe për gjithë rajonin. Zhvlerësimi i demokracisë së Kosovës bëhet, në këtë mënyrë, edhe më e rrezikshme dhe ngjan si një bast i mirëfilltë, më shumë se sa një veprim i përgjegjshëm dhe burrështetësish. Një bast që duket edhe më irracional në kushtet e sfidave të shumta të jashtme me të cilat përballet vendi.

Teksa nevoja primare për të gjithë është garantimi i sigurisë shëndetësore të qytetarëve dhe mbajtja në lëvizje e një ekonomi të brishtë dhe që rrezikon kolapsin, tentativat për politizim dhe për të fituar kapital politik janë zbehur edhe në Tiranën tejet konfliktuale. Është e pashmangshme ngritja e pyetjes së kujt i intereson një tjetër rënie qeverie në Kosovë. Situata alarmante dhe dëmi i menjëhershëm i shkaktuar, bashkë me ndërprerjen e përsëritur të një mandati qeverisës, e bëjnë veprimin aktual shumë më tepër se një taktikë ose aventurë e thjeshtë politike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, Kufomat politike, shtetl foshnje

Nëpër Lutjet e njerëzve të mirë

March 22, 2020 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

Çfarë do ta frymëzonte botën që nga zanafilla e saj deri në modernizëm apo postmodernizëm?!

-“Liritë, barazitë, ligjet dhe e drejta, mundësitë dhe kënaqësitë, puna, pasuria, prona,edukimi, përgjegjësitë personale dhe ato kolektive”…- do të thoshte studjuesi dhe filozofi Harold Percival.

Po sot kur shumë nga këto destinacione vihen në pikpyetje sa edhe vetë ekzistenca , kur shkenca dhe inovacioni, paraja dhe fuqia e saj për të sunduar botën janë të kërcënuara nga një pandemi emërtuar Covid 19 të cilën vetëm nëpër  filma me skenarë futuristo-imagjinarë e kishim parë , vërehet se sa shumë e nesërmja e pasigurtë dizenjon të ardhmen e të gjitha atyre ideve bazike mbi të cilat formësohet dhe evoluon jeta njerëzore.

Bilancet tragjike të humbjes së jetëve njerëzore,paniku social por edhe pasiguria e autoriteve shtetërore, kriza shumëplanëshe e viktimizon akoma më shumë individin po aq sa e bën edhe protagonist të vetvetes e më gjerë. Një përgjegjësi jo e panjohur e nxitur më së shumti nga shkollat dhe rrymat që inkurajojnë demokracinë si proçes që nis nga individi, ai i përgjegjshëm , reflektues ,i cili i njeh potencialet e veta , moralin e vet dhe mbi të gjitha shpirtin që ia nxit reflektimet. 

Ja ku jemi pikërisht tek ai moment ku më qartësisht se kurrë “valëvitet” jo kapitullimi njerëzor  por përgjegjsia e gjithsejcilit për të bërë diçka; izoluar, higjenizuar, edukuar, treguar, thirrur për ndihmë, dorzuar, mbijetuar.

Janë prioritete njerëzore në çdo kohë principet e edukimit, ato që edhe nëse nuk lindin me njeriun i nguliten me forcë atij nga familja, rrethi shoqëror, religjioni, shteti. Formula e edukimit e cila para së gjithash duhet t’i mësonte njeriut modern se misioni i tij nuk është konkurimi me Natyrën  apo akoma më keq shkatërrimi i saj , por përdorimi i dy “armëve” të fuqishme me të cilat Zoti e pajisi njeriun e që janë ; gjuha dhe duart përmes të cilave ndërtohen civilizime, mbahen gjallë ato në çdo  rast , madje edhe shkatërrimi.

Si ta ruash civilizimin kur paniku, pasiguria ekonomike, emocionale , pandemike kërcënon çdo siguri?

-Të menduarit! 

Prerazi do thoshte Percival. 

Po i referohem pareshtur filozofit i cili studimet e tij i nis me objekte të lashta artistike të cilat i flasin çdo kohe përmes largpamësisë që i prin të menduarit e që kanë mbetur të gjalla dhe kanë jetuar me shekuj duke u bërë mbrojtës civilizimesh .Mjafton një vështrim depërtues dhe i detajuar i skulturës “ The flying Mercury”ku Hermes ky mbrojtës i tregtisë me shkopin ku pështjellohen dy gjarpërinj duket se i flet të gjitha kohërave duke dëshmuar se bota është e pavdekshme përsa kohë gjuha, puna dhe të menduarit ndërveprojnë pa u ndalur.

Dhe ky proçes do ta bënte njeriun më të matur, më të ekuilibruar karshi akteve të tij ku gabimet bashkëjetojnë me arritjet por duke i lënë shtigje lirie lirisë së mendjeve të ndritura të cilave sistematikisht liria u ndërpritet .(Sikur të fliste Laokoonti , Troja nuk do ishte ndëshkuar).

Të menduarit është jo pak herë burim i cilësive më të mira në jetë. 

Po kur edhe kjo pasuri njerëzore kërcënohet nga lakmia, pushtetet rivale, ambicjet?!

Po kur dëshirat, ndjenjat, mendimet, lutjet të cilat janë po aq mikroskopike sa edhe virusi shkatërrimtar që vret jetën , çfarë mbetet?

Zoti i dhuroi njeriut gjuhën për të artikuluar fjalët , mendimet, historitë dhe duart me të cilat ai të ndërtonte pronën dhe pasuritë që do ia bënin jetën komode në një farë mënyre i dha përjetësinë atij . Sot në mjediset tona aty ku ne jetojmë e ndërveprojmë jeta kërcënohet dukshëm dhe padukshëm e ku me dëshirat, ndjenjat, qëllimet mikroskopike por mbi të gjitha LUTJET arrijmë të mbajmë gjallë civilizimin të cilin e trashëguam nga mendimtarët e të gjitha kohërave . 

Si ta mbash gjallë civilizimin që e kërcënon edhe një frymë njeriu nga e cila ke frikë , do t’i fshihesh, të zhdukesh në fluturim?! 

-Është prapë njeriu , ai me ëndrra dhe shpirt, lutje e vullnete të cilat quhen jetë i cili e mban zgjuar jetën me veprat për të cilat po njeriu ka aq shumë nevojë;  shqiptari për shqiptarin, mjeku për shkencëtarin , pacienti për mjekun, prindi për fēmijën dhe anasjelltas , njeriu për njeriun, një zinxhir jetësor ku jo doemos je i rrethuar me diamante por ku çdo hallkë merr vlerë kur oksigjenohet me jetë. 

Le të mos këputet ky zinxhir lutjesh dhe njerëzish të mirë për akte të mira që jetës i japin jetë.

Marjana Bulku (mars 2020)

Filed Under: Opinion Tagged With: lutje, Marjana Bulku, njerez te mire

CORONAVIRUSI: NJË INFEKSION VIRAL, POR JO ORA E KIAMETIT!

March 19, 2020 by dgreca

SHKRUAN: DR. ZEKRI PALUSHI MD/

William Shakespear, (1612),-në  këtë rast, prap do të thonte: “Much Ado About Nothing”,- (Shumë zhurmë për asgja).

Në vitin 2017-2018, Zyra Nacionale e Statistikës së Britanisë, ka raportue 50.100 vdekje  nga gripi (Flu).

Po keshtu, duke u bazue tek një vlerësim i Qendrës së Kontrollit dhe Prevenimit të Sëmundjeve në USA, -nga gripi, vdesin çdo vit në botë, 291.000 deri 646.000 njerëz.

Ndersa deri tash, vetëm në USA, kur dimri po kalon,- janë rraportue të paktën 32 milion raste me grip (influenza), -ndër të cilët, 180.000 janë hospitalizue, dhe 18.000 të tjerë kanë vdekur. Këto shifra mund t’jenë pak a shumë njëlloj, -e ndoshta ma t’larta për Europën, e shumë ma t’larta për Kinën. 

Gjatë kohës që po shkruaj kët artikull, numri global i t’infektumve me CORONAVIRUS, në t’gjithë botën,  ështërreth 218.000, ndërsa numri i  t’vdekurve 8.944, -shumica mbi moshën 81 vjecare, e që kanë qenë duke vuajtur nga një ose ma shumë sëmundje kronike t’mëparshme.  

Nëse krahasojmë numrin e vdekjeve të shkaktuara nga GRIPI (influenza), me numrin e vdekjeve nga CORONAVIRUSI,- mund të themi se, -edhe nëse vdekjet nga coronavirusi do të rriten në javët apo muajt e ardhshëm deri në 100 fish,-prap se prap, ato  s’do t’arrijnë as tek kufijt minimal te vdekjeve t’shkaktuara nga infeksionet e për-vitshme të GRIPIT. 

Pra, n’aspektin e sëmundshmërisë, infeksioni me coronavirus nuk ështëndryshe nga infeksionet sezonale vjetore të gripit (INFLUENZES).

Pa dyshim që COVID-19, ështënjë virus i ri, që ne nuk e njohim,-por ama ne  njohim mirë familjen që i përket që është-CORONAVIRUSI, i cili, si  cdo infeksion tjetër viral, do të ndjekë rrugën e tijë natyrale, do të përhapet, e do të infektojë shumë njerëz të tjerë në të gjitha vendet e botës ashtu si edhe gripi.

Po kush ështëai/ajo që gjatë jetës s’ka pas një infeksion viral, sic ështëGRIPI (influenza), apo rrjedhje hundësh e dhimbje grykësh (common COLD)?

E njëjta gja po ndodh e do të ndodhë edhe me COVID-19. Deri tani, bazuar në  faktet që njohim, -rastet janë të lehta, -ju duhet t’keni ndigjue që disa prej politikanëve e celebrities, -si Tom Henks, Rita Wison, Rudy Gobert, Kevin Durant, Idriz Elba e shumë të tjerë, që megjithse të infektuar nga COVID-19,  ndjehen shëndosh e mirë.

Nëse njerëzit e shofin si një hob n’vetvehte shqetësimin, -atëherë, unë do t’ju rekomandoja TUBERKULOZIN, që n’tvërtetë duhet t’jetë shumë ma shqetësues për të gjithë. Në vitin 2018, Organizata Botnore e Shëndetësisë ka rraportue (por jo in media) 10 miljon raste të reja në t’gjith botën dhe 1.45 miljon vdekje, ndërsa Anglia ka pas 4.672 raste, -por askush s’ka qenë i shqetësuar për të përdur maska. Sa njerëz mund t’a dinë se epiqendra e tuberkulozit ështëIndia,-ku gjinden 27% e rasteve globalë.   

Pra, pse gjithë ky PANIK rreth këtij virusi?

Së pari, e mbi të gjitha, COVID-19, ështënjë pjestar i sapo ardhun në Familjen e CORONAVIRUSIT, për të cilin, deri tani, njerëzit s’kan pas një eksperiencë, e s’kanë qenë të familjarizuar me të. 

Shumë janë për t’u fajsue edhe MEDIAT, që nëpërmjet komenteve dhe raportimeve 24 orëshe, kanë krijuar një dominate në sytë e mendjen e publikut. Le t’imagjinojmë se çdo të ndodhtë, nëse do të raportoheshin pa ndërprere në emisjonet e lajmeve, të gjitha rastet me grip!

Ndikim shumë negativ, që ka keqsue edhe ma tepër këtë gjendje paniku, -kanë pas edhe QEVERITË, dhe zyrtarët e niveleve të ndryshme që flasin me sa munden në të dy anët. – Në njerën anë porosisin popullin të qetësohet, e t’mos paniket, ndërsa në anën tjetër, – japin këshilla që kushdo që kollitet dy herë, duhet të vet-izolohet. Pa përmend edhe masat e jashtzakonshme që imitojnë gjendjen e një shtet-rrethimi. Në këtë rast, unë shof si një problem shumë të madh refuzimin e autoriteteve zyrtare për të qenë të ndershëm me publikun, ato duhet të tregojnë ato c’far ne nuk dimë. 

Megjithatë, unë jam i sigurtë, se ky infeksion viral, nuk asht, e kurrë s’ka me qenë një përsëritje e vitit 1918. 

Është fakt se, sic do sëmundje tjetër virale, ëdhë këtë virus, s’do t’kemi mundësi ta kufizojmë, apo ta mbajmë nën-kontroll. Por ama, ështëkrejt në dorën tonë që marrim t’gjitha masat e zakonshme e të mundëshme, që t’i shmangemi me cdo kusht, ktij infektimi. Ndër kto masa, mund të përmendim: lamjen e durve, kollitjen apo teshtitjen në një shami letre (TISSUE), ose n’ brryla, e nëse e ndjejmë vehten vërtetë keq, t’rrijmë në shtëpi, e t’mos shkojmë për t’vizituar t’afërmit tonë, -sidomos t’moshuarit.

Po keshtu, duhet t’bajmë përpjekjet e mundshme për fuqizimin e Sistemit tonë Imunitar, -dihet se, nëse kemi një mbrojtje t’fuqishem imunitare, -ky infeksion mund t’na  prekë ma me vështërsi,- por edhe sikur të prekemi, -ky infeksion do t’jetë ma i lehtë, e shërimi prej tij, do t’jetë ma i shpejtë.

Me që ra fjala, -a keni ndigjue ndonji prej autoriteteve qeveritare apo zyrtarve të ndryshëm,- t’ju rekomandojnë apo tregojnë se, –marrja e një gjumi t’mjaftueshëm 7-8 orësh, ngrënja e ushqimeve të shëndetëshme me zarzavate e fruta të ndryshme, vitaminat C, D, mineralet, zincu, antioxidant etj,-si dhe ushtrimet e rregullta fizike, e menagjimi i stresit,-ndihmojnë shumë në fuqizimin e funksioneve e ndryshme imunitare. -Sigurisht që jo. Pra do të ishte shumë ma mirë që Autoritetet e ndryshme zyrtare, dhe Mediat, të përqëndroheshin në rekomandimin e këtyre masave për publikun. Kjo do të ishte  shumë ma e lehtë, kuptimplote, e me rezultate pozitive. Publiku do ta vlerësonte shumë ma tepër këtë lloj përkujdesje, se sa taktikën e deri-tanishme,- panik-sjellse, e frikë-shkaktuese, që kanë përcellë çdo dite, e pa ndërprerje.  

Sidoqoftë puna, -ky PANIK dhe REAGIMI tepër EKZAGJERUES, janë krejtesisht të PA-JUSTIFIKUESHËM.  Siq duket, tashmë njerëzit janë msue me situatë falco, të krijuara nga “Partia”, në kohë të ndryshme, për qëllime të ndryshme,- që paralajmërojnë  ORËN e KIAMETIT (Doomsday Clock), -për të cilën, sigurisht që fajsojnë po njerëzit, për një  KATASTROFË GLOBALE të mundëshme që po “krijojnë” me frymë-marrjen e tyre. 

Pra në, njerëzit- megjithse jemi duke jetuar në kohrat ma t’shëndetshmen e paqësore në historinë e njerzimit, -prap se prap, nuk duam ta pranojmë këtë!!! Mesa duket, tashma s’mund t’jetojmë pa shpikjen e dickaje të keqe, siç janë ALARMIMET ndaj “Ndryshimit të Klimës”, Luftës bërthamore, Kolapsit Financiare, e deri tek sëmundjet vdekje-shkaktuese. -Kështu pra edhe CORONAVIRUSI, arriti që suksesshem t’ju bashkohet këtyre shpikjeve.

Shqiptarët e epokës komuniste, e kuptojnë shumë ma kollajshëm këtë lloj strategjie, -për këtë, ato mund t’kujtojnë me “nostalgji” udhëheqsin e “lavdishëm”, që  për t’mbijetuar për vehte, -krijonte vazhdimisht “Grupe Armiqsore”. 

Të paktën një e “mirë” po vjen nga kjo situatë e krijuar, -ku dukshëm shifet se të gjitha shtetet e zhvilluara të botës, për t’shfrytzuar fuqinë e lirë puntore, kanë investuar me shumicë e pa rezervë në Kinën komuniste, duke e transformuar atë, në një epiqendër ekonomike globale,- nga ku, tashma, komunistët kinez po tregojne haptas se c’far mund të bajnë me botën. Po tregojnë jo vetëm fuqinë ekonomike, por edhe mundësitë që kanë për të lujtur një lojë të rrezikshme PSIKOLOGJIKE, -që në rastin e coronavirusit, po eflektohet nëpërmjet PANIKUT dhe REAGIMIT të EKZAGJERUAR që publiku po përjeton. Këto damtime ekonomike e psikologjike  janë të jashtzakonshme e me efekt të gjatë. 

Pra, këto janë probleme që duhet t’mbulohen nga MEDIAT, e t’bahen të qarta për publikun. Me këto probleme duhet të merren autoritetet, qeveritë, e investorët perëndimore që dukshëm kanë ra në kurthin komunist.-Ato duhet t’i kthejnë sa më parë këto investime, në vendet e tyre, -ndërkohë, le t’ua besojmë coronaviruset specialistve MJEKSORE.

Ndërkohë, -vecanërisht ne Shqiptarët, s’duhet t’shqetësohemi apo dëshpërohemi aspak në lidhje me këtë situate KALIMTARË. Kemi kalue e mbijetue në luftra të ndryshme, -përfshi edhe KOLERËN KOMUNISTE.

Në këtë rast sakrifica ma e madhe që kërkohet prej nesh është një vet-izolim dy-javor, periudhë gjatë së cilës, ne mund të ndjekim programe televizive apo t’lexojmë ato libra që s’këmi pas kohë t’i lexojmë më parë.

Përfundoj duke ju siguruar se,- si t’gjitha predikimet e tjera katastrofale,- edhe coronavirusi do të dështojë në përpjekjet e tij, për sjelljen e  “ORËS SË KIAMETIT”.  

Dr Zekri Palushi (MD)

Australi, 16/03/2020

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, Dr.Zekri Plaushi

COPD (Chronic Obstructive Airways Disease)- Bllokimi Kronik i Rrugëve të Frymëmarrjes)

March 16, 2020 by dgreca

Rubrika Mjeksore e Gazetës “Diellit”/

– Ju siguroj se COVID-19 është një nga pjestarët e grupit të coronavirusve që prek si njerëzit ashtu dhe kafshët. Dy pjestarë t’coronavirusit, kanë pasë shkaktue sëmundshmëri ma t’randa, si-SARS coronavirus, në 2002-2003, dhe Middle East Respiratory Syndrom Coronavirus në 2012.

– Duke u bazu në tiparet klinike, -është shumë e vështirë me dallue pacientët e sëmurë nga COVID-19 me ato që kanë Infeksione virale të rrugve Respiratore,-përfshi INFLUENZA-n.

DR. ZEKRI PALUSHI-Australi

Krejt rastësisht këtë sëmundje po e diskutojmë në një kohë shumë të përshtatshme, -kur pjesa ma e madhe e botës po përballohet si me përhapjen PANDEMIKE të coronavirusit (COVID-19), -ashtu dhe me PANIKUN pandemic t’lidhun me të.  

Që n’fillim po ju siguroj se COVID-19 është një nga pjestarët e grupit të coronavirusve që prek si njerëzit ashtu dhe kafshët. Dy pjestarë t’coronavirusit, kanë pasë shkaktue sëmundshmëri ma t’randa, si-SARS coronavirus, në 2002-2003, dhe Middle East Respiratory Syndrom Coronavirus në 2012. 

Duke u bazue në tiparet klinike, -është shumë e vështirë me dallue pacjentët e sëmurë nga COVID-19 me ato që kanë Infeksione virale të rrugve Respiratore,-përfshi INFLUENZA-n. 

Megjithëse siç po shofim, -“expertët” kryesorë të kësaj pandemie janë MEDIAT dhe POLITIKANET, prapseprap, pasojat POLITIKE e SHQERORE, janë të konsiderueshme, e n’keqsim,-e ndoshta shumë ma t’rrezikshme se ato shëndetësore.

Le t’kthehemi tek diskutimi ynë:

Përfaqësuesit kryesorë të kësaj sëmundje janë BRONCHITIT Chronic në kombinim me EMPHYSEMEN që zhvillohen me një  progres të ngadalshëm ku 

 gjatë këtij progresi LEVIZJET, apo SHKEMBIMI i ajrit në mushkri, vjen duke u keqsue gradualisht, deri në bllokim, – për pasojë, FRYMËMARRJA bahet aq e vështirë sa edhe ilaçet që zgjerojnë  pemën bronkiale, (BRONCHODILATATORET), nuk, ose shumë pak, mund të ndihmojnë. Ndër  komplikimet ma serioze është PNEUMONIA, që mund të përfundojë  në MOS-FUNKSIONIM të RRUGËVE të FRYMARRJES (RESPIRATORY FAILURE),-një gjendje shumë i randë, në të cilin trupi i t’sëmurit nuk arrinë të marrë Oxygjen në sasi t’mjaftueshme, ose s’do t’ketë fuqi të nxjerrë jashtë DIOXIDIN e CARBONIT (CO2). 

Duke qenë se shenjat e keqësimit të COPD-së janë shumë të ngjajshme me ato të PNEUMONISË, -shpesh t’sëmurët e kanë shumë t’vështirë t’dallojnë nëse keqsimi i gjendjes së tyre shëndetësore ka ardhë prej një keqësimi të COPD-se, apo janë komplikue me një PNEUMONI. 

Prandaj, tash që edhe COVID-19 është present,-siqdo virus tjetër, ai mud të shkaktojë edhe PNEUMONI, e ky komplikacion është shumë ma i mundshëm në t’smurët me COPD. 

Pra, le t’diskutojmë shenjat kryesore e ma t’shpeshta të një PNEUMONIE: 

Ndjenjë të ftohti (chills), dridhje ethesh nga temperatura, keqësim t’dhimbjeve të gjoksit, temperaturë të naltë, dhimbje koke e dhimbje trupi.

Po kshtu, si pasojë e mungesës së OXYGJENIT, t’smurët shpesh kanë vështirësi në të folur, -gëlbaza (sputum) e tyre bahet ma e trashë (thicker) se më parë dhe ma e errët në ngjyrë.

Ngjyra normale e SPUTUM është e BARDHË, ndërsa në t’smurët me COPD mund t’jetë jeshile, e verdhë, ose e PËRGJAKUR, si ngjyrë ndryshku.

Pra, nëse keni  një keqësim të vështërsisë në frymëmarrje (SOB), ose fishllima gërrhitse gjatë frym-marrjes, ndjeheni konfjus, nuk gjeni rehati, jeni t’irrituar, ju prishet qartësia e t’folmit, keni një dobësi trupore të pa shpjegueshme  apo lodhje që zgjat ma shumë se një ditë, -atëherë mos hezitoni që t’shifni doktorrin tuj URGJENT,-ndryshe, vujtja e një kombinim COPD-PNEUMONI, mund të ketë pasoja afat-gjata, me damtime t’përherëshme t’mushkrive, që sjell si rrezultat, mungesën (deprivation) e vazhdueshme të O2 ose siç quhet,- HYPOXINE. Në ketë situatë, damtohen edhe VESHKAT, systemi CARDIO-VASCULAR që mund të shfaqet me goditje të zemrës, e damtime të pa-rikthyeshme të trurit.

Si trajtohet PNEUMONIA në t’sëmurët me COPD?

-I sëmuri shtrohet në SPITAL, ku i nënshtrohet testeve të ndryshme radiologjike, mikrobiologjike e bio-kimike. 

I fillohen urgjent ANTIBIOTIKT i përshtatshëm në rrugë IV (Intra-Venoze), po kështu, mund t’fillohen edhe GLUCOCORTICOIDET, qe paksojnë inflamacionin e pemës bronchiale, e kështu përmirësojnë procesin e frymë-marrjes. Këto mund të jepen nëpërmjet injeksioneve, tabletave apo inhaler-s.

Jepet OXYGEN shtesë, bile nganjëherë vihen n’përdorim edhe ventilatorë special për të rritur sasinë e OXYGJENIT.

A mund të parandalohet PNEUMONIA?

-Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, u  rekomandon të sëmurët me COPD që t’mundohen me çdo kusht t’prevenojnë një pneumoni të mundëshme. Një ndër rekomandimet kryesore është LARJA e DUARVE.

Po kaq e ransishme, e shumë ma tepër, janë VAKSINIMET kundra GRIPIT (Flu), ç’do vit, dhe kundra PNEUMONISË, ç’do 5 vjet. Po kështu rekomandohet edhe marrja e një vaksine të kombinuar (Tetanoz+Diphteri+Pertussis, -kollit mirë).  

Kush e shkakton COPD?

Shkaktari kryesor, e ma i ransishmi, është DUHANI, -megjithatë, nga kjo sëmundje mund t’vuajnë edhe ato njerëz që kanë qenë ose janë në kontakte t’vazhdueshem me ndotësit e damshëm, siç janë disa nga kemikalet, pluhurat, avujt/gaznat e ndryshme në vendin e punës.

Po kshtu, nga COPD mund t’vuajn edhe njerëzit që kanë qenë për një kohë të gjatë n’kontakt me duhan-piresit. 

Një shkaktar i rrallë, mund t’jetë edhe një sëmundje gjenetike që karakterizohet nga mungesa apo pa-mjaftueshmëria e alpha-1-antitrypsin (AAT), -një proteine që normalisht mbron mushkritë, -por jo n’kët rast.

 Le t’themi dy fjalë për EMPHYSEMEN dhe Bronchitin Chronic.

Emphysema- është një varjant extrem, në të cilën indi sfungjeror elasticknë fund të tubave bronchial damtohet, humbe elasticitetin, e për pasojë nuk mund të kontraktohet plotësisht, -kështu pra, ajri nuk mund t’hyj-e-dalë rregullisht në mushkëri, siç duhet. 

Pra, edhe një herë: -COPD shkaktohet pothujse GJITHMONË nga PIMJA e DUHANIT, ka një progres t’ngadalët e prekë mas’shumti ato që kan pi 20 cingare çdo ditë për 20 vjet. Po kështu, nga pimja e duhanit shkaktohet edhe BRONCHITI CHRONIC, që është një inflamacion persistent i Pemes Bronchiale.

Si i damton duhani MUSHKRITË?

Gjatë thithjes së cingares, 80-90% e tymit mbetet në mushkri dhe shkakton irritim, i cili shton prodhimin e mukusit dhe damton pjesët e thella të mushkrive, pastaj MUKUSI dhe TAR-i (është si dyll i zi, që mund ta shofim kur pastrohet cingaishtja), bllokojnë tubat e ajrit, si pasojë e së cilës shkaktohet BRONCHITI CHRONIC dhe EMPHYSEMA që së bashku formojnë COPD. 

Natyrisht, në personat që vazhdojnë pimjen e duhanit, gjendja shkon duke u keqsue. Ndërsa për ato që e stopojnë duhanin, sëmundja mund të ketë përmirësime të dukshme, ose t’paktën, qëndron në atë nivel.Le t’përqëndrohemi pak më tepër vetëm në COPD-ne:

Shenjat e sëmundjes

Në stadet e herëshme të saj, COPD, jep pak shenja, që zakonisht të sëmurët i injorojnë.

Shenje kryesore ështëë KOLLI i Mjesit, që quhet edhe “kolli i duhanxjinve”, i cili shoqërohet me gëlbazë (sputum), dhe frymarrje të shkurtra e t’vështira, sidomos gjatë sforcimeve, e që vijnë duke u keqsue. Duhanxjinjët e konsiderojnë këtë koll si ‘normal’, por n’fakt ai ska asgja t’përbashkët me normalen.

 Shenja të tjera mund të jenë zhurmat fishklluese në gjoks, si rezultat i bllokimit të rrugëve t’frymëmarrjes, lodhje, dobësi t’përgjithëshme, dhe vështërsi për t’pastrue gjoksin nëpërmjet kollitjeve të shumta e të vështira. Mungesë energjishë, buzët dhe shtrati I thonjëve marrin ngadalë një nuancë të ngjyrës BLUE.

DIAGNOZA

Duhet të konfirmohet me SPIROMETRY, nëpërmjet së cilës konfirmohet BLLOKIMI FIKS I Qarkullimit të AJRIT, kur raporti i FEV1/FVC është ma pak se 0.7, apo ma pak se kufiri normal për moshën e pacientit. 

Komplikacionet:

Pacjentat kanë tendenca të shumta për infeksione të gjoksit që kontribojnë në vazhdimësinë e ciklit vicious të sëmundjeve të mushknive.. Infeksione të tilla mund të çojnë edhe në PNEUMONI për t’cilën folëm ma sipër.

MJEKIMI në përgjithësi:

Fillimisht STOPOHET pirja e DUHANIT. Të shmangen me çdo kusht ambjentet me ajër të ndotur, tymna duhani, erna bojnash e pluhrat e ndryshme.

Ecja n’ajr të pastërt, dhe aktivitetet e mundshme fizike, ju bajnë shumë mirë mushknive dhe zemrës. 

Duhet të SHMANGEN kontaktet me njerëzit që janë me grip.

Nqs keni shenja të një gripi, bronchiti apo koll me gëlbazë të shumtë, shifni doktorrin, sepse ndoshta ke një infeksion të mushknive që mund të shërohet me antibiotik pa komplikime të mëtejshme.

BRONCHODILATATORS: 

Nqs vështirësia në frymëmarrje (DYSPNOEA)  është shumë problematike, keni  shtërngime të gjoksit, dhe zhurma fishkëlluese,-bronchodilatatorët duhet të ndihmojnë.

-SPIRIVA (Tiotropium bromide), është BRONCHODILATATOR me efekt të gjatë, merret me INHALIM një herë në ditë (mëngjes).

Nqs, kjo nuk përmirëson, atëherë jepet një MUSCARINIC antagonist (LAMA), me efekt të gjatë, plus beta2-antagonist me efekt të gjatë (LABA), që tashma gjinden të bashkum në të njëjtën “vegel shpërndarse për inhalim”- sic janë BREEZHALER, GENUAIR, ELLIPTA. Mjekimi me këto lloj kombinimesh është ma superior sesa vetëm me SPIRIVA.

Në raste ma të avancueme, me FEV1 < 25%, mund të shtohet një CORTICOSTEROID Inhalues (ICS) si FLUTICASONE, SYMBICORT, etj. 

Do të ishte mirë që, (ICS) të jepet vetëm në raste kur pacjenti ka edhe Asthëm bronchiale me EOZINOPHYLI.

Ndërsa për nxjerrjen e ajrit të bllokuar në rrugët e frymë-marrjes, dhe hyper-inflacionin e mushkrive ndihmojnë Bronchodilatatoret me effect të shkurt si Beta2-agonist (SABA),- SALBUTAMOL, VENTOLIN, ALBUTERON nebuliser, dhe SAMA (Muscarinic antagonist, po me effect të shkurt si IPRATROPIUM (Atrovent), TIOTROPIUM (Spiriva), GLYCOPYRRONIUM (Seebri).. që bllokojnë efektin muscarinic te acetilcholines. Beta2-agonist mund t’japin dridhje (TREMOR) dhe rrahje t’shpeshta të zemrës (TACHYCARDI).   

GLUCOCORTICOSTEROIDET Oral:

Ma i përshtatëshmi në këtë grup është PREDNISON-i, 40mg, që për të paksue sa ma shumë frenimin e gjandrrave ADRENALE, duhet të merret një herë në ditë, dhe në mëngjez, por jo ma shumë se 5 ditë,- ka raste që jepet për një kohë ma të gjatë, por në doza ma të vogla. 

ANTIBIOTIKËT:

Rrekomandohen, nqs pacienti ka vështërsi në frymë-marrje (DYSPNOEA) dhe një SPUTUM ngjyrë qelbi (PURULENT), që flet për një infeksion të mundshëm bacterial. Ndër antibiotikët, ma e rekomanduesheme është AMOXYCILLINE 500mg, cdo 8 ore, ose DOXYCYCLINE 100mg, 2 tab. Ditën e parë pastaj nga një tabletë cdo ditë për një deri në 2 javë, e që mund të vazhdojë deri në 12 javë.

Ndërsa, për pacjentat që mund të kenë edhe BRONCHIECTASIS, apo histori infeksioni me PSEUDOMONAS, rekomandohet: -CIPROFLOXACIN 500-750mg, oral cdo 12 orë për 7-14 ditë, ose IV 400mg cdo 12 orë.

OXYGENOTHERAPY

Në pacjentat me saturim oxygjeni të ulët (HYPOXEMIC),- jepet OXYGJEN, për një kohë të gjatë, çdo ditë, nga 15 orë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bllokimi kronik, Dr.Zekri Palushaj, Rrugeve te frymarrjes

RRËFIM NË DITËN E LINDJES

March 16, 2020 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Zakonisht në përvjetorët e ditlindjes time kam bërë shaka me rrotullimet e tokës rreth diellit ; duke e parë veten si një  pasagjer dëshmitar në rrethrrotullimin orbital njëvjeçar të tokës. 

Por këtë vit, kam vendosur të tregoj një rrëfenjë. Do të sjell në kujtesën e familjarëve, të afërmve, të lagjes, të fshatit, të krahinës time, madje edhe të disa usharakve, copëza jete të moshatarin tim të paharruar Nazmi Sula.

Vite më parë në Mat (nuk e di sot), në vazhdën e një trashgimnie shumë shekullore, nata e Verës fillonte në muzgun e 13 marsit me ndezjen e zjarreve në majat e kodrave. Kjo do të thoshte se pranvera kishte ardhë. Pas zjarreve  festa vazhdonte me ndezjen  e daulinave (tufa shkurresh, barë i thatë, kashtë gruri e thekre që rrutulloheshin të ndezura). Ky rit, bëhej edhe më 14 e 15 mars, madje nata e fundit ishte më e “zjarrta” me idenë e konkurencës  se kush fshat (lagje)  ua kalonte të tjerve,kush e kishte bërë më mire organizimin.

Nga kodra e Bushatve, zjarret shiheshin qartë deri  në Macukull, Burgajet, Kurdari, Klos, Guri i Bardh, Gurrat, Frankth, Bazi, e deri në Perlat të Mirditës. Për tri net Mati vishej me magjinë e zjarreve të pranverës dhe të  daulinave .

Po ashtu ishte bërë zakon që edhe  krisma  e një pushke lajmëronte lindjen e një djali  në lagje ose në fshat. Kështu  në mëngjezin e datës 16 mars 1949, midis orës 5-5:30, në fshatin Midhë, u dëgjuan dy të shtëna pushke. Pra në një diferencë prej 10-15 minutash erdhën në jetë dy djem nga i njejti fshat e në një distacë rreth 300- 400 metra në vijë ajrore. Ata ishin Nazmi Sula dhe Asllan Bushati të cilëve fshati u kishte vënë me shaka nofkat :”djemt e daulinave”, “djemt e pranverës”, “penda e qeve të mëngjezit”etj.

Duke lindur në të njejtën datë, ditë e vit  me Nazmi Sulën, u ndodhëm edhe  në të njejtën klasë e të njejtën shkollë për shtatë vite. Klasa e tetë na ndau se unë studiova në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, kurse Nazmiu në Gjimnazin e Burrelit. Më pas jeta e solli që të takoheshin edhe në kolegjin ushtarak të kohes, ai për gjitharmësh, kurse unë për  kimist.

Pas diplomimit oficer, ai filloi punë në Burrel , kurse unë në Berat. I dërgonim letra njeri tjetrit (atëherë nuk kishte celular si sot), por për  arsye të punës dhe distancës takoheshim më  rrallë. Në verën e vitit 1974 (verë e vështirë për ushtrinë), unë isha në stërvitjet me përdorim të  lëndëve helmuese luftarake (një nga stërvitjet më të vështira dhe të rrezikshme), në një vend që quhet Cerosten. Atje më erdhi një telegram befasues nga vllai im i ndierë Xhaferr, ku thuhej: ”Ra gjama. Vdiq Nazmi Sula bashkë me dy ushtarë në tunelin e Qafdëllenjës nga gazi”.

U shokova. Nuk mbaja dot lotët. Nga fushimi stërvitor nuk mund të largohesha. Vetëm pas dy javëve u ktheva në fshat dhe shkova për ngushëllim tek familjarët  e shokut tim të ngushtë. Tronditja nuk mu fashit por u ndez më shumë. Takova kolegë miq e shokë dhe eprorë të Korpusit të Burrelit, me synim që ky rast të vlerësohej si heroik se Nazmiu dha jetën e tij për të nxjerrë nga tuneli dy ushtarët . Qe e pamundur  të bashkoheshin me mendimin tim, se të gjithë thonin (për të larguar çdo gjë nga vetja), se ka thyer rregullat. Ka përdorur amonit malor (i ndaluar për hapje tuneli), koha e ajrimit pas plasjeve duhet të ishte më e madhe, kur nuk u kthye ushtari i parë duhet të njoftonte komandën urgjent e të tjera sofizma, vetëm që fajin ta merrte me vete ai që u largu nga kjo jetë. 

Shumë i dëshpëruar, nga sa më sipër, shkrova një artikull të gjatë për gazetën “Luftëtari” (gazeta e ushtrisë së asaj kohe), ku në esencë vija në dukje se akti i Nazmi Sulës  ishte e duhet të vlerësohej edhe nga ushtria si akt heroik. Artikulli (më tha gazetari  Ibrahim Gani) nuk mund të publikohet se i kalon kompetencat e redaksisë së gazetës. Më pas bisedova me ish ushtarakun e lartë Sul Domi i cili ishte edhe deputet. Edhe ai ishte i shqetësuar, por i pafuqishëm ta conte më tutje këtë problem. Nëpërmjet eprorit tim (i ndieri Veli Blaceri) kontaktova me Zotin Tahir Minxhozi i cili ishte drejtuesi i Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më priti mirë, më tha se edhe ai ishte i piklluar dhe se ishte marrë gjatë me rastin e Nazmi Sulës. Por më tha se synimi juaj për ta iniciuar si akt heroik, është një lodhje e kotë. Ai sipas dokumentave, ka thyer rregullat në punimet operative, madje po të ishte gjallë, ndoshta do të ishte dënuar. Shumë i dëshpëruar i thashë po eprorët e tij a kanë përgjegjesi për këtë tragjedi apo fajtori i vetëm është ai që iku nga kjo jetë?

Më kanë thënë, (por unë vetë nuk e kam parë) se Mehmet Shehu (në atë kohë ish edhe Ministër Mbrojtje), në faqen e komunikatës operative të asaj dite, kishte shkruar diçka që e pengonte çdo diskutim në sensin pozitiv për Nazmiun. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja dhe burimi i “gjuhës së drunjtë” që u përdor.

Arma e fundit që më mbeti, ishte një kartolinë për atë  vit të ri të cilën ua dërgova mësuesëve dhe nxënësve të Shkollës “Ali Metra” Komsi, Burrel. Në kartolinë u uroja virtualish atyre vitin e ri në emër të Nazmi Sulës,  po ashtu (vetkuptohet) edhe në emrin tim, me qëllim që nga atje të mund të  lindëte ndonjë inisitivë që emri i Nazmi Sulës të mos harrohej, por t’i vihej ndonjë rruge ose objekti në Burrel.

E pranoj se unë dështova në nismën time për të përjetësuar emrin e vërsnikut tim, shokut të shkollës e të  profesionit, bashkfshatarit dhe shokut më të ngushtë të fëminisë. Por dështimi nuk ishte vetëm i imi. Mbi të gjitha dështimi ishte i atij sistemi vrasës që disave u mori jetën (si Nazmi Sulës), disa i gjymtoi, e disave na mori rininë nëpër tunelet e qendrat e zjarrit, transhetë e hendeklidhjet, me një shfrytëzim deri në rraskapitje për disa ide idiote (mbrojtëse) komuniste.

Unë sot dëshiroj që mendimi politik i së djathtës dhe i së majtës në Shqipëri, të zhillohen me kohën, në konkurencë me njeri tjetrin dhe të gjenerojnë energji kombëtare si në botën e civilizuar. Një e djathtë ekstreme do të ishte e papranueshme dhe burimi i një ekstremizmi djathtist (ndoshta lufte). Një e majtë ekstreme e tipit enverist do të ishte fatalitet i ri, të cilën e provuam për pesëdhjetë vite. Madje me keqardhje shoh se edhe sot shumë nga bashkmoshatarët e mi, nuk kanë dalë akoma nga istikamet e murtajës enveriste.

E solla në vemendje Nazmi Sulën, jo vetëm se ai sot së bashku me mu ka ditëlindjen, por se si historia e tij ka shumë e shumë (Nazmi) të tjerë, të cilët  në moshë të re u larguan nga kjo jetë  vetëm për faj të regjimit.Nazmiu u prehtë në paqe e përjetësi.Ti rrojnë familjarët e tij. Ai e meritonte këtë dedikim në ditën e tij të lindjes prej shokut të fëminisë. Por këtë e meritojnë edhe të gjithë ushtarakët e tjerë që fatkeqsisht (jo për faj të tyre), shkuan parakohe në jetën e amshueme. Ndoshta koha për ta ekspozuar një temë të tillë sot,  është e papërshtatëshme , për këtë kërkoj ndiesë. E them këtë se duket si “dashuri në kohë të kolerës” se  koronaviruesi është nëpër këmbë në Shqipëri  e në botë, por edhe ditlindja e Nazmiut është vetëm më 16 mars.Respekte miq, shokë, kolegë, vatranë  e dashamirë.  

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 338
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT