• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. Sami Repishti: impulse etnopsikologjike

October 3, 2019 by dgreca

Përzgjedhur e përgatitur për botim nga Anton Çefa/

Çdo popull ka nji shpirt, e shpirti i shqiptarit ka qenë besa. Kur besa asht thye dhe ata që e mbajtën u vranë, shqiptari humbi shpirtin që e dalloi. Hyni pabesia.”

*

“Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetem në nji popull që kultivon këto vlera.”

*

“Thelbi i rezistencës kundër të huejit ka qenë tradita shqiptare për liri dhe mbrojtje të tokës-nanë – si pronë private dhe si atdhe- qoftë edhe me çmimin e jetës.”

*

“Shoqënia shqiptare ka pësue nji degradim të madh gjatë viteve të diktaturave, rrjedhimet e të cilit i ndjejmë edhe sot. Duket sikur nga dhimbja e madhe, shqiptarët janë çveshë nga koncepti i lirisë qytetare dhe i dinjitetit personal. Sot ata jetojnë në botën e konfuzionit politik, ekonomik e shoqënor, që ka krijue nji klasë politike të pandërgjegjëshme për fatin e vendit e të qytetarëve, dhe që karakterizohet nga moskokëçarja, korrupsioni, dhanja mbas pasunisë së pistë, dhe drogave e defrimeve degraduese e moralisht të dënueshme. Uroj që kjo të jetë nji fazë kalimtare, dhe sa ma e shkurtë.

*

“Me ardhjen e rregjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, diçka themelore, boshti i trashëgimisë shqiptare, tradita e jonë kombëtare, u thye në mënyrë të pareparueshme!”
*

“Shpesh kam pershtypjen se gjatë atyne ditëve nji epokë e re filloi në vendin tonë – epoka e anti-traditës kombëtare shqiptare,- epoka që jo vetem e perbuzi atë, por ngulmoi me eliminue nevojën dhe me zhdukë sensitivitetin popullor per atë, e punoi sistematikisht me e vra. Ato ditë, u pa qartë ndryshimi i madh që erdhi në vendin tonë, dhe në marrëdhanjet e mia me botën shqiptare që njihsha që në vitet e para të rinisë  shkollore. Pak nga pak, kuptova se ishe “i merguem” në vendin tim…e ma vonë, i urryem!”
*

“Në Shqipërinë komuniste u pushkatue ai që nderoi mikpritjen, u burgos dhe u vra ai që ruejti nderin ma shumë se jetën, u torturue egersisht ai dhe ajo që burrënisht  nuk pranuen me shpifë per shokun ose të panjohunin; u internue shqiptari që mbajti besën e dhanun, ose bashkëshorti- grueja sidomos- që nuk tradhëtoi burrin . . .”

*

“Në vitin 1991, kur pushteti komunist u çthur pa shpëtim, ish të persekutuemit demokratë e të shpronësuemit me dhunë nuk perqafuen urrejtjen e ngritun në shkencë nga komunistët, por faljen e fajit dhe frymën e pajtimit, tue shpresue në drejtësinë ligjore-që i zhgënjeu randë! Ky akt fisnikërie supreme do të provonte persëri forcën e traditës shqiptare të trashëgueme nga e kaluemja e jonë, e që nuk ishte shue plotësisht!”

*


“Dalja në skenë e kaosit të frikshëm, në vitin 1991,  ngjau në nji Shqipëri të  çveshun nga vlerat morale të traditës kombëtare të trashëgueme ma parë dhe të atyne të fitueme ma vonë gjatë viteve të kontaktit me Europën e Perëndimit. Çdonjeni kerkonte plotësimin e nevojëve dhe të dëshirave, dhe menjiherë. ‘Këtu dhe Tani!’, nga nji autoritet i papergatitun e me mjete të kufizueme. Respekti per ligjin kishte zbritë poshtë si rrjedhim i arbitraritetit 45 vjeçar komunist. ‘Shteti’ shikohej si anmiku kryesor, e jo si mbrojtës i qytetarëve. U krijuen konditat e reja: ose me u largue prej vendit, ose me u pasunue sa ma shpejt dhe me mjetet ma të paligjëshme. E para shterroi “trunin” dhe energjinë e vendit, dhe e dyta institucionalizoi korrupsionin që vashdon i pa frenuem.”

*

“Ajo që duhej ba që në ditët e para të demokracisë së re- vlerësimi i së kaluemes,dënimi i saj, dhe hudhja e themeleve per nji ‘shtet’ e ‘shoqëni’ të re që do të paraqitej si anti-tezë e plotë e sistemit komunist nuk ngjau. Në vitin 1991, Shqipëria humbi shansin e madh me rihye në histori si shtet demokratik dhe i qytetnuem.”
*

“Atdheu i ynë ka nevojë për një rilindje morale, për një mbështetje të fortë në parime thellësisht njerëzore si besa, nderi burrnija, mikprtitja tradicionale, “sous peine de mort”, si thonë francezët, ose me përballue vdekjen e plotë shpirtnore.”

*

“Roli historik i çdo shqiptari e ai kolektiv i shoqnisë së lirë shqiptare asht përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë. Rreziku nuk asht ma pak kercënues sot se rreziku i fashizmit, nazismit dhe komunizmit dje, nji e kalueme jo e largët, se rreziku i totalitarizmit pavarësisht nga ngjyra, forma ose emnimi.”

*

“Shqiptarët meritojnë nji qeveri ma të mirë se këtë të viteve të fundit. Ata meritojnë të jetojnë të lirë nga frika dhe të lirë nga uria, të jetojnë si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë.”

*

“Shqipëria ka nevojë për gjak të ri, për nji sistem demokratik pluralist, për parti politike të pakorruptueme, për liderë pa kompleksin napoleonik. . . . Megjithëse duhet kohë dhe punë e ndergjegjshme me kthye vendin tonë në rrugën e perparimit të gjithanshëm ne, të gjithë ne,  duhet të ushqejmë shpresën se e kaluemja nuk na ka vrarë fare, dhe se kemi akoma bindjen dhe forcën e nevojshme me përballue vështirësitë, e me ngritë nji Shqipëri që na ushqen me dinjitet, dhe me dinjitet na nderon para botës së qytetnueme.”

*

“Për fatin tonë të mirë, kemi nji zgjidhje që premton:Hymjen në Bashkimin Europian dhe pjesëmarjen e plotë në lëvizjen e madhe europiane për nji Europë të bashkueme dhe paqësore, ma njerëzore dhe të zhvillueme ekonomikisht, me nji arsim qi sherbën qytetarin  me kuptue ma mirë botën që po ndërtohet, dhe që na ofrohet me qenë pjesëtar i plotë i saj.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa-Prof. Repishti-Impulse etnopsikologjike

Në SHBA : Demokracia Amerikane Kercënohet Seriozisht

October 2, 2019 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, PhD.*/

Ridgefield, CT. Me 24 shtator 2019, the Speaker of the House, Nancy Pelosi, (D.California) Kryetare e Dhomës së Përfaqsuesve të Amerikës, foli nga podiumi i Kongresit mbi nji “rrezik” që kercënon demokracinë amerikane. Ashtë fjala për inisiativen me fillue procesin e “impeachment” (akuzë) kundër Presidentit Donald J. Trump për shkelje të Kushtetutës, abuzim të detyrës, dhe dhunimit të betimit të marrun si president i SHBA-së.

    Kemi të bajmë me zbulimin e nji bisedimi telefonik sekret të Presidentit Trump me homologun e tij ukrainas, Z. Zelensky, me 24 korrik 2019, ku u shqyrtue dhanja e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, nji vend i kercënuem nga agresioni rus. Për këte qellim Kongresi amerikan kishte caktue nji shumë prej rreth katërqind miljonë dollarësh për blemje materiali luftarak nga Ukraina. Ministria e Mbrojtjes Amerikane (Pentagoni) aprovoi këte shumë, dhe mbetej vetëm urdhëni i Presidentit amerikan për dorëzimin e ndihmës.

    Presidenti Trump e vonoi dorëzimin. Ma vonë zbriti shumën e premtueme në dyqindë miljonë dollarë, në mënyrë sekrete. Me datën 24 korrik, në bisedën telefonike, ai e ndryshoi “frymën” e ndihmës, dhe e kushtëzoi atë me “nji favor” që shërbente fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e nandorit të vitit 2020. Ai kërkoi nga Presidenti i Ukrainës të bahen hetime në lidhje me mundësinë e keqpërdorimit të autoritetit zyrtar nga ish nën-presidenti Joseph Biden para vitit 2016, me qellim që këto informata negative të përdoren kundër ish N/Presidentit që duket sikur do të jetë kandidati demokrat për presidencën në vitin 2020. Shtypi  amerikan shkruen se akuzat e mundshme nga Presidenti Trump kundër kandidatit demokrat Biden janë shpifje pa asnji bazë. Kështu mendon edhe Qeveria e Ukrainës.

    Nji taktikë e këtill e pandershme u perdorue nga Presidenti Trump edhe gjatë fushatës elektorale të viteve 2015-16, ku ai inkurajoi qeverinë ruse me krijue kaos në fushatën elektorale amerikane dhe me shpernda gënjeshtra për hutimin e elektoratit. Presidenti Trump nuk pranoi këto akuza. Por qendrimi i tij ndaj Presidetit rus, Vladimir Putin, dhe dalja në shesh e dokumentacionit të ri, vertetojnë saktësinë e akuzave.

    Bisedimi doli në shesh nga akti patriotik qytetar i nji nëpunësi të Administratës, (“uistle-bloer”) i cili mbasi lexoj transkriptin sekret kuptoi se këtu kishim të bajmë me nji akt të randë anti-kushtetues që meritonte vemendjen e Dhomës së Përfaqsuesve. Inspektori i Përgjithshëm për çeshtje të Sigurisë Kombëtare e cilësoi raportin si “urgjent” dhe “credible”. Demokratët e Dhomës vendosën ta ndjekin këte paligjëshmëni dhe të fillojnë hetimet që mund të përfundojnë në “impeachment” (“akuzimin”) të Presidentit Trump për shkelje të Kushtetutës. Debati që vazhdon sot në mes të dy partive kryesore amerikane ashtë i ngarkuem me akuza të ndërsjellta; vendosmënia e “demokratëve” me ngritë këte akuzë kundër Presidentit ashtë e plotë.

    Tashti bahen “ndigjimet’ (dëshmi, “hearings”) të personaliteteve të implikueme me qellim që të sqarohet mjegulla e krijueme dhe e verteta të dalë në shesh. Publiku amerikan ashtë “elektrifikue” nga këto zhvillime që mund të përfundojnë edhe në largimin e Z. Trump nga posti i Presidentit, ose të sjellë si rezultat humbjen republikane në zgjedhjet elektorale të vitit 2020. Gjatë historisë së SHBA-së, tre presidentë janë “akuzue” (impeached): Andrju Jackson(1868) Richard Nixon (1964) dhe Bill Clinton (1998). Nixon dha dorëheqjen para se të jepet vendimi. Jackson dhe Clinton nuk u zevendsuen sepse rasti i tyne nuk arriti të shkojë në Senat, nji hap i domosdoshëm për vendimin e heqjes nga detyra.

      Cili ashtë “favori” që Presidenti Trump i kërkoi homologut të tij ukrainas? “… Do të dëshirojshe që ju të na bani nji favor megjithate, sepse vendi ynë ka kalue shumë ditë të vështira….Ka shumë fjalë në lidhje me  djalin e Biden-it, se Biden ka pengue ndjekjet ligjore kundër tij, dhe ka mjaft persona që dëshirojnë me zbulue të vërteten, kështu që çdo gja që mund të bani me kryeprokurorin në këte drejtim do të  jetë nji sherbim i madh për ne. Biden shetiste rreth e rrotull tue u krenue se ndaloi përndjekjen ligjore, kështu që ju keni mundësi me i hjedhë nji sy këtij problemi. Tingëllon i tmerrshëm për mue…” (24 korrik 2019).

    Paragrafe të këtilla janë interpretue se Z. Trump ka pengue dhanjen e ndihmës për Ukrainën qellimisht, dhe ka kërkue nji favor personal para se të urdhnojë dorëzimin. Ashtë nji metodë ku damtohet interesi kombëtar dhe përfiton interesi personal i Presidentit.

    Akoma ma e randë: Presidenti kërkon ndihmën e nji autoriteti të huej me demaskue nji kundërshtar politik amerikan, kandidatin për president të Partisë Demokratike. Dhe kjo ka irritue miljona amerikanë. Ndërkaq, Presidenti Trump ngulë kambë se ai nuk ka ba gabim, dhe se ashtë “viktimë e mashtrimit…Kjo ashtë shaka dhe kërkohet ‘impeachment’ për këte?”

   Përgjigja e “demokratëve” ashtë se Z. Trump tue kërkue ndihmë nga shtete të jashtëme me diskreditue rivalin e tij, Joe Biden, ashtë “ti më jep diçka, unë të jap diçka”, “tick for tack!”, (latinisht “quid pro quo”), nji taktikë e përdorun nga krerët e grupeve mafioze. “Presidenti ashtë përpjekë me ba ‘paligjëshmëninë’ nji ‘virtyt’ në Amerikë, dhe tashti po e eksporton edhe në botën e jashtëme”, deklaroi Speaker Nancy Pelosi, nji krymjeshtre e manovrave politike në Ëashington,D.C. Z. Biden shtoi: “Ky qendrim i presidentit  tregon se presidenti i jonë ka vue interesat personale mbi interesat e sigurimit tonë kombëtar.”

    Mesazhi për Presidentin Trump ashtë direkt: Mjaft!

   “Mbas kaq muejsh që populli dëshmon shkeljet e vazhdueshme nga ana e Presidentit të normave demokratike dhe talljeve të tia me legjislatorët, që simbas tij, nuk kanë pushtet të mjaftueshëm me kërkue llogari nga Presidenti, kësaj rradhe Kongresi e ban të qartë që ka vija të kuqe që nuk mund të kalohen pa pësue rrjedhimet e ligjëshmënisë” shkruente gazeta The Neë York Times në Editorialin e  saj të datës 26 shtator 2019.

    “Impeachment” ashtë term ligjor :

a) akuza ose përgjegjsia që rrjedh nga akuza, paditja;

b) arrestim, sidomos për nji zyrtar të naltë për keqpërdorim të detyrës. Në SHBA përcakton të drejtën e Dhomës së Përfaqsuesve me akuzue, dhe të Senatit me gjykue; .(frengjisht: accusation par les Chambres, paditje nga të dy Dhomat)

   “Impeachment” ashtë nji procedurë ligjore e ngulun thellë në parimet e Kushtetutës amerikane, dhe shërben me ruejtë vendin nga veprimet e paligjëshme të Presidentit, si trathëtia, marrja e ryshfetit, ose krime tjera të randa, dhe delikte e thyemje të rregulloreve. Krimi i randë ashtë në këte rast nji shprehje juridike e marrun nga tradita angleze e së drejtës komune; ai tregon nji ofendim që Parlamenti e përdor me largue nga detyra zyrtarë të naltë. Në thelb, ashtë abuzimi i pushtetit nga zyrtarët e naltë, jo krime të zakonshme, “…janë ata ofendime që rrjedhin nga sjellja jo korrekte e nëpunësve publikë, ose me fjalë tjera që vijnë nga abuzimi i shkeljes së besimit publik që ata gëzojnë. Ata janë të nji natyre të atillë që në rast të veçantë mund të quhen “politike” me qenë se i referohen kryesisht damtimit që i bahet shoqënisë. Tue shkrue në Federalist Papers (1788), Alexander Hamilton paralajmëron se“…natyra politike inherente e procedurës së ‘impeachment’ do të krijojë me siguri polarizimin e shoqënisë.”

   “Mos harroni, shkruen Kongresiti Harsford (D,Nevada) se akuzat e reja janë pa dyshim shumë të randa. Ata tregojnë nji abuzim direkt të pushtetit (nga Presidenti) në kurriz të sigurimit kombëtar”.  Kongresmeni Tom Malinovski (D. N.Jersey) deklaroi: “Ka pasë shumë akte flagrante, por asgja nuk krahasohet me këte. Presidenti na thotë:’…po, unë bashkëpunova me fuqi të hueja. E çfarë do të bani ju tani?’” (ZiA, 25 shtator 2019) Pergjegja demokrate: “Impeach the Presiden! (Akuzoni Presidetin!)”. Me 24 shtator, Presidenti Trump reagoi: “…Demokratët qellimisht përpiqen me damtue sukseset tona tue përhapë lajme të këtilla.  Gjuejtje shtrigash!….”

    Kandidati demokrat për president Joe Biden u shpreh: ”Në se Presidenti nuk bashkëpunon, por vazhdon me pengue Kongresin dhe të mospërfillë ligjin, atëherë ai nuk do të lerë zgjidhje tjetër Kongresit përveç ngritjes së akuzave për shkarkimin e tij. Kjo do të ishte nji tragjedi e shkaktueme nga vetë Presidenti” njoftonte “ZiA” me 25 shtator.  

      Në nji moment paniku, Presidenti Trump shpërtheu: ”Ajo që ndodhë është mashtrimi më i madh në historinë e politikës amerikane. Rrezikohet si kurrë ma parë vendi ynë. Ashtë e gjitha shumë e thjeshtë kjo gja….”.Speaker Pelosi u përgjegj: “Njerëzit thonë se po ndërmarrim nji rrezik politik, por kjo nuk ka ndonji randësi. Nuk mund të lejojmë që Presidenti të shkelë betimin e bamë kur mori detyrën”. Ndërsa Senatori demokrat Charles Schumer shtoi:” Donald Trump, mos kij asnji dyshim! Në se faktet qendrojnë …Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer do të  qepen pas…! “ transmetoi “Zëri i Amerikës”.

    Alexander Hamilton, dy shekuj e gjysëm ma parë, kishte të drejtë!

    Ka shenja si do të zhvillohet strategjia e “demokratëve”. Zbulimet e komisioneve hetimore të Dhomës i dorëzohen Komisionit për çeshtje ligjore të Dhomës. Në se përfundimet tregojnë se nuk ka prova bindëse për fajsimin e presidentit, paditja pushon e presidenti vazhdon punën e tij. Në se zbulimet janë konkrete dhe të mjaftueshme për nji akuzë, Raporti kalon për shqyrtim nga të gjithë anëtarët e Dhomës, ku çdo kongresmen, nji nga nji, voton për artikujt e “impeachment”.

   Në se fiton shumica e votuesve për “impeachment”, Presidenti deklarohet “fajtor”. Procesi kalon përfundimisht në Senat, ku mbahet nji séancë gjykimi nën kryesinë e Krytarit të Gjykatës së Naltë. Të gjithë senatorët, nji nga nji, japin mendimin e tyne personal. Gjykimi në fund votohet me shumicë votash. Në se vendimi për denim, ashtë në pakicë (ma pak se dy të tretat, ma pak se 67 vota nga 100) Presidenti mbetet ne fuqi. Në se nuk fiton, Presidenti rrëzohet nga detyra. Në se reziston, ai nxirret përjashta Shtëpisë së Bardhë me policë. N/Presidenti merr detyrën e Presidentit deri ne votimet e reja.

     (Fletorja The N.Y. Times e datës 26 shtator 2019, boton tekstin e plotë të dokumentit, bisedimi në mes të Presidentit Trump dhe Presidentit V. Zelensky të Ukrainës. Në nji P.S. të dokumentit, fletorja e sipërme jep edhe këte shenim:

    “ Nji paraqitje e plotë me hollësi e Materialit të Ankuesit (the Complaint’s)mbetet akoma nji mister, ashtu siç ashtë edhe identiteti i denoncuesit (ëistle-bloëer). Me qenë se Presidenti Trump dhe Z. Giuliani (këshilltar personal i Presidentit, SR) kanë pranue haptazi se kanë ushtrue presion mbi Ukrainën për korrupsionin dhe për (N/Presidentin) Biden, nuk ashtë e qartë sa ekstensive ashtë pjesa e ankesës që ka të bajë me informacionin e që nuk ashtë zbulue akoma (sidomos lidhjet me Presidentin rus Putin). Në nji sesion ndigjimi me dyer të mbylluna, inspektori i përgjithshëm i organeve te zbulimit (Intelligence, SR), Michael Atkinson, sugjeroi se ky problem shkon përtej telefonatës së (24) korrikut (2019).

                                          *****

    Pjesa e ankesës që ka të bajë me informacionin ashtë mjaft ekstensive!

    Me 27 shtator, mediat amerikane dhe sidomos fletoret e përditëshme njoftuen me germa të mëdha dhe në faqet e tyne të para, nji shkelje tjetër të madhe ligjore: fshehtësinë (cover-up)e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me bisedimet dhe deklaratat e Presidentit që përmbajnë “gabime” të denueshme me ligj. Fletorja prestigjioze The N.Y.Times e asaj date ka titullin e madh:”Ankuesi (“the Complaint”) Verteton Ekzistencën e Nji Metode Fshehje (Cover-Up)në Shtëpinë e Bardhë”. Zyrtarë të naltë të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekë “me mbajtë të mbyllun” dokumentet e bisedimeve telefonike të Presidentit të Ukrainës, dhe me fshehë përpjekjet e Presidentit Trump me komprometue Ukrainën për nji hetim të rivalit demokrat (J.Biden). Nji denoncues (uistle-bloëer) e zbuloi gjatë nji ankese eksplozive të Enjten” shkruen Michael D.Shear, i The N.Y.Times.

   Pikat kryesore të “Ankesës” janë:

  1. Shtëpia e Bardhë kuptoi se kemi të bajmë me nji abuzim të detyrës.
  2. Zyrtaret banë përpjekje me mbajtë “sekret”“biseden” me Presidentin e Ukrainës.
  3. Rudolph Giuliani veproi në nji mënyrë të rrezikshme për sigurinë kombëtare.
  4. Dyshohet se Presidenti përdorë ndihmën e jashtëme si instrument përfitimi.
  5. Shqetësuese ashtë roli i kryeprokurorit  amerikan Ëilliam Barr.

Kredibiliteti i “ankuesit” forcohet me deklaratën e Inspektorit të Përgjithshëm të

bashkësisë së zbulimit (Intelligence) se deklaratat e tia“ janë të besueshme (credible)

    Ankuesi (the uistler-bloëer) nji ish zyrtar i CIA-s që ka punue për pak kohë edhe në personelin e Shtëpisë së Bardhë thotë në ankesë se “zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë transferuen transkriptin e bisedës telefonike të 25 korrikut me Presidentin ukrainas në nji vend të sigurtë, nji sistem klasifikimi me qellim që aksionet sekrete të Z.Trump që zyrtarët i quejnë ‘thellësisht shqetësuese’ të mbahen sekret”. Presidenti Trump sulmoi denoncimin si “nji akt tradhëtie i denjë për spiunët”, ndërsa demokratët e quejnë nji akt heroik, i cili demaskoi nji konspiracion per rimanipulimin e votimeve të 2020’s, si në 2016.

   Demokratët përgatiten me thirrë si dëshmitarë shumë personalitete që kanë pasë lidhje me këte veprimtari jo-ligjore. Me 27 shtator u njoftue se hetimet do të përfshijnë edhe deklaratat e Sekretarit te Shtetit, Mike Pompeo, nji aleat i ngushtë i Presidentit, dhe do të kerkohet dorëzimi i dokumenteve që kanë të bajnë me këte shkelje të protokollit diplomatik . Të tjerë politikanë do të thirren për “dëshmi”, besohet javen që vjen.

    Efekti i këtyne masave nga Dhoma u pa në dorëheqjen e diplomatit Kurt D. Volker, i derguemi special amerikan per Ukrainen. Në nderkohë, Ambasadori amerikan ne Kiev,  Zonja Marie Jovanoviç, e cila nuk ka bashkëpunue në këte skemë, u ba objekt sulmi nga qarqet konservatore, u akuzue për “pa besnikëri” dhe u forcue me dhanë dorëheqjen.

   2019. Amerika përballet me nji krizë politike të shkaktueme nga abuzimi i pushtetit presidencial, prej nji titullari që ka shkelë betimin e tij presidencial tue vue interesat personale mbi ato të sigurisë dhe mirëqenjes kombëtare.  Shtetet e Bashkueme të Ameriks, për afër tre shekuj ekzistence kanë përballue vetëm nji herë “impeachment” për politikë të jashtëme, jo me president, por me nji senator, Ëillian Blount, i cili në vitin1787 u akuzue për nji skemë bashkëpunimi me Anglinë për transferimin e nji pjese të Floridës dhe shtetin e Lousianës nji fuqie të huej. Dhoma denoi Senatorin Blount, por ai iku nga Ëashingtoni, dhe Senati preferoi me e përjashtue nga rradhët e veta.

    Sot, 232 vjet mbas përcaktimit të shprehjes “impeachment” nga Kongresi amerikan, i gjithë vendi përballohet me pyetjen kryesore: cila ashtë vija e kuqe që përcakton kufinin e interesave  kombëtare dhe  interesave politike personale?

    Pyetje ekzistenciale për çdo vend dhe në çdo kohë!

    Në edicionin e saj të datës 29 shtator 2019, fletorja The N.Y.Times ofron nji EDITORIAL të përgatitun nga Bordi Editorial, që tregon randësinë e jashtëzakonshme të shkrimit. Ma poshtë riprodhoj paragrafin e fundit të këtij shkrimi historik.

   Titulli:“ Akuzat janë të randa, Zgjedhjet e ardhme janë në rrezik. Baballarët e Kombit kanë qenë të qartë. Opsioni i vetëm ashtë Hetime për procesin e “Impeachment” (House Inquiry of Impeachment)”. Teksti:

     “….Vendimi me ‘impeach’ nji president ashtë politikisht inherent, –në kuptimin fisnik të fjalës- dhe duhet ba në interesin publik. Por kurrë nuk duhet të jetë politikisht në kuptimin e ngushtë të fjalës, i diktuem nga sondazhet e fundit ose nga zgjedhjet e të nesërmes. Ky ashtë nji moment për kurajo politike. Amerikanët meritojnë nji qeveri të kushtueme punës për zgjidhjen e problemeve të tyne reale. Po me arrijtë në atë pikë, ata kanë nevojë për nji qeveri të balancueme ashtu si Baballaret e Kombit e menduen, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me nji president që mbikëqyret nga Parlamenti të mos ushtrojë pushtete të jashtëzakonshme. Z. Trump ka nënçmue dhe degradue institucionet e qeverisjes amerikane, me nji përbuzëje historike, tashti që ashte koha, që kur me funksionimin e tyne, të demonstrohet madhështia e demokracisë representative”.

* Autori ashtë qytetar amerikan me prejardhje shqiptare. Voton me demokratët.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami Repishti PhD-SHBA-Demokracia e rrezikuar

NJË MBËSHTETJE HISTORIKE NDËRKOMBËTARE NDAJ LIRISË SË FJALËS

October 2, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata  ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së fjalë, “Reporterët Pa Kufij”, me qëndër në Paris, njofton se, si rezultat i përpjekjeve të saja për të promovuar parimet demokratike dhe lirinë e fjalës në hapësirën e gazetarisë,“online”—20-vende të botës nënshkruan javën që kaloi një marrveshje mbi lirinë e “Informacionit dhe Demokracinë”, në Nju Jork.

Organizata “Reporterët pa Kufij” kishte siguruar vëmendjen, në mbështetje të lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë, të udhëheqsëve të vendeve të industrializuara, G-7 që u mbajt kohët e fundit në Francë.  Pasi kishte marrë mbështjetje për këtë nismë nga udhëheqsit më të lartë botërorë të vendeve të industrializuara G-7, “Reportetër pa Kufij”, kishte vendosur që shqetësimet e veta, mbi gjëndjen e keqe të lirisë së fjalës dhe të medias në botë, në përgjithësi, ta paraqisnin edhe në një nivel më të lartë ndërkombëtar, siç është takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, i cili posa përfundoi punimet e tija në Nju Jork.

Nja dy javë më parë, përfaqsuesit më të lartë të vendeve anëtare më të industrializuara të botës, e njohur si organizata G-7, janë takuar në mbledhjen e tyre vjetore në Francë për të biseduar mbi një numër çështjesh botërore, përfshirë diskutimin e udhëheqësve të këtyre vendeve, mbi nismën e quajtur “Partneriteti për Informacionin dhe Demokracinë”, paraqitur nga “Reporterët pa Kufij”.  Pas përkrahjes së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron të kësaj iniciative, grupi G-7 mbështeti këtë nismë duke thënë se,“Liria e të shprehurit dhe liria e shtypit, që janë gur-themeli i demokracive tona — përparimin e të cilës e kishim konsideruar si të pakëthyeshëm dhe të paprekshëm — në të vërtetë, është pikërisht, kjo vlerë demokratike – që po vihet gjithnjë në dyshim dhe po kërcënohet prapë.”

Pasi siguroi mbështetjen për këtë nismë nga grupi G-7 në Paris para dy javësh, organizata “Reporterët Pa Kufij” vendosi që shteqësimet e tyre ndaj keqësimit të lirisë së medias dhe të drejtës së lirisë së fjalës në nivel botëror, t’i paraqisnin në një nivel edhe më të lartë ndërkombëtar, siç ishte takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), pasi kështu e meritonte serioziteti i gjëndjes në të cilën ata e shohin përkeqësimin e lirisë së fjalës anë e mbanë botës.

Si përfundim, organizata për mbrojtjen e gazetarëve dhe në mbështetje të fjalës së lirë, “Reporterët Pa Kufij”, njofton në një informacion për median, se fillimisht, për idenë e saj siguroi nënshkrimin e “Partneritetit Ndërkombëtar mbi Informacionin dhe Demokracinë” nga 20-vende të botës, të mbledhura këto ditë në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së në Nju Jork.   Kjo organizatë gazetarësh e cilëson si “historike” marrveshjen ndër-qeveritare në mbështetje të promovimit të parimeve demokratike në arenën publike “online”, një nismë kjo e filluar nga “Reporterët Pa Kufij”.

Nisma e propozuar nga “Reporterët Pa Kufij” dhe e nenshkruar nga 20-vende të botës hapë tani rrugën për zbatimin e garancive demokratike në hapësirën e informacionit dhe të gazetarisë “online”.  Njoftohet se, sipas marrveshjes, “Partneriteti Ndërkombëtar mbi Informacionin dhe Demokracinë” — i nenshkruar këto ditë në Nju Jork nga 20-vende të ndryshme –ato janë angazhuar se do të promovojnë përdorimin e lajmeve dhe informacionit të lirë, të besueshëm, të gjithanshëm dhe të pavarur “online”.   Thuhet se marrëveshja në fjalë vendosë disa parime demokratike, përfshirë parimet e neutralitetit politik, ideologjik dhe fetar si dhe siguron transparencën për mënyrën se si funksionojnë burimet e lajmeve dhe të informacionit “online”.  Sipas marrveshjes në fjalë, furnizuesit e lajmeve kanë përsipër përgjegjësinë që të furnizojnë publikun me lajme dhe informacion të besueshëm, të një natyre pluraliste, ashtuqë të mënjanohet “kaosi informativ” që ekziston tani.

Në njoftimin për media të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, thuhet gjithashtu se në apelin drejtuar më shumë se 50-ministrave të jashtëm dhe 20-përfaqsuesve të delegacioneve të tjera në Nju Jork e që morën pjesë në themelimin e asja që quhet “Alliance for Multilaterism”, pranë Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Z. Christophe Deloire – u ka thënë atyre se, “Nëqoftse vendet demokratike nuk vendosin rregullat, në këtë ndërkohë, janë interesat private dhe diktatorët, ata që do të vendosin për ne.  Janë këta – dhe jo parlamentet, ata që deri më tani – kanë vendosur rregullat për hapësirën e informacionit dhe të komunikimit “online”.  Kjo është arsyeja”, ka përfunduar ai, se pse “Kemi nevojë të vendosim një sistem të ri garancishë demokratike, në përputhje me kohën digjitale”, për përdorimin e përgjegjëshëm të hapësirës së shpërndarjes së informacionit dhe komunikimit “online”, në përputhje me parimet demokratike dhe të lirisë së fjalës.

Pritet që nga gjysma e nëntorit të mblidhet në Paris enti i ri “Forumi për Informacionin dhe Demokracinë”,i cili do të inaugurohet nga një koalicion organizatash të pavarura – detyra e të cilit do të jetë që të propozojë parimet mbi të cilat mund të bazohen rregullat dhe mënyrat e rekomanduara të funksionimit të shpërndarjes së lajmeve “online”, në përputhje me parimet e fjalës së lirë dhe të demokracisë, përfundon njoftimi i organizatës “Reporterët Pa Kufij”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Mbeshtetje historike- reporteret Pa Kufij

Shtatori iku dhe nuk u pamë

September 30, 2019 by dgreca


Nga Ilir Levonja/
Që prej 21 qershorit 2019, opozita nuk proteston. U fol për ditë të nxehta, pushime, se njerëzit nuk mblidhen për shkak të impenjimeve të verës etj., arsye shqiptare këto, ndërkohë që shkoi edhe vet me pushime! Mesazhi, do shihemi në shtator. Protesta e 21 qershorit po ta gjykosh nga pjesëmarrja, nga prurjet krahinore, nga skandalet e përgjimeve, nga konfliktualiti i vazhdueshëm social në lidhje me partneritetin publik privat, konfliktualiteti i vazhdushëm me grupet për mbrojtjen e memories historike dhe kulturore, pa përmendur çështjen kombëtare si rasti i një marrëveshje treshe për kufijtë e Kosovës, konfliktualitetin institucional president qeveri komision zgjedhor etj., pa përmendur mbajtjen e një palë votimeve moniste pa alternative por me saze. Pa përmendur faktin se asnjë nga të përgjuarit apo nga ata të të kapurit me presh në dorë për vjedhjen e votës nuk është sot kontingjent drejtësie, por përkundrazi kanakar tavolinash bisedimesh po për sistemin zgjedhor. Nga ana tjetër sistemi ekonomik, ku deficiti thellohet dhe pagat e shqiptarëve apo pensionet, akoma nuk u afrohen atyre në vendet përreth, jo më t’i kapin, megjithëse u mbushën plot 30 vjet ekonomi tregu, prapë xhepat po na i rrënon propaganda. Pra, protesta e 21 qershorit qe një nga më të mëdhatë, një nga ato më fisniket e cila iu bashkua mendësisë së vendeve perëndimore. Protesto me forcë jo me dhunë. Dhe mirë u bë. Dhe duhet të ndodhi kështu me çdo qeveri qëllimi i secilës devijon sikur 1 milimetër nga programi elektoral, se ndryshe nuk ka demokraci dhe ekonomi tregu më. Qe si me thënë një mbyllje protestash që erdhën si pasojë e buzës së plasur të studentëve, fermerëve që derdhnin qumështin rrugëve, shoqërisë civile që nuk e përfilli kërkush etj. Me një sfidë të madhe politike vërvitjen e ca mandateve kallpe etj. Madje qe kjo sfidë që i afroi njerëzit megjithë dritëhijet e ca tipave opozitarë që akoma mbajnë erën e djersëve të komunizmit. Por u mbyllën të gjitha me një togëfjalësh, shihemi në shtator. E sot shtatori iku e ne nuk u pamë. Tani kanë filluar të tjera insinuata, marrëveshje nën zë, biseda a ulje në tryezë me Damo Tërmetin, atë që i q… robtë Dibrës. Nuk e di ku qëndron ekzistenca opozitare këtu, kur rrugët janë bosh, televizonët po të njëjtit kanakarë të pa rruar e me shallvare. I njëjti refren monoton me drejtësinë për peshqit e mëdhenj. Dhe mos harroni një vend që nuk dënoi krimet e komunizmit nuk ka pasur dhe nuk ka për të patur kurrë ndërmend për të dënuar peshq të mëdhenj. Sepse nuk e kupton se si funksionon shteti, nuk ka kulturën e mjaftueshme shtetarë. Eshtë i mbytur nga dhuna e njëshave, nga bindja për të qënë në rresht. Ose atë që ka, atë çikëz kulturë, e ka të mbytur nga propaganda se sa nga hallkat. Dhe kjo ndodh kur vazhdimisht harron qëllimisht dhe shkon me pushime për të mos u kthyer më. Iku shtatori Lul opozitari dhe nuk u pamë gjëkundi. Madje përshtypja është sikur nuk kemi më opozitë, por ca grindavecër të lodhur pushimesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-Shtatori Iku-nuk u pame

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

September 27, 2019 by dgreca

 SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MIKE POMPEO ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN/

Nga Frank SHKRELI/                                           

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) sapo njoftoi zyrtarisht se javën që vjen Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë Ballkanin disa vende të Perëndimor.   Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, kryediplomati amerikan do të fillojë turnerun e tij me një vizitë në Itali dhe në Vatikan dhe pastaj do të ndalojë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, duke e përfunduar vizitën në atë pjesë të Evropës me një vizitë edhe në Athinë të Greqisë.   E gjithë kjo vizitë do të zgjasë nga 1 deri me 6 tetor.

Sipas njoftimit të DASH, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga Shtetet e Bshkuara dhe nga Vatikani, në bashkpunim me disa organizata fetare, ku dhe pritet që Mike Pompeo të mbajë një fjalim me atë rast.   Si pjesë e vizitës së tij në Vatikan, Kryediplomati amerikan do të pritet n[ jk[ audience private nga Papa Françesku dhe do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardianlin Parolin dhe me Sekretarin përgjegjës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kryeipeshkvin Gallagher.

Në Romë Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë Presidentin Italian, Mattarella, Kryeminsitrin Conte dhe Ministrin e jashtë të Italisë, Di Matteo.   Siç dihet, Sekretari Amerikan i Shtetit është me origjinë italiane dhe gjatë qëndrimit të tij në Itali ka vendosur të vizitojë edhe krahinën Abruzzo, prej nga ka prejardhjen familja e tij.

Nga Italia, Kryediplomati Amerikan do të udhtojë për në Ballkanin Perëndiomor, duke u ndaluar në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Gjukanoviq, me Kryeministrin Markoviq dhe me Ministrin e Jashtëm malazez, Darmanoviq.  Nga Podgorica, Mike Pompeo do të shkojë në Shkup të Maqedonisë së Veriut për bisedime me Presidentin e atij vendi, Pendarovski, me Kryeministrin Zaev dhe me zyrtarë të tjerë maqedonas.  Nga Shkupi, ai udhton për në Athinë ku edhe atje do të takohet me udhëheqsit më të lartë të Greqisë, Kryeministrin Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe Ministrine Mbrojtjes Panagiotopoulos.

Ndonëse gjatë këtij turneu, Sekretari Amerikan i Shtetit nuk do të jetë jo më larg se “një vrap pele” nga Tirana dhe Prishtina, për një arsye ose për një tjetër ka vendosur që të mos ndalojë në truallin shqiptar.  Unë besoj se arsyeja–se pse Sekretari Pompeo nuk do të shkojë në Tiranë dhe në Prishtinë– është ngërçi politik dhe gjëndja e mbrendshme kaotike politike, jasht kontrollit, për sa kohë tani në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë.   Jam i bindur se zyrtarët amerikanë u kanë thënë troç udhëheqësve më të lartë shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës se çfarë pritet prej tyre, për një vizitë të tillë — në takimet që patën në Nju Jork me diplomatët e lartë amerikanë, Mathew Palmer dhe Philip Reeker, ditët e fundit, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  

 I vetmi lajm pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, nga këto takime, ishte njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright.

Mos u vini vesh fotografive të botuara në portalet zyrtare të udhëheqsve të Shqipërisë dhe të Kosovës me zyrtarët amerikanë në Nju Jork dhe as mos i vini vesh as informacionit të botuar prej tyre dhe prej mediave pro-zyrtare të tyre, në të cilat flitet për bisedimet miqësore e të suksesshme, por nuk thonë asgjë për ato që mund tu kenë thënë atyre zyrtarët amerikanë.  Unë jam i bindur se Philip Reeker dhe Mathew Palmer, të pakën nga pikëpamja amerikane, ua kanë njehur një nga një “detyrat e shtëpisë” që duhet të bëjë kjo klasë politike në trojet shqiptare, nëqoftse me të vërtetë janë serioz, për bërjen një herë e mirë të reformave demokratike, të cilat do të çojnë, më në fund, Shqipërinë dhe Kosovën drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe në integrimet e përgjithshme euro-atlantike.

Nuk është mjaft të thuhet se gjatë bisedimeve, ata u siguruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat demokratike dhe rrugëtimin evropian të shqiptarëve, siç u shprehen zyrtarët shqiptarë, pas bisedimeve me diplomatët amerikanë.   Shtetet e Bashkuara kanë qenë në favor të kësaj politike tash 30- vjet, jo vetëm ç’prej shembjes së komunizmit, por edhe shumë më përpara.   Pyetja është nëse ju — kjo klasë aktuale politike – jeni të vullnetshëm dhe të gatshëm për një gjë të tillë.   Deri më sot, Tirana dhe Prishtina zyrtare, me veprimet e tyre, fatkeqsisht, e kanë treguar se nuk janë të gatëshëm as nuk kanë vullnetin e nevojshëm, as nuk janë serioz të ndërmarrin përgjegjësitë dhe detyrimet që u takojnë, për një rrugëtim të tillë, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e ish-vendeve komuniste të Evropës dekada më parë.

Anashkalimi i Tiranës dhe Prishtinës nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën që vjen, nuk është i pari anashkalim i tillë nga zrytarë të lartë amerikanë.   Gjatë vitit të kaluar dhe më heret, ka pasur raste të tjera që diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë nuk kanë vizituar kryqytetet shqiptare, megjithëse kanë vizituar shtetet fqinje aty afër.  Është pak e çuditshme kjo, pasi politika amerikane tenton gjithashtu që të trajtojë një politikë rajonale kur është fjala për Ballkanin Perëndimor.  Por, arsyen se pse Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo nuk po viziton Shqipërinë e Kosovën gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën e parë të tetorit, mos e kërkoni në portalet zyrtare as në fejsbukun e zyrtarëve më të lartë shqiptarë, të cilët takimet me zyrtarët e lartë amerikanë në Nju Jork i përshkruan (të ilustruara me fotografi) si të suksesëshme dhe miqësore, ku sipas tyre mund të konstatohet se nuk ka asnjë problem në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.   Besoj se ky nuk është një pasqyrim i vërtetë i bisedimeve dhe as i gjëndjes së marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve.  Ka një ndryshim të madh midis atyre që thuhen në publik dhe bisedimeve serioze që zhvillohen me dyerë të mbyllura.

Arsyen e anashkalimit të Tiranës dhe Prishtinës nga kryediplomati amerikan Pompeo gjatë vizitës së tij në Balllkan, kërkojeni në kollapsin ose shembjen e përgjithshme të rendit politik, sidomos në Shqipëri.   Kërkojeni në ngërçin politik shqiptar, në të dy anët e kufirit.  Kërkojeni në mungesën e normalitetit të gjëndjes së përgjithshme politike.   Kërkojeni, por jo vetëm, në trafikimin e drogës, në krimin e organizuar e në korrupsionin që ka përfshirë të gjitha nivelet e shtetit, të qeverisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.   Kërkojeni, sidomos, në mungesën e sundimit të ligjit!   Kërkojeni në zbrazjen biblike të trojeve shqiptare, sidomos nga të rinjtë dhe të rejat shqiptare të cilët konsiderojnë se kjo klasë politike nuk u jep asnjë shpresë as përspektivë për një jetë normale në atdheun e tyre.   Jam i sigurt se në “ngrirjen” aktuale të zhvillimit normal të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane po ndikojnë jo pak –duke u prekur ato negativisht edhe –flirtimet e udhëheqsve shqiptarë, – si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë — me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.  

Jeni ende me këmbë në kapërcyell.  Uluni nga kapërcelli, ose këndej ose andej!

Gjëndja aktuale e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithësi, duhet të shqetësojë të gjithë ata të cilëve me të vërtetë u interesojnë marrëdhëniet e mira midis dy kombeve tona.   Është një gjëndje e papranueshme, për të cilën disa prej nesh, shumë më heret, kemi shfaqur shqetësimin tonë.   Por ja, fatkeqsisht, ku jemi sot, shqetësimi po vërtetohet.   Koha është tani që ky rrugëtim aktual i pa dëshirueshëm në marrëdhëniet e “ngrira” amerikano-shqiptare, të ndryshojë para se të jetë vonë.   I takon kësaj klase politike të veprojë, sa më shpejt, aq më mire që këto marrëdhënie të vendosen në shinat e duhura. Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve nuk janë në interesin afat shkurtër dhe as afat gjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe as të shqiptarëve në përgjithësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Mike Pompeo-Ballkan-Jo Shqiperi e Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 362
  • 363
  • 364
  • 365
  • 366
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT